Ish-kryeministri Sali Berisha vazhdon prej gati 9 muajsh të qëndrojë në ballkonin e banesës së vet. Me një vendim të debatueshëm gjykate (siç ndodh me çdo të tillë), por sipas një procedure ligjore të ndjekur nga prokurori Arben Kraja që ka ngritur disa akuza, ka prodhuar akte procedurale. Nga ana e mbrojtësve të Sali Berishës (dhe këtu nuk hyjnë veç avokatët e tij zyrtarë), pretendohet se nuk ka asnjë akuzë dhe Sali Berisha mbahet padrejtësisht në ballkon.
Ilir Meta nga njëra anë po hetohet. Gjithashtu shumë ish-ministra të Edi Ramës ndodhen pas hekurave, të tjerë janë në hetim si deputetë, kryebashkiakë e kështu me radhë.
A e ka fituar SPAK-u betejën me korrupsionin dhe a është fitore e Reformës në Drejtësi? A ishte ajo e duhura? Kjo mbetet temë e nxehtë për t'u diskutuar, por jemi përballë faktit se opozita konteston ashpër Reformën në Drejtësi dhe në mënyrë të veçantë një prokuror, Altin Dumanin!
Por, a ia ka fajin Altin Dumani opozitës?
Është fakt që Sali Berishën nuk e ka hetuar Altin Dumani. Prokurori i dosjes "Berisha" është Arben Kraja, i cili ka qenë kreu i SPAK-ut përpara zotit Dumani. Është fakt gjithashtu që ndaj tij, pra ndaj Krajës, ka pasur dhjetëra kontestime, kryesisht nga mediat si për mënyrën se si e kaloi procesin e vetingut dhe për mënyrën si u zgjodh. Por, çuditërisht asnjëherë dhe asnjë rast nuk flitet për Arben Krajën. Sulmohet vetëm Altin Dumani!
Nga ana tjetër goditet edhe gjyqtarja Irena Gjoka, për të cilën në fakt koha ka treguar se është pjesë e një sistemi të drejtësisë së re të kontrolluar. (lexo këtu)
Çfarë do të thotë “të kontrolluar” dhe kush ia ka fajin opozitës?
Të kontrolluar janë njerëzit që kanë kaluar vetingun nëpërmjet një procesi të dyshimtë, me ndërhyrje, apo që kanë lidhje të forta politike dhe që janë zgjedhur në atë pozicion si besnikë të pushtetit. Të tillë ka më shumë sesa vetëm Irena Gjoka!
Por asnjë tjetër nuk sulmohet e as anatemohet. Sepse fajin opozitës dhe Sali Berishës nuk ua ka as SPAK-u, as Altin Dumani. Aq më pak Irena Gjoka. (lexo këtu)
Së pari, për faktin se është opozita që ka ngritur kartonët pro kësaj Reforme në Drejtësi. Është votuar 140 me 0. Ilir Meta ka qenë flamurtari i asaj reforme që të votohej. E ka deklaruar vetë!(lexo këtu)
Atëherë kush ia ka fajin opozitës? Pse nuk vuri kushte dhe të merrte të gjitha garancitë për reformën se si do të zhvillohej kjo e fundit? Apo kushtet që vuri synonin vetëm që të kapnin ç'të kapnin nga drejtësia e re? A nuk ishte Lul Basha dhe të tijtë, të cilët pa marrë garancitë shkuan dhe votuan një reformë dhe shpallën fitoren e saj pasi i dhanë votat? Ndërkohë sot kemi produktin e reformës.(lexo këtu)
Luli bën sikur e mbron reformën me mendimin se duke u bërë partizan i SPAK-ut do të shpëtojë nga hetimet ose nuk do të ketë problem se "kështu i kanë dhënë garanci ndërkombëtarët" (gënjen Luli).
Me sa duket e vërteta është se opozita votoi një reformë pa marrë asnjë garanci se si do të kontrollohej kjo e fundit, pra që nuk do të binte në duart e pushtetit. KPA-ja apo KPK-ja janë thuajse të kontrolluara nga persona të sistemit të drejtësisë, të cilët bëjnë vetingun dhe kanë lidhje të forta me mazhorancën apo janë përzgjedhur prej saj.
Së dyti, edhe trupës së parë të tyre të zgjedhur, pra kjo KPA dhe KPK e personave që bëjnë vetingun, iu bë një veting formal nga parlamenti në atë kohë.
Cili ishte ky veting? Kush e drejtoi këtë veting? A ishte Ilir Meta kryetar Kuvendi? A e drejtoi Ilir Meta procesin? A është Ilir Meta sot në opozitë? A ishte dje në pushtet me Edi Ramën? Cilat janë garancitë që u morën nga ajo opozita e sotme që qahet për SPAK-un apo Reformën nëDrejtësi?
Rezultati është Reformë në Drejtësi ku opozita nuk mori asnjë garanci pavarësie. E votoi të plotë dhe që tani ka filluar të godasë segmente-segmente sipas interesave të saj. Përzgjedhja në goditje mos tregon se edhe opozita kontrollon pjesë të tjera që nuk i godet.Më i qarti duket Berisha, i cili e godet edhe në bllok Reformën në Drejtësi, të tjerët gëlltisin gjuhën e ruajnë interesat.
Nga ana tjetër si ka mundësi që në momentin e parë kur filloi vetingu i vetë parlamentit për strukturat e KPK-së apo KPA-së opozita nuk i bëri një oponencë në atë kohë? Çfarë ndryshoi rrugës kur anëtarët u zgjodhën dhe u përzgjodhën me komision bipartizan?
Pse opozita u kujtua të bënte "veting publik" për anëtarët e votuar nga vetë ajo, kur e kuptoi (siç deklaroi) se gjithë sistemi i KPA-së, KPK-së, sistemi i kontrollit ishte kapur nga mazhoranca? Apo dhe i kontrolluar siç pretendohet nga shumë politikanë që shprehen se KPA është nën kontrollin e ndërkombëtarëve.
Është fakt publik që kishte një influencë të amerikanëve kur zonja ambasadore, Yuri Kim, shkonte shpesh në mbledhje dhe zhvillonte edhe mbledhje me dyer të mbyllura me KPA-në. Por sërish edhe në këtë rast procesi dukej i mbetur në dorë të një individi, qoftë kjo dhe ambasadorja e SHBA-së.
A nuk duhej që më pas prokurorët që kalonin vetingun, gjyqtarët, ata që nuk e kalonin e të tjerë, PD t’ua bënte vetë atë të fundit? Të ngrinte një grup me ekspertë dhe të bënte një veting të vërtetë për ata që e kalonin dhe ata që nuk e kalonin. Pra, për të treguar se nuk do të lejonte që procesi të deformohej. Por opozita këtë nuk e bëri asnjëherë. U duk sikur e braktisi dhe tani hesht mes qurravitjeve.
Nuk ua ka fajin Altin Dumani opozitës e as Sali Berishës që kishte zgjedhur Lulin e tij që e mbante në PD hermetike. Që në shërbim të Lulit dhe për t’i siguruar atij pashallëkun, zbrazi PD-në duke filluar që me listat e vitit 2013, që shpalli armiq gjithë PD-në, dhe njerëzit që ishin kundër Lulzim Bashës. Nuk ia ka fajin Dumani Sali Berishës që për të mbrojtur Lulzim Bashën zbrazi partinë nga çdo personalitet me frikën se do t’i bënte hije Lulit. Dhe ka mbetur sot me personazhe që vlejnë më pak sesa hija e Lulit.
E vërteta dhemb, por është e tillë! Opozita nuk mori garancitë politike për procesin e vetingut për përzgjedhjen e komisioneve. Garancitë duhet të siguronin pavarësinë nga pushteti. Opozita nuk u kujdes për këtë! Ndaj nuk mori garancinë që do të kishte një veting të vërtetë.
Sot opozita qahet, ndërkohë që e la vetë vetingun të tillë, e deformoi sistemin. Sot edhe vetë ai që mburrej se ngriti gjithë këtë sistem pretendon se diçka është jashtë kontrollit. Vërtetë duket se shumë prokurorë dhe gjyqtarë që kanë kaluar vetingun janë njerëz të ndershëm, me integritet, por ka nga ata që janë nën kontrollin e pushtetit.
Pra, korrigjimi duhet të jetë në krahun e kundërt. Për të larguar ata të kontrollit të pushtetit dhe për të shtuar sa më shumë pavarësinë e sistemit të drejtësisë, jo për të bërë atë që kërkon Fatmir Xhafaj, i cili thjesht po kërkon të shtojë pushtetin partiak mbi sistemin.
Nuk dimë nëse kanë llogari për të mbyllur me Fatmir Xhafajn, por fajin opozitës nuk ua kanë as Altin Dumani dhe as SPAK-u. Fajin opozitës ia ka fakti që përsëriti të njëjtat veprime të gabuara dhe pret rezultat të ndryshëm. Megjithëse ka 11 vjet që ka dalë në opozitë, vazhdon të shpallë armiq mes vetes dhe tek ata që i braktisi e përjashtoi. Ndaj vazhdon të mpaket e të plaket./CNA
No comments:
Post a Comment