Tuesday, December 23, 2014

Olta Gixhari: Po pres përgjigjen e ambasadorit Arvizu

Pas lajmit në fundjavë që mbushi faqet e para të shtypit të shkruar, mbi 'pengun' që i kishte mbetur ambasadorit amerikan Aleksandër Arvizu gjatë qëndrimit në Shqipëri, aktorja Olta Gixhari tani është më e kujdesshme në leximin e gazetave.

Ambasadori
Aleksandër Arvizu tha se pengu i vetëm që i kishte mbetur ishte që nuk kishte takuar qoftë edhe një herë Olta Gixharin, deklaratë të cilës aktorja i është përgjigjur se është në pritje të ftesës, pse jo edhe nëse e fton në Amerikë.

Olta thotë se ka mësuar rreth kësaj deklarate vetëm të nesërmen, prandaj edhe me ndihmën e mikeshave të saj, një prej të cilave është edhe Armina Mevlani, çdo ditë tani lexojnë shtypin, me shpresën se ambasadori do t'i kthejë asaj një përgjigje publike...! /o.k/noa.al/


Nga sot shqiptarët mund të marrin viza trevjeçare amerikane

 

E vlefshme për të gjithë ata shtetas shqiptarë të cilët aplikojnë për vizë dhe u miratohet nga Konsullata e SHBA në Tiranë

Konsullata e Shteteve të Bashkuara të Amerikës duke nisur nga dita e sotme 19 dhjetor 2014 do të lëshojë viza me afat trevjeçare për të gjithë ata shtetas shqiptarë të cilët aplikojnë për vizë dhe u miratohet nga kjo konsullatë.

Lajmin e bëri të ditur ish ambasadori amerikan në Tiranëm Aleksandër Arvizu gjatë një interviste mbrëmjen e së enjtes në Top Channel.

“Ata që kualifikohen për të marrë vizë për në SHBA, duke nisur nga dita e premte, do të kenë mundësinë që ta kenë atë për tre vjet. Pra, viza e marrë është 3-vjeçare”, - tha ai.

“Jam shumë i kënaqur që të njoftoj se po punohet për lehtësimin e vizave. Nëse ju, pra shqiptarët, kualifikoheni, atëherë vizat do të jenë të vlefshme për tre vite. Kjo do të kursejë para, kohë, etj. Udhëtimet drejt Shteteve të Bashkuara do të jenë të ligjshme dhe në pjesën më të madhe të rasteve vizat do të jetë 3-vjeçare”, - theksoi z.Arvizu.

Ai shtoi se nuk do ketë ndryshime sa i përket kërkesave. “Përsa kohë kushtet ekonomike përmirësohen do të shohim shumë shqiptarë që do të marrin viza. Kjo nuk do të ndikojë tek aplikimet individuale por do ta bëjë jetën më të lehtë”, - tha ai.

Një ditë më parë, Ambasada Amerikane kishte bërë të ditur se Arvizu do të publikonte një lajm të rëndësishëm në prag të largimit të tij dhe tashmë, SHBA-ja bëhet vendi i parë që iu jep shqiptarëve pa dallim, këtë hapësirë lirie në lëvizje me kohëzgjatje trevjeçare.

INTERVISTA E PLOTE
Alexander Arvizu, ambasadori më jetëgjatë i Shteteve të Bashkuara në Tiranë, në një rrëfim të fundit për Top Story para largimit, foli për të gjitha ato që pa në Shqipëri dhe politikën shqiptare në katër vitet e qendrimit në Tiranë.  Ai foli për shqiptarët, për qeverinë dhe punën e saj, për opozitën, për Bashën e Berishën dhe për marrëdhëniet me të gjithë aktorët politikë kryesorë në vend, për Bankën e Shqipërisë dhe Guvernatorin e ri, por edhe për keqardhjen për atë që e quajti ‘politikë konsumuese’ në vendin tonë.  
Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarit Sokol Balla, zoti Arvizu ka hedhur dritë fillimisht mbi atë që mediatikisht u quajt “surpriza e tij për shqiptarët dhe më pas për zhvillimet politike në vend, me një theks të veçantë tek institucionet e pavarura.
Sokol Balla: Mirëmbrëma, zoti ambasador. Faleminderit që jeni sonte me ne.
Alexander Arvizu: Faleminderit juve, është kënaqësi të kthehem.
Sokol Balla: Ju sa herë keni ardhur keni thënë se kjo është intervista e fundit, por sërish vazhdoni të vini në “Top Story”. A është kjo vërtetë e fundit?
Alexander Arvizu: Po, kjo është e fundit.
Sokol Blla: Ju do të kishit një impenjim në një kolegj të njohur amerikan, por zgjatja e misionit këtu jua dogji. Cila do të jetë e ardhmja juaj?
Alexander Arvizu: Do të kthehem në Uashington. Më pëlqen Uashingtoni dhe do të ndjek prej andej zhvillimet.
Sokol Balla: Kjo mesa duket është e treta e vërteta. Në këtë shfaqje keni premtuar se do jepni një lajm të rëndësishëm për shqiptarët, për çfarë bëhet fjalë?
Alexander Arvizu: Druhem se pritjet e shqiptarëve mund të jenë pak më të mëdha.
Sokol Balla: Është diçka politike?
Alexander Arvizu: Jo.
Sokol Balla: Personale?
Alexander Arvizu: Jo.
Sokol Balla: Por prek shqiptarët, çfarë është?
Alexander Arvizu: Prek shqiptarët dhe është pozitive. Jam shumë i kënaqur që të njoftoj se po punohet për lehtësimin e vizave. Nëse ju, pra shqiptarët, kualifikoheni, atëherë vizat do të jenë të vlefshme për tre vite. Kjo do të kursejë para, kohë, etj. Udhëtimet drejt Shteteve të Bashkuara do të jenë të ligjshme dhe në pjesën më të madhe të rasteve vizat do të jetë 3-vjeçare.
Sokol Balla: Çdo shqiptar i kualifikuar do ta marrë vizën 3-vjeçare nën diskrecionin e punonjësit të konsullatës, por proçedurat për marrjen e vizës do të thjeshtësohen? Do të vështirësohen? Çdo të ndodhë me to?
Alexander Arvizu: Nuk do ketë ndryshime sa i përket kërkesave. Përsa kohë kushtet ekonomike përmirësohen do të shohim shumë shqiptarë që do të marrin viza. Kjo nuk do të ndikojë tek aplikimet individuale por do ta bëjë jetën më të lehtë.
Sokol Balla: Zoti ambasador, para fushatës së zgjedhjeve të vitit 2013, Sali Berisha tha se qeveria e tij në mandatin e ardhshëm do të punonte për heqjen e vizave drejt SHBA. Mos ndoshta ai paska pasur të drejtë?
Alexander Arvizu: Duhet të prisni deri në vitin 2017 që ta shikoni këtë. Ajo që tha Berisha ka qenë një mister për zyrën konsullore dhe vetë ambasadën tonë. Por unë shpresoj që të vijë një ditë ku hapi tjetër të jetë lëvizja pa viza. Por për momentin lëvizja është shumë e kufizuar. Vetëm 34-35 vende janë që mund të vijnë pa viza tek ne.
Sokol Balla: Fakti që tashmë shqiptarët që kualifikohen do të kenë lehtësi për vizat 3-vjeçare, a është kjo për Shqipërinë hyrja në një garë për hyrje pa viza në SHBA?
Alexander Arvizu: Është padyshim një hap përpara. Në 2014 duke hyrë në 2015 do të ketë një ndryshim. Por si konsullata ashtu dhe Departamenti i Shtetit do të mbikëqyrin lëvizjet e shqiptarëve dhe respektimin e afateve të vizave. Por sa i përket asaj që thatë ju, ka një rrugë të gjatë që Shqipëria duhet të bëjë që të hyjë në grupin e vendeve që hyjnë pa viza në SHBA.
Sokol Balla: Mendoj se duhet të meritoni një medalje për këtë, por këtë medalje presidenti Nishani ia dha Johnathan Moore. Mendoni se do t’ju japë një edhe juve?
Alexander Arvizu: Jam i kënaqur që Moore është vlerësuar për kontributin për të çuar përpara marrëdhëniet mes vendeve tona. Sa herë që dikush vlerësohet është një gjë e mirë dhe do të jem i kënaqur për ta. Kjo nuk është modesti nga ana ime, por përse duhet të marr një medalje? Kemi bërë gjëra të mira, gabime prej të cilave jemi përpjekur të mësojmë, etj. Përvojat që kam përjetuar janë shpërblimi. Pastaj jam shpallur Qytetar Nderi i Elbasanit.
Sokol Balla: Edhe ju edhe zoti Withers duhet të kënaqeni me titullin Qytetar Nderi. Por thatë se keni bërë gabime. A mendoni se keni bërë gabim kur e keni quajtur Berishën “burrë shteti” pas ngjarjeve të 21 janarit?
Alexander Arvizu: Jo, nuk mendoj. E thash atë sepse iu referova një vendimi të tij që ishte një vendim prej burri shteti. Unë e di që ka shumë njerëz që janë kundër Berishës dhe të tjerë pro tij, por unë nuk kam dëgjuar të thonë se ‘ky është njeriu që quan Berishën burrë shteti’. Nëse në fund dikush nuk mund ta kapërcejë këtë shprehje, atëherë ky nuk është problemi im.
Sokol Balla: Me zotin Nishani, ditën që ai u zgjodh patët një incident. Sot, pas dy vjetësh e gjysmë, mendoni se zoti Nishani është i aftë të jetë president mbi palët?
Alexander Arvizu: Së pari dua të them se me presidentin Nishani kam marrëdhënie të shkëlqyera. Ai më ka ftuar për të darkuar për herë të fundit në janar dhe do të jem aty. Së dyti më duhet të them se ka diçka që nuk është e drejtë sa i përket sistemit të shtetit shqiptar. Në një vend si Shqipëria, ku çdo gjë duket e politizuar, nuk do të ishte mirë të mos kishte institucione të pavarura. Por mënyra e zgjedhjes së personave të institucioneve të pavarura është politike. Pra, ka diçka që nuk përputhet. Unë mendoj se është diçka e arritshme e që mund të bëhet. Di që presidenti Nishani është kritikuar për disa prej vendimeve, por është një president më i mirë...
Sokol Balla: Se zonja Topalli, për shembull?
Alexander Arvizu: Nuk dua të jap shembuj. Por do të jetë interesante të shohim 2017-n. Shpresoj që atëhere të gjendet një kandidat i mirë.
Sokol Balla: Edhe mazhoranca aktuale, duke përdorur ose duke modifikuar të njëjtin sistem, ka ndryshuar drejtuesit e institucioneve të pavarura. A shihni edhe tek kjo mazhorancë tendencën për të marrë nën kontroll institucionet?
Alexander Arvizu: Institucionet e pavarura, nga vetë emri që mbajnë, nënkuptojnë se duhet të veprojnë në mënyrë të tillë. Nëse njerëzit mendojnë për këtë koncept i bie të flitet për institucione jashtë qeverisë. Institucione që të jenë të pavarura nga trysnitë e qeverisë dhe trysnitë e tjera. Është e rëndësishme që të pranojmë që të shqyrtojmë këtë sistem dhe jo vetëm zotin Nishani për shembull. Për më tepër, ai është zgjedhur në mënyrë ligjore e kushtetuese dhe është ai që është. Mendoj se duhet të pranojmë këtë, sepse ky është procesi i përzgjedhjes. Si zgjidhesh është një gjë, por sjellja kur ndodhesh në atë post është diçka tjetër.
Sokol Balla: Për këtë ju pyeta, a është treguar Nishani i aftë si president?
Alexander Arvizu: Do të jenë referencat që do të shërbejnë për të treguar se si kanë qenë. A ka qenë më i mirë presidenti nga PD-ja, apo një tjetër nga LSI-ja për shembull. Varet nga sjellja e tyre që të jenë të pavarur. Por nëse institucionet e pavarura marrin urdhëra marshimi nga SHQUP-i apo nga godina e ABA-s, atëherë nuk është mirë.
Sokol Balla: Këtë akuzë më të fortë e kanë marrë shërbimet sekrete. Nga përshkrimi që ju bëtë ‘marrja e urdhërave nga SHQUP-i apo ABA’, ku ndodhet zyra e Sali Berishës, atëherë i bie...
Alexander Arvizu: Roli i mazhorancës aktuale është të garantojë institucionet e pavarura dhe kam qenë shumë i qartë për të. Nuk kemi dëgjuar ndonjë zyrtar të LSI apo PS ta thotë, por njerëz të tyre kanë thënë se ‘ndoshta duhet të largojmë presidentin’. Ndoshta politikanët duhet të jenë të kujdesshëm kur shprehen. Të pasurit një mazhorancë të fortë është një luks politik por edhe një detyrim, sepse atë mazhorancë e kanë votuar njerëzit. Mos jini shumë arrogantë, ky do të ishte mesazhi im për mazhorancën.
Sokol Balla: Mesazh më të qartë se ky s’ka pasur. Siç thoni ju, ka sjellje që interpretohen ndryshe nga njëra palë dhe një tjetër, si për rastin e SHISH?
Alexander Arvizu: Sa i përket SHISH dhe shërbimeve tona ka marrëdhënie shumë të mira, sikurse ka me qeverinë e zotit Rama dhe me presidentin Nishani. Ato që bëri zoti Berisha me SHISH i mbeten të shkuarës. Ajo që mund të them tani është se drejtori i SHISH është një shërbëtor i shtetit. Kreu i SHISH varet nga presidenti, por udhëhiqet nga qeveria. Ndaj dhe zoti Lika është i detyruar t’i shërbejë qeverisë që udhëheq. Mendoj se SHISH sot është më i mirë, por kur të hënën do të pij kafe me të do t’i them që duhet të fitoni besimin e qeverisë. Ndërsa mesazhi për kryeministrin është: bëni ç’të mundeni, por jepini atij një mundësi që të fitojë besimin tuaj. Ndoshta mund të mos ju pëlqejë, por duhet t’i jepni një mundësi, sepse kështu funksionon demokracia.
Sokol Balla: Thatë që Rama duhet t’i japë Likës një shans që të fitojë besimin. A nuk ishte një provë dosja e përgjimeve ndaj Ilir Metës dhe Edi Ramës pas 23 qershorit, që SHISH nuk e mohoi?
Alexander Arvizu: Jam në dijeni të këtyre rasteve, por vështirësia me këtë është se ka pak gjëra dhe njëra palë thotë diçka, tjetra një tjetër dhe unë nuk e di. Është një çështje që pavarësisht se si ka nisur, pavarësisht nëse është e vërtetë, qeveria dhe SHISH duhet ta kapërcejnë.
Sokol Balla: Flasim pak krizën që ka përfshirë institucionin e Bankës së Shqipërisë, skandali i vjedhjes, proceset penale por le të merremi dhe me procesin politik për përzgjedhjen e kandidatit nga Presidenti, flasim edhe për takimin që ju patët me Fullanin ditën që ai do të thirrje nga Këshilli Mbikqyrës, ku njëri prej anëtarëve i kërkoi dorëheqjen. Takimi juaj para kësaj mbledhjeje u interpretua si një mbrojtje, çfarë i thatë?
Alexander Arvizu: Jam i kënaqur që e bëtë këtë pyetje. Nëse dikush e ka parë si përpjekje për të ndërhyrë, në asnjë mënyrë nuk ka qenë kjo. Ai është ndër njerëzit e parë që kam patur mundësinë ta njoh. Ai do të jetë mik ditën që unë do të largohem dhe përtej kësaj. Ka bërë gjëra pozitive për bankën. Ka patur disa mekanizma që nuk kanë punuar shumë mirë. Ka ende një element në këtë, por në asnjë mënyrë takimi nuk ka qenë që të ishte një mesazh. Unë kam qenë si një mik dhe përsa i përket për gurvernatorin e ri, ka shumë të kualifikuar, duhet të jetë aplolitik, me reputacion të shëndoshë dhe të dyja palët të gjejnë një marrëveshje. Ka patur disa emra që kanë dalë.
Sokol Balla:  Ndoshta dekreti edhe mund të rrëzohet, nga informacionet që kam unë më shumë se sa krizë mes Kryeministrit dhe Presidentit me dekretimin e zotit Ceka, duket se ka një krizë mes Ramës dhe deputetëve të tij dhe Metës dhe deputetëve të tij që e kanë quajtur publikisht dekretin e Presidentit si jokushtetues, pasi kandidati duhet të zgjidhet nga Këshilli Mbikqyrës.
Alexander Arvizu: Ata duhet të zgjedhin personin më të mirë për punën. Ka shembuj në SHBA kur dikush është përzgjedhur nga jashtë mazhorancës. Ka shembuj të tillë në SHBA, Sekretari i Mbrojtjes Chuck Hagel, një republikan nga Nebraska, Ambasadori i Shqipërisë në Nato, është një ish-deputet për një kohë të gjatë dhe anëtar i PD. Mazhoranca ka nevojë të veprojë në mënyrë të përgjegjshme. Duhet të gjejmë një person të mirë që do të mbajë inflacionin duke bërë konsultimet e duhura me Këshillin Mbikqyrës në mënyrë që Shqipëria të ndjekë politika monetare të shëndetëshme duke i dhënë qeverisë fleksibilitet për politikat fiskale.
Sokol Balla: Gjykata Kushtetuese la në fuqi ndarjen e re administrative të kontestuar nga opozita që nuk mori e as pranoi të bëhej pjesë e hartimit. Në fakt dy javë më parë Basha në këtë studio tha se zbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese është një gjë që nuk duhet diskutuar, por PD e ka kundërshtuar këtë vendim dhe thotë se nuk do ta pranojë, madje se bojkoti në zgjedhjet e ardhshme lokale është opsion real. Ndonjë koment për këtë?
Alexander Arvizu: Kam parë shpjegimin e zotit Basha. Më duket pak e pështjellë. Unë bie dakort me atë që ka thënë PD më parë, për vendimet e Gjykatës Kushtetuese, ato duhet të respektohen dhe kjo ka qenë një rast i vështirë dhe kontraversal. Nuk kam parë ende vendimin e shkruar nga Gjykata, por kam kuptuar që vendimi është marrë 7 me 2, një mazhorancë e fortë. Disa vendime janë marrë 5 me 4, por prap duhet të respektohen. Vendimi është marrë 7-2. Kam bindjen që gjykatësit kanë qenë në mbështetje të Kushtetutës. ShBA ka mbështetur këtë nismë. Ne me Suedinë dhe Zvicrën kemi ofruar paratë e taksapaguesve të PNUD, edhe qeveria italiane ka mbështetur për zbatim. Unë kam nxitur mazhorancën në emër të SHBA që të ndjekin në mënyrë të vendosur reformën. I thashë mazhorancës që të mbajë derën hapur sa kishte mundësi që opozita të marrë pjesë, për mua mazhoranca e përmbushi këtë, por fat i keq që opozita nuk mori pjesë. Shpresoj që opozita të mos bojkotojë.
Sokol Balla: Po nëse kjo nuk ndodh, është një shenjë që po prishet sistemi?
Alexander Arvizu: Mendoj që para së gjithash, shpresoj që kjo nuk do të ndodhë. Kam besim që procesi ligjor në Shqipëri do të gjejë një mënyrë përpara dhe të shpresojmë që kjo nuk do të mbyllte tërësisht derën sepse është e rëndësishme për të ardhmen e PD për të marrë pjesë. PD është në një kryqëzim të rëndësishëm.
Sokol Balla: Kemi edhe rrezikun e djegjes së mandateve. Po mbushin 6 muaj pa u paraqitur, ka një negociatë me ndërkombëtarët, Flekenstein ndodhet në Tiranë, Kukan pritet të mbërrijë  të dielën, ne po flasim për bojkotin e zgjedhjeve lokale por mund të ndodhë që parlamenti të mbetet pa opozitë fare…
Alexander Arvizu: Jam i inkuarjuar dhe po ashtu kanë qenë të gjithë në uUshington kur kemi dëgjuar raportimet mbi disa ndërhyrje ose ndërmjetës të luajtur prej këtyre dy personave. E kam takuar disa raste Kukan dhe ai më është dukur një person objektiv dhe i drejtë që i intereson Shqipëria. SHBA u është bashkuar përpjekjeve dhe PD duhet të gjejë një mënyrë për t’u rikthyer në parlament për të folur në emër të votuesve të tyre dhe jam shpresëplotë. Nuk kemi qenë të përfshirë të drejtpërdrejtë, por jemi mbështetës të hyrjes në parlament.
Sokol Balla: Një nga pikat e PD është dekriminalizimi i parlamentit, eleminimi i personave të dyshuar dhe provuar kriminelë. Kjo është një çështje që SHBA ka folur edhe në të shkuarën. Por a ka të drejtë PD ta kërkojë këtë për parlamentin aktual, apo po kalon pak kufirin e duhur kur kërkon dekriminalizmin e Kuvendit aktual dhe një masë ligjore për zgjedhjet e ardhshme?
Alexander Arvizu: Cilado përpjekje për të përmirësuar cilësinë e përfaqësuesve në Kuvend duhet të mbështetet. Është vlerësimi ynë që ka probleme si në mazhorancë ashtu edhe në opozitë sa i përket cilësisë. Nuk mendoj që është produktive të thuash që kjo palë ka dy individë dhe kjo tjetra ka tetë. Ka një përgjegjësi të ndarë. Të punojnë së bashku që të prezantojnë standarde të caktuara. Le të shpresojmë që të dyja palët të bien dakort. Mendoj që do të jetë e vështirë pasi kemi parë herë pas herë se si këto reforma mbështeten në para. Nuk do të jetë e lehtë, por e përshëndesim këtë nismë.
Sokol Balla: Duket sikur qendrimi i SHBA kësaj herë për bojkotin ka qenë më i zbehtë se sa çka qenë për bojkotin e socialistëve në 2009-2010…
Alexander Arvizu: Ndoshta po mësohemi me bojkotin. Nuk kam qenë këtu, kur kam mbërritur në fund të 2010, socialistët e përfunduan bojkotin e tyre. Nuk ishte e drejtë atëherë dhe nuk është e drejtë tani. Duhet të ketë një mënyrë tjetër.
Sokol Balla: A po gjen PD liderin tek Basha?
Alexander Arvizu: Ai dëshirotne të ishte në këtë pozicion dhe ai e mori. Ai është udhëheqsi i partisë. E ardhmja e PD varet nga ajo që ai bën ose ajo që ai nuk bën. Është një përgjegjësi e madhe. PD është në udhëkryq. PD ka 45 deputetë dhe numri i personave që kanë votuar atë është zvogëluar në mënyrë të vazhdueshme. Ata kanë nevojë që të bëjnë dicka që të ndalojnë këtë humbje. Basha ka një përgjegjësi të madhe para tij. Do të kërkojë urtësi dhe kurajo për të kjo detyrë. Këshilla ime e pakërkuar është që ai duhet të hapë dyert dhe të zgjedhin atë. Nuk dua të përmend emra të deputetëve, por do të përmendja disa emra. Gjergji Bojaxhi, një individ karizmatik dhe dinamik, Selami Xhepa, një ekonomist i respektuar, Besnik Mustafaj, Ilir Rusmajli, Mark Marku. Këta janë personat që kam patur mundësi t’i njoh në një formë apo në një tjetër. Ata nuk i janë bashkuar LSI apo PS, ata janë jashtë dhe në një kritikë të hapur ndaj PD. Këta janë persona të aftë që unë do t’i ktheja, t’i vendosja përpara në front. A nuk do të donit ta bënit këtë për partinë për ta bërë më konkuruese në të ardhmen?
Sokol Balla: Në tetor të vitit të kaluar për armët e Sirisë, u duk sikur krijuat një klimë ngrice me Bashën, si janë raporte tuaja?
Alexander Arvizu: Mes meje dhe zotit Basha raportet janë shumë të mira. Mua më kanë ftuar në një takim me PD një javë më parë ku kemi shkëmbyer përshëndetjet. Ai është një person shumë i zënë me punë. Ka shumë përgjegjësi. Nuk ka shpenzuar kohë në bashki sa cdo të kishte dashur. Koha e tij është e zënë dhe i përhapur në shumë gjëra. Arsyeja e një bisede është që të shkëmbehen pikëpamje sepse të njëjtin informacion mund ta marr duke lexuar RD dhe duke parë Çim Pekën.
Sokol Balla: Po thoni që Basha është treguar hermetik përballë jush. Ju ishit një mbështetës i Bashës, jo hapur, për kryetar bashkie. Mendoni se mbajti premtimin e dhënë 4 vjet më parë?
Alexander Arvizu: Kjo u përket qytetarëve të vendosin nëse ai zgjedh që të kandidojë.
Sokol Balla: Jeni takuar me Berishën në zyrën e tij, keni bërë paqe?
Alexander Arvizu: Nuk jam i sigurtë, por e kam takuar atë në janar të vitit të kaluar. Kemi shkëmbyer përshëndetjet e Vitit të Ri. E kam parë në disa aktivitete, si në Ditën Kombëtare të Hungarisë, nuk e kam takuar shumë.
Sokol Balla: Ju mungon?
Alexander Arvizu: Ai del shpesh në televizor.
Sokol Balla: A është Berisha ende ndikues në PD dhe në politikë në përgjithësi?
Alexander Arvizu: Mendoj që është dhe kjo nuk është gjë e keqe. Për shumë njerëz ai është një formë patriarku për PD, ndaj duhet të jetë një simbol, dikush që ndoshta i kthehen për këshillë ose për një drejtim, por kjo ndryshon nga të pasurit e gishtit në vendimet e partisë. Suksesi i Bashës do të varet nga aftësia e tij për të vendosur identitetin dhe vulën e tij mbi partinë. Nuk di sa biseda të sinqerta me njerëz ku ata më kanë thënë që nuk e pëlqejnë shumë Lulzim Bashën, por nëse ai tregon që është i hapur, që është i hapur ndaj ideve të të tjerëve, thonë që do ta mbështesin atë. Kështu më kanë thënë shumë persona të tjerë.
Sokol Balla: Po qeveriset Shqipëria më mirë pas 23 qersorit se sa para tij?
Alexander Arvizu: Mendoj që zoti Rama ka skicuar një plan ambicioz për reformat. Meta është pragmatist dhe ata kompletojnë njëri-tjetrin, bëjnë punë të mirë së bashku.
Sokol Balla: Po por s’po e ftoni në Uashington ama?
Alexander Arvizu: Ka nëj rreth të gjatë njerëzish, por do të shkojë edhe atje. Rama është një politikan shumë i mirë, ka të meta, por është një politikan shumë i mirë. Shumë prej gjërave që po përpiqen të bëjnë, nëse ja dalin mbanë do të përmirësojnë kushtet në këtë vend. Vecoj këtu fushatën kundër vjedhjes së energjisë, reforma në energjitikë. Ka mbështetje të lartë për këto veprime. Ajo që ka ndodhur në të shkuarën për vjedhjen e energjisë, shqiptarëve duhet t’u vijë turp nga kjo sepse nuk është e drejtë që në 2015 të ketë këtë nivel vjedhjeje dhe mashtrimi. Ka shumë njerëz të varfër atje, për këtë arsye qeveritë duhet të hartojnë një sistem për të ndihmuar këto familje. Kjo duhet të marrë fund dhe qeveria duhet përgëzuar që po e bën këtë. Edhe ndërtimet e paligjshme është dicka që të vret sytë. Procesi i legalizimit, rëndësia e pronave dhe reforma e pensioneve,arsimi i lartë. Janë hapa të vegjël, por në drejtimin e duhur. I këshilloj qeverisë tek ndërtimet e paligjshme që po lëviz më shpejt se ç’duhet. Qeveria duhet të jetë pak më e kujdesshme në këtë pjesë. Sa për reformat mendoj që qytetarët, shumica duan që qeveria t’ia dalë mbanë.
Sokol Balla: Një pjesë e madhe mendojnë, që këto aksione në dukje antipopuliste, disa po e interpretojnë këtë si një kompensim për paaftësinë e qeverisë për të rritur ekonominë, duket një tërheqje vëmendje nga situata ekonomike.
Alexander Arvizu: I keni rënë pikës. Ekonomia është thelbësore. Qeveria aktuale ka trashëguar një situatë shumë të vështirë. Kushtet ekonomike nuk janë të favorshme në rajon dhe Europë e botë. Mendimi im për qeverinë është që nga njëra anë të gjithë duam të paguajmë energjinë, por kur flas me njerëzit kam përshtypjen që po zhvillohen shumë gjëra njëkohësisht. Këshilla ime për qeverinë është të ngadalësojnë pak. Ka shumë njerëz pa punë dhe një nga frustrimet që unë kam dëgjuar është se njerëzit thonë që po paguajnë më shumë taksa me premtimin e ditëve të mira që do të vijnë, por nuk po e shohim ende këtë dhe duken shumë larg. Qytetarët duhet të ndjejnë që ndryshimi është pozitiv dhe që ndikon tek ata. Qeveria ka trashëguar një borxh të madh dhe fatura të prapambetura.
Sokol Balla: Ministri që ju ka zhgënjyer më shumë deri më tani?
Alexander Arvizu: Mos më fusni në telashe.
Sokol Balla: Ju po ikni ndaj po them…
Alexander Arvizu: Mendoj që dy partitë po punojnë mirë në koalicion. Kemi punuar ngushtësisht me Ministren e Mbrojtjes, punojmë me të dhe gjeneral Bazon për të zbatuar strategjinë e sigurisë kombëtare dhe vijën e mbrojtjes që të bëjmë Shqipërinë më të fortë. Ka bërë një punë të mirë. Mendoj që Ministri i Brendshëm ka punën më të vështirë. Kemi punuar ngushtësisht me të në një sërë nismash, duke nisur nga trafikimi i personave, tek ndalimi dhe rikthimi i atyre që i bashkohen terroristëve. Artan Didi është një drejtor shumë i mirë.
Sokol Balla: Përmendet Tahirin dhe Kodhelin si minsitra të mirë, ministër që ju ka zhgënjyer?
Alexander Arvizu: Jam i sinqertë me ju, nuk ka asnjë person që unë mendoj që ka patur ankesa. Është e vështirë të krahasohen. Mendoj që punojnë mirë si ekip.
Sokol Balla: Ne këtë studio Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla ka thënë se po heton një Ministër të kësaj qeverie nën akuza të rënda korrupsioni dhe veprimtarie të paligjshme…
Alexander Arvizu:  E kam dëgjuar. Ishte intriguese, interesante. Nuk e kam idenë se cili është dhe cila është natyra e akuzave. Mendoj që nëse janë fajtorë duhet të mbajnë përgjegjësi. Është e rëndësishme që prokurori të jetë i matur dhe të veprojë me kujdes në të tilla raste pasi është në lojë integriteti i një personi.
Sokol Balla: Është Shqipëria më pak e korruptuar se para 23 qershorit?
Alexander Arvizu: Korrupsioni dhe informaliteti do të kërkojnë vite që të shkulen dhe mendoj që më e mira që mund t presim tani është që vendi të lëvizë në drejtimin e duhur dhe vlerësimi ynë është që ka shumë nisma të mira, plane dhe ide. Korrupsioni në gjyqësor është shumë cështje e vështirë dhe kërkon edhe opozitën.
Sokol Balla: Po përfshij 3 pyetje në një, Cili është momenti juaj më i keq, momenti më i mirë dhe cila keqardhja juaj më e madhe?
Alexander Arvizu: Keqardhje do të ishte që kam shpenzuar 4 vite këtu dhe nuk do kisha takuar Olta Gixharin. Do kujtoj me mall që sa herë kam udhëtuar jashtë Tiranës, shpesh në shumë raste jemi të ftuar në shtëpitë e njerëzve, në disa raste e  kanë ditur që do shkoja dhe kanë qenë të përgatitur, por në shumë të tjera jo. Kam vizituar shumë shtëpi të thjeshta dhe modeste, por tryeza ka qenë gjithmonë plot dhe sigurisht edhe rakia. Mënyra se si trajtohet miku…duhet ta ndjesh këtë që ta përjetosh. Janë këto kujtimet vetjake në harkun 4-vjecar që unë do t’i marr me vete. Më vjen keq që është e turpshme që gjithcka politizohet këtu. Politika në SHBA e në shumë vende mund të jetë e shëmtuar, por këtu është konsumuese, të gërryen, të ha dhe është dicka që largohem me keqardhje. Kam parë imazhet e njerëzve që kanë valvitur flamurin në shesh në 100-vjetor, pas ngjarjes së Beogradit dhe kam thënë që kjo është e shkëlqyeshme. Ka shumë pasion dhe ky pasion duhet përdorur për gjëra të mëdha për vendin. Përse nuk mund të zbatosh këtë krenari dhe ta bësh vendin tënd një shembull të shkëlqyer për të tjerët? Nuk e di përgjigjjen e kësaj.
Sokol Balla: Si i lini marrëdhëniet mes dy vendeve, pasi ka patur një cështje krize si armët kimike?
Alexander Arvizu: Mendoj që marrëdhëniet tona janë të shkëlqyera. Armët kimike kanë qenë shumë për qeverinë. Do ta kishim bërë me sigurinë maksimale. Fakti që Shqipëria ka bërë përparim drejt BE-së dhe anëtarësimit. Lidhja afatgjatë që ekziston mes dy vendeve tona, që zoti Lu do të përjetojë nuk ndryshon. Marrëdhëniet… vështirë që nuk do të bëhen më mirë.
Sokol Balla: Një kërkesë për zotin Lu që të vijë në Top Story sapo të vijë në Tiranë.
Alexander Arvizu: Atij do t’i duhet që të marrë vendimet e tij. Unë i kam vlerësuar gjithmonë ftesat këtu.

No comments: