Sunday, January 16, 2011

Flasin juristët: A mjafton videoja për të dënuar Metën

Flamur Vezaj

TIRANË- Në kohën kur task-forca e antikorrupsionit në prokurorinë e kryeqytetit, po kërkon ndihmë nga ekspertët e FBI-së për të zbardhur vërtetësinë e përgjimit të kryer nga deputeti Dritan Prifti, mes juristëve ka nisur debati për vlerësimin apo jo si provë materiale të videos. Debati është përqendruar tek interpretimi i neneve 221 dhe 222 të Kodit të Procedurës Penale, që parashikojnë mënyrën e lejimit dhe përdorimit të përgjimit. Por, pavarësisht se çfarë shkruhet në këto dy nene, juristët penalistë kanë mendime të ndryshme të vlerësimit apo jo si provë materiale të "video-skandalit" të publikuar pak ditë më parë, që për pasojë solli dorëheqjen zv/kryeministrit z.Ilir Meta. Por, përveç mendimeve të ndryshme të juristëve të njohur penalistë, për raste të njëjta të mënyrës së përgjimit, edhe togat e zeza kanë mbajtur dy qëndrime të kundërta. Qëndrime këto, që për të huajt cilësohen si "drejtësi me dy standarde".



Rasti 1

Kështu, me vendim të Gjykatës së Shkallës së Parë në kryeqytet në fillim të vitit 2008 e kanë cilësuar të paligjshëm dhe kundërshtim flagrant me ligjin përgjimin që ish-Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Burgjeve z.Zija Teferiçi, kishte kryer në zyrën e tij, gjatë bisedës me shtetasin Edmond Rusmali vëllai i ish-ministrit të Drejtësisë, Ilir Rusmali. Sipas përgjimit të asaj kohe, biznesmeni Rusmali i kërkonte Drejtorit të Policisë së Burgjeve të favorizonte kompaninë që ai kërkonte për përfitimin e një tenderi në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve. Publikimi i kësaj video solli dorëheqjen e ish-ministrit të Drejtësisë së asaj kohe, Ilir Rusmali. Pas publikimit të kësaj videoje, prokuroria nisi hetimet duke i pushuar më pas, pasi Gjykata e kishte shpallur të pavlefshëm përgjimin e kryer nga ish-drejtori i policisë. Bazuar në këtë vendim, prokuroria mbylli procedimin penal ndaj vëllait të ish-ministrit Rusmali.



Rasti 2

Por, të njëjtën mënyrë përgjimi dhe filmimi, të kryer në zyrën e ish-prokurorit Musa Mulkurti nga shtetasi Zagol Muça me ndihmën e emisionit "Fiks-Fare", ku prokurori kërkonte një shumë të hollash nga babai i një të paraburgosurit, për të përfituar një masë më të butë dënimi, Gjykata e Kavajës e ka njohur si provë materiale. Bazuar në këtë përgjim, ku shfaqet prokurori duke numëruar paratë dhe të filmuar nga babai i të pandehurit, togat e zeza e kanë cilësuar të ligjshëm përgjimin duke dërguar prokurorin e pezulluar nga detyra në gjyq për akuzën e korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike. Kështu që edhe prokuroria e Tiranës, në procedimin e nisur për "video-skandalin" e publikuar i është referuar këtij standardi të Gjykatës së Kavajës, për të nisur verifikimet ndaj bisedave të regjistruara dhe filmuar nga deputeti Prifti.


Avokati Agron Bajri
"Organi kushtetues që ushtron ndjekjen penale është organi i akuzës, e sanksionuar kjo në nenin 148 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë. Ky organ kushtetues ka të drejtën dhe detyrimin ligjor të ushtrojë ndjekjen penale, përmes mënyrave të përcaktuara ligjërisht. Në kuadrin e ushtrimit të ndjekjes penale ndër mënyrat e përcaktuara ligjërisht janë fillimi i procedimit penal me ane të kallëzimit apo dhe me iniciativë të vetë organit të akuzës sipas nenit 280 të Kodit të Procedurës Penale. Barra e provës në bazë të rregullave procedurale i takon organit të akuzës. Provat sipas nenit 149 të K.Pr.Penale, merren prej burimeve të parashikuara në ligjin procedural, dhe në përputhje me rregullat e përcaktuara prej tij. Përgjimi në vetvete nuk përbën provë por është mjet i kërkimit të provës që rregullohet sipas neneve 221 e vijues të K.Pr.Penale. Rasti i përgjimeve të kryera në mënyrë të fshehtë dhe nga subjekte të cilat nuk kanë të drejtën e ushtrimit të ndjekjes penale proceduralisht interpretohet si rast ku rezultatet e përftuara nga përgjimi mundet të përdoren për fillimin e ndjekjes penale. Këto rezultate të çfarëdolloj qofshin ato, duhen verifikuar për efekt të përcaktimit të vërtetësisë së tyre, si dhe për efekt të provueshmërisë e cila mund të arrihet vetëm në rast se rezultati i përgjimit mbështetet në prova të tjera. Në bazë të legjislacionit tonë procedural, nuk lejohet që marrja e provës të bëhet nga subjekte të tjera, të cilat nuk janë të përcaktuara si subjekte që ushtrojnë ndjekjen penale. Në bazë të nenit 151 të K.Pr.Penale sanksionohet që provat merren nga organi që procedon gjatë hetimeve paraprake dhe në gjykim provat merren me kërkesë të palëve nga Gjykata. Në këtë kuadër, edhe përgjimi i kryer nga subjekte private nuk mundet të përbëjë provë, por vetëm shkak për fillimin e ushtrimit të ndjekjes penale. Përderisa legjislacioni ynë nuk lejon investigimin nga subjekte private, hapja rrugë për përdorimin e përgjimeve të kryera nga subjekte për interesa personale apo shkaqe të tjera, përbën një precedent të papëlqyeshëm dhe joefikas për sistemin tonë të drejtësisë. Në këtë këndvështrim, në këtë fazë në të cilën ndodhemi çdo mendim në lidhje me një konkluzion të mundshëm për rastin në fjalë është një mendim i nxituar, kjo e lidhur ngushtë dhe me detyrueshmërinë e respektimit të parimeve kushtetuese dhe procedurale. Sipas nenit 32/2 të Kushtetues së RSH-së askush nuk mund të deklarohet fajtor mbi bazën e të dhënave të mbledhura në mënyrë të paligjshme",-tha avokat Bajri për "Shekullin".


Avokat Sajmir Visha
"Në aspektin ligjor, Kodi i Procedurës Penale përcakton rastet, mënyrën dhe procedurën se si realizohen përgjimet, me qëllim që ato të përbëjnë provë të plotë. Në rastin konkret, përgjimi nuk është realizuar sipas kërkesave ligjore dhe për rrjedhojë është i paligjshëm. Kështu që pamjet filmike dhe zëri i transmetuar në media mes deputetit Prifti dhe Meta, nuk është prova materiale. Pasi është marrë dhe siguruar në kundërshtim të hapur me Kodin e Procedurës Penale. Prova me anë të përgjimit dhe filmimit merret vetëm me urdhër të prokurorit për një afat kohorë që më pas vlerësohet dhe vendoset nga Gjykata për tu njohur apo pranuar. Në rastin konkret, nuk është provë pasi mungon fakti kriminal. Nuk mund të procedohet nga prokuroria pasi nuk ka një fakt. Kështu që nuk ekziston si provë që të fillohet procedimi"-tha avokat Visha për "Shekullin" me cilësinë e kryetarit të avokatëve penalistë të Shqipërisë.



Jurist Igli Totozani (Pedagog i të Drejtës Publike)

Sipas legjislacionit procedural penal shqiptar, kur flitet per Provat, kemi, ndër të tjera, dy pjese te medha: I- Llojet e provave, ku hyjne: 1) Deshmia; 2) Pyetja e te pandehurit dhe e paleve private; 3) Ballafaqimet; 4) Njohjet; 5) Ekspertimi dhe 6) Eksperimenti; si dhe II- Mjetet e kerkimit te proves, ku hyjne: 1) Këqyrjet; 2) Kontrollet; 3) Sekuestrimet dhe 4) Pergjimi i bisedimeve ose komunikimeve.

Pra, nga sa me siper, ne teorine dhe praktiken e procedimit penal, pergjimi njihet si nje nga mjetet e kerkimit te proves (nenet 221 - 226 te Kodit te Procedures Penale). Si mjet per kerkimin e proves, pergjimi eshte dy llojesh: pergjim i bisedimeve ose komunikimeve telefonike dhe i formave te tjera te komunikimit dhe pergjimi ambiental, qe realizohet nepermjet degjimit dhe regjistrimit audio dhe video me aparatura te posaçme qe vendosen ne ambiente te ndryshme ose ne persona te caktuar.
Ne rastin ne fjale kemi te bejme me nje pergjim ambiental por eshte nje pergjim i kryer privatisht gje qe nenkupton regjistrimin ne audio dhe video pa nje vendim te gjykates (gjyqtarit). Eshte per tu ditur se pergjimi sipas Kodit te Procedures Penale lejohet vetem per disa kategori veprash penale apo kundravajtjesh dhe gjithmone me Vendim te Gjykates (Gjyqtarit) me kerkese te prokurorit ose ne "raste te ngutshme" nga vete prokurori i cili brenda 24 oreve duhet te njoftoje gjykaten dhe t'i kerkoje asaj vleftesimin e aktit.

Ne Komentarin e Procedures Penale (Halim Islami, Artan Hoxha, Ilir Panda, botimi i vitit 2010, faqe 286, ne paragrafin e gjashte te kesaj faqeje) gjejmë: "Pergjimet e kryera privatisht nuk mund te perdoren si prove, por ato mund te sherbejne si shkak per nisjen e procedimit penal kryesisht nga prokurori, i cili detyrohet te vertetoje faktin e pretenduar, duke marre çdo prove te nevojshme."



***


Dorëheqja e zv.kryeministrit Ilir Meta paraditen e djeshme ka habitur pothuajse të gjithë politikëndjekësit që jetojnë në Shqipëri dhe ata që e ndjekin nga jashtë.


Një ditë pas skandalit ai deklaroi me përgjegjësi të plotë që do të jepte dorëheqjen, por në vitin 2013. Të njëjtën gjë përsëriti edhe mbrëmjen e së enjtes nga studioja e një emisioni televiziv. I pyetur a kishte menduar dorëheqjen Meta u përgjigj: "Absolutisht nuk e kam menduar. Unë jam një politikan që kam dhënë dorëheqje disa herë.


Kam qenë kryeministër dhe për një arsye politike kam dhënë dorëheqjen, kur mund të bëja kompromise. Kam dhënë dorëheqje dhe nga ministër i Jashtëm dhe zv.kryeministër. Pse tani jo? Sepse nuk dua të vendos në politikën shqiptare një standard jo demokratik, pra një standard antidemokratik...".


Kërkesa për dorëheqje


Burime pranë Berishës pohuan dje se kjo deklaratë e Metës ka vënë në pikëpyetje të mëdha kryeministrin. Menjëherë pasi ka përfunduar emisioni, Berisha ka telefonuar Metën dhe e ka njoftuar për një bisedë më të gjerë mëngjesin e djeshëm. Sipas të njëjtave burime, në mëngjes Berisha ka komunikuar sërish me Metën duke i kërkuar seriozisht që të jepte dorëheqjen.


Kryeministri dhe zëvendësi i tij kanë diskutuar gjatë për rrezikun e publikimit të materialeve të tjera komprometuese për anëtarë të kabinetit Berisha. Nga ana tjetër ndërkombëtarët kishin nisur që të ushtronin presion mbi kryeministrin duke i kërkuar që Meta të mos shkonte përpara prokurorisë dhe më pas gjykatës me statusin e ministrit.


Atij i është kujtuar se kërkesa kryesore për marrjen e statusit të vendit kandidat ishte lufta kundër korrupsionit dhe për këtë arsye nuk mund të qëndronte në qeveri një ministër i akuzuar kaq hapur për një akt korruptiv.


Për të mos shkaktuar largimin e Lëvizjes Socialiste për Integrim nga koalicioni, gjë që do të sillte edhe humbjen e mazhorancës në Parlament, Berisha i ka premtuar Metës se pakti do të ishte në fuqi edhe pas dorëheqjes së tij.


"LSI do ketë postet që ka pasur, nuk ka asnjë ndryshim. Por ti nuk mund të rrezikosh të gjithë qeverinë. Duhet ta mendosh seriozisht dhe duhet të gjesh një mënyrë për tu larguar", mësohet t'i ketë thënë Berisha, Metës. Pak minuta më pas, Meta, nga selia e LSI-së, deklaroi dorëheqjen.


Negociata për zëvendësim


Pa humbur shumë kohë Ilir Meta ka nisur negociatat me stafin e tij për të përcaktuar zëvendësuesin në postin e ministrit të Energjetikës. Për postin e zv.kryeministrit Meta ka vendosur menjëherë emërimin e Edmond Haxhinastos, një person i afërt i tij, me të cilin kishte punuar në disa detyra të ndryshme. Problemi ishte emërimi i ministrit të Energjetikës.


Burime të LSI-së pohuan se fillimisht ishte menduar emërimi i Sokol Dervishajt. Por kjo kandidaturë ka hasur në kundërshtimin e dy deputetëve të tjerë të LSI-së, Lefter Koka dhe Nasip Naço. Dy të fundit mësohet ti kenë thënë kryetarit të tyre Meta se nuk do t'i japin më votën nëse shohin që anëtarë të thjeshtë emërohen në poste ministrore ndërsa ata si deputetë mbesin në vendnumëro.

Pasi është konsultuar edhe një herë me stafin e tij, Meta ka vendosur emërimin e Nasip Naços në postin e ministrit të METE. Kjo kandidaturë ka gjetur edhe pëlqimin e Kokës, i cili ka postin e kryetarit të grupit parlamentar.


Për të mbyllur emërimet, Meta ka menduar edhe për të ardhurin e fundit, Vangjel Tavo. Ish-deputeti i PS-së është emëruar nënkryetar i Kuvendit dhe do të drejtojë seancat sa herë të mungojë Jozefina Topalli.


***************************************

Ilir Meta jep dorëheqje, 'emëron' Naçon, Haxhinaston, Tavon

Menjëherë pas dorëheqjes së Ilir Metës nga dy postet që mbante atë të Zv/kryeministrit dhe ministrit të Ekonomisë janë propozuar edhe emrat e parë nga kryesia e LSI. Sipas burimeve nga LSI mësohet se është propozuar në postin e ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës, Nasip Naço i cili aktualisht mban postin e nënkryetarit të parlamentit. Ndërkohë që në vend të tij, numrin dy të parlamentit të jetë Vangjel Tavo.

Ndërsa ministri i Jashtëm Edmond Haxhinasto, propozohet që të marrë përsipër edhe postin e zv.kryeministrit. Por këto propozime do t'i paraqiten kryministrit Sali Berisha, i cili pritet që të jap miratimin e tij për këto poste, duke bërë që të mbeten sërish të Lëvizjes Socialiste për Integrim.

*****


Zv. Kryeministri, njëherësh Ministër I Ekonomisë, Tregtise dhe Energjitikes Ilir Meta jep dorëheqjen e parevokueshme në të dyja postet e tij në qeveri. Në një konferencë për shtyp Meta bëri publik vendimin duke e quajtur një vendim personal.


"Jap dorëheqjen e parevokueshme si ministër i Ekonomisë dhe si zëvendëskryeministër. Dorëheqjen ia kam komunikuar kryeministrit Berisha dhe pas këtij momenti jam në dispozicion të prokurorisë për hetim"-tha Meta


Sipas Metës, Shqipëria nuk mund të merret peng nga krimi i organizuar dhe monstra si Dritan Prifti, për të cilin u shpreh se ka një të kaluar kriminale.



Dorëheqja e ministrit Meta vjen 3 ditë pas publikimit të video-skandalit.

No comments: