Wednesday, August 11, 2010

Shqipëria, triumf modest kundër Uzbekistanit

Vendosi i zakonshmi Hamdi Salihi, goli i tretë radhazi për bomberin shkodran. Trajneri Kuzhe thelloi rekordin personal me shtatë miqësore pa humbje

Shqipëria, triumf modest kundër Uzbekistanit
Shqipëria fitoi 1-0 kundër Uzbekistanit në “Niko Dovana të Durrësit”, duke e zgjatur në katër serinë e fitoreve rresht dhe në nëntë ndeshje pa e ndjerë shijen e hidhur të humbjes, një rekord prej 25 muajsh, ku janë regjistruar gjashtë fitore dhe tre barazime (i fundit me Estoninë në Talin).

Trajneri Kuzhe thelloi rekordin personal me shtatë miqësore pa humbje.

Fitorja ndaj aziatikëve të Uzbekistani ishte e katërta rresht brenda vitit 2010, e që zgjidhet sërish me një gol, ashtu si kundër Irlandës së Veriut, Malit të Zi dhe Andorrës.

Fitorja ishte fryt i një goli të realizuar thjesht e pastër nga i zakonshmi Hamdi Salihi në minutën e 14-të (asist i mrekullueshëm i Ansi Agollit, pas pasimit të Ervin Bulkut).

Për sulmuesin e Rapidit të Vjenës ky ishte goli i tretë rresht në tri ndeshjet e fundit miqësore të Kombëtares dhe i pesti i tij me përfaqësuesen.

Në minutën e 27-të uzbekistanasit ekzekutuan rrezikshëm një goditje të lirë, por veterani Arjan Beqaj reflektoi shpejt duke e grushtuar me siguri sferën.

Pas gjashtë minutash, në të 33’, Erjon Bogdani e zotëroi mjaft bukur topin brenda zonës së vogël, sulmuesi i ri i Cezenës u rrotullua duke goditur me të majtën, por portieri uzbekistanas Nestorov u tregua i vëmendshëm, duke shmangur golin e dytë të Kombëtares sonë.

Ansi Agolli ndërmori një vertikale në minutën e 36-të, mesfushori i Karabakut në Azerbajxhan i dha një pasim të saktë Erjon Bogdanit, i cili gjuajti shpejt, por uzbekët e devijuan në goditje këndi.

Pas vetëm dy minutash, Salihi kombinoi saktë me Klodian Duro, ky i fundit me Agollin, i cili nga e majta e sulmit tonë ftoi Salihin para portës, por sulmuesi goditi jashtë kuadratit.

Minuta e 40-të ishte Bogdani, i cili goditi me kokë, por gjuajtja e tij edhe pse shumë afër zonës, ishte e lehtë dhe pa problem për portierin Nestorov.

Një minutë më pas Bogdani fitoi një goditje këndi, ndërkohë që në të 42’, Salihi goditi rrezikshëm me kokë, por pa rezultat.

Një mori e pafund rastesh për Shqipërinë, që deri në këtë minutë, mund të kishte shënuar më shumë se pesë gola.

Pjesa e dytë nisi më të njëjtin vrull të kuqezinjve, të mbështetur nga rreth 5 mijë tifozë në “Niko Dovana”, në një ngjarje të dyfishtë historike për impiantin durrsak: ndeshje e parë ndërmkombëtare e Kombëtares dhe ndeshja e parë nën dritat e prozhektorëve.


Në minutën e 55-të, trajneri kroat Josip Kuzhe hodhi në fushë mbrojtësin Andi Lila në vend të fantazistit Klodian Duro dhe anësroin Jahmir Hyka në vend të mbrojtësit Kristi Vangjeli.

Pas vetëm gjashtëdhjetë sekondash, Hyka ndërmoi një vertikalizim tipik të tij, duke iu afruar zonës së rreptësisë, por duke u ndalur aty.

Kuzhe në 59’ hodhi në fushë mesfushorin Dorian Bylykbashi në vend të sulmuesit Erjon Bogdani, i cili nuk shënon qysh nga miqësorja e fituar me Qipron 6-1, në gusht të vitit të kaluar.

Anësori i Dinamos, Elis Bakaj (62’), u hodh në fushë në vend të Ervin Bulkut (ende pa ekip), duke qenë kështu zëvendësimi i katërt për Kombëtaren tonë.

Seria e zëvendësimeve vazhdoi me Edmond Kapllanin (66’), sulmuesin durrsak të Augsburgut në Bundesliga 2, pikërisht në vendin e Hamdi Salihit, i larguar i shoqëruar nga duartrokitje të fuqishme.

Kuzhe u tregua një “gjeopolitikan”, duke hedhur në fushë durrsakun Emiljano Vilën në vendin e shokut të tij të skuadrës te Dinamo, Gjergji Muzakës.

Në minutën e 73-të ishte Kapllani protagonist i një rasti të bukur, teksa sulmuesi shmangu një mbrojtës uzbek, por goditja e tij brenda zonës u neutralizua pa problem nga portieri Nestorov i Uzbekistanit.

Në të 80’, një veprim spektakolar i Jahmir Hykës nga mesi i fushës, mesfushori i Mainc 05 shmangu dy kundërshtarë, por shpërthimi i ish-lojtarit të Tiranës u mbyll pa sukses.

Në të 82’, Elis Bakaj improvizoi brenda zonës së rreptësisë një pjesë nga repertori i tij, por goditja fine e mesfushorit të Dinamos pushoi mbi rrjetën e sipërme.

Edhe rasti i fundit i përket Elis Bakajt (92’), i cili goditi fuqishëm nga jashtë zonës, por portieri uzbekas e grushtoi topin, duke e devijuar topin në goditje këndi.

Testi kundër Uzbekistanit u dha fund përgatitjeve të gjata të Shqipërisë përpara se ajo të nisë fushatën e vështirë kualifikuese të Euro 2012-s, ku kuqezinjtë bëjnë pjesë në grupin D së bashku edhe me Francën, Rumaninë, Bosnjë-Herzegovinën, Bjellorusinë dhe Luksemburgun modest.


Shqipëri-Uzbekistan 1-0
Shënues: Hamdi Salihi 14’

E mërkurë, 11 gusht 2010
Stadiumi “Niko Dovana”, Durrës
Gjyqtar: Radonoviç (Mali i Zi)


NËNTË NDESHJE PA HUMBUR
Shqipëria nuk humbet prej nëntë ndeshjesh, qysh kur humbi me Poloninë 1-0 në Reutlingen të Gjermanisë nën drejtimin e holandezit Ari Han, më 27 maj 2008. Një serial i gjatë suksesesh dhe një rekord pathyeshmërie prej 25 muajsh.


SHTATË MIQËSORET E KUZHESË
Për trajnerin kroat të përfaqësueses miqësorja kundër Uzbekistanit ishte ndeshja e shtatë miqësore, ku ka koleksionuar 5 fitore (Qipro, Irlanda e Veriut, Mali i Zi, Andorra dhe Uzbekistani) dhe 2 barazime (Gjeorgji, Estoni).

MIQËSORET ME KUZHENË

Shqipëri-Gjeorgji 1-1
Shqipëri-Qipro 6-1
Estoni-Shqipëri 0-0
Shqipëri-Irlandë e Veriut 1-0
Mali i Zi-Shqipëri 0-1
Shqipëri-Andorrë 1-0
Shqipëri-Uzbeksitan 1-0

Miqësore jo zyrtare
Kosovë-Shqipëri 2-3

DHJETË MIQËSORET E FUNDIT

27.05.2008, Reutlingen
Poloni-Shqipëri 1-0
Trajner: Ari Han

20.08.2008
Shqipëri-Lihtenshtejn 2-0
Trajner: Ari Han

19.11.2008, Baku
Azerbajxhan-Shqipëri 1-1
Trajner: Ari Han

10.06.2009, Tiranë
Shqipëri-Gjeorgji 1-1
Trajner: Josip Kuzhe

12.08.2009, Tiranë
Shqipëri-Qipro 6-1
Trajner: Josip Kuzhe

14.11.2009, Talin
Estoni-Shqipëri 0-0
Trajner: Josip Kuzhe

03.03.2010, Tiranë
Shqipëri-Irlanda e Veriut 1-0
Trajner: Josip Kuzhe

25.05.2010, Podgoricë
Mali i Zi-Shqipëri 0-1
Trajner: Josip Kuzhe

02.06.2010, Tiranë
Shqipëri-Andorrë 1-0
Trajner: Josip Kuzhe

11.08.2010
Shqipëri-Uzbekistan 1-0
Trajner: Josip Kuzhe

E Merkure, 11 Gusht 2010

Vazhdon mungesa e informimit ne komunitetin shqiptar të Detroitit

Pjetër Jaku
Edhe pse ne komunitettin e shqiptarëve të Detroitit ka disa media, kohët e fundit po vihet re një praktikë e territ informativ, kur flitet për aktivitete, që mund të jenë të interesuar, jo vetëm komuniteti katolik. Në të vërtetë, është ndërtuar një Kishë, që falë mjediseve të saj, i ka kushtet për tubime masive, por nuk mund të jetë gjithçka për shqiptarët në Detroit. Ajo nuk mundet as nuk duhet të luaj rolin e udhëhesqjes së komunitetit, megjithëse në kushte e emigrimit nuk mund të udhëhiqet askush. Fokusimi pranë kësaj Kishe ishte rezultativ, deri kur nuk paragjykohej besimi i askujt dhe shqiptarët, pa dallim feje, konsideroheshin të një gjuhe e të një gjaku; vëllezër si i thonë. Në shtatë-tetë muajt e fundit po vihet re një ndarje e theksuar e komunitetit dhe përjashtimi i të gjitha mediave, duke u përqendruar organizimi në “ mendjet” e një grushti njerëzish, që nuk i kanë aftësitë intelektuale, për të bërë asgjë në të mirë të shqiptarëve të këtij komuniteti.Kjo po vihet re edhe tani në përkujtimin e 100 vjetorit të lindjes së Nënës Terezë. Duhet që komuniteti i Detroiti, ta mësoj këtë organizim nëpërmjet një gazette që botohet në New York, e cila ka një numër krejt të kufizuar abonentesh në Detroit, le që deri sa të mbrri ajo në Detroit, ka mbaruar aktiviteti. Thuhet se në Kishën e Shën Palit po u vendoska shtatorja e Nënë Terezës, me datën 26 Gusht të këtij viti. Thuhet se, më këtë rast, paska edhe simpozium shkencor, ku do te referojnë doktorët, që mbajne ende gradat e sistemit të qoftlargut, ose gradat që i kanë atribuar vetes me shërbimet e “ shquara” në të “ mirë’ të komunitetit. Kurorëzimi, si gjithnjë, do të jetë një darkë e pasur për organizatorët.Jam i sigurtë se Nënë Tereza nuk do e kishte pranuar një organizim të tillë, po aq sa jam i sigurtë se ky aktivitet nuk i shton asnjë vlerë Nënës Tereze. Vlera më e madhe për të do të ishte, sikur organizatorët të gjenin sponsorë, që gjithë fitimi i këtij aktiviteti të shkonte në Misonin e Nënë Terezës, për të cilin sakrifikoi gjithë jetën. Shumicës ( atyre që kanë mundësi intelektuale të lexojnë dhe fiksojnë figura si Nënë Tereza) u duhet treguar, se Nënë Tereza, nuk pranoi darkën e çmimit “ Nobël”, duke kërkuar që ato para të shkonin në missionin e saj për të varfërit.Thjeshtësia e Nënë Terezes nuk do e pranonte kurrë përcaktimin me superlative, nga ata që nuk mund të përcaktojnë as veprimtarinë e tyre si, bie fjala: “ Më e madhe se Gjergj Kastrioti-Skenderbeu”.Po të mos ishte Heroi Kombëtar Gjergj Kastrioti- Skenderbeu, ndoshta Nënë Tereza nuk do t’i kishte mundësitë që iu dhanë, për të qënë ajo që është: e perjetëshme!Mos abuzoni me figura të tilla, se është mëkat!Në komunitetin shqiptar të Detroitit funksionojnë tri Kisha, një Xhami, dhe një Teqe, funksionojnë disa shoqata aktive, krijues dhe intelektualë të të gjitha fushave. Dy Tlevizione, një revistë e përmuajshme, dy radio dhe disa botime elektronike, prej disa vitesh mbijetojnë, duke njoftuar gjithçka bëhët në këtë bashkësi. T’i anashkalosh këto, do të thotë meskiniteti dhe shpirtkeqësia është ulur këmbëkryq, tek ata përsona që organizojnë veprimtari të tilla.Duhet kuptuar dhe theksuar fort, se askush nuk ka asgjë me Kishën Katolike të Shën Palit,e cila është fryt i kursimeve disavjeçare të malësorëve bujarë, që e ndërtuan dhe po e mbajnë. Ajo është një vepër, që historikisht do të jetë shëmbull, pasi në themele të saj ka shumë vuajtje dhe shumë dashuri per Atdheun, për gjuhën shqipe dhe për fenë.


Monday, August 9, 2010

Banda e Durrësit kunati i Lul Berishës fshihet në SHBA

Plarent Dervishaj, kunati i Lul Berishës, (kapoja i Bandës së Durrësit,) dhe njëkohësisht krahu i djathtë i tij dyshohet se fshihet në Nju Jork të Amerikës.
New York Post shkruan sot se mes emrave të njerëzve të rrezikshëm dhe të akuzuar për vrasje e rrëmbim, në arrati dhe që jetojnë në Nju Jork është dhe Plarent Dervishaj.
37 vjecari së bashku me një anëtar tjetër të Bandës së Durrësit nuk janë ulur ende në bankën e të akuzuarve në procesin gjyqësor që zhvillohet në Gjykatën e Krimeve të Rënda.

Në faqen online të këtij sajti amerikan cilësohet Dervishaj si “armiku numër 1 i policisë shqiptare “.
“37 vjecari është në kërkim për disa ekzekutime, përfshi dhe vrasjen e një rivali në botën e krimit me antitank, kanë bërë të ditur autorietet.”- shkruhet në faqen amerikane.

Dervishaj besohet se është larguar nga Shqipëria në vitin 2006, duke i shpëtuar arrestimit, ndërkohë që autoritetet Nju Jorkeze besojnë se ai aktualisht fshihet në Nju Jork dhe se ka lidhjet e tij në Quins dhe Nju Xhersi.

Agjentët e FBI janë në kërkim të shqiptarit.
“ Emrat e personave që janë publikuar, janë persona të cilët kanë kryer krime të rënda” thotë agjenti special James Margolin, një zëdhënës i FBI i cili është në kërkim të Dervishaj, citon New York Post.

Në bandën e të akuzuarve si anëtarë të bandës së Durrësit janë ulur 17 të pandehur. Lulzim Berisha i cilësuar si kapoja i bandës, Indrit Dokle, Altin Olloni, Kujtim Buna, Sardjan Sulejmani, Adriatik Coli, Julian Meçe, Plaurent Dervishaj e Indrit Taullau, Jurid Xhunga, Edvin Hoxhosmani, Selman Heti, Spartak Kalthi, Alban Neli, Altin Nikolla si dhe dy kosovarë, Ahmet Ajeti dhe Osman Karpuzi.

Të pandehurit e "Bandës së Durrësit" akuzohen për të paktën nëntë vrasje, 11 plagosje, mbajtjen peng të një dëshmitareje, si dhe disa atentate. Banda dyshohet të ketë vepruar që nga viti 1992 deri në 2005, në qytetin e Durrësit. Fillimisht vepronte si një e vetme, por për shkak të prishjes së pazareve u nda në dy fraksione. Hakmarrja e ashpër mes grupeve rivale prodhoi dhjetëra viktima. Lulzim Berisha u arrestua në 2006 në Maqedoni
(s.g/BalkanWeb)

Sinan Hoxha heteroseksual!



Sinan Hoxha këngëtari popullor thyen heshtjen dhe ka pranuar të flasë në një intervistë të gjatë ekskluzive për “Gazetën Shqiptare” ne lidhje me historinë e dy të rinjve, Seldi dhe Domi, (dashuria e të cilëve lindi në realit show Big Brother), dhe marrëdhënien mes tij dhe Seldit.

Pas deklaratave të Domit se Seldi është gey dhe kishte marrëdhënie me Sinanin, në intervistën ekskluzive të botuar sot, këngëtari popullor tregon të vërtetën e fotove ku ai vetë dhe Seldi duken në momente intime.

Sinani jep përgjigje dhe pyetjeve se cilat janë preferencat seksuale. Marrëdhënia e vërtetë që ekziston mes tij dhe Seldit dhe komentet për deklaratën e ish banores së Big Brother.

(Balkan Web)


Sinan Hoxha: E vërteta e fotove të mia në plazh me Seldin
Sinan Hoxha, këngëtari më i përfolur sot në gjithë median për një "lidhje rozë" me Seldin e Big Brother 3, nuk duket shumë i shqetësuar për debatet më të fundit. Por, veç gjithë kësaj që ai e konsideron spekulim, është më i mërzitur, me disa foto që janë publikuar ditën e djeshme në një nga të përjavshmet rozë në treg, "Game Over", ku shfaqet, ashtu sikurse ne do ti riprodhojmë, foto në plazh të të dy miqve, Seldit dhe Sinanit.
"Kjo është e turpshme. Madje, e paimagjinueshme. Mund të trillojnë, por të censurohen fotot...këtë nuk e kuptoj pse po bëhet" thotë Sinani.
Popullaritet? Ia kthejmë menjëherë ne të Bluetooth.
Po mua nuk më ka rënë popullariteti, vazhdoj koncertet e mia dhe fansat më duan.
Po si është e vërteta e këtyre fotove?
Ne kemi qenë në plazh dhe kjo nuk fshihet sepse jemi me koncerte të planifikuara. Por, bashkë me ne, janë edhe mamatë tona. Madje, po në plazh, ka qenë me ne edhe Rozana Radi. Vetë unë kam qenë nëpër koncerte, dhe Seldi nëpër koncerte. Unë të hënën premtoj, pa 50 mijë euro, se do të bëj një rrëfim të plotë për gjithë këtë çështje në gazetën tuaj...
Kjo ka qenë përgjigja e Sinan Hoxhës, ndërkohë që në tavolinë bashkohet shumë shpejt dhe Rozi.
Sinani, vazhdon të ruajë qetësinë ndonëse temperaturat janë rritur ndjeshëm, me lajmet dhe fotot që publikohen çdo ditë në mediat rozë. Siç duket, për këngëtarin Sinan Hoxha, këto akuza nuk kanë kurrfarë rëndësie, andaj dhe nuk po reagon. Në lidhje me fotot e plazhit, gazetarët e suplementit "Bluetooth", kanë prova konkrete...
Mamatë e Sinanit dhe Seldit
Siç dihet është padiskutim e pritshme që një lajm i tillë të shkaktojë shqetësim dhe stres, në të dyja familjet e përfshira në këtë skandal, si në atë të Sinanit, ashtu edhe në atë të Seldit. Përgjatë gjithë javës që po lëmë pas, jemi përpjekur të komunikojmë me mamatë, e dy të "sulmuarve", deri sa më në fund arritëm t'i takonim ato në Vlorë, nën shoqërinë e djemve të tyre...Sinani dhe Seldi ishin të ftuar në këtë qytet, për të performuar në 2 diskoteka të ndryshme verore, dhe si pasojë kishin marrë me vete edhe nënat e tyre, për t'ua larguar në një farë mënyre mendjen nga mjegulla e thashethemeve që është krijuar tashmë në Tiranë. I pamë të katërt bashkë, ulur në një nga komplekset buzë detit dhe sigurisht nuk kishte si të mos kërkonim një prononcim prej mamave, në lidhje me deklaratën e Domenikës. Për to është sigurisht dyfish më e vështirë ta kalojnë këtë situatë, pasi përveçse u përkasin një tjetër brezi, nuk e njohin mirë këtë anën e errët të të qenit i famshëm, përgojimin. Megjithatë, insistimit të gazetarit të "Bluetooth" as ato nuk i rezistuan dot dhe të dyja në një gojë u përgjigjën: "Nuk flasim dot për një thashethem të pakuptimtë që përfshin 2 njerëz të po të njëtës familje." Sa i përket këtyre fotove, për të cilat kolegët, gazetarë, kanë bërë komentin e tyre, shprehet edhe këngëtarja Rozana Radi, mike e vjetër e Sinanit, që ishte gjithashtu atë ditë në plazh me to... dhe jo vetëm kaq, bashkë me deklaratën e Rozit, vijnë edhe fotot e saj me Sinanin, të shkrepura nga paparaci ynë, po atë ditë.
Rozi Radi, e shokuar nga lajmi
Një nga koleget e këngëtarit, Rozana Radi, tregon sot për suplementin "Bluetooth" se ditën që janë shkrepur fotot nga paparaci i gazetës rozë, ka qenë edhe ajo gjithashtu me Sinanin dhe Seldin. Në mbrëmje të dy këngëtarët kishin koncerte në destinacione të ndryshme, Rozi ishte e ftuar në Borsh, ndërsa Sinani në Vlorë, por plazhin preferuan që të dy ta kalojnë bashkë në Orikum. Kështu ndërsa kontaktuam me Rozin ajo na tha se: "Jam e shokuar nga deklarata e Domenikës që sipas meje nuk është aspak e vërtetë. Ka sa e sa vite që e njoh Sinanin, që kur kam filluar të këndoj. Kemi qenë bashkë të ftuar nëpër diskoteka të ndryshme në Gjermani, Zvicër, Greqi, dhe unë e kam parë me shumë femra Sinanin, plus kësaj i njoh dhe shumë të dashura. Nuk e kuptoj se si nuk i kanë publikuar asnjë foto këtij njeriu deri më tani. Dy zgjidhja ka ose Sinani ka qenë më i kujdesshëm seç duhet ose paparacët nuk kanë qenë edhe shumë të shkathët. Problemi është që një personazh publik, një artist me mend nuk ka pse të bëjë publike me dashje të dashurat e veta. Jeta private është jeta private, paçka se ka nga ata paparacët shumë të shkathët që mundin të shkëpusin momente intime. Po t'i rikthehemi deklaratës së asaj vajzës dhe fotove që janë përdorur, me duken absolutisht absurde. Unë nuk shikoj asgjë të keqe, që të ndihmosh një mik, një vëlla, një njeri që e njeh familjarisht, d.m.th, që kanë hyrje dhe dalje familjare për të bërë disa foto artistike. Unë nuk shikoj asgjë të jashtëzakonshme këtu, për më tepër asgjë për të publikuar një lajm të tillë, nesër mund të shoqëroj unë një shoqen time si më me eksperiencë në këtë fushë (fotografitë), dhe çfarë? Edhe mua nesër do të më nxjerrin lesbike? Problemi është se janë disa njerëz që duan të godasin Sinanin, duan ta shikojnë të rrënuar. Kam përshtypjen se nuk kanë për t'ia arritur, pasi Sinanin e do një diasporë e tërë dhe të gjithë kërcejnë dhe këndojnë këngët e tij. Për mendimin tim nuk ka më vlerë të merren me Sinanin, le të merren me këto që shpifin përmes emrit të Sinanit.
Jeta private
Asnjëherë më parë nuk është përfolur në lidhje me jetën e tij private, ndonëse miqtë e tij të afërt na kanë pohuar se Sinani ka shumë sukses me femrat. Në intervistat e mëparshme, Sinani gjithmonë ka dashur ta mënjanojë këtë pjesë, duke u përpjekur të ruajë privatësinë e tij, por edhe për faktin se asnjëherë nuk i kanë pëlqyer këto 'pompimet' nga ana e mediave për lidhje të ndryshme në botën e shoë-bizit shqiptar.
Karriera
Sinan Hoxha, është një ndër këngëtarët më të paguar në tregun muzikor shqiptar. Me një karrierë të gjatë në muzikë, ai mban mbi supe 7 albume tejet të suksesshme si dhe 5 koncerte recitale. Në rrethet e kolegëve përflitet të jetë më i paguari, por ne nuk dimë të themi se sa e vërtetë është kjo. Gjithkush prej rivalëve të tij, u gëzua kur pa deklaratën e Domit, duke menduar se tashmë atij do t'i ulet popullariteti. Por siç duket, edhe pas këtij skandali, Sinani vijon të jetë i preferuar nga publiku. Fotoja që sjellim sot në "Bluetooth", është shkrepur disa ditë pas publikimit të lajmit në një nga diskotekat verore në Durrës. Siç e shihni dhe vetë nga foto, salla është e mbushur plot me njerëz, rreth 3000 vetë, që kërcejnë e këndojnë së bashku me Sinanin këngët e tij. Ndërkaq, shumë njerëz janë në pritje të një deklarate nga ana Sinanit, për të cilën ne gazetarët e suplementit "Bluetooth", premtojmë se do të bëjmë të pamundurën për ta siguruar, me apo pa 50.000 eurot e kërkuara prej tij.

“Gratë s’ka nevojë për burra, për të pas fëmijë”



Aktorja Jennifer Aniston, insiston se gratë “nuk kanë nevojë” të kenë një burrë nëse dëshirojnë të kenë një fëmijë.

Në filmin e saj të ri “The Switch”, ish aktorja e serialit “Friends” – e cila është shkurorëzuar nga Brad Pitt – luan rolin e një gruaja e cila dëshiron të mbetet shtatzënë.

Gjatë një konference në një hotel të Beverly Hills të shtunën, Aniston (41) ka mbrojtur karakterin e saj duke thënë se tani mund të bëhesh nënë edhe nëse gjen një donator të spermës.

“Gratë janë duke e kuptuar dhe gjithmonë janë duke u vetëdijesuar se nuk kanë nevojë që të kenë burrë për të bërë një fëmijë”, tha ajo.

“Gjërat kanë ndryshuar dhe kjo është më të vërtetë interesante pasi që sot ka shumë opsione që të mbetesh shtatzënë edhe pse mund të presim shumë gjatë për ta bërë këtë”, ka thënë aktorja.

Me të zeza


Paris duket me kokën lartë derisa e veshur me fustan të zi me ca vija të bardha dhe me kapelë në kokë shëtitet nëpër rrugët e Beverly Hills gjatë vikendit.

Dhuntitë e njeriut rrinë në terr

Elsa Demo |

Bisedë me poetin Sokol Zekaj në dy mjedise: në Koplik dhe në Tiranë. Kthimi i zhgënjimeve dhe dështimeve në energji krijuese, qëndrimi ndaj letërsisë së realizimit socialist dhe pse beson që poezia nuk do të zhduket kurrë


Një pjesë e kësaj bisede me poetin Sokol Zekaj (1948) është bërë në qershor 2008 në një kafene në Koplik, ku ai jetonte deri vitin e kaluar. Sapo kishte nxjerrë në qarkullim librin "Pjekuria", përmbledhjen e krijimtarisë 25-vjeçare në poezi.


Një vit më pas boton "Mollët" (Botimet Camaj&Pipa, Shkodër, 2009) dhe kjo u bë shkas për të vazhduar një bisedë të lënë përgjysmë me këtë njeri që u bë poet në moshë të vonë.


Sokol Zekaj është autor i vëllime poetike "E pamundura" (1993), "Zogjtë e perëndimit" (1997), "Nga ankthi te...", "Kantik për hijeshinë e shiut" (2001) dhe "Vera fantastike" (2003) për të cilin fitoi çmimin kombëtar të letërsisë "Penda e Argjendtë". Shkroi më pas "Ylberet dalin kur s'i presim" dhe romanin "Orët e dëshmive".


Ka përkthyer në shqip nga poezia moderne evropiane e Baudelaire-it, Verlaine-it, Rimbaud-së, Mallarmé-së, Apollinaire-it, Paul Éluard-it etj.


"Mollët" botohet një vit pas "Pjekurisë" që ishte një korpus i krijimtarisë suaj 25-vjeçare. Atëhere sikur nuk mendonit të shkruanit një libër tjetër, të paktën jo kaq shpejt.
Vjen një ditë kur njeriu nuk do të shkruajë më. Kjo ditë vjen atëherë kur i shter një burim i brendshëm, që e ushqen, që e vë në lëvizje njeriun. Camu flet për këtë.


Pas vëllimit "Pjekuria" m'u krijua një kohë e lirë, kohë e papritur nga zgjedhjet lokale.
Poeti ka një kohë të brendshme i shkëputur nga koha e jashtme. Gjatë kësaj kohe ndodh një akumulim nga jeta, leximet, refleksionet. Kjo lëndë ngjishet dhe në kushte të caktuara kërkon të realizohet.


Te "Mollët" doja diçka tjetër nga poezia: një mënyrë më korrekte, atë që quhet shpjegim dhe interpretim i tokës dhe i hapësirës ku jetojmë. Sot e ndjej si detyrë (jo se ka ndonjë detyrë në këtë drejtim) të jap interpretimin e tokës ku jetoj. Kjo s'do të thotë që poeti të vihet në funksion të temave të ditës, të bëjë një poezi të angazhuar sociale-politike. Nuk është kjo.


Për të arritur mënyrën korrekte dhe objektive të të parit të botës dhe sendeve, duhej t'i referoheshit fillit të gjërave?


Ju niseni nga rrënjët e paraardhësit tuaj te poezia "Mollët" dhe prisni që ai të lerë gjurmët e veta në jetë. Patjetër. Njeriu është dëshmues, duhet të japë dëshminë se ka qenë në këtë botë.


Atëhere kur ju nuk mundnit të linit gjurmën tuaj, në vitet '70 është fjala, ishit në armiqësi me mjedisin. Do të tregonit për këtë?


Ka qenë një kohë kur kam sakrifikuar për poezinë pastaj poezinë për jetën. Është ndeshje me botën reale dhe padyshim që nuk fiton. Humbja është më e madhe se fitorja dhe fatkeqësia më e madhe se lumturia. Dhe këto i bëhen lëndë poezisë.
Unë nuk mund t'ju them tani kur erdhën dështimet në jetën time. Por këto zhgënjime kanë si produkt një energji prodhuese më të madhe se sa lumturia e cila kur kthehet në fjalë, nuk ka ndonjë produkt artistik.


Ishit kthyer nga studimet për Agronomi dhe ishit një specialist i bujqësisë në vendlindje. Nga ç'drejtim erdhi poezia?


Ishin vitet e kolektivizimit në masë. Kthimi në Koplik ishte i natyrshëm.
Rrugën e poezisë e gjeta nëpërmjet Nazim Hikmetit. Ka mundësi që tek ai gjeta një finesë dhe dritë që nuk gjendej as në atë kohë, as sot. Kjo ishte nyja që e përcaktoi rrugën time.


Pse pikërisht Hikmeti?


Në komunizëm ishte mundësia që të lexoje libra mesatarë që më shumë të shpenzonin kohë. Nazim Hikmeti më zbuloi prirjen drejt ku kam shkuar.
S'bëhet poezia duke shkruar herë për një gjë, herë për një tjetër, dhe as nga përvoja kalimtare.


E keni fjalën për letërsinë shqipe të realizmit socialist?


Ndër më të mirët e poezisë shqipe të kësaj kohe janë mesatarë.

Si e argumentoni?


Është problemi i individualitetit. Lidhja e poetit me poezinë është esenciale. Lidhja e poetit me poezinë qëndron në esencën e qenies, është një lidhje e pakëputshme.

Botuat poezi në "Nëntori" dhe, ndërsa "vrisnit veten nëpër fusha si specialist i bujqësisë", vjen më 1984 libri i parë, "Vise me diell".


Plenumi IV kishte mbjellë frikë. Libri u prit mirë, por s'ishte e mjaftueshme. Po atë vit u shkëputa nga poezia. Ishte një terror psikologjik. Ndjeja që isha vonë, kjo më shqetësonte. Isha mes dy ekstremesh: poezi të mira dhe punë të dobëta që s'kishin asnjë vlerë...Dikur poezia e realizmit socialist është shitur dhe shumë madje.


Keni shkruar brenda "vijës"?


Nuk kam asnjë poezi që ta kem shkruar brenda vijës politike, edhe pse ishte një përpjekje ime për të parë a mund të bëj si të tjerët, të shkruaj në seri dhe brenda vijës politike.


Poezia s'mund të bëjë moral, s'është e lejueshme. Ajo duhet t'i japë lexuesit ndjesi dhe shpresë, edhe frymë, edhe dëshirë.


Pas furtunave në shekullin e njëzetë, cilët shqiptarë mbeten poetë sipas jush?


Poradeci, Mjeda, që megjithëse nuk janë përkthyer, janë të rangut evropian. Koha ndryshon, rrjedh, gjuha ndryshon, plaket, por ata janë poetë.


Ndërsa shkruanit "Mollët" po zhvendoseshit nga Kopliku në Tiranë. Tani jetoni këtu.
Shënon ky libër edhe ndarjen nga një botë e gjelbër?


Në vitin '95 bëra dy poezi me motive vendlindjen. Vendi ku ti jeton, çdo metër katror është një univers: këtu është ajri, qielli, rruga, njeriu. Problemi është të zbulosh analogjitë e sendeve të këtij mjedisi.


Poezia ka brenda gjithë problemet që ka jeta e njeriut. Kështu që jeta ime absolutisht s'ka qenë poezi. Mund të jetë poezi, por veçse është poezi duke qenë jetë. Njeriu duhet të ketë aq intuitë sa të projektojë gjërat e veta. Zakonisht ai kërkon t'i ikë substratit të vet. E ka më të lehtë të dalë jashtë vetes se sa të hyjë brenda. Vetvetja është e vështirë dhe këtu është problemi.

Realiteti është ndërlikuar, është ndërlikuar bota materiale, njeriu është ndërlikuar. A mund të bëhet poezi që ta lexojnë gjithë këta njerëz që kalojnë në rrugë?


Jam i kënaqur me atë që kam bërë, sepse kam bërë një botë. S'ka kurrfarë vështirësie për t'u kuptuar poezia ime. Por së pari duhet pranuar akti i leximit.


Përparimi është që njerëzimi të ndriçojë aftësitë e veta. Kështu vjen rigjenerimi. Njeriu ditë për ditë, orë për orë, bën atë që përcakton rrugën e së nesërmes dhe ai duhet të jetë aq i zoti sa ta trajtojë si duhet rrugën e vet, të mos mbyllet ndaj cilësive të veta. Njeriu duhet të jetë i zoti për jetën, as i talentuar as dhe gjeni. Ky është problemi.

Cila është përgjigja e poetit për joshjen nga forcat e jashtme? Si i bëhet ballë presionit të dritave, reklamës, tundimeve që provon natyra njerëzore?


Po njeriu nuk është i mbinatyrshëm dhe këto që përmendi ju s'janë gjëra të dënueshme, por ama janë një presion i llahtarshëm që i lënë në terr dhuntitë e njeriut. Ka një rrugë ku njeriut i duket se ecën. Ka dhe një univers që e mbështjell këtë rrugë.


Kurse poeti nuk krijon rrugën ku ecim përditë. Është një botë tjetër, një arkitekturë tjetër ajo që krijon poeti dhe që i flet njeriut. Në këtë proces krijohet një lëndë poetike që e tejkalon përvojën e rrugës. Tek pasuria e kësaj lënde është dhe vlera. Personalisht poezia më ka ndihmuar për të jetuar. Ka poetë, shkrimtarë që duke pasur lidhje sipërfaqësore me letërsinë, e kanë shfrytëzuar atë për karrierë në fusha të tjera.


Tek libri i fundit keni një poezi: "Benz" quhet. E përmendim për dy motive: për futjen e fabulës në poezinë tuaj dhe për motivin urban.


"Benz" është një refleksion psikanalitik. Them se poezia duhet të sjellë trajta dhe ngjyra të ndryshme, të jetë si kristali. Ajo që lexoni ju, ndryshe mund të lexohet nga një tjetër. Poezia moderne të krijon mundësinë për të lëvizur brenda saj, dhe lexuesit i jep mundësinë të jetë bashkautor.

Krijimtaria juaj kapi një majë të lartë në vitet dymijë. Njohu vlerësimin e kritikës dhe vlerësimin e atij lexuesi për të cilin shtypen tirazhe 300 po edhe 100 kopje. Duke lexuar vëllimin e fundit vëren me kënaqësi që nuk ka humbur nga horizonti ajo majë që ngjitët në moshë të vonë.


Kam bërë ristrukturimin e veprës sime, e kam bërë varg për varg. Vepra është e bërë, po edhe sikur të mos shkruaj më asnjë rresht, vepra është kryer.


Më vjen ndër mend Paul Valery kur thotë se do vijë një kohë kur shenjat matematikore do ta mbushin vetëdijen e njeriut. Koha e ka vënë në provë poezinë, edhe sot është në provë. Nuk ka publik ose ka shumë pak publik poezia.


Megjithatë nuk do të zhduket sepse ajo është në natyrën e njeriut. Gjendet kudo ku ekziston e bukura. Gjithmonë do të ketë njerëz që do ta duan poezinë sepse ajo u krijon mundësinë që të marrin emocione estetike.


Kjo sigurohet me edukimin e lexuesit. Nëse realizohet ky edukim që në moshë të hershme, atëherë poezia bëhet e kapshme madje e dëshirueshme për ata që duan të përjetojnë emocione që nuk i gjejnë në jetën e përditshme madje as në artet e tjera. E përditshmja nuk është e mjaftueshme për ne, për jetën.

Herë pas herë u bëni homazh simbolistëve në librat tuaj. Rimbaud-së sidomos.
U përkas atyre që janë formuar në një moshë jo të re. Dikur përveç lirisë mungonte dhe kultura poetike. Dhe poezia është kulturë.


Simbolistët më kanë ushqyer dhe ata i kam vendosur brenda meje. Pse ka ndodhur kjo? Poetikisht nuk jetoj në botën shqiptare, por me poezinë franceze, italiane etj. Pas nëntëdhjetës s'e di si ndodhi, por hyra në punë tjetër, në bibliotekë.


M'u krijua mundësia për të punuar. Kisha kohën që më duhej. Te simbolistët gjeta pasurinë e shprehjes, më hapi shtigje se si mund të krijohet poezia. Por unë doja të bëja poezinë time. I pari që ma mësoi këtë ka qenë Rimbaud. Problemi ishte si të çlirohej imagjinata. Llogarit që gjatë realizimit -socialist imagjinata kishte rënë në nivele të mjerueshme.


Naiviteti, imagjinata, intuita të mpira si nën efektet e një narkoze, nuk ndodh e njëjta gjë në kohën tonë për arsye të tjera?


Njeriu duhet të jetë ai që është në esencën e vet më të zhvilluar, duke shpalosur gjithë ndjenjat, idetë, imazhet, gjithë çfarë mund të prodhojë qenia e njeriut.
Çlirimi i imagjinatës ndodh kur krijohet një marrëdhënie e plotë mes vetëdijes dhe pavetëdijes. Vijnë gjëra që nuk i ke menduar. Nganjëherë vijnë edhe ide.


Është një intuitë që vepron jashtë arsyes së zakonshme. Për shembull, Pesoa është një poet që s'ka më kufizime. Ka çliruar gjithçka. Ka pasur lidhje fatale me poezinë.


Me "Mollët" ju bëni një kthim te fëminia, por si një fëmijë i rritur që pasi ka provuar gjithë çfarë ka parë, e përkufizon botën sikur të jetë duke e zbuluar nga e para.
Më vjen mirë që e thoni këtë. Kjo përshtypje krijohet prej sugjestionit të poezisë. Sugjestioni që ty të lind, bën që ti të futesh në një botë që e pranon si të vërtetë edhe pse si ëndërr, të krijon emocione dhe të pëlqen të rrish te kjo botë.
Këtë kam dashur.


Amerikanët dhurojnë 3 anije për Rojën Bregdetare

XH. GRADICA
Flotilja e modernizuar dhe e cilësuar e “reagimit të shpejtë”

Departamenti amerikan i Shtetit i ka dhuruar Rojës Bregdetare Shqiptare tri anije patrullimi në kuadër të ndihmës së afruar për forcat detare. Anijet “Arc Angel” të reagimit të shpejtë kanë kushtuar 5.3 milionë dollarë dhe do të përfshihen në operacione shumë të rëndësishme. Komanda e Forcës Detare Shqiptare ka bërë të ditur se dy nga këto anije do të kalojnë për Flotiljen e Jugut dhe e treta do të shërbejë për Flotiljen e Veriut. Në saje të marrëveshjes së bashkëpunimit anijet e Rojës Bregdetare Shqiptare, të dhuruara nga SHBA-të, do të jenë aktive në operacione të rëndësishme në kuadër të koalicionit kundër terrorizmit. Këto mjete lundrimi kanë pajisje e teknologji bashkëkohore, duke bërë të mundur patrullimin në kohë e me cilësi të ujërave territoriale. Komanda e Forcës Detare ka theksuar se këto mjete lundrimi kanë një startim shumë të mirë, pasi në 13 sek. fitojnë një shpejtësi deri në 30 nyja në orë. Anijet janë 13 metër të gjata dhe lundrojnë shpejt edhe në një det të trazuar e me erë shumë të fortë. Kjo rrit në mënyrë të ndjeshme cilësinë e patrullimit dhe operacioneve të forcave të Rojës Bregdetare në ujërat e Adriatikut e të Jonit. Ekuipazhi i tyre shqiptar do të fitojë këto ditë kurse trajnimi, kryesisht për ndërtimin e anijes, instalimin dhe mirëmbajtjen e motorëve, sistemet elektronike dhe elektrike, pajisjet e komunikimit dhe lundrimit etj. Këto mjete janë parashikuar të kryejnë edhe inkursione të vështira, ndaj kanë dy motorë me 500 kuaj-fuqi. Tri anijet janë një tjetër dhuratë e Departamentit amerikan të Shtetit për Forcat Detare Shqiptare. Roja Bregdetare e vendit tonë ka mundur të bindë partnerët e huaj për rritjen e efikasitetit të sigurisë në ujërat kombëtare e ato ndërkombëtare si dhe në parandalimin e të gjitha trafiqeve ilegale, si trafiku i drogës dhe të qenieve njerëzore.

Të dhëna

“Arc Angel” ka:

Gjatësi -13 m

Gjerësi - 4 m

Lartësi - 3.8 m

Peshkim nga 0.3 deri 0.8 m

Peshë - 9.5 tonë

Shpejtësi 35 deri 40 nyja, shpejtësi ekonomike 30 nyja

Është e pajisur me 2 motorë 500 kuaj-fuqi dhe aparatura të tjera moderne.

Shqiptaret gjithenje per boten dhe asnjehere per veten.

Sami Frashëri



Shqiptarëtë gjithmonë janë vrar’ e përpjekurë e kanë cpërkaturë të tërë faqen’ e dheut me gjakt të tyre; po nga gjaku i Shqipëtarëvet të tjerë kanë fituarë, Shqipëria s’ka parë nonjë të mirë. Shumë shqiptarë janë çquarë e kanë treguarë vetëhenë në dituri e në të tjerë gjërëra; po me këta të tjerë mburenë e jo Shqipëtarët’ e Shqipëria.Me Pyrron’ e me Aleksandrinë mburenë Grekëritë e i quajnë Grekër, Maqedonasitë, që me trimërit e tyre muarrë gjithë botënë në pakë kohë nuk i suallë nonjë të mirë Shqipërisë, po Grekëritë, që ‘ishinë armikët’ e tyre, u ranë pas e i rrethuan, edhe këta fituanë nga gjaku që derdhë ata. Se Maqedonasitë përndanë nëpër gjithë vendet, që muarrë, gjuhën e qytetërin’ e Grekët e jo të tyren; q’ish shqipja. E shum’ e botësë edhe sot Maqedonasitë i zënë për Grekër. Vërtet, të mos ishin Maqedonasitë gjuha e Greqet e qyetëri’ e tyre do të mos kish marrë dot kurrë këtë bujë, që ka sot, edhe mbase do të kish humbur’ e t’ish harruarë fare; se shkoll’ e Aleksandrisë edhe të diguritë që arrinë n’Egjyptë në kohët të Ptolemenjet, e bënë gjuhën e qytetërin’ e Greqet të përndahetë e të dëgjohetë me gjith’ anët të dheut. Ptolemenjtë, q’ishin fjeshtë Shqipëtarët nga Çamëria e gjithë Maqedonasitë lanë gjuhën’ e tyre, shqipenë, me nj’anë të haruarë e të paditurë e vunë përpara greqishten, gjuhën’ e Dhimosthenit, që ka folurë aqë kuntrë Maqedonaset.Pas grekëvet erdhë Romanëtë; edhe këta fituan shumë nga Shipëtarëtë: trimëri’ e Shqipëtarëvet e mendj’e tyre shërbente mburjen’ e Romanëvet e jo të tyren. Shumë njerës trima e të diturë kan’ arriturë edhe në kohët të këtyre në mest të Shqipëtarëvet, po bota i ka njohur si Romanë e jo si Shqipëtarë.Pas Romanëvet u erth radha Tyrqet. Shqiptarëtë duke përzjerë me Tyrqitë, kanë marrë anë në gjithë luftërat, që bëninë e që fitonin këta kuntrë gjithë botësë; edhe më të madhe në trimëri e më të miratë punëra i bëninë Shqipëtarëtë, po emëninë e kishinë Tyrqitë, edhe gjithë bota i dinte Tyrq e njeri s’njihte si Shqipëtarë. Më të mbëdhenjt’ e më të mirët’ e Vezirëvet të Tyrqisë ishin Shqipëtarë, si Sinan-Pasha që ka marrë Jemenë e ka shpënë fjamurin’ e Tyrqisë gjer në detet t’Indisë, si Qyprilinjtë q’e kanë shpëtuarë mbretërin’ e Tyrqisë nga një rezik të math e e forcuan aqë këtë mbretëri, sa van’ e rrethuan Vjenënë. Edhe shumë të tjerë njerës të mbëdhenj e burra tirma kan’ ardhurë, prej të cilëve Tyrqia ka fituarë shumë, po Shqipëria aspakë.Në kohërat e pastajme Shqipëtarëtë myslimanë kanë punuarë e janë vrarë për Tyrqitë e Shqipëtarëtë e krishtenë për Grektë, për këta dy kombe të cilëtë as njëri as tjatri s’ua dinë të mirënë e ja u çpërblejnë me të keqe duke përpjekurë për humbjen’ e kombit shqiptar. Boçari, Xhjavella, Miauli e të tjerë më të shumët’ e trimave, që janë përpjekurë për ngjalljen’ e për dlirin’ e Greqisë, kanë qenë fjeshtë Shqipëtarë e jo fare Grek; po nga trimëri’ e tyre ka fituarë shumë Greqia e jo fare Shqipëria. Në syt e botësë lëftoninë Greqtë e Tyrqitë, po në të vërtetët luftonin Shqiptarët’ e krishtenë me Shqiptarëtë myslimanë.Kur muntnin’ ata, fitonte Greqia; kur muntninë këta, fitonte Tyrqia; po gjaku që derdhesh nga të dy anëtë, ish gjak Shqipëtari. Shqipëtarëtë vritenë vëlla me vëlla, të tjerë fitojnë...Shqipëtari e ka derdhurë gjithnjë gjaknë pa kursim, po e ka derdhurë kot; kurrë Shqipëria s’ka fituarë nga gjaku i Shqipëtarëvet: gjithnjë të huaj edhe armikë të Shqipërisë kanë fituarë nga ay gjak i vjejturë e i derhdurë pa mendim!Jo vetëm me kordhë e me gjak,po edhe me pëndë e me mënt Shqipëtarëtë kanë shërbëtuarë gjithënjë të huajtë. Me të mos shkruarë gjuhën’ e tyre janë shtrënguarë të shkruajnë greqisht, llatinisht, shqahisht, tyrqisht a arabisht; edhe me emënit të tyre mburenë të zott e këtyre gjuhëve e Shqipëtarëtë pandehenë t’egër’ e të paditurë, gjith’ i qeshinë duke thënë se ja u ka ngrënë buallica livrën’ e tyre. Po Aristoteli, m’i madh i filosofëve të Greqisë së vjetërë, ishte maqedonas, do-me-thënë Shqiptar e jo grek. Vërtet në Stagjyrë, tek kalindurë ishin edhe ca Greq t’ardhurë, po fytyr’ e Aristotelit, që shohim n’agalmët të ti edhe gjuha greqisht, q’e ka shkruarë të përtuarë e jo aqë të drejtë si dhe miqësia, që kish me Filipnë, anëmikn’ e Greqet, e të tjera shenja tregojnë se ky filozof i math nuk ish lindurë prej nonjëj nga Greqia, që kishin ardhur në Stagjyrë, po prej një stagjyraku vëndës e ish maqedonas, do-me-thënë Shqipëtar i thjeshtë. Në kohët të Tyrqet kan’ ardhurë shumë Shqipëtarët të diturë, që kanë shkruar livra e vjersha turqisht a arabisht. Vetëm vjershëtarëtë shqipëtarë, që kanë shkruarë vjersha turqisht janë aqë të shumtë sa emënat e tyre mundt të mbushinë një livrë të tërë. Jahja-Beu, q’është një nga më të mbëdhenjt’ e nga më të dëgjuarëtë e vjershëtarëvet tyrq, është shqiptar.Shqipëtarët e kanë tregua gjithë jetënë që janë të zottë edhe me kordhë edhe me pëndë, edhe me trimëri, edhe me mënt e me dituri, e Shqipëria ka nxjerrë shumë njerës të çquar’ e me nam të math, po nonjë nga ta s’ka punuarë për Shqipërit’ e cila ka mbeturë gjithënjë e varfërë e e padëgjuarë, e me djemt’ e saj mburenë të tjerë vende e të tjerë kombe. Është ndodhurë një shqiptar i zoti të ngjallnjë Ejgyptënë e të bënjë prej këti vendi të humbur’ e të prishurë, si ish atëherë, një vënt të pasur e të ndrituarë, si është sot. Një Mehmet-Ali, shqsipëtar i pamësuarë u ndoth i zoti të shpëtonjë kështu një vënt të huaj e të largë, po kurrë një shqipëtar s’është ndodhurë t’i bënjë Shqipërisë një të mirë të këtillë.P’andaj duke mbaruarë këtë fjalë, themi prapë me hidhërim zëmre që: Shqipëtarëtë kanë punuarë gjithëmonë për botënë e jo kurrë për vetëhe. Vetëm një Skënderbe ka punuarë, në kohërat e shkuara për Shqipërinë e vetëm ay është me të vërtetë mburje për Shqipërinë.


Imazhe të hapësirës së pafund- Regjizori Wim Wenders bëhet 65 vjeç

Wim Wenders është figurë shumë e rëndësishme e filmit gjerman. Regjizor, fotograf dhe autor, Wim Wenders ka lindur në vitin 1945 në Dyseldorf. Ditën e shtunë ai mbush 65 vjeç.

Vepra e Wim Wenders është shumë e pasur. 40 filmat dhe shumë librat e tij karakterizohen nga të njëjtat rrënjë, nga pasioni për historinë e filmit, kryesisht të atij amerikan dhe për muzikën rok të viteve 60-të dhe 70-të.

Dashuri për filmin amerikan

Që kur ishte student në Mynih, Wim Wenders pati formuluar kredon e tij estetike në gazetën "Kritikë filmi": Atij i pëlqente qetësia dhe gjakftohtësia e filmave amerikanë western, filmave totalë amerikanë që mbahen nga muzika. Wim Wenders ka menduar gjithnjë me imazhe. Nuk është çudi, fillimisht ai ka dashur të bëhet piktor. Fotografitë e tij të publikuara në vëllimin «Written in the West» (1987) flasin për një sy intuitiv. Edhe e shoqja, Donata është fotografe.

Paris Texas Bildunterschrift: Paris Texas

Filmat e parë të Wenders-it, "Alice në qytete" 1974 dhe "Në rrjedhën e kohës" 1976 tregojnë origjinalitetin e talentit të tij. Të dy filmat ishin Road Movies, një zhanër tipik amerikan. Wenders ndjek shembujt, duke mos i kopjuar ata, por duke i përkthyer në gjuhën e vetë të filmit. Alice është një vajzë nëntëvjeçare, që një gazetar nga Nju Jorku e dërgon tek e gjyshja në Gjermani. "Në rrjedhën e kohës" dy burra që janë takuar rastësisht udhëtojnë përgjatë kufirit gjermano- gjerman. Filmat tregojnë si lind miqësia, por tregojnë ndërkohë në mënyrë subtile edhe gjendjen në Republikën Federale Gjermane në ato vite.

Nderim për kolegët e mëdhenj

Një moment i rëndësishëm në jetën e Wenders-it ka qenë në vitin 1969 me filmin "Easy Rider" të dhe me Dennis Hopper-in, një histori e treguar nga njerëz të huaj mbi pafundësinë e peizazheve amerikane. Tetë vjet më vonë Hopper-i luan rolin e vrasësit Riplay në filmin "Miku amerikan". Në "Palermo Shooting" të vitit 2008, Hopper luan vdekjen. Edhe kjo është për Wim Wenders-in histori filmi, nderimi i kolegëve të mëdhenj.

Hanns Zischler -Bildunterschrift: Hanns Zischler -"Në rrjedhën e kohës", 1976

Në vitin 1989 Wenders xhiroi «Nick's Film - Lightning Over Water», një homazh për Nicholas Ray, të njohur kryesisht nga filmi "Ata nuk e dinë çfarë bëjnë" të James Dean. Filmin e tij «Tokyo-Ga», Wenders ia kushton regjisorit të tij të preferuar Yasujiro Ozu (1903-1963). Në vitin 1995, në filmin "Përtej reve", Wenders mori nga Michelangelo Antonioni vazhdimin e regjisë, sepse ky u paralizua nga një hemoragji cerebrale.

Kthimi në tregtimtar

Në fund të viteve 70-të Wenders shkoi në SHBA, ku jetoi 16 vjet. Në filmat e prodhuar atje, Wenders kthehet gjithnjë e më shumë nga prodhues imazhesh në tregimtar. «Paris, Texas» (1984), është historia e një dashurie të vështirë të e ngritur mbi bazën e dramatikut Sam Shepard, prezanton lidhjen midis kinemasë tregimtare amerikane dhe të një autori gjerman filmi. Filmi mori në Kanë, Palmën e Artë.

Në SHBA, Wenders-it iu zgjua edhe interesi në filmin gjerman dhe evropian. Dy filmat e tij simbolik për Berlinin, "Qielli mbi Berlin" (1987) dhe vazhdimi i tij në një version më të dobët, "Në largësi, kaq të afërt!" (1993) tregojnë për këtë. Figurat kryesore janë Engjëlli Damiel (Bruno Ganz) dhe Cassiel (Otto Sander). Damieli kthehet në njeri, Cassieli mbetet engjëll dhe të dy përjetojnë në mënyra të ndryshme Berlinin para dhe pas rënies së murit më 1989.

Wim Wenders me Pina BauschBildunterschrift: Wim Wenders me Pina Bausch

Filmat e Wenders-it kanë shpesh një dimension fetar. Ai thotë se është "kristian i bindur". Në vitin 1968 ai është larguar nga kisha katolike, por është futur 20 vjet më vonë në kishën evangjeliste.

Kualiteti emocional i filmave të Wim Wenders-it tregohet edhe në muzikën që ai përdor. Për filmat e tij ai ka porositur krijime të reja. Kitaristi Ry Cooder ka shkruar muzikën për "Paris, Texas" dhe "Në fund të dhunës" (1997). Cooder ka qenë edhe iniciatori për «Buena Vista Social Club» (1999), filmin dokumentar që shkaktoi rizbulimin e muzikës popullore kubane, një prej filmave më të suksesshëm të Wim Wenders. I karakterizuar nga muzika është edhe projekti i tij i ri, një portret për koreografen Pina Bausch.

Autor: Agjensitë/ Aida Cama

Redaktoi: Vilma- Filaj Ballvora

Neutralitet i kufizuar – Raportet mes kishës dhe shtetit në Gjermani

Marrëdhënia e ngushtë e partneritetit mes Kishës dhe shtetit në Gjermani nuk është aq e lehtë të zhbëhet, megjithë ndarjen në parim mes të dyve. Bashkësitë e krishtera në Gjermani gëzojnë status të veçantë

15 vjet më parë (10.08.) vendimi i gjykatës kushtetuese për kryqin i trazoi shpirtrat në Bavari. Dy prindër ishin ankuar atëherë ndaj rregullit, që në shkollat popullore në Bavari të vendosej kryqi i krishterë. Gjykatësit kushtetues në Karlsruhe në vitin 1995 u dhanë të drejtë dy prindërve, duke iu referuar detyrimit të shtetit për neutralitet. Por marrëdhënia e ngushtë e partneritetit mes Kishës dhe shtetit në Gjermani nuk është aq e lehtë të zhbëhet, megjithë ndarjen në parim mes të dyve. Dhe kështu në Bavari është sërish në fuqi rregulli për vendosjen e kryqit në në klasat e mësimit, vetëm se me një formulim të ri. Statusi i veçantë që gëzojnë bashkësitë e krishtera jo vetëm në Bavari por në gjithë Gjermaninë bëhet edhe më i dukshëm në sfondin e rritjet së pranisë dhe perceptimit publik të fesë islame. Ky status i veçantë ka rrënjë të thella në histori.

Zyrat shtetërore të tatimeve mbledhin kuotat e anëtarësimit të kishave të krishtera në bazë të të ardhurave personale të qytetarëve.Bildunterschrift: Großansicht des Bildes mit der Bildunterschrift: Zyrat shtetërore të tatimeve mbledhin kuotat e anëtarësimit të kishave të krishtera në bazë të të ardhurave personale të qytetarëve.

Rrënjë të thella në histori

Kur kishat e krishtera në Gjermani thërrasin besimtarët në meshë, ato nuk i tërheqin ata me porosi të shtetit, shteti është ideologjikisht neutral. Por kjo nuk e pengon atë të kujdeset për një raport të veçantë partneriteti me Kishën. Laikët gjermanë pas Luftës së Parë Botërore luftuan për modelin konsekuent francez: "Qysh në revolucionin e nëntorit (rrëzimi i monarkisë në vitet 1918/19) pati një përpjekje për të realizuar një ndarje krejt radikale të shtetit nga Kisha. Por kundër saj Kisha e Katolike dhe ajo Protestante mobilizuan përkrahësit e tyre dhe me demonstrime masive e penguan ndarjen radikale: atëherë grindja shpërtheu para së gjithash për temën konfliktuale të mësimit fetar në shkolla", thotë historiani i kishës nga Dortmundi, Michael Basse.

Megjithëse shteti nuk mund të përcaktojë vetë përmbajtjen e mësimit fetar, ai garanton për të një vend të caktuar në kurrikulën mësimore. Ngjashëm ndodh edhe me kualifikimin teologjik në universitetet shtetërore, ku Kisha përcakton qartë bashkë me shtetin përmbajtjen.

Katedralja e KëlnitBildunterschrift: Katedralja e Këlnit

Taksa për Kishën

Unike në të gjithë botën është në Gjermani e ashtuquajtura "taksë për Kishën": zyrat shtetërore të tatimeve mbledhin kuotat e anëtarësimit të kishave të krishtera në bazë të të ardhurave personale të qytetarëve. Ndarja e sotme e punës daton që nga ligji i i Vajmarit për fenë i vitit 1919, dhe parashikon trajtim të qartë preferencial për kishat e krishtera: "Në kushtetutën e Vajmarit flitet vërtet për bashkësi fetare por faktikisht janë veçuar Kisha Katolike dhe ajo Protestante pasi ato janë bërë ente të së drejtës publike. Me këtë janë të lidhura privilegje të caktuara si p.sh. avantazhe fiskale dhe kjo i dallon kishat nga grupe të tjera fetare."

Kisha kryen detyra sociale të shtetit

Krahas taksës për kishën dhe mësimit fetar një nga fushat ku shteti dhe kisha bashkëpunojnë ngushtë është përkujdesja shpirtërore në ushtri. Edhe shumë spitale, azile të moshuarish, kopshte fëmijësh dhe struktura kualifikimi janë në Gjermani në duart e Kishës, e cila kryen kështu praktikisht një pjesë të detyrave sociale të shtetit. Në këmbim shteti angazhohet për mbrojtjen e ditëve të diela dhe atyre të pushimit dhe u vë kishave në dispozicion kohë transmetimi në programet në radion dhe televizionin publik.

Kisha kryen detyra sociale të shtetitBildunterschrift: Großansicht des Bildes mit der Bildunterschrift: Kisha kryen detyra sociale të shtetit

Në financimim e Kishës në Gjermani marrin pjesë të gjithë taksapaguesit: pasi krahas taksës për Kishën, Kisha Katolike dhe Protestante marrin çdo vit më shumë 400 milionë euro nga buxheti publik. Me këto para paguhen për shembull rrogat e ipeshkvijve. Këto pagesa kompensuese e kanë zanafillën në epokën e Napoleonit, kur prusianët në fillim të shekullit të 19-të shpronësuan kishat. Si kompensim për tokat me të ardhurat e të cilave Kisha ishte financuar deri atëherë, shteti merrte pjesë në mbulimin e shpenzimeve rrjedhëse të Kishës. Kjo traditë nga e kaluara vazhdon deri në ditët e sotme në formën e kontributeve shtetërore, të cilat bëjnë që edhe ateistët dhe myslimanët të kontribuojnë në financimin e ipeshkvijve të krishterë.

Kush kërkon të reformojë rrënjësisht ndërthurjen e ngushtë mes shtetit dhe kishave në Gjermani, duhet të kapërcejë pengesa të vështira. Kontratat mes kishave dhe shtetit si dhe ato mes Vatikanit dhe Republikës Federale të Gjermanisë mund të anulon vetëm nëse bien dakord të dyja palët.

Autor: Andreas Noll/ Eliana Xhani

Redaktoi: Aida Cama

Uzbekistani, testi i fundit kuqezi para fushatës eliminatore për “Euro 2012″

Më 11 gusht, të mërkurën, në orën 20:30, stadiumi “Niko Dovana” i Durrësit do të presë për herë të parë një ndeshje të kombëtares kuqezi, zyrtare, edhe pse miqësore. Pikërisht stadiumi në fjalë do të jetë edhe “arena”, ku kombëtarja e Shqipërisë do të testojë vetveten, në prag të nisjes së kualifikueseve në grupe për Euro 2012. Trajneri Josip Kuzhe do t’i shikojë të tijtë në veprim, për të ditur më shumë se ku është secili lojtar kuqezi me përgatitjet, por edhe grupi, mbi të cilin mbështetet përfaqësuesja jonë e futbollit. Miqësorja e së martës do të luhet ndaj Uzbekistanit, sikurse thamë, në kuadër të pëgatitjeve për fushatën eliminatore të Euro 2012-ës. Sikurse dihet, më 3 shtator, kuqezinjtë do të ndeshen me Rumaninë në transfertë, ndërsa katër ditë më pas me Luksemburgun në shtëpi, duke stratuar kësisoji zyrtarisht edhe fazën eliminatore në grupe për këtë event. Grumbullimi i kombëtares është bërë që prej së dielës në hotel “Tirana International”. Si rrjedhojë, edhe stërvitja do të zhvillohet në kryeqytet. “Selman Stërmasi” dhe “Skënder Halili” janë dy fushat, ku kuqezinjtë do të zhvillojnë seancat stërvitore para ndeshjes miqësore.
Kombëtarja nuk gjen fushë për stërvitje
Mosakordimi i punëve të kombëtares kuqezi, kryesisht nga sektori përkatës në FSHF, që merret me organizimin e programit stërvitor gjatë grumbullimit para ndeshjeve, ka bërë që të hënën të ndodhë një cudi “made in Albania”. Që nxjerr në pah sërish amatorizmin dhe rrokopujën që ekziston në futbollin shqiptar. Edhe kur bëhet fjalë për kombëtaren, që është pika më kryesore e futbollit të një vendi. Kështu, e grumbulluar në Tiranë, kombëtarja ka qenë e detyruar të hënën të lëvizë “si cifuti në shkretëtirë”, për të gjetur një mjedis ku të zhvillonte seancën stërvitore. Seanca e pasdites së të hënës është shtyrë në orar, nga 18:00 në 18:30, gjë që e ka nervozuar jo pak trajnerin kroat Josip Kuzhe. Në kompleksin sportiv “Skënder Halili”, në orarin e paralajmëruar për stërvitjen e kombëtares, po zhvillonte seancën e vet stërvitore Tirana, e kthyer nga përgatitorja e Pukës. Për pasojë, lojtarët kuqezinj janë detyruar të shkojnë në stadiumin “Selman Stërmasi”, por edhe aty ishte e pamundur të stërviteshin. Në këtë stadium kishte filluar stërvitjen ekipi kundërshtar i Uzbekistanit, i cili mbërriti ditën e sotme në Tiranë. Një konfuzion I madh ka përfshirë stafin teknik të kombëtares, por edhe vetë lojtarët, që janë parë tepër të irrituar nga kjo situatë absurde. Në këto kushte, kombëtarja është rikthyer sërish në kompleksin “Skënder Halili”, ku ka filluar stërvitjen fillimisht në anekin e tij, në pritje të përfundimit të stërvitjes së Tiranës.
Lojtarë pa ekip dhe nga kampionati shqiptar!
Nëse mund të ketë një të ashtuquajtur “viti zero“, ky ka mbërritur për kombëtaren shqiptare në futboll. Mjafton t’u referohesh disa argumenteve bazë të lojës së futbollit, për të mbërritur në këtë përfundim. Të tillë si mungesa e ekipeve për disa titullarë kuqezinj, apo provat e dështuara të elementëve të rinj jashtë kufijve. Cka e shtrëngon lakun deri në atë pikë, sa “frymëmarrja“ për trajnerin Kuzhe bëhet më e vështirë se kurrë. Natyrisht, edhe shanset e kuqezinjve për të bërë dicka pozitive në eliminatoret në grupe të Euro 2012, minimizohen maksimalisht. Kështu, kombëtarja kuqezi ka “humbur“, të paktën përkohësisht, të pazëvendësueshmnin deri tani, Ervin Skelën, i cili, nga ana e vet, duhet përgëzuar, sepse ka treguar dinjitet, duke mos iu bërë “barrë“ kombëtares, në kushtet kur është pa ekip. Por, pa ekip janë edhe lojtarë të tjerë, duke nisur nga zëvendësuesi i Skelës, i thirrur në kushtet emergjente. Dorian Bylykbashi është “de facto“ pa ekip, kështu që forma e tij sportive, në kushtet e negociatave për një ekip të ri, mbetet për t’u parë, ashtu sikurse edhe kompensimi i mungesës së Skelës. Për të vijuar më tej, me Klodian Duron, Gilman Likën, Ervin Bulkun, Kristi Vagjelin, që të gjithë pa ekip. Një situatë alarmante, që tregon se kombëtarja kuqezi ndodhet para udhëkryqit të vërtetë, ku “legjionarët“ pa ekip s’mund të afrojnë kushedi se cfarë, përderisa po sorollaten si “cifuti në shkretëtirë“, në kërkim të sistemimit të vetvetes, ndërsa lojtarët e kampionatit modest shqiptar nuk e kanë cilësinë e nevojshëm, për të përfaqësuar me dinjitet fanellën kuqezi. Mjafton të kujtojmë faktin se elementi më i spikatur i superligës sonë, Elis Bakaj, nuk mundi të kalonte askund, në një skuadër jashtë kufijve, sepse atje “flitet ndryshe“. Pra, shtatori duket se po vjen, ndërkohë që kombëtarja kuqezi gjendet në pikën e saj më kritike.
Bylykbashi në vend të Skelës, mungon Basha
Josip Kuzhe ka shpallur listën e Kombëtares për ndeshjen miqësore ndaj Uzbekistanit, takim i cili do të luhet më 11 gusht në stadiumin “Niko Dovana” të qytetit të Durrësit. Bie në sy mungesa e Ervin Skelës, i cili nuk e ka pranuar ftesën e trajnerit të përfaqësueses shqiptare. Arsyeja: lojtari është ende pa skuadër dhe në këtë gjendje nuk është ndjerë qoftë moralisht, por edhe fizikisht i aftë për t’u grumbulluar me ekipin për këtë ndeshje. Një gjë të tillë s’e kanë bërë lojtarë të tjerë, edhe ata pa ekip, si K.Duro, Bylykbashi, K.Vangjeli, G.Lika, E.Bulku etj. Mësohet se Skela i ka pohuar vetë Kuzhesë para disa ditësh, se nuk do të vinte për ndeshjen ndaj Uzbekistanit, duke e konsideruar veten “të tepërt”, përderisa nuk ka gjetur skuadër për sezonin e ri futbollistik. Ftesa ndaj fantazistit të Kombëtares qe dërguar në adresën e klubit të TuS Koblenzit, skuadra e fundit për të cilën ka luajtur Skela. Menjëherë pas refuzimit nga ana e vlonjatit, Kuzhe është vënë në lëvizje duke grumbulluar Dorian Bylykbashin, lojtar të cilin e pat thirrur edhe vitin e kaluar, sapo kroati kishte marrë drejtimin e kombëtarës shqiptare. Gjithsesi, edhe Bylykbashi është në “ujëra të turbullta” përderisa nuk ka gjetur definitivisht skuadrën me të cilën do të aktivizohet për sezonin e ri. Mesfushori rezulton si lojtar i Dnjepër në kampionatin ukrainas të futbollit, por realisht, ai sikundër edhe Bulku janë “de fakto” të larguar nga ky klub dhe tani thjesht po negociojnë për zgjidhjen e kontratës dhe marrjen e dokumentacionit. Bylykbashi kërkohet nga Dinamo dhe me gjasa do të firmosë për këtë ekip, ndërsa Bulku ka snobuar sërish kampionatin shqiptar, duke shpresuar në një kontratë jashtë. Veç tyre, në “ditë të hallit” janë edhe Klodian Duro e Gilman Lika, dy lojtarë këta që nuk kanë momentalisht skuadër. Që të dy mendohet se do të rikthehen në Shqipëri, pasi një ardhme e tyre në kampionatet e huaja duket mëse e zymtë.
Ndërkohë, jashtë kësaj miqësoreje ka mbetur Migjen Basha, për të cilin u tha më parë se tashmë është pjesë e kombëtares kuqezi. Edhe pse u përfol shumë, madje edhe vetë trajneri i kombëtares, përsëri Migjen Basha nuk është thirrur për ndeshjen e 11 gushtit. Duke humbur një mundësi të artë për ta parë në një ndeshje miqësore lojtarin në fjalë, që luan në në Itali. Mendohet se shkak mund të jetë mospajisja në kohë e lojtarit me pasaportë shqiptare.
Uzbekistani, testi i fundit miqësor
Ekipi kombëtar shqiptar do të zhvillojë më 11 gusht testin e fundit përpara fillimit të Eliminatoreve të Kampionatit Evropian. Kundërshtari i ekipit përfaqësues A, të drejtuar nga trajneri Josip Kuzhe, do të jetë ekipi i Uzbekistanit. Trajneri dhe stafi i tij do të kenë mundësinë që të kryejnë kolaudimet e fundit, përpara se ekipi të zhvillojë takimet e para eliminatore më datat 3 dhe 7 shtator. Përpara këtij takimi Shqipëria ka zhvilluar edhe tre takime miqësore, gjatë këtij viti. Kështu kombëtarja ka fituar në Tiranë, kundër Irlandës së Veriut, më 3 mars 1-0. Me të njëjtin rezultat, kombëtarja ka mundur edhe Malin e Zi më 25 maj në Podgoricë dhe me Andorrën më 2 qershor në Tiranë.

Lista e lojtarëve anti-Uzbekistan
Trajneri i kombëtares, Josip Kuzhe, ka bërë para pak ditësh publike listën e futbollistëve që do të grumbullohen për miqësoren e 11 gushtit, ku përballë kuqezinjve do të jetë Uzbekistani. Në listën e bërë publike nuk ka shumë surpriza, por ajo që bie në sy është mungesa e kapitenëve Ervin Skela dhe Altin Lala, si dhe rikthimi në kombëtare i mesfushorit Dorian Bylykbashi. Kroati i pankinës së Shqipërisë ka menduar që për këtë test të 11 gushtit të thërrasë 22 lojtarë, pjesë e së cilës janë tre portierë. Për arsye dëmtimi, portieri veteran Arjan Beqaj ka munguar në grumbullimet dhe ndeshjet e fundit, që kanë kryer kuqezinjtë. Por “gardiani” kosovar Beqaj së bashku me Hidin dhe Ujkanin, përbëjnë treshen e portierëve, që do të jenë në dispozicion të trajnerit Kuzhe. Mbetet për t’u parë se cilin nga këta të tre do të preferojë Kuzhe nga minuta e parë. Mungesa e dy kapitenëve, Lala dhe Skela, nuk ka të bëjë me zgjedhjen e trajnerit, por të lojtarit, pasi dihet se mesfushori i Hanoverit, Altin Lala nuk është plotësisht në formë, pasi ka kaluar dëmtime të shpeshta. Ndërsa fantazisti vlonjat Ervin Skela ka preferur të mos grumbullohet me kuqezinjtë për këtë miqësore për shkaqe personale, pasi, siç është shprehur ai, për momentin është pa ekip. Në mungesë të tyre është rithirrur mesfushori Dorian Bylykbashi. Edhe kësaj radhe trajneri Kuzhe ka preferuar të përfshijë për këtë ndeshje miqësore disa nga afrimet e fundit, si Gjergji Muzaka dhe Ahmet Jonuzi. Më 8 gusht do të ndodhë grumbullimi i parë i lojtarëve, që do të përgatiten për miqësoren e 11 gushtit. Sikurse është bërë e ditur Shqipëria do të luajnë ndaj Uzbekistanit në Durrës, ku do të përurohet edhe impianti i ri i ndriçimit i stadiumit “Niko Dovana”.
Para kësaj miqësoreje, kuqezinjtë tanë kanë zhvilluar edhe dy takime të tjera miqësore, ku më 3 mars kanë mundur 1-0 në Tiranë, Irlandën e Veriut dhe më 25 maj në Podgorisë kanë fituar po 1-0 ndaj Malit të Zi. Miqësore e radhës, ndaj Uzbekistanit, është edhe testi i fundit i kuqezinjve para fillimit të “aventurës” së tyre për eliminatoret e Euro 2012-s, ku siç dihet, sipas kalendarit, më 3 shtator do të luhet në Bukuresht ndaj Rumanisë dhe pas 4 ditësh, më 7 shtator, do të luhet ndaj Luksemburgut në Shqipëri.

Të besuarit e Kuzhes
Arjan Beqaj (Olimpik Nikosia)
Isli Hidi (Dinamo)
Samir Ujkani (Novara)
Andi Lila (Tirana)
Armend Dallku (Vorskla Poltava)
Kristi Vangjeli (pa ekip)
Ansi Agolli (Karabak)
Lorik Cana (Gallatasaraj)
Endrit Vrapi (Skënderbeu)
Debatik Curri (Gençlebirligi)
Ervin Bulku (pa ekip)
Dorian Bylykbashi (pa ekip)
Klodian Duro (pa ekip)
Jahmir Hyka (Mainz 05)
Gilman Lika (pa ekip)
Emilian Vila (Dinamo)
Gjergj Muzaka (Dinamo)
Erjon Bogdani (Çezena)
Hamdi Salihi (Rapid Vienna)
Edmond Kapllani (Augsburg)
Elis Bakaj (Dinamo)
Ahmed Jonuzi (Vorskla Poltava)

Miqësoret e Kuzhes, në krye të kuqezinjve
26.05.2010: Mali i Zi - Shqiperia 0-1
04.03.2010: Shqiperia – Irlanda e Veriut 1 - 0
14.11.2009: Estonia – Shqiperia 0 - 0
13.08.2009: Shqiperia – Qipro 6 - 1
11.06.2009: Shqiperia – Gjeorgjia 1 - 1

Uzbekistani, me 4 mungesa kryesore ndaj Shqipërisë
Uzbekistani është një shtet në Azinë Qëndrore. Që njihet si njëra ndër pesë ish-Republikat Sovjetike të Azisë Qendrore, së bashku me Kazakistanin, Kirgistanin, Taxhikistanin dhe Turkmenistanin. Kombëtarja e këtij vendi do të jetë edhe kundërshtari i kuqezinjve tanë, të drejtuar nga Josip Kuzhe, më 11 gusht, në një miqësore që do të luhet në stadiumin “Niko Dovana” të Durrësit. Një test general ky për kombëtaren e Shqipërisë, i fundit i këtij lloji, para nisjes së ndeshjeve kualifikuese në grup, për Euro 2012. Sikurse raportojnë mediat e këtij shteti, kombëtarja e Uzbekistanit do të jetë pa katër lojtarët e vet kryesorë në miqësoren e 11 gushtit kundër Shqipërisë, ndërkohë që trajneri i tyre vijon ndërtimin e përfaqësueses, për ta pasur gati deri në ndeshjen zyrtare, ndaj Katarit, në kuadrin e “AFC Asian Cup 2011”. Traineri Vadim Abramov, në këtë post që nga prilli i këtij viti, ka grumbulluar 19 lojtarë për ndeshjen kundër Shqipërisë, ndërkohë që ka konfirmuar mungesa të rëndësishme, si atë të Server Djeparovit, që i është bashkuar këtë vit FC Seulit, në Korenë e Jugut, të sulmuesit Maksim Shatskikh, pjesë e Arsenalit në Ukrainë, të mesfushorit Jasur Hasanov, pjesë e Lakhoya, në Katar, dhe të Denisov Vitali, lojtar i Dnipros, në Ukrainë. Trajneri Abramov shkoi në Rusi dhe Ukrainë dy javët e fundit, për të parë lojtarët e tij, në ndeshjet e ligave përkatëse atje, ndërkohë që vendosi të përfshijë në kombëtaren që do të luajë ndaj Shqipërisë mesfushorin e Rubin Kazanit, Vagiz Galiulin, si lojtarin e vetëm, që luan në një ligë të huaj, jo atë uzbekistanase. Abramov i mori frenat e ekipit kombëtar të Uzbekistanit në prill të këtij viti, duke zëvendësuar Mirdjalal Kasimov, por akuzat ndaj tij vërshuan të forta, pas humbjes 3-1 ndaj Armenisë, në ndeshjen e pare, të luajtur në maj. Lista e lojtarëve, të grumbulluar për miqësoren me Shqipërinë, është si më poshtë:
UZBEKISTANI
Portierë: Ignatiy Nesterov (Bunyodkor), Aziz Ashurov (Lokomotiv)
Mbrojtës: Maqsud Karimov (Nasaf), Artem Filiposyan (Nasaf), Sahob Juraev (Bunyodkor), Jaroslav Krushelnitsky (Shurtan), Anzur Ismailov (Bunyodkor), Shavkat Mullajanov (Almalyk), Akmal Shorahmedov (Andijan)
Mesfushorë: Victor Karpenko (Bunyodkor), Timur Kapadze (Bunyodkor), Muzafar Umirzakov (Lokomotiv), Azizbek Haydarov (Bunyodkor), Odil Akhmedov (Pakhtakor), Vagiz Galiulin (Rubin Kazan - Rusia)
Sulmues: Shavkat Salomov (Nasaf), Alexander Geynrikh (Pakhtakor), Igor Taran (Shurtan), Olim Navkarov (Lokomotiv).

Sunday, August 8, 2010

Historia e përplasjes Xhaferi-Kadare -Kulli....

Fatime Kulli është autore e 19 librave me poezi, prozë, kritikë dhe letërsi për fëmijë. Ajo shquhet për poezinë lirike erotike, ku ka fituar shumë çmime brenda dhe jashtë vendit dhe me dt. 20 -24 Gusht 2009 mori pjesë në takimin internacional të Poezisë Strugane ku u prit shumë mirë.....

Deri tash botoi:

"Ma lini portën çelë" (poezi), "Lakuriq mbi tastierë" (poezi), "Masturboj me diellin" (poezi), "Zemrën e dua pasqyrë" (poezi), "Parlament në pyll" (fabula), "Tensione emocionesh" (tregime), "Ethet e zhveshura" (poezi), "Shkëndija e eshkës" (poezi), "Në gojë të diellit" (poezi për fëmijë), "Deti mbytet në guaskë" (poezi), "Trëndafili i djersitur" (poezi), "Drithërimat e frikës" (roman), "Cila është më e bukur" (poemë për fëmijë), "Uragani i meteorëve" (monografi studimore - Bilal Xhaferri përballë Kadaresë), "111 fjalë të ndyra dashurie" (poezi & prozë), "Mitra e zjarrit" (poezi), "Retinë" (ese & kritikë & intervista);"Njëzet e Dy"...e shumë të tjera....


Lexuesve të Floart-Press-it ju sjellim ca poezi nga Fatime Kulli një vështrim për romanin e Fatime Kullit "Njëzet e Dy", botim i "Toenës" si dhe për ""Uragani i meteorëve" (monografi studimore - Bilal Xhaferri përballë Kadaresë)....


Për romanin "Njëzet e Dy", shkrimtari dhe përkthyesi Hysen Sinani shkruan ne parathënien e këtij libri:
"E sotmja shqiptare, më e habitshme se telenovelat braziliane". Duke lexuar me këtë vëmendje romanin e autores së njohur Fatime Kulli, mund ta vlerësojmë atë mbi këto kritere, përgjithësisht të pagabueshme. Fraza letrare në këtë roman është krejtësisht e rrjedhshme, e qartë, e vetëdijshme për të shprehur apo përshkruar një gjendje të caktuar emocionale. Sot e kërkojmë të gjithë stilin e qartë, por shpesh e ndërlikojmë për arsye të ndikimeve që kanë nga autorë të shquar bashkëkohor ose klasikë. Tek romani "Njëzet e Dy" autorja është vijuese besnike e fjalës së saj. Ky roman që i paraqitet lexuesit tonë është thuajse i krijuar me konceptet skematike të prozës së gjatë, por do të ishte keqkuptim po të ngatërronim qartësinë e saj që dëshiron të thuash me përcaktimin e fatit të personazheve. Përcaktimi i fatit të personazheve, domethënë siguria e autorit për atë që do të bëjnë këta personazhe në faqet e veprës së tij, është skematike. Në romanin "Njëzet e Dy" heroi dhe figurat e tjera mund të kenë atë fillim dhe atë fund që kanë, por edhe një fillim dhe një fund tjetër. Gjë kjo thelbësore që e bën këtë tregim mjaft tërheqës.

Për mjetet teknike që përdor Fatime Kulli në romanin e saj të fundit, mund të thuhet se janë krejtësisht ato të suspansës së përmbajtur, pra, të qëllimit për të mbajtur lexuesin në një farë kureshtjeje për atë që do të ndodhë në faqet pasardhëse. Teknika më e përhapur sot në botë, që nga telenovelat komerciale deri tek bestsellerët e famshëm po kaq komercialë. Megjithatë, ky roman ka vërtetësinë në themel të tij, vërtetësi që më tepër vjen jo nga trajtimi i qëllimshëm për t?u dukur i tillë, por nga ngjarja e vërtetë mbi të cilën është bazuar autorja. Pra, si përfundim, me romanin "Njëzet e Dy" e pasurojmë prozën tonë me një histori të vërtetë nga qindrat e historive tona, që shpesh na bëjnë të mendojmë edhe seriozisht. Gjithashtu, edhe shkrimtari dhe dramaturgu i njohur Fadil Kraja shkruan: "Përjetimi i romanit "Njëzet e Dy" i poetes së njohur Fatime Kulli. E lexova me dëshirë dhe ëndje romanin e poetes Fatime Kulli, të cilën e kam vlerësuar si poete të veçantë midis komunitetit të poetëve në Shqipëri dhe në takime të ndryshme e kam bërë publike, se Fatime Kulli është "Safoja shqiptare". Por ajo të befason me punën e saj. Këtë herë guxon të paraqitet përpara lexuesit me një roman shumë interesant, që në thelbin e tij trajton një dramë të jetës njerëzore, si qindra e mijëra raste të tilla dhe jam i bindur se ky roman do të jetë më i lexuari nga lexuesi ynë. Romani "Njëzet e Dy" lexohet pa hasur ngërçe edhe pse situatat janë të rënda, por lexuesi nga kureshtja sesi vazhdon ngjarja, lexon çdo faqe për të gjetur përfundimin... Autorja ka përdorur stilin klasik, duke e përpunuar me atë modern, por mua më ka mbetur në mendje heroi i romanit. Pas një përjetimi e vuajtje të thellë shpirtërore, heroi kryesor i këtij romani, ngjason me heronjtë e përrallave të frikshme për nga "loja" artistike që organizon autorja. Kur kthehet përsëri në vendin e tij, që dhimbja, trishtimi dhe loti e bëri ta braktisë, ajo ndeshet, kacafytet me dhimbjen, trishtimin, lotin dhe i ripërjetoi ata, duke gërricur koren e një plage që ka bërë aq shumë për ta mbyllur... ta harronte..., por për habinë e saj ajo ndeshet pa asnjë ndjenjë kënaqësie të egër, hakmarrja fashitet, arratiset për t?ia lënë vendin jo mëshirës e përbuzjes, por dhimbjes dhe keqardhjes. Ajo ka ndryshuar, ka përshkruar një rrugë të vështirë, por falë përpjekjeve, talentit, por deri diku edhe fatit, ka krijuar mirëqenien dhe prehjen shpirtërore të ëndërruar. Por kthimi në vendin e lindjes e zhgënjeu. Njerëzit që ka njohur tani janë të shpërfytyruar. I dashuri i zemrës që e la shtatzënë e pastaj i futi thikën pas shpine, tani i serviloset dhe i jargavitet pa e ditur se është ajo. Kushëriri që e mundoi aq shumë, tani i shtrin dorën e mëshirës, pa e ditur se është ajo. Por, më e rënda është se edhe vazhdimi i saj, fëmija i saj, nuk e di se është e ëma... se është një tjetër që me dredhi e mashtrime e ka zëvendësuar... Se kush është Dea, nuk e njeh as ai që e ka lindur... sepse edhe ajo është si fëmija i saj, është produkt i dhimbjes, zhgënjimit, mashtrimit... Ajo kthehet përsëri atje ku tashmë ka ngritur folenë, tek burri i saj që e do dhe e adhuron... Romani mbyllet. Por a është mbyllur vërtet e kaluara në shpirtin e Deas, nënë?... Plaga e saj gërricet dhe pikon gjak... A do të zërë përsëri kore? Dhe kur?...


Ëndërroj krahët e kalit të bardhë ...

Një psherëtimë e ftohtë
Si tingulli i kitarës telkëputur...
Qetësisht e vetmuar rrotullohet.

U duk se më çeli buzëqeshja e largët...
Kur vesha fustanin e bardhë,
nën puthjen e ëndrrës së artë,
dukej shumë i lumtur...

Unë, materie e buzëqeshjes së trishtuar
ëndërroj krahët e kalit të bardhë,
të ëndrrës realitet...

Në këtë tingull shpresëkëputur
Që kohë më parë
I adhuroja tingujt të krijuar
dhe formën e kurmit burrëror.

Eh, kujtoj
buzëqeshjen e tij të çmendur,
që gajasej në sup të mbrëmjeve.
nën qiellin e syve të tij
çelnin bulëza të paçelura..
Vrapoja nëpër ëndrra të kaltra.
U duk se më çeli buzëqeshja e largët...



Fatime Kulli ne mbremjet poetike nderkombetare te Struges me koleget poet

Fatime Kulli ne mbremjet poetike nderkombetare te Struges me koleget poet


Ndër gishtërinjtë e gjilpërës

Engjëll shkatërrimtar
i shpirtit tim.
Dua të tretem nën rigat e shiut
të ndjej drithërimat
e frymëmarrjes sate,
Si lule e pafishkur nëpër gur...
Dua të jem gjilpërë,
në dritëzën e fundit të pusit
të të shoh kur dridhesh
ndër gishtërinjtë e gjilpërës,
për të rizgjuar ëndrrën tënde...

...puthjet shpëtojnë njeriun...

Dëgjova heshtjen time të nanuriste mbi flokët e hijes
Gjarpërinjtë më qeshnin gazin e mbytur tej mallit
Thirra hënën të bëj magji me vargje,
Kur hëna hapi barkun, më dhuroj një ylber:
“Puthe - më tha, - të zhduken hijet, puthe të shpëtosh!
Vetëm puthjet shpëtojnë njeriun...”


Poetja Fatime Kulli
Poetja Fatime Kulli
Nën lëkurë të ajrit...

Në gjinjtë e muzgut përpëlitem
Flokët e hënës më varen mbi sup,
mrekullisht derdhen sytë e errësirës,
si ujërat e bardha në barkun e nënës.

Në prehër të muzgut zgjohem
Me trëndafilin e egër në buzë
Pabesisht më shpojnë kërcejtë
e gazlotit,
nën lëkurë të ajrit digjem si shpuzë.

Në këmbë të muzgut gjunjëzohem
Gjuhën e ajrit dalldisur puth
Vrapoj të këndoj ku çelin dritë-hijet
me zërin e fletë-trëndafilit.


Fatime Kulli
Fatime Kulli
...me vezoret e insekteve

Edhe seksi ka filluar të çmendet
Nga xhelozia e ethëzimit stinor...
Të gjithë janë pronësuar,
Shpirtvdekur,
ujqër të tërbuar shqyejnë pangopësisht...

Seksi është shumuar
Në pyll me vezoret e gjarpërinjve...
Në ujë me vezoret e gaforreve...
Në tokë me vezoret e insekteve...

Nën rrënjë të hënës ...

Shumë kohë më parë
në një kthinë të ëndrrës,
theva pasqyrën e portretit tënd.
Ciflat e pasqyrës u shkërmoqën
në imazhin e ëndrrës...

Degëzat e kohës gumëzhijnë
lëndueshëm, jehonën muzikale...
Nën fëshfërimën e gjurmëve
të pluhurit të puthjes,
varrosa nën rrënjë të hënës
buzëqeshjen time...

Perëndi fantazmash...

Po të tregoj ty mikja ime
e panjohur:
Sonte u zgjova trembshëm nga gjumi.
Shtrati m’u fundos
Nën ujërat e ëndrrës...

Kullosja në livadhe të thella,
Tmerrësisht të thella...
Nga fundi i parajsës
Kundrova flokë të verdha.

Shëtisja dhe këndoja
Buzëfrymës më të bukur
të planetit, Burrë...
s’pyesja për gjëmat e lajmëtarit
se po tradhtoja bashkëshortin...

I derdha të gjitha qelizat fisnike
Në një arë të artë prej bimësh,
Që shkëlqenin si perëndi fantazmash
E qëndisën emblemën e bardhë
Në dëshirën time.

... si qiriri

Më mungon zëri
I muzës virgjëresh
Që shkrihet nëpër ëndërr
Si qiriri.


Tingull zjarr-pritës...

Lëshoje tingullin
E ëndrrës shpëtimtare,
Në kryqëzim sirenash
Të çlirosh ankthin
E zërit zjarr-pritës.

Adoleshente

Dëgjoj zërin tim
përmbi rërën e ëndrrës,
buzë frymëzimit
ndjej njelmësinë
e ringjalljes sime
adoleshente...


Eja!

O dem xanxar
A ke zëvendësuar
Ministrin e Kulturës në sallë?
Lëri miset në sfilatë!...
Eja, po të pret
Një poete e çmendur...


Testamenti i pritjes...

Re të zeza në hapësirë
puthin valët e trishtuara
të detit.
Ëndrra, buzë-bregut, këputur
Nënshkruan testamentin
e pritjes...


Dëshirës që lëngon...

O qenie e fshehur
Brenda dëshirës që lëngon...
Më jep pak jetë tingullore
Nga shpirti yt i butë,
i butë burrëror...


Nën gjuhë të pasionit...

Shkëmbi u lëkund
Nën gjuhë të pasionit...
Shtrëngata u fsheh
Nga frikë e saj.


Do të laj ëndrrën hyjnore

Më prit natë e bardhë
Po vij në duart e tua
më prangos pa mëshirë!
Ndjehem e shqetësuar
Do të laj ëndrrën hyjnore
Me duart e engjëllit të paprekur.

Ëndërr çalë....

Rilexoj SMS e tua
Mendim i bardhë
Ndjehem e mbrojtur nën çati
të hënës së vrarë
shkel mbi emrin
e shkruar në rërë...
padrejtësisht, ujët e detit fshinë
gjurmët, ëndërr çalë....

Muzgu dëshmitar...

Më the:
Mos ma shkruaj në rërë
Emrin tim, se ma merr deti...
Por unë
pyes muzgun dëshmitar,
emrin tënd
do ta balsamos
në rërën e shpirtit tim


Pres sytë e shuar

Kam uri
për flladin burrëror
brenda frymës së lterit...
Pres perëndimin
e syve të shuar....


Veç unë...

Do të doja të të lëndoja
Që të trishtohem shumë
Të të kërkoj në qiell të pambarim
Të vdekur të më puthje
Brenda teje të jetoja veç unë...


Në varr të ëndrrës...

Shpirti im ka pësuar
vdekje klinike.
Zëri gjëmimtar
i zemrës mëkatare
në varr të ëndrrës
ka heshtur, i gjallë.

Do rrëzuar shkëmbi...

U mbyta me të puthura
platonike,
lëkurë tharë
u bëra shkëmb
pa ajër, pa dritë,
pa frymë, pa jetë.
Do rrëzuar shkëmbi...


Këpucët e diellit

Hëna e shqeu
lëkurën e yjeve.
Unë i grisa
këpucët e diellit

Ndër gishtërinjtë e gjilpërës

Engjëll shkatërrimtar
i shpirtit tim.
Dua të tretem nën rigat
e shiut dhe të ndjej drithërimat
e frymëmarrjes tënde,
Si lule e pafishkur nën gur...

Dua të jem gjilpërë
në dritëzën e fundit të pusit
të të shoh kur dridhesh
ndër gishtërinjtë e gjilpërës,
për të shpikur ëndrrën.


Kambana e qelqtë

Flladi yt ndonjëherë si errësira
Brenda të fuqishmes stuhi
Të pashterur nga gjoksi yt
Në krahëzën e muzgut
Që valëviten nën shkëmbinjtë e valëve,
Të skeleteve të puthjeve mizore
Si drurët e ngrëna nga mizat e dheut,
Unë puth flladin e egër
Në dorën e kambanës së qelqtë


Nën ujërat e zjarrit

Ëndrra është luftë zjarresh...
Unë freskohem
nën ujërat e zjarrit.

Puthjet shpëtojnë njeriun...

Dëgjova heshtjen time të nanuriste mbi flokët e hijes
Gjarpërinjtë më qeshnin gazin, e mbytur tej mallit
Mora lapsin t'i bëj magji me vargje,
kur hëna hapi barkun më dhuroj një ylber
puthe - më tha, të zhduken hijen, puthe të shpëtosh
vetëm puthjet shpëtojnë njeriun...


Nën lëkurë të ajrit...

Në gjinjtë e muzgut përpëlitem
Flokët e hënës më varen mbi sup,
mrekullisht derdhen sytë e errësirës,
si ujërat e bardha në barkun e nënës.

Në prehër të muzgut zgjohem
Me trëndafilin e egër në buzë
Pabesisht më shpojnë kërcejtë
e gazplotit,
nën lëkurë të ajrit digjem si shpuzë.

Në këmbë të muzgut gjunjëzohem
Gjuhën e ajrit dalldisur puth
Vrapoj të kap dritë-errësirën
Zëri m'dridhet si fletë trëndafili.


Degë psherëtime

Krejt pranë, në puthjen e zbrazur
Gërvishta eshtrat e portretit tënd
Pse erdhe o skelet hije,
përse më prek?
A s'më sheh,
jam lule-hithër
në këtë tokë që djeg...

Në më do sadopak, respektomë!
Mbillmë një lule-dhimbje
Në bark të një tingulli
të më çel, degë psherëtime.


Në bark të ëndrrës

Ëndrrat që përkunda
në djep të kohës
janë varur si smerald
në pus të dhimbjes...

Lëkura e ëndrrës,
përpëlitet në gojë të bojës...
Në bark të ëndrrës,
klith shpirti i poetit.

Me qumështin e syrit



Mos e lër ëndrrën të të ikë
Pa i zhveshur lëkurën e fundit.
Nëse, në qelizat e brendshme
Zbulon pikëza fosforeshente
Lyeje bukëzën me qumështin e syrit.

Mos e lër ëndrrën të zhubroset
Nën lëkurën e shpirtit tënd.
Nëse qelizat lundrojnë ujshëm
Ngjyeje shpirtin me qumështin e dhimbjes.


______________
POLEMIKA : Flet Fatime Kulli, autorja shkodrane e librit “Uragani i meteorëve”, i botuar në Shkup në fillim të muajit Janar, i cili ka ngjallur shumë diskutime pro dhe kundër në lidhje me trajtimin e shkrimtarëve “Përse e shkrova librin kundër shkrimtarit Ismail Kadare
(Shenim biografik: BILAL XHAFERRI poet, prozator dhe publicist i shquar disident. U lind në fshatin Ninat të Konispolit më 2 nëntor 1935. Pas një aktiviteti te madh letraro-publicistik vdiq në mërgim, më 14 tetor të vitit 1986, në Çikago, SHBA.)

Ilir Bushi

Pas librit të Fatime Kullit, “Uragani i meteorëve”, Ismail Kadare dhe Bilal Xhaferri, ballë për ballë”, opinioni letrar është ndarë në gjykime pro dhe kundër mënyrës se si është paraqitur konstrukti i kësaj monografie. Megjithatë, si çdo gjë tjetër që ngjall diskutime, kopjet e këtij libri të botuar në Shkup janë shitur, ndërkohë që autorja ka marrë mjaft letra që e inkurajojnë apo kritikojnë atë. Dhe pas këtyre debateve, për herë të parë ajo shfaq sot në një intervistë të plotë arsyet që e nxitën të botonte një libër të mbushur me analiza, gjykime, dyshime e akuza për atë periudhë të letërsisë ku, pavarësisht nga konjukturat, është fakt se u prodhua një letërsi titanësh, e cila edhe sot e kësaj dite mungon në shumë prej vendeve të zhvilluara apo me popullsi më të madhe. Dhe, pavarësisht nga kryeveprat që u prodhuan, është krejtësisht normale që studiuesit e një populli të gërmojnë akoma poshtë rrënojave për të nxjerrë që andej atë pjesë të letërsisë që mbeti e ndaluar apo e pabotuar qysh prej 46 vjetësh. Veçse, ndofta, kjo gjë duhet bërë me kujdesin dhe ndjeshmërinë e një specialisti që zbulon të vërtetat pa qenë nevoja të ngrejë akuza apo të tentojë për të dëmtuar simbolet e kulturës apo emrat e mëdhenj të letërsisë shqiptare, pa të cilët periudha që jetuam do të ish një rendje drejt çmendurisë e harrimit.


Si të lindi ideja për të shkruar librin “Uragani i meteorëve”, Bilal Xhaferi dhe Ismail Kadare ballë për ballë”?

Kjo ide më ka lindur qysh në verën e vitit 1996, kur në Sarandë u organizua rivarrimi i trupit të Bilal Xhaferrit. Ishte diçka e pikëllueshme të shikoje se në këtë ceremoni varrimi nuk kishte personalitete të larta shtetërore, por as figura të botës kulturore. Ishte periudha kur në Tiranë po bëhej bujë e madhe me rivarrimin e Konicës. Por për Bilal Xhaferrin ishte një heshtje memece. Atje unë ndieva dëshirën për ta ringjallur figurën e Bilal Xhaferit në një libër monografik.


Nëse ishte libër monografik, përse e përballni Xhaferrin me Kadarenë?

Kjo përballje ka ndodhur në histori dhe jo në librin tim. Unë vetëm kam hapur valixhet e gozhduara ku flenë kujtimet e bashkëkohësve. Nga këto kujtime do vërtetohet fakti se Bilal Xhaferri ishte një gjeni i letërsisë, që diktatura e këputi si një zambak para se të lulëzonte e të shpërthente plotësisht me kapacitetin e tij të plotë. Por librat e tij të mbetur në dorëshkrime, ndërsa lexohen, sot e kësaj dite tregojnë se çfarë talenti i shquar fshihet pas këtij emri.


Përse duhej domosdoshmërisht të përmendej emri i Kadaresë në titullin e këtij libri?

Unë jap vetëm fakte dhe nuk bëj komente. Fakti i parë tregon se ikja e Xhaferrit ishte një humbje për letërsinë kombëtare. Fakti i dytë tregon se kjo ikje u kondicionua nga vuajtjet e internimit të Xhaferit, i cili erdhi pas mbledhjes ku ai kritikoi romanin “Dasma”. Por këtu dua të shtoj se kur botova librin unë i dërgova një kopje të tij shkrimtarit Ismail Kadare, ku i shkruaja:”Unë nuk bëhem avokat i askërkujt, përveçse i së vërtetës. Gjithsesi, për mua jeni një mal i lartë i letërsisë”. Këtë libër ia dërgova Kadaresë nëpërmjet botuesit të “Onufrit”, Bujar Hurdhrit, i cili më ka ndihmuar jashtë mase në botimin e këtij libri monografik.

A keni lidhje farefisnore me shkrimtarin Bilal Xhaferri?

Mund të them se kam disa lidhje të largëta, por këto nuk kanë ndikuar fare në botimin e librit. Qëllimi im kryesor ishte të ringjallja figurën e uraganit të harruar të letërsisë. Dhe tani që e bëra këtë jam e qetë shpirtërisht, sepse me këtë libër e ndiej që kam pastruar shpirtin tim.

Përse e botuat librin tuaj në Shkup dhe jo në Tiranë?

Ky libër ishte një eskluzivitet për t’u botuar në shtëpinë botuese “Onufri”. Vetë Bujar Hurdhri më ka ndihmuar jashtë mase. Madje ai më ka organizuar një takim edhe me shkrimtarin Ismail Kadare. Pra, libri do të botohej atje, por në fund nuk e di nëse ishte kapriçoja ime apo heshtja e Bujarit që më çoi ta botoja në Shkup. Megjithatë, këtu dua të nënvizoj se kam shkuar në Tiranë në dhjetëra shtëpi botuese të cilat e merrnin librin me qejf dhe pastaj ma kthenin me frikë duke më thënë: “Aman, të lutem, mos na ngatërro me këtë libër, se mund të na hapësh telashe të mëdha”.



Nga kush mund t’u hapeshin telashe?

Nuk e di, por them që ata kishin mjaft frikë dhe nuk pranuan ta botonin librin, prandaj e çova në Shkup. Libri doli në muajin janar të këtij viti dhe brenda një kohe rekord u shit menjëherë. Çmimi ishte tepër i lartë, (6 EURO), nuk mbeti asnjë kopje. Për këtë arsye mund të ribotohet përsëri, por këto nuk janë punët e mia. Ato u takojnë më shumë botuesve.


Kur jeni takuar me Kadarenë për procesin e librit tuaj?

Me Kadarenë më ka ndërmjetësuar Bujar Hurdhri, por kemi pritur gjatë ngaqë ai në verë ishte me pushime në Malin e Robit dhe më pas u nis në Francë. Megjithatë, takimin me të e kam realizuar vjet, kur sapo ishte duke dalë nga Presidenca. Unë isha duke vazhduar punën për botimin e librit. Pas temës së bisedës së parë, që kishte lidhje me diçka tjetër, unë i fola Kadaresë për librin mbi Bilal Xhaferrin. Ai e mirëpriti idenë time dhe më tha pak a shumë kështu: “Shumë mirë do të bësh që të pyesësh dhe të shkruash për atë njeri, se ç’është bërë dhe si ka shkuar jeta dhe krijimtaria e tij. Shumë mirë është që e paske edhe njeriun tënd dhe pse nuk shkruan për të?” Pra, Kadareja ishte plotësisht dakord për të shkruar mbi jetën dhe veprën e Bilal Xhaferrit. Megjithatë, gjatë asaj kohe unë dhe Bujari kemi pritur të marrim një autokritikë apo pendesë simbolike të Kadaresë për shkrimin e tij ndaj Xhaferrit, tek “Ftesë në studio”, por kjo nuk ndodhi. Dua të shtoj këtu se vetë Kadareja është njohur me poezinë e Bilal Xhaferrit, që është shkruar kundër tij më parë, sepse këtë poezi e ka marrë me zarf prej Bujarit, ngaqë ishte botuar në revistën “Krahu i Shqiponjës”.


A keni konstatuar në librin tuaj pasaktësi datash apo ngjarjesh? Në ç’kuptim…?


P.sh. mbledhja ku Xhaferri kritikoi romanin “Dasma” ndodhi në pranverë, ndërsa ju thoni se ishte dimër?

Kështu më kanë dëshmuar të pranishmit. Unë shkruaj dëshmitë e tyre. Megjithatë, këto janë gjëra dytësore, që mund të rregullohen lehtë. Ajo që dua të them është se harrimi dhe përbaltja e një figure të tillë si Bilal Xhaferri është një atentat kundër letërsisë dhe gjigantëve të saj, i cili vazhdon edhe sot e gjithë ditën. Libri im ndofta është kuptuar si një tentativë kundër Kadaresë, por unë dua të sqaroj këtu se libri ka si qëllim vetëm rivlerësimin e Xhaferrit. Kadareja është një mit, por unë adhuroj edhe mitin e trevave çame, që jo rastësisht është lënë në harresë nga lojërat konjukturale.

Myftari: Atë natë Bilal Xhaferri fjeti tek unë dhe ishte shumë i tronditur nga ngjarja
Natën e mbledhjes së famshme Bilal Xhaferri ka fjetur në shtëpinë time, por as nuk hëngri dhe as nuk foli”. Kështu rrëfen Bedri Myftari për atë natë prilli të vitit 1968, kur Bilal Xhaferri në vend të trenit për në Durrës kishte preferuar ta kalonte natën në shtëpinë e kolegut të tij. “Ishte i tronditur dhe në mëngjes iku qysh në orën 4 të mëngjesit”, tregon Bedriu.


Është e vërtetë se Bilal Xhaferri ka fjetur tek ju më 28 prill të vitit 1968?

Po. Ne ishim në mbledhje bashkë, por ai iku shpejt. Ishte i zverdhur dhe i hequr në fytyrë. Kur shkova në shtëpi, më thanë se kishte ardhur Bilali dhe do të qëndrojë për darkë. Ne në fakt ishim shokë të vjetër bashkë.

Çfarë të tha atë natë?

Ishte shumë i tronditur dhe dridhej nga ethet. Nuk hëngri fare dhe nuk piu asgjë. Madje, në mëngjes herët iku që me natë, pa gdhirë dita. Ishte ora 4 e mëngjesit kur iku. Ai banonte në Durrës dhe kur iku nuk na tha as mirupafshim. Kjo ndodhi ngaqë ishte në një gjendje shpirtërore të vështirë.


Nuk thatë asnjë fjalë me njëri-tjetrin?

Nuk komunikuam, se edhe unë ndihesha pak i frikësuar. Ai shihej si armik, megjithëse ishte shumë i talentuar. Unë e doja dhe e kisha ndihmuar gjithmonë, por si po shkonin punët nuk dija as si ta ngushëlloja, apo qetësoja.

Thuhet se atë natë në shtëpinë tuaj ka shkruar vjershën kundër Kadaresë?
Jo, aspak. Ai s’kishte fuqi të fliste e jo më të shkruante. Madje, them se gjithë natën nuk vuri as gjumë në sy nga tronditja. Unë e doja, por ç’mund të bëja më shumë.

Ç’ndodhi më tej me Xhaferrin?

Ato ditë u bë edhe një mbledhje në Durrës. Më duket se i kërkuan të bënte autokritikë, por nuk pranoi. Më pas e internuan, u arratis në Amerikë dhe më vonë morëm vesh që vdiq në rrethana misterioze.

Historia e përplasjes Kadare-Xhaferri

Ishte fundi i prillit të vitit 1968 kur, siç ndodhte shpesh nëpër institucionet artistike dhe redaksitë e gazetave, u shpërndanë ftesat zyrtare për diskutimin e romanit “Dasma” të Ismail Kadaresë. Ky libër kishte dalë në fillimin e vitit 1968 dhe ftesat lajmëronin fillimin e mbledhjes në orën 18.00, tek ndërtesa e ish-Lidhjes së Shkrimtarëve, pikërisht pranë Teatrit të sotëm Kombëtar. Në presidiumin e mbledhjes ishin Llazar Siliqi, Dhimitër Shuteriqi e Pipi Mitrojorgji, ndërsa Fadil Paçrami ishte në sallë, së bashku me Resul Bedon etj. Sapo kishin zënë vend përfaqësuesit e presidiumit të mbledhjes, në sallë hyri pak me vonesë edhe shkrimtari i njohur Bilal Xhaferri. Për shkak se salla ishte plot, ai u ul në rreshtin e fundit në mes të S. Matos dhe B. Myftarit. Sipas bashkëkohësve dhe dëshmitarëve të mbledhjes ai mbante në dorë disa fletë të shkruara që i kishte mbështjellë në formë gypi. Në këtë çast, Myftari e pyet “ku e more vesh, sepse ti nuk ke ftesë”, ndërsa Xhaferri është përgjigjur “më tha Ilia Dedi, që e takova në Durrës dhe jam përgatitur për diskutim”. Në këtë moment Bilal Xhaferri ka bërë një xhest duke lëvizur pëllëmbën si për të thënë “do t’i bie”. Atëherë shkrimtarët që ishin afër tij i thanë se s’duhej të diskutonte kundër, ngaqë atij i kishin pushkatuar babanë dhe ngaqë kishte në botim librin “Kreshta e Krujës”, për të cilin Kadareja po e ndihmonte të botohej. Pas këtyre këshillave Bilal Xhaferri u bind dhe tha: Mirë, nuk do të diskutoj fare”. Gjatë diskutimeve foli Mitrojorgji, Siliqi etj. me vlerësime për romanin. Por në një çast aty u ngrit një student i letërsisë që quhej Gjon Podja. Ai kritikoi librin dhe tha: “unë jam student e komunist, por në disa raste romani e ul figurën e femrës shqiptare”. Në këtë moment Bilal Xhaferri frymëzohet dhe thotë aty për aty: “E shihni që ka edhe trima në këtë sallë”. Aty për aty ai çon dorën dhe Myftari e Mato nuk e mbajnë dot. Fjalia e parë e Bilal Xhaferrit ishte kjo: “Ky është një roman i dështuar”. Atë çast në sallë ra heshtja. Bilali vazhdoi: “Është si një lis i madh, që nga brenda është i kalbur. Është një roman revizionist”. Atë moment Dhimitër Shuteriqi u koll pak dhe i tha me zë të dobët: “Pusho more”. Por qetësia ra edhe më thellë dhe Bilali vazhdoi: “Ky nuk është roman, por janë reportazhe të qepura”. Shuteriqi përsëri i thotë të pushojë, por Fadil Paçrami ia bën me dorë nga vendi: “lëre të flasë”. Bilali vazhdon: “Ismaili e ul femrën shqiptare, gjë që s’është e vërtetë. Gratë shqiptare s’kanë qenë asnjëherë kështu, (përmend Zonja Çurren, etj.)”. Bilali vazhdoi pak a shumë në këtë linjë: “Nëse pranojmë që nënat tona kanë qenë të shtypura, atëherë del se ne kemi qenë bij bastardësh”. Menjëherë pas mbarimit të fjalës, Xhaferri u zverdh në fytyrë dhe duke u ulur në vendin e tij tha me zë të ulët: “E prisha fare, ju kishit të drejtë që më thatë të mos diskutoja fare”. Në këtë moment u ngrit menjëherë Fadil Paçrami dhe tha: “E dëgjuat nëpërkën, e hodhi helmin kundër partisë, por ky është djali i një armiku që ne e kemi pushkatuar”. Më pas folën edhe diskutantë të tjerë dhe u bë një pushim. Kadare nuk foli fare, ndërsa shumë shkrimtarë në përgjithësi evidentuan vlerat e romanit. Pas pushimit në korridor Fadil Paçrami i ka thënë Ibrahim Uruçit: “E patë atë armikun”. Ndërkaq, sipas dëshmitarëve okularë, Kadareja ka ndërhyrë dhe është shprehur: “Mjaft ,se i bëtë të gjithë armiq. Ai s’kishte gjë me ju, por me mua dhe nuk e kuptoj këtë sjellje agresive të tij, sepse kam pasur gjithmonë predispozitën që ta ndihmoja”.


Përgatit për botim për Agjencionin Floart-Press Flori Bruqi