Sunday, July 18, 2010

Stefan Cvajg Historia dhe jehona e përkthimit në shqip

Prof. as. Dr. NASER MRASORI

Për të njohur jehonën dhe fatin e një vepre të letër sisë të huaj është e udhës të përcillet afirmimi, fati, karriera, eprimtaria dhe fama e shkrim tarit, së pari në vendin e tij, pra, të origjinalit, pastaj në vendin e përkthimit. E themi këtë, sepse suksesi i një vepre mund të jetë jo vetëm kombëtar, por edhe ndërkombëtar, kurse, nga ana tjetër, më parë vjen suksesi kombëtar, pastaj suksesi ndërkombëtar.
Në këtë punim, me jehonë nënkuptojmë: tekstin e përkthyer në shqip, parathënien ose pasthënien e bërë nga përkthyesi ose nga kritiku, parathënien ose pasthënien e autorit, të përkthyer në shqip, kritikat e recensionet rreth veprës së Cvajgut, kritikat, studimet, esetë dhe trajtesat që kanë të bëjnë me veprimtarinë e larmishme e të pasur të tij, duke nxjerrë në pah ndikimin sa më të plotë, më të sistemuar e më të argumentuar të veprës së këtij autori në letërsinë shqipe.
Shumë vende të tjera ku është shkruar për përhapjen dhe jehonën e veprave të Cvajgut, kanë pasur fatin që vetë Cvajgu i kishte vizituar ose kishte lidhur miqësi me shumë personalitete të kulturës së tyre, për shembull, në Francë, në Zvicër, në Amerikën Veriore dhe Jugore, në Rusi etj.
Madje Rusinë e pati quajtur “atdheu im i dytë”. Ndërkaq, Shipëria dhe Kosova nuk e kanë pasur këtë fat, edhe pse Cvajgu kishte miqësi me dy personalitete të kulturës sonë, me mbretin e skenës, Aleksandër Moisiun.
Çastin e takimit me Moisiun, Cvajgu e përshkruan kështu:
“Por natyrisht që e prita me gëzim, sepse e doja vërtet si vëlla atë njeri të zjarrtë e të përzemërt…. Portretin e Aleksandrit Cvajgu e përshkruan me një gjuhë jashtëzakonisht të pasur e magjepsëse:
“Shekulli ynë ishte në të hyrë, kur në skenën gjermane u dëgjua për herë të parë zëri i aktorit të panjohur; ishim në pritje të diçkaje të madhe, sepse ai zë nuk ishte si zërat e tjerë, në të kumbonin nota të reja, magjepsëse, origjinale, të tilla që të mbeteshin të paharruara në kujtesë po t’i dëgjoje qoftë edhe një herë të vetme. Zëri i tij ishte më harmonik, më depërtues, më melodioz, më i butë se zërat gjermanë, në të spikaste melodioziteti i ngrohtë, plot diell...”
Në vazhdim të këtij përshkrimi, duke lavdëruar dhe çmuar lart vlerat e këtij artisti të madh, që e adhuronte aq shumë, Cvajgu thotë:
“Kush pati fatin e lumtur ta njihte nga afër, e di se gjëja që bënte më me pasion Aleksandër Moisiu ishin diskutimet dhe debatet për temat filozofiko-morale. Debatet e nxehta për këto tema nuk i harroj kurrë. Ku jeni, o net të gjata, kur rrinim tok me të, me mikun tim të shpirtit, me më të shtrenjtin e miqve, dhe ai merrte zjarr, jepte e merrte si dinte ai për çështje të filozofisë e të moralit! Sa mrekullisht bukur i rridhte gjuha, që i shprehte mendime të thella, sa me hijeshi dhe me madhështi krejt shpenguar...”
Cvajgu ishte takuar edhe me intelektualin e shquar shqiptar Aleks Buda, i cili, sipas vajzës së tij, T. Haxhimihalit, nuk ka lënë ndonjë shkrim të gjatë rreth takimit me Cvajgun, përpos një kujtimi në ditarin e vet, ku kishte shënuar mbresat nga një bisedë me Cvajgun për Lev Tolstoin.
Kështu, në hapësirën shqipfolëse, që nënkupton kryesisht Shqipërinë, Kosovën dhe trevat tjera ku zhvillohet letërsia shqipe, jehona duhet gjykuar sipas kontekstit historikoshoqëror, duke e klasifikuar në periudhat e ndryshme kohore, të cilat dallojnë pak a shumë nga njëra trevë në tjetrën. Duke mbajtur parasysh anën kronologjike të botimit të veprave të Cvajgut, sipas të dhënave të Shtëpisë botuese “Argeta-LMG”, botimi i parë nga krijimtaria e Cvajgut është bërë në vitin 1939 te “Gazeta e Korçës” e datave 28 dhe 30 janar, duke vazhduar pastaj në muajin shkurt me pjesë nga novela “Dashuria e guvernantes dhe dy vogëlushet”, ndërsa në mars të po atij viti, në disa numra të gazetës “Drita” u botua për herë të parë një pjesë nga novela “Letra e një të panjohure”. Prapë në bazë të të dhënave të kësaj shtëpie botuese, në vitet 1942-1943 botohen disa fragmente të vogla, kurse më 1958 botohet e përkthyer nga Enver Ficoja novela “24 orë nga jeta e një gruaje”. Në vitin 1962 u botua përmbledhja e parë e novelave të Cvajgut, përkthyer nga Mahmut Bobrati dhe Klio Evangjeli. Pas një periudhe kohore prej disa vjetësh, në vitin 1988, Cvajgu na vjen sërish me një përmbledhje të novelash, përkthyer nga Mahmut Bobrati, Robert Shvarci, Enver Ficoja dhe Klio Evangjeli.
Këtu fillon maratona e përkthimeve të veprave të Cvajgut, dhe gati çdo vit botohen vepra të përkthyera nga shumë përkthyes, madje kemi raste kur dy përkthyes kanë përkthyer të njëjtën vepër, siç ka ndodhur me veprën “Maria Stjuart”, përkthyer nga Viron Koka dhe Jorgji Doksani, me novelën “Letra e një të panjohure”, përkthyer nga Vedat Kokona dhe Robert Shvarci, dhe me novelën “24 orë nga jeta e një gruaje”, përkthyer nga Gj. Zheji dhe E. Ficoja.
Pas viteve 60, në Shqipëri Cvajgu është përkthyer dhe lexuar shumë më tepër se në trevat e tjera shqiptare. Prandaj këtë vend e marrim edhe si shembull. Asokohe, në Shqipëri nuk kishte as lexues të thjeshtë dhe as të specializuar që mund të shprehte hapur mendimin e vet për atë që kishte lexuar ose studiuar, sepse faktori ideologjik pas vitit 1944 nuk e lejonte diçka të tillë, dhe letërsia shqipe, ashtu si dhe letërsia e huaj, censuroheshin nga strukturat e atëhershme të pushtetit. Për pasojë, autorët e huaj që përktheheshin në shqip duhej të ishin në shërbim të ideologjisë së kohës, t’u shërbenin synimeve të kësaj ideologjie, sepse letërsia e atyre viteve në Shqipëri zhvillohej në bazë të metodës së realizmit socialist. Përkundrazi, në vitin 1939, kur Cvajgu u përkthye për herë të parë në gjuhën shqipe, mendimi i lexuesit të thjeshtë dhe i lexuesit të specializuar ka qenë cilësor dhe jo i censuruar. Themi se ka qenë cilësor, sepse këto vepra lexoheshin nga një shtresë sociale e shkolluar në Perëndim. Kështu, Cvajgu vlerësohej si Cvajg, si “gjahtar i shpirtrave”, duke mbushur një boshllëk shumë të madh në jetën kulturore të lexuesit shqiptar. Gjatë kësaj periudhe, pra, në vitet 1937-1944, Cvajgu nuk është censuruar kurrë. Madje, edhe gjatë periudhës 1944-1960 censura nuk ishte shumë e rreptë. Pas viteve 60, kur u prishën marrëdhëniet me Bashkimin Sovjetik, censura u thellua, dhe, si pasojë, pati shumë autorë që nuk lexoheshin haptazi. Edhe për autorë që merreshin me botën shpirtërore, siç ishte Cvajgu, filluan kufizimet në kuadrin e edukimit të “njeriut të ri”.
Kjo vërehet kryesisht në parathëniet e veprës “Magelani” dhe të përmbledhjes me novela që botua më 1962, ku duket qartë që autorët shqiptarë ishin të ndikuar nga kufizimet ideologjike. Një dukuri tjetër që ka dëmtuar jehonën e Cvajgut në Shqipëri janë shkurtimet që u bëheshin teksteve të përkthyera, duke hequr pjesë të tëra që pasqyronin realisht botën e emancipuar perëndimore. Dihet se cungimi i origjinalit është me pasoja, sepse cungohet autori, sepse idetë nuk përcillen si duhet, dhe vepra artistike nuk ia arrin qëllimit. Kjo censurë zgjati më se 40 vjet dhe kulmin e arriti në vitin 1975, kur Cvajgu nuk studiohej fare në shkollat e larta, sidomos në degën e gjuhës e të letërsisë shqipe, që kishte të bënte me lexuesin e specializuar. Pas vitit 1990, censura u hoq. Me rënien e sistemit komunist, në Shqipëri u hoqën edhe barrierat ideologjike. Letërsia e huaj vërshoi si një lumë i furishëm. Lexuesi i thjeshtë shqiptar kishte tashmë të gjithë autorët që deri në atë kohë patën qenë të rezervuar. Por ky shpërthim pati edhe dëmet e veta artistike. Lexuesi i specializuar u rrallua, çka solli si pasojë rënien e nivelit të përkthimeve. Gjatë periudhës kur vepronte censura, Cvajgut iu hoqën pjesë të tëra për arsye politike ose ideologjike, në vitet 90 dukuria e klientelizmit bëri që mjaft autorë të “censuroheshin” nga padituria dhe nga paaftësia e përkthyesve, me përjashtim të një plejade të caktuar përkthyesish shumë të specializuar, si R. Shvarci, A. Ristani, A. Koçi, V. Kokona, J. Doksani, etj. Kritika e specializuar, e cila jep një ndihmesë të madhe në paraqitjen e autorit dhe në afrimin e tij me lexuesin e thjeshtë, u ndërpre për shkak të klientelizmit, që shitjes së librit i dha një përparësi të tejskajshme.
Këtu te ne, lexuesin mund ta ndajmë në lexues ideal dhe lexues real. “Novela e shahut”, “Fusheja”, “24 orë nga jeta e një gruaje” dhe “Letra e një të panjohure” janë shembuj të qartë për të kuptuar ndryshimet thelbësore midis lexuesit ideal dhe lexuesit real. Fakti që autori ka pasur parasysh lexuesin ideal gjatë krijimit të novelave, vihet re qysh në faqet e para të tyre. Aty kemi një thirrje drejtuar vetës së dytë, çka na krijon mundësinë ta individualizojmë atë “ti” të këtyre novelave. Kjo “ti” përmbledh tërë njerëzit e ndjeshëm ndaj vuajtjes shpirtërore, si vëllezërit e Cvajgut. Po lexuesi real, ç’vend zë në këtë raport midis “Un-it” dhe “Ti-së”? Në të vërtetë, mund të thuhet se autori nuk e kontrollon dot këtë raport, sepse s’mund ta dijë e ta parashikojë se sa, e cilët do të jenë lexuesit e tij në të ardhmen. Kështu, në veprën e Cvajgut mund të flitet vetëm për lexues historikë të veprës, pra, për lexues të një periudhe konkrete kohore. Në çastin e krijimit të novelave të veta, Cvajgu nuk e dinte se cilët do të ishin lexuesit realë të tyre. Ndërsa ne jemi në gjendje të përllogarisim pak a shumë lexuesin historik të tyre. Kështu, mund të themi se në kohën kur ai shkroi “Novelën e shahut”, kjo novelë s’mund të kishte lexues, sepse bënte pjesë në atë cikël novelash që u shkruan në një periudhë më të vonshme ose në një periudhë kur ishte vështirësuar shumë raporti krijues–lexues, për shkak të rrethanave të kohës. Ndër lexuesit e kësaj periudhe mund të llogarisim atë kontingjent intelektualësh të rinj që kishin mjaft arsye të ishin pesimistë e të binin në dëshpërim si pasojë e Luftës së Dytë

Botërore . Arsyeja e interesimit të shumë lexuesve për novelat e Cvajgut ka mundësi të jetë aftësia e tij për të gërshetuar rrëfimin e rrëmbyeshëm e të fuqishëm me analizën psikologjike dhe me gjurmimin e vlerave njerëzore. Edhe kur shkruan ndonjë trajtesë biografike ose ndonjë prozë artistike, ai na rrëfen ndonjë ngjarje interesante e të paharrueshme dhe na tregon pse personazhet e tij sillen e veprojnë në një mënyrë të caktuar, duke na ftuar njëkohësisht të mendojmë si duhet të sillen njerëzit dhe si duhet të mos pajtohen me ato gjëra që bëjnë të pamundur dhe rrënojnë mënyrën e jetës ideale. Si figura kryesore të krijimtarisë së tij Cvajgu zgjidhte me dëshirë njerëz që i rrëmben pasioni i shfrenuar, njerëz që u shkojnë pas ndjenjave të tyre, si Irena, gruaja e një avokati, në novelën e Cvajgut “Ankthi” , që është bërë edhe film. Ajo bën një martesë mesatare, paksa të zbehur, nga e cila një ditë prej ditësh detyrohet të largohet. Më pas nis marrëdhënia e saj me muzikantin e ri, për të cilin nuk shfaq ndonjë dashuri të madhe. Përgjimi nga një grua e panjohur, në një nga takimet e saj të fshehta, e cila filloi t’i bënte shantazh, do t’i kushtojë më pas gjithnjë e më shumë para që ta detyrojë të heshtë. Pas një kohe të shkurtër, kërkesat e gruas së panjohur ishin të papërballueshme për Irenën, mundësitë e saj financiare shterojnë. Ajo përjeton një frikë të pazakontë, që ia shteron forcën e qëndresës shpirtërore, dhe nuk sheh rrugëdalje tjetër përveç vetëvrasjes. Këtu ndodh një kthesë e çuditshme: i shoqi arrin ta parandalojë katastrofën në kohën e duhur. Ai i trgon asaj, po kështu edhe lexuesit të habitur, se e kishte vënë ai vetë “shantazhisten”, një aktore të papunë. Irena duhej të futej në një gjendje pa rrugëdalje, që kësisoj të kthehej sërish pranë të shoqit dhe fëmijëve të saj.
“Amoku”
Ndërsa novela “Amoku”, që ben pjesë po ashtu te novelat më të njohura të Cvajgut, fillon me një takim të rastësishëm të autorit me një mjek në bordin e një anijeje, i cili i rrëfen bashkudhëtarit historinë e jetës së vet. Për shkak të një allishverishi të zbuluar, ai detyrohet të fshihet në kolonitë holandeze, ku bie në dashuri me një angleze të pasur, e cila i kishte kërkuar që t’i merrte përsipër një abort, çka ai nuk e pranon, edhe pse ajo i kishte premtuar një shumë të hollash.
Kur anglezja largohet, ai e ndjek pas, i pushtuar nga një pasion që e kishte ndier papritur dhe që i kishte ngjallur një dëshirë të çmendur. Si një i etur për vrasje, i shkon pas anglezes për ta takuar. Më në fund e gjen në një dhomë mjerane. Ndërkaq, nga frika e burrit, ajo kishte pranuar që abortin e fëmijës së jashtëligjshëm t’ia bënte një grua sharlatane, dhe vdes gjatë kësaj ndërhyrjeje. Mjeku i kishte premtuar se do t’ia ruante të fshehtën dhe e shoqëroi arkivolin e saj rrugës për në Evropë. Në këtë pikë e mbaron ai rrëfimin e jetës së vet. Retrospektiva mbyllet, dhe tregimi u kthehet ngjarjeve të së tashmes. Kur anija ndalet në një port evropian, mjeku e hedh në ujë arkivolin me të dashurën. Pastaj vret veten.
“Një natë fantastike”
Edhe në novelën “Një natë fantastike” kemi të bëjmë me një rast tipik të kësaj tregimtarie, ku një aristokrat vjenez shkëputet nga jeta moskokëçarëse dhe kridhet në një përjetim ngazëllues, duke provuar një ndjenjë të rrallë ndaj shokëve dhe anëtarëve të shtresave të tjera shoqërore; me këtë rast Cvajgu i shmanget zgjatjes së kësaj gjendjeje, sepse heroi i tij vritet në Luftën e Parë Botërore fill pas këtij përjetimi. Sidoqoftë, problemi ekziston, ndonëse përqendrohet më me sukses në përfytyrimet seksuale që përshkojnë novelat e Cvajgut. Baroni, që përshkruan moskokëçarjen e vet fillestare duke përmendur impotencën mashkullore, përfundon në një fisnikëri të hareshme e të pakrahasueshme. Përveç kësaj, meqë ky intensitet ka të bëjë fare pak me vullnetin e vetëdijshëm dhe varet nga ndjenjat e nga instinktet, të bën të dyshosh edhe në aftësinë e tij për t’iu përshtatur marrëdhënieve të reja shoqërore. Është domethënës fakti se ndjenja humane që provon Baroni në vrapim e sipër, është një lloj tronditjeje që i ndodh vetëm gjatë vrapimit, pas të cilit turma shpërndahet në individë që u përkasin shtresave të ndryshme. Si rrjedhojë, megjithëse arrin të pohojë në fund se e ka ruajtur brenda vetes ndjenjën e ngrohtë humane dhe se kjo përvojë e kthen në jetën reale, gjëja që i mungon është lumturia e jetës intime. Edhe në këtë novelë, Cvajgu është i bindur se njeriu e tregon kush është dhe ç’cilësi e karakter ka, vetëm atëherë kur jeton me pasion.
“Pështjellim ndjenjash”
Në novelën “Pështjellim ndjenjash” bëhet fjalë për pasione dhe instinkte tejet të fuqishme, ajo është njëherazi edhe një kritikë që i bëhet shoqërisë, e cila e detyron individin e vetmuar të shtiret. Një student gjen një dhomë në shtëpinë e një profesori të anglistikës, i cili e shqetëson studentin gjithnjë e më shumë me sjelljet e veta të paparashikueshme. Njëherë i shfaq simpatinë, por pastaj i ngjall neveri me vrazhdësinë e tij. Studenti kalon një natë dashurie me gruan e profesorit, e cila, me sa duket, është e pakënaqur prej të shoqit. Meqenëse tani gjendja i bëhet e padurueshme, studenti vendos të largohet. Në një bisedë të çiltër, profesori, që është shumë i prekur nga ky vendim, i pohon djaloshit dashurinë e vet, që më kot e kishte ndrydhur tërë kohën dhe ishte përpjekur ta fshihte. Vetëm tani nis ta kuptojë studenti. Megjithëse ky pohim ia përforcon simpatinë ndaj atij burri të moshuar, i duket më e drejtë që të ikë përgjithmonë nga ajo shtëpi. Ndërkaq, nuk është gjë e rastit që Cvajgu përdor edhe një formë tradicionale të tregimtarisë, duke i përmendur personazhet e veta jo me emër të plotë, por me shkronjat nistore të emrit e të mbiemrit, gjoja për të fshehur identitetin e personave të vërtetë. Këto hapësirës, duke u shkruar letra librashitësve të armikut, pa ditur asgjë për luftën. Borisi, nga ana e vet, qëndron mbi idetë e nacionalizmit të kohës së luftës, sepse nuk e kupton situatën gjeopolitike, madje as domethënien e kufijve. Sidoqoftë, këto personazhe na lënë të kuptojmë se nuk e kanë të qartë nacionalizmin dhe nuk janë të vetëdijshëm për pasojat e rënda dhe tragjike të tij. Stefan Cvajgu ka qenë ndër ata që “i rrinin afër Frojdit” për të kërkuar ndihmë në arritjen e qëllimeve të veta; ai ka qenë nxënës i tij besnik dhe luftonte njësoj si Frojdi, sidomos te biografitë, por mbase më fort te studimet kritike, te romanet e te novelat.
“Detyrimi”
Një vend të veçantë në krijimtarinë novelistike të Cvajgut zë novela “Detyrimi”, e cila përsërit disa dilema e shqetësime mendore të vetë autorit, i cili krijon një personazh inteligjent dhe ka përkrahjen e gruas së zgjuar për qëndrimin e tij kundër makinerisë së luftës. Personazhet e kësaj novele, si austriakë që janë, kanë prirjen të bisedojnë për çështjet publike, duke i parë jo nga aspekti moral e politik, por nga aspekti estetik. Ferdinandi ka mërguar në Zvicër, më tepër për shkak të pakënaqësisë nga mjekët ushtarakë, si dhe për shkak të gënjeshtrave e të thashethemeve politike që dëgjon rreth e rrotull, mirëpo pakënaqësia dhe neveria janë armë të dobëta kundër së keqes politike dhe ideologjike dhe nuk janë çështje individuale; këtu krijohet përshtypja se autori, në vend që të gjykojë e të reagojë publikisht ndaj të këqijave shoqërore, u jep atyre përmasat e reagimit individual. Edhe vetë autori u detyrua të mërgonte, jo me qëllim që të merrte pjesë e të angazhohej kundër së keqes dhe pasojave të saj, por që të ikte nga atmosfera mbytëse dhe e zymtë e vendlindjes së tij. Autori bën çmos për ta ruajtur lirinë vetjake dhe për t’iu shmangur detyrës që mund t’i imponohet nga makina e pushtetit. Me fjalë të tjera, liria për Cvajgun është mundësia që ai ka për t’u bërë pacifist, për t’iu kundërvënë luftës, por jo për të rrëmbyer armët dhe për të luftuar kundër dikujt tjetër, ndonëse të tjerët nënkuptonin me këtë liri të drejtën për të qenë ushtarakë e nacionalistë, atdhetarë e luftëtarë. Një vërejtje tjetër që mund t’i bëhet si autorit ashtu edhe personazheve të tij, është edhe prirja e hapur për t’u larguar nga realiteti, që t’i shmangen ballafaqimit me situatat e ndërlikuara të realitetit politik. Një rast i tillë është edhe largimi i Cvajgut për në Zvicrën neutrale, ku mund të strehohej e të mbrohej nga pasojat e luftës, sepse ky vend shihej nga emigrantët si “ anije shpëtimi”, duke siguruar kësisoj largësinë hapësinore mes vetes dhe pushtetit në atdheun e tyre.
“Ishin vetëm disa minuta nga njëri stacion tek tjetri, por qysh në sekondën e parë njeriun e pushtonte ndjenja se po linte një ajër mbytës e të mykur dhe po hynte befas në një atmosferë gjallëruese e tërë borë, e kaplonte një lloj dehjeje që përhapej nga truri në të gjitha nervat e në të gjitha shqisat.”
Natyrisht që ikja më e fundit ishte ikja nëpërmjet vdekjes. Prandaj nuk është për t’u çuditur kur edhe Ferdinandi, në një episod të novelës, e parashikon dhe e përsiat mundësinë e vetëvrasjes si mënyrë të arritjes së lirisë më të lartë ose të paqes, jo si e kuptonin paqen disa ithtarë të pacifizmit, siç është pacifistja Berta fon Sutner, por një paqe që e shmangte njeriun nga të gjitha vendimet, detyrat e përgjegjësitë. Po kështu ndodh edhe kur personazhi i novelës, Ferdinandi, vendos të heqë dorë nga izolimi për të gjetur një rrugëdalje të re. Por kësaj radhe personazhi ka mundësi të bashkohet me mijëra njerëz të tjerë që kanë kapitulluar dhe i janë nënshtruar makinës së luftës. Megjithatë, ikja nga mesi i turmës nuk është ndonjë vendim fatlum, mirëpo kjo ide e Ferdinandit vjen si pasojë e mungesës së vullnetit të tij. Personazhi i sipërpërmendur nuk i nënshtrohet urdhrit ushtarak; pasi e sheh kufirin e vërtetë, pasi sheh uniformat dhe ushtarët e plagosur, ai largohet dhe bashkohet me turmën.
Cvajgu dhe liria individuale
Sipas të gjitha gjasave, aspektet e idealit human të Cvajgut janë dy llojesh: së pari, janë aspekte që kanë të bëjnë me pikëpamjen e me nevojën njerëzore si çështje individuale, dhe, së dyti, janë edhe ato aspekte që pasqyrojnë marrëdhëniet e tij me të tjerët, ose pikëpamjet dhe marrëdhëniet publike. Të dy këto aspekte ishin, sipas Cvajgut, të rrezikuara në botën e nacionalizmit e të burokracisë, të njëanshmërisë e të urdhrit, etj. Prandaj për Cvajgun liria individuale ishte vlera më e lartë njerëzore, dhe çdo vlerë ose ideal tjetër publik ose shoqëror që kufizon lirinë individuale, nuk përfillet nga autori.
Duhet theksuar se te çdo novelë Cvajgu i vë detyrë vetes të zbulojë të fshehtat e zemrës njerëzore, të njohë labirintet e shpirtit njerëzor dhe në fund të zbulojë konfliktet e pasojat e tyre te personazhet e tij. Është vënë re se një numër i madh i novelave të tij ka një strukturë të rëndomtë dhe pa ndonjë veçori të posaçme. Në disa novela të Cvajgut, si: “24 orë nga jeta e një gruaje”, ku tregimtari fillon të rrëfejë për jetën e rëndomtë në një shtëpi të moshuarish dhe për një grindje të zakontë, na duken njësoj edhe endjet e heronjve nëpër rrugët e një qyteti francez te novela “Rrugica në dritën e hënës”,pastaj edhe dialogu i shkurtër te novela “Koleksioni i padukshëm”, hyrja e shkurtër te novela “Një natë fantastike”, përshkrimi lakonik që i paraprin novelës “Letër e një të panjohure”, sfondi dhe mjedisi detar ku zhvillohen ngjarjet e novelës “Amoku”, etj. Te ky lloj novelash autori përdor format e tregimit, që të paralajmërojë e të përgatitë lexuesin për ngjarjet kryesore të fabulës së novelës.
Në më të shumtën e rasteve, fabula e novelës së tij ka të bëjë me temat e pasionit, me konfliktet shpirtërore, me gjendjen e nderë shpirtërore dhe psikologjike të personazheve. Shpërthimi i pasioneve në kthesat vendimtare të jetës e dëmtojnë shpeshherë, e rrënojnë jetën e personazhit të novelës.
Cvajgu mendon se pasionet, ashtu si lëngatat, nuk duhen dënuar ose harruar, por duhen përshkruar nga autori me një mahnitje të re, së cilës i shtohet edhe një tmerr i lehtë para vërshimit të forcave spontane. Të vlerësosh pasionet nga pikëpamja morale është, sipas tij, njësoj si t’i kërkosh llogari stuhisë, ose të akuzosh a të hedhësh në gjyq vullkanin për shkak të shpërthimit të llavës. Është më se e qartë që Cvajgu besonte, ashtu si Frojdi, se pasionet janë spontane e të pagjykueshme dhe shpeshherë nuk përfillin as vlerësimet njerëzore.
“ Në novelat e mia më tërheq gjithmonë ai që i nënshtrohet fatit, ndërsa në biografitë ajo figurë që mbetet e patundur jo në rrugën reale të suksesit, por vetëm në qëndrimin moral, Erazmi dhe jo Luteri, Maria Stjuarti dhe jo Elizabeta, Kastelioni dhe jo Kalvini. Kështu, për personazh heroik qendror nuk mora Akilin, por atë më të papërfillshmin ndër kundërshtarët e tij, Tersitin: njeriun që vuan dhe jo atë që, me anë të forcës e të sigurisë në arritjen e qëllimeve të veta, bën të vuajnë të tjerët.”
Në vetën e parë...
Në novelat e Cvajgut hasim shpesh tregimtarin në vetën e parë, i cili është i prirur të futet në botëkuptimin e në shpirtin e personazhit. Cvajgu përdor rrallë dialogje të brendshme ose ligjërata të zhdrejta, që janë edhe një nga veçoritë e novelave gjermane. Monologjet e heronjve të tij janë të thurura mjaft mirë artistikisht, ndaj edhe lexuesi beson në sinqeritetin e tregimtarit. Duke rikujtuar episode dhe përjetime të caktuara e të përzgjedhura, personazhet e tij bëjnë zakonisht edhe vetë analiza të pavetëdijshme. Këto reagime ose analiza psikologjike dhe individuale të personazheve të tij e joshin shpeshherë dhe e rrëmbejnë vëmendjen e lexuesit qysh në fillim. Personazhet e Cvajgut janë në përgjithësi nga shtresat e larta të shoqërisë austriake, nuk kanë nevojë të luftojnë për jetën ose për të mbijetuar dhe nuk vuajnë nga uria ose nga hallet e tjera materiale. Njerëzit në novelat e Cvajgut janë shkrimtarë, profesorë, mjekë, zyrtarë të lartë, oficerë, etj. Duket se Cvajgu i ka çliruar me qëllim nga këto brenga, në mënyrë që të përqendrohet në gjendjen shpirtërore të personazheve. Ç’është e vërteta, personazhet e tij kanë karakteristika morale, mendore, fizike, emocionale dhe shpirtërore, ndonëse një numër i madh syresh kanë ndonjë traumë shpirtërore të shkaktuar prej ndonjë padrejtësie shoqërore. Cvajgu i përshkruan, i portretizon e i shtjellon këto personazhe me një përkushtim të rrallë, sepse ato jetojnë zakonisht të vetmuara, të zhgënjyera e të izoluara nga bota e tyre. Duket se të tëra novelat së bashku kanë pak lidhje autobiografike me krijuesin e tyre. Pasionet e personazheve të përshkruara në novelat e Cvajgut janë jo vetëm të papërgjegjshme, të paarsyeshme e të pavetëdijshme, por herë-herë janë edhe tekanjoze, çka mund të ngjallë edhe antipatinë ose habinë e lexuesit. Disa personazhe të novelave të tij nuk e shembin
dot murin që ndan një krijesë nga një krijesë tjetër. Sa më i pastër, i dëlirë, i ndershëm, i çiltër e vetëmohues të jetë pasioni i personazhit, aq më fatkeq është ky personazh. Edhe mikroborgjezia përfaqësohet nga tregtarë kuajsh, guvernante, kamerierë, shërbëtorë, nëpunës, zyrtarë të vegjël, etj.
Novelat e Cvajgut kanë subjekte jo të thjeshta, por komplekse e të ndërlikuara, kurse personazhet janë jo vetëm bardhezi ose dinamike e statike, por edhe komplekse, tragjike, të ndërlikuara, burra, gra, madje edhe fëmijë. Kështu, në novelat e veta të para Cvajgu i kushtonte vëmendje tematikës së fëmijëve. Si të tilla mund të përmenden novelat “Guvernantja” dhe “E fshehta përvëluese”.
Enigmat psikologjike e shpirtërore
Si te novelat, romanet e dramat, ashtu edhe te veprat biografike, Cvajgu merret si me vetveten, ashtu edhe me njeriun që ka një dëshirë të paepur për të zbuluar enigmat psikologjike e shpirtërore. Cvajgu tregon njëherazi interesim e kërshëri të thellë për të analizuar aspekte të ndryshme të karakterit njerëzor; te biografitë e letrarizuara nuk e përshkruan gjithmonë me hollësi jetën e personazheve, por tregon interes para së gjithash për pikëpamjet, formimin shpirtëror, karakterin dhe kthesat e rëndësishme të tyre. Në më të shumtën e rasteve zgjedh tema, figura, personazhe e konflikte që, ose i përngjajnë disi, ose edhe njëjtësohen me gjendjen shpirtërore në ndonjë episod ose rrethanë të caktuar të jetës së tij.
Veç kësaj, në jetën dhe në veprën e një personaliteti ose figure të shquar, ai gjen kthesat historike të një populli ose të një kombi. Në fushën e moralit individual, Cvajgu ishte përkrahës i mendjehollësisë, i finesës e i simpatisë dhe kundërshtar i ligjeve të ngurta morale. Njeriu është krijesa që duhet të përpiqet të përmirësojë veten. Kështu, për shembull, në novelën “24 orë nga jeta e një gruaje” ai rrëfen për femrën e kapluar nga një pasion aq i furishëm e i zjarrtë, saqë, gjatë atyre 24 orëve të kaluara nën ndikimin e atij pasioni, ajo e përjeton jetën e vet në një mënyrë më intensive dhe më të thellë sesa gjatë tërë pjesës tjetër të jetës. Zonja Henrietë vazhdonte shëtitjen e mbrëmjes kur burri i saj, që ishte një industrialist i pasur francez, luante domino me mikun e vet. Simpatia e Cvajgut ndaj burrit të braktisur është më se e qartë, këtë mund ta ndiejë edhe lexuesi, mirëpo novela nuk është aspak një trajtesë ideologjike kundër martesës si e tillë. Ndërkaq, aty del se autori ka simpati edhe ndaj Henrietës, gruas së industrialistit, e cila e braktis për të shkuar me të dashurin.

“Bukinisti Mendel
Cvajgu ishte mjeshtër i tregimit të shkurtër dhe i novelës. Ai qe aq i talentuar, saqë ishte në gjendje të përfshinte e të shtjellonte një ngjarje të madhe historike në suazën e një novele të shkurtër, përmes një gjuhe të pasur e të gjallë. Kështu, bie fjala, te novela “Bukinisti Mendel” trajton simbolikisht, por me një fuqi të rrallë, rrënimin e tolerancës kozmopolitane dhe ndërkombëtare, si pasojë e marrëzisë të Luftës së Parë Botërore, në jetën e në fatin e një personazhi të vetmuar. Shitësi i librave të vjetër, bukinisti Mendel, është një çifut vjenez para shpërthimit të luftës, ai ushtronte për vite me radhë veprimtarinë e vet në një kafene të Vjenës. S’kishte kohë të merrej me gjëra të tjera. Ishte njeri i pajisur me dije mahnitëse dhe, meqë kishte njohuri të thella për librat e botuar, pothuajse çdo dijetar a shkencëtar vjenez i drejtohej për t’u këshilluar lidhur me çështje bibliografike dhe gjera të tjera. Edhe Cvajgu vetë, para Luftës së Parë Botërore, kishte pasur koleksione private dorëshkrimesh dhe librash të vjetër nga letërsia e nga muzika, derisa ia konfiskuan nazistët kur erdhën në pushtet. Librashitësi Mendel qe njeri i çuditshëm, nuk kishte shumë dëshira, teke, pretendime dhe plane, përpiqej vetëm të siguronte jetesën. Nga ana tjetër, pronari i kafenesë qe më se i lumtur që kishte një njeri të tillë, një njeri me të cilin këshilloheshin njerëz të njohur e të famshëm. Librashitësi Mendel qe njeri i dobishëm, qe njeri që meritonte respekt, sepse ishte ruajtës e kultivues i qytetërimit dhe, meqë ishte njeri i edukuar e i sjellshëm, bëri shumë miq. Edhe pasi kishte filluar lufta, vazhdoi punën e vet si të mos kishte ndodhur asgjë. Pas disa ditësh, arrestohet nga policia, meqenëse e kishte prejardhjen nga Galicia ruse dhe nuk qe shtetas austriak. E internuan në një kamp të robërve të luftës, ku qëndroi më se dy vjet, derisa u kuptua që s’ishte agjent, por vetëm një shitës i zakonshëm librash. Kur u kthye, vuri re që Vjena kishte ndryshuar. Tani ajo nuk ishte më kryeqendra e një perandorie, por qe bërë kryeqytet i një shteti të varfëruar, të cunguar, të zvogëluar, ku flitej vetëm një gjuhë; kafeneja ku pati punuar Mendeli, kishte një pronar të ri, i cili nuk pranoi ta merrte në punë. Në këtë mënyrë, u rrënua edhe jeta e mëtejme e librashitësit Mendel, njësoj siç qe rrënuar edhe qytetërimi që ai i pati shërbyer aq shumë me librat e vet. Pasi mbeti edhe pa shtëpi e pa punë, u end për ca kohë dhe shumë shpejt vdiq nga tuberkulozi. Siç shihet nga mesazhi i kësaj vepre, autori na lë të kuptojmë se librashitësi Mendel, edhe pse ishte i çuditshëm, i varfër, i mjerë dhe me një jetë monotone e jo aq interesante, dikur, para burgosjes, pati qenë në gjendje t’i vinte në ndihmë zhvillimit të qytetërimit, kulturës së Vjenës, sepse asokohe nuk pyeste askush se çfarë përkatësie kombëtare kishte. Puna dhe dija e tij kishin qenë për klientët kryeqytetas shumë më të rëndësishme sesa përkatësia e tij kombëtare. Është më se e qartë se Cvajgu ishte jashtëzakonisht i vetëdijshëm për pasojat rrënuese ndaj lirisë së individit që i përkiste një kombësie tjetër, e cila dallohej nga kombësia e shumicës austriake. Me sa dihet, Cvajgut nuk i pëlqente ai vend ku sundonte vetëm një komb; i pëlqenin vendet ose shtetet ku kishte shumë gjuhë, shumë raca, shumë kultura. Ai qe kundër çdolloj kufizimi ligjor të lirisë së të tjerëve në emër të një bashkësie, kombi ose shteti më të madh. Pjesa dërrmuese e veprimtarisë së tij ishte një lloj proteste e heshtur, por e kulturuar, kundr përçarjes së njerëzve.

Novela e shahut
“Novela e shahut” është novela më popullore e Cvajgut, shkruar në Petropolis të Brazilit më 1941, disa muaj para se të merrte vendimin për t’u ndarë nga kjo botë, dhe u botua në Stokholm më 1943 nga botuesi Berman Fisher. Me sa duket,
në Petropolis Cvajgu kishte nisur të jepej pas lojës së shahut. Në qytetin ku banonte kishte gjetur rastësisht një manual të shahut. Zakonisht luante me Loten, gruan e vet, dhe, kur nuk qe në gjendje të mirë për të shkruar, argëtohej shpesh duke zbatuar disa nga shembujt që gjente në manualin e shahut. Temën e kësaj novele e përbën loja e shahut ndërmjet një njeriu intelektual, të kulturuar e shumë të ndjeshëm, emigrantit austriak Dr. B., nga njëra anë, dhe një rivali injorant e të vrazhdë, por me zgjuarsi strategjike, kampionit botëror të shahut Mirko Centovic, primitiv, arrogant e armiqësor, nga ana tjetër. Ndodhi ajo që s’ishte pritur: Dr. B. e mund kampionin botëror të shahut, por vetëm në fillim. Lojtari i parë kishte mësuar të luante shah në një mënyrë origjinale kur pati qenë i burgosur i Gestapos. Në qelinë e vet kishte ushtruar një metodë autodidakte të lojës së shahut. Megjithatë, loja e shahut që zhvillonte kundër vetes kishte qenë shkak i një krize nervore, e cila iu përsërit me rastin e sfidës kundër lojtarit të vrazhdë e të pamëshirshëm, por edhe të shkathët. Kështu, Dr. B., në një konfuzion të tmerrshëm, e ndërpret lojën dhe pranon humbjen. Novela mbaron me dëshpërim, arma shpirtërore del jo aq e fuqishme kundër dhunës çnjerëzore. Në këtë novelë, sipas të gjitha gjasave, lexuesi ballafaqohet me disa metafora të ndryshme dhe me disa elemente biografike: fuqia brutale e nazizmit, e cila sfidoi dhe sulmoi Evropën e kulturuar, kërkesa dhe domosdoshmëria e çdo evropiani për t’u lidhur me të afërmit, që të mësojë mbrojtjen dhe kundërsulmin, me gjithë pasojat e pashmangshme shpirtërore, bash ashtu siç është edhe drama vetjake e Cvajgut të mërguar e të vetmuar larg Evropës së tij të dashur. Ndërkaq, mund të thuhet se kjo novelë përmban edhe disa elemente autobiografike. Lexuesi do ta kuptojë më mirë këtë novelë po të këtë lexuar autobiografinë e Cvajgut “Bota e djeshme”. Pas personazhit që luan kundër vetvetes në qelinë e burgut, që e njeh teknikën e shahut, por që përjeton një krizë nervore, është pa pikë dyshimi vetë Stefan Cvajgu, autori i kësaj novele, i cili vite më parë kishte qenë njeri i pasur dhe i famshëm. Në atë kohë Cvajgu udhëtonte vazhdimisht, organizonte konferenca në Petersburg, në Nju-Jork, etj. Për Cvajgun komunikues dhe zemërgjerë, mundësia për të qëndruar me të afërmit e me miqtë, njohja e vendeve të reja, udhëtimet, kënaqësia dhe dashuria për të lexuar e për të shkruar ishin program i jetës së tij të atëhershme. Ndërkaq, në kohën kur shkruan “Novelën e shahut”, është njeri i vetmuar, larg Evropës, pa kënaqësitë dhe gëzimet e dikurshme. Fundi i kësaj novele jep edhe informacion për gjendjen shpirtërore të autorit të saj pak para vdekjes.

No comments: