Tuesday, July 8, 2008

Shqipëria nuk mund të jetë e cliruar, nëse Çamëria dhe trevat e tjera të saj janë ende të pushtuara

Nga Këze (Kozeta) Zylo

Shqipëria nuk mund të jetë e cliruar, nëse Çamëria dhe trevat e tjera të saj janë ende të pushtuara

Vendimet famekëqe të Konferencës së Londrës, më 1913, ishin një ogur i zi për Kombin shqiptar, ogur që miliona shqiptarë e ndjejnë ende mbi shpinë.
Absolutizmi i vendimeve të tyre, bëri që Kosova, Mali i Zi, Dibra, Camëria t’i shkëputeshin trupit meme Shqipërisë, dhe t’ju dhuroheshin padrejtësisht shovinistëve fqinjë.
Si rrjedhojë, pushtimi i këtyre trevave bëri që të ushtrohej një genocid i paparë në historinë e njerëzimit, me raprezalje, vrasje, gjak, përdhunime…
Për këto le të kujtojmë se çfarë ndodhi në fund të shekullit të kaluar me Kosovën martire, ku ultranacionalistët serbë me Sllobodan Millosheviçin në krye, ushtruan një genocid të pashembullt ndaj popullit shqiptar në Kosovë. Atje u bë një spastrim etnik, u bënë krime të tmerrshme, që kurrë mendja njerëzore nuk mund t’i marr me mend, ato i ndjen vetëm populli i Kosoves, që iu vranë, përdhunuan, masakruan, prindërit, gratë, fëmijet e tyre, dëshmi këto të jetuara dhe të para me sytë e tyre.
Sidoqoftë, Kosova më në fund e fitoi Pavarësine, falë Luftës heroike të UCK-s me popullin e saj luftëtar dhe diplomacisë Amerikane, një mike e përhershme e Shqipërisë!
Kurse Camëria, është një plagë që kullon cdo ditë gjak, për rrjedhojë Shqipëria, nuk mund të quhet e shëruar, në rastin konkret akoma nuk është e çliruar.

Historia e kafshuar

Shoqata “Çamëria” në New York me kryetar z.Sali Bollati, u mblodhën për të përkujtuar viktimat e dhunuara barbarisht nga genocidi grek, me në krye gjeneralin famëkeq Zervën, që udhëhiqte banden kriminale pë të ushtruar spastrimin etnik në krahinën e Çamërisë.
Në mjediset e Institutit “Gjergj Kastriot Skanderbeg” me pronar z.Rrape Ruci, kishte ardhur komuniteti cam per të përkujtuar këtë ngjarje nga më tronditëset, për të përkujtuar 27 Qershorin e vitit 1944. Kjo ditë e zezë përkon me dhunën, vrasjet çnjerëzore dhe dëbimin me forcë të popullit çam nga Krahina e Çamërisë.
Z.Sali Bollati një intelektual dhe aktivist i palodhur i cështjes shqiptare dhe atë çame, që mbeti jetim qysh në moshën 7-vjecare, nga dora gjakatare e Zerves, na drejtoi në mjedisin ku do të shfaqej një video me dëshmitë e popullit çam për këtë masakër barbare!
Aty na uronte mirëseardhjen dhe z.Senko Brahimi së bashku me familjen e tij, një tjetër aktivist i çështjes çame, i cili me punën e palodhur të tij po na njeh me barbarizmin e gjeneralit Zerva, ushtruar mbi popullsinë e pafajshme çame!
Ndërsa shikoja dhe dëgjoja të filmuara dëshmitë e mjaft grave dhe burrave çamë, valëngjethjeje dhe drithërrima me përshkonin tërë trupin, për cfarë ata kishin parë, për tmerret që vazhdojnë t’i kenë akoma në sytë e tyre.
Fatkeqesisht këto dëshmi nuk na janë dhënë më përpara nga diktatura, nuk i kemi mësuar në librat shkollorë, kjo heshtje totale e saj për krahinën e Çamërisë bën që të pohosh se: vetë ne e kemi mohuar më së pari veten, kështuqë duke mohuar vetëveten, grupeve terroriste u lind e drejta ekskluzive për të ushtruar këto masakra që kanë ndodhur në krahinat e saj, pushtuar padrejtësisht nga shovinistët fqinjë!
I dëgjoja me një gjendje emocionale tepër të ngarkuar, dhe nuk kishte sesi të mos ndjeja historinë e popullit tim në rrugët e cakërdisura të mërgimit, njëhistori të kafshuar, të ndukur sipas epsheve të historianëve që i shërbyen diktaturës dhe që na e servirnin historinë vetëm brenda bunkierit komunist!
E si ta kuptonte brezi im që filloi të ushtronte profesionin në fusha të ndryshme, pas viteve 81, veçanërisht këtu flas për arsimin, meqënse jam vetë e ketij profesioni, kur këto nuk shkruheshin, nuk thuheshin, por historia shkruante se si zbuloheshin armiqtë, puçistët e Kombit, ose gjithë populli duhej të ishte ushtar dhe të mbronte vendin nga imperializmi amerikan, imperializëm që s’e pushtoi kurrë, përkundrazi e çliroi Kosoven, vendin tim nga kthetrat e Serbisë.
Megjithatë, ne që kemi qenë jashtë burgjeve, jemi të gjithë mëkatarë, për çfare ka ndodhur me historinë tonë, me bashkatdhetaret tanë, që u kalbën burgjeve, u internuan, u vranë, ose shumë intelektualë u dëbuan nga Atdheu dhe nuk u lejuan kurrë, të vinin në tokën që i lindi dhe rriti ata!
Por sot nuk dua të largohem nga tema, pavarësisht se dhe këto që përmenda më lart janë në funksion të historisë sonë të shtrembëruar dhe të përçudnuar nga diktatura bizantine!

Populli Çam dëshmon

Në video jepeshin me filmime tokat e pasura të Çamërisë, liqenet, pyjet, shtëpitë e bukura me një arkitekturë të përsosur, por që fatkeqësisht tashmë janë në duart e shovinistëve grekë.
Kështu gruaja e moshuar dëshmitare e masakrës, znj, Fatime Isufi, Filat dëshmon:
Kam parë tmerre me sy, mos i paftë as hasmi, kur na dëbuan më 27 Korrik, kemi ndenjur gjashtë muaj në buzë të lumit, në vapë, në baltë…dhe fjala i ndërpritej në buzë, pasi e përjeton përsëri atë tmerr që pa ajo në atë ditë të zezë për Çamërinë, si në natën e Bartolomeut.
Z.Mehmet Izeti Sejko dëshmon se erdhën nga Konispoli në Vlorë, me plagët në trup nga raprezaljet që u benë ne krahinën e Çamërise
Z.Memo Karameto e përshkruan vitin 1944 të tmerrshëm, pasi familja e tij erdhi fukara, sepse nuk kishin mundur të merrnin asgjë nga pasuria e tyre, dhe për ironi të fatit dëshmon se dhe shteti nuk ju kishte dhënë asnjë ndihmë, por pohon se familjet shqiptare na ndihmuan.
Znj.Ilmie Ibrahimi do të kujtoj strehimin e familjes së saj në fshatrat e Peqinit ku ishte mirënjohëse për mikpritjen e tyre.
Z.Shuahip Karamata jep dëshmi rrënqethëse për shtetin diktatorial, pasi ai ndjeu aty të njëjtën raprezalje, kështu në vitin 1949 një pjesë e burrave çamë u morën dhe u internuan pasi nuk kishin pranuar t’ju shërbenin njësiteve greke. Ata kishin pohuar se do t’i shërbenin vetëm Shqipërisë me flamurin kuq e zi perpara!
Pas kësaj u internuan në fshatin Lozhan të Korcës, të përbuzur dhe të mohuar nga bashkatdhetarët e tyre!
Në vitin 1953 vazhdon dëshminë z.Karamata na u hoq nështetësia, gjë që e pritëm me një dhimbje të tmerrshme, pasi kjo ishte në shërbim direkt të qeverisë greke.
Znj.Qefire Sheremeti dëshmon se vjehrri i saj bëri burg, se nuk donte që të kishte nënshtetësinë.
Z.Mufit Jakupi do të jepte dëshminë se në vitin 1951, kur u vu bomba në ambasadën sovjetike, i arrestuan dajon e tij, dhe kështu filloi për familjen e tij një tjetër raprezalje, sa arriti që të thoshte i detyruar se nuk jam cam!
Ndërsa z.Mehmet Minga do të pohonte se nuk ja kishin lënë vëllain të ushtronte detyrën e zv/Prokurorit në Vlorë, por e morën dhe e internuan në Krastë të Elbasanit.
Pronat e popullatës çame janë të pallogaritshme, kështu z.Ramadan Matraku dëshmon se i kanë marrë me dhunë 85 dynym tokë.
Z.Kadrie Osmani tregonte tapitë e tokave, që dhe pse dukeshin të zverdhura nga koha, ato lexoheshin qartë në dokument.
Z.Sabri Sulejmani ka 70-80 dynym tokë, ka lënë shtëpinë dykatëshe, vende turistike.
Z.Ibrahim Braho ka lënë 45 dynym tokë, anije peshkimi, fabrike vaji, mulli mielli…
Znj.Lumturi Mushi dëshmoi se nga përkthimet që ka bërë në arshiva dhe nga dëshmitë e gjyshërve të saj, tregoi se kishte 125 ha pyll, 3 ha kopshte, mulli vaji…etj
Të gjitha këto dëshmi rrënqethëse, shoqëroheshin me melodinë vajtuese të bilbilit të Çamërisë, Çelo Mezani dhe do të mbylleshin me amanetin e z.Elez Dules se do të shkonte në Greqi vetëm me emrin e tij, emër që e ka të pagëzuar nga prindërit, dhe jo ta ndërroj sipas orekseve të ekstremistëve grekë.
Kurse e moshuara znj.Qefine Sheremeti u ka lënë amanetin djemve, se Çamëria është e shqiptarëve.
Dhe ky amanet transmetohet tek vajza e re Enkelejda Sheremeti , që dhe pse nuk është lindur në Çamëri, ajo do që ta ruaj të gjallë vendlindjen e prindërve, vendlindjen e të parëve të saj.
Kështu e fokusuar në dëshmitë e tmerrshme të dëshmitarëve që kanë ngelur gjallë, edhe dhoma ku jepej filmimi të dukej sikur rëndonte në këtë përshpirtje për të nderuar viktimat, rëndonte së tepërmi nga pesha e dhimbjes, nga pesha e lotit të dëshmitarëve, nga plaga e hapur që ende rrjedh gjak papushuar në trupin e mëmëdheut të shumëvuajtur, që ende vazhdon të jetë i pushtuar edhe pse në shekullin e 21!

27 Qershor, 2008
Staten Island, New York


No comments: