Friday, July 23, 2010

Serbia e dëshpëruar me vendimin e GJND

Autoritetet e Serbisë janë të dëshpëruara me vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, sipas së cilës shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk ishte në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare.

Presidenti Boris Tadiç deklaroi se vendimi i GJND-së është i rëndë për Serbinë dhe kjo duhet thënë hapur para opinionit serb. "Mirëpo, Serbia kurrë nuk do ta njohë pavarësisë e njëanshme të Kosovës, sepse mendojmë se secesioni i njëanshëm me motive etnike nuk është në harmoni me parimet e OKB-së", deklaroi Tadiçi. Sipas tij, GJND-ja është deklaruar vetëm për çështjet teknike e jo edhe për të drejtën e kosovarëve për shkëputje. Tadiçi bëri të ditur se Serbia tani do të vazhdojë luftën e saj për Kosovën në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, edhe pse, siç u shpreh, është i vetëdijshëm se do të bëhet presion ndaj shumë vendeve për të njohur Kosovën.

Me fjalë të ngjashme u shpreh edhe ministri i Jashtëm i Serbisë Vuk Jeremiq. Gjatë qëndrimit në Hagë, për televizionin CNN ai deklaroi: "Unë nuk pres që ndonjë prej lojtarëve kryesor në botë të ndryshojë qëndrimet pas këtij vendimi të Gjykatës. Serbia me siguri që nuk do të ndryshojë mendimin sa i përket sovranitetit dhe integritetit territorial. Ne nuk do ta njohim pavarësinë e Kosovës, por do të vazhdojmë përpjekjet tona që së bashku me bashkësinë ndërkombëtare të gjejmë një kompromis dhe një zgjidhje paqësore", theksoi Jeremiçi.

'Po kalojmë momentet më të rënda'

Patriarku serb Irinej tha se këto janë momente të vështira për Serbinë. "Serbët po kalojnë momentet më të rënda, por shpesh kemi qenë në situtata të ngjashme. Zoti na ka ruajtur dhe besoj se do të na ruajë edhe tani, ne dhe Kosovën e vuajtur", deklaroi Irinej.

Ministri serb për Kosovën, Goran Bogdanoviç u shpreh se përkundër vendimit të rëndë për Serbinë të GJND-së, serbët nuk do të largohen nga Kosova.

Profesori i të drejtës ndërkombëtare, Vojin Dimitrijeviç u shpreh se Kosova me këtë vendim ka forcuar pozicionet e veta. Sipas tij, do të jetë shumë e mundur, që edhe popullata e Abkazisë dhe Osetisë Jugore të organizojë shpallje të ngjashme të pavarësisë, sikur në Kosovë. Prandaj, Gjeorgjia është humbësi i dytë më i madh i këtij vendimi, pas Serbisë", theksoi Dimitrijeviçi.

Nënkryetari i Partisë Demokratike Serbe, i cili ishte bashkëkryetar i delegacionit serb në negociatat e Vjenës, Slobodan Samarxhiç kërkoi dorëheqejn e Boris Tadiçit, për shkak të dështimit në politikën ndaj Kosovës. Ndërsa kryeministri i Republikës Srpska, Millorad Dodik tha se mendimi këshilldhënës i GJND-së për serbët e Bosnjë-Hercegovinës mund të shërbejë si udhërrëfyes për zgjidhjen e statusit të tyre në të ardhmen. "Ne kaherë nuk jemi të lumtur që jetojmë në Bosnjë-Hercegovinë, por do të vazhdojmë angazhimin për zbatimin e plotë të parimeve të Marrëveshjes së Dejtonit. Mirëpo nuk përjashtojmë as mundësinë e luftës politike për realizimin e një statusi, që nuk do të ishte në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare, siç thuhet edhe në këtë mendim të GJND-së", theksoi Dodik.

Autor: Bahri Cani

Redaktoi: Auron Dodi

No comments: