Blendi Fevziu
Një prej hetuesve të qytetit të Rrëshenit kish thirrur në zyrën e tij një burrë, familje e prekur nga regjimi komunist, i cili kish guxuar të lajmëronte 5 - 6 vetë në qytet, për vdekjen e një pastrueseje të vetmuar, e internuar dhe i kish ftuar ta shoqëronin bashkë për në banesën e fundit. Një traditë e vjetër në Shqipëri, që s'është tjetërsuar kurrë, nga asnjë regjim apo tiran. Ishte gusht i vitit 1983. Hetuesi kërciti dhëmbët, e etiketoi armik dhe i deklaroi se nëse do të merrte pjesë në varrim, do ta arrestonte që atë ditë.
Në burg do të përfundosh qen, i kish thirrur, duke e shtyrë jashtë pas paralajmërimit kërcënues.
Gruaja 66-vjeçare qe dërguar në varreza e vetme, me karrocën e komunales, shoqëruar nga varrmihësit, asnjë prej të cilëve, me siguri s'e kish dëgjuar emrin e saj. Quhej Musine Kokalari, e diplomuar në Romë dhe një prej emblemave të femrës intelektuale dhe të emancipuar shqiptare. Antikomuniste e vendosur, ajo kish humbur dy vëllezërit e pushkatuar nga regjimi komunist dhe gjithë jetën, pas vitit 1945, e kish kaluar në burg dhe internim. Kortezhi i vetmuar, ose më mirë i munguar, ishte çnderimi i fundit që regjimi komunist i bënte asaj edhe në rrugën për në varr.
Rreth 15 vjet më vonë, i njëjti person që kish tentuar të mblidhte pak njerëz për varrimin e saj, trokiste në derën e Gjykatës së Apelit për të ndjekur një problem prone, si shumë shqiptarë këto vite. Gjykimin e çështjes e kish i njëjti hetues që e kish kërcënuar atëherë, i konvertuar tashmë në gjykatës dhe me një karrierë për t'u pasur zili, në majat e drejtësisë së re shqiptare.
M'u kujtua dje ky detaj, që e kam lexuar në një prej gazetave kryesore diku në vitin 2003, me rastin e 20-vjetorit të vdekjes së Musine Kokalarit. M'u kujtua kur lexoja intervistën e Ambasadorit Amerikan Uidhërs, që citonte këtë grua fatkeqe e të mrekullueshme dhe njëherazi kritikonte maxhorancën se po hidhte poshtë disa figura të drejtësisë, duke aplikuar ligjin e lustracionit që ka rënë nga Gjykata Kushtetuese. Nuk është hera e parë që Ambasadori Uidhërs përfshihet në një debat të tillë dhe s'është hera e parë që gjuha e tij mediatike ngjan më shumë me atë të një Administratori të Përgjithshëm apo Guvernatori sesa të një Ambasadori të akredituar në një vend për nxitjen dhe intensifikimin e marrëdhënieve midis dy vendeve. Por nuk dua të ndalem gjatë në këtë aspekt, por në atë tjetrin. Nuk dua të gjykoj emrat e rrëzuar apo ata që mund të vijnë më pas; nuk dua të gjykoj komunikimin e Presidentit me maxhorancën sepse mendoj se ky duhet të jetë gjithnjë funksional dhe i hapur. Dua të futem thjeshtë tek parimi dhe ta trajtoj këtë ashtu siç mendon dhe gjykon Ambasadori Amerikan, me të cilin, ndaj një mendim tejet të kundërt.
E para, Ligji i Lustracionit dhe rrëzimi i emrave në Parlament janë dy gjëra krejt të kundërta. Personalisht kam qenë për aplikimin e ligjit të Lustracionit dhe e kam konsideruar atë të vonuar dhe një dimension të munguar në vendosjen e një ekuilibri brenda shoqërisë shqiptarë të rrënuar nga komunizmi. Kjo nuk ndodhi dhe maxhoranca duhet t'i bindet vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Por ligji i Lustracionit spastronte gjithë sistemin e drejtësisë. Ai ju hiqte gjithë atyre që kishin pasur aktivitet në vitet e komunizmit, të drejtën për të punuar në një seri hallkash dhe kjo bëhej me ligj. Rrëzimi i emrave në Parlament është diçka krejt tjetër dhe lidhet me një vendim politik dhe qëndrim ideologjik. PD është një forcë e djathtë, vjen me kartën antikomuniste dhe baza politike e saj janë të përndjekurit dhe ish-pronarët. PD është distancuar me të shkuarën komuniste, e ka dënuar atë dhe ky qëndrim duhet të jetë konseguent. PD ka vendosur të mos çojë në organet e larta, Gjykatë Kushtetuese dhe Gjykatë të Lartë, asnjë prej atyre që kanë zhvilluar procese politike në vitet e komunizmit. Ky vendim është i drejtë dhe çdo forcë politike në botë do të vepronte njësoj. Ky është një vendim politik, jo ligjor, mbështetur mbi moralin dhe prejardhjen e kësaj force politike. Ajo që do të vijë më pas, ose ato forca që janë në koalicion me PD mund të mbajnë qëndrim të kundërt, kjo ka pak rëndësi. Rëndësi ka fakti që PD t'i qëndrojë vendimit të saj dhe çdo sjellje e kundërt, qoftë edhe me presion si ky, do të ishte skandaloze. Nëse PD do të ndryshonte qëndrim, do ta bënte këtë për turpin e saj dhe në kurriz të atyre që e mbështeten që ditën e parë të krijimit me shpresën për një shoqëri të lirë.
E dyta, krijimi i idesë se gjykatës të mirë dhe të ndershëm janë vetëm ata që kanë gjykuar në kohën e komunizmit, më duket më shumë se sa cinike. Kjo është fatale për një vend që po tenton të ngrihet mbi bazën e një filozofie të re dhe europiane. Nuk po citoj se ç'ligje kanë zbatuar vende të tjera të Europës Lindore, sot anëtare të BE. Po them vetëm se sot, ka me dhjetëra vetë që kanë një karrierë të spikatur në këto 20 vite, ish studentë që kanë përmbysur atë regjim (pavarësisht orientimeve të sotme politike) dhe që mund të qëndronin në ato karrige me më shumë dinjitet se sa kandidaturat, që po aty, kanë ndëshkuar njerëz thjeshtë sepse donin një jetë më të mirë dhe një shoqëri të lirë. Në këtë kontekst, ndërhyrja e Ambasadorit Uidhërs, më duket më shumë sesa e pakuptueshme. Shumë prej këtyre njerëzve, si edhe rasti që përmenda në fillim, nuk kanë shprehur asnjë pendesë për atë kohë dhe aktivitetin e tyre. Madje kanë qenë më shumë se sa agresivë në mbrojtje të saj. Sinqerisht, kam pritur që si Ambasador i SHBA, Uidhërs të ndërhynte në raste të tjera. Të shprehte shqetësimin e tij që në organet më të larta të drejtësisë shqiptare janë njerëz që kanë dhënë dënime politike me vdekje në fund të viteve '80; që në po këto organe janë gjykatës që kanë dënuar me vdekje priftërinj sepse në fshehtësi kishin kryer rite fetare. Po, ata kanë zbatuar ligjin e kohës, ligjin e diktaturës dhe regjimit më monstruoz të botës, por kjo s'ju jep të drejtën të jenë edhe sot në ato poste. Kam besuar se Ambasadori Uidhërs, së paku do të ndërhynte në një rast që më ka prekur thellë. Rreth një vit më parë, Prokurori që ka kërkuar dënimin me vdekje të Xhelal Koprenckës, Fadil Kokomanit dhe Vangjel Lezhos, u propozua të dekorohej dhe më pas u dekorua (Dekorata ju hoq më pas nga Presidenti, pasi u mor vesh implikimi i tij në procese politike). Fadil Koprencka, u pushkatua sepse guxoi t'i shkruante drejtuesve komunistë që e ardhmja e Shqipërisë duhej të ishte nga SHBA dhe marrëdhëniet me të. Ai u shpreh se SHBA janë kampioni i lirisë në botë dhe se vetëm duke u bërë aleat me ta, shqiptarët do të ndërtonin një të ardhme të ndritur. Ai guxoi të thoshte atë që shumë vetë e mendonin. Ai ishte një nga pionerët, ai foli për SHBA, kur edhe përmendja e emrit të saj të kushtonte jetën dhe vërtet i kushtoi. Ai u pushkatua më 1979 dhe eshtrat s'i janë gjetur ende. Kur problemi i tij u bë publik, prisja që Ambasadori i SHBA, i cili flet në Shqipëri për çdo gjë, nga moti tek futbolli, t'i kërkonte publikisht prokurorit që kish marrë pjesë në ekzekutim që të tregonte së paku vendin ku qe varrosur; që ai të kish një varr, ku shumë nga ata që sot mendojnë si Koprencka, apo si Lezho e Kokomani, të kenë mundësi t'ju vendosin një kurorë. Siç duhet ta ketë këtë mundësi edhe Ambasadori i SHBA, vendit tek vlerat e të cilit Koprenca besonte dhe për të cilin humbi jetën një ditë. Kjo nuk ndodhi. Nuk po ndodh as tani, kur një familje ka hyrë në grevë urie sepse kërkon eshtrat e njërit prej pjesëtarëve të saj të pushkatuar në vitet e komunizmit që prokurori i çështjes, nuk i tregon.
Unë nuk besoj se persona apo juristë si këta, janë elita juridike e Shqipërisë, janë të pazëvendësueshëm. Nuk mendoj se ky është edhe qëndrimi zyrtar i SHBA. Për shumë vite, ambasadorë si Rajerson, Lajk, Xhefri apo Ris, na kanë dëshmuar diçka të kundërt. Nuk besoj se vlerat amerikane në gjykimin e shoqërisë dhe të njerëzve ndërrojnë me çdo ambasador, përkundrazi. Por nuk dua as të besoj se këto deklarata ngjajnë me ato të vitit 2008, për moskalimin në Senat të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, për ligjin e Prokurorisë dhe rolin e OSBE në Shqipëri, që Uithërs i ngriti me forcë dhe që më pas rezultuan pa bazë. Por meqenëse ndaj me Ambasadorin Uidhërs të njëjtin pasion për një President amerikan që e kam admiruar si adoleshent, Ronald Reganin, po e perifrazoj atë kur thotë se "Perandoria e së keqes", siç e quante ai perandorinë komuniste nuk prodhonte dhe në fakt nuk prodhoi njerëz kaq dinjitozë sa beson Ambasadori sot!
No comments:
Post a Comment