Saturday, February 5, 2011

Fahri Balliu interviste

Arvizu: Qeveritë ndryshohen me zgjedhje jo protesta (VIDEO…)


Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, Aleksandër Arvizu, thotë në një intervistë për Zërin e Amerikës se përfaqësuesit e zgjedhur dhe qeveritë nuk ndryshohen me protesta në rrugë, por përmes procesit elektoral. Duke shprehur mbështetjen e fortë të Shteteve të Bashkuara për Prokuroren e Përgjithshme të Shqipërisë, zoti Arvizu thotë se sistemi politik i Shqipërisë duhet të funksionojë në përputhje me statusin e saj si një vend i Natos, ku një tregues kryesor është roli i institucioneve të pavarura.

Zëri i Amerikës: Ju keni ardhur ditët e fundit nga Shqipëria, ku jeni përfshirë intensivisht në procesin për të qetësuar gjendjen. Cili është vlerësimi juaj për Shqipërinë?

Ambasador Arvizu: Ka rreth një javë që jam këtu në Ushington. U ndjeva i lehtësuar kur dëgjova se demonstratat sot në Tiranë, Korçë, Vlorë e Lezhë përfunduan në paqe. Ky është një zhvillim pozitiv. Do të uroja të kishim mundësi të thonim të njejtën gjë edhe për atë që ndodhi më 21 janar. Pa dyshim që situata mund të ishte më e mirë. Dua të ndalem në dy çështje si fillim. Dhe faleminderit që më jepni këtë mundësi.

Së pari, kam dëgjuar jo pa shqetësim, argumentet e disave se Shqipëria nuk është gati për demokraci, ose se institucionet demokratike nuk ekzistojnë. Nuk jam aspak dakord me këtë. Fakti është se ka institucione demokratike. Atyre u duhet dhënë hapësirë që të punojnë. Ne kemi qënë shumë të angazhuar e të përfshirë në këtë drejtim, në mënyrë që të krijojmë një hapësirë më të madhe politike. Shikoni shtypin në Shqipëri, që mund të shërbejë si një matës i mirë i faktit që demokracia po funksionon. Tri prej katër gazetave ditore me qarkullimin më të madh, "Gazeta Shqiptare", "Shekulli" dhe "Shqip", janë pro opozitës, ose anojnë nga opozita. Në televizion, stacioni më i madh privat, më popullori, Top Channel, anon nga opozita. Nuk po them se kjo garanton që demokracia po funksion me të gjithë cilindrat, por për mua, ky është një tregues që fara është atje, që elementët janë atje. Dua të theksoj që Shqipëria nuk është një shtet i dështuar, është një demokraci funksionuese, që po gjen rrugën e saj dhe që ka nevojë për kohë.

Çështja e dytë që dua të shtroj ka të bëjë me rolin e Shteteve të Bashkuara. Çfarë roli kanë Shtetet e Bashkuara në Shqipëri?

Kam dëgjuar që thonë se Shtetet e Bashkuara duhet të zgjedhin mes stabilitetit dhe demokracisë. Dua të ndalem shkurtimisht tek kjo, se e di që nuk kemi shumë kohë. Kur mendoj ato që po bëjmë ne në Shqipëri, vetëm për këtë vit fiskal ne do të shpenzojmë 20 milionë dollarë për programe të ndryshme që synojnë të nxisin respektin për institucionet, shtetin ligjor, luftën kundër korrupsionit, trajnimin e prokurorëve dhe gjykatësve.

Ne po ndihmojmë në përmirësimin e qeverisjes në administratat lokale, po ndihmojmë për biznesin e vogël, po shpenzojmë miliona dollarë për shkatërrimin e municioneve të vjetra, që aksidente si Gërdeci mos të ndodhin më.

Në Shqipëri kemi rreth 70 vullnetarë të korpusit të paqes, të shpërndarë në të gjithë vendin. Shumica janë të rinj idealistë amerikanë, ndonëse një është një grua 70 vjeçare që punon në Shkodër. Po ashtu, kemi mijëra amerikanë që vijnë në Shqipëri dhe mijëra shqiptarë që vijnë në Amerikë për të jetuar.

Ne sot po mbështesim për shembull Prokuroren e Përgjithshme dhe përpjekjet e saj për të hetuar në mënyrë të pavarur rrethanat për incidentet e 21 janarit. Që ky hetim të jetë i besueshëm, shtrirja e tij duhet të jetë e gjithanshme dhe siç e dini, ne e kemi shprehur qartë mbështetjen tonë për të. Kur e shoh gjithë këtë gamë aktivitetesh u them të tjerëve: më thoni, a nuk janë Shtetet e Bashkuara në anën e demokracisë në Shqipëri?

Zëri i Amerikës: Le të qëndrojmë këtu, në rolin e Shteteve të Bashkuara. Ka zëra, për shkak të angazhimit tuaj, ka një perceptim, që ju mbështesni qeverinë demokratike të kryeminsitrit Sali Berisha. Cili është reagimi juaj?

Ambasador Arvizu: Kur fola me Prokuroren e Përgjithshme dhe shkëmbyem mendimet për situatën dhe ajo më propozoi të bashkëpunonim dhe siç e dini ne kemi sot jo vetëm FBI-në, që po ndihmon në anën kriminalistike, por po ndihmojmë edhe me prokurorë për hetimet. Për mua kjo tregon se ne nuk mbajmë anë. Ne nuk mbajmë as anën e qeverisë dhe as të opozitës.

Po përpiqemi të bëjmë atë që është më e mira për Shqipërinë. Po japim ndihmesë për institucionet e pavarura, siç është zyra e Prokurores së Përgjithshme. Ne po shpenzojmë fonde të qeverisë amerikane për të ndihmuar me hetimet, pasi për mua, hetimet janë jetike për të sqaruar shumë çështje dhe shqetësime. Ne nuk po mbajmë anë.

Zëri i Amerikës: Ju thatë që Shqipëria nuk është një shtet i dështuar, por ajo mund të konsiderohet se është në mes të një krize politike. Ngjarjet e fundit kanë nxjerrë në pah përplasjen e institucioneve. Zyra e Kryeministrit ka kritikuar zyrën e Presidentit, të Prokurores së Përgjithshme, të shërbimeve të zbulimit. A jeni i shqetësuar nga kjo mungesë komunikimi, nga kjo mungesë bashkëpunimi mes institucioneve të pavarura?

Ambasador Arvizu: Po, jam shumë i shqetësuar, pasi në çdo demokraci, që ajo të funksionojë dhe të jetë e efektshme, duhet të ekzistojë sistemi i kontrollit dhe balancës. Ky është thelbi i sistemit në Amerikë dhe i shumë demokracive në Evropë, i Bashkimit Evropian, pjesë e së cilës dëshiron të bëhet Shqipëria. Shqipëria është vend i Natos dhe sistemi politik në Shqipëri duhet të funksionojë dhe veprojë në përputhje me këtë status. Një tregues kryesor është roli i institucioneve të pavarura. Por, dua të theksoj po ashtu se u takon njerëzve që janë në krye të këtyre institucioneve, si Prokurorja e Përgjithshme, Drejtori i ShISh-it, apo edhe zyra e Presidentit, u takon këtyre që t’i realizojnë funksionet e këtyre zyrave në një mënyrë të tillë, që të zgjidhin shqetësimet shtetërore, pra duhet të ketë integritet në kryerjen e funksioneve të këtyre institucioneve.

Disa here ato mund të jenë në konflikt me qeverinë, disa here me opozitën. Kjo është normale. Në çdo sistem politik ka tërheqje dhe lëshime. Ne jemi të palëkundur në mbështetjen tonë për këto institucione. Unë e kam bërë këtë shumë të qartë në takimet e mia me kryeministrin Sali Berisha. Ai e ka të qartë dhe e kupton shumë mirë qëndrimin tim dhe të qeverisë amerikane në këtë drejtim.

Zëri i Amerikës: Cili është mendimi juaj për komisionin që u krijua së fundi nga parlamenti për të hetuar ngjarjet, dhunën e 21 janarit?

Ambasador Arvizu: Në çdo demokraci një parlament i efektshëm, është një nga shtyllat e shtetit. Në Shtetet e Bashkuara ka shumë sisteme, shumë mekanizma përmes së cilave Kongresi mund të kryejë hetime. Për fat të keq ky komision parlamentar mbizotërohet nga demokratët, pasi socialistët e kanë bojkotuar. Komisionet kanë një rol në demokraci. Por përsa i takon qëndrimit tonë, hetimet e vërteta, ato për të cilat ne po ndihmojmë, janë ato që po kryhen nga Prokurorja e Përgjithshme. Ajo gëzon mbështetjen tonë të plotë dhe ne jemi të angazhuar të punojmë me të. Vura re se para disa ditësh, asaj iu kërkua të dilte para komisionit parlamentar. Ajo doli, po nuk pranoi t’u përgjigjej pyetjeve. Unë e mirëprita faktin që ajo doli para komisionit. Kjo tregon se ajo respekton të drejtën e parlamentit si institucion, që ta thërrasë atë si një zyrtare shteti. Po ashtu, ajo përdori edhe të drejtën e saj për të mos iu përgjigjur pyetjeve, pasi në fakt ajo vetë është duke kryer hetime. Për mua ky është një tregues i një demokracie në veprim.

Zëri i Amerikës: Në Shqipëri shumica përmend shpesh fjalën grusht shteti për 21 janarin. Cili është mendimi juaj? A mund të flitet për grusht shteti në Shqipëri?

Ambasador Arvizu: Kjo është një akuzë shumë serioze dhe duhet të mbështetet me fakte. Në se ka të dhëna, atëhere qeveria duhet ta paraqesë këtë rast. Është një akuzë shumë serioze.

Zëri i Amerikës: Ka zëra, se opozita nuk do të marrë pjesë në zgjedhjet lokale të majit. Si do të ndikojë kjo për klimën politike në Shqipëri?

Ambasador Arvizu: Ka ende kohë deri më 8 maj. Mendoj se do të ishte jashtëzakonisht për të ardhur keq, në se zgjedhjet nuk do të zhvilloheshin. Dhe do të ishte po aq keq nëse opozita, ose ndonjë parti tjetër, do të vendoste të mos merrte pjesë.

Demokracitë funksionojnë vetëm kur ka zgjedhje të besueshme. Kjo është mënyra si ndryshohen përfaqësuesit e zgjedhur, si ndryshohen qeveritë. Ato nuk ndryshohen me protesta në rrugë, apo me demonstrata. Ato ndryshohen përmes procesit elektoral. Dhe në Shqipëri ky sistem ekziston. Me sa di unë, nga dhjetë qarqet e mëdha në Shqipëri, socialistët kontrollojnë nëntë prej tyre, përfshirë Tiranën. Përjashtim bën vetëm Shkodra në veri. Socialistët kanë një barrë të rëndë për të mbrojtur këto vende. Jam i sigurt se anëtarët e Partisë Socialiste, që janë të zgjedhur për këto vende, ndoshta e shohin në interesin e tyre të bëjnë fushatë dhe të rizgjidhen. Nuk ka shumë kohë. Uroj që partitë nuk do t’i mbyllin rrugët për zhvillimin e zgjedhjeve.

Në Tiranë shkoi para rreth dy javësh një mision vlerësues i ODIHR-it, dhe sipas tyre, mekanizmat për zhvillimin e zgjedhjeve ekzistojnë. Tani ndoshta është tepër vonë për t’i bërë ndryshime sistemit zgjedhor për më 8 maj. Të gjitha partitë kanë shkelur disa afate, siç është ajo e regjistrimit të kandidatëve. Nuk është mirë, por ka ende kohë, ndonëse jo shumë.

Zëri i Amerikës: Ju keni bërë thirrje për dialog. Mendoni se ende ka hapësirë për bisedime? Çfarë mund t’i bashkojë ata tani. Sepse pozicionet e tyre janë shumë larg...

Ambasador Arvizu: Unë shkova në Shqipëri më 2 dhjetor dhe arrita në një kohë kur opozita nuk merrte pjesë në parlament. Pra në atë kohë, hendeku ishte mjaft i madh, por kur e shikoj sot, ai është shumë më i madh dhe gjendja është më e tensionuar. Nuk ka arsye për ta fshehur, kjo gjendje është mjaft serioze. Unë kam komentuar publikisht për të shpjeguar se si unë e kuptoj kompromisin. Por mendoj se duhet një përpjekje më e madhe, që njerëzit të dalin nga vetvetja dhe të dëgjojnë.

Dëshiroj t’ju tregoj një histori shumë të shkurtër. Më 29 janar, një ditë pas demonstratës, në mëngjes herët po shkoja në ambasadë dhe i thashë shoferit nëse mund të kalonim me makinë nëpër bulevard. Isha vetëm me shoferin dhe me disa shqiptarë të tjetër që rrinë gjithmonë me mua për sigurinë time personale. Dolëm nga makina dhe filluam të ecim. Bulevardi ishte thuajse i zbrazët. Pashë një karafil të kuq që kishte mbetur aty nga një ditë më parë. E mora dhe vendosa ta mbaj. Kur po përkulesha për ta marrë, aty po vinin tre shqiptarë të moshuar. Megjithëse nuk flas shqip, e kuptova atë që më tha një grua mes tyre. “Mos jeni ambasadori amerikan”? pyeti ajo. “Po”, iu përgjigja. Ajo kapi dorën time dhe nisi të qajë. Ishte shumë e trishtuar. Pastaj më tha disa fjalë që mi përktheu ndihmësi im shqiptar. Deri tani nuk ia kam treguar këtë histori askujt tjetër, as njerëzve në zyrën time. Me pak fjalë ajo tha: “Ju duhet të na ndihmoni”. E përfytyroni dot sa të fuqishme ishin ato fjalë që shqiptoheshin nga një grua e moshuar shqiptare? Ajo tha edhe disa gjëra të tjera, kishte mendimet e saja politike, por kjo ishte mes asaj dhe meje, askush tjetër nuk ka përse ta dijë. “Të falenderoj që ma the këtë”, iu përgjigja unë. I thashë se “premtimi im për ty është se çdo ditë që do të jem në Shqipëri, do të punoj për të forcuar miqësinë mes dy vendeve tona dhe popujve tanë. Unë nuk jam veçse një ambasador amerikan, por do të punoj që Shqipëria të bëhet një vend më i mirë për qytetarët e saj. Prandaj, kam vendosur që kur të kthehem në Shqipëri, të udhëtoj më shumë nëpër vend. Natyrisht kjo ka qenë gjithnjë në planet e mija, por unë dua të udhëtoj për të dëgjuar më shumë atë që mendojnë qytetarët.

Rekomandimi im i sinqertë, si për qeverinë, për partinë në fuqi, ashtu edhe për opozitën është ky: Nuk ka gjë të keqe të bëjmë demonstrata, sa kohë që ato janë paqësore. Por në vend që të bëjmë demonstrata të premteve, mendoj se të dy palët mund të organizojnë ditën kombëtare të dëgjimit të opinioneve. Pra, le të mos kemi konferenca shtypi nga Kryeministri, as intervista dy orëshe nga Edi Rama në News 24, as deklarata nga zoti Patozi, kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike dhe as reagime nga Spartak Ngjela. Me fjalë të tjera, le të mos kemi komente për shtypin. Por le të shkojnë ata në terren, jo në bazën e tyre zgjedhore, por diku tjetër dhe të dëgjojnë atë që mendojnë njerëzit. Mendoj se ia vlen të provohet.

Zëri i Amerikës: Në këtë situatë mjaft të tensionuar çfarë mund të bëhet tjetër veç thirrjeve për të ulur retorikën mes dy udhëheqësve?

Ambasador Arvizu: Mendoj se kjo është një pyetje që vetë udhëheqësit duhet t’i përgjigjen nga brenda vetes së tyre Ju patjetër që e dini pikëpamjen time dhe të Shteteve të Bashkuara, të cilën ne e kemi shprehur qartë. Besoj se edhe pozicioni i Bashkimit Evropian dhe secilit vend të tij të veçantë ka qenë shumë i qartë, po ashtu edhe i OSBE-së dhe i miqve të Shqipërisë në botë. Ne mund të flasim pa fund, deri sa të na ngjiret zëri dhe të themi të drejtën, zëri na është ngjirur. Por është e nevojshme që të dale diçka nga brenda, duhet një anagazhim i njerëzve si Sali Berisha, si Edi Rama dhe mbështetësve të tyre, pra duhet vullnetin e tyre për të gjetur rrugëdaljen. Por kjo duhet të vijë prej tyre.

Zëri i Amerikës: A do të thotë kjo se komuniteti ndërkombëtar, duke përfshirë Shtetet e Bashkuara, nuk do të ë ndërmjetësojnë dhe t’i ndihmojnë ata për të zgjidhur problemin?

Ambasador Arvizu: Shqiptarët duhet t’i zgjidhin vetë problemet e tyre. Ne mbështesim pa lëkundje institucionet e tyre.

Zëri i Amerikës: Por a do të dërgoni ju ndërmjetësues atje?

Ambasador Arvizu: Ne i kemi provuar të gjitha për të lehtësuar dialogun. Nuk e di nëse mund të jemi më të qartë se kaq. Nuk e kuptoj se përse zgjedhjet vendore të majit të mos jenë një farë referendumi kombëtar. Kemi dy kampe kundërshtare të kundërta me pikëpamje mjaft të kundërta. Lajmi i mirë është se ndryshe nga vendet e tjera të botës, këtu nuk kemi të bëjmë me dy ideologji të kundërta lidhur me drejtimin e ardhshëm të vendit. Asnjë njeri serioz në Shqipëri nuk është për ndonjë drejtim tjetër veçse për integrimin e plotë të Shqipërisë në Bashkimin Evropian dhe në Perëndim, për vazhdimin e lidhjeve të ngushta me Shtetet e Bashkuara. Pra, nuk ekzistojnë ndarje serioze sektare në Shqipëri. Kemi të bëjmë thjesht me politika personale.

Zëri i Amerikës: Vërtet që atje nuk ka ideologji të kundërta por ka interesa të kundërta ekonomike dhe prandaj lufta është kaq e ashpër...

Ambasador Arvizu: Absolutisht e vërtetë, por kjo është pjesë e demokracive të hapura. Shpërblime politike ka edhe këtu në Shtetet e Bashkuara, prandaj edhe këtu ka një hendek të gjerë mes partive.

Zëri i Amerikës: E kam fjalën më tepër për korrupsionin, për shpërblimet e pamerituara që marrin njerëzit kur vijnë në pushtet...

Ambasador Arvizu: Jam i kënaqur që e ngritët këtë çështje sepse dëshiroj ta bëj tepër të qartë mendimin tim. Korrupsioni është një problem tepër, tepër serioz në Shqipëri. Ai ka një efekt gërryes mbi shoqërinë dhe mbi rritjen ekonomike. Shqetësimi im më i madh është tek rinia në Shqipëri. Unë nuk kam shumë kohë në Shqipëri, por nga disa biseda që kam patur me të rinjtë jam dekurajuar sepse ndjej një farë cinizmi në rritje mes tyre, në kuptimin që njerëzit e kuptojnë korrupsionin si mënyrë jetese në Shqipëri. Kjo është shumë e rrezikshme. Të gjithë shqiptarët, pavarësisht nëse janë në qeveri apo në opozitë, duhet ta marrin këtë shumë seriozisht.

Edhe diçka tjetër që desha të përmend: korrupsioni është një problem i shqiptarëve dhe jo “i qeverisë shqiptare”. Është një problem i përhapur në shoqërinë shqiptare. Megjithatë, çdo qeveri në fuqi, qoftë Partia Demokratike apo socialistët, pra çdo administratë, ka një detyrim për të masa kundër korrupsionit. Shqetësimi im është asnjëra palë nuk po bën sa duhet. Qeveria duhet të bëjë më shumë. Ajo duhet ta bëjë të qartë pa mëdyshje se kjo do të jetë një luftë e gjatë por se ajo është angazhuar të marrë masa për ta çrrënjosur korrupsionin.

Nga ana e saj edhe opozita duhet të japë mbështetjen e saj për këto përpjekje duke marrë pjesë në forume parlamentare dhe diskutime të tjera. Nëse dëshiron të bojkotosh thjesht për qëllime politike, ky është vendim i tyre, por kur merr një vendim për të bojkotuar dhe nuk merr pjesë në jetën aktive politike të vendit, kjo ka pasoja të menjëhershme mbi aftësinë e organeve shtetërore për të luftuar korrupsionin. Të dyja palët flasin për korrupsionin, por ato duhet të bëjnë më shumë për ta luftuar atë.

Zëri i Amerikës: A mendoni se Shqipëria ka arritur një pikë në të cilën lufta e ashpër mes palëve po dëmton qeverisjen e vendit dhe ku zgjedhjet e parakohshme mund të shihen si mënyrë për të dalë nga kjo gjendje, që qeveria të marrë një mandat të ri?

Ambasador Arvizu: Çdo demokraci funksionale ka mekanizma kushtetuese për ndryshimet në qeverisje. Kjo është mënyra e vetme me të cilat mund të lulëzojnë demokracitë. Sot në Shqipëri, ekziston një sistem dhe sistemi parashikon zgjedhje vendore në muajin maj si dhe zgjedhje parlamentare në vitin 2013. Mjedisi është shumë i vështirë, për shkak të mosmarrëveshjeve nga zgjedhjet e mëparshme. Partitë është e nevojshme të gjejnë një mënyrë për të punuar brenda sistemit.

Kam parë disa propozime që kërkojnë zgjedhje të reja, qeveri të përkohshme, dorëheqjen e kryeministrit, vëzhgues të OKB-së। Më vjen keq, por Shqipëria nuk është protektorat i Kombeve të Bashkuara. Dhe këtu kthehem tek ajo që thashë në fillim se Shqipëria nuk është një shtet i dështuar. Ajo është një demokraci funksionale, por që ka disa probleme dhe të meta përsa i përket zbatimit të ligjit. Unë flas në emër të Shteteve të Bashkuara, por besoj edhe komuniteti ndërkombëtar do të japë mbështetje të plotë për të garantuar se zgjedhjet e tjera, ato në maj të këtij viti dhe zgjedhjet parlamentare në vitin 2013, do të jenë më të mira se ato të zhvilluara në qershor 2009. Kështu duhet të funksionojnë gjërat.

“Nata e 21 dhjetorit ‘90, kur hoqëm monumentin e Stalinit në Tiranë”


Ky detaj pak i njohur, për Ramiz Fiçorrin, ish-zyrtarin e lartë të Ministrisë së Mbrojtjes, që ka drejtuar punimet për heqjen e monumentit të Stalinit në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ka vlerën e një simbolike të veçantë për dashurinë dhe divorcin historik me epokën “Stalin”. Sidoqoftë, ish-shtatmadhori i ushtrisë, që ka kryer për shumë vite detyrën e drejtorit të xhenios të Forcave të Armatosura, e lë me kaq qasjen politike për t’iu kthyer kronikës së ngjarjes së 21 dhjetorit ‘90. “Prania ime aty,- shprehet Ficcorri,- më së shumti kishte

lidhje me funksionin si komandant i regjimentit të Mbrojtjes Civile, përvoja dhe mjetet e të cilit ishin paracaktuar për të çmontuar monumentin e Stalinit nga piedestali në bulevardin e Tiranës”. Ai kujton se heqja pa bujë e tij ishte një zgjidhje oportune e iniciuar nga krerët e lartë, për të shmangur protestat popullore që kishin përfshirë vendin pas ngjarjve të 2 korrikut. Më shumë se dinamika e veprimeve në të ftohtin e acartë, për të ka rëndësi fakti që Tirana u zgjua mëngjesin e 21 dhjetorit ’90, ditën e përvjetorit të lindjes së diktatorit sovjetik, pa bustet dhe imazhin e tij. Po atë natë, sipas Fiçorrit, bashkë me monumentin në bulevard, u hoq edhe Stalini në qendër të Kombinatit të Tekstileve, si dhe bustet e tjera në mjediset publike të kryeqytetit...
Zoti Ramiz! Në një dokument të vitit ‘90 rezulton se bashkë me ministrin e Ndërtimit, Ismail Ahmeti, keni drejtuar punimet për heqjen e monumentit të Stalinit nga bulevardi “Dëshmorët e Kombit”. Në çfarë rrethanash u angazhuat me këtë detyrë?
Më kanë pyetur edhe herë tjetër për këtë histori, por kam hezituar të flas. Nuk e kam parë të arsyeshme të bëj protagonistin, kur nuk kam qenë i tillë. Ajo ishte një ngjarje e bujshme në aspektin politik, por nuk ka lidhje fare me mua. Prania ime aty ka qenë më së shumti një çështje teknike, që kishte të bënte me zbatimin e një urdhri dhe vetëm kaq. Diçka e lidhur me funksionin, me detyrën zyrtare, që në një farë mënyre më bëri dëshmitar të këtij momenti historik. Në këtë vështrim, nuk kam pse të marr pozat e heroit që hoqi monumentin e Stalinit nga bulevardi i Tiranës. Roli im ka qenë tërësisht sporadik…
Çfarë keni parasysh kur thoni se dëshmitarë të ngjarjes ju bëri funksioni që kryenit…
Në atë kohë kryeja detyrën e komandantit të Regjimentit të Mbrojtjes Civile të Republikës. Ishte kjo një nga njësitë elitare të Ushtrisë, e krijuar rishtas dhe e kompletuar me kapacitete të shumta teknike, si fadroma, borëpastruese, vinça, etj. Me sa duket, këto resurse u bënë shkaku i angazhimit tonë në këtë operacion. Kishte ndodhur edhe herë të tjera që reparti ynë të zgjidhte detyra të karakterit civil në shërbim të komunitetit. Në këtë kuptim, funksioni si titullar i tij më bëri dëshmitar në këtë ngjarje të bujshme…
Kush ishte zyrtari që u komunikoi detyrën për të çmontuar monumentin e Stalinit natën e 21 dhjetorit ‘90?
Viti ‘90 filloi e mbaroi si viti i lëvizjeve të mëdha. Përmbysjet në Europën Lindore po jepnin ndikimet e veta edhe tek ne. Qysh në janar pati trazira në Shkodër. U fol madje se kishte organizime të fshehta për të hedhur bustin e Stalinit. Në mars pati një përpjekje tjetër në Tiranë, por aventura për të shpërthyer me eksploziv monumentin e Stalinit në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” mbeti në tentativë. Vërshimi drejt busteve e monumenteve, sidomos i rinisë, u bë dukuri e ditës. Shteti, i zënë në befasi, nxori një dekret për ruajtjen e tyre si objekte të rëndësisë së veçantë. Ishte kjo një masë shtrënguese që jo vetëm nuk pati efekt, por e bëri situatën më kritike. Presioni në rritje, me sa duket, detyroi lidershipin, për të gjetur një mënyrë oportune për heqjen e busteve e monumenteve. Logjika e kësaj sjelljeje parakuptonte zbrazjen pa bujë të piedestaleve dhe shmangien e përplasjeve. Pikërisht në këtë kontekst, u gjenda në grupin që ishte caktuar për të hequr monumentin e Stalinit. Prania ime aty, me sa duket, lidhej me përvojën dhe mjetet që posedonte reparti që drejtoja. Më lajmëruan dhe shkova. Aty pastaj diskutuam teknikisht për mënyrën e realizimit të detyrës…
Pra, nuk ishte një veprim spontan, por një operacion i organizuar që drejtohej nga një grup i caktuar…
Fjala operacion në këtë rast nuk mendoj se është me vend. Për mua ishte një detyrë e zakonshme, me praninë e pak specialistëve dhe mjeteve, që zgjati vetëm pak orë…
Fakti që u ngarkua Ministria e Mbrojtjes me heqjen e monumentit të Stalinit, lidhej me shkallën e besueshmërisë, apo kishte të bënte me diçka tjetër…
Me tërësinë e procedurave dhe angazhimeve për heqjen e busteve dhe monumenteve të Stalinit në Tiranë me sa më kujtohet merrej Ministria e Ndërtimit, të paktën për sa isha unë në dijeni. Ministria e Mbrojtjes si institucion nuk pati asnjë urdhër dhe detyrim zyrtar…
Qytetarët e Tiranës mbajnë mend se gjithçka është parapërgatitur jashtë vëmendjes së opinionit. Ku zhvilloheshin takimet për organizimin e veprimeve për heqjen e busteve të Stalinit?
Nuk e di si lindi ideja për të hequr në këtë mënyrë monumentet e Stalinit, ndërkohë që nuk ishte shfuqizuar ligji për ruajtjen e tyre si objekte të rëndësisë së veçantë. Për herë të parë jam njohur me këtë detyrë nga Ismail Ahmati, ish-ministri i Ndërtimit, në një takim në zyrën e tij. Aty kemi biseduar për aspektin teknik të procesit, për llojet e mjeteve dhe specialistëve që do angazhonim. Me sa më kujtohet, ka qenë edhe Farudin Hoxha. Pas një konsulte të gjerë, detajuam detyrat, masat organizative dhe vendosëm për orën kur do fillonim nga veprimet në bulevard. Aty për aty kuptova se bëhej fjalë për një vendim zyrtar të marrë më herët. Ne në rastin konkret, ishim thjesht zbatuesit. Së paku, kështu e preceptova në ato çaste…
Sa kohë pas kësaj konsulte filluan veprimet në bulevard?
Veprimet në terren, siç i themi ne ushtarakët, filluan në mbrëmjen e asaj dite dhe zgjatën 3-4 orë. Gjatë tërë kohës binte borë. Me borë e ngricë me sa duket ia kishte rezervuar Tirana lamtumirën Stalinit. Krejt ndryshe kishte ndodhur kur erdhi rishtaz në Shqipëri. Në nëntorin e vitit 1951, kur u ngrit për herë të parë monumenti i tij te sheshi “Skënderbej”, mbaj mend se kishte diell. Një diell i ngrohtë madje që vinte pas disa ditëve me shi të rrëmbyshëm...
Si u procedua për heqjen e monumentit?
Në fillim afruam te monumenti i Stalint një fadromë, por prova me të nuk na dha rezultat. Pastaj i hodhëm ganxhat e vinçit për ta tërhequr, por përsëri patëm vështirësi. Ishte një bllok monolit shumë i fuqishëm. Pas përpjekjeve të para shkëputëm pjesën e sipërme të trupit të Stalinit. Pjesa tjetër ishte e pamundur të lëvizte. Na u deshën orë të tëra deri sa e shkërmoqëm pak nga pak. Më në fund mbeti piedestali. Provuam ta shtyjmë me ruspë, nuk ia dolëm. Menduam ta shkatërrojmë me goditje, por nuk e realizuam deri në fund. Përfundimisht nuk e denatyruam plotësisht. Pjesa më e madhe e tij mbeti në bulevard. Ndryshe na ndodhi me monumentin e Leninit. Sa i hodhëm litarët, ra përtokë menjëherë, thua se na priste ne për t’u ulur. Kaq ishte e gjitha…
A kishte njerëz në bulevard atë natë?
Në fakt, mendonim se njerëzit do ishin të paktë, duke pasur parasysh të ftohtin e acartë dhe orën e vonë, por nuk ishte kështu. Me mbërritjen e mjeteve të rënda te monumenti, qytetarët u shfaqën menjëherë si t’i kishte lajmëruar dikush. Bashkë me ta dhe një grup i madh me gazetarë të huaj. Natyrisht, e kishim të ndaluar të komunikonim me ta. Sakaq, nuk mund t’i pengonim të fotografonin. Prania e tyre ishte diçka tunduese, por errësira dhe moti i keq, sikur na doli në krahë. I vetmi që takova atë natë ishte një gazetar francez, i cili mu lut për të marrë një pjesë nga pëllëmba e dorës së Stalinit, e rrëzuar përtokë. “A mund ta marrësh të gjithë?”, i thashë, për t’i rënë shkurt me të.
Po atë natë u hoq edhe monumenti i Stalinit para Kombinatit të Tekstileve?
Tirana u pastrua atë natë një herë e mirë nga monumentet dhe bustet e Stalinit. Mbaj mend që në rastin e monumentit të kombinatit, na u desh të ndërronim viccierin, pasi ai që manovroi në bulevard u sëmurë dhe e ccuam në shtëpi. Me sa më kujtohet, pak kohë më vonë ndërroi jetë në një moshë të re. Mëngjezi i të nesërmes që përkonte me ditlindjen e Stalinit, Tiranën e gjeti pa bustet dhe imazhin e tij...

Zyrtarisht pa Stalinin

Mënyra si u hoq mbrëmjen e 21 dhjetorit 1990, monumenti i Stalinit nga bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, zyrtarisht nuk u sqarua asnjëherë. Në mjedise të ndryshme qarkullonin zëra se Ramiz Alia kishte ndëshkuar për këtë ministrin e Ndërtimit, Ismail Ahmeti. Sidoqoftë, fill pas kësaj ngjarjeje, u bë e njohur se Këshilli i Ministrave, me propozimin e Byrosë Politike, institucionalizoi zyrtarisht heqjen e busteve të diktatorit sovjetik nga mjediset publike dhe emërtesat e tjera nga rrugët, sheshet dhe institucionet shtetërore me një vendim të veçantë.

Dekreti me një rrjesht

“Qyteti “Stalin” të emërohet me emrin e mëparshëm, Kuçovë.” Ky vendim i Presidiumit të Kuvendit Popullor, me numër 349, i përket datës 5 janar 1991 dhe mban firmën e Ramiz Alisë e Sihat Tozës. Me përjashtim të pjesës hyrëse me rrethanat kushtëzuese të aktit ku renditet kërkesa e Këshillit të qytetit “Stalin”, mendimi i banorëve, neni 78 i Kushtetutës, propozimi i Këshillit të Ministrave për ndryshim e emërtimit dhe dispozitës fundore “ky vendim hyn në fuqi menjëherë”, dekreti nuk përmban asnjë fjalë tjetër. Ndoshta mund të jetë ky më i shkurtri në tërë historinë e institucionit. Sidoqoftë, mbetet akti i fundit i ndarjes përfundimtare me Stalinin dhe mitin e tij.


Ndëshkimi: 50 vjet burg,tentuan të heqin Stalinin

Aventura e 10 djemve nga Shkodra, që tentuan të rrëzojnë bustin e diktatorit sovjetik, u kushtoi 50 vite burg. Ishte janari i vitit 1990…
Ngjarja
Në fakt, përpjekja e një grupi të rinjsh për të rrëzuar bustin e Stalinit në Shkodër, në mesin e janarit ‘90, është e para e këtij lloji. Nga mënyra si përshkruhet kjo në një dokument të Sigurimit të Shtetit, zbulohet kronika e plotë ngjarjes. Më 13 janar të vitit 1990, Dega e Punëve të Brendshme e qytetit verior, transmetonte për qendrën informacionin e siguruar në rrugë agjenturore. “Nesër do të bëhet demonstratë, do të dalin 200–300 vetë në piacë para bustit të Stalinit e do ta rrëzojnë me litar, ganxha, shishe benzine e lëndë eksplozive. Njerëzit që do të marrin pjesë në këtë demonstratë do të nisen në tre drejtime, lagja “Serreq”, “Skënderbeg” dhe “Rus”. Organizatorë të kësaj veprimtarie janë Ded Kasneci dhe Flamur Elbasani. Aty do të flasë edhe një prift”. Sigurimi në kohë i këtyre të dhënave bëri të mundur arrestimin e organizatorëve, “persona vagabondë, ish-të dënuar, rrugaçë, prishës të rendit e të qetësisë, pijanecë e të sëmurë psikikë” dhe shmangu rrëzimin i bustit. “Nga ndjekja e problemit në rrugë operative, nga pohimet e të arrestuarve dhe të ndaluarve,- raportonte më tej Dega e Punëve të Brendshme e Shkodrës,- vërtetohet plotësisht se më datën 14 janar 1990, disa elementë armiq, qysh më parë, kishin biseduar dhe ishin organizuar të grumbulloheshin para bustit të Stalinit dhe që këtej të shkonin tek Sekretari i Parë i Komitetit të Partisë e të kërkonin më shumë liri për shtypin e fjalën, ndërsa grupi jashtë të vepronte vetë, duke ngritur dorën me dy gishta tregues. Të frymëzuar edhe nga propaganda e jashtme, këta elementë armiq kanë biseduar vesh më vesh me njëri-tjetrin, duke marrë përsipër që të punojnë edhe me persona të tjerë të dënuar e vagabondë, që t’i bindnin për të dalë në qendër të qytetit”.
Dënimi
Për herë të parë, 10 të arrestuarit që tentuan të rrëzojnë bustin e Stalinit u përballën me gjykatësit e Shkodrës.
Gjatë shqyrtimit të çështjes, Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë vëren se “të pandehurit Dedë Kasneci dhe Rini Manajka janë takuar më 11 janar 1990, paradite, në qendër të qytetit dhe kanë biseduar për njoftimin e rremë të përhapur nga TANJUG-u dhe gazetat e Beogradit se gjoja në Shqipëri kishin shpërthyer trazirat dhe në Shkodër kishte patur revolta. Të frymëzuar nga këto lajme dhe nga konfirmimi që u bënte atyre agjencia italiane e lajmeve, e cila u referohej mjeteve të informimit jugosllav, të dy këta të pandehur kanë shpresuar që atë ditë të grumbulloheshin me të vërtetë vagabondë e njerëz me predispozita armiqësore në qendër të Shkodrës e të bënin presion para organeve të Partisë për të hequr dorë nga parimet e marksizëm-leninizmit në shembullin e ngjarjeve të fundit në Europën Lindore. Në periudhën nga data 11–14 janar, është intensifikuar veprimtaria armiqësore e fshehtë, duke hedhur fletushka e parulla armiqësore në qytet e në fshat, duke grisur veprat e shokut Enver Hoxha, si dhe duke vënë dinamit para Komitetit të Partisë, i cili nuk shpërtheu, pasi u kap në momentin e plasjes nga polici i shërbimit. Kësisoj, të dy këta, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë kryer krimin e agjitacionit e të propagandës kundër shtetit, çka vërtetohet me shpjegimet e tyre, me fletushkat provë-materiale, me aktin e ekspertimit grafik që vërteton se ato janë shkruar nga i pandehuri Aldo Previzi dhe me materialet e tjera të çështjes”. Më poshtë, vendimi i Gjykatës së Lartë shtjellon rrethanat e procedimit penal, ku veçon shkallën e lartë të rrezikshmërisë që paraqet sidomos krimi i diversionit dhe agjitacionit e propagandës kundër shtetit dhe rolin kryesor në këtë vepër kriminale të të pandehurve Dedë Kasneci, Gjergj Livadhi e Rino Monajka. “Ndërkaq,- vijon dokumenti,- gjykata mban parasysh se të pandehurit Ded Kasneci, Gjergj Livadhi, Flamur Begu e Tonin Dema kanë qenë dënuar edhe më parë për vepra të ndryshme kriminale”. Në fund të këtij shqyrtimi, kolegji ka shpallur verdiktin e vet, duke dënuar me 50 vite burg 10 të pandehurit, ku bie në sy ndëshkimi me 12 vjet për Ded Kasnecin…
Reagimi
Ngjarja e 14 janarit 90 në qytetin e Shkodrës, sado e izoluar, bëri bujë edhe përtej qytetit verior. Pavarësisht ndëshkimit të rreptë të organizatorëve, për lidershipin e Tiranës tronditja ishte e jashtëzakonëshme. Vërshimi i rinisë drejt simboleve të komunizmit, nuk kërcënonte thjesht statujat, por vet regjimin. Pikërisht për këtë arsye presidenti komunist Ramiz Alia, menjëherë pas ngjarjes së Shkodrës, nxorri dekretin për ti ruajtur ato si objekte të rëndësisë së veccantë. Po strategjia nuk dha impaktet e pritshme dhe shpejt presioni në rritje i qytetarëve, zbrazi piedestalet nga statujat e komunizmit. Në rastin e Stalinit, autoritetet u detyruan ti ulin vet pa zhurmë. Ndërkohë që nuk ndodhi kështu me atë të Enverit në ems të Tiranës.

TË DËNUARIT

Dedë Kasneci
12 vjet burg.
Aldo Perrizi
4 vjet burg.
Flamur Begu
3 vjet burg.
Gjergj Livadhi
8 vjet burg.
Klaudio Daka
4 vjet burg.
Kolec Hublina
5 vjet burg.
Nikolin Margjini
3 vjet burg.
Nikolin Thana
5 muaj burg.
Rin Monajka
7 vjet burg.
Tonin Dema
8 muaj burg

AFRIM IMAJ


Kush ishin ish-ushtarakët që drejtuan sulmin e dhunshëm për marrjen e Kryeministrisë

Gjeneralët e Grushtit të Shtetit

Provohet se tentativa për grusht shteti e opozitës së drejtuar nga Edvin Kristaq Rama ka pasur në krye të shtabit disa prej ish-ushtarakëve, që kanë drejtuar për 4 vite me radhë forcat e rendit dhe ato të Gardës së Republikës. Nga të gjitha pamjet filmike të transmetuara nga mediat, në krye të turmave që tentuan të futen me dhunë në selinë e Kryeministrisë qëndronin persona me njohuri të mirë ushtarake. Gramoz Ruçi ish-ministri i Brendshëm dhe i Sigurimit të Shtetit, Arben Çuko ish-Komandant i Gardës së Republikës, Zyhdi Dajti ish-efektiv i gardës, si dhe Drejtor i Policisë Bashkiake në kryeqytet, Pjerin Ndreu ish-drejtor i Policisë së Tiranës, Paulin Sterkaj ish-drejtor i Policisë së Shkodrës. Përzgjedhja dhe vendosja e këtyre emrave nga radhët e ish-Forcave të Armatosura në krye të demonstruesve që përplaseshin me policinë dhe forcat e gardës, duke i qëlluar ata me mjete të dhunshme dhe zjarr, përmes bombave molotov, është një tjetër dëshmi se kemi pasur të bëjmë me një plan të pastër të grushtit të shtetit. Këta ushtarakë nuk qëndronin aty për të bërë paqe, por për të bërë luftën. Ata morën komandën e sulmit menjëherë sapo Rama u fsheh, duke soditur kthimin e bulevardit në shesh beteje. Ish-ushtarakët e vendosur në krye të sulmit ndaj Kryeministrisë kanë qenë edhe përgatitësit e grupeve, të cilët nisën menjëherë sulmin ndaj forcave të policisë, duke i qëlluar ata me mjete të forta. Megjithëse kanë kaluar dy javë nga tentativa për grusht shteti, Prokuroria ende nuk ka thërritur dhe nuk ka bërë padi ndaj ushtarakëve që drejtonin sulmin mbi Kryeministrinë. Prokuroria vazhdon të jetë palë dhe të marrë në mbrojtje autorët e grushtit të shtetit, duke mos i dhënë përgjigje pyetjeve që ngre cilido që ka parë sulmin ndaj efektivëve të policisë dhe gardës, se cili ishte roli i këtyre ushtarakëve në grushtin e shtetit, përse u vendosën ata në krye të sulmit mbi policinë dhe gardistët, si shpjegohet që ata ishin të parët që e shpërthyen derën e Kryeministrisë dhe u larguan andej vetëm pas kërcënimeve të drejtuesit të gardës. Disa nga këto emra janë përmendur edhe gjatë Komisionit Hetimor parlamentar, të cilët janë cilësuar si personat e vijës së parë të sulmit ndaj godinës së Kryeministrisë. I thirrur nga ky komision, Komandanti i Gardës së Republikës, Gjenerali Ndrea Prendi, u shpreh se, "sulmi ndaj Kryeministrisë ishte nga disa drejtime", një sulm i tillë nuk mund të bëhej nga njerëz jo profesionistë dhe të painformuar rreth situatave të tilla. Njëri nga këto emra, që drejtonin turmën që theu portën e hekurt të Kryeministrisë është edhe Arben Çuko, ish-Komandanti i Gardës së Republikës. "Goditja e objektit të Kryeministrisë ka qenë në disa drejtime, shkatërrimi ka qenë tek porta numër një, por rrezikshmëria ka qenë në shumë drejtime. Shkatërrimi i portës një dhe futja e njerëzve brenda apo goditja me mjet, i cili do të kishte qenë tragjik për forcat e gardës në atë pozicion, nëse mjeti do të avanconte dhe nuk do të ndalej nga ura antikarrocë. Në këtë moment nuk kisha shumë pamje dhe ishte e kufizuar, sepse kam qenë në pjesën e hyrjes kryesore të Këshillit të Ministrave. Por, në kohën e një pauze, nëse mund ta them kështu të sulmeve të vazhdueshme është futur në perimetrin e rrethimit ish-Komandanti i Gardës, Arben Çuko, brenda objektit. Është ndaluar nga forcat e gardës, jam vënë në dijeni, kam shkuar e kam takuar, i kam thënë, që urgjentisht të dalësh jashtë dhe ai ka zbatuar urdhrin", u shpreh Prendi gjatë dëshmisë së tij në komision. Gjithashtu edhe ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, ka shprehur shqetësimin e tij për pjesëmarrjen në demonstratën e dhunshme para Kryeministrisë së Zyhdi Dajtit, drejtor i Policisë Bashkiake në kryeqytet, një ish-efektiv i gardës. Pjesëmarrja e Dajtit, si dhe disa prej drejtorëve të tjerë të policive bashkiake të drejtuara nga Partia Socialiste, është në kundërshtim të ligjit për të qenë të pranishëm në tubime politike. Sipas informacioneve të dhëna nga ministri Basha shumë nga këta efektiva janë parë në krye të turmave që sulmuan godinën e Kryeministrisë. "Policia Bashkiake e Tiranës dhe pjesëtarë të Policisë Bashkiake të qyteteve të tjera të qeverisura nga Partia Socialiste kanë qenë të pranishëm në 21 janar, janë evidentuar si të pranishëm në 21 janar, kjo do të mjaftonte të hynte në veprim ligji, i cili i ndalon ata të jenë të pranishëm në aktivitete politike. Megjithëse, 21 janari nuk ishte aktivitet politik në rast se do t'i shkojmë logjikës së absurdit deri në fund, këto forca policore nuk ishin aty për të mbështetur një aktivitet politik, por për të mbështetur një përpjekje të dhunshme për të rrëzuar një institucion. Vazhdon evidentimi i çdo qytetari, duke përfshirë anëtarë të Policisë Bashkiake për t'i vënë përpara përgjegjësisë penale", u shpreh Basha në Komisionin Hetimor. Gjatë demonstratës së dhunshme përpara godinës së Kryeministrisë, e cila u organizua nga Partia Socialiste për 5 orë rresht, në drejtim të forcave të rendit u hodhën shkopinj, gurë, shishe molotov dhe u tentua hyrja me forcë drejt Kryeministrisë, duke u përdorur edhe makina për shembjen e pengesave të betonit. Si rezultat i kësaj demonstrate u vranë tre njerëz dhe u plagosën me qindra të tjerë, ku 81 ishin efektiva të rendit publik.

Ish-ushtarakët që ishin në krye të Grushtit të Shtetit më 21 janar

Gramoz Ruçi-Gramoz Ruçi ishte ministër i Brendshëm i Shqipërisë gjatë periudhës 22 shkurt 1991-10 tetor 1991. Njeriu i masakrës së 2 prillit 1991 në Shkodër dhe përgjegjës për zhdukjen e dhjetra të rinjve që tentonin të arratiseshin gjatë rënies së diktaturës.

Pjerin Ndreu-Ish-drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit. Ndaj Pjerin Ndreut rezultojnë të paktën katër kallëzime penale në Prokurorinë e Tiranës, ku më i rëndë është ai për "vrasje me dashje". Një akuzë tjetër është ajo e pengimit të punonjësve të policisë për arrestimin e elementëve kriminalë. Pjerin Ndreu akuzohet për skandalin e 350 pasaportave të lëshuara në mënyrë të jashtëligjshme në Gjirokastër, për implikimin në një incident me armë, të ndodhur gjatë aksionit për kapjen e të kërkuarit Petrit Lleshi.

Arben Çuko-Ish-Komandanti i Gardës së Republikës, nga viti 1998 deri në vitin 2005. Akuzohet për vrasjen e Skënder Kalenjës më 14 shtator 1998.

Zyhdi Dajti-Drejtor i Policisë Bashkiake të Tiranës. Ish-efektiv i Gardës së Republikës. Njeriu i afërt i Dritan Dajtit, serial killeri i vrasjes së pesë policëve dhe i konsideruar si baroni i drogës, i kërkuar nga pesë shtete të Europës. U vendos në krye të Policisë Bashkiake për shkak të lidhjeve të ngushta të Ramës me njeriun e trafikut të drogës dhe krimit të organizuar.

Paulin Sterkaj-Ish-efektiv policie në kryeqytet dhe më pas ish-drejtor i Policisë së Shkodrës.

Mubarak, familja 60 miliardë dollarëshe


Pas figurës prej një zonje të mirë, e angazhuar sidomos për luftën ndaj analfabetizmit, shumë mendojnë se fshihet një hipokrite, që ndryshe nga sa dukej, “përlante” fondet e organizatave të huaja që vepronin në vend

Sipas lajmeve që qarkullojnë, familja e Presidenti Mubarak, e cila përbëhet nga gruaja Suzanne dhe dy djemtë Gamal dhe Alaa janë larguar nga Egjipti, për t’u vendosur në Londër, sigurisht për të qëndruar larg kaosit dhe trazirave që prej disa ditësh kanë përfshirë vendin. Sigurisht duhet kuptuar nëse bëhet fjalë për një lëvizje taktike apo për një arratisje të vërtetë. Pavarësisht se ka qenë një grua e angazhuar për shumë vite me radhë në fushën sociale, Suzanne Mubarak konsiderohet sot si njeriu që ka qenë më afër personit më të urryer në Egjipt. Vajza e një pediatri, Suzanne është diplomuar në shkenca politike në Universitetin Amerikan të Kajros dhe zotëron një master për sociologji komunikimi. Por ndërsa kultura liberale përhapej dhe në Egjipt, Suzanne ka qenë gjithmonë pro vazhdimit të dinastive familjare. Por egjiptianët i urrejnë dinastitë që nga koha e mbretit Faruk. Gjithsesi pas figurës prej një zonje të mirë, e angazhuar sidomos në luftën ndaj analfabetizmit, shumë mendojnë se fshihet një hipokrite që ndryshe nga sa dukej, vidhte fondet e organizatave të huaja që vepronin në vend. Një shkrim i botuar në gazetën indiane “New Indian Express” bënte një analizë dhe pasqyrë të hollësishme të milionave të familjes Mubarak. Nuk ka qenë vetëm grushti i hekurt me të cilin ka mbajtur Egjiptin për 30 vjet, ai që i ka dhënë Presidentit egjiptian nofkën faraon. Rëndësi të madhe ka edhe pasuria personale e denjë për sovranët antikë të Egjiptit që Mubarak ka arritur të grumbullojë. Sipas së përditshmes indiane, vlera e pasurisë së tij kap shifrën e 31,8 miliardë dollarëve. Por sipas sajteve të tjera amerikane, siriane apo algjeriane, ajo shkon në 40 miliardë dollarë. Kjo është vetëm pasuria e tij personale, që sigurisht ia ka grabitur shtetit egjiptian dhe qytetarëve. Dhe nga kjo kuptohet inati i njerëzve dhe kërkesa e vazhdueshme për largimin e tij.

Pasuria e Presidentit

Përbëhet nga para të thata, investime dhe pasuri të patundshme në vende të ndryshme, sidomos në SHBA. Vetëm dy jahtet e tij kapin shifrën e 60 miliardë eurove. Aksionet dhe paratë e tij mendohet se janë ndarë mes bankave amerikane, gjermane, britanike, zvicerane, skoceze, spanjolle e madje kanë shkuar edhe në Dubai. Shoqëria e tij imobiliare “Alaa Mubarak”, që mban emrin e djalit të madh, zotëron prona në zonat më të mira të Los Anxhelosit, Uashingtonit dhe Nju Jorkut apo edhe në Londër, ku familja e Presidentit u nis menjëherë pas fillimit të revoltave mbarëpopullore në vend. Pasuria e Mubarakut mendohet se është akumuluar prej fitimeve nga tregtia e armëve, asaj të ndërtimeve në Kajro dhe në zonat turistike të vendit si Hunghada dhe Sharm el-Sheikh. Sipas një gazete algjeriane Mubarak merrte rreth 50 për qind të fitimeve të shumë shoqërive të huaja që operonin në Egjipt. Edhe faqe të ndryshme amerikane flasin për lidhjen e tij me shumë korporata të huaja, jo vetëm amerikane, si “Marlboro”, “Hermès”, “Mc Donald”, “Vodafone”, “Hyundai”, “Chili” etj. Djali i dytë, 47-vjetari Gamal, kreu i “National Democratic Party” në qeveri, trashëgimtari i urryer nga populli që Mubarak kishte zgjedhur si pasuesin e denjë, nuk mund të mos ishte pjesë e vjedhjes mafioze që i ati i ka bërë vendit për më shumë se tridhjetë vjet. Pasi studioi në një nga shkollat më të mira të Londrës, ai u kthye në vend me shpresën se fillimisht do të ishte një bankier e më pas një President i mirë. Pasuria e tij personale mendohet se është 17 miliardë dollarë, që mendohet se i ruan mirë në bankat zvicerane, gjermane, amerikane apo angleze. Gamal, ndryshe nga vëllai, ka qenë shumë i interesuar për politikën, ndaj nuk e ka fshehur asnjëherë qëllimin që të ndiqte gjurmët e babait Hosni. Në fund nuk mund të mos përmendim gruan Suzanne. Gjysmë angleze, gjysmë britanike, origjina e saj shpjegon mirë dashurinë e madhe të Presidentit për perëndimorët. Suzanne mendohet se ka hyrë në klubin e miliarderëve rreth vitit 2000, kur një pasuri në emrin e saj u shpërnda në bankat amerikane dhe qytetet europiane: nga Frankfurti në Paris apo Dubai. Pasuria personale e saj kap shifrën e 5 miliardë dollarëve.

Kiev, protestë nudo përpara parlamentit



Një grup feministesh ukrainase protestuan nudo përpara parlamentit në Kiev, kundër politikave maskiliste të presidentit Yanukovich.

Nuk është hera e parë që organizatat femërore në vend protestojnë ndaj politikave diskriminuese ndaj seksit të tyre, por është hera e parë që zgjidhjet kjo mënyrë për të shprehur pakënaqësinë.

Më parë, feministet kishin shkuar deri tek sfilatet me bikini, larjet në shatërvane apo zhveshja gjysmënudo në një varrezë. Gratë protestonin kundër legjislacionit të mangët për mbrojtjen e grave dhe shfrytëzimin e tyre për prostitucion.

Friday, February 4, 2011

Lidhur me vrasjen e organizuar para portes kryesore te Kryeministrise

Kujtim Hoxha dhe Arjan Hamiti

Ndiqni me kujdes pamjet e Youtube-t nepermjet internetit, etapat e pershkruara ne te, levizjet e kordinuara te kater personave duke planifikuar ne cast vrasjen e te ndjerit nga Gjirokastra e duke shfrytezuar ne moment dhe te shtenat me bresheri automatike ne ajer te gardisteve qe vinin nga brenda territorit te kryeministrise.

Pavaresisht se pamjet qe paraqet kjo video nuk zgjasin shume, por nepermjet tyre me pak kujdes cdo njeri prej nesh kupton fare mire se kush jane ekzekutoret e vertete te viktimes.

Jemi ne momentin kur ka shperthyer porta kryesore ne hyrje te kryeministrise, dhe ajo eshte e hapur dy kanatesh.

Kur njerezit demonstrues futen brenda territorit te kryeminstrise degjohen dhe kuptohet fare mire qe personat mbrojtes se institucioneve qellojne me bresheri ne ajer per te zbrapsur njerezit. Nga frika njerezit terhiqen prapa dhe dalin te gjithe jashte portes kryesore. Po te shikosh me kujdes ne keto momente, pozicioni i personave perpara portes sipas kesaj videoje eshte ky.

1. Ne mes te portes se hapur te kryeministrise eshte nje djale i ri me veshje sportive ku shquhen mire tutat e tij blu me shirita te bardhe anash, i cili eshte me kembe te hapura me fytyre jo nga kryeminstria, duke tentuar te dale jashte portes per shkak te bresherise automatike. Ky eshte dhe personi i fundit ne terheqje e siper.

2. Perpara tij ne vije te drejte me mesin e portes (por gjithmone ne dalje, jashte saj) ndodhet nje burre ne moshe me xhakete te zeze, kemishe te bardhe e kollare te zeze dhe me floke te thinjura.

3. Ne krahun e majte te burrit me thinja te pershkruar me siper (perseri ne dalje e siper nga porta e kryeministrise) jo me fytyre nga kryeministria eshte nje person i veshur krejtesisht me te bardha (xhup gri ) i cili gjate gjithe kohes se demostrimit ka qendruar prane portes duke thyer xhamat e zyres informative aty, dhe duke tentuar disa here te qelloje porten kryesore me shkelma per ta hapur ate, gje kjo qe shikohet fare qarte dhe nga filmimet direkte te TV te ndryshme qe ndiqnin demostraten ne cdo minute e sekonde te saj.

4. Ne krahun e djathte te burrit me thinja (i cili sic thame ishte i kthyer me shpine nga porta e kryeministrise) tek kolona e portes, prapa saj (pra majtas kur futesh tek porta kryesore e kryeministrise) ndodhen tre persona te cilet evidentohen e identifikohen si me poshte.

a. Nje burre i shkurter me nje kapele te bardhe ne koke, i veshur me xhakete e me shall ne qafe i cili mban varur tek parakrahu i majte i dores se tij nje xhakete te zeze me gjatesi mesatare (theksohet qe ky person ishte i veshur me xhakete, e xhaketa tjeter qe mbahet prej tij nuk shpjegohet se perse i duhet pasi ai ishte i veshur). Veprimi ketij personi shquhet fare mire nga videoja, qe tregon se ai kur degjon dhe sheh bresherite automatike, rreshqet duke u zvarritur nga kolona per t’u fshehur pas saj, dhe ndjek me kujdes cfare ndodh brenda territorit te kryeministrise, e pasi sigurohet mire kthehet me fytyre nga bulevardi.

b. Ne vije te drejte me te ngjitur e djathtas personit te pershkruar me siper tij (po tek kolona) ndodhet nje burre tjeter i cili eshte i gjate dhe se ka veshur nje xhup te zi lekure) dhe ky i kthyer me fytyre nga bulevardi i cili identifikohet se mban nje kapuc ne koke.

c. Midis tyre, prapa eshte nje djale i ri me nje trup te dobet i cili eshte veshur me nje triko te zeze me grimca boje hiri (vendndodhja e te cilit del shume mire pas ekzekutimit, kur ai largohet me shpejtesi gjys-djathtas ne drejtim te trotuarit).

5. Jo me shume se 3-4 metra larg kesaj tresheje te pershkruar gjenden perballe tyre, nje burre me thinja, me xhakete te zeze te veshur i cili mban ne dore nje cader, dhe fare rastesisht brinje te tij djathtas (burrit me cader) vendoset i ndjeri, (i cili eshte i veshur i gjithi me te zeza) qe vritet me vone.

6. Pas ketyre personave te pershkruar me siper drejt dhe anash portes ndodheshin shume njerez te tjere radha e te cileve vazhdonte ne trotuar dhe shkonte deri ne boulevard, por qe asnjeri prej tyre nuk eshte i mplikuar ne vrasjen e shtetasit, perkundrazi kur ai ka rene ne toke pas ekzekutimit kane shkuar menjehere atje per ta ndihmuar.



Duke bere kete pershkrim, i cili del fare qarte nga pamjet qe na afron video ne fjale e duke u fokusuar tek kater personat, (tre tek kolona e portes dhe tjetri afer te ekzekutuarit) e duke ndjekur me qetesi levizjet e tyre ne cdo sekonde nga momenti i bresherive automatike e deri ne ekzekutimin e kryer shihet fare qarte se.

1. Ne momentin e bresherive automatike, fillon zbrapsja e njerezve, njeri prej te cileve eshte dhe viktima, objekt i ekzekutimit te katershes, i cili fare rastesisht vendoset ne krah te djathte te burrit me cader, por qe ne pamje te pare duket sikur ai vihet vete para ekzekutimit. (iluzion)

2. Ne te njejten kohe levizin dhe tre personat qe fshihen pas kolones, ku shquhet burri me kapele qe e kontrollon shume mire situaten si brenda teritorit te kryeministrise dhe jashte saj, pasi veprimi dhe veshtrimi i tij kordinojme aq mire saqe kuptohet se jane krijuar kushtet per te vrare “gjahun” e shumepritur. Te njejtin veprim ben dhe djali afer tij i cili futet me perpara prapa kolones.

3. Pozicionimi i tre personave afer kolones eshte i favorshem per, ne radhe te pare per te kryer vrasjen ne menyre te tille sikur plumbi vjen nga kryeministria qe te krijohet ideja se viktima eshte vrare nga gardistet brenda kryeminstrise, ne radhe te dyte per te maskuar kete ekzekutim si ne momentin e vrasjes e me pas per te humbur gjurmet duke shfrytezuar ne menyre te perkryer veprimet me njeri tjetrin.

4. Shikohet fare mire se levizja e dores se majte te burrit me kapele te bardhe (i cili po ne kete dore ka te varur dhe xhaketen e zeze) eshte ne sinkron te plote me renien e te vrarit ne toke. Kjo levizje e dores se tij eshte teper e cuditshme dhe tejet dyshuese, e eshte per t’u marre ne konsiderate nga organet e specializuara.

4. Pas renies ne toke te viktimes burri me cader ne vend qe t’i jepte ndihme personit te qelluar me arme qe ishte ne te djathte ngjitur me te, jo vetem qe nuk e ben nje veprim te tille, perkundrazi me shume qetesi iken majtas dhe afrohet tek tre personat afer kolones dhe nga menyra se si vepron duket sikur njihet me ta, dhe le te kuptosh se komunikon shpejt me treshen. Ne kete moment burri cadren e ka ne doren e djathte, e kur afrohet afer tyre ndrron cadren per te ja kaluar dores se majte, dhe pikerisht me kete dore ben nje kontakt direkt me doren e djalit te ri (jep apo merr dicka) por duke theksuar faktin se dora e majte e tij kap trupin e cadres dhe jo dorezen e saj. Pas ketij veprimi burri me cader ben nje levizje te shpejte duke e kaluar cadren nga dora e majte ne te djathten, dhe ne kete hapesire krijohet ideja se dicka fut ne xhepin e djathte te xhaketes se tij. Ndersa djali i ri iken shume shpejt per t’iu larguar treshes me drejtimin gjys-djathtas, burri me cader largohet qetesisht por jo drejte viktimes se shtrire, kurse dy te tjeret afer kolones shikojne fare qete perpara drejt viktimes, e qe me vone largohen njeri pas tjetrit.



Nga kjo ekspoze e paraqitur del se:



1. Ne kete vrasje kane qene te implikuar keter persona te cilet e kane gjuajtur “gjahun” e tyre te shumepritur me shume kujdes deri ne ekzekutim. Personi i ekzekutuar ka qene fare i rastesishem, por ne rastin konkret per situatat e paraqitura per t’u shfrytezuar nga grupi i ketershes ka qene me i pershtatshmi per aresye se.

a. Ekzekutimi eshte bere ne te njejten kohe kur kane filluar bresherite automatike, ne zbrapsje te njerezve, dhe vrasja e viktimes eshte bere pikerisht ne kete kohe, ne menyre qe zhurma e plumbit vdekje prures te futej ne korin e bresherive automatike.

b. Pozicioni i treshes tek kolona ishte shume i pershtatshem per te kryer vrasjen, si nga largesia dhe nga precizioni i qitjes.

c. Burri me cader nuk frikesohet fare nga kjo vrasje, por si nje profesionist vjeter i ish sigurimit te shtetit edhe pse mund te mos jete ekzekutuesi, eshte nje nder autoret e organizimit te ketij krimi te paguar, sepse qe ne momentin e renijes per toke te viktimes e ne vazhdim levizjet e tij jane te mirorganizuara e te sdudiuara si nje vrases i mirepregatitur per kete akt makaber dhe aspak njerezor.

Nje sqarim qe ja vlen per tu bere, e qe duhet marre ne konsiderate nga prokuroria ne hetim e siper te kesaj ngjarje. Xhaketa e zeze qe mban te varur ne doren e majte burri me kapele, eshte e djalit qe largohet pas ekzekutimit te viktimes, te pakten keshtu kuptohet pasi burri me kapele eshte i veshur me xhakete, ndersa djali qe largohet eshte i veshur vetem me triko, dhe kjo menyre identifikimi ndihmon secilin nga ato ne detyrat e ndara midis tyre.

Hipoteza te dala nga kqyrja e videos lidhur me auotorin qe ka bere kete vrasje, nga personat e katershes.



- Djali i ri ne mes te dy personave te tjere me qendrim afer kolones ngjitur me te, per te clin paraqiten dy variante si vrases.

1. Ai ka gjuajtur me pistolete ne korridorin e krijuar midis dy personave te tjere qe ne kete rast, maskojne fare mire si flaken (driten) e plumbin e dale nga tyta e armes.

2. Ai ka futur doren ne te cilen mbante dhe pistoleten, poshte xhaketes qe mbante burri me kapele ne doren e majte dhe ka bere ekzekutimin. Kjo lidhet dhe me veprimin e shpejte te dores se burrit me kapele, ku ndodh shembja per toke e viktimes, levizje e cila pervecse nje menyre maskimi nuk justifikon asnje veprim tjeter, pervecse rastit kur ai mund te kete goditur vete.

- Burri me kapele afer kolones per te cilin eshte vetem nje variant.

1. Ne doren e majte ku ka te varur xhaketen e zeze, ka pasur dhe pistoleten nga e cila ka dale plumbi vrases. Kjo justifikohet me levizjen e dores se tij pas qitjes kur dihet fare mire qe pas qitjes arma zbrapset prapa duke detyruar dhe levizjen e dores se tij ne kete rast. Po ne kete linje, ne kete moment mund te kete kaluar (eshte hedhur) dhe arma prapa tij ku ka qene djali i ri, per ta fshehur shpejt mjetin e qitjes.

- Burri me thinja i cili mban ne doren e djathte nje cader, qe eshte ngjitur me viktimen, ne krahun e djathte te tij, per te cilin per nga menyra e realizimit te vrasjes ka dy variante.

1. Vrasjen e ka bere me doren e djathte ku ka patur dhe cadren, ne te cilen ka qene pistoleta.

2. Vrasjen e ka bere me doren e majte, gje qe nuk shquhet nga vidio pasi ajo jep pamje nga prapa te kesaj skene.

Sidoqofte per te dy keto variante vlen te permendet se levizja e burrit me cader, ne menyre fare te qete drejt treshes dhe kontakti fizik nepermjet duarve te njeri tjetrit me djalin e ri tregon se ky person ose i ka dhene dicka ose i ka marre dicka personit qe largohet me shpejtesi pas kontaktit.



Njerezit qe mund te hedhin drite mbi kete vrasje, jane.



a. Burri me thinja e me xhakete te zeze me kemishe te bardhe e kollare te zeze qe i shkon i pari viktimes per ndihme me duar hapur e afer kokes.

b. Burri i veshur me te bardha, i pershkruar me siper.

c. Djali i veshur sportiv i pershkruar me siper.

Qe te tre keta persona kane qene shume afer krimit te bere, dhe jane fare te lehte per tu gjetur pasi vidio i jep shume qarte pamjet e tyre te ekspozuara dhe ne TV e ndryshme.

Sidoqofte e verteta zgjidhet duke i lene dore institucionit te prokurorise dhe organeve te specializuara qe te bejne zbardhjen e krimit, te cilet duhet te bejne.

1. Aktet e ekspertizes si ato te viktimes, per te percaktuar drejtimin nga ka ardhe plumbi, forcen shpuese te tij largesine dhe pozicionin e marrjes se plages se hapur, madhesine e saj e tje.

2. Aktet e ekspertizes se plumbit, duke percaktuar diametrin e tij e per te bere krahasimin me plumbat e nxjerre nga armet e tjera automatike, si dhe te gezhojave rreth ngjarjes qe lidhet me vrasjen. Nuk perjashtohet rasti i goditjes se viktimes me arme te nje kalibri te njellojte me armet e perdoruara nga garda e republikes, (pasi ka qene i paramenduar), e organizimi edhe pse me shpejtesi i katershes ka qene i perkryer e profesionist aq sa mund te mjegurllohet krimi i tyre por nuk mund te fshihet, sado qe dhe ish komandanti i gardes Arben Cuko mundohet ta justifikoje nje gje te tille.

3. Aktet balistike te bera per armet qe kane qelluar, ne keto momente.

4. Pamjet e kesaj videoje duhet te shoqerohen ne cdo sekonde te saj me fotografi, nga ku do te dale fare qarte se prapa cdo levizje te personave pjese perberese e katershes, fshihet krimi i vrasjes.

Nuk duhen nenvleftesuar dhe pamjet e TV italian (kanali cincue), ne te cilin jepet sekueca pikerisht per kete vrasje, qe ne nje ne nje fare menyre, kostatojne faktet qe permendem ne me siper, ku te implikuar ne kete vrasje jane ketershja profesioniste me detyra te ndara, paraprakisht ne menyre specifike.



Perjashtohet vrasja nga ushtarake te gardes, pasi vetem fakti qe ato kur kane hapur zjarr me bresheri automatike, do te thote se ne nje rast te tille nuk do te ishin vrare vetem nje apo dy vete por me shume se kaq, dhe personat me te goditur do te ishin ato qe ishin fare afer portes dhe drejt saj numri i te cileve nuk ishte i pakte, e ekspozimi i tyre ishte me i lehte per tu shenuar.

Mos anashkalojme dhe nje fakt tjeter me te cilin NEWS 24 jo vetem spekulon, por ngarkon me fajesi Garden e Republikes me vidion e saj, kur ben lidhjen midis bresherive automatike me ekzekutimin e viktimes duke fokusuar pozicionet respektive me rrathe te kuq, pasi dhe me sy te lire shikohet fare mire qe pozicioni i qitesit me pozicionin e viktimes nuk perputhen ne nje vije te drejte me vijen e shenimit. Shikoni me kujdes se pozicioni i qitesit gardist ne ate moment eshte me larte se pozicioni i viktimes. Shtoi kesaj pastaj dhe pozicionin diagonal te qitesit me viktimen ku nje vend te vecante ze kanata e majte e portes se hekurit pozicioni i se ciles behet pengese e kalimit te plumbit, gjera keto qe i zbulon nje proces serioz, korrekt dhe i guximshem e prokurorise se shtetit.

Lutemi lexuesit mos te influencohen nga mendimet e dhena ne kete shkrim, cdo njeri prej tyre te gjykoje ne menyre te pavarur, por ne si qytetar te vendit tine nuk mund te mos prononcohemi per nje ngjarje te tille qe ka shokuar jo vetem popullin tone, por dhe me gjere.

Shqipëria nën mbretërinë e dhunës

Nga Dr. Sherif MUÇALLA

Në fakt, thjeshtë nga përgjegjësia qytetare unë kam kohë që jam i pranishëm në mediat e ndryshme. Shkruaj e shpreh opinionin, thjeshtë sepse dua që të pasqyroj një pjesë të shpirtin tim përpara miqve dhe popullit tim. Pra unë shkruaj, sepse shpeshherë më krijohet

ndjesia se heshtja ime mundet që të jetë mëkatare ndaj një fëmije, ndaj një burri, apo ndaj një gruaje, e cila vuan diskriminimin, padrejtësinë, abuzimin, vjedhjen, dhunën, apo vuan prej korrupsionit të njerëzve të veshur me pushtet, që tashmë në Shqipëri është bërë i padurueshëm. Natyrisht, ushtrimi i një të drejte të këtij lloji në Shqipëri është jo pa rrezik edhe ka kosto të niveleve të ndryshme. Kjo përgjegjshmëri qytetare dhe kjo ndjesi njerëzore më motivoi, që në orën 13 e 20 minuta të datës 21 /01/2011 të gjendesha në bulevardin e Tiranës, ku opozita e shtetas të tjerë kishin lajmëruar se do të protestonin ndaj zullumeve e skandaleve të qeverisë.
Me ndjesinë, se në të tilla raste është më mirë të jesh në terren se sa të rrish në “laboratorë” e të fantazosh, unë zura një vend tek zyrat e Kontrollit të Lartë të Shtetit, pra 30 a 40 m larg nga zyra e Kryeministrit Sali. Pashë, se si forcat e sigurisë së vendit tim po merrnin masa për mbarëvajtjen e protestës së paralajmëruar edhe gjithçka po më dukej normale. Me vete, kisha penën edhe një pajisje elektronike për të përgatitur në të ardhmen një shkrim, apo vëzhgim. Kisha edhe një çadër sepse ishte kohë për shi. Këto ishin “armët e mia” edhe të qindra e mijëra protestuesve të tjerë. Pra, unë e qindra mijëra të tjerë atë ditë, nuk kishim as guriçka, as dajak dhe as granata, pushkë apo revole. Kishim vetëm armën e fjalës së lirë.
Por ç’ndodhi më tej me ne, të cilët ushtronim të drejtat tona, dikush për të vëzhguar edhe dikush për të protestuar paqësisht?! Ne u dhunuam barbarisht prej instrumenteve të shtetit. Pra, shpërtheu dhuna e cila nuk ishte aspak momentale edhe as e rastësishme. Dhuna ka kohë që është e ulur këmbëkryq në Shqipëri. Ajo është e mbjellur në një konflikt të gjatë ndërmjet popullit tim edhe keqqeverisjeve të atyre politikanëve të pasuruar shpejt e pa punë, që sot mundet që ti quash milionerët e mafies shqiptare e rajonale.
Milionerët e mafies tashmë e kanë kapur shtetin edhe keqqeverisin prej vitesh me padrejtësitë e tyre në kundërshtim me interesat e 80% të shtetasve të Shqipërisë. Ligji vazhdon që të interpretohet edhe të përdoret prej milionerëve të mafies, thjeshtë si instrument hakmarrje, ndëshkimi e represioni ndaj njerëzve të thjeshtë, duke i hequr materialisht atij pjesën themelore, principet e funksionimit të shtetit të së drejtës. Milionerët e mafies i kanë kapur partitë politike në Shqipëri dhe miliona njerëz të thjeshtë tashmë konsiderohen si “skllevërit” edhe jo si shtetas të një vendi dinjitoz. Kësisoj, rrënjët e dhunës janë jo tek gurët e protestuesve, jo tek ata mijëra të pakënaqur, por prej keqqeverisjes 20 vjeçare e cila është e mbushur me nepotizëm, me vjedhje të fondeve publike, me intriga, me tradhtira elektorale, me diskriminime, me represione, me keqtrajtime edhe me dhunë e me skandale qeveritarësh të lloji-lloji.
Tufa e zyrtarëve dallkaukë e niveleve të mesme që bën “të fortin” dhe ushtron dhunë të përditshme mbi mijëra qytetarë nëpër institucionet e shtetit, është njëri prej moçaleve më të ndyra që ka gatuar politika pa principe e Shqipërisë postkomuniste. Biznesmenët e pamoralshëm me lidhje nepotike me politikën,vazhdojnë që t’i imponohen dhunshëm tregut me pafytyrësinë e tyre, duke i diskriminuar e i shkatërruar padrejtësisht bizneset e ndershme dhe duke e rritur varfërinë e njerëzve. Njerëzit e ditur edhe të shkencës e kanë humbur kurajën e lirinë akademike nga represioni e përjashtimi absolut nga puna në administratën shtetërore, që i bëhet atyre nga partitë politike. Tashmë shumë njerëz të botës akademike, janë strukur në atë farë feje, saqë e kanë humbur humanizmin. Ata vazhdojnë që të heshtin dhe në ato raste, kur vdekja ju sillet vërdallë mijërave njerëzve, si atëherë, kur tonelata barut u grumbulluan nga mafia në afërsi të Tiranës, në Gërdec më 15/03/2008 dhe askush nuk veproi. Politikanë, zyrtarë të lartë e gjeneralët kufoma të tipit të Gërdecit, të 1997, 1998 e tashmë 2011 jo vetëm që janë të pandëshkuar, por sot vazhdojnë të japin leksione sigurie dhe së bashku me dallaveraxhinjtë e drejtësisë fajin ja hedhin të vdekurve edhe të gjymtuarve...
Këto pra janë rrënjët e dhunës, të cilat nuk i mbollën protestuesit edhe as ata që u vranë nga vrastarët e pashpirtë e veglat qorre të diktaturës monstër (diktaturë hibride komuniste-naziskine) edhe as policët e gjorë, që u rrahën me dajak si gomari në duhan më 21/1/2011. Një diktaturë shtetërore monstër e tipit hibrid e bazuar në rrënjët e dhunës së sipërcituar ka kohë që vërdalloset, mbillet e kultivohet prej milionerëve të mafies shqiptare dhe asaj rajonale, gjë e cila shkakton viktima pa u ndalur. Sidoqoftë, ndoshta ju keni qenë atje në Bulevard edhe e keni parë vetë çfarë ndodhi në Tiranë më 21/1/2011.
Ndoshta ju e keni dëgjuar, apo ndoshta e keni parë në TV. Protestuesit erdhën nga të gjitha anët me mijra e mbushën sheshin përpara zyrës së kryeministrit Sali. Ata hidhnin parulla, ashtu si të pakënaqurit flasin ndaj padrejtësive edhe ndaj keqqeverisjes.
Mirëpo në befasi të plotë e pa kurrfarë paralajmërimi e kot së koti, një stuhi rrebeshi ujë me gaz të helmatisur më ra mua mbi fytyrë e mbi trupin tim dhe mbi dhjetra gra e burra të moshave të ndryshme që gjendeshin rreth meje 60-70 m larg nga zyra e Kryeministrit Sali.
Sytë na u verbuan edhe kollitjet filluan që të dëgjoheshin pa pushim. Disa të moshuar e gra u shtrinë përtokë nga shqetësimet që solli uji me gaz lotsjellës. Më tej, breshëritë e armëve vinin duke u shtuar dhe pashë disa protestues që po përpiqeshin të ndihmonin përpara kullave binjake një të plagosur, apo ndoshta një të vrarë a të vdekur. Kisha mësuar nga eksperienca ime, se qenit të pabesë edhe kriminelit të pashpirt nuk duhet që ti kthesh shpinën kurrë, sepse atyre ju shtohet më tepër oreksi e ligësia për të të kafshuar edhe për të të vrarë, pra ju shtohet etja për gjak. Kështu ngjau edhe atë ditë, gjë e cila më detyroi që të ndaloj edhe të vrojtoj me fytyrë nga zyra e Kryeministrit Sali, ku befas, mu shfaqën shëmbëlltyrat e disa ish kolegëve të mi punonjës të Gardës, të cilët tashmë janë vrasës.
Kryeministri Sali, këto ditë çfarë thotë në mëngjes, nuk e thotë në mesditë për vrasësit gardistë dhe për protestuesit rrugaçë e trafikantë… Gjithsesi, ai po i quan vrasësit heronj dhe se Shqipëria sipas tij shpëtoi prej tij nga një “grusht shteti”. Mua si shtetas, më vjen turp, se si e konceptojnë “Grushtin e shtetit” qeveritarët e vendit tim. Është një konceptim mjeranësh shumë larg të së vërtetës. Fantazia kryeministrore edhe orkestra e tufës së servilëve për “grushtin e shtetit” po kërkon, që të përgatisë dhe të praktikojë hakmarrjen e klanit shtetkapës ndaj të vrarëve e të gjallëve edhe ndaj mijërave demonstruesve të pakënaqur. Fantazitë kryeministrore po i ngjanë sa fantazisë së naziskinëve, ashtu edhe praktikave të sigurimit të shtetit të diktaturës, kur arrestonin njerëzit për agjitacion e propagandë, pra është një qëndrim monstër, hibrid çka përbën rrezik për të gjithë ne dhe për vetë tufën e servilëve e familjet e tyre. Tufa e servilëve shtetkapës për të mbrojtur vrasësit, po sulmon SHISH, Prokuroren e Përgjithshme Presidentin dhe po përgatitet të sulmojë këdo tjetër, që nuk i shërben fantazisë hibride të “Grushtit të Shtetit” me argumente mjerane për të ardhur turp.
Sidoqoftë, unë i shkruajta këto paragrafë për të paralajmëruar, edhe një herë popullin tim, se janë shfaqur “hijet e monstrave 1996, 1997 e 1998 ”. Vazhdojnë që të jenë aktive “monstrat e Gërdecit 15/03/2008” edhe tashmë janë shfaqur hibridet, monstrat e rrezikshme që organizuan “Lojrat e ndyra të milionerëve të mafies 21 Janar 2011 “ të cilit po kërcënon çdo qytetarë të këtij vendi. Ndaj unë po vazhdojë që t’ju them o njerëz të kudondodhur se heshtja është vrastare.
Është koha që ne 80% e shtetasve, ti themi monstrave hibride që e kanë kapur shtetin: Largohuni e na lini të jetojmë të lirë e me dinjitet në vendin tonë. Shqipëria është sot,në udhëkryq e në kulmin e një konflikti 20 vjeçar. Konflikti ka në themel mohimin e 80% të shtetasve nga jetesa normale prej bllokut nepotik shtetkapës, i cili është pasuruar me shpejtësi e pa punë. Ky konflikt, nuk mundet më që të zgjidhet me pajtimin PS – PD, sepse nuk kanë më energji dhe as vizion për të çliruar institucionet e kapura nga milionerët e mafies. Megjithatë, sot kërkohet një zgjidhje urgjente e cila është: dorëheqja e qeverisë, shpërndarja e parlamentit edhe përgatitja e zgjedhjeve të parakohshme pa monstrat në krye. Dhe në këtë proces zgjidhje, tepër themelore është; largimi i milionerëve të mafies nga partitë politike, ku asnjë ministër, as një ish ministër, as një deputet i “përjetshëm”, as një klan nepotik e krahinor edhe asnjë zyrtar i lartë e i mesëm i këtyre viteve, i akuzuar publikisht për abuzime me postin, nuk ka pse të vazhdojë të rrijë në administratën qendrore, apo atë lokale i strukur nën guaskën e imunitetit për të mbuluar zullumet e tij. Këtë, ne duhet që ta bëjmë sa më shpejt të jetë e mundur të gjithë të bashkuar nga veriu në jug, malësorë, lebër, minoritarë e cilido tjetër që jeton në këtë vend.

Konspiracioni i absurdit brenda shtetit

Nga Enver BYTYÇI


Pardje Ina Rama shkoi në Komisionin Hetimor Parlamentar të ngjarjeve të 21 janarit dhe iku. Iku pa thënë asgjë. Vetëm përsëriti refrenin se “ky është qëndrimi ynë”. Nuk dha asnjë argument pse nuk duhej t’u përgjigjej pyetjeve të deputetëve.

Nuk pranoi as t’i dëgjonte ata. Kryeprokurorja e Shqipërisë u shfaq në atë komision si një adoleshente, së cilës ia kishin parapërgatitur skenarin, regjinë dhe nuk mund të dilte nga regjia e regjisorit. Regjisori i kishte përcaktuar fjalët dhe rrokjet që do të shqiptonte, e kishte paralajmëruar se nuk kishte të drejtë të thoshte as më shumë e as më pak, se ato që ishin shkruar në skenar dhe kaq. Nëse dikush do të tentonte ta nxirrte nga partitura e regjisë, atëherë ajo duhej ta lëshonte menjëherë karrigen e të dilte nga salla. Këtë shfaqje për të të ardhur keq e panë të gjithë shqiptarët. Dhe kjo shfaqje e mjeruar për një personalitet të vetëquajtur “i pavarur” i dha skenës së ekranit të vogël gjithashtu mjerimin e institucioneve të shtetit shqiptar. Po përse duhej të sillej në atë mënyrë Ina Rama? Përse nuk duhej të dëgjonte pyetjet e deputetëve në respekt të organit kushtetues legjislativ dhe nëse do të ndeshte në pyetje që kishin karakter hetimor të çështjes atëherë të refuzonte çdo pyetje që ishte e tillë? Në fund të fundit përse nuk priti pyetjet e nën pretekstin e karakterit të çështjes edhe të spekulonte për të mos u përgjigjur?
Të gjitha këto përgjigje mund t’i japë vetë kryeprokurorja. Ndërkaq ne na lejohet të analizojmë shkaqet pse ndodh kështu në një vend demokratik, anëtar të NATO-s. Dhuna e opozitës e 21 janarit, reagimi “me përtesë” dhe pro dhunës i presidentit të Republikës, njëanshmëria e Ina Ramës në hetime, heshtja e SHISH e së fundi refuzimi i kryeprokurores për të dëshmuar në një komision parlamentar, produkt i të cilit është ajo, po interpretohen si shprehje e “faktit” se këto institucione janë “të pavarura”. Por nëse bëjmë një ato janë plotësisht të pavarura vetëm nga mazhoranca, e cila ka kompetencën që t’i emërojë dhe t’i shkarkojë titullarët e këtyre institucioneve. Por duket se ato nuk janë të pavarura nga politika e së majtës shqiptare e kryesuar nga kreu i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama. Unë nuk mund të fantazoj sesi këto segmente të pushtetit janë korruptuar dhe kompromentuar nga grupimi politik i kreut të opozitës. Por çdokush ka patur mundësinë që në këto dy javë të shkojë në përfundimin e pahamendësuar se kryeprokurorja, shefi i SHISH dhe Presidenti i Republikës janë të njëanshëm në ushtrimin e kompetencave të tyre, madje në favor të dhunës së opozitës e të kreut të kësaj opozite, Edi Ramës. Edhe gjesti i fundit i Ina Ramës dëshmoi faktin se ajo është e vendosur të mbetet rob i skemave dhe regjisurës së Edi Ramës dhe këshilltarëve të tij më të këqinj sa i përket interesave të Shqipërisë.
Shumë analistë çështjen e trajtojnë me njëanshmëri, kur “shqetësohen” se “Berisha përpiqet të shtijë në dorë institucionet e tjera të shtetit”. Më së shumti këtë e kemi dëgjuar nga eksperti spiun dhe “bandit”, Fatos Klosi. Lexuesi do të më falë pse përdora fjalën “bandit”, sepse nuk është në artin tim të të shkruarit një etiketim i tillë. Por ju siguroj të dashur lexues se e kam provuar në kurriz banditizmin e tij për jo më pak se katër vite radhazi, derisa më detyroi të lë Shqipërinë e të arratisem në moshë pa moshë, për të shpëtuar prej kërcënimeve të tij permanente, kur ai drejtonte SHISH-in. Për mua nuk është shqetësim dhe kërcënim për demokracinë kritika e Berishës ndaj këtyre tri institucioneve, veçmas kur ai ka dhënë prova për njëanshmërinë e tyre. Ikja e Ina Ramës prej foltores së Komisionit Hetimor Parlamentar të mërkurën e kaluar më ka shokuar, sepse ishte ikje prej përgjegjësisë së veprimit të saj të njëanshëm në hetimin e ngjarjeve e të dhunës së 21 janarit 2011. Dhe një organ akuze, i cili i ikën përgjegjësisë për të hetuar në themel të gjitha ngjarjet që kanë ndodhur, me përparësi vrasjet, më bën të shqetësohem më shumë se për çdo gjë tjetër. Kur ish-kryeministrit të famshëm të Britanisë së Madhe, Willson Çurçill, i kishin thënë para 70 vitesh se administrata e shtetit ishte e korruptuar, ai kishte pyetur: - Po drejtësia a është e korruptuar? Përgjigja kishte qenë se drejtësia nuk ishte e tillë. Atëherë Çurçilli kishte thënë: - Kjo do të thotë se demokracia funksionon. Duke iu referuar kësaj sentence, mund të shkohet te abstraksioni legjitim se videoja e Edi Ramës për korrupsionin e Ilir Metës nuk mund të përdorej si mjet dhunimi i institucioneve të shtetit, derisa ai kishte dhe ka në dorë mekanizmin e përdorimit të drejtësisë (prokurorisë) për të shkuar te e vërteta. Po pse nuk e bëri këtë gjest kreu i opozitës? Pse nuk e përdori partneren e tij me të njëjtin mbiemër për t’i dhënë rrugë drejtësisë, ndërkohë që në vend të kësaj metode demokratike ushtroi metodën trockiste të dhunës mbi shtetin? Ka dy arsyetime: Ose videoja është një shpifje e radhës, një manipulim i paskrupullt, të cilin vetëm Edi Rama di ta bëjë në mënyrën e tillë... Ose atij i ngutet shumë për ta marrë pushtetin me dhunë, pasi rruga ligjore “i jep kohë mazhorancës”. Prandaj dhe ai e përdor kryeprokuroren në ato pjesë të aktit dramatik e komik, siç përdorin shitësit e butiqeve manekinët për reklamën e kostumeve. Pardje Ina Rama u shfaq thjesht si manekine. As foli, as dha përgjigje, as pranoi të dëgjojë. Recitoi pesë fjalë të shkruara nga dikush dhe kaq. Nëse do të dilte nga foleja e fjalëve të shkruara, ajo do të mund ta harronte skenarin e më pas do t’i duhej të përgjigjej para regjisorit të saj. Frika e saj ishte hija e regjisorit në atë sallë ku ishte vendosur Komisioni Hetimor dhe nuk ishin ata deputetë, të cilët kanë mandat nga shqiptarët për të zbardhur të vërtetat e fshehura nga ata që kryejnë revolucione “në emër të transparencës”. Ina Rama dëshmoi më së paku paaftësi profesionale. Por edhe u përpoq që të luajë rolin e ngarkuar për ta sfiduar parlamentin e Shqipërisë. Me këtë veprim ajo ngazëlloi jo pak manekinë të tjerë mediatikë e politikë në Shqipëri, të cilët janë të implikuar direkt ose indirekt në veprimtarinë kriminale kundër institucioneve të shtetit shqiptar.
Por kryeprokurorja pardje pati edhe aleatë e partnerë të tjerë në atë skenë të shëmtuar të shfaqjes së dhunshme kundër tempullit të demokracisë shqiptare, parlamentit. Edhe kësaj radhe si aleat kryesor i saj u shfaq presidenti i Republikës, i cili gjithashtu u përpoq ta sfidojë sovranin. Edhe pse në deklaratën e këshilltarit të tij juridik u citua një nen kushtetues e ligjor, me anën e të cilit presidenti kufizohet në hapësirë për të raportuar për veprimtarinë e tij, u duk qartë se ajo deklaratë ishte aranxhuar me refuzimin e Ina Ramës për të dëshmuar në komisionin parlamentar. Ky aranxhim na bën me dije se midis kreut të opozitës, kryeprokurores dhe presidentit të Republikës ka një axhendë konspirative. Ndërkohë dikush përpiqet që t’i trembë shqiptarët me deklarimet e kryeministrit, prej të cilave nuk vjen asnjë e keqe, qoftë dhe thjesht për faktin se ato deklarime janë publike dhe nuk mund ta kërcënojnë demokracinë në vendin tonë. Kërcënimi më i madh demokracive të njëmendta u vjen nga konspiracioni i tillë çfarë duket sheshit në mes katër segmenteve të pushtetit në Shqipëri – kreut të Bashkisë së Tiranës, kreut të shtetit, kreut të prokurorisë dhe kreut të SHISH-. Në vend që bota e medies, bota intelektuale, bota politike dhe të tjerët të shqetësohen pse këto katër segmente të pushtetit bashkëpunojnë në dhunën kundër shtetit, ky shqetësim me mjeshtërinë e mashtrimit është transferuar te kritikat e kryeministrit. Ata që e respektojnë kryeministrin e Shqipërisë për përkushtimin e tij të jashtëzakonshëm në dobi të vendit, do të donin më shumë se kushdo që ai të ishte i përmbajtur dhe durues dhe kundërshtarët e tij t’i sfidonte në stilin e Ibrahim Rugovës. Megjithatë të jesh vetvetja nuk është mëkat. Por ky qëndrim përmban shumë herë më pak rrezikshmëri për vendin krahasuar me konspiracionin që vijon edhe më tej në segmentet e atij shteti, prej të cilëve sovrani kërkon transparencë në qëndrime e veprime.
Ndryshimi thelbësor midis kryeministrit të vendit e qeverisë së tij nga njëra anë dhe katër segmenteve konspirative të shtetit të sipërpërmendura, nga ana tjetër, qëndron në faktin se të parët janë të hapur me publikun, të dytët janë dhe mbeten konspirativë. Të parët janë konkretë dhe kanë argumente në kritikat që bëjnë, të dytët operojnë me slogane, etiketime, dhunë akuzash e nxitje sistematike të urrejtjes nacionale, duke e maskuar këtë me parimet e demokracisë. Kjo logjikë e bojkotit të institucionit të qeverisë, si dhe të institucionit të parlamentit nga katër institucionet e tjera, përkatësisht, presidenti, kryeprokurorja, shefi i SHISH dhe kreu i Bashkisë së Tiranës është rast unikal në historinë e demokracive në botë. Nëse dikush do ta studionte këtë fenomen, do të sillte në vëmendje faktin se pala bojkotuese është shumë konspirative, vepron në mënyrë konspirative, bën veprime obstruksioniste dhe mbrohet në mënyrë konsipirative e në emër të parimeve të demokracisë. Nëse e vëzhgojmë në thelb përmbajtjen e qëndrimeve të këtyre institucioneve, atëherë nuk e kemi të vështirë të zbulojmë njëherësh aranxhimin e veprimeve dhe qëndrimeve politike sipas një regjisure të parapërgatitur, të mirëmenduar e të mirëmenaxhuar në reklamën mediatike. Për mua kjo përbën shqetësimin kryesor të asaj që ndodh në Shqipëri, pasi veprime të tilla, edhe nëse në një moment të veçantë zbuten, mbeten potenciali kryesor i destabilitetit, rrënimit të paqes dhe mbi të gjitha të ndërprerjes së zhvillimit të vendit. Nëse vërejmë gjithashtu deklarimet e ekstremistëve europianë për anulimin e liberalizimit të vizave dhe ndërprerjen e procesit të integrimit europian, atëherë duket qartë njëkohësisht bashkëpunimi midis katër institucioneve të shtetit shqiptar në kundërvënie me legjislativin e ekzekutivin shqiptar dhe ekstremistëve antishqiptarë që përfaqësohen në Bruksel dhe në Strasburg. Presidenti Topi e ka për detyrë që ta kapërcejë këtë situatë absurde, të cilën vetë e ka bekuar. Më mirë vonë se kurrë.

Recidivisti antishqiptar Nikolas Gejxh dhe liderët politikë grekë të pakorrigjueshëm nga paragjykimet shoviniste

Nga Orhan ZARSHATI

Greqia dhe liderët e saj politikë, prej gati dy shekujsh që nga shpallja e pavarësisë së Greqisë, nuk kanë hequr dorë nga paragjykimet shoviniste të tipit “megaliidhea”; sidomos nga qëndrimi paranojak ndaj Turqisë, pa përjashtuar aspak dhe qëndrimin fort

negativ ndaj Shqipërisë, me pretendimet e aneksimit të territoreve të Jugut të Shqipërisë, që ata e quajnë “Vorio-Epir” dhe me angazhimin e ethshëm helenizues, po në Jugun e Shqipërisë.
Këto ditë, megjithëse Greqia po kalon krizën e rëndë ekonomike, që filloi vitin e kaluar, ajo mundohet të intensifikojë marrëdhëniet ekonomike me Turqinë fqinje dhe pranon deklarimin për “marrëdhënie të shkëlqyera” me Shqipërinë të bërë nga politikanët e përgjunjur shqiptarë; përsëri nga politikanë e veprimtarë nacionalistë grekë; si lobisti greko-amerikan, tellalli panhelenist Nikolas Gejxh (Nikos Gaxhojanis), i cili foli dhe bëri thirrje për një “Vorio-Epir” të fortë! Madje ky “palikaris” i mllefit antishqiptar grek, duke folur për çështjen çame, përsëriti trillimin bajat grek për bashkëpunimin e çamëve me fashizmin dhe e krahasoi dëbimin e tyre nga trojet amtare, me dëbimin e 14 milionë njerëzve nga vendet e lindjes, mbas Luftës së Dytë Botërore, mbasi edhe ata sipas tij kishin bashkëpunuar me pushtuesit nazifashistë. Në fakt këta 14 milionë të dëbuar nga Europa Lindore, janë përgjithësisht gjermanë autoktonë të Prusisë Lindore, Silezisë, Sudetëve dhe popullsi gjermane të ish Bashkimit Sovjetik, Polonisë, Rumanisë, Hungarisë etj; si dhe po këtu përfshihen gjermanët e Vollgës, tatarët e Krimesë, kallmikët etj,. popullsi të BS, që Stalini i deportoi në Azinë Qendrore dhe në Siberi. Por ky krahasim i fëlliqur i Gejxhit, nuk vlen aspak për çamët, të cilët u shpërngulën nga trojet e tyre shekullore në Greqi të shoqëruar me genocid, thjesht për pastrim etnik, urrejtje fetare dhe “homogjenizim” etnik e demografik, të një vendi shumëetnik, si Greqia.
Gjithashtu duhet kujtuar fakti se eurodeputetët grekë, kanë bërë deklarime dhe pretendime antishqiptare në forumet e BE-së e gjetkë, gjithmonë me frymëzim nacionalist dhe fetar helenik; siç bëri dhe ka bërë greko-amerikani i llastuar, panhelenisti i fandaksur Nikolas Gejxh.
Greqia pretencioze, nga njëra anë përpiqet për të shtuar dhe intensifikuar marrëdhëniet ekonomike dhe të biznesit greko-turk me Turqinë fqinje,kurse nga ana tjetër mban qëndrime acaruese ndaj marrëdhënieve politike me Turqinë;pavarësisht prirjes për të shtuar marrëdhëniet ekonomike ndërmjet dy vendeve. Kështu në Komotini, të Trakisë Lindore të Greqisë, u mbajt Forumi i dytë i biznesit rajonal greko-turk; i organizuar bashkarisht nga Bordi për Marrëdhënie Ekonomike me Jashtë i Turqisë (DEIK) dhe Unioni i Federatës së Dhomave e Ndërmarrjeve greke. Ministri turk i Industrisë dhe Punës, Nihat Ergun; Kryetari i Unionit të Dhomave dhe të Shkëmbimit të Mallrave të Turqisë (TOBB) Rifat Hisarxhikliogllu; Kryetari i DEIK-ut Selim Egeli; zëdhënësi i Qeverisë Greke, Jorgos Petalotis; si dhe Kryetari i Dhomës së Tregtisë greko-turke, morën pjese në këtë forum.
Pothuajse 400 biznesmenë turq e grekë ishin të pranishëm në forumin e para dhjetë ditëve, që zgjati dy ditë. Forumi i parë rajonal i biznesit greko-turk u mbajt më 9 dhjetor 2010 në Selanik. Nga ana tjetër, më 19 janar 2011, Presidenti i mplakur grek, 81 vjeçari Karolos Papulias, gjatë takimit me kundërpartinë e tij armen, Serzh Sarkisjan, i tha këtij të fundit, se në të kaluarën Greqia dhe Armenia “u masakruan” nga Turqia dhe se Greqia u detyrua të hynte në një garë tepër të kushtueshme armatimesh me Ankaranë; çka e shtyu Greqinë të hynte në borxhe të mëdha.
“Ne na therën të njëjtët barbarë”, i tha Karolos Papulias, Presidentit armen gjatë vizitës treditore, që ai bëri në Greqi.
Papulias tha se “shumë gjëra kanë ndryshuar”, që nga fillimi i shekullit të 20-të, kur ndodhi vrasja e armenëve, si dhe e grekëve të Detit të Zi dhe kritikoi garën e gjatë të armatimit, që ka zgjatur për dekada; e cila i ka kushtuar Athinës miliarda euro.
“Nëqoftëse nuk do të ishim nën barrën e rëndë ekonomike të balancimit të armatimeve, ne nuk do t’ia kishim nevojën Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), u shpreh 81 vjeçari i amnezuar Karolos Papulias. Ai shtoi, se ne kemi derdhur shumë para në NATO për armatime; çka është e padrejtë për një popull paqedashës.
Athina pësoi një faliment (bankrupt) vitin e kaluar dhe qortua nga Bashkimi Europian dhe FMN; të cilët u shqetësuan dhe mbajtën qëndrim lidhur me deficitet masive të buxhetit grek. Greqia u detyrua të planifikojë marrjen e 300 miliardë eurove borxhe të reja për të përballuar krizën,që e pllakosi. Greqia pretendon se mijëra grekë etnikë, që banonin e jetonin në brigjet jugore të Detit të Zi, për shekuj me rradhë u masakruan nga Turqia, gjatë konflikteve që shoqëruan rënien e Perandorisë Osmane dhe krijimin e Shtetit modern Turk. Por, Greqia harron, ose nuk ia ka ëndja të kujtojë masakrat greke në territoret turke të Azisë së Vogël dhe në territoret, që ajo pushtoi, mbas luftrave ballkanike, si në Çamëri, Janinë, në të ashtuquajturën Maqedoni greke dhe në Trakinë Lindore.
Po ky Presidenti Papulias, që shtirej si mik i Shqipërisë dhe i shqiptarëve, njihet si antishqiptar i thekur me deklarimet e tij, kur vajti gjoja për të “kremtuar çlirimin e Janinës nga turqit në 1913-tën”, por në fakt pushtimin grek të qytetit shqiptar të Janinës, krahas pushtimit të Voshtinës, Konicës, Grebenesë, Kosturit e zonave të banuara me shqiptarë rreth Follorinës, etj. Por edhe Armenia pretendon se 1.5 milionë armenë ishin viktima të genocidit turk gjatë Luftës së Parë Botërore (LPB); kurse Ankaraja nuk e pranon versionin e të ashtuquajturit “genocid” antiarmen turk dhe deklaron se vetëm 300.000 deri 500.000 armenë dhe po aq turq e muslimanë vdiqën gjatë luftës civile të shkaktuar nga nacionalistët armenë, kur këta ngritën krye kundër osmanëve dhe goditën mbas shpine Ushtrinë Osmane, duke u rreshtuar krahas dhe në ndihmë të forcave pushtuese të Ushtrisë Cariste Ruse në fillim të LPB, në lindje të Azisë së Vogël (Anadollit Lindor).

Shpjegim për diplomacinë Besianës së rritur

Nga Kastriot MYFTARAJ

Emërimi i Besiana Kadare, vajzës së Ismail Kadare, në postin e ambasadores së Shqipërisë në UNESCO (Organizata për Arsimin, Shkencën dhe Kuturën e OKB), me qendër në Paris, pasiqë deri më tani ka mbajtur detyrën e të ngarkuarës me punë për

UNESCO në Ambasadën e Shqipërisë në Francë, nuk do të kishte asgjë të keqe për mua, sikur të mos më ritingëllonte në veshë me këtë rast ajo poezia e Ismail Kadare “Shpjegim për librat Besianës së vogël”, e cila është botuar së pari në revistën “Nëntori”, në fillim të viteve shtatëdhjetë dhe pastaj në librin me poezi të Ismail Kadare, me titull “Koha”, në 1976. Në këtë poezi, Ismail Kadare rrëfente për një bashkëbisedim në bibliotekën e shtëpisë së tij, pikërisht me këtë Besianën që sot është bërë ambasadore. Ismail Kadare thotë në poezinë e tij:
“Por ti ngul këmbë se diçka, sidoqoftë duhet grisur,
Në të vërtetë çdo bibliotekë për të grisur ka diçka,
Ja këtu në qoshe rrinë mbyllur ca poetë hermetikë,
Më duket se njëfarësoj mund të merresh me ta,
Ndërsa ti sa vete rritesh e mëson fjalë,
Ata bëjnë të kundërtën, sa vete i harrojnë ato,
Meqënëse tani për tani ke moshën me ta për t’ u marrë.
Unë hiqem mënjanë
Dhe ti vepro!” (Ismail Kadare, Vepra, vol 1, Shtëpia botuese “Naim Frashëri”, Tiranë 1981, f. 341)
Poezia hermetike është një rrymë e poezisë perëndimore të shekullit XX, e cila e ka origjinën tek simbolizmi francez i shekullit XIX. Poezisë hermetike i përkasin disa nga poetët më të mëdhenj të shekullit XX. Është me të vërtetë monstruoze që një poet si Ismail Kadare i sugjeron një fëmije që të grisë librat e poetëve të tjerë! Ky është një krim i dyfishtë, një atentat i Ismail Kadare ndaj artit, poezisë, si dhe keqpërdorim i një fëmije, dhe kultivim tek fëmija i një akti barbar që është grisja e librave.
Unë mbaj mend se këtë poezi e dëgjoja shpesh të recitohej në televizion dhe në radio në kohën e diktaturës komuniste. Gjithashtu edhe në koncertet që bënte shkolla, shpesh do të vihej nga organizatorët një nxënës që ta recitonte këtë poezi. Merret vesh, propagandës së diktaturës komuniste i interesonte shumë kjo poezi, për disa arsye që do t’ i shpjegoj më tutje. Diktatori komunist Enver Hoxha gjatë sundimit të tij ndaloi libra, shau publikisht shkrimtarë dhe poetë të huaj dhe shqiptarë, si dhe librat e tyre. Por Enver Hoxha kurrë nuk foli për grisje, apo për djegie librash librash, së paku jo publikisht.
Diktatori që e dinte se Perëndimi kishte prirjen që ta shpjegonte egërsinë e diktaturës së tij me trashëgiminë barbare osmane të mjedisit ku kishte lindur dhe ishte formuar Enver Hoxha, si dhe të krejt vendit, kërkonte që tek vizitorët e huaj të krijonte përshtypjen e një njeriu të formuar me kulturën më të mirë perëndimore. Prandaj, në mënyrë paradoksale Enver Hoxhës i konvenonte shumë që poeti dhe shkrimtari i parë i oborrit, çka ishte Kadare, të shkruante një poezi ku të kërkonte grisjen e librave. Kështu, Enver Hoxha praktikisht u thoshte shqiptarëve dhe botës se: Shikoni një herë se çfarë kërkon nga unë ai që është intelektuali më i madh i këtij vendi, grisjen e librave, dhe pastaj më qortoni mua për ato që bëj! Kur intelektuali më i madh i vendit mburret se i ka dhënë vajzës së tij libra poetësh perëndimorë për t’ i grisur, kjo do të thotë se më fton mua, udhëheqësin që të organizoj djegie librash në sheshe! Ju e dini se kur shteti djeg dhe gris libra, atëherë shtohet numri i kokave që priten, kështu që ju e kuptoni se shkrimtari dhe poeti im i parë po më kërkon që të pres shumë më tepër koka!
Ky ishte kalkulusi i Enver Hoxhës. Prandaj, Enver Hoxha urdhëronte makinën e vet të propagandës që poezia e Kadare për grisjen e librave t’ u përsëritej shpesh shqiptarëve, por nuk organizoheshin grisje dhe djegie librash. Ismail Kadaresë nuk i tha Enver Hoxha që të shkruante një poezi për grisjen e librave të poetëve perëndimorë. Ismail Kadare e bëri këtë gjë nga zelli për t’ u shquar si gardian i diktaturës komuniste. Ismail Kadare këtu bënte polpotistin në një regjim stalinist. Enver Hoxha ishte një stalinist, por jo polpotist. Në atë kohë grisjen dhe djegien publike të librave e bënte regjimi i Pol Pot në Kamboxhia.
Sot Besiana e poezisë, e cila dikur, me këshillën e të atit grisi librat e poetëve hermetikë, është bërë ambasadore e Shqipërisë në organizatën ndërkombëtare e cila ka si mision ruajtjen dhe zhvillimin e kulturës, do të thotë edhe të librave, pra është bërë një diplomate kulturore. A nuk është me vend që t’ i bëhet një “Shpjegim për diplomacinë kulturore Besianës së madhe”, nëse do të perifrazoj titullin e poezisë së Ismail Kadare. A nuk është pa vend që Shqipëria të ketë ambasadore në UNESCO pikërisht atë njeri, emri i të cilit u bë sinonim i antikulturës, grisjes së librave? A nuk kemi të drejtë që të kërkojmë nga qeveria shqiptare siguri se kjo Besiana ka hequr dorë nga grisja e librave? Që të jemi të qetë për këtë, a nuk duhet që kjo Besiana, së paku, sot të kërkojë falje për këtë poezi, për të cilën ajo dikur është ndjerë krenare? A nuk duhet që vetë Ismail Kadare të kërkojë falje për këtë poezi tash që vajza e tij është bërë ambasadore në UNESCO? Se të gjithë e kanë të qartë se zonja është emëruar në këtë post pikërisht se është vajza e Ismail Kadare.
Një poet francez, Isidore Duccase, Kont i Lautreamont (1846-1870), i cili mbahet si poeti që ka pasur influencë të madhe, si tek poezia hermetike dhe pararendësit e saj simbolistët francezë, ka thënë: “Nuk mjafton krejt uji i detit për të larë një pikë gjaku intelektual”. Ismail Kadare duke vënë vajzën e tij të vogël që të grisë librat e poetëve, ka derdhur gjak intelektual. Tash nuk mjafton krejt “uji i detit” të hymneve që i thurrin Kadaresë lavdëruesit e tij vendas dhe të huaj, për të larë këtë krim të tij. Shkëlqesia e Saj, Ambasadorja Besiana Kadare shkon në UNESCO me rekordin e një njeriu që është keqpërdorur për një krim në fëmijëri. Unë mendoj se Besiana Kadare nuk duhet që ta vuajë këtë gjë, nuk e meriton që ta vuajë. Prandaj ajo duhet të flasë për këtë episod të marrëdhënieve të saj me të atin, ashtu siç foli vajza e Stalinit, Svetlana, për të atin.
Pra, duhet që mbasadorja Besiana Kadare t’ i drejtohet të atit me një letër të hapur ku ta qortojë për keqpërdorimin që i bëri duke e vënë të grisë librat e poetëve. Këtë gjë Besiana e rritur duhet që ta bëjë publikisht, se ajo është bërë publikisht e njohur për grisjen e librave, falë të të atit të saj të njohur. Dhe pastaj Ismail Kadare duhet t’ i përgjigjet vajzës së tij me një poezi: “Ndjesë Besianës që e vura të grisë libra në fëmijëri”. Natyrisht se Ismail Kadare duhet t’ u kërkojë ndjesë edhe të gjithë ne të tjerëve që u dhunuam mendërisht me këtë poezi kur ishin nxënës shkolle.
Nuk është e rastit që Ismail Kadare e shkroi poezinë “Shpjegim për librat Besianës së vogël” pikërisht atëherë kur po vdiste si poet. Libri me poezi “Koha”, i botuar në 1976 ishte praktikisht libri i fundit me poezi i Kadaresë. Që prej vitit 1976, kur botoi vëllimin me poezi “Koha” dhe deri më sot, Ismail Kadare nuk ka botuar më një libër të ri me poezi. Libri me poezi “Pa formë është qielli”, i botuar në 2005, është një përmbledhje e 100 poemave dhe poezive të zgjedhura, ka vetëm 33 poezi të reja, të cilat nuk gjenden në librat e tij me poezi të botuar deri në 1976. Në librin me 231 faqe ato zenë vetëm 62 faqe, dhe këto 33 poezi janë krejt poezitë e shkruara prej tij, në periudhën 1976-2005, dhe jo poezi të zgjedhura të kësaj periudhe. Jo më kot titulli i librit është “Pa formë është qielli”, që ka të bëjë me dy vargje të një poezie të Kadaresë:
“Pa formë është qielli,
Si tru idioti”.
Me sa duket, me këtë libër Kadare pohon se pas vitit 1976, truri i tij është pa formë, sa i përket poezisë, nuk është më ai i një poeti. Kur Kadare e ndjeu se po vdiste poeti tek ai, atëherë në një akt sadomazokist, vuri vajzën e vet të vogël që të griste librat e poetëve të tjerë.
kastriotmyftaraj@sot.com.al