Intervista me zonjën Shpresa Selfon, bashkëshortja e përkthyesit Halit Selfo. Nga lufta partizane në burg, në Kënetën e Maliqit dhe dy vëllezër të pushkatuar. Kush ishte Selfo që solli në shqipe "Udhëtimet e Guliverit" të Xhonatan Suiftit
Shpresa Selfo i ka kapërcyer të tetëdhjetat. Është një grua e hollë dhe fine. Kur flet për njerëz dhe të afërm të të shoqit ajo i bën personazhe duke ndërruar ndonjëherë zërin e saj dhe i sjell pa problem nga përtej kohës.
E takuam në apartamentin në Lagjen "21 Dhjetori", ku familja Selfo u zhvendos në vitet '60 përgjithmonë. Më në fund morën një dhomë më shumë dhe i zoti i shtëpisë, Halit Selfo, u bë me studio.
Para kësaj "rehatie", Selfoja kishte përkthyer aty nga viti 1956-'57 romanin "Udhëtimet e Guliverit" të Xhonatan Suiftit (Shtëpia Botuese "Naim Frashëri", Tiranë, 1958). Romani sapo është hedhur në qarkullim, botimi i katërt. Kjo është arsyeja që pritëm këtë kthim për pushime nga mërgimi në Kanada, familjarët Selfo.
Se si e përktheu "Guliverin" në atë shtrëngesë ku jetonte familja, këtë e tregon zonja Shpresa, e cila bën një kërkim për ne në kujtime për t'i sjellë para syve lexuesit njeriun dhe përkthyesin e talentuar Halit Selfo, me të cilin ajo jetoi 14 vjet dhe pati tre fëmijë që do t'i rriste e vetme.
Zonja Shpresa, jemi në shtëpinë tuaj, për të kujtuar gjysmë shekulli më pas romanin "Udhëtimet e Guliverit", i përkthyer nga bashkëshorti juaj. Ku e ka përkthyer Halit Selfo këtë libër të vyer?
Në kohën kur është përkthyer "Guliverin" jetonim në "Rrugën e Barrikadave", afër Mapos së vjetër. Në një dhomë të vetme jetonim të gjithë. Ishim një familje e madhe dhe ai nuk punonte në kushtet që donte. Kërkonte qetësi të plotë për të përkthyer. Ndodhte që merrte dhomë në hotel, sepse në zyrë e kishte siklet.
Nga hoteli ka ikur njëherë sepse i vunë një altoparlant atje që e shqetësonte. I thosha: "Po të gjithë kënaqen me muzikë, ty pse të shqetëson?" "Jo", më thoshte. "Kur punoj dua qetësi absolute."
Vonë, nga '60-ta, erdhëm këtu në lagjen "21 dhjetori". Na dhanë dy dhoma. Ngjitur me ne, ishte një familje. Na premtuan që kur ta hiqnin atë familjen, do të na jepnin dhomën shtesë. Ajo do të ishte studioja e Halitit.
Por, ai nuk arriti sepse mbas tri vjetëve u sëmur dhe vdiq. Përkthente këtu në njërën nga dhomat që e kishte kthyer në një studio të vogël. Nuk ishte ndonjë studio e bukur shumë, por ishte e mbushur me libra, diksionerë Larousse. Gjithmonë përkthente me tri tekste: italisht, frëngjisht, anglisht.
Për sa kohë e përktheu "Guliverin"?
Romanin e ka përkthyer nga anglishtja. Haliti i mbante gjatë veprat, i shkruante vetë, pastaj ia jepte daktilografit dhe prapë i korrektonte vetë. Për Guliverin ka punuar 7-8 muaj, ndoshta edhe një vit. "Kontin e Monte Kristos" ,volumin e katërt e la në botim, nuk arriti ta shihte sepse vdiq më 14 shtator 1964.
Çfarë ju thoshte për këtë libër në bisedat që bënit bashkë?
I pëlqente shkrimi i Xhonatan Suiftit. Dhe kishte kënaqësi të madhe kur e përkthente.
Sa orë punonte në ditë?
Punonte mbi pesë orë. Sapo ngrihej në mëngjes, ulej punonte. Kafen e pinte në shtëpi, se kur dilte jashtë, gjente ndonjë shok dhe vonohej. Vitet e fundit ndiente lodhje, filloi t'i zhvillohej sëmundja, vuante nga kanceri.
(Këtu ndërhyn i biri Xhevdet Selfo)
Vitet e fundit të jetës së tij, kur isha 7 vjeç e gjysmë, mbaj mend që babai punonte natën. Kohët e fundit ai nuk shkonte në zyrë. E kishin lejuar të punonte në shtëpi. Të gjithë anëtarët e Lidhjes së Shkrimtarëve u lejuan që të punonin në shtëpi.
Zhyl Verni, Aleksandër Dyma, Anatol Frans, Ferenc Molnar, Gi dë Mopasan. Këta autorë që Halit Selfo i ka përkthyer, janë të gjithë emra që flasin për një shije të hollë.
Ai i kërkonte shumë librat e mirë. Sikur të shkonte një njeri jashtë, nuk i kërkonte asnjë "majë gjilpëre", vetëm libra. E kishte pasion librin edhe kur e merrte kënaqej shumë.
Librat i kishte porosi nga ndërmarrja "Naim Frashëri" ku ai punonte, apo i zgjidhte vetë?
I gjente vetë. Ato që i jepnin u thoshte "jo nuk e përkthej dot këtë". Gjente librat dhe u kërkonte aprovimin për ta përkthyer ose jo një vepër. Ai gjithmonë i zgjidhte librat dhe për fatin e tij ia aprovonin. Ia aprovuan Zhyl Vernin, Xhonatan Suiftin, "Poemën Pedagogjike" të Makarenkos, klasikët francezë.
Cilin autor donte mbi të tjerë?
Zhyl Verni ishte nga autorët që pëlqente më shumë. Po të shikonte libra të Zhyl Vernit i merrte dhe iu "ngjitej" atyre derisa ta përkthente. Mezi i gjente veprat sepse ishte e zorshme. Kur nuk e kishte shtëpia botuese ku punonte ai, përpiqej që ta gjente ku të mundtte. Jashtë shtetit kishte marrë libra.
Ruani ndonjë kujtim nga koha kur ai përkthente "20 mijë lega nën det" të Zhyl Vernit.
Për romanin "20 mijë lega nën det" ndenji shumë në Durrës, afro tre javë. Kemi ndenjur te hotel "Vollga" sepse prisnim që të vinte një njeri i moshuar që mund të na thoshte emrin e një lloj peshku. Derisa e gjeti emrin nuk luajtëm nga "Vollga".
A ka ndonjë libër që ai e ka përkthyer vetëm për kënaqësinë e tij dhe nuk është i njohur për lexuesin?
Frëngjishtja ishte gjuha që dinte më mirë sesa shqipen. Përkthente edhe nga anglishtja, italishtja, rusishtja. Kishte prirje për gjuhën e huaja. Anglishten e ka mësuar vetë. Përkthimin e ka pasur pasion dhe nuk e bënte që të fitonte lekë.
Vepra që nuk janë botuar nuk ka pasur. Nuk donte të rrezikonte.
Me cilët njerëz punonte?
Daktilograf kishte Zoi Xoxe, Samedin Dulçen dhe Diana Omarin (Frashëri). Edhe kur gjente ndonjë daktilograf që nuk qe i zoti, mundohej që ta nginte edhe atë, ta ndihmonte.
Po miqtë e tij cilët ishin, kolegët përkthyes, njerëz që ndante të njëjtat shije dhe ide?
Kishte mik Drago Siliqin, Kolë Jakovën, Llazar Siliqin, Tano Banushin, Aleksandër Banushin, Petro Markon. Petro Markon e kishte shumë për zemër.
(Ndërhyn e bija Merita)
Mbaj mend që më tepër miqësi ka pasur me Kolë Jakovën dhe Llazar Siliqin. Po ashtu edhe me Aleksandër Banushin. Ai nuk kishte interes të fliste vetëm me intelektualët. Ai bënte muhabet me këdo.
Unë kam qenë e vogël dhe e mbaj mend, vinte një burrë që na pastronte oxhaqet. Ka qenë atëherë oxhaku me dru dhe ai e mbante atë në shtëpi, i bënte muhabet, i jepte drekë. Kishte qejf të rrinte me njerëz të thjeshtë, jo vetëm me intelektualë.
Ku u formua Halit Selfoja?
Shkollën e mesme e ka bërë në Liceun Francez të Korçës. Universitetin e bëri në
Padova të Italisë për Ekonomi-Biznes. Mirëpo kur filluan trazirat, u kthye në Shqipëri. Që andej kaloi në çetën partizane.
Merita Selfo: (Kujton kohën e burgimit të të atit)
Ai vinte nga një familje e pasur që e ka ndihmuar luftën dhe ai vetë ka kontribuar. Enver Hoxha ishte miku i familjes, xhaxhanë tim e kishte shok të ngushtë. Prej Hoxhës u erdhën gjithë të këqijat. Ua morën shtëpitë në Sarandë, Tiranë, Durrës, Gjirokastër dhe i çuan në kasolle lopësh.
Dy vëllezërit e tij janë pushkatuar, Reis Selfo dhe Surja Selfo, po ashtu Bahri Omari, djali i hallës së tij. Reis Selfo është pushkatuar për bombën në Legatën Sovjetike që të gjithë e dijnë që ishte diçka fals dhe Surjai ka qenë një nga shokët më të ngushtë të Enver Hoxhës.
Babai ka qenë partizan dhe komisar politik i çetës "Koto Hoxhi" dhe pas luftës u dënua për katër vjet. E kaloi dënimin në kënetën e Maliqit. Ka qenë e tmerrshme të thahej me krahë të burgosurish ajo kënetë... hynin në ujë mes mushkonjave.
Doli nga burgu kur shkoi Bedri Spahiu. Kishin nevojë për të sepse intelektualët ishin shumë të paktë, dhe nuk kishte shumë njerëz që dinin gjuhë të huaja. Ai dinte disa gjuhë.
Më pas filloi punë redaktor në gazetën "Luftëtari", pastaj kaloi në ndërmarrjen e botimeve, dhe filloi si përkthyes atje, por vazhdimisht me frikë sepse ishte familje e persekutuar. Ishte i respektuar nga të gjithë, kishte dhe një humor të hollë.
Ju ku e njohët dhe çfarë ju tërhoqi tek ai?
Shpresa Selfo: Këtu në Tiranë. Dy kushërinjtë e mi ishin daktilografët e tij. Familjen e tij e njihja. Mbesat i kisha shoqe. Por Halitin nuk e kisha parë ndonjëherë, nuk e njihja. Punoja në Tiranë në atë kohë. Më bëri për vete sjellja e tij, ishte shumë i sjellshëm dhe me nivel kulturor.
Fatkeqësisht, martesa juaj zgjati shumë pak...
Jemi martuar në vitin 1950. Isha 21 vjeç kur u martova dhe kur ai u largua nga jeta isha 35-36 vjeçe. Ndenjëm martuar katërmbëdhjetë vjet. Një kohë shumë e shkurtër. Kisha një burrë të mrekullueshëm që më kuptonte shumë mirë. Ishte njeri me shpirt të madh që më ka ndihmuar mua dhe familjen time.
Vinit nga familje me të njëjtën histori përndjekjeje?
Unë ika nga shiu rashë në breshër (Qesh). Haliti e mori familjen time, e solli këtu në Tiranë dhe i rregulloi.
Ç'natyrë kishte ai?
Ishte i shoqërueshëm dhe kishte një humor të hollë.
Në fund të kësaj bisede zonja Selfo, do të doja të thonit kujtimin për të, atë që kujtesa ka ruajtur më gjatë. Ndoshta edhe një vend që jua kujton.
Ne shkonim përjavë në hotel "Dajti". Na pëlqente. Atje vinin shokët e tij. I pëlqente shumë muzika klasike. Kishte edhe të huaj që vinin, danconim me ata, na lejonin. Të shtunën dhe të dielën mezi e prisnim.
E hapnim dhe e mbyllnim ne "Dajtin".
Operat i pëlqente shumë, kinematë nuk i kishte shumë qejf. I kërkoja të shkonim ndonjëherë në kinema dhe më thoshte: "Kur të shikojmë ndonjë film të bukur, do të shkojmë edhe në kinema".
No comments:
Post a Comment