Wednesday, February 22, 2012

Komunist i Parisit Parisit, në burgjet komuniste të Tiranës

Nga Gjergj Titani* Ymer Dishnica ka qenë një nga figu rat më simpatike, më të mençura, më fisnike dhe një nga udhëheqësit kryesorë të PKSh dhe LANÇ-it. Ai u lind në fshatin Dishnicë më 21.2.1912, 4 km afër qytetit të Korçës. Ymer Dishnica është moshatar me pavarësisë kombëtare. Ai është një nga veprimtarët më të shquar antifashistë frankofonë të Shqipërisë. Njerëzit si Y.Dishnica kishin cilësi të ralla kulturore, komunikative e propagandistike bindëse. I edukuar në një ambient fshatar por edhe qytetar si Korça apo Evropian si Parisi dhe Franca kishte aftësi bindëse të çuditëshme. Ai nuk ishte njeri i nënështruar dhe nuk ndjente komplekse inferioriteti ndaj askujt. Ministri i Shëndetësisë i qeverisë të parë demokratike shqiptare. Anëtar i KQ dhe Byroja Politike e PKSh, antari Këshillit të Përgjithshëm Antifashist Nacional Çlirimtar. Besnik i kauzës antifashiste dhe komuniste dhe bindjeve të tij të cilat i kishte përqafuar që shumë kohë para formimit të PKSh kur ndodhej në Francë. Më pas, Ymer Dishnicën e përjashtuan nga KQ i PKSh dhe Byroja Politike dhe kështu filloi kalvari i tij i gjatë i të përndjekurit politik. Pas shkollës së mesme, Ymer Dishnica u nis për në Francë ku do të studionte tetë vjet në Universitetin e Lionit dhe më pas atë të Parisit për mjekësi (1932-1941), duke u lauruar e specializuar për patologji. Ai në ato vite kurrësesi nuk mund të mos vizitonte Tyleritë dhe muzeumin e famshëm të Luvrit sidhe muzetë e shumtë të Parisit dhe qyteteve të Francës. Arkitekturën klasike dhe moderne të Francës. Ai vizitoi teatrot dhe galeritë e shumta të arteve të "kryeqytetit të botës". Gjatë qëndrimit në Francë doktori i ri ka qenë për tetë vjet anëtar i Partisë Komuniste Franceze dhe drejtues i komunitetit antifashist shqiptar. Gjatë qëndrimit në Francë, si njëri prej drejtuesve të atij komuniteti së bashku me Nako Spirun, Qamil Çelën, Sejfulla Maleshovën, e shokë të tjerë, ka organizuar protesta të fuqishme në mbështetje të popullit spanjoll kundër rebelimit fashist të Frankos dhe mbështetjes të vullnetarëve shqiptarë që luftonin në Spanjë si: Mehmet Shehu, Skënder Luarasi, Petro Marko, Mane Nishova, Asim Vokshi, Justina Shkupi që ka punuar spitalet dhe infiermieritë me doktor Betynin e famshëm "Mjekun e tre kontinenteve" e shumë të tjerë. Madje pati edhe shumë dëshmorë nga luftëtarët shqiptarë. Ymeri ka pritur e përcjellë vullnetarët shqiptarë për në front. Të parin ndër ta ai ka takuar Petro Markon e më pas edhe të tjerët. Gjatë ditëve të prillit 1939, kur trupat fashiste italiane pushtuan Shqipërinë, Ymer Dishnica me shokë, emigrantë, punëtorë dhe studentë shqiptarë që bëheshin disa qindra, organizuan manifestime të fuqishme dhe shkruan protesta e pamflete të fuqishme në gazetat dhe revistat e emigracionit shqiptar dhe atij të huaj si dhe botuan në shtypin antifashist francez. ...Kishte filluar LANÇ e popullit shqiptar për jetë a vdekje. Shumë shpejt policia sekrete e pushtuesve ra në gjurmët e aktivitetit politik të doktor Ymerit, kështu ai ishte i detyruar të kalonte në ilegalitet të thellë. Angazhohet në një aktivitet shumë të dendur e të rrezikshëm si kuadri kryesor në veprimtarinë drejtuese të Qarkut të Korçës dhe në këtë kohë u kooptua si anëtar i KQ të PKSh. Në Konferencën e Parë ANÇ të Pezës më 16 .9. 1942, Ymer Dishnica si delegat i PKSh, luajti një rol të rëndësishëm organizativ, sidomos në marrëdhëniet e ndërsjella me personalitetet nacionaliste. Ymer Dishnica gjatë kësaj kohe shpalosi fuqishëm të gjithë talentin e kapacitetet e tij intelektuale dhe organizativoteorike. Në Konferencën në Mukje, Ymer Dishnica kryetar dhe Mustafa Gjinishi përfaqësonin forcat e majta dhe Frontin NÇ, kurse Ballin Kombëtar e krysonte Mitat Frashëri . Këta biseduan gjerë për problemet e Luftës së përbashkët kundër pushtuesit dhe Shqipërisë etnike. Pikërisht për qëndrimin korrekt në këtë mbledhje, u akuzua për oportunizëm dhe u ndëshkua vetëm doktor Dishnica. Në Plenumin e Helmësit (maj,1944), ku nuk ishin të pranishëm as gjysma e antarëve të KQ të Përhershëm të PKSh, ndëshkuan vetëm Ymer Dishnicën. Në Kongresin e Parë Antifashist Nacional Çlirimtal të Përmetit (maj 1944), u zgjodh antar i Komitetit Antifashist Nacional Çlirimtar për shëndetësinë, që kishte atributet e një Qeverie të Përkohëshme Popullore. Më 22 tetor 1944, në qytetin e Beratit u emërua ministër i Shëndetësisë i Qeverisë Demokratike të Shqipërisë e cila hyri në Tiranën e çliruar më 28 nëntor 1944. Së bashku me profesor Sejfulla Maleshovën, doktor Ymer Dishnica, Dhimitër Shuteriqi, poeti Mark Ndoja, publicisti Shefqet Musarai, shkrimtari Petro Marko por edhe me At V. Prenushin, Andrea Xegën, Dhimitër Paskon, Nexhat Hakiun, Sterjo Spasen, Vedat Kokonën, Selaudin Toton etj, një pjesë e të cilëve më pas u burgosën dhe u persekutuan, krijuan për herë të parë në Shqipëri, Lidhjen e Shkrimtarëve dhe morën vendim të botohej revista "Bota e Re", "Letërsia jonë" etj. Sejfulla Maleshova së bashku me doktor Ymer Dishnicën, pritën deri në mesnatë, në sallën e kinema "Kosova", shkrimtarin sovjetik me famë botërore Ilia Erenburg, të cilin e shoqëronte dramaturgu frengo- folës Hetem Haxhiademi. Por kjo shkëndijë demokracie dhe lirie sociale u mbyt shumë shpejt nga regjimi diktatorial. Në vitin 1947, Ymer Dishnica, për shkaqe thjesht politike, shkarkohet nga detyra e ministrit të Shëndetësisë. Me dëshirën e tij, doktori heq dorë përfundimisht nga politika, veshi bluzën e bardhë të mjekut patolog dhe filloi punën në spitalin e Tiranës (1948) dhe punonte si pedagog në shkollën e mesme mjekësore. Më 2 janar 1950, me vendim të posaçëm dëbohet familjarisht nga Tirana për në Berat ku punoi si drejtor i Drejtorisë të Shërbimit Shëndetësor, në spital dhe në ambulancën e qytetit. Në qershor të vitit 1955, për ironi të fatit, me porosi të vetë kreut të piramidës partiake, arrestohet dhe dënohet me gjashtë vjet heqje lirie me akuzën për agjitacion e propagandë kundër shtetit!!! Pas një viti, me ndërhyrjen e njeriut që ndihmoi shumë financiarisht për krijimin e PKSh, xhaxhait të tij Esat Dishnica, i falet dënimi i mbetur (!), por kjo "falje" u shoqërua me një tjetër vendim çnjerëzor të Komisionit të Dëbim-Internimeve. Ky organizëm vrastar stalinistoenverist e internon doktor Dishnicën në qytetin e Beratit për një afat pesë vjeçar. Y. Dishnica, ndonëse i internuar, pra i persekutuar politik, ishte njeriu më i vlerësuar, më i respektuar nga populli i thjeshtë i qytetit dhe pacientët e tij të shumtë. Gjithsesi, ai mbeti familjarisht atje ku ishte, i izoluar dhe i mbikëqyrur ashpër nga organet e Sigurimit të Shtetit, deri në kohën e përmbysjes të diktaturës së Enver Hoxhës dhe klikës së tij.

No comments: