Thursday, July 22, 2010
GJND: Pavarësia e ligjshme Hyseni: Tashmë, të barabartë Jeremic: Nuk e njohim Kosovën
Ora: 21:40- Thaçi: Përgjigje e drejtë ndaj padrejtësive
"Opinioni i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë është përgjigja më e mirë që i është dhënë botës për të drejtën e Kosovës si shtet legjitim dhe legal, si shtet i konsoliduar dhe funksional", u shpreh kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi nga Uashingtoni, ku ndodhet në një vizitë zyrtare pas vendimit të GJND-së e cila u shpreh sot në favor të pavarësisë së Kosovës.
Kreu i qeverisë kosovare theksoi se mendimi këshillimor i GJND "është një përgjigje e drejtë historike ndërkombëtare ndaj padrejtësive historike që janë bërë ndaj Kosovës".
Ora 20: 12- Krasniqi: Mirënjohje për opinionin e GJND-së
“Mendimi i dhënë nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, rikonfirmon se deklarata e datës 17 shkurt 2010 që shpalli Kosovën shtet të pavarur dhe sovran, ishte një akt për të ndërtuar një shoqëri që respekton dinjitetin njerëzor dhe afirmon krenarinë dhe synimet e qytetarëve të saj” deklaroi kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi.
“Republika e Kosovës shpreh zotimin e saj të shprehur në deklaratën e pavarësisë për të qenë një shtet demokratik, laik dhe multietnik, i udhëhequr nga parimet e jodiskriminimit dhe mbrojtjes së barabartë sipas ligjit, i cili do të mbrojë dhe promovojë të drejtat e të gjitha komuniteteve në Kosovë dhe krijojë kushtet e nevojshme për pjesëmarrjen e tyre efektive në proceset politike dhe vendimmarrëse,” tha Krasniqi ndërsa falënderoi SHBA, BE dhe gjithë shtetet që kanë njohur shtetin e pavarur të Kosovës.
Ora 20:00- Vendimi i GJND, Tadic: Do luftojmë me mjete ligjore
Pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë për ta quajtur të ligjshme pavarësinë e Kosovës, ka ardhur edhe reagimi i presidentit serb Boris Tadic i cili ka deklaruar se Serbia do vazhdojë luftën e saj me mjete ligjore edhe pas këtij vendimi të rëndë
Tadiç deklaroi sot se "vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë është një vendim i rëndë për Serbinë", duke shtuar se "është e qartë se GJND-ja nuk e bëri deklaratën për sa i përket problemit të ndarjes".
Tadiç shtoi ndër të tjera se GJND-ja nuk u shpreh në lidhje me propozimin për ndarjen e territoreve, duke shpresuar kështu që ky vendim ti ngelet OKB-së.
"GJND-ja i transferoi problemin Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së Serbia do të vazhdojë të luftojë për Kosovën me mjete ligjore dhe paqësore".
Tadiç shtoi se "Serbia ka një plan të qartë me aktivitete diplomatike".
Ora 18: 20- Sejdiu: GJND-ja bekoi pavarësinë e Kosovës
Presidenti i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu e ka vlerësuar vendimin e GJND-së si një bekim për pavarësinë e Kosovës.
“Ky mendim rikonfirmoi fuqishëm se shpallja e pavarësisë së Kosovës ka qënë në pajtim të plotë me të drejtën ndërkombëtare dhe lirinë e popullit për vetëvendosje”.
Sejdiu tha se mendimi këshillëdhënës i GJND-së i hoqi dilemat edhe të vendeve që nuk e kanë njohur deri më sot pavarësinë e Kosovën.
“Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë vërtetoi sot se Kosova nuk paraqet precedent, por njeh të drejtën e popullit të Kosovës për vetëvendosje, për të jetuar i lirë dhe i pavarur”.
Presidenti i Kosovës e ka ftuar Serbinë që të ndryshoj politikën fqinjësore dhe t’i bashkëngjitet vizionit të vendeve të rajonit për integrim në strukturat euroatlantike. Ai tha se vizioni i vetëm Republikës së Kosovës është integrimi në Bashkimin Evropian dhe NATO.
Ora 17:55- Rama: Sot, dita e dytë më e lumtur për Kosovën
Vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për të vlerësuar si të ligjshme pavarësinë e Kosovës, e ka përshëndetur edhe kreu i opozitës Edi Rama. Sipas tij kjo është dita e dytë më e lumtuar për Kosovën por edhe për të gjithë shqiptarët.
“Është dita e dytë më e lumtur për Kosovën e cdo shqiptar që pas ditës së pavarësisë, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë vendosi ti hapë rrugë njohjeve të mëtejshme të Pavarësisë”, - u shpreh kryesocialisti.
Kryesocialisti shprehu mendimin se ky vendim do ta bëjë Serbinë të harrojë ëndrrën e kahershme për të mos u ndarë nga Kosova, ndërsa e “ardhmja e saj sot bëhet më e garantuar se dje”.
Ora 17:30- Jeremic: Vendimi politik, cështja në OKB
Pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë ministri i Jashtëm i Serbisë, Vuk Jeremic fton serbët të ruajnë qetësinë, e deklaron se vendi i tij nuk do ta njohë kurrë pavarësinë e Kosovës.
Duke shpresuar se Beogradi ka ende gurë rezervë për të përdorur në lidhje me statusin e Kosovës, Jeremic deklaron se, “Serbia nuk do ta ndryshojë qendrimin për Kosovën. Për Beogradin loja nuk është mbyllur. Cështja është politike dhe tashmë do ti kalojë OKB-së”, - deklaroi Jeremic menjëherë pasi GJND shpalli të pavlefshme kërkesën e Serbisë për të vërtetuar se pavarësia e Kosovës ishte e paligjshme.
Ora: 17:47- PDU: Ditë e rëndësishme për mbarë kombin
Partia Drejtësi dhe Unitet ka përshëndetur vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë që konfirmoi sot ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës.
“Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë korrigjoi në këtë mënyrë gabimin historiK të kryer 97 vjet më parë, në Konferencën e Ambasadorëve të Londrës, pikërisht në korrik 1913, ku padrejtësisht shqiptarët u coptuan në shtetet fqinje. PDU thekson se kjo është një ditë historike jo vetëm për shqiptarët e Kosovës, por për të gjithë në Shqipëri, Maqedoni, Malin e Zi, Luginën e Preshevës, Greqi e kudo që jetojnë bashkëkombasit tanë. Pas pak kohësh, Kosova do të jetë pjesë e OKB-së, pas valës së njohjeve që pritet të pasojnë vendimin e GJND-së, duke i vendosur vulën aktit të pavarësisë së kryer më 17 shkurt 2008 nga bashkëkombasit tanë në Kosovë” thuhet në deklaratën e PDU.
Ora 17:20- Topi: Vendimi, hap i rëndësishëm për të ardhmen e Kosovës
Menjëherë pasi Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë dha opinionin e saj në favor të pavarësisë së Kosovës, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bamir Topi i telefonon homologut të tij kosovar Fatmir Sejdiu. Kreu i shtetit Topi e ka cilësuar këtë vendim të rëndësishëm, duke i komunikuar Sejdiut se “ Opinioni i GJND-së një hap i rëndësishëm për të ardhmen e Kosovës dhe për integrimin e saj”.
Duke e cilësuar vendimin e GJND-së si ngjarjen e dytë të jashtëzakonshme, që pason shpalljen e pavarësisë së Kosovës më datën 17 shkurt të vitit 2008, Presidenti Topi ka nënvizuar se “në tërë përvojën time nuk kam parë gjykim më profesional, më analitik, më logjik rreth një ngjarjeje që ndodhi më shumë se dy vjet më parë”. Në prononcimin e tij për median, Topi nuk e ka fshehur gëzimin për këtë vendim që sic u shpreh ai realisht shkoi në të drejtën legjitime të popullit të Kosovës, të institucioneve legjitime të Kosovës për ta shpallur Kosovën shtet të lirë, sovran, të pavarur.
“Telefonatën e parë ia bëra Presidentit Sejdiu, nëpërmjet të cilit unë transmetova për popullin e Kosovës urimet më të mira për këtë vendim, i cili tregon përveç të tjerave që institucionet e Kosovës, populli i Kosovës, kanë qenë koherent në të gjitha ngjarjet që janë zhvilluar në Kosovë, koherent në të gjithë vendimarrjen ndërkombëtare, dhe padyshim, i tërë misioni, qoftë ai i OKB-së, qoftë misionet ndërkombëtare që veprojnë në Kosovë, kanë qenë në një lloj sintonie me atë që sot shpalli Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë”, tha Topi.
Presidenti i Shqipërisë u shpreh i bindur se vendimi i GJND-së do të ndërgjegjësojë disa mendjeve, të cilat për fat të keq u munduan që ta mbajnë zvarrë këtë proces.
Ora: 17:04- Hyseni: Tani dialog me Serbinë si të barabartë
Pas verdiktit për ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë nga ana e Kosovës, dhënë pak më parë nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë, ministri i Jashtëm i Kosovës Skënder Hyseni tha "presim që Serbia të drejtohet nga ne për diskutime. Por diskutimet duhet të zhvillohen si dy vende sovrane", shtoi Hyseni menjëherë pas deklaratës së GJND-së.
Ndërkohë Hyseni deklaroi se pret "që edhe pesë vendet anëtare të BE-së që ende nuk e kanë njohur Kosovën si shtet të pavarur (Spanja, Rumania, Greqia, Sllovakia dhe Qipro), ta njohin tashmë pavarësinë e saj".
Ora: 17:00- Meta: Vendimi i GJND-së, rikonfirmin për pavarësinë e saj
Zv kryeministri dhe ministri i jashtëm Ilir Meta u shpreh se "Mendimi i GJND-së mbi ligjshmërinë e Kosovës, i hap rrugë përshpejtimit të procesit të njohjes së shtetit të pavarur e sovran të saj, drejt anëtarësimit me të drejta të plota në Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB), në një të ardhme të afërt".
Përmjes një deklarate për shtyp, ministri i Jashtëm, Ilir Meta, përshëndeti vendimin këshillimor të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, si organi kryesor i drejtësisë Ndërkombëtare, që konfirmon në mënyrë të qartë se shpallja e pavarësisë së Kosovës është një akt i ligjshëm dhe në përputhje me të Drejtën Ndërkombëtare.
Meta deklaroi se "vendimi i GJND-së për Kosovën, është edhe një rikonfirmim i të drejtës së patjetërsueshme të qytetarëve kosovarë për liri dhe pavarësi, si dhe një kontribut për paqen dhe stabilitetin në Kosovë, në rajon e më gjerë.
Ora: 16:56- Berisha: Vendimi i GJND-së, historik
Kryeministri Berisha ka përshëndetur vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë lidhur me pavarësinë e Kosovës. Menjëherë pas shpalljes së vendimit të trupit gjykues, kreu i qeverisë doli në një konferencë për shtyp duke u shprehur se “Gjykata e Hagës iu garantoi qytetarëve të planetit se pavarësia e Kosovës është në frymën e plotë të së drejtës ndërkombëtare”.
Ndërsa e konsideroi, historik vendimin e sotmëm të GJND-së, Berisha tha se ky fakt përbën një detyrim të madh, inkurajim madhor që shqiptarët të angazhohen për ndërtimin dhe konsoldiimin e paqes, stabilitetit dhe bashkëpunimit rajonal.
Ndër të tjera kryeministri Berisha theksoi se vendimi GJND-së do të ketë kontribut në një qëndrim të ri të marrëdhënieve midis shqiptarëve dhe serbeve.
“Shqiptarët dhe Serbët, dy kombe të rëndësishem në rajon, që pavarësisht nga historia e shkuar kanë tani të përbashkët idealin europian.Qeveria shqiptare është e vendosur të kontribuojë për një qëndrim të ri në marrëdhëniet Tiranë-Beograd” u shpreh Berisha përpara mediave.
Ora 16.40- GJND vendos, pavarësia nuk shkel ligjet ndërkombëtare
Me 10 vota pro dhe 4 kundër anëtarët e Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës kanë vendosur në favor të Kosovës, duke refuzuar hapur kërkesën e Serbisë për shkelje të së drejtës ndërkombëtare. Ka qënë Presidenti i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, Hiasashio Ovada ai që ka lexuar vendimin final.
Sipas Presidentit Ovada shpallja e njëanshme e pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt të 2008 nuk ka shkelur asnjë dokument të Kombeve të Bashkuara. Presidenti i Gjykatës deklaroi se 10 nga 4 vota mendojne se pavarësia nuk shkel të drejtën ndëkombëtare. Në këtë aspekt, ai ka përmendur ecurinë e tërësishme të zhvillimve politike në Kosovë, që kanë të bëjnë me vendosjen e misionit të OKB-së në Kosovë, vendosjen e KFOR-it e të tjera.
Sipas tij pavarësia e Kosovës nuk shkeli rezolutën 1244, pasi kjo rezolutë merret me gjendjen në Kosovë, ndërsa shton se shpallja e pavarësisë është proces politik dhe jo ligjor. Ovada shton se ndarja e Kosovës nga Serbia nuk shkel asnjë prej dokumentave të OKB-së.
Opioni i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë edhe pse ka vetëm funksion këshillues pritet të inkurajojë më shumë vende që ta njohin pavarësinë e shpallur më 17 shkurt 2008. Dje SHBA, deklaruan se do të kishte rreth 40 njohje të reja të pavarësisë nëse GJND vendoste në favor të Kosovës.
Ora 15:00- GJND jep sot vendimin për pavarësinë e Kosovës
Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, që përfaqëson gjykatën e nivelit më të lartë të Kombeve të Bashkuara, do të publikojë pasditen e sotme opinionin këshilldhënës lidhur me ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës në vitin 2008. Rasti u dërgua në Gjykatë përmes Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, e cila me shumicë votash mbështeti kërkesën e Serbisë.Opinioni i GJND-së nuk është i detyrueshëm, ka vetëm fuqi këshilluese, por ekspertët besojnë se mund të ndikojë në masë të konsiderueshme në rajon dhe në situata të ngjashme në botë.
Në seancën e sotme në Hagë do të jetë i pranishëm edhe ministri i jashtëm i Kosovës, Skënder Hyseni dhe homologu i tij serb Vuk Jeremiç. Ky i fundit ka deklaruar në prag të vendimit të sotëm se qëndrimi i Serbisë ndaj Kosovës nuk do të ndryshojë. Jeremiç ka theksuar se Beogradi do ta çojë çështjen në vjeshtën e ardhshme në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.
Dhjetorin e kaluar Gjykata dëgjoi argumentat e përfaqësuesve të rreth 30 shteteve. Vende si Kina, Rusia e Spanja e kundërshtuan shpalljen e pavarësisë së Kosovës edhe para GJND-së. Nga ana tjetër Shtetet e Bashkuara ishin në krye të vendeve që mbështetën pavarësinë e Kosovës. Një numër vendesh të Bashkimit Evropian, por dhe vende si Kroacia e Sllovenia, të dala nga shpërbërja e ish Jugosllavisë mbështetën shtetin e Kosovës para drejtësisë ndërkombëtare.
Udhëheqësit më të lartë të Kosovës dhe ekspertët kosovarë të së drejtës ndërkombëtare vlerësojnë se pavarësia është e pakthyeshme, pavarësisht vendimit të GJND-së. Ky mendim është formuluar dhe nga drejtues të lartë të SHBA-ve dhe ekspertë ndërkombëtarë.
(m.a/e.n/BalkanWeb)
Martin Camaj përherë me ne
[ posto kete artikull ne faqet me poshte ]
del.icio.us
blinklist
digg
Facebook
Furl
ma.gnolia
Newsvine
Pownce
reddit
StumbleUpon
Technorati
Twitter
Sot, shkrimtari dhe linguisti Martin Camaj do të kishte mbushur 85 vjeç. Në dy vjetët që do të kalonin deri sa vdiq, Camaj luajti një rol të jashtëzakonshëm në jetën tonë. Ai ishte shembulli i gjallë i qëndresës në fushën e kulturës.
Botojmë sot për herë të parë bisedën në një talk-show të Televizionit Austriak, në Mars 1991 ku Camaj ndodhej përballë një ambasadori që mbronte vijën e PPSH-së
Sot, shkrimtari dhe linguisti Martin Camaj do të kishte mbushur 85 vjeç. Një moshë e zakonshme mund të thuash për malësorët e tij të Dukagjinit, sidomos për një njeri aq të përkorë si profesori i Mynihut. Por sëmundja e rëndë që i qe shfaqur që para se të mbushte të 65-at i rrëmbeu jetën më 12 mars 1992.
Ai e dinte shumë mirë që do të vdiste, edhe kur jemi takuar për herë të parë në Innsbruck në shkurt të vitit 1990, mandej shumë herë e ka tematizuar vdekjen në poezinë e tij (Kur të vdes më mbështillni me tesha të leshta/sikurse ishte dokja ndër të parët e mi) ndërsa vitet e fundit ndërtoi me të një parabolë të tërë në formën e një cikli poetik, për mendimit tim nga më të mirët në gjithë veprën e tij: „Palimpsest".
Takimin e parë me Camajn e kam përshkruar edhe në raste të tjera. Ai erdhi në Innsbruck me shpresën që një poete lokale e atyshme të lëmonte do përkthime të dobëta nga shqipja të poezive të tij.
Unë isha duke mbyllur studimet e mia në atë qytet. Na e ndërmjetësoi takimin albanologu i Innsbrukut Hermann Oelberg, njeri që kishte mbledhur në bibliotekën e Institutit të tij shumë literaturë subversive për Shqipërinë e që kërkonte me të herë pas here të më thyente frikën.
Subversive në pikëpamje letrare ishte vepra e Camajt, e plotë në vëllime të mëdhenj të bukur me ngjyra të thekshme nën motivet e Gjelosh Gjokajt, e vështirë për t'u depërtuar me skemat që kishim ne në kokë aso kohe lidhur me vlerat dhe hierarkitë në letërsinë shqipe. Por një herë që të kishte pushtuar magjia e gegnishtes dhe poezisë së tij, ajo nuk të lëshonte më.
Misteri që fshihej në shumë nga ato poezi, abstragimi i tyre i lartë, të bënte t'i ktheheshe e riktheheshe si ndonjë gote magjike me verë që mbushet vetiu. Ishte një botë gjithë ngjyra që nuk pranonte emërtime të caktuara, si mëngjese të largëta fëminie ku gjithë sendet dhe njerëzit përreth kanë kuptim të thellë e të vërtetë.
Vetë Camaj ishte tejet i përzemërt, me një mirësi të kultivuar, kur bashkohej malësori bujar me europianin erudit. Zëri ishte tejet melodioz, dukej nganjëherë sikur fliste me kantilenë, e nuk e di si këndonte por do çuditesha sikur të mos këndonte bukur me atë zë dhe nuancat e holla që shqiptonte. Sidomos gjermanishten e kishte të kulluar, fjalët të nyjëtuara saktë me një tingëllim Shkodre për të cilin më duket ishte krenar.
Ashtu sikurse Bogdani erdhi në Shkodër për të lëmuar kosovarishten e vet ("m'anshtë dashunë me djersë të mëdha shumë fjalë me ndërequnë ndë dhee të Shkodërsë") edhe Camaj kishte marrë tingëllimet më të bukura të qytetit të tij, ku pat zbritur dikur fëmijë nga Temali i Dukagjinit për t'u shkolluar në kolegjet e jezuitëve.
Për çudi atë ditë të ftohtë dimri një numër fjalish në shqip i linte të pambaruara, kalonte prej një teme te tjetra, a thua se e nguste diçka ose pse e ndjente pamundësinë që në kohën e mbetur të kumtonte të gjitha sa donte (midis nesh 45 vjet mungesë komunikimi).
Erika e shoqja, ndërhynte herë pas here për ta sjellë te tema për të cilën kishin ardhur. Unë në fillim, nën ndikimin e sa e sa romaneve si Armiqtë ose Mërgata e korbave e kushedi sa filmave të Kinostudios Shqipëria e Re, e ndjeja që kisha përballë armikun klasik (aq më shumë që Camaj shtatlartë kishte veshur një pardësy të çelët dhe e kishte ngritur jakën mbi qafë ngaqë në luginën e Innit frynte erë e fortë).
Por tundimi për ta njohur ishte shumë më i madh se frika, e pastaj kur sheh se ky njeri merret me kulturë dhe poezi të rafinuar dhe jo me diversion, skemat e Kinostudios kthehen në libra për fëmijë të prapë.
Në dy vjetët që do të kalonin deri sa vdiq, Camaj luajti një rol të jashtëzakonshëm në jetën tonë.
Ai ishte shembulli i gjallë i qëndresës në fushën e kulturës, vijuesi i një tradite të pandërprerë në poezinë shqipe të variantit geg që megjithatë kishte hyrë në terrene të pashkelura më parë nga krejt poezia jonë, duke u afruar me motrat më avangarde në kontinent, pa e humbur karakterin e saj shqiptar, përkundrazi me rrënjë shumë të forta në mitologjinë dhe mënyrat shprehëse të Veriut. Camaj ishte shembulli i gjallë edhe i qëndresës në gjuhë.
Ndërsa të tjerët luftonin me pamflete ose teorizime që nuk i dëgjonte njeri, ai e tregoi me vepra të shumta në poezi, në prozë ose dramaturgji se një traditë aq e gjatë letrare nuk mund të vdesë brenda një brezi, edhe pse për këtë qe vendosur më 1972, në kushtet e diktatit nga lart, prej shumicës së përfaqësuesve të asaj që ishte kultura zyrtare e kohës.
Këtë qëndresë ai e zhvilloi edhe në shinat e dijes, me monografi e gramatika të ndryshme, sikurse në Albanian Grammar të tij ku e analizon gjuhën shqipe në tri koinetë kryesore të saj: gegënisht, toskërisht e arbëresh.
Pak për t'u habitur sot, kur Camaj pranohet nga gjithë përfaqësuesit me peshë e me poste të gjuhë-letërsisë shqiptare, kjo anë e personalitetit të tij lihet në heshtje, madje Camaj ngrihet lart më fort nga të gjithë pikërisht prej atyre që nuk duan as t'i dëgjojnë termat gegënishte ose variant letrar geg.
Camaj pati për ne një rol të veçantë edhe si frymëzues për njohjen dhe përhapjen e kulturës së panjohur ose deri më aty të ndaluar shqiptare në Shqipëri.
Në qershor 1991 krijuam Lidhjen e shkrimtarëve e intelektualëve të pavarur "Albania" që e pati pikërisht këtë si synim kryesor të saj: në disa botime të atyre viteve si "Shqipëria zgjim i dhimbshëm", "Libertas", "Quo vadis Shqipëri" etj.
Martin Camaj dhe Arshi Pipa ishin nga kontribuesit kryesorë. Pak ditë para se të vdiste i dërgoi me telefon lidhjes sonë këtë mesazh që u bë më pas i famshëm për fjalinë e tij të fundit:
"Të dashun miq e vllazën shqiptarë, intelektualë, artistë dhe mbarë popull shqiptar, përshëndetjet e mija ju janë drejtue të gjithëve. Gëzohem pa masë se keni vendosë të vlerësoni veprën time: ky vlerësim na afron.
Bâtë burrninë të më shtini në rreshtin tuej. Ndonse të ndamë për një gjysmë shekulli, unë jam i jueji e ju jeni të mijt. Martin Camaj."
Në ditët që pasuan rrëzimin e monumentit të Enver Hoxhës në Tiranë jemi takuar me Camajn në studion e Klub 2, një nga talk-show kryesorë të Televizionit Austriak. Ishin ftuar këtu gjithashtu historiani M. Schmidt-Neke, gazetaria Ch. von Kohl, ambasadori i atëhershëm i Shqipërisë në Vjenë, zëdhënësi i Partisë Demokratike Genc Pollo.
Camaj u tregua edhe këtu i qetë e i matur, megjithë ndërhyrjet e vrazhda e provokuese të ambasadorit që mbronte natyrisht vijën e PPSH e që arriti deri aty sa t'i thoshte tërthorazi Camajt se i paskej duart e lara me gjakun e popullit.
Apo ndoshta Camaj u tregua i përmbajtur se mendonte që mund të hakmerreshin ndaj familjes së tij në Temal, ndaj të vëllezërve Gjergj e Zef që jo pak kishin vuajtur qysh prej arratisjes së tij më 1948? Midis Camajt dhe ambasadorit botë kulture.
Mjaft të vëreje gjermanishten e latuar me kantilenë Shkodre të profesorit dhe fjalitë e rrëmujshme të tjetrit për të bërë dallimin. Sidoqoftë nxora nga kaseta e emisionit të atëhershëm ato fragmente ku ka folur Martin Camaj dhe dialogun që është zhvilluar mes të dyve:
Nga emisioni për Shqipërinë në Klub 2 të Televizionit Austriak, më 2 mars 1991:
Moderatori: Cili është versioni juaj, zoti ambasador [për rrëzimin e monumentit]?
Ambasadori: Unë përfaqësoj këtu si ambasador një shtet dhe një qeveri. Dëgjova këtu çfarë thanë dy zotërinjtë, zoti Klosi dhe zoti Pollo, për mua nuk është asgjë e re.
Studentët ishin futur në grevë urie, kishin kërkesa të tjera të cilat pjesërisht u përmbushën. Duhet të theksoj se nuk ishin aty të gjithë studentët, nuk është nevoja të përgjithësohet kështu.
Në grevë urie ishin rreth 700 studentë. Pastaj, thonë, se u bashkuan me ta edhe punëtorë. Por për mendimin tonë fjala nuk është thjesht për një ose dy monumente. Ekzistojnë forca në Shqipëri që duan të pengojnë zhvillimet demokratike, janë forca regresive, rebele, nëse mund të shprehem kështu, janë forca të errëta që provokuan direkt.
Moderatori: Ju thatë forca të errëta, regresive, cilët keni parasysh me këto?
Ambasadori: Janë forca të errëta. Siç tha dhe zoti Pollo, po të kishte ndërhyrë policia, do të ndodhte gjakderdhje. Këtë dëshironin forcat e errëta. Ka ligje në Shqipëri, ka një ligj greve, që u shkel, ka një ligj për demonstratat, për të cilin kanë rënë dakord të gjitha partitë, që deri në zgjedhje nuk do të ketë demonstrata.
Të gjitha këto u shkelën. Ka një ligj për mbrojtjen e monumenteve, edhe për mbrojtjen e emrit të Enver Hoxhës. Unë nuk do të flas këtu për arritjet dhe meritat e Enver Hoxhës, nuk është ky qëllimi im. Dua të them vetëm se me aktin që u krye aty, u luajt me ndjenjat e popullit. Dhe pikërisht këtë donin të arrinin.
Christine von Kohl: Po kush ishin këto forca?
Ambasadori: Sikur ta dija unë... Por ka të ngjarë të dalë, me siguri.
Moderatori: Siç e kuptoj unë, gjatë vitit të kaluar qeveria e Ramiz Alisë ka bërë përpjekje që me hapa të vegjël të shkohet drejt demokracisë.
Këto forca tani duan të shkaktohet gjakderdhje dhe të pengohen reformat, apo jo?
Ambasadori: Më lini ta mbaroj mendimin. Pas këtij incidenti të gjitha partitë politike, edhe Partia Demokratike, i dënuan këto akte kriminale, që janë penguese për procesin e demokratizimit në Shqipëri dhe duan të çojnë në luftë civile.
Këtu ka një kundërthënie. Zotërinjtë këtu, si përfaqësues të Partisë Demokratike e përshëndetën këtë akt, nga ana tjetër zyrtarisht ka një deklaratë të kësaj partie që i dënon këto akte.
Martin Camaj: Shtjellimet tuaja zoti ambasador, më tingëllojnë shumë të errëta, kurse këto forcat e errëta më tingëllojnë mistike, mistifikim i fakteve.
Edhe diçka që më ka bërë shumë përshtypje, sidomos me rrëzimin e Enver Hoxhës, si letrar: figura e Enver Hoxhës - për ne jashtë Shqipërisë, e unë përfaqësoj në njëfarë mënyre këtu diasporën - është paraqitur si një njeri i dashur, të cilin e adhuron gjithë populli. Kështu nga një person real u krijua një person fiktiv, i cili gjeti pasqyrimin e vet pastaj edhe në letërsi.
Sipas ndjesisë sime ky rrëzim është diçka simbolike, diçka që e ka pritur i gjithë populli shqiptar prej 45 vjetësh. Shtjellimet tuaja (i drejtohet ambasadorit) për demokracinë më duken mjaft të dyshimta, që një bartës, një flamurtar i diktaturës të udhëheqë demokratizimin.
Kjo është një contradictio in termines, që një diktaturë, me policinë, me të gjitha strukturat e saj, të qenkej në gjendje të realizojë demokratizimin në Shqipëri ose ta ndihmojë atë.
Unë jam një emigrant i vjetër, ju natyrisht mund të thoni që unë paraprakisht jam një armik, emri im deri më sot ishte krejt i ndaluar në Shqipëri, po të më kishit parë para e zëmë tetë muajsh, ju me siguri nuk do të ma kishit dhënë dorën, sikurse ka ndodhur shpesh.
Por dua të jem me të vërtetë objektiv. Pra, unë nuk besoj që Partia e Punës së Shqipërisë të jetë në gjendje të udhëheqë proceset e demokratizimit në Shqipëri. Jam shumë i gëzuar që sonte kemi këtu këta dy zotërinj, përfaqësues të brezit të ri dhe unë besoj se brezi i ri sot, që quhen demokratë, se vetëm këta janë në gjendje të realizojnë një demokratizim të vërtetë në Shqipëri.
...Moderatori: Duket e pamundur që dikush në vendet e Lindjes që udhëheq një parti, që është i rrethuar nga shokët e partisë të jetë në gjendje të realizojë me shkathtësi reforma. Shembulli më i mirë është Gorbaçovi që filloi perestrojkën dhe që sot sheh para vetes gërmadhat e perestrojkës.
Martin Camaj: E vërteta është që qysh prej 1945-s e deri më sot në Shqipëri nuk janë realizuar reforma.
Ky është ndryshimi nga partitë e tjera komuniste të Lindjes. Edhe Jugosllavia, madje edhe Rumania, kanë njohur shkallë-shkallë disa reforma. Në qoftë se kuptohen me reforma grindjet në majat e partisë, kjo është diçka tjetër.
Kurse reforma të vërteta, të natyrës ekonomike, pse jo edhe në arte... Realizmi socialist është gjithmonë konstant - kemi një vijë të drejtë nëpër kongreset e partisë, të themi që nga 1948 e deri më sot është gjithmonë po një vijë e drejtë, e patrazuar, pa reforma.
Ambasadori: Në qoftë se ju thoni vetëm një vijë e drejtë, pse jo, ju i keni kthyer kurrizin Shqipërisë, por edhe jeni shumë larg që ta ndiqni Shqipërinë nga Mynihu. Reforma ka patur edhe te ne. Kur flitet për procesin e demokratizimit te ne duhet bërë dallimi me vendet e tjera.
Procesi i demokratizimit te ne ka filluar para një viti, atë e ka nisur presidenti Ramiz Alia duke patur mbështetjen e partisë, ku është sekretar i parë, por edhe të masave të popullit. Ndryshimi është që ka disa që kërkojnë që ky proces demokratizimi të zhvillohet shumë shpejt. Por brenda një kohe të shkurtër u arrit edhe liberalizimi i mendimit edhe pluralizmi i partive. Edhe në të drejtat e njeriut ka arritje. Edhe në ekonomi.
Moderatori: Domethënë ka përpjekje për demokratizim që prej një viti. Por fjala është për më përpara, që nuk ka patur diçka të tillë, këtë po thonit ju apo jo (i drejtohet Camajt)
Martin Camaj: Kjo është e vërteta.
Dhe nuk është e vërtetë që flasim me përafërsi. Dihet që në Gjermani, sidomos në universitete, si për shembull në Mynih, ka specialistë të mirë që janë marrë me problemet shqiptare. Mynihu është qendër për studimet e Europës Juglindore, kështu ka specialistë për ekonominë nga Instituti i Ekonomisë, politologë etj.
Natyrisht të dhënat janë marrë nga „Zëri i Popullit" dhe literatura juaj. Studiuesit kanë qenë përgjithësisht të rinj që e njihnin mirë gjuhën shqipe. Natyrisht e pranoj që ka munguar atmosfera, hollësitë, por konturet e krejt zhvillimit, këto janë regjistruar dhe hulumtuar.
Kështu janë nxjerrë përfundime, janë botuar monografi...
(Pas disa shpjegimeve nga A. Klosi për fetë tradicionale të shqiptarëve, kanunin, periudhën ateiste, zbrazëtinë morale dhe dëshpërimin që shprehet me eksodin, Camaj ndërhyn:)
Martin Camaj: Përsa i takon etikës, moralit, kodeksit, jetës që ka bërë më parë populli shqiptar, dua të ngre një çështje. Meqë ambasadori thotë se unë kam një kohë të gjatë larg...
Moderatori: Më falni, a do të ktheheshit tani?
Martin Camaj: Natyrisht.
Moderatori: Dua të them, a ju lejojnë?
Martin Camaj: Nuk e di...
Ambasadori: Po ju e njihni Shqipërinë, ju e ndiqni zhvillimin në Shqipëri, ligjet, ju i njihni ligjet.
Martin Camaj: Unë desha të ngre një çështje...
Moderatori: Më falni, zoti ambasador, mund t'ju ndërpres sepse po tregoheni shumë misterioz. Ju i njihni ligjet...
Ambasadori: Ata që nuk i kanë ndyer duart me gjakun e popullit, që nuk kanë luftuar kundër popullit, me përjashtim të tyre të gjithë të tjerët lejohen
Moderatori: Ndiheni i prekur ju nga kjo, zoti Camaj?
Martin Camaj: Jo.
Moderatori: Domethënë mund ta bëjë kërkesën në Bonn.
Ambasadori: Sigurisht.
Martin Camaj: Më mirë po pres edhe pak derisa këta të dy (tregon nga Klosi dhe Pollo) të vijnë në pushtet. Unë jam një tjetër gjeneratë, por identifikohem me gjeneratën më të re. Këto janë çështje personale dhe jo fort të rëndësishme.
E rëndësishme është ajo që kam vënë re, që familja shqiptare, struktura e familjes shqiptare është e tronditur. Kjo është shumë keq për një shoqëri që nuk është shkëputur ende nga patriarkati.
Ka edhe probleme të tjera, p.sh. ajo çka më bën shumë përshtypje dhe më brengos, sidomos kur hyj në bisedë me emigrantët e rinj, mësoj se në një shoqëri të ashtuquajtur, teorikisht, pa klasa, ka të privilegjuar, më pak të privilegjuar, pastaj është masa, masa që mban ekonominë, pra makineria prodhuese, dhe edhe sot, në vitin 1991, ka të deklasuar.
Ambasadori: Ç'do të thotë të deklasuar?
Martin Camaj: Të deklasuar? Domethënë që nuk kanë të drejta, nuk kanë prestigj... ju e kuptoni mirë ç'do të thotë të deklasuar.
Ambasadori: Po kë keni ju parasysh me këtë?
Martin Camaj: Për shembull çdokënd që ka qenë një herë në burg. Ose priftërinjtë, hoxhat, e gjithë kategoria e tyre, me aq sa jam i informuar, këta përbëjnë një klasë të deklasuarish...
Më dt. 6.3.1991 Camaj i shkruante një letër Gjon Sinishtës në universitetin e San Franciskos, botuesit të Buletinit Katolik Shqiptar. Ndër të tjera i tregonte për emisionin „Më 2 marc, javën që shkoi isha në Vjenë ku u mbajtë në televizionin ustriak një talk-show mbi Shqipërinë... Klosi e Pollo mbajtën anën time në diskusion: ambasatorin e bâmë pupletë derisa iu muer goja, si belbacakut. Ashtë e para herë që dal e diskutoj në një talk-show dhe e kalova provimin."
Amanetet e Xhonit, ambasadorit pa “mandat”
Cokollata e fundit e z.Withers
Prokurori që mbylli dosjen:E vërteta e tragjedisë së helikopterit qeverita
Befas, sytë plot mirësi të Bashkim Malajt, m’u ngulën sikur do të më paralizonin. Me vështrimin si të atij gjuetarit që nuk do të humbë shënjestrën, fshiu për një moment djersën mbi ballë dhe nisi të kryente disa veprime poshtë tavolinës. Sakaq, heshtjen e thellë e theu një zë i bukur, i lirshëm e intim. E njoha që me shqiptimin e parë. Ishte zëri i Vangjel Çondit.Prokurori nxori mbi tavolinë celularin dhe vazhduam ta dëgjonim të dy. Zëri i incizuar deri në çastet para zhytjes fatale në det, tregonte burrëri dhe besim të plotë për realizimin e fluturimit. “E kam ruajtur si kujtim të njërës nga çështjet më të ndërlikuara që kam ndjekur gjatë karrierës sime”, shqiptoi Malaj dhe u rehatua në karrigen përballë, ndërsa kamerierja kishte shtangur.
Prokurori Bashkim Malaj, djal i një familje mallakastriote, jurist prej njëzet vitesh, prokuror në zonat problematike të Tiranës dhe Krujës, ka qenë njeriu më i informuar rreth katastrofës së 16 korrikut ‘06. Disa herë i kisha kërkuar të më fliste për të, po nuk kishte pranuar duke më përcjellë me togfjalëshin “kur t’i vijë koha”. Takimin e kisha vlerësuar si një rast fatlum për të sqaruar plot pandehma, hamendje dhe hipoteza të ndryshme që qarkullonin midis njerëzve të thjeshtë, por edhe në radhët e profesionistëve të fluturimit.
Së pari më duhej të bindesha, nëse kishte pasur presione nga ndokush gjatë shqyrtimit të çështjes dhe të dëgjoja nga goja e tij argumentet që përjashtonin arsyen e një eksplozioni natën e katastrofës. Konkluzioni zyrtar shprehej se ata kishin rënë viktima të rrymave vertikale ajrore, gjë që mjaft pilotë, kolegë të Vangjelit, nuk e besonin. Po prokurori, vallë, përse ta kishte mbyllur çështjen; mbi çfarë arsyetimesh? Pse i ishte mbushur mendja që nuk kishte qenë gabim njerëzor? Ca më tepër që atë ditë ekuipazhi i helikopterit qeveritar kishin pasur dhe fluturime të tjera ditën. Po mjekët, çfarë kishin shkruar në epikrizën e liderit të dhjetorit? A ishte i prerë vendimi i tyre për ta transportuar në Itali? E përballonte organizmi i Pashkos në gjendje aq të rënduar një udhëtim në ajër? Tjetër. Kush kishte folur atë natë me celular nga bodri i helikopterit? Me kë dhe çfarë mesazhi kishte transmetuar? Dhe së fundi, si kishte mundësi që një çështje kaq e rëndësishme i ishte besuar vetëm një njeriu? Më në fund, Bashkim Malaj ka vendosur të më flasë. Si fut në sirtar të tavolinës aparatin e celularit me zërin e Vangjel Çondit, fillon të rrëfejë...
Rruga për tek e vërteta e tragjedisë
“Në orën 22:17, Vangjel Çondi ka folur në radio për herën e fundit. Ka qenë në merak të njoftohej Italia se nuk mund të ulej në spitalin e Barit, pasi nuk e dinte me saktësi ku ishte, por në aeroportin e tij. Nuk ka shprehur asnjë shqetësim tjetër. Gjatë komunikimit me radio nuk ka shqiptuar asgjë alarmante për gjendjen e të sëmurit. Duket shumë i qetë në tërë kontaktet e realizuara me radio. Pas një minute, në 22:18 helikopteri është zhdukur nga radari. Pas dy minutave, në 22:20 është nisur emergjenca për të shpëtuar pjesëtarët në bord. Pra, vetëm katër minuta, gjatë të cilëve ka ndodhur raportimi i qetë, ka ngjarë zhdukja nga radari dhe kërkimi për të shpëtuar jetët e tyre.
Janë verifikuar bisedat telefonike, të realizuara atë natë nga pjesëtarët e ekuipazhit dhe të pranishmit e tjerë në bordin e helikopterit. Që nga ora 21:57, deri në çastin që helikopteri ka humbur nga radari, ka pasur vetëm dy biseda nga numri 0682403496, që i përkiste Vangjel Çondit. Ky numër ka komunikuar me numrat 0692166966 dhe 0692446863, përkatësisht me kolegët e tij të fluturimit, Demush Hebën dhe Qemal Konin. Ka folur me ta, pasi ka marrë detyrën e fluturimit, të cilën ja ka komunikuar komandanti i Gardës së Republikës. Nga ky moment nuk ka pasur asnjë bisedë tjetër. Pra, askush nuk ka folur në celular, në ajër, nga njerëzit që vdiqën atë natë… Shoferi që atë natë ka çuar Vangjel Çondin në heliodrom, në Laprakë, ka dëshmuar se ai ka bërë vetëm dy telefonata me kolegët e tij dhe një të tretë me një tjetër person, të cilit i thoshte; që, tek vendi ku do të ulej helikopteri, të merreshin masa për ndriçim...
Kemi pasur fillimisht disa pista hetimi: Eksplozion, djegie, defekt teknik, probleme me karburantin. etj. Ideja e shpërthimit u përjashtua pas analizave laboratorike nga specialistët më të mirë të fragmenteve të helikopterit të nxjerra nga deti. Hetuam pastaj çështjet e teknikës. Komisioni i posaçëm, pas verifikimeve specifike, e përjashtoi dhe këtë mundësi. Çfarë konkluduan specialistët? “Pas riparimit të fundit që Bell-i kishte bërë në Gjermani, u shprehën ata, është absolute të dyshosh për një defekt teknik. Shërbimi aty presupozon se i janë kryer të gjitha punimet e duhura, janë bërë mandej provat teknike dhe ka rezultuar gjithçka në rregull. Sakaq, pas kthimit nga riparimi, helikopteri ka bërë 13 fluturime të tjera me personalitete shtetërore dhe në asnjë rast nuk janë konstatuar defekte. Afati kohor i riparimit të helikopterit, sipas manualeve të shërbimit, është një vit ose 600 orë fluturimi”. Edhe mundësia e shpërthimit të bombulës së gazit, ka qenë e pamundur.. Bombula mbante 200 atmosferë...Në bazë të dokumenteve të administruara, rezulton se pilotët dhe inxhinieri kanë qenë tepër të rregullt, korrekt në kryerjen e detyrave e në pasqyrimin e të gjitha fluturimeve me pikë e me presje..Vangjel Çondi dhe Demush Heba asnjë herë nuk janë ngritur për fluturim pa bërë shënimet në “Librin e përgatitjes për fluturim”, me përjashtim të një rasti të vetëm. Të rastit të fundit, që ishte shumë emergjent. Hetimet intensive përjashtuan zjarrin në ajër, cilësinë e karburantit, efektin celular e deri gabimin njerëzor. Kjo, sepse atje nuk ishte një pilot, por tre burra shumë të kualifikuar; që të tre miq të vjetër dhe që kishin një atmosferë shumë miqësore me njëri-tjetrin. Veç kësaj, rënia ka ngjarë fill pas disa sekondave, pasi ka ndodhur raportimi i fundit i pilotit, i cili është shprehur krejt i qetë dhe me të vetmin merak, uljen në aeroportin e Barit, por jo në oborrin e spitalit...
Fluturimin natën e kërkuan mjekët
Pashko ka qenë duke pushuar, në bregdetin e Himarës në jug të vendit, kur gjatë një shëtitjeje, ka rrëshqitur, ka rënë mbi shkëmbinj dhe më pas ka përfunduar në ujë, ku është gjetur më vonë pa ndjenja. Dëshmitarët thonë se Pashko në fillim është goditur në fytyrë mbi shkëmbinj dhe më pas ka humbur të gjitha forcat për të pasur mundësi që t’i shpëtonte mbytjes në ujë.
Një helikopter i Ministrisë së Shëndetësisë ka bërë transportin drejt Tiranës. Në spital kanë mbërritur Kryeministri Sali Berisha, Ministri i Shëndetësisë Maksim Cikuli, Ministri i Ekonomisë Genc Ruli, etj. Në analizën e menjëhershme, është konkluduar prognoza e mjekimit. Ja, çfarë është shkruar në dokumentin e stafit të bluzave të bardha: “Në këto kushte, ekipi mjekësor i përbërë nga Shefi i Reanimacionit Ilir Ohri, mjekët Adriatik Kozeli, Elina Çobani, Alfred Ibrahimi, Aleksandër Baloi, Doktor Mentor Petrela dhe Maksim Cikuli, duke qenë i pranishëm edhe Kryeministri Berisha, familjarët e pacientit, bashkëshortja e kunati i tij, Ruli, vendosën që të trajtohej për kurim më të specializuar, jashtë shtetit dhe pikërisht, në spitalin e qytetit të Barit, Itali”. Në një tjetër dokument që mban firmat e të dy mjekëve ligjorë, Prof. Dr. Bardhyl Çipi dhe Dr. Shkencave Arben Lloja, thuhet shprehimisht: “Në gjendjen klinike që paraqitet shtetasi Gramoz Pashko, në komë (pa shenja të kontuzionit të trurit) dhe me sidromin e mbytjes, por me parametra hemodinamike e pulmonare të stabilizuara, dërgimi i tij jashtë shtetit për ndihmë mjekësore urgjente sa më të kualifikuar, është i justifikuar”.
Zyrtare: Shkaqet e aksidentit
Pavarësisht si trajtohet, çështja e tragjedisë së helikopterit qeveritar, është hetuar me seriozitetin maksimal dhe është dokumentuar deri në imtësi. Në vendimin për pushimin e çështjes për procedimin penal nr. 2553, ku zyrtarizohen përfundimisht shkaqet e tragjedisë së 16 korrikut 2006, ndër të tjera, theksohet: Helikopteri Bell – 222 UT i Gardës së Republikës, ka rënë në ujë dhe është zhytur nën ujë me motorra të ndezur dhe në gjendje pune, si dhe të gjitha dëmtimet e para e ato të mëvonshme, mund të kenë ardhur nga përplasja me sipërfaqen e ujërave të detit, duke u zhytur në thellësi. Dëmtimet në kutitë e ingranazheve kanë ardhur nga reaksionet kimike, mbi bazën e llojit të materialit të kutive, prezencës së vajit të lubrifikimit, nxehtësisë së vajit dhe trupit metalik të kutijave gjatë punës, kontaktit të menjëhershëm të tyre me ujët e detit dhe përbërësit kimikë të këtij uji. Shkaku i rënies së helikopterit, si në këndin vertikal, ashtu edhe në atë horizontal, mund të ketë ndodhur si rezultat i një veprimi të menjëhershëm atmosferik, si lëvizje ajri e fuqishme vertikale (Turbolenca ajrore të fuqishme vertikale)…Ky konkluzion është nxjerrë edhe mbi bazën e metodës shkencore të përjashtimit të fenomeneve të tjera të ndryshme, si shpërthim, djegie, defekt teknik, gabim njerëzor, etj”
Precedentët e tjerë
Raste të tilla, siç dëshmuan specialistët më në zë të aviacionit ka pasur disa. Piloti Cen Cenaj: “Fenomenet metereologjike nga bregu në mes të detit ndryshojnë; nganjëherë në mënyrë të theksuar dhe të paparashikuar. Kam ndeshur disa herë në kësi rrymash, kur në breg ka qenë qetë. Pavarësisht që nuk kanë qenë rryma të forta, kam ndeshur në mjergulla, në re të ulta”. Piloti Osman Kushta: “Në mesgushtin e vitit 2004 do fluturonim për në Bari të Italisë. Në bord kishim një fëmijë të sëmurë. Morëm të dhënat metereologjike, në qendrën e Brindizit, rreth 60 km nga Bari, ku ishte destinacioni i fundit. Pasi na u konfirmuan normale u nisëm. Dolëm mbi Adriatik në derdhjen e Semanit. Sa përshkruam 38 kilometra, pikasëm retë e para dhe humbën lartësi.
Retë përballë po shtoheshin dhe ishin gjithnjë dhe më ulët. Vazhduam duke humbur lartësi. Arritëm të uleshim deri 20 – 30 metro mbi ujërat e detit. Nisi shi dhe breshër. Dallgët ishin aq të larta, sa dukej sikur ngriheshin drejt nesh për të na përpirë. Përsipër – re të ngarkuara me breshër dhe shi.
Për çaste të tëra kemi lundruar nëpër atë ajër si nëpër skëterrë. Kur, çuditërisht retë nisën të davariteshin, të hapeshin, breshëri reshti i pari e më pas shiu dhe, ja ku u duk qielli. Kur arritëm në bregun tjetër, pamë njerëzit që bënin banjë dielli. Po të ishte ky fluturim natën, si në rastin e Vangjos, vallë do konstatoheshin retë e ngarkuara me breshër dhe shi? Sipas literaturës, futja mes reve shtëllungore të bardha, për shembull, ka rezultuar deri në deformimin e aeroplanëve që kanë hyrë qëllimisht mes tyre për të eksperimentuar pikërisht ç’fshehin në “perandorinë” e vet retë, ngarkuar në barkun e tyre me breshër, shi dhe dëborë?
“Treshja” e helikopterit presidencial
Aviatorët Qemal Koni, Demush Hebaj dhe Vangjel Çondi, respektivisht nga Maminasi, Kopliku dhe Saranda, ishin treshja e aviatorëve të helikopterit qeveritar. Të tre, para se të kishin një vdekje të përbashkët, patën një karrierë të njëjtë. Ata ishin miq të vjetër me njëri-tjetrin dhe profesionistë nga më të mirët e aviacionit shqiptar. Ekuipazhi i tyre ka kryer papushim detyra me përgjegjësi shtetërore dhe profesionale, brenda dhe jashtë atdheut; gjithmonë me një performancë të shkëlqyer. Inxhinier Qemal Koni, i diplomuar si i tillë në Universitetin e Tiranës, fillimisht e ushtroi profesionin në regjimentin e helikopterëve të Farkës e më pas, për disa vjet në “Skuadrilen e Transportit – Laprakë”. Demush Hebaj, pjesën më të madhe të karrierës si fluturues e ka në regjimentin e Farkës, ku ka kryer detyra të llojeve të ndryshme, e shpesh me shkallë të lartë vështirësie. I përzgjedhur mes armatës së pilotëve luftarakë, për profesionalizëm e përkushtim të lartë, vitet e fundit ishte pjesë e ekuipazhit të avionit qeveritar. Që të tre vepronin si një trup i vetëm, me besim absolut te njëri-tjetri dhe mbi të gjitha, me devocion shembullor për kryerjen e detyrave ajrore. Natën e tragjedisë, Demush Hebaj, u kthye nga rruga ku ishte nisur për të përkujtuar një-vjetorin e vdekjes së të vëllait, vetëm në interes të detyrës që do të kryente treshja e tyre e mrekullueshme natën e katastrofës.
Një natë mysafir te nëna e Vangjel Çondit
Nëna e Vangjel Çondit po afrohej. Ishte mbi një karrocë. Qe mbledhur kruspull, si një zog i madh që përton të lëvizë nga foleja e vet njëqindvjeçare. Ishte hera e parë që shkoja mysafir në shtëpinë e saj në Sarandë.
-Mama, ky është një shoku i Vangos! - më prezantoi Mihali, njëri nga djemtë e saj. Ajo përqendroi shikimin mbi mua dhe ngadalë mbi fytyrën e saj zbritën lot. „Humba djalin, ma përpiu deti!” Lëshoi një zë të ngashëryer me një tingull të dhimbshëm dhe më shtriu dorën e saj të rreshkur, si një gjethe e thatë vjeshte. Pastaj u mundua të mbledhë vetën dhe filloi të tregojë për fëmijërinë e të birit që nuk jeton. “Ishte i dashur e zemërbardhë, Vangjua i nënës!”, - shton sakaq duke u kthyer nga Jorgua, djali tjetër. Për një çast vë buzën në gaz. Hera e parë që e shoh të buzëqeshë. Jorgua i sulet ta puthë. Të njëjtën gjë bën dhe vëllai tjetër, Dhimitri. Një moment rrinë ashtu, në krahë të njëri-tjetrit. Të gjithë bashkë. Mungon Vangjua. Ka qenë ky oazi më i dashur i tij. Më kujtohet kur mori për herë të parë një strehëz në Tiranë. Lumturohej, sidomos kur i vinin prindërit aty. Një dhomë e vogël prej qerpiçi tek “Ali Demi”. I zoti i saj, e kishte emrin Rremë. Mblidheshin mbrëmjeve shokët e tij, djemtë me uniformë, këndonin, flisnin me zë të lartë, qeshnin... I ftonte Vangjua me bujari. “Ejani, te kasollja e Rremës”, - u thoshte me shpoti...”
-”Iku shpejt i miri i nënës!”, - flet si me vete plaka e shtëpisë.
Aty për aty, futet në bisedë Mihali, duke kujtuar takimin e fundit. “- Ishte gushti i vitit 2003, kujton ai, i kërkuam Vangos të vinte në Sarandë për të shoqëruar avionin e mjekësisë, se kishim shumë rëndë nipin tonë, Marielin, por kushtet e motit nuk e lejonin. Qielli nxinte, shikimi ishte shumë i kufizuar. Më telefonoi në celular. “Si më këshillon, të nisem?” E kuptova gjendjen e tij të dyzuar. Me sa dukej ishte një udhëtim i rrezikshëm. “Jo, mos u nis”, - i thashë. Erdhi të nesërmen. Te kafe “Qesari” u takuam. Nuk më shkonte në mendje se ishte takimi i fundit. Ishte bashkë me Demushin. Si u përqafua me mamanë, u çua në ajër...”
-Atë ditë e putha për herë të fundit, kujtohet nëna e Vangjos dhe rimbushet në ngashërime.
Kë SHBA të besojmë?
Një prej hetuesve të qytetit të Rrëshenit kish thirrur në zyrën e tij një burrë, familje e prekur nga regjimi komunist, i cili kish guxuar të lajmëronte 5 - 6 vetë në qytet, për vdekjen e një pastrueseje të vetmuar, e internuar dhe i kish ftuar ta shoqëronin bashkë për në banesën e fundit. Një traditë e vjetër në Shqipëri, që s'është tjetërsuar kurrë, nga asnjë regjim apo tiran. Ishte gusht i vitit 1983. Hetuesi kërciti dhëmbët, e etiketoi armik dhe i deklaroi se nëse do të merrte pjesë në varrim, do ta arrestonte që atë ditë.
Në burg do të përfundosh qen, i kish thirrur, duke e shtyrë jashtë pas paralajmërimit kërcënues.
Gruaja 66-vjeçare qe dërguar në varreza e vetme, me karrocën e komunales, shoqëruar nga varrmihësit, asnjë prej të cilëve, me siguri s'e kish dëgjuar emrin e saj. Quhej Musine Kokalari, e diplomuar në Romë dhe një prej emblemave të femrës intelektuale dhe të emancipuar shqiptare. Antikomuniste e vendosur, ajo kish humbur dy vëllezërit e pushkatuar nga regjimi komunist dhe gjithë jetën, pas vitit 1945, e kish kaluar në burg dhe internim. Kortezhi i vetmuar, ose më mirë i munguar, ishte çnderimi i fundit që regjimi komunist i bënte asaj edhe në rrugën për në varr.
Rreth 15 vjet më vonë, i njëjti person që kish tentuar të mblidhte pak njerëz për varrimin e saj, trokiste në derën e Gjykatës së Apelit për të ndjekur një problem prone, si shumë shqiptarë këto vite. Gjykimin e çështjes e kish i njëjti hetues që e kish kërcënuar atëherë, i konvertuar tashmë në gjykatës dhe me një karrierë për t'u pasur zili, në majat e drejtësisë së re shqiptare.
M'u kujtua dje ky detaj, që e kam lexuar në një prej gazetave kryesore diku në vitin 2003, me rastin e 20-vjetorit të vdekjes së Musine Kokalarit. M'u kujtua kur lexoja intervistën e Ambasadorit Amerikan Uidhërs, që citonte këtë grua fatkeqe e të mrekullueshme dhe njëherazi kritikonte maxhorancën se po hidhte poshtë disa figura të drejtësisë, duke aplikuar ligjin e lustracionit që ka rënë nga Gjykata Kushtetuese. Nuk është hera e parë që Ambasadori Uidhërs përfshihet në një debat të tillë dhe s'është hera e parë që gjuha e tij mediatike ngjan më shumë me atë të një Administratori të Përgjithshëm apo Guvernatori sesa të një Ambasadori të akredituar në një vend për nxitjen dhe intensifikimin e marrëdhënieve midis dy vendeve. Por nuk dua të ndalem gjatë në këtë aspekt, por në atë tjetrin. Nuk dua të gjykoj emrat e rrëzuar apo ata që mund të vijnë më pas; nuk dua të gjykoj komunikimin e Presidentit me maxhorancën sepse mendoj se ky duhet të jetë gjithnjë funksional dhe i hapur. Dua të futem thjeshtë tek parimi dhe ta trajtoj këtë ashtu siç mendon dhe gjykon Ambasadori Amerikan, me të cilin, ndaj një mendim tejet të kundërt.
E para, Ligji i Lustracionit dhe rrëzimi i emrave në Parlament janë dy gjëra krejt të kundërta. Personalisht kam qenë për aplikimin e ligjit të Lustracionit dhe e kam konsideruar atë të vonuar dhe një dimension të munguar në vendosjen e një ekuilibri brenda shoqërisë shqiptarë të rrënuar nga komunizmi. Kjo nuk ndodhi dhe maxhoranca duhet t'i bindet vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Por ligji i Lustracionit spastronte gjithë sistemin e drejtësisë. Ai ju hiqte gjithë atyre që kishin pasur aktivitet në vitet e komunizmit, të drejtën për të punuar në një seri hallkash dhe kjo bëhej me ligj. Rrëzimi i emrave në Parlament është diçka krejt tjetër dhe lidhet me një vendim politik dhe qëndrim ideologjik. PD është një forcë e djathtë, vjen me kartën antikomuniste dhe baza politike e saj janë të përndjekurit dhe ish-pronarët. PD është distancuar me të shkuarën komuniste, e ka dënuar atë dhe ky qëndrim duhet të jetë konseguent. PD ka vendosur të mos çojë në organet e larta, Gjykatë Kushtetuese dhe Gjykatë të Lartë, asnjë prej atyre që kanë zhvilluar procese politike në vitet e komunizmit. Ky vendim është i drejtë dhe çdo forcë politike në botë do të vepronte njësoj. Ky është një vendim politik, jo ligjor, mbështetur mbi moralin dhe prejardhjen e kësaj force politike. Ajo që do të vijë më pas, ose ato forca që janë në koalicion me PD mund të mbajnë qëndrim të kundërt, kjo ka pak rëndësi. Rëndësi ka fakti që PD t'i qëndrojë vendimit të saj dhe çdo sjellje e kundërt, qoftë edhe me presion si ky, do të ishte skandaloze. Nëse PD do të ndryshonte qëndrim, do ta bënte këtë për turpin e saj dhe në kurriz të atyre që e mbështeten që ditën e parë të krijimit me shpresën për një shoqëri të lirë.
E dyta, krijimi i idesë se gjykatës të mirë dhe të ndershëm janë vetëm ata që kanë gjykuar në kohën e komunizmit, më duket më shumë se sa cinike. Kjo është fatale për një vend që po tenton të ngrihet mbi bazën e një filozofie të re dhe europiane. Nuk po citoj se ç'ligje kanë zbatuar vende të tjera të Europës Lindore, sot anëtare të BE. Po them vetëm se sot, ka me dhjetëra vetë që kanë një karrierë të spikatur në këto 20 vite, ish studentë që kanë përmbysur atë regjim (pavarësisht orientimeve të sotme politike) dhe që mund të qëndronin në ato karrige me më shumë dinjitet se sa kandidaturat, që po aty, kanë ndëshkuar njerëz thjeshtë sepse donin një jetë më të mirë dhe një shoqëri të lirë. Në këtë kontekst, ndërhyrja e Ambasadorit Uidhërs, më duket më shumë sesa e pakuptueshme. Shumë prej këtyre njerëzve, si edhe rasti që përmenda në fillim, nuk kanë shprehur asnjë pendesë për atë kohë dhe aktivitetin e tyre. Madje kanë qenë më shumë se sa agresivë në mbrojtje të saj. Sinqerisht, kam pritur që si Ambasador i SHBA, Uidhërs të ndërhynte në raste të tjera. Të shprehte shqetësimin e tij që në organet më të larta të drejtësisë shqiptare janë njerëz që kanë dhënë dënime politike me vdekje në fund të viteve '80; që në po këto organe janë gjykatës që kanë dënuar me vdekje priftërinj sepse në fshehtësi kishin kryer rite fetare. Po, ata kanë zbatuar ligjin e kohës, ligjin e diktaturës dhe regjimit më monstruoz të botës, por kjo s'ju jep të drejtën të jenë edhe sot në ato poste. Kam besuar se Ambasadori Uidhërs, së paku do të ndërhynte në një rast që më ka prekur thellë. Rreth një vit më parë, Prokurori që ka kërkuar dënimin me vdekje të Xhelal Koprenckës, Fadil Kokomanit dhe Vangjel Lezhos, u propozua të dekorohej dhe më pas u dekorua (Dekorata ju hoq më pas nga Presidenti, pasi u mor vesh implikimi i tij në procese politike). Fadil Koprencka, u pushkatua sepse guxoi t'i shkruante drejtuesve komunistë që e ardhmja e Shqipërisë duhej të ishte nga SHBA dhe marrëdhëniet me të. Ai u shpreh se SHBA janë kampioni i lirisë në botë dhe se vetëm duke u bërë aleat me ta, shqiptarët do të ndërtonin një të ardhme të ndritur. Ai guxoi të thoshte atë që shumë vetë e mendonin. Ai ishte një nga pionerët, ai foli për SHBA, kur edhe përmendja e emrit të saj të kushtonte jetën dhe vërtet i kushtoi. Ai u pushkatua më 1979 dhe eshtrat s'i janë gjetur ende. Kur problemi i tij u bë publik, prisja që Ambasadori i SHBA, i cili flet në Shqipëri për çdo gjë, nga moti tek futbolli, t'i kërkonte publikisht prokurorit që kish marrë pjesë në ekzekutim që të tregonte së paku vendin ku qe varrosur; që ai të kish një varr, ku shumë nga ata që sot mendojnë si Koprencka, apo si Lezho e Kokomani, të kenë mundësi t'ju vendosin një kurorë. Siç duhet ta ketë këtë mundësi edhe Ambasadori i SHBA, vendit tek vlerat e të cilit Koprenca besonte dhe për të cilin humbi jetën një ditë. Kjo nuk ndodhi. Nuk po ndodh as tani, kur një familje ka hyrë në grevë urie sepse kërkon eshtrat e njërit prej pjesëtarëve të saj të pushkatuar në vitet e komunizmit që prokurori i çështjes, nuk i tregon.
Unë nuk besoj se persona apo juristë si këta, janë elita juridike e Shqipërisë, janë të pazëvendësueshëm. Nuk mendoj se ky është edhe qëndrimi zyrtar i SHBA. Për shumë vite, ambasadorë si Rajerson, Lajk, Xhefri apo Ris, na kanë dëshmuar diçka të kundërt. Nuk besoj se vlerat amerikane në gjykimin e shoqërisë dhe të njerëzve ndërrojnë me çdo ambasador, përkundrazi. Por nuk dua as të besoj se këto deklarata ngjajnë me ato të vitit 2008, për moskalimin në Senat të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, për ligjin e Prokurorisë dhe rolin e OSBE në Shqipëri, që Uithërs i ngriti me forcë dhe që më pas rezultuan pa bazë. Por meqenëse ndaj me Ambasadorin Uidhërs të njëjtin pasion për një President amerikan që e kam admiruar si adoleshent, Ronald Reganin, po e perifrazoj atë kur thotë se "Perandoria e së keqes", siç e quante ai perandorinë komuniste nuk prodhonte dhe në fakt nuk prodhoi njerëz kaq dinjitozë sa beson Ambasadori sot!
Wednesday, July 21, 2010
Nju Jork: Grabitje romantike e nje banke!
Hajduti hyne per te vjedhur ne banke me nje tufe me lule !
The armed bald-headed bandit put a note inside the flowers at the Bank of Smithtown in Chelsea.
NEW YORK CITY :Policia e qytetit te New York-ut, thote se eshte duke kerkuar nje grabites banke, i cili eshte armatosur dhe mbane me vete nje buqete te bukur me lule te fresketa. Ata thone se njeriu i ra kryq e terthor nje banke ne Manhattan javen e kaluar, ndersa ne duar mbante lule. Ata thone se ai arriti te "binte ne ujdi" me keshjeren, qe te terheqe nje shenim kercenues dhe tia dorezoje ate sportelistes se bankes. duke terhequr te pakten 400 dollare.
Ne Nju Jork, u regjestrua vjedhja e nje Banke, nga me romantiket e historise se treguar per grabitesit e bankave ne Nju Jork. Policia njujorkeze shkruajn sot gazetat lokale, dhe trasmetojne televizionet e qytetit, duke thene se grabitesi ka qene shume romantik, per derisa siç e kane filmuar kamerat ai ka hyre ne Banke, me qellim qe te le tufe lulesh per njeren nga nenpuneset e bankes.
Policia duke folur per medien njujorkeze, tha se kane leshuar nje imazh te kamerave te survejimit te bankes, ku duket paster i nje grabites banke, cili me nje kortezi dhe romantike, ka hyre ne sportelet e Bankes Smithtown, ne mes te qytetit te Nju Jorkut, ne rrugen Seven Avenue, ne lagjen e artisteve Chelsea, te enjten e javes se kaluar ne mengjes. Grabitesi thuhet ne mes te buqetes me lule ka qene i armatosur, me nje revolver qe nuk dallohej fare, me shume sesa nje buqete me lule, nje dhurate shume e "kendeshme" per kete lloj grabitje.
Por, policia si me humor, po u a terheq vemendjen edhe punonjesve te bankave te tjera, duke u treguar se ja qe edhe "buqetat me lulet - jane tradhtare" . "Mos u besoni dhuratave te tilla, luleve, çokollatave, zbukruimeve te tjera, kur nuk e njhni mire personin, i cili, po ua sjelle "dhuraten", bene thirrje sot nepermjet gazetave dhe televizioneve lokale, policia e Nju Jorkut.
Shenimi kerkonte kartemonedha 50 $ dhe 100 $ dhe paralajmeronte “Mos u bej hero”. Grabitesi mori nje shume te pazbuluar parash para se te largohej
Hetuesit thane, se personi eshte kodifikuar dhe i skeduar, i cili eshte i pershkruar si nje njeri i zi rreth 30 vjeç., i gjate rreth 5,9 inch. Ai hyri ne banke, sapo u hapen dyert e saj ne oren 09:00, te mengjesit. Ai mbante ne dore nje buqete me lule te fresketa, shume e bukur e mbeshtjellur me nje leter te holle transparente celofani. Ai pastaj me nje leter ne dore me nje shenim nga brenda tufes me lule, i a ka dorezuar keshjeres.
Ajo ka lexuar, "Me jepni te gjithe dollaret tuaj 100'e, 50'e e 20 teshe! Mos hezito te dorezosh parat para se te behesh nje hero!" . Ajo ka treguar per policine se kur ka pare revolverin nuk eshte "ndier mire" por ka " respektuar" letren, dhe i ka dorezuar te pakten 400 dollare grabitesit,, i cili mori parat ne dore dhe u largua duke lene ne sportel lulet.
Policia leshoi te henen nje foto te njeriut te kapur nga kamerat e sigurise
Nje pakete e vogel me pluhur me ngjyre ne brendesi te buqetes me lule shpertheu pasi ai u largua nga banka,grabitesi, pikerishte kur njeriu iku me te hollat e grabitura. Bankat pas kesaj ngjarje jane keshilluar nga policia qe te jene ne vezhgim dhe me te vemendeshme, per te gjithe ata qe hyjne ne Bankat, persona me lule, me kuti me çokollata, ose dhurata te tjera . /Beqir SINA/
Zoti Ambasadorë John Withers edhe në Amerikë, ka shqetësime me zgjedhjen e anënëtarve të Gjykatës Kushtetuese
KRIMINEL APO HERO? - Gjeneral Hilmi Seiti

Përkujtohet gjenerali Hilmi Seiti, merr titullin “Nder i Camërisë”
Ndersa Enver Kushi shkruan: “Gjithashtu do të gabonim akoma më shumë nëse figurës së tij do t’i vishnin mëkatet e diktaturës komuniste. Gjeneral-major Hilmi Seiti nuk u bë pjesë asnjëherë i atyre njerëzve që me veprimet dhe instiktet e tyre shtazarake, lyen duart me gjak. "
Le te fillojme me shkrimin e Fritz Radovanit per Gjeneralin e Ministrise se Brendeshme te diktatures Hilmi Seiti per te vazhduar per kriminel te tjere qe Partite politike po na i shesin per heroj. Sic rrezuam Enver Hoxhen nga peidestali i rreme le te rrezojme edhe falangat e tij vrasese qe vetem kob e gjema i kane sjelle Shkodres dhe Malesise se madhe.
KRIMET E KOMUNIZMIT
_____________
Nga Fritz RADOVANI
......Mbas largimit të terroristit Zoji Themeli, si kryetar i degës së mbrendshme të Shkodres, në vendin e tij erdhi major Hilmi Seiti. Njihej nga mjaft përsona shkodranë, mbasi në vitët e rinisë së tij, aty nga 1939 – 40 kishte ardhë si student në Shkoder, dhe kishte kenë në konviktin “Malet tona”. Nuk dihej se nga erdhi as nga shkoi por, njihej i ardhun nga Çamëria… Dihej se, që në vitët e para mbas 1944 ishte angazhue me forcat e ndjekjes, që ma vonë u quejt “Sigurimi i shtetit”, një nga organet e njohtuna terroriste të sistemit komunist shqiptar që në thëmelimin e tij, ku, aso kohe (1950) punuen me zellë shumë nga emnat e njohtun dhe të paharrueshem për krime si: Ali Xhunga, Herakli Kocani, Qamil Gavoçi, Qazim Kapisyzi, Fahri Kraja, Rasim Mushani, Rasim Dedja, Shyqyri Çoku, Dul Rrjolli, Xheudet Miloti, Isa Miloti, Çesk Shoshi, Lilo Zeneli, Kasem Troshani, Hamdi Ulqinaku, Fadil Paçrami, Xhemal Selimi, Asllan Lici, Elez Mesi, Dulaç Lekiqi e Aranit Çelat me shokë…që, nuk lane gja pa ba mbi rininë e pleqninë shkodrane vetëm, për me zhdukë thëmelet e traditave Atdhetare të vendosuna në shekuj nga kjo qytetari.
Pikërisht, asht ajo kohë kur major Hilmi Seiti, i drejtohet ministrisë së mbrendshme me këte kërkesë nga ana e tij: “Në Gjimnazin e Shkodrës vlon propaganda antikomuniste, na dërgoni sa më parë 100 (njëqint) konviktorë nga Jugu”... (Dosja H.Seiti, Arkivi i M.M.Tiranë, 1998).
Asht viti 1949, kur kryetari i degës së mbrendshme të Shkodrës i posa ardhun për me zbatue politiken kriminale komuniste ndien nevojën se i duheshin edhe 100 “konviktorë”, 100 spijunë, 100 agjentë, 100 kriminelë, 100 komunistë, 100 kuadro të ardhëshme të sigurimit! Pra, duheshin edhe 100 katilë të tjerë, përveç atyne qindrave që ishin në çdo skutë e kand të qytetit.
Nuk i mjaftonin të Veriut, po i donte nga “Jugu..” për me realizue vepren e fillueme nga komunistët jugosllav, që në themelimin e partisë komuniste në vitin 1941 prej tyne, vepër e cila do të lante me gjak të gjitha Trojet tona, por në mënyrë të veçantë Veriun e posaçerisht ata Troje që nder shekuj i kishin ba ballë rrebeshit shovenist sllav e, që nuk u thyen kurr: Malet e Veriut!
“Partia” kje e gatëshme me ia plotsue dëshiren, kështu, u kompletue grupi i spijunve në qytetin e Shkodres dhe, rinia shkodrane do të survejohej e spijunohej nga: Ferit Mandia, Vehbi Çanga, Bardhyl Dushi, Feço Mandia, Vladimir Misja, Hajredin Çeliku, Çiril Pistoli, Iljaz Fishta, Agim Bejleri, Jonuz Dini, Haxhi Pela, Jonuz Tuli, Xhemal Dini, Sadush Kumbaro, Emil Mborja, Satber Jubani, Ilir Gjylbegu, Qemal Jashari, Jani Çomo, Angjelin Kumrija e deri tek Bep Jubani me shokë në vitin 1956, të gjithë ishin në shërbim të diktaturës dhe organit të saj terrorist sigurimit të shtetit. Si të tillë, sigurimi i dergoi me krye edhe studime jashta shtetit, prej nga këta erdhën të “formuem” si spijun dhe agjent, tue i sherbye partisë ata vetë bashkë me gra e trashigimtarët e tyne edhe sot në gjiun e partisë socialiste nën masken e “demokracisë”...
Në vitin 1950, prova e parë e besueshmënisë së Hilmisë ndaj sigurimit mbas daljes nga burgu të vetë atij, asht kenë arrestimi dhe torturat që ai i ka ba me duertë e veta studentave të Shkodres, që u arrestuen njëherësh me 10 maji: Alfons Radovani, Viktor Luka, Et-hem Bakalli, Njazi Uruçi, Mërgim Dani, Nexhip Osmani, Ferit Myftia, Pjerin Vata dhe Gjon Mark Ndoi e, mbas pak ditësh të Ismail e Olimpi Barutit...e, kur, Alfonsi u lirue tregoi se bash ai Hilmi, ishte që i ka zhgulë nga goja dhëmballët me pinca të elektiçistit që komandonte elektroshokun...
Hilmi Seiti asht ndër kryetarët e degës së Shkodres, që ka dhunue ma shumë se të gjithë të tjerët Rininë Shqiptare, tue i detyrue me dajak e tortura me nënshkrue deklarata bashpunimi me sigurimin komunist, tue i premtue vende pune apo “falje” gabimesh në tentativa arratisje dhe, asht ndër ma të shquemit që ka shburrnue Popullsinë shqiptare në brezin kufitar, tue i detyrue me spijunue jo vetëm njenitjetrin por, edhe tue i ba vegla të sigurimit për sherbime edhe në shumë shtete të hueja, tue fillue nga ShBA e deri tek UDB – jugosllave, me të cilën bashpunoi deri atë ditë që i hangri kokën... E, për këte fakt le të flasin mbarë diaspora që ka braktisë Atdheun e Trojet Shqiptare, e detyrueme me ikë nga votrat e veta shekullore për me ia lëshue shovenizmit e dreqit mallkuem veç, për me shpëtue nga arrestimi i sigurt dhe interrnimet e familjeve të tyne. Implikimi i shumë të rinjve me organet e sigurimit kur ishin në sherbim ushtarak apo kur rrëmbeheshin nga dëshira e pasioni për sport, rrekrutimi i tyne nga ana e Hilmi Seitit asht kenë dhe mbetët ende sot jo, vetëm për Shkodren, por për gjithë Shqipninë baza amorale e shkatrrimit të shumë familjeve të nderueme dhe, që, ka ndikue dhe vazhdon me kenë prap një dam i madh për çeshtjen tonë kombëtare, mbasi me djallëzi dhe inteligjencë Hilmia, ka ditë ku me prekë dhe ku me shpartallue në mënyrë të pandreqëshme edukatën e shkollave fetare të Shkodres, të cilat janë kenë vatrat kryesore të edukimit moral, kulturor, politik, ekonomik dhe Atdhetar për gjithë Popullin Shqiptar pa dallim feje dhe krahine, që në hapjen e dyerve të tyne para vitit 1900.
Nëse ka njeri që ka shkatrrue qindra familje tue i interrnue dhe tue nxi biografitë e tyne, me aq shumë pasoja për vite të tana asht Hilmi Seiti, i cili, në 1954 interrnoi dhetra familje shkodrane në Kuç të Vlonës, shumica e të cilve edhe u burgosën, vetëm, se ishin intelektual. Asht pikërisht ai grup ku përfshihej edhe daja i em Paulin Pjetër Prennushi, i cili, vuejti 4 vjet atje pa asnjë ndihmë nga familja, mbasi së shoqes nuk i epte punë askush dhe, ka jetue vetëm me ndihmën e vëllazenve të saj. Ndërsa, daja tjetër Mikel Pjetër Prennushi u arrestue nga Hilmia, në vitin 1952 dhe u torturue nga ai dhe Xheudet Miloti, në mënyren ma shtazore se ishte krejtë i pafajshëm dhe, kërkohej prej sigurimit “me pranue se ka lidhje me Muharrem Bajraktarin”, që aso kohe qarkullonte në zonat e Vaut të Dejës, ku, Mikeli punonte puntorë krahu në rruga ura. Kjo ngjau prej tij vetëm se Mikeli kishte krye akademinë ushtarake në Itali...dhe, për këte të dy katilët e dënuen 10 vjet heqje lirije, të cilat, i kreu në kampet e shfarosjes...
Po cili, ishte fati që i priste këta viktima të sigurimit përbindsh mbas lirimit nga burgu..?
– Kazma, lopata, fermat, rrugat, përndjekja, vuejtja, fukaralleku, frika dhe “etiketa” e varun në derën e shtëpisë: “Ky është armik i deklaruar nga lufta e kllasave” firma, Hilmi Seiti. Dhe, kjo “etiketë” pasohej nga trashigimtarët e tyne deri në zhdukjen e brezit të vet...
Hapni dosjen e atij katili dhe shihni se pse u gradue “gjeneral major” ai qen e bir qeni, kur, Enver Hoxha, po i prëgatiste “qefinin”...? – Pikërisht, sëpse, aktiviteti i tij plotësoi të gjitha deshirat dhe trillet e udhëheqësit të partisë, i cili, mbasi kënaqej më këta bisha në haremin e tij, kishte edhe dëshiren me u knaqë ashtu si shpjegon në librin e Tij, i ndjeri At Konrrad Gjolaj: “Atje Ai (Don Dedë Malaj, shenimi em) kishte pasë rrezik e kishte ra ndër duert e një hamsi njerzish, njëfarë Nevzat Haznedari, i cili njihej se para se me i pushkatue njerzit, kishte ajamë (qejfë, dëshirë) me i ra me levë kokës dhe, me i pa tue u hedhë si pula kur i pret kokën...” (tek libri “Çinarët”, faqe 160, viti 1996. Shkoder). Plumbi që Enver Hoxha u jepte miqve të vet ishte shpërblim i partisë për “mirënjohjen” që ai kishte për veprat kriminale të tyne..!
Enver Hoxha, Mehmet Shehu, Kadri Hazbiu e sa katilë tjerë, nuk e kishin sjellë pa u mendue mirë se kush i duhej atyne në Shkoder, i duhej Hilmi terroristi, që kishte dhanë prova “besnikrije” ndaj partisë me kohë në labirintet e ministrisë së mbrendshme, që atëherë, kur, Koçi Xoxe me shokë, e dërgonin tek burgu i femnave për me zgjedhë “ato” rrezikzeza me të cilat, këta amoral do të kalonin natën në pallatet e tyne luksoze...dhe, kur morën si shpërblim nga partia “plumbin kokës”, thonte, pikërisht, Ajo, ... “Nëna Kate”, që kishte mbajtë çelsat e atij burgu: “Morën atë që kanë lipur me kohë ata maskarenjë..!” Dhe, nuk duhet harrue kurr se, i tillë ishte mendimi i shumë e shumë familjeve të ndershme shkodrane që, e njohtën dhe e pësuen ndër votrat e tyne imoralitetin dhe pafëtyrsinë e Hilmi Seitit me shokë...gja, të cilën, besoj e kujtojnë mirë të gjithë ata që njohtën spijunin kodosh Palush Koliqi, apo “aktoret” e teatrit “Migjeni” atë ditë... të veshuna me vela të zezë, me lot përfaqe, tue shkue mbas arkivolit të Hilmisë... Ate që para tij kerkoi toger Baba, ate i dha “partia” edhe Hilmi Seitit e mbas tij edhe Mehmetit, Kadriut, Feqorrit e me rradhë...ashtu, “si i bane hysmetin i ndiene lezetin”, tha Shkodra, atëherë...
Mos ndoshta, ju Enver Kushi, bashgjakës i Hilmi Seitit, kur flisni për “burrërinë e tij” me ato bushtrat e theatrit ju keni dashtë me përfshi edhe Gratë e Vajzat e nderueme të Shkodres, që u masakruen dhe u përdhunuen të lidhuna me vargoj anijesh ndër tavolinat e hetuesisë së atyne kriminelave të pamoral e Atdhe, si, Hilmi Seiti, Ahmet Suji, Ferit Mandija, Iljaz Fishta, Nevzat Haznedari, Dhimiter Shkodrani, Xheudet Miloti, kolonel Mehdi Bylbyli, Feqorr Shehu...etj..?
Ju, Enver Kushi, shkrueni: “Gjithashtu do të gabonim akoma më shumë nëse figurës së tij do t’i vishnin mëkatet e diktaturës komuniste. Gjeneral-major Hilmi Seiti nuk u bë pjesë asnjëherë i atyre njerëzve që me veprimet dhe instiktet e tyre shtazarake, lyen duart me gjak.
Unë nuk do të rreshtoj të pushkatuemit apo të torturuemit nga duert e Hilmi Seitit, por do të shkruej dy fakte që i kam jetue në vitët 1958 dhe 1959, jashtë tek kinema “Republika”…
Ndaj tre klerikve katolik shqiptar, të cilët nuk pranuen me firmue Statutin e Kishës, që pat përpilue shteti komunist në vitin 1950 – 51, sigurimi i shtetit pat sajue skenarët e zhdukjes së tyne, tue montue “ngjarje” të cilat Don Ejëll Kovaçin dhe Don Dedë Malaj i çuen në pushkatim, ndërsa, At Konrrad Gjolaj, vuejti burg të randë. Sajimi, organizimi, shpifjet, arrestimi, torturat, hetimet, dhunimet, gjyqet e deri tek ekzekutimet e tyne, janë vepra kriminale të Hilmi Seitit. Në vitin 1958, asht ky Hilmi, që bashkë me kolonel Mehdi Bylbylin, arrinë me detyrue me pranue Don Ejllin akuza të pandigjueme ndonjëherë në traditat shqiptare, ose ndryshej, “do të vras këtu, në sytë e motres sate…” dhe, asht pikërisht, e motra, ajo që këte e denoncon në gjyq, tue i thanë të vëllait: “Trego o Don Ejëll, sësi e ke pranue akuzen…kur Hilmia të kishte futë revolen në gojë dhe të thonte se, po nuk e pranove do ti derdh trutë këtu ndër sytë e motres sate e, ti, firmove..”.
Ndolli ajo që nuk pritej…e, mbarë Shkodra, e ndigjoi në altoparlanta të rrugve…
Pa kalue një vit, një Hero tjetër ngrihet nga rradhët e Klerit Katolik Shqiptar, e Ky ishte djali trim i Selcës, ishte i pathyeshmi nga torturat e masakrat që kishin ba mbi trupin e Tij bash tre katilët e sigurimit, Hilmi Seiti, Nevzat Haznedari dhe Xheudet Miloti, ishte Trimi Don Dedë Malaj…bashkë me shokun e vet të të gjithë jetës At Konrrad Gjolaj, që ishin rritë bashkë në bankat e shkollës së Don Alfons Trackit, në Velipojë, ishte Ai At Konrrad, të cilin pata fatin me e njohtë afër në vitin 1995 pikërisht, ajo kohë kur Ky At Konrrad, po përfundonte së shkruemi librin e Tij historik “Çinarët”, kushtue dy figurave të Mëdha, Mësuesit dhe Shokut të vet.
Po ato ditë kur Hilmi Seiti, pushkatoi Don Ejllin organizon dhe zhdukjen misterioze të Meshtarit të rinj Don Matish Lisna, i cili vdes nga helmatisja, vetëm se, “fjala e Tij kishte arritë me elektrizue shpirtin e masakruem” nga ideologjia marksiste të Rinisë Heroike Shkodrane!
Asnjëherë Shkodra nuk harron qendrimin Burrnor të At Florian Berishës SJ., At Leonard Shajakut dhe At Marjan Prelës, të cilët, vetëm, pse nuk pranojnë “me kallxue Rrëfimin” vuejtën sa vite interrnimi e burgje nga dëshira për zhdukjen e Tyne nga krimineli Hilmi Seiti, i cili me ato krime kërkonte me u veshë në spaleta gjeneralësh tue krijue simpatinë tek anadollaku mason i francezve Enver Hoxha, sherbëtor i shovenistve sllav e oriental deri ditën e ngordhjes së tij që, pa kursim për hirë të kolltukut ndihmohej nga Ramiz Alia dhe grupi servil i byrosë politike.
Lexoni vetëm atë liber dhe, shihni kush asht kenë krimineli katil Hilmi Seiti, kujt i ka shërbye, pse erdhi në Shkoder dhe, cili asht kenë qendrimi i tij gjakatarë ndaj popullsisë katolike!
– Po, cilës “diktaturë” i përkasin këta shtazë për të cilët shkrueni ju, Enver Kushi, kur dihet botnisht se sigurimi i shtetit asht kenë vegla ma terroriste, e besueshme dhe e pashpirtë që, i ka shërbye me gjithë vullnetin e vet partisë komuniste dhe udhëheqësit diktator të saj e, kur, pa këte sigurim vetë komunizmi asht i detyruem me falimentue, mbasi pa terror e gjak ai vdes?
– Pse, ju, kërkoni me çveshë pikërisht, ideatorët, autorët dhe faktet e atyne krimeve ma të shëmtueme që njeh historia njerzore e shekullit XX, të kryeme në Shkoder, nga fanatizmi anadollak komunist kundër inteligjencës, njerzve të ndershëm e Atdhetarë Shkodranë. .? – Cili asht misioni i shkrimit tuej, kur, me paturpësi flisni në emnin e një brezi dhe mijra çamëve, tue deklarue: “Për brezin tim si dhe mijëra çamër të vdekur e të gjallë, gjeneral Hilmi Seiti ishte dhe është pikë referimi i burrërisë, krenarisë, dinjitetit, besës dhe fisnikërisë çame.”….
Kush jeni ju, që njollosni gjakun e Atdhetarve Çam dhe dhunoni vorrezat e Tyne..?
– Kjo shprehje e jueja më ban me mendue shumë… e, sidomos, për Ata Shqiptarë, që në vitin 1923 – 24 ngritën zanin e Tyne kundër masakrave të grekve që banin mbi Popullin Çam, dokumenta, të cilat, Katolikët e Shkodres e Kleri i Tij i ka pasqyrue në gazetën “Ora e Maleve” e, sot, për hirë të një trathtari komunist e katil si Hilmi Seiti, shkojnë huptas të gjitha! Turp!
Mos ndoshta, edhe ju, mendoni me e rreshtue katilin Hilmi Seiti, me kriminelat tjerë që Presidenti po na i quen edhe “nderi i kombit”, edhe pse janë vrasës e spijunë t’ Ardhetarve?
– Nëse, me mendimin tuej sot, pajtohet “brezi i rinj” dhe mijra çamër, unë, do ta quejshe me të vërtetë një tragjedi kombëtare për fatin e Popullit Shqiptar e, kryesisht për Çamërinë e masakrueme! Nëse Rinia Shqiptare ka pikë referimi katilët, kasapët, terroristët, torturuesit, vrasësit, mashtruesit, dhunuesit, përbuzësit, hetusit, gjykatësit, hajdutët, falsifikatorët, amoralët, trafikantët dhe trathtarët e Atdheut, që kanë luftue dhe punue gjithë jetën e tyne tash 65 vjet, si vegla të shituna për kolltukët e tyne, për të gjithë armiqtë shekullor të Popullit Shqiptar dhe Atdheut Shqipni, tue fillue që nga gjyshat e tyne në sherbim të Turqisë dhe, tue përfundue në pinjollët bastardh e të paskrupull si Hilmi Seiti me shokë, e edhe ata, pasues që, sot, pajtohen me mendimin tuej, atëherë, nuk asht e largët dita që edhe ju, do të merrni mallkimin e Asaj Plakës Shkodrane që me shkarpa në dorë, ecte e zdathun tek fabrika e makaronave drejt Pazarit vjetër dhe, nësa, po ruhej nga një makinë “gas” që, po fluturonte nga shpejtësia, u hap dera dhe u ndigjue një za i panjohtun: “Vishi nëne, vishi pantoflet, se do ftohësh e nuk do të sherojë Zoja e Shkodres!” dhe, Plaka, që po shkonte në Kishën e Zojës së Këshillit të Mirë, brinjë Kalasë Rozafat, me 25 Prill 1960, rreth orës 10.00 paradreke për Meshën e orës 11.00, iu përgjigjë atij zani bastardh pa pritë e pa e mendue fare: “Zoja e Shkodres jarebi deri nesër, të theftë qafen..!”
Një rasë e rrallë dhe i veçantë po, me të vërtetë, ndolli:
Me datën 26 Prill 1960, papritmas u hap lajmi në Shkoder…Ka vdekë Hilmi Seiti..!
Flitej, se, sigurimi kishte kërkue me gjetë cila kje Ajo Plakë gojëmjaltë, siç, e quejti gjithë Populli i Shkodres, por nuk mujti me i ra në te… “Fjala e Saj në vesh të Përendisë..!”.
Me datën 27 Prill, mbas homazheve në komitetin ekzekutiv të Shkodres, të gjithë në rresht e pa ba za as majtas as djathtas, u drejtueme kah vorrezat e dëshmorve

Fritz RADOVANI
Autobiografi e shkurtë:
Kam lé në Shkodër me 6 Janar 1940. Në bombardimin e bamë nga Aleatët me 13 Tetor 1943 në Tiranë, më asht vra baba Kol Radovani, major i policisë shqiptare dhe jam rritë jetim me nanën. Në vitin 1956, në Shkodër kam përfundue shkollën e mesme Pedagogjike. Jam emnue nga Ministria e Arësimit në Burrel, në fshatin Macukull. Për arësye shëndetësore jam këthye në Shkodër dhe jam emnue disenjator në Kabinetin Pedagogjik, ku kam punue 4 vjet. Mbas katër vjetësh për arësye të shkurtimit të organikës kam kalue mësues në lagjën Liria po në Shkodër. Gjatë asaj kohë pra, në vitin 1965 kam përfundue Liceun artistik me korespondencë në Tiranë. Nuk më asht dhanë e drejta me vazhdue shkollë të lartë për arësye biografije. Në vitin 1968 në periudhën e Revolucionit Kultural, mbas arëstimit të dytë të vëllaut të madh, jam transferue në fshatin Kosmaç, mësues në klasët fillore. Në vitin 1969, jam largue nga arësimi (po për arësye biografije) dhe jam emnue piktor në fabrikën e Tekstilit Shkodër. Aty nuk kam vazhdue vetëm dy vjet me titull “Piktor” dhe kam kalue në organikën e asaj fabrikë si punëtor reparti stampimi deri me daljen në pension të parakohshem në vitin 1992.
Që nga viti 1967 nuk kam pasë të drejtë as me marrë pjesë në ekspozita pikture.
Që nga viti 1945 dhe deri në vitin 1998 (tue përjashtue vitët 1961 – 1964) kam pasë vazhdimisht një njeri të familjës në burgjet e kampet e shfarosjes, prandej edhe jam kenë gjithmonë i përfshimë në “luftën e klasave” të pushtetit komunist. Në vitët 1945 janë arrestue dy dajat Paulin e Mikel Prennushi. Paulini ka ba 5 vjet burg e 5 vjet interrnim. Mikeli ka ba 10 vjet burg. Në vitin 1946 asht arrestue axha i nanës At Mati Prennushi, Provinçial i Françeskanëve të Shqipnisë, i cili asht pushkatue me 11 Mars 1948. Në vitin 1948 asht arrestue daja tjetër prift Don Kolec Prennushi, i cili mbas hetuesise ka vdekë në vitin 1950. Në vitin 1950 asht arrestue vëllau Alfonsi, dhe asht dënue 8 vjet burg me grupin e studentave të Gjimnazit Shkodër. Asht arrestue prap në vitin 1967 dhe asht dënue me grupin e klerikëve të Tiranës, me 10 vjet burg për pikëpamje fetare tue u perfshi në nenin e “Agjitacionit e Propagandes kundër pushtetit”.
Në vitin 1991, në muejn Janar jam zgjedhë Kryetar i Sindikates së Fabrikës Pelhurave të Shkodrës, në periudhen e lëvizjes antikomuniste në Shqipni. Po këte kohë jam zgjedhë edhe anetar i Kryesisë BSPSh (Bashkimi i Sindikatave të Pavaruna Shqiptare) në Shkodër, për sektorin e propagandës dhe mardhanjeve mes besimeve. Kam kontribue në përmbysjen e qeverisë komuniste të Ramiz Alisë, tue organizue mbledhje, mitingje, greva dhe në radio “Shkodra” e gazeta, me artikuj kundër komunizmit. Nuk jam pajtue asnjëherë me demagogët dhe komunistët e konvertuem në “demokrat” e “socialist”, për këte arësye edhe nuk kam ba pjesë asnjëherë në asnjë parti politike të djathtë as të majtë. Kjo më ka shtye që në vitin 1997 me u largue nga Shqipnia ilegalisht, mbasi u kercnova me vrasje. Në vitin 1998 jam këthye në Tiranë dhe në vitin 2000 kam emigrue në Australi ku jam edhe sot. Edhe këtu nuk kanë mungue veprimet kunder meje nga metastazat e Sigurimit famkeq të komunistëve të Tiranës. Falë Shtetit Australian që më ka sigurue jetën!
Këtu kam përfundue në vitin 2002 librin “Një monument nën dhe” dhe kam vazhdue punën për një botim të dytë të librit “At Pjetër Meshkalla S.J.”, i botuem për të parën herë në Shqipni në vitin 1993. Në vitin 1992-93 jam bashautor i librit “Martirizimi i Kishës Katolike Shqiptare 1944-1990”, libër i cili i asht dhurue Papës Gjon Pali II, me rastin e vizitës në Shqipni me 25 Prill 1993. Kam përfundue edhe librin “Gurt’ e Parë” dhe jam futë në “labirintet e demokracisë përparimtare”, me mujtë me i dhanë rinisë një punë tjetër modeste nga ana eme. Dy të fundit janë dorshkrime. Përveç “publiçistikës” tashti kam në dorë edhe një liber të vogël (xhepi) për mësimin e bazave të para të GJUHES SHQIPE (Gegënishtja e sotme), për nxanësit e rritun këtu në Australi që kanë përfundue shkollat e ulta e nuk njohin Gegënishten.
Melbourne, Korrik 2010./TraboiniStudio