Sunday, July 20, 2008

Homazh për Monsinjor Dr. Zef Oroshin

Homazh për Monsinjor Dr. Zef Oroshin

Nga Bep Kuqani, White Plains, New York

Edhe kështu mund të titullohej libri i ri i Z. Tomë Mrijaj kushtue Dr. Zef Oroshit, me rastin e përvjetorit të XX-të të ndrrimit të jetës.
Fryma që e përshkon këtë libër, ku shpaloset e gjithë jeta e të Ndjerit, qysh nga mosha e fëminisë e deri sa mbylli sytë, karakterizohet fillim e mbarim nga ndjenja e nji respekti shumë të thellë e të paharrueshem, që autori vazhdon t’a ruej ende të gjallë për Monsinjorin.
Kjo “ndjenjë”, që i çmohet si nji nder virtytet ma të mira, asht njiherit edhe nji tregues i kjartë i fisnikrisë, që buron nga shpirti i pastër i autorit, i cili, pa marrë parasyshë asnji sakrificë, iu pervesh kësaj pune voluminoze, për hartimin e këtij libri, që kena sot në dorë.
Për të pasë një ide edhe ma të kjartë për mundin, djersen dhe kohën, që i asht dashtë me shpenzue, mjafton të kujtojmë, se vetëm literatura, që ka shfrytëzue kapë plot 7 faqe dhe titujt e shkrimeve të Monsinjorit, që ka mujtë me mbledhë nëpër organe të ndryshme, ku janë botue mbushin 5 faqe. Shto këtu edhe shpenzimet e botimit, të cilat i ka mbulue të gjitha vetë autori, del në pah edhe ma kjartë shpirtmadhësia dhe Nderimi i madh i Z. Tomë Mrijaj, për këtë figurë, që bani histori dhe la gjurmë të pa shlyeshme jo vetëm në komunitetin katolik shqiptaro – amerikan, por edhe në të gjithë shqiptaro – amerikanët, pa dallim feje dhe krahine.
Por duhet theksue, se përveç autorit, nji meritë të veçantë kanë edhe të gjithë ata që kontribuen pa u kursye me materialet dhe dokumentat e tyre arshivore personale, tue ia vue në dispozicion autorit e, në veçanti, kontributi i madh i Z. Tonin Mirakaj, i cili, asht vetë nji “histori e gjallë” e komunitetit katolik shqiptaro – amerikan, ku, ka marrë pjesë si pjestar dhe drejtues I shumicës ma të madhe të të gjitha aktiviteteve të zhvillueme nga ky komunitet, qysh prej ditës së parë të themelimit e në vijim edhe sot e kësaj dite.
E tash në lidhje me nji shënim të Z. Ndue Melyshi, citue në faqen 53, ku thuhet: “Meqenëse ishte Komitet klandestin, nuk mund të zgjidhej kryetari me vota të lira të popullit, prandaj antart në brendësine e Komitetit caktojshin nji kryetar…”, dishroj të plotësoj këtë mendim, tue shtue, se ne “brendësinë e këtij Komiteti”, kje zgjedhë si Kryetar Dom Zef Oroshi dhe Sekretar Jak Perjaku, i cili, kje vra në mal, në përpjekje me forcat e ndjekjes të Sigurimit. Këtë ma ka thanë përveç të tjerëve, që do t’i permendi ma poshtë, edhe vetë i vëllai: Gjon Perjaku, që u kap n’atë përpjekje, i plagosun randë dhe me të cilin kam ndejtë në burgun e Burrelit. (Deri në vitin 2005, ka kenë gjallë e shndosh, që e kam takue në Shkodër dhe uroj që të jetë edhe tash po ashtu).
Veç kësaj, kam pasë rastë me njohë personalisht edhe katër antarë të këtij Komiteti, nga të cilët per Karlo Çoben, avokat, i biri i Ndoc Çobës, që ka kenë Kryetar i Këshillit Antifashist Nacional Çlirimtar dhe Sulë Hafizin, Kryemyfti i Lezhës, nuk ekam ditë se ka kenë Antar I Komitetit të Maleve; ndërsa për Haki Bushatin, i vëllai i ish - Kryemninistrit Maliq Bushati, që u pushkatue bashkë me At Anton Harapin O.F.M. dhe Lef Nosin dhe Ndrek Kakarriqin e kam dijtë dhe, edhe këta më kanë thanë se “kena pasë për Kryetar Dom Zef Oroshin”.
Haki Bushatin e kam njoh vetëm për nji periudhë të shkurtë kohe në burgun e Tiranës; ndersa Ndreken e kam njohë qysh se kam kenë në moshë adolishente, se ka kenë mësues në Kolegjin Saverian, kryetar i Shoqatës “Rrethi Don Bosco” (krijue nga At Pjetër Meshkalla); kam ndejt në burg të Burrelit, mbasi kje denue 17 vjet si antar i atij Komiteti, i arrestuem në Lezhë, vetëm pak muej mbasi kishte fillue punën si avokat. Miqësinë e kena vazhdue edhe mbas daljes nga burgu, deri në ditën që vdiq. Historia e tij asht shumë e dhimbëshme: Pat lanë djalin sapo kishte mbushë vjetin; grueja e ndau per me i shpëtue persekutimit, por edhe per dobësi karakteri. Për 14 vjet në burg nuk I pau asnjiherë. Kur doli prej burgut mbeti pa strehë dhe pa punë (ishte I sëmurë dhe I pa aftë per asnji punë fizike). Me gruen dhe djalin nuk u bashkue ma kurrë. U detyrue me punue “roje nate”, në nji çerdhe fëmijësh pa asnji lek pagesë, veç nji ushqimi tre herë në ditë dhe nji shtrati me shtri brijtë. Kur vdiq, e varrosi shteti pa asnji ceremoni. Vetem 5 - 6 vetë, ish bashkëvuajtës të tij, morën pjesë në varrim. Sot, nuk I dihet as vorri (unë s’e mbaj mend) dhe të tjeret nuk e di a jetojnë apo jo.
Për Dom Zef Oroshin, duhet dijtë edhe kjo: Qysh nga dita e arratisjes, që hoqi veladonin e doli në mal, e deri që iku në Jugosllavi, banorët e Mirditës dhe të malësisë së Lezhës e kanë njohë ma fort se prift, si Kryetar të Komitetit të Maleve, si organizator i “Çetave të Shpagimit”, si luftëtar shumë trim dhe si antokomunist i vendosun.
Kam mendimin, se këtë anë të aktivitetit të tij antikomunist në malet e Mirditës, nuk ka dashtë me e ekspozue para publikut shqiptaro – amerikan kjoftë për modesti, kjoftë edhe pse nuk perputhej me veladonin e nji prifti dhe këte e ka mbajtë të mbyllun vetëm mbrenda nji rrethi shumë të ngushtë bashkëluftarësh, ku me siguri duhet të ketë kenë edhe Z. Ndue Mëlyshi.
Por kjo nuk ia ulë aspak vlerën, sepse nuk asht I pari prift shqiptar, që ka luftue me armë në dorë kundër anmiqve të vendit dhe të fesë.
Në fund, pergëzoj perzemersisht Z. Tomë Mrijaj per ketë libër, që I dhuroi mbarë komunitetit shqiptaro – amerikan e ma gjanë

No comments: