Wednesday, March 18, 2015

Shtatëdhjetë vjetori i vdekjes së Prekë Calit

Nga Gjekë Gjonaj
Më 25 mars bëhen 70 vjet nga pushkatimi i legjendës së Kelmendit dhe njërit nga figurat burrërore në historinë e Shqipërisë Prekë Calit. Ky burrë i spikatur i Malësisë së Madhe dhe luftëtar trim dallohej nga moshatarët e kohës me një fizik tipik të racës shqiptare - malësore dhe me qëndrimin e vendosur dhe të paluhatshëm për t‘u përballuar me çdo armik në dobi të sigurimit të tërësisë kombëtare tokësore të popullit të vet. Ai hyrinë jetën politike të Shqipërisë si njeri thjeshtë, mirëpo falë aftësive të tij dhe dashurës së flaktë nda atdheut në moshë të re u vu në shërbim të mbrojtjes së kufijve të Shqipërisë,
veçmas të Bjeshkëve të Vermoshit, të cilat herë pas here cenoheshin në pretendimet serbo-malazeze. Si përfaqësues i shqiptarëve në Komisionin e kufijve, nuk lejoi që Vermoshi t’i jepet Malit të Zi, siç ishte projektuar në kancelaritë e Europës. Ky prijës popullor me tipare të veçante burrërore, e ka shkrirë jetën dhe aktivitetin e tij në luftën dhe përpjekjet titanike të popullit shqiptar për liri e pavarësi. Përherë u gjend në ballë të veprimeve atdhetare që u ndërmorën në thellësitë e maleve të Malësisë së Madhe midis dy luftërave botërore. Si luftëtar i pakompromis për tërësinë e tokave shqiptare është shëmbëlltyrë me të cilën krenohet Kelmendi, Malësia e Madhe, Shkodra e qytetet tjera të Shqipërisë e më gjerë. Dashuria ndaj atdheut, besnikëria, sinqeriteti, drejtësia, ndershmëria, trimëria, guximi, zgjuarësia, mikpritja, modestia, humanizmi dhe toleranca ia rritën peshën këtij vigani të Malësisë së Madhe. Këto cilësi humane e kombëtare e bënë që masat popullore ta pranonin Prekë Calin si prijës të tyre në luftë kundër çdo armiku të kohës, kundër pretendimeve territoriale të shteteve fqinje dhe kundër komunizmit. Ky prijës popullor, njeri i pushkës dhe i fjalës u bë i njohur në popull që në Kryengritjen e Malësisë së Madhe të vitit 1911, sepse e deshi tokën amtare deri në vetëmohim. Ai u rreshtua qysh në moshë të re në radhën e patriotëve shqiptarë për liri, luftoi me gjithë fuqinë që Kelmendit të mos i shkëputej asnjë pëllëmbë tokë dhe për formimin e një shteti shqiptar me një qendër të vetme. Për këto ideale të larta kombëtare, ky bir i Kelmendit, Malësisë së Madhe dhe gjithë Shqipërisë nuk kurseu asgjë. Ai në këto luftëra u shqua jo vetëm si organizator i masave popullore, por edhe si strateg ushtarak popullor në drejtimin e veprimeve luftarake. U bëri sfidë gjithë ofertave, që i bënë armiqtë për ta graduar e korruptuar, dhe eci me guxim në rrugën e kryengritësve e patriotëve shqiptarë, të cilët e ëndërronin Shqipërinë demokratike. Ajo që bie në sy gjatë gjithë veprimtarisë së Prekë Calit, pavarësisht përpjekjeve të vazhdueshme të regjimit komunist shqiptar dhe përkrahësve të tij të flaktë për ta denigruar këtë figurë madhore të kombit tonë, ai dha kontributin e tij të drejtpërdrejtë për formimin e shtetit shqiptar kombëtar, ruajtjes së tërësisë tokësore të tij, çlirimit të trojeve shqiptare dhe bashkimit të tyre në shtetin amë. Të dhënat shkrimore të kohës, burimet reale shkencore e letrare, ashtu edhe kujtesa dhe krijimtaria e pasur popullore dëshmojnë se Prekë Cali ishte një malësor i rrallë kelmendas në çdo pikëpamje, një personalitet historik që punoi vetëm për të mirën e atdheut e të njeriut në përgjithësi, të cilin e stolisin tiparet më të larta njerëzore, falë të cilave ai ishte dhe mbeti një figurë që depërtoi thellë në zemrat e njerëzve. Bazuar nga këto dokumente që poseduam për të ndriçuar figurën e Prekë Calit mund të konkludojmë se ai në të gjithë rrethanat, ngjarjet dhe situatat kryesore të historisë së Malësisë së Madhe midis dy luftërave botërore, përherë u gjend në ballë të veprimeve atdhetare, gjë që në vepër dëshmon për ndjenjën e tij të pastër të atdhedashurisë dhe kombëtarisë.
Me veprën e tij në mbrojtjen e kufirit e kufijve të Vermoshit, si pjesëtar i palës shqiptare në Komisionin Ndërkombëtar për caktimin e kufirit verior të Shqipërisë, me rezistencën heroike që u bëri sunduesve të huaj dhe komunistëve shqiptarë partizanë, e nderoi shëmbëlltyrën e tij, sikundër dhe Kelmendin. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, ky prijës kreshnik i malësorëve, udhëheqësi i parë i Kryengritjes antikomuniste, në gjithë Europën Lindore në bashkëpunim me patriotët më të shquar të kombit shqiptar vihet përballë forcave të shumta që kishin për qëllim zaptimin e Shqipërisë. Po aq sa ishte kundër lakmive serbo-malazeze, po me aq indinjatë e përbuzje ishte kundër pushtimit fashist e sidomos kundër çkombëtarizimit e perversitetit komunist. Pra ishte tri herë kundër, sepse e donte Shqipërinë më shumë se vetveten. Për të ishte i gatshëm të flijojë edhe gjenë më të shtrenjtë-jetën. Nuk luftoi kundër serbëve e malazezëve për të shtyrë kufijtë, as për të grabitur gjanë e mallin e tyre, por për të mbrojtur tokat e të parëve, nderin , fenë e shenjtë, doket e zakonet. Nuk luftoi as për pozita, grada, tituj e dekorata, por për të mirën e vendit, të popullit dhe fisit. Ai pati bindjen se çdo pushtim e regjim totalitar nuk është i përjetshëm.  Si i tillë Prekë Cali ka hyrë në thesarin e çmueshëm dhe të pasur të krijimtarisë sonë popullore, por edhe të krijuesve letrarë, të cilët i kanë thurë shumë këngë, që për mendimin tonë kanë vlera të mëdha jo vetëm artistike, pasi përmes kësaj krijimtarie shpirtërore të popullit të vet, vepra e Prekë Calit mbetet përherë e pavdekshme.
Për këtë burrë të ndritur e kundërshtar guximtar deri në vdekje të komunizmit, regjimi diktatorial në Shqipëri grumbulloi me kohë gjithë zemërimin dhe urrejtjen për të , ndaj e tradhëtoi në besë të shqiptarit dhe e pushkatoi. Emri i tij, sikur shumë fytyra tona të rëndësishme historike, gjatë sundimit pesëdhjetëvjeçar komunist, ishte i anatemuar dhe nuk lejohej të flitej për për të, kjo diktaturë e futi atë në listën e “ kriminelëve” e “tradhtarëve”. Komunistët shqiptar, aq e urrenin këtë kolos saqë edhe, jo vetëm se ia humbën eshtrat, të cilët kush e di se ku i ka bartë uji i rrëmbyeshëm i Kirit, u përpoqën ta përulin e baltosin figurën e tij, të cilën kujtesa kombëtare nuk e shlyen kurrë për të mirë nga mendja. Ata bashkë me eshtrat e tij u munduan të shlyejnë edhe çdo gjurmë tjetër, që ka të bëjë me jetën dhe veprimtarinë e tij, sikurse edhe pas vdekjes i konfiskuan të gjithë pasurinë e paluajtshme, e cila nuk ishte e vogël, pra edhe Kullën në Vermosh,të cilën e përdorën për nevoja ushtarake deri në vitin 2002.
Në nderim dhe përkushtim të veçantë për veprën madhore të këtij trimi legjendar të cilin komunistët shqiptarë e tradhtuan në besë të shqiptarit, e përbuzën, e etiketuan me të pavërteta, e njollosën, e dënuan pa faj dhe së fundi e pushkatuan më 25 mars 1945 në Shkodër. Presidenti i Shqipërisë, z. Sali Berisha, e dekoroi me medaljen “ Martir i Demokracisë”. Pavarësisht nga ky nderim që sistemi i ri politik në Shqipëri ka bërë veprës së Prekë Calit, politikanët dhe historianët shqiptarë nuk e kanë shlyer borxhin ndaj këtij atdhetari të njohur, luftëtari të shquar të Malësisë së Madhe martire, mbrojtësi të kufijve shqiptarë, demokrati, antikomunisti dhe pishtari të demokracisë shqiptare.

No comments: