Tuesday, November 16, 2010

Rrëfimi i tre vajzave të mbuluara


Magdalena Alla

Ornela Bita, Monda Maksutaj dhe Majlinda Shala, studente të diplomuara shkëlqyeshëm për arte dhe letërsi. Që më pas ndoqën "rrugën e Zotit". U martuan me besimtarë muslimanë, u mbuluan dhe bëjnë jetën e nënave, bashkëshorteve dhe artisteve. Duke patur mbi shpinë refuzimin për një vend pune, paragjykimet për veshjen dhe rrugën që kanë zgjedhur. Tre dëshmi grash për besimin, dashurinë dhe artin


"Vajza, njëra që e tradhtonte bashkëshorti po më thoshte: 'Lum ti që je myslimane!". -Eh, më lër rehat, i thashë, ishallah nuk e kemi risk edhe ne. Gjynahet për njerëzit janë, por ishallah për ne janë më pak. -Eh, mirë, ke fantazi ti! Më pëlqen, më pëlqen kur bën shaka."
Hedhin e presin me njëra-tjetrën ashtu si çdo vajzë çapkëne moderne, pa mbulesë. Janë të treja besimtare myslimane, por dhe artiste në profesion. Që neve na duken kaq të ndryshme nga jashtë, vetëm nga ajo mbulesë mbi krye. Dhe iu mbulojmë edhe shpirtin. Ashtu thjesht duke i parë të mbuluara kohë e këmbë i hedhim një tis edhe gjithë vështrimit tonë që përthyhet aty, pa depërtuar poshtë asaj mbulese. I paragjykojmë cektësisht dhe i nënçmojmë përnjimend sa herë. Dhe bëjmë si ata që kemi nënçmuar deri përpara dy dekadash; kur na detyronin të vishnim çfarë ata pëlqenin dhe jo çfarë ne pëlqenim. Tani në mos i detyrojmë, i sulmojmë me vështrime. Na vrasin apo nuk na vrasin sytë, a mund të kemi të drejtë ta bëjmë këtë, qoftë dhe për vetëmbrojtje? Apo më mirë t'i njohim mirë e mirë dhe pranojmë me kënaqësi pikërisht nga rinjohja e bukur?


Duke lexuar Kur'anin
Aty e ka pasur zanafillën besimi dhe mbulesa e tyre. Mjaftoi që morën "dozën e parë" të shenjtërisë së fjalëve të përjetshme dhe tani e tutje kjo do të bëhej kthesa dhe udhërrëfyesja e tyre e re. "Lexova Biblën dhe Kuranin, por më vetvetja u ndjeva tek Kurani. Ai më plotësoi logjikisht shpirtin tim", thotë besimtarja piktore Monda Maksutaj, e cila vjen nga një familje besimtare bektashinjsh. "Shndërrimi im në besimtare praktikante myslimane erdhi natyrshëm, në mënyrë graduale. Fillimisht duke lexuar Kuranin, më pas vura mbulesën dhe fillova të shkoj rregullisht në xhami",- përforcon rrugëtimin e përbashkët artistja tjetër besimtare Majlinda Shala.
Ornela Bita, sot grafiste në profesion, agjëronte që 10 vjeç. Ashtu sikur gjyshja e saj dhe pa pasur ndonjë praktikant tjetër në familje. Pak nga pak nisi ta ushqejë në kohë, duke iu përkushtuar edhe ajo besimit. Fillimisht, duke bërë me kokën e saj u regjistrua në një kurs 6-mujor fetar. Dhe sa herë shkonte për në shkollë, i binte rruga afër xhamisë, duke u kthyer sa herë aty. Falej dhe merrte gjithmonë librat e Allahut, të cilët i përpinte. "Çdo gjë më ka hyrë në shpirt nga librat. Edhe ritet i kam mësuar nga ato, pa pyetur si bëhet kjo apo ajo.", tregon Ornela. Jo vetëm nga Kur'ani, por nga gjithë librat e shenjtë është mbushur me besim edhe Majlinda me Mondën. "Gjithmonë kam qenë kureshtare dhe pyesja për Zotin. Që në vogëli, doja të afrohesha me të dhe i vetmi burim ishin librat e shenjta. Ata të thërrasin logjikën dhe sjellin argumente për ata që logjikojnë",- shton Monda. Dhe grumbullimi i vazhdueshëm i kësaj dijeje do të shpërthente edhe me çastin e vënies së mbulesës, i cili mbërriti ashtu natyrshëm, vetiu. "Ishte plotësimi i brendshëm, si hallka e fundit e një zinxhiri. Ishte përmbushja, fjala e fundit që duhet të ndiqja.",- thotë Majlinda. Duke qenë shoqe të një dhome në konviktin e 'Arteve', të tjerat i akuzonin herë që ishte Majlinda ajo që kishte bërë për vete Mondën e herë ishte Monda që kishte bërë për vete Majlindën, në shfaqjen e tyre të habitshme dhe të papritur me shami. "Ne thjesht gjetëm natyrshëm veten dhe njëra-tjetrën",- pohojnë ato të dyja.


Atëherë kur sapo u mbuluan...
"Nuk kam guxuar t'iu them prindërve të mi se doja të vija mbulesën. Fill pas martesës me një djalë besimtar, munda ta vë atë menjëherë. Im atë në atë çast tha se, meqë unë kisha një burrë, përgjigjej ai për mua dhe unë mund të bëja çfarë të doja, nëse ai donte", tregon Ornela, tiranse në origjinë dhe tradita. Edhe Monda rrëfen vuajtjet e prindërve të saj nga opinioni vrasës në qytezën ku ajo jetonte, Vorë. Por që më pas ata do të bëheshin mbrojtësit e saj ndaj kujtdo që i hidhte fjalë të pakëndshme. Majlinda, thotë se e ndjeu mbulesën domosdoshmëri dhe iu bind këtij urdhri me gëzim, i cili nuk është zbehur aspak as sot. Por afërmendsh që gëzimi i tyre dhe pohimi i vetvetes nuk do të ishte edhe i të tjerëve. Ata nuk do t'i kuptonin. Kjo nuk do të kishte asgjë të keqe, sikur mos të ndërhynin arbitrarisht tek zgjedhja e tyre, deri në atë masë, sa t'i bënin të vuanin. 'Kam vuajtur aq shumë në fillim, saqë ato kohë nuk dua t'i kujtoj më.", thotë Majlinda. Si artiste origjinale dhe rebele, rebelizmin e shfaqën edhe tek përqafimi i mbulesës. Opinionin në fund të fundit do ta sfidonin. Ai nuk do të mund të ishte më i fortë se Zoti i tyre. 'Ka shumë gjëra që mund të mos më pëlqejnë, por unë nuk kam të drejtë të cënoj askënd. Qëndroj gjithmonë larg, duke respektuar zgjedhjet e gjithësecilit',- thotë Majlinda Shala. Por edhe atyre që nuk e bënin këtë, por e mërzisnin, përpiqej t'i bindte me buzëqeshje, durim, mirësi. E jo vetëm prej besimit, por mbulesën ato e ndiejnë dhe e duan edhe si një veshje shumë femërore.


"Mbulesa, veshje shumë femërore"
Përpara se ta vinte, në përkundjen e përfytyrimeve që rrekeshin të bëheshin të prekshme Majlinda femërzohej, plotësohej me atë ndjesi të munguar në fëmijërinë e kaluar mes 4 vëllezërve dhe të ndikuar prej tyre. Por që një ditë do t'iu largohej dhe do të rikthehej më fuqishëm në thelbin e mohuar. 'Tek unë mbizotëronte natyra mashkullore. Kam qenë si çun harrakat. Nuk vishja kurrë fustane, vetëm në ndonjë mbrëmje festive. Jam rritur mes vëllezërish dhe mbulesa ndieja që do të më plotësonte një ekstrem femërizimi',- analizon Majlinda. Trokitja e pjekurisë seksuale, thirrja e brendshme dhe kthesa e madhe drejt identitetit që i kishte munguar dhe duhej provuar, u poqën të dyja bashkë dhe kërkimi i femërizimit iu bë një urgjencë. Po pse pikërisht oriental, në ekstrem, kaq fetar? "Unë aty gjej rimishërimin e femërizimit antik. Mbulesa nuk më duket ekstremitet, por një shije drejt identitetit femëror.", kështu parapëlqen ta vlerësojë mbulesën e saj Majlinda. Edhe ajo rreket të sajojë tek ajo gjetje nga më në modë, estetikisht më të goditura. Kombinon ngjyrat, copat, format. Herë vjollcë me blu, herë kafe me blu, herë me shkëlqim apo mat, herë me dantella apo qëndisje. Duket sikur artin e saj e mishëron më së miri edhe tek të ashtuquajturat ndryshe 'burdat' që ajo vesh. Me aq hijeshi, sa përnjimend harron se janë pikërisht veshjet standarde myslimane, që rëndom sikur 'të fusin në thes'. 'I blej rrobat në dyqane të posaçme për veshje myslimane, ku sjellin përherë tendenca të reja', shpjegon ajo. Ndërsa piktorja Monda i dizenjon dhe qep fare bukur vetë. Në takimin e programuar për 'Shekulli'-n ajo vjen me një burdë të bardhë, e tëra në tantellën mjaft në modë për 2010-2011. 'Femrat sot duke veshur pantallona janë bërë më mashkullore. Këtë e reflektojnë në ecje, qëndrim, mënyrën e të folurit. Për mua, fundi me pantallonën nuk ka të krahasuar. Dhe mbulesa të bën të ndihesh shumë femër dhe jo provokuese. Por këtë e kupton kur e vesh dhe jo më parë", analizon Monda
Por sado bukur të vishen, ato nuk mund t'i shpërfaqin veshjet si një modele apo vajzë e zakonshme me liri më të madhe. Tek ato janë të përjashtuara ecjet provokuese, sensuale, shikime apo buzëqeshje të tilla, pjesë feminiliteti edhe këto, të cilat nuk mund t'i fshehë dot burda mbuluese.
Por veçse estetike, a e ndiejnë atë funksionale, praktike? 'Mbase është psikologjike, por vërtet edhe në verë unë nuk ndiej vapë më shumë se të tjerët dhe trupi tanimë më është mësuar', reagon Majlinda. E mbështetur edhe nga të tjerat. Madje Majlinda arrin te dëshira edhe e perçes përpara fytyrës. 'Por në Shqipëri mezi pranohet shamia e jo më tepër se kaq', ia pret hovin vetes. Megjithatë, i shërben edhe si mburojë ndaj ngacmimit të meshkujve. "Me mbulesë ndihem shumë rehat".
Dhe i duruari i fituari. Fillimi më i vështirë tanimë kaloi dhe çdo vështirësi të re ato dinë si ta përballojnë. Por a e çojnë ndonjëherë nëpër mend heqjen e mbulesës? 'Familja ime pas shumë vuajtjesh më pranoi kështu si jam, edhe pse ende besojnë se një ditë unë mund ta heq mbulesën, por jam kaq e dashuruar me të, saqë them se kjo nuk ka për të ndodhur kurrë",- rrëfen Majlinda. "Me këtë mendje që kemi sot, se njeriu dihet që është në ndryshueshmëri të vazhdueshme, unë nuk dua ta heq kurrë.", pohon Monda Maksutaj.


Arti dhe feja
Edhe artiste, edhe besimtare myslimane. Nga ato që guxojnë të mbulohen me shami, edhe pse bota i mbulon një mijë e një netë e ditë me shikime të shtrembëra. Por përgjigjen me pamjen që s'ndërron faqe, heshtjen ngulmuese dhe shpërthejnë vetëm atje ku liria është e vërtetë. Në art, në atë të pikturës, qeramikës apo dizajnit, me fantazi nga më origjinalet dhe sfidueset, si rrallëkush prej laikeve. 'Frymëzimin dhe guximin për të fshehur hiret femërore një herë e përgjithmonë nën mbulesë e kam marrë pikërisht nga skulpturat. Një ndjesi e brendshme, e fshehtë rreth siluetës antike femërore, të veshur me të gjata, me rudha dhe pala, dmth mjaft e mbuluar në shtat, më është ngjizur kohë më parë",- shprehet njëkohësisht artistja e qeramikës Majlinda Shala. Janë të treja me një universitet laik. Majlinda dhe Monda kanë mbaruar njkohësisht në 2004-ën Akademinë e Arteve për pikturë, ndërsa Ornela për gjuhë-letërsi në Universitetin e Tiranës, si edhe një shkollë për grafiste. "Im shoq ka qenë ai që më ka stimuluar të vazhdoj shkollën e lartë, të cilën e kam nisur kur kisha dy fëmijë. Madje ende është ai që më nxit të bëj një tjetër shkollë", thotë Ornela. "Është besimi ai që tek unë ka zgjeruar kuptimin për artin. Prej kohësh jo vetëm hëna e yjet më flasin, por dhe një pikë ujë që bie apo një gjethe që shkujdesur shkel, flet për një Krijues mbi krijuesit dhe them: "O Allah! Sa i madh je!". Duke parë bukurinë e besimit, kam hapur prespektivën ndaj artit. Duke njohur të vërteta më të thella është zgjeruar botëkuptimi im.", shpërfaq copëra nga filozofia dhe bota e saj Monda. Po një nudo? Jo. Atë nuk e koncepton kurrsesi dot një artiste e mbuluar, qoftë dhe piktore. Gjë që ato e argumentojnë kështu: "Nuk e marrim përsipër si punë një nudo. Nuk na interesojnë format reale dhe imitimi i tyre, që është një nga budallallëqet më të mëdha. Kemi gjetur tjetër gjuhë..."



Andrallat per nje vend pune

'Ngado që shkoj kam një kartëvizitë më shumë. Dinë për mua pa folur fare që adhuroj Zotin dhe parimet e tij. Për çfarë mbetet e ndiej veten normale, të barabartë me të gjithë, pavarësisht shamisë që mbaj mbi kokë", -reagon Monda. "Por, mbulesa është edhe një përgjegjësi më shumë. Në Shqipëri sidomos, nëse një besimtar bën një gabim, atëherë bëhet shembull, përgjithësohet për të gjithë. Përpiqem të jem shumë e kujdesshme kur dal në rrugë, në mjedise publike, në çdo gjë që bëj",- thotë Ornela. "Por sa më shumë beson, aq më shumë kupton se mëkate bën sa të duash. Edhe ne gabojmë. E rëndësishme është që pendohemi, e mendojmë gabimin se si duket para Zotit dhe përpiqemi të mos e përsërisim",- shton Majlinda.
Por edhe pse ato ndihen gati njësoj me gjithë të tjerët, mbulesa iu sjell drejtpërdrejt probleme jetike. Në punësimin e tyre. 'Andralla kemi pasur dhe kemi sa të duash për të gjetur punë, sidomos një vend në shtet. As që imagjinohet të punojmë në administratën shtetërore të mbuluara.", thotë Monda. Ornela si grafiste kujton që kërkonte punë me CV në një studio grafike me emër, duke menduar që ata do ta kishin më të lehtë, pasi e kanë të ngritur klientelën. Por i kërkuan që gjatë orarit të punës ta hiqte shaminë, gjë që ajo nuk mund ta bënte dot. Pas kërkimesh, më në fund gjeti në një shtëpi botuese, pronari i së cilës ishte katolik, por mendjehapur. Edhe pse ndonjë klient si me gjysmë shaka i thoshte: e paske bërë xhami këtu!, ai ua kthente me shaka: "vajza është pa flokë, ndaj është mbuluar". Në fillim nuk kishin besim t'i jepnin një punë asaj, besimtares me shami. Po pse me ty do të punoj unë?", i thoshnin. Ndërkohë që bashkë me të në studio punonin edhe 5 vajza të tjera laike. Por kur shihnin sa mirë ajo punonte, atëherë rritej besimi. Ndërkohë që përpiqej të ishte shumë e kujdesshme, që në asnjë moment mos ngatërronte punën me besimin apo të bënte propagandë fetare me ndonjë. "Kam shumë respekt për punëdhënësin tim të parë, që më përkrahu pavarësisht presioneve",- kujton Ornela, e cila tanimë ka çelur me ortakëri një studio të sajën grafike. I pëlqen shumë të punojë dhe thotë se kalon shumë orë në punë, ashtu si edhe gratë laike dhe moderne në karrierë, të cilat për të ecur përpara ndihmohen nga bashkëshorti dhe fëmijët.
"Besimtarët myslimanë në përgjithësi janë shumë mirë në arsimim, por vuajnë për të gjetur punë nga paragjykimet. Unë doja të filloja punë në bashkinë e Vorës, por nuk më morën edhe pse isha me të gjitha dhjeta. Punësuan një që mezi kishte marrë klasën",- tregon Monda. Majlinda gjithashtu në minibotën e saj ndihet mëse normale. Punon me cilësitë që lipsen, kryen rolin e duhur si nënë dhe sfidon me artin e saj në qeramikë si rrallëkush. Por jo menjëherë por pak nga pak, ata që e njohin, edhe jobesimtarë, e kanë pranuar plotësisht. Ndihet akoma më e pranuar, kuptuar, kur gjendet jashtë Shqipërisë, qoftë edhe në Italinë katolike. 'Gjen më shumë respekt për kultura të ndryshme atje, se sa tek ne', thotë. Kur dikush e punësoi edhe me mbulesë, sepse në fakt veshja e besimtares nënkupton shpesh edhe mungesën e veseve, dhe duke i parë aftësitë i tha: 'Mos shiko gunën, por punën'. Por pikërisht guna është burimi i sa e sa vështrimeve të shtrembëra dhe me pasoja për to.
Monda punon në shtëpi, e kënaqur që nga shitjet e pikturave nxjerr më shumë se sa po të punonte tek të tjerët, që në fakt nuk duan ta punësojnë. Por ajo kujton një shprehje të Konfucit: "Mos u shqetëso pse të tjerët nuk të njohin ty, por me dinjitet puno për njohjen". Në të ardhmen, kur fëmijët të rriten, edhe ajo dëshiron t'i rrisë dhe shpërfaqë ambicjet e saj profesionale. Dhe ka qenë një studente me dhjeta në Akademinë e Arteve. Por edhe Majlinda me Mondën zgjidhjen e kanë gjetur tek pikturimi në shtëpi apo hapja e studios së qeramikës. Kërkimi derë më derë rezultoi zhgënjyes dhe shkurajues psikologjikisht, por edhe ekonomikisht.


Dashuria e besimtareve myslimane

Brenda mureve, jemi si ato vajzat që shihni rrugëve

Zakonisht ose i prezantojnë, ose i njohin ata vetë në xhami. Dhe ato nuk dëshirojnë më shumë se sa kaq. Janë besimtare të devotshme dhe si të tilla mund të kuptohen vetëm me të ngjashmit e tyre, djem besimtarë.
Dhe pas puqjes së parë të garantuar nis faza e njohjes. Takimet nuk janë të shpeshta, zakonisht një herë në javë dhe janë ose dalje për kafe, ose shëtitje, të shoqëruara me biseda. Rituale që mund të zgjasin edhe muaj pa shtuar asgjë më shumë sesa kaq. Nuk munden dhe nuk iu lejohen absolutisht marrëdhënie seksuale. E jo vetëm kjo, por as edhe puthje apo prekje duarsh mes të dashuruarve. E megjithtë ato njëzëri nuk shfaqin as ankesën më të vogël. "Ne kryejmë njohjen më të rëndësishme. Nëse kuptohesh dhe lidhesh në shpirt të tjerat rregullohen, zgjidhen me mirëkuptim", thotë Ornela. "Kur e ke hequr nga mendja se as nuk do ta puthësh dhe as do bësh dashuri me të, përqendrohesh tek njohja shpirtërore, që është realja, e vërteta. Intimiteti fizik, ndjenjat e theksuara i ngatërrojnë mendimet. Ne kënaqësitë e tjera i provojmë të gjitha pas martesës. Mua më duket frikë për gjithë ata vajza që lidhen shpirtërisht dhe me trup dhe pastaj them: a do t'i marrin ata djem apo jo",- shton Monda. Por a ndihen të zhgënjyera më pas nga ajo që provojnë? "Unë vetë ndihem shumë e lumtur. Më qeshin sytë dhe po pashë tim shoq më bëhet vendi dritë.", tregon Ornela, e cila ka dëshirë të flasë sa më shumë për dashurinë e saj. Dhe pas martese tregojnë se kryejnë të gjitha detyrat e tyre si gra, të këshilluara nga Kurani. 'Duhet t'i kënaqim burrat tanë në mënyrën më të mirë të mundshme. Të zbukurohemi për ta, së pari t'u kënaqim syrin. Të veshim pikërisht në shtëpi rroba edhe më të bukura se sa kur dalim",- thotë Monda. Ajo vëren se ka femra që jashtë bëhen më të bukura se sa në shtëpi, ndërsa besimtaret myslimane bëjnë të kundërtën. Përqendrohen sidomos tek burri që dashurojnë. Në shtëpi ato shndërrohen sakaq në vajza si gjithë të tjerat përtej mureve të gurta..Vishen njësoj moderne, bëjnë shumë tualet, vënë bizhuteri dhe marrin vështrime dhe përgëzime të plota vetëm nga bashkëshortët. Çdo gjë e mbuluar për të tjerët, aty shpërfaqet dhe i përket vetëm burrave të tyre. Fjala e Zotit pohojnë se iu ndikon në shumë gjëra, edhe tek kujdesi i tyre për higjienën vetjake. Dhe në këtë imazh të dyzuar, ato së brendshmi ndihen unike. Por edhe nëse burrave të tyre ndodh që iu pëlqen një femër tjetër në rrugë, në vesh dëgjojnë profetin që iu thotë: "kthehuni te gruaja juaj, se aty unë do t'ju fal më shumë kënaqësi."
"E mirë art, por ne po bëjmë dhe fëmijë me tepri.", bën shaka Monda. Janë të treja nëna me nga dy fëmijë, edhe pse nuk i kanë mbushur ende të 30-at. Të treja janë martuar me besimtarë myslimanë. Por pohojnë se nuk ishin bashkëshortët ata që i frymëzuan në rrugën e Allahut. Lidhjet me Zotin ato tregojnë se i kishin ngjizur përpara se ata të hynin në jetët e tyre. 'Gjërat që dua i zgjedh me vështirësi, por luftoj për to dhe nuk i braktis kurrë. Qoftë për familjen që kam apo dhe besimin tim dhe mbulesën', i vë kapakun Majlinda.


Zbuluesi ushtarak: Si ndihmova bandën e Xhevdet Mustafës

Auron Tare

Vincent Fogarti, një shtetas neo-zelandez, është një person mjaft i vështirë për t'u kontaktuar. Pjesëtar në operacione klandestine të Zbulimit Ushtarak të vendit të tij dhe bashkëpunëtor i disa shërbimeve perëndimore, z. Fogarti nuk ka një adresë të saktë. Është i rezervuar në komunikim tonë disamujor dhe kërkon kohë për të mbledhur foto e dokumente, por edhe ndoshta për të sistemuar ngjarjet në kujtesën e mbushur me histori të tilla. Më në fund ka vendosur të flasë, të rrëfejë historinë e tij "shqiptare" për një nga ngjarjet e hershme të karrierës, e cila mesa duket, duhet t'i ketë lënë gjurmë të thella në kujtesë.
Vincent Fogarti, një specialist i Degës së Operacioneve Klandestine të Zbulimit Ushtarak, Dega C, në dimrin e vitit 1981 bëhet pjesë e një grupi shqiptarësh, të cilët 10 muaj më vonë do të tronditnin thellësisht kupolën e regjimit komunist. I tërhequr në këitë grup nga një miku i tij shqiptar i njohur në Zelandë si Aleks apo Aldo Bajrami, Vincent Fogarti bëhet pjesë e këtij grupi me bekimin e agjencive të Zbulimit perëndimor, të cilat me sa duket, i kanë vëzhguar përgatitjet e shqiptarëve që pretendonin të vrisnin liderin më jetëgjatë komunist, Enver Hoxha.
A ishte ky grup një përpjekje serioze e diasporës shqiptare për të eliminuar Enver Hoxhën dhe për të sjellë në pushtët një regjim tjetër pro-demokratik? Apo një lojë e Zbulimit shqiptar, i cili kërkonte t'u rikonfirmonte shqiptarëve rrezikun që u vinte nga jashtë? Ishte dimri i vitit 1981 dhe Tirana priste me ankth ngjarjet që zhvilloheshin në Byronë Politike. Kryeministri më jetëgjatë i Shqipërisë, papritmas ishte vënë nën shënjestër. Askush nuk mund ta parashikonte fatin e tij deri në ditën kur ai u gjet i vrarë apo i vetëvrarë. Ndërkohë, në Zelandën e largët dukej se këto ngjarje kishin turbulluar jetën e qetë të një grupi shumë të vogël shqiptarësh të arratisur 30 vjet më parë, të cilët papritmas kërkojnë të marrin hak ndaj Enver Hoxhës. A ishte kjo një hakmarrje tipike shqiptare për shokët e luftës, të vrarë pas shpine, apo një intrigë shumë e komplikuar ballkanike, e cila po përdorej për të hapur rrugët e pushtetit ndaj atyre që prisnin rrëzimin e Shehut dhe pasuesve të tij në Policinë Sekrete?
INTERVISTA
Zoti Fogarti, duke ju uruar mirëseardhjen në Shqipëri, ju falenderoj për mundësinë për të folur për një nga ngjarjet më të mistershme të viteve 1980 dhe angazhimin tuaj në këtë histori. Gjithsesi do të doja ta nisja intervistën tonë me pyetjen: Kush është z. Vincent Fogarti?
Unë kam lindur në Zelandën e Re. Kam kaluar një fëmijëri normale. U rrita në një fermë të madhe dhe shkova në qytet kur isha vetëm 16 vjeç. Në qytet kishim më shumë mundësi dhe babi kishte një kompani të prodhimit të plastikës. Kështu që qysh i vogël isha mësuar pranë makinerive. Kur mbarova shkollën, babai u kujdes që unë të filloja një trajnim si specialist instrumentesh me precizion të lartë, si stampa apo vula. Kështu që në moshën 15 vjeç kisha një kontratë për specializim në këtë fushë.
Për çdo mëngjes merrja autobusin për të shkuar në punë. Tek stacioni i autobusit ishte një repart, ku rregulloheshin makina shumë të shtrenjta si "Jaguar", "Lamborgini", "Porshe" etj. Këtu takova Aldo Bajramin, me të cilin me lidhi më tej pasioni për makinat. Kjo ishte në 1976ën, në '77-ën unë kisha miqësi të tillë me Aldon, saqë pija kafe me të dhe takoja miq të tij shqiptarë. Në mars 1980 unë hyra në ushtri vullnetarisht dhe aty stërvitesha shumë duke vrapuar dhe ushtruar aktivitete të ndryshme për trupin. Isha shumë aktiv gjithashtu në gjuajtjet me pushkë. Kisha qëlluar me pushkë që i vogël në shkollë, kur isha gati 12 vjeç. Stërvitesha me pushkë në ekipin e shkollës dhe isha shumë aktiv dhe kompetitiv. Aty ku unë u dallova ishin ushtrimet e inteligjencës, të cilat përcaktonin se si ti mendoje. Ndëirsa në gjuajtjet me pushkë isha nga më të mirët. Në gjuajtjet snajper mundja këdo. Ushtria më kërkoi që unë të bëhesha specialist i armëve. Problemi ishte që unë vazhdoja të isha nën kontratë në firmën ku punoja më përpara. Kështu që më regjistruan në forcat territoriale, por jo me kohë të plotë dhe më thanë që të punoja me armët. Nuk pranova dhe atëherë ushtria më ofroi vendin e vetëm që ishte vakant, në Divizionin e Inteligjencës Ushtarake. Zbulimi ushtarak në Kompaninë C, ishte i vendosur në zyrat e një godine të madhe në qendër të qytetit të Aukland.
Pra, ju u pranuat në Zbulimin Ushtarak?
Po, në Zbulimin Ushtarak, i cili ishte përgjegjës për sigurinë kombëtare. Unë e pranova këtë dhe iu thashë eprorëve të mi se po më pëlqente shumë kjo ofertë. Aleksi ishte i lumtur të më shikonte përsëri dhe të dëgjonte që kisha dalë shumë mirë në testet ushtarake. Ishte shumë i lumtur që unë do të punoja për Drejtorinë e Inteligjencës Ushtarake. Kështu, në njëfarë mënyre u ktheva në rutinën time. Shkoja në punë dhe pas pune ndihmoja Aleksin në punishten e tij dhe çdo gjë ishte shumë normale.
Tashmë ju ishit pjesë e Zbulimit Ushtarak? Ishte Aleksi i kënaqur për këtë?
Po, po, shumë.
A mendoni se ndoshta ai po përpiqej t'ju rekrutonte? Të kishte dikë në radhët e Zbulimit Ushtarak?
Në atë kohë unë isha i ri. Tani, nëse shikoj mbrapa, them se po.
Aq më tepër tani që dini më shumë për të...
Absolutisht po.
Gjatë kohës që ju filluat të shërbenit në Zbulimin Ushtarak, po zhvillohej edhe Lufta e ishujve Folkland midis Anglisë dhe Argjentinës. Ndoshta Aleksi kërkonte të dinte më shumë?
Në atë kohë e ndiqnim luftën në Folkland nëpërmjet televizorit. Më kujtohet që Zelanda e asaj kohe kishte vetëm dy kanale. Unë vija të hënën për shembull, dhe i thosha: Aleks, britanikët mbytën Bellgranon. Ai më pyeste: "Me të vërtetë"? - Po, - i thosha, - një nëndetëse nukleare mbyti Bellgranon, sapo na erdhi lajmi. Dhe në darkë ai e dëgjonte këtë në lajme. Kështu që Aleksi e dinte që unë kisha informacione. Po kështu, kur SAS apo Njësia Speciale ose njësia elitare parashutiste 42 ndërmerrnin veprime kundër forcave argjentinase, unë kisha informacione mbi këto operacione. Ky informacion na vinte në teletajp zakonisht i koduar në linjat e inteligjencës. Ai kishte një ide të qartë se çfarë bëja unë.
Pra, ai kishte një ide të qartë se ju ishit i përfshirë në zbulimin ushtarak?
Po sigurisht, dhe që unë kisha informacion. Megjithatë, shumë gjëra unë nuk ia thoja. Duhet të kisha kujdes,por nëse e dija që lajmi do botohej në gazeta, kisha dëshirë që t'ia thosha më përpara. Ai më thoshte, "hej, e pashë në TV atë që më the. Ishte e saktë ajo që më the.
Çfarë ndodhi? Ju më thatë që ai njeri papritmas ndryshoi. Kur e ndjetë ju që ai ndryshoi?
Unë mora me qira një ambient ngjitur me ofiçinën e Aleksit dhe kështu filluam të punonim së bashku. Kjo ndodhi në 1981. Çdo ditë e shikonim njëri-tjetrin. Shpeshherë pinim edhe kafe. Miqtë e tij shqiptarë vinin shpesh e bisedonin në shqip me njëri-tjetrin dhe bisedonin edhe me mua. Diku rreth muajit nëntor të 1981-it isha në dyqanin e Aleksit, kur pashë që Fred Kaceli, Bon dhe Aleksi ishin në kuzhinë. Unë në pjesën e punishtes duke folur me punëtorin e Aleksit, një djalosh me emrin Alfonso. Munda të dëgjoj bërtitje dhe zërat e lartë, të cilat dëgjoheshin deri jashtë. Pashë që ata përplasnin grushtin në tavolinë dhe hynin e dilnin nga kuzhina.
Pra ishte nëntori i 1981-it?
Po, e saktë, nëntori i 1981-it. Këtu unë pashë një ndryshim tek Aleksi. Dukej sikur ishte shumë i preokupuar, sikur mendonte gjithë ditën shumë serioz. Në nëntor, gati çdo dy-tri ditë ata vinin dhe flisnin me njëri-tjetrin.
Mund të thoni që kishte debat mes tyre?
Do të doja shumë të kuptoja shqip, që të merrja vesh se çfarë bisedonin. Por, fatkeqësisht, nuk dija shqip. Më dukej sikur i bënin leksion njëri-tjetrit. Aleksi foli për gati 10 minuta. Pastaj fliste Fredi. Pastaj Boni. E dëgjonin njëri-tjetrin sikur i shpjegonin po njëri-tjetrit diçka. Nuk e ndërprisnin njëri- tjetrin. Unë nuk doja të përzihesha, pasi mendova se diçka e rëndësishme po ndodhte. Në dhjetor të atij viti kishim marrë bileta nga një miku ynë për garën e "Grand Prix", gara e Zelandës. E mbaj mend mirë, pasi gara e "Grand Prix" mbahet midis Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri.
Jeni i sigurt për këtë?
Po, midis Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri. Dhjetor 1981.
Unë shkova në gara me Aleksin, pasi një miku ynë garonte. Ishte një ditë e shkëlqyer. Pas garës Aleksi më thotë: Vincent, a e ke pasaportën në rregull? E ke të vlefshme?" I thashë: Po, sigurisht, po pse? - Mund të shkojmë diku, më tha. Më duhet ndihma jote. Në atë moment mendova kush isha unë që të mos ia jepja ndihmën time? I thashë: Më thuaj çfarë të duhet? Më tha, se "më duhet ekspertiza jote" dhe vazhduam të ecnim. "Po, - i thashë, asnjë problem". Më tha më duhet që "ti të fillosh sa më shpejt të blesh materiale. Nëse të duhen para, më thuaj". Kështu që unë bleva tuba alumini dhe materiale të tjera që përdoren për silenciatorë. Me këtë u mora gjithë janarin. Çdo gjë që më duhej, Aleksi e blinte. Kështu që fillova punën duke bërë silenciatorët, por nuk po bëja dot kanalet te tubat, pasi Aleksi nuk më tregonte se çfarë kalibri do të kishin armët: 22 mm, 9mm, 45 mm.
A mendonit se kishte diçka që nuk shkonte teksa Aleksi të kërkonte të bëje silenciatorë për të?
Shikoni, sigurisht që doja ta pyesja, por duhet të më kuptoni edhe mua. Unë e di kur të flas dhe kur jo. Unë di kur ti fillon të flasësh më shumë se ç'duhet.
Por ju kishit dyshime, apo jo?
Sigurisht që po. Seriozitetin e madh që po ndodhte e lidhja me situatën e nëntor-dhjetorit dhe tashmë ishim në janar. Ndërkohë Dino Haznedari vjen nga Italia. Unë e kisha takuar dhe ai ishte një njeri me sjellje dhe veshje të përkryer. Për herë të parë që shihja kostume Armani, ishin të Dinos. Byzylykë dhe unaza të shtrenjta, Dino thonjtë i kishte të përsosur dhe dukej që bënte manikyre. Ishte perfekt. Ky njeri dukej sikur nuk kishte bërë asnjë punë të rëndomte në jetën e tij. Aleksi ma prezantoi dhe më shpjegoi se ai ishte tregtar dhe përfaqësonte shumë kompani italiane si "Tartarini", që shiste pajisje që konvertonte gazin, pajisje ushqimore për furra, pajisje rafinerie etj. Ai shkonte shpesh në Lindjen e Mesme, Arabi Saudite, Bahiren, Kuvajt dhe shiste pajisje. Unë u gëzova që e takova këtë person dhe Aleksi më tha që ky njeri mund të të ndihmojë në biznes. Diku në mars apo prill nuk më kujtohet saktë, Aleksi më prezantoi dikë që quhej Xhevdet. Unë nuk e kuptova mirë emrin, por ai më zgjati dorën dhe më tha më thërrit Billi. Ndoshta menduan që unë nuk e shqiptoja mirë emrin Xhevdet. Më vonë e mora vesh që ai ishte Xhevdet Mustafa. Ai qëndroi në shtëpinë e Aleksit dhe vinte çdo ditë tek ofiçina. Një ditë më erdhën dhe më kërkoi, pasi Aleksi e dinte që unë kisha lidhje me një kompani diamantesh, që miku im Billi do të shesë disa gurë. Bëra disa telefonata dhe pyeta nëse një miku im mund të vinte të shiste disa gurë diamantesh. Me makinën e Aleksit shkuan në qytet dhe takuam personin e kontaktit tim dhe i treguam diamantet. Personi pasi i mori gurët dhe i pa mirë, më tha që këta gurë duhet të jenë marrë nga diku pasi kanë akoma papastërti. I thashë që nuk janë të mitë dhe ai i organizoi ata sipas ngjyrës etj. I tha çmimin në dollarë zelandez Xhevdetit, por ai donte vetëm dollarë amerikanë. Gurët kushtonin shumë, diku tek 40 mijë dollarë amerikanë. Në 1981 këto ishin shumë para. Një grua që punonte për kompaninë i solli paratë nga banka, pasi Xhevdeti donte vetëm kesh dhe nuk pranoi as çekun që i ofruan. Pas kësaj, ai iku nga Zelanda, por më kujtohet që më dha kartëvizitën e tij, ku thoshte May Import-Eksport në Staten Island në Nju Jork.
Para se Mustafa të vinte në Zelandë, Aleksi kishte shkuar në Nju Jork. Se përse nuk e di, por ai iku papritur. Një të diel në mëngjes më mori nga Nju Jorku dhe më tha: "Vincent, unë do kthehem shpejt këtë javë". Unë nuk e dija që kishte ikur. Më tha që do ta shpjegoj sa të vij. Ai udhëtimi që të kam thënë do ndodhë. Vazhdo punën.
Ndërkohë a kishit ju dyshime për çfarë po ndodhte?
Sigurisht që në këtë kohë unë mendova se diçka e rëndësishme po planifikohej. Aleksi erdhi nga Nju Jorku dhe menjëherë u shfaq në dyqanin tim të vogël dhe pasi mbylli derën më tha: "Bëhu gati, do shkojmë në Itali. Do të vish me ne dhe ne do të të paguajmë për ndihmën tënde.
Kur ai të thoshte ne, kush ishin këta NE?
Unë nuk e pyesja kush ishte NE, unë vetëm dëgjoja. Më pyeti, "a je në rregull me këtë gjë?" Në rregull, - i thashë.
Ju ofruan para dhe nëse po, sa do t'ju paguanin për të marrë pjesë në këtë operacion?
100 mijë USD. Sigurisht që u influencova nga kjo. 100 mijë USD në atë kohë ishin shumë. Nuk e dija se si do ta shpjegoja këtë, por gjithsesi isha i kënaqur. Përsëri në atë kohë e pyeta për kalibrat e armëve, por më tha që do t'i bënim në Itali. Më tha që të sjell çdo gjë që më duhej. Unë nuk e dija që ata ishin përpjekur të blinin armë në atë kohë, po kështu nuk e dija, që nuk i gjenin dot armët.
Kur ishte momenti që e raportuat këtë operacion tek eproret tuaj të zbulimit?
Pas kësaj kërkese. Kur e pyeta se përse duheshin armët, më tha që duhet të eliminojmë dikë. Duhet të vrasim dikë. I thashë në rregull dhe nuk doja të shfaqja dyshime. E kuptova që ishte çështje shumë serioze, pasi ky njeri që unë kisha punuar për disa vjet dhe e njihja mirë, tani më kërkonte të vrisnim dikë. Më shpjegoi diçka që personi që do vrisnim kishte bërë disa gjëra shumë të këqija. I kishte vrarë disa njerëz të familjes, i kishte torturuar apo futur edhe në burg. Mendova që kishte arsye pse donte ta vriste. Sigurisht e besova pasi nëse dikush vriste dike nga familja ime, unë do bëja të njëjtën gjë, megjithëse nuk vij nga kultura shqiptare. Mbaj mend që me tha: "Vincent, tashmë jam 56 vjeç, nuk jam më i ri dhe dua të më ndihmosh me disa gjëra, p.sh të blesh disa radio ushtarake etj. Po i thashë, i njoh mirë këto gjëra. Në këtë kohë unë shkova në zyrën e Zbulimit Ushtarak dhe i kërkova shefit tim të më vinin në lidhje me Shërbimin Sekret SIS. Për ta kuptuar, SIS është Shërbimi Sekret, i cili merret me sigurinë e Zelandës ashtu si MI6 britanike apo CIA, KGB-ja apo Mosadi izraelit. Janë i njëjti nivel. Pas një telefonate, ata më dërguan një oficer të ri, i cili erdhi dhe më takoi. Jo ai që prisja unë, por në këto punë çfarë mund të presësh? Me këtë oficer takoheshim gjithmonë në një motel, por asnjëherë në zyrë. Me merrnin në makine dhe shkonim në takim. Aleksi nuk kishte asnjë dijeni për këto takime. I shpjegova oficerit të SIS-it që një grup shqiptarësh më kërkojnë që t'i trajnoj dhe t'ju përgatis armatime për të vrarë dikë. Ku, - më pyeti, - në Zelandë? Jo, i thashë, - në Itali. Por nuk jam i sigurt që është Italia ose një vend tjetër. Më pyeti sa vetë janë dhe ju thashë që janë tre vetë nga Zelanda dhe një nga Italia dhe një nga Amerika. Më tha që do fliste me shefat e tij. Pas një jave erdhi dhe më mori për drekë dhe shkuam në motel. Në dhomë ishte shefi im Kreg nga SIS, një oficer britanik i MI6, i cili vinte nga ambasada britanike dhe një oficer i CIA-s, i ambasadës amerikane në Auklend. Unë munda të kuptoj disa gjëra, aty flitej vetëm me emra, pa mbiemra. Kreg ishte me xhinse dhe këmishë, oficeri britanik me kostum, ndërsa amerikani me pantallona dhe xhaketë normale.
Më kërkuan t'u thosha atë që dija. Qëndruam për një kohë të gjatë duke folur. Oficeri britanik kishte disa pyetja pasi Aleksi më kishte kërkuar që të merrja një vizë jugosllave dhe britanike. Më duket se atëherë një vizë jugosllave kushtonte 28 dollarë dhe ai pagoi me çek. Viza jugosllave më erdhi me poste ndërsa vizën britanike e mora në Auklan. Oficeri britanik më pyeti se ku do shkonim? Ju thashë në Itali, do fluturojmë në Romë po nuk e di çfarë do bëjmë më shumë, por e di që do vrasim një person. Kush do ta vrasë, - më thanë? Ti? - Ju, thashë që nuk e di nëse ata duan që unë të qëlloj, por jam i sigurt që këta persona nuk dinë të gjuajnë me armë. Janë lopçarë, nuk dinë të gjuajnë me armë. E dija që kishin aftësi të kufizuara për të gjuajtur. Për shembull, Aleksi nuk kishte qëlluar që kur kishte qenë partizan në lufte. As Dino dhe as Kaceli nuk dinin të qëllonin me armë. Edhe Mustafa nuk më dukej me eksperiencë. Unë e kuptoj mirë se kush ka eksperiencë nga mënyra se si e mban armën dhe si e përdor atë. Unë e kuptoj nëse ke mbajtur armë apo jo duke pare sa i sigurt ishte me armën. Shefi im i pyeti të tjerët se çfarë mendonin. Oficeri i CIA-s me tha: Shumë mirë, bëje, do të jetë një shmangie vëmendjeje nga ajo që po përgatisim. Se pse më mbeti në mendje kjo frazë...?!
Marrë nga "Exclusive", Top Channel
(vijon)

Monday, November 15, 2010

LEKA ZOGU - Femijeria burrerore e monarkut shqiptar


Lindja e tij, nuk ishte gezim vetem per familjen mbreterore, por ne ate kohe, ngjarje e shenuar edhe per kombin. Me 5 prill 1939, shqiptaret uruan dhe festuan, ardhjen ne jete te princit trashegimtar... Thene ndryshe, Mbretin e ardhshem. Mirepo, ashtu ishte e shkruar! Te largohej nga Atdheu pa e pare ende me sy, e jo me ta mbreteronte. Gjithsesi, nje gje eshte e vertete. Ai femije, kudo qe jetoi, u rrit dhe u ushqye, vetem me shqiptarizem. Ai femije pati nje femijeri burrerore! I duhej qe te ishte me i malluari, me i duruari, me i mencuri, me i perkushtuari dhe me i privuari se gjithe femijet e botes. Mesoi se ishte shqiptar dhe nuk kishte pare asnjehere Shqiperine, duke iu ndezur cdo dite malli, krenaria dhe kersheria per Atdheun. Nderkohe, iu desh te mesonte qysh i vogel, disa gjuhe. Ngrohtesine dhe dashurine e nenes i ndjeu nepermjet gjermanishtes. Perkedhelite dhe keshillat e te atit i shkuan ne theksin e gegerishtes qe e deshmon aq qarte edhe ne te foluren e sotme. Ne shkolle dhe mjedisin jashte familjes, duhej te komunikonte ne anglisht. Me pas, diktuar edhe nga rrethanat dhe kushtet e krijuara do te pervetesonte te tjera gjuhe, hungarishten, frengjishten, italishten, arabishten dhe portugalishten. Ndryshe nga femijet e tjere te familjeve mbreterore, ai nuk beri rehat ne asnje shtet. Sepse motivet dhe pergjegjesite qe ndjente para kombit te vet, e detyroi ate familje fisnike te shkonte, atje ku gjente rehat... ceshtja shqiptare. Keshtu ne vitin 1946, "i hyjne detit me kembe", duke lene Angline per Egjiptin. Princi Leke, ne ate kohe ishte vetem shtate vjec. Kujton ate det te trazuar qe e turbulloi aq shume, por nuk harruan as ate ndodhi te bukur qe perjetoi ne ngushticen e Gjibraltarit. Lufta e Dyte Boterore kishte mbaruar, por jo pasojat e saj... Edhe ne kete udhetim te gjate detar, para kesaj ngushtice, vapori me te cilin udhetonin, ndali gati krejt shpejtesine. Nje skuader marinaresh te specializuar per asgjesimin e minave, filluan asgjesimin e tyre per te celur shtegun. Per syrin e nje femije qe perfiton nga mosha, keto skena ishin bukuri, ndersa per te rriturit ankth dhe shqetesim. Krejt papritur, ftohen ne kete "argetim" edhe oficeret qe shoqeronin familjen mbreterore. Nuk kishte rast me te mire per ate baba mbret qe te bente burre femijen e vet. I zgjat armen dhe e pozicionon te qelloje drejt nje mine qe perngjasonte me nje rose te zeze kur ajo pushke angleze, ishte me e gjate se vet ai femije. Qelloi, por mban mend se edhe nuk shenoi... Naten vone mberriten ne qytetin portual egjiptian, Port-Said. U mrekullua ne agimin e asaj dite nga ajo pamje fantastike qe iu shfaq para syve. Te gjitha ndertesat e atij qyteti ishin te pushtuara nga bardhesia. Por, nuk ishte ajo bukuri dhe pasterti, kur ecje neper lagjet e tij. Kalimthi e perjetoi kete ndjesi, sepse rezidenca e familjes ishte ne Kajro, ne nje hotel tre katesh, me i miri i kryeqytetit per ate kohe. Si per te kompensuar gjithe peripecite dhe veshtiresite qe ai femije kishte perjetuar deri me tani, ketu gjithcka ishte si ne perralle. Lulishtja e madhe dhe e hijeshuar me lule shumengjyreshe dhe mbi te gjitha piramidat qe i shikonte nga ballkoni, ia bene Egjiptin shume here me te bukur se Anglia. Por, edhe pse komoditeti ishte mbreteror, detyrimet dhe kerkesat e te ardhmes, e ftonin per t'u aftesuar dhe burreruar sa me shpejt. Regjistrohet ne nje shkolle qe shquhej per nivelin e larte pedagogjik. E frekuentonin ate femijet e familjeve me te njohura te shteteve te Mesdheut. Aty nis miqesia qe do te vazhdonte gjate gjithe jetes, me mbretin e Bullgarise dhe princin e Jordanise, i cili me vone do te behej mbret. Ne gjuhen angleze behej mesimi, por iu krijua mundesia qe te mesonte edhe latinishten apo arabishten. Zgjedhjen e beri nena Gerdaldine, qe i percaktoi te paren, duke ia lene arabishten vetem gjuhe veshi, pra, per ta kuptuar dhe jo shkruar. Mban mend se nga shtepia per ne shkolle, ikte vazhdimisht me biciklete. Vecse perhere ka qene i shoqeruar nga punonjesit e gardes se familjes mbreterore. I gjithe ky efektiv perbehej nga shqiptare dhe kryesisht matjane. Fjala vjen, princi Leke, ka qene vazhdimisht nen kujdesin e Qazim Prenit. I perhumbur ne kujtimet e femijerise, ndalet per nje cast dhe pasi leshon nje buzeqeshje te lehte, fillon te tregoje ndodhine me mesuesin e matematikes. Diten e premte, mesuesi u kishte dhene detyre shtepie nxenesve, per te zgjidhur ne pushimin e fundjaves disa ushtrime. Edhe pse ne dispozicion kishte te shtunen dhe te dielen, Leka iken te henen i papergatitur. Kur mesuesi i afrohet dhe i kerkon fletoren e detyrave, ai cohet me kembe dhe i kerkon falje, pasi nuk i kishte zgjidhur ushtrimet. Por, kjo pendesa e nxenesit u keqperdor. I thote qe te zgjati para te dy duart dhe fillon ta qelloje me shkop... Vetem te majten se nuk arriti dot te dora e djathte! Nxenesi shqiptar, shtate vjecari Leka Zogu, qe ne fakt ishte me i gjate se mesuesi, rremben fshiresen e derrases se zeze, si per t'i zbutur goditjen, hap krahun dhe e rrezon ne dysheme. Mesuesin e cojne direkt e ne spital, ndersa nxenesi qete-qete, del nga klasa. Para shkolles, e priste Qazimi, shoqeruesi i tij, i cili cuditet per kete dalje te parakohshme nga mesimi. Rruges per ne shtepi, i tregon atij me inat ende te pa shuar, per gjithcka kishte ndodhur. Pak i ndrojtur, por jo i frikesuar hyn i pari ne sallonin e shtepise, duke cuditur te atin, te emen dhe hallat e tij, qe ne ate cast ishin te gjithe bashke. Para se ata t'i sqaronte shoqeruesi, nis dhe tregon per cfare kishte ngjare... - S'ka problem!-degjoi reagimin e menjehershem te te atit. Me pas, Ahmeti vazhdon qete dhe me serioz: - Familja jone nuk pranon as shpulle dhe as shkop! Heshtja mbeshtetese dhe komplimentuese pushtoi gjithe sallonin. Sepse ai femije, nuk ishte femije, por trashegimtari i nje mbreti shqiptar. Jane te njohura tashme, vetite dhe virtytet e Ahmet Zogut. Dy prej tyre, trimeria dhe krenaria! Gjate kohes qe jetuan ne Kajro, shume mbreselenese per Leken ka qene edhe vizita qe beri ne nje teqe shqiptare. Kujton ate pritje shume te ngrohte qe i bene babai i tij dhe dy dervishet. Por edhe emocionuese ishte dhurata e cmuar. Nje patllake e vendosur ne kutine e vet te zbukuruar hijshem. Kthehet ne shtepi dhe gjeja e pare qe i tregon te atit, ishte ajo dhurate. - Kjo eshte per ketu!,- iu drejtua Ahmeti, duke e vendos ate kuti, ne njerin prej etazhereve te sallonit. Por, ka ardhur koha qe edhe t'i te mbash arme! Dhe ne cast, i zgjat nje revolver anglez te kalibrit 45. Mund te tingelloje pak si i cuditshem ky xhest, por ne mendjen dhe largpamesine e Ahmet Zogut, qendron persosmerisht gjithcka. Nuk e dime, nese ishte thjesht nje peshqesh apo amanet per te birin e vet, por eshte e vertete se Leka Zogu, asnjehere nuk e hoqi nga brezi armen, ne kete jete. E ku do te kishte me shume hijeshi ai simbol burrerie dhe trimerie, se te ai shtatlarte i rritur me shqiptarizem. Shtate vjec i vendosi te birit armen ne brez dhe kur mbushi dhjete vjec, e beri pjesetar te detyrueshem ne te gjitha mbledhjet e takimet e punes. -Degjo dhe mos fol!- i tha diten e pare. Keshtu, veproi ne dhjetra takime qe Ahmet Zogu pati me mbreterit e disa shteteve dhe personalitete te tjere te rendesishem, ku u shqua per largpamesine e gjeopolitikes se tij. Keshtu, deri me 9 prill 1961, kur pas vdekjes se mbretit Ahmet Zogu, beri betimin si Mbret i Shqiptareve. Atehere ishte 22 vjec. Shume i ri, por shume i denje dhe i afte per te siguruar vazhdimesine, sepse si rralle kush, ne femijeri kishte fituar pjekurine dhe burrerine... Leka Zogu - 5 prill 1939. Lindi ne Tirane dhe kaloi femijerine ne Britanine e Madhe deri ne moshen 7 vjec. - 1946-1955. Jetoi ne Egjipt, ku filloi studimet ne shkollen angleze "Victore College", ne qytetin e Aleksandrise. - 1956. Pas ardhjes ne France, regjistrohet ne kolegjin Eglon, ne Vilar mbi Olon dhe merr diplomen "Matriculation of Oxford" ne Zvicer. - 1958. Perfundon studimet e larta ne Londer, ne Akademine Ushtarake Mbreterore ne Sandherst te Mbreterise se Bashkuar. - Pas kthimit nga Britania e Madhe fillon studimet per Shkencat Politike dhe Ekonomike ne Universitetin e Sorbones ne France, ku ndoqi edhe kursin e gjuheve orientale. - 9 prill 1961. Pas vdekjes se Mbretit Ahmet Zogu, ben betimin si Mbret i Shqiptareve ne moshen 22 vjec. - Zoteron shume gjuhe te huaja, si anglisht, frengjisht, spanjisht, gjermanisht, italisht, arabisht, si dhe gjuhet hungareze e portugeze. - Eshte marre me biznesin e konstruksioneve te porteve detare dhe import eksportin e lendeve te para, duke kryer veprimtarine e tij njekohesisht ne Spanje e ne Britanine e Madhe me shtrirjen e aktivitetit qe nga SHBA e Kanadaja, ne Lindjen e Mesme dhe deri ne Japoni e Australi. - 1972. Behet nismetar i Kuvendit te Madridit per te bashkuar te gjitha forcat politike te emigracionit shqiptar sipas motos te Mbretit Zog: "Atdheu mbi te gjitha!" - Gjate ketyre viteve Leka I, zhvilloi takime me shqiptaret kudo ne bote: ne Londer e Paris, ne New York e Toronto, ne Bruksel e Mynih, ne Ankara e Stamboll, ne Sidnej e Melburn, etj. Gjeografia e tyre perfshinte Europen, Azine, Afriken, Ameriken e Australine. - Me autorizimin e Pentagonit, ka vezhguar veprimet luftarake gjate Luftes se Vietnamit dhe, me pas, ato te Rodezise. - Nga viti 1979, jetoi bashke me Familjen Mbreterore Shqiptare ne Johannesburg, ne Afriken e Jugut. - 1990. Takohet me shqiptaret e pare qe u larguan nga vendi ne eksodin e madh me anije nga Porti i Durresit. 1993. Vjen per here te pare ne Tirane, por detyrohet te largohet te nesermen, pas nderhyrjes se autoriteteve te asaj kohe. - 11 prill 1997. Vjen ne Shqiperi, duke organizuar vizita, takime e bashkebisedime ne te gjitha rrethet e vendit. - Merr pjese ne Referendumin e organizuar per formen e regjimit me 29 qershor 1997 dhe me 11 korrik 1997, largohet nga Shqiperia. - Rikthehet per te jetuar ne Shqiperi me 28 qershor 2002. Kthimi i Familjes Mbreterore u krye me ftesen e 76 deputeteve te Kuvendit shqiptar. - Kuvendi i Shqiperise, me Ligjin Nr. 9063, date 8.5.2003, percaktoi detyrimet ligjore - ekzekutive "Per Statusin e trashegimtareve te Familjes Mbreterore". Pas lindjes, ne Atdhe vetem 47 ore... "Me 5 Prill 1939 ne oren 5 te mengjesit lindi Princi, Trashegimtari i Shqiperise. Sa u dha lajmi ne popull se lindi nje "Djale Trashegimtar i Shqiperise", te gjitha demonstratat anti-italiane qe vazhdonin gjithandej, menjehere u kthyen ne nje bucitje gezimi te papershkruar, duke shfaqur simpatine per Familjen Mbreterore e duke thirrur: "Rrofte Mbreti", "Rrofte Princi Trashegimtar", "Rrofte Mbreteresha e dashur e jona"... Ky lajm gazmor menjehere u hap ne te gjithe anet e Shqiperise. Keshtu filluan festimet, gjithandej. Populli i Kryeqytetit plot gezim, shkollat e vajzave e djemve, e populli mbare edhe ushtria qe ndodhej ne Kryeqytet, filluan pergatitjet per te parakaluar para Pallatit, te mbledhur e te renduar ne Bulevardet rreth Pallatit, duke kenduar kenge kombetare e duke terhequr valle nacionale. Ne oren 10 te mengjesit filluan te hidhen 101 topa dhe tamam ne kete kohe filluan parakalimet para Pallatit Mbreteror dhe brenda ne lulishte. Ishin te radhitur shkollat, populli i veshur me kostum kombetar e ushtria. Bandat luanin Himnin Mbreteror e te Flamurit. Mbreti Zog, bashke me Qeverine e Parlamentin, kishin dale ne lulishte e i falenderonin te gjithe parakaluesit. Nga te gjitha Prefekturat kishin nisur te vinin delegacionet e popullit ne Kryeqytet per te shfaqur urimet gazmore, qe Perendia i solli popullit bujar mbas 500 vjeteve trashegimtarin. Te gjithe ishin te veshur me kostume kombetare. Tamam ne kohen kur po kalonin shkollat e vajzave e te djemve para Mbretit te tyre, duke kenduar ne parakalim, vjen me shpejtesi ministri i Puneve te Jashtme shqiptare, Ekrem Libohova, me nje leter ne dore. Ai ia paraqiti Mbretit Zog. Ishte ultimatumi musolinian... 6 prill 1939. Njezeri, Mbledhja e Asamblese Kombetare vendosi qe sot Madheria e Saj Mbreteresha me Princin Trashegimtar te nisen prej Tirane per ne Korce... Zog I, Mbreti shqiptareve, hyri ne Mbledhjen e pergjithshme te Asamblese Kombetare ne oren 12 te nates, date 6 Prill 1939. Por, sa u ul, Kryetari i Parlamentit, Pandeli Evangjeli, ne emer te Asamblese Kombetare i parashtroi vendimin e marre keshtu: "Lartmadheri, Parlamenti dhe Qeveria se bashku, duke marre parasysh ngjarjet eventuale qe mund te na lindin, minute me minute, per interesin e Atdheut e te nderit te shqiptareve, mbare e per te qene te lire ne veprimet qe Atdheu lyp prej nesh "vendosi" qe Madheria e Saj Mbreteresha, bashke me Princin Trashegimtar qysh sot te dalin nga Tirana per ne Korce. Ai vend u caktua me i pershtatshem". Pasi Mbreti Zog, pranoi vendimin e Parlamentit per nisjen e Madherise se Saj Mbretereshes, bashke me Princin Trashegimtar, menjehere u moren masat e pergatitjes, si te mjeteve dhe te sigurimit, qe do te shoqeronin Mbretereshen. Po ashtu dhe per sigurimin, si per rrugen, ashtu edhe per vendet e qendrimit. Me Madherine e Saj Mbretereshen, do te ishin edhe Princeshat, meqe Mbreteresha ishte mjaft e lodhur e me shume temperature. Personeli mjekesor ishte i pajisur me te gjitha mjetet e nevojshme. Po ashtu, kishte edhe mjete te tjera ushqimore dhe ilacet e nevojshme. Ne oren 4.00 te mengjesit te gjithe ishin gati per t'u nisur. Profesori Veibel, preferoi ta vendosim ne nje automobil Mbretereshen, shtruar me nje masllake, e jo ne autoambulance, se rruga ishte e gjate dhe jo e mire. Nuk ishte e pershtatshme. Princi Trashegimtar me nje tjeter automobil Mercedes, i percjelle prej Princesesh Adile, Doktor Mouhin Shahinit, kapiten Zenel Shehut, dy infermiere dhe Qazim Prenit. Po ashtu dhe te gjitha plackat e nevojshme te Princit me nje automobil mbrapa. Princeshat Mbreterore ndjekin Mbretereshen me dy automobila te tjere dhe baronesha me Stavro Stavrin me nje automobil tjeter. Po ashtu, ndjekin Mbretereshen edhe dy kamione me placka. Tre kamione me ushtare me toger Hilmi Kullen, prinin kolonen perpara, po gjithnje ne lidhje me qendren e kolones per sigurimin e Madherise se Saj, Mbretereshes e te Princit Trashegimtar. Shtate kamione me ushtare me kapiten Halil Branicen, ndjekin kolonen mbrapa, dhe kane me vete nje stacion radio K3, per cdo eventualitet. Per t'u nderlidhur me Komanden e Gardes Mbreterore me nje parulle te vecante si edhe nje shifer po te Komandes se Gardes. Lartmadheria e saj, Mbreteresha bashke me Princin Trashegimtar ne oren 4.15 te mengjesit u nisen prej Tiranes per ne Korce me drejtim Krrabe, Elbasan, Librazhd, Qafe-Thane, Pogradec e Korce..." Agron Sejamini/ Bota Sot-Nga kronikat e kohes. Arkivi i Oborrit Mbreteror Shqiptar

Kongresi i CDU-së në Karlsruhe rizgjedh Merkelin në postin e kryetares së partisë


Pikërëndesat përmbajtësore e kongresit të CDU-së janë ndërprerja e kryerjes së shërbimit të detyruar ushtarak, diognistika preimplantative dhe politika fiskale।


Unioni Kristiandemokrat (CDU) rizgjodhi në postin e kryetares, kancelaren aktuale Angela Merkel. Në kongresin që i zhvillon punimet në Karlsruhe me pjesëmarrjen e 1000 delegatëve, 56 vjeçarja Merkel u rizgjodh me 90,4 për qind të votave. Merkel kryeson CDU-në qysh nga viti 2000. Në fjalën e saj drejtuar delegatëve kristiandemokratë, Merkel akuzoi opozitën për "mungesë të alternativave dhe përgjegjësisë politike". Objektiv i aleancës mes kristiandemokratëve dhe liberalëve duhet të jetë shmangia në Gjermani e nga një qeveri mes socialdemokratëve, ekologjistëve dhe partisë e majta, tha Merkel sot në Karlsruhe. Merkel tha se të gjithë së bashku duhet të bëjmë përpjekje për një Gjermani të fuqishme. Pikërisht në kohën e krizës financiare dhe ekonomike, Kristiandemokratët janë ata të cilët duhet t'u kthehen vlerave tradicionale.

Kancelarja Merkel theksoi rëndësinë e realizimit të premtimeve të dhëna para zgjedhjeve të fundit. "Për mua është me rëndësi që të realizojmë ato që kemi premtuar në fushatën parazgjedhore, me të cilat kemi fituar votat për këtë qeveri të partive të Unionit dhe liberalëve", theksoi Merkel.

Grindje? Çfarë grindjeje? Vërtet që krahu i ekonomisë mund të qahet se konservatorëve u mungon dhimbshëm profili, por për kryetaren e CDU-së, Angela Merkel, kjo është një shenjë e kulturës së gjallë demokratike. "Është diçka e natyrshme për një parti popullore, që të shtrohet herë pas herë pyetja: çfarë mbrojmë ne? Çfarë duam ne? Dhe unë jam edhe e gëzuar, që grupimet e veçanta në CDU, me një fjalë krahu i ekonomisë ose politikanët socialë, e marrin herë pas here fjalën."

Kongresi i Partisë Kristjandemokrate GjermaneBildunterschrift: Großansicht des Bildes mit der Bildunterschrift: Kongresi i Partisë Kristjandemokrate Gjermane

Tema me potencialin më të madh për grindje duket të jetë në Karlsruhe tema për mbrojtjen embrionale. Angela Merkeli dhe ministrja e Arsimit, Annette Schavan angazhohen për një ndalim të testeve të geneve të embrionet. Ministrja e Punës, von der Leyen dhe ministrja e Familjes, Kristina Schröder janë për një lejim të kufizuar.

Më pak diskutime ka përsa i përket reformës së Bundeswehrit. Një rekomandim të kryesisë së partisë, për ta ndërprerë detyrimin për shërbim të detyruar ushtarak, delegatët do ta ndjekin me çdo kusht, edhe nëse persona të veçantë, siç është shefi i CDU-së i Landit të Schleswig-Holsteinit, Christian von Boetticher, kanë sinjalizuar rezistencë. Sidoqoftë, në Karlsruhe është njoftuar për një vizitë të rrallë: ish-kancelari Helmut Kohl do të vizitojë sot pas vitesh një mbrëmje partiake.

Autor: Marcel Güsken/ Auron Dodi

Readktoi: Aida Cama

Saturday, November 13, 2010

"Vajzën gjermane e përdora si karrem për t'u arratisur"


Historia e arratisjes së Qemal Voglit, e treguar nga vetë ky i fundit, vazhdon me serinë e gjatë të pyetjeve dhe përgjigjeve në hetuesi. "Të uritur" për t'i nxjerrë nga goja ndoshta edhe gjëra të paqena, drejtuesit e atëhershëm të regjimit komunist ndryshojnë edhe hetuesin, duke caktuar më 24 tetor 1956 (dy ditë më vonë) kapitenin I, Gaqo Meçi (edhe ky hetues i Drejtorisë së Sigurimit të Shtetit në Ministrinë e Punëve të Brendshme), që ta rimerrte në pyetje Qemal Voglin. Meçi ka kërkuar më shumë detaje nga Qemali, duke u munduar që të rrokë edhe impresionet e atyre momenteve kur legjenda e portës shqiptare kishte pasur që nga njohja te liqeni me vajzën gjermane e deri tek aventurat sa në njërin kamp në tjetrin. Në pjesën e parë të serisë së gjatë të pyetjeve Vogli tregon me imtësi sesi pati përdorur gjermanen si justifikim, karrem, jo vetëm për t'u larguar nga vendi ku ishin edhe pjesa tjetër e ekipit por edhe për t'i treguar rrugën drejt Berlinit Perëndimor, ku ishte edhe synimi parësor i tij.
Pyetje: Që kur dhe si u lindi ideja për t'u arratisur jashtë shtetit?
Përgjigje: Ideja për t'u arratisur jashtë shtetit më lindi në Gjermani, ashtu siç e kam thënë në procesin e parë. Arsyeja që unë ika, ka qenë se nuk trajtohesha mirë nga shokët, zihesha me familjen sa ndava gruan, po ashtu dhe më ishte rritur mendja.
Pyetje: Si u larguat nga kampi ku pushonin shokët tuaj?
Përgjigje: Minutat e fundit kur u arratisa, ndodhesha në liqenin afër kampit, ku pushonim ne sportistët. Këtu unë bisedoja me një vajzë gjermane, që nuk e njihja. Po e pyesja se pse nuk lahesh (me shenja), ajo më thoshte për këmbën, se i dhembte (me shenja). Pesëdhjetë metra larg nesh ishin të gjithë shokët, vetëm Skënder Jareci, Refik Resnja e Gani Merja nuk ishin. Kur po rrija me këtë vajzën gjermane, vjen kapiten Gani Kodra. Në atë çast, i thashë atij: po ti ç'do këtu, do me fut hundët gjithkund? Këtë i thashë ashtu kot, sa për të rënë në sy të asaj femrës. Në këtë kohë u ngrita dhe u largova në drejtim të pazarit për t'u qethur. Shkova deri tek rrojtorja, por nuk hyra brenda dhe ika në drejtim të rrugës për në Berlin. Deri atje shkova me këmbë, duke u ndalur vende-vende dhe mbërrita në orën 21.00 në Berlinin Lindor. Atje mbërrita në orën 21.30. Kam qenë i veshur me bluzën e sportit, pa xhaketën dhe pantallonat gri.
Pyetje: Si mundët dhe gjetët rrugën që shkuat nga kampi në Berlinin Lindor e nga Berlini Lindor në atë Perëndimor?
Përgjigje: Prej kampit deri në Berlinin Lindor kam shkuar nëpërmjet një qyteti të vogël dhe një katundi me pak shtëpi. Në qytetin e vogël pyeta një që skaliste gurë për Berlinin dhe më tha se është 7 km larg. Në katund nuk pyeta njeri tjetër, po ika sipas rrugës së trenit, se kështu më tha me shenja ky gjermani. Nga Berlini Lindor në Berlinin Perëndimor kam shkuar duke ditur se afër stadiumit ishte kufiri. E gjeta stadiumin dhe aty u arratisa për në Berlinin Perëndimor.
Pyetje: Gjatë rrugës prej kampit në Berlin, a keni udhëtuar me ndonjë automjet?
Përgjigje: Gjatë rrugës prej kampit në Berlin, nuk kam udhëtuar me ndonjë automjet. E bëra rrugën në këmbë. Ndalova vetëm te qyteti i vogël me atë burrin që skaliste nja treçerek ore ose një orë dhe vetëm kaq.
Pyetje: Çfarë bisede tjetër keni bërë me vajzën gjermane te liqeni?
Përgjigje: Unë vajzën gjermane që ishte te liqeni e kam pyetur nga je, ajo më tha nga Berlini. Më tha që do rrinte pesëmbëdhjetë ditë aty në atë qytet ku ishim edhe ne. Këto m'i tregoi me shenja dhe unë gjithashtu.
Pyetje: Me gojë thatë më parë se "i thashë vajzës gjermane se nga bie Berlini, ajo më tregoi". Na tregoni, cilës vajzë gjermane?
Përgjigje: Të thashë kështu, që i thashë asaj vajzës se nga bie Berlini dhe ajo më tregoi, po unë këtë gjë nuk ia pata thënë asnjërës nga vajzat gjermane. Këtë e thashë kot, u ngatërrova.
Pyetje: Kur u nise për t'u arratisur, pse i propozuat Gani Merjes të vinte për t'u qethur? Nuk ishte pengesë për ju ky?
Përgjigje: Unë në atë moment nuk kisha qëllim për t'u arratisur. Po të vinte Ganiu me mua do të shkoja në rrojtore për t'u qethur dhe nuk do të arratisesha. Kur isha vetëm në pazar, si kalova rrojtoren, vendosa që të arratisem.
Pyetje: Kur vendose për t'u arratisur, pasi vajte në pazar? Pse e gënjeve Resnjën dhe Jarecin që u the se ma bëri me sy kjo vajza dhe po i shkoj pas?
Përgjigje: Unë pasi takova Ganinë dhe nuk erdhi në pazar, m'u prish mendja e vendosa që të iki, të arratisem dhe për këtë arsye unë e gënjeva Refikun dhe Skënderin kur i takova afër pazarit, që u thashë se ma luajti syrin kjo vajza dhe po i shkoj pas.
Pyetje: Na tregoni konkretisht, në ç'orë mbërritët në Berlin, si kaluat kufirin dhe ku shkuat mbasandaj?
Përgjigje: Në Berlin kam mbërritur nga ora 9.00. Kufirin e kam kaluar në orën 9.30 më duket, e kam kaluar te stadiumi ku kemi luajtur ne që e ka emrin "Valter Ulbriht". Hyra brenda në stadium dhe kufirin e kam kaluar në anën e majtë të stadiumit, ku ishte një ndërtesë e madhe që kish një oborr: unë u futa në oborr të ndërtesës së sipërme e kalova prapë murin dhe në atë çast unë isha në zonën perëndimore të Berlinit. Në ndërtesën brenda kishte drita, por mua nuk më pa njeri. Stadiumi nuk kish roje, vetëm kishte një rrethim me parmakë nja një metro e ca lartësi, unë kaptova këta parmakë dhe u futa brenda. Këtu shtëpia që përmenda ndante zonën se ishte në kufi dhe kështu unë veprova si thashë. Afër portës së stadiumit ishin rojet e Gjermanisë Lindore, ndërsa te porta e stadiumit ishte një plak që ruante stadiumin. Këta nuk më panë, sepse ishte natë.
Pyetje: Ku keni shkuar mbasandaj?
Përgjigje: Pasi u hodha nga muri i oborrit të shtëpisë që përmenda, pasi eca nja pesëmbëdhjetë metra në rrugë, më afrohet një polic i Gjermanisë Perëndimore, më mori e më çoi në policinë gjermane. Atë natë e kalova aty, i mbyllur në një dhomë izoluese. Data ishte 3 shtator (1956). Këtu më pyeti një i policisë, të cilit nuk ia njihja gradën. "si të quajnë?"...etj. I dhashë emrin e mbiemrin e i thashë se jam futbollist, jam shqiptar, kemi luajtur në stadium dhe i tregova rezultatin e ndeshjes me dorë. Tjetër gjë nuk biseduam.
Pyetje: Për çfarë tjetër ju pyeti ky i polici i Gjermanisë Demokratike?
Përgjigje: Nuk më pyeti asgjë tjetër. Në datën 4 shtator më morën dy policë, më futën në një makinë dhe më çuan në një ndërtesë të madhe me oborr të madh, që futeshe nga një postbllok (kish një tra që ulesh e ngrihesh) dhe këtu vetëm me dokument të lejonin që të hyje. Në oborr kishte shumë ushtarë, civilë e makina. Ushtarët ishin me kapela të hekurta (helmeta), po jo si ato që kishin gjermanët në kohën e luftës. Nuk e di se çfarë ushtrie ishte kjo, po duhet të ishte ushtri franceze, për arsye se para se të më sillnin aty, unë i pyeta policët se ku po më çonin dhe kërkova të shoqëronin në konsullatën italiane, pasi unë doja të shkoja në Itali; këta, policët, më thanë se do të shkojmë te francezët e atje bisedojmë.
Pyetje: Çfarë ndodhi më pas?
Përgjigje: Në oborr ishte një ndërtesë e madhe, kishte edhe ndërtesa të vogla, në këto të voglat më futën në një zyrë ku ishte një civil ezmer me kostum blu. Ai, pasi dolën policët jashtë, nisi të më pyeste. Sa hyra unë erdhi dhe një tjetër i veshur civil, shumë më i vjetër se i pari, kishte flokë të thinjur. Më pyeti ky ezmeri që ishte nja 33-34 vjeç, nga ke ardhur, si të quajnë, pse ke ardhur? Gjithmonë ky më fliste italisht. Unë i thashë emrin e mbiemrin, se jam sportist e se dua të shkoj në Itali. Ky më tha pse për të shkuar në Itali, shko në Francë ose luaj këtu në Gjermaninë Perëndimore që ka skuadra mjaft të mira.
Pyetje: Polici ju njihte si sportist apo thjesht ju provokoi?
Përgjigje: Në fakt ky, për të më provuar se a isha lojtar i mirë, më pyeti se cilët sportistë njihja. Unë i thashë se nuk njoh francezë, por i tregova për hungarezët dhe në Francë i thashë një me emrin Kopa, që e kisha dëgjuar. Më pyeti se me cilët keni luajtur dhe pse ke ikur. Unë i tregova dhe i thashë se kisha ikur prej tyre, sepse kam kushërinjtë e mi në Itali dhe se atje jetojnë më mirë, se unë jam futbollist i mirë dhe se atje luhet me skuadra të mira. Ky nuk më bëri pyetje të tjera, vetëm se më tha shko te amerikanët sepse ata të nisin ku të duash.
Pyetje: Të çuan te amerikanët më vonë?
Përgjigje: Po, pas një gjysmë ore më çuan te amerikanët. Kaluan me makinë postbllokun dhe arritëm në një shtëpi dykatëshe, ku përballë saj ishte një shtëpi trekatëshe me ushtarë amerikanë. Këtu më futën në një dhomë ku ishin tri gra polake, njëra nga këto ishte gjermane, ishte dhe një djalë polak dhe një burrë tjetër. Pas një gjysmë ore më morën nga ndërtesa, në një zyrë të vogël jashtë. Në zyrë ishte një civil, djalë i ri, i cili më pyeti italisht e më mori gjeneralitetet. Ky më nxori në fotografi në tri poza: dy profil nga të dyja anët dhe një drejt fytyrën; po ashtu më mori shenjat e gishtave. Më tha pse ke ardhur dhe i tregova siç i thashë dhe francezit, për në Itali etj. Ky më tha se ç'do gjë do të shkojë mirë, do të rregullohet. Prej këtu më futën në dhomën ku ndodheshin ata personat që përmenda më lart. Më pas thirrën dy gratë polake, edhe ato nuk i vonuan shumë. I pyeta këto nëse i kishin nxjerrë në fotografi, ato me thanë po. Këtu na dhanë bukë të gjithëve.
Pyetje: Aty qëndruat atë ditë?
Përgjigje: Jo, pas një gjysmë ore më thirrën e më futën në një veturë. Unë i pyeta se ku do të shkojmë, në Ambasadën Italiane? Ata më thanë se do të shkojmë në një vend tjetër. Kështu më tha ai amerikani që dinte italisht, po nuk erdhi më me ne. Mua më shoqëronte një shofer dhe një civil tjetër. Si shkuam nja tre, katër kilometra, ndali makina. Më thanë zbrit. Kur mbrapa ishte një veturë tjetër ku hipa unë vetë përpara, ky shofer dinte italisht e më tha se do të shkojmë në një shtëpi, ku do të hash, do të rrish mirë atje. Pa ndaluar kurrkund, dolëm në periferi të Berlinit, ku ishte një ndërtesë dykatëshe. Këtu nuk kishte asnjë njeri. Hymë të dy brenda në këtë shtëpi dhe e mbylli derën shoferi. Shtëpia ishte mjaft komode. Unë i thashë shoferit se jam futbollist i mirë, etj. Ai më tha që të mos merakosesha, sepse gjithçka do të rregullohej. Në këtë kohë ishte ora nja dy pasdite, unë drekën e hëngra atje ku isha, me polaket. Ky, shoferi më dha pije dhe për të ngrënë, por unë i thashë se nuk doja të pija. I propozova që të dilnim të dy, po ai më tha jo, se në Berlin ka shumë komunistë, që mund të më njihnin e njoftonin dhe të më merrnin. Ne kështu mbajmë të gjithë njerëzit, por ma shumë ty se je sportist e të njohin. Në mbrëmje, rreth orës 7:00, erdhi vetëm ky dhe hapi portën e shtëpisë. Ngrohu disa gjellë kutish të gatshme dhe hëngrëm bukë të dy bashkë. Unë i thashë përsëri më shëtit, por ai ndenji aty nja dy orë dhe iku. Atë natë fjeta në këtë shtëpi, pa njeri tjetër.
(vijon nesër)


Qemal Vogli, edhe më mirë se Lev Jashini

Qemal Vogli ka një rekord shumë special në karrierën e tij të shkurtër. Ai e ka mbajtur të paprekur rrjetën e Dinamos në kampionat për 840 minuta, nga 21 janari 1952 deri më 23 mars 1952, duke u renditur kështu në vendin e 102-të në historikun e portierëve më të mirë në botë, klasifikim ky i bërë nga Federata Internacionale e Futbollit, Histori dhe Statistika. Madje, Vogli në këtë klasifikim është edhe më mirë se idhulli i tij, Lev Jashin. Ish-"Topi i Artë" e ka mbajtur të paprekur portën e Dinamos së Moskës për 741 minuta, nga 4 tetori i 1962-it deri më 10 nëntor të po atij viti, duke u renditur në vendin e 196-të. Por nga portierët tanë ai që renditet më lart se të gjithë është Bujar Gogunja, me rekordin e tij prej 1037 minutash lojë pa pësuar gol. Gogunja ishte pjesë e Labinotit kampion, më 1983-1984 kur vendosi këtë rekord.


11 ndeshje ka luajtur me fanellën e ekipit tonë përfaqësues, Qemal Vogli, ndaj kombëtareve me emër në atë kohë si ndaj Rumanisë, Polonisë, Çekosllovakisë, Hungarisë, etj, por të gjitha ndeshje miqësore.

6 ndeshje kampion dhe 5 Kupa të Shqipërisë ka fituar Qemal Vogli në karrierën e tij futbollistike me skuadrën e Dinamos, në vitet 1950, 1951, 1952, 1953, 1955 dhe 1956. Ai ka luajtur edhe 11 ndeshje me Kombëtaren.


Rikthimi i dështuar në fushë i Qemal Voglit

Qemal Vogli ka dashur me gjithë shpirt që të mund të rikthehej edhe një herë mes katërkëndëshit të portës, por edhe në momentin kur ka qenë shumë pranë, i është ndaluar që të luajë. Pas daljes nga burgu, ish-legjenda e portës shqiptare ka qenë gati që të vishte sërish fanellën me numrin 1. Rreth viteve 1966-1967, u përhap një lajm në ambientet sportive dhe jo vetëm, se te fusha e vjetër, aty ku sot është Gjykata e Tiranës, do të zhvillohej një ndeshje futbolli mes Parkut të autobusëve dhe Kombinatit tekstil ku do të luante edhe Qemal Vogli. Lajmi mori dhenë, në vetëm pak orë aty u mblodhën më shumë se 15 mijë vetë, që dëshironin të shikonin sërish Qemal Voglin në portë. Por vetëm disa çastesh para nisjes së takimit, një urdhër nga lart i ndalonte Voglit që të luante futboll. Sipas Ismet Bellovës, urdhri u dha nga Kadri Hazbiu, i cili i kishte kërkuar gati miqësisht Qemalit (Kadri Hazbiu ka qenë një nga tifozët e zjarrtë të Qemal Voglit) që të mos luante, me qëllim që të mos i hapte probleme si vetes por edhe atij. Faktikisht, pas daljes nga burgu, Vogli pati nisur të stërvitej me mendimin se një ditë do të rikthehej sërish në futboll. Për pesë vjet radhazi, legjenda e portës shqiptare besoi në një mrekulli, por edhe ku ajo ndodhi, iu ndalua kategorikisht që të vishte fanellën me nr.1.


Gafa e Voglit në derbin e 1954-ës me Boriçin

Njëri luante për Dinamon, tjetri për Partizanin. Talente të padiskutueshëm që të dy. Ajo çka i ndante veç moshës ishte se njëri bënte të pamundurën për të shënuar gola (Loro Boriçi ishte sulmues), ndërsa tjetri, të pamundurën për të pritur çdo gjuajtje. Gjithsesi mes tyre kishte simpati, egoizëm, por edhe gjaknxehtësi, sidomos kur luhej derbi. Madje në një të tillë Partizani i Boriçit e ka fituar pikërisht për një gabim sa qesharak dhe trashanik të Qemal Voglit, të cilin e ka shfrytëzuar mjeshtërisht dhe me dinakëri Loro Boriçi. Këtë episod e tregon një prej atyre gazetarëve, personave që kanë bërë historinë e gazetarisë dhe mikrofonit sportiv, Ismet Bellova. "Luhej Partizani-Dinamo, ndeshje kjo mjaft e fortë për atë kohë, pasi ishin dy skuadra që dilnin që të dyja nga ministritë e regjimit. Shto edhe faktin se në to luanin futbollistët më të mirë shqiptarë, që i kishin mbledhur këto skuadra. Ishte viti 1954 dhe në një kontakt në zonë gjatë kësaj ndeshjeje mes Loro Boriçit, i cili luante për Partizanin dhe Qemal Voglit, Boriçi, në dyluftim për të gjuajtur topin drejt portës, pas një krosi që i erdhi nga mesfusha, goditi edhe Qemalin. Ky i fundit nga inati i përplasjes dhe faktit se siç duket u vra, lëshoi topin nga dora dhe vrapoi drejt mesit të fushës ku ishte arbitri i ndeshjes, Esat Shuaipi, për të protestuar. Në atë çast, me topin para këmbëve, Loro (Boriçi) e gjuan si pa teklif duke shënuar golin e avantazhit. Gjyqtari nuk bën gjë tjetër veçse quan të rregullt golin, duke kërkuar që Dinamo të nisë topin sërish nga mesi i fushës. Ndërsa Qemali u nevrikos edhe më shumë për gafën që bëri. Këtë histori, edhe kur kam shkruar librin, ai (Qemali) realisht nuk ka dashur që unë ta citoj. Por më lejoni të theksoj se paçka momenteve të tilla nervozizmi, për mua Qemal Vogli ka qenë dhe mbetet portieri më i mirë shqiptar i të gjitha kohërave", tregon këtë episod të rrallë të dy gjigantëve të futbollit shqiptar, Boriçi e Vogli, Ismet Bellova.

Panorama Sport:Leonard Karaj

Wednesday, November 10, 2010

Reagime të lexuesve pas publikimit të historisë së këngëtares së njohur-Dosja “Hisku”, fantazma e Feçor Shehut në qelitë e vajzave të arrestuara


Misteri i dy ngjarjeve të bujshme, që tronditën Tiranën në fundin e viteve ‘70

Në morinë pafund të reagimeve pas zbardhjes së historisë së këngëtares së njohur në faqet e gazetës, kapërcehet precedenti “Hisku” dhe zbulohen dëshmi e fakte të tjera të abuzimeve seksuale me gratë dhe vajzat e dënuara në vitet e diktaturës. Lexues të moshave e profesioneve të ndryshme, duke shprehur revoltën për indiferencën institucionale ndaj këtij krimi të shëmtuar, denoncojnë me forcë rastet kur autorët e tyre vazhdojnë të relaksohen në zyrat e shtetit. Në mesazhet e shumta në adresë të gazetës përmenden emra konkretë të “skifterëve me kollaro”, ish-përdhunues të grave të pambrojtura, të transformuar tashmë ne zyrtarë antikomunist. Çuditërisht, një pjesë e madhe e lexuesve stigmatizojnë si simbolin e shëmtisë të abuzimit seksual me vajzat dhe gratë e arrestuara, njërën nga figurat emblematike të Sigurimit të Shtetit. Sipas tyre, me emrin e Feçor Shehut, zyrtarit të policisë sekrete me karierën më të vrullshme në sistemin e shërbimit, janë të lidhura mjaft krime të tilla. Në dëshmitë e shumta që venë gishtin te ish-ministri i Brendshëm, sillen në vëmendjen e opinionit dy nga ngjarjet e bujshme që tronditën Tiranën e fundviteve ‘70: Vrasja misterioze e portierit simpatik të “Shkëndisë” në çastet intime me të dashurën, në një bunker afër institutit “Vojo Kushi” dhe arrestimi i papritur i bufetierit të njohur Qemal Avdia te Shkolla e Kuqe. Po çfarë denoncojnë tjetër lexuesit nëpërmjet gazetës. Më poshtë kemi zgjedhur vetëm një pjesë të tyre...



Angjelina Goça: Respekte për Alidën si këngëtare, duhet të përmendë emra dhe të bëjë denoncime konkrete. Nëse bëhet fjalë për ndonjë lidhje të Feçorr Shehut a ndonjë tjetri që kishte marrë detyrë të diskreditonte Sigurimin e Shtetit, kjo është e dënueshme si nga ligjet e sotme, ashtu edhe nga ato të asaj kohe. Mua më ka rënë rasti të njihem me rregulloret, urdhrat e udhëzimet e asaj periudhe për Sigurimin e Hetuesinë dhe kam parë që veprime të tilla dënoheshin rreptësisht si nga ana moralo-politike, ashtu edhe nga ajo ligjore. Sipas atyre rregullave një femër në qeli nuk mund të takohej nga një person i vetëm në asnjë rrethanë, përveçse nga dy persona. Po të jetë e vërtetë, atëherë është bërë një krim i shëmtuar në grup nga ata punonjës, të cilët nuk duhet t’i shpëtojnë dënimit edhe sot.
Kujtim S: Na befasoi kjo historia e Alida Hiskut. Në atë periudhë unë kam qenë në Institutin “Vojo Kushi”. Një shoku yni, portier i ekipit të futbollit “Shkëndia”, Arjan Hoxha, në rrethana pak a shumë si të Alidës, mbeti viktimë e marrëzisë së F.Shehut, pikërisht pse dashuronte vajzën që kapua i Sigurimit i kishte hedhur sytë. Një buzëmbrëmje u vra tinëzisht në afërsi të shkollës. Në terrorin e asaj kohe, të gjithë pohonin autorin e vërtetë të vrasjes, por askush nuk guxonte t’i vinte gishtin, sepse dihej se çfarë tmerri e priste.
Bona: Më ka shokuar historia e Alidës. Më ka lenë pa fjalë. Është shumë e tmerrshme të mendosh që ekzistojnë njerëz të tillë. Ja nga kush është qeverisur për 50 vjet Shqipëria!
Shkëlqim: Mjafton ky tregim i shkurtër për të kuptuar thelbin çnjerëzor dhe çmendurinë e asaj diktature barbare.
Skënder: Sa herë dëgjojmë histori të kësaj natyre, na vete mendja me të drejtë të Feçor Shehu. Unë jam dëshmitar i një ngjarje të bujshme në fund të viteve ‘70. Krejt papritur, një ditë u mor vesh se arrestuan Qemal Avdinë, i cili ishte një nga bufetierët popullor të Tiranës së asaj kohe, që shërbente prej vitesh në një lokal të thjeshtë afër Shkollës së Kuqe, në rrugën Qemal Stafa. Sipas zyrtarëve, e arrestuan për propagandë e agjitacion, por në fakt ishte diçka tjetër. Njohja dhe lidhja e bufetierit me një femer të bukur, i prishte punë funksionarit të lartë të Sigurimit, i cili duke e futur në birucë Qemalin e gjorë, me dëshmitë e rreme të tre berberëve spiunë, mendonte se do t’i kishte duart e lira. Në atë periudhë kjo ngjarje përflitej kudo në Tiranë. Por edhe pse kanë kaluar kaq vite, askush nuk e ka marrë mundimin për ta zbardhur deri në fund. Qemal Avdia ndërroi jetë para dy vjetësh, por mori me vete dhe këtë brengë. Prandaj e inkurajoj Alidën ta çojë denoncimin deri në fund.
Vera(Boston USA): E kujtoj me shumë nostalgji kohën kur Alida këndonte. Dhe më vjen shumë keq që në momentin më të mirë të karrierës së saj, pësoi një dramë të tmerrshme.
Lindita Musaku: Të gjithë më thoshin se i ngjaja këngëtares Alida Hisku, në kohën kur ajo këndonte. Ndihesha aq krenare, por dhe aq e prekur kur i ndodhi kjo fatkeqësi. Në njëfarë mënyre u persekutova edhe unë, sepse të gjithë e mbyllën gojën dhe nuk vazhdonin të deklaronin ngjashmërinë. Alidën e kujtoj me mall dhe me një respekt të veçantë. Nuk di pse nuk m’u hoq asnjëherë nga mendja fytyra dhe zëri i saj. Sot e nderojmë të gjithë Alidën, por asnjëherë nuk do ta kuptojmë dhimbjen dhe pasionin e saj për muzikën. Unë isha e vogël atëherë dhe mbresa që kisha për të ishte e veçantë. Uroj të ndryshojnë për mirë ditët që po vijnë.
Hooker: Historia personale e Alida Hiskut është emblematikë e kohës së E. Hoxhës, kur ekzistenca private shtypej e asgjësohej në emër të interesave të ngushta të kastës, për të mbajtur në këmbë “aposteriori” analizën delirante të ashtuquajtur ‘tabllo sinoptike’, ku stigmatizohej M. Shehu si poliagjent e komplotist – delir, që vazhdon të ushqehet me pandershmëri edhe sot me shkrime e libra të Nexhmie Hoxhës & Ço.
Liljana Shaho: Alida është jo vetëm një këngëtare e madhe që kujtohet me respekt nga të gjithë që e kanë njohur, por dhe një njeri me zemër të artë. Ajo nuk i ka merituar ato vuajtje. Le t’ju verbojë sytë spiunëve drita verbuese që lëshon ky yll tani
Dashamiri: Kjo është një histori tronditëse, që e dëgjoj për herë të parë. E kam ndjekur këngëtaren Hisku në ditët më të mira të saj dhe çuditem sesi përfundoi në këtë mënyrë. I uroj gjithë të mirat në pjesën e jetës që i ka mbetur. Të vazhdojë të këndojë, sepse kënga do ta bëjë që ta harrojë të kaluarën.
Cen Durimi: Artikulli do të kishte qenë i plotë me emrat e dy “shoqeve”, labes dhe mirditores të cilat e denoncuar fshehtaz, jo për ndonjë gjë, por mendoj se e keqja duhet të tregohet me gisht. Ka shumë mundësi që ato të dyja të kenë bërë karrierë dhe sot banojnë jo shumë larg “Bllokut” të ri.
Andrea: Edhe unë denoncoj dy kriminelë të Sigurimit që tmerruan Devollin e Sipërm, Frederik Ymerin dhe hetues Petrit Lila
Gëzim Kodra: Historia e Alida Hiskut është një histori e tmerrshme si në ato filmat “KILLER”, por duhet të kuptojmë që nuk është edhe e vetme si histori. Gjatë asaj periudhe janë bërë dhe gjëra më të tmerrshme. Mund t’ju duken si legjenda, por që në të vërtetë janë shumë ngjethëse. Duke lexuar opinionet e bëra nga lexuesit e gazetës, që në të vërtet e vlerësojnë si tmerr historinë e Alidës, dua t’ju them se nuk është dhe shumë e lehtë të përmendësh emra, se “bishat” e asaj kohe vazhdojnë të kenë rrënjë të thella në jetën tonë. Fatkeqësisht dhe tmerri vazhdon të jetojë me këta njerëz.
Vitore Stefa: E besoj fund e krye atë që ka treguar Alida për gazetën “Panorama”. Bile unë që jam motra e saj në kuptimin e vërtetë të fjalës, them se aty është vetëm një pjesë, ose më saktë kyçi i mekanizmit të persekutimit. Nga goja e Alidës, por edhe nga mjaft të tjerë që kanë qënë afër kësaj ngjarje tronditëse, kam dëgjuar shumë gjëra të llahtarshme që ka përjetuar Lida jonë. Lexuesit e tronditur nga ajo që ka rrëfeyer për ditët e qelive, nuk dinë e nuk kanë si të dinë çfarë ka vuajtur kjo vajzë e traumatizuar në qelitë e bardha të psikiatrisë. Oh nëna ime! Plagët e Alidës janë të shumta, por fakti si u rinorit është një shmëbull i shkëlqyer i vullnetit dhe forcës së saj shpirtërore. Duke ndjekur këto ditë opinionet e diasporës për historinë e saj, më ka tërhequr vënëdjen përmendja e emrit të Feçor Shehut, këtij përbindëshi seksual që ka marrë në qafë me dhjetra e qindra njerëz të pafajshëm. Me sa di une kur është gjykuar në vitin 83 i kanë dalë me dhjetra dëshmi që e penalizonin për vesin bastard. Njëra ndër to ka qënë ajo e tropojanes Rukie Rama e cila mundi ta sfidojë maskarallëkun e këtij hamshori-mostër me certifikatën e virgjërisë. Kur u pushkatua, publikisht nuk ju përmend ky ves i ndyrë, pasi lolot e diktatorit kishin frikë se përbuzja për këto amoralitete i afrohej Bllokut. E blloku, siç dihet notonte në të tilla shëmti seksuale...
Atdhetar: Unë mendoj se emri i hetuesit ishte Enver Hoxha. Pa dyshim ky ishte emri më i urryer i një hetuesi mostër.
Dadushi: Me asgjë nuk të paguhet ajo çfarë ka përjetuar Alida Hisku dhe shumica e popullit shqiptar, por do ti lutesha zonjës së nderuar ti demaskojë ata horra, ata përbindësha që nuk gjej fjalët për ti përshkruar. Qeveritë e trazicionit nuk e logjikojnë sa ka hequr ky popull. Zyrtarët e tyre shikojnë xhepat, dhe me siguri ndonjëri prej tyre ka qënë presekutor i birucave dhe tani është në karrigen e pushtetit. Vuajtjet i hoqi populli i shkretë. Qeveritarët dhe bijtë e tyre nuk kanë përjetuar gjëra të tilla. Ndoshta kur ta lexojnë këtë artikull mund dhe mos ta besojnë. A do ju vijë dita ndonjëherë këtyre mostrave t’i dënojmë në sy të popullit?
Esera: Atij sistemi mos i mbiftë kurrë fara!!! Çburrëruan burrat, përdhunuan gratë, ngrinë përrenjtë, shteruan lumenjtë, bastarduan njerëzit e ndershëm me ca këlyshë operativë që i jepnin popullit tmerr. Kam qenë e vogël, por mbaj mend një farë operativi në zonën e Devollit me emrin Refat. Mbiemri nuk me kujtohet. Dhe një tjetër me emrin Demush, që e futën Devollin në vëllavrasje. Zoti marrtë hak!! Përshëndetje USA
Toni: Shumë e dhimbshme, por në të njëjtën kohë shumë normale për ata që e mbajtën gjallë atë sistem dhe ndërkohë vazhdojnë të përdhosin sistemin demokratik. Natyrisht, nëse zonja Alida do na jepte emrin apo emrat mirë do të ishte, por shpesh ka ndodhur që këto çështje i merr në dorë X apo Y prokuror, i cili ka të njëjtën të kaluar me atë që i shkatërroi asaj rininë dhe jetën . Alida bën apel të hapen dosjet. Kjo do ndihmonte sadopak qetësimin e shpirtrave të qindra e qindra vajzave të keqtrajtuara.
Dhurata: E dashur Alida! Historia jote rrëngjethëse është në një farë mënyre histori e të gjithë femrave të asaj kohe, që ishin ndryshe nga turma. Le të hapet një faqe tjetër, ku të denoncohen me emra Korbat e Komunizmit, të cilët personalisht mendoj se ishin individë të deformuar, që ai sistem i inkurajonte...
Xhimi: E besoj me shpirt atë që thotë Alida Hisku. Unë di një rast, që bëri jo pak bujë në atë kohë. Një burrë fisnik që kishte gruan e bukur, operativi i zonës e futi në burg për ti shtënë në dore të shoqen, me pretendimin e agjitacion-propagandës. Jam dakord, që Alida duhet t’i drejtohet organizmave që mbrojnë të drejtat e njerëzve ose të grave...
Beni: Kjo që thotë kjo zonjë pas më shumë se 25 vjetësh është vërtetë një tmerr, por duhet tu thotë emrat atyre, që i quan bisha. Nga kush ka frikë? Një femër që guxon të tregojë tmerrin, nuk mund t’i mungojë guximi të tregojë emrin e tmerruesve.
Petro L: Zëri i mrekullueshëm i Alida Hiskut më kumbon ende në shpirt. Ajo me këtë denoncim publik rrëqethës që u bën horrlliqeve të diktaturës së Enver Hoxhës dhe këlyshëve të tij, jep prova të pakundërshtueshme ndaj kriminelëve e krimit shtetëror dhe një shembull të shkëlqyer të kurajos dhe dinjitetit njerëzor. Ajo i shtron një detyrë imperative presidentit, institucioneve të drejtësisë dhe mbarë opinionit intelektual e popullor, që të demaskojnë me emra e fakte kriminelët e poshtër, të cilët nuk ndaleshin së përdhunuari edhe ajkën e kulturës shqiptare për të kënaqur epshet e tyre.
Enver Malko: Më vjen shumë keq për zonjën Alida Hisku. E di çdo të thotë.E mjera, ka qenë dhe femër. Edhe unë kame rënë viktimë e abuzimeve me drogëra e ilaçe në qelitë e sigurimit. Një nga hetuesit përbindësh që më ka torturuar ishte BILBIL METE. Ky kriminel i njohur si i tillë në Peshkopi, ka fshehur edhe trupat e shokëve të mi SOKOL HADO dhe FREDERIK HARUNI që në vitin 90 donin të kalonin kufirin e u vranë nga hienat e policisë. Unë për fat mbijetova...
Diana: Shumë nga historitë që tregon Alida Hisku i kam dëgjuar nga babai im, i cili ka vuajtur 18 vjet në burgjet komuniste. Në ato burgje janë bërë torturat çnjerëzore, të tilla sa njerëzit nuk mund t’i imagjinojnë. Më vjen keq se ata njerëz që i persekutuan ende kanë poste zyrtar. Respekte për Alidën, kam qenë fansja e saj.
Albert: Desha ti kujtoj zonjës Hisku domosdoshmërinë e padisë penale kundrejt personave që e kanë keqtrajtuar. Një veprim i organizuar do të lehtësonte procedurën. Kjo mund të realizohet me organizimin e një shoqate me gratë (ose me disa nga këto) që kanë kaluar të njëjtën gjendje, duke krijuar një padi kolektive tek Presidenca dhe Kuvendi, duke kërkuar personin, pse jo edhe një seancë të posaçme të Kuvendit për këtë veprime barbare kundrejt gruas, duke u munduar të angazhoni edhe organizma ndërkombëtare. Me lejoni t’ju them që një angazhim i tillë do të ishte shumë i dobishëm, përveç vendosjes së drejtësisë edhe për situatën tuaj personale shëndetësore.
Roland: Alida Hisku e ndonjë tjetër që e ka pësuar nga këta mostra, duhej të nxjerrin emrat e atyre që i kanë keqtrajtuar e përdhunuar, e t’i hedhin në gjyq edhe pas kaq vjetësh. Dhe të denoncohen e dënohen njëlloj siç dënohen sot ca priftërinj katolikë në Amerikë, Gjermani, etj. për abuzime seksuale me fëmijë edhe pas shumë vitesh. Një nga krye plehrat që abuzonte seksualisht me gratë e arrestuara ishte edhe vet ministri i Brendshëm, Feçorr Shehu me këlyshët e tij.
Edmond: Këto që thotë kjo grua janë një tmerr. Mendoj se nuk është vonë që këta njerëz, të cilët besoj se janë gjallë, të ndëshkohen me rreptësinë më të madhe të ligjit duke i kaluar vitet e fundit të jetës së tyre, në vendin ku kanë torturuar dhe përdhunuar viktimat e tyre. Vetëm kjo mënyrë do të qetësojë sadopak shpirtrat e tyre dhe do të verë në vend një pjesë të drejtësisë.


Kur binte fjala për Feçor Shehun në burgun e grave

“Emri i Feçor Shehut ishte tmerri i grave të dënuara”. Teksa mbështet denoncimin e këngëtares së njohur për dramën e shkaktuar nga policia sekrete, Rukie Rama, njëra nga ish të dënuarat politike, sjell të tjera dëshmi tronditëse nga ferri i burgjeve të komunizmit. Sa herë binte fjala për Feçor Shehun në burgun e grave, pohon tropojanija që jeton në Bruksel, bashkëvuajtëset sillnin me dhjetëra raste të abuzimeve seksuale në birucat e Sigurimit. Sipas tyre, funksionari i lartë i policisë sekrete ishte dalluar për këtë ves çnjerëzor gjatë tërë karierës së tij, fillimisht në Shkodër e Korçë, ku drejtonte degët e punëve të brendshme dhe më vonë në Tiranë, ku mbërriti në majën e shërbimit të fshehtë. Rama shton se me emrin e Feçorr Shehut janë të lidhura shumë ngjarje misterioze të vajzave e grave të bukura. Sakaq, ish e dënuara kujton se e gjithë alibia e akuzave në adresë të saj, ka pasur për strumbullar ish ministrin manjak, i cili edhe kur u dënua nga regjimi, asnjëherë nuk u zbardh për publikun ky dimension shtazarak i karakterit të tij barbar.

Leka Zogu/Fëmijëria burrërore


Nga Agron SEJAMINI

Lindja e tij, nuk ishte gëzim vetëm për familjen mbretërore, por në atë kohë, ngjarje e shënuar edhe për kombin. Më 5 prill 1939, shqiptarët uruan dhe festuan, ardhjen në jetë të princit trashëgimtar... Thënë ndryshe, Mbretin e ardhshëm. Mirëpo, ashtu ishte e shkruar! Të largohej nga Atdheu pa e parë ende me sy, e jo më ta mbretëronte. Gjithsesi, një gjë është e vërtetë. Ai fëmijë, kudo që jetoi, u rrit dhe u ushqye, vetëm me shqiptarizëm. Ai fëmijë pati një fëmijëri burrërore!

I duhej që të ishte më i malluari, më i duruari, më i mënçuri, më i përkushtuari dhe më i privuari se gjithë fëmijët e botës.

Mësoi se ishte shqiptar dhe nuk kishte parë asnjëherë Shqipërinë, duke iu ndezur çdo ditë malli, krenaria dhe kërshëria për Atdheun. Ndërkohë, iu desh të mësonte qysh i vogël, disa gjuhë. Ngrohtësinë dhe dashurinë e nënës i ndjeu nëpërmjet gjermanishtes. Përkëdhelitë dhe këshillat e të atit i shkuan në theksin e gegërishtes që e dëshmon aq qartë edhe në të folurën e sotme. Në shkollë dhe mjedisin jashtë familjes, duhej të komunikonte në anglisht. Më pas, diktuar edhe nga rrethanat dhe kushtet e krijuara do të përvetësonte të tjera gjuhë, hungarishten, frëngjishten, italishten, arabishten dhe portugalishten.

Ndryshe nga fëmijët e tjerë të familjeve mbretërore, ai nuk bëri rehat në asnjë shtet. Sepse motivet dhe përgjegjësitë që ndjente para kombit të vet, e detyroi atë familje fisnike të shkonte, atje ku gjente rehat... çështja shqiptare.

Kështu në vitin 1946, "i hyjnë detit më këmbë", duke lënë Anglinë për Egjiptin. Princi Lekë, në atë kohë ishte vetëm shtatë vjeç. Kujton atë det të trazuar që e turbulloi aq shumë, por nuk harruan as atë ndodhi të bukur që përjetoi në ngushticën e Gjibraltarit.

Lufta e Dytë Botërore kishte mbaruar, por jo pasojat e saj... Edhe në këtë udhëtim të gjatë detar, para kësaj ngushtice, vapori me të cilin udhëtonin, ndali gati krejt shpejtësinë. Një skuadër marinarësh të specializuar për asgjësimin e minave, filluan asgjësimin e tyre për të çelur shtegun. Për syrin e një fëmije që përfiton nga mosha, këto skena ishin bukuri, ndërsa për të rriturit ankth dhe shqetësim.

Krejt papritur, ftohen në këtë "argëtim" edhe oficerët që shoqëronin familjen mbretërore. Nuk kishte rast më të mirë për atë baba mbret që të bënte burrë fëmijën e vet. I zgjat armën dhe e pozicionon të qëllojë drejt një mine që përngjasonte me një rosë të zezë kur ajo pushkë angleze, ishte më e gjatë se vet ai fëmijë. Qëlloi, por mban mend se edhe nuk shënoi...

Natën vonë mbërritën në qytetin portual egjiptian, Port-Said. U mrekullua në agimin e asaj dite nga ajo pamje fantastike që iu shfaq para syve. Të gjitha ndërtesat e atij qyteti ishin të pushtuara nga bardhësia. Por, nuk ishte ajo bukuri dhe pastërti, kur ecje nëpër lagjet e tij. Kalimthi e përjetoi këtë ndjesi, sepse rezidenca e familjes ishte në Kajro, në një hotel tre katësh, më i miri i kryeqytetit për atë kohë.

Si për të kompensuar gjithë peripecitë dhe vështirësitë që ai fëmijë kishte përjetuar deri më tani, këtu gjithçka ishte si në përrallë. Lulishtja e madhe dhe e hijeshuar me lule shumëngjyrëshe dhe mbi të gjitha piramidat që i shikonte nga ballkoni, ia bënë Egjiptin shumë herë më të bukur se Anglia. Por, edhe pse komoditeti ishte mbretëror, detyrimet dhe kërkesat e të ardhmes, e ftonin për t'u aftësuar dhe burrëruar sa më shpejt. Regjistrohet në një shkollë që shquhej për nivelin e lartë pedagogjik. E frekuentonin atë fëmijët e familjeve më të njohura të shteteve të Mesdheut. Aty nis miqësia që do të vazhdonte gjatë gjithë jetës, me mbretin e Bullgarisë dhe princin e Jordanisë, i cili më vonë do të bëhej mbret. Në gjuhën angleze bëhej mësimi, por iu krijua mundësia që të mësonte edhe latinishten apo arabishten. Zgjedhjen e bëri nëna Gerdaldinë, që i përcaktoi të parën, duke ia lënë arabishten vetëm gjuhë veshi, pra, për ta kuptuar dhe jo shkruar. Mban mend se nga shtëpia për në shkollë, ikte vazhdimisht me biçikletë. Veçse përherë ka qenë i shoqëruar nga punonjësit e gardës së familjes mbretërore. I gjithë ky efektiv përbëhej nga shqiptarë dhe kryesisht matjanë. Fjala vjen, princi Lekë, ka qenë vazhdimisht nën kujdesin e Qazim Prenit.

I përhumbur në kujtimet e fëmijërisë, ndalet për një çast dhe pasi lëshon një buzëqeshje të lehtë, fillon të tregojë ndodhinë me mësuesin e matematikës. Ditën e premte, mësuesi u kishte dhënë detyrë shtëpie nxënësve, për të zgjidhur në pushimin e fundjavës disa ushtrime. Edhe pse në dispozicion kishte të shtunën dhe të dielën, Leka ikën të hënën i papërgatitur. Kur mësuesi i afrohet dhe i kërkon fletoren e detyrave, ai çohet më këmbë dhe i kërkon falje, pasi nuk i kishte zgjidhur ushtrimet. Por, kjo pendesa e nxënësit u keqpërdor.

I thotë që të zgjati para të dy duart dhe fillon ta qëllojë me shkop... Vetëm të majtën se nuk arriti dot te dora e djathtë! Nxënësi shqiptar, shtatë vjeçari Leka Zogu, që në fakt ishte më i gjatë se mësuesi, rrëmben fshirësen e dërrasës së zezë, si për t'i zbutur goditjen, hap krahun dhe e rrëzon në dysheme. Mësuesin e çojnë direkt e në spital, ndërsa nxënësi qetë-qetë, del nga klasa. Para shkollës, e priste Qazimi, shoqëruesi i tij, i cili çuditet për këtë dalje të parakohshme nga mësimi. Rrugës për në shtëpi, i tregon atij me inat ende të pa shuar, për gjithçka kishte ndodhur. Pak i ndrojtur, por jo i frikësuar hyn i pari në sallonin e shtëpisë, duke çuditur të atin, të ëmën dhe hallat e tij, që në atë çast ishin të gjithë bashkë. Para se ata t'i sqaronte shoqëruesi, nis dhe tregon për çfarë kishte ngjarë...

- S'ka problem!-dëgjoi reagimin e menjëhershëm të të atit. Më pas, Ahmeti vazhdon qetë dhe më serioz:

- Familja jonë nuk pranon as shpullë dhe as shkop!

Heshtja mbështetëse dhe komplimentuese pushtoi gjithë sallonin. Sepse ai fëmijë, nuk ishte fëmijë, por trashëgimtari i një mbreti shqiptar. Janë të njohura tashmë, vetitë dhe virtytet e Ahmet Zogut. Dy prej tyre, trimëria dhe krenaria!

Gjatë kohës që jetuan në Kajro, shumë mbresëlënëse për Lekën ka qenë edhe vizita që bëri në një teqe shqiptare. Kujton atë pritje shumë të ngrohtë që i bënë babai i tij dhe dy dervishët. Por edhe emocionuese ishte dhurata e çmuar. Një patllake e vendosur në kutinë e vet të zbukuruar hijshëm. Kthehet në shtëpi dhe gjëja e parë që i tregon të atit, ishte ajo dhuratë.

- Kjo është për këtu!,- iu drejtua Ahmeti, duke e vendos atë kuti, në njërin prej etazherëve të sallonit. Por, ka ardhur koha që edhe t'i të mbash armë! Dhe në çast, i zgjat një revolver anglez të kalibrit 45. Mund të tingëllojë pak si i çuditshëm ky xhest, por në mendjen dhe largpamësinë e Ahmet Zogut, qëndron përsosmërisht gjithçka. Nuk e dimë, nëse ishte thjesht një peshqesh apo amanet për të birin e vet, por është e vërtetë se Leka Zogu, asnjëherë nuk e hoqi nga brezi armën, në këtë jetë. E ku do të kishte më shumë hijeshi ai simbol burrërie dhe trimërie, se te ai shtatlartë i rritur me shqiptarizëm. Shtatë vjeç i vendosi të birit armën në brez dhe kur mbushi dhjetë vjeç, e bëri pjesëtar të detyrueshëm në të gjitha mbledhjet e takimet e punës.

-Dëgjo dhe mos fol!- i tha ditën e parë.

Kështu, veproi në dhjetra takime që Ahmet Zogu pati me mbretërit e disa shteteve dhe personalitete të tjerë të rëndësishëm, ku u shqua për largpamësinë e gjeopolitikës së tij.

Kështu, deri më 9 prill 1961, kur pas vdekjes së mbretit Ahmet Zogu, bëri betimin si Mbret i Shqiptarëve. Atëherë ishte 22 vjeç. Shumë i ri, por shumë i denjë dhe i aftë për të siguruar vazhdimësinë, sepse si rrallë kush, në fëmijëri kishte fituar pjekurinë dhe burrërinë...

Leka Zogu

- 5 prill 1939. Lindi në Tiranë dhe kaloi fëmijërinë në Britaninë e Madhe deri në moshën 7 vjeç.

- 1946-1955. Jetoi në Egjipt, ku filloi studimet në shkollën angleze "Victore College", në qytetin e Aleksandrisë.

- 1956. Pas ardhjes në Francë, regjistrohet në kolegjin Eglon, në Vilar mbi Olon dhe merr diplomën "Matriculation of Oxford" në Zvicër.

- 1958. Përfundon studimet e larta në Londër, në Akademinë Ushtarake Mbretërore në Sandhërst të Mbretërisë së Bashkuar.

- Pas kthimit nga Britania e Madhe fillon studimet për Shkencat Politike dhe Ekonomike në Universitetin e Sorbonës në Francë, ku ndoqi edhe kursin e gjuhëve orientale.

- 9 prill 1961. Pas vdekjes së Mbretit Ahmet Zogu, bën betimin si Mbret i Shqiptarëve në moshën 22 vjeç.

- Zotëron shumë gjuhë të huaja, si anglisht, frengjisht, spanjisht, gjermanisht, italisht, arabisht, si dhe gjuhët hungareze e portugeze.

- Është marrë me biznesin e konstruksioneve të porteve detare dhe import eksportin e lëndëve të para, duke kryer veprimtarinë e tij njëkohësisht në Spanjë e në Britaninë e Madhe me shtrirjen e aktivitetit që nga SHBA e Kanadaja, në Lindjen e Mesme dhe deri në Japoni e Australi.

- 1972. Bëhet nismëtar i Kuvendit të Madridit për të bashkuar të gjitha forcat politike të emigracionit shqiptar sipas motos të Mbretit Zog: "Atdheu mbi të gjitha!"

- Gjatë këtyre viteve Leka I, zhvilloi takime me shqiptarët kudo në botë: në Londër e Paris, në New York e Toronto, në Bruksel e Mynih, në Ankara e Stamboll, në Sidnej e Melburn, etj. Gjeografia e tyre përfshinte Europën, Azinë, Afrikën, Amerikën e Australinë.

- Me autorizimin e Pentagonit, ka vëzhguar veprimet luftarake gjatë Luftës së Vietnamit dhe, më pas, ato të Rodezisë.

- Nga viti 1979, jetoi bashkë me Familjen Mbretërore Shqiptare në Johannesburg, në Afrikën e Jugut.

- 1990. Takohet me shqiptarët e parë që u larguan nga vendi në eksodin e madh me anije nga Porti i Durrësit.

1993. Vjen për herë të parë në Tiranë, por detyrohet të largohet të nesërmen, pas ndërhyrjes së autoriteteve të asaj kohe.

- 11 prill 1997. Vjen në Shqipëri, duke organizuar vizita, takime e bashkëbisedime në të gjitha rrethet e vendit.

- Merr pjesë në Referendumin e organizuar për formën e regjimit më 29 qershor 1997 dhe më 11 korrik 1997, largohet nga Shqipëria.

- Rikthehet për të jetuar në Shqipëri me 28 qershor 2002. Kthimi i Familjes Mbretërore u krye me ftesën e 76 deputetëve të Kuvendit shqiptar.

- Kuvendi i Shqipërisë, me Ligjin Nr. 9063, datë 8.5.2003, përcaktoi detyrimet ligjore - ekzekutive "Për Statusin e trashëgimtarëve të Familjes Mbretërore".

Pas lindjes, në Atdhe vetëm 47 orë...

"Më 5 Prill 1939 në orën 5 të mëngjesit lindi Princi, Trashëgimtari i Shqipërisë. Sa u dha lajmi në popull se lindi një "Djalë Trashëgimtar i Shqipërisë", të gjitha demonstratat anti-italiane që vazhdonin gjithandej, menjëherë u kthyen në një buçitje gëzimi të papërshkruar, duke shfaqur simpatinë për Familjen Mbretërore e duke thirrur: "Rroftë Mbreti", "Rroftë Princi Trashëgimtar", "Rroftë Mbretëresha e dashur e jona"... Ky lajm gazmor menjëherë u hap në të gjithë anët e Shqipërisë. Kështu filluan festimet, gjithandej. Populli i Kryeqytetit plot gëzim, shkollat e vajzave e djemve, e populli mbarë edhe ushtria që ndodhej në Kryeqytet, filluan përgatitjet për të parakaluar para Pallatit, të mbledhur e të renduar në Bulevardet rreth Pallatit, duke kënduar këngë kombëtare e duke tërhequr valle nacionale. Në orën 10 të mëngjesit filluan të hidhen 101 topa dhe tamam në këtë kohë filluan parakalimet para Pallatit Mbretëror dhe brenda në lulishte. Ishin të radhitur shkollat, populli i veshur me kostum kombëtar e ushtria. Bandat luanin Himnin Mbretëror e të Flamurit. Mbreti Zog, bashkë me Qeverinë e Parlamentin, kishin dalë në lulishte e i falenderonin të gjithë parakaluesit. Nga të gjitha Prefekturat kishin nisur të vinin delegacionet e popullit në Kryeqytet për të shfaqur urimet gazmore, që Perëndia i solli popullit bujar mbas 500 vjetëve trashëgimtarin. Të gjithë ishin të veshur me kostume kombëtare. Tamam në kohën kur po kalonin shkollat e vajzave e të djemve para Mbretit të tyre, duke kënduar në parakalim, vjen me shpejtësi ministri i Punëve të Jashtme shqiptare, Ekrem Libohova, me një letër në dorë. Ai ia paraqiti Mbretit Zog. Ishte ultimatumi musolinian...

6 prill 1939. Njëzëri, Mbledhja e Asamblesë Kombëtare vendosi që sot Madhëria e Saj Mbretëresha me Princin Trashëgimtar të nisen prej Tirane për në Korçë... Zog I, Mbreti shqiptarëve, hyri në Mbledhjen e përgjithshme të Asamblesë Kombëtare në orën 12 të natës, datë 6 Prill 1939. Por, sa u ul, Kryetari i Parlamentit, Pandeli Evangjeli, në emër të Asamblesë Kombëtare i parashtroi vendimin e marrë kështu:

"Lartmadhëri, Parlamenti dhe Qeveria së bashku, duke marrë parasysh ngjarjet eventuale që mund të na lindin, minutë më minutë, për interesin e Atdheut e të nderit të shqiptarëve, mbarë e për të qenë të lirë në veprimet që Atdheu lyp prej nesh "vendosi" që Madhëria e Saj Mbretëresha, bashkë me Princin Trashëgimtar qysh sot të dalin nga Tirana për në Korçë. Ai vend u caktua më i përshtatshëm".

Pasi Mbreti Zog, pranoi vendimin e Parlamentit për nisjen e Madhërisë së Saj Mbretëreshës, bashkë me Princin Trashëgimtar, menjëherë u morën masat e përgatitjes, si të mjeteve dhe të sigurimit, që do të shoqëronin Mbretëreshën. Po ashtu dhe për sigurimin, si për rrugën, ashtu edhe për vendet e qëndrimit. Me Madhërinë e Saj Mbretëreshën, do të ishin edhe Princeshat, meqë Mbretëresha ishte mjaft e lodhur e me shumë temperaturë. Personeli mjekësor ishte i pajisur me të gjitha mjetet e nevojshme. Po ashtu, kishte edhe mjete të tjera ushqimore dhe ilaçet e nevojshme. Në orën 4.00 të mëngjesit të gjithë ishin gati për t'u nisur. Profesori Veibel, preferoi ta vendosim në një automobil Mbretëreshën, shtruar me një masllakë, e jo në autoambulancë, se rruga ishte e gjatë dhe jo e mirë. Nuk ishte e përshtatshme. Princi Trashëgimtar me një tjetër automobil Mercedes, i përcjellë prej Princesësh Adile, Doktor Mouhin Shahinit, kapiten Zenel Shehut, dy infermiere dhe Qazim Prenit. Po ashtu dhe të gjitha plaçkat e nevojshme të Princit me një automobil mbrapa. Princeshat Mbretërore ndjekin Mbretëreshën me dy automobila të tjerë dhe baronesha me Stavro Stavrin me një automobil tjetër. Po ashtu, ndjekin Mbretëreshën edhe dy kamiona me plaçka. Tre kamiona me ushtarë me toger Hilmi Kullën, prinin kolonën përpara, po gjithnjë në lidhje me qendrën e kolonës për sigurimin e Madhërisë së Saj, Mbretëreshës e të Princit Trashëgimtar. Shtatë kamiona me ushtarë me kapiten Halil Branicën, ndjekin kolonën mbrapa, dhe kanë me vete një stacion radio K3, për çdo eventualitet. Për t'u ndërlidhur me Komandën e Gardës Mbretërore me një parrullë të veçantë si edhe një shifër po të Komandës së Gardës. Lartmadhëria e saj, Mbretëresha bashkë me Princin Trashëgimtar në orën 4.15 të mëngjesit u nisën prej Tiranës për në Korçë me drejtim Krrabë, Elbasan, Librazhd, Qafë-Thanë, Pogradec e Korçë..."

Nga kronikat e kohës. Arkivi i Oborrit Mbretëror Shqiptar