Sunday, August 31, 2014

Gjergji Papa: Bojkoti do vazhdojë derisa Rama të reflektojë

Nga: VALENTINA MADANI
Deputeti i PD-së, Gjergj Papa dënon sulmin e pareshtur të kryeministrit Edi Rama ndaj institucionit të Presidencës dhe kreut të saj, Bujar Nishani. Z.Papa thotë për "Gazeta Shqiptare", se nuk është e vërtetë që z.Nishani merr porosi nga PD-ja, siç pretendon z.Rama. E vërteta sipas tij, është se Rama kërkon pushtet absolut; bashkë me mazhorancën kërkojnë të shtënë në dorë dhe për të pasur në kontroll të gjitha institucionet e pavarura të vendit.
Ai flet dhe për bojkotin e opozitës, sipas të cilit do të vazhdojë, derisa Rama dhe Meta do të reflektojnë ndaj inkriminimit të Parlamentit dhe shkeljes së Kushtetutës.

Z.Papa, mazhoranca dhe opozita, pavarësisht se kohë pushimesh, nuk lanë mënjanë betejën e akuzave mes palëve. Për cilat arsye?
Personalisht, nuk e konsideroj si betejë akuzash mes palëve, por si detyrim politik dhe qytetar të opozitës në përgjithësi dhe të Partisë Demokratike në veçanti, për të denoncuar çdo ditë me fakte konkrete politikën e inkriminimit të parlamentit, të administratës publike, të zyrave të shtetit, të zyrave të PS-së, politikë të cilën mazhoranca po e çon përpara me vendosmëri. Nëpërmjet denoncimeve të Partisë Demokratike, popullit shqiptar dhe mbarë opinionit, u është bërë e qartë se trafikantëve, rrëmbyesve të fëmijëve, tutorëve të prostitutave, kryeministri Rama iu ka dhënë mandat dhe imunitet deputeti, iu ka dhënë poste kyçe në administratën publike, si kryetar Këshilli Qarku apo drejtues institucionesh të rëndësishme.
Si e keni përcjellë skandalin e vjedhjes së Bankës së Shqipërisë? Sipas jush, e kujt është përgjegjësia morale dhe ligjore?
Me indinjatë të thellë, ashtu si të gjithë qytetarët shqiptarë. Përgjegjësi morale, pa dyshim që ka gjithë stafi drejtues i Bankës të Shqipërisë. Për sa i përket përgjegjësisë ligjore, mendoj se organet kompetente duhet t'i shkojnë sa më parë në fund hetimit të këtij skandali dhe të përcaktojnë përgjegjësinë ligjore të gjithsecilit, dhe mbi bazën e kësaj përgjegjësie ligjore, çdokush të marrë dënimin e merituar, në përputhje me ligjin.

A mendoni se PD-ja po mbron individë me përgjegjësi ligjore?
Aspak. PD-ja nuk mbron asnjë individ me përgjegjësi ligjore, përkundrazi, dënon me forcë çdo individ që kryen veprimtari antiligjore, kushdo qoftë ai.

Si e konsideroni përplasjen mes Kryeministrit Rama dhe Presidentit Nishani?
Unë nuk e konsideroj këtë si përplasje, por si një sulm të hapur të kryeministrit Rama ndaj kompetencave të Presidentit. Kryeministri Rama dhe shumë përfaqësues të mazhorancës, në vazhdën e demagogjisë pa fund, po përpiqen të dezinformojnë opinionin publik, duke thënë se Presidenti po zbaton porositë e Partisë Demokratike. Kjo nuk është aspak e vërtetë. I vërtetë është fakti që antikushtetueshmëria dhe antiligjshmëria tashmë janë bërë bashkudhëtare të kësaj mazhorance qeverisëse. Këtë e dëshmojnë edhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese, që ka rrëzuar disa herë radhazi vendimet antikushtetuese të qeverisë dhe të shumicës parlamentare, që është shndërruar në ushtar i bindur i zbatimit të urdhrave të dyshes Rama-Meta. Presidenti i Republikës është garant i respektimit të Kushtetutës dhe ligjeve të vendit. Është detyra e tij kushtetuese të dekretojë kthimin në Kuvend për rishqyrtim të të gjitha ligjeve që bien ndesh me Kushtetutën. Deklarata e kryeministrit, se qysh në seancën e parë të sesionit të ri, shumica parlamentare do të zmbrapsë dekretet e Presidentit, tregon fare qartë arrogancën e tij, anashkalimin, sulmet dhe kërcënimet e tij ndaj institucionit të Presidentit.

Realisht, a po ia merr kompetencat Presidentit Nishani, pikërisht mazhoranca e re qeverisëse?
Qysh nga momenti i ardhjes në pushtet, kryeministri Rama dhe mazhoranca qeverisëse, që tashmë nuk mund të quhet akoma e re, e kanë treguar haptazi kërkesën e tyre të vazhdueshme për pushtet absolut, pangopësinë për të shtënë në dorë dhe për të pasur në kontroll të gjitha institucionet e pavarura të vendit. Anashkalimi i kompetencave të Presidentit në emërimin e drejtuesve të lartë të Forcave të Armatosura, në rolin propozues të Presidentit për titullarët e institucioneve të pavarura, e tregon më së miri këtë. Por për mua, më shqetësues është fakti i anashkalimit të rolit të Presidentit në ruajtjen e pavarësisë së KLD-së dhe sistemit gjyqësor. Tymnaja e krijuar nga kryeministri Rama se gjoja Presidenti dhe KLD-ja mbrojnë gjyqtarët e korruptuar, është një gënjeshtër me bisht, që besoj se nuk besohet nga askush. Për të luftuar korrupsionin dhe për reformën në drejtësi, pa dyshim është edhe Presidenti dhe gjithë spektri politik shqiptar, përfshi këtu edhe PD-në. Por dalja e mazhorancës me flamurin se Presidenti dhe opozita mbrojnë korrupsionin në drejtësi dhe se ata me këtë reformë do ta luftojnë atë, është një absurditet. Kjo nuk është gjë tjetër veçse një mjet për të justifikuar vënien nën kontroll të sistemit të drejtësisë, duke cenuar rëndë pavarësinë e tij dhe duke rrezikuar seriozisht themelet e shtetit demokratik.

Të ndalemi pak tek reforma territoriale. Kjo reformë u votua me 88 vota në Kuvend, por ato vota, a e bindën edhe më tepër opozitën që të qëndrojë larg Kuvendit?
Opozita nuk ka qëndruar larg Kuvendit për shkak të reformës territoriale. Bojkoti i opozitës nisi si rrjedhojë e dhunës kriminale për t'u mbyllur gojën deputetëve të opozitës, për të mos denoncuar në foltoren e Parlamentit inkriminimin që Rama i ka bërë institucionit më të lartë të shtetit, duke iu dhënë mandat deputeti individëve me të kaluar të errët kriminale, të vërtetuar katërcipërisht.

Për sa i përket reformës territoriale, mund të them se PD-ja e konsideron atë shumë të rëndësishme dhe publikisht ka prezantuar alternativat e saj. Por ne, kurrsesi nuk mund të bëhemi palë me këtë ndarje administrative; jo mbi bazën e kritereve të përcaktuara qartë dhe të zbatuara njëlloj kudo, por mbi bazën e pazareve për interesa politike, ekonomike dhe elektorale.

Edhe sa kohë do të zgjasë bojkoti i opozitës?
Bojkoti i opozitës do të vazhdojë për aq kohë sa mazhoranca, kryeministri Rama dhe Kryetari i Kuvendit Meta të mos reflektojnë ndaj inkriminimit të Parlamentit, por të fshihen pas dëshmive të falsifikuara të penalitetit, ndaj shkeljeve të Kushtetutës, ndaj shkeljes së rregullores të Parlamentit, duke u mbyllur gojën deputetëve të opozitës, ndaj mosrespektimit të vendimeve të gjykatave, ndaj dhunimit të institucioneve të pavarura për t'i vënë ato nën kontroll, ndaj shkatërrimit të konsensusit politik dhe ndaj krijimit të klimës të konfliktualitetit.

Cila do të jetë kundërpërgjigjja e radhës e opozitës ndaj asaj që ajo e quan shkelje të ligjit nga ana e mazhorancës?
Strategjia e opozitës është e përcaktuar qartë. Opozita do të përdorë të gjitha rrugët ligjore dhe institucionale nga njëra anë, dhe nga ana tjetër, të gjitha mjetet e luftës demokratike, për të denoncuar dhe demaskuar me fakte konkrete inkriminimin, shkeljen e ligjit dhe vënien e drejtësisë në vend.

Në disa raste, deputetë të ndryshëm të PD-së kanë sinjalizuar mosmarrjen pjesë në zgjedhjet lokale të vitit që vjen me këtë reformë të re territoriale. Realisht, a do marrë pjesë opozita në zgjedhjet e ardhshme lokale?
Respektoj mendimin e çdo kolegu deputet të Partisë Demokratike. Në PD, gjithsecili është i lirë të shprehë hapur mendimin e tij. Por vendimmarrja për një çështje kaq të rëndësishme do të merret në mënyrë kolegjiale nga Grupi Parlamentar dhe nga forumet e reja drejtuese të PD-së.

(ed.me/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

No comments: