Sunday, October 26, 2014

Miku i Dukës që na e futi!

Nga: AHMET SHQARRI 
Veglat e Serbisë, serbofilët e vjetër e të rinj, si dhe parullaxhinjtë pacifistë panballkanistë e europeistë, që bashkërisht nuk mund kryefjala më e pështirë e momentit. Për atë se hodhi baltë mbi një ngjarje që e pa e gjithë bota se çfarë kanibalizmi shprehën serbët në atë mbrëmje të 14 tetorit në stadiumin e tyre në Beograd ndaj titullarëve të Kombëtares sonë, dhe se, ndryshe nga ç’pritej e duhej në të vërtetë, përkundrazi, ai,
përfaqësuesi më i lartë i qeverisë së futbollit evropian, na e futi ne shqiptarëve të gjithë atë helm që u përhap nga ajo ndeshje e ndërprerë prej grupe çetnikësh dhe turlilloj banditësh të tjerë vendas! Ajo që UEFA ndërmori ndaj nesh, e plotësoi edhe më mirë figurën prej një të pabesi dhe të korruptuari të Platinisë, i cili, më shumë se një futbollist i famshëm në të kaluarën, do të mbahet mend tani si një batakçi-driblues i kohërave moderne. Se është ai që po lakohet tani, pas Blaterit të FIFA-s, si njeriu i prapaskenave plot llum e pisllëqe që çuan në pranimin e Katarit si vend i organizimit të finaleve të Botërorit 2022, pra pikërisht në atë vend ku të djeg dielli i shkretëtirës, por që milionat e sheikëve të dhëna nën dorë, e bënë realitet, në dëm të interesave të futbollit në tërësi!
Batakçillëku i radhës i Platinisë, me të cilin Duka hante dreka e darka aq shpesh dhe e ftonte në Shqipëri sikur ta kishte mikun e tij më të ngushtë, edhe kur inauguronte ndonjë aneks stërvitor apo minifushë futbolli(!?), u shfaq këtë herë, kur ai, pa pikën e turpit dhe ndjenjën e moralit, mbajti anën e atyre që bënë çmos për të na dhunuar në atë mbrëmje terrori në Beograd. Pa dashur t’ia bëjmë biografinë Platinisë (siç kemi zakon t’ua bëjmë të tjerëve ne shqiptarët, pa ia bërë kurrë vetes), megjithatë, ai është zbuluar me kohë para nesh si njeri që e kishte hedhur tutje kostumin e futbollistit me të cilin adhurohej dikur, duke veshur tani një tjetër, prej nga ku dukej si një prej atyre të shumtëve të neveritshëm që na rrethojnë e që sot shihen të tunden sa majtas-djathtas prej xhepave të mbushur plot nga dhuratat e pista që i doroviten nga “Dukët” me shokë, që nga ana e tyre, me këtë rast, sigurojnë plotfuqishmërinë e vetes dhe të klaneve që përfaqësojnë.
Kur jemi të shokuar nga dobiçllëku i radhës që Europa na e la në derë, na verbohen edhe më shumë sytë, për të mos parë realitetin e hidhur në të cilën zhgërryhemi, gjë që e bën edhe më të mjerë të gjithë qenien tonë, duke mos na bërë aspak krenarë që jemi shqiptarë, siç pretendojmë aq fort, ndërsa nëpër fusha futbolli, jo vetëm në Serbi, por edhe këtu në vendin tonë, nuk na lejohet të futemi nëpër stadiume për të parë futboll?! A nuk jemi pikërisht ne shqiptarët që prej kohësh po e braktisnim futbollin tonë, ngaqë ai na shfaqet krejtësisht i pakëndshëm për t’u parë edhe prej gjithë atyre ngjarjeve të turpshme që janë duke e mbuluar prej vitesh? Dhe, sikur të mos mjaftonte ky mjerim, pikërisht prej atyre që kanë për detyrë ta bëjnë sa më të afërt futbollin me spektatorët, “ligjërohet” vendimi për t’i mbyllur dyert e stadiumeve për dy nga skuadrat më të njohura dhe më me traditë të këtij vendi, Tiranës e Vllaznisë, për javë e javë të tëra, duke e kthyer këtë lojë tek ne, nga një mjet argëtimi, në një ditë zie, ku nëpër tribuna nuk pipëtin asgjë! Edhe më neveritëse bëhen tribunat boshe të stadiumeve tona të transmetuara nga ca ekrane TV-sh, që veç ulërimave të pashkak e haluçinante që shpërndajnë në efir, duke na i shitur ndeshje të tilla si ekskluzivitet i tyre, kërkojnë ndërkohë të na mbushin mendjen me idiotësira të tilla si kjo që po duan ta trumbetojnë fort së fundi, se ky na qenka kampionati më i bukur që këto stadiume pa tifozë po përjetokan në këto kohë të Shqipërisë sonë demokratike!
Më duhet edhe njëherë të theksoj atë atmosferë të jashtëzakonshme plot bukuri që shohim kudo nëpër stadiumet europiane (veç atyre serbe ku mbretëron masakra, si ajo që ndodhi edhe ndaj Kombëtares sonë në datën 14 të këtij muaji!? ), ku mijërat e tifozëve, mes të cilëve femra e fëmijë të panumërt, i gëzohen një ndeshjeje futbolli, sikur të ishte një festë e vërtetë popullore. Ndërsa është për të ardhur keq që krejt ndryshe ndodh me stadiumet tona, ku ndaj tyre kupola drejtuese e futbollit ka gjetur rrugën më të shtrembër për të vënë “drejtësi”, duke i mbyllur ato, në vend që t’i hapë e t’i bëjë sa më të përshtatshëm e më komodë për spektatorët. Edhe pse e largët, thuajse me vite drite prej nesh si shoqëri e mjedis, ajo mrekulli festive që pritet të sjellë sonte në Madrid ndeshja Real-Barcelona, të shërbejë të paktën si lehtësim i përkohshëm i të gjithë atij makthi që ngjalli tek ne vendimi absurd i UEFA-s dhe i mikut të Dukës, Platini, që na e futi.

(d.d/GSH/BalkanWeb)

No comments: