Dritëro Agolli është një nga ata që i ka
dhënë emrin kohës dhe jo koha emrin atij. Është padyshim personazhi më i
spikatur i letrave shqipe.
Një autor, veprat e të cilit e kaluan provën e
ndërrimit të sistemeve. Pena e tij mbetet universale për çdo kohë dhe
çdo sistem. Ndërsa në politikë, si deputet ishte njeri që u bëri nder i
Parlamentit Shqiptar.
Nuk mbetet vetëm një shkrimtar i madh, por edhe një
politikan i madh. Jo aq për funksionet që ka pasur në strukturat
politike, sesa për
peshën e fjalës së tij. Si për rrallëkënd, mendimet e
Agollit bëjnë efekt në të dy kampet e politikës.
1. Dritëro Agolli lindi më 13 tetor 1931, në fshatin Menkulas të Devollit në qytetin e Korçës. Ai është sot 82 vjeç.
2. Agolli 16 vite të jetës i ka kaluar në Fshatin
Menkulas, katër vite në Gjirokastër kur ishte gjimnazist, katër vite në
Shën Petërburg (atëherë Leningrad) të Bashkimit Sovjetik dhe prej 52
vitesh jeton në kryeqytet.
3. Që nga mosha 25 vjeç jeton në Tiranë, në katin e
tretë të një apartamenti në Rrugën e Dibrës. Deri në vitin 1991 ka qenë
komshi me shkrimtarin tjetër të madh, Ismail Kadare, në pallatin e
shkrimtarëve.
4. Në moshën nëntëvjeçare përfshihet në Luftën
Nacional Çlirimtare. Merr detyrën si korrier i çetave partizane. Një
përvojë që Agolli e përmend shpesh në kujtimet e tij.
5. U martua për të dytën herë në moshën 34-vjeçare
me Sadijen, më katër tetor të vitit 1965, me të cilën ka dhe dy fëmijë,
Artanin dhe Elonën. Me Sadijen u njoh në dasmën e Ismail Kadaresë me
Helenën, në vitin 1963, në shtëpinë e Kadaresë. Agolli pyet pedagogun e
Letërsisë, Naum Prifti, për vajzën që studionte për Letërsi në
Universitetin e Tiranës.
6. Për herë të parë u martua gjatë kohës që ishte
me studime, me rusen Nina, në vitin 1956, kur ishte 25 vjeç. Martesa
zgjati shtatë vite, derisa Shqipëria prishi marrëdhëniet me Rusinë. Nga
martesa e parë Agolli ka një djalë, Arjanin.
7. Ditëlindja e Dritëro Agollit përkon me rilindjen
e një tjetër gjiganti të letrave shqipe. Më 13 tetor ka lindur Millosh
Gjergj Nikolla. Në të njëjtën datë, 20 vite më pas, lindi dhe Dritëro
Agolli.
8. Rruga krijuese e Agollit nis në bankat e
gjimnazit “Asim Zeneli” në Gjirokastër, ku boton në shtypin e kohës
poezitë e para të ndikuara nga autorët e Rilindjes dhe folklori
shqiptar.
9. Veprën e parë Agolli e botoi në vitin 1958.
Është vëllimi i parë me vjersha “Në rrugë dolla”, i cili u prit mirë nga
kritika e kohës. Më pas, sprova e dytë letrare është përsëri me poezi,
vëllimi “Hapat e mia në asfalt”.
10. Pas përfundimit të gjimnazit në Gjirokastër,
Agolli bëri kërkesë për të vazhduar shkollën e lartë për Zooteknikë. Siç
thotë vet Agolli, edhe pse kishte botuar poezitë e para, mendonte se
letërsia mund të zhvillohej vetë dhe duke ndjekur rrugë të tjera në
jetë.
11. Kërkesa për të ndjekur studimet për Veterinari i
dërgohet ministrit të Arsimit, Karahman Yllit, i cili e kishte fiksuar
emrin e poetit të ri. “Ky djalë ka botuar vjersha, ndaj nuk ka për të
studiuar për Veterinari, por të shkojë me studime për Letërsi”, kanë
qenë fjalët ministrit që i ndryshuan rrjedhën e jetës Agollit.
12. Agolli kujton si momentet më të lumtura të
jetës së tij studimet në Rusi, daljen e librit të parë në botim më 1958,
martesën me Sadijen në 4 tetor 1963, si dhe botimin e veprave të tij në
gjuhë të huaja.
13. Momentet më të hidhura të jetës së tij Agolli i
kujton me shkrimet që ka lexuar nga autorë të ndryshëm pas viteve 1990
në adresë të tij. Por hidhërimi ka qenë më i madh kur autorët janë miqtë
e tij të dikurshëm apo njerëz që i ka ndihmuar në krijimtarinë letrare.
14. Në Kongresin IV të Komitetit Qendror, Agolli
kalon një nga momentet më kritike. I duhej të bënte autokritikë si
kryetar i Lidhjes dhe të sqaronte arsyet se përse pinte dhe ndonjëherë
fliste “pa menduar”. Një pozitë jo e këndshme kjo për shkrimtarin që
njihej si një karakter rebel. 1
5. Në Kongresin X të Partisë së Punës, Agolli bëri
dhe kthesën më të madhe të karrierës së tij politike teksa u rreshtua në
forcat progresiste. Një veprim që i kushtoi shumë në sytë e komunistëve
që kërkonin të mbanin me fanatizëm sistemin. Dritëro Agolli ka marrë
dhe kërcënime me vdekje pas vitit 1991. Ishte pikërisht fjalimi i
Kongresit X të PP-së që solli mërinë e komunisteve ndaj shkrimtarit.
16. Në vitin 1991, Agolli ka ndenjur i izoluar tre
muaj në shtëpinë e tij në Rrugën e Dibrës, për arsye sigurie. Ministria e
Brendshme vuri roje në pallatin e tij pas sinjalizimeve për ndonjë sulm
të mundshëm nga huliganë.
17. Dritëro Agolli ka qenë kryetar i Lidhjes së
Shkrimtarëve për 19 vjet. Ai u emërua në vitin 1973 dhe u tërhoq nga ky
post më 31 janar 1992. Gjatë kohës së komunizmit Agolli ka mbajtur këto
detyra, kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve, anëtar i Komitetit Qendror të
PPSH-së dhe deputet në disa legjislatura.
18. Dritëro Agolli ka qenë që në vitet e ‘90 anëtar
i Partisë Socialiste, duke dhënë një kontribut të veçantë në reformimin
e kësaj partie. Agolli ka qenë deputet i Partisë Socialiste që nga viti
1992 deri në vitin 2001. Ai ka qenë gjithashtu edhe anëtar i kryesisë
së kësaj partie për vite më radhë.
19. Agolli është zgjedhur deputet për 30 vjet me
radhë edhe në kohën e diktaturës, edhe dhjetë vjet në kohën e
tranzicionit. Në Parlament mbahet mend për urtësinë dhe fjalimet
brilante në podiumin Kuvendit.
20. Romani “Komisari Memo” është një nga librat e
Agollit që është bërë film me titullin “I teti në bronz”. Ky film është
shfaqur edhe në Kinë, ku është pritur mjaft mirë nga publiku kinez.
21. Dritëro Agolli ka thyer edhe parimin se vetëm
pas vdekjes bëhesh legjendë. Ai që tani është një legjendë e letrave
shqiptare, në këtë mënyrë shkolla 9-vjeçare në fshatin e tij të lindjes,
Menkulas, që tani mban emrin e tij.
22. Dritëro Agolli ka shkruar edhe tekste këngësh,
madje duke marrë edhe çmime. Një ndër çmimet ishte ai i vitit 1971, kur
këngëtarja Alida Hisku, 14 vjeçe, në festivalin e 10-të merr çmimin e
dytë me tekstin e Dritëro Agolli “E Paharruara”.
23. Për kontributin e tij të jashtëzakonshëm
shkrimtari i madh, Dritëro Agolli, veç çmimeve të tjera, është vlerësuar
edhe me titullin e lartë, “Nderi i Kombit”. Shkrimtari i njohur
shqiptar, Dritëro Agolli, është shpallur “Qytetar Nderi” i Tiranës në
vitin 2003.
24. Dritëro Agolli është fitues i katër çmimeve të
Republikës dhe i disa çmimeve vjetore në Letërsi. Dritëro Agolli është
anëtar i Akademisë së Firences “Muzat” në Itali. Përveç qytetit të
Tiranës, ai është “Qytetar Nderi” edhe i qyteteve të Korçës,
Gjirokastrës etj.
25. Nuk numërohen vlerësimet që i janë bërë
legjendës së letrave shqipe. Ndër më të qëlluarit është vlerësimi i
Fransua Nurisjes, i cili ka thënë se, “Agolli është Kafka, me pak më
shumë diell”. Ndërsa Alen Boske shkruan për të se, “Shqipëria na zbulon
një autor me përmasa të mëdha… Dhe dinamiti mbulohet me petale. Një
autor që meriton famë evropiane”.
26. Dritëro Agolli e Ismail Kadare kanë qenë të
përfshirë në Fjalorin Enciklopedik që në vitin 1985. Por ata ishin një
përjashtim i jashtëzakonshëm në vitin e hershëm 1985! Pasi të
përfshiheshe në Fjalorin Enciklopedik, në ato vite duhej të mos ishe më
në jetë.
27. Dritëro Agolli cilësohet si një nga shkrimtarët
më të mirë të të gjitha kohërave në letërsinë shqipe. Jo vetëm në
antologjinë shqiptare, por ai tashmë është i përfshirë në antologjitë e
disa vendeve të botës.
28. Dritëro Agolli u shfaq në letërsi si një autor
me kërkesa të larta për poezinë. Ai synoi një poezi më të përveçme, me
më shumë individualitet. Është i pari që krijoi poezinë e “un-it”,
përkundër poezisë së “ne-ve”, që shkruhej në atë kohë “për të bashkuar
masat”.
29. Gjatë gjithë karrierës së tij artistike,
Dritëro Agolli ka lëvruar këto gjini të letërsisë: poezinë, poemën,
tregimet, novelat, romanin, dramën, skenar filmi, reportazhin, kritikën,
analizën dhe raportin e lajmit.
30. Agolli filloi të shkruajë vjershat e para i
frymëzuar nga Naimi dhe Çajupi, vjersha të cilat u botuan në 1947 në
gazetën “Rinia”. Për poezinë e parë të botuar ai shprehet: “Im atë e
kish prerë pjesën e gazetës ku ishte botuar poezia, e kish vënë në
kutinë e duhanit dhe mburrej në fshat: Ja ky është poeti im”.
31. Libri “Shkëlqimi dhe Rënia e Shokut Zylo” është
vepra që veç famës i solli dhe jo pak andralla autorit. Një vit pas
daljes së tij, Mehmet Shehu i thotë Agollit se, “me atë libër na ke
shkatërruar administratën”.
32. Dritëro Agolli nuk mban numër personal
celulari. Ai vazhdon të përdorë numër fiks. Ndërkohë në disa raste flet
me numrin celular që mban bashkëshortja e tij, Sadija. 3
33. Dritëro Agolli është i pari që ka futur në
fjalorin e përditshëm të shqipes fjalën pijetar, duke e zëvendësuar
fjalën pijanec. Të ishe pijetar, do të thoshte të ishe një njeri që ta
doje pijen, por të mos bezdisje të tjerët.
34. Agolli apo Kadare? Për më shumë se 50 vjet,
fansat janë ndarë më dysh. Porse, siç thotë vetë Agolli, asnjëri nuk
mund të ndahet dot nga tjetri. Sipas tij, nuk duhet të ketë më pyetje
kush është më i madh e kush më i vogël, kush ka qenë më i përkrahur e më
pak i përkrahur.
35. Miqësia e dy korifenjve të letërsisë shqipe,
Dritëro Agolli dhe Ismail Kadare, zë fill në gjimnazin e Gjirokastrës në
vitet 1950. Agolli ishte dy vite shkollore më i madh se Kadare, por
bashkë bënin pjesë në rrethin letrar të shkollës, ku dhe i recitonin
vjershat njëri-tjetrit.
36. Agolli së bashku me Kadarenë janë dy krijuesit
që e ngritën letërsinë në nivelin e asaj ndërkombëtare. I përkasin
brezit të shkrimtarëve të viteve 1960, që shpëtuan letërsinë nga
dogmatizmi i realizmit socialist.
37. Dritëro Agolli është ndër të pakët krijues dhe
njerëz të artit që e ka të qetë ndërgjegjen me të kaluarën e tij. Është i
vetmi që pas kaq v pas rënies së komunizmit, e pranon se ka qenë
komunist dhe ka punuar për komunizmin.
38. Karakteristika më e veçantë e Dritëro Agollit
është thjeshtësia me të cilën komunikon, ulja në tavolinë, biseda e
thjeshtë dhe mikpritja në shtëpi. Dhoma e ndenjes së tij është kthyer
shpesh në dhomë bisedash mes miqsh, dashamirës, gazetarësh, por edhe
njerëz të thjeshtë që kanë dashur vetëm ta takojnë.
39. Dritëro Agolli ka marrë cilësime të tilla nga
politikanë, analistë dhe gazetarë: Patriarku i PS-së, mendimtari i të
majtës, shkrimtari politikan.
40. Agollit nga censura komuniste i janë ndaluar
tre libra. I pari ka qenë “Zhurma e erërave të dikurshme”, në vitet
1960, drama “Mosha e bardhë” në vitet 1980 dhe një seri tregimesh në
revistën “Nëntori”. Dy të fundit janë ndaluar gjatë kohës që ishte
kryetar i Lidhjes.
41. Shumë romane të Dritëro Agollit janë përkthyer
në gjuhë të huaja. Por romani e tij satirik, “Shkëlqimi dhe rënia e
shokut Zylo” është libri më i përkthyer i tij. Ky roman bëri jehonë të
madhe në vendet ku u botua, si në Francë, Gjermani, Itali, Greqi, Rusi e
vende të tjera.
42. Në një intervistë të dhënë për median
shqiptare, Agolli ka thënë që nga librat që ai nuk do t’i harrojë kurrë
janë “Zhurma e erërave të dikurshme”, “Shkëlqimi dhe rënia e shokut
Zylo” dhe librat me poezi “Pelegrini i vonuar”, “Në mesditë”, “Udhëtoj i
menduar”, etj.
43. Nga romanet e Agollit janë bërë një sërë
filmash artistikë. Ndër filmat më të mirë janë “I teti në bronz” (romani
“Komisari Memo”), “Njeriu i mirë”, “Apasionata”, “Njeriu me top”. 44.
Shkrimtari i shquar, Dritëro Agolli, veç poezive, romaneve, tregimeve,
ka shkruar edhe skenarë filmash. Filmi i parë për të cilin ai përgatiti
një skenar dhe nuk shndërroi një krijim letrar në skenar ishte
“Horizonte të hapura”.
45. Agolli u cilësua si novator i poezisë shqiptare
në gërshetimin që i ka bërë folklorit me poezinë moderne, duke sjellë
perla lirike të gjithës shqipe. Ndërkohë risi jo pak të rëndësishme
Agolli solli dhe në metrikën e vargut.
46. Poezitë më të njohura të Dritëro Agollit janë,
“Kur të jesh mërzitur shumë”, “Kur një mëngjes”, “Ëndërr e prerë”, të
cilat dihen përmendësh nga shumë vetë. Ndërsa poemat më të vlerësuar
janë “Poemë për babanë dhe për vete” dhe “Devoll-Devoll”.
47. Agolli në poezitë e tij është ndikuar dhe nga
poetët rusë si Lermontov, Esenini, Pushkini etj. Kjo pas studimeve që
bëri në Shën Petërburg, ku mori dhe bazat e letërsisë bashkëkohore.
48. Për herë të parë Dritëro Agolli është takuar me
Sali Berishën kur ky i fundit ishte ende fëmijë. Agolli kishte bujtur
në kullën e të atit të Berishës në Viçidol të Tropojës, si shok i
vëllait të Berishës. Ndërkohë më vonë koha i takoi përsëri në formacione
të ndryshme politike.
49. Dritëro Agolli është i njohur dhe si përkthyes.
Ka përkthyer nga anglishtja poezitë e poetit Robert Bërns dhe nga
frëngjishtja poezitë e poetit Pol Elyear, i cili ka dhe disa poezi për
Shqipërinë.
50. Ndërsa veprën më të madhe në përkthim Agolli e ka nga rusishtja.
Botimi voluminoz, “Shekulli i artë”, është një nga më të arrirët
artistikisht. Agolli ka përkthyer poetët më në zë të shekullit të 19-të
në Rusi, si Pushkin, Ahmatova, Bllok, Lermontov dhe shumë të
tjerë. /Marrë nga "Tirana Observer"/
No comments:
Post a Comment