Friday, January 25, 2013

Liljana Kondakçi: Mezi kam pritur të jem e lirë, do rikthehem në skenë

Jonida Hitoveizi
Derën e hap vetë. Nuk ka ndryshuar thuajse fare nga këngëtarja që jemi mësuar të shohim në ekran prej shumë vjetësh. Duket sikur gjurmët e asaj që ka kaluar i ka fshirë sapo ka ardhur në Shqipëri. Tregohet e dashur dhe buzëqeshja e saj të krijon një ndjenjë komoditeti si fillim. Nuk është nevoja t’i prezantohemi si gazetarë, pasi në fillim të bisedës thotë se tashmë shumë prej tyre kanë trokitur në derën e shtëpisë së saj. Nuk mund të rrijë gjatë dhe as të ulet në një vend më komod, pasi direkt shpjegon: “Jam shumë e zënë dhe kam bashkëshortin sëmurë. Tani po fle” , dhe ul zërin ndërsa nga dera duket ambienti i shtëpisë së saj. Në shtëpi ndodhet edhe nusja e djalit të saj, e cila jeton në këtë hyrje së bashku me Liljanën. Liljana Kondakçi është bërë gjyshe dhe kjo është një lumturi tjetër e këngëtares pas gjithë sfidave që ka kaluar. Emocionet duken qartë tek ajo dhe fjalët që na thotë arrijmë t’ia shkëpusim me vështirësi.
Gjatë kësaj bisede të shkurtër tek hyrja e banesës së saj, Liljana pohon se do të jetë e ftuar në një emision televiziv, pikërisht tek “Zonë e lirë” e Arjan Çanit mbrëmjen e sotme. Ajo është kthyer në Shqipëri prej më shumë se dy javësh siç pohon vetë, teksa shton se shumë gazetarë jo vetëm që e kanë shqetësuar, por janë treguar edhe të pakujdesshëm në dhënien e informacionit për të. “Nuk e kam pritur këtë nga disa gazetarë në Shqipëri. Kanë abuzuar me informacione të pavërteta siç është puna e shtëpisë. Mediat italiane janë treguar më profesionale dhe kanë shkruar  për mua me shumë superlativa, gjë që unë nuk e prisja”, – thotë ajo. Ndërkohë na lë të kuptojmë se nuk do që ta kujtojë kohën që ka kaluar në burg. Shumë miq të saj janë shprehur se ajo ka qenë një periudhë mjaft e vështirë për të, një periudhë e lodhshme dhe sfilitëse. Megjithatë, lodhjen e saj këngëtarja shumë e dashur e brezit të saj nuk e tregon aspak në bisedën tonë të shkurtër ku arrijmë t’i bëjmë vetëm 2 apo tri pyetje, përpara se ajo të vendosë për një rrëfim të plotë, pasi sipas saj jo çdo gjë që është shkruar është e vërtetë.
Liljana, a do t’i riktheheni skenës tani që jeni në Shqipëri? Çfarë do të bëni?
Karriera dhe muzika janë jeta ime. Nuk mund të bëj gjë tjetër veç kësaj. Besoj se do t’i rikthehem skenës. Unë nuk i largohem dot publikut tim që më do aq shumë, që më ka mbështetur dhe që është me mua edhe pas gjithë këtyre që kam kaluar. Po ashtu edhe familja ime që më ka ndenjur gjithmonë pranë dhe që i dua me gjithë shpirt. Unë mezi kam pritur të vij në vendin tim, në vendin tim si atdhe, jo në shtëpinë time, por të kthehem tek publiku im. Kjo më ka bërë të fortë.
Është e vërtetë se keni probleme me Përmbarimin?
Nuk kam asnjë problem të tillë me Përmbarimin. Kjo nuk është fare e vërtetë. Kanë qenë gazetarët ata që e kanë tepruar, madje duke filmuar edhe derën e shtëpisë e duke thënë gjëra të pavërteta.
Si ndiheni? Si ju kanë pritur miqtë?
Ndihem e lodhur, por tani jam shumë e emocionuar. Kam kuptuar që 90% e njerëzve më kanë mbështetur edhe pse disa kanë dashur të më dëmtojnë.
Do të jeni tek Arjan Çani?
Po, do të jem. Besoj se po dhe këto kohë kam shumë punë, ndaj nuk flas dot gjatë.
Këto kanë qenë fjalët që Liljana Kondakçi ka thënë për gazetën “Mapo” me premtimin se në një kohë të dytë do të kemi një rrëfim të plotë prej saj, pasi siç ka shpjeguar disa herë, kjo nuk është një kohë e mirë. Ndërkohë fqinjët e saj sapo kanë marrë vesh që jemi gazetarë, kanë nguruar të japin detaje për këngëtaren e njohur. “ E kanë bezdisur shumë gazetarët këto ditë. Unë kam një jetë që jetoj me ta dhe kam shumë respekt si familje, dhe për Liljanën. Janë njerëz shumë të mirë” , – thotë një zonjë, e cila nxiton të iki sapo merr vesh se kush jemi. Mbajtja larg e medias ka qenë një mision i kryer me sukses nga këngëtarja, pasi deri tani askush nuk ka pasur qoftë edhe një prononcim për ardhjen e saj apo për kohën e kaluar në Itali. Një rrëfim i cili do të përbëjë gjithmonë kureshtje në çdo kohë që ajo do të vendosë të flasë.
Nostalgjikët postojnë video të Liljanës në rrjetet sociale
Pas lajmit për lirimin e këngëtares së njohur e mjaft të dashur për publikun, shumë fansa apo njerëz që e kanë njohur nga afër kanë shpërndarë në rrjetet sociale si Facebook, këngë të Liljanës në festivale të ndryshme. Madje në shumë prej komenteve shihet një mbështetje dhe një “thirrje” për kthim në karrierë të Kondakçiut. Gazetarja dhe shkrimtarja që jeton prej kohësh në Amerikë, Raimonda Moisiu, pasi ka postuar një duet të Liljanës me Ema Qazimin, ka cituar: “ Jo vetëm nostalgji, por le të jetë edhe një rikujtesë për Liljanën tonë. I uroj qetësi, harmoni dhe vazhdim të karrierës”. Veç këtyre mbetet për t’u parë se çfarë do të rrëfejë sot këngëtarja nëse do të shkojë përfundimisht në studion e “Zonë e lirë”. Sigurisht që publiku do të dojë të dëgjojë prej saj të vërtetat, por edhe vuajtjet dhe kohën e vështirë të kaluar.
Historia:
Liljana Kondakçi u la e lirë duke shlyer kështu dënimin prej 2 vjet e 8 muaj burg në Itali, për akuzën e transportimit të lëndëve narkotike. Siti italian “La Gazzeta del Sud”, i cili bëri publik lajmin, e përshkruante Liljanën si Minën shqiptare, teksa shtonte se nga Durrësi në Vlorë e nga  Tirana në Elbasan nuk ka familje që mos të ketë në shtëpi një disk me këngë të saj. Për shumë kohë në majat e suksesit në Shqipëri, Liljana si shumë artistë të tjerë zgjodhi të emigronte jashtë vendit, por pa u përpjekur për të çuar përpara karrierën e saj atje. Për Liljanën problemet me drejtësinë italiane nisën në verën e vitit 2006, kur u ndalua në stacionin hekurudhor të Sibarit teksa transportonte tre kile kokainë, por që mundi të shpëtonte nga një dënim kapital. Ndërsa më vonë në vitin 2010, ajo u arrestua në Selanik dhe më pas gjykata vendosi ekstradimin e saj drejt Italisë në bazë të një urdhër-arresti ndërkombëtar të lëshuar nga gjykatësi i Catanzaro-s, Vincenzo Antonio Lombardo dhe prokurori i Anti-mafias, Vincenzo Luberto. Sipas grupit hetimor italian, Kondakçi ishte pjesë e një grupi kriminal prej 20 anëtarësh dhe vetë njihej apo thërritej me nofkën “la mamma”. Madje ajo ishte akuzuar se ishte pjesë e një organizate të fuqishme kriminale, e cila operonte në Europë. Të shohim se cili do të jetë versioni i këngëtares tashmë që ajo ka vendosur të jetojë në Shqipëri, e sigurisht rrëfimi i kësaj historie do të ishte edhe një detyrim për qindra njerëz që e dëgjojnë muzikën e saj apo që kanë kujtime të bukura e nostalgji për atë kohë të kaluar./MAPO ONLINE/

No comments: