Një investim me vlerë 10 milionë euro mbahet peng prej 11 vitesh nga pushteti qendror dhe ai lokal. Gjithçka ka nisur në vitin 2012, me idenë për të ndërtuar një central elektrik fotovoltaik, në afërsi të burgut të Reçit. Por pas 11 vitesh, investitorët janë ende në gjyq me qeverinë dhe Bashkinë e Malësisë së Madhe
Sipas dokumenteve që Shkodra Blog disponon, shoqëria Malësia Solar 1, 2, 3, e krijuar nga investitorë bullgarë, me administrator Dimitar Botev dhe Edmond Sterkaj, në vitin 2012, shprehu interesin për të ndërtuar një central fotovoltaik, për prodhim energjie në komunën e Shkrelit.
Sterkaj thotë për portalin Shkodra Blog se qeveria po i mban peng projektin, ndonëse i është miratuar leja nga KKT që me datë 28 korrik 2016 dhe i ka paguar të gjitha taksat. Sterkaj nuk ka rënë dakord me kryetarin e Bashkisë së Malësisë së Madhe pasi i ka kërkuar më shumë përqindje te taksa. Për ndërtimin e parkut nevojitet një vit, ndërsa në këtë projekt janë përfshirë edhe investitorë të huaj.
Falë një marrëveshjeje me këtë të fundit, po atë vit, kompania mori me qira për 30 vite 150 mijë metra katror tokë. Projekti parashikonte ndërtimin e një centrali fotovoltaik me fuqi 7.5 deri në 8.6 megavat, një investim me vlerë 10 milionë euro që do të gjeneronte të paktën 120 vende pune.
Në vitin 2015, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, në atë kohë Ministria e Energjisë, i dha lejen kompanisë për ndërtimin e centralit, leje e cila më pas mori edhe miratimin e Këshillit Kombëtar të Territorit.
Në foto Projekti për Centralin Fotovoltaik.
Një vit më pas, investitorët në fjalë sponsorizuan vendosjen e paneleve diellore në tarracën e Ministrisë së Infrastrukturës, për t’iu drejtuar më pas Bashkisë së Malësisë së Madhe, për lejen e zbardhur të ndërtimit, e cila do të shënjonte nisjen e punimeve për ndërtimin e centralit të ri.
Këtu përpjekja e investitorëve bullgarë për realizimin e projektit has pengesën e parë. Bashkia e Malësisë së Madhe u kërkon atyre që në këmbim të lejes së zbardhur të derdhin në formë takse ndaj pushtetit vendos 3% të shumës së investimit. Kërkesa për taksën nuk pranohet nga investitorët, pasi ligji parashikon si taksë ndërtimi 0.1% të vlerës totale të investimit.
Refuzimi i investitorëve për të paguar 3%-shin pasohet me vonesa dhe zvarritje të qëllimshme dhe kjo e detyron shoqërinë Solar Malësi 1,2,3 t’i drejtohet gjykatës për taksën, por edhe për të shtyrë afatin e përfundimit të ndërtimit, për shkak të vonesës së shkaktuar nga bashkia.
Ndërkohë, më 13 janar 2018, investitorët paguajnë taksën në masën që parashikohet nga ligji, në pritje të vendimit të gjykatës. Dy vjet më pas, më 21 shkurt 2020, Gjykata Administrative i jep të drejtë grupit të investitorëve dhe vendimi rikonfirmohet nga Apeli më 7 tetor 2021.
Pavarësisht vendimit të gjykatës, Këshilli i Rregullimit Territorit nuk ka firmosur ende lejen përfundimtare që shoqëria Solar 1,2,3 të vazhdojë punimet.
Për më tepër, qeveria autorizon Avokaturën e Shtetit për të kërkuar në Gjykatën e Lartë pezullimin e ekzekutimit të vendimit të Apelit Administrativ.
Gjykata e Lartë pranon kërkesën e Avokaturës së Shtetit, duke lënë sërish pezull investimin prej 10 milionë eurosh, i cili mund të punësonte 120 banorë të Malësisë së Madhe dhe të bëhej një opsion shtesë për prodhim energjie elektrike.
No comments:
Post a Comment