Wednesday, November 16, 2011

Politikanët numërojnë milionat, shkrimtarët ngrohen në diell

Rebelohen shkrimtarët dhe botuesit/ Duket se ka ndodhur diçka e papritur, të cilën shkrimtarët nuk e gëlltisin kollaj. Tirazhi i lartë i shitjeve të politikanëve dhe gazetarëve, nuk mund të tolerohej dot prej profesionistëve të letërsisë. Për këtë arsye shumica e tyre kanë shprehur indinjatën në bisedat e përditshme, duke gjetur ndonjëherë edhe hapësira të mjaftueshme mediatike, por gjithsesi ky fenomen është konsideruar prej tyre si traumatik. E njëjta gjë ka ndodhur edhe me profesionistët e tjerë të fushave artistike, të cilët kanë shprehur refuzimin e tyre, ndaj kësaj parodie humoristike, që ka ndodhur me panairin e sivjetëm, ku disa gazetarë e politikanë kanë shitur një tirazh tepër të lartë, në raport me shumicën e shkrimtarëve të mbledhur së bashku. Megjithatë, disa prej shkrimtarëve të njohur, si Dritëro Agolli, Fatos Kongoli, etj, duket se nuk janë aspak të shqetësuar apo të mërzitur prej politikano-gazetarëve të mësipërm, ndofta, për faktin se ata e dinë që koha do të bëjë seleksionimin dhe se konkurrenca e re do të sjellë në të ardhmen, akoma më shumë vepra letrare me vlerë.   

Flet Dritëro Agolli
Konkurrenca e politikanëve me shkrimtarët do sjellë vepra me vlerë
Zoti Agolli, si ju duk Panairi i librit të këtij viti?
Për mua, çdo panair librash më duket se shndërrohet në një festë popullore dhe kjo gjë më gëzon. Gjithçka, e ndoqa nëpërmjet, televizorit dhe ndjeva emocion kur shihja burra, gra, apo nxënës të shkollave, që hynin e dilnin në mjediset e panairit.
A keni xhelozi që Blendi Fevziu, Ben Blushi, apo Spartak Ngjela shitën këtë rradhë, më shumë libra se Dostojevski, Balzaku, Shekspiri, apo shumë të tjerë?
Aspak! Unë për çdo libër që shitet në librari, apo nëpër panaire, gëzohem njëlloj, si për librin tim. E rëndësishme për mua është fakti, që brezi i ri po përqafon kulturën. Kjo është krejt e ndryshme nga ajo që thuhet ndonjëherë, se gjoja brezi i ri i ka braktisur librat.
A mendoni se politikanët, apo analistët duhet të frenohen nga pak, në publikimi e krijimtarisë së tyre?
Jo aspak. Unë mendoj se çdo njeri që di të shkruajë, duhet domosdo, të ballafaqohet me lexuesin. Pastaj, koha bën seleksionimin!
A mendoni se dyndja e politikanëve në art po lë në hije veprat e mëdha letrare?
Nuk mendoj kështu! Përkundrazi, them se veprat e mëdha, apo kryeveprat e kanë të domosdoshme konkurrencën!

Mevlan Shanaj: Politikanët po u shplajnë trurin shqiptarëve
Një nga emrat më të njohur të kinematografisë shqiptare, Mevlan Shanaj, tregon se sot, letërsia shqiptare është fatkeqe, ndërsa e komenton panairin e librit, si një aktivitet i cili harroi letërsinë e mirëfilltë. “Nisur dhe nga zhurma e fundit që po bëhet nga suksesi i panairit, mendoj se letërsia artistike është më fatkeqe. Bëhet panairi i librit dhe letërsia kalon në plan të dytë duke qenë se veprat e politikanëve ose për politikanët zënë tërë panelet në median elektronike dhe mendoj se është një turp që Nobelisti Tomas Transtromer, i cili u ribotua në sajë të përkthimit dinjitoz të Natasha Lakos nuk u pa askund”, u shpreh Shanaj. Sipas tij, nëse ne sot nuk flasim për Nobelistët kjo është një turp. “Nuk flitet për një Nobelist dhe kjo është e turpshme, para kësaj mendoni se ku qëndron sot pozicioni i letërsisë artistike. Kemi botime për politikanët dhe nga politikanët të cilët ia shplajnë trurin lexuesit të nderuar. Shqiptarët vazhdojnë të jenë të viktimizuar dhe servilë të politikës, këtë e them me zë të plotë”, përfundon Mevlan Shanaj.

Visar Zhiti: Letërsia e sotme, në dilemën e sasisë apo cilësisë
Poeti i njohur Visar Zhiti mendon se letërsia e ditëve të sotme është më e mirë se ajo që shkruhej para viteve ’90 dhe kjo sipas tij, vjen nga liria që kanë sot shkrimtarët. “Pas viteve ’90 për mua letërsia shqipe është më e mirë se sa ajo para viteve ’90. Së pari ajo shpëtoi nga dogma e realizmit socialist dhe liria është gjëja më e çmuar për një shkrimtar”, pohon poeti. Sipas tij, edhe pse kemi disa zhanre të tjerë të letërsisë që janë në treg, ajo nuk duhet parë si letërsi artistike. “Letërsia dokumentare ose memoristika, që nuk kanë qenë shumë të zhvilluara janë një letërsi e njohur për të gjurmuar të vërtetën, por ajo nuk duhet parë si e tillë, sepse janë kujtime apo letërsi dokumentare dhe nuk mund të vlerësohet kjo, si një roman. Vërtetë ne sot kemi një bum botimesh, gjë që dëmton dhe mundësinë për të gjykuar se cila ka vlera, dhe është shumë e nevojshme një kritikë seleksionuese, që të na tregojë se çfarë libri është. Botohet aq shumë sa që humb dhe letërsia me vlera të mirëfillta, që duhet ti bëhet e njohur lexuesit”, tregon poeti i njohur Visar Zhiti.

Irena Toçi: Shkrimtarët po ecin në rrugë të reja
Letërsia artistike ka vendin e vet, sidomos gjatë dhjetë viteve të fundit ka një bum botimesh. Këtë pohon botuesja Irena Toçi. Sipas saj, gjatë këtyre viteve, shkrimtarët tanë më me emër por dhe të tjerë të rinj, kanë dalë në skenë, duke i dhënë një formë të re letërsisë, por edhe ka një prurje më të shpeshtë se sa mund të kenë pasur para viteve ’90. “Është rritur cilësia dhe kushtet e tyre janë më komode për të shkruar. Po ashtu kanë rigjetur veten shumë shkrimtarë që shkruanin në të kaluarën si Diana Çuli, Nasi Lera etj, të cilët kanë rigjetur lexuesin e tyre dhe të tjerë kanë vazhduar si shkrimtari Zija Çela, i cili ka vazhduar krijimtarinë e tij letrare, ndërkohë që në 4-5 vitet e fundit ka një  prodhimtari më të madhe. Po ashtu dhe shkrimtarë të tjerë si Mira Meksi apo Ben Blushi vazhdojnë që ti japin tonin letërsisë, duke ruajtur shpresën që letërsia jonë do të vazhdojë të ketë këtë ritëm dhe prurje pozitive edhe në vitet e ardhshme”, u shpreh botuesja Irena Toçi.

Fatos Kongoli: Pse erdha nga Amerika për Panairin e librit
Zoti Kongoli, gjatë ditëve të Panairit ju pamë vazhdimisht të palëvizur nga stenda juaj. Çfarë kishte ndodhur me ju?
Nuk kishte ndodhur asgjë e veçantë, por fakti që kam qëndruar gjatë gjithë kohës tek stenda e Shtëpisë Botuese “Toena” ka ardhur për dy arsye. E Para dhe më kryesorja ka të bëjë me dëshirën që kisha për t’i takuar, ose për të kontaktuar direkt, në çdo moment të gjithë ata lexues që dëshironin të blinin librat e mi dhe doja që secilit prej tyre t’i lija një autograf mirënjohjeje për zgjedhjen që kishin bërë.
Po arsyeja e dytë cila ishte?
Arsyeja e dytë ka të bëjë me mua personalisht. Sepse unë aktualisht jetoj në SHBA, së bashku me familjen. Por gjatë ditëve të panairit kam ardhur posaçërisht për të parë nga afër këtë festë të lexuesve, shkrimtarëve dhe botuesve shqiptarë. Natyrisht kam ardhur i vetëm dhe nuk dëshiroja të shpenzoja kohën kot, duke ndenjur në shtëpi, apo duke dalë për të zgjedhur ndonjë kafene. Dhe vendosa të qëndroj gjatë gjithë kohës në panair duke u takuar me lexuesit e shumtë që nuk mishin të sosur. Në stendën e kësaj shtëpie botuese nuk pati asnjë çast pushimi, ngaqë lexuesit janë bindur për cilësinë e librave të “Toenës”.
A jeni bërë xheloz ndaj Blushit, Fevziut, apo politikanëve dhe gazetarëve të tjerë, për tirazhin e shitjeve të tyre?
Jo! E thashë që në fillim se unë për veten time gjatë gjithë kohës kam ndenjur duke firmosur autografet e librave të mi. Këtu dua të nënvizoj faktin se përveç librit tim të fundit, që titullohet “Sidorela”, në stendë kisha edhe shumë prej librave të mëparshëm. Dhe lexuesi kishte çfarë të zgjidhte. 
Mos doni të thoni se nuk e vutë re dyndjen e lexuesve ndaj Fevziut, Blushit, Ngjelës apo Ramës?
Natyrisht, që e vura re këtë gjë, për aq sa më lejonte mundësia që të isha i lirë nga lexuesit e mi. Por nuk mendova për asnjë çast se ky fenomen i ri, i politikanëve apo gazetarëve mund të konsiderohej si diçka shqetësuese. Unë për veten time e konsiderova normale gjithçka, që ndodhi në Panair. Dhe kam mbetur mjaft i kënaqur nga panairi.

Sadije Agolli: Ja ç’mendoj për sondazhin midis Agollit dhe Kadaresë
Ç’mendim keni për sondazhin e hapur nga gazeta “Sot”, për garën midis Agollit dhe Kadaresë?
Ata të dy janë krijues të stileve të ndryshme letrare dhe kjo ka shtuar larminë e mozaikut të letërsisë shqiptare. Besoj, se kjo gjë është e rëndësishme të thuhet, në rradhë të parë. Midis tyre nuk mund të ketë fitues dhe humbës. Nëse do të flisnim për fitues, mendoj se ajo që ka fituar më shumë është letërsia shqipe.
Si e shpjegoni faktin që edhe pas ndërrimit të sistemeve, ata të dy përmenden akoma si më të mirët?
Fakti, që edhe në këtë moshë ata të dy përmenden si më të mirët, tregon që gjatë rrjedhës së viteve që të dy, kanë prodhuar një letërsi të vlefshme.
Çfarë ndjeni kur dikush, shan Agollin dhe Kadarenë?
Që t’i shash ata të dy, mendoj se më parë duhet t’i lexosh. Por jam e sigurtë, se lexuesi, pasi t’i lexoj, do të ndryshoj mendje. Ata mund t’i shash lehtësisht, vetëm nëse nuk ke lexuar asnjë pasazh prej tyre.

Alfred Cako: Letërsia artistike në këto 2 dekada ka rënë
Botuesi Alfred Cako tregon se letërsia shqiptare nuk është në një nivel të mirë artistik, madje sipas tij, ka dhe rënie të saj, dhe kjo varet nga disa faktorë që sipas tij kanë ndikuar në zhvillimin e saj. “Gjatë këtyre 20 viteve të fundit ka pësuar një rënie letërsia artistike, këtë e them sepse kur rritet mirëqenia ekonomike bie edhe frymëzimi, ndërsa kur je më keq nga ana ekonomike ke më shumë frymëzim dhe kjo është një dukuri që vihet re në Shqipëri. Sa i takon krijimeve letrare ne kemi sot shumë probleme dhe marr shkas dhe nga panairi i fundit, i cili u zhvillua para disa ditësh. Vumë re krijime botimesh nga Rudina Xhunga, Ben Blushi, Helena Kadare, botime të cilat nuk kanë fabulën, por këto libra i janë kushtuar formës së sofistikuar, ndërsa janë pa përmbajtje dhe iu mungon fabula”, u shpreh botuesi Alfred Cako.

Lexuesit e librit të Fevziut, “Enver Hoxha” e blejnë injorancën me para (1)

Nga Kastriot MYFTARAJ Do të mjaftonte vetëm një faqe e librit të Blendi Fevziut, për Enver Hoxhën, për t’ u sjellë si provë që Fevziu atje ku nuk gënjen me vetëdije, bie viktimë e prirjes së përjetshme të sharlatanit për të gjetur të ngjashmin e vet. Në librin e vet, Fevziu ka përfshirë edhe pjesë nga intervista e tij në emisionin “Opinion” me dr. Ylli Popën, një nga anëtarët e ekipit mjekësor të Enver Hoxhës, ndër të cilat është edhe ky fragment:“Ne një krizë të Enverit vendosëm ta ndiqnim nëpërmjet monitarit të elektrokardiografit dhe vendosëm elektrodat në gjoks, në ekran aktiviteti i zemrës regjistrohet, çdo rrahje e zemrës regjistrohet. Ne nuk rrinim në dhomë, por i kishim rregulluar në mënyrë të tillë që fijet e elektrodave të ishin të gjata edhe aparati të ndodhej jashtë dhomës së tij. Të them të vërtetën, kur bëhej një veprim i tillë mua më pëlqente, sepse Enveri flinte atje, unë e kuptoja nga aparatura që ai ishte i qetë e po flinte dhe e ndiqja të gjithë aktivitetin e zemrës. Por vendi ynë, nga ku ndiqnim aktivitetin e Enverit, ishte biblioteka e tij, me libra shumë të mrekullueshëm. E pra, ne vendosnim atë aparatin në darkë, se do të rrinim gjithë natën atje. Vendosej një termos me kafe të ngrohtë dhe një termos me mollë edhe mund të pinim kafe që të mos flinim. Unë nuk doja të flija sepse doja të shëtisja në bibliotekë. Një natë isha vetëm tek aparati, duke parë raftet, më kap dora një libër, ishte në frëngjisht ai libër, qenë kujtimet e Berjas, ministrit të Brendshëm të Bashkimit Sovjetik. U bëra kurioz edhe e mora librin e fillova të lexoja disa gjëra nga ajo, kur duke kaluar fletët, shikoj nga mesi i librit një faqe të nënvizuar. Ishte e nënvizuar e gjithë faqja dhe u bëra kurioz se çfarë i ka interesuar Enverit. Kur çfarë gjeta, një gjë jashtëzakonisht kurioze. Duke lexuar më kapi syri emrin e Llukomskit, profesorit tim në Moskë. E lexova me kujdes. Tregonte Berja: thirra në zyrë profesor Llukomskin e i thashë që unë të kam thirrur këtu për një çështje shumë sekrete edhe për këtë që do të bisedohet këtu nuk do t’ ia tregosh njeriu. Por që nga ajo kohë që do të dalësh këtu, do të jesh i ndjekur, i survejuar. Ai u tremb, thoshte për Llukomskin, u zverdh edhe u vesh me djersë, e natyrshme kjo. I thotë: a di ti ndonjë ilaç që mund të shkaktojë ngritjen e menjëhershme të tensionit të gjakut? Stalini vuante nga hipertensioni. Por, i thotë, nuk ta kërkoj tani, hajde mbas një jave, mendohu edhe të ma sjellësh atë ilaçin, nëse ekziston. Por, kur doli ky, i tha që të kesh kujdes se do të jesh i survejuar. Ky nuk kishte rrugë tjetër vetëm që ta çonte ilaçin. Në atë kohë Stalini, bashkë me anëtarë të tjerë të Byrosë Politike, ishte mbas Luftës së Dytë Botërore, mblidheshin të gjithë bashkë në një tavolinë të madhe, e hanin darkën bashkë, shikonin filma të kohës së Luftës, dëgjonin edhe melodi të vjetra të kohës, bisedonin për luftërat, betejat, etj., etj. Një natë, thotë Berja, unë isha ulur në krahun e djathtë të Stalinit, në krahun e majtë ishte Molotovi. Gota e tij me verë ishte pak e prekur. Na kërkoi falje se shkoi në banjë, më duket. Unë pashë majtas, djathtas, thotë Berja, i shpëtova shikimit të njerëzve, e nxorra nga xhepi ampulën, e theva dhe e hodha në gotë. Vjen Stalini, ulet, edhe e ngre gotën dhe thotë: Hajde të pimë. Në një moment të caktuar i drejtohet Berjas: Mos më ke hedhur gjë këtu brenda? Ky u tmerrua por e mbajti veten edhe i tha: Jo, shoku Stalin, si ta bëj këtë. Pastaj Stalini i tha që bëra shaka edhe e piu gotën. Kur shkoi të nesërmen në mëngjes shërbyesja për t’ i dhënë ilaçet, Stalini ishte në tokë, në buzë të krevatit, kishte rënë dhe ishte në gjendje kome”. (Blendi Fevziu, “Enver Hoxha”,UET Press, Tiranë 2011, f. 283-284) Ndonjë gabim në tekst i përket origjinalit të Fevziut. Nga sa citova më sipër, dhe nga ato që thotë më tutje Fevziu, kuptohet se Ylli Popa, dhe vetë Fevziu, e kanë marrë si të mirëqenë që bëhet fjalë për kujtimet e Berias, emrin e të cilit Fevziu e shkruan gabim, “Berja”. Në të vërtetë Beria nuk ka shkruar kujtime. Libri që ka gjetur Ylli Popa në bibliotekën e shtëpisë së Enver Hoxhës, është një nga ata librat me kujtime të falsifikuara të njerëzve të njohur, të shkruar nga autorë sharlatanë, që nuk i konsideron asnjë studiues serioz. Nëse Fevziu dhe Popa do ta njihnin sadopak figurën e Berias, ata do ta kishin të qartë këtë gjë. Nëse Beria do të kishte shkruar sa më sipër për vdekjen e Stalinit, këtë gjë do ta kishte bërë midis 2-3 marsit 1953, kur Stalini pësoi goditjen e rëndë që i shkaktoi vdekjen pak më pas, dhe 26 qershorit 1953, kur Beria u arrestua dhe nuk u shfaq më publikisht. Në këtë periudhë Beria nuk mund të shkruante kujtimet e mësipërme, se ai assesi nuk donte që të pohonte eliminimin e Stalinit nëse e kishte kryer vërtet këtë gjë. Asnjë studiues sadopak serioz në botë që shkruan për vdekjen e Stalinit, nuk konsideron ndonjë libër me kujtimet e Berias, kaq gjë duhet ta dinte Fevzi sharlatani.Që libri me kujtime që i atribuohet Berias është një falsifikim sharlatanesk, kjo kuptohet dhe nga fakti se atje ka gabime dhe pasaktësi që nuk mund t’ i bënte kurrsesi Beria. Kështu, në paragrafin e mësipërm thuhet se në tryezën e darkës, në shtëpinë e Stalinit, në mars 1953, Molotovi ishte ulur në krahun e majtë të Stalinit. Kjo tregon se autori sharlatan i librit kinse me kujtimet e Berias, nuk kishte as njohuritë më minimale për ndryshimet që kishin ndodhur në rrethin e afërm të Stalinit, në atë kohë. Në mars 1953, Molotovi nuk ishte më pjesë e rrethit të ngushtë të Stalinit, që prej rreth katër vjetësh, qëkurse Stalini urdhëroi arrestimin e gruas së Molotovit. Që prej vitit 1949 Molotovi humbi postin e ministrit të Punëve të Jashtme. Në Kongresin XIX të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik, Molotovi nuk u zgjodh në Byronë e Presidiumit të Komitetit Qendror. Tashmë ai nuk ftohej më në darkat që jepeshin në shtëpinë e Stalinit. Në mars 1953, Molotovi nuk priste më një ftesë për darkë në shtëpinë e Stalinit, por që të vinin e ta arrestonin në shtëpi.Sharlatani që ka shkruar kujtimet e rreme të Berias nuk njihte as një detaj tjetër nga praktika e Stalinit në darka të tilla. Stalini e kishte zakon që, kur largohej për pak kohë nga tryeza dhe dhoma e ngrënies, në kthim nuk hante apo pinte më nga ushqimet dhe pijet që kishin qenë në tryezë gjatë kohës së mungesës së tij, por nga të tjera, të cilat i shërbeheshin më pas. Natyrisht se Enver Hoxha mund të ketë pasur në bibliotekën e tij këtë libër që përmend Popa dhe madje të ketë bërë nënvizime, por kjo nuk i ndryshon faktet e mësipërme. Enver Hoxha mund të ketë pasur motive të tjera që e ka studiuar librin, ai mund të ketë qenë duke konsideruar memorialistikën e rreme, viktimë e së cilës mund të bëhej pas vdekjes. Por Enver Hoxha nuk e quajti serioz librin, ndryshe do ta kishte përmendur atë në fjalimet e tij.Krejt e pabesueshme duket ajo çka thotë Fevziu në libër për këtë ngjarje: “Ylli Popa, i tmerruar, nuk e mbajti dot për vete zbulimin tronditës. Ia tregoi të nesërmen në mëngjes kolegut të tij, kardiologut Petrit Gaçe. Përgjigjja e shokut ishte po aq tronditëse: -Obobo, jemi në rrezik”. (Blendi Fevziu, “Enver Hoxha”,UET Press, Tiranë 2011, f. 283-284) A nuk e dinin Fevziu, por edhe Ylli Popa, e Petrit Gaçe, të cilit i përmendet emri këtu, se Enver Hoxha, që prej vitit 1961 kur ishte prishur me sovjetikët, mëse një herë në fjalimet e tij i kishte akuzuar udhëheqësit sovjetikë se kishin vrarë Stalinin? Çfarë rreziku do të kishte për Ylli Popën dhe Petrit Gaçen që gjetën një libër ku vetë Beria e pohonte një gjë të tillë? Ylli Popa dhe Petrit Gaçe na paskan qenë në rrezik për shkak të një libri që gjendej në bibliotekën e Enver Hoxhës dhe ku Beria pohonte se kishte qenë ai vrasësi i Stalinit! Nëse tek e gjithë kjo ka pasur diçka të rrezikshme, atëherë ka vetëm një rast kur mund të jetë kështu, që Ylli Popa kishte marrë përsipër që të krijonte atë që quhej material shtrëngues në gjuhën e Sigurimit të Shtetit dhe që përdorej për të rekrutuar një njeri si bashkëpunëtor të Sigurimit të Shtetit, në këtë rast prof. Petrit Gaçen. Fevziu nuk i bën asnjë analizë paragrafit të cituar në këtë shkrim nga libri i tij. A thua që Fevziu nuk ka as minimumin e logjikës për t’ i analizuar faktet dhe për të arritur në përfundime të thjeshta. Këtyre pyetjeve ishte dashur që t’u përgjigjej Fevziu në librin e tij, por sharlatanët nuk e kanë zakon që të përgjigjen në raste të tilla, ata jetojnë në realitetin e krijuar nga sharlatanëria e vet.Profesor Petrit Gaçe ka vdekur në 1996. Ylli Popa është ende gjallë dhe ai mund dhe duhet të përgjigjet. Ylli Popa 81 vjeçar ka detyrimin që të përgjigjet, se libri i Fevziut do t’ i rëndojë pas vdekjes si një piramidë mashtrimi dhe turpi sigurims. Natyrisht se nuk duhej pritur që Ylli Popa dhe Petrit Gaçe të ishin rekrutuar nga strukturat e rëndomta të Sigurimit të Shtetit. Njerëz si ata të dy qenë nomenklaturë e Sigurimit të Shtetit special, e Sigurimit të Fshehtë, asaj që ishte policia sekrete private e Enver Hoxhës. Dosjet e kësaj strukture nuk gjenden në arkiva, kështu që për të mund të mbledhim vetëm të dhëna të tërthorta si në rastin e rrëfimit të Ylli Popës. Nga rrëfimi i mësipërm, del se “autori” i artikullit të bujshëm “Në kërkim të kohës së humbur”, paska humbur kohë edhe me çështjet e shërbimeve sekrete. Duket se edhe tekstin e artikullit “Në kërkim të kohës së humbur”, Ylli Popa e gjeti në ndonjë libër në bibliotekën e shtëpisë së Ramiz Alisë, në 1990 dhe që andej e dërgoi tek gazeta “Zëri i Popullit”.Do të mjaftonte mënyra se si e citon Fevziu Popën për librin kinse me kujtime të Berias, si dhe qëndrimi që mban si autor në këtë rast, që libri i Fevziut të stigmatizohej definitivisht si punë joserioze prej sharlatani, por libri i Fevziut është një minierë sharlatanizmash. Libri i Fevziut është një nga ata libra që edhe po të ta falin nuk duhet ta marrësh, por ja që ka njerëz të cilët e blenë injorancën me para, duke blerë librin e tij. Kjo është simptomë e krizës intelektuale të shoqërisë shqiptare. Vijon... kastriotmyftaraj@sot.com.al

Tuesday, November 15, 2011

I ziu Enver çka hequr...!?

NEBIL ÇIKA 14/11/2011 Pa kaluar ende 20 vjet nga rënia “de jure” e diktaturës komuniste, duket se ka nisur një rehabilitim sa agresiv aq edhe djallëzor i figurës më kriminale të historisë së kombit e të popullit tone, diktatorit komunist Enver Hoxhës . Si pa kuptuar në gjysmën e fundit të këtij viti, që përkon edhe me ditëlindjen e diktatorit, 16 tetor, por edhe të partisë së tij 8 nëntor, dolën nga botimi tri libra që fokusojnë në mënyra të ndryshme figurën e tij por që kishin të përbashkët përveç kësaj edhe paraqitjen para publikut të një diktatori ndryshe nga ai që kanë njohur në të vërtet shqiptarët, sidomos ata që e kanë jetuar si të rritur diktaturën e tij. Blendi Fevziu, Arbër Xhaferi dhe Helena Kadare duket së kanë marrë përsipër misionin e vështirë por edhe djallëzor të retushimit të figurës kriminale të diktatorit shqiptar, një mision i cili nuk mund të jetë as i pavullnetshëm e as i paplanifikuar, pasi të paktën tre nga katër autorët, po ti llogarisësh bashkë çiftin Kadare, e kanë intuitën por edhe informacionin për të mos “gabuar pa dashje” në një çështje si kjo e përpjekjeve për rehabilitim të figurës kriminale të E. Hoxhës. Në veprat e tyre, autorët në fjalë, mes kujtimeve apo dokumentave të pa verifikueshme si të vërteta, mundohen ti sjellin publikut një Enver Hoxha të rafinuar në rastin e Fevziut , të kulturuar dhe tolerant në rastin e Kadaresë, të patriotit në rastin e Xhaferrit e të tjera cilësi e epitete që diktatori as i kishte e as i manifestonte. Momenti i fushatës së përpjekjeve për rehabilitimin e figurës se Hoxhës në prag të 100 vjetorit të pavarësisë është një tjetër argument që çon në përfundimin se kemi të bëjmë me një skenar të parapërgatitur e të llogaritur mirë ku duket se janë përfshirë gazetarë, shkrimtarë e politikanë të njohur nga shtresa të ndryshme shoqërore dhe shtrirje gjeografike. Fevziu, një student i dhjetorit, gazetar afër Berishës dhe ish i përndjekur politik, H. Kadare gruaja e shkrimtarit më të njohur të realizmit socialist shqiptar dhe Xhaferri një nga politikanët më të njohur në elitat shqiptare në Maqedoni e Kosovë, plotësojnë trekëndëshin e duhur për të startuar rehabilitimin e diktatorit. E gjithë ideja e këtij skalioni të parë të “erës së re” enveriste në opinionin publik shqiptar është paraqitja e një Enveri tjetër, shumë i ndryshëm me atë që shqiptarët kanë njohur për 50 vjet si diktatorin e tyre duke theksuar hapur kontrastin me bashkëpunëtorët e tij përfshi edhe të shoqen Nexhmie, figura që sa vjen edhe nxihet më shumë. Duket se meraku i autorëve që kanë marrë përsipër rehabilitimin është vetëm krijimi i një figure sa të jetë e mundur më ndryshe më pozitive se ai që ka qenë në të vërtetë, e gjitha kjo e mbështetur mbi “dëshmi” sa të pa verifikueshme aq edhe të pa besueshme. Dëshmitë, provat dhe faktet e fytyrës se re të E. Hoxhës janë kryesisht kujtime të vetë autorëve si në rastin e zonjës Kadare ku ajo përshkruan një takim të çiftit me diktatorin ku ai paraqitet shumë i kulturuar, i këndshëm, tolerant madje edhe modern. E gjithë kjo e pa verifikueshme pasi është një bisedë kofidenciale gjatë një vizite familjare midis çifteve Hoxha dhe Kadare në shtëpinë e diktatorit. Fakti që askush jashtë interesave nuk mund ta provojë vërtetësinë e këtij përshkrimi në librin “Kohë e pamjaftueshme” e E. Kadaresë e bën këtë dëshmi për diktatorin sa të pabesueshme aq edhe të dyshimtë. Edhe faktet e Enverit të Fevziut mbështeten mbi kujtime e ditarë mbi vërtetësinë e të cilëve nuk mund të vihet ndonjë garanci. Madje për një prej ditarëve ai i A.P i pretenduar si dokument bazik nga Fevziu është aluduar për falsifikim edhe publikisht gjë që nuk është përgënjeshtruar as nga autori i librit e as nga pronari i ditarit në fjalë, një figure e njohur publike. Sa për Arbër Xhaferrin duhet thënë se Enveri i tij ka habitur dhe tronditur seriozisht opinionin publik shqiptar i cili nuk e priste një qëndrim të tillë prej njërit nga politikanët që pas Ibrahim Rugovës, vlerësohej si më seriozi në trojet shqiptare jashtë shtetit amë. Mendoj se pikërisht ky seriozitet në syrin e publikut e bën mendimin e Xhaferrit për Hoxhën shumë të rëndësishëm në fushatën e përpjekjeve për rehabilitimin e tij. Në Kosovë ka dhjetëra politikanë, zyrtarë të shtetit e akademikë te njohur si enveristë që nuk rreshtin së mburruri diktatorin, por ata janë aq të diskretituar publikisht saqë çdo dëshmi a mendimi i tyre do te bënte efekt të kundërt. Përgjigja e Xhaferit ndaj pyetjes së Enver Robellit, autorit të librit për të, me titull “Arbën Xhaferri rrëfen, në Tetovë në kërkim të kuptimit” duket e qëllimtë dhe djallëzore : “A ka Enver Hoxha ndonjë meritë për Kosovën?: Enver Hoxha ka më shumë merita për Kosovën sesa për Shqipërinë. Në Kosovë atë e perceptonin si engjëll mbrojtës, si frymëzim, si person që është duke formuar shqiptarin e ri. Personalisht njoh shumë pak njerëz që kanë qenë antienveristë. Në Shqipëri, mbase me të drejtë, e konsiderojnë si satrap, i cili i ka shkaktuar fatkeqësi një brezi të tërë njerëzish të pafajshëm. Kësaj i thonë ironi e fatit. Ne që e kishim atë larg e idealizonim, ndërkaq ata që e kishin afër e nëmnin orë e çast”. Duket qartë që “Enveri i mire” i Xhaferrit synon opinionin publik shqiptar në Kosovë e Maqedoni që theksohet edhe në ndarjen që i bën figurës së diktatorit në raportet mes Kosovës dhe Shqipërisë. Është e pafalshme për Arbën Xhaferrin që argumenti i tij për “meritat e Enverit në Kosovë të mbështetet vetëm në faktin se ai kishte takuar apo njohur shumë pak antienveristë në Kosovë. Mbase miqësitë dhe rrethet shoqërore të z. Xhaferri kanë qenë admirues të diktatorit gjë që nuk justifikon fajin që një politikan e intelektual si ai nuk e di apo nuk do të dije për krimet dhe dëmet që Hoxha i solli shqiptarëve kudo që ndodheshin ata. Nga masakra e Tivarit, lidhjet me komunistët jugosllavë e deri tek burgosjet dhe përndjekjet e të gjithë kosovarëve që vinin në Shqipëri gjatë diktaturës së tij, janë prova të mjaftueshme që çdo shqiptar i rëndomtë, e jo më një politikan i nivelit të Xhaferrit, të kuptojë rolin antishqiptar dhe sidomos atë kundër Kosovës të diktatorit dhe krejt makinës shtetërore kriminale të tij. Por ndërsa në trojet jashtë Shqipërisë këtë rol po e bëjnë Xhaferri dhe të tjerë në Shqipëri siç thamë më lartë janë thirrur apo janë angazhuar të tjerë protagonistë. Dua të theksoj se cilësi të veçanta të autorëve të këndvështrimeve të reja për Hoxhën ndoshta kanë përcaktuar edhe përzgjedhjen e tyre në këtë fushatë. Kadaretë për një periudhë 20-vjeçare janë munduar pa sukses të dukshëm të pastronin veten e tyre nga njollat e lidhjeve me diktaturën dhe diktatorin në kuadër të përpjekjeve të dëshpëruara të I. Kadaresë për të mbërritur tek çmimi “Nobel”. Disa herë ka pasur akuza e replika midis dy familjeve dhe përkrahësve të tyre që kulmojnë me dëshmitë komprometuese të Nexhmie Hoxhës dhe kundërshtimit të tyre nga Kadare. Mirëpo duket se Kadare e ka mbledhur mendjen se nuk ka asnjë mundësi të mbërrijë te mrekullia “Nobel” dhe po përpiqet të riformatojë raportin me diktatorin dhe njerëzit e tij duke prurë një vështrim tjetër për të nëpërmjet zonjës Kadare të njëjtë me atë që ia kishte shkruar e botuar në vitin një 1996. Shikoni vetë si e përshkruan diktatorin më të egër të Evropës komuniste zonja Kadare në librin me kujtimet e saj “Kohë e pamjaftueshme”: “Përshtypja ime personale nga ai takim, përveç shtëpisë që mu duk modeste dhe pa salltanetet që unë, si shumica e bashkëkombësve të mi, i përfytyronim ndryshe, ishte sjellja e tij tepër e kulturuar dhe e njerëzishme. Gjatë takimit që zgjati gati tri orë, nuk pati asnjë shenjë, sado të tërthortë, prepotence apo shfaqje të gjesteve e mënyrës së të folurit me parrulla dogmatike, që ishte aq e njohur për udhëheqësit komunistë, gjë nga e cila edhe po të donin, nuk shkëputeshin dot (Vite më pas, në Paris, kur lexova librin e Simone Signoret-së “La nostalgjie nest plus ce quelle etanit”, u habita kur gjeta këtë mendim, lidhur me takimin e saj e të Ive Montand-it e Titon, gjatë vizitës së tyre në Jugosllavi: Titoja tregonte duke bërë shakara, shkruante ajo. E pra, ai Tito, që të gjithë e njihnin për njeri të dorës së fortë e të përmbajtur). Në shtëpinë e Enver Hoxhës, ku ne u gjendëm, një njeri i jashtëm, i rënë aty nga një botë tjetër, që nuk e dinte se çishin këta dy njerëz, do të mendonte se ishin dy intelektualë, nga i njëjti qytet, madje nga e njëjta lagje, që flisnin për qytetin e tyre të lindjes, për çështje që lidheshin me prejardhjen e gjuhës shqipe, si dhe për një qytet tjetër, Moskën, atje ku kishin ndodhur ngjarje të rëndësishme për Shqipërinë. Përshtypja tjetër ishte zgjuarsia e tij. Ndryshe nga hera e shkuar, kur e kisha dëgjuar të fliste atje, në takimin me shkrimtarët e artistët, në një nga pushimet e seancave të Kongresit të shkrimtarëve dhe që mua më qe dukur si i fjetur, këtë herë ai mu duk jashtëzakonisht inteligjent dhe i përzemërt. Fliste bukur, me një figuracion të pasur e të saktë, karakteristikë kjo e gjirokastriteve, që e kisha njohur nga hallat e mia fjalëshuma, e sidomos nga fisi i Kadarenjve më pas. E. Hoxha kishte po atë kolorit të pasur kur tregonte kujtime nga Gjirokastra, si për shembull, futjen për herë të parë të llambave me vajguri për ndriçimin e shtëpive, ose ngjarje nga Moska, siç qe darka në Kremlin, në prag të mbledhjes së famshme, si dhe nata që e pasoi, ajo që Is e ka përshkruar te “Dimri” si “Nata e zimave të zinj”. Gjatë bisedës, Is pothuajse nuk ndërhyri. Një herë që deshi ta bënte këtë, u pendua, siç më tregoi në kohën që po ktheheshim në shtëpi. Nuk më kujtohet përse qe fjala dhe Is tha “jam dakord me ju” dhe aty për aty e kishte kuptuar që kishte bërë një gafë. I thuheshin vallë fjalët “jam dakord me ju” njeriut që nuk ishte mësuar kurrë që bashkëfolësi ta kundërshtonte ose të mos ishte në një mendje me të? Kulmi i rafinimit në këtë takim na u dukën të dyve fjalët e të zotit të shtëpisë, pas dhurimit të botimit komplet të “Komedisë njerëzore” të Balzakut në frëngjisht. Ai i tha Is se kishte mundësi që të mos e çmonte fort Balzakun, ngaqë shkrimtarët e rinj kanë prirje për letërsinë moderne, kështu që, pa dashur të ndikonte në shijet letrare të Is, i kërkonte ndjesë që po i dhuronte një shkrimtar klasik, që ai e donte shumë, për shkak ndoshta edhe të moshës… Një tolerancë e tillë ishte e papërfytyrueshme në Shqipërinë e vitit 1971, në vendin e ashpër stalinist, ku vetëm për leximin e letërsisë moderne mund të përfundonte në burg, pale pastaj për pëlqimin e saj”. Vini re konstatimet e Helena Kadaresë në vizitën në vilën e diktatorit. 1- Modest “ .... modeste dhe pa salltanetet”.” Pra familja diktatoriale jetonte thjesht afër standardit të popullit dhe jo në luksin që është akuzuar nga shumica e atyre që kanë shkruar për të deri tani, një mshtrim që nuk ka shqiptar të lindur në atë periudhë ta besojë. 2- I njerëzishëm “.... sjellja e tij tepër e kulturuar dhe e njerëzishme”. Hoxha i njerëzishëm?! Në këtë përfundim nuk mund të dalë askush që ka jetuar në Shqipëri gjatë sundimit të tij, pasi është tashmë i njohur sadizmi i tij sidomos tani pas daljes në dritë të një pjese të të vërtetave. Edhe sikur ti ishte dukur atëherë “i njerëzishëm“, çifti Kadare në këto 20 vite ka pasur mundësinë për ta verifikuar “njerëzillëkun” e Hoxhës gjë që u heq atyre çdo mundësi justifikimi për këtë përcaktim të diktatorit. 3- Tolerant “ ... Një tolerancë e tillë ishte e papërfytyrueshme në Shqipërinë e vitit 1971, në vendin e ashpër stalinist, ku vetëm për leximin e letërsisë moderne mund të përfundonte në burg, pale pastaj për pëlqimin e saj”. Me pak fjalë Enver Hoxha, sipas Helena Kadaresë ishte: Modest, i njerëzishëm dhe tolerant, cilësi që të tria bashkë do ti kishin zili edhe figurat më fisnike e demokratike të botës e jo më një diktator kaq pervers sa Hoxha. Ketë përcaktim të Helenes e pranon publikisht edhe Ismaili kur i thotë B. Fevziut për të vërtetën e këtij takimi. “Ka dy rrëfime.... ato që ka thënë ( Helena) janë të vërteta, ato që kam thënë unë për ato që tha ai, po ashtu janë të vërteta”. Duket se ka një ndërthurje apo bashkëpunim ndoshta të rastësishme midis Kadaresë dhe Fevziut në lidhje me këtë fushatë rehabilitimi të E.Hoxhës që u dekonspiruan në intervistën e organizuar para pak ditësh në “Klan”. Fevziu e pyeti Kadarenë për homoseksualitetin e përfolur të diktatorit gjë nuk u pranua nga shkrimtari me arsyetimin se nuk e kishte trajtuar këtë ves të Hoxhës për faktin se mund ta bënte interesant. “Kjo gjë, jo vetëm që si bën dëm, por ka mundësi të krijojë simpati për të në Evropën e sotme. Sepse kjo të jep idenë e një njeriu të ndryshëm, që ka guximin ti kapërcejë tabutë. Ky thashethem nuk është përhapur aq shumë, sepse nuk është marrë me seriozitet. Por, për aq sa është përhapur njerëzit thonë: Po mirë, paska qenë interesant”. Por këtë gjë I. K ia tha Fevziut i cili në librin e tij “Enver Hoxha” e ka trajtuar këtë punën e homoseksualit duke cituar Arshi Pipën: “O bandill të lumtë bitha,/Ajo i shpjegon të gjitha!/Çduhen dituri e mend/ Kur njeriu ka fatin tënd!” Fakti që Fevziu ka deklaruar se ky libër është shkruar me synimin për tu botuar jashtë Shqipërisë sipas logjikës së Kadaresë e transformon akuzën për homoseksual që Fevziu i bën diktatorit nga ves e antivlerë, në vlerë dhe interesim ndërkombëtar. Kështu që edhe ky gjykimi Kadaresë vërteton edhe një herë dyshimin se libri i Fevziut për Hoxhën synon rehabilitimin e tij. Aktualisht në këto momente kemi të paktën tri versione apo këndvështrime për Enverin që përpiqen të sjellin një fytyre tjetër të tij në 100 vjetorin e pavarësisë: Enveri sipas Fevziut. Enveri sipas Kadaresë dhe Enveri sipas Xhaferrit. Ashtu si autorët e ungjijve për Krishtin edhe këta duket se janë përzgjedhur e synojnë glorifikimin e Hoxhës një proces që në start ngjan i suksesshëm. Njoftimit për shitjen në dy tre ditë të 20 mijë librave të Fevziut dhe shtypjes së 20 mijë të tjerëve përbën një rekord të ri kombëtar të shitjes së librave të mbajtur deri tani nga vetë personazhi i librit Enver Hoxha veprat e të cilit përpiheshin nga lexuesit si në rastin në fjalë. Pa tjetër që mes tre “dishepujve” që përmendëm më lartë Fevziu duket ai që ka marrë barrën më të rëndë. Me petkun spekulativ të ish të përndjekurit politik, studentit të dhjetorit dhe gazetarit të pavarur të tria statuseve shumë të dyshimta të tij. Këto cilësi të Fevziut zgjedhin edhe gazetarët kur theksojnë rëndësinë e të shkruarit të këtij libri prej Fevziut që konkretizohet saktë në ketë analizë të botuar në Panorama nga R.Q: “Ndryshon kryekëput vepra origjinale e Blendi Fevziut. Edhe pse dihen vuajtjet e familjes së Fevziut në diktaturë, ai është shkëputur nga mllefi, inati, hakmarrja dhe zakone të tipit “ta tregoj unë kur të shkruaj historinë”. Gjithsesi kjo kryqëzatë për rehabilitimin e Hoxhës është e ndihmuar dukshëm edhe nga kushtet e interesat politike. Mos zbardhja e krimeve të komunizmit i ka dhënë mundësi autorëve në fjalë të spekulojnë e të manipulojnë rreth figurës më të zezë në historinë e kombit e popullit tonë. Një hapje e mundshme e arkivave sekrete dhe zbardhjes së krimeve të komunizmit do të na mundësonte jo vetëm të vërtetën e plotë mbi diktatorin dhe diktaturën por edhe për arsyet përse Fevziu , Kadareja, Xhaferri e të tjerë janë detyruar të përfshihen në një fushatë bashkautorësh, ndoshta edhe kamikazësh, sicc është kjo përpjekje për rehabilitimin e Hoxhës. Kjo histori më kujton batutën e një të njohurit tim në kohën e diktaturës që, kur donte të shante zyrtarët komunistë lokalë pasi i denigronte për ti shpëtuar ndonjë akuze bërtiste me zë të lartë frazën standard: I ziu Enver çe gjeti”. A nuk po bëjnë edhe këta pikërisht këtë duke e distancuar” për mirë” në veprat e tyre figurën e diktatorit nga komunistët apo bashkëpunëtorët e tjerë në krimet e diktaturës.

Chelsea Clinton's New TV Gig

Either scripts and active content are not permitted to run or Adobe Flash Player version10.0.0 or greater is not installed.

Get Adobe Flash Player

Saturday, November 12, 2011

Myftaraj: Lidhjen mes Kadaresë dhe Bulkut e zbuloi Helena Kadare


 Denis Dedej
“Unë nuk kam thënë se Rajmonda Bulku ka qenë e dashura e Ismail Kadaresë. Unë kam bërë një investigim të veprës së Ismail Kadare mbi bazën e librit të Zonjës Kadare. Unë përdor çelësin e mrekullueshëm dhe interesant që na ka ofruar Zonja e nderuar Helena Kadare”. Kështu e shpjegon gazetari Kastriot Myftaraj shkrimin e botuar prej tij në shtypin e shkruar ku aludon për një lidhje mes shkrimtarit Ismail Kadare dhe aktores Rajmonda Bulku. Në një intervistë për “Shekullin” ai komenton padinë për shpifje që Rajmonda Bulku ka bërë në gjykatë dhe tregon mënyrën se si do të mbrohet prej saj. Në lidhje me vetë Ismail Kadarenë, Myftaraj pohon se do ta thërrasë si dëshmitar në gjyq dhe do ta pyesë për librin.

Zoti Myftaraj, pas publikimit të librit të Helena Kadare, ju keni hedhur disa pretendime mbi femrat që përfliten në libër se mund të jenë të dashurat e atij. Ku i bazoni këto pretendime?
Ajo që bëj unë është thjesht se përdor çelësin e mrekullueshëm dhe interesant që na ka ofruar Zonja e nderuar Helena Kadare, me librin e saj të fundit me kujtime, ku Zonja Kadare na thotë se burri i saj e kishte zakon që të dashurat e tij t’i projektonte tek personazhet femra të librave të tij. Zonja Kadare na pohon se ka bërë kërkime në librat e Kadaresë për të zbuluar se cilat nga të dashurat e tij qëndronin pas personazheve-femra. Unë nuk bëj gjë tjetër veçse vazhdoj dhe thelloj kërkimin që ka nisur Zonja Kadare. Sipas çelësit që na ka ofruar Zonja Kadare, unë shqyrtoj ndër të tjera librin e Ismail Kadaresë “E penguara”, me këtë rast arrij në përfundimet që i kam bërë publike në shkrimin tim. Gjithsesi më duhet të pohoj me keqardhje se kishte një mënyrë të foluri dhe të shprehuri para ditës së martë, kur Zonja Bulku më paditi për shpifje dhe më quajti publikisht shpifës dhe ka një tjetër mënyrë tani e tutje.

Çfarë mund të na thoni diçka më shumë për këto akuza?
Ajo që mund të them më shumë është se Zonja Bulku, ndonëse sjell një paragraf të gjatë nga shkrimi im, për të cilin pretendon se përmban të pavërteta, nuk thotë asgjë se ku konsistojnë këto të pavërteta. Unë në paragrafin tim nuk them se Bulku ka qenë dashnorja e Ismail Kadaresë, por se ai pohon një dashuri të tij, çka është një gjë krejt tjetër. Unë them se të dhënat e personazhit të Migenës i korrespondojnë Rajmonda Bulkut. Zonja Bulku nuk mohon asnjë nga detajet që sjell unë në shkrimin tim. Në gjyq unë do të pyes Zonjën Bulku se çfarë është e pavërtetë. A është e pavërtetë që romani i Kadaresë “E penguara” bazohet në një histori reale, ku një nga protagonistët është Zonja Bulku? Për këtë gjë ka pohime publike nga persona të lidhur me këtë histori dhe nga vetë Zonja Bulku. Zonja Bulku ka të drejtë të flasë çfarë të dojë në gazeta, por në momentin që i drejtohet gjykatës ajo konsumon vepra penale të përcaktuara saktësisht në Kodin Penal. Nëse nuk është e vërtetë që zonja Bulku ka qenë dashnorja e Ismail Kadaresë, atëherë ajo me rastin e botimit të librit të Zonjës Kadare, ka detyrimin që të padisë Ismail Kadarenë dhe të kërkojë ndalimin e librit të tij. Për këtë kemi edhe një praktikë në jurisprudencën e vendeve të Bashkimit Europian, me romanin “Mefisto”, i cili është botuar edhe në Shqipëri. Në romanin “Mefisto” të shkrimtarit të njohur gjerman Klaus Mann pas personazhit kryesor qëndron një person real, artisti Gustaf Grudgens (1899-1963). Ky roman u botua në Gjermani në vitin 1956. Shtëpia botuese që kishte botuar librin pas vdekjes së autorit (Klaus Mann kishte vdekur në 1949) u padit duke u kërkuar ndalimi i librit, gjë që edhe u arrit. Vendimi i të tre shkallëve u konfirmua edhe nga Gjykata Kushtetuese e Gjermanisë, në 1971. Nuk u paditën gazetarët që gjetën ngjashmëritë mes personazhit kryesor të romanit, dhe z. Grudgens, por u padit shtëpia botuese, në mungesë të autorit tashmë të vdekur. Zonja Bulku bën të kundërtën. Pra, Zonja Bulku, qartësisht bën lojën e Ismail Kadaresë dhe jo të vetën. Zonja Bulku pohon edhe atëherë kur mohon.

Zonja Bulku pretendon se ju keni shpifur ndaj saj…
Unë nuk kam bërë akuza ndaj Zonjës Bulku, thjesht kam tërhequr vëmendjen e Zonjës Kadare në librin “E penguara”, sipas çelësit që na ofron Zonja Kadare. Në gjykatë do të jem në një pozitë shumë komode, se unë kam bërë një investigim të veprës së Ismail Kadare mbi bazën e librit të Zonjës Kadare. Nëse unë do të kisha thënë në shkrim se Rajmonda Bulku ka qenë dashnorja e Ismail Kadaresë, ky do të ishte spekulim. Unë thjesht kam vënë re se Ismail Kadare e pohon këtë gjë. Por tashmë që unë jam paditur si shpifës, thjesht për faktin se kam vënë në dukje se si Kadare pohon një dashuri të tij, atëherë ka një mënyrë tjetër të foluri. Mbrojtja ime konsiston në katër shtylla, që varësisht dëshirës së atyre që duan të manipulojnë procesin mund të kthehen edhe në katër “armë të shkatërrimit në masë”: a) Libri i Helena Kadare. b) Libri i Ismail Kadare. c) Faktet e jetës së Bulkut. d) Dallimi mes marrëdhënieve publike dhe marrëdhënieve juridike. Libri i Helena Kadare, libri i Ismail Kadare, artikulli im i përkasin sferës së marrëdhënieve publike, ku detajet, pohimet, përbëjnë fakte që qarkullojnë në debatin publik. Zonja Kadare e futi çështjen e marrëdhënieve jashtëmartesore të burrit të saj në debatin publik. Në debatin publik nuk operohet me kategori juridike, si në marrëdhëniet juridike, pra gjykata nuk mund të kërkojë që unë të sjell një deklaratë të noterizuar të Ismail Kadaresë, ku ai të pohojë se ka pasur dashnore Rajmonda Bulkun. Në rast se gjykatësi do të bëjë përpjekje që ta kalojë çështjen nga sfera e marrëdhënieve publike në atë të marrëdhënieve juridike, ai do të marrë përsipër përgjegjësinë për daljen totalisht jashtë atributeve që i jep ligji, me të gjitha pasojat që vijnë nga kjo. Unë kam të drejtë që të paragjykoj çështjen se Gjykata ka kompromentuar procesin e rregullt gjyqësor, që është detyrim kushtetues, duke hedhur çështjen në short ditën e depozitimit nga Zonja Bulku, çka është një praktikë shumë e rrallë në gjykatë, dhe rastet kur ka ndodhur nuk përbëjnë rekorde që e nderojnë drejtësinë shqiptare.

Aktorja ju ka paditur për shpifje pas pretendimeve tuaja. Si do të mbroheni në gjykatë?
Unë thjesht kam tërhequr vëmendjen e Zonjës Kadare mbi faktin se emri i personit real që po kërkonte pas personazhit, në një rast, ishte shumë më transparent në botimin e parë të librit “Dimri i Madh”, që është “Dimri i Vetmisë së Madhe”. Tani i përket zonjës Kadare që ta konsiderojë ose jo, në ribotimin e librit, këtë të dhënë.

Po me vetë Ismail Kadarenë keni pasur kontakte në lidhje me pretendimet që ju keni shprehur?
Me Ismail Kadarenë do të kem kontakt kur t’i drejtoj pyetje gjatë seancës gjyqësore mbi librin e tij.


Helena Kadare: Si e kapa Ismailin me balerinën
Në librin e saj autobiografik Helena Kadare përmend një rast kur e ka kapur të shoqin në flagrancë duke u puthur me një vajzë të re që nuk e njihte. Madje e kishte parë edhe e ëma e saj, vjehrra e Ismail Kadares, por ky i fundit me arrogancë kishte mohuar gjithçka. Grindja kishte përfunduar me largimin e Helenës nga shtëpia. Helena Kadare thotë se vajza ishte një balerinë ndërsa Myftaraj shkon edhe më tej duke përmendur emrin e saj.

Helena Kadare
“Një incident i rëndë ndërkaq ndodhi në dhjetor të vitit 1969, në ditëlindjen e Gresës. Në apartamentin tonë kishim ftuar, përveç familjarëve, shumë miq të njohur. Bëheshin rreth 40 veta. Megjithëse vendi ishte shumë i ngushtë, ishte bukur. Hajet e pijet i kishim shtruar në dy tryeza të mëdha në dhomën tonë të gjumit, që e kishim boshatisur nga mobiliet dhe në gjysmën tjetër të apartamentit, njerëzit vërtiteshin e vallëzonin.
Aty pas mesnate, fare rastësisht vura re fytyrën e nënës sime tepër të shqetësuar. E pyeta ç’kishte, por ajo nuk m’u përgjigj. Kërkova me sy Is, që e kisha humbur nga sytë për njëfarë kohe, gjersa e gjeta në një kënd të aneksit të kuzhinës, që bënte sikur vallëzonte me një vajzë, por në të vërtetë ishin përqafuar e po putheshin. Tronditja ishte e jashtëzakonshme. I hoqa sytë dhe u largova tutje, nga tmerri se mos e gjente njeri në atë gjendje. E gjeta nënën, por s’kisha nevojë t’ia thosha ç’kisha parë, se ajo ma preu fjalën: Lëre, lëre. E pashë dhe unë, m’u nxi jeta.
Is e kishte lënë më në fund këndin ku ishte dhe qe futur bashkë me partneren midis të tjerëve. Ai vallëzonte zakonisht bukur, por s’më kishte qëlluar të shihja një partnere që t’i përshtatej aq mirë. Me bisht të syrit u përpoqa të gjej se ç’qe ajo vajzë apo grua, që, te këndi i kuzhinës, ndriçuar vetëm nga një abazhur vënë përdhe, nuk e kisha dalluar dot. Vajza ishte një bionde simpatike, elegante dhe krejtësisht e panjohur.
Më erdhi të thërrisja: nga kishte mbirë kjo femër, kush e kishte ftuar dhe si guxonte të sillej ashtu?
Im vëlla, Berti, që gjithashtu kishte vënë re sjelljen e Is, më tërhoqi mënjanë.
-Është një balerinë e Teatrit të Operës, më tha. E ka sjellë me vete ai tutkuni, shoku im, Xhelali. Xhelati, balerin dhe ai, në Teatrin e Operës, ishte shok i vjetër i tim vëllai. Besnik, i sjellshëm dhe fjalëmbël si rrallëkush. Edhe ai u përpoq të shfajësohej dhe ta zhdramatizonte gjendjen.
- E mi goc, foli tironse, si zakonisht, mos e boj kaq të modhe. Ka kthy tjetri dy gota dhe ka ardh në qejf.
- Ik, more horr, i thashë në një mënyrë të vrazhdë, siç s’kisha folur kurrë ndonjëherë. Nuk e gjeja dot nëse të tjerët e kishin vënë re se ç’kishte ndodhur. Fyerja më dukej e padurueshme. Pas pak pashë Is. Kaloi përbri me ca sy si i verbër.
-Mbaje një çikë veten, i thashë.
Ai m’u kthye si i habitur.
-Çfarë?
-Mbaje një çikë veten, përsërita, dhe mos bëj marrëzira. -S’të marr vesh, tha dhe vuri dorën te tëmthi, siç bëjnë njerëzit kur duan të thonë: mos ke luajtur?
Kjo m’u duk kulmi i poshtërsisë. Nuk mund ta prisja kurrë një sjellje të tillë prej tij. I vetmi justifikim ishte po të qe i dehur. E keqja ishte se Is e duronte shumë pijen. Edhe kur dehej, gjë që kishte qëlluar shumë rrallë, nuk kuptohej fare. Nuk i merreshin këmbët, as goja.
-Ç’ishte ajo femër? Thashë sapo mbetëm vetëm.
Ai bëri sikur nuk e kuptonte ku e kisha fjalën.
-Mor mashtrues, i thashë, duke u dridhur nga zemërimi i qëndrimit të tij. Unë të pashë me sytë e mi kur po putheshe me të.
-S’është e vërtetë, më tha, në mënyrën më të pafytyrë që mund të bëhej.
E shava me ca fjalë, që nuk besoja kurrë se do të përdoreshin në shtëpinë tonë. Për çudi, atij nuk i bënin asnjë përshtypje. I thashë prapë se i kisha parë me sytë e mi te këndi i aneksit të kuzhinës kur po putheshin.
-Mashtrues, i thirra prapë. Si kujton se mund të ma hedhësh me këto profka?
Por ai ngulte këmbë si mushka. Sipas tij, ai s’kishte asnjë faj. Ishte ajo që e kishte përqafuar gjatë vallëzimit dhe e kishte puthur. Kështu që ai s’kishte ç’të bënte. O Zot, mendoja, si kishte mundësi që ky njeri të ishte vërtet kaq i pafytyrë? Ku e gjente këtë gjakftohtësi e këtë cinizëm të mbrapshtë?!…
I thashë që le t’ia hidhte ndonjë tjetri ato dokrra. Ai m’u përgjigj se unë s’kuptoja asgjë nga bota dhe s’do mend, ashtu do të ndodhte gjersa shoqërohesha me ca gra, që e kishin mendjen të shkurtër. Kjo fyerje për shoqet e mia, fyerje që përsëritej prej vitesh, tani m’u duk se kishte arritur në kulmin e abuzimit… Ngrita dorën ta qëlloj, por, e pamësuar me këtë, nuk e mata si duhet dhe goditja më shkoi huq. Ai qëndroi si i ngrirë. Në çast u tmerrova dhe kujtova se do të më godiste dhe ai. Me aq sa e njihja, kisha bindjen se nuk do ta kishte të vështirë të ma kthente. Por, për çudinë time, nuk lëvizi fare. U largua në dhomën tjetër dhe grindja u mbyll. Të nesërmen, pa pritur që të zgjohej, mora vajzën, mora dhe një valixhe me plaçka dhe u nisa në Elbasan…”
Kastriot Myftaraj
“Helena Kadare në librin e saj me kujtime flet për dashurinë e Ismail Kadaresë me një balerinë të Teatrit të Operas dhe Baletit të Tiranës, gjë të cilën ajo e mësoi në 1969. Pak vite më vonë u botua romani i Ismail Kadaresë, “Nëntori i një kryeqyteti”, i cili bëri bujë për shkak se në të kishte një tjetër mise en abyme. Në roman, ngjarjet e të cilit zhvillohen në 1944, tregohet historia e dashurisë mes shkrimtarit Adrian Guma dhe spikeres kryesore të Radio Tiranës, e cila në roman quhet Miriam Morina. Por, Miriam Morina ishte emri i një balerine shumë të njohur në Tiranë, në kohën që u botua libri…”

Myftaraj: Kadare akuzoi Helenën si agjente të sigurimit
Gazetari Kastriot Myftaraj pretendon se libri i Helena Kadare ka shkruar autobiografinë e saj në shenjë hakmarrje ndaj të shoqit që e ka akuzuar si agjente e sigurimit të shtetit. Sipas tij, në librin “E penguara”, Kadare shpjegon se si e shoqja ishte infiltruar nga ministri i Brendshëm në mënyrë që ta kontrollonte.
Ja si e shpjegon Myftaraj këtë gjë:
“…49 vjet më pas, në librin “E penguara”, Ismail Kadare, praktikisht, e akuzoi Helenën se ajo kishte qenë agjente e Sigurimit të Shtetit, e ngarkuar për ta survejuar bashkëshortin. Në romanin “E penguara”, që e kam përmendur më lart, ka një fragment ku rrëfehet për Prijësin (Enver Hoxha), të cilit i vjen një kërkesë: “Ishte një shkresë shoqëruese e ministrit të Brendshëm. Kërkohej leja për të bërë bashkëpunëtore mikeshën, dhe me sa dukej, gruan e ardhshme të Rudian St., stazhiere tani për tani në Austri. Me qëllim, sipas idesë së njohur të Prijsit, mbrojtjen e dramaturgut”. (Ismail Kadare, Vepra, vol. 17, Shtëpia botuese “Onufri”, Tiranë 2009, f. 535). Pas personazhit të Rudian St., siç kam treguar më lart, qëndron vetë Ismail Kadare, gjë që bëhet krejt e qartë kur thuhet në roman se Rudian St., është autori i romanit “Dimri i Suferinës së Madhe”- aluzion krejt i qartë për librin “Dimri i Vetmisë së Madhe”. Kështu, Ismail Kadare, në vitin 2009, 49 vite pas njohjes me gruan, dhe pas 46 vitesh martesë, e akuzoi bashkëshorten e vet, Helenën, se ajo i kishte rënë pas shortit të hedhur nga Sigurimi i Shtetit, dhe se që kur u njohën kishte qenë agjente e Sigurimit të Shtetit, e cila e kishte spiunuar gjatë gjithë kohës. Pikërisht akuza e mësipërme e ka zemëruar aq shumë Helenën sa e bëri të shkruajë në kujtimet e veta për tradhtitë e Isit ndaj saj…”

* * *

Padia, Bulku: Gazetari shpifi. Myftaraj: Tërhiq padinë brenda 72 orësh
Luis Tanushi
Deputetja e Partisë Demokratike, Rajmonda Bulku ka shpjeguar dje detaje të padisë që ka bërë në gjykatë kundër gazetarit Kastriot Myftaraj, i cili e ka cilësuar si e dashura e Ismail Kadaresë. E kontaktuar nga “Shekulli”, Bulku tha se e ka marrë si një fyerje personale, familjare dhe shoqërore dhe si të tillë nuk mund ta pranonte. Ndërkohë vetë Myftaraj i kontaktuar nga “Shekulli” i ka qëndruar asaj që ka botuar në gazetë duke thënë se gjithçka është e vërtetë dhe se Rajmonda Bulku ka qenë e dashura e Ismail Kadare.
Bulku
“Deklaratat e Kastriot Myftarajt janë një shpifje. Unë pretendoj në bazë të të drejtave të mia dhe që sigurisht, janë të drejta ligjore, që drejtësia të vihet në vend dhe të tregohet se shpifja ka një ndjekje penale. Nuk është kollaj të shpifësh. Shpifja është thashethem, shpifja është ndjekje penale. Unë këtë kam bërë”,- tha dje Rajmonda Bulku.
Ajo shpjegoi se nuk ka dashur që të merret vetë me Kastriot Myftarajn dhe për këtë arsye ka bërë padinë në gjykatë në mënyrë që të merret gjykata me këtë çështje. “Përpara ligjit jemi të dy njësoj. Unë nuk jam një qytetare e thjeshtë, jam një aktore, që nesër shkoj në gjyq me atë njeri. Ai mund të pretendojë se ka të drejtë që të shkruajë ku të dojë dhe çfarë të dojë, atëherë unë kam të drejtën e një njeriu të lirë, që në bazë të disa ligjeve, të mbrojë personalitetin tim. Nuk jam marrë me asgjë tjetër, unë jam Rajmonda Bulku që nuk e përballova dot si fyerje. Ajo nuk është vetëm personale, është familjare, është shoqërore”,- tha Bulku.
Ajo sqaroi që pret nga gjykata një proces të shpejtë dhe që çështja e saj të shihet me precedencë. “Jam menduar për këtë gjë. Që të hesht, më duket se tallem me veten. Nuk kam pse e bëj këtë gjë, prandaj bëra padinë në gjykatë”,- tha Bulku.

Myftaraj
Padia në gjykatë duket se nuk e ka shqetësuar gazetarin Kastriot Myftaraj, i cili nga ana e tij nuk ka ndryshuar asnjë presje nga ajo që ka thënë më parë. Madje Myftaraj i ka lëshuar një ultimatum Bulkut ku i kërkon që të tërhiqet ose në rast të kundër do të botojë materiale të tjera për të.
“Në rast se zonja Bulku nuk e tërheq padinë brenda 72 orësh, atëherë në muret e selisë së parlamentit do të ngjiten të gjithë fletët e librit të Ismail Kadaresë ku tregohet se si zonja Bulku ka qenë dashnore e Ismail Kadaresë.. Kjo do ndodhë ditë për ditë, çdo ditë deri në përfundim të mandatit të zonjës Bulku”,- tha dje Kastriot Myftaraj për “Shekullin”.

Myftaraj: Bulku ka qenë e dashura e Ismail Kadaresë
Zanafilla e kësaj përplasje ligjore mes gazetarit Myftaraj dhe aktores së njohur deputetes Bulku është një shkrim i tetë ditëve më parë që Kastriot Myftaraj ka botuar ku analizon disa pjesë të kujtimeve të Helena Kadaresë botuar këto ditë dhe i “përkthen” personazhet e përmendura në ato kujtime në emra konkretë. Mes të tjerave, në atë shkrim, Myftaraj thotë se edhe Rajmonda Bulku në rininë e saj ka qenë një nga historitë e dashurisë së shkrimtarit Ismail Kadare.
Myftaraj e ka shpjeguar pohimin e tij me këto fjalë: “Në romanin “E penguara”, të botuar në 2009, Ismail Kadare pohon një tjetër histori dashurie të tij. Në roman rrëfehet një histori e vërtetë, ajo e vajzës së Liri Belishovës (Çomo), Drita Çomo. Vajza e cila gjendej e internuar me nënën në Cërrik, kishte një shoqe të ngushtë në shkollën e mesme, të këtij qyteti, atë që më pas do të bëhej aktorja e njohur Raimonda Bulku. Kjo e fundit e pohoi këtë gjë publikisht edhe me rastin e promovimit të romanit. Drita adhuronte Ismail Kadarenë dhe donte që ta njihte, por nuk mund të shkonte në Tiranë, se nuk mund të lëvizte lirisht. Në ndërkohë, Raimonda Bulku, e cila falë bukurisë së saj kishte filluar që të luante në filma, u njoh dhe u miqësua në Tiranë me Ismail Kadarenë, dhe i foli për shoqen e saj.
Në roman, shkrimtari Rudian St. i cili ka shkruar romanin “Dimri i suferinës së madhe”, aluzion i qartë për romanin e Kadaresë “Dimri i vetmisë së madhe”, njihet me një vajzë të re, me emrin Migena, e cila posa ka mbaruar shkollën e mesme dhe që kërkon të hyjë në shkollën e arteve në Tiranë. Në këtë kohë Migena bëhet e dashura e shkrimtarit, të cilit i flet për shoqen e saj në provincë, me emrin Linda B. e cila është e internuar. Kur Migena shkon në provincë, shoqja e saj, i kërkon që t’ i tregojë për shkrimtarin dhe dashurinë me të. Qartësisht, pas Migenës qëndron Raimonda Bulku, me të cilën Ismail Kadare u njoh, siç thotë vetë, kur erdhi në Tiranë dhe filloi të luante në filma artistikë…”.  – shkruan Myftaraj.

Helena Kadare: Ndodhia e Ismailit me këngëtaren X 
Tradhtitë e Ismail Kadaresë janë trajtuar në librin që pritet të dalë në treg këto ditë (copa të librit janë botuar ndërkohë thuajse përditë nëpër gazeta) me autore Helena Kadarenë. Në librin e saj autobiografik ajo tregon raste të ndryshme kur është tradhtuar nga i shoqi, por nga ana tjetër shpjegon se ndër vite është mësuar me atë që znj.Kadare e quan “besnikëri relative” me të cilën ajo thotë se është mësuar. Edhe Helena Kadare, si vetë Kastriot Myftari ka konstatuar se shkrimtari vendos kryesisht veten e tij dhe personazhe realë të jetës së vet në romanet e tij.
Por ajo i shënon këto raste në librin e saj me gërma si X apo Y, kurse Myftaraj i ka rimarë dhe “zbërthen” X-in duke i vendosur emrin që fshihet, sipas tij, pas këtyre grave.
Më poshtë është pjesa se si Helena Kadare përshkruar rastin e gruas “X”, e cila, sipas Myftarajt është këngëtarja ***ana Kondakçi:

HELENA KADARE:
“…Një ditë, duke folur bashkë me Is për atë që pëshpëritej tashmë për të, ai, ngaqë nuk e kishte të lehtë të gënjente, ose ngaqë s’i ishte dashur ndonjëherë ta bënte këtë, më dha një shpjegim aq të turbullt, sa m’u duk më e arsyeshme të mos e dëgjoja më tej. Tha se shumë burra të tjerë tërhiqeshin nga bukuria e “X”-it, kështu që s’qe ndonjë çudi që edhe ai të bënte pjesë midis tyre…
Një ditë, një shoqja ime, duke kujtuar se e kishte zbuluar misterin, më tha se “X”- i nuk ishte gjë tjetër veçse personazhi i Ana Krasniqit, grua e bukur, që ai e kishte përshkruar në dy romane të tij. Pra, lidhja paskësh qenë e vjetër, aq më tepër që në të dyja romanet, Ana Krasniqi kishte një histori dashurie me shkrimtarin Bermema, një tjetër personazh…
Ndërkaq, nuk ishte e vështirë të kapje se kishte diçka midis tyre. Njëherë dukeshin me sjellje tërë përkujdesje e vëmendje dhe herën tjetër plot nervozizëm, prishje humori e gati për grindje.
Mbaj mend se në një nga darkat e Vitit të Rim që po e festonim te një nga miqtë tanë, ndodhi diçka e paparashikueshme. Vendi ishte i ngushtë, vallëzonim të gjithë pothuajse ngjitur, në një ambient të ndriçuar fare pak. Pata përshtypjen se Is dhe “X”-i, që po vallëzonin së bashku, u shkëputën befasisht dhe tërë nervozizëm nga njëri-tjetri. Kur pak më vonë ajo ishte tërhequr e pizmosur në një kënd, kurse ai kishte dalë në ballkon, u kuptua qartë se kishte ndodhur një nga ato acarimet e zakonshme në festa të tilla…
Megjithatë, unë u mundova të mos e lëshoja veten para miqve tanë, që, si zakonisht, në këto raste hidhnin e prisnin romuze, që në të vërtetë s’përbënin ndonjë ngacmim të keq, veç qëllimit të mirë të shtendosjes së situatës.
Pas darkës, rrugës për në shtëpi, ngaqë unë s’po e hapja gojën të thosha qoftë dhe një fjalë të vetme, Is iu duk se isha e zemëruar për atë që kishte ndodhur… Mbajti këmbët dhe me zë të lartë tha: Dëgjo këtu! Ti e ke mendjen atje, por dije një gjë: të betohem për kokën e dy vajzave se unë nuk kam fjetur me atë grua.
Nuk e kisha dëgjuar kurrë të bënte ndonjëherë be për vajzat dhe kushedi, ndoshta nga kjo mënyrë e pazakontë e betimit të tij, e besova. Por ai vazhdonte të ishte tërë nerva. E more vesh tani? – bërtiti. Nuk kam fjetur! Këtë herë përdori një fjalë tepër vulgare. Një grumbull i gëzueshëm njerëzish që vinin prapa, kthyen kryet. “…Gjynah, mor burrë, thirri njëri përmes të qeshurave….”
Kastriot Myftaraj
“Helena në libër tregon se dikur, në vitet tetëdhjetë, ajo bisedonte me një mikeshën e saj, për atë se cila femër mund të ishte pas personazhit të Ana Krasniqit, në romanin “Dimri i Madh” të Ismail Kadaresë. Kjo është me të vërtetë qesharake, se romani “Dimri i Madh” nuk është gjë tjetër veçse romani “Dimri i Vetmisë së Madhe”, i ripunuar. Në versionin e parë të romanit, të botuar në 1973, personazhi i Ana Krasniqit del me emrin Ana Kondakçi. Ky ishte praktikisht emri, paksa i shkurtuar, i një këngëtareje të re, shumë të bukur dhe shumë të njohur në Shqipërinë e kohës. Në roman, Ana Kondakçi është një vajzë e bukur me sjellje të lirshme, e cila është e dashura e shkrimtarit Skënder Bermema, i cili shkruan romanin për prishjen sovjeto-shqiptare.
Në personazhin e Bermemës, Kadare qartësisht ka paraqitur vetveten, dhe në personazhin e Ana Kondakçiut, kishte paraqitur personin real që kishte emrin “Ana” në tre germat e fundit të emrit, dhe që e kishte mbiemrin “Kondakçiu”. Kur u botua romani “Dimri i Vetmisë së Madhe” në 1973, ai u shit shumë shpejt dhe bëri bujë të madhe jo për ngjarjet ideologjike që paraqiste, se shqiptarët qenë ngopur me historitë e viteve 1960-1961 nga propaganda e regjimit komunist.
Romani bëri bujë se Kadare në të kishte bërë atë quhet në frëngjisht mise en abyme, ose në anglisht a story within a story,domethënë se brenda subjektit të romanit kishte paraqitur historinë e tij të dashurisë, në mënyrë të pagabueshme, duke shkruar qartë emrin e së dashurës së tij. Ky ishte problemi më serioz që Ismail Kadare pati me këtë libër. Natyrisht se regjimi komunist nuk fliste hapur për një çështje të tillë. Kadarenë thjesht e detyruar që në ribotimin e librit ta ndryshonte emrin e personazhit dhe ai e bëri Ana Krasniqi. Kështu që Helena e dinte mirë se cila femër qëndronte pas personazhit të Ana Krasniqit (Kondakçiut)…”

Helena Kadare: Si e kapa Ismailin me balerinën
Në librin e saj Helena Kadare përmend një rast kur e ka kapur të shoqin në flagrancë duke u puthur me një vajzë të re që nuk e njihte. Madje e kishte parë edhe e ëma e saj, vjehrra e Ismail Kadares, por ky i fundit me arrogancë kishte mohuar gjithçka. Grindja kishte përfunduar me largimin e Helenës nga shtëpia.

Helena Kadare
“Një incident i rëndë ndërkaq ndodhi në dhjetor të vitit 1969, në ditëlindjen e Gresës. Në apartamentin tonë kishim ftuar, përveç familjarëve, shumë miq të njohur. Bëheshin rreth 40 veta. Megjithëse vendi ishte shumë i ngushtë, ishte bukur. Hajet e pijet i kishim shtruar në dy tryeza të mëdha në dhomën tonë të gjumit, që e kishim boshatisur nga mobiliet dhe në gjysmën tjetër të apartamentit, njerëzit vërtiteshin e vallëzonin.
Aty pas mesnate, fare rastësisht vura re fytyrën e nënës sime tepër të shqetësuar. E pyeta ç’kishte, por ajo nuk m’u përgjigj. Kërkova me sy Is, që e kisha humbur nga sytë për njëfarë kohe, gjersa e gjeta në një kënd të aneksit të kuzhinës, që bënte sikur vallëzonte me një vajzë, por në të vërtetë ishin përqafuar e po putheshin. Tronditja ishte e jashtëzakonshme. I hoqa sytë dhe u largova tutje, nga tmerri se mos e gjente njeri në atë gjendje. E gjeta nënën, por s’kisha nevojë t’ia thosha ç’kisha parë, se ajo ma preu fjalën: Lëre, lëre. E pashë dhe unë, m’u nxi jeta.
Is e kishte lënë më në fund këndin ku ishte dhe qe futur bashkë me partneren midis të tjerëve. Ai vallëzonte zakonisht bukur, por s’më kishte qëlluar të shihja një partnere që t’i përshtatej aq mirë. Me bisht të syrit u përpoqa të gjej se ç’qe ajo vajzë apo grua, që, te këndi i kuzhinës, ndriçuar vetëm nga një abazhur vënë përdhe, nuk e kisha dalluar dot. Vajza ishte një bionde simpatike, elegante dhe krejtësisht e panjohur.
Më erdhi të thërrisja: nga kishte mbirë kjo femër, kush e kishte ftuar dhe si guxonte të sillej ashtu?
Im vëlla, Berti, që gjithashtu kishte vënë re sjelljen e Is, më tërhoqi mënjanë.
-Është një balerinë e Teatrit të Operës, më tha. E ka sjellë me vete ai tutkuni, shoku im, Xhelali. Xhelati, balerin dhe ai, në Teatrin e Operës, ishte shok i vjetër i tim vëllai. Besnik, i sjellshëm dhe fjalëmbël si rrallëkush. Edhe ai u përpoq të shfajësohej dhe ta zhdramatizonte gjendjen.
- E mi goc, foli tironse, si zakonisht, mos e boj kaq të modhe. Ka kthy tjetri dy gota dhe ka ardh në qejf.
- Ik, more horr, i thashë në një mënyrë të vrazhdë, siç s’kisha folur kurrë ndonjëherë. Nuk e gjeja dot nëse të tjerët e kishin vënë re se ç’kishte ndodhur. Fyerja më dukej e padurueshme. Pas pak pashë Is. Kaloi përbri me ca sy si i verbër.
-Mbaje një çikë veten, i thashë.
Ai m’u kthye si i habitur.
-Çfarë?
-Mbaje një çikë veten, përsërita, dhe mos bëj marrëzira. -S’të marr vesh, tha dhe vuri dorën te tëmthi, siç bëjnë njerëzit kur duan të thonë: mos ke luajtur?
Kjo m’u duk kulmi i poshtërsisë. Nuk mund ta prisja kurrë një sjellje të tillë prej tij. I vetmi justifikim ishte po të qe i dehur. E keqja ishte se Is e duronte shumë pijen. Edhe kur dehej, gjë që kishte qëlluar shumë rrallë, nuk kuptohej fare. Nuk i merreshin këmbët, as goja.
-Ç’ishte ajo femër? Thashë sapo mbetëm vetëm.
Ai bëri sikur nuk e kuptonte ku e kisha fjalën.
-Mor mashtrues, i thashë, duke u dridhur nga zemërimi i qëndrimit të tij. Unë të pashë me sytë e mi kur po putheshe me të.
-S’është e vërtetë, më tha, në mënyrën më të pafytyrë që mund të bëhej.
E shava me ca fjalë, që nuk besoja kurrë se do të përdoreshin në shtëpinë tonë. Për çudi, atij nuk i bënin asnjë përshtypje. I thashë prapë se i kisha parë me sytë e mi te këndi i aneksit të kuzhinës kur po putheshin.
-Mashtrues, i thirra prapë. Si kujton se mund të ma hedhësh me këto profka?
Por ai ngulte këmbë si mushka. Sipas tij, ai s’kishte asnjë faj. Ishte ajo që e kishte përqafuar gjatë vallëzimit dhe e kishte puthur. Kështu që ai s’kishte ç’të bënte. O Zot, mendoja, si kishte mundësi që ky njeri të ishte vërtet kaq i pafytyrë? Ku e gjente këtë gjakftohtësi e këtë cinizëm të mbrapshtë?!…
I thashë që le t’ia hidhte ndonjë tjetri ato dokrra. Ai m’u përgjigj se unë s’kuptoja asgjë nga bota dhe s’do mend, ashtu do të ndodhte gjersa shoqërohesha me ca gra, që e kishin mendjen të shkurtër. Kjo fyerje për shoqet e mia, fyerje që përsëritej prej vitesh, tani m’u duk se kishte arritur në kulmin e abuzimit… Ngrita dorën ta qëlloj, por, e pamësuar me këtë, nuk e mata si duhet dhe goditja më shkoi huq. Ai qëndroi si i ngrirë. Në çast u tmerrova dhe kujtova se do të më godiste dhe ai. Me aq sa e njihja, kisha bindjen se nuk do ta kishte të vështirë të ma kthente. Por, për çudinë time, nuk lëvizi fare. U largua në dhomën tjetër dhe grindja u mbyll. Të nesërmen, pa pritur që të zgjohej, mora vajzën, mora dhe një valixhe me plaçka dhe u nisa në Elbasan…”

Kastriot Myftaraj
“Helena Kadare në librin e saj me kujtime flet për dashurinë e Ismail Kadaresë me një balerinë të Teatrit të Operas dhe Baletit të Tiranës, gjë të cilën ajo e mësoi në 1969. Pak vite më vonë u botua romani i Ismail Kadaresë, “Nëntori i një kryeqyteti”, i cili bëri bujë për shkak se në të kishte një tjetër mise en abyme. Në roman, ngjarjet e të cilit zhvillohen në 1944, tregohet historia e dashurisë mes shkrimtarit Adrian Guma dhe spikeres kryesore të Radio Tiranës, e cila në roman quhet Miriam Morina. Por, Miriam Morina ishte emri i një balerine shumë të njohur në Tiranë, në kohën që u botua libri…”

Friday, November 11, 2011

Vata dhe "Vllaznia"


Nga GJERGJ KOLA
Trajneri I Vllaznisë pranon sugjerimet e të gjithë specialistëve shkodranë, por në lidhje me skuadrën vendos vetëm ai
Klubi “Vllaznia” ka marrë përsipër të afrojë pranë vetes edhe disa figura të njohura të futbollit shkodran e specialistë të njohur të tij. Ata që nga dita e djeshme kanë qenë pranë skuadrës, duke ndjekur miqësoren me Besëlidhjen dhe para e pas saj, kanë biseduar gjerë e gjatë. Shumë prej futbollistëve aktualë të Vllaznisë sot, kanë kaluar nëpër duart e këtyre trajnerëve dhe normalisht ata ua njohin mirë vlerat.
Se ia thonë këtë gjë edhe Vatës, nuk ka asgjë të keqe. Iniciativa ka qenë e drejtorit sportiv të klubit, Armir Grima, për t’i afruar këta njerëz sërish pranë skuadrës dhe pranë klubit për të dhënë mendimet e tyre. Në fakt, tek klubi i futbollit “Vllaznia” po kthehet një organizim ndryshe i punëve.
Emërimi i Armir Grimës në postin e drejtorit sportiv, afrimi i Rudi Vatës dhe Vioresin Sinanit në pankinë, janë elementët e parë të këtij ndryshimi, por duket se ata nuk do ndalen këtu. Pranë skuadrës do afrohet edhe një grup specialistësh dhe ish-futbollistësh të Vllaznisë për të dhënë mendime dhe sugjerimet e tyre për stafin drejtues.
Iniciativa e marrë nga drejtori sportiv Grima është shoqëruar me disa ftesa në adresë të disa prej specialistëve të futbollit shkodran dhe disa prej tyre i janë përgjigjur menjëherë pozitivisht, duke qenë prezentë që në miqësoren e djeshme me Besëlidhjen.
Ramazan Rragami, Paulin Ndoja, Nikoll Gjergji, Ismet Hoxha, Astrit Premçi dhe Suad Lici kanë qenë të pranishëm në këtë ndeshje dhe kanë diskutuar gjatë me trajnerin Vata. Para dhe pas ndeshjes. Për drejtorin Grima, afrimi i këtyre figurave është një gjë shumë pozitive për klubin, që duhet të ndihet i nderuar që ka në gjirin e tij të tilla figura.
Specialistët “Klubi “Vllaznia” duhet të jetë i gëzuar që ka në gjirin e tij figura të tilla. I falënderoj për gatishmërinë e shfaqur për të ardhur e dhënë mendime e tyre, por nuk mjafton vetëm të jenë të pranishëm në stadium, se e kanë vendin e vet. Natyrisht që kjo praktikë pune do vazhdojë, madje mund të themi se jemi të vonuar në këtë drejtim disi,” – ka thënë Grima.
Në lidhje me këtë çështje, ka folur edhe trajneri Vata, që ka shprehur gatishmërinë e tij për të bashkëpunuar e biseduar me çdo njeri a specialist për të mirën e Vllaznisë. “Të kesh pranë figura të tilla sportive, natyrisht që është diçka pozitive dhe është shumë normale të bisedosh e të diskutosh me ta për skuadrën. Nuk është asnjëherë keq të ndash mendimet me dikë tjetër.
Unë do t’i dëgjoj të gjithë, por në fund ai që do vendosë për skuadrën, do jem unë”. Një atmosferë  e tillë në fakt ka vite që nuk ekziston në Shkodër. Vite më parë, ka ekzistuar edhe një këshill trajnerësh, i cili merrte në raport edhe trajnerin e parë, jepte sugjerime dhe bënte më të mirën në aspektin profesional për të ndihmuar stafin drejtues.
Ndoshta kjo ide po kthehet sërish, teksa mendohet që ndoshta Ramazan Rragami të jetë këshilltari kryesor i trajnerit Vata, ndërkohë që edhe specialistë të tjerë të japin mendimet e tyre për të mirën e Vlllaznisë. Vata nuk ka qenë kundër kësaj ideje, madje e ka përkrahur atë, sepse nuk është keq të dëgjosh mendime profesionistësh.

Shkodranët fitojnë 1-0 edhe ndaj Besëlidhjes
Vllaznia e ka fituar edhe miqësoren e dytë të kësaj jave sërish me të njëjtin rezultat. Ashtu si ndaj Adës, edhe në ndeshjen e luajtur në mesditen e së enjtes, kuqeblutë kanë fituar me rezultatin 1-0. Golin e vetëm të ndeshjes kundër lezhjanëve e ka shënuar mesfushori Stivi Shaba në minutën e 60-të të ndeshjes, pas një goditjeje të bukur me kokë pas krosit të ardhur nga Markolaj.
Në këtë ndeshje, trajnerët e të dy ekipeve, Rudi Vata dhe Ritvan Kulli, janë munduar të aktivizojnë të gjithë futbollistët që kanë pasur në dispozicion për ta parë gjendjen e secilit prej tyre. Vllaznia e ka nisur ndeshjen, duke pasur në portë Gjokoviçin e pastaj me radhë, Smajli, Danaj, Muça, Demaj, Tafa, Karakaçi, Gocaj, Hajdari, Hasani dhe Guri, ndërsa Besëlidhja e ka nisur me Xhikën, Dibrën, Peqinin, Kepi, Shyti, Pepa, Jacaj, Malasi, Nikolli, Mehja dhe Arenc Dibra.
Pjesa e parë e ndeshjes është mbyllur 0-0, pavarësisht rasteve të dy ekipeve. Ndërsa në të dytën trajneri Vata ka hedhur në fushë edhe Rexhepin, Markolajn, Balajn, Lekajn, Jubanin, Idrizin, Erkoçeviçin e Gjinin. Për t’u veçuar është fakti se fati i keq vazhdon t’i ndjekë futbollistët e Vllaznisë. Dje në miqësoren ndaj Besëlidhjes është dëmtuar edhe portieri i dytë Gjokoviç, pas një përplasjeje me kundërshtarin.
Me ndeshjen e djeshme, Vllaznia ka mbyllur ritualin e miqësoreve të kësaj jave dhe do fillojë të mendojë të bëhet gati për ndeshjen e ardhshme të kampionatit me Apoloninë. Për trajnerin Vata, ishin dy miqësore që ia vlejtën. “Besoj se ia arritëm qëllimit me këto dy miqësore. Kemi pasur mundësinë të shohim të gjithë futbollistët e rinj që janë në skuadër dhe të tjerë të ardhur nga ekipi i të rinjve i Akademisë “Vllaznia”. Besoj dhe mendoj se ka të rinj me talent, por u duhet shumë punë për të ardhmen.”

Trajneri i portierëve? Vllaznia s’e ka gjetur ende
Prej një jave e gjysmë Vllaznia është e paplotësuar në pankinën e saj. Është gjetur trajneri i parë, ndihmësi i tij, është shtuar edhe përgatitësi atletik, por sërish mungon trajneri i portierëve. Drejtuesit e klubit ende nuk kanë gjetur njeriun e duhur për të zëvendësuar Avenir Danin, që ka mbajtur më parë këtë post. Edhe dje vetë trajneri Vata e ka pranuar se ende nuk është gjetur njeriu i duhur. “Kam kërkuar një njeri energjik, një njeri që të bëjë pjesë në stafin tim dhe të ketë idetë e mia, por ne po punojmë për të gjetur trajnerit e duhur të portierëve dhe ende nuk e kemi gjetur. Shpresojmë që në ditët në vazhdim, edhe kjo hallkë e drejtimit të plotësohet.”

SUKAJ DHE VUJADINOVIÇ JANË MË TË PAGUARIT, NDËRSA SPIKAT VAJUSHI MË PAK, 15 MILIONË TË VJETRA, TË RINJTË ME NGA 2 MILIONË

Klubi “Vllaznia”, ja pagesat e lojtarëve

400 milionë lekë të vjetra shkon në total detyrimi sezonal që ka klubi shkodran në formë kontratash me lojtarët

Klubi i futbollit “Vllaznia” sh.a. është i vetmi klub në Shqipëri që ka publikuar rrogat e futbollistëve dhe stafit drejtues. Kuptohet, gjithçka është bërë në kuadër të transparencës së plotë të çdo leku që Bashkia “Shkodër” hedh te skuadra. Bashkia mbahet me lekët e taksapaguesve shkodranë dhe, rrjedhimisht, drejtuesit e futbollit që kanë varësi direkte nga ky institucion, kohë më parë kanë bërë publik para Këshillit Bashkiak të gjitha pagesat e futbollistëve dhe stafit drejtues. Në këtë periudhë që në skenë kanë dalë disa pretendime të lojtarëve për ndalesa në rroga a kontrata të pazbatuara, me interes besojmë se është botimi i vlerës së kontratave të gjithë futbollistëve të Vllaznisë. E vërteta është se te klubi “Vllaznia” ka shumë korrektesë në pagesë, teksa rrogat jepen në datat e caktuara, por mbetet për t’u zgjidhur problemi i taksave. Kështu, kontratat më të mëdha i kanë sulmuesi Sukaj dhe portieri Vujadinoviç me nga 35 mijë euro në sezon, ndërkohë që më pak të paguarit natyrisht që janë lojtarët e rinj, që kanë rroga modeste.

Ja kontratat sezonale
Xhevahir Sukaj                                 35 mijë euro
Miroslav Vujadinoviç         35 mijë euro
Gavrilo Petroviç                   33 mijë euro
Amarildo Belisha                 21 mijë euro
Braçan Popoviç                    20 mijë euro
Gentian Muça                                   2.8 milionë lekë
Dritan Smajli                         2.6 milionë lekë
Vioresin Sinani                                 2.5 milionë lekë
Olsi Gocaj                             2.5 milionë lekë
Valdano Nimani                   2.0 milionë lekë
Arsen Sykaj                           1.5 milionë lekë
Armando Vajushi                 1.5 milionë lekë
Enis Gjokoviç                                   1.5 milionë lekë
Sadush Danaj                                    600 mijë lekë
Edon Hasani                          600 mijë lekë
Arsen Hajdari                                   380 mijë lekë
Jurgen Gjini                          260 mijë lekë
Amir Tafa                                          200 mijë lekë
Fabjol Rexhepi                                 200 mijë lekë
Ari Djepaxhia                                   200 mijë lekë
Stivi Shaba                            200 mijë lekë
Ndue Mujeci                         200 mijë lekë
Abaz Karakaçi                                  200 mijë lekë
Bekim Erkoçeviç                  200 mijë lekë
Florind Bardulla                   200 mijë lekë
Gojart Rusi                            200 mijë lekë

Thursday, November 10, 2011

A preket Milani nga dorëheqja e Berluskonit si kryeministër?


Presidenti i Milanit, Silvio Berluskoni, do të heqë dorë nga pozicioni i kryeministrit të Italisë në ditët e ardhshme, por ajo që nuk dihet, që nuk mund të thuhet me siguri për momentin, është përgjigjja: sa efekt do të ketë kjo lëvizje në klubin kuqezi, që ai e ka në pronësi për 25 vitet e fundit.
Siç premtoi të martën, pas daljes nga zyra e presidentit italian, Giorgio Napolitano, kryeministri i vendit fqinj, përtej Adriatikut, Silvio Berluskoni, do të japë dorëheqjen nga funksioni i tij, duke i hapur rrugën një qeverie tjetër, që mund të kurojë situatën delikate ekonomike. Pas kursit të ndjekur prej tij, Italia e dërgoi huamarrjen në shtatë përqind, një shifër e konsideruar e paqëndrueshme për një ekonomi shumë të madhe, si ajo e Italisë. Me humbjen e shumicës në senat, Berluskoni ra dakord që të hiqej mënjanë nga drejtimi i vendit. Por, ndërsa italianët, natyrisht do të pyesin se çfarë do të thotë kjo tërheqje e tij për jetën e përditshme të tyre, nga kampi i Milanit ngrihen pikëpyetja logjike, e tipit: çfarë ndikimi do të ketë në klubin kuqezi vendimi i Berluskonit për t’u tërhequr nga kryeministër i Italisë. Pas një çerek shekulli në krye të kuqezinjve, përfshirja e ditëpërditëshme e manjatit të medias në klubin e Milanit ishte bërë e papërfillshme, pothuajse inekzistente, sepse ndikimi i tij politik ishte rritur gjatë viteve. Por tani shumë ngrenë pyetjen nëse në fund të angazhimit të tij politik, në fund të herës së tretë në pushtet, do të ketë më shumë kohë dhe dhe më tepër para Berluskoni për Milanin, kampionin në fuqi të Seria A. Gambino Simone, gazetar dhe analist i “goal.com” beson se zhvillimet e fundit politike, që kanë të bëjnë direkt me Berluskonin, do të ndryshojnë pak në aspektin e trajtimit të Milanit. “Vëmendja e tij është ende e foksuar, në mënyrë të vendosur, mbi politikën. Sipas mendimit tim, asgjë nuk do të ndryshojë në një afat të shkurtër në raportin e Berluskonit me Milanin. Ndoshta, përpara zgjedhjeve të reja politike në Itali, që mbahen në shkurt të vitit të ardhshëm, Berluskoni mund të vendosë për të blerë një lojtar të nivelit të lartë, për të fituar disa vota më tepër për partinë e tij. Emrat më të mundshëm për t’iu bashkuar Milanit në këtë periudhë janë Didier Drogba, ose ndoshta Karlos Tevez. Berluskoni do të ishte gati për ta paguar edhe këtë faturë financiare futbollistike në funksion të zgjedhjeve, ku do të jetë e angazhuar partia e tij. Nëse dështimi i partisë së tij në këto zgjedhje do të jetë i dukshëm, atëherë Berluskoni do t’i kthejë më shumë sytë nga Milani, do të ketë më shumë liri për t’u marrë me kuqezinjhtë, me futbollin. Në cilëndo rrethanë, ai me siguri do të mbetet president i Milanit, por për momentin Berluskoni do të vazhdojë të jetë një politikan i dorës së parë në Itali, shumë i zënë me këtë angazhim. Nëse partia e tij i humb zgjedhjet e shkurtit të ardhshëm, atëherë mund të zgjedhë t’i kushtojë më shumë kohë Milanit.”

Meri Lalaj: Kur shoqëroja Helenën në takimet e fshehta me Ismailin


Shoqja e fëmijërisë tregon sekretet me shkrimtaren.
Në takimin e parë para konviktit, Ismaili shoqërohej nga Naum Prifti.
Bashkë i njohën librat, letërsia, ashtu si ndodhi edhe me Ismailin. Meri L. (Lalaj) për shumë vite do të ishte e besuara besnike e Helena Kadaresë. Në të ri shkëmbenin letra pa fund me njëra-tjetrën, ku ndanin çdo të fshehtë. Helena në Elbasan dhe Meri në Pogradec, më tej të dyja në Tiranë, më pas sërish distancë… Pas daljes së librit me kujtime “Kohë e pamjaftueshme” të Helena Kadaresë, reagimet ndaj tij kanë qenë nga më të ndryshmet. Në këtë përplasje qëndrimesh, shkrimtarja dhe përkthyesja Meri Lalaj jep versionin e saj të njohjes me Helenën, për njohjen e çiftit Kadare, sulmet para dhe pas ’90-s, por edhe për tradhtitë e Ismailit. Të gjitha këto në një intervistë me gazetarin Roland Qafoku, në ekranin e “Planet Tv”.
Znj. Lalaj, si arritët ju që të merrnit atë statusin e famshëm që në libër, Helena Kadare e perifrazon si “konfidentja ime shpirtërore”? Si u lidhët ju me Helena Kadarenë dhe çfarë ndodhi që u bëtë ju konfidentja shpirtërore e saj?
Unë dhe Helena jemi njohur që në fëmijëri, në kampet e Pogradecit. Ishin disa kampe me kohë të zgjatur dhe ndoshta na kanë lidhur librat, ato që i kishim lexuar dhe i tregonim njëra-tjetrës. Pas kësaj, gjatë viti shkollor ne i shkruanim letra të gjata njëra-tjetrës, ashtu siç tregon Helena në libër. Kjo ka qenë njohja jonë, e cila ka vijuar gjatë fëmijërisë, gjatë rinisë dhe po vazhdon ende.
Çfarë është për ju libri “Kohë e pamjaftueshme”? Ishte një befasi apo ishit njohur që në dorëshkrim?
Jo që në dorëshkrim. Helena më kishte thënë që po shkruante një libër. Mendoj se e ka filluar 15 vite më parë dhe më në fund libri doli. E pashë variantin në frëngjisht, atje ku ishte emri im, por duke qenë se nuk lexoj dot frëngjisht, e kam parë vetëm si libër. Kam ndjekur më pas prezantimin e librit kur ai u prezantua dhe në vendet frëngjishtfolëse e pata durimin sa të dilte në gjuhën shqipe.
Çfarë është për ju ky libër, si ju duket, duke qenë se jeni vetë personazh?
Nuk më intereson fakti që jam vetë personazh, por ky është një libër, i cili nuk mund ta shkruajë askush për shkrimtarin e madh Ismail Kadare, sepse në këtë libër gërshetohen të gjitha. Gërshetohet dashuria që ka Helena si bashkëshorte ndaj tij, si mike e afërt ndaj tij dhe askush nuk mund të shkruajë këtë libër veç asaj. Duke i qëndruar pranë, duke qenë vetë shkrimtare dhe duke e ndjekur hap pas hapi në karrierën e tij, në këtë libër Helena zbërthehen Ismail Kadarenë si shkrimtar. Në këtë libër ne e shohim atë si njeri, si bashkëshort, si baba apo gjysh dhe të gjitha janë dhënë në atë libër.
Ju thatë që janë dhënë të gjitha në këtë libër, megjithatë komentet për të janë nga më të ndryshmet. A mund të themi ne se me këtë libër njohim shumë mirë Ismail Kadarenë?
Unë them se me anë të këtij i libri e njohim shumë mirë Ismail Kadarenë. Kam biseduar me dy miqtë e mi gazetarë dhe njëri, i cili e kishte përfunduar së lexuari librin, më tha se mos është i parakohshëm d.m.th që nuk ka arritur shoqëria shqiptare të kuptojë që një grua shqiptare të tregojë të vërtetat për burrin e saj, duke qenë se Helena e ka parë me syrin e bashkëshortes. Mua më erdhi keq, pasi ata janë brezi pas meje dhe mendoj se a kemi qenë ne më të përparuar, më të emancipuar në kohën tonë, sesa qenka ky brez i tanishëm?
Atëherë po ju huazoj pyetjen, cili është brezi më i emancipuar? Janë disa momente në libër kur brezi më i ri edhe janë shtangur e habitur duke lexuar disa pasazhe dhe intimitete të Ismailit, lidhjet e tij jashtëmartesore e të tjera detaje si këto.
Nuk më ka shtangur dhe habitur asgjë, pasi më duken të gjitha të natyrshme, sepse ai është një gjeni, dhe tek gjeniu nuk vihen re vogëlsirat, me ato që është marrë shtypi çdo ditë, duke nxjerrë ato gjoja intimitet rozë. Duke mos dashur të bëj krahasime, por të themi Bethoven, ose shkrimtarë të tjerë që kanë pasur “cene” dhe perversitete në jetën e tyre, por askush nuk i kujton këto, por vetëm gjenialitetin e tyre. Nuk ka këtu për t’u habitur dhe unë çuditem sepse kur di që do një burrë dhe je e mbështjellë nga dashuria e tij dhe e ke të sigurt këtë dashuri, nuk ka asgjë kur sheh të kalojë një grua në rrugë dhe të thuash “shiko sa grua e bukur”. Të dy mund ta shijojnë bukurinë.
Helena dhe Ismail Kadare janë një çift i pazakontë dhe duke përmendur titullin e librit “Kohë e pamjaftueshme”, a është kohë e mjaftueshme ajo që ka kaluar Helena me Ismailin?
Jo nuk është kohë e mjaftueshme, sepse ata kanë aq shumë gjëra me njëri-tjetrin si librat, mendimet, dashurinë dhe fëmijët e tyre.
Duke lexuar pasazhet nga libri, Helena dhe ju mund të quheni si zbuluesit e parë të Kadaresë. Ishte kjo një dhunti juaja, apo ju lexonit çdo gjë që botohej?
Unë ju thashë që unë dhe Helena u njohëm sepse ishim në botën e librave dhe pastaj ne i shkruanim njëra-tjetrës për librat që lexonim. Ndërsa në vitet që ne ishim në gjimnaz, prisnim me padurim që të dilte ditët e shtuna “Zëri i rinisë”, dhe lexonim poetët e rinj dhe mrekulloheshim nga poezitë e tyre.
Përse nuk lexonit poetët e vjetër, por zgjidhnit ata të rinj?
Ata i kishim lexuar, ne na interesonin ata që ishin të brezit të që do vinin. Por mbase ata i afroheshin më shumë moshës sonë dhe botës sonë shpirtërore dhe ndër ta dallonte Ismail Kadare. Unë dhe Helena shkëmbenim mendime për Ismailin dhe të tjerë, madje Helena ka botuar diku në një revistë edhe një shkrim, të shkruar me shkrimin tim të dorës, një mendim timin lidhur me Kadarenë.
Nëse Helena nuk do të ishte shkrimtare, do të kishte diçka ndryshe në këtë çift, apo do të ngjizej ky çift?
Patjetër që do të kishte diçka ndryshe. Po të ishte një grua e rëndomtë, nuk besoj se Ismaili do ta duronte dot që të lante dhe fshinte shtëpinë. Por ne i adhuronim poetët, në atë kohë ata nuk na dukeshin si qenie njerëzore, na dukeshin si engjëj, aq shumë i adhuronim. Ky ishte dhe adhurimi ynë për Ismailin. Por gjatë kohës që ne ishim në maturë, Helena botoi një tregim dhe në atë kohë Ismaili ishte në Moskë. Gazetat e Rusisë vinin në Shqipëri dhe “Zëri i rinisë” shkonte aty, Ismaili e lexoi tregimin. Ai ishte bashkë me Dhimitër Xhuvanin dhe u interesua për Helenën. Meqë Dhimitri kishte jetuar në Elbasan dhe e njihte, tha që kjo ishte një vajzë e bukur. Dhe Helena ishte e bukur në atë kohë.
Sa e bukur ishte Helena?
Ishte shumë e bukur, bionde me sy të errët dhe binte në sy nga të gjitha vajzat e Tiranës kur erdhëm ne në fakultet. Në këtë kohë, Ismaili i dërgoi një letër Helenës që nga Moska. Më pas, ajo më çoi një letër dhe mua, ku kishte futur brenda edhe letrën e Ismailit, duke më kërkuar mendim, pasi Helena ishte mrekulluar që i kishte ardhur një letër nga ky poet që ne e kishim adhuruar. Mbaj mend që kur i kam kthyer përgjigje, i kam thënë që letra e Ismailit ishte një copë ajsbergu e ardhur nga Moska. Në të vërtetë, Moska s’kishte lidhje me detin, por ashtu më erdhi mendimi në atë kohë. Gjithashtu mbaj mend që Ismaili i kishte shkruar, duke i thënë se duhet të lexosh shkrimtarë amerikanë, të cilët ne nuk i kishim dëgjuar në atë kohë, pasi nuk ishin përkthyer. Dhe më pas në fakultet ndodhi takimi i parë i Helenës me Ismailin.
Ju keni ndikuar tek Helena për këtë lidhje me Ismailin?
Besoj se po, unë e çoja në ato takimet e fshehta. Kujtoj kur erdhi Ismaili për herë të parë tek konvikti ynë, na thanë që Helenën dhe Merin i kërkojnë të porta. Ismaili erdhi me Naum Priftin, dhe Helena u takua me Ismailin, ndërsa unë ndenja me Naumin. Ata nuk po e mbaronin bisedën të dy, ishte dhe ftohtë, u futëm në një klub, pimë diçka dhe ata ende nuk i kishin dhënë fund bisedës. Por më pas, Helena shumë e lumturuar më tha në fund se ai i kishte prerë një pjesë nga gërsheti dhe e kishte marrë me vete. Ai ishte takimi i parë. Takimet bëheshin të gjitha në fshehtësi, pasi ishte dhe i vëllai i Helenës, i cili e ndiqte, duke qenë se ajo ishte një vajzë e vetme. Kaloi një kohë e gjatë dhe ne ishim shumë të lumtura që këtë gjë e dinim vetëm ne, por një ditë ndodhi diçka e papritur. Në shtëpinë e gjyshit të Helenës, tek Pazari i Ri, kishin ardhur prindërit e saj dhe ne të dyjave na thirrën për të shkuar atje. Befas, nga një bisedë e gëzuar, babai i Helenës nxjerr një letër të shtypur në makinë shkrimi. Ajo ishte një letër anonime e tmerrshme, e dërguar nga një mik siç quheshin në atë kohë, dhe i tregonte se shoqja e vajzës së tij, Meri, e çonte Helenën në takime të fshehta. Unë vazhdova përsëri miqësinë me Helenën edhe pas kësaj, me prindërit e saj nuk doja të komunikoja, pasi unë mbeta fajtore për një gjë të tillë. Megjithatë, Helena vazhdoi me Ismailin dhe kur shoqet e mia shkuan në dasmën e tyre, unë nuk shkova, për shkak të kësaj letre dhe nuk doja të dilja përpara prindërve të saj.
Në natën e 23 tetorit të 1963, ndërsa unë isha në konvikt, më kërkojnë tek porta. Ishte i vëllai i Helenës, i cili nxori një letër qe e kishte shkruar Helena. Nën dritën e shtyllës elektrike lexova letrën, në të cilën thuhej “E dashur Meri, në Elbasan nuk erdhe. Po të shkruaj e veshur nuse. Të lutem të vish”. Pas kësaj vendosa të shkoja. Dasma u bë në apartamentin e Ismailit dhe ishin të ftuar shokët e tij dhe të Helenës.
Çfarë ndodhi në atë dasmë, pasi është shumë e rrallë që në këtë dasmë të ishin të ftuar vetëm shokët e Ismailit dhe shoqet e Helenës?
Mbaj mend që ishin shumë nga shokët dhe pedagogët tanë. Aty Helena ishte rrezëllitëse. Kishte veshur një fustan të bardhë të shkurtër, me taka dhe dukej shumë e lumtur. Ismaili e kishte hequr kostumin e dhëndërisë dhe kishte veshur një palë pantallona dhe këpucë të zakonshme, që të ishte i çlirët kur kërcente.
Pasi Helena ju kishte treguar se nuk do të kishte martesë me Ismailin, ajo në libër tregon se ju i keni thënë që nuk ka problem, mjafton që të bësh një fëmijë me të dhe do ta rrisim bashkë. Sot ne habitemi me këtë.
Qesh. Jo, aspak, dashuria e tyre mund të kurorëzohej me një fëmijë, dhe përse nuk mundeshim ne ta rrisnim atë fëmijë…
Po ju nuk do të kishit jetën tuaj, por do të rrisnit fëmijën e shoqes?
Nuk e di, ndoshta do të bëja dhe jetën tim dhe do ta ndihmoja atë. Në atë kohë, Helena thoshte se dëshironte të kishte gjashtë vajza, ndërsa unë i thosha se do të bënte një skuadër volejbolli, por për vete kërkoja vetëm një vajzë. Ndoshta kjo Helenës nuk iu realizua, por mua më ndodhi që këtë fëmijë ta rris vetëm.
Helena ka treguar në libër lidhjet intime të Ismailit. Ju si i keni përjetuar ato, kur Helena ua tregonte?
Nuk kishte asnjë problem, pasi ajo nuk i vuri vetes detyrë, që u takua me këtë njeri dhe patjetër do të përfundonte me atë. Ajo i vuri vetes detyrën që të ishte me atë njëri dhe të jesh me atë njeri është më shumë sesa të martohesh me një të huaj.
Cilat kanë qenë fjalët më të mira që ju keni dëgjuar me çiftin Helena-Ismail dhe ato më të këqija që ju kanë vrarë më shumë, që nuk kanë qenë të vërteta?
Tani jam e gjitha e përqendruar tek fjalët e këqija, pasi siç thuhet dhe në libër që kur vinte muaji tetor, që dikur kishte qenë muaji i letërsisë, tani ishte fushata kundër Ismailit.
Ju shqetësonin këto fushata kundër Kadaresë dhe sulmet që i janë bërë atij? Si i keni përjetuar ju këto, si një njeri i afërt i familjes?
Në këto ditë po ndodh një fushatë e egër ndaj vlerave të vërteta, pasi libri i Helenës është një vlerë e vërtetë që do t’i mbetet kombit shqiptar dhe, nga të gjitha këto, të shikosh vetëm disa çikërrima dhe intimitete që ajo ka nxjerrë… Lidhur me sulmet, më kujtohet një plenum që u mbajt në pranverën e viti 1982, pas vdekjes së Mehmet Shehut, në të cilin u kritikua libri i Ismailit, “Nëpunësi i pallatit të ëndrrave”. Në radhë të parë ishte Nexhmie Hoxha, kishte dhe anëtare të Byrosë dhe Ismaili ishte vetë në Presidium. Helena ishte dy radhë para meje, ndërsa unë mbaja sytë vetëm tek ata të dy. Unë që mendoja se Helena skuqej nga një fjalë e pahijshme, ajo shihte tani se si po e sulmonin burrin e saj. Ndërsa kur vështroja Ismailin, ai qëndronte në vendin e tij shumë dinjitoz e i palëkundur, pa dhënë asnjë shenjë se çfarë po ndodhte më të, duke e përmbajtur veten shumë mirë. Për një çast m’u duk sikur ai kishte brerore rrotull që i lëshonte dritë duke më përngjasuar me ata shenjtorët që kemi qëlluar me gurë. Ndërsa me atë që po bëhet këto ditë lidhur me librin, Helenën mund ta krahasoj me Shën Morenën, e cila është një shenjtore, e cila thonë se ka ardhur që nga liqeni në malet e Mokrës, aty ku zë fill Shkumbini. Atë e sulmonin njerëzit, sepse ajo kuronte plagët e tyre, pasi ata nuk mund ta kuptoni mirësinë që bënte kjo shenjtore dhe ndaj ajo u detyrua të futej në atë shpellën e thellë.
Tradhtia bashkëshortore duhet falur vetëm se Kadare është gjeni?
Nuk është kusht të qenët gjeni, ajo varet nga marrëdhënia që ka çifti që mund të falë. Nuk është thjesht dashuria burrë dhe grua, ka dhe dashuri të tjera aty brenda, siç një grua ka dashurinë e nënës, dashurinë e miqve që e kanë tradhtuar, ndaj e mbështjell atë burrë të tërin me dashuri. Çfarë të them tjetër… Apo kur më ka thënë një burrë që të kam tradhtuar dhe unë i jam përgjigjur nuk ka asgjë.
Disa zëra kanë thënë se ky libër është shkruar nga Ismail Kadare dhe jo nga vetë Helena. A është e vërtetë kjo?
Kjo është thënë që në fillim, që kur Helena botonte libra. Por e kam thënë edhe më parë, që Helena pa shkuar në universitet kishte botuar tregime dhe vazhdonte të botonte. Kur u martua me Ismailin dhe botoi vëllimin e parë, besoj se ato tregime kanë qenë shkruar më parë se të takohej me Ismailin.
A ka qenë Helena e “dënuar” që pas lidhjes me Ismailin të shkruante shumë herë më mirë, që të arrinte nivelin e tij?
Këtë e ka vërtetuar me këtë libër. Pasi ai ka një stil të jashtëzakonshëm, të rrjedhshëm të kuptueshëm nga të gjithë. Ky libër është edhe letërsi edhe një nga ata libra që mund të lexojmë sot në botë për jetën e njerëzve të shquar.
Ka gjëra në libër që Helena nuk i ka shkruar dhe i ka fshehur?
Nuk e di, por edhe kaq sa ka shkruar, ajo ka hapur krejtësisht zemrën ndaj lexuesit shqiptar. Nuk e di ç’mund të thoshte gjëra të tjera, pasi ato janë të gjitha gjëra me vlerë. Në këtë libër njohim një Ismail Kadare, që po të perifrazoja Eqrem Çabej kur  thotë se “Ne Lasgushin duhet t’ia falim botës”, mund të them që ne këtë Ismail Kadare ia kemi falur botës.
A jeni ndier ndonjëherë xheloze për jetën e Helena Kadaresë?
Nuk kam qenë ndonjëherë xheloze. Xhelozia dhe dashuria nuk matet me metër dhe me kilogramë, janë ndryshe si ndjenja.
Ku ndaheshit ju të dyja?
Lalaj: Unë jetoja në Pogradec, ndërsa ajo në Tiranë.
E vuaje mungesën e Tiranës?
Po, Tiranën e doja shumë, por nuk kisha mundësi të jetoja në kryeqytet.
Kadareja ka qenë një njeri i sulmuar para dhe pas ’90-s. Ku është ndryshimi mes sulmeve, pasi duket se ai ka qenë më shumë i sulmuar pas ’90-s?
Pas ’90-s ka më shumë sulme, pasi ka njerëz ziliqarë, të cilët kanë dashur të bëhen shkrimtarë dhe të famshëm, por nuk kanë arritur asgjë, ndaj dhe hedhin baltë.
Çfarë do t’ju thoshit ju atij brezi të ri që nuk e kanë njohur Kadarenë, as në fillimet e tij as kur ai mori famën më të madhe?
Është një fat i madh për Shqipërinë që kemi një gjeni të tillë dhe duhet të lexojnë më shumë për ta kuptuar atë dhe jo të merren me fjalë kafenesh.
Në bisedën që Helena i ka treguar Ismailit për librin, ai ka thënë se “Ballkanasit nuk dinë të tregojnë”. A e ka përmbysur Helena me këtë libër këtë thënie të Kadaresë?
E ka përmbysur, pasi ka treguar në mënyrë të përsosur jetën e bashkëshortit të saj dhe shkrimtarit të madh Ismail Kadare.
ROLAND QAFOKU