Xhelatët e ekzekutuan me plumb, së bashku me zëvendësin e tij, Feçor Shehun
Me akuzën e përmbysjes me dhunë të pushtetit popullor dhe si autor i një tentative për të eliminuar Enver Hoxhën, Hazbiu dënohet me vdekje dhe ekzekutohet më 10 shtator të vitit 1983. Për gati 12 vjet, eshtrat e tij nuk diheshin se ku ishin. Vetëm pas ndërrimit të sistemeve, familjarët e tij nisën kërkimet dhe pas pesë vjet pune investigative arrijnë të zbulojnë më 4 nëntor të vitit 1995, në afërsi të Selitës, eshtrat e njeriut të tyre të dashur, në një varr me ato të ish-zëvendësministrit të Brendshëm, Feçor Shehu. Kadri Hazbiun e kishin ekzekutuar me plumb në kokë, e veçantë kjo nga ekzekutimet e tjera. Madje, xhelatët kishin hapur mbi të zjarr nga një distancë fare e afërt. Dëshmitarët kanë treguar se mbrëmjen e 10 shtatorit, Kadri Hazbiun dhe Feçor Shehun i kishin hipur në një “Gaz 51”. Prapa nuk kishte makinë tjetër me ushtarë, pra skuadër pushkatimi. Ekzekutimin e ka bërë një grup fare i vogël njerëzish, përcaktuar në urdhrin e ministrit Hekuran Isaj. Edhe prokurori i çështjes, që jeton aktualisht, ka dijeni të plotë për ekzekutimin monstruoz. Për Hazbiun janë kursyer plumbat, mbi të është qëlluar vetëm një herë pas koke.
Historia, nga arrestimi në ekzekutim
Mbas vetëvrasjes së Mehmet Shehut, Kadri Hazbiut, që ndërkohë mbante postin e ministrit të Mbrojtjes, iu kërkua llogari për ngjarjet e ndodhura në Ministrinë e Brendshme. Fiqiret Shehu, e shoqja e Mehmetit, në rrethana tepër të dyshimta, presioni psikologjik dhe dhune fizike, kishte implikuar në “veprimtari agjenturore” edhe Kadri Hazbiun. Në këtë veprimtari e kishin implikuar edhe ish-bashkëpunëtorë të afërt të Hazbiut. Rrethi vicioz për Hazbiun u mbyll akoma më tepër me ardhjen në Shqipëri të bandës së Xhevdet Mustafës. Pjesëtar i kësaj bande ishte edhe Halit Bajrami, ish-bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit që implikoi, me orientim nga hetuesia dhe “ustallarët” më lart, edhe Kadri Hazbiun si anëtar të “organizatës terroriste” për të vrarë Enver Hoxhën. Ramiz Alia, në librin e tij “Unë, Ramiz Alia dëshmoj për historinë”, thotë se “Halit Bajrami ishte njeri i sigurimit”. Megjithatë, Alia, duke qenë njeri i pasinqertë, nuk tregon se si u eliminua Kadri Hazbiu dhe çfarë roli luajti Halit Bajrami në këtë proces të turpshëm. Alia duhet të tregojë se si me dijeninë e tij u bë e mundur që Halit Bajrami, megjithëse u dënua nga gjykatat shqiptare, u dërgua në Zelandën e Re. Ky mund të jetë edhe kurthi për t’i hapur rrugën Ramiz Alisë për të ardhur në pushtet. Kadri Hazbiu, në autokritikën e tij që bën para Enver Hoxhës shprehet: “...Unë kam bërë gabime nga mungesa e vigjilencës, nga familjariteti ose nga mirëbesimi e dashamirësia…. Në gjithë luftën që ka bërë partia jonë vazhdimisht me armiq të egër, të jashtëm e të brendshëm, të gjitha komplotet më të rrezikshme, në të gjitha kohët, janë zbuluar e goditur nga partia dhe shoku Enver. Kjo mungesë në punën e këtyre organeve, përbën një dobësi të pafalshme për to, dhe unë jam i ndërgjegjshëm për përgjegjësinë që bie mbi mua edhe në këtë çështje…. Unë nuk kam siguruar gjithnjë dhe në nivelin e duhur kuptimin e orientimeve të partisë dhe mbi këtë bazë, të bëhej edukimi i njerëzve nga të cilët kërkohej zbatimi i vijës dhe normave të vendosura nga partia…”.
Arrestimi i Hazbiut
Kadri Hazbiut iu vunë prangat. Nuk mund të mendohej ndryshe, pasi Hoxha e kishte në mendje planin për të vazhduar diskreditimin e Mehmet Shehut, ish-numrit një të shtetit shqiptar. Mehmeti gëzonte respekt dhe kishte përkrahës të shumtë, të cilët nuk e kapërdinin dot atë që serviri Enver Hoxha: “Vrau veten nga një krizë nervore…”. Në këtë kohë, shumë njerëz e ndienin që ajo që thuhej nuk ishte e vërtetë, por pak guxuan ta thonë hapur se diheshin pasojat. Sigurimi i Shtetit mori detyrë, ashtu si edhe në rastin kur u ekzekutua Beqir Balluku, të mbante situatën në kontroll dhe të raportonte se si reagonin njerëzit ndaj këtij veprimi. Dihet që kishte pasur reagime, e këto i shkonin në vesh Enver Hoxhës. Edhe në rastin e Mehmet Shehut, Hoxha kishte urdhëruar të njëjtën gjë. U pa se duhej nxituar në “pjelljen” e një alibie tjetër, atë të poliagjentit, por që të thuhej kjo, duhej të kishte disa bashkëpunëtorë të tij. Ata “u gjetën” dhe sipas Enver Hoxhës, një prej tyre ishte Kadri Hazbiu. Kombinacioni do të thurej hap pas hapi. Në fillin u arrestuan familjarët e Mehmet Shehut që ishin të internuar në Belsh të Elbasanit, më pas drejtues të Ministrisë së Brendshme, e më kryesori, Kadri Hazbiu. Pas andrallave në mbledhjen e KQ të PPSH-së, më 8 tetor të vitit 1982 dhe shkarkimit nga detyra të Hazbiut, nisi dhe kalvari i tij i gjatë, arrestimi, torturat në hetuesi, dëshmitarë falsë dhe të gënjeshtërt.
Akuza për ish-ministrin
Prokurori i përgjithshëm, Rapi Mino, formuloi një akuzë të gjatë për ish-ministrin. Thelbi i akuzës ishte gjoja veprimtaria kundërrevolucionare që drejtohej nga “poliagjenti” Mehmet Shehu. Alibia e Hoxhës mbështetej bukur nga prokurori i përgjithshëm dhe bashkëpunëtorët e tij. Mino lexonte akuzën: “Kjo organizatë përbëhej nga armiq të betuar të partisë, që kishin për qëllim të eliminonin dhe rrëzonin pushtetin popullor e të vendosnin kapitalizmin në Shqipëri. Organizata e kishte shtrirë veprimtarinë e saj në të gjithë sektorët kyç të vendit, ekonomi, ushtri, kulturë dhe sigurimin e shtetit. Të gjitha grupet që kishin dalë dhe ishin gjykuar si ai i Fadil Paçramit e Todi Lubonjës në kulturë, Beqir Ballukut e Petrit Dumes në ushtri, Abdyl Këllezit e Koço Theodhosit në ekonomi, ishin drejtuar nga një dorë e vetme, që ishte organizata kundërrevolucionare, e kryesuar nga poliagjenti Mehmet Shehu me bashkëpunëtorët e tij kryesorë Kadri Hazbiu, Beqir Balluku, Abdyl Këllezi e të tjerë…. Kjo organizatë drejtohej nga zbulimet e huaja, sidomos nga ai amerikan, sovjetik e jugosllav, agjentë të të cilëve kanë qenë pjesëtarët e kësaj organizate…”. Megjithatë, të gjitha sa thuheshin në akuzën që e lexoi prokurori i përgjithshëm, Rrapi Mino, nuk ishin përpiluar prej tij dhe kjo dihej përse. Ata që nuk dinin më shumë se kaq sa thuhej ishin të bindur për ekzistencën e “organizatës kundërrevolucionare”, por njerëz, të cilët kishin punuar si drejtues të Ministrisë së Brendshme e kishin fare të qartë se gjithçka që servirej ishte e gënjeshtërt. Hoxha dhe përkrahësit e tij besnikë, servilë e të paaftë, kërkonin ta mbështesnin akuzën me dëshmitarë. Këtu nis dhe odiseja e gjatë e procesit gjyqësor të Kadri Hazbiut dhe Feçor Shehut.
Funksionarë të ekzekutuar
Koçi Xoxe
U ekzekutua më 10 korrik 1949, duke e akuzuar si agjent të jugosllavëve
Liri Gega
U arrestua në vitin 1956 dhe u ekzekutua një vit më vonë më akuzën si antikomuniste
Dali Ndreu
U arrestua në vitin 1956, me akuzën si antikomunist
Teme Sejko
U arrestua dhe u ekzekutua në vitin 1970
Beqir Balluku
U arrestua në vitin 1974 dhe u ekzekutua në vitin 1975, duke e akuzuar se doli kundërshtar i vijës së partisë
Petrit Dume
U arrestua më 1974-ën dhe u ekzekutua më 1975-ën, me akuzën si anëtar i grupit puçist
Hito Çako
U arrestua më 1974 dhe u ekzekutua më 1975, si anëtar i grupit ekonomik
Abdyl Këllezi
U arrestua në vitin 1975 dhe ekzekutua në vitin 1976, nën akuzën absurde të “grupit armiqësor në ekonomi”
Koço Theodhosi
U arrestua në vitin 1975 dhe ekzekutua në vitin 1976, nën akuzën absurde të “grupit armiqësor në ekonomi”
Kadri Hazbiu
I arrestuar më 15 tetor 1982 i ekzekutuar në vitin 10 shtator 1983, me akuzën si bashkëpunëtor dhe krahu i djathtë i Mehmet Shehut, që të dy gjoja kishin drejtuar “organizatën kundërrevolucionare” për të rrëzuar vendimet e partisë dhe për sjellë kapitalizmin në Shqipëri
Feçor Shehu
I ekzekutuar në vitin 1983 me akuzën si agjent i zbulimit amerikan, në kohën kur ishte kryetari i Degës së Brendshme në Korçë
Llambi Ziçishti
I ekzekutuar në vitin 1982, me akuzën se gjoja bënte pjesë në “organizatën kundërrevolucionare” të drejtuar nga “Mehmet Shehu”.
Të dhëna
Të ekzekutuar
5037 burra 450 gra
Të dënuar politikë
26788 burra 7367 gra
Të vdekur në burgje
988 burra 7 gra
Të dënuar të huaj
1215 burra 38 gra
Ish-ministri i Brendshëm ishte ekzekutuar shtatorin e vitit 1983 në afërsi të Saukut
Pas 12 vjetësh u gjet kufoma e Feçor Shehut
Me akuzën e përmbysjes me dhunë të pushtetit popullor dhe pjesëtar i “grupit armiqësor të Mehmet Shehut” dënohet me vdekje dhe ekzekutohet në 10 shtator të vitit 1983 Feçor Shehu. Të njëjtin fat me Kadri Hazbiun pati edhe pasardhësi i tij në Ministrinë e Brendshme. Për gati 12 vjet, eshtrat e tij nuk diheshin se ku ishin. Vetëm pas ndërrimit të sistemeve, familjarët e tij nisën kërkimet dhe pas pesë vjet pune investigative arrin të zbulojë në 4 nëntor të vitit 1995 në afërsi të Selitës, eshtrat të cilat ishin në një varr të përbashkët me Kadri Hazbiun. Edhe Feçor Shehu kishte të njëjtat shenja me ato të Kadri Hazbiut që tregonin se e kishin ekzekutuar me plumb në kokë, e veçantë kjo nga ekzekutimet e tjera. Madje, xhelatët kishin hapur mbi të zjarr nga distancë fare e afërt. Dëshmitarët kanë treguar se mbrëmjen e 10 shtatorit Feçor Shehun dhe Kadri Hazbiun i kishin hipur në një “Gaz 51”. Prapa nuk kishte makinë tjetër me ushtarë, pra skuadër pushkatimi. Ekzekutimin e ka bërë një grup fare i vogël njerëzish përcaktuar në urdhrin e ministrit Hekuran Isaj. Edhe prokurori i çështjes, që jeton aktualisht ka dijeni të plotë për ekzekutimin monstruoz. Për Feçor Sheun janë kursyer plumbat, mbi të është qëlluar vetëm një herë pas koke.
“Detyrat” e Feçor Shehut
Feçor Shehu kishte trasmetuar një urdhër nga lart për transferimin e familjes së Mehmet Shehut nga vila në Bllok dhe vendosjen e saj në vilën e Partisë Nr. 3 në Rrugën e Elbasanit. Të merren masat për sigurinë e tyre. Dega e Veçantë, Drejtoria e Tiranës dhe Dega e Pestë të vendosin masa sigurimi rreth vilës, duke vendosur roje të policisë, si dhe një skuadër nga të survejimit. Po atë pasdite u vendos në vilë Fiqret Shehu, djemtë Landi, Bashkimi, së bashku me gratë dhe fëmijët e tyre, pritej të vinte dhe Skënderi nga Suedia, të cilin e shoqëronte Gani Kodra. Feçor Shehu ishte i shqetësuar për mbërritjen e Skënderit, disa herë kishte marrë në telefon ambasadën tonë në Greqi, si dhe postbllokun në Kapshticë. Në mbrëmje mbërriti Skënderi, i shoqëruar nga Gani Kodra. Gruaja e Vladimirit ishte shtatzënë dhe në darkë ajo u shtrua në maternitet, ku lindi vajzë. Në të njëjtën shtëpi, një vdekje dhe një lindje. Por kjo lindje nuk solli ndonjë gëzim, se hidhërimi dhe gjëma e kishin mbuluar këtë shtëpi me petkun e zi të një tragjedi të madhe.Të nesërmen, më datë 19.12.1981, Feçor Shehu iu thotë vartësve se Kadri Hazbiu ishte ngarkuar nga udhëheqja e partisë për të ndihmuar organet e Ministrisë së Brendshme në këtë situatë. Në të vërtetë, siç tregoi koha qëllimi i E. Hoxhës për dërgimin e Hazbiut ishte tjetër. Në zyrën e ministrit ishte edhe kryetari i Degës së Punëve të Brendshme të Elbasanit, Gëzim Hila. Sipas vendimit të KQ të Partisë direkt të R. Alisë, familja e Mehmetit duhej të largohej nga Tirana brenda ditës. U tha se me përjashtim të djalit të madh, Vladimirit, që me porosi të E. Hoxhës gjoja u distancua, u la të qëndronte në Tiranë, pjesa tjetër do të degdisej në Belsh të Elbasanit. Nga aparati i K.Q ishte njoftuar Komiteti Ekzekutiv në Elbasan dhe Komiteti i Partisë dhe shtëpia ishte gjetur prej tyre. Duhej të krijohej një postë policie, që do të merrej skuadra e survejimit të Elbasanit dhe do të emërohej një punëtor operativ vetëm për sigurimin e tyre se mos arratiseshin apo i rrëmbente dikush nga zbulimet e huaja.
Familja e M. Shehut do të vendosej në godinën në qendër të Belshit, në katin e parë, në një dhomë e kuzhinë. Duke qenë se u veprua shpejt për largimin e kësaj familje nga Tirana, sipas urdhrit të K.Q të PPSH-së, nuk u vendosën dot mjetet e përgjimit në ndërtesë, sipas planit. Në këtë ndërtesë u vendosën Fiqret Shehu, Skënderi dhe Bashkimi gruaja e Bashkimit, Marjeta, dhe dy fëmijët e tyre. Ndërtesa ishte krejt bosh, nuk kishte asnjë orendi. Fiqretja me fëmijët nuk kishin asnjë shtresë vetëm disa sende personale veshmbathje dhe këto të kufizuara. Krevate, dyshek e batanije për ta u morën në spitalin e Belshit. Nuk kishin mundësi të gatuanin dhe hanin bukë në restorantin e Belshit, nën shikimin kureshtar të banorëve dhe vëzhgimin e survejuesëve. Ata nuk kishin as të holla të mjaftueshme për të përballuar gjendjen. Fiqreti kishte vetëm 70.000 lekë të vjetra që i mbante në një çantë të cilën e merrte me vete ngado që shkonte. Mbi 30.000 lekë të vjetra i pagoi për disa mungesa në Shtëpinë e Pritjes. Ajo i likuidoi me njëherë këto fatura të Shtëpisë së Pritjes. Për të përballuar disi jetesën, Skënderi dhe Bashkimi u sistemuan me punë në S.M.T që ishte afër qendrës së Belshit. Pas këtyre situatave vijnë arrestimet e familjarëve të Mehmet Shehut dhe po ashtu pak kohë më pas edhe ai i Kadri Hazbiut e Feçor Shehut.
Gjyqi i Feçor Shehut
Nuk pranoj asgjë nga akuzat që më bëhen. Janë bërë të gjitha tentativat nga grupi hetues, deri në torturat më çnjerëzore që unë të pranoj gjëra të shpifura dhe të paqena, të cilat i kam hedhur dhe i hedh poshtë me neveri, pasi janë të bëra me qëllime të caktuara. Qëndrimi i Feçorit gjatë gjithë seancave të gjyqit ka qenë burrëror. Akuzat e bëra nga trupi gjykues dhe nga dëshmitarët që ishin përgatitur nga hetuesia, ai i hodhi poshtë me fakte bindëse. Edhe kur Aranit Çela, kryetari i Gjykatës së lartë i tha se në vitin 1948, ndërsa kishte qenë kryetari i Degës së Brendshme në Korçë, dhe se gjoja ishte rekrutuar nga zbulimi amerikan, dhe se për këtë gjoja ekzistonin dhe fakte të dokumentuara, ku “figuronte” dhe emri i pseudonimit të tij, Feçor Shehu u përgjigj pa nguruar aspak. “Mua më dhanë në hetuesi këtë dokument, i cili ishte përkthyer nga anglishtja në shqip dhe ku thuhet se jam agjent i zbulimit amerikan me pseudonim përkatës. Kjo nuk është e vërtetë”, dhe e hodhi poshtë si një shpifje dhe si një dokument të sajuar me mjeshtëri. Këtë dokument ia kishin dhënë në hetuesi për ta lexuar. Përmbajtja e tij ishte me shumë rëndësi, për faktin se fliste me hollësi për aktivitetin e zbulimit amerikan në Shqipëri, duke përmendur ndër të tjera edhe emrin e Mehmet Shehut me pseudonimin, si dhe pseudonimin e kryetarit të degës së Korçës, që atë kohë ishte Feçor Shehu. Në fund të dokumentit shënohej emri i personit që e kishte përkthyer nga anglishtja në shqip. Gjithashtu, thuhet në fund shkruhej se ky dokument ndodhej pranë arkivit të Komitetit Qendror të Partisë. Rënia në dorën e zbulimit tonë të një dokumenti të tillë me kaq rëndësi ishte pothuajse i pamundur, për faktin se zbulimi ynë ishte shumë i varfër në informacion, saqë dhe emigracionin tonë që ishte në vende të ndryshme, nuk e njihte në brendësi siç duhej. Nga ana tjetër, lind dyshimi se përse nuk u veprua menjëherë porsa ra në dorë ky dokument, por e lanë për ta thënë kur u arrestuar Kadri Hazbiu. Mund të ishte edhe varianti tjetër, që kjo të ishte lojë e zbulimit të huaj, për t’i hapur rrugën eliminimit të kuadrove, që ishte në plan për t’u ekzekutuar. Prokurori e akuzonte se kishte shkelur vijën e partisë, pasi sipas përfaqësuesit të akuzës, kishte bërë shumë arrestime në popull. “Unë akuzohem se kam shkelur vijën e partisë, se kam bërë arrestime në masë, kurse Byroja Politike në analizën që i bëri punës së sigurimit kohët e fundit, më kritikoi dhe më dha vërejtje të rënda për faktin se nuk është punuar mirë nga organet e sigurimit, pasi nuk kam bërë sa duhet arrestime. Atëherë ke të marrim për bazë, akuzën që më bëni ju apo të Byrosë Politike që është organi më i lartë dhe që e hedh poshtë akuzën tuaj”, është shprehur Feçor Shehu në gjyq. Duke parë se edhe Feçor Shehu nuk pranoi asnjë akuzë, dhe i kundërshtonte këto të fundit me fakte, trupi gjykues i mbylli pyetjet ndaj tij. Më pas ai u ekzekutua.
No comments:
Post a Comment