Wednesday, November 17, 2010

Enver Hoxha: Petrit Dume dorëzo teserën dhe dil jashtë

Shoku Mihallaq Ziçishti: Në Pogradec i kanë krijuar edhe kushte të mira Ernest Jakovës me shokë. Këtë ti ma ke thënë mua në Pogradec.

Petrit Dume: Jo shoku Mihallaq, unë e kam marrë vesh vonë.

Shoku Mihallaq Ziçishti: Po, po, që kur ka filluar punimi i materialit, ti ke dhënë urdhër që shokëve, të cilët merreshin me këtë punë, t’u krijoheshin kushte të mira.

Petrit Dume: Jo, unë nuk kam dhënë një urdhër të tillë, bile këtë grup pune unë e kam marrë vesh me vonesë.

Shoqja Eleni Pashko: Petrit Dumja shkonte shpesh në Kolonjë dhe bënte një punë sistematike për ta përçarë popullin e Kolonjës. Ai shpesh përdorte fjalën “kaur”. Ka ardhur ai “kauri” thoshte ai. Si shkoni me “kaurin”? Dhe këtë shprehje e ka përdorur aq shumë, saqë njerëzit thoshin: More po ky, Partia na bashkon dhe ky po na ndan. Të na përgjigjet për këto, se ky jo vetëm ka dashur të përçajë Partinë, por edhe popullin.

Shoku Enver Hoxha: Mund të na shpjegosh: Si është kjo punë?

Petrit Dume: Nuk mbaj mend të kem ngritur një problem të tillë. Kjo çështje nuk më ka lindur askund.

Shoku Petraq Magjistari: Petrit Dumja e ka pasur në gjak atë që tha shoqja Leni.

Shoku Veli Llakaj: Në qoftë se Petrit Dumja ka qenë dakord me vijën e Partisë në ushtri, vitin e kaluar, në muajin qershor, përse u ka thënë të gjithë komandantëve dhe komisarëve të korpuseve, që ju mos u bëni një me sekretarët e parë të komiteteve të Partisë të rretheve, por mblidhjani atyre, se jeni mbi ta, ju keni tre-katër rrethe në vartësi e jo një rreth si ata. Edhe një pyetje tjetër, keni qenë ju dakord me tezat e Këshillit të Mbrojtjes dhe në qoftë se pranoni se keni qenë dakord me to, ku e keni materialin e përgatitur nga shoku Mehmet për operacionin e kalimit që ju ka dërguar dhe ju e keni çuar poshtë në repartet e ushtrisë dhe as që e dini fatin e tij se ç’u bë. Në qoftë se keni qenë dakord me shkollat e lira, ku e keni materialin e shokut Enver që ka dërguar për to? Pse nuk ua keni bërë të njohur këto materiale kuadrove kryesorë të partisë?

Petrit Dume: Çështja e parë që ngre shoku Veli, se u kam thënë komandave të korpuseve se ata kanë disa rrethe në vartësi dhe nuk duhet të pyesnin komitetet e Partisë të rretheve për çështjet ushtarake, unë nuk besoj ta kem thënë. Mund të kem thënë këtë që ju komandantët e korpuseve duhet të mendoni se nuk përgjigjeni për çështje ushtarake vetëm për një rreth, pse kini disa rrethe në vartësi. Kjo është tjetër punë, por që të kem thënë të mos merren vesh me shokët e rretheve për çështjet e mbrojtjes, këtë nuk e kam bërë.

Shoku Veli Llakaj: Po ju kini thënë “I thërrisni sekretarët e parë të komiteteve të Partisë dhe kryetarët e komiteteve ekzekutive të rretheve në komandën e korpuseve dhe jepuni detyra për punimet operative”. Si t’i thërrisnim ne ata në raport dhe t’u jepnim detyra? E kini thënë këtë?

Petrit Dume: Jo, nuk e kam thënë. Jo vetëm nuk e kam thënë, por kam dërguar urdhër poshtë, që komandanti e komisari i korpusit të shkojnë te sekretari i Komitetit të Partisë dhe t’i raportojnë atij mbi planin e gatishmërisë për çdo batalion. (ilaritet në sallë). Këto çështje janë të dokumentuara.

Shoku Aranit Çela: Lëri këto, por dil te pyetja që të bëri shoku Rrapo: Cilat janë lidhjet me agjenturën e jashtme dhe armiqtë e brendshëm? Po të vazhdojmë kështu ka plot gjëra. Në mitingun me rastin e zgjedhjeve në Selenicë të Kolonjës, ti ke thënë se “gjatë luftës ne jemi vrarë njëri me tjetrin, por ashtu ishte koha atëherë, kurse tani duhet të kemi unitet. Ne kemi gjynahe që nuk punuam që i gjithë populli i Kolonjës të kishte unitet”. Çfarë do të thotë kjo? A nuk është kjo një parullë e hapur armiqësore?

Petrit Dume: Nuk e kam thënë ashtu. Nuk është e vërtetë.

Shoku Hodo Kaso: Është e vërtetë. Parulla ka hedhur Petriti edhe në zonën e Shën-Mërtirit, ku ka thënë që në këtë zonë ne kemi dy armiq, në një kohë kur në atë zonë ka mbi 15 – 20 kulakë, ka elementë të tjerë të deklasuar, të arratisur, të pushkatuar nga Partia, prandaj duhet të shtrëngojmë radhët. Një punëtor operativ na ka thënë se Petriti vinte në familjet e deklasuara në Kolonjë dhe në Shënmërtir. “Haram më qoftë mua automatiku se nuk di kë do të mbroj, kur ky më futet në familjet e deklasuara të kësaj zone” - tha atje njëri.

Petrit Dume: Nuk e mora vesh mirë këtë, si e thatë?

Shoku Hekuran Isai: Këtë na e thua ti: Je përqafuar me armikun e klasës qafë më qafë?

Shoku Peti Shamblli: Përgjigju pse i ke vënë vizë zhvillimit të luftës së klasave kundër njerëzve të klasave të përmbysura? Keni mbajtur lidhje të vazhdueshme me njerëzit e gruas tuaj, si me përgjegjësin e organizatës së Ballit në Korçë, që ishte kapobandë e të gjithëve, me sekretarin e Rinisë së Ballit dhe me të gjithë ata keni bërë propagandë që të shuhet kjo luftë. Për këtë, ju keni komprometuar edhe kuadro të mira, me qëllim që të shuhet me çdo kusht lufta e klasave. Pse e keni bërë këtë tani, në kushtet e rrethimit kapitalist e revizionist të vendit tonë?

Petrit Dume: Gruaja ime ka dy vëllezër. Njëri ka qenë i dënuar me burg dhe tjetri është punëtor këtu në Tiranë. Me vëllanë që ka pasur të dënuar, ajo ka 28 vjet që nuk është parë dhe unë vetë nuk e njoh po ta shikoj. Në qoftë se gjendet një fakt që unë kam shkuar në shtëpinë e tij, ose ai ka ardhur në shtëpinë time, ose në qoftë se kam marrëdhënie me të, është tjetër punë.

Shoqja Jorgjia Peçini: Gruaja jote është bija e ballistit më të fëlliqur të Korçës. Të vëllezërit janë po ashtu. E motra e saj, të shoqin e ka të arratisur. E vjehrra e Petrit Dumes shkonte në Lushnjë e shikonte të bijën (gruan e të arratisurit) dhe pastaj vinte te Petrit Dumja. Ç’do të thotë kjo? Nuk na mbush dot mendjen, duke na thënë se kam pasur, ose nuk kam pasur lidhje.

Shoku Peti Shamblli: Është e vërtetë që kanë hyrë e kanë dalë të gjithë njerëzit, vëllezërit e gruas, etj.

Shoqja Eleni Pashko: Hysen Dvorani ka qenë kapoballist në Korçë. E tillë ishte edhe e shoqja e tij, që është vjehrra e Petritit. Edhe kjo ka qenë gjithashtu kapoballiste. E kur dëgjonte që vritej ndonjë shoku ynë, bënte banket. E shoqja e Petritit ka qëndisur zhgabat e ballistëve. Ismail Dvorani, kunati i Petritit, ka qenë kapobandë bashkë me Xhemal Starovën dhe kanë plaçkitur shtëpitë e qytetarëve në Korçë, kanë arrestuar njerëzit, kanë vrarë vëllanë dhe babanë e Todit. I kunati i gruas së Petritit është arratisur dhe gruaja e tij, (që është kunata e Petritit) është e internuar në Lushnjë. Nuk duhet harruar se byreqet dhe ushqimet e tjera niseshin nga shtëpia e tij për t’i ngrënë këta armiq në Lushnjë. Si kërkon ai të na mbushë mendjen se nuk ka pasur të bëjë me ta? Kush i ka strehuar në Tiranë të ëmën e vëllanë e gruas?

Shoku Enver Hoxha: Nga këto fakte ka sa të duash, ka me thes. Po të vazhdojmë t’i bëjmë pyetje Petrit Dumes dhe ai të mos na thotë gjë, domethënë të vazhdojë të na gënjejë dhe tani pas gjashtë muajve që po zhvillohet një punë e tillë, apo do t’i japim udhë debatit në lidhje me Petrit Dumen? Si mendoni ju, shokë?

Shoqja Jorgjia Peçini: Ne e kemi të qartë se ai nuk ka për të thënë gjë, prandaj s’kemi pse ta dëgjojmë.

Shoku Sadik Bocaj: Është parë në mënyrë shumë demokratike kjo çështje, shoku Enver e gjithë Partia në terren dhe në ushtri e ka thënë saktë fjalën.

Shoku Enver Hoxha: Mirë atëherë, e mbyllim këtë. Çfarë propozimi kini?

Shoku Sadik Bocaj: Të përjashtohet nga KQ, nga Partia dhe t’i jepet gjyqit, bashkë me Beqir Ballukun.

Shoku Pirro Gusho: Partia e ka thënë fjalën e vet, ai të dënohet.

Shoku Enver Hoxha: Si e ka thënë Partia?

Shoku Mustafa Pajenga: Të përjashtohet nga Partia dhe t’i jepet gjyqit!

Shoqja Katina Starja: T’i jepet gjyqit, pa asnjë lëshim.

(Të gjithë shokët e plenumit shprehin njëzëri mendimin për Petrit Dumen).

Shoku Enver Hoxha: Shokë në bazë të propozimeve tuaja, Petrit Dume të përjashtohet nga Partia dhe t’i jepet gjyqit! Jeni dakord me këtë propozim? (Të gjithë shokët njëzëri aprovuan propozimin). Atëherë Petrit Dume, dorëzo teserën dhe dil jashtë! .../MapoOnline/

No comments: