Friday, September 7, 2012

Elton Deda pas ndarjes kthehet në Tiranë dhe hap klub nate me vajza

Do të jetë një fillim i ri për jetën e kantautorit të njohur Elton Deda, i cili është kthyer përfundimisht në Tiranë, pas disa muajve të verës që kaloi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku siç thuhet i ka dhënë fund martesës disavjeçare me Jolën, vajzën e Pirro dhe Pavlina Manit. Ndërkohë që pas ingranimit të menjëhershëm në jetën artistike të Tiranës, si një nga anëtarët e jurisë të “The Voice” në “Top Channel”, Deda po përgatitet të hapë një club nate me emrin “ROCKSTOCK” në Tiranë, pikërisht pranë Taivanit.
Deda ka njoftuar miqtë e tij nëpërmjet profileve zyrtare në rrjetet sociale për këtë sipërmarrje të re, ndërsa ka pohuar se do të këndojë “live” këngë të rrymave të tij: rock blues, alternative, pop etj. Vetë Deda ka pohuar se në netët “live” që do të nisin me hapjen e lokalit në tetor do të këndojnë me vajza  të reja artiste, në këtë sezon të ri të jetës së natës në Tiranë. Elton Deda i rikthehet kështu jetës së natës pas gati 8 vitesh, kur bashkë me Sandër Gjokën dhe Redon Makashin këndonin në clubin me emër “Tre muskëtierët”. Ai vendos të rikthehet pas fjalëve që nisën të qarkullonin se ai ishte në proces divorci me bashkëshorten e tij, nga martesa me të cilën kanë një djalë. Vetë artisti ende nuk ka pranuar të flasë në media në lidhje me jetën private dhe arsyet që e çuan në ndarje. PanoramaPlus

Topalli, së shpejti me një klip bombastik

Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli ka ofruar imazhin e saj falas për një spot kundër drogës. Gjatë spotit, i cili momentalisht nuk është hedhur akoma në treg, por që gazetarët e “Bulevardit Politik” kanë mundur ta shohin lexohet qartë në sfond “imazhi dhurohet falas”.
Një gazetare e rubrikës sonë tepër e habitur nga ky fakt pyeti prodhuesit e spotit se sa do të kushtonte ky spot, sikur të mos ishte falas. “Nuk e di, – sqaroi prodhuesi, “por zonja Topalli pranoi ta bënte falas, kur ne i thamë se e kemi çmimin dhjetë mijë lekë një herë”.  Gazeta Shqiptare

Beethovenfest, gjenitë e "këmbënguljes së fortë"

"Eigensinn" ose "këmbëngulje e fortë“ është motoja e këtij viti. Është një moto që u flet fansave të tij, por që gjithashtu fton spektatorët të mendojnë rreth kuptimit të artit.
Përse një njeri që jeton në kulmin e shpërndarjes mediatike drejtohet drejt një salle koncertesh për të dëgjuar repertorin e muzikantëve të shekujve të kaluar? Beethovenfest 2012 ofron një përgjigje të një lloji të veçantë, të një formati të padëgjuar dhë të paparashikuar.  Motoja e këtij viti, "Eigensinn" (Këmbëngulje e fortë) reflekton artistët e përzgjedhur për programin. Por ajo gjithashtu rrjedh nga një fjali që Ludwig van Beethoven shkruajti në bllokun e tij të shënimeve në vitin 1820: "Arti i vërtetë ka një pikëpamje të tijën, ai nuk mund të imponohet nga modele lajkatare."
Në vështrim të parë, motoja është disi e rëndë. Është e vështirë për t'a përkthyer dhe madje përmban edhe konotacione negative. Drejtuesja e festivalit Ilona Schmiel ishte shumë e vetëdijshme për këtë, në një intervistë që i dha DW. "Një demokraci jeton nga kompromisi," thotë ajo. "Në kohën e Beethovenit forcat që nisën të përdoren për të ngritur një shoqëri civile të shtresës së mesme, në të njëjtën kohë ishin shumë shtypëse për artin. Dhe ishin këta artistë që u përpoqën gjithë jetën e tyre për të rritur, theksuar dhe thelluar këndvështrimet e tyre të cilat historia i konsideron më të suksesshmet."
Emra të mëdhenj, qasje vetjake
Në 66 eventet që nisin nga 7 shtatori e deri më 7 tetor 2012, po shfaqen një numër artistësh që sigurisht janë në lartësinë e motos së festivalit. Ata përfshijnë dirigjentin e ri letonez Andris Nelsons, i cili do të drejtojë koncertin e hapjes së festivalit; maestron 85-vjeçar Herbert Blomstedt, i cili do të dirigjojë "Missa solemnis," dhe dirigjentin e kompozitorin Esa-Pekka Salonen, lindur në vitin 1958, i cili është në podiumin e nëntë simfonive të Beeethoven që përmbyllin festivalin.
Esa-Pekka Salonen, dirigjent finlandez Esa-Pekka Salonen do të dirigjojë sinfonitë e Beethovenit
Një program që përfshin këto tre breza dirigjentësh ilustron sa shumë ndryshojnë interpretimet individuale nga historitë personale.
Cage, Schönberg, Beethoven

Në Beethovenfest, "Cage Night" nderon një kompozitor që ndoshta mishëron moton e këtij viti, të këmbënguljeve të forta mbi të gjithë kompozitorët e tjerë modernë: amerikanin John Cage. 100-vjetori i lindjes së tij ishte më 5 shtator të këtij viti. Pak ditë më pas, tetë koncerte u mbajtën në tre vende të ndryshme përgjatë Muzeut Mile në Bonn. Të ftuarit mund të lëviznin nga njëra performancë në tjetrën, diçka që Cage do t'a kishte vlerësuar me siguri.
"Unë mendoj se Cage do të ketë ende ndikim për mijëra vjet, sepse këto janë projekte krijuese që mund të përdoren në çdo epokë", tha Susanne Kessel, e cila ndihmoi në krijimin e konceptit të homazhit të Cage, homazh i cili nuk prezanton thjesht punën e kompozitorit por zhvillon idetë e tij revolucionare. "Kur e vendos në jetën e përditshme, Cage mbetet bashkëkohor dhe gjithmonë tingëllon ndryshe."

Kompozitori austriak Arnold Schönberg Arnold Schönberg e zhvilloi më tej idenë e Beethovenit
Kompozitori i dytë që zhvilloi më tej qasjen e Beethovenit në art është Arnold Schönberg. "Gurrelieder", pjesa e kompozitorit avangardë austriak është në program, dhe programi i gjerë i festivalit e përfshin atë në ekspozitën "Beethoven dhe Schönberg."

"Të kesh këmbëngulje të fortë ka kuptim vetëm nëse ti beson në diçka. Beethoven dhe Schöneberg mbështesnin vërtetësinë e shprehjes. Ata mbështesnin ndershmërinë e vërtetë në punën artistike," shpjegon Christian Meyer, drejtor i Qendrës Arnold Schöneberg në Vjenë. "Dhe shpërblimi i këmbënguljeve të forta u konfirmua, edhe pse dëshirohej diçka tjetër."
E pakonsumuar, por jo e padëgjuar
Nga njëra anë, formatet e koncertit mishërojnë cilësinë e "Eigensinn." Një metodë e pazakontë në Beethovenfest është një koncert me koreografi, në të cilin solisti, orkestra dhe trupa e baletit sjellin "Katër stinët" e Vivaldit si nga ana muzikore, ashtu dhe nga ajo fizike.  Madje formatet ndërthuren çuditshëm me shfaqjen "Specet, kungujt & Co.", në të cilën Orkestra Vjeneze e Perimeve, nga Austria, përdor objekte ushqimore për të krijuar muzikë, me ndihmën e amplifikimeve. Rezultati përfshin një spektër muzikor nga klasikja në muzikën elektronike, dhe deri më tani duket se opinioni e ka pëlqyer së tepërmi dhe unanimisht atë.
Diçka e pazakontë për një festival që mban emrin e Beethoven është performanca nga reperi Samy Deluxe dhe grupi Tsunami, si pjesë e një projekti fitues në të cilin, dhjetë nxënës të shkollave të mesme janë ngarkuar për t'u kujdesur për të gjithë aspektet e menaxhimit të koncertit.
Një festival pa shtëpi
Orkestra vieneze e perimeve. Orkestra vieneze e perimeve.
Organizatorët e festivalit mund të jenë afër realizimit të ëndrrës së tyre kur shohin sallën e koncerteve të ndërtuar në Bonn, një qytet mesatar që i duhet të konkurrojë me shumë qendra të tjera kulturore në një rajon me popullsi të dendur. Dukej sikur ishte koha e duhur për të hequr dorë nga kjo ëndërr. Por tashmë kryebashkiaku i Bonnit Jürgen Nimptsch e ringjalli shpresën duke thënë: "E mbështes absolutisht ndërtimin e saj, sepse në të kundërt do të humbnim një mundësi për të cilën do të na kishte zili e gjithë bota. Ja përse mendoj se duhet bërë."
Por iniciativa private nuk varet vetëm nga miratimi i kryebashkiakut, theksoi Nimptsch. „Në javët e ardhshme, do të na duhet të krijojmë një bazë të sigurt ligjore për marrjen e kredisë.“
Në pritje të 150-vjetorit të ditëlindjes së Beethoven në vitin 2020, politikani përmendi edhe një datë konkrete. „Nëse doni të keni një ceremoni hapëse një vit para këtij përvjetori, me qëllim që të provoni vendin e ri, atëherë ne duhet të paraqesim një kërkesë për lejen e planifikimit paraprak në gjysmën e parë të vitit 2013, me qëllim që i gjithë procesi të funksionojë,“ tha ai. „Dhe kjo është ajo çka ne duam të bëjmë.“

Të vuajtur, por mbarë. Shqipërisë i vjen fitorja nga stoli

 


Kemi vuajtur, por kemi marrë tri pikë me shumë vlera, nuk kemi qenë të qartë e të rrjedhëshëm në lojën tonë, por na kanë shpërblyer tre sulmuesit, me tre gola, që përkundrejt një të tillë, të “falur” qipriotëve në limitin e pjesës së parë, kanë mundësuar fitoren 3-1. Suksesi ka ardhur nga stoli dhe mban emrin e Erjon Bogdani e Edgar Canit, ndërkohë që i ka zhbllokuar shifrat për 1-0 Armando Sadiku në minutën e 36-të. “Fillimi i mirë është gjysma e punës.” Nuk ishte e vështirë të gjendej kjo thënie popullore për të perifrazuar edhe fatin dhe rëndësinë që mbartte ndeshja e parë eliminatore e kombëtares kuqezi. Autoriteti kombëtar që kërkohet të imponohet përmes futbollit në çdo raund kualifikues të ngjarjeve të tilla evropiane apo globale është gjithmonë e më i vështirë si mision, pasi diferencat mes kombëtareve sa vijnë e bëhen më të vogla. Kjo vlente edhe në përballjen Shqipëri-Qipro, pa iu referuar shumë fitores tenistike pararendëse, me rezultatin 6-1, që kuqezinjtë tanë kishin marrë ndaj ishullorëve në gushtin e vitit 2009. Ajo histori i përkiste kroatit Josip Kuzhe në stol, ndërsa kësaj here ka bërë debutimin zyrtar në krye të Shqipërisë italiani De Biazi. Ky i fundit ka kërkuar të qëndrojmë me këmbët në tokë, edhe duke ëndërruar, por pa i hedhur sytë te fundi i fushatës eliminatore dhe vendi që mund të zënë kuqezinjtë tanë. Madje as te eliminatorja e radhës, në Lucernë me Zvicrën, një “betejë” ekstra kjo, e polarizuar edhe mes shqiptarësh. Qëllimi dhe misioni parësor kishte të bënte me Qipron, me një fitore ndaj saj, sepse bashkarisht fillonim kësisoji një përpjekje të re për t’iu “ngjitur malit”. De Biazi e ka përjetuar për herë të parë, zyrtarisht, një ngjarje të tillë në stolin kuqezi, si trajneri i një kombëtareje, ndërsa ka bërë dhe hapin e parë të rinovimit gradual. Prania e Mehës dhe Kukelit në formacionin titullar anti-Qipro besoj se e përligjin këtë konkluzion paraprak. Megjithatë, një fillim i mirë është gjysma e betejës. Kjo është arsyeja, edhe në planin religjioz e supersticioz, pse sonte ekipi ynë kombëtar e kërkoi me shumë vullnet e dëshirë rezultatin pozitiv.
Në fund të ndeshjes, ndër më të lumturit ka qenë trajneri i kombëtares, Xhani de Biazi. Ai e vlerësoi sfidën ndaj Qipros si shumë të vështirë. “Ishte një ndeshje e vështirë, por edhe një fitore e rëndësishme për neve. Do të mundohemi t’i përmirësojmë disa gabime që i bëmë sot, në mënyrë që mos i përsërisim më. Nuk dua të ndaj meritat për fitoren, sepse kjo i takon të gjithë skuadrës. Të gjithë lojtarët luajtën mire, edhe pse bëmë edhe mjaft gabime. Cani dhe Bogdani e shpërblyen besimin tonë, ndërsa për aktivizimin e tyre në pjesën e dytë mund të them se doja t’i ruaja e t’i hidhja të freskët në fushë, kur kundërshtari të kishte shpenzuar energji. Duke parë se nuk ishin në kondicionin më të mirë të mundshëm fizik, i aktivizova si zëvendësues dhe ata ditën të bëjnë më të mirën, duke na dhuruar dy gola e bashkë me to fitoren, që ka shumë vlera. Këtë fitore ia dedikoj vajzës time, e cila këtë të premte mbushi 20 vjet.”
Shqipëri-Qipro 3-1
Golat: Sadiku 36’, Cani 84’, Bogdani 87’ / Laban 45+3’
Shqipëria: Ujkani, Mavraj, A.Lila, Dallku, Cana, Kukeli, Bulku, Meha, E.Vila (Bogdani 72’), Salihi (Cani 81’), Sadiku (Hyka 58’). Trajner: De Biazi
Qipro: Georgallides (Mastrou 46’), Charalambous, Merkis, Dossa Júnior, Aloneftis, Nikolaou, Charalambidis (Christofi 56’), Makridis, Laban, Demetriou, Konstantinou (Avraam 76’). Trajner: Nikolas Nioplias
Gjyqtarë: A.Kuchin, Y.Belskiy, S.Zhappasbaev (Kazakhstan)
Kartonë të verdhë: Cana 11’, Meha 46’, Bogdani 88’ / Laban 46’
Pjesa e parë Ndeshja ka filluar me shkelmimin e topit nga qendra prej qipriotëve, por më pas “sfera” është gjendur dendur në këmbët e lojtarëve tanë. Miqtë mendojnë më së shumti të mbrohen, duke dalë në kundërsulm përmes pasimit të gjatë, ndërkohë që loja e kuqezinjve orientohet kryesisht nga krahët. Vila në të djathtë dhe Meha në të majtë, në këto pozicione nga fillimi deri nga minuta e 22-të, spostohen tërë kohës me detyra ofensive, duke kapur këndoret dhe krosuar prej andej topa të përpiktë për dyshen e sulmit Salihi-Sadiku. Në momentet kur mesfushorët e krahut angazhohen në ofensivë, postet e tyre i dublojnë Dallku dhe Lila, që nuk rreshtin edhe ata së marri inkursione të gjata deri në vijën fundore. Por në momentin final, të dy mbrojtësit anësorë s’e kontrollojnë si duhet veten, duke mos qenë efektivë në produktin që sjellin në funksion të skuadrës. Bie në sy mungesa e fantazisë në mesfushë, ku luajnë dy lojtarë shkatërrues, si Bulku dhe Kukeli. Ky i fundit mbeti disi i mpirë, i pashkrirë dot me pjesën tjetër të skuadrës, ndoshta i ngarkuar emocionalisht nga debutimi që bënte me kuqezinjtë. E megjithatë, pavarësisht se nuk zhvillojmë një lojë të rrjedhshme e me mendim të qartë taktik, rastet për të shënuar nuk na mungojnë në këtë fraksion të lojës. Që në minutën e dytë është Salihi, njeriu i rasteve të humbura, që kryen një roveshiatë të bukur, por e dërgon topin jashtë kuadratit mik. Pastaj është radha e Mehës, që të lëshojë një silur nga rreth 16-metra largësi, disi prirtazi me portën qipriote, por edhe ai nuk e ka shënjestrën e duhur. Presioni i tanëve sa vjen e rritet, ndërsa kundërshtari mendon vetëm si të shkatërrojë e prishë sa të mundet lojën e Shqipërisë. Duhej të vinte minuta e 36-të e ndeshjes, që nga këmbët e Mehës të dilte një krosim i përpiktë e shumë i zgjuar nga goditja e dënimit, topi të shkonte në zonën kundërshtare, ku Sadiku ndërhyn me kokë, duke e dërguar në rrjetën e qipriotëve. Shpërthen stadiumi “Qemal Stafa”, teksa Shqipëria e sheh veten në avantazh. Ky moment sikur i cliron disi tanët në aspektin psikologjik, por vuajmë sërish në finalizim e në ndërtimin e aksioneve. Mesfusha, në aspektin ndërtues, lë shumë për të dëshiruar, teksa De Biazi nis dhe i alternon lojtarët e krahëve (Meha dhe Vila) sa në të djathtë e në të majtë. Sa i takon Qipros, i vetëm në sulm mbetet Konstantinou, që ka mbulimin e rreptë të Lorik Canës. Dyshja jonë e mbrojtjes duket e sigurtë në tërësi, edhe pse nuk ka shumë punë, ndërsa krahët, me Dallkun dhe Lilën, janë disi kontrarversë. Të zhbilancuar në daljet e tyre përpara, në ndihmë të mesfushës e sulmit nga krahët, ata vuajnë në kthim, për t’u sinkronizuar shpejt në rolet e tyre. Për pasojë edhe ngacmimi qipriot nis e gjallërohet në këtë drejtim, duke parë se mund të gjejnë shtigje për t’iu afruar portës së Ujkanit. Nëse nuk arrin ta bëjë këtë gjë në mënyrë logjike, Qipros i vjen dhuratë “nga qielli” goli i barazimit në minutën e tretë të kohës shtesë të pjesës së parë. Faulli i shkaktuar nga Andi Lila në të djathtë të sulmit qipriot i jep mundësinë kundërshtarit të gjuajë një goditje dënimi. Topi goditet pa asnjë pretendim nga Laban, përshkon tërë zonën tonë të mbroijtjes, ku lojtarët dyluftojnë ashpër me njëri-tjetrin, por pa i kushtuar rëndësi topit, me “sferën” që shkon drejt e në rrjetën e Ujkanit. Nuk u besojnë as vetë syve qipriotët për mënyrën se si kanë barazuar shifrat, ndërsa kuqezinjtë tanë e pësojnë nga një gafë e rëndë në mbrojtje, në të vetmin rast kur topi shkoi deri në vijën fundore. Dhe nëse nuk shënon në futboll, do ta pësosh. I pafat Hamdi Salihi në 45 minutat e para, që humbet raste ideale për të konkluduar, por në pozicione ideale gabon, duke treguar se vajtja në Amerikë ia ka humbur nuhatjen e golit sulmuesit tonë.
Pjesa e dytë Ndeshja është edhe më stërmunduese për tanët. Si duket, të goditur nga goli i barazimit në fundin e kohës shtesë të 45 minutave të para, kuqezinjtë tanë janë rënduar disi në aspektin psikologjik, cka duket në gabimet elementare që bëjnë në pasimet e topit. Qipriotët kanë më shumë inciativë dhe besim në vetvete, duke marrë guximin të dalin jo pak nga gjysmëfusha e tyre. Trajeri De Biazi nuk ndryshon gjë në formacion që në fillim, teksa Salihi vijon sërish të jetë protagonist i mundësive të shpërdoruara. I pafat sulmuesi shkodran, që tërhiqet deri në mesfushë për të marrë topin, angazhohet në dyluftime të ashpra me mbrojtjen kundërshtare, e cila i kushton atij vëmendjen kryesore. Italiani i ka udhëzuar tanët që të bëjnë sa më pak gabime të jetë e mundur, në mënyrë që t’i rrisin shanset për një rezultat pozitiv, por në fushë ndodh e kundërta. Kuqezinjtë javë mjaft konfuzë e pa frymëmarrje në organizim, ndërsa krahët e mesfushës nuk funksionojnë si duhet. Mungon fantazia në mesfushë, teksa Bulkut i bie më shumë barra e lojës në këtë repart, me Kukelin disi pasiv. Meha është më i lëvizshëm dhe patrullon herë pas here edhe mesin e fushës, teksa jep pasime të zgjuara për dy sulmuesit. Nga këmbët e tij dalin goditje tepër të rrezikshme për portën qipriote, sepse ky është specialiteti i tij më i spikatur. Duke qenë se ishte një lojë e rëndësishme për të dy ekipet, palët mundohen të marrin maksimumin me kalimin e minutave, por kjo i tendos aq shumë, sa bëjnë edhe gabime elementare. Të tilla janë me shumicë për Dallkun e Vilën, te Shqipëria, që shqetësojnë De Biazin në stol. Italiani ndërhyn duke bërë zëvendësimet e mundshme, teksa hedh Hykën për Sadikun, fillimisht, pastaj më vonë Bogdanin për Vilën dhe Canin për Salihin. Praktikisht rinovohet i tërë reparti ofensiv, por ku “operacion” do t’i shpëtonte kuqezinjtë, do t’i ftillonte ata dhe do t’i nxirrte nga stonatura organizative ku ishin ngërthyer. Edgar Cani, me kokë, në minutën e 84-t do të ngrinte peshë zemrat e tifozëve në “Qemal Stafa”, duke e kaluar Shqipërinë në epërsinë 2-1, ndërsa më tej do të vinte eurogoli i Erjon Bogdanit, që lëshon një predhë në ecje e sipër nga rreth 25 metra, duke e përshëndetur trekëndëshin e portierit qipriot. Nuk ka më histori kjo ndeshje, kuqezinjve u vjen fitorja nga stoli, ajo mban emrin e Canit dhe Bogdanit, të cilët bëjnë të mundur një start të mbarë të këtyre eliminatoreve për kuqezinjtë. Tashmë është radha e Zvicrës, që e ka treguar veten që të premten në mbrëmje, duke fituar 2-0 në transfertë me Slloveninë.
Historia e përballjeve me Qipron
Me kundërshtarët e kësaj eliminatoreje jemi ndeshur edhe katër herë të tjera, por kurrë në një ndeshje zyrtare, gjithmonë në sfida miqësore. Qiproja kishte marrë dy fitore, një barazim dhe një humbje. Kjo e fundit përbën të vetmen fitore, madje historike, për kuqezinjtë tanë, sepse kapi shifrat 6-1.
Ndeshjet me Qipron
19.08.1998: Qipro – Shqipëri  3-2
15.08.2000: Shqipëri – Qipro  0-0
18.08.2004: Qipro – Shqipëri  2-1
12.08.2009: Shqipëri – Qipro  6-1
07.09.2012: Shqipëri – Qipro  3-1
Kualifikimet në Botëror, ja numrat e kuqezinjve
Në rastin më të mirë kemi marrë 13 pikë, falë katër fitoreve dhe një barazimi. Shqipëria e kualifikimeve në botërore përmblidhet në kaq pak. Të tjerat nuk janë veçse vendet e fundit në renditje ose të parafundit, ku pikët e vetme mund të kenë ardhur nga një fitore sporadike në fushën tonë apo edhe ndonjë barazimi të rastësishëm. Inferiorë në mentalitet, gjë të cilën e kemi shprehur qartazi edhe në fushën e lojës, Shqipëria, më së shumti e viteve të regjimit komunist, edhe pse në organikën e vet kishte lojtarë realisht me talent, përsëri nuk arriti ta kapërcejë vendin e parafundit. Madje, statistikat janë të frikshme, pasi jo vetëm fitoret, por edhe pikët i kemi me pikatore. Ndryshon disi pas periudhës së komunizmit dhe përgjithësisht në kohën kur në drejtim kanë qenë trajnerë të huaj. Ndonëse këta të fundit janë kritikuar shpeshherë nga mediat dhe analistët sportivë për rrogat e mëdha që përfitonin në krahasim me teknikët shqiptarë, fakt është se vetëm ata kanë bërë diferencën në krye të kuqezinjve. Kjo është ajo çka ka mbjellë e korrur ekipi ynë përfaqësues në dhjetë kualifikimet për Kupën e Botës.
Vitet `60-`70 -
Për herë të parë kuqezinjtë u paraqitën në një kualifikim Botërori në ndeshjet e “Angli 1966″. Përballë Holanda, Zvicra dhe Irlanda e Veriut e përfaqësuar nga një prej emrave më të mëdhenj të kohës, Xhorxh Best. Bilanci tejet negativ. Kombëtarja e Zyber Konçit mori vetëm një barazim, pikërisht ndaj Irlandës së Veriut në Tiranë, si dhe 5 humbje radhazi. Madje edhe dy golat e vetëm u realizuan ndaj Irlandës, pasi në katër takimet e tjera kuqezinjtë nuk mundën veçse të pësonin gola pa pushim. Gjithsesi, barazimi në Tiranë mjaftoi që Irlanda e Xhorxh Bestit të mund të mos shkonte në Botëror. Në këtë kontekst, kuqezinjtë u mbajtën mend për diçka, pavarësisht se nuk ishte edhe aq pozitive. Katër vjet më vonë Shqipëria as që tenton të marrë pjesë në kualifikimet e Botërorit “Meksikë 1970″, duke u rikthyer vetëm dy vjet më vonë ndaj Finlandës, Gjermanisë dhe Rumanisë për kualifikimet e Kupës së Botës të 1974-ës. Shqipëria bën një hap më shumë; fiton një takim, atë ndaj Finlandës në Tiranë, ndërsa humbet pesë ndeshjet e tjera. Edhe këto kualifikime kaluan pa shumë zhurmë dhe ndryshimet e vetme u panë në pankinë, ku për gjashtë ndeshje drejtuan tre trajnerë: Boriçi, Konçi dhe Shuke. Kuqezinjtë do të përsërisnin vetveten edhe tetë vjet më vonë në “Spanjë 1982″, përderisa në Botërorin “Argjentinë 1978″ Kombëtarja nuk mori pjesë për shkak të ndëshkimit të marrë nga FIFA dhe UEFA. Edhe në kualifikimet e `80-`82 Shqipëria merr një fitore, sërish ndaj Finlandës, këtë herë 2-0. Ndërkaq ndëshkohemi keqazi nga Gjermania, Austria dhe Bullgaria duke koleksionuar 22 gola, përkundrejt vetëm 2 të shënuar. Sigurisht, ajo që “vret” më shumë është humbja tenistike me gjermanët më 18 nëntor të vitit 1981 në “Vestfalenstadion” të Dortmundit, 8-0 (Rumenige 5′, 19′, 45′, Fisher 32′, 72′, Kaltz 36′, Litbarski 52′ dhe Brajtner 67′ me penallti). E menjëherë pas kësaj vjen edhe largimi i Loro Boriçit, i cili ndonëse kishte “mbretëruar” për 13 vite (me periudha) në krye të Kombëtares, ndonëse atë vit kishte arritur të formonte për herë të parë një skuadër kombëtare me nëntë lojtarë mbi 180 cm (Kaçi, Berisha, Targaj, Çoçoli, Hysi, Lame, Lleshi, Minga, H.Ballgjini, Popa, Luçi), përsëri nuk mundi që t’u rezistonte gjermano-perëndimorëve.
Vitet `80-`90 -
Një plejadë talentesh të rritur së bashku në ekipin Shpresa sollën edhe ngjitjen e parë të Kombëtares në mesin e viteve `80-të. Shqipëria e kualifikimeve të “Meksikë 1986″ arrinte të siglonte dy barazime dhe një fitore, duke dhuruar edhe spektakël në disa takime (përmendim këtu Poloni-Shqipëri 2-2, Shqipëri- Belgjikë 2-0, Shqipëri-Poloni 0-1, Shqipëri- Greqi 1-1). Por, kjo nismë e mirë nuk mundi të vazhdojë më tej, pasi edhe grupi ku përfundoi Shqipëria për “Itali `90″ ishte tejet i vështirë. Kuqezinjve do t’u duhej të përballeshin me Anglinë, Suedinë e Poloninë dhe bilanci nuk mund të ishte veçse negativ, madje më negativi i gjithë historisë së botërorëve. Shqipëria pëson 15 gola duke shënuar vetëm 3 të tillë. E njëjta histori vazhdoi edhe me Shqipërinë e pasviteve `90-të, kur edhe pse ekzistonte një grup i mirë lojtarësh me Demollarin, Kushtën, Kolën, Mustën etj, përsëri Kombëtarja nuk shkoi më shumë se vendi i fundit në tabelën e renditjes. Shqipëria fitoi vetëm ndaj Lituanisë dhe barazoi me Letoninë në të dyja takimet. “Sëmundja” e vendit të fundit në renditje e mbajti përfaqësuesen kuqezi edhe në dy edicionet e tjera të kualifikimeve të botërorëve, si për “Francë 1998″ dhe për “Kore-Japoni 2002″. Ndryshimi, nëse i tillë mund të quhet, erdhi më “Gjermani 2006″.
Të huajt - Në kualifikimet e Kupës së Botës 2006 nuk është se u kualifikuam, por të paktën bëmë një hap përpara për sa i përket grumbullimit të pikëve dhe fitoreve të arritura në një edicion, pa harruar këtu edhe faktin se për herë të parë Shqipëria ishte në një grup me shtatë skuadra. Gjithsesi, Kombëtarja e drejtuar nga Hans Peter Brigel arriti të siglojë 4 fitore (ndaj Greqisë, dy ndaj Kazakistanit dhe një me Gjeorgjinë) dhe një barazim në ndeshjen e parafundit në transfertë ndaj Ukrainës. Kuqezinjtë arritën kuotën e 13 pikëve, duke lënë pas Gjeorgjinë dhe Kazakistanin. Rekordi i Brigelit nuk është thyer nga askush prej trajnerëve të huaj që kanë drejtuar Shqipërinë e post- 2006. Bariç tentoi në kualifikimet e Evropianit 2008, por iu kthye gjithçka përmbys në dy takimet e fundit, ndërsa Han dhe së fundmi Kuzhe nuk kanë bërë gjë tjetër veç faktit që kanë hedhur në fushë një skuadër, e cila më së shumti është përpjekur t’u prishë punë ekipeve të tjera sesa të grumbullojë pikë kualifikimi.
Brigel, një histori suksesi
Janë 14 trajnerët që e kanë drejtuar Kombëtaren sh qiptare në 10 edicione të kualifikimeve botërore, por pjesa më e madhe e tyre (për të mos thënë thuajse të gjithë) kanë regjistruar vetëm dështim. Bie në sy fakti se 12 kanë qenë trajnerë shqiptarë, të cilët së bashku nuk kanë sigluar më shumë se 6 fitore, nga 11 në total për 84 ndeshje të kualifikimeve. Kjo tregon se të paktën deri në kohën kur në krye të kuqezinjve erdhi një i huaj, Shqipëria nuk arrinte të bënte diferencën, edhe pse duhet thënë që lojtarët nuk i mungonin. Kështu, më rezultativi është Bejkush Birçe, i cili e ka drejtuar ekipin përfaqësues në kualifikimet e Botërorit USA 1994 por në 12 ndeshje sigloi vetëm një fitore, 2 barazime dhe plot 9 humbje. Pas tij, jo për ndeshje, por për pikë të grumbulluara, vjen Astrit Hafizi, i cili e drejtoi ekipin tonë në kualifikimet e Botërorit “Francë 1998″ me një bilanc prej 1 fitoreje, 1 barazimi dhe 7 humbjesh. Kujtojmë që kualifikimet për këtë Botëror i nisi Neptun Bajko, mirëpo pas humbjes 0-3 në Tiranë ndaj Portugalisë që në ndeshjen e parë ai dha dorëheqjen. Pas Hafizit, vijnë Zyber Konçi e Shyqyri Rreli, të cilët e kanë drejtuar respektivisht në 10 dhe 11 ndeshje përfaqësuesen, por kanë marrë vetëm nga një fitore secili. Disi më rezultativ ka qenë Ilia Shuke. Ai pati fatin t’i drejtonte në dy ndeshje kuqezinjtë, duke marrë një fitore dhe një humbje. Më pas lista vazhdon me Mehdin Zhegën, Agron Sulajn, Sulejman Demollarin, Myslym Allën dhe Loro Boriçin. Por kuqezinjtë e ndjenë erën e ndryshimit në kohën kur në krye erdhi gjermani Hans Peter Brigel, i cili edhe me pak fat (kishte një grup me 7 skuadra, pra 2 ndeshje më shumë në dispozicion) arriti të vendosë një rekord pikësh, 13, të cilin deri tani nuk e ka arritur askush.
Kur regjimi “shuante” Kombëtaren shqiptare
Shtatëmbëdhjetë dhjetor 1967. Stadiumi: “Qemal Stafa”. Shqipëri- Gjermani 0-0. Kombëtarja shqiptare merrte një barazim me shumë mund, ndërsa gjermanëve për herë të parë në historinë e tyre do t’u duhej që të mos merrnin pjesë në një eveniment evropian për shkak të moskualifikimit nëpërmjet fushës së lojës. Por çudia vjen me drejtuesit e regjimit komunist. Edhe pse ky barazim u proklamua me të madhe si një arritje e paparë e Kombëtares së drejtuar nga Loro Boriçi dhe Ilia Shuke, fakt është se për tri vite radhazi, deri më 1970-ën, kuqezinjtë nuk do mund të luanim më asnjë ndeshje zyrtare. Kësisoj, Shqipëria do merrte pjesë në kualifikimet e Botërorit “Meksikë 1970″. Arsyet? Edhe sot e kësaj dite nuk arrin dot të t’i shpjegojë kurrkush. Ka mjaft teza, por asnjëra e njëjtë me tjetrën. Por nuk do mjaftoheshim me kaq. Edhe pse ishim në kohën e artë të futbollit shqiptar, kur Partizani dilte kampion i Ballkanit për klube dhe Tirana luante në Champions si e barabartë me Ajaksin e Johan Krujfit, përsëri do detyroheshim që të mos merrnim pjesë në të tjera kualifikime. Kështu, nga viti 1973 deri më 1980-ën Shqipëria nuk do luante asnjë ndeshje zyrtare, duke mos marrë pjesë as në kualifikimet e Evropianit `76, as në kualifikimet e Botërorit “Argjentinë 1978″ dhe as në ato të 1980-ës. Shkak bëhet urdhri i drejtuesve të regjimit për tërheqje të skuadrës nga aktivitetet ndërkombëtare, urdhër ky që u pasua edhe me pezullimin e futbollit tonë nga FIFA dhe UEFA.

GRUPI E
(SHQIPERI, Islandë, Norvegji, Zvicër, Slloveni, Qipro)
07.09.2012

Islandë-Norvegji  2-0
SHQIPERI-Qipro 3-1
Slloveni-Zvicër     0-2
11.09.2012
Qipro-Islandë
Norvegji-Slloveni
Zvicër-SHQIPERI
12.10.2012
SHQIPERI-Islandë
Slloveni-Qipro
Zvicër-Norvegji
16.10.2012
Qipro-Norvegji
Islandë-Zvicër
SHQIPERI-Slloveni
22.03.2013
Slloveni-Islandë
Zvicër-Qipro
Norvegji-SHQIPERI
07.06.2013
SHQIPERI-Norvegji
Qipro-Zvicër
Islandë-Slloveni
06.09.2013
Zvicër-Islandë
Norvegji-Qipro
Slloveni-SHQIPERI
10.09.2013
Islandë-SHQIPERI
Norvegji-Zvicër
Qipro-Slloveni
11.10.2013
Slloveni-Norvegji
Islandë-Qipro
SHQIPERI-Zvicër
15.10.2013
Norvegji-Islandë
Qipro-SHQIPERI
Zvicër-Slloveni

Uidhers: Berisha mos kandidojë për një mandat të tretë, Rama s’e di si do jetë Kryeministër

Intervistë e ish-ambasadorit amerikan dhënë për gazetarin Sokol Balla në Top Story
Ish-ambasadori amerikan, Xhon Uithers, në një intervistë për emisionin Top Story të Sokol Ballës, komenton zhvillimet në Shqipëri, dhe jep vlerësimin e tij për dy liderët e politikës Ramën dhe Berishën, si dhe zgjedhjen e presidentit të ri. Për sa i përket zgjedhjeve të ardhshme, Uithers nuk di të thotë se kush mund t’i fitojë, por rekomandon që Berisha të veprojë si Xhorxh Uashingtoni, i cili megjithëse u propozua për një mandat të tretë si president, sërish nuk pranoi të kandidonte. Sa për Ramën, Uthers thotë se nuk di të thotë nëse do ishte një Kryeministër apo jo.


Mund t’ju drejtohem në emër si Xhon, por në fakt ata të cilët janë duke ndjekur këtë intervistë ju njohin si ambasadori Uidhers nga aktiviteti juaj trevjeçar në Shqipëri, aktivitet i cili në fakt vijon të diskutohet edhe sot mes shqiptarëve. Në fakt siç e thashë në fillim të programit, se ju keni heshtur për gati dy vjet, mbase nuk është korrekt pasi ju keni folur për një revistë shqiptare dhe për Zërin e Amerikës. Gjithashtu keni dërguar edhe një deklaratë gjatë kohës së publikimit të kabllogrameve të Wikileaks. Shumë shqiptarë mund të pyesin përse i thatë po ftesës sime për ta zhvilluar këtë intervistë me premtimin për t’i thënë gjërat troç?

Arsyeja përse pranova lidhet me faktin se pavarësisht po bëhen gati dy vjet që jam larguar nga Shqipëria, unë ndjehem thellësisht i lidhur me vendin dhe njerëzit. E kam shumë për zemër. Kujdesem për atë që ndodh atje. Ne jemi miq për një kohë të gjatë. Kam qenë i nderuar, njëkohësisht jam i privilegjuar të bisedojmë përsëri pasi gjithmonë i kam pëlqyer intervistat që kemi zhvilluar së bashku pasi janë provokative dhe me pyetje të formuluara mjeshtërisht. Pavarësisht se kanë kaluar dy vjet, për mua shqiptarët janë njerëz me të vërtetë të veçantë. Nuk flas këtu vetëm për elitat, por për njerëzit e thjeshtë, të cilët më kanë trajtuar mua me shumë respekt. Kjo mundësi të flas me ju përsëri është një nder për mua, por tani unë flas në një kapacitet tjetër pasi siç ju thashë tashmë unë do t’i them gjërat troç, pasi tani mund ta bëj një gjë të tillë. Një diplomat duhet të flasë një gjuhë të veçantë, atë diplomatike. Mesazhi përçohet tek ata të cilët e njohin gjuhën diplomatike pasi është një traditë e gjatë që përfshin trajnime dhe të kuptuarit e asaj që kam dashur të them. Ndërsa tani si një qytetar i thjesht, i cili nuk flet në emër të qeverisë amerikane, Departamentit Amerikan të Shtetit apo ambasadën, por si një amerikan dhe siç e dini për një amerikan ka shumë rëndësi liria e shprehurit. Unë do të jem shumë i hapur me pikëpamjet e mija se çfarë po ndodh në vendin tuaj të mrekullueshëm.




Ajo që ju keni bërë për Shqipërinë dhe demokracinë shqiptare, a mos vallë shkoi përtej funksionit tuaj, si ambasador i SHBA-së?

Nuk mendoj kështu. Të jesh një ambasador amerikan është nder dhe njëkohësisht një privilegj i madh, pasi ju jeni ai person që përfaqëson presidentin. Dhe unë i kam shërbyer si ambasador dy presidentëve, Xhorxh Bush dhe Obama. Ju viheni përpara një besimi për të prezantuar politikat amerikane dhe kjo është një diçka shumë e rëndësishme. Një ambasadori nuk i besohet vetëm bërja e politikave amerikane, por mbi të gjitha të prezantuarit e vendit tonë mbi ato parime që është ndërtuar, mbi ato vlera që Amerika mbart. Një ambasador, i cili nuk arrin të përçojë këtë lloj prezantimi siç e shpjegova më sipër duke ia shpjeguar njerëzve që ne jemi amerikanë, ne jemi miqtë tuaj dhe ne besojmë në të njëjtat vlera sikurse edhe ju, do të thotë se nuk është duke ushtruar kompetencat që i janë ngarkuar. Shumë prej ambasadorëve amerikanë nuk janë gojëkyçur dhe janë të përzgjedhur me shumë kujdes, pasi ka një konkurrencë të gjerë, por mbi të gjitha është një privilegj. Kështu që shumica e ambasadorëve amerikanë veprojnë kështu duke përfaqësuar Amerikën në nivelet e vlerave politike, por gjithashtu ato sociale përfshi vlerat morale.

Kur u larguat nga Shqipëria ishit i shqetësuar për nivelin e demokracisë në vend, balancimin e pushteteve, korrupsionin në sistemin e drejtësisë dhe në fakt raportet ndërkombëtare kanë treguar atë që ne jemi duke shkuar keq në çështje që lidhen me korrupsionin, pavarësinë e gjyqësorit, lirinë e të shprehurit gjithashtu në nivelin e demokracisë. Kjo ju jep të drejtë juve, por a jeni i kënaqur me këtë?

Jo, nuk besoj që asnjëri, i cili e njeh Shqipërinë dhe kujdeset për të, do të gëzohej nga zhvillimet më të fundit. Atë kohë shpreha shqetësimet e mia. Tani si një observues në distancë, pasi nuk mund të jem një observues i afërt siç e bëja në të shkuarën, duke parë atë që është duke ndodhur tani, situata është përkeqësuar. Unë mendoj se frika (dhe do ta përdor këtë fjalë frikë), që unë kisha për atë që do të ndodhte me institucionet e pavarura demokratike, ndodhi. Presioni mbi to ishte i dukshëm. Tani me zhvillimet e fundit, përfshi këtu edhe zgjedhjen e presidentit nga vota njëpartiake duke zgjedhur një person, të cilin unë e respektoj shumë si individ pasi e njoh nga koha kur ishte ministër i Brendshëm. Ai është një burrë kurajoz. Por situata me shëndetin ku ai u gjend e kaloi me një durim të madh dhe trimëri, gjë të cilën mbase shumë njerëz nuk do ta kishin demonstruar. Të tilla karakteristika dolën gjatë situatës ku ai ndodhej. Por nuk po merrem këtu me individin Bujar Nishani si njeri, por me rolin e zotit Nishani. Ai është edhe siç premtoi Kryeministri, një besnik i Partisë Demokratike. Nuk është aspak gabim të jesh besnik i Partisë Demokratike, por në klimën dhe rrethanat që kalon Shqipëria sot, a do të demonstrojë zoti Nishani se është një njeri i pavarur në ato raste kur do t’i duhet të ngrihet kundra vullnetit të Kryeministrit? Jam shumë skeptik se ai do ta bëjë një gjë të tillë. Jam skeptik pasi nëse shikoni shumë politikanë shqiptarë besnikëria është diçka për të cilën kur Kryeministri flet për diçka ata veçse e ndjekin nga pas. E kam të lehtë ta drejtoj gishtin tek shumë prej tyre që futen në këtë kategori. Ndjesia ime është se në një demokraci merr parësi ndëshkimi: ai politik dhe moral. Nëse ju nuk keni pikëpamjet personale dhe vullnetin për t’i mbrojtur këto pikëpamje, thjeshtësisht ktheheni në atë që ne e quajmë “YES Man”, njeriu lepe-peqe për gjithçka.



Pra, po thoni se zoti Nishani nuk mund të ngrihet dhe të ketë qëndrimin e tij për çështje të caktuara duke u kthyer kështu në një “YES MAN”?

Nuk mundem të parashikoj se çdo të ndodhë në të ardhmen, por ai duhet ta provojë gabim skepticizmin tim rreth rolit të tij në lidhje me marrëdhëniet me Kryeministrin. Tani ai ka një rol të rëndësishëm në shoqërinë shqiptare. Ja ku jemi tani, kemi Kryeministrin dhe kishim presidentin Topi, i cili kërkonte të vendoste drejtues të mirë në sistemin e gjykatave. Tani lind pyetja: cilët do të jenë njerëzit që do të emërohen nga Presidenti Nishani dhe a do të munden ata të qëndrojnë të pathyeshëm nga tekat e PD? Sepse kështu Bujar Nishani ka krijuar deri tani karrierën e reputacionin e tij sikurse edhe të tjerët si Lulëzim Basha e të tjerë e të tjerë. Tani nëse keni një gjykatë të kompozuar nga gjykatës, të cilët do të anojnë nga njëra parti politike, si mund të keni një sistem drejtësie që flet dhe i shërben të gjithëve? Ne e dimë rrezikun e politizimit të gjykatave.

Në çfarë drejtimi na çon një zhvillim i tillë? Drejt çfarë rreziku?
Për momentin kemi situata interesante po aq edhe ironike në rrethana të caktuara. Partitë po tentojnë të heqin imunitetet e zyrtarëve të lartë në Shqipëri. Unë jam një mbështetës i fuqishëm i kësaj gjëje, për të cilën u përpoqa kur isha ambasador. Arsyeja për këtë është se me pasjen e imunitetit mund të ndodhin shumë gjëra pasi një person mund të kryej diçka, ta fshehë dhe mos të jetë përgjegjës. Prandaj imunitetet duhet të hiqen dhe nuk ka asnjë pikëpyetje për këtë. Pavarësisht kësaj vjen ajo që do ta përshkruaj si një rrezik. Në mënyrë që heqja e imuniteteve të jetë në përputhje me shtetin ligjor, duhet të keni gjykata, të cilat janë të pavarura nga ndërhyrjet politike. Ju patjetër duhet të keni gjykata që flasin vetëm në emër të ligjit dhe jo për cilindo që është një aktor i fortë politik. Në të kundërtën gjykatat kthehen në një armë në duart e një partie politike duke realizuar dëshirat e asaj force politike. Kam lexuar sot një citim të bërë disa ditë më parë nga Kryeministri Berisha. Ai sulmonte Partinë Socialiste për mosvotimin më datë 6 gusht. Dhe çfarë ai deklaronte. Thoshte që të gjithë deputetët e opozitës janë milionerë. Mos vallë është kjo përse Kryeministri kërkon heqjen e imuniteteve duke sulmuar deputetët e Partisë Socialiste? Pyetja ime për Kryeministrin mund të jetë kjo. Tashmë për shtatë vjet ju jeni Kryeministër, përse ne nuk kemi pasur një luftë madhore ndaj korrupsionit gjatë këtyre viteve. Për një moment mund të themi se kjo s’ka ndodhur pasi njerëzit janë me imunitet. Por po ata të cilët janë dyshuar për korrupsion dhe nuk kanë imunitet? Përse ju nuk u morët me ta? Dhe nëse çështjen e imuniteteve e keni sinqerisht, a do të jeni ju i gatshëm të merreni edhe me të korruptuarit brenda partisë tuaj të dyshuar për korrupsion? Apo vetëm për deputetët e PS-s? Nëse në këtë deklarim Kryeministri është cituar në mënyrë korrekte, kjo për mua është shqetësuese. Është ky motivi i vërtetë? Dhe nëse ky është motivi i vërtetë, e gjithë çështja ngre pikëpyetje në lidhje me nevojën imediate që Shqipëria ka për t’u pastruar sa më parë nga korrupsioni. Nëse tentohet një manipulim i korrupsionit, kjo nuk sjell asgjë tjetër përveç zmadhimit të korrupsionit duke gllabëruar çdo institucion të formuar për të mbrojtur jo të pasurit e korruptuar, por qytetarët e thjeshtë.

Në fakt zoti ambasador ndërkohë që flisni, mua më vijnë ndërmend disa fakte. Fakte që vërtetojnë këtë që thoni ju. Faktin që gjatë këtyre muajve të fundit shumë vendime të gjykatës për shpifje, të ngritura kryesisht nga qeveritarë ose familjarë të tyre, ka akuzuar dhe dënuar më pas deputetët e opozitës. Apo faktin e kundërt, disa çështje të mëdha, që lidheshin me korrupsionin apo me abuzimin e pushtetit duke filluar nga Gërdeci, rruga Durrës-Kukës apo edhe një video-skandal i vitit të kaluar që solli më pas edhe 21 janarin, të gjitha këto çështje të mëdha u mbyllën në favor të zyrtarëve të qeverisë dhe kjo në fakt është situatë shqetësuese për demokracinë apo jo?
Është një risk shumë i madh mospasja e një sistemi të pavarur drejtësie. Është një kërcënim i madh tejet e i madh për një demokraci. E tërë ideja e një demokracie është një qeverisje e kufizuar në pushtetin e saj. Dhe nëse do t’ia thonit këtë çdo politikani amerikan, zotit Romney apo zotit Obama, ata do të binin dakord me këtë. Pushteti domosdoshmërish duhet të ketë atë që njihet si kontroll dhe balancimi i tij. Pushteti i përqendruar në duart e një partie politike apo individi konsiderohet si një rrethim i demokracisë. A e dini se cili është rreziku i një sistemi gjyqësor të politizuar? Këtu në shtëpinë time është një foto e Musine Kokalarit gjatë gjyqit të saj ku në fytyrën e saj duket një shprehje shpirtërore pafajësie, sepse ajo ishte e pafajshme. Por ishte politikisht e domosdoshme për regjimin komunist të sulmohej, pasi konsiderohej e rrezikshme për ata.
Mos doni të thoni se jemi duke shkuar drejt të njëjtit model?
Për momentin Shqipëria është duke qëndruar në buzë të greminës. Nëse gjykatësit apo njerëzit e drejtësisë zgjidhen sipas kritereve politike apo u janë borxhli pushtetit në një formë apo tjetrën për mos të kundërshtuar njerëzit e pushtetit, atëherë kjo është e rrezikshme. Sepse gjyqësori përdoret për qëllime politike dhe jo, por të përmbushur misionin e dhënies së drejtësisë. Kjo nuk është vetëm në Shqipëri. Shikoni se çfarë është duke bërë Putini në Rusi. Shikoni ç’po ndodh në Hungari, Rumani, Gjeorgji. Në të gjitha këto vende, shikoni ç’po ndodh në Ukrainë. Atje ju keni një kundërshtar politik të gjithë-pushtetshëm, i cili e burgosi atë, të cilën fliste në emër në popullit, duke urdhëruar gjykatat të vepronin në këtë mënyrë. Kjo është ajo rrëshqitja e ngadaltë në drejtim të së keqes. Për tre vjet unë kam ngulmuar kur jam shprehur për t’i pasur institucionet e pavarura. Tani gjithnjë e më shumë kjo pavarësi po rrëmbehet.
Kjo është një tendencë nga partia në pushtet apo është një tendencë e ngjashme mes klasës politike shqiptare? E them këtë pasi ju ishit në Shqipëri kur dy forcat më të mëdha politike ndërmorën ndryshimet kushtetuese brenda një nate, duke limituar pushtetin e Presidentit, atë të Prokurorit të Përgjithshëm për interesat e axhendës së tyre politike. E shikoni këtë si një rrezik që vjen nga qeveria aktuale shqiptare apo e njëjta gjë do të ndodhë edhe me qeverinë e ardhshme socialiste për të pasur tendenca të ngjashme?
Nuk mund të flas se çfarë mund të bëjë një parti tjetër nëse vjen në pushtet. E gjitha mund të jetë në kuadrin e hipotezave. Ajo që mund të them është kjo. Sistemi që duket se është duke u aplikuar do të kthehet në një rrezik për cilëndo forcë politike që do të drejtojë vendin.
Pra, krijohen premisa që kushdo që të jetë në pushtet ta përdorë këtë sistem për interesat e veta politike?
Nuk mund të shprehem në mënyrë të prerë. Janë njerëz të veçantë me karakteristika të veçanta. Për shembull Xhorxh Uashington, i cili jetonte jo shumë larg nga këtu, u quajt babai i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Popullariteti i tij ishte përtej çdo popullariteti që kanë gëzuar presidentët tanë në historinë e SHBA-së. Ai u zgjodh herën e parë dhe më pas për të dytën herë. Kur vajti herën e tretë në Uashington i thanë garo përsëri se ke për të fituar, por ai kishte një detyrim moral dhe u shpreh se dy mandate mjaftojnë për çdo president. Dhe me të gjithë atë pushtet që ishte gati për ta pasur përsëri të tijin, ai zgjodhi të tërhiqej.
Por në fakt keni pasur president që është zgjedhur tre herë….?
Vetëm një. Në të gjithë historinë e SHBA-ve vetëm një. Një rast i veçantë në mes të një lufte të madhe. Asnjë president nuk ka shërbyer më shumë se dy mandate. Çfarë unë gjej të mangët në lidershipin politik shqiptarë është pikërisht ky kualitet, ky shembull që vjen nga Uashingtoni. Flas për atë kualitet që Uashingtoni vendosi kur zgjodhi të tërhiqej pas dy mandatesh si president. Këtë e bëri në emër të ndryshimit dhe sipas këndvështrimit të tij për një qeverisje më të mirë të vendit dhe të tijën personale. Nuk shikoj tek lidershipi shqiptarë pasjen e këtij vizioni për të mirën e vendit. Çfarë shikoj janë politikanë, natyrisht anëtarë të qeverisë aktuale që kanë krijuar një dominim pushteti. A janë ata të përsosur në qeverisje? A janë ata të përsosur në pasjen e një koncepti se çfarë është mirë apo keq për demokracinë dhe të ardhmen? Do t’ju tregoj një histori të shkurtër. Çfarë më mungon këtu duke mos qenë në Shqipëri? Ajo që më mungon është se jam ulur këtu dhe po më bëni pyetje në gjuhën shqipe, gjë e cila më mungon. Edhe muzika shqiptare më mungon. Sigurisht më mungon edhe kafja e mirë shqiptare, mishi i qengjit i pjekur, ballokumet, tava e kosit, rakia.
Zoti Uidhers, tani më duhet t’ju pyes si një qytetar amerikan. Çfarë ju thoni është shqetësuese. Ish-presidenti Topi dy javë më parë shprehu po të njëjtat shqetësime kur pohoi se demokracia jonë po shkon drejt një diktature dhe vendit i duhet një ndryshim politik. Në 2013-ën ne kemi zgjedhjet e përgjithshme. Me këtë të ardhme që e përshkruar si shqetësuese, mendoni se në 2013-ën Shqipëria ndodhet përpara nevojës së një rotacioni politik?
Fillimisht do të thosha që Shqipëria ka nevojë për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Zgjedhje të cilat shkojnë përtej pikëpyetjeve dhe dyshimeve. Pra, të lira dhe të ndershme. Ku nuk ka dyshime apo problematika siç ndodhën në zgjedhjet e shkuara. Jo manipulime, jo ndërrim rregullash loje, jo dominim të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, jo një kolegj elektoral, i cili braktis përgjegjësitë e tij që i jep ligji. E theksoj se duhet me doemos të mbani zgjedhje të lira dhe të ndershme. Kjo është parësore. Unë mendoj se ngrihet një pikëpyetje e madhe përpara shqiptarëve. Dhe kjo pikëpyetje e madhe është se a kanë mundësi politikanët të zgjidhin hallet tuaja. A është politika rruga e duhur për të përmirësuar shoqërinë tuaj. Pra, janë pyetje që duhet marrin përgjigje nga vetë shqiptarët. Ajo çfarë duhet të kini parasysh është se hallet tuaja nuk ka për t’i zgjidhur komuniteti ndërkombëtar. Ata thjesht mund t’ju ndihmojnë, por jo të zgjidhin problemet tuaja. Zgjidhjet duhet të vinë nga brenda vendit. Pak më herët më pyetët nëse më mungonte Kryeministri Berisha. Nuk e di se çfarë ai mendon apo çfarë problemesh ka me mua. Berisha është një person i jashtëzakonshëm. Ajo që unë nuk bie dakord janë politikat që ai kërkon të implementojë. Të kundërshtuarit e këtyre politikave nuk do të thotë se unë jam mbështetës i ndonjë platforme të ndonjë force tjetër politike. Unë nuk mbështes asnjërën prej tyre. Çfarë unë mund të mbështes është koalicioni për demokraci. Jo ndonjë forcë politike, por një lëvizje sociale në të mirë të popullit shqiptar. Kjo për mua është e rëndësishme. Shikoni se çfarë ndodhi në Birmani. Një grua e vetme, trime pavarësisht vuajtjeve shikoni çfarë bëri. Shikoni se ç’po ndodh në Filipine, ku filipinasit luftuan për mbajtjen e zgjedhjeve të lira kur Markosi po tentonte t’i manipulonte dhe Akino u zgjodh president.
Dhe kjo është dilema që kanë shqiptarët kur thonë se ne e dimë se çfarë mund të prodhojë Berisha, por a do të mundet Edi Rama të jetë një kryeministër i mirë…
Prandaj është e rëndësishme që njerëzit të bëhen aktivë. Kjo është ekzaktësisht ajo që duhet të bëjnë, duke u kthyer në arbitra të demokracisë dhe jo politikanët. Qytetarët duhet të jenë ata të cilët të dalin kundër…
Nuk ju përgjigjët direkt pyetjes time nëse Edi Rama mund të jetë një Kryeministër i mirë.
Si mundem unë mund ta di këtë? Ai kurrë nuk ka mbajtur një post të lartë drejtues në nivel kombëtar. Nuk kam asnjë ide dhe nuk dua të përfshihem në një çështje të tillë. Çfarë unë di, lidhet me ato veprime të ndërmarra nga qeveria aktuale dhe të them që Rama do të veprojë njësoj, këtë nuk mundem ta di. Nuk mund të gjykoj rreth të ardhmes.
Ishte me të vërtetë tragjike.
Dhe këto para duket se kanë shkuar ditën kur ndodhi 21 janari për të blerë pajisje përgjimi nga shërbimi sekret i ushtrisë. Përmendët Xhorxh Uashington në 1784, një prej gjërave që bëri dha dorëheqjen duke ja kaluar pushtetin autoriteteve civile duke dhënë një shembull se si ushtria duhet t’i bindet apo të kuptojë se nuk janë mbi autoritet civile. I keni dëgjuar pretendimet e opozitës ndaj Ministrisë së Mbrojtjes për përgjime ilegale ndaj opozitës, gazetarëve dhe figurave publike përfshi këtu diplomatët?
I kam dëgjuar këto pretendime. Është e pamundur nga kjo distancë e largët të jem i mundur për të vlerësuar në një mënyrë apo tjetrën …..
Ndjesë për ndërprerjen. Gjatë kohës kur ishit diplomat në Shqipëri a ka pasur ndonjë rast kur kishit ndjesinë që po ndiqeshit, ishit nën survejim apo përgjoheshit nga autoritetet?
Jo. Kurrë nuk e kam pasur një ndjesi të tillë. Jeta ime në Shqipëri ishte tërësisht e hapur. Kudo që kam shkuar përnjëherë jam dalluar dhe njohur nga njerëzit në rrugë. Asgjë s’ka qenë sekrete, s’kisha ç’të fshehja. Nëse dikush ka tentuar të spiunojë për mua, do jetë zhgënjyer pafund. S’ka pasur ndonjë skandal që ata mund të zbulonin apo ndonjë gjë joshëse. Për ata do të ketë qenë një jetë e mërzitshme. Nuk e di nëse pretendimet janë të vërteta. Nëse janë të vërteta, atëherë jemi përballë një çështje shumë serioze dhe diçka duhet bërë për këtë. Më lejoni të shtoj disa gjëra për të rinjtë shqiptarë shumë prej tyre kur më takonin shprehnin dëshirën për gjetjen e një mënyrë për t’u larguar nga Shqipëria pasi thoshin se për ta nuk kishte të ardhme. Kjo ta thyen zemrën pasi Shqipëria ka potenciale. Nëse për ta nuk ka të ardhme në Shqipëri, kjo vjen sepse lidershipi nuk është duke zhvilluar këtë potencial. Çfarë më shqetëson lidhet me të gjitha ato veprime që kam parë që i ngjasin një loje të kalkuluar e të avashtë shahu me qëllimin final për përqendrimin e pushtetit në duart e një partie të vetme. Veçanërisht në duart e një personi.
Sipas jush Berisha?
Po, Kryeministri. Ajo çfarë nuk dëgjoj janë njerëzit brenda partisë së tij, ishte vetëm një deputet që foli hapur…

Mark Marku
Pra, njerëzit brenda PD-s nuk flasin. Kam lexuar një poemë të Migjenit, vijoj të lexoj poezi shqiptare, natyrisht të përkthyera.
Marrë me shkurtime nga Top-Channel

Zbulohen bisedat e Erionit me kushëririn kryetar komune në Tërpan të Beratit

Kjo puna e përgjimeve e kish sëkëlldisur shumë Erionin e Veliajve. Jo se e besonte shumë, po nganjëherë shejtani çfarë nuk bën. Sikur të ishte e vërtetë ajo që thoshin Pirroja me Ilirin. Jo për gjë, po  pse havale kot. Tashi ai nja dy telefonata të pafajshme kish bërë, një për punën e shtëpisë, domethënë vilës nja 200 mijë euro, një pazar i vogël ashtu, për kontributet e mëdha që ka në humbjen e socialistëve në vitin 2005, por dhe ca të tjera me kushëririn e tij Engjëll Veliaj, kryetarin e komunës së Tërpanit,  që u bë copë derisa e vuri atje. Tani Erioni është gjithë ai personalitet në PS e çfarë, nuk do të vinte kushon e tij kryetar komune, si thoni ju? Dhe kushëri, sa shkoi, duket se e ka hapur shpatën mirë. Mor s’ka lënë gjë pa bërë, merr fonde e fut në xhep. Po do t’i bëjë ai, se ka kushëririn udhëheqës dhe nuk i hyn gjemb në këmbë. Madje, thonë se jo vetëm në Tërpan, por dhe poshtë e përpjetë Beratit rreh gjoksin dhe thotë se, sa të ketë kushëririn, s’e vret shumë mendjen.  Nga ana tjetër, ka filluar të bëjë dhe lista diplomatësh, shokë e miq të kryetarit, që t’i dërgojë më pas në Evropë, kur Erioni të bëhet ministër i jashtëm. Dhe piketat për këtë i ka hedhur vetë Erioni me kohë. Që kur nisi letrën për Griseldën në Parlamentin Europian, tani rrugën e kanë të hapur. Dhe bën vaki që ata “mistrecët” e Beratit e lënë dhe një herë me gisht në gojë Erionin, siç e lanë në zgjedhjet e 2009-s, pa ta shihni ju se çka për të punuar Engjëlli! Në rast se tani lë ndonjë kockë për rrugët kushëriri, pasi e ka mbushur xhepin, tani e mbrapa asgjë nuk do të shkojë. Ja, këto muhabete kish bërë Erioni në telefon dhe kish hall mos i dilnin pazarit
Bamiri sakrifikon për librin e Zenepes, desh mbytet në mes të detit

Këtij Bamirit nuk i ecën fare! Ndërsa kish vajtur me gjithë eskortë në Bari të Italisë, i mbetet trageti rrugës dhe kish mbetur nja 20 e ca orë në det. “Po pse s’vajti me avion?” – do të thoni ju. Ehe, me ç’duket, tani në fund të mandatit sikur s’po pyet njeri për Presidentin tonë. Po kafexhinjtë u bënë kuriozë se pse e kish marrë mundimin Presidenti i nderuar tërë atë rrugë deri në Bari. Dhamë e morëm e më në fund sqarimet na i dha Spiro gjenerali, i cili që prej 21 janarit e ka fort për zemër presidentin. “Ishte në Bari, se kish shkruar një libër Zenepe Luka nga Vlora. E mo, është vajzë jona ajo. Ka dhënë goxha kontribut në vitin 1997, kur hodhëm Berishën dhe PD-në nga pushteti. Eh, kohë të arta ato kur shkruante Zenepja për shamizezat e Vlorës, që shkonin derë më derë ku kish vdekje dhe shanin Berishën! Shamizezat ishin vetëm në mëngjes ashtu, se në drekë e në darkë lyheshin e visheshin sipas qejfit. Se atyre që u ishin vrarë me tërë mend njerëzit s’e kishin shumë mendjen për politikë. Po kujt ia ndjen, pak ato e pak Zenepja me të tjerë efektin e bënë. Flakën ia vumë vendit. Bamiri ynë për këtë e nderoi dhe me titullin “Mjeshtër i Punës” Zenepen. Një titull që ai edepsëzi  Rexhep Meidani s’ia dha atëherë. Po shyqyr që e kemi këtë djalë, se flakën e komunizmës më përpara do ta çojë”, – po thoshte Spiroja çakërqejf. Duke e mbyllur me fjalët se për një kauzë të tillë siç është pjesëmarrja në librat e Zenepe Lukës ia vlen dhe të mbytesh fare e jo më të mbetesh ca orë në det.

Wednesday, September 5, 2012

Odeta Nishani: Ju rrëfej jetën e familjes presidenciale

Bisedoi Entela Resuli
Nuk besojmë se i ka munguar ndonjëherë admirimi. Ka një elegancë dhe feminilitet, që zor se shpëton pa rënë në sy. Pakëkush e ka menduar, madje dhe ajo vetë, që një ditë do të ishte Zonja e Parë e vendit. Zonja Odeta Nishani e quan këtë një nga të papriturat e jetës: “që nuk kanë qenë të pakta këto vite....”-tregon ajo, duke mos na kursyer buzëqeshjen e saj. Kënga e preferuar e çiftit Nishani? “Vivo per te” dhe… Zonja Odeta nuk e kishte menduar kurrë që do të jetonte me një President!
Ngjarje të tilla të ndryshojnë jetën, e megjithatë Zonja e Parë na rrëfen se jeta familjare nuk ka ndryshuar shumë, por sigurisht janë shtuar telefonatat dhe mesazhet. Në një rrëfim të sinqertë për rubrikën “Jetë” në “Shekulli”, zonja Nishani tregon ditët e para të të qenit një Zonjë e Parë, emocionet që përjetoi ajo dhe dy fëmijët e çiftit gjatë momentit të votimit, zgjedhja e veshjes për ditën e ceremonisë e shumë detaje të tjera. Por… çdo e ardhme e ka një të shkuar, ndaj ne nuk kishim si të mos e pyesnim zonjën Nishani për të shkuarën e saj. Njohja me zotin Nishani, ceremonia e martesës, shtëpia e parë dhe vështirësitë e të qenit një bashkëshorte, nënë, grua dhe amvisë. E kush mund ta njohë më mirë presidentin, z. Bujar Nishani, se sa bashkëshortja e tij?! Duke “përfituar” nga rasti, ne u përpoqëm të zbulonim disa të “fshehta” të Presidentit, si për shembull: ushqimin e preferuar, muzikën që dëgjon, vesin më të keq, apo edhe objektin më me vlerë në shtëpinë e tij. ‘Sekretet’ ia zbulon vetë bashkëshortja e tij, znj. Odeta.



Zonja Odeta, vetëm pak ditë kanë kaluar nga betimi i Presidentit dhe ju po përjetoni të qenit zonjë e parë. Si ka qenë kjo kohë për ju?
Në fakt është një periudhë shumë e shkurtër dhe ka qenë e mbushur me takime dhe urime të shumta nga miqtë dhe dashamirësit, brenda dhe jashtë vendit.

Kur merr një pozicion të tillë ndryshon dhe rrjedha e përditshme apo jo...
Jeta familjare nuk ka ndryshuar shumë, është pothuajse e njëjta. Bujari ka qenë disa vite ministër dhe ato fillime “po”, na ndryshoi rrjedha e jetës (mungesa e tij në shtëpi, shoqëruesit etj). Në jetën  sociale, besoj do të ketë ndryshime, por akoma nuk mund të flas, është shpejt.

E kishit menduar dy muaj më parë që sot do të flisnit në këtë pozicion?
Sigurisht që nuk e kisha menduar, jeta ka të papriturat e saj dhe për ne nuk kanë qenë të pakta këto vite....

Besoni edhe ju në shprehjen e famshme që, ‘pas një burri të suksesshëm fshihet një grua e fortë’?
Jo gjithmonë, megjithëse varet çfarë kuptohet me “grua e fortë”.

Si e kanë pritur fëmijët tuaj babanë President?
Janë të gëzuar normalisht. Djali ishte në Austri ditën e votimit dhe e përjetoi me shumë emocione, ndërsa vajza më shoqëroi mua në ato momente të veçanta...

Zonja Odeta, kur u vendos që do ishit Zonjë e Parë, përveç gëzimit ndjetë siklet?
Isha shumë e emocionuar atë ditë dhe nuk mbaj mend asgjë, ishte fare pa pritur.

Cilat nga Zonjat e Para të Shqipërisë keni simpatizuar më shumë?
Secila prej tyre ka pasur profilin e saj, por zonja Berisha në gjykimin tim ka pasur dimension më të plotë dhe më aktiv.

Zonja Odeta, cili ka qenë angazhimi juaj dhe me çfarë merreshit më parë?
Kam vite që punoj si drejtuese në Departamentin e Statistikave në Ministrinë e Turizmit, ndërsa pjesën tjetër të kohës ia përkushtoj familjes, sidomos vajzës, e cila është akoma e vogël.

A e ndjeni tani që ju janë “larguar” njerëzit, ndoshta për shkak të statusit tuaj? E kanë më të vështirë t’ju thërrasin për kafe apo t’ju bëjnë vizita?
Jo aspak, ju siguroj që më janë shtuar telefonatat dhe mesazhet dhe vijoj të shpenzoj të njëjtën kohë me ta.

Sa kohë i keni kushtuar fëmijëve?
Jo aq sa duhet.

Ju apo zoti President është i përkushtuar më shumë ndaj fëmijëve?
Unë më shumë. U benë vite që Bujari ka qenë i angazhuar me detyra të rëndësishme në politikë dhe sigurisht, koha për ta ka qenë e kufizuar, por në momente të veçanta përkushtimi i tij ka qenë i rëndësishëm.

Ndërsa flasim për familjen tuaj, na tregoni pak si u krijua kjo familje? Si jeni njohur ju me bashkëshortin tuaj?
Bashkë për herë të parë jemi takuar në Durrës në verën e vitit 1992. Unë në atë kohë isha në vitin e katërt të Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit, ndërsa Bujari ishte pedagog në Akademinë Ushtarake. U martuam në tetor të vitit 1994.

Keni bërë dasmë? Ka qenë tradicionale apo...?
 Po, dasma ka qenë tradicionale, domethënë zgjati dy net. Atëherë ishte vështirë për ambiente dhe veshje (kam parasysh fustanin e nuses). Mbaj mend që për gatimet u angazhuan shumë gra të pallatit, por çdo gjë shkoi shumë mirë.

Cila ka qenë shtëpia juaj e parë?
Pasi u martuam ne kemi jetuar për pak vite në një shtëpi 1-katëshe përballë Prokurorisë së Përgjithshme, e cila na u kthye si pronë ato vite. 

Si i përballuat vështirësitë e një familjareje të re?
Çdo familje e re ka vështirësitë e saj, po i riu si veriu thotë populli (qesh). 

Të qenit Zonjë e Parë ka edhe kosto të tjera. A do ndryshoj gardëroba juaj?
Po, gardëroba ka filluar të ndryshojë.

Fustani që veshët ditën e betimit, ishte i blerë apo i porositur?
Fustani ishte “Valentino” i blerë në Itali. Mendova që ngjyra e zezë është ideale për ceremoni dhe pse jo, me zhapone, derisa emra me famë në botën e modës e kanë stiluar!

Do vazhdoni të kujdesni vetë për veshjet, apo do të merrni stilist personal?
Unë tashmë po konsultohem me një stilist në Tiranë.


Vlerësimi

“Teuta Topi Zonjë e nderuar. Liri Berisha nënë dhe grua perfekte”

Cilat janë raportet tuaja me ish-zonjën e parë Teuta Topi?
Me zonjën Topi jam takuar disa herë në aktivitete të ndryshme. Është një zonjë e nderuar, e cila më dhuroi një tufë me lule ditën e ndërrimit të presidentëve.

Po me bashkëshorten e kryeministrit Zonjën Liri Berisha?
Me zonjën Berisha kam pasur raste të takohem me shpesh. Është modeli i një gruaje të suksesshme, jo vetëm në familje si nënë dhe grua perfekte, por edhe në karrierën e saj si mjeke. Unë e respektoj shumë edhe për kontributin e saj në aspektin humanitar.

Zonjat e Para, pasi marrin këtë status, angazhohen në bamirësi. Ju do të vazhdoni të bëni punën që bëni, apo do të angazhoheni me çështje sociale e me shoqata bamirësie?
 Unë do të vazhdoj punën duke dhënë kontributin tim në zhvillimin e turizmit, trashëgimisë kulturore dhe ruajtjen e mjedisit, tani edhe më shumë me statusin e ri. Por sigurisht edhe me çështjet sociale do të angazhohem.

Cilat nga Zonjat e Para të Amerikës do të doni të ndiqnit si model?
Michelle Obama më pëlqen për tipin sportiv, karakterin e fortë dhe sigurisht ngjyrat që vesh.


Gatimi i preferuar i Presidentit? Peshku në zgarë

Jeni ju një amvisë e mirë, sa kohë kaloni në kuzhinë?
Tani jo shumë, megjithëse ne na pëlqen të dyve të gatuajmë.

Cili është gatimi i preferuar i Zotit Nishani?
Peshku në zgarë, spageti me domate.

Është ai një burrë romantik, apo reflekton sjelljen prej “ushtaraku”?
Bujari ka qenë gjithmonë i afërt me familjen. Ai asnjëherë nuk ka përcjellë ngarkesën e punës në marrëdhëniet me ne.

Cili është vesi më i keq i bashkëshortit tuaj?
Neglizhon vazhdimisht pushimet, ose asnjëherë nuk bëjmë pushime të rregullta. Gjithmonë ka ndonjë ditë shkëputje, telefonata punë, lajme, gazeta, etj.

Çfarë vlerësoni më shumë të bashkëshorti juaj?
Sinqeritetin dhe karakterin e tij.

Çfarë muzike dëgjon Bujar Nishani?
Klasike dhe italiane të viteve 80-90.

Keni një këngë tuajën të përbashkët, cila është ajo?
 Po kënga e tenorit italian Andrea Boçeli “ VIVO PER TE”.

Cili është shkrimtari i tij i preferuar?
Ka disa, shqiptarë dhe të huaj...

Po objekti më me vlerë që ka në shtëpi, e që e ruan si “sytë e ballit”?
Është një kalë i bardhë i bukur...

Do të qëndroni në apartamentin tuaj, apo do të zhvendoseni në Pallatin e Brigadave?
Presidenti i Shqipërisë me familjen nuk jeton në Pallatin e Brigadave. Nuk e di pse të gjithë këtë pyetje ma bëjnë kështu. Është një rezidencë qeveritare, e cila po rikonstruktohet. Me pas ne do të zhvendosemi atje. 

Ku i kaloi pushimet familja presidenciale?
Pak ditë në Pogradec dhe një javë në Dhërmi.

Ndoshta një pyetje që mund t’ju bezdisë, por jam e detyruar t’jua drejtoj. Përveç të tjerash, Zoti President është komentuar këto kohë edhe për sëmundjen e tij, që sipas komentuesve e pengon në punën e tij. Ju si i gjykoni këto komente dhe për më tepër, si e keni kaluar periudhën kur Zoti Nishani ka kaluar sikletin e sëmundjes?
Sigurisht dhe ato që flasin për sëmundjen e tij e kanë të qartë që nuk e pengon aspak në punë. Jemi në demokraci dhe zërat dashakeqës janë të lirë të flasin. Ajo tashmë është e kaluar dhe unë i lutem Zotit që ta ndihmojë në detyrën fisnike të kreut te shtetit.


E bija e një tregtari nga Kosova dhe e mbesa e një prej firmëtarëve të aktit të Pavarësisë
Zonja e Parë e Shqipërisë, Odeta Nishani është nëna e dy fëmijëve Fiona dhe Ersi, si edhe vajza e Shegushe dhe Ali Kosovës. Babai i saj vjen nga një familje tregtarësh nga Kosova, të vendosur në qytetin e Durrësit në vitin 1905, ndërsa nëna vjen nga familja Karaosmani, gjyshi i së cilës ishte një nga firmëtarët e Aktit të Pavarësisë, si dhe Ministër i Bujqësisë në Qeverinë e Ismail Qemalit. Elbasani është vendi, në të cilin Znj. Nishani u rrit dhe kreu arsimin e mesëm të përgjithshëm në shkollën “Dhaskal Todri”. Më pas Zonja e Parë, Odeta Nishani u diplomua në Universitetin Politeknik të Tiranës si “Inxhiniere për Ndërtime Civile dhe Industriale” në vitin 1993. U martua me zotin Bujar Nishani në vitin 1994. Znj. Nishani e nisi karrierën e saj profesionale në Akademinë Ushtarake si Drejtuese Investimesh, duke vijuar më tej në Institutin e Studimeve dhe Projektimeve, si Inxhiniere Ndërtimi dhe Konstruktore për një periudhë 10-vjeçare.
Profesionalisht statusi i Zonjës së Parë e gjen Znj. Nishani në fushën e Zhvillimit të Turizmit, në detyrën Drejtore e Studimit të Tregut dhe Statistikave të Turizmit, në Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Në këtë fushë, Zonja e Parë e vendit mban titullin “Master në Menaxhim Turizmi”, fushë në të cilën kontribuon gjatë këtyre 7 viteve. Karriera akademike e Znj. Odeta Nishani është shoqëruar gjithashtu nga një sërë trajnimesh në fushën e saj profesionale, të kryera nga Institucione/Organizma Ndërkombëtarë kryesisht jashtë vendit, si në SHBA, Europë dhe Azi.


Bio
Emri: Odeta
Mbiemri: Nishani
Vendlindja: Elbasan
Profesioni: Inxhiniere ndërtimi
Gjendja civile: E martuar me Bujar Nishanin
Fëmijët: Dy, Ersi dhe Fiona
Arsimimi: Në vitin 1992 mbaron studimet në Fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit, në degën Ndërtim
Eksperienca e punës: Shefe ndërtimesh në Akademinë Ushtarake. Për 10 vjet ka punuar në Institutin e Projektimeve Ushtarake.
Drejtoresh e Studimit të Tregut dhe Statistikave të Turizmit, në Ministrinë e Turizmit Kulturës Rinis dhe Sporteve.

Ndryshon statusi, por jo njeriu
“Jeta familjare, nuk ka ndryshuar shumë, është pothuaj e njëjta. Bujari ka qenë disa vite ministër dhe ato fillime  po, na ndryshoi rrjedha e jetës, mungesa e tij në shtëpi, shoqëruesit etj”- kështu i përgjigjet Zonja e Parë e Republikës së Shqipërisë kuriozitetit tonë nëse ka ndryshuar diçka në përditshmërinë e saj. Ajo del çdo mëngjes në të njëjtën orar nga shtëpia dhe po më të njëjtën buzëqeshje dashamirëse që e karakterizon. Përshëndet çdo kënd që ka përballë, pa kurrfarë kompleksi. Teksa na tregon rrugëtimin e saj deri në këtë pozicion, kujton me nostalgji njohjen me Presidentin në plazhin e Durrësit. E më pas kalojmë në ditën e dasmës, ku për gatim ishin angazhuar të gjitha gratë e pallatit. Vitet e para të martesës? I riu si veriu- shprehet zonja Nishani.

Monday, September 3, 2012

Radikalizëm islam apo injorancë radikale ndaj Islamit?

Enklid Pelari
Kohët e fundit po vëmë re një fushatë intensive (nuk po e quajmë kryqëzatë) ndaj “islamizmit dhe islamizmave”, por fatkeqësisht jo nga njerëz kompetentë. Pra, jo siç ndodh në botën perëndimore ku, fjala bie, njerëz të subvencionuar nga shteti, por jo vetëm, studiojnë për Orientalizëm dhe pas studimeve informojnë opinionin publik për “të mirat” dhe “të këqijat” e kulturës orientale. Këta studiues njihen me emërtimin Orientalisët. Ajo që bie në sy tek ta janë dy karakteristika esenciale: E para është dituria e thellë rreth kulturës orientale dhe e dyta është etika dhe gjuha e kuruar që ata përdorin kur flasin rreth kulturës orientale në përgjithësi dhe islamit në veçanti. Për këtë gjë në Perëndim nëpër mediume tç ndryshme bëhen debate të hapura dhe dialogë të ndryshëm. Kjo gjë promovon bashkëpunimin dhe tolerancën ndërfetare.
Nga ana tjetër shohim se në Ballkan, ata që bëjnë kompetentin e fushës, jo vetëm, që fatkeqësisht, nuk e kanë “haberin” e kulturës orientale dhe islamit, por dhe gjuha e përdorur prej tyre nuk ndryshon nga ajo e një njeriu të pastudiuar. Pra mesazhi i vetëm që përcillet ndër rreshta është sharja dhe ofendimi i drejtpërdrejtë pa etikë dhe estetikë, se për argumente as që bëhet fjalë. Meqë “analistët” që e kanë marrë tagrin dhe kompetencën për të baltosur “Orientalizmat” e kanë të vështirë të gjejnë argumente të mirëfilltë për para/gjykimin e tyre, atëherë kam menduar  t’u vij në ndihmë me disa teza të hedhura nga homologët e tyre në vende të tjera të botës. Disa prej këtyre tezave kanë mbërritur dhe në vendin tonë. Ajo që bie në sy në këto teza janë defektet logjike të qëllimshme ose jo, që në shkrimin akademik njihen me nocionin “tatëpjetë e rrëshqitshme”. Unë po mjaftohem me përmendjen e më të spikaturave prej tyre:
1- XHIHADI SI NOCION TERRORIST I ISLAMIT. Është e vërtetë që xhihadi (apo lufta e shenjtë) evidentohet në Kur’an, por nuk duhet të harrojmë se Kur’ani është një kushtetutë, ku si çdo kushtetutë tjetër në botë evidentohet edhe lufta si “mburojë” e sigurisë kombëtare. Përndryshe në suren Tewbe thuhet; “Paqja është më e mirë -se lufta-”.

2- ISLAMI SI SIMOTËR E DEMOKRACISË. Trendi i analistëve në botë është ta paraqesin islamin si një fe “reaksionare” ndaj demokracisë. Faktikisht, ata që merren me hulumtimin e religjioneve e dinë shumë mirë se kjo fe përkon pothuajse totalisht me parimet demokratike, si “Votimi, Kolegjialiteti dhe delegimi kompetencave në vendimmarrje, e drejta pronës private, e drejta e sipërmarrjes, liria e tregut dhe ndershmëria e tij, lufta ndaj monopolit etj.” Prandaj dhe e përditshmja prestigjioze Nee York Times pas fillimit të Pranverës Arabe e hapte gazetën me artikullin: “Partitë islame që po e kuptojnë demokracinë më mirë se partitë demokratike”.
3- SUBJEKTIVIZIMI ISLAMIT. Islami si çdo fe tjetër në botë është një sistem moral dhe kod etik që përkthehet dhe subjektivizohet te çdo individ në bazë të temperamentit, formimit apo kulturës së tij. Në këtë kontekst çdo mysliman quhet i mangët apo i plotë në baze të zbatimit të fesë dhe nuk mund të emërtohet “mangësia apo ekstremizmi tij” si përfaqësues i islamit.
4- ISLAMI SI FENOMEN DHE JO POLITIKËBËRJE. Përhapja e islamit në botë është një fenomen që lind natyrshëm dhe jo një lëvizje politike e nxitur nga subvencionime apo investime të dyshimta shtetare, celulash terroriste apo ideologjizmash ekstremiste. Që në kohën e Qeverisë Nano, kur u implementua për herë të parë operacioni “fshesa” ndaj organizatave islamiste arabe -dhe mirë bëri- shohim se performanca e islamit në vend është rritur jo vetëm në dimensioni kuatintativ por edhe atë kualitativ.
5- ISLAMI SI “FE” E TË MARGJINALIZUARVE. Nuk është e vërtetë që islami gjen implementim vetëm te shtresat më të margjinalizuara sociale; sot kemi praktikues të kësaj feje duke filluar nga zyrtarët më të lartë, tek akademikë, pedagogë, doktorantë, e deri te specialistë të fushave të ndryshme, si mjekësi, ekonomi, inxhinieri dhe shumë e shumë të tjera që kontribuojnë si pjesë integrale dhe e pandashme e organizimit tonë kolektiv.
6- TENTATIVA E KAMUFLIMIT. Sot po tentohet që islamit t’i jepet identikiti i një feje të karakterizuar nga injoranca, varfëria apo inferioriteti. Kjo shihet qartë te disa media, kur për evenimente fetare mjaftohen me intervistimin e disa njerëzve të moshuar, që nuk do të ishte habi që të kenë humbur edhe memorien. Kjo situatë do të ishte analoge sikur media, në tentativë për t’i prezantuar opinionit publik një subjekt politik, PD, PS, apo LSI, të merrte në intervistë një misërpjekës, këpucëlustrues apo bananeshitës. Pra, t’i jepte ngjyrim gjithë subjektit politik me një pjesë tepër minoritare të saj dhe jo adekuate për një prezantim dinjitoz.
7- TERRORIZMI SI QEVERI E LEGALIZUAR. Nëse do të ishte e vërtetë teza se myslimanët janë radikalë xhihadistë që propagandojnë akoma luftën e shenjtë, atëherë qytetarët do të ngrinin një pyetje ndaj jush: “Pse kur parti islame në botë qeverisin vende të fuqishme si Turqia, Egjipti etj. nuk i shpallin ‘xhihad’ botës perëndimore? Madje kanë marrëdhënie diplomatike edhe ndaj armiqve të tyre tradicionalë, si Izraeli. A mos ndoshta dhe islami është një fe që e pranon edhe luftën, edhe paqen, edhe marrëveshjen, edhe diplomacinë si çdo shtet, qeveri apo parti normale në botë?
8- ISLAMI SI MBROJTËS MORAL. Shoqëria shqiptare ka një “hemorragji” të theksuar në ruajtjen e moralit të rinisë nga veset e këqija, si droga, bixhozi, imoraliteti, krimi etj. Shumë njerëz të rinj, në mungesë të alternativës, gjejnë prehje në religjionet që operojnë në vend. Nëse kjo xhelozon këdo në shoqëri, atëherë le të vijë me platforma më tërheqëse dhe të integruar, në mënyrë që të plotësojmë ato vakuume që nuk i kemi plotësuar deri më sot si shoqëri.
9- ISLAMI SI EKSTERNALITET POZITIV. Ekzistenca e fesë në shoqëri sjell për të benefite të dobishme, jashtë mekanizmave të tregut. Një njeri fetar ka prirje më të dobëta dhe probabilitet më të ulët për të vjedhur, spekuluar, mashtruar, gënjyer etj. Kjo bën që shoqëria të përfitojë prej këtyre sjelljeve të ekuilibruara, të cilat në afat të gjatë sjellin stabilitet në mekanizmat socio-ekonomikë të vendit.
Mesa shohim, islami është pjesë e pandashme e shoqërisë globale. Ai operon normalisht si çdo lëvizje, organizim, religjion apo ideologji e legalizuar dhe pranuar gjerësisht në botë. Ekstremizmat dhe radikalizmat ekzistojnë në çdo fe dhe në çdo ideologji. Madje dhe në sistemet demokratike ka parti të djathta apo të majta ekstremiste që propagandojnë dhe nxisin për luftë. Mos të shkojmë më larg se e majta ekstreme e fqinjëve tanë grekë, apo e djathta ekstreme në Itali. Ajo që e përfaqëson një organizim kolektiv është performanca afatgjatë dhe jo devijanca e individëve të caktuar apo rastet e izoluara e sporadike. Prandaj islami nuk ka qenë dhe nuk do të jetë një kërcënim apo rrezik kombëtar. Nuk duhet harruar se që nga Lidhja e Prizrenit, te Fetvaja e Vehbi Dibrës, e deri te themelimi UÇK-së, islami ka qenë një nga faktorët përcaktues për pavarësinë në viset tona dhe për asnjë arsye apo motiv nuk do të shkonte kundër interesave të shenjta kombëtare.
Sot myslimanët i kanë të gjithë potencialët akademikë, administrativ, financiarë, kanë madje dhe kuorumin e nevojshëm për të themeluar një parti që do të ishte faktor në politikëbërjen e vendit. Këtë gjë, nëse nuk e dinë analistët, e dinë shumë mirë politikanët, që mundohen t’i përcjellin ata me muhabete kafenesh dhe ndërtime xhamish. Fakti që sot myslimanët nuk kanë ambicie dhe nuk tentojnë për të themeluar parti është argumenti më i fortë se ata ndihen të përfaqësuar nga partitë politike që bëjnë ligjet dhe qeverisin në vend. Pra, janë demokracidashës dhe konvenient me të.
Në doktrinat historike ka një parim të induktuar: “Cilësi e lëvizjeve ekstremiste është dritëshkurtësia dhe nxitimi në vendimet politike, çka gjithmonë i çon këto lëvizje në dështim dhe sjellje radikale”.
*Teolog i atashuar pranë Komitetit Mysliman Shqiptar.

Sunday, September 2, 2012

Shpërthimi i urrejtjes

Nga Imer Mushkolaj

Për urrejtjen e të frustruarve nga feja e ideologjia. Për islamin “tim” dhe islamin e “atyre”. Për shoqërinë dhe shtetin çfarë e duam.

Asnjëherë nuk kam marrë më shumë akuza, sharje, fyerje e kërcënime për ndonjë shkrim në gazetë, sesa javën e kaluar. Në telefon, email e Facebook çfarë s’më kanë thënë e si s’më kanë quajtur. Të prezantuar si “myslimanë të vërtetë”, “luftëtarë të islamit” më kanë paralajmëruar se do ta pësoj keq kur ata të vijnë në pushtet. Më kanë shpallur luftë. Më kanë kërcënuar edhe me vdekje.
Për ditë të tëra jam shndërruar në njeriun më të urryer në debatet e tyre nëpër portale interneti, në personazhin më të përmendur në web faqet që propagandojnë islamin si fe të paqes e të mëshirës. Krejt shkaku i shkrimit të botuar javën e kaluar, në këtë gazetë, në të cilin tërheqja vëmendjen për rrezikun që i kanoset Kosovës nga radikalët islamikë.
Në mesin e atyre që më kanë fyer, sharë e kërcënuar ka pasur të atillë që më kanë akuzuar si njeri të shitur dhe antiislamist, që po shkruakam për para të majme, paguar nga kushedi kush. Nga Izraeli. Edhe nga Serbia. Të tjerë më kanë cilësuar antikombëtar, tradhtar e islamofob.
Gjithë ky shpërthim urrejtjeje ndaj meje vetëm për shkak se, si qytetar i lirë i këtij vendi, kam shprehur një mendim të lirë për lirinë e këtyre njerëzve që t’i realizojnë qëllimet e tyre, aspak fisnike, të papenguar nga askush.
Feja, besimi janë personale, shpirtërore. Ashtu si dhe praktikimi i besimit të gjithësecilit dhe komunikimi që gjejnë me atë që i besojnë. Por kur cilado fe, cilido besim keqpërdoret nga dikush për agjenda të ndryshme (edhe politike), me qëllimin që të ndryshojnë edhe identitetin e një shoqërie, një vendi, atëherë kemi të bëjmë me diçka tjetër. Diçka që këtyre njerëzve iu dhemb kur u thuhet publikisht. Qoftë edhe nga një qytetar i rëndomtë që, thjesht, brengoset se në çfarë shoqërie do t’i rriten fëmijët nesër. Atëherë ata sulmojnë, kërcënojnë e akuzojnë, duke menduar se në këtë mënyrë mund t’ua ndalojnë të tjerëve që nuk mendojnë si ata edhe të shprehen lirshëm.
Unë nuk kam fobi ndaj islamit, as ndaj identitetit tim fetar e kombëtar. Por po, kam fobi ndaj keqpërdoruesve të fesë. Ndaj atyre që bëjnë keq në emër të fesë. E shumica e atyre që kërcënojnë duket se kanë fobi nga vetja, nga identiteti i tyre.
Mund të ndodh që edhe mallkojnë veten pse kanë lindur në Kosovë, e jo diku tjetër. Diku ku do të mund të ndiheshin më rehat me mënyrën e praktikimit të besimit të tyre dhe ku nuk do të kishin nevojë të përpiqen që t’u imponojnë të tjerëve diçka që ata e ndiejnë se nuk është e vetja.
Unë ndihem rehat këtu ku jetoj. Jam rritur në një mjedis normal fetar, kam lexuar dhe vazhdoj të lexoj për islamin dhe për fe të tjera. Nuk më pengon askush pse i takon një feje a etnie tjetër. Për mua Skënderbeu nuk është tradhtar, që i paska luftuar osmanët, e as Nënë Tereza nuk është lavire, që i paska ndihmuar të sëmurët. Por, si të gjithë njerëzit e vetëdishëm e të ndërgjegjshëm, nuk mund të hesht kur shoh se ç’po ndodh rreth nesh.
Nuk mund të hesht kur shoh si përpiqen t’i keqpërdorin fëmijët “në emër të fesë”.
Nuk mund të hesht kur përhapet urrejtje “në emër të fesë”.
Nuk mund të hesht kur propagandohet luftimi i tjetrit “në emër të fesë”.
Nuk mund të hesht kur propagandohet jotoleranca dhe dhuna “në emër të fesë”.
Të fesë islame, në këtë rast.
* * *
Më ka ardhur keq për nivelin e gjuhës dhe kulturës së shumicës së atyre që më kanë fyer, sharë e kërcënuar. Një shqipe që më së paku mund të quhet e tillë dhe që të krijon përshtypjen se njerëzit që e kanë shkruar nuk lexojnë sa duhet. Madje as aq sa për të mundur të debatojnë normalisht. Por, ja që të tillët janë të gatshëm të hedhin helm e vrer kur i prek në tel.
Këto janë vetëm disa nga cilësimet që m’i kanë bërë komentuesit / kundërshtuesit e shkrimit tim – bashkëkombasit dhe bashkëfetarët e mi: “dashakeq i islamit”, “shka”, “shka shqipfolës”, “shkërdhatë muti”, “narkoman”, “pijanec”, “qen”, “i shitur”, “i asimiluar”, “i pafe”, “tradhtar”, “sorosist”, “majmun”, “adhurues i djallit”, “hipokrit”, “tuc”, “i prishtë”, “argat i djallit”, “racist”, “ma shka se shkijet, t’bijtë e shkinave”, “i korruptuar”, “i pamend”, “balosh”, “antikombëtar”, “mercenar antifetar e antishqiptar”, ”i pamoralshëm”, “hajvan”, “i paguar nga qarqe çifute”, “i poshtër”, “monstrum”, “ndyrësisë”, “qafir”, “idiot”, “budallë”, “teveqel”, “komunist”. Plot të tjera sharje që më janë adresuar nuk më lejon etika t’i bëj publike këtu. Sikurse as disa nga kërcënimet e poshtra dhe perverse - edhe më të poshtra se ato të stilit “kemi me të kallë në zejtin të nxehtë” ose “kemi me të rrjepë si qen”.
Unë e di se kjo gjuhë dhe këto cilësime nuk i takojnë një myslimani të mirë. Më tepër dalin nga gojët e njerëzve të frustruar dhe të shituar dogme e ideologjie. Sepse, islami është fe e paqes dhe e tolerancës. Si të tillë e njoh unë, e jo si fe të urrejtjes, kërcënimeve e dhunës.
Ky nuk është islami im.