Thursday, December 16, 2010

Julian Assange, Jeta deri në themelimin e “Wikileaks”


Është folur shumë për “Wikileaks” këto javë, por të pakta janë ende informacionet personale për themeluesin dhe kryeredaktorin e këtij sajti, që po ndryshon diplomacinë botërore dhe shumë koncepte që kanë të bëjnë me lirinë e shtypit. Ja cila ka qenë jeta e tij në të shkuarën

Superhakeri, i cili tanimë konsiderohet nga të gjithë si “rrjedhësi” më i madh i sekreteve ushtarake dhe diplomatike në historinë e njerëzimit, është rritur në një ishull idilik dhe të vogël të Queensland. Një ishull me vetëm 500 banorë. Ai vetë ishte një “Tom Sayer”, i cili e kalonte ditën duke zënë peshk dhe zogj.

Julian Assange ka lindur në korrik të vitit 1971 në Townsville, në bregun e Queensland dhe thotë se për të ka qenë shumë i zakonshëm stili nomad i jetës dhe deri në moshën 14-vjeçare kishte ndryshuar 37 vendbanime së bashku me prindërit. Ata punonin në teatër dhe ishin shpesh në udhëtim nga një vend në tjetrin. Ai dhe gjysmëvëllai i tij nuk kanë marrë një shkollim formal. Këtë e shpjegon mamaja e tyre, Kristine, në një intervistë që ka dhënë së fundi, ku ka thënë: “Nuk doja që shpirti i tyre të thyhej”. Ajo besonte se shkollimi formal do të nxiste te djemtë e saj respekt të pashëndetshëm për autoritetin dhe do të zbehte dëshirën e tyre për të mësuar. Prindërit e Assange ishin antikonformistë të regjur. Vetë australiani 39-vjeçar ka deklaruar shpesh se ka kaluar shumë kohë nëpër librari dhe biblioteka, duke marrë në duar vazhdimisht libra të natyrave të ndryshme, të cilët i lexonte, i nënvizonte dhe i mësonte në disa raste. Për sa i përket mësimeve, ai ka marrë disa orë me korrespondencë, ka pasur mësime informale nga pedagogë universiteti dhe në disa raste kanë qenë prindërit që i merrnin mësues në shtëpi fëmijëve të tyre. Dy nga vendbanimet e familjes Assange, gjatë periudhës së udhëtimeve dhe zhvendosjeve të vazhdueshme, kanë qenë Magnetic Island, një ishull shumë i vogël i konsideruar si trashëgimi kulturore disa kilometra larg Townsville dhe Byron Bay. “Pjesa më e madhe e fëmijërisë sime ka qenë e ngjashme me atë të Tom Sayer”, ka deklaruar Assange në një intervistë për gazetën “New Yorker” “Unë kisha kalin tim, ndërtoja çerdhe për zogjtë dhe më pëlqente shumë që të peshkoja. Më pëlqente shumë edhe të eksploroja vende të reja, të futesha në thellësitë e minierave të braktisura…”.

Ai flet gjithmonë me ngrohtësi për fëmijërinë e tij në brigjet australiane. I tillë është edhe një artikull-opinion në një gazetë australiane, në të cilën Queensland cilësohet si një nga vendet që e bënë që të reflektonte për të vërtetën dhe transparencën dhe ku i lindi ideja e parë për të krijuar edhe sajtin e tij “Wikileaks”, motoja e të cilit është: “Ne i hapim qeveritë”. “Jam rritur në një zonë të Queensland-it, ku njerëzit flasin shumë hapur me njëri-tjetrin dhe i thonë gjërat troç. Janë njerëz që nuk u besojnë qeverive, duke e konsideruar qeverinë diçka lehtësisht të korruptueshme, që duhet mbajtur nën vëzhgim vazhdimisht. Ditët e errëta të korrupsionit në qeverinë e Queensland-it para nisjes së hetimit të Fitzgerald janë dëshmi e asaj që mund të ndodhë kur politikanët e pengojnë median që të thotë të vërtetën”, ka shkruar Assange disa orë para se të arrestohej.

“Të gjitha këto kujtime dhe impresione kanë qëndruar me mua. ‘Wikileaks’ u krijua duke pasur parasysh këto vlera bazë. Ideja u konceptua në Australi dhe në mbështetje të saj u vendos që të përdoreshin teknologji të reja, në një mënyrë për të mbështetur të vërtetën”.

Në shtator të vitit 2009, zonja Assange shkroi rreth kohës së qëndrimit në Magnetic Island, në një ditar të saj.

“Emri im është Assange. Kam jetuar në këtë ishull tre herë. Për herë të parë, në vitin 1971, si mama beqare, me djalin tim të vogël, Julian. Kisha marrë me qira një shtëpizë të vogël për 12 dollarë në javë në Picnic Bay. Jetoja gjatë gjithë kohës me rroba banoje, si banorët e ishullit që ishin me veshje shumë të lehta dhe gjatë gjithë kohës qëndroja me fëmijën tim dhe me mama të tjera të ishullit. Në vitin 1976 u ktheva sërish me bashkëshortin e dytë. Jetova në Horseshoe Bay, në një fermë të braktisur, kurse herën e tretë kam ardhur sërish në këtë vend në vitin 1982 dhe këtë herë, përveç djalit të parë, kisha me vete edhe djalin tim të dytë. Më pas jam kthyer edhe si gjyshe, me të dashurin tim dhe jam shumë e dashuruar me ishullin, edhe pse më është dashur që të qëndroj gjithmonë për një kohë shumë të shkurtër”.

Sipas disa të dhënave në vitin 1970, ishulli ka pasur vetëm 500 banorë, ndërkohë që tani ka më shumë se 2000. Për rritjen e një fëmije është ndoshta vendi më i bukur dhe më i mirë që mund të imagjinohet, sepse njerëzit janë shumë të hapur, të çiltër dhe kanë gëzim për jetën. Nuk bëhet fjalë për krime dhe fëmijët janë të lirë që të shkojnë ku të duan dhe të kalojnë një fëmijëri zbavitëse. Prindërit mund të jenë të qetë, pa paranojat që kanë në vende të tjera të botës për sigurinë e fëmijëve. Kur Assange ishte 8 vjeç, prindërit e tij u divorcuan dhe e ëma nisi lidhjen me një muzikant, i cili më pas filloi që të abuzonte me të. Ajo e braktisi muzikantin, por u detyrua që ta merrte përsëri nga frika se mos i hiqnin nga kujdesi fëmijën e dytë, që e solli në jetë me të.

E kështu familja shkonte nga një vend në tjetrin, në varësi të punëve të prindërve. Zonja Assange i bleu të birit, në moshën 13-vjeçare, kompjuterin e parë për 600 dollarë. Ajo kujton më pas se Julian ishte një djalë shumë i zgjuar dhe i shkathët dhe kishte nevojë që të thellonte dijet, për më tepër në një vend që nuk kishte shumë gjëra për t’i ofruar. Po sipas rrëfimeve të mamasë së Julian, djaloshi tani e kalonte gjithë kohën me kompjuterin e tij të ri, me të cilin nuk ndahej as kur flinte. Për Julian kjo ishte dhurata më e bukur që mund t’i bënin, sepse e kishte pasur pasion që në fëmijëri. Me kalimin e kohës, Assange u zhvendos në Melburn, së bashku me familjen dhe që në atë kohë, kishte filluar që të njihej si një njeri shumë i zoti me kompjuterët kryesisht për sa i përket programimit. Ishte kjo edhe periudha kur ra në dashuri me një vajzë 16-vjeçare, ndërsa ai ishte vetëm 19 vjeç. Po atë vit u martuan dhe sollën në jetë një djalë me emrin Daniel, që sot është 20 vjeç.

Eksperimentet e Assange me kompjuterët tërhoqën shumë shpejt vëmendjen e policisë. Në vitin 1991 ai u kap nga autoritetet pasi së bashku me disa shokë kishte arritur që të futej në terminalin kryesor të kompanisë kanadeze të telekomunikimeve dhe u dënua me 31 akuza për hyrje të paligjshme në rrjet. Në të njëjtën kohë e shoqja e la, duke marrë me vete djalin e vogël. Assange nisi kështu një betejë të gjatë për të marrë të birin, Danielin ndërkohë që priste edhe vijueshmërinë e procesit gjyqësor në lidhje me akuzat që i bëheshin. Kur procesi përfundoi në vitin 1995, ai u cilësua fajtor për 25 akuza dhe arriti që të shmangte burgun me kusht që të mos e përsëriste më të njëjtin gabim.

Në atë kohë gjykatësi tha: “Nuk ka asnjë lloj prove në favor të akuzave për një ndërhyrje të qëllimshme në rrjetin e kompanisë. Kjo të çon në përfundimin se ka qenë thjesht një kënaqësi profesionale për Assange dhe shokëve të tij dhe si pasojë ai lirohet me kusht që të mos e përsërisë këtë ‘krim’”.

Por ajo që e bëri me të vërtetë Julian që të thinjej i tëri ishte beteja legale për marrjen e të birit. Nga një djalosh me flokë kafe, ai u shndërrua në një djalë me flokë të bardha borë, siç e kemi parë shpesh kohët e fundit para se t’ua ndryshonte ngjyrën për shkak të fshehjes. Të paktën këtë e ka thënë vetë Assange për një gazetë para disa kohësh. Në vitin 1999, Julian arriti që të merrte leje për të parë dhe për të qenë me të birin, por kjo i kushtoi shumë shqetësime atij dhe së ëmës. “Mendoj se pasi gjithçka mori fund, përfundova me çrregullime stresi post-traumatike, sepse ishte si të dilje nga një luftë. Ti nuk mund të komunikosh me njerëzit e tjerë në një mënyrë normale dhe këtë problem e kam pasur për shumë kohë”, deklaron Assange.

Më pas ai ka udhëtuar shumë në Azi, ku ka punuar në një sërë fushash të ndryshme, përfshi konsulentin e sigurisë, në gazetari dhe më pas ndërtoi edhe një kompani IT të tijën. Ndërkohë përpiqej që të bënte para për të mbështetur financiarisht të birin. Në moshën 20-vjeçare shkoi në Melburn për të studiuar matematikë dhe fizikë. “Wikileaks” e themeloi në vitin 2006, që në fakt ishte një sajt në të cilin ai u ofronte mundësi të gjithë njerëzve që të hidhnin materiale komprometuese.

Në një tjetër intervistë, ai ka deklaruar se ka bërë një jetë të gjerë intelektuale dhe se është i zoti në shumë gjëra e se shpreson që të realizojë të gjitha planet që ka. Për momentin ajo që Assange duhet të urojë të ndodhë, si parakusht për të vënë në jetë planet e tij, është lirimi nga burgu.

No comments: