Friday, January 7, 2011

Arrestohet djali i Arta Dades, plagosi nipin e Adil Çarçanit


Besnik Dabulla, djali i deputetes socialiste Arta Dade, u arrestua dje nga policia e Tiranës me akuzën e plagosjes së rëndë ndaj Endrin Lufit, ngjarje e ndodhur mbrëmjen e të mër-kurës, në zonën e ish-Bllokut në Tiranë.

Ndryshe nga versioni paraprak i dhënë menjëherë pas ngjarjes, policia e kryeqytetit, pas hetimeve të kryera ka gjetur se nipi i Adil Çarçanit është plagosur prej shtetasit Besnik Dabulla dhe jo nga Shkëlzen Hoxha, nipi i Enver Hoxhës. Policia e Tiranës, në një deklaratë për shtyp tha se ka arrestuar Besnik Dabullën me akuzën e “plagosjes së rëndë” dhe “armëmbajtjes pa leje”. Në arrestimin e djalit të deputetes socialiste duket se ka influencuar fakti se ai ka tentuar të largohej nga Spitali Ushtarak, ku kishte çuar të plagosurin, sapo ka kuptuar mbërritjen e policisë aty.
Besnik Dabulla
Burime të policisë së Tiranës thanë dje se menjëherë pas plagosjes së shtetasit Endrin Lufi, shtetasi Besnik Dabulla, i pranishëm në vendin e ngjarjes, e ka transportuar të dëmtuarin për në Spitalin Ushtarak me makinën e tij. Policia theksoi se është lajmëruar fillimisht nga urgjenca e Spitalit Ushtarak për mbërritjen e një të plagosuri dhe menjëherë ka nisur shërbimet e saj. Në momentin kur forcat e policisë kanë shkuar në spital, sipas tyre, është vënë re tentativa e shtetasit Besnik Dabulla për t’u larguar nga vendi i ngjarjes. Për këtë shkak, efektivat blu kanë vendosur ndalimin e më pas arrestimin e tij. Deklarata zyrtare e policisë nuk bën të ditura motivet e krimit, por nënvizon faktin se shkrepja e armës ka ndodhur si pasojë e një konflikti mes Besnik Dabullës, Endrin Lufit dhe Shkëlzen Hoxhës. Sipas variantit zyrtar të policisë, të tre personat kanë qenë duke darkuar në lokalin “Liburnia”, në pronësi të Besnik Dabullës, pranë Fakultetit Juridik në Tiranë. Varianti zyrtar i ngjarjes përmend faktin se në konflikt janë përfshirë djali i Arta Dades, Besnik Dabulla; Endrin Lufi, nipi i ish-kryeministrit në kohën e diktaturës, Adil Çarçani; si edhe Shkëlzen Hoxha, nipi i ish-diktatorit Enver Hoxha.
Policia
“Përgjatë orëve të vona të së mërkurës, në rrugën “Perlat Rexhepi” në Tiranë, në ambientet e një lokali, ka ndodhur një konflikt ku janë përfshirë tre shtetas dhe për pasojë është plagosur rëndë me armë zjarri 34-vjeçari Endrin Agron Lufi. Në vendngjarjes shkuan menjëherë oficerë të Policisë për Hetimin e Krimeve të Rënda dhe ekspertët kriminalistë, të cilët bënë të mundur sigurimin dhe këqyrjen e vendit të ngjarjes, duke mbledhur dhe administruar provat”, deklaroi dje policia nëpërmjet zëdhënëses Alma Katragjini. “Nga hetimet e kryera deri më tani, nga specialistët e Seksionit kundër Krimeve ndaj Jetës dhe Shëndetit, u konkludua se në këtë konflikt janë përfshirë shtetasit Besnik Dabulla, Endrin Lufi dhe Shkëlzen Hoxha, të cilët në momentin e ngjarjes ndodheshin duke darkuar në ambientet e lokalit “Liburnia” në rrugicat e ish-Bllokut, në pronësi të shtetasit Besnik Dabulla. Ky i fundit dyshohet se është konfliktuar më pas me shtetasit e sipërcituar, ku për pasojë ka plagosur rëndë Endrin Lufin, 34 vjeç, lindur e banues në Tiranë, i cili u dërgua menjëherë në Spitalin Ushtarak në Tiranë, në gjendje të rëndë shëndetësore”, thuhet në komunikatën zyrtare të policisë së Tiranës.


Teuta Hoxha: Djali ishte me ne në darkë kur ndodhi ngjarja

TIRANE – Teuta Hoxha, nëna e Shkëlzen Hoxhës, nipi i ish-diktatorit komunist Enver Hoxha, ka reaguar dje në mënyrë të ashpër ndaj akuzave që janë hedhur fillimisht mbi djalin e saj, i cili u akuzua se kishte plagosur Endrin Lufin, nip i Adil Çarçanit. “Jemi shumë të revoltuar nga kjo shpifje e qëllimtë. Ky lajm i përhapur me shpejtësi të madhe në gjithë mediat shqiptare është pa diskutim me qëllim politik për të goditur e diskretituar familjen e Enver Hoxhës”, theksoi Teuta Hoxha në një deklaratë të shpërndarë dje për median. “Dje në mbrëmje (pra të mërkurën, natën që ndodhi ngjarja) e gjithë familja jonë bashkë me Shkëlzenin, kemi qenë për një festë familjare tek “Vila Toskana” në periferi të Tiranës”, shprehet Teuta Hoxha, gruaja e djalit të Enver Hoxhës, në deklaratën e saj. Ajo ka vënë në dukje se lajmin mbi ngjarjen e ndodhur, ajo dhe të afërmit e kanë marrë vesh rreth orës 23.30, nga dikush që telefonoi pasi e kishte parë lajmin të transmetohej në televizione. “Natyrisht që në ato momente të para, ne u shqetësuam shumë për shëndetin e Endrinit. Dhe më pas, kur morëm vesh që gjendja e tij shëndetësore nuk ishte e rëndë, filluam të interesohemi se nga kishte dalë ai lajm i rremë për Shkëlzenin”, tha Teuta Hoxha. Ajo ka vënë në dukje se “me mediat e ndryshme që u komunikuan, kanë thënë se burimi i lajmit ishte policia. Dhe për ne ishte e besueshme, se në atë orë të vonë të natës, ishte një burim që e kishte shpërndarë në gjithë shtypin shqiptar. E çfarë mbetet të thuash, kur policia bëhet vegël e dizinformimit me ngjyrime politike. Pse e them këtë: sepse edhe sot (të nesërmen e ngjarjes), pas kaq shumë orësh që ka ndodhur ngjarja, kur çdo gjë do ishte sqaruar, pa fare mundim nga ana e policisë, del zëdhënësja e policisë në orën 10 të mëngjesit për komunikimin me shtypin, dhe thotë: “… Shkëlzen Hoxha është përfshirë në konflikt, kur po darkonte bashkë me dy personat e tjerë”. Sipas Teuta Hoxhës, policia vazhdon në versionin e saj të komprometuar. “Ne, familja e Shkëlzen Hoxhës, nipit të Enver Hoxhës, kërkojmë që policia e shtetit shqiptar të bëjë menjëherë publik versionin e vërtetë të ngjarjes, ku të sqarojë publikisht pozicionin e djalit tonë, në të kundërt ne do t’u drejtohemi të gjitha organizmave ndërkombëtare për shkeljen e të drejtave të njeriut”, shkruan në deklaratën e saj bashkëshortja e Ilir Hoxhës.

Emigracioni, zhvillim apo varfërim


Nga:FATOS LUBONJA

Këtë vit, Parlamenti Europian aprovoi më në fund heqjen e vizave për Shqipërinë dhe Bosnjën. Në Tiranë, kjo u festua në mënyrë të veçantë. U hodhën fishekzjarre dhe u mbajtën fjalime të zjarrta politike. Kolonat e fasadës së Pallatit të Kulturës në sheshin “Skënderbej” u mbushën me flamuj të mëdhenj, (të gjithë jo rastësisht në ngjyrën blu të partisë në pushtet) ku në atë të qendrës shkruhej: “Pa viza në Europë”, kurse nëpër të tjerët shkruheshin emrat e kryeqyteteve të mëdha të Europës krahas kohës së fluturimit përdrejt tyre, duke transmetuar kështu idenë se tashmë, brenda një harku kohor prej një, dy, maksimumi tri orësh, shqiptarët do të mund të gjendeshin në Paris, Berlin, Romë, Athinë, Vjenë, Madrid, Zyrih e me radhë. Në semaforët e rrugëve të kryeqytetit u vendosën disa tabela ku shkruhej “Europë”, e ku rrumbullakja e semaforit ku del drita jeshile koincidon me germën “o” të fjalës “Europë”. Kryeministri Berisha shkoi posaçërisht në Krujë për ta quajtur këtë ngjarje si “më të rëndësishmen në historinë e shqiptarëve, që nga koha e Skënderbeut.”
Ndërkaq, në shtypin perëndimor heqja e vizave për Shqipërinë dhe Bosnjën ose nuk u përmend fare, ose u përkthye nëpër artikujt e gazetave si një shqetësim jo i vogël. Shumë shpejt u bë e qartë se qeverisë shqiptare i janë kërkuar nga qeveritë europiane garancira të forta, se qytetarët e këtij vendi nuk do të veprojnë si maqedonasit kur u hoqën vizat. Duket se edhe për shkak të këtij presioni nga jashtë, televizionet në vend përsërisin pareshtur njoftime të paguara nga qeveria, ku shqiptarëve u thuhet se kush do të shkelë rregullin, dmth. do të qëndrojë përtej afatit apo do të kërkojë punë në Perëndim, do të penalizohet. Po ashtu, ministri i Brendshëm ndërmori një fushatë informimi, nga e cila doli se kërkesat për daljen në Europë pa viza për qytetarët shqiptarë do të jenë shumë të rrepta: duhet paraqitur një biletë vajtje-ardhje, duhet të vërtetohet pasja e një shume të mjaftueshme të hollash, që të provojë se udhëtari i ka mjetet financiare, duhet të tregohet vendi se ku do të qëndrohet, e me radhë..., gjëra që nuk i kërkohen një qytetari perëndimor.
Kësisoj, ajo që bie në sy është një lloj skizofrenie shqiptare lidhur me këtë ngjarje: më një anë kemi propagandimin e heqjes së vizave si provë e realizimit të ëndrrës europiane të shqiptarëve dhe në anën tjetër, për shqiptarët dalja në Europë vazhdon të ketë kuptimin e daljes në një botë tjetër. Me fjalë të tjera, ky festim i ekzagjeruar ka si anë tjetër të medaljes gjendjen e një realiteti në Shqipëri, që e trajton heqjen e vizave jo si një sukses brenda vendit, por si një mundësi emigrimi. Madje, ka komentatorë që propagandën festive të organizuar nga qeveria me flamujt e kudondodhur e tabelat tek semaforët që tregojnë dritën jeshile për në Europë, i interpretojnë edhe si nxitje indirekte që shqiptarët të marrin rrugët, në mënyrë që ky emigrim i ri të shërbejë si valvul shkarkimi e tensioneve në rritje që po shkakton kriza ekonomike e politike, ashtu siç ka shërbyer edhe në vitet 90-91 për qeverinë e fundit komuniste, e siç ka shërbyer edhe në kriza të tjera pas këtyre viteve.
Në kohën e këtij debati të hapur, mbi atë se çdo të thotë kjo heqje e vizave, po botojmë këtë numër të Përpjekjes, kushtuar migrimit të shqiptarëve gjatë këtyre njëzet vjetëve. Mendojmë se ky do të jetë jo vetëm një dokument për historinë e migrimit shqiptar në 20 vjetët e fundit, por duke sjellë analizën e kësaj përvoje njëzetvjeçare, do të shërbejë edhe si kontribut në këtë debat, e po ashtu, si mundësi reflektimi për atë se ku janë realisht shqiptarët, brenda dhe jashtë kufirit, në raport me ëndrrën e tyre të vitit 1990.
Siç del qartë nga punimet e autorëve të këtij numri, periudha komuniste 1944-1990 ishte një ndërprerje “e shkurtër” në historinë e migrimin të shqiptarëve, çka flet për faktin se ata kanë pasur gjithherë një jetë të vështirë në vendin e tyre. Ajo që ndodhi pas vitit 1990 ishte një moment kulminant në këtë histori. Duket se izolimi funksionoi si një “digë”, brenda të cilës u akumulua potencial i madh emigrimi, që pastaj shpërtheu duke i dhënë emigracionit shqiptar trajtat e një përmbytjeje dramatike, me karakteristika që e bëjnë të dallohet nga emigracioni në vende të tjera të botës. Në këtë kontekst, emigrimi si sëmundje kronike e shqiptarëve dhe veçanërisht dramaciteti i migrimit pas viteve ’90, ngre një çështje të rëndësishme për shqiptarët, që Russell King e artikulon kështu në shkrimin e tij: “A nxit migrimi – nëpërmjet mekanizmave të tij dobiprurës të supozuar nga ekonomistët, siç janë ulja e papunësisë, ngritja e nivelit të pagave, prurja e dërgesave, kthimi i migrantëve i orientuar drejt investimeve – zhvillimin në vendin e origjinës së migrantëve? Apo mos duhet që marrëdhënia të ri-frazohet ndryshe: për shembull, që është zhvillimi i dobët ai që shkakton migrimin; ose që migrimi i tepërt nuk sjell aq shumë zhvillimin e vendit të origjinës, sesa varfërimin e mëtejshëm të tij, për shkak të rrjedhjes së tepërt (ikjes jashtë) të kapitalit njerëzor?”
Për trajtimin e kësaj çështjeje, e shumë të tjerave që lidhen me emigrimin e këtyre njëzet vjetëve, Përpjekja sjell kontributin e një numri specialistësh nga më të njohurit ndërkombëtarë, si dhe disa nga firmat e njohura shqiptare që kanë trajtuar këtë temë, edhe ata vetë emigrantë. Realizimi i tij u bë i mundur në sajë të përkushtimit të Eda Derhemit, që punoi për Përpjekjen si “guest editor”. Është ajo, që prej SHBA ku jeton, ka grumbulluar shumicën e materialeve, ka mbajtur kontaktet me autorët dhe përkthyesit, e ka paraqitur materialet. Kjo është një përvojë e re e Përpjekjes, jo pa lidhje me dramën e emigracionit. Sepse ky numër, i përgatitur thuajse i gjithi me kontribut nga jashtë, në njërën anë është provë e faktit se emigrantët shqiptarë gjithsesi mbeten të lidhur me vendin e tyre, se ata janë një burim i vyer për vendin, por në anën tjetër është edhe një dëshmi, se ikja e trurit si “varfërim i mëtejshëm” i vendit, po ia bën gjithnjë e më të vështirë në këtë Shqipërinë e çoroditur nga kultura sipërfaqësore e konsumizmit, që i vjen aq për shtat elitës së korruptuar në pushtet, studimeve serioze brenda vendit, si dhe botimeve të karakterit të Përpjekjes.
* Editoriali i Përpjekja 26 -27, (pranverë – vjeshtë 2010) me temë emigracionin shqiptar gjatë këtyre 20 vjetëve që sapo është botuar

Thursday, January 6, 2011

Feja në Epokën e Globalizmit


Tony Blair

Për vite me radhë, hamendësohej, sigurisht në Perëndim, se me zhvillimin e shoqërisë feja do të zbehej. Por nuk ka ndodhur kështu dhe në krye të një dekade të re ka ardhur koha që politikëbërësit ta marrin seriozisht fenë.

Numri i njerëzve që deklarojnë fenë e tyre është rritur në rang botëror. Kjo është veçanërisht e qartë në botën islamike. Ndërsa përqindja e lindjeve në Europë ka mbetur në vend, popullsia arabe do të dyfishohet në dekadat e ardhshme dhe popullata do të shtohet në shumë vende muslimane të Azisë. Krishterimi po rritet gjithashtu-në mënyra dhe vende të çuditshme.

Feja ritmin më të madh të rritjeve e ka në Kinë. Në fakt ia vlen të reflektosh mbi religjiozitetin e Kinës. Ka më shumë muslimanë në Kinë se sa në Europë, më shumë protestantë praktikantë se sa në Angli, dhe më shumë katolikë praktikantë se sa në Itali. Veç kësaj, sipas anketimeve më të fundit, rreth 100 milionë kinezë e identifikojnë veten si budistë. Dhe, natyrisht, konfucianzimi-një filozofi më shumë se fe-është thellësisht i respektuar.

Ka një lëvizje të paanë evangjeliste në Brazil dhe Meksikë. Për shumë njerëz në Amerikë besimi në Zot mbetet një pjesë vitale e jetës. Edhe në Europë numri i atyre që rrëfejnë se besojnë në Zot mbetet i lartë. Dhe sigurisht kemi qindra milionë hindu dhe një numër solid hebrejsh dhe sikhs-ësh.

Njerëzit e fesë bëjnë vepra të mëdha për shkak të besimit. Rreth 40 për qind e kujdesit shëndetësor në Afrikë shpërndahet nga organizatat me bazë fetare. Grupet muslimane, hindu dhe hebreje të asistencës janë aktive në mbarë botën në luftën kundër varfërisë dhe sëmundjeve. Në çdo komb në zhvillim do të gjesh përkujdesje altruiste që u jepet të gjymtuarve, të braktisurve dhe atyre në shtratin e vdekjes nga njerëz që veprojnë të shtyrë nga impulset e besimit të tyre. E përbashkëta e të gjitha feve të mëdha është dashuria për fqinjin dhe barazia njerëzore para Zotit.

Fatkeqësisht mirësia nuk është i vetmi kontekst në të cilin feja i motivon njerëzit. Mundet që gjithashtu të promovojë ekstremizëm, madje terrorizëm. Pikërisht këtu besimi bëhet emblemë e identitetit në kundërshtim me ata që nuk përfaqësohen nga kjo shenjë; njëfarë nacionalizmi shpirtëror që i klasifikon ata që nuk janë dakord-madje edhe ata brenda së njëjtës fe që ndjekin pikëpamje të ndryshme të saj-si jobesimtarë, të pafe dhe rrjedhimisht armiq.

Deri diku kjo ka qenë tradita. Ka ndryshuar vetëm trysnia e globalizmit, e cila po i shtyn njerëzit gjithnjë e më afër njëri-tjetrit, teksa teknologjia përparon dhe e mpak botën. Gjatë fëmijërisë sime, 50 vjet më parë, fëmijët rrallë takonin dikë me sfond të ndryshëm fetar e kulturor. Sot, kur jam në këndin e lojërave me djalin tim 10-vjeçar apo shoh shokët e tij në një mbrëmje datëlindjeje, dëgjoj një mori gjuhësh, besimesh dhe ngjyrash.

Personalisht, kjo më këndell. Por një botë e tillë kërkon që respekti i përbashkët të zëvendësojë dyshimin e përbashkët. Një botë e tillë i mund traditat dhe sfidon mendimet e vjetra, duke na detyruar që me ndërgjegje ta përqafojmë atë. Ose jo.

Dhe këtu fillon problemi: për ca kjo forcë përbën kërcënim. Kërcënon shoqëritë thellësisht konservatore. Dhe për ata për të cilët feja ka rëndësi globalizmi nganjëherë shoqërohet me një shekullarizëm ose hedonizëm agresiv që shqetëson shumë vetë.

Kështuqë ne duhet të kuptojmë se si bota e besimit ndërvepron me procesin e pakontrollueshëm të globalizmit. Prapëseprapë është e jashtëzakonshme se sa kohë apo energji politike i përkushtojmë kësaj. Shumica e konflikteve në botën e sotme kanë një përmasë fetare. Ekstremizmi i bazuar te një falsifikim i Islamit nuk jep shenja zbehjeje; në fakt nuk do të pakësohet derisa t’i kundërvihemi me përkushtim, por edhe me masa sigurie.

Ky ekstremizëm është, ngadalë por me siguri, duke prodhuar reagimin e vet siç po shohim nga përqindjet elektorale të partive islamofobe në Europë dhe në deklarata të udhëheqësve evropianë, sipas të cilave multikulturalizmi ka dështuar.

Natyrisht gjatë gjithë historisë feja shpesh ka qenë pjesë e konfliktit politik. Por kjo nuk do të thotë se feja duhet shmangur. Në të kundërt, kërkon një fokus të posaçëm. E shoh këtë me qartësi gjatë kohës që kaloj në Jerusalem ku-në Lindje dhe Perëndim-ka një rritje të fortë të religjiozitetit.

Unë e fillova Faith Foundation saktësisht për të krijuar një mirëkuptim më të madh ndërmjet besimeve. Arsyetimi im është i thjeshtë. Ata që mbrojnë ekstremizmin në emër të fesë janë aktivë, me rezerva të mjaftueshme dhe-ciladoqoftë natyra reaksionare e mendimit të tyre-të shkëlqyera në përdorimin e teknologjisë dhe komunikimit modern. Përllogarisim se miliarda dollarë çdo vit i përkushtohen promovimit të këtij pikëvështrimi të fesë.

Këshuqë Fondacioni ka një program universitar-tani i hapur në nëntë vende-që është hartuar për ta shmangur fenë si përbërësin e vetëm të shkollave fetare dhe analizimin e rolit të saj në botën e ditëve tona. Ne kemi një program tjetër-në 15 vende dhe të tjera më vonë-që lidh nxënësit e shkollave në mbarë botën përmes teknologjisë interaktive për të diskutuar besimin e secilit dhe domethënien që ka për ta. Ne kemi një program-aksion përmes të cilit të rinjtë punojnë me moshatarë të feve të tjera për të rritur vëmendjen ndaj Synimeve të Mijëvjeçarit, program i udhëhequr nga OKB-ja për të luftuar varfërinë në botë.

Ne nuk jemi më shumë se një organizatë. Të tjera janë duke u ngritur. Por qeveritë duhet të fillojnë ta marrin më seriozisht këtë. Aleanca e Qytetërimeve që nisi në Spanjë e Turqi është një shembull. Mbreti i Arabisë Saudite ka dëshmuar cilësi udhëheqëse të shkëlqyera në këtë plan. Megjithatë, kjo nuk ka të bëjë me grumbullimin e njerëzve me pozitë. Duhet gjithashtu të funksionojë edhe te masat dhe posaçërisht në median për të rinjtë.

Në mbyllje, udhëheqësit fetarë duhet të marrin një përgjegjësi të re: të mos luhaten në respektin e tyre për fetë e tjera të ndryshme nga e tyrja. Shekullaristët agresivë dhe ekstremistët ushqejnë njëri-tjetrin. Së bashku, ata përbëjnë një sfidë të njëmendtë për besimtarët. Ne duhet të demonstrojmë natyrën dashamirëse të besimit të vërtetë; përndryshe feja do të përkufizohet nga një betejë në të cilën ekstremistët marrin kontrollin e komuniteteve besimtare dhe shekullaristët pretendojnë se qëndrime të tilla janë thelbësore për fetë.

Kjo do të ishte një tragjedi. Sepse pikërisht në këtë epokë globalizmi, besimi mund të përfaqësojë arsyen dhe përparimin. Feja nuk po vdes dhe as nuk duhet të vdesë. Bota ka nevojë për besimin.

Tony Blair ish-kryeministër i Mbretërisë së Bashkuar.

Gazeta kombëtare “Bota sot” shpall Sali Berishën, personalitet të vitit 2010


Gazeta kombëtare “Bota sot” do të nderojë me mirënjohje të veçantë dr.Sali Berishën personalitetin e vitit si dhe akademik Mark Krasniqin, për shkrimin më të lexueshëm nga lexuesit e gazetës e vebfaqes www.botasot.info

Redaksia e gazetës kombëtare “Bota sot” përmes vebfaqes www.botasot.info ka realizuar anketën me lexues të vet për zgjedhjen e personalitetit politik shqiptar të vitit 2010.

Në listën personaliteteve janë përfshirë 10 liderë nga të gjitha trojet tona etnike, Shqipëria, Kosova e Maqedonia. Në anketën që zgjati për rreth 2 javë, më së shumti vota mori dr.Sali Berisha, kryeministër i Shqipërisë.

Si risi e veçantë e kësaj ankete është e dhëna se megjithëse hyri në skenën politike në muajt e fundit të vitit, Ukë Rugova mori vota të konsiderueshme për të qenë një nga liderët politikë shqiptar të preferuar.

Akademik Mark Krasniqi

Redaksia e gazetës kombëtare “Bota sot” poashtu përmes vebfaqes www.botasot.info ka zgjedhur edhe shkrimin më të lexueshëm e më të klikuar të akademik Mark Krasniqit “Le ta dijë Evropa mbarë, tash e mbas s'jemi shqiptarë!” të botuar në gazetën kombëtare “Bota sot” dhe në vebfaqen www.botasot.info. Ky shkrim pos që është lexuar me kënaqësi nga lexuesit, ka përçuar tek opinioni porositë kombëtare për unitet e bashkim kombëtar si dhe për vlera të përbashkëta kombëtare të shqiptarëve kudo që janë e kudo që jetojnë.

Redaksia e gazetës kombëtare “Bota sot” pos htu përmes vebfaqes www.botasot.info ka përzgjedhur ditën më të vizituar (klikuar) të vitit 2010. Kjo ditë ka qenë dita e hënë, më 13 dhjetor, një ditë pas mbajtjes së zgjedhjeve nacionale në Kosovë. Gjatë 24 orëshit të 13 dhjetorit janë shënuar mbi 3 milion e 400 mijë klikime apo më saktësisht 343.4579 klikime.

Redaksia e gazetës kombëtare “Bota sot”, përkatësisht e vebfaqes www.botasot.info falënderon të gjithë lexuesit e saj besnikë të gazetës dhe lexuesit – vizitorët e vebfaqes www.botasot.info.

Edhe kësaj radhe po dëshmohet se gazeta kombëtare “Bota sot” është e vetmja gazetë me orientim kombëtar ndërsa vebfaqja www.botasot.info vebfaqja më e klikuar shqiptare në fushën e komunikimit përmes internetit.

Shvarceneger nuk është më guvernator


Për Arnold Shvarcenegerin kjo është ditë e ngjashme me atë në filmin Terminator, ku ai luante rolin kryesor, e kur thotë “lamtumirë” në gjuhën spanjolle. Por, tërheqja anga posti i guvernatorit natyrisht bëhet pa të shtëna zjarri.

Derisa Arnold Shvarcenegeri i thotë lamtumirë postit të guvernatorit pas 7 vjetësh, duket se ai më tepër do të mbahet mend për filmat e pavdekshëm, sesa për të arriturat politike.

Kjo mund të ndodhë pasi zoti Shvarceneger, që është i lindur në Austri, pas dy mandatesh në këtë post, po largohet me trashëgimi të përzier dhe me rejtingun e miratimit prej vetëm 23%.

Gjatë fjalimit të tij inaugurues në vitin 2003, zoti Shvarceneger, anëtar i Partisë Republikane, ka premtuar bashkëpunim me ligjvënësit shtetërorë.

Ai po ashtu kishte përmendur emrin e ish-presidentit Xhon Kenedi, për t'i përkujtuar lidhjet e tij personale nëpërmjet bashkëshortes së tij, Maria Shrajver, me familjen Kenedi, që është njëra nga familjet më të fuqishme politike në Shtetet e Bashkuara.

“E di se disa nga ju thonë se legjislatura dhe unë kurrë nuk do të pajtohemi për zgjidhjen e problemeve. Por, në jetën time kam parë se njerëzit shpeshherë përgjigjen në mënyra të mrekullueshme. Siç thotshte presidenti Kenedi, unë jam idealist pa iluzione”, kishte thënë Arnold Shvarceneger.

Ai, posa e kishte marrë postin, kishte premtuar fokusim në çështjet e buxhetit, që është një gjë kritike për vendin me ekonomi më të madhe se Rusia, Brazili apo Kanadaja.

Por tash, derisa ai largohet nga ky post, Kalifornia ballafaqohet me një situatë të vështirë ekonomike, për shkak të krizës financiare globale dhe recesionit në Shtetet e Bashkuara, ndërsa deficiti i buxhetit është 28 miliardë dollarë.

Pjesa më e madhe e angazhimit të zotit Shvarceneger ishte karakterizuar me lidership jo të vendosur dhe me zhgënjim në mesin e republikanëve dhe demokratëve me guvernatorin e tyre, për të cilin thoshin se ka dështuar të bëjë reforma të vështira, por më se të nevojshme të buxhetit, edhe në kohën kur mbështetja e publikut për të ishte e lartë.

Shvarcenegeri ka pasur edhe suskese të caktuara, për shembull në ligjet për ambientin, që rregullonin emisionet e gazrave dhe përcaktimin e qëllimeve që Kalifornia të lëvizë përpara me burime të energjisë së rinovuar, siç është ajo diellore dhe e erës.

Padyshim, ai ka fituar shumë mbështetës vjeshtën e kaluar, kur e nënshkroi ligjin që i reduktonte dënimet për njerëzit që posedonin sasi të vogël të marihuanës.

Edhe pse popullariteti i tij ishte zbehur, ai vazhdonte të përdorte karizmën e tij dhe autoritetin prej yllit të filmit për promovimin e çështjeve të ndryshme në nivel ndërkombëtar.

Në këtë aspekt, ai ka folur në Konferencën për Ndryshime Klimatike në vitin 2009 në Kopenhagë, ndërsa para pak kohe ka udhëtuar në Skolkovo afër Moskës, për t’i mbështetur përpjekjet e presidentit rus, Dmitri Medvedev, për ta ngritur një Luginë të Silikonit në Rusi.

“E di se teknologjia e Rusisë dhe mendjet e jashtëzakonshme të inovimit janë çdo gjë. Së bashku me qytetarët e Kalifornisë, mendoj se realisht mund të krijojmë një mrekulli këtu dhe të bëhet një bum në këtë industri”, ka thënë Arnold Shvarceneger në Skolkovo, afër Moskës.

Shvarcenegeri, 63-vjeçar, ka shprehur interes që një ditë të garojë për president të Shteteve të Bashkuara. Por, Kushtetuta e SHBA-ve aktualisht nuk lejon që shtetasit e naturalizuar të bëhen presidentë, ndërsa vështirë se do të ketë ndonjë amendament eventual për ta ndrayshuar këtë.

Pas detyrës së guvernatorit, zoti Shraceneger ka sugjeruar se ndoshta mund të kthehet në Holivud, ashtu siç ishte shprehur edhe në filmin Terminator, duke thënë “Do të kthehem”. (f.b.)

Helena Kadare deklaratë dashurie një shkrimtari të zymtë


NGA: JEAN-LOUIS GOURAUD
Ka deklarata dashurie që përmbajnë disa rreshta, madje disa fjalë. Ajo që Helena Kadare i adreson sot bashkëshortit të saj, shkrimtarit të shquar shqiptar, është kaq e gjerë, saqë nuk e ka të lehtë të shpalosë gjithçka, madje edhe në shtatëqind e pesëdhjetë faqet e dendura të një libri që sapo është botuar nën një titull të bukur - huazuar nga një poezi e bashkëshortit të saj - "Kohë e pamjaftueshme". (Fayard)
Është e vërtetë që ky libër nuk është thjesht një deklaratë dashurie: ai është një përjetim i gjithë jetës së një çifti - gati një gjysmëshekull - gjithë jeta e marrëdhënieve intime me një njeri të veçantë. I veçantë, që nuk do të thotë i përsosur.
Përkushtimi që ka Helena për bashkëshortin e saj nuk është i verbër. Ismail Kadare, edhe pse është një gjeni, autor i një vepre ndërmjet më të rëndësishmeve të letërsisë botërore të shekullit XX, ai nuk është pa të meta. Së pari, një karakter i vështirë: i paparashikueshëm, i çuditshëm, i mbyllur. Kur ai ia beh për herë të parë në familjen e asaj që do të bëhet gruaja e tij, për shembull, kjo e fundit dëshmon (faqe 85): "Si të kishte mbartur me vete një erë të akullt, prania e tij e ngriu atmosferën".
Shpesh i ftohtë, ai nuk është gjithnjë gazmor: por ai do të kishte një temperament të gjallë, të tillë e zbulon Helena ndërsa tregon për vitet kur i riu Kadare ndodhej me studime në Institutin 'Gorki', në Moskë.
Duke lexuar librin e saj, ne pyesim herë-herë: si ka mundur që dashuria me një tip kaq të vështirë, të vazhdojë kaq gjatë? Sepse ajo është fisnike. Ajo nuk është një viktimë mashtrimi, larg kësaj, ajo është e informuar mirë, është e vetëdijshme, por ajo fal. Inteligjente, ajo di të vlerësojë siç duhet vlerën e cilësive të bashkëshortit të saj gjenial, në krahasim me të cilat, huqet e tij të vogla e të mëdha nuk llogariten aspak.
Në këtë libër kujtimesh, Helena Kadare jep një provë jo vetëm të një aftësie të madhe për të falur, por gjithashtu edhe të një aftësie të madhe për të admiruar. Bashkëshorti i saj, natyrisht vepra e tij, mendimet, dëshirat, idetë dhe projektet e tij - madje dhe ëndrrat e tij, që ajo i mban shënim me kujdes (faqja 174, për shembull), apo skicimet e veprave të tij, që ajo i koleksionon me dashuri (veçanërisht faqja 301). Por, gjithashtu edhe botën në të cilën jeton, dhe njerëzit që ajo takon. Ajo mahnitet nga çka i ndodh asaj, një vajze adoleshente nga një qytet i Shqipërisë, e shtënë shumë pas poezisë, që do të kishte dashur të vijonte njëlloj rrugën e letërsisë, nëse hija gjigante e bashkëshortit nuk do ta kishte bindur të bëhej shoqja, bashkëshortja, e besuara e një prej shkrimtarëve më të mëdhenj të shekullit.
E ka bërë ngaqë iu bind zgjedhjes së saj? Jo tërësisht: e angazhuar pas një bashkëshorti të trazuar, të ndërlikuar, gjithëpushtues, Helena Kadare ka gjetur megjithatë energji për të shkruar disa libra - në të cilët një roman i bukur, që është përkthyer në frëngjisht: "Një grua nga Tirana". (Stock, 1995) Pa folur për lindjen e atyre që ajo i konsideron si kryeveprat e saj të vërteta: dy vajzat, Gresa dhe Besiana, prej të cilave na përcillen në përmbledhjen e saj të kujtimeve disa anekdota shumë të këndshme, si kjo (faqe 213): në vitet gjashtëdhjetë, për shqiptarët, "udhëtimet në një vend të huaj ishin një ngjarje kaq e pazakonshme, saqë me këtë rast, gjithë familja shkonte në aeroport për të shoqëruar udhëtarin". Një ditë, Helena dhe vajza e saj më e madhe e shoqërojnë Ismail Kadarenë, që ishte i ftuar për të shkuar në Vietnam. "Më kujtohet, tregon ajo, që duke mbajtur Gresën për dore, me kokat e ngritura për të parë avionin gjigant që ngjitej në qiell, kur ai kishte arritur lartësitë dhe dukej tashmë si një trumcak, Gresa, e tmerruar, u kthye nga unë për të më thënë: Po tani ku rri babi?".
Shihet qartë: Helena ka një kënaqësi të dukshme për të rrëfyer histori, për t'u kredhur në kujtimet e saj, dhe jep një provë të plotë të një talenti të vërtetë.
Por interesi kryesor i librit të saj nuk është në këtë grumbullim anekdotash, sado me shije e të kripura që të jenë ato. Interesi shumë i madh dhe shumë i gjerë i kësaj vepre është, që ajo na zhyt në një realitet shpesh tragjik të krijimit letrar, posaçërisht kur ai kryhet, madje - dhe ky është paradoksi i madh - kur ai lind në një kontekst kaq të tmerrshëm, siç ishte diktatura komuniste në Shqipëri, e kohës së Enver Hoxhës. Një përparësi shumë e madhe e kësaj vepre është ndihma që ajo na jep për të zbuluar një pjesë të asaj që ne e quajmë misteri Kadare. Që mendimi i tij, nëse s'është misterioz, më së paku është kompleks, këtë e dëshmon qartë e gjithë vepra e tij - një shumësi romanesh dhe esesh, më tepër se njëzet mije faqe të botuara, pa llogaritur shënimet e panumërta, sinopset dhe korrespodencën e pabotuar.
Por kësaj i shtohet një enigmë tjetër, politike, filozofike e letrare njëkohësisht, që, një eseist rus, A. J. Roussakov (cituar nga Helena në faqen 189), e ka përmbledhur në një frazë: "Kadare shpalos njëkohësisht tiparet e shkrimtarit më të madh zyrtar dhe ato të më të madhit shkrimtar disident të Shqipërisë". Është ky ambiguitet, pa dyshim që deri tani e ka përmbajtur jurinë e Nobelit, për t'i dhënë atij më në fund çmimin e famshëm, për të cilin ai ka qenë shpesh kandidat.
A ishte Kadare një shkrimtar antikomunist në një regjim komunist? Helena propozon më parë termin "a-komunist". Kundërshtarët e tij si brenda ashtu dhe jashtë, kanë besuar të bëjnë të mundur përcaktimin e Ismail Kadaresë nëpërmjet të kundërtave: kur ai botoi romanin "Koncerti", kujton Helena (faqe 214) "e qortuan atë se ishte anti-kinez. Për shkak të romanit "Gjenerali i ushtrisë së vdekur", atë e trajtuan si anti-italian. Për shkak të romaneve të tjerë si anti-turk. Për shkak të romanit "Dimri i vetmisë së madhe", si anti-rus. Anti-jugosllav, kjo vetëkuptohej për shkak të Kosovës, por ashtu siç e ka vënë re ai vetë, atë e kanë cilësuar mbi të gjitha si antishqiptar"!
Përgjigjja më e mirë ndaj gjithë këtyre akuzave është dhënë nga vetë Kadare dhe, ashtu siç rrëfen gruaja e tij (faqe 292), ai nuk e ka konsideruar veten kurrë as si një shkrimtar zyrtar e as si një shkrimtar disident, por thjesht, një shkrimtar. Kjo nuk është një piruetë e thjeshtë apo një formulë e shkathët. Kadare nuk e përdor kurrë këtë shprehje pa u thelluar. Ai ka një ide tepër të lartë për rolin e shkrimtarit në shoqëri. Ai e vendos shumë lart përgjegjësinë e këtij të fundit, dhe akoma më lart pushtetin e letërsisë.
Duke mos pasur kurrfarë dyshimi për vendin e tij personal në linjën e shkrimtarëve më të mëdhenj, Homer, Dante, Shekspir, Dostojevski, Ismail Kadare shfaq dukshëm njëkohësisht modestinë më të madhe dhe jomodestinë më të madhe, duke refuzuar, për shembull, pas rrëzimit të komunizmit në Shqipëri, që të merrte postin e Presidentit të Republikës. Atyre që ia propozuan këtë post, Kadare iu përgjigj, se ndihej i paaftë për ushtrimin e këtij posti, sepse duke qenë shkrimtar, "është mësuar të punojë vetëm, pa dëgjuar e pa u këshilluar me askënd". Shkurt, përfundon ai me një humor acid, që për të është i zakonshëm, "shkrimtari është detyrimisht i një natyre intolerante, pra, pak i pajtueshëm me demokracinë!".
Rrëfyer nga Helena (faqe 205), kjo vërejtje thotë shumë për kompleksitetin e njeriut të jetës së saj. Për ta përcaktuar më mirë këtë gjë, një anekdotë tjetër meriton të citohet ende. Gjatë një darke, një ambasador i bën Kadaresë një nga ato pyetje që ai nuk i ka fort për zemër, të llojit: "Çfarë po shkruani në këtë moment", "Çfarë po shkruaj? - përgjigjet Kadare. Unë jam duke bërë më parë të kundërtën: jam duke zhbërë një vepër". Me shijen e paradoksit që e karakterizon atë, ai deklaron, rrëfen Helena, (faqe 300) që në të vërtetë, "shkatërrimi i veprave që nuk meritojnë të jenë të shkruara është ndoshta misioni kryesor i shkrimtarit".
Duke shpalosur kështu episode zbuluese të shumta, madje zbulime të shumta, si dhe gjëra të reja, të panjohura të mjeshtrit dhe bashkëshortit të saj, libri i Helena Kadaresë është jo vetëm një dëshmi e dorës së parë mbi krijimin e një vepre me rëndësi universale, por gjithashtu një homazh i bukur për mjaft miqësi të bukura, të atilla si ajo shumë e merituar, që çifti Kadare shfaq për Claude Durand-in, i cili ka qenë për ta, shumë më tepër se një botues i mirëfilltë: një i besuar, një bashkëpunëtor, një interpretues, një përkthyes, një mik i sinqertë, kurajoz dhe pa interes.
Në këtë ansambël të gjerë qëndron sidoqoftë një pjesë e vogël e misterit. Ndërmjet ekstravagancave të sjelljes së bashkëshortit të saj gjenial është njëra, për shembull, që Helena e lë të pashpjeguar: "Gjatë një periudhe të shkurtër, Ismaili ishte i joshur mbas kuajve", shkruan ajo (faqe 705), pa shpalosur as arsyen më të vogël për këtë interesim të papritur. Unë jam i lumtur të ofroj këtu, për të përfunduar, një ndihmesë personale në sqarimin e enigmës.
Përveç Claude Durand, Ismail Kadare mund të ishte gjithnjë i sigurt mbi besnikërinë e pathyeshme të disa miqve francezë, në mënyrë të veçantë, në atë të një poeti, Anatole Bisk, i njohur më tepër me emrin Alain Bosquet (vdekur më 1998). Po ashtu, romancier, eseist, kritik, Bosquet ishte i apasionuar pas garave të hipizmit. Shumë herë ai arriti ta bindë mikun e tij shqiptar që ta shoqërojë atë në hipodrom (gjë që e konfirmon Helena në librin e saj, në faqen 574), pa mbërritur megjithatë që të nxisë te Kadareja një pasion të vërtetë.
Helena rrëfen gjithashtu (faqe 408) që një tjetër nga miqtë e tyre të mëdhenj, aktori Michel Piccoli, i ka ftuar shpesh në shtëpinë e tij në Normandi, ku "kuajt e bukur dhe madhështorë ishin kashaisur dhe ushqyer me kujdes në stallat e tyre". Por edhe atje spektakli nuk ngjalli shumë entuziazëm te Kadare.
Jo, përgjegjësi i vërtetë për maninë e tij të shkurtër hipike, është autori i këtyre radhëve! Një ditë, në fakt, Kadare më tregoi një histori të jashtëzakonshme: Në kohën e diktaturës së Enver Hoxhës, një kundërshtar i regjimit u arrestua dhe u dënua. Në mënyrë që dënimi të ndihej më mirë, bashkë me të deportuan dhe kalin e bukur që ai zotëronte: kafshën e degdisën në një fermë, ku iu nënshtrua gjithashtu punëve më të rënda. Kjo histori (e vërtetë) më entuziazmoi deri në atë pikë, saqë për një kohë të gjatë nuk pushova së qepuri Ismail Kadaresë, derisa ai e tregoi atë në një tekst, të cilin më pas unë e botova. E botova unë. Kësisoj arrita një përfitim nga kjo çështje. Ky tekst ndodhet në librin tim, "Kali, kafshë politike", (Favre, 2009)
Disa vite më parë pata marrë nga ai një tjetër tekst të vogël për lavdinë e kalit, në të cilin, Kadare jep edhe njëherë provën e gjenisë së tij. Në vend që të më kallëzonte konsiderata banale mbi bukurinë e kësaj kafshe ose mbi shërbimet e mëdha që ajo i ka bërë njeriut, Kadare pyet: "Çfarë do të ndodhte nëse papritur, kuajt - dëshmitarë, të qetë të të gjitha mbrapshtive njerëzore - të fillonin të flisnin? "Kjo do të ishte sigurisht një fatkeqësi shumë e madhe për njerëzimin", formulon ai me një ton epik dhe solemn njëkohësisht, ton që karakterizon një pjesë të madhe të veprës së tij.

Marrë nga revista e përmuajshme franceze "La revue"
Përktheu Fatmir Alimani

(d.b/GSH/BalkanWeb)

Wednesday, January 5, 2011

4 % e adoleshentëve shqiptarë, seks që 13 vjeç


Shuli i portës së hekurt lëviz me orar! Por djali që nuk është më shumë se 15 vjeç, me një zë të trashë dhe trup të hedhur, nuk duron më... "O i....(shan), këtu është burg fare, mua më presin jashtë, ky mban çelësin në xhep".


Roja, një mesoburrë i pjekur qëndron pak më tutje, krejt heshtur dhe bën sikur nuk dëgjoi asgjë. Fundja veshët e tij janë mësuar me fjalorin e rëndë. Hedh edhe një herë sytë përqark me shpresë se e dëgjuan edhe të tjerët dhe këmbëngul në të tijën.


Ndërsa nga krahu tjetër i murit ndodhet një grup vajzash. - "Hë pra, hajde, kalo hekurat po deshe se nuk do të rrimë gjithë ditën të presim", - i thotë njëra prej tyre djalit "të burgosur" brenda nga "kokëfortësia" e rojes që kërkon të zbatojë oraret.


Ky ishte vetëm një episod krejt i shkurtër në pak minuta që qëndrojmë në oborrin e një nga shkollave të mesme në kryeqytet. Prindërit shqetësohen, por, tashmë, një vajzë që nis aktivitet seksual që në moshë të mitur, apo një djalë që me njërën dorë përqafon të dashurën e me tjetrën thith një cigare, janë realitet. Sa të përhapura janë ato që quhen vese të moshës? Kanë dalë statistika nga Instituti i Shëndetit Publik dhe situata ka tashmë edhe numra.


Vihet re një rritje e fenomenit të kryerjeve të marrëdhënieve seksuale në moshë të mitur, apo përdorimi i pijeve alkoolike, duhanit dhe i drogave të lehta. Madje, edhe në shkollat 9-vjeçare. Për të kuptuar se çfarë ndodh në shkollat e mesme dhe 9-vjeçare mjafton një "shëtitje" afër lokaleve të këtyre shkollave. Baret janë plot, duhani është i pranishëm në thuajse çdo tavolinë adoleshentësh, pasi ndryshe konsiderohesh si "jashtë mode".


Dikush mund ta quajë emancipim, një tjetër degjenerim të rrezikshëm, ndërsa duket se logjika më e mirë është që të mendohet për zgjidhjet duke respektuar temperamentin e moshës.


"Ka një konflikt brezash mes prindërve dhe fëmijëve, pasi vetë prindërit në radhë të parë kur flasin me fëmijën e tyre duhet të ndajnë, në se po bisedojnë më një fëmijë apo me një adoleshent",-shprehet psikologia Klodiana Turhani (Psikologe klinike dhe shkollore).


Puna si psikologe në gjimnaz e në shkolla 9-vjeçare, njohja nga afër e psikologjisë së adoleshentëve e kanë bërë që të rendisë me dhjetëra raste të problemeve që shfaqin ata dhe pasojat që kanë pasur.


I ka ndodhur të përballet me shumë probleme të adoleshentëve, që nga ato që në moshën 15 vjeç bie në dashuri dhe kërkon të martohet e deri tek ata që qajnë dhe vuajnë se prindërit nuk i japin lirinë e kërkuar, se ata vetë harrojnë se dikur kanë qenë në të njëjtën moshë. Ankthi i prindërve shqiptarë mbetet veçanërisht seksi në moshë fare të re tek fëmijët e sotëm.


E pyesim psikologen Turhani se çfarë mendim ka mbi raportet seksuale të hershme. - "Kjo varet se si i riu apo e reja e përjeton seksualitetin e vet dhe se sa dëshirë ka të eksplorojë në një marrëdhënie. Hyrja ose të pasurit marrëdhënie seksuale pa qenë i informuar ka problemet e veta. Është e rëndësishme që partneri ose partnerja me të cilin shoqërohesh, të ketë ndjenja, dëshirë dhe të përcjellë besim dhe mbi të gjitha çifti duhet t'i marrë kohë njëri-tjetrit. Vetëm kështu e shoh si proces normal.


Por kur marrëdhënia seksuale kthehet si një objekt që duhet ta konsumojë për të thënë që janë djem ose vajza me eksperiencë, atëherë lind pyetje a flasim këtu për intimitet apo thjesht për konsumim. Kjo e fundit i bën shumë dëm një adoleshenti, - thotë ajo.


Seksi nuk është i vetmi fenomen që streson prindërit e sotëm. Konsumi i duhanit dhe i alkoolit është një tjetër shqetësim: "...Mendoj se fenomenin e alkoolit nuk duhet ta përgjithësojmë.


Mund të them që në çdo klasë të mesme kemi dy apo tre nxënës që e përfaqësojnë klasën me sjelljet e tyre. Por duhet të jemi të kujdesshëm se adoleshentët e përdorin duhanin apo alkoolin për t'i thënë të tjerëve që ne jemi rritur dhe kërkon të afirmohet dhe t'i afrohet modelit që do t'i ngjajë, - thotë psikologia.


Kontakti seksual


"Pra, ndër moshat 13-15 vjeç në vendin tonë janë gati 14 për qind nxënësve që janë të përfshirë në kontakte seksuale. Kurse në Europë lidhur me kontaktet seksuale të adoleshentëve respektive kemi një incidente që luhatet nga 12% në Sllovaki ne 61% në Groenlande).


Në përgjigje të pyetjes sonë rezulton se 14 % adoleshentë deklarojnë se kanë pasur kontakte seksuale, kemi rreth 7% të tyre që e kanë përdorur kondomin në kontaktin e fundit seksual dhe 7% të tjerë që nuk e kanë përdorur atë".

Duhani


"Janë 24 për qind e nxënësve që kanë tymosur të paktën një herë në jetë, një shifër kjo që nuk është për t'u nënvleftësuar. E themi këtë pasi është një precedent që shumë nga ata që tymosin sikur edhe një herë, janë potencialisht kontingjent për t'iu bashkangjitur radhëve të duhanpirësve.


Shifrat vërtet nuk janë alarmante, pavarësisht një trendi në rritje të tyre, por ajo që duhet të na shqetësojë është një e vërtetë e madhe, e pranuar nga vetë fëmijët gjatë anketimit: Kemi fëmijë të moshës 11 - 15 vjeç që pinë duhan, dhe kjo është problem sa shëndetësor po aq edhe edukativ, sa familjar aq edhe shoqëror, sa aktual po aq edhe perspektiv".


Këshilla


Çfarë duhet të bëjnë mësuesit kur ka nxënës të dashuruar në klasë?
Mos i gjykojnë ata.
Mos bisedojnë privatisht me mësuesit e tjerë rreth këtyre nxënësve
Të bëjnë sikur nuk i vënë re lëvizjet apo ngacmimet e tyre.
Të hapin shpesh tema për t'u debatuar rreth këtyre çështjeve.
E rëndësishme është t'i pranojnë ashtu siç janë.
Po prindërit si duhet të reagojnë?


Të bisedojnë shpesh me fëmijët për dashurinë dhe marrëdhëniet në çift.
Këto tema nuk duhet të konsiderohen tabu.


T'iu tregojnë fëmijëve historitë e tyre më të mira të dashurisë.
E rëndësishme është që fëmijët të kuptojnë anët pozitive të lidhjeve dashurore.
Shpesh herë gjërat nuk funksionojnë siç duam ne, probleme me veten, familjen, miqtë, shkollën apo punën. Herë flasim me dikë, herë heshtim.
Pengesat kapërcehen më lehtë nëse prindërit janë pranë!


Nëse jeni prind mund të sillni në mendje adoleshencën tuaj, apo karakteristikat e fëmijës suaj, nëse jeni adoleshent ju dini shumë gjëra për këtë moshë. Ju prindër duke u bazuar tek eksperiencat e prindërve tuaj me ju, tek ato që keni lexuar apo intuitivisht mund të keni zbatuar disa prej këshillave.


Vetë adoleshentët duhet të jenë bashkëpunues me prindërit, duhet t'i japin atyre mundësinë për t'i kuptuar dhe qëndruar pranë duke pasur parasysh se asnjë ndryshim nuk ndodh pa dëshirën e të dy palëve.
Simptomat e adoleshencës:


Ndryshimet e lehta shpirtërore.
Periudha e mbylljes në vetvete.
Mungesa e qetësisë shpirtërore.
Ndryshimi i oreksit.
Ndryshimi i orarit të gjumit.


Në këtë moshë, te të rinjtë rritet dëshira për të provuar gjëra të reja.
Në këtë periudhë, fëmija ka nevojë të vlerësohet dhe të mbështetet.
Një fëmijë, që nuk e plotëson këtë nevojë në familje, do ta gjejë këtë mbështetje të munguar në shoqëri.


STUDIMI I INSTITUTIT TË SHËNDETIT PUBLIK


SJELLJET E RREZIKSHME; PËRDORIMI I DUHANIT DHE ALKOOLIT NË FËMIJËT E MOSHËS SHKOLLORE.

"Duhanpirja është kërcënimi më i madh për shëndetin në Shqipëri"27) - theksohet në Strategjinë e Shëndetit Publik dhe Promocionit të Shëndetit, duke shpallur kështu një të vërtetë të hidhur, të përbotshme, duke demaskuar një "vrasës legal", që shëtit lirshëm në shoqëri, si edhe duke i rënë "kambanave të alarmit" për sensibilizimin dhe mobilizimin e të gjithë shoqërisë në luftë kundër pasojave të pa riparueshme të këtij "armiku të shëndetit".


Kështu pyetjes "a keni pirë ndonjëherë duhan në jetën tuaj (qoftë edhe një cigare)" nxënësit iu përgjigjën si më poshtë:


Nr Sa shpesh e pini duhanin? Numër %
1 Çdo ditë 34 1%
2 Disa herë në javë, jo çdo ditë 54 2%
3 Më pak se një herë në javë 117 4%
4 Nuk pi duhan 2523 91%
5 Pa përgjigje 55 2%


Kemi fëmijë të moshës 11 - 15 vjeç që pinë duhan, dhe ky është problem sa shëndetësor po aq edhe edukativ, sa familjar aq edhe shoqëror, sa aktual po aq edhe perspektiv. Për këtë arsye edhe përgjigja ndaj këtij problemi duhet të vijë nga strukturat shëndetësore dhe ato edukative, nga familja dhe nga e gjithë shoqëria, përgjigje që duhet dhënë sot, por edhe në vazhdimësi për nesër dhe përgjithmonë.


Shpeshtësia e pirjes Birrë Verë Pije me ngjyrë


Çdo ditë 69 2% 80 3% 134 5%
Çdo javë 163 6% 133 5% 135 5%
Çdo muaj 95 3% 134 5% 69 2%
Rrallë 1114 40% 1093 39% 494 18%
Kurrë 1260 45% 1239 45% 1816 65%
Pa përgjigje 82 3% 104 4% 132 5%


Nga ky këndvështrim nuk bën përjashtim as vendi ynë. Cilat janë shifrat që përfaqësojnë vendin tonë në këtë drejtim ? Pra, siç shihet nga kjo tabelë, niveli i alkolpirjes tek fëmijët e moshës
shkollore në vendin tonë është relativisht i ulët, pothuaj sa shumica e vendeve të tjera europiane që marrin pjesë në studim.


Kështu të dhënat për alkolpirjen javore luhaten në 6% për birrën, 5% për verën dhe 5% për pijet e forta me ngjyrë. Por, pavarësisht kësaj, na duhet të theksojmë se është gjithmonë e rëndësishme të parandalojmë fenomenin pa u bërë ende shqetësim shoqëror, kur ai është në fillimet e veta, dhe jo të presim e të kujtohemi për të, kur ai të jetë shtrirë në gjerësi e në thellësi. Gjykojmë të rëndësishme në këtë aspekt sqarimin e rolit dhe qëndrimit të shoqërisë kundrejt problemeve të tilla sociale tek fëmijët e moshës shkollore.


SJELLJET SEKSUALE; EKSPERIENCA E MARREDHËNIEVE SEKSUALE.

"Sjellja e shëndetshme seksuale ose mirëqenia seksuale përfshin katër fusha zhvillimi që janë :
- ndjenjat pozitive rreth trupit të dikujt
- ndjenjat e ngritjes dhe dëshirës seksuale
- përfshirja në sjellje seksuale
- dhe për ata që janë përfshirë në marrëdhënie seksuale, praktikimi i
seksit të sigurt".


"...Të gjithë duhet të jemi të ndërgjegjshëm që, përfshirja në sjellje seksuale dhe akoma më shumë përfshirja në marrëdhënie seksuale, është një sjellje që shoqërohet me shumë dilema dhe që ka nevojë të vlerësohet e të peshohet gjatë,para se të kryhet. Dhe kjo për shumë arsye. Është një ironi e fatit që shumë vendime për veten, njerëzit detyrohen t'i marrin kur nuk e kanë pjekurinë e duhur për atë që do të bëjnë.


Kështu edhe për përfshirjen në marrëdhënien seksuale, adoleshentët piqen seksualisht dhe kanë dëshira seksuale që në moshë fare të njomë, që kur janë 12-15 vjeç.
Pra, ndër moshat 13-15 vjeç në vendin tonë gati 14% janë të përfshirë në kontakte seksuale dhe një shumicë prej 2369 nxënësish , në 2779 pyetësorë të mbledhur, që nuk e kanë provuar këtë eksperiencë.


Kurse në Europë lidhur me kontaktet seksuale të adoleshentëve respektive kemi një incidencë që luhatet nga 12% në Sllovaki ne 61% në Groenlande). Nisur nga këto të dhëna duhet patjetër të modelojmë punën tonë edukative në drejtim të krijimit të qëndrimeve pozitive dhe sjelljeve të shëndetshme për ata që përfshihen në përvoja të caktuara seksuale.


Ajo që ne këshillojmë dhe tentojmë të edukojmë tek adoleshentët është që, në pamundësi për të spostuar moshën e kontaktit të parë seksual, gjithmonë duhet të përdoren masa mbrojtëse për seks të sigurt.


Në këtë kuptim metoda më e mirë është përdorimi i kondomit apo prezervativit. Sa e njohin dhe sa e përdorin adoleshentët tanë këtë metodë? Në përgjigje të pyetjes sonë rezulton se në 14% adoleshentë që deklarojnë se kanë pasur kontakte seksuale, kemi rreth 7% të tyre që e kanë përdorur kondomin në kontaktin e fundit seksual dhe 7% të tjerë që nuk e kanë përdorur atë.


Ndaj tentativa jonë për të rritur ndjeshmërinë e brezit të ri për mbrojtjen e shëndetit përmes seksit të sigurt duhet të jetë e vazhdueshme, duhet të përsëritet me të njëjtin intensitet dhe mbi të gjitha, duhet të jetë sa më bindëse dhe sa më shkencore. Vetëm përmes kësaj pune ne do të arrijmë të jemi të suksesshëm tek adoleshentët, duke tentuar të realizojmë ndryshimin e sjelljeve të tyre drejt sjelljeve të shëndetshme - thuhet në studimin e ISHP-së.

NJU JERSEY : Donna Simpson, dëshiron të jetë pra më shumë se 450 kilogram


BEQIR SINA, New York
Gruaja që pretendon të bëhet 450 kilogram, thotë se hëngri për darkën e Krishtlindjeve : " dy gjela Deti nga 11 kg ( 22 kilogram) , dy kofsha derri të mbushura me djath nga, 6.8kg ( 15 kilogram) pure patate - 4.5kg ( 10 kilogram) rosto, 2.3kg (5 kilogram) pesë bukë, 2.3 kg - sup me barishte dhe , tre litra lëng mishi, tre kilogram boronicë dhe dy racione me nga 9 kg fruta e perime ( 20 kilogram
NEW JERSEY: Lajmi shkruante se duhet që t'u kujtohet ky emër - Donna Simpson! Êshtë gruaja që bota e mësoj emrin e saj , një vit më parë, kur u tha se "Në të gjithë botën njerëzit e sidomos gratë dëshirojnë të "heqin" pak kile nga trupi i tyre, për t'u dukur më seksi, më elegante, është kjo grua nga Nju Xhersi e quajtur Donna Simpson, e cila dëshiron të jetë 1.000 pound- pra më shumë se 450 kilogram.

Dhe ajo ka deklaruar se i pëlqen që të ketë mbipeshë, pavarësisht komplikacioneve që sjell shëndeti i tepërt. Doanna Simpson 43 vjeçare, është ajo që kishte hëngur për darkë e këtyre Krishtlindjeve(25 dhjetor 2010), thanë gazetarët : " dy gjela Deti nga 11 kg ( 22 kilogram) , dy kofsha derri të mbushura me djath nga, 6.8kg ( 15 kilogram) një tenxhere me pure patate - 4.5kg ( 10 kilogram) dy rosto, 2.3kg (5 kilogram) pesë bukë, 2.3 kg - sup me barishte dhe , tre litra lëng mishi, tre kilogram boronicë dhe dy racione me nga 9 kg fruta e perime ( 20 kilogram)

Pas sasia e ushqimeve ishte e madhe dhe ishte e vështir që ajo t'i hante pa ndërprerje ato, Donna Simpson "ndrrojë kursin" e saj kryesore, mbasi ajo tha se kishte ende hapësirë në barkun e saj për të ngrënë më, dhe filloi me ëmbëlsirë dhe hante një "sallatë" të bërë nga me asortimente sesionale, si dhe ajo nuk "kuseu" as pak djathën me krem, (crem whipped dhe cookies).



Donna Simpson, është veçse 43 vjeçe, jeton në New Jersey, peshon 273 kg - ka vendosur te behet 1.000 pound (450kg) ne dy vjet e ardhshem. Êshtë e martuar ka dy fëmijë

Vitin e kaluar gazetat shkruanin se çudia me e madhe ndodh se ndersa kemi degjuar se shume njerez kerkojne te dobsohen, pak, e sidomos grate qe te duken me të dobta, elegante dhe me seksi, vjen që degjojmë se nje grua që jeton në SHBA- Nju Xhersi, është, duke u përpjekur për të shtuar në peshë në mënyrë që të bëhet gruaja më shëndetëshme e botës.

Ajo është veçse 43 vjeçe dhe quhet Donna Simpson, nga New Jersey, dhe peshon 273 kg - por i tha gazetes The Star-Ledger, nje i afermi i saj ne Nju Xhersi, se megjithse ajo ka pasur probleme me zemren e saj nga shendeti i tepert, ajo kishte vendosur ne arritjen e peshes 1.000 pound (450kg) ne dy vjet. Qe sipas saj eshte edhe qellimi i saj."

43-vjeçaria tashme mban titullin e nenes me te shendosh ne bote, ajo e theu kete rekord sipas shtypit amerikan, pas lindjes te vajzes se saj ne vitin 2007, kur ajo peshonte 241kg.

Mirpo pohoj ajo se:"Une do te jeme 1.000 pouand(450 kilogram) ... kjo mund te jete e veshtire edhe pse kam probleme me zemren, dhe pse pas lindjes se vajzes time me mundon t'i sherbej edhe asaj" tha zonja Simpson, per gazeten lokale The Star-Ledger.

Zonja Simpson, e cila eshte e martuar me nje burre te zi, ka nevoje per nje skuter - karrike me rrota, qe te beje pazarin e te levizi. Mejket e saj ; thone, se ajo ha sasi te medha te ushqimit, sidomos brumera dhe yndyrera, gati per çdo jave, dhe mundohet te shkoje sa me pak te jete e mundur ne ushtrime fizike. Ajo nuk veshtron asnjehere se sa shume kalori merr nga ushqimet, por vetem ha.

"Une nuk dua embelsira dhe gjera te sherbetosura,por biskotat dhe embelsirat e thata jane me te preferuarat e ushqimit time," thote ajo.

Zonja Simpson tha se ajo gjithashtu donte te hante me shpesh ushqime japonez sushi dhe se do te hante 70 copa te medha ne nje vakte.

Partneri i saj nje 49-vjeçar, i quajtur Filip edhe ai nje burre i shendeteshem, por jo aq sa Simpson, thote se u njoh me ate, kur u takua rastesishte ne nje vend takimi ku takoheshin shpesh here njerez shume te shendeteshem, dhe se ishte inkurajuar nga qellimi i saj per te arritur 1000 pouand(450 kilogram).

"Une mendoj se ai do te pelqente ne qofte se edhe une kam per te qene aq i madh sa ajo... ajo eshte nje njeri i vertete bark madh dhe teresisht mbulon mua," tha ai.

Mjeket thane se per t'ja arritur qellimit, pra per te vene peshen mjaftueshme, ate qe thote zonja Simpson, ajo " do te kete nevoje per te ngrene 12.000 kalori ne dite, e cila eshte gjashte here me shume nga ushqimet qe ka mjekesia te rekomanduar per regjimin ditore per grate.

Ne menyre qe te paguaje per shumat e medha te ushqimit ajo po ha sa per faturen javore te saj ushqimore e cila eshte 815 dollar ne jave. Zonja Simpson ben para tash pasi ajo eshte duke xhiruar nje faqe interneti ku njerezit paguajne per te pare shendetin e saj dhe jane kurjoz sesa ushqim ajo konsumone , per t'u bere kaq shume e shendeteshme.

Ndue Gjonmarku (1914-2011) pinjoll i krenarisë së historisë 7 shekullore të Kapidanëve të Mirditës

Ditën e marte, me 4 Janar 2011, në Spitalin “North Shore” Forest Hills, Queens New York, në moshën 97-vjeçare (në orën 11:00 natës), u nda nga jeta Kapidani i Mirditës Ndue Gjomarku, i rrethuar nga familja, vëllai Kapidan Nikollë Gjonmarku, djali Gjoni dhe vajzat: Kristina, Bardha dhe Aleksandra. Ishin të pranishëm meshtari Dom Pjetër Popaj dhe miqte e ngushtë të familjes Gjomarku: Dr. Gjon Buçaj Kryetar i Federatës Panshqiptare “Vatra” dhe Sekretar i Blokut Indipendent, Tomë Mrijaj Sekretar i Përgjithshëm i Lidhjes së Prizrenit etj. Në momentet e fundit të jetës së tij Dom Pjetër Popaj bëri salikimet e rastit për aktivistin nacionalist Kryetarin e Blokut Indipendent dhe besimtarin e devotshëm të Kishës katolike shqiptare në New York Kapidan Ndue Gjomarku.









Kush ishte Kapidani Ndue Gjonmarku?



Në Orosh të Mirditës para 97-të vjetëve, do të lindë më 29 shtator të vitit 1914 Ndue Gjonmarku, që i shton gëzimin prindërve të vet dhe vëllait të parë Markut. Kjo familje e madhe oroshase, do të ketë 10 fëmijë, pesë djem dhe pesë vajza.

Aty lindën fëmijët njëri mbas tjetrit, duke filluar me Markun, që është fëmija i parë dhe më pas u lind Ndoja, Lleshi (Aleksandri), Deda, Nikolla dhe motrat: Dava, Gjela, Marta, Dila dhe Bardha. Kapidani Ndue Gjon Marku, nga nëna ishte nipi i Bajraktarit të Kurbinit i Gjok Pjetër Pervizi, një përsonalitet i njohur askohe për besë, burrëri, zakone e tradita të hershme e bashkëkohore shqiptare.

Babai Gjoni përkujdeset që djemtë të ndjekin shkollën fillore, ku midis tyre edhe Ndue Gjomarku vijon pesë vitet e para fillore dhe gjimnazin pranë shkollave private katolike të Fretenve Françeskanë dhe Jezuitve në vitin 1934 në qytetin e lashtë kulturdashës Shkodër, në kohën kur Ministër i Arsimit në Qeverinë e Mbretit Zog ishte Dr. Mirash Ivanaj.

I prirur pas botës së librave dhe kulturës civilizuese perëndimore, adolishenti Ndue niset në vitin 1937 për studime të larta sëbashku me vëllaun Lleshin në Universitetin (College) në Terezianum të Vjenës në Austri. Pas disa vitesh kthehet në Shqipëri dhe pas disa muajsh shkon në Universitetin e Firences (Itali) për të ndjekur studimet e larta në Jurisprudencë. Ai për asnjë çast nuk e shkëputi lidhjen me vendlindjen, miqte e huaj dhe vendas, të cilët e donin dhe respektonin, mbasi gjithnjë Dera e Kapidanit të Mirditës ka respektuar popullin e Mirditës dhe krahinat të tjera të Atdheut. Me anije i riu Gjomarkaj në vitin 1943 kthehet në Shqipëri. Jeta studentore, miqtë e rinj dhe shokët në vendindje bëjnë që ai të zgjerojë rrethin e të njohurve. Kështu sikurse kujtojnë disa bashkëkohës që ende jetojnë sot në qytetin e Shkodrës dhe në Orosh të Mirditës, familja dhe ai vetë ka pasur nderin, fatin, privilegjin dhe kënaqësinë të marrë pjesë në shumë ngjarje dhe evenimente atdhetare, fetare dhe kulturore në qytetin e njohur të Shkodrës dhe qytetet e tjera, duke kuvenduar me krerët, parinë e qytetit, klerikë të lartë katolikë, konsuj dhe udhëtarë të huaj, që vinin shpesh në Shqipëri dhe në veçanti në trevën e Veriut.

Gjatë bisedave të lira e pyes Kapidanin, se a keni përjetuar ndonjëherë në jetën tuaj, një çast i cili ju ka mbetur thellë në kujtesën tuaj. Dhe ai me një buzëqeshje fisniku m’u përgjigj: “Isha shum i ri, rreth 16-17-vjeçar e m’kujtohet casti kur n’Shkoder po pergaditej nga Kleri Katolik shugurimi i Ipeshkvit të qytetit dhe Primat i Shqipnis imzot Gaspër Thaçi (1882-1946). Paria e Shkodres vjen në shtepin time dhe me thon t’ju prij në ket rast ceremonie të randsishme për qytetin dhe besimtart e devotshëm katolik. U thash se baba gjindet n’Mirdit. Ata me than që Ju mund ta zavendsoni Kapidan Gjonin. Un me shum knaqsi mora pjes ne shugurimin e Ipeshkvit. Paria e qytetit, ku banin pjes krent e familjeve ma të njohuna të qytetit, si: Çoba, Muzhani, Pistulli, etj., ku mua ma caktuan vendin n’krye të sofres n’mesin e dy konsujve atij Italian dhe Jugosllav. Isha shum i ri të merrja pjes në at rreth të madh, në mesin e atyne figurave të nderueme të qytetit, por e kalova mir proven e par, pasi në Kullen e Oroshit kishim mësue të dëgjonim e jo të flasim…”.

Edhe studiuesi i njohur në diasporën shqiptaro-amerikane Idriz Lamaj, në shënimet biografike për Kapidanin Ndue Gjon Marku shkruan, se: “…Ndojt i paraqitën raste me pritë e përcjellë përsonalitete të shqueme shqiptare dhe të hueja dhe me perfaqsue oxhakun e tij të njoftun… Por simbas tij, në Mirditë në kontakt me popull e krenë, dhe të krahinave të ndryshme, formohet në pikpamje tradicionale e kanunore. Të gjitha këto kontakte e formojnë moralisht e politikisht me kuptue realitetin e gjendjes të ndërlikueme të kohës”. (Idriz Lamaj, “Komiteti Kombëtar “Shqipëria e Lirë” 1949-1956”, New York, USA, 2000, fq.101).

Në bisedë e sipër e pyes me interes Kapidanin, se si e kalojshe kohën në ato male të pashkëluna të Mirditës. Ai si zakonisht me një buzëqeshje fisnike më përgjigjet: “Mirdita për mue asht vendi ma i bukur në botë e ma i dashtuni. Populli fisnik i krahines së Mirdites na ka dasht e respektue edhe ma shum. Na nuk kena prit asnjiher qi populli me na pershndet ne, por na i kena pershendet përpara të gjithë, pavarsisht se a kan ken të rij apo ma të vjetër se ne. Na kena shkue shum mirë me popull dhe kena ken tamam si nji familje e madhe. E prandaj Oroshi e tan krahina e Mirditës asht gjithçka për mue e Deren ton”.





Kapidani Ndue Gjonmarku

ishte alfa dhe omega në luftën kundër komunizmit



E gjithë treva e Veriut dhe qarqet diplomatike e shoqërore të komunitetit shqiptar në atdhe asokohe e kanë njohur e vlerësuar lart figurën e madhe të Kapidan Gjon Marka Gjoni dhe të birit të tij të madh Dr. Mark Gjonmarku (Ministër i Brendshëm) dhe Llesh Gjonmarkut, kanë qenë shumë aktiv dhe janë marrë përherë me politikë, kurse Ndoja sikurse e thotë edhe vetë ka pas më shumë kënaqësi në jëtën private e familjare.

At e bir, duke nuhatur afrimin e furtunës së tërbuar komuniste, që kishte bërë kërdi në Europën Lindore dhe kryesisht në Rusi, fillojnë të përgatisin terrenin për të rizgjuar ndërgjegjën e forcave nacionaliste, që t’i bëjnë ballë komunizmit, që ishte një ideologji e shkatërrimit, moral, material, filozofik, ateist dhe paatdhe të njerëzve që jetojnë historikisht në trojet stërgjyshore autoktone.

Koha kërkonte, që bijtë e shqipes më shumë se kurrë të tregojnë atdhetashurinë, për të ruajtur vlerat e lënë trashëgim nga të parët, dinjitetin e shqiptarit, fenë, pasuritë private të individit, pluralizmin e mendimeve, përparimin ekonomik dhe lidhjen shpirtërore, ekonomike dhe politike me vendet e Europës Perëndimore.

Për të bërë një politikë më të konsoliduar Kapidan Gjoni, në pranverë (mars) të vitit 1944 i jep jetë themelimit të “Grupit Nacional Indipendent”, ndërsa i biri Dr. Marku, duke gjetur përkrahje dhe mbështetje në nismen e vet krijon “Lidhjen e Shkodrës”, duke mbledhur rreth vetës të gjithë eksponentët kryesorë antikomunistë, që ishin rreshtuar në organizatat e mirënjohura nacionaliste “Legaliteti”, “Balli Kombëtar” dhe “Grupi Nacional Indipendent”.

Jo rastësisht, por interesat e larta patriotike, e bëjnë Ndojën që të përfshihet menjeherë në politikë dhe sapo merr vesht se forcat e ashtëquajtura partizane po i afrohen vendlindjes së tij të dashur Mirditës, lajmëron vëllain e vet në Tiranë, se krahina dhe e gjithë Shqipëria e Veriut po sulmohet nga bisha e kuqe, që për fat të keq kishte emër e gjak shqiptari. Ai ndër të tjera kërkon të lëshoj kushtrimin e qëndresës me vullnetarët e vendosur antikomunist. Menjëherë i vjen përgjigjja pozitive dhe inkurajuese e vendosmërisë nga i vëllai Dr. Marku, që ishte shumë i shqetësuar për fatet e brishta të vendit. Ai, sikurse kujton Kapidani Ndue Gjon Marku dhe shkruan edhe studiuesi Idriz Lamaj për këtë cështje, i thotë se: “Ndue i dashtun, sot fillon nji kthesë e re në historinë e Derës sonë, të Mirditës e Shqipnisë mbarë. Mbledh sa më shumë vullnetar e fillo qëndresën kundër brigadave komuniste. S’kemi rrugë tjetër”. (Idriz Lamaj, Vep. e cit., fq.102).

Organizimi i forcave politike dhe luftëtarëve nacionalistë bënë që një ditë Ndoja të takohet me përfaqësuesit më të lartë të grupimeve nacionaliste të “Legalitetit” dhe “Ballit Kombëtar”, të cilët gjatë përleshjeve të tyre të mëparshme kishin pësuar humbje në forca, por që nuk iu dorëzuan komunistëve.

Ata tashmë kishin arritur në Veri të Shqipërisë. Udhëheqësi i Organizatës “Balli Kombëtar” patrioti Mit’hat Frashëri dhe drejtuesi i “Legalitetit” Abaz Kupi, kishin mbërritur në shtëpinë e Gjon Fushës në Bulger të Mirditës. Mit’hat Frashëri, që mbetet në Mirditë, sëbashku me ballistët e tjerë shkojnë në Sh’Pal, ku i pret Ndue Gjomarku atë natë dhe të nesërmen i përcjellë me besnikët e tij për në Shkodër. Me shërbestarin e kombit Mirt’hat Frashërin (i biri i patriotit të flaktë të Rilindjes Kombëtare Abdyl Frashërit), Ndoja do të ketë edhe takime të tjera dhe bashkëpunime të frytshme në luftën e rezistencës kundër komunizmit në Shqipëri, Europë dhe ShBA.

Ngjarjet asokohe zhvilloheshin me shpejtësi. Si gjithnjë truri dhe kryet e lëvizjes antikomuniste mbetën në Veri të Shqipërisë me seli në Mirditë. Nga ana e tjetër Dr. Mark Gjonmarkaj, me të gjithë forcat vullnetare që kishte nën kontroll, duke mos u demoralizuar më 26 nëntor 1944 len qytetin e Shkodrës dhe merr rrugën drejt malëve të Veriut. Tashmë Ndoj me bashkëluftëtarët e tij për pesë muaj në shi e dëborë, luftojnë pa u mposhtur me të gjithë brigadat partizane të drejtuara nga Mehmet Shehu me urdhër direkt të gjeneralit e komandantit asokohe Enver Hoxha.

Forcat e brigadave komuniste, duke pasë ushtri të madhe në numër dhe të armatosur mirë pushtojnë krahinën e Lumes dhe Lurën, duke iu afruar shumë pranë trevave të Mirditës. Forcat nacionaliste, të drejtuar nga Ndue Gjonmarku gjenden para një rrethimi shumë të vështirë, kur brigadat komuniste sulmojnë në tre drejtime menjëherë, pa i dhënë mundësi nacionalistëve që të organizohen mirë. Në këtë situatë të rëndë të krjuar, sikurse kujton Kapidan Ndoj, asokohe nuk i mbeti asgjë tjetër vecse të ngujohet në Sh’Pal. Kështu fillon një luftë e ashpër midis komunistëve, që kërkonin të gjunjëzonin e pushtoin me dhunë krenarinë e historisë së lavdishme të Mirditës dhe nacionalistëve, që kërkonin të mbronin vlerat demokratike dhe lirinë e popullit nga një robëri internacionalistëve proletarë, që ishin për një botë pa Zot dhe robëri, nata e zezë e së cilës filloi më 29 nëntor 1944 në tërë Shqipërinë.

Megjithë rezistëncën e madhe për tre ditë me radhë, duke parë edhe humbjet e mëdha në radhët e forcave nacionaliste Ndue Gjomarkaj jep urdhër për tërheqje në drejtim të Shkodrës, një qendër e madhe e rezistencës antikomuniste. Kapidan Gjoni, Dr. Marku dhe Ndoj takohen dhe zhvillojnë bisedën e fundit për planin e ri që kishte menduar Dr. Marku. Kështu, ai kishte vendosur sipas logjikës së tij të shëndoshë, që i ati Gjon Marka Gjoni dhe vëllai i tij i dytë Ndoja, duhet të largoheshin nga Atdheu, me arsyetimin, se nuk duhet të shuhet dera e tyre nga përpjekjet luftarake që do të bëhen me forcat komuniste. Vërtetë e dhimbshme, por e domosdoshme kjo zgjidhje e menduar shumë mirë nga Dr. Marku, të cilën pas 9 dekadave mbi supe Kapidani Ndue Gjonmarku e kujton me dhimbje, kur flet për momentin e ndarjes me antarët e tjerë të familjes. Ka qenë pikërisht Kisha e Kastratit në Malësi të Madhe, kur Ndoj ka shtrënguar dorën për herë të fundit me Dr. Markun.

At e bir nisën prej Kastratit në Tuz, Kolashin, Vishegrad, Sarajevë, Zagreb, në Vjenë, Linz dhe në Insbruk, në një dimër të ashpër dhe nën breshërinë e bombardimeve të shpeshta nga forcat e aleatëve. Nga qëndrimi për disa ditë në Insbruk me një makinë udhëtojnë drejt Italisë, duke kaluar në “Passo di Resia” afër kufirit të Zvicrës. Për pesë muaj ata qëndruan në Merano deri në gusht të vitit 1945 dhe më pas morën drejtimin drejt Romës, që mbetet edhe stacioni i fundit i tij.

Me të mbërritur në Perëndim (Itali), Kapidani Ndue mendoi për të bashkuar forcat nacionaliste dhe antikomuniste, për të hedhë bazat e krijimit të një organizate të mirëfilltë politike kundër rregjimit të kuq të Tiranës zyrtare, që po e zhyste popullin në mjerim. Fryt i këtyre përpjekjeve është edhe krijimi i partisë politike me emrin “Bloku Kombëtar Indipendent” në vitin 1946 e cila do të ketë jetëgjatësi deri me përmbysjen e komunizmit në Shqipëri më 13 dhjetor 1990, duke i qëndruar me dinjitet deri në fund, ku e mbylli me nderë e njerëzi.

Gjatë vitit 1948, në bashkëpunim me aleatët perëndimore anglo-amerikanë, Kapidanit Ndue i paraqitet rasti për të dërguar vullnetar për të përmbysur komunizmin në Shqipëri, duke krijuar në këtë mënyrë Komitetin Kombëtar “Shqipnia e Lirë”, ku bënin pjesë shumë antarë të Blokut.

Në lidhje me këtë mision Kapidani kujton: “Në pikëpamje morale ishem kryenalt, tue marrë në konsiderim luftën kundër rregjimit komunist, vendosa me ftue dy luftarë besnikë të cilët pranuen pa kurrfarë kundërshtimi. Kështu filloi ndërmarrja e jonë kundër rregjimit komunist në Shqipni”.

Bloku bëri hapin e parë dhe ruajti linjën e përpjekjeve qëllimmirë për të bërë bashkimin e të gjithë forcave antikomuniste shqiptare në mërgatë, që ishin ndarë dysh në Komitet dhe jashtë Komitetit. Kjo inisiativë synonte afrimin e grupeve të ndryshme dhe harmonizimin më të plotë e të qartë të veprimtarisë së tyre në dobi të atdheut dhe në një front të përbashkët kundër komunizmit. Mirëpo rruga e nisur nuk ishte e kollajt mbasi fillojnë polemikat dhe pengesat ndaj inisiatorit të saj mirditor.

Përpjekjet e Kapidanit Ndue Gjonmarkut hasin në pengesë, për mospranimin e tij në Komitetin e parë nga ana e përfaqësuesve të organizatës Balli Kombëtar, që zotëronte asokohe të gjitha postet e organizatave. Ndërhyrja energjike e diplomacisë angleze dhe amerikane (ku përfaqësuesit amerikanë këmbëngulën që Kapidani të pranohet pa kushte), bëri të mundur që të zgjidhet ky problem dhe kështu Kapidani i Mirditës bëhet një ndër drejtuesit e Komitetit, falë kulturës së shëndoshë perëndimore, vizionit largpamës për të ardhmen, origjinës me emër shumë të mirë të familjes nga ai vinte, kontributi me armë në dorë që kishte dhënë drejtpërdrejtë kundër komunizmit etj.

Ndue do të ketë takime të rëndësishme në Itali, me ushtarakë të lartë italianë, sikurse ishte admirali i marinës italiane zotin Talarigo dhe të misionit anglo-amerikan, përfaqësues të lartë të Ministrisë së Jashtme Italiane.

Takime të tjera ka pasur edhe me z. Herbert, një përsonalitet i njohur britanik për çështjen shqiptare, amerikanin z. Mc Lean etj. Gjithashtu Ndoj këmnguli, që në këtë Komitet duhet të përfshihet patjetër edhe intelektuali i shquar ing. Xhafer Deva, mbasi ai ishte një njeri me influencë të madhe në Kosovë dhe në malësitë e Shqipërisë politike. Kapidan Ndoj, ka organizuar hedhjen e parashutistëve të grupit të ing. Xhafer Devës në Shqipëri.

Kapidani kishte dhe ruan ende sot një respekt të veçantë për atdhetarin e flaktë Mit’hat Frashëri. Për figurën dhe veprën e tij Kapidani flet me një admirim të vecantë, për arsye sikurse thotë se “ishte nji njeri me nji prestigj të naltë kombtar dhe pinjoll i nji familje me merita të mëdha atdhetare”.



* * *



Duhet venë në dukje se gjithnjë shqiptarët në mërgatë nuk kanë gjetur gjuhën e bashkëpunimit të përhershëm me njeri tjetrin dhe grupin apo partinë, ku bënin pjesë, çka ka sjellë për pasojë edhe mungesë serioziteti dhe besueshmeri nga ana e qeverive perendimore dhe asaj amerikane për krijimin pse jo më pas të një qeverie paralele në azil, që me përmbysjen e komunizmit në Shqipëri, do të kishin marrë frenat e pushtetit në dorë.

Kështu është vepruar shpesh herë me shtetet e tjera ish-komuniste apo diktatoriale asokohe. Kjo shpiegon edhe një nga arsyet pse komunizmi u rrëzua i fundit në Shqipëri dhe se populli duhet t’i besonte e mbështeste më shumë forcat nacionaliste se sa fjalët e bukura të ideologjisë ateisto-komuniste mbi kurrizin e së cilit ra shtypja, varfëria, mjerimi, që zgjati për 50 vjet me radhë.

Në vitin 1956 Kapidani Ndue Gjonmarku hap familje të re, duke u martuar me zonjushën romane Maria Teresa Agustini, një vajzë e diplomuar në gjuhët frëngjisht dhe anglisht në Universitetin Internacional “PRO DEO” në Romë.

Çifti i ri do të gëzohet me lindjen e tre vajzave Kristina, Bardha, Aleksandra dhe Gjoni djali i vetëm, që ruan emrin e gjyshit të vet shumë të mirënjohurit Kapidanit Gjon Marka Gjonit.

Kapidan Ndue u interesua qysh në fillim të shkollojë fëmijët në të gjitha nivelet. Kështu vajzat dhe djali mbasi përfundojnë shkollën e mesme, ndjekin dhe përfundojnë me rezultate shumë të larta kolegjet më të njohura në ShBA.

Me vdekjen e prindërve të gruas së Kapedanit dhe të babait të tij Kapidanit Gjon Marka Gjoni, në vitin 1966, familja e tij emigrojnë në ShBA. Edhe këtu fillon një etapë e re e lëvizjes antikomuniste, ku aktiviteti i tij zgjerohet dhe respekti për kontributin e tij rritet edhe më shumë kur zgjidhet si Kryetar i Blokut dhe për vetë faktin tjetër, se ai tashmë është trashëgimtar i Derës si Kapidan i Mirditës, krenari dhe nder të cilën e mbajti deri në moshën 97-vjecare ku ai kaloi në amshim.

Në New York Kapidani humb bashkëshorten, dhimbje e cila, nuk e mposht në luftën kundër komunizmit. Veprimtaria e Kapidanit është shumë e madhe me shkrime publicistike në organet zyrtare të Blokut, gazetat: “L’Albanie Libre” dhe “Lajmëtari i të Mërguemit”, që asokohe botoheshin në New York dhe Rome.

Famlja do të ruajë marrëdhënie shumë të mira me klerikët katolikë shqiptarë në emigracion, një traditë e trashëguar edhe nga të parët e kësaj Dere brez mbas brezi dhe shekuj pas shekujve në Mirditë.

Kështu qysh në Itali, ruajti lidhje të ngushta me atdhetarët e antikomunistët konseguentë, studiesin e meshtarin e palodhur në “Fe-Atdhe e Përparim” At Daniel Gjecaj OFM dhe bashkëvendasin e bashkemigrantin, klerikun e nderuar në të gjithë komunitetin shqiptaro-amerikan, nacionalistin e madh, që luftoi me pushkë e pendë, themeluesin e Kishës së parë shqiptare në ShBA, të nderuarin e respektuarin Dr. Mons. Zef Oroshin (1912-1989).

Gjatë këtyre viteve, ai po merret me saktësimin e disa interpretimeve të gabuara, që janë bërë gjatë kohëve të ndryshme veprës së At Shtjefen Kryeziu Gjecovit me titull: “Kanuni i Lekë Dukagjinit”, të cilin e ka në dorëshkrim dhe shumë dorëshkrime të tjera që priten së shpejti të dalin në botim. Fryt i këtyre hulumtimeve serioze është edhe botimi në vitin 2002 në New York të veprës së parë me titull kuptimplotë: “Mirdita Dera e Gjomarkut Kanuni”.

Ajo që më nxiti si shtysë, qysh në fillim edhe të vetë titullit të shkrimit tim: “Mirdita krenaria dhe lavdia e dinastisë së Derës të Kapidanit”, është vetë historia e pasur e Mirditës dhe Derës së Kapidanit bijtë e nderuar të së cilës njeri mbas tjetrit bënë një epokë të lavdishme gjatë shekujve. Ata sëbashku plotësojnë njeri-tjetrin dhe janë dy anë të së njëjtës medalje të çmuar në xherdanin e pasur të historisë së popullit shqiptar.



Tomë Mrijaj



New York, 4 Janar 2011

VITI 1946... VIT TERRORI DHE PËRGJAKJE SLLAVOKOMUNISTE !

Nga Fritz RADOVANI
65 vjet ma parë... Shkodren...
Viti 1946 e gjenë me 26 burgje, hetuesi e podrume masakrash komuniste...
Zgjedhjet e 2 Dhetorit 1945 zbuluen surratin e vertetë të sherbtorit dhe agjentit jugosllav në krye të qeverisë kukull të Tiranës, terroristit dhe amoralit të kabareve masone të Parisit, atij që do të mbesin në fletët ma të zeza dhe ma të gjakosuna të Historisë së Popullit Shqiptar, kriminelit të pashoq e tradhëtarit sadist Enver Hoxha. Dora e zezë e tij e maskueme me sigurimin e shtetit të drejtuem nga klika e spijunve gjaksorë Koçi Xoxe, Mehmet Shehu, Ramiz Alia, Sheuqet Peçi, Haxhi Lleshi, Omer Nishani etj., të pasuem nga brigadat e ndjekjes dhe të vrasësve të pashoq që kishin pushtue anë e kand Shqipninë, mbas shpalljes së “republikës” komuniste nën mbikqyrjen Jugosllavisë së Josif B. Titos, me 11 Janar 1946, do të fillojë qeverisjen diktatoriale me mjetet ma të dhunshme që ka njohtë historia, me të cilat do t’i shërbehet nga Enver Hoxha dhe të gjithë bashkpuntorët e tij për nënshtrimin dhe skllavrimin e Popullit Shqiptar. Ata ishin vrasjet pagjyq, masakrimi masiv i popullsisë së pambrojtun, arrestimet, torturat, gjyqet false të mëshefta dhe të montueme publike, burgosjet, kampet e shfarosjes dhe të punës, interrnimet dhe zhdukjet pa procedura juridike, shkelja e të gjitha të drejtave elementare të njeriut, dhunimi dhe masakrimi në masë, përsekutimi dhe lufta antinjerzore e “kllasave” ndaj çdo elementi të konsideruem “armik” kjoftë ky edhe i palindun ende, e këte e dokumentojnë thanjet e terroristëve të pashpirtë, se: “Kur të përmendet emri ‘komunist’ ka për t’u tmerruar edhe fëmija në barkun e nënës..!”, një e vertetë që ndodhi atëherë e prap sot në Shqipni, për Ata që nuk mund të harrojnë kurrë ata tradhëtarë!
Komunistët “shqiptarë” ishin të njohtun mjaft mirë në Jug të Shqipnisë që në luftën e tyne civile, të ashtuquejtun “nacional – çlirimtare” në vitet 1943 - 44, kur mizoritë dhe vrasjet u kryen gjoja nën masken e luftës kundër armiqve të mbrendshëm vegla të okupatorëve, “Ballit Kombëtar” dhe Legalitetit apo dezertorëve etj. Kjo u vazhdue në Veri mbas 29 Nandorit 1944 tue përfshi edhe masakren kundër kosovarëve nga Kukësi e deri në Tivar e Ulqin, ku humbën jetën mbi 12.000 shqiptarë kosovarë të çarmatosun nga tradhëtarët Ramiz Alia, Haxhi Lleshi, Rahman Perdhaku, Sheuqet Peçi etj. në bashkpunim me forcat komuniste të Titos në Kosovë e Malin e Zi. Në janarin e vitit 1945 Mehmet Shehu dhe Koçi Xoxe të lidhun me forcat jugosllave, arrijnë me thye mbas shpine Prek Calin dhe malësorët e Kelmendit, ku vrasin mbi 118 malësorë pagjyq, i hudhin kufomat e tyne ndër prroje e prroska, i djegun kullat dhe i plaçkisin gjanë e gjallë...vetem me një qellim: “Për hirë të kolltukut personal të tradhëtarëve, Populli Shqiptar duhej skllavrue nga armiku shekullor i tij; sllavokomunistët jugosllavë të Titos!”
Shqiptari i Alpeve i brumosun me idealin e Atdheut e të Fesë duhej shkombtarizue!
Mbas betejës së Kelmendit, në gjysen e Janarit 1945, arrestohen nga komunistët dy klerikët e parë At Gegë Lumaj e At Dioniz Maka, tue u akuzue se kane mbajtë armë pa leje...
Para Bashkisë së Shkodres, vriten Atdhetarë në prani të Popullit. Kjo ishte “Liria”!
Me daten 2 dhe 3 shkurt 1945 fillojne arrestimet edhe në Shkoder me Don Mikel Koliqin, famullitar i Shkodres, Prof. At Giakomo Gardin SJ, dhe xhakonin jezuit Gjergj Vata.
Me 5 Mars 1945, mbasi sigurimi masakron klerikun Don Lazër Shantoja, tue i sharrue kambët me sharrë druevari e pushkaton me Sulçe Beg Bushatin, bri lumit Lana në Tiranë e, poatë kohë Don Ndre Zadejen e vrasin pranë vorrezave të Rëmajit në Shkoder, me grupin e Prek Calit me 25 Mars 1945. Vazhdohet nënshtrimi i Veriut me pushkatimet e Ndue Palit e Caf Metit për me mërritë në arrestimet e anëtarve të Organizatës antikomuniste “Bashkimi Shqiptar” në fundin e nandorit, e thëmelueme nga Mark Çuni në muejn Maji 1945. Kjo asht Organizata e Parë antikomuniste në krejt Lindjen komuniste kur lufta nuk kishte përfundue ende.
Në Qershorin e vitit 1945, i tradhëtuem nga një kushri i veti (LB), arrestohet nga forcat e ndjekjes At Anton Harapi, ish Regjent i Qeverisë Shqiptare që ndodhej i mëshefun tek një mik i veti në malet e Dukagjinit. Sillet në Shkoder dhe mbas pak ditësh dergohet në hetuesi në Tiranë.
Në shtator të 1945 arrestohet dhe masakrohet barbarisht Don Mark Gjani në Mirditë, tue u kerkue prej Tij me akuzue Imzot Frano Gjinin, i cili ishte emnue në muejn Maji 1945, mbas largimit të Delegatit Apostolik të Vatikanit Imz. Leone G.B. Nigris, nga Shqipnia, i dëbuem nga qeveria komuniste e Tiranës si zëvendës i Tij në Shqipni. Don Marku ishte sekretar i Regjentit të posa emnuem Imz. Gjinit. Don Marku u torturue nga shefi i sigurimit Bardhok Biba, i cili i dogj kambët me hekur të skuqun, ia sharroi me sharrë dhe mbasi i vdiq ndër duer e vari me e pa ashtu të gjymtuem populli i Sh’Palit...mandej, e hodh në breg të prronit me e ngranë qentë e fshatit...
Në muejn dhetor 1945 mbyllen shkollat e Motrave Stigmatine dhe Servite në Tiranë, të cilat shpejt pasohen edhe në Shkoder, mbas zbulimit të Organizatës “Bashkimi Shqiptar” tue u mbyllë edhe seminaret dhe shkollat e Françeskanëve dhe Jezuitëve në Shkoder dhe, tue u nxjerrë jashta Shqipnie edhe jezuitët italian që nuk ishin të arrestuem me atë rast.
Nësa me 11 Janar 1946 organizohet shpallja e “Republikës”, në Shkoder punohet për me mbushë burgjet e podrumet e shtëpijave të Ulqinakut, Rrojit, Fasli Ademit, Vuksanve etj. me “armiqtë e popullit” që nuk pajtohen me pushtimin sllavokomunist të Jugosllavisë titiste...
Vetem qyteti Verior i Shqipnisë Shkodra, në vitin 1946 kishte 26 burgje, hetuesi dhe sa e sa podrume për tortura dhe masakra të sigurimit të shtetit komunist...të cilat, në një kohë të shkurtë do të mbushen plotepërplot me nga ma të rijtë e deri tek pleqtë e këtij qyteti që, atëherë nuk kishte ma shumë se 28.000 banorë. Pra, gati për 1000 banorë një qender torturash.
Arrestimet fillojnë me tregtarët e Shkodres nga të cilët Enver Hoxha kerkon thesaret e arit, të diamanteve e brilantave që grabiten nga oficerët e sigurimit ndër arkat e grave të tyne ...të cilëve, u shtetizohen fabrikat, pronat, dyqanet dhe shtëpijat e tyne. Vetem tregtarit Man Tepelia më ka tregue ishoficeri i ndodhun prezent Nazif Pira, i janë marrë në rranjët e fiqve në fshatin e Vukatanës 13 teneqe vojit gurit me napolona ari. Në Shkoder janë shtetizue mbi 40.000 napolona ari, të cilat dokumentohen nga fletoria zyrtare e asaj kohë...Posa, nuk u dëshmuen kurrë?
Me datën 20 Shkurt 1946 pushkatohen Anëtarët e Regjencës At Anton Harapi, Lef Nosi dhe Maliq Bushati, në breg të lumit Lana në Tiranën “demokratike”...
Me 4 Mars 1946 pushkatohen të akuzuemit për Organizaten “Bashkimi Shqiptar” ku, veç anëtarëve të saj, thëmeluesit Mark Çuni 26 vjeç, Prof. Gjelosh Lulashi 30 vjeç, Frano Mirakaj 29 vjeç dhe Qerim Sadikut 27 vjeç, i bashkëngjiten me akuza false edhe klerikët At Giovani Fausti 44 vjeç, At Daniel Dajani 40 vjeç dhe At Gjon Shllaku 39 vjeç, të gjithë me nga dy e tre tituj doktor shkencash përveç laurimit në teologji. Me këte rasë shpejt arrestohet deputeti Prof. Kolë Prela dhe Avokati Muzafer Pipa, që mbyten në tortura. Hetuesia plotson proces – verbal fals të mbajtun gjoja në gjyqin e mbyllun të tyne, ku “pushkatohet” edhe avokati i Nderuem Paulin Pali. Me 23 mars 1946 vritet tradhëtisht në malësi të Veriut edhe dijetari Don Nikoll Gazulli.
Në malet e Mirditës me 13 qershor vritet Mark Gjon Markagjoni, i Pavdekshem në fletët e historisë së asaj krahinë heroike, e cila, vazhdoi përpjekjet për Liri deri në vitin 1954.
Mbas vdekjes së Imz. Gasper Thaçit me 25 Maji 1946, fillojnë arrestimet e të rijve dhe të rejave të shkollave të mesme të Shkodres. Arrestohen vajzat Marije Tuçi, Angjelina Marku, Agime Pipa, Terezina e Liza Pali, Ana Daja, Drita Kosturi, Frida Sadedini, Viktore Kuka, dhe Marije Zojzi, vritet në Sheldi me burrin e saj Pjetër Deden, nga forcat e ndjekjes.
Në mesin e korrikut 1946 pushkatohet Don Alfons Tracki, Kol Ashiku, Nikoll Dedaj dhe tek Dugajt’ e Reja varet Llesh Marashi...Këta pushkatime shoqnohen me grupe të mëdha nga të gjitha shtresat shoqnore qytetarë, fashatarë, studentë, bujq, gra e pleq që janë arrestue njëheresh dhe dënue randë apo janë mbajtë sa kohë të izoluem në banesen e Guljelm Lukës, pranë shkollës së jezuitëve e mandej me gra e fëmijë janë interrnue ndër kampet e shfarosjes komuniste.
Në muejn gusht 1946, në Pukë dënohet Don Nikoll Mazrreku, dhe posa plotson dënimin interrnohet në Tepelenë dhe Lushnje. Menjëherë mbas Tij arrestohet edhe Don Pjeter Tusha. Në Lezhë arrestohet Don Nikoll Troshani...që i paraprinë ngjarjeve të montueme të shtatorit 1946.
Vjeshta e 1946 fillon me ngjarjet e 9 Shtatorit, që sjellin skenarët e zi të asaj Lëvizje të Postribës, që vazhdoi për sa vite me ngranë koka njerzish të pafajshem...të gjithë, të lidhun gjoja me këte ngjarje që mbetët ndër plagët e pambylluna të historisë. Ndër viktimat e para janë Ata Burra që mbasi u vranë në afersi të Shkodres, trupat e Tyne u hodhën tek kanali i gjatë pranë fabrikës së venës, dhe i arrestuemi i parë i asaj dite asht romancieri Don Ndoc Nikaj, të cilin mbasi e “mberthyen” me armë kraheqafë, e shetitën mbi një gomar në rrugët e Shkodres...
Në Lëvizjen e Postribës u bane shumë arrestime dhe mbas sa muej torturash u pushkatuen dhe u mbyten në hetuesi Kolec Deda, Riza Dani, Cin Serreqi, Dulo Kali, Caf Dragusha, Rasim Gjyrezi, Simon Darragjati, Ingj. Fahri Rusi, Guljelm Suma, Murat Hysen Haxhija, Bilbil Hajmi, Pjeter P. Pali, Gaspër Simon Gaspri, Xhelal e Abdyl Hardolli, Prof. Kolë Prela, Avokat Paulin Pali, Avokat Muzafer Pipa, dhe vargu i pafund i klerikëve katolikë që janë një kapitull në vete.
Arrestohen shumë hoxhallarë që masakrohen tek burgu i Kishës së Fretenve: Hafiz Ali Tari, Hafiz Myftia, Hafiz Musa Derguti, Hoxhë Xhemal Najpi, Hafiz Bushati dhe në Tiranë Hafiz Ibrahim Dalliu. Të gjithë krahinat e Shqipnisë pasojnë Shkodren me arrestime e internime nga intelektualët Maliq Xhemal Bushati, Prenkë Kaçinari, Arshi Pipa, Elez Troshani, Fahri Rusi, juristi Qazim Dani, Adem Bazhdari, Sami Repishti, Ragip Meta, Loro Vata, Kolë Alimhilli, R. Barbullushi, Qazim Dervishi, Xhevat Meta, Qamil Nikshiqi, Ruzhdi Baja, muzikanti Gac Çuni, vllaznit Serreqi Gjoni, Ejlli, Luigji dhe Cini që do të pushkatohet etj. Të kësaj kohë janë edhe mbytjet në torturë të Profesorëve Qemal Draçini dhe Simon Deda. Vriten barbarisht vllaznit Palë e Mark Thani dhe në Gjinokaster vriten ushtarët Xhel Kamata e veterineri Paulin Shestani.
Vazhdojnë arrestimet me Don Mark Bicaj, At Karlo Serreqi, Don Ndre Simoni dhe në Tiranë, At Pjeter Mëshkalla, Don Shtjefën Kurti, Imzot Irene Banushi, Ipeshkëv orthodoks që punoi për unifikim të Kishave, At Pashko Gjadri, At Mëhill Troshani. Dora e sigurimit tashti zgjatet deri në Korçë ku arrestohet Papa Josif Papamihali...që do të gjejnë edhe një nga vdekjet ma të shemtueme të organizueme nga sigurimi kur po punonte në kënetën e Maliqit, Atij i bie të fikët dhe për së gjalli policët e mbulojnë me baltë ku, Ai, jep edhe Shpirtë...
Në Mirditë arrestohet Don Prenkë Qafalia në nandor të 1946, kater ditë para se forcat e sigurimit organizojnë me Asllan Licin e Pal Mëlyshin vrasjen pagjyq të Don Luigj Picit, me 10 Nandor në fshatin Reç të Koplikut të Shkodres.
Në Elbasan arrestohet një tjetër klerik At Petraq Isak...i cili dënohet me 15 vjet burg.
Në Shkoder, me 12 Nandor arrestohet Don Mark Hasi sekretar i Argjipeshkvisë, At Donat Kurti drejtor i Gjimnazit Fretenve dhe meshtari i ri Don Anton Muzaj...
Në Tuz të Malit të Zi pushkatohet Imz. Nikoll Tusha, një nga Klerikët Katolik ma aktiv që ia ka kushtue gjithë jeten e Tij bashkimit të Trojeve tona...bashkluftar me Cafo Beg Ulqinin.
Me 15 Nandor 1946 në Shkoder Kuvendi Françeskan këthehet në burg....
Arrestohet Provinçiali i Fretenve At Mati Prennushi dhe Rektori At Çiprian Nika...
Arrestohen ato ditë edhe Imz. Frano Gjini, Regjent i delegacionit Apostolik në Shqipni, Imzot Nikoll Deda, Don Tomë Lacaj, At Palë Dodaj, At Mëhill Miraj, At Gjon Karma, Don Ndoc Sahatçija, Don Nikoll Shelqeti, Fra Ndue Vila dhe xhakoni Zef Pllumbi. Me këte grup u arrestue edhe deputeti Zef Haxhija nga Shkodra. Akuza kryesore asht “futja e armëve në Kishë”, veper e cila u krye edhe në Orosh të Mirditës nga sigurimi i shtetit komunist, mbas instruksionit të oficerëve jugosllav, ngjarje e cila lidhej me vepra të tilla të kryeme pothuej në të gjitha vendet komuniste të Europës Lindore satelit të Bashkimit Sovjetik, që drejtohej nga Stalini dhe Beria.
Me 17 Nandor Don Zef Maksen, misionar gjerman në zonat e thella të Mirditës, mbas dënimit me dy vjet në burgun e Tiranës, merret nga burgu dhe pushkatohet tradhëtisht...
Në Prizren të Kosovës bahet gjyqi i njohtun nga trupi gjykues jugosllav i të akuzuemve në organizaten “Katoliçeskaja banda” dhe pushkatohen At Bernardin Llupi, vajza Maria Shllaku nga Shkodra si dhe mësuesit e nderuem Kolë Parubi dhe Gjergj Martini...Me 25 Nandor, hapet edhe një gropë për Këta Shqiptarë mbas vrasjes Prof. Ymer Berishës e Kolë Margjinit!
Në fillim të Dhetorit 1946, mbytet në tortura nga katilët Fadil Kapisyzi e Dul Rrjolli dijetari At Bernardin Palaj...i cili, vorroset në oborrin e hetuesisë ish konvikti “Malet tona”.
Vazhdojnë arrestimet e Françeskanëve At Alfons Çuni, At Aleks Baqli, At Leon Kabashi, At Sebastjan Deda në Shkoder, ndërsa në Vlonë arrestohet Imzot Jul Bonatti, i posa sjellun nga Italia, që mbasi u dënue me 5 vjet heqje lirije, dergohet në një çmendi ku e shkyjnë të “sëmurët”.
Ky shkrim asht vetem një skicë e thjeshtë, ku unë kam vue penelatat e para të atij kuadri aqsa të dhimbshëm sa edhe të zymtë, të përgjakun nga një terror i pashembullt në histori që kje organizue nga specialistët jugosllavë të Beogradit me “urdhën” nga Moska stalinjane. Për këte vepër u zgjodhën kuadrot terroristë të sigurimit të shtetit shqiptar nga vetë Enver Hoxha, Koçi Xoxe, Mehmet Shehu, Kristo Themelko, Kadri Hazbiu e të pasuem nga fanatikë anadollakë e sllavokomunistë të gjithë bashkë “grusht çeliku rreth partisë”, me kriminelët Zoji Themeli, Ndrekë Nallbani, Zoji Shkurti, Dul Rrjolli, Lilo Zeneli, Kasem Troshani, Aranit Çela, Mustafa Iljazi, Gjon Prendushi, Dulaç Lekiqi, Çesk Shoshi, Idriz Çoba, Bashkim Kasoruho, Fadil Kapisyzi, Nesti Kopali, Hysni Ndoja, Ali Xhunga, Xheudet Miloti, Pjerin Kçira, Zoji Shkurti, Elez Mesi, Nevzat Haznedari, Kapo Kapaj, Gafur Çuçi, Lin Çollaku, Asllan Lici, Bardhok Biba, Toger Baba, Faik Nuti, Sadik Rama, Bexhet Meksi, Xhemal Selimi, Haki Llazani, Filip Pema, Ferit Mandija, Hamdi Ulqinaku, Ali Qorri, Fadil Paçrami, Gjeli Argjiri, Tonin Miloti, Misto Bllaci, Gjon Banushi, Rasim Dedja, Isa Miloti, Anastas Koroveshi, Niko Çeta, Ago Dino, Zurdi Shehu, Ali Paçrami, Petrit Hakani, Halim Ramohito, Thoma Rino, Zhule Çiriako, Alush Bakalli, Shyqyri Qoku, Jonuz Dini, Ahmet Suji, Shyqyri Kaçorri, Bastri Beqiri, Bilo Bregu, Zija Dibra, Vaskë Koleci, Çiril Pistoli, Fahri Kraja, Hys Zaja, Faik Spahija, e sa të tjerë që nuk harrohen kurrë nga Ata Shkodranë fatzezë që kanë pasë rasën me ra ndër thojtë e këtyne katilave ...derisa, një ditë u doli Shpirti nga gazepi, torturat dhe tmeri i pashoq që kanë provue prej këtyne bishave të pranguem, të gjakosun dhe të shkrryem ndër çimento të qelive të akullta të sigurimit!
Në këte 65 vjetor të këtij viti të përgjakun nuk duhet të heshtim, të flejmë në gjumin e randë të narkozës që komunistët kerkojnë me i vue Popullit Shqiptar!
Në këte 65 vjetor të këtij viti masakrash, po nuk u dënue përfundimisht tradhëtari Enver Hoxha, Shqiptarët shumë shpejtë do të puthin përjetsisht prangat e robnisë komuniste!
Në këte 65 vjetor të këtij viti të mnershëm të kerkojmë nga të gjitha intitucionet e vendit dhe ndërkombëtare hapjen e dosjeve dhe dënimin e figurave kriminale, tue fillue nga terroristët Enver Hoxha, Ramiz Alia, Nexhmije Hoxha, e kështu me rradhë deri tek ata që ishin roje dere në hetuesi, burgje e kampe shfarosje ku, nga Populli Shqiptar kanë humbë jeten mbi 45.000 viktima nga komunizmi barbar, gjakatar dhe kriminal i pashembullt në krejt Lindjen Europjane...

Melbourne, 5 Janar 2011

Tuesday, January 4, 2011

Dixhitalizimi, shpëtim i pasurisë sonë folklorike

Mbi 13 mijë orë të regjistruara deri tani nëpër shirita magnetikë, do të kalojnë në transmetime dixhitale

Dixhitalizohet pasuria folklorike, zanore dhe muzikore shqiptare.

Mijëra orë të regjistruara deri tani nëpër shirita magnetikë, do dixhitalizohen.

Më në fund, trashëgimia kulturore shpirtërore mund të konsiderohet e shpëtuar, tani që mbi 13 mijë orë transmetime të regjistruara të kulturës nga shiritat analogë do dixhitalizohen.

Kjo falë një projekti të nisur tre vjet më parë në Institutin Antropologjik të Kulturës, në bashkëpunim me Arkivin Audio-vizual të Vjenës.

Specialistët Klodian Qafoku dhe Robert Çollaku, tregojnë posaçërisht për “ABC News” risitë dhe të fshehtat e këtij procesi, që sipas tyre mbështetet në tre shtylla kryesore.

Sipas tyre, kjo ishte e domosdoshme, pasi pas një periudhe 100-vjeçare, shiritat analogë edhe mund të amortizohen, prandaj dixhitalizimi i tyre paraqitej si një nevojë e domosdoshme e kohës.

Arkivi i Institutit të Kulturës Popullore është nga më të pasurit dhe më të mirëmbajturit e Evropës Juglindore.

Çollaku pohon se dixhitalizimi e ka shpëtuar pasurinë e këtij institucioni që arkivon gjithë kulturën folklorike shqiptare.

Gjithçka për këtë risi të teknologjisë në arkivat shqiptare, do ta gjeni në këtë speciale të “ABC News” .

Pesë librat më të shitur 2010 te Shtëpia e Librit

Misteri dhe e panjohura, qoftë kjo filozofike apo tokësore, duket se ka qenë ajo që i ka tërhequr vizitorët e librarisë tonë fizike gjatë këtij viti. Në pesë librat më të shitur për këtë vit, tre prej tyre janë romane thriller, dy hedhin dritë mbi të shkuarën e Shqipërisë. Ky vit duket se ka qenë plot surpriza në botën e librit. Disa shtëpi botuese hynë në garë për t’i ofruar publikut shqiptar prirjet më të fundit të lexuesve ndërkombëtarë: misterin joshës të vampirëve dhe gjurmimet e sekreteve masone. Disa të tjera, u tunduan nga historia po aq e panjohur dhe e pakuptueshme e Shqipërisë. Më poshtë po ju paraqesim një listë me librat më të shitur. Kjo nuk është një listë e vlefshme për të gjithë tregun e librit në Shqipëri, por përfaqëson tendencën e lexuesve vetëm të librarisë sonë. Kjo është lista e librave më të shitur për vitin 2010. Në ditët në vijim do t’ju ofrojmë listën e më të shiturve sipas kategorive. Lexim të këndshëm.

  1. Viti 97, Mero Baze (foto)Mjaftuan më pak se katër muaj që “Viti 97-prapaskenat e krizës që rrënuan shtetin”, një libër nga Mero Baze, të bëhet best-seller absolut te Shtëpia e Librit. Libri përmbledh ngjarjet nga 26 maji i vitit 1996 deri më 29 qershor 2007, një periudhë e errët e historisë shqiptare që përfundoi me vdekjen e disa mijëra shqiptarëve dhe që la pas politikë të dhunshme dhe grupe kriminale nga të cilat vendi nuk e ka marrë ende veten. Autori, Mero Baze, thotë se në ato ngjarje qe “dëshmitar, protagonist dhe herë-herë, gazetar.” Shitja e shpejtë e këtij libri sugjeron interesimin e madh të shqiptarëve për të mësuar se çfarë ndodhi në vitin 1997.
  2. Aksidenti, Ismail Kadare (foto)Romani Aksidenti nga Ismail Kadare zuri vendin e dytë për nga shitjet këtë vit. Blerjet më të mëdha të këtij libri u realizuan menjëherë pas publikimit të tij në shqip në maj të këtij viti. Romani është një tregim sureal dhe plot mjegullnaja i jetës së një çifti dashnorësh që fillon të zbardhet nga hetimet mbi një aksident të çuditshëm që i mori jetën personazheve kryesore.
  3. Burra qe urrejne grate, Stieg Larsson (foto)Burra që urrejnë gratë, pjesa e parë e trilogjisë Millenium nga shkrimtari suedez Stieg Larsson, zuri vendin e tretë.Prej shumë vitesh, mbesa e parapëlqyer e industrialistit të fuqishëm Henrik Vanger është zhdukur pa lënë gjurmë. Kufoma s’ishte gjendur kurrë. E kur Vangeri, tashmë tepër plak, merr një dhuratë që e hap çështjen sërish, ai vendos të ngarkojë Mikael Blomkvistin, gazetar i njohur hulumtues, që të rindërtojë ngjarjet dhe të zbulojë të vërtetën. Me ndihmën e Lisbethit, një grua e re, shumë e zonja dhe gjeni kompjuterësh, Blomkvisti heton me rrënjë historinë e familjes Vanger, por sa më shumë rrëmon, aq më tepër zbulimet bëhen të llahtarshme.
  4. Sekreti, Rhonda Byrne (foto)Sekreti, nga Rhonda Byrne synon të shpjegojë se si ta përdorësh Sekretin në çdo aspekt të jetës – me paratë, pasurinë, lidhjet, lumtrinë dhe në çdo ndërveprim që ke në botë. I publikuar më 22 shtator, libri duket se tërhoqi shumë lexues në një periudhë shumë të shkurtër kohore.
  5. Mosmarreveshtja, Ismail Kadare (foto)Në vend të pestë gjendet gjithashtu një libër që u publikua vetëm më 17 nëntor. Mjaftoi vetëm një muaj që sprova “Mosmarreveshja” nga Ismail Kadare, të ngjitet në klasifikimin e librave më të shitur. Përmes një “sprove letrare” siç e quan vetë autori këtë libër, analizohet marrëdhënia e Shqipërisë me vetveten.
  1. Viti 97-prapaskenat e krizes qe rrenuan shtetin, Mero Baze. Data e botimit: 8 tetor
  2. Aksidenti, Ismail Kadare. Data e botimit: 10 Maj
  3. Burra qe urrejne grate, Stieg larsson. Data e botimit: 13 Maj
  4. Sekreti, Rhonda Byrne. Data e botimit: 22 shtator
  5. Mosmarreveshja, Ismail Kadare. Data e botimit: 17 nëntor