Monday, June 30, 2008

Intervistë me shkrimtarin kosovar Agim Gjakova:

Intervistë me shkrimtarin kosovar Agim Gjakova:

Nga Albert Zholi

Si “emigrant politik” kam qenë gjysmë i izoluar dhe gjysmë i injoruar, çka ishte pak më shumë peshë se një shkrimtar tjetër.

Politikës shqiptare i mungon vullneti i të qenin kombëtar

Ju keni lindur në Kavajë, jeni nga Gjakova, keni studiuar në Beograd, por keni mbaruar studimet dhe keni jetuar në Tiranë. Tash jetoni në Prishtinë. A mund të na flisni pak për rrethanat e shkaqet e kësaj odiseje të gjatë 70 vjeçare dhe sa ka ndikuar kjo lëvizje ne formimin e personalitetit tuaj ?

Rrethanat janë të një kombi të trazuar historikisht nga armiqtë e tij. Pra të kombit tonë shqiptar, të cilit prapë po i duhen edhe kushedi sa vite që të konsolidohet ashtu siç i ka hije çdo kombi të lirë (e mendoj Maqedoninë, Çamërinë...). Ecejaket e shqiptarëve nëpër trevat arbërore kanë qenë të kushtëzuara, të shumta e të shumëllojshme. Një shqiptari që sado pak ia kushton jetën e punën e tij atdheut nuk ka mundësi të mos i ndodhin të tilla. GUXO E VDIS – GUXO E LËVIZ NËPËR TREVAT E TUA – GUXO E MBAHU SIÇ TË KA HIJE. Kam jetuar me këtë moto. Të gjitha trevat ku kam kaluar jetën më kanë dhënë forcë dhe tiparet e tyre shpirtërore. Mund të them se kanë plotësuar e përkryer personalitetin tim.

Ju jeni një ndër nismëtarët e lëvizjes rinore studentore për lirinë e Kosovës . Jeni i njohur si poet prozator dhe publicist. Në ç’masë mendoni se e ka prekur socrealizmi krijimtarinë tuaj dhe sa nga veprat tuaja i kanë rezistuar kohës?

Duke qenë në “gojën e ujkut” si student në Beograd krijova me shokët shoqatën “Përpjekja”, e cila u bë vatër gjallërimi shpirtëror për studentët shqiptarë dhe një frymëzim për brezat e mëpastajmë. Kjo dhe arrestimet, torturat, mundimet, gjetën vend në krijimtarinë time.

Ndoshta i imponuar nga rrethanat për të qenë më i drejtpërdrejtë me lexuesin ka nuanca të socrealizmit në krijimtarinë time, shto këtu edhe kërkesat që bëheshin në kohën e monizmit për letërsinë dhe që, dashje pa dashje, të gjithë shkrimtarët ishin të detyruar t’i respektonin. Por në vijim të viteve nëntëdhjetë të shekullit të kaluar e deri më sot, natyrisht se unë jam vetvetja në krijimtarinë time, pa shkollat e rrymat e ndryshme. Sa i reziston kohës krijimtaria...?! Sa më e bukur, me ndjenjë e mendime që të jetë. E kësaj mund t’i përgjigjet më së miri kritika. Por unë ka një kutin tim për vlerësimin e poezisë. Nëse në një vëllim (dihet se askush në botë në një vëllim poetik nuk është endur vetëm nëpër maja) nuk gjej sado pak art, atëherë ai nuk është poet, por një vargëzues, siç është thënë.

Ç’ vlerësime keni pasur nga kritika letrare dhe ç’pengesa keni pasur si "emigrant politik" që ishit nga diktatura komuniste në Shqipëri ?

Si “emigrant politik” kam qenë gjysmë i izoluar dhe gjysmë i injoruar, çka ishte pak më shumë peshë se një shkrimtar tjetër. Por nuk mund të them se ka pasur pengesa të veçanta të tjera. Pas botimit të përmbledhjes me poezi “... dhe thonë se paqe ka në botë” më 1962, në Plenumin e Lidhjes së Shkrimtarëve u rendita i katërti sipas “adetit” që krijohej ranglista. Por pastaj, pasi nuk iu përgjigja “detyrës për të shkruar për realitetin socialist” u hoqa fare nga përmendja si shkrimtar, me ndonjë përjashtim. Në konkurset letrare, me gjithë se në dy raste jam vlerësuar me çmim të parë nga juritë, kam zbritur në çmim të dytë e të tretë në Ministri të Arsim-kulturës, pasi duheshin ata me partishmëri të ishin në krye. Kritika letrare nuk ka mundur (e me raste edhe nuk ka dashur) të fliste për krijimtarinë time, përveçse të shënohej botimi. Por në Plenumin e Lidhjes së Shkrimtarëve pas botimit të romanit “Në kërkim të së vërtetës” u kritikova rëndë për “ahistorizëm dhe për nxirje të realitetit”. Po ashtu në një diskutim të ngushtë në Lidhjen e Shkrimtarëve për vëllimin me poezi “Rrënjët përtërihen” që u botua 22 vjet më vonë me titull “I gjuaj ëndrrat me gurë”, u akuzova: 1. Se isha kundër politikës së partisë, 2. Se isha kundër ideologjisë së partisë, 3. Se isha kundër ndërtimit të socializmit, 4. Se isha hermetik, 5, Se isha luftënxitës. Dhe kur për këtë të fundit pyeta: ”PO kujt do t’i shpallja luftë? Zanzibarit?” M’u përgjigjen se “ke dashtë me na shti në shjerr me Jugosllavinë”. Vetëkuptohet se ç’donin të thoshin ato akuza, të cilat nuk i pranova fare.

Cili është qëndrimi i kritikës letrare në Kosovë për krijimtarinë tuaj apo dhe atje është shtrirë kriza e kritikës letrare si në Republikën e Shqipërisë?

Pothuajse nuk ka kritikë letrare në Kosovë. Ka vetëm recensione të dobëta e ndonjëherë ndonjë shkrim që, vaj halli se ç’është!

Cili është mendimi juaj për letërsinë e sotme shqipe?

Ka të arritura, ka larushi, ka thellim... Por ka edhe asi botimesh që nuk janë letërsi, pra aspak art.

Ne gazetën tuaj “Urtia” ju dhe bashkëpunëtoret tuaj keni analizuar dhe parashikuar mjaft nga dukuritë dhe zhvillimet politike në Kosovë. Si i gjykoni ato sot ?

Ashtu siç i kemi gjykuar atëherë. Zhvillimet politike dhe lufta më vonë nuk ishin diçka e papritur dhe e pamenduar. Lufta për liri ka rrugën, zhvillimet, tiparet, sakrificat e saj dhe mendimet për të. Nëse i kthehemi historisë dhe shohim qindvjeçarin që nga Lidhja e Prizrenit e këtej, atëherë njeriu formon edhe idenë, gjykimet dhe arsyetimet për atë që nuk është bërë dhe që duhet të bëhet. Nuk jermi ne, të Kosovës, të parët që arrijmë këtë gjendje të sotme, pra shporrjen e forcave mizore serbe dhe fitimin e paqes, apo edhe të njëfarë lirie nën administrim ndërkombëtar. Pra historia mëson.

E sotmja politike e Kosovës është për t’u dëshiruar. Politika ndërkombëtare pothuajse dikton për gjithçka. Pra jo vetëm për çështjet themelore, por edhe, ta zëmë për festat shtetërore se cilat duhet të jenë e cilat nuk duhet të jenë të sanksionuara në Kosovë.

Mbase kam qenë dhe kam mbetur “mjaft” i pavarur si në gjykime ashtu edhe në qëndrime.

Në çfarë shkalle është arritur integrimi, pra thyerja e kufijve historike mes hapësirave shqiptare në rrafshin kulturor e shpirtëror?

Lufta e nëntëdhjetë e nëntës i bashko\i shumë shqiptarët e të dy anëve të kufirit, apo të themi e të dy shteteve të sotme. JO vetëm si dashuri vëllazërore dhe humanitare, por edhe si interesa kombëtare. Megjithatë më duhet të pranoja se nuk është bërë aq sa duhet, për të mos thënë pak, në afrimin ndërshqiptar. Të dy pjesët kanë “faj”. Por... para se të shprehem më lejoni të parashtroj diçka personale: “Kur isha në Shqipëri (40 vjet) nuk lejoja të shanin apo denigronin Kosovë]n e kosovarët në praninë time. Sot nuk lejon që të shahet apo denigrohet Shqipëria në praninë’ time në Kosovë.” Por për hir të së vërtetës, jo se i takon, por nuk po bën atë që duhet pala shqiptare në raport me palën kosovare. Besoj se e ardhmja do të jetë ndryshe.

Mund te na flisni pak për veprimtarinë tuaj atdhetare dhe të shokëve tuaj dhe ç’pasoja pati ajo?

Mendoj se kjo pyetje ka marrë njëfarë përgjigje më sipër dhe nuk ka përse të ekzistojë.

Çfarë i mungon politikës së sotme shqiptare për të realizuar aspiratat e popullit tonë te shumëvuajtur?

I mungon vullneti i të qenin kombëtar (si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë) dhe i veprimtarisë për interesin e përgjithshëm. Është e natyrshme që interesi personal i politikanit duhet të përputhet me interesin e përgjithshëm, apo të ingranohet në të dhe kështu shoqëria e kombi ecin mirë. Por ku më janë ata “:politikanë” me këto tipare. Madje në Kosovë. Jo vetëm që po bëjnë batërdi për interesin personal, por nuk janë as të aftë të jenë në krye të drejtimit “shtetëror”. Shpresojmë te brezi.

- Me shpalljen e Kosovës republikë a mendoni se ka ikur shansi për një Shqipëri natyrale ?

Jo. Gjithçka mbetet në dorë të shqiptarëve në Ballkan. Mund të parashtrohen rrugët e mënyrat, por nuk po i biem kësaj ane.

No comments: