Thursday, December 8, 2011

Aleksandër Meksi: Lëvizja studentore e dhjetorit u keqpërdor nga spiunët

Lëvizja e dhjetorit ishte një triumf i studentëve idealistë, por më vonë kjo lëvizje u keqpërdor nga politika”. Kështu u shpreh dje, për gazetën “Sot”, njëri nga liderët kryesorë të Dhjetorit të vitit 90, Aleksandër Meksi i cili nënvizoi se kalendari i demokracisë shqiptare duhet të rikthehet për të filluar numërimin e vet, pikërisht në 8 dhjetorin e vitit 1990. Ai rrëfen gjithashtu edhe detajet dhe momentet, kur iu vu emri Partisë Demokratike, pikërisht në shtëpinë e Gramoz Pashkos. Zoti Meksi, ku janë sot liderët e dhjetorit të vitit 1990?
Atë gjejeni juve. Unë kam kohë që nuk i shoh dhe gjithmonë e më tepër ndihem i panjohur mes atyre që shfaqen sikur përfaqësojnë lëvizjen e dhjetorit të vitit 1990.

Çfarë ndodhi konkretisht, në 8 dhjetorin e vitit 1990?

Ajo natë e ftohtë dhe e errët u kthye në një pishtar për Shqipërinë, por më vonë u keqpërdor.

A mendoni se kjo lëvizje u keqpërdor nga spiunët apo misionarët e Ramiz Alisë?

Pikërisht, ata ndikuan ndjeshëm në keqpërdorimin e protestës.

Ku ishit në ditën e 12 dhjetorit, gjatë themelimit të PD?
Ajo ditë ishte vazhdim i ngjarjeve që kishin nisur më 8 dhjetor, në Qytetin Studenti, por që më pas kishin përfshirë të gjithë Shqipërinë. Kështu në 12 dhjetor në orën 8.30, unë kisha lënë takim me Gramoz Pashkon. Aty ai më njohu edhe me dy të rinj. Njeri ishte Azem Hajdari dhe tjetri Arben Imami. Më vonë erdhën edhe të tjerë, si Mond Budina, Genc Ruli, Eduard Selami, Sali Berisha dhe mbaj mend edhe një studente, që quhej Moza dhe ishte nga Vlora. Pastaj erdhën edhe të tjerë dhe ne nisëm të shkruajmë programin minimal të partisë që u lexua në mitingun e pasdites. Për projekt-statutin punova unë me Genc Rulin, ndërkohë që Genc Pollo na solli disa modele të huaja. Në ato momente që u krijua Partia Demokratike njoftuam një gazetar të Rojterit që quhej Rikard Shvarc (suedez) për ta shpallur lajmin në Vjenë. Por ai na mori në telefon i alarmuar në orën 12.00, duke na thënë se Ministria e Jashtme shqiptare e kishte përgënjeshtruar faktin që në Tiranë ishte krijuar një parti opozitare me emrin Parti Demokratike, por gjoja ishte krijuar një parti për studentët dhe intelektualët e rinj. Pastaj lajmëruam Zërin e Amerikës dhe të gjithë qytetarët se në orën 16.30 te qyteti i Studentëve shpallej themelimi i PD-së. Mbaj mend se parulla kryesore e mitingut ishte "E duam Shqipërinë si e gjithë Europa", por fatkeqësisht sot pas 21 vjetësh ende nuk pranohemi si pjesë e integrimit Europian.

Cilët ishin njerëzit që u afruan në drejtimin e PD?

Shumica ishin idealistë dhe patriotë, por kishte edhe njerëz të dërguar prej organeve përkatëse që të na sabotonin. Ne ishim parti e hapur dhe disa mundën të penetrojnë. Ata që e shesin lëkurën njëherë, të dëmtojnë edhe duke u hequr si ekstremistë radikalë, që bëjnë aktive të zhurmshme. Shembuj të tillë ka pafundësisht në historinë e Partisë Demokratike. Ata kanë ndihmuar gjithashtu në mbështetjen e çdo gjëje të shtrembër që është shtruar në PD. Në këtë parti idealistët kanë luftuar gjithmonë kundër bolshevikëve.

Si do të veproni për mbrëmjen e 12 dhjetorit, pra në 21 vjetorin e themelimit të PD?

Nuk e di.

Përse nuk do shkoni në festën e themelimit?

Thjesht: nuk njoh shumicën e atyre që janë sot atje, të cilët kur na shohin kthejnë rrugën. Them se po të jetë në dorën e tyre, na shajnë na fyejnë dhe shpërblehen për këtë gjë. Nga ana tjetër nuk jam dakord me atë vijë që përdor lidershipi që po mban peng integrimin

Përse e thoni këtë?

Sepse sot kemi ende njerëz që vuajnë. Apo njerëz që sfiliten për ujë, për drita, për telefona, për punë, për asistencë sociale, etj, ndërsa shteti i ka lënë në harresë. Unë kam deklaruar që PD-ja duhet të hapet, kam përdorur një term në platformën time: "Të bashkohen ata që janë me PD-në dhe me idealet e dhjetorit".

Kush ia vuri emrin Partisë Demokratike?
Më 12 dhjetor, gjatë paradites në shtëpinë e Gramoz Pashkos kemi diskutuar shumë për emrin që do të mbante partia Për këtë arsye pjesëmarrësit shkruajtën një listë me emrat e mundshëm. Midis arsyeve kryesore për t'i vënë partisë emrin Parti Demokratike, unë veçova faktin se këtë emër e kishin kërkuar vetë qytetarët e Tiranës në mitingun e pasdites së 11 dhjetorit.
Cilin emër preferonte më shumë Berisha?
Ai ishte më shumë për emrin Partia e Studentëve dhe Intelektualëve të rinj. Por unë me Pashkon dhe me disa të tjerë e kishim biseduar edhe më parë, prandaj atë mëngjes Azem Hajdari u nis me motor në Qytetin Studenti për t'u komunikuar studentëve emrin e Partisë Demokratike.
Ju jeni krenar apo jeni i penduar që ishit i pranishëm në 12 dhjetor?

Unë do të jem gjithmonë krenar për këtë që kam bërë së bashku me shokët e tjerë dhe me të gjithë qytetarët. Asnjëherë nuk kam për t'u penduar dhe gjithmonë do të luftoj që kalendari dhe platforma e sotme e Partisë Demokratike të rinisin me 12 dhjetorin e vitit 1990.

Mimoza Ferraj: Si degradoi lëvizja e dhjetorit

Lëvizja e dhjetorit degradoi, për shkak të kompromisit me pushtetarët komunistë”. Kështu shprehet për gazetën “Sot”, ajo që është cilësuar si princesha e demokracisë shqiptare, Mimoza Ferraj, e cila gjatë protestës së 8 dhjetorit, ka marrë plagë të rënda, prej policisë. Më tej ajo rrëfen: “Në fund të qershorit, fillim të korrikut kam shkuar në Hungari si vendi i parë demokratik lindor. Shkova atje për të marrë eksperiencë së bashku me shumë studentë të tjerë. Lista e përpiluar në vajtjen atje nuk kishte asgjë të përbashkët me personat e vërtetë të lëvizjes së Dhjetorit, por ata ishin të gjithë pjesë e fëmijëve që kishin qenë në pushtet. Edhe dy prej aktivistëve të vërtetë, që ishin bashkë me mua, nuk qëndruan në Budapest, por u larguan për në Gjermani në mënyrë të paligjshme dhe ma lanë porosi të ndjek hapin e tyre. Listë të vërtetë nuk ka dhe është vështirë bërja e një liste të tillë nisur nga koha e gjatë, pozicionimi, postet politike të mëpasshme dhe ato aktuale. Ilir Bushi

Sabit Brokaj: Spiunët e Ramiz Alisë, dolën jashtë kontrollit dhe u bënë demokratë

Mugojnë dhjetoristët e vitit ‘90-të / Zyrtarët e pushtetit privatizojnë 8 dhjetorin Gëtja shkroi baladën “Vallja e të vdekurve”, ku tregohet se një fëmijë i vogël ngaqë kishte frikë të mbushte ujë, natën në pus, thirri xhindet për ta ndihmuar. Pastaj kur mbushi bucelën e ujit, atij i doli një problem tjetër i madh: Nuk i largoheshin xhindet, pra ai nuk dinte se si të vepronte për të larguar hijet e frikshme të natës. Kjo gjë ka ndodhur më në fund me studentët shqiptarë të dhjetorit të vitit 1990. Ata dolën për të “mbushur ujë” të pastër në natën e 8 dhjetorit të vitit 1990. Por ngaqë kishin nevojë për ndihmë ata thirrën për t’i ndihmuar Sali Berishën, së bashku me togën e intelektualëve karrieristë dhe servilë. Dhe që atëhere, problemi i tyre i vetëm por edhe i gjithë Shqipërisë ka të bëjë me faktin se Sali Berishën, së bashku me zyrtarët e tjerë nuk i largojnë dot nga drejtimi i politikës.
Tetë dhjetori
Tetë dhjetori ishte ditë e shtunë. Dhe në Qytetin Studenti ndodheshin shumë pak konviktorë, ngaqë një pjesë e tyre ishin larguar nëpër rrethe, për të studiuar lidhur me sezonin e provimeve. Por atë natë ndodhi demonstrata e parë zyrtare, pasi një mbrëmje më parë, kishte dështuar një e tillë. Fjalët e para që u artikuluan nga protestuesit ishin “drita” dhe “ujë i ngrohtë”. Por pas mbërritjes urgjente të kryeministrit Adil Çarçani u fol edhe për të drejtat e njeriut, apo për lirinë e fjalës. Në mënyrë urgjente, Ramiz Alia për të shpëtuar lëkurën e tij, thirri Sali Berishën të cilin e dërgoi të bisedonte me studentët. Në të njëjtën orë, Edi Rama ishte duke kërcyer Rok- en –roll, tek Akademia e Arteve. Në atë kohë ky lloj kërcimi konsiderohej si dalje nga skema komuniste, dhe për këtë arsye Edi Rama e quan veten si kontributor të luftës kundër diktaturës. Pastaj gjërat dihet si shkuan. Katër ditë më vonë në shtëpinë e Pashkos u themelua Partia Demokratike, ndërsa dy muaj më vonë greva studentore e 20 shkurtit mundësoi rrëzimin e bustit. Kjo gjë, padyshim, që ishte një fitore historike, por sot heronjtë e vërtetë janë spostuar nga Berisha, apo Rama ndërkohë që piedestalet bosh kanë porositur statujat e kokave të tyre. Problemi kryesor në këtë rast nuk qëndron tek fakti se sot janë shmangur themeluesit dhe iniciatorët e vërtetë të rezistencës opozitare në vend, por në rradhë të parë ngërçi ka të bëjë me ftohtësinë e publikut të gjerë ndaj kësaj date. Me pak fjalë, përderisa kjo datë e shenjtë u privatizua vetëm nga disa monstra të politikës së sotme, ndofta vlen të merret parasysh propozimi i shumë dhjetoristëve që thonë, se në të ardhmen është më mirë që kjo festë të mos përmendet më. Kjo, për arsye se pas sakrificës së studentëve idealistë u shfaqën intelektualët karrieristë dhe pak orë më vonë, vërshuan spiunët. Janë pikërisht një pjesë e këtyre spiunëve që caktojnë sot ftesa në adresë të njerëzve të tjerë dhe janë pikërisht, mumjet e dikurshme të diktaturës që përpilojnë sot listat se kush është demokrat dhe kush jo, ose kush meriton të jetë i ftuar në festë dhe kush duhet të bojkotohet. Për këtë arsye duke u përulur para madhështisë së protestës së studentëve të djeshëm, qindra e mijra njerëz kanë bojkotuar festat e burokratëve të sotëm, të cilët e kanë privatizuar 8 dhjetorin.  

Ramiz Alia organizoi protestat studentore duke dërguar midis tyre Sali Berishën, së bashku me divizionin e spiunëve të Sigurimit të Shtetit”. Kjo ishte deklarata e djeshme e bërë për gazetën “Sot”, nga ish ministri i Mbrojtjes, Sabit Brokaj, i cili nënvizoi se me themelimin e Partisë Demokratike ka ndodhur një çudi e paparë: “Ramizi e mbushi PD-në me spiunë të Sigurimit, por pas ca kohësh, këta spiunë i dolën nga kontrolli dhe filluan të hiqeshin si demokratë të vërtetë”, nënvizoi ai

Zoti Brokaj, çfarë mendoni për natën e 8 dhjetorit të vitit 1990?

Unë kam menduar gjithmonë dhe vazhdoj të mendoj se kjo lëvizje studentore, si edhe themelimi i Partisë Demokratike, apo vendosja e pluralizmit, ishin vepër e dorës së Ramiz Alisë. Këtë operacion historik e ka inicuar ish presidenti Alia, i cili disa herë ka përmendur shkarazi faktin se ai ka dërguar Berishën tek studentët. Por unë mund t’ju them këtu se në themelimin, apo në fillimin e Partisë Demokratike Ramiz Alia ka aktivizuar një numër shumë të madh spiunësh të Sigurimit të Shtetit, me misionin përkatës brenda kësaj partie. Me këtë veprim Alia donte nga njëra anë të lahej me kërkesat e ndërkombëtarëve për pluralizmin dhe nga ana tjetër të kishte plotësisht nën kontroll opozitën shqiptare, pra Patinë Demokratike. Por sipas modelit të PD-së, Ramizi inicioi në atë kohë edhe themelimin e disa partive të tjera, me ish komunistë të thekur, apo me agjentë të Sigurimit të Shtetit

Ku e bazoni këtë që thoni?

Këtë e bazoj tek numri i shumtë i spiunëve që militonin dhe militojnë akoma brenda Partisë Demokratike. Disa prej tyre populli i thjeshtë i njeh me emra dhe me pseudonime, por disa të tjerë, ende nuk janë bërë publikë. Sepse hapja e dosjeve sot për sot është një gjë e ndaluar. Pra, prania e shumtë e spiunëve si edhe dyndja e ish komunistëve më servilë drejt Partisë Demokratike, vërtetojnë faktin se kjo parti ishte e dyshimtë që në fillim. Madje, për shumë njerëz ishte krejtësisht e qartë se kjo parti në thelb ishte një parti e Sigurimit të Shtetit.

Në ç’mënyrë sipas jush, kjo parti kontrollohej nga Ramiz Alia?

Sigurimi i Shtetit dhe bashkëpunëtorët e ngushtë të Sigurimit të Shtetit kanë kodet e tyre të komunikimit. Ato nuk mund t’i marrë vesh kushdo. Prandaj, detyrat dhe raportimet bëheshin në mënyrat e fshehta. Por problemi është se pas disa kohësh, Partia Demokratike, ose më mirë të themi ata elementë të Sigurimit të Shtetit që ishin futur në këtë parti dolën jashtë kontrollit të Ramizit. Dhe filluan të shtireshin edhe vetë si demokratë. Në këtë rast parodia e kësaj partie qëndron në faktin se ata vetë, pra sigurimsat filluan të besojnë se janë politikanë të aftë dhe demokratë. Pra, pasi dolën jashtë kontrollit të Ramizit ata nisën karrierën politike dhe shtetërore. Ndërkohë, Berishës i interesonte shumë ky sistem pune. Sepse i kishte në dorë për t’i poshtëruar apo për t’i trajtuar si lecka. Natyrisht, pasi i bënte ndonjëherë edhe ministra apo zëvendësministra për t’i bërë qejfin.

Sipas jush, cili është sot roli i këtyre spiunëve brenda Partisë Demokratike?

Ata e kanë bërë shumë mirë rolin e tyre. Sepse sot ata janë gati të përmbysin gjithçka vetëm për të mbuluar të kaluarën e tyre, apo vetëm për t’u shfaqur me një luk të ri. Për këtë arsye gjatë këtyre 21 vjetëve janë bërë tentativa të shumta për të zhdukur dosjet e spiunëve. Dhe këtë e kanë bërë vetë ata, nëpërmjet metodave apo njerëzve të tyre. Sepse tani, këtyre përfaqësuesve të ish Sigurimit të Shtetit i ka pëlqyer statusi i ri i zyrtarit, apo pushtetarit dhe nuk duan në asnjë mënyrë që t’u përmendet gjëkundi e kaluara. Këtu, natyrisht, unë dua të përmend se nuk kam asgjë individuale, apo personale ndaj tyre. Unë, personalisht, mendoj se detyra e punonjësit të Sigurimit të Shtetit ishte një mision ndaj vendit. Por të gjithë problemin e kam tek skema që ka ndjekur Ramizi për pluralizmin politik dhe për krijimin e partive të tjera në Shqipëri, pas vitit 1990.

Amund të na thoni disa nga emrat kryesorë të këtyre spiunëve të Sigurimit të Shtetit që militojnë sot në PD?

Këtë nuk mund ta bëj vetëm e vetëm se ligji i hapjes së dosjeve ende nuk është miratuar.

Grupi Nismëtar i Partisë Demokratike

Studentët: Azem Hajdari, Arben Lika, Tefalin Malshyti, Shenasi Rama, Blendi Gonxhja, Alma Bendo
Intelektualët:
Sali Berisha, Arben Imami, Preç Zogaj, Gramoz Pashko, Mitro Cela
Klasa punëtore:
Sokrat Nesturi, Ilir Myftari Merita Zaloshnja Zenel Hoxha
Më pas përfshihen dhe shtatë anëtarë të tjerë
Aleksandër Meksi, Arben Demeti, Genc Ruli, Eduart Selami, Bardhyl Reso, Petrit Dodbiba, Edmond Budina
Grupet e punës së ngritura më 14 dhjetor 1900
Grupi politik
Arben Imami
Blendi Gonxhe
Grupi organizativ
Arben Demeti
Grupi i Shtypit
Preç Zogaj
Mitro Çela
Grupi i Financave
Merita Zaloshnja
Grupi i sekretarëve
Eduart Selami
Ilenja Mëhilli
Grupi i shërbimeve
Arjan Manahasa
Ilir Dizdari

Nga: Ilir BUSHI

Sunday, December 4, 2011

Tensione në ceremoninë e Leka Zogut, i biri vetëshpallet si mbret mbi varrin e të atit


Leka Zogu II duke bërë betimin si mbret mbi varrin e të atit. Foto: Vlasov Sulaj
Në vend të fjalimit, gjatë varrimit bën vetëm betimin.
Unë, princi Leka II, betohem që do të jem në shërbim të kombit dhe të atdheut. Zoti më ndihmoftë”
Leka Zogu II vetëshpallet mbret mbi varrin e babait në Sharrë. Teksa pritej që të mbante fjalimin e lamtumirës së fundit për Leka Zogun I, në vend të tij ai ka bërë një betim të shkurtër. “Unë, princi Leka II, betohem para trupit të babait tim që do të ndjek rrugën e Mbretit Zog, e mbretit Leka I dhe do të jem gjithmonë në shërbim të kombit dhe të atdheut. Zoti më ndihmoftë!”, tha Leka Zogu II. Duke bërë gjestin e përshëndetjes mbretërore me dorë, ai mori kapelën ushtarake të familjes Zogu nga arkivoli i të atit, ndërsa të pranishmit komentuan menjëherë se ky ishte betimi i mbretit. Me të drejtë, pasi ky betim vërtet nuk ishte fjalë për fjalë ashtu siç e parashikon neni 56 i Kushtetutës së Monarkisë, por fillimi dhe përmbajtja e tij ishin thuajse të njëjta.
Betimi
“Unë (emri), Mbreti i Shqiptarëve, në minutën që hyp në fronin e Mbretërisë Shqiptare dhe marr në dorë pushtetet mbretërore, betohem para Zotit Fuqimadh se do të ruaj njësinë kombëtare, pavarësinë shtetërore dhe tërësinë tokësore; gjithashtu, do të ruaj Statutin e do të veproj pikërisht sipas atij dhe sipas ligjeve në fuqi, duke pasur parasysh gjithmonë të mirën e popullit. Perëndia më ndihmoftë”. Ky është betimi i plotë që parashikon Statuti Themeltar i Mbretërisë Shqiptare në vitin 1928, i cili duhet thënë para Parlamentit. Duket se për shkak të pamundësisë së përdorimit të Kuvendit, pasi tashmë Shqipëria është Republikë, Leka Zogu II zgjodhi varrin e të atit për t’u betuar, ku ishin të pranishëm qindra persona. Po ashtu, duket se betimi vjen i moderuar për shkak të ndryshimit të kushteve historike dhe politike. Megjithatë, burime konfidenciale nga Pallati Mbretëror na informuan se gjatë këtyre ditëve do të sqarohen dhe interpretohen sipas aktualitetit nenet e Kushtetutës Monarkiste, ndërsa Leka Zogun II nuk e mohojnë si mbret, por as e pohojnë dot zyrtarisht. Sipas tyre, në bazë të nenit 51, “Trashëgimi i Fronit Mbretëror i përket djalit më të madh të Mbretit dhe trashëgimia vazhdon brez pas brezi në vijë direkte, mashkull pas mashkullit”. Pra, menjëherë pas vdekjes së Leka Zogut I, Leka Zogu II është automatikisht mbreti i shqiptarëve. Toleranca kohore për betimin nis që nga momenti i vdekjes së mbretit deri në 10 ditë. Dje ishte dita e katërt…
Vetëm tri të shtëna
Homazhet në selinë e Kuvendit në nderim të pretendentit të fronit mbretëror, Leka Zogu I. Fotot: Vlasov Sulaj
Lindja e tij është shoqëruar me 101 të shtëna topi, edhe pse u largua vetëm dy ditë më pas nga Shqipëria, ndërsa për në banesën e fundit u përcoll vetëm me 3 të shtëna armësh. Pavarësisht njoftimeve se Leka Zogu I do të varrosej me statusin “Mbret i shqiptarëve jo në detyrë”, ndërsa ceremoniali do të zhvillohej me atributet si kryetar shteti, lamtumira që iu dha në Sharrë nuk i afrohej nivelit të premtuar. Shumica e pikave të protokollit nuk u zbatuan, ndërsa nga 21 të shtëna që ishin parashikuar, pati vetëm 3 të tilla. Nuk pati as ndonjë fjalim të gjatë, të posaçëm me këtë rast, përveç disa përshëndetjeve të kushëririt Skënder Zogu për Presidentin Bamir Topi, Kryeministrin Sali Berisha, kryeparlamentaren Jozefina Topalli dhe sidomos për kreun e Bashkisë, Lulzim Basha, Trupin Diplomatik, ministrat etj. Me pak vonesë, por duke kërkuar ndjesë, ai falënderoi edhe Presidenten e Kosovës, Atifete Jahjaga, që i ishte bashkuar dje gjatë gjithë ditës kortezhit qeveritar shqiptar. Gjithashtu, Skënder Zogu përmendi edhe dy emra jo shumë të njohur për publikun e gjerë, por legjendarë për historinë e monarkisë zogiste; komandant Ylli Spahiun që ka qenë 23 vjet në shërbim të mbretit dhe oficer Shehat Shehun.
Varrimi
Për shkak të frikës së dekompozimit të trupit, arkivoli nuk u hap në asnjë moment të ditës së djeshme, në mënyrë që të shihej veshja dhe sendet e futura në të. Megjithatë, familjarët na konfirmuan se Leka Zogu I është përcjellë me një uniformë ushtarake të Britanisë së Madhe dhe brenda janë futur disa nga sendet personale të tij. Arkivoli ishte i një tipi të thjeshtë dhe i mbuluar me flamurin kuqezi. Sipas amanetit, ai u varros në mes të nënës së tij, Geraldinës dhe bashkëshortes Susan Cullen. Pas ritualit të hedhjes së dheut, një korr i ardhur posaçërisht nga Kosova këndoi, ndër të tjera, vargjet: “Tani ke për t’u ndarë dhe kurrë s’ke më për t’u parë”. Me këto fjalë, profecia filloi… Të pranishmit u larguan për të mos e parë kurrë më “mbretin e shqiptarëve jo në detyrë”.
Afati kohor: Betimi që bëhet sipas Kushtetutës së Monarkisë
Sipas Statutit Themeltar të Mbretërisë Shqiptare, që u miratua më 1 dhjetor 1928, në nenin 51 thuhet se: “Trashëgimi i Fronit Mbretëror i përket djalit më të madh të Mbretit dhe trashëgimia vazhdon brez pas brezi në vijë direkte, mashkull pas mashkullit”. Ndërsa në nenin 58 përcaktohet afati kohor brenda 10 ditësh. Betimi përmban këto fjalë: “Unë (emri), Mbreti i Shqiptarëve, në minutën që hyp në fronin e Mbretërisë Shqiptare dhe marr në dorë pushtetet mbretërore, betohem para Zotit Fuqimadh se do të ruaj njësinë kombëtare, pavarësinë shtetërore dhe tërësinë tokësore; gjithashtu, do të ruaj Statutin e do të veproj pikërisht sipas atij dhe sipas ligjeve në fuqi, duke pasur parasysh gjithmonë të mirën e popullit. Perëndia më ndihmoftë”.
Si babai
Edhe Leka Zogu I nuk ka pasur një betim në Parlament, ashtu siç e parashikon Kushtetuta e Monarkisë. Teksa i biri i tij u betua dje publikisht para arkivolit se do të ndiqte rrugën mbretërore të të atit dhe gjyshit të tij, kjo deklaratë u cilësua si “vetëshpallje dhe betim solemn i Leka Zogut II si Mbret i Shqiptarëve, ashtu si dikur kishte bërë dhe i ati, vetëm se ky i fundit, në mërgim”. Leka Zogu I jetoi në mërgim duke shëtitur botën dhe në vitin 1993 erdhi për herë të parë në Shqipëri. Edhe pas kthimit, ai nuk arriti ta bënte betimin dot në Parlament për shkak të Shqipërisë si Republikë. Megjithatë, edhe pa këtë betim, ai u vetëshpall “Mbret i shqiptarëve”.
Jozefina Topalli
“Është detyrë e çdo kombi të njohë dhe të nderojë historinë e vet”, theksoi dje kryeparlamentarja Jozefina Topalli. Kuvendi informoi se ceremonia e mbajtur për nderimet e Leka Zogut I në hollin hyrës të sallës së seancave plenare, u bë në shenjë nderimi për historinë e Mbretërisë, si pjesë e historisë shqiptare.
Princi dhe Baroni
Në homazhet e ditës së djeshme ishin edhe Lartmadhëria e Tij, princi Paul i Rumanisë së bashku me princeshën, baroni Rafael Henri Estramant, si dhe përfaqësues nga Unioni Monarkist Italian, Sergio Boskiero. Ndërkaq, nga rezidenca mbretërore thonë se të gjitha mbretëritë e Europës kanë ngushëlluar tashmë me telegram.
Shila dhe Tarzani
Si nëpër filma, dy qentë e racës PitBull, që i përkasin familjes mbretërore, jo vetëm që ishin në homazhe për pak minuta në sallën e Kuvendit, por edhe qanin e nuk iknin andej. Siç na rrëfejnë familjarët, Shila dhe Tarzani nuk pranonin të hanin dhe të pinin më që nga dita kur Leka Zogu I ndërroi jetë, pasi kanë qenë shumë të lidhur me të.

Leka Zogu I, tensione në homazhe

Jepet lamtumira për pretendentin e fronit mbretëror shqiptar në selinë e Kuvendit të Shqipërisë.
Kryebashkiaku Basha: Nuk u negociua kurrë kurora mbretërore
.
Mes harmonisë fetare dhe tensioneve politike është dhënë dje lamtumira për pretendendin e fronit mbretëror shqiptar, Leka Zogu I. Në Kuvendin e Shqipërisë u zhvilluan homazhet në nder të tij, ku ende pa shkuar ora 10:00 u shfaq Leka Zogu II dhe e fejuara e tij, Elia Zaharia. Duke përfituar nga salla me pak njerëz dhe larg publicitetit, princ Leka puthi arkivolin e të atit që ishte mbuluar me flamurin shqiptar dhe i vuri sipër kapelën ushtarake. Të njëjtin gjest bëri dhe Elia, ndërsa më pas dyert u hapën zyrtarisht për homazhe. Të parët që janë shfaqur në derën e selisë së Kuvendit kanë qenë disa përfaqësues të klerit katolik dhe pas tyre, dhjetëra qytetarë, ku shpesh binin në sy kostumet popullore ose veshjet tipike të krahinës së Matit. Minutë pas minute nisën të shfaqen figurat publike, sidomos ministrat Aldo Bumçi, Eduard Halimi, Fatmir Mediu, Genc Pollo, Majlinda Bregu, Arben Imami. Teksa këta po dilnin, duket se ishte radha e socialistëve, që ashtu si ditëve të ngushëllimeve në rezidencën mbretërore, edhe në homazhe ishin vetëm katër: Pandeli Majko, Arben Malaj, Kastriot Islami dhe Andis Harasani. Pas tyre, një varg artistësh u panë njëri pas tjetrit, si: Timo Flloko, Margarita Xhepa, Rajmonda Bulku etj. Ora 11:00 mund të cilësohet edhe si koha e homazheve të Trupit Diplomatik në Shqipëri, pasi u panë në homazhe ambasadori amerikan Aleksandër Arvizu, ai i OSBE-së Eugen Volfarth, ajo e Polonisë Tatjana Tatarzynska. Në sy ra edhe prania e ambasadores së Britanisë së Madhe, Fiona Mclwham, si e deleguar e Mbretërisë nga vjen, e cila jo vetëm që qëndroi deri në fund të ceremonisë, por mori pjesë edhe në varrimin në Sharrë. Gjysmë ore pas këtyre vizitave, homazhet duket se arritën kulmin. Thuajse njëkohësisht mbërritën personalitetet shtetërore, që nga Presidenti Bamir Topi, Kryeministri Sali Berisha me bashkëshorten, kryeparlamentarja Jozefina Topalli, kreu i Bashkisë Lulzim Basha, kreu i LSI-së Ilir Meta me bashkëshorten dhe ministrin e Jashtëm Edmond Haxhinasto, si dhe Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga. Ardhja e tyre e njëkohshme krijoi konfuzion dhe tension, siç ishte në rastin e Presidentit Topi dhe Kryeministrit Berisha. Duke dashur që të shmangë përballjen, Topi është vonuar disa sekonda në hyrje, për ta ndjekur vetëm 4-5 metra më pas. Pavarësisht përpjekjeve, ata u janë nënshtruar rregullave zyrtare në oborrin e Kuvendit, ku kanë shtrënguar duart formalisht, ndërsa në mes tyre qëndroi Presidentja e Kosovës. Ndërkaq, acarimi i dytë politik është vërejtur në hollin e Parlamentit, teksa trupi i pajetë i Leka Zogut I po nxirrej jashtë, ku e prisnin katër përfaqësuesit e besimeve fetare në vend për lutjen e shpirtit. Kamerat ishin larguar dhe brenda ndodhej një grup i ngushtë qeveritarësh, ndër të cilët Jozefina Topalli, Edmond Haxhinasto, Arben Imami, Aldo Bumçi, kryebashkiaku Lulzim Basha etj. Nga disa metra më tutje dëgjoheshin zëra me ton pak të ngritur dhe gjeste të tensionuara mes Topallit e Bashës dhe njëkohësisht mes Topallit dhe Haxhinastos. Persona që ndoqën nga afër debatin thanë se “Topalli u nervozua për shkak të lutjeve fetare brenda ambienteve të Kuvendit”. Ndërsa një variant tjetër dëshmie, ishte se ajo ka dashur të mësojë nga Haxhinasto se pse Protokolli i Shtetit kishte caktuar Bashën të mbante fjalën e rastit në institucionin që drejtohet prej saj, pa u lajmëruar. Nuk dihet se çfarë ka thënë Basha, pasi ai u largua dhe e la Topallin me Haxhinaston për sqarim. Vetë ai shkoi të këshillohet me ministrat e caktuar nga protokolli për organizimin e ceremonisë shtetërore, ku pas disa minutash doli me një letër dhe mbajti fjalimin e rastit. Kryebashkiaku e cilësoi Leka Zogun I si një figurë themelore për aktet shtet-formuese të Shqipërisë. Ai vlerësoi lart figurën e tij dhe kontributet e familjes mbretërore për Shqipërinë dhe Kosovën. “Jemi sot për t’u ndarë përgjithmonë nga princi shqiptar Leka Zogu I. Dëshiroj të theksoj se kurorën e Shqipërisë mbretëria nuk ia dha askujt, as Ahmet Zogu dhe as Leka Zogu nuk negociuan kurrë kurorën mbretërore, duke e cilësuar kurorën si pronë të kombit shqiptar. I paharruar qoftë kujtimi i tij! U prehtë i qetë në tokën arbërore!”, tha ai dhe fjala e tij shënoi përfundimin e homazheve.
Kronologjia
Ora 09:55
– Princ Leka dhe e fejuara, Elia Zaharia, hyjnë në sallën e Kuvendit dhe në intimitet i japin lamtumirën Leka Zogut II.
Ora 10:00 – Hapet zyrtarisht ceremonia e homazheve. Vjen kleri katolik, dhjetëra qytetarë nga krahina të ndryshme, por sidomos nga Mati dhe Presheva, të cilët mbanin parulla.
10:30 – Koha e vizitës së demokratëve, kryesisht ministrat Aldo Bumçi, Eduard Halimi, Fatmir Mediu, Genc Pollo, Majlinda Bregu, Arben Imami.
10:45 – Koha e vizitës së socialistëve Pandeli Majko, Arben Malaj, Kastriot Islami dhe Andis Harasani.
10:50 – Koha e vizitës së artistëve: Timo Flloko, Margarita Xhepa, Rajmonda Bulku, Frederik Ndoci etj.
Ora 11:00 – Kohë ambasadorësh. U vu re prania e ambasadorit amerikan Aleksandër Arvizu, ambasadori i OSBE-së Eugen Volfarth, ambasadorja e Britanisë së Madhe, ambasadorja e Polonisë etj.
Ora 11:30 – Koha e shtetarëve dhe qeveritarëve. Mbërrijnë thuajse njëkohësisht: Presidenti Bamir Topi, Kryeministri Sali Berisha me bashkëshorten Liri, kryeparlamentarja Jozefina Topalli, kreu i Bashkisë Lulzim Basha, kreu i LSI-së Ilir Meta me bashkëshorten dhe ministrin e Jashtëm Edmond Haxhinasto, si dhe Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga.
Ora 12:10 – Pas homazheve në Kuvend, që vazhduan për rreth dy orë, katër përfaqësuesit e besimeve fetare në vend u lutën për shpirtin e Leka Zogut I.
Ora 12:20 – Pas lutjeve të përfaqësuesve të besimeve fetare, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, mbajti një fjalim lamtumire përpara qindra të pranishmeve në oborrin e Kuvendit, ku u zhvilluan ritet e fundit para trupit të Leka Zogut.
Ora 12:50 – Trupi i Leka Zogut I u përcoll në bulevardin “Zhan D’Ark”, bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, sheshin “Skënderbej”, për t’u drejtuar më pas në Varrezat e Sharrës.
Ora: 13:30 – Kortezhi i makinave për varrimin e Leka Zogut të Parë mbërriti në Varrezat e Sharrës. Pas 20 minutash ceremoni, ai u varros pranë nënës dhe gruas së tij.
PS me dy qëndrime për homazhet ndaj Leka Zogut
Majko-Braçe, pro dhe kundër në Facebook për princin

Partia Socialiste nuk mori pjesë zyrtarisht në homazhet dhe ceremoninë e varrimit të Leka Zogut I, por qëndrime pro dhe kundër ndaj këtij pozicionimi nuk kanë munguar. Pandeli Majko dhe Erjon Braçe, të dy anëtarë të Kryesisë së PS, ndajnë qëndrime të kundërta. Majko, i cili ishte privatisht në homazhet për Leka Zogun, e cilëson atë patriot. “Për mua ishte një burrë i veçantë dhe patriot. E konsideroja mik”, shprehet Majko në faqen e tij në Facebook. Ndërsa Erjon Braçe ironizon maxhorancën dhe qeverinë për respekt të monarkut nga një Republikë Parlamentare. “’Republika’ po mban ‘zi’ për ‘mbretin’! Kjo që po shoh është dhunim i Kushtetutës: Kuvendi i Republikës ka ulur flamurin në mes të shtizës për mbretin; Presidenti i Republikës ka ulur flamurin në mes të shtizës për mbretin; Kryeministri i Republikës ka ulur flamurin në mes të shtizës për mbretin! Janë në garë se kush është më i djathtë; pra janë në garë për ca vota! Mbulohen duke thënë se po zbatojnë një ligj të thjeshtë për ceremonialin shtetëror!”, shprehet Erjon Braçe në Facebook. Por, anëtari tjetër i Kryesisë socialiste ndan tjetër mendim. “Pse jemi kështu!? Partia Socialiste në 1997 më dërgoi të prisja Leka Zogun (PD nuk erdhi). Më 2002 ishim po ne socialistët që u bëmë garant për rikthimin përfundimtar të kësaj familjeje në vendin e të parëve të tyre. Në 2003 maxhoranca e majtë votoi një ligj për statusin e kësaj familje… Kaq i rëndë qenka një ngushëllim?! Po nuk falëm njëri-tjetrin, nga kush do na vijë ‘pajtimi’ i shumëfolur…?”, shprehet Majko në Facebook, duke sqaruar dhe vajtjen e tij në këto homazhe.
ELISABETA ILNICA