Friday, September 20, 2013

Vendimi i plotë, i arsyetuar, i Gjykatës së Apelit / Zbardhen argumentet pse ndryshoi akuza për Prendin e Llupon

Sonja Caka
Gjykimi, mbeten pa autor vrasjet e Hekuran Dedës dhe Aleks Nikës
Trupi gjykues: Përdorimi i armëve, pas dhunës të egër të protestuesveTrupi gjykues që dënoi me katër vite dy të pandehurit e akuzuar për ngjarjen e 21 Janarit, Ndrea Prendi dhe Agim Llupo, ka dorëzuar dje në sekretarinë gjyqësore arsyetimin e zbardhur të vendimit të tyre. Në vendimin me 21 faqe,
trupi gjykues i përbërë nga Ervin Metalla, Agim Bendo dhe Evgjeni Sinoimeri ka dhënë argumentet pse ndryshon kualifikimin e veprës penale nga “Vrasje me dashje” në “Vrasje nga pakujdesia” për dy të pandehurit dhe ku ndahet në vendimin e saj nga kolegët e Shkallës së Parë, të cilët dhanë dy pafajësi. Në këtë vendim, dy të pandehurit dënohen vetëm për 2 nga 4 vrasjet e 21 Janarit, përkatësisht për vrasjen e Ziver Veizit e Faik Myrtajt, ndërsa ngel pa u zbardhur ende se cilët kanë qëlluar ndaj dy viktimave të tjera, Hekuran Deda e Aleks Nikaj. Gjykata e Apelit vlerëson se vendimi i gjykatës së shkallës së parë është jo plotësisht i bazuar në prova e në ligj dhe, për këtë arsye, ka vend që ai të ndryshohet, në kuptim të nenit 428/b të Kodit të Procedurës Penale. Kështu procedimi penal, siç u parashtrua edhe më lart, ka nisur për shkak të pasojave të ardhura nga qitja me armë zjarri, konkretisht, vdekjes se shtetasve Faik Myrtaj, Ziver Veizi, Hekuran Deda, si edhe plagosjes së shtatë shtetasve të tjerë, Fatos Mahmutaj, Erald Bisha, Sokrat Gode, Artes Dybeli, Ilia Qesko, Ilia Papa dhe Aleks (Aleksandër) Nika, i cili, pas mjekimit paraprak në Spitalin Ushtarak Tiranë, është dërguar për kurim të mëtejshëm në Turqi, ku dhe ka vdekur pas disa ditësh. Kjo ka ndodhur gjatë zhvillimit të tubimit të organizuar nga subjekti politik “Partia Socialiste e Shqipërisë”, me datë 21 Janar 2011, në qytetin e Tiranës.
Argumentet
Sipas arsyetimit të gjykatës, “sikurse arsyeton gjykata e shkallës së parë dhe sikurse nuk është kundërshtuar nga palët në atë gjykim, efektivat e Gardës kanë filluar të qëllojnë me armë zjarri, me fishekë manovër dhe luftarakë, pikërisht disa minuta pasi kishte kaluar ora 16:00, në kohën që protestuesit, një numër deri në 100 persona, kanë hapur me forcë “Portën nr. 1”, në hyrje të Kryeministrisë, si edhe kanë djegur vendrojën, duke depërtuar përkohësisht 20-30 metra në brendësi të territorit të rrethuar të Kryeministrisë”, ndërsa shton se protestuesit janë paralajmëruar për t’u larguar nga rrethimi dhe për të mos hyrë brenda ambienteve të kryeministrisë. Gjithashtu, sipas treshes gjykuese të Apelit, prokuroria në konkluzionet e saj përfundimtare mban qëndrimin se “është më se e vërtetuar dhe kjo nuk ka nevojë për asnjë koment se dhuna e ushtruar mbi efektivat e Gardës ka qenë thellësisht e egër, e shoqëruar me provokime, me sharje, fyerje, dhunë verbale, për të vazhduar më pas me përdorimin e mjeteve rrethanore dhe të përgatitura, të cilat janë përdorur në ato rrethana, me intensitet të pashembullt dhe nga një turmë e madhe njerëzish, pavarësisht përgatitjes fizike dhe pajisjeve me mjete mbrojtëse, kanë synuar dhe në fakt kanë realizuar cenimin e integritetit fizik të tyre…” (pika 5 e konkluzioneve të akuzës, f. 12). Po në këtë pikë të konkluzioneve, akuza mban qëndrimin se, fillimisht, efektivat e gardës, në përmbushje të plotë të detyrës, kanë qëlluar me armë zjarri, me fishekë manovër dhe luftarakë. Gjykata ka përdorur si argumente për lehtësimin e akuzës ndaj të pandehurve pikërisht deklarimet e prokurorëve në konkluzionet përfundimtare, duke u shprehur se “lidhur me përdorimin e forcës, pra, të armëve të zjarrit në rastin për gjykim, edhe akuza, me përjashtim të rastit të pasojave, ka mbajtur qëndrimin se ai ka qenë i ligjshëm, për aq sa nevojitej për ndalimin e dhunës dhe sprapsjen e turmës që ushtroi dhunë dhe tentoi të hynte në Kryeministri. Kështu vetë akuza, në konkluzionet përfundimtare të saj, para gjykatës së shkallës së parë, shprehet se “…një sasi fishekësh, e cila ka qenë krahasimisht e njëjtë, por në mënyrë cilësisht të dallueshme nga efektivat e tjerë të gardës, të cilët kanë qëlluar me armët e tyre të zjarrit, por pa u provuar që ata të kenë sjellë pasoja…” (fq. 33 e konkluzioneve)”. Sipas arsyetimit të gjykatës, tubimi duhet të jetë paqësor dhe se autoritetet vendosin shpërndarjen e tij vetëm në rastet e parashikuara në ligj. “Në fakt, siç ka rezultuar edhe gjatë gjykimit në shkallë të parë, në një moment të caktuar dhe për një pjesë të protestuesve, tubimi nuk ka qenë paqësor, por i shoqëruar me akte dhune ndaj efektivave të Gardës së Republikës, Policisë së Shtetit dhe Kryeministrisë”, – thuhet në vendimin e zbardhur të Gjykatës së Apelit. Dhe në të vërtetë, thuhet në vendimin e gjykatës, siç ka rezultuar edhe gjatë gjykimit në shkallë të parë, autoritetet e Gardës u kanë bërë thirrje protestuesve që të shpërndahen, pasi nga precipitimet e dhunshme të tubimit u rrezikua dhe u dëmtua rendi publik, siguria e efektivave të Gardës, si dhe objekti i rëndësisë së veçantë, Kryeministria. Është fakt i njohur tashmë dënimi i një numri të konsiderueshëm protestuesish për kryerjen e veprave të ndryshme penale, kundër punonjësve dhe pronës publike, pikërisht për këto episode. Sipas vendimit të gjykatës, ka rezultuar e provuar se protestuesit e dhunshëm janë paralajmëruar që të shpërndahen, por ata nuk janë bindur. Është shpërthyer me forcë “Porta nr. 1”, në hyrje të Kryeministrisë, është shkatërruar e djegur vendroja, si dhe është tentuar, së paku dy herë, të hyhet me forcë në brendësi të ORV-së. Efektivat e Gardës kanë qëlluar me armë zjarri në ajër, në mënyrë të përshkallëzuar, pas përdorimit të mjeteve dhe mënyrave të tjera për ndalimin e protestuesve dhe vetëm pas orës pas orës 16:00. Pra, disa orë pas fillimit të veprimeve të dhunshme, në momentin që u shpërthye “Porta nr. 1” dhe vendroja, si dhe në kohën kur protestuesit kanë vazhduar të avancojnë duke menduar se qëllohej me fishekë manovër. Efektivat e Gardës, pas paralajmërimit dhe mosbindjes së protestuesve, nuk kanë qëlluar, as duke synuar pjesët e poshtme të trupit të protestuesve dhe as drejtpërdrejtë mbi ta, por në ajër.
Vrasjet
Gjykata e Apelit e vlerëson të bazuar në prova e në ligj konkluzionin e gjykatës së shkallës së parë se është provuar tej çdo dyshimi të arsyeshëm lidhja shkakësore e drejtpërdrejtë në rastin e viktimave Ziver Veizi dhe Faik Myrtaj, por jo ajo në rastin e viktimës Hekuran Deda dhe shtetasve që janë plagosur. “Kështu është provuar se predha e dalë nga arma e të pandehurit Ndrea Prendi ka shkaktuar vdekjen e të ndjerit Faik Myrtaj, ndërsa predha e dalë nga arma e të pandehurit Agim Llupo ka shkaktuar vdekjen e të ndjerit Ziver Veizi”, – thuhet në vendim. “Akuza ka pretenduar se provohet se i pandehuri Agim Llupo ka qëlluar edhe të ndjerin Hekuran Deda dhe disa shtetas të tjerë që janë plagosur, ndonëse nuk është gjetur predha që ka shkaktuar vdekjen e të ndjerit Hekuran Deda dhe as predhat që kanë shkaktuar plagosjen e shtetasve Fatos Mahmutaj, Erald Bisha, Sokrat Gode, Artes Dybeli, Ilia Qesko, Ilia Papa dhe Aleks (Aleksandër) Nika, i cili më pas ka gjetur vdekjen. Gjetja e këtyre predhave do të bënte të mundur kryerjen e ekspertimit për të përcaktuar se nga cilat armë ishin qitur, gjë që do të provonte lidhjen shkakësore të drejtpërdrejtë, tej çdo dyshimi të arsyeshëm. Po kështu, është objektivisht e kundërshtueshme saktësia e konstatimit të drejtimit të qitjes me sy të lirë nga dëshmitarët, apo nëpërmjet fotove a filmimeve, në situatën kaotike që ishte krijuar dhe ku kishte shumë njerëz që ishin të përfshirë në veprime nga më të ndryshmet. Kështu dëshmitari Hysni Peposhi ka dëshmuar se ka perceptuar se këndi i qitjes së armës së të pandehurit Agim Llupo ishte 45 gradë, ndërkohë që dëshmitarë të tjerë, kryesisht gardistë, kanë dëshmuar se përgjithësisht këndi ishte 70-75 gradë”, – vijon gjykata në arsyetimin e saj.
Argumentet
Rënia e akuzës dhe ndryshimi i saj në vrasje nga pakujdesia
Gjykata e Apelit në vendimin e saj konsideron gjithashtu të bazuar në ligj qëndrimin e Gjykatës së Shkallës së Parë, sa i takon detyrimit për të provuar motivet kur pretendohet se vrasja është kryer me dashje direkte. Motivet nuk do të kishin rëndësi në rastin kur forma e fajësisë do të ishte me dashje indirekte ose nga pakujdesia. Kjo është edhe fryma e dispozitave që parashikojnë grupin e veprave penale të vrasjes me dashje, aq më tepër në rrethana cilësuese. Kështu një i pandehur do të mbajë përgjegjësi sipas nenit 79 nëse e vret kallëzuesin e veprës penale, duke e ditur që është kallëzues apo deputetin duke e ditur se është i tillë. Vetëm një person i papërgjegjshëm nga ana mendore, pra, i papërgjegjshëm para ligjit mund të kryejë një vrasje me dashje direkte pa pasur asnjë motiv. “I pandehuri Ndrea Prendi, në cilësinë e komandantit të Gardës, është provuar se ka qëlluar 11 predha, nga të cilat, veç predhës që i ka shkaktuar vdekjen të ndjerit Faik Myrtaj, janë gjetur edhe katër të tjera, në lartësi që përputhen me deklarimet e dëshmitarëve për qitje në ajër, si dhe me vetë pretendimin e të pandehurit. Distanca e qitjes ndërmjet të pandehurit Ndrea Prendi dhe viktimës Faik Myrtaj nuk është përcaktuar saktësisht, por ka qenë relativisht jo e vogël, pasi, ndërsa i pandehuri ishte në brendësi të territorit të Kryeministrisë, viktima ishte 5-6 metra nga trotuari i Gjykatës Kushtetuese. Duke mbajtur parasysh këtë fakt, si dhe atë se i pandehuri Ndrea Prendi ka qëlluar me pistoletë, por edhe rrethanave të tjera, siç është ana subjektive e të pandehurit, të përshkruara në këtë vendim, nuk provohet tej çdo dyshimi të arsyeshëm se trajektorja e predhës së qitur nga i pandehuri Ndrea Prendi ka qenë e drejtpërdrejtë me viktimën Faik Myrtaj, pavarësisht pamundësisë për të përcaktuar trajektoren e saktë apo të faktorëve që mund të kenë ndikuar në këtë trajektore” arsyeton gjykata. Gjithashtu nuk është provuar se pse i pandehuri Ndrea Prendi ka dashur të vrasë pikërisht viktimën Faik Myrtaj, ndërkohë që nuk kishte asnjë njohje dhe as ndonjë motiv për këtë gjë. Kjo, ndër të tjera, edhe për faktin se viktima Faik Myrtaj nuk ishte as pjesë aktive e sulmit, gjë që do të mund të shërbente, eventualisht, si motiv për të qëlluar drejtpërdrejtë. Vetë akuza, në parashtrimet e saj para gjykatës së apelit, ashtu sikurse është provuar edhe gjatë gjykimit në shkallë të parë, shprehet se viktima Faik Myrtaj, në momentin që është goditura nga predha vdekjeprurëse, ndodhej 5-6 metra nga trotuari i Gjykatës Kushtetuese, në një distancë të largët nga Kryeministria. Në këto rrethana, prokuroria, praktikisht, pretendon se i pandehuri Ndrea Prendi, jo me pushkë automatike dhe as duke vepruar si snajper, ka marrë shenjë me pistoletë viktimën Faik Myrtaj, që nga larg, duke e goditur dhe duke i shkaktuar vdekjen. Një arsye tjetër që mund të mbahet në konsideratë në këtë aspekt është edhe fakti se i pandehuri Ndrea Prendi ishte eprori më i lartë i Gardës, që mund të urdhëronte këdo nga efektivat për të qëlluar drejtpërdrejtë në atë situatë. Gjithë sa më lart, përjashton dashjen si formë fajësie në veprimet e të pandehurit Ndrea Prendi. Nisur nga sa më lart, me të drejtë gjykata e shkallës së parë e ka përjashtuar mundësinë që i pandehuri Ndrea Prendi të ketë qëlluar drejtpërdrejtë, me dashje direkte, për të vrarë viktimën Faik Myrtaj. Nuk është bërë e mundur të përcaktohet saktësisht trajektorja e predhës së qitur nga arma e të pandehurit Ndrea Prendi, por gjithsesi nuk provohet ana subjektive e figurës së veprës penale për të cilën akuzohet i pandehuri Ndrea Prendi, që është dashja në vrasjen e viktimës Faik Myrtaj. Këtu gjykata e gjen me vend të theksojë se fakti i ndërrimit të tytës së armës së përdorur nga Ndra Prendi, pas ngjarjes, nuk mundet që në mënyrë prapavepruese të ndikojë në formën e fajësisë së tij në kryerjen e veprimeve dhe sjelljen gjatë ngjarjes. Po kështu, edhe në rastin e të pandehurit Agim Llupo, me të drejtë gjykata e shkallës së parë ka përjashtuar dashjen si formë fajësie në veprimet e tij. Edhe në rastin e kësaj akuze, kërkohet që i pandehuri të ketë dashur në mënyrë direkte të vrasë dy ose më shumë persona, për motive të caktuara, ndërkohë që i pandehuri Agim Llupo as që e njihte viktimën Ziver Veizi. Gjithashtu ky i fundit nuk ishte as pjesë aktive e sulmit ndaj gardistëve dha as ndonjëri nga protestuesit që tentoi të hynte me forcë në brendësi të ORV-së. Nëse do të kishte ndodhur kështu, vrasja do të kishte qenë me dashje direkte dhe do të ishte në diskutim nëse ishte kryer në përmbushje të një detyre të ligjshme ose jo. Gjykata e Apelit vlerëson se përdorimi i forcës nga të pandehurit Ndrea Prendi dhe Agim Llupo, duke qëlluar me armë zjarri në ajër, në rastin e sulmit që iu bë efektivave të Gardës dhe objektit të Kryeministrisë, si objekt i rëndësisë së veçantë, me datë 21 Janar 2011, pas paralajmërimeve përkatëse, ishte i bazuar në ligj, por jo proporcional në raport më viktimat Faik Myrtaj dhe Ziver Veizaj, të cilët nuk bënin pjesë tek protestuesit, pjesë aktive e sulmit. Gjykata e Apelit, në ndryshim nga gjykata e shkallës së parë, çmon se i pandehuri Ndrea Prendi dhe i pandehuri Agim Llupo kishin detyrimin objektiv dhe mundësinë subjektive për të parashikuar se, mënyra se si ata po qëllonin me armë zjarri në ajër, me fishekë luftarakë, mund të sillte pasojat që erdhën në fakt. Fakti që kanë qëlluar në ajër, pra, jo drejt viktimave, nuk i çliron të pandehurit nga përgjegjësia që ata kanë për të qëlluar në këndin dhe mënyrën e duhur në ajër.  Në këtë mënyrë, këta të pandehur kanë vepruar me pakujdesi në formën e neglizhencës dhe duhet të përgjigjen penalisht për veprën penale të vrasjes nga pakujdesia, të parashikuar nga 85 i Kodit Penal. Kjo pasi, referuar nenit 19 të ligjit për Gardën, punonjësit e gardës i nënshtrohen juridiksionit penal të zakonshëm. Gjykata nuk mund të ndërtojë një akuzë të re, për një fakt të ri, por të njëjtit fakt, me atë të parashtruar nga prokuroria, gjykata për hir të dhënies së drejtësisë, mund dhe duhet t’i japë përgjigje, qoftë edhe duke ndryshuar cilësimin juridik të figurës së veprës penale. Konkretisht, siç u parashtrua edhe më lart, është provuar tej çdo dyshimi të arsyeshëm fakti i vrasjes së shtetasve Faik Myrtaj dhe Ziver Veizi, pra, pasoja e kundërligjshme, si dhe lidhja shkakësore e drejtpërdrejtë.
Pretendimet e prokurorisë për Prendin
-Nuk është e vërtetë se prokuroria nuk ka kryer hetime të plota, siç arsyeton gjykata e shkallës së parë;
-Viktimat dhe të plagosurit kanë qenë të paarmatosur, larg rrethimit të godinës së Kryeministrisë, që ishte edhe objekti i sulmit, duke mos kryer asnjë akt dhune;
-Për të provuar dashjen tek i pandehuri Ndrea Prendi, si element i anës subjektive, nuk është e rëndësishme të dihen motivet që e kanë shtyrë për kryerjen e vrasjes;
-Qëndrimi i gjykatës së shkallës së parë, sipas të cilit gjykata nuk mund të bëjë ndryshim të kualifikimit ligjor të veprës, vjen në kundërshtim me nenin 375 të Kodit të Procedurës Penale, si dhe me vendimin unifikues nr. 5/2003 të Gjykatës së Lartë.
-Referimi që gjykata e shkallës së parë bën tek vendimi i Gjykatës së Strasburgut me nr. 23458/02, për çështjen Giuliani dhe Gaggio kundër Italisë, nuk ka asnjë lidhje me rastin për shqyrtim;
-Përdorimi i armëve të zjarrit prej të pandehurve, kundër demonstruesve, është kryer në kundërshtim të hapur me nenin 19, 20, 21 të Kodit Penal, si dhe me nenet 1, 2, 3/b, 5, 7 të ligjit nr. 8290, datë 24.2.1998, “Për përdorimin e armëve të zjarrit”;
-I pandehuri Ndrea Prendi nuk është subjekt i posaçëm, por subjekt i përgjithshëm.
Për të pandehurin Agim Llupo:
-Nuk është e vërtetë që, siç arsyeton gjykata e shkallës së parë, akuza ndaj të pandehurit Agim Llupo bazohet vetëm në dëshminë e disa dëshmitarëve dhe në asnjë provë shkencore;
-Arsyetimi i gjykatës së shkallës së parë, sipas së cilës, predha që ka shkaktuar vdekjen e shtetasit Ziver Veizi është e dëmtuar në majë, çka tregon se kjo predhë ka bërë rikoshet para kontaktit me trupin e viktimës, nuk qëndron dhe përbën vetëm një hipotezë të trajektores së predhës, sikur ajo ka hasur në një trup të ngurtë (degë apo trung peme), duke mos gjetur mbështetje në asnjë nga provat shkencore të administruara në gjykim;
-Gjykata e shkallës së parë, në kundërshtim me parashikimin e nenit 383/1, “ç” të Kodit të Procedurës Penale, nuk ka arsyetuar pse e ka refuzuar apo konsideruar të papranueshëm aktin e ekspertimit të ekspertit Dritan Zoto, të paraqitur si provë nga akuza;
-Sa i takon dashjes tek i pandehuri Agim Llupo, mungesa e të provuarit të motiveve të vrasjes nuk ndikon në drejtim të cilësimit juridik, pasi motivet nuk janë element i domosdoshëm i anës subjektive të figurës së veprës penale.

No comments: