Wednesday, November 26, 2014

Historia e panjohur e luftës, pse e përzuri Enver Hoxha misionin anglo-amerikan

Foto-Ekspozita në UET nga gazetari Dashnor Kaloçi, hedh dritë mbi rolin e anglo-amerikanëve në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore.  Misteri i rrëzimit të 40 avionëve anglo-amerikanë dhe fati i 200 ushtarakëve.  Aleatët kërkuan bashkimin e LANÇ-it me LegalitetinHistoria më e mirë e më besueshme është ajo që vjen nëpërmjet fotove. Edhe nëse nuk di asnjë fjalë për rolin e forcave aleate në Luftën e Dytë Botërore,
fotoja e zbarkimit të tyre në Normandi nuk mund të të shlyhet nga kujtesa. Një synim të ngjashëm kishte dhe ekspozita e hapur dje në Universitetin Europian të Tiranës nga gazetari Dashnor Kaloçi, ku fotot flisnin më shumë se çdo libër historie që u është ngulitur në kokë deri më sot shqiptarëve për Luftën e Dytë Botërore dhe pikërisht për rolin e aleatëve anglo-amerikanë në Shqipëri në atë kohë. Fotot ku ushtarakët britanikë përfaqësues të UNRRA-s shfaqen pranë Enver Hoxhës dhe kjo foto daton dy vite pas çlirimit të vendit, më 1946-ën. Roli i anglo-amerikanëve për dy vite në vendin tonë është fshirë nga historia e propagandës komuniste, ndërsa edhe sot pas 24 viteve të rrëzimit të sistemit, kjo hisotir vazhdon të jetë në  hije dhe e panjohur.  Gazetari Dashnor Kaloçi tha dje në ceremoninë e hapjes së ekspozitës se “kjo ekzpozitë nuk është në kuadër të mbarimit të luftës, pra 29 nëntorit, por në kuadër të 68 të vjetorit të përvjetorit të largimit të anglo-amerikanëve nga shqipëria, më saktë më 17 nëntor të vitit 1946 kur regjimi komunist i Enver Hoxhës largoi misionin e tyre që kishte dy vjet që sillte ndihma në Shqipëri”.  Sipas tij, “jo pa qëllim këtu në disa foto kemi zgjedhur misionet anglo- amerikane që janë pranë Shtabit të Përgjithshëm të Enver Hoxhës, sepse kanë qenë këta që janë mohuar nga propaganda dhe historia zyrtare e para viteve ‘90, e cila e ka mohuar ekzistencën dhe rolin e  tyre”. Ekspozita u vlerësua dhe nga historiani, Prof.Dr. Luigj Gurakuqi, pedagog në UET, i cili theksoi se duhet rishkruar dhe duhet njohur jo vetëm roli i anglo-amerikanëve në Shqipëri, por dhe fakti që ata mbështetën njësoj të gjitha lëvizjet për çlirim në vend, si atë Nacional-Çlirimtare po ashtu dhe atë të Abaz Kupit të legalitetit, dhe kishin synim që ti bashkonin të gjitha lëvizjet e shqiptarëve në synimin e përbashkët anti-fashist.
Misteri i 40 avionëve të rrëzuar dhe fati i 200 ushtarakëveFLO_9378
Gazetari Dashnor Kaloçi përveç fotove që sillnin tablonë e misionit anglo-amerikan në Shqipëri gjatë kësaj periudhë, kishte sjellë edhe pamje filmike, si dhe dokumente të rralla të kohës. Ai tha se “dokumentet që shfaqim sot flasin për 40 avionë anglo-amerikanë të rrëzuar në vendin tonë, janë mbi 60 anglo-amerikanë  të humbur të cilët edhe sot e kësaj dite kërkohen që tu gjendet varri. Gjithashtu janë mbi 160 ushtarakë të tjerë të kapur rob që u janë dorëzuar gjermanëve”.
Këta avionë ishin ngritur mbi qiellin shqiptarë për të bombarduar forcat gjermane. “Nga jugu në veri janë rrëzuar plot 40 avionë luftarakë të aleatëve anglo-amerikanë, të cilët ishin në inkursione luftarake duke bombarduar forcat gjermane. Në këto 40 dokumente jepen të dhëna të hollësishme për emrat e pilotëve, gradat e tyre, vendi, data dhe orë kur janë rrëzuar. Po kështu, aty jepen detaje edhe mbi fatin tragjik të pilotëve dhe ushtarakëve anglo-amerikanë, ku pjesa më e madhe e tyre, janë djegur bashkë me avionin, një pjesë tjetër figuron të jenë hedhur me parashuta dhe pothuaj të gjithë janë kapur nga forcat e xhandarmërisë vendase apo ushtria gjermane. Pra, në këto dokumente bëhet e ditur për rreth 200 ushtarakë anglo-amerikanë të vrarë dhe të kapur rob nga gjermanët. Dhe në këto dokumente që sapo citova, ka një vërtetësi absolute, gjë e cila është padyshim meritë e administratës së asaj kohe”, sqaron Kaloçi mbi këtë çështje.
UET mbështeti këtë ekspozitë dhe kurimin e saj, ndërsa mori vlerësimin dhe falenderimin e gazetarit Kaloçi, ai shprehu keqardhjen që kjo ekspozitë nuk u mbështet nga institucionet zyrtare të historisë në vend. “Qëllimi i kësaj ekspozite është që të sjellë rolin e mohuar të anglo-amerikanëve, dokumente që skanë dalë para viteve ’90, por dhe më pas histografia e tanishme dhe politika nuk ka treguar vëmendje”, tha ai.
Rishkrimi i historisë
Është një histori e pashkruar ose e treguar keq, e treguar sipas interesave të një regjimi diktatorial, dhe më pas e lënë në harresë. Bilal Kola Drejtor i Institutit të të Përndjekurve Politikë thotë se ushtarakët britanikë që shërbyen në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore kanë vdekur me pengje të mëdha, pasi kontributi i tyre nuk u kuptua dhe nuk u vlerësua anjëherrë ashtu siç duhet nga shqiptarët dhe Shqipëria.  “Asistenca britanike dhe ndihma britanike qoftë në kënvdvështrim të trajnimit dhe nga pikëpamja logjistike ka qenë një përbërës, pa të cilin nuk mund të gatuhej dot lufta e shqiptarëve. Nuk mund të diferencohet lufta që kanë bërë partizanët, forcat nacionaliste, kryesisht ato të legalitetit”.
Më tej Kola tha se “për sa i përket historisë, atë e shkruajnë fitimtarët dhe fitimtari i luftës në vitin 1944 ishte një kasap brutal, kështu që edhe shkrimi i historisë nga ai nuk mund të ishte përveçse brutal”.
Sipas Kolës, “ushtarakët britaniklë  kanë ndarë shumë kujtime personale dhe makropolitike dhe e vërteta është se misionarët britanikë bënë të pamundurën që të kishin një përfaqësim tek komunistët, ku u pa qartë se po tentohej një diktaturë, nuk gjeti të njëjtën përgjigje që gjeti tek greqia për ndihmën që Britania u dha atyre. Ata vdiqën me pengje ndaj Shqipërisë, pasi nuk u kuptua asnjëherë pozitivisht ajo që ata bënë”.

Dëshmi e kohës
 Kurt Kola: Si jetuan agjentët britanikë në shtëpinë time
 Ish i përndjekuri politik Kurt Kola ishte një dëshmi e gjallë e jetës së anglo-amerikanëve në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore.  Kujtimet e tij, fëmijë i vogël atëherë, lidhen me dy nga figurat më të njohura dhe më me ndikim në atë kohë në vendin tonë, bëhet fjalë për ushtarakët britanikë, nënkolonel Bill Maklin dhe majorin David Smajli. Të dy ata kanë qendruar në shtëpinë e Kurt Kolës në fshatin Macukull në rrethin e Matit. Xhaxhai i Kolës ishte përkthyes i dy ushtarakëve të lartë britanikë dhe Kurt Kola tregon se si fëmijë që ishte në atë kohë mbante mend dy burrat anglezë të veshur me rrobën ushtarakë dhe sjelljen e tyre me fëmijët. “Ata ishin shumë të dhënë pas fiskulturës, bënin stërvitje dhe na mësonin dhe ne fëmijët. Mbaj mend që ata qëndruan 4 ose 5 muaj në shtëpinë time deri sa na e dogjën gjermanët”, tregoi Kola dje gjatë ceremonisë së hapjes së ekspozitës Kontributi i anglo-amerikanëve për Shqipërinë në vitet 1943-1946”.

Gurakuqi: Kontributi anglo-amerikan në Luftën e Dytë Botërore duhet ridimensionuarFLO_9301

Kontributi dhe roli që kanë pasur britanikët dhe amerikanët në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore duhet riparë e rishkruar, ose shkruar në rastin më të keq, kur ka mbetur në hije. Historiani Prof. Dr. Romeo Gurakuqi, pedagog në Universitetin Europian të Tiranës në fjalën e tij gjatë foto-ekspozitës me këtë temë, tha se roli dhe misioni anglo-amerikan dhe në veçanti ai britanik ka qenë i madh dhe i fortë. Sipas tij britanikët kanë mbështetur të gjitha lëvizjet për çlirim në vend, si atë të komunistëve edhe të legalitetit me synimin për ti bashkuar të gjithë bashkë kundër fashizmit.
“Kjo ekspozitë sjellë një histori që është lënë mënjanë për shkak të impostimit që ka pasur historografia shqiptare për shkak të rrethanave të sistemit diktatorial, por ende e pashkruar për përmasën e duhur zyrtarisht. Megjithëse një sërë studiuesish të huaj dhe misionarë të shërbimit sekret britanik ose amerikan kanë dhënë dhe kanë përkthyer në gjuhën shqipe të dhëna mbi atë kohë dhe rolin e tyre këtu”, tha Gurakuqi. Ai theksoi se se bëhet fjalë për një kontribut që në vitet ‘43,’ 44 e ‘45 në Shqipërinë e pas luftës ka qenë mjaft intensiv. “Ka qenë e shtrirë në të gjithë shqipërinë, nga Jugu në Veri, ka përfshirë të gjitha organizatat, Lëvizjen Nacional Çlirimtare, lëvizjen e Abaz Kupit, Muharrem Bajraktarit, nacionalistët e Dibrës, Gani Kryeziun, dhe ka pasur një qasje të qartë e të përcaktuar, pra të inkludojë Shqipërinë në qasjen e lëvizjen e aleatëve të mëdhenj, por mbi parimet e bashkimit sipas parimeve të Konferencës së Pezës, pra pa dallim idesh e bindjesh politike”, deklaroi Gurakuqi gjatë fjalës së tij.
Sipas tij roli i aleatëve në Shqipëri ka qenë i vështirësuar për shkak të rrethanave të pushtimit të Shqipërisë, që shkaktoi një situatë mjaft të trazuar dhe për shkak të veprimtarisë mjaft ekstremiste të Lëvizjes Nacional Çlirimtare Shqiptare në raport me organizatat nacionaliste, të cilat, siç shprehet historiani Gurakuqi, -“për hir të së vërtetës nuk kanë pasur një qajse kolaboracioniste sikundër deri më sot jemi mësuar ta shohim në histografi”.
“Pavarësisht kësaj misionet britanike dhe amerikane, por kryesisht misionet britanike që kanë qenë përhapur në vend i janë përmbajtur linjës deri në fund, së paku deri në shtator 1944, linjës së bashkëpunimit mes Lëvizjes Nacional-Çlirimtare dhe Lëvizjes së Legalitetit dhe nacionalistëve të tjerë. Në momentin kur kjo gjë ka qenë e pamundur ata janë përpjekur që të mbanin hovin e revolucionit ekstremist majtist që forca e Lëvizjes Nacional-Çlirimtare, jo partizanët, goditi mbi njerëzit e thjeshtë. E parë në këtë këndvështrim, pjesa e kontributit anglo-amerikan duhet ridimensionuar. Është falë bashkëpunimit të tyre, që janë kryer një sërë aksionesh të sukseshme, siç për shembull beteja për Tiranën”, theksoi profesor Gurakuqi.

No comments: