Sunday, November 20, 2011

Tefta Radi: Migjeni gjeniu i të gjitha kohrave

Intervistoi: Besnik RAMA
Millosh Gjergj Nikolla (Migjeni) është shkrimtari i madh i letërsisë moderne shqiptare. Ai ishte dhe do të jetë në zemrat e çdo letrari dhe çdo njeriu, që nga letërsia di të marrë të bukurën dhe të magjishmen. Me 13 tetor të këtij viti ishte edhe 100- vjetori i lindjes së këtij shpirt-artisti të jashtëzakonshëm. Për nder të poetit dhe prozatorit shqiptar do të organizohet edhe me datë 20 nëntor të këtij viti në Mynih të Gjermanisë një mbrëmje kulturore kushtuar letërsisë brilante të tij. Me këtë rast do të promovohet edhe filmi dokumentar «Migjeni Ky Uragan» realizuar nga gazetarja e mirënjohur e ekranit shqiptar, Tefta Radi. Në këtë intervistë ekskluzive për gazetën Nacional Albania me znj. Radi presim të njohim paraprakisht diçka nga ky dokumentar, por edhe opinionin e saj në lidhje me figurën e ndritur të Migjenit.

Çfarë përfaqëson tek ju letërsia moderne e Migjenit?
Millosh Gjergj Nikolla (Migjeni) është shkrimtari që unë e adhuroj. Për mua ai mbetet themeluesi i letërsisë moderne shqiptare, gjeniu i të gjitha kohrave. Migjeni është shkrimtari që hyri në historinë e letrave shqipe si një qënie e madhe sociale. Sa herë lexoj pjesë nga krijimtaria e tij, në poezi apo në prozë, ndjej forcën e fjalës që përcjell pena «migjeniane», mesazhin e fuqishëm që mbetet në më të shumtën e krijimtarisë së tij, mjaft aktuale.
Nga kujtimet e shkollës çfarë mbani mend nga diskutimet apo edhe recitimet e poezive të këtij shkrimtari?
Si e tillë vepra artistike e Millosh Gjergj Nikollës, jo rastësisht është zgjedhur si pjesë e interpretimeve ne konkurse nga studentët pretendues për të studjuar në universitetin e arteve. «Poema e mjerimit» nga “ Vargjet e lira”, «Bukuria që vret», «Luli i vocërr», «Legjenda e misrit», «Kangët e rinisë», e shumë të tjera, mbeten në kujtesën e çdo nxënësi, e në veçanti kur e kanë fatin të kenë edhe një mësues të zotë të letërsisë që është në gjendje edhe ta interpretojë sa do pak, krijimtarinë e Migjenit. Kështu ka mbetur edhe në kujtesën time që nga shkolla 8-vjeçare, se ai cikël shkollor ishte në kohën time, ku kisha mësues letërsie z. Petrit Kusi, mësuesi që na e bënte aq të dashur këtë lënde. Më pas, në të mesmen, në gjimnazin “Sami Frashëri” nga i mrekullueshmi Rinush Idrizi.
Ishte Migjeni ateist apo...
Është çështja më e diskutuar edhe sot. Duket se Migjeni ka qenë i dyzuar në qëndrimin ndaj fesë. Ai e braktisi zhgunin priftëror, Oksfordin për klerik, pasi shpirti i tij prej artisti, qënia e tij shkrimtar, kërkonte më shumë liri, e cila i mungonte. Tek poezia “Blasfemi”, ai na shfaqet si ateist, por në të vërtetë në poezi të tjera të tij, si tek poezia “Lutje”, ku ai i drejtohet perëndisë për një simfoni plot dashuri, duket se Migjeni është jo kundër Perëndisë, se sa kundër autoritarizmit të fesë, keqpërdorimit të saj nga disa njerëz. Për të përcaktuar më qartë qëndrimin e Migjenit ndaj fesë, lipset të gjendet një autobiografi e shkrimtarit si dhe mbrojtja e temës së diplomës në Manastir, titulluar “Dy natyrat e krishtit”, që sipas studiuesit Skënder Luarasi duhet të jenë në arkivat qëndrore të Shkupit.
Si e shikoni kohën përballë Migjenit, që nga koha e krijimtarisë së tij deri në ditët e sotme.
Migjeni është poeti që kapërceu dhe do të kapërcejë çdo epokë. Po të kemi këtu parasysh shoqërinë shqiptare të viteve ’30, mjerimin dhe skamjen e kohës, ai mbetet shkrimtari i dhimbjes dhe protestës, i pakënaqësisë së realitetit mjeran, i fshikullimit të hipokrizisë që sundonte në politikën dhe shoqërinë shqiptare të atyre viteve. Njëherazi ai ishte edhe poeti i besimit të krijimit të një bote të re. Triumfin e idealit për një jetë më të mirë, Migjeni e lidh me rininë, si pjesa më e shëndetshme e një shoqërie. Sipas studiuesit Mojkom Zeqo, Migjeni ishte shkrimtari që shkroi nga e ardhmja dhe jo nga e shkuara. Migjeni ishte një shkëmb, i cili qysh herët u ngul në panteonin e letrave shqipe falë vizioneve dhe koncepteve moderne, falë shpirtit të tij të trazuar, ku s’mund ta përcaktosh lehtë se ku mbaronte dhimbja, trishtimi dhe delikatesa, e niste zemërimi, protesta dhe furtuna Migjeniane, shkruan Lazer Radi në librin e tij “Një verë me Migjenin”.
Çfarë pritet të sjell dokumentari «Migjeni Ky Uragan»?
Dokumentari «Migjeni Ky Uragan» mbështetet mbi dëshmi autentike, në rrëfimet e personave që kanë patur kontakte me shkrimtarin e madh, të cilët unë i konsideroj dhe si dëshmitarët e fundit të viteve ’30. Po ashtu me ish nxënës të Migjenit, që numërojnë mbi ’90 vite mbi supe. Por edhe personazhe të tjerë si dhe në dëshmitë e trashëgimtarëve të familjes Nikolla, mbesës Angjelina Ceka dhe nipit Gjergj Pero. Mjaft fakte interesante sjellin edhe studiuesit Mojkom Zeqo e Adriatik Kallulli. Një vend të rëndësishëm zënë edhe interpretimet e aktorëve shkodranë Enver Hyseni, Merita Smaja e Paskualina Gruda.
Na tregoni diçka nga puna për përgatitjen e këtij dokumentari për nder të shkrimtarit.
Patjetër, me kënaqësi. Për këtë dokumentar kam shfrytëzuar krahas filmimeve të shumta, materiale të Bibliotekës Kombëtare, Muzeut Historik të Shkodrës, Arkivit Qëndror të Filmit Shqiptar si dhe nga arkivi i familjes Nikolla, nga rrjedhte edhe shkrimtari i madh. Gjithashtu, më është dashur të punoj për muaj të tërë për të sjellur në ekranin e vogël jetën e shkrimtarit të madh që jetoi pak, vetëm 27 vite, por la pas thesare krijuese që tingëllojnë në çdo kohë.
Sot, sa e duam realisht Migjenin dhe kush janë pikërisht ato që e përqafojnë më tepër letërsinë e tij?
Krijimtaria artistike e Migjenit, sot po lexohet më tepër se kurrë. Kjo është dëshmi e qartë për forcën e mesazheve dhe filozofinë që përcjell vepra e këtij artisti të jashtëzakonshëm. Edhe pse ka kaluar një shekull nga lindja e tij, të tjerë do të pasojnë dhe vepra do të vazhdojë të lexohet duke lartësuar figurën e shkrimtarit gjeni që nuk bëri kompromis me të keqen, por pati guximin dhe kurajon qytetare për ta goditur atë pa mëshirë në kërkim të qytetërimit, të një jete më të mirë e të një shoqërie progresiste.
Shkodra e Migjenit, Migjeni i Shkodrës por edhe i gjithë shqiptarëve! Sa i dha autori shoqërisë sonë shqiptare e veçmas qytetit të tij Shkodrës, e sa kjo e fundit po jep për nderimin e figurës së lavdishme të tij?
Migjeni u përket të gjithë shqiptarëve. Shoqëria shqiptare duhet ti jetë mirënjohëse atij përgjithçka ai bëri për ta ngritur atë nga përgjumja drejt dritës dhe një jetë më të mirë. Në veçanti Shkodra, e cila siç shprehet studiuesi Mojkom Zeqo, duhet të shkruaj me germa bronxi në urën mbi lumin Bunë, thënien migjeniane për qytetin e tij të lindjes: Shkodra, Shkodra dashnorja e shekujve…
E fundit, çfarë mesazhi presim nga ky dokumentar për figurën e këtij shkrimtari të madh të letrave shqipe.
Mesazhi që përpiqem të sjell përmes këtij dokumentari është: të hedhim dritë dhe të vlerësojmë punën e bërë nga personalitete të fushave të ndryshme që i kanë dhënë mjaft shoqërisë dhe historisë së kombit tonë, kombit shqiptar.

No comments: