…Kishte vdekur polaku Bieruti dhe çeku Klement Godvald, por në rrethet e larta të udhëheqjes shqiptare që të dyja ngjarjet ishin pritur me tronditje. Më pas ishte rrëzuar Sekretari i Parë i Partisë Komuniste të Bullgarisë, Çjervenkov; kishin ndodhur zëvendësime në Hungari dhe unë dëgjoja prindërit që, duke përcjellë fjalët e Enver Hoxhës, tregonin një farë shqetësimi kur thoshin se pas Kongresit XX do të zëvendësohen që të gjithë sekretarët e parë të partive komuniste të vendeve të Lindjes. Pikërisht për këtë, si dhe nga fjalët që dëgjoja, qoftë nga moshatarët e mi, qoftë nga rrethet që përmenda, pyeta një ditë nënën time, shkurt dhe thjesht: “Pse – i thashë – do ta zëvendësojnë Enver Hoxhën?” Kurse ajo sikur u step për një çast, pastaj si më e vendosur më tha me ngadalë: “Askush nuk është i përjetshëm në një post të lartë; socializmi është vepër e madhe… prandaj udhëheqësit qarkullojnë, sepse janë të thjeshtë”. Nuk po më shihte gjatë në sy dhe unë kuptova se diçka do të ndodhte edhe në Shqipëri. Më pas, tek rritesha e kam kujtuar shpesh e më shpesh këtë bisedë me Verën dhe jam bindur se edhe ajo e priste, por jo me entuziazëm, zëvendësimin e Enver Hoxhës. Ndoshta vërtet diçka priste, sepse duke qenë shoqe shumë e afërt me Liri Belishovën, patjetër që kanë biseduar me njëra-tjetrën rreth mendimit që kishin sovjetikët për Hoxhën. Më vonë, tek ia kam kujtuar nënës sime këtë kohë, ajo më ka thënë qartë se në ato vite pritej me ditë zëvendësimi i Enver Hoxhës. “Unë -më theksoi ajo- nuk kisha atëherë ndonjë ngarkesë negative kundër Enverit dhe në fillim m’u duk si diçka normale që edhe në Shqipëri të qarkullonin ose të lëviznin ujërat, por Enver Hoxha nuk e pa kështu dhe gjithçka e rrokullisi për keq, keq sa më s’bëhet…”
Liri Belishova dukej se ishte njeriu më i fortë në udhëheqjen shqiptare pas Kongresit XX të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik. Kjo sepse Hoxha ishte i detyruar të sillej me të si një njeri shumë i afërt, sikur ishin një dhe unë e kisha dëgjuar në shtëpi se ai nuk i përfillte të tjerët përpara Lirisë, madje i bënte elozhe të hapura, sikur ishte një doktrinare e zonja, më e afta që kishte Partia, që dinte mbi të gjitha gjuhën ruse dhe kishte dhënë prova për besnikërinë ndaj marksizëm-leninizmit. Më vonë, pas shumë vjetësh, aty nga fundi i viteve ‘90, e kam pyetur vetë Liri Belishovën për këtë kohë dhe për elozhet e Enver Hoxhës ndaj saj dhe ajo më tha: “Të them të drejtën, Spartak, unë isha shumë e re atëherë dhe nuk i kuptoja fort mirë dredhitë e tij…” Por unë ndërkohë, për të sjellë mirë në kujtesë atë kohë iu drejtova edhe shtypit, dhe aty vërehej se Belishova ishte një anëtare me peshë e Byrosë Politike. Gjithsesi, fakti që Belishova kishte studiuar në Bashkimin Sovjetik, madje ne Shkollën e Partisë “V.I. Lenin”, kuptohet që e bënte Belishovën të vetmin njeri që mund të përkrahej nga Moska. Sidomos, kur mendon mendjen diabolike të Hoxhës, që nuk i besonte askujt, kushedi sesa frikë e ka pasur Liri Belishovën në ato çaste.
Kështu pra, të gjithë e ndienin se diçka do të ndodhte edhe në Shqipëri, por në të njëjtën kohë konstatonin një qëndrim të ftohtë ndaj raportit sekret që Hrushovi kishte mbajtur në Kongresin XX. Madje, ky raport nuk ishte botuar askund, qoftë edhe si broshurë për përdorim të brendshëm, ndonëse të gjithë kishin rënë në kontakt me të nëpërmjet shtypit Perëndimor. Sikundër kam mundur të kuptoj edhe më vonë, gjithë duke e përcjellë në kujtesë këtë kohë të paskongresit XX, kam mbërritur në konkluzionin se ai kongres u kishte hapur perspektivën forcave intelektuale brenda Partisë së Punës. Ata ndiheshin atëherë të shtypur, sepse rrethi ku ata bënin pjesë atë pozicion kishte. Në fakt, në atë kohë, nomenklatura e lartë komuniste ndahej në tre rrathë dhe secili rreth patjetër që kishte nivelin e tij dhe optikën e vet të të parit të gjërave, por të gjithë e dinin se Rrethi i Dytë dhe i Tretë i nomenklaturës shqiptare ishte shumë më intelektual se Rrethi i Parë, ashtu sikundër dihej se, në atë kohë, mbi tetëdhjetë për qind e Rrethit të Parë ishte emëruar nga Enver Hoxha, si përzgjedhje besnikësh. Hoxha gjithmonë ishte një shpirt i errët dhe ithtar i vlerave minimale, sepse ndryshe nuk kishte sesi ta utilizonte mediokritetin e tij si drejtues. Prandaj dhe pikërisht për këtë, ata që dinin të mendonin e shihnin Hoxhën si pengesë, nuk e pranonin lakeizmin e tij të pështirë ndaj sovjetikëve, ashtu sikundër nuk ia kishin pranuar këtë lakeizëm as ndaj jugosllavëve përgjatë viteve ‘40; nuk ia pranonin egërsinë në luftën e klasave, sepse e kishin kuptuar që kjo egërsi nuk ishte aspak një detyrë e tij ndaj doktrinës e ndaj Partisë që drejtonte, por ingredienti kryesor në ngulitjen e frikës në Shqipëri dhe në konsolidimin e absolutizmit të tij. Internime, burgje, vrasje, pushkatime, të gjitha këto bëheshin për të hapur hullinë e një sundimtari absolut nëpërmjet frikës dhe ndërkohë që pikërisht kjo metodë staliniane ishte goditur hapur si antimarksiste e leniniste, patjetër se prisnin që, nëpërmjet sovjetikëve, epidemia e antistalinizmit të hynte edhe në Shqipëri. Por në të njëjtën kohë, kjo gjendje antistaliniane, Enver Hoxhën, ndërsa e kishte trembur për vdekje, e kishte bërë edhe më agresiv, sepse ai ishte në pritje që destalinizimi të dështonte në Moskë. Ai priti gjatë për këtë dhe vetëm ai e ka ditur se çfarë ka hequr. Imagjinoni një njeri të sëmurë si ai, që e di se nuk ka të ardhme, që ka prerë koka, që e di se nuk e duan intelektualët e Partisë së tij, që e ka të qartë se i gjithë ngërçi i kohës vjen ngaqë rrathët e aftë nuk e duan pikërisht atë, por që ai e do pushtetin si i marrë, pra, imagjinojeni këtë njëri, që befas është gjendur përballë faktit që agai i vet në Moskë nuk e do më dhe kërkon ta heqë dhe menjëherë do të kuptoni se tek ai kishte humbur çdo ekuilibër human në atë kohë. Ky, pra, ishte Enver Hoxha i atyre viteve.
Megjithatë, të gjithë ata që prisnin ndryshime pozitive nga fryma e Kongresit XX, shihnin se në marrëdhënie me sovjetikët kishte një ngërç, por sovjetikët nuk hapeshin dhe, siç rezultoi edhe më vonë, nuk e hodhën në atë kohë në veprim agjenturën e tyre kundër Enver Hoxhës. Siç duket sovjetikët ose nuk e vlerësonin fare Enver Hoxhën, ose me megalomaninë e shtetit të madh, duke parë ndërkohë se këtu kishin flotë, kishin ushtarë dhe këshilltarë në të gjithë administratën, mendonin me mendje të fjetur se asgjë nuk mund të ndodhë kundër tyre në Shqipëri, sepse, ndryshe nga shumica e vendeve komuniste, nuk kishin konstatuar në popull asnjë ndjenjë antisovjetike, përkundrazi, shqiptarët dukej se i deshën sovjetikët si miq të vërtetë. Por, duke u mbështetur edhe te dokumentet e kohëve të fundit, nuk duhet lënë jashtë vëmendjes këtu edhe mendimi i KGB-së se, nëse eliminohej Enver Hoxha, në Tiranë fitonte fryma e Beogradit. Mendim ky që sigurisht ka qenë i gjithi në ndihmë të Hoxhës, që ky të mund të fitonte kohë dhe ta dominonte më pas gjendjen e rrezikut me ndihmën e kinezëve.