Sunday, July 20, 2008

Ingrid Gjoni:

Ingrid Gjoni: Shqiptarët në Itali më dhuruan nga trëndafilat deri te bizhuteritë



Mund të themi se këto kohë për të kanë qenë më të mirat. E veshur sportive, si gjithmonë e këndshme dhe e hijshme, por edhe me shumë humor, Ingrid Gjoni rrëfen për jetën e saj private dhe artistike. Si çdo verë ka përgatitur dhuratën për publikun, ku këtë stinë u prezantua me vidioklipin “Puçi-Puçi”, një bashkëpunim me Çiljeta Xhilagën. E sigurt se kjo është koha më e mirë për të korrur sukses, ajo ka vetëm pak ditë, që është shfaqur nëpër televizionet shqiptare me këngën e re. Dhe nuk ka gabuar. Menjëherë ka fituar simpatinë e fansave të saj, apo dhe publikut të gjerë.Në shumë intervista këngëtarja simpatike ka treguar se i pëlqen të frekuentojë jetën e natës me miqtë, por kjo jo në mënyrë të shpeshtë, në mënyrë të rregullt gjatë fundjavave kur nuk është e angazhuar me koncerte apo turne nëpër vende të ndryshme të Shqipërisë, por edhe jashtë saj. Ka disa mikesha të saj, por edhe miq. Mes shoqeve të Ingridit përmendim këtu Çiljetën. Shprehet se i shkon më së miri jeta singëll, duke pohuar se po shijon këtë kohë të bukur të kësaj stine, jo vetëm mes publikut, që e duartroket në koncerte, por edhe me miqtë e saj, duke i bërë të gjithë të mendojnë se u ka thënë ‘stop’ meshkujve për momentin. E në fakt të gjithë do të pyesnin për sa kohë do ta shohim vetëm Ingridin, një femër mjaft e bukur dhe seksi, një këngëtare e suksesshme dhe nga më të kërkuarat sot. Është mjaft në formë dhe me impenjime, që kanë të bëjnë jo vetëm me muzikën, por edhe me kujdesin e madh që po i kushton këto kohë vetes, duke ndryshuar edhe luk. Së bashku me mikeshën e saj këngëtaren Çiljeta Xhilaga janë sot dy këngëtaret më të kërkuara në koncertet, që kanë marrë pjesë dhe që do të vazhdojnë gjatë gjithë verës. Prej kohësh dihet që mes Ingrid Gjonit dhe këngëtares Çiljeta Xhilaga ka ekzistuar një miqësi e fortë. Ato shihen shpesh në shoqërinë e tyre dhe kalojnë mjaft kohë bashkë. Ndonëse studimet e larta i përfundoi në Akademinë e Arteve, dega regjisurë, Ingridi e gjeti veten në këngë. Më tepër se për jetën e saj artistike, ajo mbetet ndër këngëtaret më të ndjekura nga paparacët shqiptarë për shkak të ngjarjeve që kanë ndodhur në jetën e saj private, e cila shpesh komentohet në faqet e gazetave rozë. Ajo tashmë po rindërton një jetë tjetër, krejtësisht sipas ideve dhe dëshirave të saj, por dhe me eksperienca të reja. E kënaqur dhe me një axhendë të mbushur për verën, me koncerte të ndryshme, Ingridi vjen në këtë intervistë, për të na zbuluar diçka më tepër rreth jetës dhe projekteve të saj.
-Jemi në fundjavë, stina e verës, por si nis dita për Ingridin?
Tani ditët nisin shumë të ndryshme nga njëra tjetra, sepse një ditë mund të nisë me diçka të veçantë, një tjetër mund të nisë pas orës një të ditës, sepse fle shumë gjumë. Kjo ka të bëjë me faktin se mua më pëlqen më shumë nata se sa dita, por edhe kur nuk dal natën, mund të rri deri vonë duke parë televizor. Duke e organizuar ditën në këtë mënyrë, mund të rri deri në drekë në gjumë, por ka dhe ditë kur jam shumë impenjative, që do të thotë se mund të zgjohem në mëngjes që në orën tetë të mëngjesit, pasi merrem me shumë punë, por kam dhe angazhime të tjera gjatë ditës. Më pas vjen mbrëmja, që kam koncertet, që për mua mirë që janë. Për mua kjo është një nga ditët më të tmerrshme, që është punë por dhe qejf, pasi në mbrëmje thua sa mirë i mbarova të gjithë detyrimet e ditës. Pastaj ka dhe ditë të tjera, që lodhem shumë dhe më pëlqen shumë të fle, ndërsa pasditeve të merrem me punët që mund të ngelen.
-Para disa kohësh ju keni bërë një koncert në Itali, në qytetin e Milanos. Ç’mund të na thoni rreth atij koncerti?
Në koncertin që zhvillua në Milano më pritën shumë mirë. Kam marrë dhurata pa fund, nga trëndafila deri në bizhuteri, të cilat i kanë hequr nga trupi dhe mi kanë dhënë në shenjë admirimi. Pas koncertit ne ia kaluam shumë mirë sëbashku në një mbrëmje me të gjithë fansat e mi.
-Kënga juaj më e fundit është bërë e suksesshme, pasi po dëgjohet shumë në këtë sezon veror. E kishit menduar që do të kishte sukses kur vendosët që të realizonit vidioklipin?
Duke marrë parasysh që Çiljeta ka një karrierë të ndërtuar singëll në fushën muzikore, por edhe unë një karrierë timen singëll në muzikë, por dhe duke qenë dhe dy mikesha të ngushta ne e menduam shumë suksesin e kësaj kënge, edhe pse na është dashur kohë që kjo ide të realizohej. Me këtë dua të them se gjërat nuk marrin vrull menjëherë. Ne kemi dy vjet e gjysmë, që e kemi bërë këngën. Ideja për këtë këngë na lindi në avion, dhe kënga është e albumit të Çiljetës, pasi unë jam e ftuar nga ajo. Ndjej një kënaqësi të veçantë që vidioklipi na doli me sukses. Që në momentin që u dëgjua se Ingridi dhe Çiljeta do të bënin një bashkëpunim, ishin shumë kuriozë. Tani që erdhi dhe vera, ne e realizuam vidioklipin, pasi na duhej që ta bënim në plazh. Kur mbaroi vidioklipi i këngës “Puçi-Puçi” ne jemi ndierë të dyja shumë mirë. Pas kësaj ne patëm dhe një mbrëmje gala, që ne e bëmë për të promovuar vidioklipin tonë. Ishte një mbrëmje e mrekullueshme dhe ne mblodhëm të gjithë miqtë tanë, patëm të ftuar shumë njerëz të mediave, politikanë, që na nderuan me pjesëmarrjen e tyre. Për ne kjo ishte diçka që u finalizua shumë bukur dhe ne mbetëm shumë të kënaqura nga promovimi i vidioklipit. Mendoj se vidioklipi ka rënë në sy të shumë njerëzve dhe ata e pëlqejnë atë.
-Pas këtij bashkëpunimi, mendoni që të vazhdoni dhe të tjera bashkëpunime me Çiljetën?
Për momentin nuk kemi ndonjë ide, sepse mendoj se duhet që të marrim njëherë suksesin e këtij vidioklipi. Por ne vazhdojmë bashkëpunime, pasi koncertet ne i kemi bashkë dhe shkojmë këndojmë të dyja, dhe kjo gjë ka ndodhur edhe para se të bënim vidioklipin. Nuk mendoj se mund të ketë vend sërish për një bashkëpunim tjetër, pasi kjo është një bashkëpunim midis dy femrave që na kanë cilësuar si rivale gjithmonë, paçka se ne jemi mike dhe nuk e shohim me syrin e rivalitetit njëra-tjetrën. Kjo do të thotë që secila nga ne do të vazhdojë karrierën në rrugën e saj, por se çfarë do të ndodhë më vonë këtë nuk mund ta di.
-Keni mbaruar Akademinë e Arteve ku jeni diplomuar si aktore. Mund t’ju shohim ndonjëherë në skenë apo në film si aktore?
Të them të drejtën teatri është një nga synimet e mia që kam pasur që në fëmijëri, mirëpo duke marrë parasysh suksesin e këngës nuk e përballoj dot që të merrem me dy gjëra njëkohësisht, por që në të ardhmen unë në teatër e shikoj veten. Edhe për t’u pjekur pak më shumë profesionalisht nga ana e të bërit aktore, sepse unë kam bërë katër vjet shkollë dhe ajo mi ka krijuar mundësitë që të provoj veten. Por tani kam një moment pune, por shpresoj që publiku në të ardhmen të më shikojë edhe në teatër.
-Jemi në verë shumica preferojnë detin, apo pushime diku tjetër. Ingridi çfarë bën këto ditë, si e kalon kohën?
Dita për mua është shumë e vakët, përveç impenjimeve dhe telefonatave që kemi për arsye të punës. Por kur kam kohë të lirë shkoj në pishina, apo mund të hap kondiconerin dhe të qëndroj në shtëpi.
-Ingridi është kursimtare apo shpenzon shumë?
Unë nuk jam fare kursimtare, por paratë i menaxhoj vetë. Madje edhe në shoqëri mbahem si tipi që qeras më shumë, por shpenzoj shumë para për veshje, për të afërmit e mi. Pra e kam shumë të vështirë që të mbledh lekë, por me raste të radha edhe mbledh sepse bleva dhe makinën vetë. Unë kam 10 vjet që e ngas makinën dhe këtë mundësi ma ka krijuar babai im, kur më ka dhënë makinën në moshën 15-vjeç megjithëse isha shumë e vogël për të ngarë makinën.
-Për ju qarkullojnë shumë thashetheme. Si ndihet Ingridi kur i dëgjon?
Thashethemet nuk më bezdisin fare sepse jam një person publik dhe do të kem thashetheme, si të mira dhe të këqija, pasi njerëzit flasin sepse bota është e rrethuar me njerëz të këqij dhe të mirë, por që edhe të këqijtë mua më bëjnë mirë sepse nëse ata nuk do të merren me mua, unë nuk do të dal më në gazeta apo media të tjera. Atëherë unë kam marrë fund si personazh vip. Kjo është pjesë e të qenit person publik, pasi dhe njerëzit e kanë mendjen tek ty, dhe nuk ka rëndësi se të përmendin për mirë apo për keq.
-Ju ka shërbyer bukuria për suksesin tuaj?
Më ka shërbyer shumë. Unë në fakt nuk kam dalë nga konkurset e bukurisë, por aparenca ndihmon në çdo gjë për të pasur dhe sukses. Femrat e bukura, dhe kur unë kam qenë shumë e vogël që jam marrë me art, ka pasur plot dhe vazhdojn që të jenë femra të bukura. Unë në konkurse bukurie nuk kam konkurruar ndonjëherë, por çdo gjë varet nga talenti, pasi në skenë kam dalë që në moshën nëntë vjeç. Kam qenë soliste me Llaqi Nakon, por në karrierë nuk është se më ngriti bukuria, sepse nuk kam konkurruar në ndonjë spektakël bukurie.
-Çfarë ju bëri që të hynit në botën e spektaklit?
Kur rritesh me një frymë artistësh në shtëpi nuk ka gjë më të bukur kur ti rritesh me një frymë të tillë. Kam pasur kushërinj artistë, por dhe në familje kam.
-Pse vendosët që të ndryshonit lukun tuaj?
Kisha shumë kohë që nuk po ndryshoja dhe kam pasur një linjë timen, pasi flokët i kam pasur që në moshën 22 vjeç pa lyer dhe pastaj fillova t’i lyej. Për t’i bërë flokët kështu më ndihmoi shumë mamaja e Çiljetës, që mora zemër ku i bëra kaçurrela dhe i leva.
-Ke humbur diçka të dashur si ndjehesh?
Unë e kam zgjedhur vetë që të ndjehem bosh, sepse më ndihmon shumë që të vazhdoj karrierën me impenjim. Ashtu si thatë dhe ju punët dhe ofertat janë gjithmonë dhe më shumë, dhe nuk ndjehem absolutisht bosh, pasi është zgjedhja ime. Unë për momentin jam singëll, dhe nuk e ndjej akoma nevojën për të pasur një lidhje.
-Sipas jush, më mirë është martesa apo bashkëjetesa?
Unë jam për të dyja bashkë si tek martesa ashtu dhe bashkëjetesa, por pse të mos martohem dhe të rri pa veshur fustan?!
-Meqë folët për fustanin e bardhë si e imagjinon dasmën tënde?
Kjo varte nga njeriu që do të martohesh. Po të martohesh me një djalë nga fshati dasmën do ta bëj në fshat, por po të bie një djalë nga qyteti do të jetë në qytet, ku do të jetë pak ndryshe.
-Veshjet më të preferuara për Ingridin tani në verë?
Gardëroba ime është shumë e pasur, por Ingridi duke qenë se është shumë e ngarkuar me punë, mund të vishem dhe shumë thjesht, p.sh mund të më pëlqejë një palë tuta dhe me ato mund të rri shumë rehat. Por kur vjen mbrëmja gjithçka është ndryshe, pra vishem ndryshe sepse mund ta dal për një kafe me miqtë etj.
-Në shtëpinë tuaj mbizotërojnë ngjyrat apo një ambient gri?
Dhoma ime është ngjyrë bezhë dhe nuk ka shumë ndërlikime, pasi mua nuk më pëlqejnë shtëpitë e ndërlikuara, por shtëpia ime akoma nuk ka përfunduar ende pasi e kam ndryshuar, por më vonë do të ndryshoj dhe ngjyrën etj. Por ngaqë kam pasur shumë punë, nuk kam pasur shumë kohë të merrem me shtëpinë
-Me motrën tuaj Inisin si i keni ndërtuar marrëdhëniet?
Për mua ajo është motra më e mirë e botës, dhe marrëdhëniet i kemi ndërtuar shumë mirë. Atë, mamanë dhe mbesën time i dua më shumë në këtë botë.
-Si jeni nga natyra dy motra njëlloj, apo të ndryshme?
Inisi është shumë e urtë dhe unë jam shumë grindavece. Nganjëherë unë e teproj kur ajo më ndihmon në punë sepse ajo ka bërë regjinë tek vidioklipi ynë. Ajo është natyrë e butë dhe bën shumë për familjen, bën për mamin dhe është shumë e përkushtuar pas meje, për mua ajo është njeriu më i shtrenjtë në të gjithë botën.
-Inisi ju ka shtyrë në rrugën tuaj të artit, apo ka qenë zgjedhja juaj?
Inisi ka qenë model për mua, sigurisht që motra nuk më ka thënë që bëj këtë gjë, por unë gjithçka e kam bërë vetë. Inisi ka shumë njohje, ka shumë miq, por asnjëherë nuk kam shfrytëzuar emrin e Inisit, të gjithë i bëja miq vetë përpara se ti thosha Inisit më ndihmo. Edhe kur kam qenë e ftuar në telebingo, që isha akoma fëmijë, edhe pse ajo ishte prezantuese nuk është se ma krijonte ajo këtë mundësi. Isha një fëmijë i përkëdhelur dhe i krijoja rrugët vetë.
-Për shoqërinë çfarë bën Ingridi?
Unë bëj shumë për shoqërinë, por radhë kam pasur shokë dhe shoqe që kanë bërë për mua. Por këto që kam tani, i kam që në fëmijëri dhe jam e kënaqur me shoqërinë e tyre. Megjithëse unë bëj shumë për të gjithë, por tani kam vendosur që të mos bëj kaq shumë.
-Pse e keni vendosur këtë gjë?
Kam vendosur sepse jam dorëlëshuar shumë, dhe askush nuk bën aq sa bëj unë për shoqërinë. Mendoj se është më mirë që të kesh shoqërinë që të përshtatet sidomos ajo që ke që në fëmijëri.
-Je zhgënjyer nga shoqëria?
Jam zhgënjyer, por nuk është se jam vrarë shumë. Të zhgënjehesh dhe të vritesh janë shumë gjëra të largëta me njëra-tjetrën, sepse do të thotë që të zhgënjehesh për momentin, por nuk ka bërë ndonjë dëm të madh. Ato kanë treguar veten e vet, dhe kanë bërë që unë të largohem nga ato. Nuk kanë bërë gjë tjetër vetëm se unë jam larguar nga ajo shoqëri. Nëse do të më duhej të reagoja varet se sa keq do të më bënin. Unë jam tip që marr hak, por varet nga grada e të bërit keq, dhe nëse do të ishte diçka e paqëllimshme nuk bëj asgjë dhe zbutem, por nëse do të ishte me vetëdije unë nuk e harroj.
-Si ndjeheni nëse ju paragjykojnë?
Paragjykimet nuk më vrasin sepse unë jam vajzë në karrierë, dhe kam qenë gjithmonë e paragjykuar. Edhe ato që më kanë paragjykuar më kanë pasur zili që të më kenë afër. Unë ndjehem shumë e vlerësuar që njerëzit merren me mua. Për mua kush paragjykohet vlerësohet, pasi Shqipëria është drejt një rruge të madhe. Ne kemi qenë tre-katër vajza që thyem tabu. Të gjithë bëjnë të mirin kur janë në Shqipëri, por kur dalin jashtë pranojnë jetën atje, por mendoj se Shqipëria duhet të evoluojë.
-Gjithmonë në formë, por fiziku juaj është kështu falë palestrës apo dietës?
Unë nuk mbaj dietë dhe ha mirë, por në fakt jam nga raca që e kam të bukur, ashtu si janë dhe prindërit e mi. Unë ha shumë dhe për atë që ha duhet të isha edhe më e shëndetshme. Por mendoj se më duhet që të filloj edhe palestrën.
-Sa e lidhur jeni me mamanë?
Kalojmë shumë kohë bashkë, dhe e marr gjithmonë në telefon. E dua shumë dhe flas me të për çdo gjë.
-Ingridi ka bindje politike, apo nuk do t’ia dijë fare?
Ne kemi qenë gjithmonë një familje demokrate, kemi qenë gjithmonë me PD, por unë si këngëtare këndoj në të gjitha kahet e politikës kur më ftojnë. Madje po të më pyesësh jam shumë injorante në politikë, pasi nuk i njoh këto politikanët.
-Stilistet shqiptare që për ju janë më të mirat?
Rezarta Skifterin e dua shumë, sepse është stiliste shumë e mirë, por gjithashtu dhe një vajzë e tillë. Po këtë mund të them edhe për Enada at Nikollën.
-Vera tashmë është në kulmin e saj, po ku do ti kaloni pushimet?
Unë nuk kam kohë për pushime, pasi kam koncertet.
-Ç’mund të na thoni për koncertin që keni në Nju Jork?
Koncerti ka të bëjë me aktivitet që kam këtë sezon. Ndërkohë që atje do të jem e ftuar në një televizion të Miçiganit.
-Nëse do ju ofronin mundësi për të ndërtuar një karrierë artistike jashtë vendit, çfarë do të bënit?
Ma kanë propozuar diçka të tillë, por nuk rri dot pa njerëzit e shtëpisë.
-Në jetë, sipas jush cilat janë gjërat më të rëndësishme?
Shëndeti, por dhe gjendja shpirtërore. Këto të dyja janë të rëndësishme, por edhe ana materiale duhet.
-Cilat janë gjërat që nuk i harron asnjëherë?
Për celularin as që bëhet fjalë ta harroj, por dhe lekët e çelësat e makinës.
-Ta zëmë se i harrove lekët dhe je në lokal çfarë bën?
Kam plot njerëz të afërt që vijnë dhe më sjellin lekë.
-Zini shoqëri shpejt?
Nuk zgjedh shpejt, por dhe që të afrohem shpejt me të tjerët kjo nuk ndodh.
-Ingridit i pëlqen muzika apo filmi në kohën e lirë?
Dëgjoj muzikë. Por me raste i frekuentoj dhe kinematë.
-Nëse do t’ju ofronin një rol në një film shqiptar do të pranonit?
Po të kisha kohë do të pranoja me gjithë qejf.
-Sa kushton sot një këngë?
Kushton shumë, por nuk krahasohet me pagesën që marrim.
-Është e lodhshme të udhëtosh kaq shumë, pasi ju keni shumë koncerte?
Është shumë e lodhshme, dhe e vështirë, pra janë lekë djerse dhe një lodhje e paparë.
-Dhurata më e bukur që ju kanë bërë?
Mua më kanë bërë gjithë jetën dhurata të bukura, por më të bukurat janë dhuratat që më ka bërë babai dhe nëna ime, të cilat janë dhurata shpirtërore, por edhe nga ana materiale.

- Kë do të veçonit nga këngëtarët shqiptarë?
Nga femrat Eranda Libohova, por nga meshkujt është shumë vështirë sepse nuk kemi.
-Çfarë e bën Ingridin të zhgënjehet?
Nuk ka shanse të zhgënjehem, pasi nëse do të mësoja se po arrija drejt zhgënjimit, do të zhgënjeja unë e para. Për fat nuk e kam përjetuar këtë ndjesi. Vetëm kam zhgënjyer (qesh).
-Çfarë paragjykon Ingridi në Shqipëri ?
Fjalët e tepërta pa vlerë, thashethemet që nuk kanë të sosur. Këtu tek ne, njerëzit janë të predispozuar për t`u marrë me jetën e të tjerëve, duke komentuar e shpesh duke ekzagjeruar një lajm, apo qoftë spekulime të pa rëndësishme.

No comments: