Thursday, November 4, 2010

Plasin goleadat në Kupën e Shqipërisë, përcaktohen tetë çiftet e turit të dytë

U luajtën, të mërkurën, ndeshjet e kthimit të turit të parë të Kupës së 59-të të Shqipërisë, ku pati gola “me shumicë”, ku skuadrat elitare, ato të superligës, kanë dominuar totalisht, duke kaluar edhe në turin e dytë të këtij eventi. Surpriza e vetme ka qenë Ada e Velipojës, e cila ka skualifikuar një tjetër skuadër, pjesëmarrëse në kategorinë e parë, por me traditë dhe pretendime, si Apolonia e Fierit. Kjo sfidë, zhvilluar në stadiumin “Loni Papuciu”, ka përfunduar pa gola, ndërkohë që sfida e parë, e Velipojës, ka folur për Adën, që kishte fituar me rezultatin 2-1. Ky rezultat ka mbetur edhe në total, pas dy ndeshjeve të turit të parë të kupës, cka dërgon në turin tjetër velipojakët.

Goleada në ndeshjet e së mërkurës (të kthimit) kanë shënuar Besa, që ka mundur thellë 7-1 Sopotin e Librazhdit, Dinamo, që ka shkatërruar me rezultatin 7-2 Luzin 2008, Vllaznia, që është hakmarrë ndaj Tërbunit të Pukës, duke e mposhtur me rezultatin 5-0. Për pak është surprizuar Laci nga Memaliaj, i cili ka realizuar dy herë në portën e kurbinasve, në ndeshjen e kthimit, të luajtur në Kompleksin e Ekipeve Kombëtare në Kamëz. Ka qenë Selimi, që përmes një penalltie, ka shënuar golin e tretë të Lacit, duke vulosur fitoren 3-2 ndaj Memaliajt dhe kaluar të tijtë në turin tjetër të Kupës së Shqipërisë. Lushnja nuk ka pasur asnjë pikë mëshire ndaj Pogradecit, në ndeshjen e kthimit, të luajtur në “Roza Haxhiu”. Plot 4 gola kanë shënuar të besuarit e Artan Banos në portën liqenore, duke fituar thellë, me rezultatin 4-0 dhe duke e parë veten në turin tjetër. Në Kamëz, në derbin e kategorisë së parë, mes skuadrës kamzalije dhe Partizanit, nuk ka pasur asnjë gol, duke treguar për “miqësinë” e kësaj sfide, që i ka qëndruar “besnike” sfidës së parë, të përfunduar me fitoren e skuadrës së drejtuar nga Eduard Zhupa, me rezultatin 1-0. Pra, Kamza, është ajo, që kalon në turin tjetër të kësaj veprimtarie. Flamurtari ka vuajtur jo pak ndaj Tomorit, në Vlorë, teksa ka konsumuar pjesën më të madhe të ndeshjes së kthimit me rezultatin e barabartë 2-2, i cili dërgonte në turin tjetër skuadrën beratase, por një penallti e dhënë në favor të të besuarve të Maganit është kthyer në golin e tretë për kuqezinjtë, i cili më pas i ka hapur rrugën edhe golit të katërt dhe të sigurisë, që “përkthehet” në kualifikim. Pra, Tomori skualifikohet, ndërsa Flamurtari vijon më tej. Mamurrasi e ka bërë “me zemër” Teutën, si në ndeshjen e parë, ashtu edhe të kthimit, teksa ka qenë në udhëheqje të rezultatit në “Niko Dovana” deri afër fundit të lojës, por durrsakët kanë arritur ta nxjerrin në dritë golin e barazimit dhe të kualifikohen ata, për më tej. Barazimi 1-1 në Durrës ka qenë më interesanti i ndeshjeve të kthimit të turit të parë të Kupës së Shqipërisë, sepse duket edhe më i luftuari, ndryshe nga ndonjë barazim tjetër. Ashtu sic ka qenë edhe barazimi 0-0 i Apolonisë me Adën, në Fier, në fakt. Fitore minimale 2-1, por që u kanë mjaftuar për të vazhduar më tej, ka arritur Skënderbeu ndaj Burrelit, Elbasani ndaj Gramshit dhe Gramozi ndaj Luftëtarit.

Në mënyrë telegrafike, më poshtë, ja edhe pasqyra e plotë e turit të parë (ndeshjet vajtje (rezultatet në kllapa) dhe kthim) të Kupës së 59-të të Shqipërisë .

Grupi A

Tirana - Skrapari 4-0 (1-0)

Dinamo - Luzi 2008 7-2 (3-0)

Flamurtari – Tomori 4-2 (0-0)

Apolonia – Ada 0-0 (1-2)

Kamza – Partizani 0-0 (1-0)

Bylis – Besëlidhja 4-0 (3-1)

Shkumbini – Vlora 4-1 (3-0 - tavolinë)

Kastrioti - Bilisht Sport 2-0 (2-2)

Grupi B

Besa – Sopoti 7-2 (3-0)

Laçi – Memaliaj 3-2 (1-1)

Vllaznia – Tërbuni 5-0 (1-1)

Teuta – Mamurrasi 1-1 (3-2)

Skënderbeu – Burreli 2-1 (2-2)

Elbasani – Gramshi 2-1 (0-0)

Gramozi - Luftëtari 2-1 (0-0)

Lushnja – Pogradeci 4-1 (0-1)

Ja edhe çiftet e turit të dytë

Ndërkohë, në bazë të skemës së paracaktuar, janë përvijuar automatikisht edhe ciftet e turit të dytë të Kupës së 59-të të Shqipërisë, ndeshjet e të cilit do të zhvillohen më 24 nëntor (vajtje) dhe 8 dhjetor (kthim). Ciftet janë si më poshtë, të ndara në dy grupet, A dhe B.

Grupi A

Kamza - Dinamo

Ada - Tirana

Bylis - Flamurtari

Kastrioti - Shkumbini

Grupi B

Lushnja - Besa

Gramozi - Laci

Elbasani - Vllaznia

Skenderbeu - Teuta

No comments: