Saturday, September 18, 2010

Masakra e Tivarit, zbardhen dokumentet mbi Ramiz Alinë

Si u dorëzuan nga Enver Hoxha tek brigadat serbe mijëra shqiptarë të Kosovës

Mbi 5000 shqiptarë të vrarë është bilanci i masakrës më të tmerrshme në historinë e kombit shqiptar. Më e tmerrshme dhe pa u dënuar asnjëherë nga pushtetarët e asaj kohe si nga pala jugosllave po ashtu edhe ajo shqiptare. E përmendim shtetin dhe udhëheqësit e saj shqiptar pasi kjo masakër në një farë mënyre, megjithëse janë fshehur shumë të dhëna që faktojnë bashkautorësinë e tyre në vrasjen e mbi 5000 mijë shqiptarëve, përsëri historia i nxjerr zbuluar ata. Po cili është roli i udhëheqësve shqiptarë të vitit 1945 në ekzekutimin makabër të vëllezërve tanë kosovarë? Nëpërmjet disa fakteve duhet të ndezim një shkëndijë të vogël, e cila do të ndezi përgjithnjë dritën e madhe të së vërtetës së genocidit shqiptar të muajve mars-prill 1945.

Si nisi kjo ngjarje

Shtabi Operativ i "Kosmetit" i urdhëruar nga Shërbimi Sekret i Ushtrisë Nacional Çlirimtare të Jugosllavisë, me qëllim të shpërbërjes së bërthamës së qëndresës shqiptare në Kosovë, gjatë muajve mars-prill, por edhe më tej të vitit 1945, mobilizon me dhunë shqiptarët për t'i dërguar në frontin e dytë të ashtuquajtur të "Adriatikut" në veriperëndim të Jugosllavisë. Skenaristët e Masakrës së Tivarit, për dërgimin e mobilizuesve shqiptarë në pjesët veriperëndimore të Jugosllavisë, kishin zgjedhur rrugën Prizren - Kukës - Shkodër - Tivar - Dubrovnik - Rijekë. Për këtë front mobilizuan shqiptarët nga Vushtrria, Besiana (ish-Podujeva), Prishtina, Kaçaniku, Ferizaji, Gjilani, Lipjani, Shtimja, Theranda, Burimi, Peja, Gjakova, Rahoveci, Sharri, Prizreni. Intervali i mobilizimit do të prekte edhe territorin e Shqipërisë dhe për këtë forcat e UNÇJ duhet të bashkpunonin me UNÇ shqiptare, të cilat do të lejonin kordonin e gjatë të "kosovarëve fatkeqë" nën drejtimin e udhëheqësve jugosllavë, pa u cenuar në territorin shqiptar. Deri në këtë moment historia tregon se udhëheqësit shqiptarë me në krye Enver Hoxhën, nuk do të ishin drejtpërdrejtë bashkautorë në masakrën e shfarosjes së burrave të rezistencës kosovare. Por marrëveshja e bërë midis UNÇJ me ushtrinë e kuqe ruse, me forcat bullgare dhe me Shtabin e Përgjithshëm të UNÇ të Shqipërisë në 2 shtator të vitit 1944 do të faktojnë të kundërtën.

Çfarë synonte marrëveshja?

Në vjeshtën e vitit 1944, Shtabi Suprem i UNÇJ-së i drejtuar nga Josip Broz Tito, në emër të internacionalizmit, do të bëjë marrëveshje me ushtrinë e kuqe ruse, pastaj me forcat bullgare dhe më 2 shtator 1944 edhe me SHP të UNÇ të Shqipërisë, për të zhvilluar operacione të përbashkëta ushtarake kundër forcave gjermane në Jugosllavi. Kjo marrëveshje, e cila kishte synimin parësor luftën kundër fashizmit, devijoi në një plan tjetër ku do të eliminoheshin të gjithë kosovarët, të cilët do t'i bënin rezistencë forcave jugosllave. Luftimet më të ashpra në Kosovë brigadat sllavokomuniste, do t'i zhvillojnë gjoja "kundër Forcave të Mbrojtjes Kombëtare të Shqipërisë Etnike dhe bandave shqiptare që po mbretërojnë në Kosovë". Për të argumentuar këtë qëndrim, letra e Miladin Popoviçit, të cilën në emër të KK të PKJ-së ua dërgoi të gjithë komisarëve politikë në Kosovë, e shpjegon më së miri qëllimin e marrëveshjes së 2 shtatorit 1944. Në letër ndër të tjera, M.Popoviç shkruan: "Edhe pse Kosovë-Metohia janë pa pushtues, ne nuk sundojmë në gjithë terrenin. Pengesa janë bandat e armatosura që përhapin shovinizëm. Tash kemi detyrë të patjetërsueshme spastrimin e Kosovës dhe të Metohisë nga këto banda. Bandat duhen likuiduar energjikisht dhe pa mëshirë. Tokat e atyre që nuk dorëzohen deri në afatin e caktuar do të konsiderohen të shtetit e këtë (konfiskim - vërejtja ime Sh.B) do ta bëjnë shtabet (e UNÇJ-së-vërejtja ime Sh.B). Në fshatrat që është bërë rezistencë duhen gjetur organizatorët dhe duhet dorëzuar gjyqit ushtarak, që do t'i gjykojë menjëherë e fshatarët t'i çarmatosë…". Sipas marrëveshjes, UNÇJ-UNÇSH, në fillim të tetorit 1944 në Kosovë do të futen Brigadat III dhe V të Korparmatës I të UNÇ të Shqipërisë. Marrëveshja UNÇ jugosllave-UNÇ shqiptare: Brigada e III dhe e V nga Shqipëria për spastrimin e Kosovës nga çetat që bëjnë rezistencë. Këtu do të dilte fare hapur emri i më të përfolurit për pjesëmarrje në genocidin kundër shqiptarëve, Ramiz Alisë.

Si e mori urdhrin Ramiz Alia për të qenë pjesë e forcave të UNCSH në mobilizimin e shqiptarëve që do të bënin rezistencë kundër pushtimit jugosllav në Kosovë

Për shumë vite me radhë Ramiz Alia e ka mohuar prezencën e tij në mobilizimin dhe ekzekutimin e mijëra shqiptarëve, të cilët u bënë pengesë e ushtrisë jugosllave në pushtimin e Kosovës. Kjo për shkak të regjimit 50-vjeçar të diktaturës më të egër në historinë komuniste botërore. Duke u mbrojtur nga komoditeti që jepte regjimi komunist në fshehjen e shumë krimeve makabre të bëra nga udhëheqësit politikë gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe eleminimin e dokumenteve, Ramiz Alia nuk është prononcuar asnjëherë për çka ndodhi netët e fundit të marsit 1945. Komisari politik Ramiz Alia, i dyshuari kryesor në vrasjen e mijëra shqiptarëve në librin e tij të botuar së fundmi është munduar të shtrembërojë të vërtetën, por gjithsesi në mes rreshtash ku Alia tregon për momentet e caktimit të tij në krye të Divizionit V nga komisari i Shtabit të Përgjithshëm, Enver Hoxha, shumë njerëz do të zbulojnë misionin e fshehtë që do të kishte Divizioni V dhe VI në mobilizimin dhe ekzekutimin e kryengritësve kosovarë. Ndër të tjera, në librin e tij "Jeta ime", Alia shkruan se urdhri i erdhi nga Enver Hoxha, ku i kërkoi që të kryente më së miri këtë detyrë pasi ky mision kishte një rëndësi të veçantë politike. Çfarë ka dashur të nënkuptonte Enver Hoxha me "rëndësinë e veçantë politike"? A mos vallë ky mision ishte një ndër nderet e diktatorit Hoxha në shërbimin ndaj Jugosllavisë? Këto përgjigje duhet t'i japë Ramiz Alia, i cili refuzon gjithmonë të hedhë dritë në prapaskenat e miqësisë së udhëheqësve shqiptarë dhe atyre jugosllavë.

Një pjesë e bisedës midis Enver Hoxhës dhe Ramiz Alisë e shkruar nga ky i fundit në librin "Jeta ime"

Enver Hoxha:

Ti je caktuar si Komisar Politik i Divizionit V, që bashkë me divizionin VI do të vazhdojnë ndjekjen e ushtrisë fashiste në territorin jugosllav.

Ramiz Alia:

Puna si Komisar Politik më trembte për mungesë përvoje dhe për moshën e re që kisha në atë kohë.

Enver Hoxha:

Partia ka besim tek ti se do ta kryesh më së miri këtë detyrë. Mbështetu tek shokët dhe bashkë me to, që komandat dhe shtabet të kryejnë me nder misionin e madh që u është besuar. Vendimi për dërgimin e dy divizioneve tona për të ndjekur ushtrinë gjermane edhe në Jugosllavi ka rëndësi të veçantë politike. Kështu ne ndihmojmë popujt vëllezër të Jugosllavisë për çlirimin e tyre nga fashizmi.

Pse u zgjodh Ramiz Alia?

Shumë pikëpyetje janë ngritur se përse Ramiz Alia do të ishte njeriu adapt për kryerjen e këtij misioni. Pa asnjë hamendësim, por bazuar në të vërteta historike, Ramiz Alia nuk është shqiptar në gjak. Nga pema gjenealogjike atërore konstatohet se Ramiz Alia ka atësi serbo-boshnjake. E ëma erdhi në Shkodër në fillim dekadën e dytë të shekullit të kaluar. Gjithashtu, Ramiz Alia kurrë në jetë nuk përmend origjinën e vet, të familjes, farefisit në kujtimet e shumta. Pra, as ardhja dhe as hapat sistematike të Ramiz Alisë në jetë nuk janë një okazion human, por një program i cipuar i shërbimeve jugosllave të asaj kohe. Si pinjoll besnik i gatuar që në embrion me antishqiptari, agjenti serb Alia i infiltruar përmes lëvizjes komuniste, antinazifashiste u bë promotor i deshqiptarizmit të Kosovës dhe ndihmëtar i instalimit të kolonëve serbo-boshnjak.

Faktet që dëshmojnë se Ramiz Alia ka qenë bashkautor i ngjarjeve të marsit 1945

Ramiz Alia mohon të ketë dijeni se ç'ka ndodhur natën e 31 marsit 1945, duke mohuar kështu edhe se ishte në dijeni që kosovarët e mobilizuar nga çetat partizane shqiptare iu dorëzoheshin atyre jugosllave, ku i priste fundi i hidhur i eliminimit fizik. Duke kërkuar në arkivën qendrore të Shqipërisë rreth ngjarjeve të vitit 1945 vihet re eliminimi i dokumenteve zyrtare që kompromentonin udhëheqësit shqiptarë të kohës përgjatë regjimit komunist. Në arkivën qendrore të Shqipërisë është një terr informacioni përsa i përket periudhës shkurt-qershor të vitit 1945 për letërkëmbimet midis Shtabit të Përgjithshëm dhe dy divizioneve V dhe VI të forcave UNÇSH të dërguara në Kosovë. Nga kërkimi i gjatë në këto arkiva, Gazeta "Rilindja Demokratike" ka bërë të mundur gjetjen e disa dokumenteve ku tregojnë urdhrat që vinin nga Shqipëria për në Kosovë dhe anasjelltas.

Menjëherë pas marrjes së detyrës si Komisar Politik i Divizionit V, i cili u çua me misionin "politik" të Enver Hoxhës, Ramiz Alia filloi të kërkonte mendime nga Shtabi i Përgjithshëm për mënyrën e kryerjes në përpikmëri të detyrave të ngarkuara në kryerjen e misionit si dhe të jepte informacione për ngjarjet e ditës gjatë qëndrimit të tij në Kosovë. Në letrën drejtuar Shtabit të Përgjithshëm në datën 3 mars 1945, Alia informon udhëheqësin e UNÇSH, Enver Hoxhën se në datën 7 të po këtij muaji, ai dhe forcat e divizionit të tij do të niseshin drejt Novi Pazar-it dhe Mitrovicës. Por ai nuk shkruan se sa do të zgjasë misioni i tij në Mitrovicë. Kjo mbetet e vetmja letër që ekziston në arkivat e shtetit për muajin mars të vitit 1945 nga të tjerat që janë eliminuar nga regjimi komunist për të zhdukur çdo provë që konpromenton lidhjen e Masakrës së Tivarit me udhëheqësit e Partisë Komuniste shqiptare.

Letra dërguar Shtabit të Përgjithshëm nga Ramiz Alia dhe Rahman Parllaku (Komandant i Divizionit V) 3 mars 1945

Komandës së Përgjithshme

Sipas urdhërit të Komandës së Përgjithshme jugosllave përcjellë me anë të korpusit të II jugosllav, forcat e divizionit tonë po lëvizin në drejtim Novi Pazar, Mitrovicë. Lëvizja do të fillojë në datën 7.3.1945 në mëngjes. Për lëvizjen e forcave tona u morëm vesh me mjekët dhe ramë dakord me qenë se nuk lëvizjen Tonë??, jemi marë vesh edhe me Divizionin VI, i cili do të vendoset në Vuçiternë e rrethe.

Manitë dhe kapriçot e Llazi Sërbos në sheshin e xhirimit

Roland Gjoza

Ai ishte një i ikur prej kësaj bote që s'e kuptoi. Kështu i dukej dhe përditë ndahej prej njerëzve. Ai bënte inversin e rinisë së tij të zjarrtë, ato fije që kishte lidhur me talentin dhe shpirtin e tij të jashtëzakonshëm, me shumë miq artistë e njerëz të thjeshtë, gjahtarë, ëndërrimtarë djerraditës, letrarë të panjohur, serenatistë, fotografë të shpërfillur, dështakë, fundërrina të alkoolit, aventurierë, regjisorë të shquar, aktorë të mëdhenj, femra të bukura, i këputi një nga një, pa e ditur se në duart e kësaj aradhe larushitëse mbeten fijet e tij. Ai donte t'i harronte dhe ata gjithashtu, po kjo s'ndodhi. Ai mbeti miku i madh i zhgënjyer dhe i dëshpëruar. Prej harrimit. Ai nuk e donte harrimin. Po atë e harruan, se në skenë ndërruan aktorët, erdhën rishtarët diletantë, politikanët, që luajtën dhe vazhdojnë të luajnë Shekspirin, ndërsa aktoret u dëbuan në kafenenë më të afërt. Ata ende surbin kafenë duke ëndërruar dhe presin se pritja ju është kthyer në fiksion. Llazi Serbo priste në shtëpi. Ai kishte vetëdijen e aristokratit elegant, sqimatar e të përkorë, poterexhi. E shqetësonte dhe një rrudhë në kostumin e rolit, dhe një palë këpucë që e vrisnin, po edhe një dialog i keq. Ai u nxirrte punë regjisorëve. Pyetini, t'ju tregojnë episode dhe në fund pasi të qeshin bujshëm me rrëmujën që krijonte ky aktor egocentrik, nervoz e i paparashikueshëm, do të heshtnin të menduar, e do t'i japin të drejtë.
Tekat
Ai kërkonte 'qiqra në hell'. Ku t'ia gjenim tamam ato këpucët e Petro Nini Luarasit te filmi "Kush vdes në këmbë"? Ai i rrjedhur donte me domosdo ato. Ikte, e linte xhirimin përgjysmë dhe ne viheshim ta kërkonim, pastaj pasi e gjenim te shtëpia e Ferdinand Radit, mikut të tij, i merrnim anën me të njohur se atij nuk i mbushej mendja. "Më gjeni këpucët që të vij, përndryshe u ktheva në Korçë". Sikur të thoshte, u ktheva në Venecia. Dhe e bënte. "O Llazi, po si i do"? "Hapni albumet e fotografëve të Korçës, sidomos ato të Sotirit dhe shqyeni xelat, aty i keni këpucët, kërkojini dhe do t'i gjeni. Unë dua të luaj Petro Ninin në atë kohë, jo me '44-ën. Dhe kalin, jo ngordhësirë, se ju i bini shkurt, po si i zoti, me dinjitet..."
Kali ishte një mrekulli më vete dhe ai e bëri mik që në shikimin e parë. Ishte stërnip i Nakllonit, kalit të racës, dhuratë e Stalinit, që kushtonte dy-tre milionë dollarë. Sa pa kalin, me atë elegance marramendëse, u bë tjetër njeri, tejet i sjellshëm siç ishte kur i ecnin punët dhe kjo i çuditi ata që punonin me të, ngaqë e ndjenë sikur u shpërfillën njëfarësoj prej një kali. Llazi Serbo e nuhaste kallpin dhe binte menjëherë në dashuri kur zemra i trazohej prej ndonjë shpirti flori që lëshonte tingëllimë të hollë që prej së largu. Po, kështu ishte, ai donte shpirtin e vërtetë, jo falsin. Atij i jepej plotësisht dhe me kohë pësonte zhgënjim, se Llazi donte vëmendje dhe lodhje të madhe, aq sa të rraskapiste me manierat e tij prej artisti poterexhi.
Doruntina e Kadaresë
Me te gjithë u prish dhe me të gjithë mbeti mik. Edhe me mua që po shkruaj këto radhë. Sepse atij i hipi në kokë të bënte film. Po film, ama. Sa e donte atë shkëlqimin e uruar. E ndjente se e kishte diku në ajër si një parandjenjë joshëse dhe donte ta kapte. Për dreq në atë kohë isha shef i skenarit dhe ia rrëzuam Doruntinën e Kadaresë. Llazi Serbo të bëjë Doruntinën? Provoja një si panik, më ishin cënuar rëndshëm ca korniza që na bëjnë rëndom të vegjël. Nuk besoja kurrsesi që kjo kryevepër e Kadaresë të gjente përsosjen në kuadrin prej fillestari të Llazi Sërbos, madje e quajta një aventurë të një kokëkrisuri. Po ai s'hiqte dorë, e solli sërish skenarin që mbante firmën e tij si skenarist, si regjisor dhe interpretues të rolit kryesor, Stresit. Kësaj radhe, kishte shtuar dhe e emrin e Kadaresë si bashkëskenarist. Skenari ra për të dytën herë. Ju thashë, ai kishte magjinë e një aktori që kishte lënë gjurmë të forta dhe bënte menjëherë miq. Edhe Kadareja e kishte pranuar këtë kompromis, natyrisht për hir të simpatisë dhe këmbënguljes së tij të hatashme. E solli për të tretën herë me emrin e Viktor Gjikës si bashkëregjisor. Ishte i papërballueshëm dhe i pamposhtur në fiksionin e tij. Të gjithë e bënin nga dashamirësia dhe emri i mirë që kishte si aktor, po nuk i besonin fort. Mos harroni, ishte sprova e parë e tij në kinematografi dhe jo me një vepër dosido, po me Doruntinën e vështirë që as Kosta Gavras s'e kishte realizuar dot. Llazi ishte mahnitur jo vetëm me artin e madh të Kadarese, po veçmas me mesazhin e përjetshëm dhe aq pranë natyrës së tij; fjala e mbajtur. Prandaj kishte shumë miq, se ai e mbante fjalën, zhgënjehej dhe dëshpërohej pa masë se koha që kishte ardhur s'ishte për fjalën e mbajtur.
Humbja
Pastaj do të kalonin vite dhe ai do të humbiste pothuaj. Atje në Korçën e tij aristokratike, që e ngashënjente fund e majë. U mbyll në shtëpi. Punonte, e ndjente se përjashta në ajrin e kryeqytetit ishte ajo parandjenja që e nxiste për t'ia bërë trak me një vepër të madhe që sërish të ringjallej dhe të shpëtonte prej vetmisë. Por vitet kalonin dhe ai edhe me shumë u harrua. Pastaj na erdhi një ftesë prej tij, do të bënte një darkë të madhe në Korçë. Një mbrëmje e paharruar, po krejt e çuditshme sikur aty të merrte pjesë dhe Edgar Allan Poe. Llazi Sërbo, më i bukur se kurrë, kostum të prerë hijshëm, pa një cen, këpucë lustrina kërcitëse, jashtë dëborë Korçe. Brenda në lokal, qirinj si në nëntëqindën e mangallë të mëdhenj me prush. Ai vetë sikur dilte nga një qytetërim, ashtu na u duk, sa për të dhënë një kumt. Aq i mirë, fisnik, i dashur me të gjithë, sa pak i lodhur, fjalaman, po shumë i këndshëm. Asnjëherë nuk pamë një femër të mbështetur në krahun e tij, për një kohë, aq sa ta mbanim mend, sepse ai zhgënjehej shpejt dhe ishte i paparashikueshëm në marrëdhënie. Prej një fjale, vetëm prej një fjale me dy kuptime e humbje. Prandaj ai quhej prej miqve dhe i humburi. E kujtoja në rininë time aq elegant, një Trintinja joshës, me shumë mister në atë qëndrimin e tij të veçantë, veshur si dendi, aq sa e lejonte ajo kohë dhe gjimnazistët e thërrisnin gjithë pasion; Ej, kingo! E kisha parë me disa femra të bukura zgjedhur sipas shijes së tij, po për një kohë fare të shkurtër. Ai e kishte të shkruar të mbetej vetëm, në kërkim të një vepre të madhe që do t'i vinte vulën, po ndershmërisht ama, se këtë kërkonte me këmbëngulje e me arrati kapriçioze prej zhgënjimit, famën, që gjithsesi e meritonte. Kërkonte lavdinë njerëzisht, midis miqsh, pa shitur mend, po tepër kërkonjës deri në manierë. Donte njeriun e plotë dhe artistin e plotë. Prej kësaj brenge që e hëngri edhe rrojti gjer më sot se do kishte shkuar me kohë. Atij i ishte mbushur mendja se mund të bënte shumë e shumë më tepër dhe vuante prej hapësirave përherë e më të pakta. Ai priste ta kërkonin, i mbyllur brenda, priste si dikur, kur i luteshin dhe kërkesat ishin të pafundme, po kohët kishin ndryshuar. Teatri tejet i varfër, gati për mëshirë, në kohën e lëmoshës, filmi, pothuajse i rrallë, sepse s'i duhej më kujt, njerëzit i kujtonin artistët e mëdhenj vetëm kur vdisnin me një brerje ndërgjegjeje për harresën.
Darka
Pra, e lashë te ajo darka e ringjalljes se Llazi Serbos. Mizaskenë, foni, skenografi, regjisurë e hollë tejëertej, një mondanitet i përmbajtur përplot shije. Po, ai ishte regjisori, dhe në një darke si kjo, se s'kishte ku të tregohej tjetër. Dy hapa më larg teatri i mbyllur dhe pijetorët plot me djerranetësh. Foli shumë bukur për artin e madh dhe artistin dhe e mbylli me ndershmërinë qe e ka çmimin të lartë. Ai e kishte gjetur kësisoj qetësinë te ky vetëizolim larg artit banal. Ishte një darkë si e sajuar enkas për të treguar se ai dinte të bënte një film me stimë të madhe, me atë elegancë aristokratike që rëndom i mungonte estetikës së kuadrit, që për të, ishte një estetikë pa estetikë. E tepronte ca, po ndoshta kjo kishte të bënte më fort me enigmën e tij për të shkëlqyer me një film të madh. Ai, nëse do të vinte, në radhë të parë do të reformonte estetikën e kuadrit duke zgjedhur vepra mjeshtrish të prozës, këto m'i tha si në intimitet me shumë pathos dhe nervozizëm. Ai ngutej sikur nuk i kishte mbetur më kohë e mjaftueshme, i dukej sikur po e pengonin për shkak të zilisë. Vetmia e stërzgjatur e kishte nxitur për ta përshpejtuar misionin e tij, famën, me një vepër të madhe, jo një famë dosido, vetëm shqiptare, po të gjithëbotshme, ndoshta atëherë mund të dilte nga vetizolimi. Ishte si një sozi e atij asketit të malit të shenjtë, Athos, që veçohet në guvën e vet shkëmbore dhe në kohën e gjatë të një sakrifice të skajshme pret t'i shfaqet shenjti e t'i bëjë dritë duke i thënë se është i shenjuari i bekuar që do të shpallet! Ndoshta e kishte parë vërtet në një nga netët e tij vetmitare dhe kjo darkë ishte lajmi i mirë, një shenje për shtegtimin, daljen në shkretëtirë. Ai po nisej, po me pare kishte punë me miqtë. Prandaj kishte aq gjëra të çuditshme ajo natë dhe aq shumë mistike. Gjithashtu s'kishte gëzim më të madh e përdëllyes se sa ky takim i papritur me të humburin. Ai ishte mire, veshur si për një ceremoni me tapet të kuq, një ringjallje e beftë, e paparashikuar, përplot shpresë. Disa madje e preknin, vallë ishte e vërtetë kjo, që Llazi Serbo të kish mbetur ai i pari, eleganti, bukuroshi, i zgjedhuri dhe i luturi për role që gjithsesi edhe sot kujtohen me nostalgji; gjermani te "Nusja dhe shtetrrethimi", Martini, te "Operacioni zjarri", Petro Nini Luarasi te "Kush vdes në këmbë".
Harresa
Pas viteve 90-te, ai ishte regjisor i suksesshëm i disa pjesëve teatrale, po ajo fama e roleve të tij në kinematografi nuk po rikthehej më. Mbaj mend "Opera për tre grosh", të Brehtit. Një triumf i vërtetë. Shkëlqimi i interpretimit të tij qe tronditës, u duartrokit gjatë, por nuk doli në skenë për të përshëndetur, u zhduk. Jo, s'ishte gjë kjo, ai kërkonte me tepër. Ai sërish donte të shprehej, po në një kohë tjetër, që nganjëherë s'vjen për mirë dhe, teksa kërkonte të ngjitej, i ngashënjyer prej pompës së politikës që e mashtroi artin, e la në baltë, toka i vithisej nën këmbë, mori të tatëpjetën, se mjerisht ishte koha e topave që partitë ia drejtonin njëra-tjetrës me batarë e gjëmim dhe vetëm dy-tri role spikatnin, mjerisht, dy tre role politikanësh që s'kishin nevojë për artin e Kadri Roshit, Sulejman Pitarkës, Agim Qiriaqit, Llazi Sërbos, se ishin vetë të mjaftueshëm dhe mjaft të suksesshëm. Ç'të bënte Llazi Serbo ndërkaq, ai për shkak të përsosjes, ambicies artistike, aristokracizmit gjer në hollësi të sqimës, harroi dhe të kishte një grua, pa harroi të kishte dhe fëmijë, sepse asketit të malit të shenjtë të vetmisë, nuk i dilte koha për Doruntinën dhe Tat Tanushin, që edhe ato ishin një ëndërr e mrekullueshme, po jo një përmbushje, se artistit prej kohësh i kishin plaçkitur artin. Jam i bindur se po të ishte gjallë Mitrush Kuteli, nuk do të refuzonte të vinte emrin e tij si bashkëskenarist me Llazi Sërbon, siç bëri dhe Kadare, sepse atij nuk i bënte dot ballë njeri, as vetë Zoti. Llazi Sërbo ishte si një fëmijë, si ai fëmija i çuditshëm që kërkon me pafajësi prekëse dhe guxim të tepruar stolitë e çmuara që s'jepen te një fëmijë. Sikur të mos ia jepnin, ai ju qepej, gjersa ata të dorëzoheshin me buzë në gaz. Pastaj ai u dorëzua dhe vetë dhe u izolua në shtëpinë e tij në vetmi. Dhe pastaj u harrua. Dhe prej harresës e nxori vdekja. Vdekja e bëri prapë të njohur. Vdekja! Kjo i kishte mbetur më në fund!
Nju Jork 2010

Friday, September 17, 2010

Secili vdekjen e vet


Ajo që aktori i filmave tanë i bëri vetes duke e vrarë me çifte, na ka
pikëlluar e dëshpëruar pa masë të gjithëve; sa mua që s'kam parë deri
më sot asnjë film shqiptar, po aq edhe ata që për shfaqjen e atyre
filmave paguajnë, si dhe mijëra të tjerët që gdhihen e ngrysen mbi
televizor duke parë lëveret artistike me partizanë trima, gjermanë
frikacakë, italianë qesharakë, diversanta budallenj, dhe natyrisht të
gjithndodhurit sigurimista syshkabë e inteligjentë sa s'thuhet.
Kjo vet-vdekje e kobshme që erdhi kaq papritur e dikujt që ishte jo
vetëm aktor por edhe dëshmitar i fëlliqësirave filmike-teatrore nga më
të pështirat e historisë së rruzullit, ishte pra, për të gjithë ne,
një humbje sa e madhe dhe misterioze. Sidomos misterioze. Për një
numër arsyesh, tashmë të mbuluara nga dheu i varrit, njëra më e errët
se tjetra. Le të mundohemi të hedhim sadopak dritë mbi arsyet e kësaj
ndodhie të pazakontë.
Së pari, të bën përshtypje një gjë: Shënimi i lënë nga aktori lidhur
me ngjashmërinë e lakmuar të vdekjes së tij me tjetrën vdekje të
paradokohëve, atë të Bekim Fehmiut. Në fakt, Bekim Fehmiu, sipas
dëshmive të nipit të tij, i dha fund me dashje jetës për një arsye të
vetme; sepse ishte katandisur aq keq me shëndet sa kishte probleme me
pelenat të cilat nuk mund të duronte t'ia ndërronin të tjerët, ose
shkurt, për arsye të asaj që populli ynë e quan "dhjerje nën të". Pra
arsyeja pse aktori shqiptar me famë botërore që luajti në mënyrë
gjeniale Uliks-in në filmin omonim, ai që pas një jete gjeniale
preferoi një vdekje më se njerëzore, është më se e kuptueshme. E
pakuptueshme dhe misterioze ndërkohë, është dhe mbetet, dhe do mbetet,
se si dhe pse aktori ynë që gjithë jetën luajti role plehu pretendoi
vdekje gjeniu ?! Dhe të mendosh se pretendimin për një vdekje të madhe
si të Bekim Fehmiut, aktori ynë që s'pati aspak probleme pelenash, e
la amanet me shkrim, luan mendsh krejt.
Mund të kërcejë përpjetë ndonjëri, apo disa, duke uluritur se nuk
flitet kështu për një të vdekur. Sepse një numër aktorësh të kohës së
shkuar, për t’u shfajësuar, e kanë pohuar me gojën e tyre se me filmat
që kanë luajtur janë tallur, se gjithçka ka qenë propagandë etj. etj.
Këto mund të jenë deridiku edhe të vërteta, por këto dhe të tjera nuk
shfajsojnë askënd përderisa dihet se thertorja nuk ka brenda vetëm
thika dhe hanxharë, por edhe mjete paqësore aspak të mprehta, si për
shembull, trungu i trashë ku vihet koka.
Së pari, aktori ynë nuk vdiq, por vet-vdiq, gjest ky, që e dënojnë
njësoj, si Bibla edhe Kurani. Së dyti, dhe më e rëndësishmja: përtej
Vdekjes, Jetës, Kuranit, Biblës, unë dhe mijëra të tjerë nuk mund t'ia
lejojmë vetes të ndiejmë më tepër keqardhje për një njeri që nëpër
filma luajti me aq zell role kriminelësh të cilët njerëzit tanë i
pushkatuan rrëzë kanaleve, i varën në degë lisash dhe i sëmurën e i
kalbën nëpër burgje dhe internime. Se vërtet mund të jenë të pafundme,
kaltërsitë e Qiellit, mëshira e Zotit, Universi dhe budallallëku
njerëzor, por jo edhe durimi ynë.
Prandaj le t'i lemë dënglat keqardhëse universale dhe të vazhdojmë me
arsyet misterioze.
Dihet se shqiptarët e kanë për zanat t'ia vjedhin jetën njëri-tjetrit.
Rasti tragjik i aktorit tonë, duke pasur parasysh sa thamë më lart për
Bekim Fehmiun, mund të ketë lidhje me një tjetër pretendim të tij; atë
të krijimit të një precedenti të kundërt, përvoje apo trendy të ri, të
paparë e të padëgjuar deri më sot, atë të vjedhjes së vdekjes së
tjetrit. Ky supozim në dukje i sforcuar, e ka një bazë reale nga, me
gjasa, mund të jetë nisur aktori fatkeq. Pa marrë parasysh përgojimin,
lidhur me të cilin ne shqiptarët shquhemi, prishja dhe shprishja aq e
shpeshtë e varreve dhe kockave e më të mëdhenjve të historisë tonë,
është një fakt që dihet. Mes numrit të pafund të shembujve, të
shkruarit e një libri qindrafaqësh për Lasgushin e madh nga një
gjytyrym hendekhedhur, i cili prej Lasgushit nuk di asnjë rresht, a
s'është provë ?! Nga ky këndvështrim, garën tashmë të njohur të
kockalëvizësve të më të mëdhenjve tanë, qëllimi i vetëm i të cilëve
s'është gjë tjetër përpos vjedhja e vdekjes së tjetrit, s'është çudi,
aktori ynë, me gjestin e tij, këtë vjedhje ka tentuar ta
institucionalizojë.
Aktor rolesh me partizanë fytyrëvrenjtur, sythellë e flokëshumë, që
vrasin e presin e ulurasin sa majtas e djathtas me rrotull fëmijë me
yll të kuq në ballë, duke i instruktuar si të bëhen vrasësa sa më të
pabesë dhe spiuna sa më të fëlliqët, s'është çudi edhe tjetra; Gjatë
viteve heroi ynë mund të ketë vënë re ndonjë ngjashmëri mes vetes dhe
ndonjërit prej partizanëve të Mozaikut mbi Muzeun Kombëtar. Ky fakt
mund t'ia ketë rritur përbindshëm bindjen për pavdekshmërinë e vet. Aq
sa, tashmë, kur ai Mozaik shumëfish i mbuluar pa asnjë shpresë
rizbulimi, mund t'i ketë shkaktuar po aq dëshpërim sa bëri... atë që
bëri. Këtu duhet theksuar diçka. Ngjashmëria e flliqsirave të Mozaikut
me persona realë nuk është kurrsesi një trillim i imi. Pak ditë më
parë mora vesh një lemeri dhe shëmti të skëterrshme të
paimagjinueshme: Njëri nga piktorët e Mozaikut, në njërën nga ato të
egërsirat e çmendura me pushkë përpjetë, ka dashur të pavdekësojë,
përpjetë hidhu dhe kurrë mos e beso po deshe, por është absolutisht e
vërtetë, hiç më pak se motrën e vet të vdekur.
Kur u ndërrua sistemi, pas nomenklaturës që duhej të ishin, dhe qenë,
të parët që duhej të zhdukeshin nga skena, fill pas tyre, ata që
domosdoshmërisht duhej largoheshin, si nga skenat e filmave dhe
teatrove, po ashtu dhe nga sytë e publikut, do duhej të ishin ata që
luajtën filma vrroma dhe teatro pocaqira, shkurt, ata që ua shpëlanë
trutë shqiptarëve. Por ç'ndodhi ? Ata jo vetëm që s'u larguan, por u
afruan edhe më tepër, dhe ndërmend s'e kanë të shkulen. Sot e gjithë
ditën, pikërisht ata, ndjekur nga lukunira gazetarësh sahanlëpirës,
nëpër ekrane e gazeta, revista e ceremonira, promovime e dallavere,
vazhdojnë ende ta cilësojnë njëri tjetrin "korife'", "legjendë",
"gjeni" etj. etj. Të ketë qenë vallë gjesti me çifte gjahu i aktorit
tonë një pendesë e vonuar, si të thuash, një ndjesë për rolet e
lëtyrta, shpresë që pas një jete provizore të zezë të gëzonte një
vdekje të pafundme të bardhë ? Një justifikim i tillë mund të bëhet
vetëm nga mëshira. Por as kjo s'qëndron. Sepse, pikërisht ata që në
rrethana të tilla do duhej të ishin më të mëshirshmit, pra miqtë e
tij, po thonë se ai kishte vajtur aq larg sa vetja i dukej Klint
Istvud.
Meqë jemi te miqtë, miqtë të bëjnë hatanë. E di ç'tha njëri prej të
tijve këto ditë ? Tha se mes jetës së fatkeqit tonë dhe asaj të Bekim
Fehmiut ka një paralele ! Sa i poshtër dhe dinak ky mik. Nëse ka jetë
që s'kanë asgjë të përbashkët mes tyre, ato janë pikërisht jetët
paralele. Për arsyen e thjeshtë se paralelet nuk takohen ! Thuam tani
se kush e urren më tepër aktorin e vetëvrarë: miku i tij dinak, i cili
me këto që shkruan në gazetë e vret edhe pas vetëvrasjes, apo unë që
për të me pastërtinë më të madhe po them dy fjalë ?!
Por bëmat qëllimkëqia të mive s'kanë të mbaruar.
Një tjetër mik i tij, në këto ditë zije për të ndjerin, dëshmon tjetër
gjë. Thotë se, ai, heroi ynë, bënte ç'bënte dhe sajonte skenarë. Që
shkruante skenarë s'ka asgjë të keqe. Jo sipas meje, por sipas mikut
të tij, këta skenarë ai ua shpinte të mëdhenjve për firmë. Sipas
mikut, aktori e ka bërë këtë në mënyrë që, para komisioneve, bashkë me
veten, të mëdhenjtë t'i paraqiste si bashkautorë skenari. E ata, s'do
mend, për ta hequr qafe, kanë firmosur. Tani njëra nga të dyja, se
tjetër s'ka; ose miqtë gënjejnë, ose heroi ynë nga të tilla turpe
veten vrau.
Një variant tjetër që ma tha njëri dje është ky: Aktori ynë, me
shpresën e marrë se aktorët e moshuar të Hollivudit, as Bekim Fehmiun
as vdekjen e tij, nuk e njohin, vajti me tjetër shpresë; Se, kur këta
hollivudianë t'i afroheshin fundit, të imitonin atë që luajti filma me
partizanë te Shqipëria e Re, domethënë të vrisnin veten me çifte si
ai. Madje, imagjinata e atij që ma tha këtë, vajti edhe më larg,
fluturoi edhe më. Sipas tij, kjo zilepsje e pashoqe pas Shqipërisë së
Re nuk ndalet aty. Sipas tij, pas precedentit të parë me çifte, të
moshuarit e Beverly Hills-it, do ishin pasionuar aq tepër me këto lloj
vdekjesh alla shqiptarçe, dhe do ishin zilepsur aq shumë mes vedi, sa
do prisnin me ankth për të mësuar; Cilën po priste Elisabet Taylor-i,
atë të, larg qoftë, Tinka Kurtit, apo, Perëndia mos e dhëntë, atë të
Margarita Xhepës, Ben Kingsley, Zoti na ruaj, atë të Robert Ndrenikës,
apo, ngjallu Abas Ali, atë të Reshat Arbanës etj. etj. Pavarësisht se
sa rëndësi ka në hedhjen dritë ndaj së vërtetës, unë këtë që më tha ky
mik, i imi, jo i aktorit, nuk e besoj.
Këtë nuk e besoj, por besoj tjetrën. Atë që një pogradecar serioz
rrëfen; "Ndodhi kështu... kryetari i Bashkisë së Pogradecit... në
vitin 1998 lëvroi një fond të veçantë për ngritjen e një monumenti për
Lasgush Poradecin. U miratua fondi 12 milionë lekë të vjetra. Asokohe
krejt papritur paraqiten dy autorë nga Korça, skulptori... së bashku
me aktorin Llazi Sërbo (për çudi të të gjithëve edhe Sërbo shfaqet si
skulptor, kur të gjithë talentin ia njohin për aktor). Bocetit të
Lasgushit të paraqitur në Bashki iu bë kundërshti e hapur dhe e fortë
nga artistët e rrethit, piktorë e skulptorë që e cilësuan “punë të
dobët”. Megjithatë bashkia hapi fondin dhe u realizua i ashtuquajtur
monument i derdhur në allçi dhe i lyer me varak të verdhë që të jepte
idenë e bronzit. Megjithë kundërshtimet edhe nga qytetarët, monumenti
mbi 2.5 m i lartë u vendos në hollin e Pallatit të Kulturës. Në trup
poetit i ishte ngjitur një gjarpër me gjasë simbolikën e diktaturës që
i ishte qepur mbi xhaketë poetit. Kjo vepër qëndroi aty për disa muaj
dhe një ditë, nuk dihet me urdhër të kujt, u hoq nga holli i sallës së
shfaqjeve e cila u dha me qira...".
Mund të thuash sa të duash, se s'ka jetë njerëzore pa hove mëngjesesh
dhe dëshpërime muzgjesh, se jeta është e dashur dhe e bukur, sepse nuk
dihet kur përfundon, se vetëvrasja është një zgjidhje e përhershme e
cilitdo problem provizor, se të dëshpëruarit më të mëdhenj janë
shakaxhinjtë më të mëdhenj, se nuk ka kuptim t'i japësh fund jetës
tënde kur atë punë nuk e lë kurrë pa e bërë vetë jeta. Dhe për të
gjitha këto, e plot të tjera, nuk ke pse e vret veten edhe sikur të
vuash, bashkë me të zezën e ullirit, duke kaluar nga e purpurta e
Onufrit, edhe të kuqen e gjakut të pushkatimeve dhe burgjeve, të
cilave u bënin hosana filmat. Por më e rëndësishmja është që, me çifte
a me teke, duke llapur a duke shkruar, duke gënjyer a duke vjedhur,
secili të lihet i lirë ta zgjedhi vet vdekjen e vet. Pa marrë parasysh
faktet dhe hamendjet e mësipërme, aktori ynë, këtë e bëri. Ai brenda
ZOO-së tonë, nuk qëlloi ndonjë shtazë tjetër, por veten e vet. Për
këtë meriton një falënderim, dhe një: Ndjes' pastë.

gazeta MAPO, 17 shtator 2010

www.edisonypi.com

Gjosho Vasija-Rapsodì: “Metamorfoza e djallit..“

–”Hé Gjosho Vasija, a po m’njeh?!?!”


–”Shih pashë buken ke po shoh….

posi gjanem nuk po t’njoh?

Kemë pasë shpijat pranë e pranë,

t’kam njoftë babë e t’kam njoftë nanë.

kemë luejtë bashkë në kohë t‘f’minis

masandej në moshë t’rinisë

shpejt u fute n’gjij t’partisë

dhe u bane komunist

si ma i ndezti aktivist,

me nji fjalë të dhanë kulturë

tue vu gur e tue ba murë

me ndertue atë diktaturë”–…



—”Çka me bà…Asht mbyllë tash dera,

kanë qenë krejtë do kohna tjera.”—


—”Vertetë kjenë do kohna tjera…

Komunizmi kje kolera,

kje trathtija, vrasja e mnera.

Injoranca deri n’bindje

se do’e çojmë atdheun në Lindje.

Edhe moret thikat n’dorë,

edhe niset pa hiç zorë

me i ra tok’s kryq e terthurë

tue shtrij n’popull diktaturë

N’gjak u mbluene votrat tona,

helm u hodh mbi sofrat tona,

ç’u mbush toka me kufoma,

si e si me urdhen t’shkjaut

me ia nxjerrun shpirtin vllaut…

Sot besoj se kjo doktrinë

si e kalbun, qelbësinë

duhet vàr tek nji vetrinë,

ku sejcili kalimtar

të ndalohet, puna e parë,

e pa zor e pa poterë

do ta pshtyjnë nja 30 herë”—..


“—Ke të drejtë, mjerim çdo skaj,

por dhe nè nuk patem faj..

Fillë sa hymë na gjujten n’rrena,

rrena e rrena, çdo orë rrena

erdh nji ditë e na u mbush ena

që besuem se me t’vertetë

do t’i japim vendit jetë.”—


—”Sot ku je, çka je tue bà,

a po merresh me ndoj gjà,

me thye tokë a me prè drù,

ndoj pullaz me rregullue,

me kullotë kund dhen a dhì,

a por ndoshta je ndry n’shpi

fukara me lugë, pa lugë,

se ke zor me dalë në rrugë,

frigë se t’gjujnë fmija me gurë

si pjestar në ‘diktaturë?”—


“—Po, diçka kam ardhë verdallë

mos me mbetë si peshku n’zallë..

Shpejt u mblodhem, biseduem,

fillë nga triskat u liruem,

disa i hodhen nder fekale,

disa i treten nder kanale,

se ma ftyra e diktatorit

nuk e dij ku a tretë prej zorit

por mbaj mend i bamun n’copa

copa e copa ku pat gropa –

Masandej si qethen dhent

edhe ne i qethem mendt

edhe fillë e “no koment”

filluem punen n’Parlament.”


“—Komunista në Kuvend???

Ti po rrenë a me gjithë mend,

Deputet me hy n’atë prak,

ju që’i keni duer’t me gjak,

ju bash mjeshtrat e torturës,

baballar’t e diktaturës?”—-


“–Njashtu asht, por kjo spjegohet….

Kur me drù pop’lli nenshtrohet

e me rrena perpunohet,

rrena e rrena e kaçarrena

deri që t’i mbushet ena,

e ti bahet shqiptar ngratit

jo ma larg se tesha e shtatit,

ajo turmë harron disprimin,

dhe miqësohet me rregjimin,

sa që deri diktatorin

per si babë e rreh krahnorin..

Sot prap jemi të nderuem,

të pershndetun, të trajtuem

kemi prona me 8 kate

e dikush me 12 kate….

Që ta dijsh Gjosho Vasija

asht e thjeshtë ketu historia…

Komunizmi kurr nuk vdes

sa t’kenë bota faqezes,

ai livizë ose ndrron ves,

der djè lkurë e n’diktaturë

sot me rrogë e me veturë,

der djè i kuq e sot bojë rozë

me nji fjalë e thanun n’prozë

ajo pëson metamorfozë,

pra nuk vdes, por rrin i gjallë

sepse kemë nji mende djallë,

e nji popull krejtë budallë.”—


“–Kam ba mirë unë si shqiptar

që jam zhdukë si mergimtar

mos me’i pà mà’ ato vrastarë,

ato qej, ato kusarë…..




Gjosho – Mergim—2010