Bujar Nishani: Do konsultohem me Kuvendin.
Presidenti i zgjedhur: Pas Presidencës nuk do jem në politikë, ka vend në shoqërinë civile.
Presidenti i zgjedhur Bujar Nishani premton konsultime me maxhorancën dhe opozitën në Parlament për emërimin e gjyqtarëve në Gjykatën e Lartë, atë Kushtetuese dhe në rastin e zgjedhjes së Prokurorit të Përgjithshëm.
Në një intervistë në emisionin “Top Story” në Top Channel me gazetarin Sokol Balla, ai vlerësoi punën e Bahri Shaqirit në krye të SHISH-it, teksa shtoi se si President do të festojë edhe 29 Nëntorin, Ditën e Çlirimit.
Gjatë këtij procesi të zgjatur, kandidatët kaluan në një sitë të imët të opinionit publik, duke nisur nga pamja, e kaluara e largët dhe e afërt. Kësaj nuk i keni shpëtuar as ju dhe ka pasur shumë spekulime në lidhje me historikun e sëmundjes suaj.
Është krejt e kuptueshme që të ketë një interes të tillë kur bëhet fjalë për Presidentin e Republikës, nga opinioni, qytetarët dhe aktorët e ndryshëm të shoqërisë. Unë besoj se ka qenë një histori krejt njerëzore, që mund t’i ndodhë kujto, që unë kam pasur një defekt nga lindja të enëve të gjakut, ndonëse nuk kisha pasur shqetësime më parë, por një ditë dha shenjën e saj. Fatmirësisht, një njeri i shquar në fushën e mjekësisë, në ato ditët e para më tha një fjalë të mençur, që njeriu është me fat kur sëmundja i jep shenjë. Unë pata disa shenja dhe u konsultova me mjekët, kreva rezonancën magnetike dhe profesor Petrela, në mënyrë profesionale, identifikoi saktësisht problemin tim. Natyrisht, për shkak të vendit shumë delikat të kësaj pjese të trupit, truri, bllokimi i vazove të enëve të gjakut sillte një potencial rreziku për të ardhmen dhe pas disa konsultash me një grup neokirurgësh, më dhanë dy alternativa: mund ta lija dhe të përballesha me një rrezik që do të shtohej me kalimin e viteve, por më rekomanduan ta hiqja sa isha i ri dhe mund të përballoja operacionin, ndonëse ndërhyrja ishte delikate. Edhe sot s’e kuptoj një qetësi dhe forcë e brendshme nga më lindi, dhe vendosa të ndërhyja.
Megjithatë, momenti i zbulimit të sëmundjes duhet të ketë qenë traumatik për ju, ashtu siç do të kishte qenë për çdo njeri.
Momenti i parë i zbulimit ishte pak tronditës nga pikëpamja njerëzore, por duke qenë se sëmundja ishte një ndër diagnozat më shpesh të ndeshura në këtë organ, unë vendosa ta kryeja ndërhyrjen. Kam vendosur gjithmonë në jetën time duke parë perspektivën, ndaj vendosa ta kryej ndërhyrjen, e cila ishte krejt normale. Operacioni u krye në Finlandë, pasi atje ishte një profesor i specializuar për këto ndërhyrje dhe pata një paralajmërim që do të kisha një paralizim dhe mpirje të pjesshme të këmbës dhe krahut të majtë, diçka që do të rikuperohet vit pas viti. Fatmirësisht, operacioni shkoi mirë dhe isha në gjendje t’i rikthehesha detyrës sime si ministër i Brendshëm brenda tri javësh.
Sa ka ndryshuar jeta juaj pas operacionit?
Më ka ndihmuar në dy gjëra që i kisha neglizhuar më parë. Në radhë të parë në ushtrimin e fizkulturës dhe sportit, pasi tashmë merrem çdo ditë me not. Së dyti, më ka ndihmuar që të jem shumë më korrekt në jetën time të përditshme, për t’i dhënë më shumë rëndësi pushimit, punës dhe rehabilitimit, duke ndjekur orare strikte.
A e keni ndryshuar ju mbiemrin pas ngjarjeve të Shkollës së Bashkuar nga Mehmeti në Nishani?
Historia e mbiemrit të familjes sime është një histori që daton para Luftës së Dytë Botërore. Familja ime nga babai është me origjinë nga Libohova dhe kanë pasur disa aktivitete në pjesën e Dropullit, kanë qenë me aktivitete tregtare në Gjirokastër. Janë larguar nga Gjirokastra pas përfundimit të Luftës së Dytë dhe janë vendosur në Durrës, ku unë kam lindur e jam rritur dhe për shkak të kohës e kanë ndryshuar mbiemrin duke e marrë atë Nishani. Një pjesë e xhaxhallarëve kishin qëndrimin për të pasur mbiemrin Mehmeti, meqë stërgjyshi im, një personazh i njohur i Libohovës, Mehmet Beu, donin ta mbanin si mbiemër emrin e stërgjyshit. Ndërsa pjesa tjetër regjistroi mbiemrin Nishani, si një mbiemër i zonës për shkak të një shenje të veçantë që ka pasur gjyshi im. Ka qenë një histori shumë e çuditshme me mua, sepse në gjendjen civile gjatë gjithë kohës ka qenë mbiemri Nishani. Historia e mbiemrit tim u ngatërrua kur mora të drejtën e studimit për në shkollën “Skënderbe”. Në atë kohë të drejtat e studimit për shkollat e mesme i jepte këshilli i lagjes. Këshilli dhe Fronti kishin listat e tyre të banorëve dhe nuk ishte zyrtar ai mbiemër. Në lagje ishte ky mbiemër, ndërsa në gjendjen civile vazhdonte mbiemri Nishani, dokumentet në shkollën “Skënderbe” vajtën nga lagjja, jo nga gjendja civile, dhe shkuan me mbiemrin Mehmeti. Në letërnjoftim e kisha mbiemrin Nishani, ndërsa në regjistrat e shkollës, Mehmeti. Do të diplomohesha dhe më thanë që duhet ta korrigjoja këtë. Korrigjimi ishte krejt normal sepse mbiemri Nishani ishte zyrtari që kishim. Nuk ka asnjë lidhje me ndonjë tentativë timen personale.
Kur do ta festojë Presidenti Ditën e Çlirimit?
Atë që përcakton Protokolli i Shtetit dhe ne sot kemi një protokoll shteti, i cili ka përcaktuar 29 Nëntorin Ditën e Çlirimit dhe 28 Nëntorin si Ditën e Pavarësisë. Ne kemi tani një praktikë të konsoliduar tashmë.
Do të konsultoheni me Parlamentin për emërimet në gjykata, do të jetë maxhoranca apo edhe opozita?
E shoh bashkëpunimin me Kuvendin si një nga elementët më të rëndësishëm të punës sime sa u takon rasteve kur parashikohet në Kushtetutë komunikimi me Parlamentin. Palët janë të përfaqësuara në Parlament. Do të jem shumë korrekt për sa parashikon Kushtetuta dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Në rastin e propozimeve të Gjykatës së Lartë dhe të Kushtetueses, do të jetë një bashkërendim i vijueshëm me Kuvendin, me përfaqësuesit e palëve në Kuvend. Duke pasur parasysh objektivin për t’u dhënë zgjidhjen më të mirë të gjitha çështjeve që na ngarkon Kushtetuta, përzgjedhja dhe dërgimi në trupën gjyqësore më të lartë të vendit, në Gjykatën e Lartë dhe Kushtetuese, ku kjo e fundit është shumë e rëndësishme në rolin rregullator të të gjithë sistemit gjyqësor në fakt… përzgjedhja e personaliteteve që duhet të shkojnë në këtë trupë janë një moment shumë i rëndësishëm për vendin dhe përtej ushtrimit të një përgjegjshmërie të madhe nga Presidenti, kjo është pjesë e përgjegjshmërisë edhe e Kuvendit. Prandaj bashkëpunimi me ta do të jetë një element shumë i rëndësishëm dhe jam i bindur që do të jetë një bashkëpunim i frytshëm dhe me rezultate të mira.
Procesin e përzgjedhjes së prokurorit të Përgjithshëm do ta lini në dorë të partive, apo do të konsultoheni me të gjitha palët, mbi palët dhe me grupet e interesit?
Emri i prokurorit të Përgjithshëm është kompetencë tërësisht e Presidentit dhe do të jetë Presidenti që do të propozojë emrin e prokurorit të ri të vendit. Konsultimet do të jenë pjesë e rëndësishme para se të vijë te emri, konsultime me të gjitha partitë parlamentare sepse çështja e prokurorit është një vendimmarrje e përbashkët mes Presidentit dhe Parlamentit. Presidenti e propozon, por duhet ta miratojë Kuvendi. Palët do të respektohen në marrjen e një mendimi real përsa i takon profilit, kritereve, çfarë duhet të përfaqësojë një prokuror i Përgjithshëm që të arrijmë në emrin më të përshtatshëm. Prokuroria e Shtetit ka nevojë për të përmirësuar në mënyrë shumë të madhe punën e saj.
Cili do të jetë fati i Bahri Shaqirit? A keni një opinion për punën e tij të deritanishme?
Fati profesional do të varet te aspekti profesional, te korrektesa dhe përmbushja e detyrës. Zoti Shaqiri është në krye të një institucioni shumë të rëndësishëm të vendit, ne duhet të kemi shumë kujdes kur flasim për SHISH-in. Nuk mund të flas për gjithë dimensionin e punës së SHISH-it, por mund të flas për aq sa unë si ministër i Brendshëm kam bashkëpunuar me SHISH-in, i cili ka qenë një bashkëpunim shumë i mirë dhe korrekt. Kemi realizuar detyra dhe operacione shumë të mira në goditje të trafikut të lëndëve narkotike dhe grupeve kriminale. Marrëdhëniet kanë qenë shumë institucionale dhe korrekte.
Cilat janë ambiciet e Bujar Nishanit në vitin 2017?
Personalisht e shoh pozicionin e Presidentit si konkludimin e një karriere politike shumë të rëndësishme dhe të suksesshme. Nuk kam menduar asnjëherë dhe nuk kam evidentuar ambicie politike përtej postit të Presidentit. Shqipëria dhe shoqëria është e hapur, ka vend për të gjithë, mund të kontribuosh në fushën akademike dhe të shoqërisë civile.
E përjashtoni mundësinë të vazhdoni një karrierë politike në përfundim të mandatit?
Besoj në parimin që momenti i zgjedhjes si President është konkludimi i një karriere të gjatë dhe shumë të suksesshme politike. Nuk shoh ambicie konkrete, por aktiviteti politik mund të mbetet brenda sferës së instituteve të ndryshme. Nuk shikoj një vijimësi apo një angazhim të drejtpërdrejtë në politikë pasi të konkludosh mandatin e Presidentit.
No comments:
Post a Comment