Saturday, August 13, 2011

Puçistë dhe plazhistë


Shkruan:
Skënder Minxhozi
13-08-2011 11:5

Nëse duhej që të na rikthehej ndërmend një ngjarje në kufijtë e groteskut, siç është ajo e komisionit parlamentar të puçit të 21 Janarit, nuk kishte rast më të mirë për ta bërë këtë, sesa vendimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese, i cili hodhi poshtë kërkesën e një grupi deputetësh të opozitës, për shpalljen antikushtetues të Komisionit Halimi. Ose ndryshe, të Komisionit Parlamentar “Për hetimin e veprimtarisë së institucioneve shtetërore për zbulimin, identifikimin, përballimin, neutralizimin, pengimin dhe ndëshkimin e veprimit të organizuar kriminal për dhunimin e institucioneve dhe përmbysjen e rendit kushtetues në datën 21 Janar 2011”, siç u quajt zyrtarisht ditën që u pagëzua. Pra, ky organizëm ad hoc, mandati i të cilit u shty së fundi deri në mbarim të vitit 2011, do të vijojë të punojë për të mbledhur fakte, grupe faktesh, prova, dëshmi dhe informacione, për të na mbushur mendjen se në fillim të vitit në vazhdim, ia kemi hedhur paq rrezikut të “përmbysjes së rendit kushtetues”. Çfarë humori!

Sot, vetëm gjashtë muaj pas asaj atmosfere prej grupesh armiqësore, që u instalua në Tiranë për disa ditë (shyqyr Zotit jo më gjatë!), gjithkush vë buzën në gaz kur dëgjon togfjalëshin “puçi i 21 Janarit”. Të parët që qeshin hidhur me vete, janë autorët e këtij përbindëshi prej letre, që asokohe tentoi të vinte në rresht kreun e shtetit, të opozitës, kryeprokurorin dhe katër gazetarë të pakëndshëm për qeverinë. Pa harruar sugjestionimin që u kërkua t’i bëhej opinionit të shastisur publik, që s’dinte ç’të bënte më, të qeshte a të qante, para panelit tragjikomik të deputetëve, që hakërroheshin gjithë ditën para kamerave, kundër çadrave pistoletë dhe çakmakëve me helm! I njëjti opinion publik që sot, pak muaj pas asaj furtune të paqenë në gotën e ujit, asiston në rekordet e qëndrimit në ujë të Kryeministrit në Dhërmi, të cilat, duhet thënë, krijojnë një reagim të ngjashëm me taborët imagjinare të opozitës, që mësynin muret e Kryeministrisë në fillim të këtij viti.

Më 21 Janar shteti kishte një hall. Katër protestues të paarmatosur u vranë në dyert e godinës së qeverisë. Shpikja nga hiçi e skenarit të puçit, ishte mënyra më e shpejtë dhe klasike që të këshillon historia dhe halli, për të dalë nga situata të tilla të sikletshme. Opozita duhej sugjestionuar për të bërë një hap prapa dhe mbi të gjitha, vrasjeve tragjike u duhej gjetur një “diçiturë” sa më bindëse. Sot mund të kuptojmë se e gjitha kjo ndërmarrje propagandistike rezultoi në një hiç. Por nuk është tamam kështu. Sepse përtej groteskut dhe të qeshurave, përtej supeve të ngritura të ndërkombëtarëve që s’kuptonin (ose bënin sikur) se ç’po ndodhte, fantazma e puçit ndihmoi indirekt në fatin e ardhshëm të një kryetari bashkie dhe të një ministri. Nuk është pak, si ngjarje e stisur që ishte!

Duke mbajtur në këmbë një fantazmë institucionale, siç është komisioni parlamentar i puçit, Gjykata Kushtetuese i ka punuar (pa dashje, kuptohet), një rreng të vogël mazhorancës. Sepse i ka rikthyer në vëmendje miletit shqiptar se deri ku mund të shkojë marrëzia e politikës, deri në ç’kufij të absurdit mund të kuturisë imagjinata e sëmurë e shtetit që shpik mullinj ere, tamam si heronjtë e famshëm të Servantesit, nëpër Mançën e shekullit të gjashtëmbëdhjetë! Akoma më tej, duke lënë në këmbë karkasën e komisionit të puçit të 21 Janarit, gjykata nuk ia ka hequr nga qafa shumicës, sikletin e kërkimit të një alibie bindëse, për të provuar sadopak fantazitë e hedhura në eter ato ditë të ftohta janari.

Por a mund të besojmë se provat që s’u gjetën në dimrin e shkuar, do të gjenden në vjeshtën e ardhshme (njëlloj si të thuash se mund të pajtosh puçistët me plazhistët)?! Natyrisht që s’mund ta besojmë, por mund të besojmë diçka tjetër, shumë më të madhe e problematike sesa fati i një paneli qesharak. Fjala është për urrejtjen politike, për humnerën e thellë që ekziston sot e gjithë ditën në tabanin e klasës tonë politike, e që pjell kohë pas kohe “mutantë” si komisioni në fjalë. Komisioni është një relikte me të cilën sot tallen të gjithë ata të cilëve u bie rruga nga dyert e Parlamentit, por urrejtja politike, ky gjenerator i përjetshëm dhune e krizash, është ende e gjithëfuqishme. Ashtu si më 21 Janar, si më 8 apo 14 maj, ashtu si në të gjitha datat dhe momentet kur vendoset diçka e rëndësishme në katet e larta të pushtetit politik në Shqipëri. Kësaj si i bëhet, se Halimit ia gjetëm zgjidhjen. E kaluam nga komisioni në qeveri.

No comments: