Thursday, May 21, 2015

Kapllan Resuli, “Tradhëtia”, romani që dyshohej se jepte të dhëna sekrete për UDB-në -



Dossier NGA VLASH PRENDI 
TIRANE- Akademiku
Kapllan Resuli nuk hyri rastësisht në plejadën e shkrimtarëve të shquar shqiptarë.Ate e ngriti aq lart dhe e bëri të pavdekshëm në mendjen dhe zemrën e kombit shqiptar vepra e tij. Pa dyshim, vepra që e bëri të njohur dhe të nderuar për lexuesin shqiptar shkrimtarin e talentuar Kapllan Resulin ishte romani TRADHTIJA. Kjo vepër e gjen zanafillën në kampin e përqëndrimit të të burgosurve në Idrizovo, rreth 10 km larg Shkupit, ku edhe lindi dhe u strukturua si vepër e si roman.
Resuli qysh me kohë kishte dëgjuar për Abdullah Krashicën, të quajtur edhe Abdullah Presheva një patriot kosovar. Kur arriti si i burgosur politik në Idrizovo, gjeti aty të dënuar politikë shumë nga shokët e luftës të Abdullah Preshevës, komandanta e komisarë repartesh partizane, po dhe partizanë më të thjeshtë. Ata i folën më lirisht për komandantin e tyre, Abdullah Preshevën, sidomos kur u siguruan se tek Kapllan Resuli mund të besonin.

Duke dëgjuar bisedat e tyre për Kosovën, atdheun, lirinë, Profesor Resulit i lindi ideja për të shkruar diçka për Abdullah Preshevën, ndonjë reportazh, si ai që tashmë e kishte shkruar e botuar për majorin slloven Anton Pristov. Sa më shumë që dëgjonte e më shumë i forcohej ajo ide, që dalngadalë nisi t’i formulohej si tregim, pastaj si novelë dhe, më në fund, edhe si roman.

Kështu, nga fundi i vitit 1959, Profesori e kishte krijuar skemën strukturore dhe konceptin e parë të atij romani. Muajt e parë të vitit 1960 një të diele ai i mblodhi të burgosurit politikë me të cilët kishte muhabet, dhe ua tregoi subjektin e romanit fill e për pe dhe me atë rast dëgjoi vërejtjet e tyre dhe ditët që vijuan e korigjoi dhe e plotësoi kryeveprën e ardhshme.
Me që në fillim të gushtit të atij viti do të lirohej nga burgu intelektuali nga Gostivari Adnan Agai, ai  thërret mënjëanë dhe i pati thënë:

- Shiko Kapllan, pas një muaji duhet të lirohem edhe unë. Po siç po shkojnë punët këtu, kësaj historie të trishtë nuk i dihet, sepse ti po e sheh se vazhdimisht kurdisin plane kundër nesh. Ka mundësi që të më qesin prap në gjyq e të më dënojnë. Bile, ka mundësi që të më eliminojnë edhe mua fizikisht siç u perpoqen të të eleminojnë edhe ty. Nuk më vjen keq do të vdes, por më vjen keq se mund të mbetet pa u shkruar e botuar romani për Abdullah Preshevën.

Prandaj të lutem, po more vesh se nuk jam gjall, ulu e shkruaje ti këtë roman.
Pas kësaj ai ia pati ritreguar edhe një herë ngjarjen ashtu siç e kishte konceptuar në mendje. Po, pas një muaji, Profesorin e liruan nga burgu. Atëherë A.Agai i kishte thënë:
-Tash Pofesor keni mundësinë të uluni e ta shkruajeni ju romanin për Abdullah Preshevën!

Pas disa ditësh Profesori u arratis në Shqipëri. Autoritetet shqiptare, për të gjitha ato të mira nga më të shquarat, që ia kishte kontribuar popullit shqiptar, për të gjitha sakrificat e tij nga më sublimet, në shenjë mirënjohjeje dhe falenderimi e patën përplasur në kampin e përqëndrimit të emigracionit jugosllav në Çermë, ku nuk kishte mundësi për të bërë një jetë më të thjeshte e normale, e jo më edhe për t’u marrë me shkrime.

Po Profesori tashmë gëzonte një vullnet të hekurt dhe shpresonte tek e ardhmja, prandaj përpiqej të ingranohet në jetën e përditëshme me talentin të tij të padiskutueshëm prej krijuesi, përmes penës së tij të artë. Me gjithë pengesat e panumurta qe i dilnin perpara, ai menjëherë iu shtrua punës dhe nisi të shkruante romanin. Dihet se tavolinë e karrike nuk kishte, madje as laps e leter normale. Në kapanonin ku flinte, kishte edhe rreth 100 të internuar të tjerë, që vazhdimisht lëviznin, hynin e dilnin jo vetëm ditën, por edhe natën.

Në vend të tavolinës, një nga shokët e tij improvizoi aso kohe një copë kompensatoje, të cilen profesori e mbështeste mbi gjunj, duke qenë i ulur në shtrat. Këtu e kështu pati nisur të shkruhej një nga kryeveprat e letersisë sonë,romani “TRADHTIJA”.

 Ndërkohë, duke shkruar romanin TRADHTIJA, këtë kryevepër të letërsisë shqiptare, pareshtur shkruante e botonte edhe vepra të tjera, sidomos për trupën e estradës dhe të teatrit të emigracionit. Në shtypin e kohës fare pak i botonin krijime profesorit, sepse veprat e tij po linin nën “hije”, po eklipsonin veprat e shkrimtarëve të realizmit socialist. Me gjithë pengesat më evidente, talenti dhe shkathtësia e tij depërtuan edhe në organet qëndrore e kryesore të shtypit letrar të kohes. Kështu në revistën “Nëntori”, nr. 6/1962, iu botua tregimi “Mejremja”, ndërsa në revistën “Ylli”, nr.2/1963, i botohet vjersha e parë në shtypin shqiptar me titull “Betimi”, e më tej në gazetën “Drita” tregimi  “Bursa”.

Sapo e mbaronte ndonjë kapitull të romanit, i thërriste emigrantët me të cilët kishte muhabet, dhe ua lexonte. Kështu, një numër i tyre, e dëgjuan romanin TRADHTIJA jo vetëm pa u botuar, por edhe pa u përfunduar ende së shkruari.

Mes atyre, që më shpesh kanë dëgjuar leximin e kapitujve të romanit, kanë qenë Nazmi Berisha (që e ka pranuar këtë gjë edhe në librin e tij kushtuar jetës së Profesorit !), pastaj Ahmet Sadiku, Namik Luci, Bajram Tigani, Nexhat Kërnja, Hysen Belegu, Ymer Kelmendi, Ibrahim Gjonbalaj dhe Gjonbalajt e tjerë. Ndonjeri prej tyre menjëherë e pati mësuar ndonjë fragment edhe përmendësh, kurse Hyseni, që edhe flinte pranë Profesorit, duke dëgjuar për personazhet katolike, të romanit, krijoi bindjen se edhe Kapllan Resuli mund të ishte i krishtërë, bile dhe katolik.

Në verën e vitit 1962 romani ishte gati, i shkruar me dorë nga Kapllan Resuli në disa fletore, sepse makinë shkrim i nuk kishte. Në shtator të po atij viti Profesorin e liruan nga kampi, dhe e patën transferuar në qytetin e Lushnjës, po prap me statusin e të internuarit, bile pa i siguruar banesë dhe pa punë. Atëherë, për herë të parë, e lejuan profesorin të shkonte deri në qytetin e Shkoderës, për të parë të motrën dhe njerëzit e sajë.

Duke shetitur në rrugën kryesore të qytetit, i tërheq vemendjen në vitrinën e një dyqani një makinë shkrimi portabël, të markës EVEREST, qe kushtonte 10 mijë lekë. Pofesori nuk kishte lekë në xhep. Motra e tij i pati gjetur hua parat tek kushërinjtë dhe Profesori kështu u bë me makinë shkrimi për herë të dytë,sepse makinën e parë të shkrimit e kishte blerë në Tetovë, në vitin 1958, para arrestimit.

Sapo u kthye në Lushnje, ai i hyri punës për ta daktilografuar romanin. Duke e daktilografuar i bëri aty këtu edhe ndonjë korigjim apo ndonjë shtesë. Nga fundi i vitit 1962 romanin  ia pati nisur me postë Ndërmarrjes Botuese “Naim Frashëri”në Tiranë.Ndërmarrja Botuese, ose më saktë, ata që qëndronin pas asaj ndërmarrjeje, ia bllokoi romanin pa asnjëfarë arsye,pa i kthyer përgjigjeje për më shumë se një vit, diku deri në fillim të vitit 1964. Atëherë ia kthyen veprën me kërkesën absurde që t’i hiqte të gjithë emrat e vërtetë, si dhe disa pjesë apo kapituj, sidomos lidhur me kombin maqedon e organitatën e tyre antiturke VMRO.

Kështu, në vitin 1964, në vend që të projektonte dhe të shkruante ndonjë roman tjetër, iu desh rishtas të merrej me romanin TRADHTIJA, ta ripunonte e ta daktilografonte, pa patur asnjë kusht të favorshëm për punë, pa tavolinë e pa karrike, në qytetin e Lushnjës, në një barakë të vjeter në lagjen “Loni Dhamo”, Aso kohe profesori ishte angazhuar shpirtërisht në mësimdhënie,sepse sakrifikonte duke shkuar në këmbë çdo mëngjes në fshatin Karbunarë, ku jepte mësimin e matematikës, para dite në tetëvjeçaren e të vegjëlve dhe pasdite, deri në orën 8 të mbrëmjes, në shkollën e natës për të rriturit qe në atë kohë sapo ishte hapur.

Në maj të vitit 1964 Profesori ia nis perseri romanin NB “N.Frashëri”. Me urdhër të KQ të PPSH-ës ndërmarrja ia kalon veprën Lidhjes së Shkrimtarëve. Nga shkrimtari Dhimitër Xhuvani, pas disa muajsh, Kapllan Resuli merr vesh se romani i tij ishte ekspozuar në një dhomë sekrete të Lidhjes së Shkrimtarëve, ku persona të autorizuar shkonin, e lexonin dhe i raportonin Lidhjes për çdo gjë të dyshimtë, si dhe jepnin mendime për vlerat ideo-artistike të veprës. Dyshohej se mos ishte Kapllani agjent i UDB-së dhe se përmes romanit të tij i raportonte të dhënat sekrete te mbledhura në Shqipëri.

Së fundi e thirrën Profesorin nga Lushnja në Tiranë, në NB “N.Frashëri” dhe i kërkuan që urgjentisht ta zgjeronte pak EPILOGUN e veprës. Profesorit as që i shkonte mendja se për çfarë qëllimi bëhej kjo, dhe nuk mendonte se ata dyshonin se mos nuk ishte ai autori i asaj vepre! Mori epilogun dhe shkoi në Qytetin “Studenti”, në një dhomë të konviktit, ku ishin disa studentë, mes tyre edhe dy-tre, që më vonë do të afirmohen edhe ata si shkrimtarë. Ishin Kiço Blushi dhe poeti i ardhshën Ndoc Gjetja. Aty, në sytë e tyre profesori pati qendisur nga e para epilogun e romanit në fjalë dhe që të nesërmen në mëngjes ia pati dorëzuar ndërmarrjes botuese “N.Frashëri”.

Kështu, pas shumë peripecish, vështirësish, sabotimesh, kontrollesh të rrepta e analizash meskine, më në fund, në faqet e gazetës “Libri” qe botuar njoftimi se “Së shpejti do të botohej novela “Tradhëtia” e Kapllan Resulit”. Kërkohej të quhej novele, pasi nga 392 faqe që kishte shkruar autori me 1962, veprës iu hoqën rreth 100 faqe dhe më në fund në maj të vitit 1965 libri doli doli nga shtypi me 259 faqe. Madje duke e shkurtuar dhe masakruar kështu, romanit i ishtë bërë edhe një gabim teknik shumë i rëndë, që autori do ta korigjonte pas shumë vitesh, në botimin e dytë, pa fjalë dhe pa u ankuar.

Akademiku, prof. dr. Kapllan Resuli  ka filluar të shkruajë e të botojë në gjuhën serbo-kroate dhe ka vazhduar edhe në të gjitha gjuhët e tjera, që ndërkohë i ka zotëruar mirë rreth dhjetë gjuhë. Shumë shpejt qe afirmuar dhe qe bërë anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Jugosllavisë dhe më vonë edhe anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Cërna Gorës, Zvicrës, anëtar nderi i Shoqatës së Shkrimtarëve Serbë në Zvicër. Profesori njihet jo vetëm si shkrimtar, por edhe si publicist, bile edhe si shkencëtar, ballkanolog, veçanërisht si albanolog. Si të tillë e kanë përfshirë në shumë LEKSIKONE, ËIKIPEDA, bile edhe në shumë ENCIKLOPEDI të popujve dhe shteteve të ndryshme.

Ministria e Arsimit dhe e Kulturës e Shqipërisë do ta fuste për pak kohë edhe në programin zyrtar për shkollat e të gjitha kategorive, si dhe në Programin e letersisë në     Universitete. Kapllan Resulin, më saktë zbulimin e tij shkencor nga fusha e fonetikës shqiptare, do ta gjeni edhe në FJALORIN ENCIKLOPEDIK SHQIPTAR, por pa emrin e saktë të tij, sese në atë kohë ai ishte i arrestuar.

Romanin TRADHËTIJA Kapllan Resuli e ka shkruar në gjuhën shqipe, saktësisht në gegërisht. Vetë forcat shkencore dhe krijuese shqiptare, bile jo kushdo, por arsimtarët e gjuhës shqipe të mbledhur në Institutin e Lartë Pedagogjik të Shkodër, e kanë shpallur librin e tij si kryevepër të letërsisë shqiptare në prozë, bile është quajtur UNGJILL i patriotizmit shqiptar, ndërsa gjuhën e këtij romani e patën propozuar si gjuhë zyrtare, kombëtare. Me gjithë persekutimet më skandaloze, që i janë bërë dhe vazhdojnë t’i bëhen sot e kësaj dite kësaj vepre nga qeveritë shqiptare kohë pas kohe dhe njerëzit e indoktrinuar me të tipit enverist, romani ka arritur të botohet plot pesë here.

Ja botimet qe i janë bërë në kohë të ndryshme këtij romani:
- Botimi i parë: Tiranë 1965, Shtëpia Botuese „Naim Frashëri“, tirazhi 5000 kopje, formati 78 x 109/32, faqe 259, Shtypshkronja „Mihal Duri“, redaktore: Donika Omari, korrektore: Neka Turkeshi, piktor: Ksinofon Dilo, redaktor teknik: Adem Lita.

Njihet si botimi zyrtar i Qeverisë Shqiptare dhe i Partisë së Punës të Shqipërisë, i bërë me leje të veçantë nga KQ i PPSH-ës, pas kontrollit të imtë dhe special të ekspertëve të KQ dhe të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, ndër të cilët deri më sot autori ka arritur të identifikojë: Ramiz Alinë, Ismail Kadarenë, Dritëro Agollin, Ibrahim Uruçin, Sterjo Spassen, Dhimitër Xhuvanin dhe Nasho Jorgaqin.Në libër shkruhej se tirazhi ishtë 4000 kopje, por nga burime kofinenciale thuhet se janë botuar edhe 1000 kopje të tjera që janë futur ilegalisht në Kosovë.

Menjëherë pas botimit të veprës Kapllan Resuli qe pranuar Anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëvedhe Artistëve të Shqipërisë, por vetëm formalisht, pa asnjëfarë të drejte. Bile vite me radhë nuk i njohën as të drejtën e orarit të reduktuar që i takonte si anëtar i Lidhjes. Edhe ato pak leje krijuese që i jepnin, sistematikisht ia patën sabotuar për ta penguar në punën krijuese.
Në këtë botim u hoqën të gjitha faqet e veprës që flisnin për kombin maqedonas dhe organizatën e atëhershme antiturke dhe antijugosllave VMRO.

Dyshohet të jenë futur fraza dhe mendime që synonin të ruanin të ashtuquajturin “bosht ideologjik të partisë”, për të cilat autori pati protestuar në shumë intervista qe pati dhënë pas daljes nga burgu. Vlera te veçanta romanit i shton gegërishtja e përdorur me mjeshtëri si gjuhë e pastër dhe e pa arritshme, në kundërshtim me “porositë e dhëna nga autoritetet” e shtetit komunist.

- Botimi i dytë – i ripunuar: Doli në Tiranë në vitin 1967, Shtëpia Botuese „Naim Frashëri“, tirazhi 20.000 kopje, formati 78 x 109/32, faqe 392, Shtypshkronja „Mihal Duri“, redaktore: Donika Omari, korrektor: Xhevat Lloshi, kopertina: Robert Ballauri, redaktor teknik: Adem Lita. Me parathënie të prof. dr. Adriatik Kallullit.

Edhe ky ishtë botim zyrtar i Qeverisë Shqiptare dhe i Partisë së Punës së Shqipërisë, i bërë me urdhër të KQ të PPSH-ës, e në bazë të kërkesave të shqiptarëve në Shqipëri dhe në diasporë.

Në këtë botim, me kërkesën këmbëngulëse të autorit, janë shtuar disa nga pjesët që janë lënë jashtë veprës në botimin e parë nga redaktorja (sigurisht me urdhër të KQ të PPSH-ës!) si dhe disa korigjime dhe plotësime që ndërkohë, iu bënë nga vetë autori.Librit i është shtuar edhe dedikimi ndaj fëmijëve të autorit Arbenit dhe Arbanës.Në libër shkruhet se tirazhi është 15.000 kopje, po janë botuar edhe 5.000 kopje të tjera, që janë futur ilegalisht perseri në Kosovë


Resuli: Arrestimi i shkrimtarit, si u zhduk nga qarkullimi “Tradhëtia”


TIRANE- Pas arrestimit të Kapllan Resulit në vitin 1970, me kërkesë nga Beogradi dhe urdhër nga KQ i PPSH-ës, romani TRADHTIA, si dhe veprat e tjera të këtij shkrimtari, janë hequr nga qarkullimi si kusht për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike mes Jugosllavisë dhe Shqipërisë në rang ambasadash.

Ata që nuk e kanë dorëzuar në organet e pushtetit kopjen që dispononin janë perndjekur e persekutuar politikisht dhe shpesh edhe penalisht si për çdo vepër tjetër të ndaluar. Madje në Jugosllavi thuhet se me dhjetra kosovarë kanë bërë mbi njëmijë vite burg, sepse janë kapur duke lexuar romanin TRADHTIJA.

- Botimi i tretë: Tiranë 1992, Shtëpia Botuese „Iliria“, tirazhi 100.000 kopje, formati 61 x 86/16, faqe 332, Shtypshkronja “Tirana”. Për këtë botim kontrata qe bërë në fillim të majit të vitit 1991, në Tiranë. “Iliria” i është paraqitur autorit si Shtëpi Botuese private, gjermane. Profesorit i patën dhënë 500 marka si paradhënie për 6.000 kopje. Në kontratë shkruhej se po të paraqitet nevoja për shtim të tirazhit do të bëhej kontratë e re.

Veç kësaj, botuesi Ibrahim Kelmendi kishte premtuar se do ta botonte romanin në Gjermani. Nga autori i ishte kërkuar në mënyrë të vazhdueshme që vepra të mos botohej as në Shqipëri dhe as në Kosovë dhe autori të thirrej në Gjermani, gjoja për promovimin e librit, po në realitet për t’ia bërë të mundur largimin nga Shqipëria, me qëllim që të kërkonte strehim politik në Gjermani.

Faktikisht prapa kësaj SHB, me sa dukej fshihej Sigurimi i Shtetit, që duke futur kështu në duar kontratën e botimit, kishte për qëllim edhe likuidimin fizik të autorit Kapllan Resuli (Autori kujton se me 16 maji iu bë edhe atentati!) e pastaj edhe të realizonte planet e veta më djallëzore, botimin e romanit me emrin e ndonjë autori tjetri. Atentatet dështuan njeri pas tjetrit, kurse K.Resuli arriti të hypte në aeroplan e të arratisej në Zvicër.


Po bëhej viti i dytë nga nënshkrimi i kontratës dhe I.Kelmendi nuk po ia botonte romanin. Atëherë K.Resuli filloi traktativat në Zvicër për botimin e romanit. Si e mori vesh këtë gjë Sigurimi i Shtetit, urdhëroi I.Kelmendin t’ia bontonte romanin.

Siç shihet qartazi  ky botim është shkurtuar. Jo vetëm që nuk ka dedikimin për fëmijët, po nuk ka as parathënien edhe pse ishtë premtuar se do t’i bëhej një parathënie e re dhe e hollësishme.

Në libër shkruhej se tirazhi ishtë 10.000 kopje, po 10.000 kopje kanë hyrë vetëm në Zvicër, ku janë shitur me nga 15 fr. kopja. Botimi i romanit në një tirazh kaq të madh ishtë bërë jo vetëm në kundërshtim me kontratën, por edhe me qëllim që të mbytet tregu me të dhe kështu t’i bëhet e pamundur autorit për t’i bërë një botim tjetër e për të përfituar sadopak materialisht.

- Botimi i katërt: Tiranë 2000, SHB private “Mësonjëtorja e Parë“, tirazhi: 1000 kopje, faqe 472, Shtypshkronja „Mësonjëtorja“, Tiranë. Redaktore: Eva Delvina, korrektor letrar: Selë Rashidi, arti grafik:  Jolanda Marjanaku, kopertina: Dhimitër Ligori.

Librit i kthehet dedikim për fëmijët Arbenin dhe Arbanën, i shtohet fotografia e autorit, lista e veprave të botuara nga Kapllan Resuli, të hartuar nga Nihat Halili, Parathënia u shkrua nga Kol.Xh.Pera dhe në fund, librit i shtohet edhe FJALORTHI i fjalëve pak a shumë të pakuptueshme, i bërë nga vetë autori. Në kopertinën e fundit janë paraqitur disa citate nga Artisti i Popullit Pjetër Gjoka, shkrimtari Mark Dodani, kritiku letrar Adriatik Kallulli dhe poeti Xhemal Ahmeti.

Ky botim është ripunuar më seriozisht se të mëparshmit. Është krehur gjuhësisht e stilistikisht me eksperiencën e viteve që kanë kaluar dhe të studimeve që ka bërë autori. I është shtuar edhe një linjë e re dualizimi Arbeni-Besa, kurse pothuajse të gjithë personazhet e tjera janë retushuar dhe gëdhendur më thellë e në mënyrë më evidente, kështu që në këtë botim romani ka arritur në një farë mase, përsosmërinë e botimit.Vepra ka edhe një paraqitje të bukur teknike.

Si i tillë ai u ra në sy menjëherë persekutorëve të Akademikut Resuli dhe botuesi Përparim Xhixha u urdhërua aso kohe ta tërhiqte nga shitja, duke i lënë peseri shteg persekutimit të tij.
- Botimi i pestë: U realizua në Prishtinë në vitin 2010, nga SHB private „Dija“, tirazhi: 500 kopje, faqe 630, Shtypshkronja: a-print Prishtinë. Redaktor: Azem Zogaj, realizimi kompjuterik: Kujtim Lepaja, kopertina: Lejla Ibrahimi, parathënia: Mit’hat Lepaja.

Ky botim është realizuar duke u mbështetur në botimin e katërt. Në kopertinën e fundit janë skicuar katër kopertinat e botimeve të mëparëshme, eshte hedhur citati i mirnjohur i Artistit të popullit Pjetër Gjoka dhe është shtuar një fragment  një nga parathënia. Botimi është regjistruar në Bibliotekën Kombëtare dhe Universitare të Kosovës, me ISBN 978-9951-507-21-9.Ka paraqitje teknike shumë serioze, si botimet e veprave klasike.

Në vitin 1965, sapo u botua për herë të parë, me iniciativën e tyre, mësuesit e gjuhës shqipe, në Shqipëri dhe në diasporën shqiptare e futën në leksionet e tyre, bile edhe disa mesues  në eks-Jugosllavi, ku ishte i ndaluar vepra dhe vetë emri i Kapllan Resulit.

Në Shqipëri, në fillim nuk ishte i ndaluar, atëherë vetë arsimtarët e futën në leksionet e tyre, kurse pushteti, duke mos qenë në gjendje për t’a ndaluar studimin e tij, me qëllim qe të maskonte veprimet e tij kundër autorit, u detyrua ta fuste në listën e librave jashtëshkollore. Pasi u ndalua askush nga këta arsimtarë nuk mori më guximi t’ua përmendte nxënësve as emrin e autorit.

Nga ana e Sigurimit nuk iu lejua as forcave intelektuale të emigracionit shqiptar që ta ribotonin. Po në vitin 1990, sidomos pasi doli autori nga burgu dhe nisi të shkrinte akulli i diktaturës komuniste, shumë mësues morën guximin dhe përsëri nisën tu flisnin nxënësve për jetën e Kapllan Resulit dhe krijimtarinë e tij. Atëherë Ministria e Arsimit dhe Shkencës, në vitin 1992, e futi romanin TRADHTIA dhe disa vepra të tjera të këtij autori në Programin Zyrtar për shkollat e të gjitha kategorive deri në universitetet, si dëshmi e vendosjes së lirisë e të demokracisë,e për këtë arsye e patën liruar Akademikun Resuli nga burgu.

Pasi u krijua ideja e vendosjes së drejtësisë ndaj profesorit, në vitin 1994, perseri u ndaluan veprat e Akademikut Resuli, por kësaj radhe u perdor heshtja, pasi ky veprim absurd ishte në kundërshtim më flagrant me pretendimin se në shtetin shqiptar po vendosej liria dhe demokracia.

Persekutimi i Akademikut Resulit dhe i romanit të tij TRADHTIA, bashkë me lobingun më kriminal e satanizimin më djallëzor, që i është bërë dhe vazhdon t’i bëhet nga prapaskenat qe perdoren nga UDB-ja jugosllave dhe nga Sigurimi i Shtetit Shqiptar, paraqet një nga njollat më të errta e më të rënda, të turpit më të madh në historinë e popullit shqiptar dhe të popujve të eks-Jugosllavisë.

Në të dy vendet ky persekutim ka patur dhe ka karakter të theksuar politik, në Shqipëri edhe karakter shovinist e racist, kurse në Jugosllavi edhe karakter fetar dhe fundamentalist. E me gjithë persekutimet, provokacionet dhe mohimin e autorësisë nga qarqe të caktuara shtetërore, romani dhe vetë autori vazhduan të mbeten në zemrat e njerëzve tashmë të çliruar nga pasionet politike, fetare e kombëtare, duke i rezistuar kohës e luftës nga më kriminalet që i janë bërë.

Këtë gjë më së miri na e vërtetoi edhe botimi i pestë i këtij romani dhe afirmimi i akademikut, prof. dr. Kapllan Resuli edhe në qarqet letrare mbarëkombëtare dhe botërore.Këtu duhet permendur qëndrimi i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, që e futi veprën e tij në enciklopedinë e saj, duke ia njohur jo vetëm autorësinë e këtij romani, por edhe pafajsinë e plotë dhe përsekutimin monstruoz që i është bërë dhe vazhdon t’i bëhet.

Akademikun Resuli tashmë e kemi jo vetëm në programet shkollore, në leksikonet kulturore dhe enciklopedike të  akademive të shkencave, por edhe në WIKIPEDIA-n botërore, në një kohë që në atdheun e tij Cërna Gora, apo në Kosovë e në Shqipëri vazhdon ky persekutim sot e kësaj dite, kuptohet nga titistët dhe enveristët.

Konflikti në romanin TRADHTIJA është tepër i ashpër. Ai zhvillohet në dy faza. Në fazën e okupimit fashist italian të Kosovës dhe faza e dytë vijon me okupimin nazist gjerman. Është koha e  fillimit të krijimit të zonave të lira dhe të çliruara nga forcat partizane, që përbëheshin nga elementë të të gjitha kombeve e minoritarëve të Kosovës.

Është periudha e fillimit të luftës frontale të popullit kosovar për liri, kur nacionalizmi ekstrem i të gjithë forcave politike nxjerr krye, me gjithë përpjekjet e ethshme që bënte për tu fshehur nën “puplat e pëllumbit”, duke trumbetuare marrëdhëniet vëllazërore mes popujve të Kosovës e të gjithë Balkanit. Kësisoj vepra ka jo vetëm nivel të lartë artistik, por edhe bazë reale dhe historike. Ngjarjet në roman janë vendosur jo pa qëllim në trevat me popullsi mikste të Kosovës dhe Maqedonisë.

Në zonat Kaçanik-Gjilan-Preshevë-Kumanovë që përfshijnë brigjet e lumit të njohur Morava. Përshkrimi i botës së brendshme shpirtërore të shovinistëve nga autori është bërë në nivelin më të lartë artistik. Ai pati studiuar për një kohë të gjatë mentalitetin e tyre dhe më tej përshkroi taktikat armiqësore të këtyre qenjeve antinjerëzore. Me veprimet tradhëtare dhe vrasjet në pabesi ata përdornin dhunën dhe terrorin, duke mos kursyer në këto ekzekutime barbare as femrat dhe as fëmijët.

Përballë këtyre armiqve të betuar të popullit shqiptar tashmë është pozicionuar heroi kryesor dhe më i dashur për lexuesin e veprës Arben Presheva, i cili megjithëse dështon në zbulimin e vrasësve pas shpine, lufton më me besim dhe trimëri kundër armiqve dhe padrejtësive shoqërore qe bëhen. Vullneti nuk i mungon djaloshit patriot nga Kosova, energjia nuk i shterron, dhimbja dhe vuajtja për humbjen e shokëve të luftës dhe motrës së tij të dashur nuk e mposht.

Drama e thellë e dyshimeve për tradhëti nuk e thyen, derisa në krye të luftes për liri bie edhe vetë viktimë e pabesisë së nacionalizmit ekstrem, të shovinistëve serbë. Kjo tradhëti qëndron në majat e tragjizmit të popujve të Ballkanit në përgjithësi e të Kosovës martire në veçanti.

Përshtypje të veçantë të bën përshkrimi real që u bëhet personazheve të tjera episodike. Sejcili përfaqëson një personazh tipik që rëndom takohej shpesh në jetë. Sejcili ka fatin e vet të përcaktuar që përputhet natyrshëm me rrjedhën e ngjarjeve. Disa prej tyre janë personazhe reale që autori i ka njohur në jetë, si Vukmanoviç Tempo, Sinan Hasani, Hasan Remniku etj, të cilët përshkruhen me realizëm dhe vishen me art.

Personazhet e romanit janë aq reale sa, kur doli romani, shumë lexues gjetën veten tek kjo vepër, madje kanë protestuar për ndërrimin e emrit. Kështu, në Elbasan, shqiptari nga Kosova Azis Zhilivoda deklaroi publikisht se ishte Hasan Remniku i romanit “Tradhëtia”. Kështu ndodhi edhe me kosovarë të tjerë si Xhavit Podina në Durrës, Ismet Fejzullai në Lushnje etj. të cilët shihnin përputhje mes tyre dhe personazheve të romanit. Ndërsa mësuesi Hasan Dylgjeri nga Elbasani e kishte gjetur veten tek personazhi i Pjetër Munellës, duke u bërë kështu kryepersonazh i një satire të Kapllan Resulit, tashmë të botuar e të përkthyer edhe në gjuhë të huaja..

Arben Presheva, personazhi kryesor i veprës dhe heroi i rezistencës kosovare mishëron cilësi dhe veti morale dhe artistike që përputheshin me figurën e njohur të Fadil Hoxhës. Edhe Qemal Agolli shihte gjëra të përbashkëta me pesonazhin e Skënder Preshevës etj. Vetë Skënder Preshevën Akademiku Resuli e pati takuar e njohur personalisht, si dhe disa personazhe të tjera të romanit.

Aktiviteti patriotik i Abdullah Preshevës e nxiti autorin për të krijuar një figurë legjendare, një hero të padiskutueshëm, nga më të spikaturit në letërsinë tonë, vlera që iu dhanë kësaj figure edhe nga raporti kryesor i mbajtur në Kongresin e Dytë të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, në të cilin qe ftuar ndoshta aksidentalisht edhe vetë autori Kapllan Resuli.
Heroi ynë është i riu tipik kosovar i ushqyer sa nga ndjenja patriotike, aq edhe nga parimet ideo-politike dhe morale të kohës.

Me vizionin e botës së re ai lufton heroikisht kundër nazifashistëve pë çlirimin e vendit, përkrah serbëve, por i tradhëtuar prej tyre, bëhet simbol i tragjizmit të poullit shqiptar në kohët moderne. Ky tragjizëm, kjo tradhëti e pashoqe është boshti qëndror i romanit, që përbën edhe pathosin e tij, që konkretizohet tragjikisht edhe në titullin kapital të veprës.

Ky romani u shkrua në kushtet e një terrori të plotë, kështu që autori nuk kishte mundësi për t’u shprehur lirisht dhe për ta thënë gjithë të vërtetën ashtu siç do të duhej t’a thonte, po të kishte qenë i lirë, ashtu siç edhe e tha, jo vetëm pasi doli nga burgu shqiptar, por edhe nga qelitë e  burgut më monstruoz të paragjykimit politik dhe moral, duke e detyruar edhe vetë diktatorin që ta pranonte se ata që aktualisht drejtonin partinë dhe shtetin shqiptar, s’ishin asgjë tjetër, veçse një bandë e zezë, kriminale dhe e urryer nga i gjithë populli.

Është Akademiku Kapllan Resuli ai që mori guxim, i kalitur në hekurat dhe betonin e burgut të Burrelit, t’ia përplaste në fytyrë Enver Hoxhës, bile edhe me shkrim gjithçka qe mendonte për konceptin e gjërë të lirisë dhe demokracisë. Është Akademiku Resuli ai që i bëri të ditur se jo vetëm që nuk ishin komunistë, por ishin një kartë kriminelësh, që nuk njihnin e zbatonin kurrfarë ligjesh, rregullash e parimesh njerzore.

E në këtë kontekst, lexoni përshkrimin pezhorativ të portretit të personazhit të romanit në fjalë mulla hoxhë Mameri dhe krahasojeni me portretin e diktatorit Enver Hoxha! A nuk kemi një përputhje të plotë mes dy personazhëve?! Thonë se spiunët e Enver Hoxhës, sapo e kanë lexuar romanín dhe identifikuar personazhin, ia kanë denoncuar këtë gjë.

Jo vetëm përshkrimi fizik, por edhe emri Mulla Mameri u kthye në Mulla Enveri. Qysh nga botimi i romanit TRADHTIJA, armiqt e pushtetit në Shqipëri nuk e quanin ndryshe Enverin, veçse Mulla.

Poeti Vehbi Skënderi, përmes RTVSH, pasi u vendos “demokracia”, duke folur për këtë veper të Kapllan Resulit, pati thënë:“…Megjithëse ngjarjet e romanit “Tradhëtia” janë vendosur në Kosovë dhe në të bëhet fjalë për tradhtinë e klikës Tito-Rankoviq,…morëm vesh se aty bëhej fjalë edhe për ne, për Shqipërinë, sepse e njëjta tradhëti kish ndodhur edhe këtu, mes nesh…”.

Enver Hoxha dhe Ramiz Alia, duke dhënë miratimin që të botohej romani, por si novelë, ndoshta kishin menduar se vepra në ojalë nuk do të kishte ndonjë jehonë të madhe në Shqipëri,e jo më në dijasporë apo në trojet mbarëshqiptare, sepse kjo vepër do t’u shërbente vetëm atyre, klikës në pushtet, për t’ia mbyllur rrugën e kthimit në Jugosllavi autorit, për t’i mbyllur edhe rrugën e arratisjes për në Greqi, madje ndoshta do t’u shërbente për të përgënjeshtruar e maskuar të vërtetën e ndjekes dhe persekutimit kriminal të klerikëve në Shqipëri e aq më teper, të shembjes së kishave e të xhamiave, të manastireve e të teqeve, sepse në romanin TRADHTIJA, për herë të parë pas Luftës së Dytë Botërore po paraqiteshin klerikët si personazhe pozitive, si hoxha ashtu edhe prifti, si babai i teqesë, ashtu edhe murgu me kamilavkë. Romani u vlerësua shumë gjatë gjithë periudhës qe kur u realizua botimi i parë e deri në ditët tona

No comments: