Saturday, September 20, 2014

Në vigjilje të vizitës së Papa Françeskut në Shqipëri

Nderim për martirët e fesë në kohën e Shqipërisë ateiste komuniste, mesazh botës për dobinë e dialogut dhe bashkëjetesës fetare . Tirana në vigjilje të ngjarjes historike: vizitës së Papa Françeskut, më 21 shtator.
Dekoration vor Papstbesuch in Tirana
Dom Gjergj Meta
Shqipëria është i pari vend që Ati i Shenjtë viziton në Europë dhe i katërti në të gjithë botën pas Brazilit, Tokës së Shenjtë dhe Koresë së Jugut. ”Me këtë shtegtim të shkurtër dua të përforcoj në fe Kishën e Shqipërisë dhe t'i dëshmoj inkurajimin tim një vendi, që vuajti gjatë, si pasojë e ideologjive të së kaluarës”shkruan Ati i Shenjtë në përgjigje të ftesës nga Ipeshkvinjtë dhe autoritetet shtetërore të Shqipërisë. Burime zyrtare nga Episkopati Katolik, organi drejtues i Kishës Katolike të Shqipërisë, thanë për DW se “Ati i Shenjtë gjatë kësaj vizite synon të nderojë martirët e fesë që jetuan në kohën e Shqipërisë komuniste ateiste dhe të inkurajojë dialogun ndërfetar, pa lënë mënjanë dialogun politik”. Portretet e 40 martirëve, dëshmorë katolikë dhe ortodoksë në emër të besimit fetar, dekorojnë prej disa ditësh Bulevardin e Dëshmorëve në Tiranë bashkë me portretet e Papës, flamujt e Vatikanit dhe ata kombëtarë. Tirana është në përgatitjet e fundit: në sheshin “Nënë Tereza“ tanimë është gati podiumi, ku të dielën paradite Papa Françesku do të mbajë meshën e shenjtë para mijra qytetarëve të Shqipërisë dhe të ardhurve nga vendet fqinje. Sipas të dheënave të Qëndrës së Shtypit të ngritur nga Kisha Katolike, deri tani janë akredituar 1200 gazetarë të huaj. Në Tiranë ka mbritur edhe automjeti me të cilin do të lëvizë Papa Françesku në kryeqytet dhe nga ku do të përshëndesë mijëra qytetarë që do ta presin të dielën, më 21 shtator.
Ish-vendi i vetëm ateist në botë -model tolerance dhe mosinstrumentalizimi të fesë
Që pas 13 Marsit 2013, kur kardinali i Buenos Aires-it, Jorge Mario Bergalio, u zgjodh nga Konklava Papale të jetë pasardhës i Papa Benediktit të XVI të dorëhequr dhe të bëhej Papa , Papa Françesku, ipeshkevë dhe autoritete shtetërore nga shumë vende e kanë ftuar Atin e Shenjtë t'i vizitojë dhe bekojë. Ai zgjodhi Shqipërinë. Burime nga Vatikani citojnë Papa Franceskun të ketë thënë pas udhëtimit në Korenë e Jugut, në gusht të këtij viti, se kishte vendosur që vendi i pestë në turin e tij ndërkombëtar ishte Shqipëria.“ Së pari sepse në Shqipëri ia dolën mbanë të formojnë një qeveri – mendojmë për Ballkanin! – një qeveri të bashkimit kombëtar mes myslimanëve, ortodoksëve dhe katolikëve, me një Këshill Ministrash ndërfetar që është shumë i ekuilibruar dhe i dobishëm, që po punon si duhet dhe është në harmoni. Prania e Papës në Tiranë është një mënyrë për t' iu thënë të gjithëve: Ne mund të punojmë së bashku. Dhe së dyti nëse shohim historinë, lidhur me besimin fetar, Shqipëria është i vetmi vend komunist ku ateizmi u vendos me Kushtetutë, ku nëse shkoje në meshë dhunoje Kushtetutën, ku u shkatërruan 1,820 kisha ortodokse, katolike, ndersa të tjera u kthyen në kinema, teatro, salla vallëzimi. Ndjej që duhet të shkoj në Shqipëri” citohet të ketë thëne Ati i Shenjtë pas kthimit, para një muaji, nga Koreja e Jugut.
Shqipëria- shembull pozitiv i mosinstrumentalizimit të fesë
Periudha mëse 20 vjecare post- komuniste i dha vlera të reja traditës së bashkëjetesës paqësore ndërfetare në Shqipëri. Pirro Misha, Drejtor i Institutit të Dialogut dhe Komunikimit, thotë për DW. “Shqipëria është një shembull pozitiv, një simbol ku feja nuk është kthyer në një instrument për përҫarje. Shikoni se çfarë po ndodh aktualisht sot, sesi feja po bëhet një instrument për përplasje politike dhe sherre. Dikur vend i vetëm ateist në botë sot ishull në botë ku feja nuk përdoret për dasi dhe konflikt. Kjo është një vlerë që Shqipëria i ofron botës dhe padyshim lidhet edhe me arësyet pse Papa zgjodhi të vizitojë Tiranën.” Për Dom Gjergj Metën vizita historike e Papa Françeskut lidhet me besimtarët. “ Kjo vizite ka ka të bëjë së pari me besimtarët e Kishës Katolike, pasi Papa është kreu i Kishës Katolike, bariu ynë shpirtëror, pasardhësi i Pjetrit që vjen për të përforcuar vëllezërit e tij në besim. Vizita e tij është një tregues i raporteve shumë të mira që Shqipëria ka me Vatikanin por edhe i lirisë fetare në Shqipëri në këto vite demokracie. Papa është edhe një autoritet që ka të bëjë me gjithë popullin shqiptar, ai vjen të takojë gjithë popullin shqiptar, gjithë krerët e komuniteteve fetare në Shqipëri” thotë për DW, Dom Gjergji.
Vizita e Atit të Shenjtë- mesazh për Bashkimin Europian
Simbolika e vizitës në Tiranë të Papa Françeskut nuk ndalet vetëm tek promovimi i modelit të Shqipërise lidhur me bashkëjetesën fetare dhe moskthimin e fesë në instrument perplasjesh politike. Në 15 qershor të këtij viti, një ditë para publikimit të lajmit se më 21 shtator do të vizitonte Shqipërinë, Ati i Shenjtë, tha në një takim me komunitetin e Sant' Egidio-s në Romë se ”Europa i ka bërë hasha, i ka mohuar rrënjët e saj”. Nga Tirana duket se Papa do t'i adresojë Europës mesazhin e vëmendjes ndaj Ballkanit Perëndimor dhe perspektivës së tij europiane, mesazh që i parapriu Kancelarja gjermane Angela Merkel me konferencën e nivelit të lartë për Ballkanin Perëndimor, të organizuar nën kujdesin e sajn ne 28 gusht te ketij viti. ” Papa Françesku vjen në Shqipëri në një rrethanë të veçantë historike për të takuar popullin shqiptar, kur Shqipëria ka marrë statusin e vendit kandidat dhe kjo vizitë pritet ta ndikojë pozitivisht në proceset e integruese” thotë për DW, Dom Gjergj Meta.
Papa - Qyetar Nderi i Tiranës
Dhurata e Papa Françeskut për Shqipërinë do të jetë krejt unikale: një kopje e dixhitalizuar për Bibliotekën Kombëtare e Mesharit të Gjon Buzukut, vepra e parë e shkruar dhe e publikuar në shqip, në vitin 1554. Kryeministri Rama e cilësoi këtë dhuratë ”klon të Mesharit”. Ati i Shenjtë është Papa i Dytë që viziton Shqipërinë, pas Shenjtit Papa Gjon Pali II, më 25 prill 1993, kujtimin e të cilit se bashku me atë të Nënë Terezës ai do të nderojë në Tiranë. Atit të Shenjtë do t'i dorëzohet çelësi i Tiranës dhe do t'i jepet titulli “Qytetar Nderi ” me motivacionin: “Në nderim të veprimtarisë dhe përkushtimit që ka dëshmuar çdo ditë për të respektuar dhe inkurajuar njerëzit e thjeshtë, pa ndasi fetare apo status social, nëpërmjet shembullit të jetës së tij dhe veprave në krye të Selisë së Shenjtë, si dhe përzgjedhjen për të vizituar dhe bekuar si kryeqytetin e parë të Europës, Tiranën, kryeqytetin e Shqipërisë, simbol i bashkëjetesës fetare, i një populli besimplotë dhe mirënjohës për mbështetjen e vazhdueshme që i ka dhënë Selia e Shenjtë.”

Albin Kurti i shkruan Papës: Njohja e Kosovës jetike për zhvillimin e saj

Kreu i Partisë Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti, i është drejtuar sot me anë të një letre Papa Françeskut, një ditë përpara vizitës së tij në Tiranë.
Në letrën dërguar kreut të Vatikanit, Kurti shprehet se vizita e tij në Shqipëri do jetë historike për kombin shqiptar, e cila sinjalizon mirësinë, dashurinë, shpresën dhe mbështetjen e Papës për të gjithë qytetarët e Shqipërisë dhe kombin shqiptar në përgjithësi.
Më tej në letër, Kurti vlerëson edhe kontributin që kanë dhënë për shqiptarët kleri katolik në ruajtjen dhe kultivimin e gjuhës dhe letërsisë shqipe.
Albin Kurti kërkon nga Papa njohjen e pavarësië së Kosovës pasi ky veprim do të ishte një hap drejt fuqizimit të popullit të Kosovës. Sipas Kurtit, njohja e pavarësisë sonë – dhe e së drejtës sonë për të përcaktuar të ardhmen tonë – është jetike për ta mundësuar zhvillimin tonë, ndërtimin e shkollave dhe të një ekonomie që mund të sjellë prosperitet dhe paqe për vendin tonë.
Letra e plotë e Alvin Kurtit drejtuar Papa Françeskut:
Shenjtëria e Tij
Papa Françesku / Pallati Apostolik / 00120 Qyteti i Vatikanit
Shenjtëria Juaj,
Është një nder i madh për mua t’ju shkruaj në emër të Lëvizjes Vetëvendosje!. Aktivistët në lëvizjen tonë, ashtu si edhe populli i Kosovës, janë të entuziazmuar për vizitën tuaj këtë muaj në Shqipëri. Për ne vizita Juaj sinjalizon mirësinë, dashurinë, shpresën dhe mbështetjen Tuaj për të gjithë qytetarët e Shqipërisë dhe kombin shqiptar në përgjithësi. Vizita Juaj do të jetë një bekim i veçantë për shqiptarët katolikë që jetojnë në Shqipëri, Kosovë dhe Mal të Zi.
Ne në Vetëvendosje! jemi veçanërisht optimistë në lidhje me vizitën tuaj, sepse nëpërmjet veprimeve tuaja e keni përqendruar vëmendjen e botës tek të varfrit dhe të shtypurit. Ju keni dhënë një shembull të rëndësishëm dhe frymëzues për ne, për popullin tonë – dhe udhëheqësit tanë – duke qenë se në Kosovë ne luftojmë me varfëri konstante. Jeta dhe vepra e Nënë Terezës ka qenë gjithashtu një shembull udhërrëfyes për shqiptarët dhe për botën se çfarë do të thotë t’ia përkushtosh veten skamnorëve. Siç e dini, kur të mbërrini në Shqipëri Ju do të ateroni në aeroportin që mban emrin e saj.
Unë do të doja të tërhiqja vëmendjen Tuaj te fenomeni i njohur i bashkëjetesës fetare të cilën shqiptarët e kanë kultivuar me shekuj. Bashkëjetesa fetare ka mundësuar bashkëpunimin përtej linjave fetare dhe respekt të ndërsjellë për tempujt, simbolet dhe ritet fetare të besimeve tona të ndryshme. Ajo ka bërë të mundur që vendi ynë të mbijetojë si një tërësi – duke i bashkuar besimtarët shqiptarë katolikë, myslimanë dhe ortodoksë.
Edhe pse shumica e shqiptarëve sot janë muslimanë, ne kujtojmë me respekt dhe mirënjohje të thellë kontributin e klerit tonë katolik për ruajtjen dhe kultivimin e letërsisë shqipe. Në fakt, tekstet e para të shkruara në gjuhën shqipe janë trajtesa mbi Biblën shkruar nga klerikë katolikë. Disa nga shkollat tona të para në gjuhën shqipe ishin drejtuar nga Jezuitët në Shkodër.
Në Kosovë, ne kujtojmë në veçanti priftërinjtë dhe fretërit katolikë të Rendit Françeskan që ishin në ballë të mbrojtjes së shqiptarëve dhe luftës sonë për të drejtën për vetëvendosje në shekujt 19 dhe 20. Ata e informuan botën e jashtme për vuajtjet e civilëve shqiptarë gjatë luftërave të Ballkanit – kur populli ynë u nda padrejtësisht me kufij – dhe gjatë periudhës ndërmjet luftërave. Unë di për dy fretër që vdiqën duke mbrojtur shqiptarët në Kosovë – Frati Luigj Palaj, i cili u vra në afërsi të Gjakovës, në vitin 1913, duke i prirë komunitetit të tij në rezistencën kundër konvertimit të detyruar; dhe Frati Bernard Llupi, i cili u ekzekutua në vitin 1945 për rezistencën e tij kundër sundimit kolonial serb dhe jugosllav të Kosovës. Këta njerëz të besimit dhe ndërgjegjes kanë vepruar si përfaqësues jo vetëm të shqiptarëve katolikë, por të gjithë popullit shqiptar.
Shenjtëri,
Kur vendi im, Kosova, shpalli pavarësinë në vitin 2008, kjo ishte një shans për të gjithë ne në Kosovë, dhe në gjithë Ballkanin për të ndërtuar një jetë më të qetë, pa marrë parasysh përkatësinë kombëtare dhe etnike. Duke njohur pavarësinë si një instrument paqeje, Republika e Kosovës është njohur nga shumica e shteteve demokratike të botës – nga më shumë se 100 shtete aktualisht.
Megjithatë, fakti që Kosova nuk është ende anëtare e OKB-së, mbetet një shkak pasigurie që kontribuon në varfërinë e përhershme të popullit të Kosovës dhe inkurajon aspiratat hegjemoniste të Serbisë. Si rezultat, qytetarët e Kosovës mbeten njerëzit më të varfër në Evropë: rreth 18% jetojnë në varfëri të skajshme dhe 45% janë të papunë. Njohja e pavarësisë sonë – dhe e së drejtës sonë për të përcaktuar të ardhmen tonë – është jetike për ta mundësuar zhvillimin tonë, ndërtimin e shkollave dhe të një ekonomie që mund të sjellë prosperitet dhe paqe për vendin tonë.
Njohja e Kosovës nga Vatikani do të ishte një hap drejt fuqizimit të popullit të Kosovës në luftën tonë për të realizuar një jetë të dinjitetshme për të gjithë qytetarët tanë.
Ne jemi të vetëdijshëm se politika e njohjes mund të jetë një çështje delikate dhe komplekse për Selinë e Shenjtë dhe për marrëdhëniet e saj diplomatike me shtetet e tjera. Megjithatë, janë qytetarët e thjeshtë të Kosovës që mbajnë barrën e kësaj mungese të njohjes në jetën e tyre të përditshme. Prandaj, unë me mirësi kërkoj nga Shenjtëria Juaj të lutet për ne dhe të kërkojë të vërtetën dhe drejtësinë në zemër të kësaj çështjeje.
Vizita juaj në Shqipëri do të jetë një ngjarje historike e madhe për të gjithë shqiptarët dhe unë shpresoj se në të ardhmen do të kemi edhe kënaqësinë dhe nderin e vizitës suaj në Kosovë.
Juaji sinqerisht,
Albin Kurti
Kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje!
Deputet në Kuvendin e Republikës së Kosovës

Shqipëria mes dy Papëve, nga Vojtila te Françesku

Nga Vladimir Karaj
Tirana dje, në përgatitjet e fundit për të pritur Papën e dytë në dy dekada. Arsyet e vizitës së Atit të Kishës Katolike në Shqipëri dhe ajo që shqiptarët presin nga ardhja e tij. Për një ditë vendi  kthehet në qendër të katolicizmit dhe do ketë një rast jo të vogël të mburret me paqen fetare
papa-francesco21 vjet kanë ndryshuar katërcipërisht Shqipërinë që bëhet gati të presë Papën e dytë në radhë, edhe pse “Billy Jean” e Majkëll Xhekson, kënga që u vu për të testuar foninë aty nga ora dy e mesditës në bulevard e bëri efektin e kthimit pas në kohë.  Një kryq “i sajuar” druri ishte i vetmi simbol kishtar në mes të mijëra besimtarëve të krishterë dhe po myslimanë që pritën Papa Gjon Palin II në Shkodër, më 1993. Papa Françesku që mbërrin në Tiranë të dielën, do të gjejë jo vetëm një kishë katolike të ringjallur, por edhe një Shqipëri të ndryshuar. Nuk bëhet fjalë më për kryqe druri të rregulluara aty për aty. Dhjetëra punonjës ishin dje në “Dëshmorët e Kombit” ndër të tjera edhe duke instaluar ekrane të sheshta prej nga rreth 500 mijë pjesëmarrës, sipas një vlerësimi të ambasadës së SHBA në Tiranë, në një njoftim për shtetasit amerikanë që duan të jenë të pranishëm, do të ndjekin meshën e së dielës në sheshin “Nënë Tereza”.
Arsyet e vizitës
Sheshit po i jepet dora e fundit. Grupe-grupe pastrues të Bashkisë po fshijnë çdo pllakë rreth e rrotull vendit ku do të jepet mesha. Rreth tyre, të tjerë punëtorë po krijojnë gardhe hekuri që do kushtëzojnë hyrjet dhe daljet në shesh. Foto të klerit të persekutuar e vrarë nga diktatura që e shpalli vendin ateist, janë pjesë e dekorit që do të presë Papën dhe një nga arsyet pse ai po viziton Shqipërinë. 40 prej këtyre njerëzve që u vranë dhe u torturuan në mënyra çnjerëzore për shkak të fesë, janë në proces lumturimi. E rrallë për një vend. Kur renditi arsyet se pse po vinte, Papa shënoi këtë të parën. Ai do vizitonte Shqipërinë që kishte vuajtur prej diktaturës. Në radhë menjëherë pas kësaj ishte harmonia fetare mes besimeve të ndryshme në vend. Sekretari i Shtetit të Vatikanit, Kardinali Pietro Parolin, duke nënvizuar harmoninë mes feve në vendin tonë u shpreh se Papa Françesku do e vizitojë Shqipërinë për t’iu treguar popujve të tjerë që mund të bashkëpunohet. “Etërit themelues të Shqipërisë moderne besonin në mundësinë e ndërtimit të një shoqërie multifetare dhe historia u dha atyre të drejtë. Ndërkohë, në vende të ndryshme të botës e përdornin fenë si pretekst për dhunën dhe abuzimin”, tha Kardinali pak ditë më parë. Papa sigurisht do të përfitojë nga kjo vizitë për ta bërë më të fortë mesazhin e paqtimit mes feve pikërisht në një kohë kur luftërat bazuar mbi besimin po u kushtojnë jetën mijëra personave në Lindjen e Mesme.
Edhe në Komunitetin Mysliman Shqiptar e presin një mesazh të tillë, ndërsa thonë se janë të hapur të dialogojnë gjithmonë për të mirën e përbashkët dhe shoqërinë. Kreu i këtij komuniteti, më i madhi në vend, pritet të jetë i pranishëm ashtu si pjesa tjetër e drejtuesve fetarë në takimet zyrtare të Papës në Tiranë. “E ndjekim me interes. Është një vlerë e shtuar për bashkëjetesën mes komuniteteve fetare dhe për shoqërinë. Jemi të gëzuar për besimtarët katolikë, të cilëve u vjen në vizitë udhëheqësi i tyre shpirtërorë”, – tha për MAPO-n nënkryetari i këtij Komuniteti, Ali Zajmi.
Nga ana tjetër, edhe pse mes atyre mijërave që do presin Papën të dielën do të ketë me padyshim mjaft myslimanë, Shqipëria, qoftë edhe në raportet mes besimeve, nuk është më ajo që gjeti Papa Vojtila kur ra në gjunjë në Rinas, që atëherë ende nuk quhej “Nënë Tereza”. Kjo ishte hera e parë që një Papë shkelte në tokën e “ateistëve”. Mijëra mbushën sheshet, pavarësisht besimit, në Tiranë e Shkodër, ku Gjon Pali qëndroi gjatë vizitës së tij. Një vend që me detyrim për dekada fshiu apo u përpoq të fshinte çdo lidhje mes njeriut dhe Zotit, u ngrys e u gdhi i ringjallur në besim. Prej atëherë kanë rrjedhur ujëra pa fund. Vendi nuk është më aq imun ndaj radikalizmit fetar apo fobisë ndaj besimit të tjetrit, edhe pse kjo është larg të qenit shumicë apo qoftë edhe pakicë shqetësuese. Qeni anti-minë që kontrollon cep më cep Akademinë e Arteve apo zhurma në media (kryesisht ruse) se Papës mund t’i bëhej atentat, e përgënjeshtruar fort nga Vatikani që tha se nuk do të shtonte sigurinë, përligjet njëfarësoj pikërisht prej pranisë së këtyre grupeve radikale. Përtej kësaj, Papa me siguri do të gjejë mjaft myslimanë mes besimtarëve të tij që do të dëgjojnë çdo fjalë të meshës edhe pse nuk do ta kuptojnë atë. Shumica e punëtorëve që meremetonin dje sheshin ishin myslimanë. “Agjëroj sa herë kam mundësi”, na thotë njëri prej atyre që rregullon rrugicat ku do ta kalojnë njerëzit. “Për Allah”, betohet pak më tutje një prej pastruesve që ka diçka për të diskutuar me shoqet e saj, ndërsa fërkon fort pllakat e trotuarit. Në Shqipërinë ku kishën dhe xhaminë i ndajnë vetëm pak minuta e ku besimtarët kryqëzohen në rrugë çdo ditë nëse shkojnë për në meshë apo për faljen e Xhumasë, asnjë prej këtyre detajeve nuk përbën habi të madhe. Të tjerë ama nuk e shohin kaq pa habi gjithë këtë. Të paktën 600 gazetarë të huaj nga media si CNN, Al Jazeera, Rai e dhjetëra të tjera do i përcjellin botës aktivitetin dhe padyshim edhe versionin shqiptar të paqes mes feve.
Çfarë presim?!
Kjo është ajo që në fakt pret Shqipëria. Kreu i Komitetit të Kulteve, Ilir Hoxholli, mysliman në besim, thotë se vizita e Papës dhe përmendja e harmonisë fetare është reklama më e mirë që i bëhet Shqipërisë. Sipas tij, kjo “na bën të kuptojmë ne shqiptarëve se ç’pasuri kemi në duar”. Por veç imazhit, Shqipëria ka shpresë se e gjithë kjo do të përkthehet në më shumë njerëz që na shohin pozitivisht. Më shumë vizitorë dhe më pak nga ata që besojnë se ende jemi njerëz me bisht. “Një vizitë e… një figure si Papa është një reklamë pozitive dhe vëmendja që ai do të tërheqë në media do të kundërbalancojë imazhin e padrejtë të Shqipërisë”, tha Kliton Gërxhani, një konsulent i turizmit në Shqipëri për BIRN. Ai thotë se mbulimi mediatik ndërkombëtar i vizitës ka gjasa që të ketë ndikim pozitiv afatgjatë më shumë sesa ndikim ekonomik të menjëhershëm nga pelegrinët që pritet të shoqërojnë vizitën e Papës. Këta të fundit, sipas koordinatorit të përgjithshëm për vizitën e Papës, Albert Nikolla, mund të arrijnë deri në 10 mijë kryesisht prej vendeve fqinje, por edhe të huaj. Ajo që do të ndodhë pas vizitës nga ana tjetër është diçka më shumë se kaq. Dje në Tiranë nuk ishte e vështirë të gjeje veç grupeve të turistëve nga Europa edhe njerëz që vinin nga Brazili. Dy gra i takuam pikërisht ndërsa bënin selfie para altarit ku do të mbahet mesha e së dielës. Thanas Goga, këshilltar i ministrit të Shëndetësisë për Mediat, dhe njëkohësisht koordinator i grupit që do të menaxhojë marrëdhëniet me publikun gjatë vizitës, thotë se vetëm numri i gazetarëve të akredituar tregon se përmasat do të jenë të jashtëzakonshme. Ata që ndihmojnë në përgatitjen e sallës së gazetarëve në Pallatin e Kongreseve, janë të bindur se Shqipëria do të tregojë më të mirën e saj të dielën. Gazetarët italianë të Rai-t janë të parët që kanë mbërritur, të tjerët vijnë nesër dhe një pjesë do të udhëtojnë me Atin e Shenjtë. Patër Gjergj Meta, zëdhënësi i Kishës Katolike, është njeriu më i kërkuar në këto anë. Ka nga ata që i kërkojnë kartat e akreditimit, të tjerë që duan të dinë ku do të ulen dhe të tjerë që duan informacion. Edhe pse e lodhshme, përkujdesje deri në detaje, për llambat, frigoriferët, kompjuterat, prizat e gjithçka tjetër rreth vizitës, organizatorët janë optimistë se gjithçka do jetë mjaft e mirë.
Më 1993, gjërat nuk kanë qenë kaq të llogaritura. Gjon Pali II vinte në një vend ku nuk kishte as një drejtues të Kishës Katolike. Ai shuguroi atëherë katër ipeshkvët shqiptarë në një kishë që për vite me radhë jo vetëm nuk kishte mundur të edukonte kler të ri, por kishte humbur thuajse të gjithë ata që kishte pasur dhe kush ishte ende gjallë, kishte kaluar kohë të gjatë në burgje e internim. Papa Françesku, Papa i të varfërve, vjen në një Shqipëri tjetër.


No comments: