Saturday, February 18, 2012

Replikë me një diletant të historiografisë


Nga leximi i shkrimit kuptohet se është intelektual, publicist, por është një intelektual i profilit të ulët. Artikulli nuk është kritik. Kritika është një gjë normale. Ai nuk kritikon. Ai shfren urrejtje, fyen, poshtëron, ai është i hidhur, halucinant. Nuk duhet të marrë pozën e një autoriteti në fushën e historisë. Është vetëm një diletant që hyn nga dera e prapme në histori. Nuk ka haber nga normat më elementare të historiografisë. Nuk i njeh burimet kryesore të ngjarjeve të periudhës dhe injorancën e shet për erudicion. Nuk i pëlqen ditari i Cianos, se është “fashist”; as “Tomorri”, se është gazetë.

Arben Puto
(Reagim ndaj artikullit të Ardian Ndrecës, botuar në gazetën MAPO në datat 15 dhe16 shkurt)
Unë e dëgjoj për herë të parë këtë emër. Më thonë se nuk është historian. Atëherë e ka aq më të lehtë të më bëjë humbës të historisë dhe të më ngelë në klasë. A ka lexuar ndonjë libër tjetër nga librat e mi, veç këtij?
Herë-herë nuk bën kritikën e librit, del krejt jashtë temës dhe bën digresione në politikën e madhe në Europë dhe në botë: Stalin, Molotov, Ribbentrop, Leon Blum, deri te japonezi Matsuaka.
Artikulli ka vetëm një kuptim: autori nuk më fal që libri denoncon kolaboracionizmin. Nuk i fsheh simpatitë, jo vetëm për kuislingët që dhurojnë hektarë toke shqiptare (Sh. Verlaci), por edhe për Mussolinin e Hitlerin, që “admiroheshin” për qëndrimin antibolshevik.
Se çfarë konceptesh ka ky intelektual, del edhe kur flet për angazhimin tim në fushën e të drejtave të njeriut. Nuk është “konvertim”; asnjëherë nuk jam penduar për zgjedhjet që kam bërë që në rini. Të rinjtë ishin për një Shqipëri të pavarur, të përparuara dhe për një shoqëri të drejtë. Të drejtat e njeriut janë një pjesë e pandarë e shoqërisë së drejtë. Bëra thirrje për vendosjen e pluralizmit dhe për lirimin e të gjithë të burgosurve dhe të internuarve politikë. Ai përflet veçanërisht mbrojtjen e të drejtave të atyre që ai quan me përçmim “grekofonë”.
Artikullshkruesi është antikomunist, por jo edhe antifashist. Është avokat i kolaboracionizmit. Kolaboracionistët dhe kuislingët kanë dalë përpara gjyqit të historisë dhe nuk do të rehabilitohen kurrë.
Historinë e atyre viteve e bëri Lëvizja e Rezistencës, Lufta Nacionalçlirimtare, që e shpëtoi Shqipërinë nga një copëtim i dytë me Jugun në dorë të Greqisë.
Le të vazhdojë me monolog.

Lufta e humbun e Arben Putos me historinë 2


Kur flet për Koliqin, Putoja improvizohet si nji kritik letrar (f.155), shi prej atyne që kishin dikur “shtëpitë e kulturës” së katundeve. Kalon me dy rreshta kontributin personal të Koliqit në zhvillimin e arsimit në Kosovë, ndërsa botimet e randësishme që u banë në kohën që ai ishte ministër nuk i kujton aspak. As që e përmend nji dëshmi të Petro Markos (shih: Intervistë me vetveten, Tiranë 2000, ff. 405-406), ku shkrimtari disident tregon sesi Koliqi i shpëtoi jetën kur gjermanët donin me e pushkatue në Romë, dhe sesi ndihmonte miqtë e Markos, komunista malazezë dhe grekë tue i pajisë me pasaporta shqiptare për me i lejue me ikë prej Italijet. Putoja duket se e ka shikimin e mveshun prej pasionit politik dhe prej urrejtjes, mbasi deri edhe te didaskalia e fotos (f.157), ngatërron Koliqin me Terenc Toçin, apo citon burime të paverifikueshme, tue i klasifikue si “konfidenciale”, kupto të Sigurimit të Shtetit shqiptar (f.160).

Ardian Ndreca
Tingëllon çuditshëm përkufizimi i fashizmit që sjell Putoja: “një sistem në të cilin çdo gjë është për shtetin, asgjë nuk është jashtë shtetit, asgjë dhe askush nuk janë kundër shtetit” (f.156). A s’ishte vallë ky koncept identik me atë të komunizmit? E me mendue se përkufizimi i masipërm asht i Mussolinit. Koncepti i shtetit në regjimin në të cilin Putoja ka shërbye me devotshmëni nuk asht aspak i ndryshëm prej atij që përcakton Mussolini.
Putoja citon Morozzo della Rocca-en edhe përsa i përket At Anton Harapit. Asht e çuditshme sesi ai sjell të gjitha gjykimet negative të Morozzo della Rocca-s për Harapin, të cilat nuk i referohen asnji burimi të mirëfilltë historik. Ndërsa kur Morozzo della Rocca, tue iu referue nji dokumenti të ruejtun në Bundesarchiv-Militärarchiv (Freiburg im B.), sjell gjykimin që kishte Wehrmacht-i për Harapin si: “nacionalist i zjarrtë dhe anglofil i pandehun” (glühender Nationalist; angeblich anglophil) – Putoja nuk e citon aspak (shih: Morozzo della Rocca, bot. cit., f.205, nota 95).
Nuk besoj se nji histori e mirëfilltë shkencore mund të shkruhet kështu siç vepron Putoja. Kam frikë se po të kishte qenë në krye të Bankës Shqiptare, Putoja do t’i kishte shtypë kartëmonedhat vetëm nga njena anë.
Gjithnji tue citue Morozzo della Rocca-n, Putoja e njollos Fishtën si spiun të sivëllazënve të tij pranë autoriteteve fashiste. Asht e çuditshme, por as Morozzo della Rocca (bot. cit., f.166) dhe as Putoja (shih f.165) nuk e mbështesin nji akuzë të tillë denigruese në asnji dokument historik.
Morali: historia e tyne asht nji histori shpifjesh e asgja ma tepër!
Ndërkaq Putoja përsërit në mënyrë jokritike nji absurditet tjetër të Morozzo della Rocca-s, i cili sheh nji dualizëm mes Fishtës dhe Ballit Kombtar (f.166). Morozzo della Rocca-s do t’i kishte mjaftue me dijtë vetëm pak shqip për me marrë vesht se Fishta ka vdekë në dhjetor në vitit 1940, ndërsa Balli Kombtar asht krijue në vitin 1942! Ndërsa Putos do t’i kishte mjaftue me përdorë sadopak arsyen për mos me përsërit teza kaq absurde.
Nuk po flasim për lajthitjet e thjeshta të Putos, p.sh. në vend të Antonio Baldacci-t përmend nji Giovanni Baldacci që s’ekziston (f.148); apo flet për “lektorët romakë” (f.156) që i paskan dhunue shpirtin Koliqit! Ndoshta ndonji lektor historiet do të kishte ba mirë me pasë shikue në kohë shtypajt e librit të Putos, përpara se të na servirte këto mrekullina.
Lajmi i “tmerrshëm” që ai na sjell asht telegrami shumë i përfolun i Fishtës, i cili njihej, pse asht botue te Hylli i Dritës. S’kam ndërmend me ba nji apologji të Fishtës përpara atyne që ma s’parit u janë shitë kambë e krye jugosllavëve të Titos, mandej Stalinit, mbas tij Mao Ce Dunit e mandej vetë dreqit, pse edhe nji gjysëm i shkolluem stepet përpara akuzave të tilla që s’mund të mohojnë veprën patriotike e letrare të Fishtës, të cilën s’e cënon nji telegram i vetëm urimit. Së pari, duhet t’i tregojmë historianit militant Puto se përceptimi i figurave të Mussolinit dhe Hitlerit në vitin 1939 nuk ka qenë i njejtë me përceptimin që ne kemi sot. Në anën tjetër, historiani nuk mund të gjykojë nji epokë të kalueme me kriteret dhe vlerat që ne kemi sot. Sa për ilustrim, i kujtojmë Putos se Léon Blum, hebre socialist i S.F.I.O. shkruente në të përditshmen Le Populaire në vitin 1933, menjiherë mbas marrjes së pushtetit prej Hitlerit, se ky nuk do të ishte i rrezikshëm. Vetë Churchilli gjatë vizitës në Romë do të shprehej se admironte politikën e Mussolinit dhe qëndrimin e tij antibolshevik. Historianë si Henri Massis, eseista si Gonzague de Reynold vlerësonin te Mussolini qëndrimin antikomunist dhe rilindjen e qytetnimit romak; shkrimtarë si E. Waught, H. Miller, E. Pound shprehnin haptas admirimin për të. Këto vlerësime ishin shumë të përhapuna deri në fillimin e viteve ’40, mbasi te Mussolini shihej e ashtuquejtuna “rruga e tretë”, e mesmja mes komunizmit dhe demokracive parlamentare.
Meqë Putoja i thotë vetes historian, dhe duhet ta njohin landën e vet, ne e pyesim çka mendon për faktin se me 28 shtator 1939, me rastin e ndamjes së Polonisë mes Gjermanisë naziste dhe BRSS, forcat sovjetike dhe ato naziste festojnë me nji paradë ushtarake të përbashkët në qytetin tashma kufitar të Brestit? Çka mendon Putoja për telegramin që Stalini i dërgon Hitlerit me 17 qershor 1940 tue e përgëzue për marrjen e Parisit dhe mposhtjen e Francës?! Çka mendon për faktin se Kominterni përpara 22 qershorit 1941 nuk ka nxjerrë asnji direktivë kundër regjimit nazist? A din me na tregue Putoja nji dokument të vetëm, përpara 22 qershorit 1941, të grupit komunist të Enver Hoxhës ku dënohet nazizmi dhe Hitleri? Çka mendon për faktin se treni i fundit me drith prej BRSS, drejtue në Gjermaninë naziste, kalon kufinin sovjetiko-gjerman në mesnatën e datës 21 qershor 1941 dhe se importi ma i madh i Gjermanisë naziste ishte me BRSS?
Si e gjykon Putoja bisedën ndërmjet von Ribbentropit dhe Stalinit e Molotovit natën e 23 gushtit 1939, kur, ndër të tjera, ministri i Jashtëm i Reich-ut i thotë Stalinit se pakti anti-Komintern nuk kishte si qëllim me u drejtue kundër BRSS por kundër demokracive perëndimore, dhe Stalini përgjegjet se ai pakt ka friksue Londrën dhe tregtarët e vegjël britanikë. Atëherë von Ribbentrop shton se edhe Stalini shumë shpejt do të bashkohet me atë pakt! Stalini, shkruen në verbalin e tij zv/sekretari gjerman i shtetit për punët e jashtme A. Hencke, propozon në mënyrë spontane nji dolli për Hitlerin tue thanë: “E di sesa shumë e don populli gjerman Führerin e vet; prandaj do të pi për shëndetin e tij”. Të gjitha këto dokumente, pjesë e arkivit të MPJ të Reich-ut III, tashma janë botue prej Raymond James Sontag dhe James Stuart Beddie.
A din Putoja se kryeministri francez E. Daladier, mbas paktit Ribbentrop-Molotov, e nxori jashtë ligjit Partinë Komuniste franceze, mbasi kjo e fundit nuk pranoi me dënue politikën e Stalinit ndaj Hitlerit?!
Sigurisht të gjithë këto gjana Putoja nuk ka pasë se ku me i lexue, pse nuk gjinden në Arkivin e MPJ të Tiranës, ku ai ka bubrrue për me shkrue pamfletin e tij qesharak!
Çka mendon Putoja, meqë asht studiues telegramesh, për telegramin që konti Schulenburg, ambasador gjerman në Moskë, i drejton eprorëve të vet me 13 prill 1941. Ambasadori Schulenburg kumton në atë telegram sesi vetë Stalini kishte dalë me përcjellë ministrin e Jashtëm japonez Matsuoka, të cilit diktatori sovjetik e kishte sigurue se ishte nji mbështetës i bindun i forcave të Boshtit dhe kundërshtar (Gegner) i Anglisë dhe Amerikës. Ndërkaq, vijon Schulenburg, Stalini m’u afrue, më hodhi dorën në shpatulla dhe më tha: “Ne duhet të mbesim miq në çdo rast (auf jeden Fall) dhe ju duhet të bani gjithçka për ketë qëllim”.
Tue u kthye te libri i Putos, mundena me thanë se nuk janë të pakta pohimet ilogjike dhe jokoherente që ai ban. Për shembull, ai pohon: “I mirënjohuri E. Venizelos, politikani me prestigjin më të madh për mbrojtjen e paepur që i pati bërë “Megali Idesë” panhelenike në konferencat ndërkombëtare…” (f.19).
“I mirënjohuri” i kujt? Nuk kuptohet nëse Putoja e ndien veten grek apo shqiptar për me u shprehë kështu! Dikund tjetër, mbasi asht mundue me provue se pushtimi italian i hoqi pamvarësinë Shqipnisë, ai pohon se “bashkimi është fiktiv” (f.190).
Duket qartë se ka disa momente që profesor Putoja nuk takon aspak!
Ma tutje ai mohon vërtetësinë e neutralitetit shqiptar mbas 14 shtatorit 1943, tue thanë se Shqipnia nuk ishte neutrale si Zvicra (f.202). Putoja harron, e me mendue se ka qenë specialist pranë MPJ të regjimit komunist, se asokohe nuk ekzistonte vetëm nji lloj neutraliteti, mbasi edhe Turqia ishte neutrale ndryshe prej Zvicrës, edhe Persia ishte shtet neutral dhe si e tillë u pushtue prej anglo-sovjetikëve në gusht të vitit 1941!
Prap si specialist i marrdhanjeve ndërkombtare ai kundërshton shprehjen “grusht shtetit” në deklaratën e shkurtë që Kuvendi kombtar bani me 16 shtator për me spjegue shkëputjen prej Italisë dhe rimarrjen e prerogativave themelore të sovranitetit. Putoja, për shkak të moshës, duhet ta mbajë mend se me 8 shtator 1943 në Itali nuk ra shteti, u shpall vetëm nji armëpushim, vendi u nda dysh, në jugun e marrun prej Aleatëve dhe në veriun e Republikës së Salòsë, prandaj edhe akti i Asamblesë kombtare në Tiranë ishte formalisht nji “grusht shtetit”, pse i hiqte Italisë çdo të drejtë mbi sovranitetin shqiptar. Mos të harrojmë se Libia, për shembull, mbetet de jure koloni italiane deri në vitin 1947.
Ma poshtë Putoja, tue ju referue si gjithmonë O. Pearson-it, shkruen: “Njësitë partizane kryen aksionin e parë në Drashovicë, pikërisht ditën e mbledhjes së Komitetit Ekzekutiv në Tiranë, më 14 shtator. Zunë barakat ushtarake dhe çliruan 7000 robër ushtarë italianë që u bashkuan me partizanët” (f.210).
Ngjarjet në të vërtetë kanë ndodhë ndryshe. Sulmi partizan i batalionit “Halim Xhelo” dhe “Ismail Qemali” kundër kampit të Mavrovës, për të marrë municionet panumërta që nji ploton gjerman ruente së bashku me 7 mijë robët italianë, shkaktoi viktima të panumërta mes robëve, por edhe i liroi ata prej gjermanve. Megjithatë, disa autoblinda gjermane që mbërritën me shpejtësi prej Vloret hodhën në erë depon e municioneve tue shkaktue nji numër të madh të vramësh e të plagosunish. Askush nuk mund të flasin për numrin e italianëve që u bashkuen me partizanët, pse pjesa ma e madhe u lëshuen me ikë përgjatë lumit, nji pjese iu grabitën këpucët dhe teshat, ndërsa me qindra të plagosun u lanë në mëshirën e fatit. Nji oficer italian, i cili mjekonte Hysni Kapon që kishte thye kambën, i kërkoi këtij të fundit disa mushka dhe njerëz për me tërheqë të plagosunit. Ku asht pra gjithë ai heroizëm për të cilin flet me aq patos Putoja!
A thue e din Putoja se partizanët kishin krijue në Punëmirë, në veriperëndim të Voskopojës, nji kamp përqendrimi për ushtarët italianë, të cilët mbaheshin në kushte çnjerzore, me shumë pak ushqim dhe detyroheshin me punue në shërbim të komandës së kampit! Figura ma e urryeme e kampit të Punëmirës ishte komisari i komandës partizane të Voskopojës, nji kriminel sadist, që përdorte gjithfarëlloj torturash mbi robët italianë. Ma vonë nji sulm gjerman detyroi partizanët me ia mbathë e vetëm atëherë robët fituen lirinë dhe u nisën drejt bregdetit, por shumica vdiqën rrugës.
Edhe pse beteja e Putos me historinë asht krejtësisht e humbun, Klioja, muza e historisë, para se me e shpallë të mundun, e nxjerr edhe qesharak. Qe se çka shkruen ai: “Ky ishte Operacioni i Dimrit që zgjati tre muaj nga dhjetori deri në prill1944” (f.217).
Dhjetor – prill tre muej!? Putoja mirë se ka probleme me historinë, por edhe në aritmetikë nuk e kalon lehtë klasën!
Xh. Deva, për të cilin nuk kemi simpati as si politikan dhe as si inxhinier, quhet kudo në libër “terrorist” (ff. 219, 224 etj.). Sigurisht mbi të bjen përgjegjsia e nji akti terrori siç asht 4 shkurti. Po pse nuk quhet edhe Mehmet Shehu terrorist? Trimi i Çorrushit vrau krejt kot 67 nacionalista në Lushnjë, për ketë masakër madje ai do të bante autokritikë në plenumin e nandorit të vitit 1953. Përposë kësaj, Shehu pushkatoi me 2 prill 1943, 44 rob italianë. Jo vetëm, por pushkatoi me 5.6.1943 afër Çorrushit nënkolonel Ricci-n dhe kapitenin Raffaele, që mbaheshin si pengje, madje ketë të fundit e kishte pasë shok kursi në akademi.
A nuk ishin terrorista komandantat partizanë Kadri Hoxha dhe Xhelal Staravecka, që pushkatuen 110 rob italianë të drejtuem prej nënkolonel Gamucci-t, që kërkonin me u bashkue me forcat partizane për me luftue gjermanët! Teshat dhe gjanat personale të robëve u ndanë mes partizanëve. Staravecka, për me shpëtue veten, do të dëshmojë në gjyq në Itali, në vitin 1952, se urdhni për pushkatim erdhi nga nalt.
Keto janë “dekorimet” për të cilat flitet në fonogramet e Enver Hoxhës, për të cilin Putoja nuk shpreh asnji gjykim, nuk jep asnji opinion.
Deri para 20 vjetësh ky libër i Putos do të kishte qenë i përshtatshëm me u lexue në “forma edukimit”, sot ai s’vlen asnji lek, pse asht thjesh propagandë ideologjike, e cekët, pa ide, pa horizont historik, pa kulturë, pa kujtesë, pa inteligjencë dhe mbi të gjitha pa ndershmëni qytetare dhe intelektuale.
Leximi i këtij libri qe për ne nji humbje e madhe kohet, por i nevojshëm për me tregue sesa marrina e sa paturpsina mbërrijnë me shkrue ende historianët mjerana, bishtukët e regjimit kriminal të Enver Hoxhës.

Lufta e humbun e Arben Putos me historinë


Vitin e fundit disa gazetarë kanë botue libra me karakter historik dhe prej atyne që un kam lexue veçoj atë të Ilir Ikonomit kushtue Faik Konicës, libër i shkruem me kulturë, me stil tregimtar të pëlqyeshëm, i mbështetun në fakte dhe pa gjykime emocionale. Para pak kohësh doli në qarkullim nji libër i autorit Arben Puto me titull “Lufta italo-greke. Diktatorë e kuislingë”. Mbas leximit të vemendshëm të librit të Putos, konstatova se teksti i tij, edhe pse ai asht historian, nuk barabitet as me atë të Ikonomit e të ndonji tjetri, pse Putoja në librin e tij kur shkruen si historian thotë gjana të stërdijtuna, kur thotë gjana të vetat resht së qeni historian dhe kthehet edhe nji herë në radhët e nji partie që mbështetej në rrena, shpifje, banalitete të cekta e nëpërmjet tyne ushqente gjykime të mangëta e të shtrembta historike.

Ardian Ndreca
Prej titullit libri premton se do të sqarojë çeshtjen e konfliktit italo-grek. Në të vërtetë ai e anashkalon me nji shpengesë të çuditshme ketë luftë, tue mos ofrue të dhana as për forcat (armatat) në fushën e betejes, as për dislokimin e tyne, as për kontaktin mes ndërluftuesve dhe as për betejat ma të randësishme. Nga ana tjetër ai nuk jep asnji pasqyrë të besueshme, të mbështetun në të dhana konkrete, për pjesmarrjen e shqiptarëve në atë konflikt. Për shembull prej këtij libri nuk mëson se komandanti i forcave të armatosuna italiane në Shqipni, gjenerali U. Soddu, me nji urdhën sekret të datës 22.11.1940 autorizonte krijimin e “nuclei armati albanesi” me qëllim, jo pjesmarrjen në operacione luftarake, por mbrojtjen e territorit dhe ruejtjen e rendit publik. Këto forca përbaheshin prej 400 mirditasish, 100 matjanësh, 200 peshkopiasish dhe 200 çorovodasish të armatosun me pushkë mod. 91 dhe të paguem me nga 100 frang ar në muej (drejtuesit me 200 fr. ar.). Puto pretendon me folë për nji konflikt që ai vetë nuk e njeh në termat që duhet ta njohin nji historian. Për shembull flet për dezertimet e shqiptarëve, por nuk njeh as shkaqet dhe as masat e marruna. Po të kishte lexue dokumentat arkivore do të kishte mësue se dezertorët shqiptarë vinin ma së shumtit nga radhët e ushtarëve të zonave operacionale, siç njofton gjen. Geloso komandën e përgjithshme në nji telegram të datës 3.12.1940, ku flet edhe për zëvendsimin e tyne me elementë të zonave tjera. Putoja nuk flet për organikat dhe veprimet e batalioneve Dajti, Taraboshi, Gramozi, psh. nuk din se ky i fundit në qershorin e 1940 kishte 20 oficera, 20 nënoficera dhe 629 ushtarë, dhe komandohej prej maj. Rexhep Gjilanit e ma vonë prej maj. Adem Boletinit.
Solla këto pak fakte për me nënvizue se autori mëton me shkrue historinë e nji lufte që s’e njeh aspak përmes dokumenteve të dorë së parë. Ai nuk ka pa asnjiherë dokumentat e shtatmadhorisë italiane dhe asaj greke, nuk njeh literaturën përkatëse dhe madje as dëshmitë e atyne që kanë marrë pjesë direkt në atë konflikt apo kanë shkrue rreth tij, si për shembull: A. Serra, F. Benanti, G. Bonomo, E. Bucciol, M. Coltrinari, L. Ferrari, R. Gatti, A. Comel, A. Ventura, M. Laureati, G. Fusco, R. Panetta, V. Azzi, M. Rigoni Stern etj.
Gjithë pjesa e parë e librit s’asht tjetër veçse nji përsëritje gjanash të dituna: kush ishte Mussolini, kush ishte Hitleri. Mund të themi se deri në faqen 23, autori nuk ka thanë asnji gja të re apo të randësishme që mund të shkojë përtej nji libri shkollor të klasave të ulta. Për me besue ketë që un pohoj, mjafton leximi i 23 faqeve të para.
Bahet fjalë për nji libër plot me vlerësime emocionale që synojnë me denigrue me çdo kusht të gjithë ata që nuk i përkasin palës politike të autorit. Për shembull, Vërlaci quhet “beu i shumë flamurëve” (sic, f. 39). Për Konicën pohohet se aktiviteti i tij diplomatik ishte diçka e “dorës së dytë”, nji aktivitet “krejt i shpërfillun”, dhe në ketë konkluzion Putoja arrin mbasi: “Në Arkivin e Ministrisë së Jashtme, në Tiranë, nuk është gjetur asnjë raport mbi veprimtarinë si diplomat” (f. 177). Edhe nji student i vitit të parë të historisë e din se nuk mund të organizojnë argumentime tue u nisë prej mosnjohjes së fakteve nga ana e tij. Ex silentio nuk mund të ndërtohet asgja pozitive, sidomos pohime të tilla të rreme.
Denigrimi që Putoja përpiqet me i ba Konicës, i ka rranjët përtej injorancës së tij, ai buron prej sensit të inferioritetit dhe prej metodës së “prozhmimit me çdo kusht” që karakterizon historianët komunista. Në fakt Putoja e njeh librin e Ilir Ikonomit, nepërmjet të cilit mund t’i kishte plotsue mangësitë e tij në lidhje me aktivitetin diplomatik të Konicës. Asht e çuditshme sesi, me dashje apo padashje, Putoja nuk mbërrin me e citue saktë as edhe nji herë të vetme emnin e autorit të atij libri të vlertë.
Ma poshtë, në faqet 178-185, Putoja nuk ban tjetër veçse perifrazon I. Ikonomin.
Në librin e Putos flitet për gjyqin e Jacomonit të zhvilluem në Itali mbas lufte (ff. 59-60, 63-64), por autori nuk njeh promemorien e botueme prej vetë ish-Mëkambësit mbas atij gjyqi. Quen Jak Koçin nji “individ anonim” (f. 60), gja që tregon se nuk njeh aspak rolin e këtij individi, negativiteti i të cilit asht i dukshëm gjatë gjithë traktativave mes Zogut dhe italianëve. Ndoshta Putos do t’i kishte shërbye në ketë drejtim libri me kujtimet e Alessandro Lessona-ës (Memorie, Firenze 1958), por me sa duket as atë nuk e ka gjetë në Arkivin e MPJ në Tiranë!
Në faqet 72-75, 80-87, nuk thotë asgja të re. Ah, po! Në nji shenj vendit autori e ka pa të arsyeshme me sjell tekstin e plotë të kangës “Faccetta nera” (f.77), studimi i së cilës me siguri do t’i hapin horizonte të reja lexuesit shqiptar për me kuptue luftën italo-greke dhe kuislingët!
Burimet e tij të dorë së parë janë shumë të kufizueme. Libri mbështetet kryesisht në pak autorë që sillen mbarë e mbrapsht simbas nevojave ideologjike të Putos. Së pari kemi kujtimet e Ciano-s, pohimet e të cilit merren si ar i kulluem, edhe pse ai ka qenë fashist dhe megaloman i pashembullt, por ndoshta kjo asht arsyeja që Putoja e parapëlqen. Nji tjetër autor, i “plaçkitun” pa mëshirë prej Putos, asht O. Pearson, mbi tekstin e të cilit bazohet 1/3 e librit të Putos. Në qoftë se do të lexoni Puton, s’keni nevojë me lexue Pearson, e po lexuet ketë s’ka çka ju duhet Putoja vetë.
Nji tjetër libër që simbas Putos përban burim të besueshëm për historinë tonë të asaj kohe asht R. Morozzo della Rocca, i cili na paska dhanë “nji pasqyrë shteruese” (f.162), anipse s’din as gjuhën shqipe! Që Morozzo della Rocca-ës nuk mund t’i besohet me sy mbyllë, po ju sjell vetëm disa shembuj prej librit të tij “Nazione e religione in Albania” (ed. Besa, Nardò 2002). Për Zogun, ky autor shprehet se për me u “oksidentalizue”, eliminoi pjesën arabo-turke të emnit Ahmet, dhe modifikoi Zogolli në Zogu, gja që acaroj shumë Ataturkun (bot. cit., f. 90). Nuk e dijmë që Zogu ta ketë eliminue emnin e tij Ahmet pse i qenka dukë i shëmtuem! Dikund tjetër Morozzo della Rocca thotë se At Anton Harapi po mbaronte (it. spasimava) për me u ba regjent (bot. cit., f. 189). E keqja asht se ky pohim i tij nuk mbështetet në asnji dokument. Ndërsa e keqja ma e madhe qëndron në faktin se Morozzo della Rocca nuk njeh deklaratën në të cilin Harapi spjegon pse ka marrë atë detyrë, madje ai nuk e din se Harapi e merr atë detyrë me kusht që mos me firmosë dënime me vdekje. Ka edhe ma, as ai as Putoja nuk e dijnë se Harapi e “braktisi” atë detyrë, i lodhun prej vllavrasjes që po ndodhte dhe shkoi në Austri, dhe vetëm kërkesat e shumta me u kthye e premtimet e qeverisë për mos me krye gjakderdhje mes shqiptarësh e bajnë me u kthye në Tiranë.
Aty ku përshkruen hymjen e partizanëve në Shkodër me 29 nandor 1944, Morozzo della Rocca shkruen: “Skena asht lirike e mjaft e njohun: kangë, valle, parada, flamuj të shpalosun, së bashku me të pamungueshmet gjuejtje dhe shpërthime” (f. 194). Skena asht aq e njohun, sa që historiani italian s’e ndien të nevojshme me citue asnji autor. Megjithatë, dikund ndër nota ai i referohet jo drejtpërdrejt nji teksti, bahet fjalë për përmbledhjen me titull: “Partizanët tregojnë… Kujtime, ditarë, shënime të pjesmarrësve në luftën nacional-çlirimtare” (Tiranë 1960), po aty citon edhe ndonji libërth tjetër me “përralla”.
Roli që Putoja i ka caktue vetes në ketë libër asht ai i nji historiani-prokuror që dënon me artikuj gazetash dhe me telegrame të rastit. Në fakt, e kjo asht çudija e radhës, ai e konsideron gazetën Tomori, e cila për nji komunist duhet të jetë nji “gazetë e fëlliqur fashiste” si nji burim të dorës së parë (shih ff. 92, 189). Mendoni nëse sot nji studiues serioz mund ta shkruente historinë e Shqipnisë së 50 viteve të fundit tue konsiderue si burim të dorës së parë gazetën Zëri i Popullit apo buletinin Rruga e Partisë? Të gjitha zbulimet e jashtëzakonshme të këtij libri, të cilat na i shiti për pak lekë edhe në nji të përkohshme shqiptare, kanë të bajnë me telegrame të rastit që personalitete të kohës, si Koliqi, Kruja, Fishta kanë dërgue asokohe (shih ff. 139, 158, 167). A mundet nji telegram urimi të impostojë nji personalitet historik me nji aktivitet prej pesëdekadash si Fishta?
Po të ishte kështu atëherë duhet ta gjykojmë pozitivisht Haxhi Lleshin për faktin që gjatë karrierës së tij ka dërgue nja 3000 telegrame urimi kryetarëve të shteteve të gjithë botës?! Në qoftë se 3000 telegrame urimit s’dalin për me shpëtue Haxhi Lleshin, i cili ka firmosë me qindra dënime me vdekje, kam frikë se edhe nji telegram i vetëm urimit nuk mjafton për me fundos figurën e Fishtës, që, siç dihet, s’ka firmosë dënimin e kurrkujt!
Njianshmënia e Putos asht aq e madhe, saqë edhe po të kishte qenë nji trans-oqeanik do të ishte fundosë në pak sekonda. Por ai s’asht tjetër veçse nji historian komunist i lidhun me njimijë fije me nomenklaturën komuniste, veprimet çnjerzore dhe antikombtare të së cilës mundohet me i mbulue me ketë libër xhevahir me të cilin mbyll, besojmë, karrierën e tij të palavdishme.
Ai mbërrin me interpretue bashkimin me Kosovën dhe krijimin e Shqipnisë etnike si nji hap për sulmin kundër Jugosllavisë (f.91). Pra, nuk ka asnji fjalë pozitive për andrrën e bashkimit me Kosovën, pse ketë gja e kanë ba “fashistat”. Kah ana tjetër çon në qiell përpjekjet diplomatike (?) që Enver Hoxha bani për me shpëtue coptimin e Shqipnisë prej grekëve mbas luftet (f. 196), por në mënyrë absolute nuk e thotë nji fjalë për humbjen e Kosovës apo për masakrën e Tivarit.
Putoja skandalizohet me qëndrimin e Anglisë ndaj pushtimit fashist të Shqipnisë (f.105), por s’na thotë pse nuk reagoi BRSS? Mund t’ia themi ne pse nuk reagoi Stalini. Tashma asht ba publik memorandumi i bisedës së mbajtun në Kremlin natën e 23 gushtit 1939 mes ministrit të Jashtëm të Reich-ut, Stalinit dhe komisarit të popullit, Molotov. Në protokoll lexohet sesi Stalini i drejtohet von Ribbentrop-it tue e pyet për qëllimet italiane në Shqipni. Stalini e pyet nëse italianët mendojnë me pushtue Greqinë? Pse, Shqipnia, shton me cinizëm diktatori gjeorgjian, asht e vogël, me male dhe pak e popullueme e s’ka çka i duhet Italisë. Ministri gjerman i pergjegjet se Shqipnia ka randësi strategjike për Italinë, çka nënkupton nji pohim të asaj çka e pyet Stalini.
Putoja flet në mënyrë të përgjithshme për dështimin e sulmit italian kundër Greqisë dhe për përgjegjsitë e gjeneralit Cavallero. Nga ana tjetër flet për nji projekt të Verlacit për me i dhurue gjen. Cavallero si mirënjohtje për triumfin ndaj grekëve1000 hatokë dikund kah Fieri (ff. 139-140). Njikohsisht Putoja pohon se Duçja e largoi Cavalleron dhe shkarkoi Verlacin për arsyen e kësaj “dhurate” që binte erë korrupsion. Pra, sensibiliteti moral fashist arrinte deri aty sa me shkarkue Verlacin dhe me heqë gjen. Cavalleron, i cili (ketë gja Putoja e injoron) ishte vjehrri i Jacomonit. Absurditete të pandieme!
Putoja përpiqet me çdo kusht me denigrue M. Krujën e ketë gja e ban kryesisht tue citue nji fashist si Ciano-ja. Fashist për fashist, pse nuk citon Koliqin? Pse fjala e Ciano-s duhet të ketë vlerë absolute në gjykimet e tij? Putoja citon dhe riprodhon disa ligjërata të M. Krujës, por për çudi harron me citue fjalimin e tij të 22 nandorit 1942 në teatro Savoia, fjalim që zemëroi shumë autoritetet e Romës për tonet nacionaliste dhe për paralajmërimin se Shqipnia mbetet Shqipní. Në anën tjetër Putoja nuk thotë as edhe nji fjalë të vetme për kontributin e qeverisë Kruja në shpëtimin e hebrejve. Edhe kjo gja i ka rrëshqitë historianit Puto që s’mëton me shkrue historinë “siç ka ndodhë në të vërtetë” (wie es eigentlich gewesen), siç shprehej dikur L. von Ranke, por si i pëlqen atij. Nji akuzë tjetër qesharake asht se Kruja gjatë mërgimit të viteve ’20-‘30 ishte spijun i italianëve (f.148). Shpifje e ulët edhe për nji si Putoja. Në qoftë se ai do ta kishte marrë mundimin me kontrollue si duhet në Arkivin e Farnesinës, do të kishte gjetë dokumente që tregojnë se Kruja ndiqej dhe kontrollohej prej qeverisë së Romës në vitet ’20 si person i rrezikshëm për planet italiane. Por kulmin Putoja e arrin me “moralin” që nxjerr prej gjithë aktivitetit të M. Krujës: “Në dreq atë strofkull Toskninë, të shpëtojmë Gegninë” (f.151).
Kolaboracionistave shqiptarë mund t’u faturojmë shumë gjana, por kurrsesi përçamjen veri-jug, gegë-toskë. Putoja harron ndoshta se qenë pikërisht partizanët e tij komunista ata që sapo mbërrijtën me hy në veri mbas largimit të gjermanëve, hiqnin vallen: “luaje luaje këmbën t’ia bëjmë Gegës nënën”! Kah ana tjetër miqtë ma të mëdhenj të M. Krujës, si Xhevat Kortsha, Qazim Koculi, Kostandin Kotte kanë qenë toskë, dhe andrra e të gjithëve bashkë ka qenë Shqipnia etnike. Nuk ka asnji dokument të vetëm historik që të vërtetojë ketë shpifje të ulët të Putos. Në librin e tij sillet si shkak i dorëheqjes së Krujës mossuksesi i tij (shih ff. 130, 140), por nuk përmendet as edhe nji herë të vetme arsyeja që vetë Kruja ka pohue: vrasja nga ana e italianëve e mikut dhe bashkëpuntorit të tij Qazim Koculi, i cili kishte qenë nji prej udhëheqësve të Luftës së Vlorës. Po të kishte pasë nji nuancë sadopak shkencore libri i Putos, do të ishte dashtë me e përmend edhe ketë  fakt. Ndoshta e ka lanë në heshtje pse do t’i ishte dashtë me shpjegue se kush ishte Koculi dhe se cili ishte misioni i tij në Vlorë!
Tue lexue se çka shkruen Kruja mbas luftet, Putoja skandalizohet me “konvertimin” e ish-kryeministrit shqiptar nga fashist në demokrat (f.130). Edhe tjetërkund Putoja skandalizohet me “voltafaccia” e Konicës ndaj Zogut më 1939 (f. 173). Nuk e kuptojmë sesi mund të skandalizohet Putoja me kend, kur ai vetë, i lidhun kamb e krye me diktaturën e Enver Hoxhës, tue pasë qenë funksionar i naltë i nji regjimi gjakatar që mohonte edhe të drejtat ma elementare, u konvertue në vitet ’90 në korife të të drejtave të njeriut të Komitetit të Helsinkit, madje i asaj dege që preokupohej kryesisht për grekofonët e Shqipnisë!

Friday, February 17, 2012

NJË VËSHTRIM MBI LIBRIN “ENVER HOXHA” TË BLENDI FEVZIUT

TANUSH KASO
Në panairin e fundit të librit, të hapur në Tiranë nga mbarimi i vitit që shkoi, çudia më e madhe, e cila nuk zgjati vetëm tri ditë, ishte reklama e bujshme që i bënë disa media televizive e të shkruara, librit “Enver Hoxha” të gazetarit Blendi Fevziu.

Jehona e këtij libri, që në përmasa më të vogla vazhdon edhe sot, i eklipsoi të gjithë librat e tjerë të shkrimtarëve shqiptarë dhe ata të autorëve më të shquar të botës, të cilët mbushnin stendat e panairit. Njerëzit u turrën të gjithë tek stenda ku qëndronte vetë Fevziu, i cili u jepte pa kursim e me shumë gëzim autografe blerësve të “Enver Hoxhës”, që ngjanin si blerësit e kapelave të mister Foksit, që përshkruan Iljin

në librin e tij “Krijimi i botës së re”.

Sipas organizatorëve të panairit, ky ishte libri më i shitur, që i kaloi parashikimet. Mund të thuhet se brenda tri-katër ditëve, ai arriti një “rekord botëror”, në raport me numrin e popullsisë së vendit tonë. Dhe nëse çmimi “Nobel” do të jepej sipas këtij kriteri, tanimë ai do të kishte mbërritur në Shqipëri.

Po një ndihmesë jo të vogël në këtë drejtim, dha edhe promovimi i mëpastajshëm i “Enver Hoxhës”, me shumë pompozitet, në Pallatin e Kongreseve, ku u dyndën politikanë, pushtetarë e diplomatë të huaj si edhe shumë ish-miq e dashamirës të diktatorit, të cilët dikur i bënin fresk e i thurnin himne lavdie, apo që hanin, pinin e dëfrenin me familjarët e të ndjerit. Këta njerëz “nuk i dinin” aso kohe bëmat e Enverit, “nuk e

shihnin dot” se si rripej e shtypej një popull i tërë, se si keqtrajtoheshin, internoheshin, burgoseshin e pushkatoheshin me urdhrin e tij, mijëra shqiptarë të pafajshëm , që mendonin ndryshe nga Ai; nuk e kishin marrë vesh se Ai dënoi më kot deri edhe shokët e tij të idealeve dhe të krimeve komuniste…

Dhe tani që B. Fevziu ua zbuloi ato “mistere” me librin “Enver Hoxha”, u mblodhën të gjithë në atë takim “gala”, për ta dënuar veprimtarinë çnjerëzore të diktatorit si dhe krimet e komunizmit, duke trokitur gotat e shampanjës.

Po cila është e veçanta e këtij libri zhurmëmadh? A ka vlera të vërteta letrare, apo është thjesht një gazetari, një përmbledhje pjesësh të shkëputura nga intervista, artikuj e libra të autorëve të ndryshëm?

Çfarë të rejash sjell ky autor për lexuesin shqiptar? A është kjo “E para biografi” e Enver Hoxhës, siç shkruhet mbi kapak, apo vetëm një libër mediokër, siç e ka cilësuar ndokush? Pra, “Enver Hoxha” i Fevziut, a është një biografi e mirëfilltë? A paraqitet fytyra e vërtetë e diktatorit, e paretushuar? A ishte i vetëm Enveri, apo kishte edhe bashkëpunëtorë në krime? Në se ka patur të tillë, atëherë cili është vendi që ata zënë në këtë libër? Cilët nga ata janë ende midis nesh dhe ndihen edhe më mirë, madje edhe më të lumtur se sa më parë; ndërkohë që shteti demokratik u ka lidhur pensione suplementare dhe u ka dhënë tituj nderi e medalje nga më të lartat? Përgjigjet e këtyre pyetjeve, do t’i gjejë vetë çdo lexues i vëmendshëm, që njeh realitetin shqiptar, sapo të mbarojë së lexuari këtë “biografi”.

Ajo që bie në sy fillimisht, është ndërtimi i brendshëm i këtij libri, (kompozicioni), që fillon me vdekjen e diktatorit, për të kaluar fill tek ngjitja e tij në majën e pushtetit, duke vijuar pastaj me tema të tjera, për t’u kthyer përsëri e për të përfunduar me vdekjen e Hoxhës. Por, mbas një leximi “me laps në dorë”, ajo që të befason më shumë, është numri jashtëzakonisht i madh i gabimeve të shtypit dhe i atyre gjuhësore: mbi njëqind e tridhjetë e tetë! Kjo flet për një punë të nxituar, “me goditje të përqendruar”, të përfunduar në “Qershor-Gusht 2011”, siç duket, për të kapur “Panairin e librit”, gjë që u arrit “me sukses”… Për këto gabime, të pakorrigjuara as në fundin e librit, siç veprohet zakonisht, nuk mund të qortohet vetëm korrektori, por edhe vetë autori, i cili duhej t’i kishte hedhur një shikim të fundit librit, përpara se të kalonte për shtypshkrim. Ndofta në Evropë, një libër me kaq shumë gabime, do të konsiderohej “jashtë standardit”. Por, tek ne këta janë të kalueshëm,sipas vlerësimit “Buono per Albania”.

Në këtë libër, lexuesi ndeshet edhe me disa pasaktësi shprehjesh, datash e faktesh historike, të palejueshme për një libër serioz, të një të diplomuari për gjuhë e letërsi në Universitetin e Tiranës, i cili është marrë edhe me histori, e që ka një përvojë 20-vjeçare në gazetari.

Po le ta vërejmë së bashku, faqe për faqe, librin “Enver Hoxha” të Blendi Fevziut:

Faqe 10: “Prej vitit 1963 (Sulo Gradeci – shënimi im), fiksonte me të gjithë ngjarjet e jetës së shefit dhe të familjes; filmime të gjata, ku Hoxha shfaqej lirshëm, pa kujdesin dhe pompozitetin e pamjeve zyrtare, atyre që pushtonin ekranet e kinemave dhe të televizioneve.”

- Në ato vite, në Shqipëri kishte disa kinema; por, vetëm një televizion, atë shtetërorin.

Faqe 11: “A e di që fuqia e tij mitike, ajo që e ka bërë të kontrollojë çdo gjë në jetën e një populli prej 3.5 milionë banorësh, këtu s’ka më vlerë?”

- Në atë kohë, Shqipëria nuk kishte një popullsi prej 3.5 milionë banorësh. Sipas regjistrimit të vitit 1980, vendi ynë kishte 2.675.000 banorë. Në vitin 2001 numri i banorëve ishte 3.069.275.



Faqe 18: “Pak vetë e mbanin mend (Enver Hoxhën – shënimi im) tek shërbente në një tregtore cigaresh dhe pijesh, njëherësh edhe kafene e vogël, të quajtur “Flora”, pronë e paraardhësit të tij, kryeministrit kolaboracionist Ibrahim Biçakçiu, që sapo ishte burgosur.”

- Kur Enver Hoxha me qeverinë e tij hynë në Tiranë, më 28 nëntor 1944, Ibrahim Biçakçiu ende nuk ishte

burgosur. Ai u arrestua në Shkodër, në dhjetorin e atij viti.

Faqe 20: “Pas viteve ’90 dëshira për ta treguar historinë e Enver Hoxhës dhe të karrierës së tij ashtu siç ishte reale, shpesh i zhyti rrëfimtarët në kurthin e kalimit të cakut, të denigrimit pa shkak dhe të memuaristikës së diktuar nga zhvillimet e ditës. Enver Hoxhën u orvatën ta zhdukin nga çdo piedestal, duke nisur nga pyetjet bazike: A kishte qenë ai realisht komunist? A kishte qenë ai i pari i Partisë apo e kishte uzurpuar Partinë që mori pushtetin në dorë? Pothuajse askush nuk pati kthjelltësinë të kuptonte se e gjitha kjo kishte pak rëndësi.”

- Qartësisht Fevziu shpreh keqardhjen që Enver Hoxhën “e zhdukën nga çdo piedestal”. Sipas tij, ka “piedestale” mbi të cilat diktatori mund të qëndronte; por, ai nuk tregon se cilat janë ato.

Për autorin e kësaj biografie, “pak rëndësi ka” që të tregohet për brezin e sotëm, në se Enver Hoxha ka qenë

“realisht komunist” ose jo, dhe në se ai “e kishte uzurpuar Partinë”. Kjo është me të vërtetë e çuditshme.

Faqe 21: Duke folur për pesë ditëlindjet e ndryshme të Enver Hoxhës, të regjistruara në kohë dhe vende të ndryshme: 12 maj 1908, 17 qershor e 3 tetor (vitet 1929 e 1930), 3 shtator e 16 tetor, autori i “biografisë” thotë se “Janë me gjasë produkt i kaosit që shoqëronte Shqipërinë në atë kohë.” Por, ai nuk tregon se kjo bëhej me vullnetin e vet Enver Hoxhës, për nevoja falsifikimi e fshehjeje të identitetit; dhe se kjo nuk u ndodhte të gjithëve. E vërteta është se regjistrat e Gjendjes Civile të asaj kohe (vitet 1929 e 1930), kanë qenë shumë më të sakta se sa këto të sotmet.

Faqe 26: “Familja Hoxha duket se mori vendim që djali i saj i vetëm të shkollohej në Korçë, Liceu Francez i së cilës ishte pa dyshim shkolla më e mirë në vend.”

- Nuk mund të thuhet se “Liceu Francez ishte pa dyshim shkolla më e mirë në vend”, por “ndër më të mirat”.

Sepse të tilla ishin edhe “Shkolla Teknike Shqiptare” e Tiranës, e drejtuar nga amerikani Harri Fulc; Shkolla Normale e Elbasanit, Shkolla Tregtare e Vlorës, Gjimnazi i Shkodrës, Shkolla Bujqësore e Kavajës, Instituti Femnor “Nana Mbretneshë” në Tiranë e ndonjë tjetër.

Faqe 27: “Enver Hoxha 19-vjeçar mbërriti në qytetin e fisëm juglindor.”

- Përse Korça, ndryshe nga qytetet e tjerë, qenka një “qytet i fisëm”?

Faqe 28: “Ajo (Sabiha Kasimati – shënimi im) nuk u angazhua në politikë, por u arrestua për atë që njihet si “incidenti i bombës” në Ambasadën Sovjetike në vitin 1953 dhe u pushkatua pa gjyq.”

- Ajo ngjarje nuk ka ndodhur në vitin 1953, por në shkurt të vitit 1951.

Faqe 29: Atë që u hodh në oborrin e Ambasadës Sovjetike më 19 shkurt 1951, B. Fevziu e quan “bombë ‘Molotov’”. Por askush, në asnjë dokument nuk e ka quajtur kështu. Në procesverbalin e mbledhjes së Byrosë Politike të K.Q. të PPSH, të mbajtur më 20 shkurt 1951, shkruhet se ajo ishte vetëm “një dinamit i mbështjellë me letër dhe i lidhur me një fitil... që ka bërë një zhurmë të fortë.” Ndërsa “bomba Molotov”, është një shishe me lëndë djegëse, që djeg por nuk bën “zhurmë të fortë”.

Faqe 33: “(Bahri Omari – shënimi im)...me gjasë paguhej nga jugosllavët dhe nga vetë italianët për ta përdorur në një moment kur raportet e tyre me Zogun mund të ndërlikoheshin.”

- Historia, biografia apo çdo libër tjetër që flet për personalitete e ngjarje historike, nuk shkruhet “me gjasa”.

Në këtë rast, Fevziu ka imituar Enver Hoxhën, duke e paraqitur -pa fakte e dokumente- edhe Bahri Omarin si agjent të dyfishtë apo poliagjent.

Faqe 43: “... 20 vjet më parë Pipa kishte botuar edhe në formën e një fletë volanti komentet e tij për jetën e lirë seksuale të Hoxhës dhe sidomos për orientimin e tij homoseksual. Ajo fletë që qarkulloi në emigracion, afërmendsh që ra edhe në duart e Ministrisë së Brendshme në Shqipëri: një dokument që, me shumë gjasë, duhet të ketë ndikuar fort në eliminimin e Mehmet Shehut, në vitin 1981.”

- Nuk mund të besohet që “me shumë gjasë” të ketë qenë ajo fletë, që “ndikoi fort” dhe që e çoi në vdekje Mehmet Shehun. Çështja e tij nuk duhet të merret aq përciptas, sepse rrënjët ishin shumë të thella.

Faqe 43-44: “Pas vitit 1991 kjo zhurmë (për homoseksualitetin e Enver Hoxhës – shënimi im), për të cilën mund të dënoheshe me vdekje në Shqipëri në se shkonte në vesh të Sigurimit të Shtetit, u bë një lloj akuze thuajse publike. U përmendën emra gay-sh të famshëm tiranas etj. të cilët, sipas traditës orientale, e paskëshin pasur Hoxhën dylber të tyrin, por deri sot, përveç thashethemnajës, askush nuk ka dhënë ndonjë fakt në këtë drejtim: asnjë prej miqve të tij të vjetër, edhe prej atyre pak që mbijetuan, nuk ka ditur të thotë diçka konkrete për këtë dimension të tij.”

- “Zhurma” dhe “akuzat” për atë ves të Enver Hoxhës, kanë filluar që në rininë e tij dhe jo “pas vitit 1991”.

Për këtë çështje, B. Fevziu, haptas merr rolin e avokatit mbrojtës të diktatorit, duke i hedhur poshtë dëshmitë e shumta të “miqve të tij të vjetër”, bashkënxënësve e bashkëqytetarëve, të cilat i quan “thashethemnajë”. Ai kërkon “diçka konkrete për këtë dimension” të Hoxhës (ndofta ndonjë foto pornografike,

filmime a inçizime me përgjues dhe kamera të fshehta, apo me mjete të tjera, që aso kohe nuk ekzistonin.) Për këtë “pastrim” që ai kërkon t’i bëjë figurës së Enver Hoxhës, ithtarët e tij duhej ta falënderonin Blendi Fevziun e jo ta digjnin atë libër.

Por, duke u orvatur ta nxjerrë fare të larë personazhin e tij, për sa i përket atij “dimensioni”, autori

-pa dashur- e përforcon më shumë dyshimin, kur vijon të tregojë më tej:

“Nuk është çudi që, më shumë se një anë e jetës së tij, kjo të ketë qenë një etiketë që i mbeti nga frekuentimi i rretheve të Lucien Vogel-it në Paris në mes të viteve ’30, rrethe në të cilat ndikimi i gay-ve ishte shumë i fortë dhe pikërisht për këtë arsye, si dhe për akuzat që po bëheshin gjithnjë e më publike dhe po ktheheshin në skandale, Kominterni vendosi të mos i financonte më.”

Sipas Fevziut, përkundër proverbit “më trego se me kë rri, të të them se cili je”, djaloshi simpatik e i papunë, Enver Hoxha, nuk ishte i atillë, por i mbeti ajo “etiketë”, nga shoqërimi me homoseksualët e Francës. Sipas tij, për atë akuzë, mungojnë prova të tjera “ konkrete”. Një mbrojtje si kjo, deri më sot nuk ia kishte bërë askush “dimensionit” të Hoxhës.

Faqe 46: Blendi Fevziu e merr nën mbrojtje Enver Hoxhën edhe për kohën e qëndrimit në Bruksel, si sekretar pranë Konsullit të Nderit të Shqipërisë në Belgjikë, kur për sjellje të padenjë dhe për vjedhjen e arkës së Konsullatës gjatë shërbimit të tij, e përjashtuan nga ajo punë. Për këtë ngjarje kanë folur e kanë shkruar disa studiues dhe dëshmitarë të asaj kohe. Por, autori i “Enver Hoxhës” nuk i merr parasysh fare ato dhe shpreh bindjen e vet të patundur se : “Ka shumë gjasë (përsëri me “gjasa” – shënimi im) që të gjitha këto të jenë fryt i fantazisë së kundërshtarëve të tij përderisa asgjë nuk është vërtetuar zyrtarisht.” Mirëpo, largimi i tij nga puna u bë zyrtarisht dhe Blendi nuk tregon shkakun e vërtetë, duke lënë të kuptohet se ishte diçka normale. Pra edhe në këtë rast i jep “pafajësinë” Enver Hoxhës. Rrëfimet e dëshmitarëve për aventurat dhe skandalet e Hoxhës në Bruksel, ai i konsideron si “fryt i fantazisë së kundërshtarëve të tij”; ose - e thënë ndryshe- i atyre që

“nuk ia donin të mirën Partisë dhe shokut Enver”.

Faqe 49: Në vijim të avokatisë së tij, autori e paraqet Enver Hoxhën edhe si djalë të urtë e namusqar, pa asnjë histori dashurie me femrat, përveç asaj me Nexhmijen. Ai shkruan se “sipas asaj çfarë rrëfenin miqtë e tij, i pëlqenin femrat”. Por, këtë e vë menjëherë në dyshim, sepse -sipas tij- “nuk përmendet emri i ndonjë femre konkrete me të cilën ai të jetë shoqëruar ose për të cilën të ketë pasur simpati në atë kohë.”

Mirëpo, këtë pretendim të Fevziut e përgënjeshtron vetë Hoxha, në librin e tij “Mes njerëzve të thjeshtë”, botuar në Tiranë më 1984, në kapitullin “Disa kujtime për Tefta Tashkon dhe vëllezërit e saj Gaqon dhe Alekon”

Në lidhje me këtë, Kastriot Myftaraj, në librin e tij prej 500 faqesh “Jeta e fshehur e Enver Hoxhës”, Tiranë 2008, faqe 159, shkruan: “Midis Enver Hoxhës dhe Tefta Tashkos lindi një dashuri me shikimin e parë. Tefta Tashko (1910-1947), një artiste që kishte studiuar në Francë u godit si nga një rrufe, nga djaloshi i pashëm dhe që gjithë jetën e vet ushtronte një manjetizëm diabolik mbi njerëzit...

Tefta që në takimet e para filloi ta thërriste Enverin me shkurtimin përkëdhelës “Eno”. Më pas ajo djalit të saj të lindur në 1943, do t’i vinte një emër të çuditshëm “Eno”.”

Të tjerë kanë folur e shkruar për njohjen e Hoxhës me njërën nga të gjashta motrat e mbretit Zogu i Parë, me atë më të voglën e më të bukurën, Maxhiden, si dhe për qëllimin e tij për t’u fejuar me atë. ( Gazeta “Sot”, 29 tetor 2011, Kastriot Myftaraj: “Fejesa me motrën e vogël të Zogut, Princeshën Maxhide, ...”.

Gjithashtu dihet dashuria e njëanshme dhe urrejtja e Enver Hoxhës për intelektualen gjirokastrite Musine Kokalari si dhe për Sabiha Kasimatin, mbi të cilat më pas u hakmor egërsisht, i fyer nga mospranimi i tyre.

Po kështu, në një të përditshme të disa muajve më parë, është treguar mbi dëshirën dhe përpjekjen e Enver Hoxhës, për të shtënë në dorë një italiane të bukur, që gjendej familjarisht në Gjirokastër. Për mospranimin nga ana e saj, ai do të hakmerrej pak vite më vonë, kur mori pushtetin, duke ia dënuar dhe dërguar të shoqin në burgun e Burrelit, ku edhe vdiq.

Këto që përmendëm e që tanimë dihen, si dhe të tjera si këto, për Blendi Fevziun, nuk kanë qenë

“femra konkrete”, por abstrakte. Ai nuk don të besojë as Vedat Kokonën, të cilin vetë e citon, teksa tregon për Enver Hoxhën: “Është e kolme, -më tha. –Është nxënësja e ime...”. Pra, Enveri “i urtë” e “i ndershëm”, i shikonte me sy epshor edhe nxënëset e veta, pa le pastaj të tjerat.

Faqe 60: “Ai (Beqir Ajazi – shënimi im) e kujton kështu atë takim, që do të ishte i fundit me profesorin dhe mikun e Liceut, (Enver Hoxhën – shënimi im), njeriun që më pas do ta shihte nga burgu në TV ose në tribunat e kongreseve, por nuk do t’ia shtrëngonte dot dorën kurrë më.”

- Beqir Ajazi ka qenë në burg në ato vite, kur Shqipëria nuk kishte ende televizion (1944-1954).

Faqe 73: “Një komitet prej 7 vetash, i përbërë nga Qemal Stafa, Koçi Xoxe, Ramadan Çitaku, Gjin Marku, Tuk Jakova, Kristo Themelko dhe Enver Hoxha, do të kryente funksionet deri në mbledhjen tjetër.”

- Këtë komitet “prej 7 vetash”, autori herë e quan “Komitet Qendror” dhe herë “Byro”, duke e reduktuar në 5 veta: “i barabartë mes 5 anëtarëve të tjerë, Hoxha nisi të marrë në dorë drejtimin e Partisë pa pyetur për vendimet e Mbledhjes Themeluese.” E shprehur në këtë mënyrë, rezultojnë gjashtë vetë: Enveri me 5 anëtarë të tjerë.

Faqe 75: Autori i librit nuk tregon se si komiteti “prej 7 vetash” përfundoi me “5 anëtarë”; ndërkohë që shkruan se: “Praktikisht, në mungesë të një sekretari të parë dhe me një komitet me 5 anëtarë, ishte Miladin Popoviçi ai që drejtoi PKSh që prej 8 nëntori 1941 e deri më 18 mars 1943.”

Faqe 87: “ai (Sejfulla Malëshova – shënimi im) u degradua derisa u internua në Fier.”

- Për Sejfulla Malëshovën nuk është e përshtatshme fjala “u degradua”, mbasi ai nuk ishte ushtarak.

Në këtë rast, ajo fjalë mund të merret me kuptimin e “prishjes a rënies shkallë-shkallë të vlerave të tij” (Shif

“Fjalori i gjuhës së sotme shqipe”, Tiranë 1980, faqe 300); mund të kuptohet edhe si “degradim moral” apo

“degradim si njeri”. Po në të vërtetë, Sejfulla Malëshova qëndroi lart moralisht, deri në fund të jetës së tij.

Faqe 92: “Ai (Sadik Premtja – shënimi im) u kap në pritë..... Premtja i shpëtoi pusisë, u njoftua në kohë dhe arriti të arratisej.”

- Këtu autori kundërshton vetveten, sepse “prita” dhe “pusia” janë e njëjta gjë, janë sinonime. Fjalia e dyte, kundërshton të parën: i shpëtoi pusisë se u njoftua në kohë dhe arriti të arratisej; pra, nuk u kap në pritë.

Faqe 92: “(Sadik Premtja – shënim im) U vendos në Francë, ku jetoi për afro 47 vjet duke punuar punëtor i thjeshtë dhe i sfilitur nga paranoja se Sigurimi shqiptar e ndiqte dhe Hoxha donte ta eliminonte.”

- Sadik Premtja nuk vuante nga sëmundja psikike e paranojës, por atë e ndiqte me të vërtetë Sigurimi për ta vrarë, mbasi Enver Hoxha e kishte dënuar me vdekje që nga koha e luftës, kur ishte në Shqipëri. Në këtë çështje

Fevziu është konfuz dhe kundërshton thëniet e veta, kur shkruan më tej:

“Ndonjë tentativë e tillë nuk faktohet, por në dokumentet e Arkivit të MPB dëshmohet një rast kur Llambi Peçini, që ndodhej në Paris, ka tentuar ta vrasë atë. Po ashtu gjenden plot letra në të cilat agjentët shqiptarë në

Paris instruktohen të japin të dhëna të detajuara për vendndodhjen e Premtes, për angazhimin e tij dhe sidomos për lidhjet e tij dhe miqësitë që kishte atje me emigracionin shqiptar.”

- E pra, çfarë faktesh e dokumentesh të tjera kërkon Fevziu, për t’u bindur se nuk kemi të bëjmë me “paranojë” apo me “halucinacione” të Sadik Premtes, por me një përndjekje reale, të vazhdueshme e këmba-këmbës, nga agjentët e Sigurimit shqiptar, që kërkonin ta vrisnin?

Faqe 110: “Vrasjen e Mustafa Gjinishit, sipas të dhënave të mësuara së fundmi, e kishte ekzekutuar Liri Gega dhe Ndreko Rino.”

- Përse autori nuk ua tregon lexuesve, burimin e atij informacioni që “ e ka mësuar së fundmi”? Më tej ai flet për vrasjen e Liri Gegës shtatzënë, nga regjimi i Hoxhës, “në mes të viteve ‘50”. Por, nuk thotë asnjë fjalë më shumë për Ndreko Rinon, pjesëmarrës në vrasjen e Gjinishit dhe në krime të tjera, emrin e të cilit -për çudi- e

mban sot një rrugë në Tiranë. Ai mund të tregonte, për shembull, se si me urdhërin e Enver Hoxhës dhe si besnik i tij, majori Ndreko Rino u dërgua në Veri, tok me Mehmet Shehun e të tjerë, ku kryen një operacionin shfarosës, me vrasje fshatarësh të pafajshëm, grabitje bagëtish e pasurish të tjera dhe djegie shtëpish.

Ato krime e masakra të tmerrshme, të urdhëruara nga Enver Hoxha, që nuk i patën kryer as pushtuesit e huaj, Blendi Fevziu do t’i kishte parë të shkruara në dokumente, raporte, urdhëra dite, etj., me firmat e autorëve të tyre, po të kishte marrë mundimin të shkonte deri në Arkivin Qendror të Shtetit dhe të shihte -të paktën- Fondin 14/AP STR, Dosja nr.215, të vitit 1945.

Faqe 114: “Në atë kohë, (shtator 1943 – shënimi im), komunistët diku vetëm e diku me forcat e “Ballit Kombëtar”, kontrollonin pothuajse gjithë qytetet e tjera të Jugut të Shqipërisë.”

- Mbas prishjes së “Marrëveshjes së Mukjes”, të 1-2 gushtit 1943, komunistët nuk kanë bashkëpunuar kurrë më, me forcat e “Ballit Kombëtar”, po ishin në luftë për jetë a vdekje, mbasi synonin marrjen e pushtetit dhe qeverisjen vetëm, pa forcat nacionaliste të “Ballit” e të “Legalitetit”.

Faqe 120: Duke shkruar për Abaz Kupin, autori e cilëson atë si “Trim, me një karizëm të lindur, por padyshim edhe brigand.”

- Fjala “brigand” mungon në “Fjalorin e Gjuhës së Sotme Shqipe” të vitit 1980. Sipas “Fjalorit Kryesor të Frëngjishtes”, “brigand” do të thotë: njeri që merret me vjedhje e grabitje. E njëjtë me fjalët: bandit, keqbërës, hajdut. Një emërtim të tillë për Abaz Kupin (Bazin e Canes), nuk e gjejmë tek jetëshkrimi i tij, në “Fjalorin Enciklopedik Shqiptar”, faqe 1417, të vitit 2008. Këtë epitet, që nuk ia kanë vënë atij as kundërshtarët politikë,

B. Fevziu e gjen me vend ta përdorë tek libri “Enver Hoxha”!

Faqe 120: “Bazi i Canes (Baz shkurtimi i emrit Abaz, Cane emri i së ëmës).”

- Këtë gafë, autori nuk duhej t’ia kishte lejuar vetes; sepse me hamendje dhe pa pyetur askënd, ka bërë “nënë”, babën e Abaz Kupit! Në të vërtetë, ashtu siç është “Baz” shkurtimi i emrit Abaz, edhe “Cane” është shkurtimi i emrit Hasan, që mbante i jati dhe jo e ëma e Abazit. Nëna e tij quhej Mahmudije dhe shkurtimisht i thërrisnin Dudije ose Dude.

Faqe 136: Është përsëritur “Letra që Nexhmija i dërgon E. Hoxhës, më 14 tetor 1943”, e cila është dhënë edhe një herë tjetër në faqen 82. Duket sikur ky është i vetmi dokument, që ka mundur të gjejë ose që ka dashur të paraqesë B. Fevziu, për “Panterën e zezë”, në këtë libër, ku ajo nuk shfaqet si e tillë. Kuptohet se Nexhmija nuk mund të dalë “e zezë” vetëm se në moshën 19-vjeçare i ka dërguar një copë letër shokut Enver, me të cilën spiunonte disa nga shokët e luftës, dhe që si përfundim ata nuk morën asnjë ndëshkim.

Si anë e dobët e saj, është treguar edhe qëndrimi mospërfillës ndaj shoqes së vjetër të shkollës e të luftës, më pas kundërshtare politike, Liri Belishovës, duke mos i dhënë mundësinë t’i qëndronte pranë në çastet e fundit të jetës, vajzës së vet të shtruar në spital. Por, në të gjithë librin nuk gjendet asnjë dokument apo fakt tjetër, që do të mund ta bënte Nexhmije Hoxhën kriminele, apo bashkëpunëtore në krime. Thuhet vetëm se ajo ishte tepër serioze dhe e vrazhdë me mvartësit e saj. Po serioziteti dhe rigoroziteti në punë, nuk mund të konsiderohen si anë negative të saj, përderisa asnjë nga nëpunësit dhe ata që e rrethonin nuk ka treguar ndonjë rast ndëshkimi prej asaj. Ajo del edhe si një grua shembullore, e bindur dhe tepër e përkushtuar pas bashkëshortit të saj, veçanërisht kur ishte i sëmurë. Madje, paraqitet edhe mjaft njerëzore, kur i çon bakllava në burg Bahri Omarit, kunatit të burrit të vet, të dënuar me pushkatim! Në fund të librit, ajo na del edhe si besimtare e botës së përtejme, e rrjedhimisht edhe e Zotit (në faqet 346-347). Përfundimisht, ajo paraqitet në këtë libër si çdo grua, me të mirat dhe me të këqijat e veta.

Duket qartë se B. Fevziu nuk ka mundur (ose nuk ka dashur) të zbulojë asgjë me rëndësi në arkivat, në shkrimet dhe librat e botuar, në ngarkim të Nexhmije Hoxhës. Ai nuk ka gjetur asgjë që mund t’i vlente, as në librin “Zonja e Zezë” të Fahri Balliut, që është përkthyer në disa gjuhë të huaja dhe që ka bërë xhiron e botës. Nuk e ka cituar as edhe një herë të vetme këtë libër; ndërkohë që intervistave, deklarimeve dhe shkrimeve të Nexhmijes i është referuar plot njëmbëdhjetë herë! Kësisoj, autori ia ka lënë asaj që ta bëjë autoportretin.

Faqe 138: “Bahri Omari mori dënim kapital edhe pse shumë të tjerë, që kishin mbajtur funksione më të rëndësishme, si kryeministri i fundit Ibrahim Biçakçiu, u dënuan vetëm me burgime të gjata.”

- Nuk ishin “shumë të tjerë, që kishin mbajtur funksione më të rëndësishme” se sa Bahri Omari; dhe 17 të dënuar me pushkatim në atë gjyq, nuk janë pak. Sapër Ibrahim Biçakçiun, i cili kishte qenë vetëm dy muaj kryeministër dhe nuk kishte kryer asnjë krim, gjyqi e dënoi gjithashtu me vdekje. Por, me ndërhyrjen e disa komunistëve, të cilëve u kishte shpëtuar jetën dhe me dëshminë e vetë Myslim Pezës, atij iu kthye dënimi në burgim të përjetshëm. Nuk duhet harruar edhe se ai kishte qenë pronar i dyqanit “Flora” në Tiranë, ku u punësua dhe zhvilloi veprimtarinë ilegale Enver Hoxha, tok me Esat Dishnicën, që ishte kushëri i afërt i tij. Autori mund të kishte folur edhe për fundin tragjik të I. Biçakçiut, birit të patriotit të madh Aqif Pashë Biçakçiu (Elbasani), firmëtar i Aktit të Shpalljes së Pavarësisë, më 28 nëntor 1912, në Vlorë, me Ismail Qemalin dhe të tjerë, monumenti i të cilit qëndron edhe sot në mes të qytetit të Elbasanit. Mbas vuajtjes shumëvjeçare në burgun e Burrelit, kur u kthye në Elbasan, regjimi i Enver Hoxhës u soll shumë keq me Ibrahim Biçakçiun dhe me emrin e mirë të familjes së tij. Puna e vetme që i dhanë, ishte tepër fyese për atë intelektual të fismë, që kishte kryer studimet e larta në Austri: rojtar i varrezave të qytetit; dhe më pastaj: pastrues i nevojtoreve të qytetit, kohë kur edhe vdiq në mjerim, në vitin 1977.

Krahasimi që bën Fevziu midis atyre dy figurave të nderuara atdhetarësh, Bahri Omarit dhe Ibrahim Biçakut,

është i pavend dhe fyes.

Faqe 168: “Harri Fullzit, ... njeriut që kishte hapur dy shkolla profesionale në vitet e Mbretërisë.”

- Harri Fulci nuk ka hapur asnjë shkollë profesionale. Por, nga tetori i vitit 1922 deri më 1933, ishte drejtor i

Shkollës Teknike Shqiptare (Albanian Technical School) të Tiranës, e cila ishte hapur në vitin 1921 nga Kryqi i Kuq i Rinisë Amerikane. Mbas njëmbëdhjetë viteve të një pune të shkëlqyer, kur shkolla që ai drejtonte, u mbyll nga një reformë e mbretit Zog, Harri Fulci u largua nga Shqipëria.

U kthye përsëri në Shqipëri, në vitin 1945, si nënkryetar i Misionit të SH.B.A. , në Tiranë, prej nga u detyrua të largohet më 1946, me kërkesën e qeverisë komuniste të Enver Hoxhës, si “Persona non grata” (I padëshiruar).

Faqe 173: “Negovani, një qytet i paqartë mes Greqisë dhe Maqedonisë.”

- “I paqartë” është mendimi i autorit, por jo Negovani, ky fshat në anën lindore të Gramozit, dikur shqiptar, që i përkiste trevës së Kolonjës; ndërsa sot në rrethin e Follorinës së Greqisë. “Në Negovan të Kolonjës” kishte lindur “mësuesi, shkrimtari dhe kleriku atdhetar” Papa Kristo Negovani, i cili “U masakrua barbarisht nga andartët grekë, në mesnatën e datës 12 shkurt 1905, së bashku me të vëllanë, Papa Theodhorin dhe disa bashkëfshatarë të tjerë.” (“Fjalori Enciklopedik Shqiptar”, Tiranë 2009, faqe 1830).

Faqe 174: “Hoxha dërgoi në ndihmë të Titos një divizion të plotë, i cili kaloi jo vetëm nëpër Kosovë, por u ngjit

deri lart, në Bosnjë, duke ndihmuar ushtrinë partizane jugosllave jo aq për çlirimin e vendit sesa për konsolidimin e pushtetit të Titos, duke nisur në radhë të parë nga Kosova, ku kontestimi i Titos pritej të ishte i fortë.”

- Hoxha, me kërkesën e Titos, dërgoi në Jugosllavi jo një, po dy divizione “të plota”: të 5-tin, që komandohej nga nënkolonel Rrahman Parllaku, me komisar politik Ramiz Alinë; dhe të 6-tin, me komandant, nënkolonelin Gjin Marku dhe me komisar Myzafer Spahon. Këta persona (dhe jo vetëm këta), me në krye Enver Hoxhën, mbajnë përgjegjësi të plotë për “Masakrën e Tivarit” dhe për krimet e tjera të kryera mbi shqiptarët e Kosovës, të Maqedonisë e të Malit të Zi. Gjin Marku, që ishte komandant i Shtabit të Përbashkët të të dy divizioneve shqiptare, mbante lidhje direkte me Enver Hoxhën, me radiograme, si edhe me Shtabin e ushtrisë jugosllave, me anën e korrieres serbo-malazeze Natalia Virioviç, togere e OZNA-s, me të cilën më pas u martua.

Është e vërtetë ajo që sqaron më tej autori, se:

“Pikërisht në këtë kohë ndodhi ajo që njihet si Masakra e Tivarit: masakrimi i mijëra djemve të rinj të Kosovës,

të mobilizuar me forcë, të shoqëruar për në Tivar nëpër territorin e Shqipërisë. Ishte një masakër për të cilën regjimi komunist nuk foli kurrë, nuk e përmendi as edhe me një fjali, as edhe kur raportet me Jugosllavinë qenë tejet të tensionuara.”

Por, gjithashtu Fevziu nuk përmend as edhe një emër të bashkëfajtorëve shqiptarë të asaj tragjedie, disa prej të cilëve ende jetojnë. Ka një prirje për t’i anashkaluar e për t’i fshehur personazhet dhe krimet e kryera në Kosovë prej “vëllezërve shqiptarë”, të cilët ishin vënë në shërbim të makinës vrastare titiste e serbomadhe. Ai mund të tregonte edhe se vitin e kaluar u ngrit një komision pranë Kuvendit të Shqipërisë, për hetimin e Masakrës së Tivarit. U tha se do të thirreshin për të dëshmuar, ish drejtuesit dhe ish-ushtarakë të tjerë të divizioneve dhe brigadave, që kanë vepruar në Kosovë, në vitet 1944-1946, si Ramiz Alia, Rrahman Parllaku, Sabri Godo, etj..Por, kjo nuk u bë. Ndërkohë, diktatori Alia vdiq dhe u përcoll me shumë nderime në banesën e fundit, me arkivolin të mbajtur mbi supet e oficerëve të shtetit demokratik! Me më pak nderime sesa ai, u përcoll në varreza edhe i ndjeri Sabri Godo. Njëri nga dëshmitarët kryesorë, ish-komandanti i Divizionit të 5-të,

Rrahman Parllaku ende jeton, por preferon të heshtë, siç ka heshtur edhe historiografia komuniste deri më sot.

Vlente të shënohej edhe fakti se të dy ish-komandantët e divizioneve të 5-të e të 6-të, respektivisht Rrahman Parllaku dhe Gjin Marku, të implikuar me Masakrën e Tivarit dhe me ngjarje të tjera tragjike në Kosovë, për

“meritat” e tyre, Kuvendi i Shqipërisë u ka dhënë titullin më të lartë: “Nderi i Kombit”!!

Faqe 174-180: “Gjatë gjithë udhëtimit ajo (nëna e Miladin Popoviçit – shënimi im) shoqërohej nga numri dy i

Ambasadës Shqiptare në Beograd.”

- Nuk dihet përse, edhe sot mbas 66-vjetëve, B. Fevziu vazhdon të ruajë “sekretet e Partisë” dhe nuk e tregon

emrin e “numrit dy” të Ambasadës sonë në Beograd, në atë kohë.

Faqe 202: “Bedri Spahiu e kaloi pjesën e mbetur të jetës në burg, deri kur u lirua në mars të vitit 1991.”

- Bedri Spahiu nuk e kaloi në burg pjesën e mbetur të jetës, por në liri, në Tiranë, pranë familjes së tij, nga viti 1991 kur u lirua dhe deri në vitin 1998, kur u nda nga jeta.

Faqe 202: “Jakova vdiq në burg, në vitin 1959 pa e kuptuar kurrë se cili ishte mëkati i tij. Trashëgimia e vetme që la pas, janë një seri letrash plot dashuri që ai shkëmbente nga burgu me gruan, të cilën nuk e pa më kurrë.”

- Sa ishte gjallë, gjatë viteve të burgut, Tuk Jakova është parë dhe takuar herë pas here me gruan e tij. Mbas vdekjes, natyrisht, ai “nuk e pa më kurrë”.

Faqe 250: “Dom Shtjefën Kurti u arrestua në vitin 1971.”

- Dom Shtjefën Kurti u arrestua për të dytën herë në vitin 1971.

Në kreun e XX-të, “Enver Hoxha dhe bluzat e bardha”, vihen re kundërthënie të autorit:

Faqe 275: “Ka gjasa që ata (Enver Hoxha dhe Fejzi Hoxha – shënimi im), kishin një lidhje të largët farefisnie, por kjo nuk është pranuar nga familjarët më vonë.”

Faqe 276: “Profesor Fejzi Hoxha konstatoi se kushëriri i tij, shoku i fëmijërisë dhe Kryeministri i vendit, në moshën 40 vjeçare dhe në gjendje gjysmë obeze, vuante nga një diabet i rënduar.”

- Pra, familjarët thonë se nuk janë kushërinj; kurse autori thotë se janë kushërinj; ndërsa më parë është

shprehur se “Ka gjasa që ata kishin një lidhje të largët farefisnie”.

Faqe 294: “Mundësia më e madhe, për të mos thënë e vetmja, është që Kapo të ketë vdekur realisht nga kanceri në pankreas, i diagnostikuar me vonesë, pa pasur mundësi shpëtimi dhe pa asnjë lloj ndikimi nga Hoxha

- Para dhe mbas vitit 1990, janë hedhur shumë dyshime për vdekjen e Hysni Kapos. Janë përmendur edhe emra funksionarësh të Partisë e të Sigurimit, të cilët kanë shkuar në Paris, në klinikën ku ishte shtruar ai, për ta përshpejtuar vdekjen e tij. Edhe Vito Kapo ka shprehur dyshimin mbi sëmundjen dhe vdekjen e burrit të saj. (Gazeta “Standard”, dt. 15 tetor 2011, Intervistë e Vito Kapos: “Si ma vdiqën Hysniun”. ). Kaq të forta kanë qenë “pëshpëritjet” për këtë çështje në atë kohë, saqë kanë arritur deri tek veshët e Enver Hoxhës. Në një dokumentar të publikuar pas viteve ‘90, ai shfaqet duke dashur ta qetësojë dhe t’a bindë Viton, se Hysniun nuk e kanë helmuar. Të njëjtën gjë bën edhe Fevziu: largon dyshimet për vdekjen e tij nga Sigurimi dhe prej ndonjë “lloj ndikimi nga Hoxha”.

Edhe për vdekjen e shumëpërfolur e të dyshimtë të Nako Spirut, ai shpreh bindjen e tij se është vetëvrarë.

Kontradiktor është Fevziu edhe për vdekjen e Mehmet Shehut. Një herë thotë “vrau veten”; pastaj shprehet se, në se “vrau veten apo atë e vranë, askush nuk di ta thotë.”:

Faqe 308: “27 vjet kryeministër i Shqipërisë Mehmet Shehu vrau veten atë natë në dhomën e tij.”

Faqe 309: “Teksti i saj (i letrës së Mehmet Shehut – shënim im), i lexuar 30 vjet më pas, të beson (të bën të besosh – korrigjimi im) për një njeri që ka vendosur të ikë me dorën e vet nga kjo botë.”

Faqe 318: “Në se Mehmet Shehu realisht vrau veten apo atë e vranë, askush nuk di ta thotë.”

Faqe 336: “Shqiptarët ishin në prag të urisë dhe më mosbesues se kurrë për postulatin e tij: “Edhe bar do hamë, por parimet nuk i shkelim.””.

-Një “postulat” të ngjashëm me këtë, shqiptarët e kanë dëgjuar ta shprehë Ramiz Alia, në një dokumentar, që paraqet një mbledhje të Byrosë së PPSh-së, pas vdekjes së Enver Hoxhës. Ai thotë tekstualisht: “Edhe bar do hamë, edhe gjak do derdhim, por parimet nuk i shkelim!”.

Faqe 346-347: “Të nesërmen, në kohën e ngushëllimeve te Nexhmije Hoxha, në kronikën e Televizionit Shqiptar shqiptarët e vëmendshëm dëgjuan një fjali tej mase befasuese për ta. Ndërsa Vito Kapo afrohej për ngushëllim, Nexhmije Hoxha u ngrit, e përlotur, e trishtuar dhe iu drejtua me fjalët: “- Iku, moj Vito, iku te Hysniu dhe te shokët!”. Komunistët nuk besonin në Zot, as në jetën përtej vdekjes. Besonte vërtet në të Nexhmije Hoxha?”.

- Autori, nuk ka dashur të shprehë mendimin e vet, por me një pyetje retorike, ia ka lënë atë lexuesit. Dhe, kuptohet se përgjigja do të ishte: Sigurisht që Nexhmija besonte. Sepse ajo nuk mund të bënte humor, në ato çaste hidhërimi të thellë.

Në kreun e VII-të, “Lufta në gjirin e komunistëve”,( faqet 80-85), dhe në të XIX-in, “Personazhi ndryshe” (faqet 260-263), i lihet një hapësirë e gjerë Anastas Plasarit, (që është i ati i Aurel Plasarit, redaktor i këtij libri), në disproporcion me figura të tjera të rëndësishme të luftës dhe të historisë së PKSh.

Në përgjithësi, autori i librit i kushton më shumë vëmendje dhe hapësirë “luftës brenda llojit” dhe pasojave të saj, sesa krimeve të Enver Hoxhës dhe të bashkëpunëtorëve të tij, ndaj pjesës tjetër të shqiptarëve, jo vetëm ndaj nacionalistëve, por edhe ndaj njerëzve të thjeshtë e të pafajshëm, viktima të “diktaturës së proletariatit” dhe të “luftës së klasave”, të zhvilluar me një egërsi të paparë, si gjatë luftës ashtu edhe më pas, në krahinat jugore, në Shqipërinë e mesme dhe sidomos në Veri. Duket sikur Fevziu, në këtë “biografi” të Hoxhës, i shmanget rrëfimit të masakrave të kryera me urdhërin e atij, dhe nuk flet fare për qëndresën e armatosur antikomuniste dhjetëvjeçare të luftëtarëve të lirisë. Kështu, për shembull, ai ka cituar shtatë herë pjesë nga libri “Vjeshta e ankthit”, të Bashkim Shehut, djalit të ish-kryeministrit, dhe ka lënë pa përmendur atë që është mjaft e rëndësishme: shprehjen e pendimit të Mehmet Shehut, “në vjeshtën e tij të mbrame”, “për pushkatimin pa gjyq të 60 robërve ballistë” dhe “për ekzekutimet masive në Shqipërinë e veriut, gjatë luftës dhe në vitet e para mbas çlirimit”. (Bashkim Shehu: “Vjeshta e ankthit”, Tiranë 1994, faqe 109). Pra, këtë fakt, pranimin e një pjese të krimeve të kryera nga bashkëpunëtori më i ngushtë i Enver Hoxhës, B. Fevziu ka preferuar ta kalojë në heshtje.

Po krime të tjera mizore të kryera me urdhërin e Enver Hoxhës, si nuk paska gjetur nëpër arkivat, ku ai pretendon se ka bërë kërkime? Për shembull: Nuk ka mundur të mësojë diçka për atë që ndodhi në Mirditë, në gushtin e vitit 1949, mbas vrasjes së Sekretarit të parë të PPSh-së të atij rrethi, Bardhok Bibës, nga “Komiteti i Maleve”?

Po të kishte shkuar në Bibliotekën Kombëtare e të shfletonte gazetat “Bashkimi” e “Zëri i Popullit”, të datës 9 gusht 1949, do të kishte parë fotografinë ku dy gjeneralët e dërguar nga Enver Hoxha në Mirditë, për të përgatitur hakmarrjen e tmerrshme, Mehmet Shehu e Gjin Marku, mbajnë mbi supe arkivolin me trupin e të ndjerit Bardhok Biba. Po aty është edhe fjalimi i mbajtur me atë rast nga Gjin Marku, i cili betohet për hakmarrje të pamëshirshme. Dhe me të vërtetë, ajo hakmarrje e verbër u krye, veçse jo mbi vrasësit, po mbi fshatarët e pafajshëm, katër prej të cilëve u varën dhe dhjetë të tjerë u pushkatuan përpara popullit të mbledhur forcërisht dhe u hodhën në një gropë të përbashkët. Disa dhjetra mirditorë u burgosën dhe qindra gra, pleq e fëmijë u internuan në kampin e shfarosjes në Tepelenë. A thua vërtetë nuk i din këto një gazetar i kohës sonë, kur mjaft dëshmitarë pamorë (okularë) ose protagonistë të ngjarjeve të ndryshme, janë shprehur lirisht nëpër televizione, gazeta e libra? Apo i quan gjëra të parëndësishme, që nuk ia vlen të shënohen? Po për të tjerë, që u masakruan dhe u vranë pa gjyq në Devoll, në Përroin e Shipkës, në Mat, Dibër, Lumë e gjetkë, me urdhëra verbalë ose me shkrim, gjatë luftës dhe më pas, pse nuk ka thënë dy fjalë Blendi Fevziu? Nuk e din ai se të gjitha ato krime mizore, të kryera nga shqiptarët mbi shqiptarët, kanë si autor kryesor, si urdhërues, vetëm një emër, Enver Hoxhën, i mbiquajtur “Shpati” e “Tarasi”? Përse i anashkalon këto fakte ai, dhe si një gjyqtar zemërmirë, e zbut me sa mundet ndëshkimin moral të diktatorit më të pashembullt që ka parë historia e Shqipërisë? Përse është i prirur për t’i fshehur krimet e komunizmit?

Pra, në librin “Enver Hoxha”, Fevziu ka dhënë një portret tepër të zbehtë e të paplotësuar të diktatorit, i cili u vu në shërbim të sllavokomunistëve dhe tradhtoi interesat kombëtare; që sundoi me dorë të hekurt e me metoda mesjetare, dyzet vjet me radhë; të atij tirani të pashpirt, që i ktheu fshatarët në bujqrobër dhe punëtorët në skllevër të shtetit; që e veçoi vendin nga bota e qytetëruar dhe e mbylli hermetikisht, dhe që e ktheu kësisoj rrotën e historisë një gjysmë shekulli prapa.

Po aq të zbehta dhe anemike paraqiten edhe figurat e bashkëpunëtorëve më të afërt të Hoxhës, të cilët i qëndruan pranë deri në vdekje, si Ramiz Alia dhe Nexhmije Hoxha, të cilët e vazhduan rrugën dhe veprën e tij, duke e shtypur dhe varfëruar edhe më shumë popullin shqiptar, nga viti 1985 i vdekjes së tij, dhe deri më 1991, kur era e ndryshimeve demokratike të Evropës Lindore, depërtoi edhe në Shqipëri.

Ndofta, Blendi Fevziu nuk ka mundur ta parashikojë, se me ato njohuri historike dhe me atë përgatitje gjuhësore e letrare të deritanishme, (të pamjaftueshme për të shkruar një biografi si ajo e Enver Hoxhës), po merrte përsipër një barrë tepër të rëndë për supet e tij. Duket qartë se ai ka mbetur larg arritjes së atij synimi.

Le të shpresojmë se vërejtjet, me qëllimin e mirë të ndreqjes, që i janë bërë deri më sot e që nuk do t’i mungojnë as në të ardhmen, rreth kësaj “sprove për të shkruar biografi”, do t’i vlejnë këtij gazetari të njohur, që në të ardhmen, ta ripunojë e ta plotësojë këtë libër, që të mund të zërë një vend të merituar midis librave të tjerë të këtij lloji, në bibliotekat tona; e pse jo, që t’i shërbejë edhe rishkrimit të historisë.

Monday, February 13, 2012

Prifti pajtohet me Metën: Vendimi 5 me 0, është i pakontestueshëm


Dritan Prifti i ka dhënë fund zyrtarisht luftës me Ilir Metën. Ai deklaruar mbrëmë në emisionin “Debat” në Vizion+ se vendimi i Gjykatës së Lartës 5 me 0 në favor të Metës është i pakontestueshëm. “Kjo ka qenë një nga arsyet që unë nuk pata asnjë deklaratë pas shpalljes së vendimit, nuk pata asnjë koment, pasi nuk ke çfarë thua për një vendim të tillë”, ka deklaruar Prifti. Më tej ai ka lënë edhe një mundësi të vogël bashkëpunimi me Ilir Metën në kuadrin opozitar. Ndërkohë Prifti ka hedhur sërish akuza të rënda që drejtues të lartë të shtetit përgjohen nga disa struktura mafioze.


Alfred Peza
Zoti Prifti, pasi u larguat nga qeveria dhe nga LSI pas atij debati dhe atij raporti të vështirë që u krijua me kryetarin e LSI-së, njëkohësisht ish-zëvendëskryeministër Ilir Meta, pse vendosët të bënit publike videon aq të njohur midis ju të dyve?
Është histori e gjatë për t’i shpjeguar të gjitha arsyet. Por, për vetë arsyet personale të një miqësie të tradhtuar dhe të thyer, të një largimi: çohu ti nga kjo karrige të ulem unë. Me padurim priste ditën që unë të shkarkohesha, që unë do të varrosja gjyshen, që më vdiq atë ditë për të bërë mbledhjen e Kryesisë. Për shumë histori që vërtiteshin rreth mënyrës së largimit unë kisha një problem të krijuar personal. Por, arsyeja kryesore e publikimit ishte se unë dola në opozitë dhe si çdo opozitar mendova të kontribuoj për të ndihmuar opozitën për të rrëzuar qeverinë. Më mjaftoi një vit në qeveri për t’u kuptuar se çfarë qeverie kishim. Disa nga gjërat që unë kam bërë dhe kam thënë kanë sjelle burgosje njerëzish, zhdukje personash, lloj-lloj historish. Por, arsyeja kryesore ishte bërja e drejtësisë dhe ndihmë opozitës për të përmbysur një qeveri që për mua nuk e meriton të qëndronte më në këmbë në Shqipëri, për arsye politike.
Jeni bërë pishman që e keni bërë këtë gjë?
Për të qenë plotësisht i sinqerisht, jam i dyzuar. Dikur nuk kisha asnjë lloj pishmanlliku, tani kam, sepse nuk ndodhi asgjë.
Nga ana e opozitës?
Nga ajo që unë shpresoja të ndodhte. Nuk ndodhi asgjë, nuk fitoi askush. Përkundrazi, u dëmtuan disa, por u dëmtova edhe unë më shumë se disa të tjerë. Në këtë kuptim unë kam bërë një sakrificë që nuk ia vlejti, në aspektin personal. Pastaj për publikun dhe për opozitën, kjo mbase është kontributi më i madh që opozita ka pasur në këto 6-7 vitet e fundit, kur kjo opozitë ka qenë në opozitë, pra që nga 2005 kur Berisha erdhi në pushtet, përveç asaj që qeveria ia bëri vetes, tragjedia e Gërdecit, dalja e kësaj video ka qenë goditja më e madhe për qeverinë nga 2005 e këtej. Nuk besoj se ka njëri normal që ta kundërshtojë faktin se kjo ka qenë një ndihmë e jashtëzakonshme për opozitën dhe për fitoren në zgjedhje lokale nga opozita.
Ju realisht mendonit se pas kësaj video do të rrëzohej vërtetë qeveria?
Mbase jo rrëzim por një tronditje shumë më të madhe e mendova që do të ndodhte.
Më të madhe se çfarë?
Po pothuajse kaq sa ndodhi, këtë mendoja. Mendoja se Ilir Meta nuk do të qëndronte më në qeveri. Këtë e kisha të sigurt që do të ndodhte dhe kjo ndodhi tre ditë pas daljes së videos.
Edi Rama në lidhje më këtë gjë. A ndiheni i përdorur?
Nuk ndihem i përdorur sepse deri më sot mua në politikë nuk më ka përdorur njeri. E kam atë lloj pavarësie si politikan që t’i bëj gjërat siç ma thotë truri im. Edhe sot në emisionin tënd e ka vendosur truri im që të isha këtu sepse disa miq e kolegë më kanë thënë nuk ke punë me fol, nuk ke punë të dalësh e të flasësh se nuk fiton gjë. Por, unë kryesisht marr vendimet e mia. Nuk më ka përdorur askush. Nuk e mohoj faktin që opozita përfitoi prej kësaj dhe ishte një nga synimet e mia që ta ndihmoja opozitën që të përfitonte prej kësaj. Por, nuk më ka përdorur dhe as do të më përdorë ndokush mua në politikë.
Por, a ishte kjo një sebep për 21 janarin? U publikua me datë 11, pas 10 ditësh, siç thuhet tani, u publikua për një frymëzim të opinionit dhe të bëhej ajo që ndodhi?
Unë nuk jam nga ata që të them se s’kishte asnjë efekt për 21-janarin. Nuk mund të flas të pavërteta. Video ka pasur efektin e vet në revoltimin e njerëzve kundër qeverisë. Absolutisht sepse ndodhi 10 ditë përpara se të ndodhte kjo demonstratë, protestë e madhe. Pra, ka pasur efektin e vet në revoltimin e opinionit publik. Por, në aspektin tjetër, opinioni ziente, kishte që pas mbarimit të zgjedhjeve të 2009 që PS e PD ishin në një luftë të përditshme me njëra-tjetrën, luftë sepse ishin vjedhur zgjedhjet e 2009, me një opinion të ndezur, me bojkot parlamenti, çdo ditë konferenca shtypi nga një seli tek tjetra, sharje dhe ulërime, disa javë përpara 21 janarit grevë urie opozita përpara kryeministrisë, në bulevardin kryesor të Tiranës. Pra, ishte një situatë e tejndezur, kriza që preku të gjithë botën, që filloi në 2008, në 2009 në Shqipëri ndihej shumë, varfëria e tejskajshme, problemet ekonomike kishin filluar që të kishin efekt të madh tek njerëzit dhe kishte një grup të madh arsyesh që pastaj solli protestën e 21-janarit. Por, të mos harrojmë që 21-janari po të mos ishin vrarë njerëz, sot do të ishte harruar, do të ishte një protestë si të gjithë të tjerat, që ka bërë opozita, që bënte opozita kur ishte Saliu në opozitë dhe që bën opozita kur është Edi në opozitë. 21-janari u bë ditë kaq e mbajtur mend dhe kaq e diskutuar vetëm se u vranë njerëz. Nëse ajo protestë do të ishte paqësore, sot do të harrohej, siç kishin bërë të tjera më para.
Ju përpara publikimit të videos keni pasur një raport të vështirë me Edi Ramën. Si ishte ky raport gjatë asaj periudhe dhe si ka qenë gjatë këtij viti raporti juaj me liderin e opozitës?
Raporti me Edi Ramën midis meje dhe atij ka qenë në dy faza. Faza e parë e raportit ka qenë viti 2000 – 2001 – 2002, kur unë jam kthyer nga Amerika, kam filluar të punoj si shef kabineti i kryeministrit Ilir Meta, në vitin 2000, pastaj u bëra deputet dhe ministër energjie. Atëherë kam pasur një raport për Edi Ramën, një mendim për Edi Ramën, si një person jo shumë serioz, nuk e merrja shumë seriozisht, pavarësisht se ai u bë kryetar i Bashkisë së Tiranës…
Prokuroria e mbylli çështjen dhe e dërgoi dosjen në gjykatë diku nga maji, gjatë zgjedhjeve. Kjo periudhë kishte problemet e veta, jo vetëm në këtë raport, pra mes jush dhe Ilir Metës, por ka pasur edhe zhvillime të tjera politike që ishin pas 21 janarit, por që shkuan paralel me ardhjen e zgjedhjeve lokale, zhvillimin e zgjedhjeve lokale dhe gjithë ato zhvillime të tjera. Ju thatë pak më parë që ndikoi publikimi i videos në fitoren e opozitës…
Nuk e them unë, e thonë shumë-shumë, qindra e mijëra opozitarë, që kontributin që i ke dhënë ti opozitës nuk mund t’ua jepte askush, ata mund të rrinin me ditë të tëra të shtrirë dhe në greva urie, ky kontribut që u dha përmes kësaj video, viti i opozitës ishte i jashtëzakonshëm. Kam idenë që ata që e vlerësojnë dhe analizojnë efektin që ka pasur kjo në elektorat, krijojnë bindjen me këtë. Unë gjatë kësaj kohe kam takuar dhe vazhdoj të takoj njerëz që janë në pushtet, njerëz që kanë qenë në stafin elektoral të Lulzim Bashës dhe më thonë që ne kishim muaj që punonim për spote që do të fillonim t’i nxirrnim nga shkurti e marsi, spote antikorrupsion për korrupsionin e Ramës në bashki e këtë e atë, doli video dhe s’mund të nxirrnin më asgjë, se s’ta besonte më njeri pas asaj që panë të gjithë shqiptarët. Pra, pa diskutim që ka pasur efekt shumë të madh për opozitën. Ata që nuk e pranojnë ose janë dashakeq, ose janë xheloz.
Dy gjëra gjithsesi nuk arriti kjo video, t’i jepte Bashkinë e Tiranës Edi Ramës dhe të ulte votat e LSI-së. Si i shpjegoni këto të dyja?
Unë besoj se Edi Rama e fitoi bashkinë, pavarësisht asaj që ndodhi. E dyta, mendoj se ka një diferencë të madhe midis zgjedhjeve të përgjithshme dhe zgjedhjeve lokale. Merr votat që ka marrë një parti e vogël në këto zgjedhje lokale dhe në zgjedhjet e përgjithshme. Merr partinë e Gjinushit, ka marrë në zgjedhjet lokale afërsisht 50 mijë vota, në zgjedhjet e përgjithshme ka marrë 10-12 mijë vota.
Pra po thoni që nuk është e njëjta gjë?
Në zgjedhjet lokale partitë marrin vota kur zgjedhin për secilin fshat një person që do të jetë këshilltari i tyre. Ai person merr votat e fisit të vet, 10-15 vota, në të gjithë Shqipërinë këto vota mblidhen dhe krijojnë votat e partisë. Pra, është dallimi si nata me ditën midis votave që merr një parti në zgjedhjet lokale dhe në zgjedhjet e përgjithshme.
Ndërkohë filloi procesi në Gjykatën e Lartë dhe u përcoll në media. Ajo që ra në sy ishte mospranimi i ekspertëve të huaj dhe pranimi i ekspertëve shqiptarë. Pavarësisht kësaj prokuroria dha një pretencë ku kërkonte dënimin e zotit Meta në lidhje me këtë video, me dy vjet heqje lirie dhe me 1 milionë lekë të reja gjobë. Si iu duk pretenca nisur nga logjika si shkoi i gjithë procesi në Gjykatën e Lartë?
Mu duk shumë e guximshme nga ana e prokurorisë të kërkojë për një pushtetar të rangut të lartë si zoti Meta, burgosjen. Pra, nuk ndodh të paktën në vende me nivel demokracie si Shqipëria dhe me nivel drejtësie si Shqipëria, nuk ndodh kurrë që një pushtetar të dënohet. Këtë prokuroria e di, nuk është se nuk e di, mbase ajo i hyri kësaj beteje duke e ditur që s’kishte për të ndodhur asgjë. Por, ata bënë detyrën e tyre dhe unë mendoj se ka qenë një hap shumë i guximshëm prej prokurorisë për ta çuar çështjen në gjyq dhe për të kërkuar atë nivel dënimi që ata kërkuan. Për hir të vërtetës, duke veçuar Fatos Nanon, që ka bërë burg, nuk ka pasur prokuroria ndonjëlloj suksesi tjetër, ose ndonjë lloj guximi të kësaj natyre për të dënuar një politikan të një niveli kaq të lartë me burg. Kështu që, për mendimin tim ka qenë një akt i guximshëm nga ana e tyre, pavarësisht se i pa suksesshëm.
Por, pas pretencës, vendimi 5 me 0 si t’u duk?
Vendimi është i pakontestueshëm. Kjo ka qenë një nga arsyet që unë nuk pata asnjë deklaratë pas shpalljes së vendimit, nuk pata asnjë koment, pasi nuk ke çfarë thua për një vendim të tillë. Janë 5 gjyqtarë që pavarësisht bindjeve të tyre politike, që pa diskutim çdo person ka bindjet e veta, por janë 5 gjyqtarë që vendosën në mënyrë unanime një gjë. Sidomos një person që bën ligje, voton ligje, si puna ime, si deputet, nuk mund të bëjë komente më shumë se sa kaq mbi një vendim. E vendosi gjykata në një shtet ligjor, pas asaj s’ka më komente. Më pëlqen mua apo s’më pëlqen mua, i pëlqen të tjerëve apo s’i pëlqen të tjerëve, nëse duam që të funksionojë shteti, jemi të detyruar ta pranojmë, nëse nuk na pëlqen ajo që ka ndodhur kemi detyrë në të ardhmen që të reformojmë sistemin e drejtësisë nisur mbi shtylla të tjera. Pra, të bëjmë një reformë ndryshe nga ajo që ka ndodhur. Por, nuk ke çfarë i komenton këtij vendimi, 5 me 0.
Nëse gjatë gjithë procesit, kur kishte momente që gjykata shprehej ka qenë fillimisht 3 me 2, pastaj 4 me 1, pastaj shkoi 5 me 0…
Unë kam pasur një mendim që gjyqtari Dvorani, pasi gjatë gjithë periudhës së gjyqit ai ka pasur mendim pakice, ka qenë kundër gjyqtarëve të tjerë, tre në fillim pastaj katër gjyqtarë. Kam pasur një mendim që ai do të kishte në fund një vendim tjetër. Por, derisa ai dha këtë vendim, unë e njoh shumë mirë gjyqtarin Dvorani, prej vitesh. Familjet tona njihen derisa ai dha këtë vendim do të thotë që ky ishte vendimi i vetëm që mund të jepej, pasi në të gjithë procesin gjyqësor nuk dolën faktet të atij nivele të besueshëm që të jepej një vendim fajësimi. Pra, nëse në atë gjyq nuk u pa fare video, pasi në atë gjyq u mor vendimi që video të mos shihej nga gjyqtarët, pavarësisht se ishte pjesë e provave, ai nuk e pa. Si do të arrijë një gjyqtar pa e parë të japë një vendim fajësie? Nuk u pa fare ajo. Pra, në mënyrën se si eci procesi gjyqtar nuk kishte asnjë gjyqtar që mund të votonte për fajësi.
Ju e respektoni?
Absolutisht. Drejtësia është edhe procedurë. Unë kam paradash dy raste nga shkollimi në Amerikë, në shkollë kemi mësuar dy raste. Rastin e një ish-sportisti të famshëm në Amerikë, Xhej Simson, i cili u akuzua për vrasjen e gruas. Policia shkoi në shtëpinë e tij dhe gjeti thikën e krimit me të cilën ai kishte vrarë gruan dhe doreza që ai kishte veshur. Për shkak se policia shkoi pa mandat kontrolli në shtëpinë e tij gjykata nuk e mori parasysh atë provë, u hodh ajo provë dhe doli i pafajshëm. Doli i pafajshëm sepse policia shkoi pa leje kontrolli dhe i gjeti provat pa leje. Pavarësisht se të gjithë e dinë se ai është fajtor, se ai vrau gruan, drejtësia është procedurë. Deri sa u kap një provë në mënyrë të jashtëligjshme mbaroi, nuk ka gjyq. Apo një rast tjetër, përsëri nga shkolla në Amerikë. Ndalon policia në rrugë një makinë dhe i bën kontroll dhe gjen drogë në atë makinë. Shkon avokati në gjyq dhe thotë me çfarë mandati e ndalove makinën dhe e kontrollove, nuk kishte as postbllok, ia dha truri policit ta kontrollonte dhe e kontrolloi. Në gjyq u quajt kontroll i parregullt dhe dolën të pafajshëm ata. E njëjta gjë në gjyqin e Metës. Nëse marrja e videos u quajt e parregullt, nëse ekspertiza e ekspertit amerikan u quajt e parregullt nuk mund të gjykosh më pastaj, se nuk ekziston fakti tha gjykata.
Në fakt në të gjithë botën avokatët janë ata që i gjejnë këtë hapësira në procedura që të fitojnë edhe gjyqe kaq të famshme sa edhe këto që përmendni ju…
Çfarë rëndësie ka. Ilir Meta sot është i pafajshëm nga e gjithë kjo histori dhe unë jam i prirur ta besoj këtë se kështu ka thënë gjykata.
Ndryshe nga Meta, i cili ka qenë hiperaktiv edhe pas vendimit, me qëndrime, me deklarata publike, ju keni preferuar të heshtni, siç e shpjeguat për herë të parë se jeni të detyruar të respektoni shtetin ligjor. Pse ky qëndrim?
Pas gjyqit duhet të bëjmë një dallim, Ilir Meta vetë s’më ka sulmuar mua asnjëherë. Ekipi po, Spartak Braho.
Ka thënë që ka 187 orë filmime…
Ka dalë, ka thënë që ka 187 orë filmime për mua, të cilët ata do t’i nxjerrin ku di unë, këtu e aty, e histori të tjera si këto. Për hir të së vërtetës Ilir Meta është distancuar në qëndrimet e tij publike ndaj Spartak Brahos dhe ka thënë që ato janë disa deklarata të ulëta e të pamoralshme. Kështu që, unë dua ta bëj ndarjen midis të dyve. Spartakun e njohin të gjithë, ai në listën e deputetëve të LSI-së vjen pas meje. Nëse unë dorëzoj mandatin hyn në parlament Spartaku. Por, ka edhe një interes personal që të bëjë këtë lloj lufte, këtë lloj shantazhi, këtë lloj shou. Ka një të vërtetë. Vërtetë ka filmime të miat, ka ndodhur vërtetë. Më kanë përgjuar 24 orë në telefona, në makinë, në shtëpi, në zyrë, në ambiente private, vend e pa vend. Ka qenë një grup mafioz që ka punuar rreth një vit rresht për të më përgjuar mua 24 orë. Nuk e bëjnë vetëm për mua. Nga informacionet që kam unë është se ata përgjojnë Presidentin, kryeprokuroren, kryetarin e opozitës, opozitarë të tjerë, përfaqësues mediash. Është një grup mafioz, nuk e di a është Spartak Braho në krye apo jo, brenda Shqipërisë që bën këto gjëra me pajisje përgjimi të blera në Bari të Italisë dhe nga sa di unë me origjinë ruse, që bëjnë këtë lloj masakre, shkelje të të drejtave të njeriut dhe të privatësisë, të personave publik, por edhe personave të thjeshtë në këtë vend.
Keni prova për këtë?
Kjo është tmerruese. Si është e mundur që të dalë një përfaqësues i mazhorancës në një emision televiziv dhe të thotë se kam 187 orë filmime për një deputet dhe askush mos të shkojë t’i kontrollojë shtëpinë, zyrën, të gjejë se çfarë ka, si i ka bërë? Nuk lejohet që të përgjohet një njeri në Shqipëri pa mandat. Kjo është një deklaratë e tmerrshme e një rrjeti dhe grupi mafioz. Askush nuk lëviz. Unë i kam bërë një letër prokurorisë për këtë gjë. Është komentuar letra. I kam bërë letër këtë gjë, i kam thënë jam përgjuar 24 orë në këtë mënyrë, i kam dhënë informacionet dhe i kam thënë kam rrezik për jetën nga kjo që ndodh. Asnjeri nuk ka lëvizur.
A keni prova se është shumë e rëndë që jeni përgjuar 24 orë?
Po çfarë provash duhen, ai tjetri del në televizor dhe thotë që kam 187 orë filmime të bëra në një vit nga jeta e dikujt, kur unë kam dalë nga shtëpia 1-2 orë në ditë gjatë kësaj periudhe. Nuk kam dalë, për t’u ruajtur. Si mund ta bësh, duhet ta përgjosh një njeri një vit rresht për 24 orë, me mjete speciale. Po ta them që edhe nga prokurorë më është konfirmuar dyshimi im që në Shqipëri ekziston një rrjet i tillë, makina lëvizëse që bëjnë përgjime me zë dhe me figurë të personazheve të ndryshme, jashtë strukturave të shtetit. Dyshimi më është konfirmuar, por s’është detyra ime për ta zbuluar. Kjo është një gjë skandaloze, kjo tregon mungesën e lirive që ka ky vend dhe shantazhin e jashtëzakonshëm që i bëhet çdokujt që nuk ka lidhje me pushtetin. Kjo është gjëja më skandaloze që kemi thënë në këtë emision dhe dikush duhet të veprojë. Unë nuk kam asnjë siklet nga çdo regjistrim dhe filmim që i kam bërë jetës sime. S’kam asgjë për të fshehur. Por, kur kjo ndodh me figura të tjera që drejtojnë shtetin, apo që drejtojnë opozitën, apo që drejtojnë institucionet e pavarura të këtij vendi, pastaj duhet të themi se në çfarë sistemi jetojmë.
Ka ndodhur kjo në fakt edhe me të tjerët?
Absolutisht. Nëse ju do të dëgjoni se çfarë thotë njëri apo tjetri, që Presidenti kur ishte në këtë vend tha kështu, kryeprokurorja kur ishte kështu tha kështu me Edi Ramën, kjo kur ishte këtu bëri ashtu. Këto janë të gjitha përgjime, nga dalin këto? Dalin nga njerëzit që drejtojnë vendin dhe shtetin këto struktura. Dikush duhet të ngrejë sinjalin e alarmit për atë që ndodh në Shqipëri, duhet ta zbulojë urgjent se çfarë ndodh. Unë absolutisht, mos të përdor ndonjë fjalor që s’dua ta përdor në televizor, nuk e kam problem se çfarë më bëjnë mua shantazh. Nuk ka lindur akoma ai njeri që të më bëjë mua shantazhe. Por, ndodh me gjithë shtetin.
Zoti Braho thotë se zoti Prifti ka filmuar veten…
Këto janë përralla me mbret, që unë paskam filmuar veten dhe s’i paskam këto filmime, dhe i ka zoti Braho që do t’i publikojë. Këto janë që ato të fshehin shkeljen e ligjit që kanë bërë, që kanë përgjuar një deputet pa asnjë mandat, pa asnjë urdhër gjykate, kërkesë prokurorie apo çfarë, janë për të fshehur mafiozitetin dhe paligjshmërinë e kësaj që kam bërë. Pikë, shkurt.
A mos ajo që bëtë ju, filmimi që i bëtë Metës ka ndonjë paralele me këtë filmim. Se ju thatë se s’mund të filmohet dikush pa mandat. Edhe ju pa mandat e filmuat, apo ka ndryshim midis këtyre filmimeve që thuhet se janë 184 orë me këtë filmim që ju keni?
Unë kam filmuar pa mandat, por në zyrën e shtetit. Ok? Dhe pastaj e gjykoi prokuroria apo gjykata nëse kjo ishte një provë që duhej vlerësuar, në zyrën e shtetit, jo atje ku pretendojnë të tjerët që i bëjnë këto.
Ky është ndryshimi, që ju i keni bërë në zyrën e shtetit për zyrtarë të shtetit dhe për përfaqësues të shtetit, ndërkohë që këto janë private dhe janë të jashtëligjshme…
Ka një ligj, ka nxjerr një ligj qeveria Berisha kur ka ardhur që inkurajon punonjësit e shtetit të denoncojë korrupsionin, që lejon instalimin e kamerave në institucioneve etj,. Nëse unë do të kërkoj shpërblim nga qeveria, duhet të marr shpërblim për atë që kam bërë.
Përtej kësaj, ta ç’dramatizojmë pak këtë moment të bujshëm të intervistës, ju thatë që është vënë re se zoti Meta ka pasur një qasje krejt tjetër pas vendimit të gjykatës në lidhje me ju dhe në raportin me ju. Si e shpjegoni, çfarë ka ndodhur, keni ju ndonjë shpjegim?
Edhe Meta edhe unë jemi politikanë dhe politikanët shohin përpara. Unë e shoh që Meta, të paktën çfarë ka deklaruar, e ka lënë të shkuarën prapa, unë jam në të njëjtën gjatësi valësh. Ta lëmë të shkuarën prapa dhe të shohim prapa. Unë i kam parë dhe vlerësuar qëndrimet e tij të zbutura ashtu siç jam përgjigjur me të njëjtën monedhë. Unë kam deklaruar që me Ilir Metën kam pasur 10 vjet bashkëpunim dhe një vit luftë. Shpresoj që e ardhmja të jetë një lloj normaliteti. As e kam futur unë Ilir Metën në politikë dhe nuk qëndron në politikë prej një vote që kam unë, dhe as më ka futur ai e nuk qëndroj në politikë prej tij. Nëse do të votohemi dhe do të vazhdojmë të qëndrojmë në politikë, ku i dihet, mund të vijë dita një ditë për të mirën e opozitës dhe të ketë bashkëpunim.
Midis jush?
Midis faktorëve opozitarë.
Kjo ishte një ftesë jo vetëm për pajtim, por edhe një bashkëpunim të mundshëm me sa kuptova?
Unë nuk bëj ftesa, se jam një person që përfaqësoj vetëm veten. Por, unë e shoh një mundësi sado të vogël bashkëpunimi me Ilir Metën vetëm në kuadrin e bashkëpunimit opozitar.
Nëse kjo ndodh një ditë mund të ndodhë vetëm…
Nëse kjo ndodh një ditë mund të jemi në një llogore, jo në një informacion politik, por në një llogore.
Është parakusht kjo për të qenë edhe në një formacion politik, apo kurrë mos thuaj kurrë?
Kjo kurrë mos thuaj kurrë më pëlqen si shprehje se kur e thua të jep një lloj shprese. Dhe e kam përdorur më përpara në jetën time, them ka edhe një lloj shprese kjo shprehje. Por, nuk e përfytyroj veten përsëri në strukturat e Lëvizjes Socialiste për Integrim, nuk ka ndonjë kuptim që unë të rikthehem për kontribut në atë forcë politike, por nuk përjashtoj bashkëpunimin me atë forcë politike apo me liderët e asaj force politike nëse do të punojmë për të mirën e opozitës sot, ose të mazhorancës së nesërme. Nëse kjo forcë politike vendos të kalojë në opozitë, unë personalisht e mirëpres si vendim dhe sigurisht që më vjen mirë që nëse është e mundur të bashkëpunojmë bashkë për të rrëzuar këtë qeveri nuk mund të them jo. Politika është shans dhe pragmatizëm.
Dhe arti i kompromisit.
Patjetër.
Si i tillë, arti i të bërit të pamundurës të mundshme, a do të jetë e mundshme, keni ju indicie të tjera, përtej anës publike, të një takimi të mundshëm me Metën apo kjo është e parakohshme?
Kjo pastaj futet tek pjesa e abuzimit. Jem dy persona në parlament, sot kontribuojmë në drejtime të kundërta. Ai punon për të mbajtur Berishën në pushtet, unë punoj për ta rrëzuar atë nga pushteti. Por nëse do jemi në pozicione të ndryshme unë po e përsëris se nuk i them jo bashkëpunimit. Nuk e kam shok dhe as mik Ilir Metën. Kjo që ka ndodhur midis nesh e ka prishur miqësinë dhe shoqërinë. Dhe nuk besoj se.. Buka është thyer. Besoj se më është thyer mua, besoj se i është thyer edhe atij. Nuk besoj se do të ndodhemi bashkë në një shtëpi së afërmi ku di unë për të festuar këtë apo atë, por si politikanë nuk përjashtoj absolutisht bashkëpunimin.
Dje të enjten është shtyrë edhe me një muaj afati i betimit për një çështje tjetër që lidhet përsëri me një video që është ajo mes jush dhe ish-zëvendësministrit të Energjetikës Leonard Beqiri. Si po shkon procesi dhe pse kërkuat që të shtyhet procesi nëpërmjet avokatit tuaj?
Dëgjo unë kam ndjesi që prokuroria kohët e fundit është ndikuar shumë politikisht për shkak të presioneve që janë bërë mbi të për hetimet që kryen ndaj meje dhe ish-zëvendësministrit dhe, edhe për të shmangur këtë, një vendim të nxiruar të prokurorisë nisur nga motivet politike, avokatët e mi, me shumë të drejtë, gjykuan që minimalisht në marrjen e vendimit për hetimet e deritanishme nga prokuroria duhet të administrohet në dosje vendimi i gjyqit të zotit Meta.
Ky vendim nuk ka dalë?
Ky vendim nuk është zbardhur nga gjyqtarët dhe nuk është zyrtar. Dhe avokatët e mi gjykuan t’i kërkojnë prokurorisë që të administrohen në këtë dosje vendimet e ndërmjetme që janë marrë në gjyqin e zotit Meta. Një nga vendimet e ndërmjetme që është marrë e di kush është? Avokatët e Metës kërkuan që video e ime dhe e zotit Beqiri të administrohej në gjyqin e tyre dhe gjykata tha “Nuk mund ta administrojmë këtë video se kjo video nuk ekziston, se ka rënë si e jashtëligjshme ekspertiza e ekspertit amerikan. Eksperti amerikan e nxori këtë video. Duke qenë se ekspertiza e eksperti amerikan ka dalë si e jashtëligjshme nga gjykata dhe çdo gjë që ka rrjedhur nga ajo ekspertizë është e jashtëligjshme, nuk ekziston. Pra, në këtë vendim të ndërmjetëm të gjyqit të Metës, çështje hetimet ndaj meje dhe ish zëvendësministrit janë të mbyllura dhe avokati im me të drejtë kërkoi që prokuroria ta administrojë këtë vendim, vendimet e ndërmjetme por edhe vendimin përfundimtar.
Pra po thoni që për shkak të një raporti varësie që kanë këto dy video…
Ka marrë një vendim gjykata për video time dhe të zotit Beqiri, Gjykata e Lartë ka marrë një vendim dhe ka thënë që rrëzohet ekspertiza amerikane dhe çdo gjë që rrjedh prej saj, pra dhe video e dalë e imja dhe e zotit Beqiri është nuk, nuk ekziston.
Pra të bëj një pyetje si avokati i djallit që ju ka pëlqyer vendimi për Metën dhe nuk keni pretendim se de-facto ky vendim ju nxjerr edhe ju të pafajshëm dhe ju mbyll dhe gjyqin me zotin Beqiri?
Zoti Peza unë nuk kam pas asnjëherë as dyshimin më të vogël për pafajësinë time sepse atë video e kam regjistruar unë në shtëpinë time, jo për pjesën e lekëve që ka qenë një pjesë tërësisht private, por për bisedat e tjera që janë bërë aty me ish-zv.ministrin dhe nuk kam pas kurrë dyshim se unë jam një njeri që i di të gjitha faktet. Nuk ka qenë kurrë asnjë gjë që ne kemi bërë aty vepër penale. Nuk ka krim, nuk ka korrupsion dhe unë kam qenë i bindur në pafajësi. Kohët e fundit jam frikësuar për shkak të presionit që i është bërë prokurorisë dhe sa të rri edhe një vit tjetër duke u marrë me Gjykatën e Lartë, unë jam i bindur, sepse në dosjen e prokurorisë nuk ka asnjë provë, asnjë fakt, asnjë dëshmitar, asnjë të vetëm që mund të provojë akuzën. Po kush rri edhe një vit mbas gjykatës edhe nëpër media duke u marrë me video. Kështu që… Prandaj dhe avokatët kanë kërkuar që të administrohen këto vendime, t’i shohë prokuroria a është bërë procesi nul apo kjo. Plus që janë kërkuar, meqë prokuroria nuk ka arritur t’i pyesë, nja dy dëshmitarë të cilët mund të hedhin dritë mbi të vërtetën. Prokuroria nuk i ka pyetur deri tani, e ka kërkuar mbrojta që të pyeten dhe nja dy dëshmitarë të tjerë të cilët dinë rrethanat e asaj që ka ndodh, për ta sqaruar procesin më qartë edhe më tej.
Marrë me shkurtime nga emisioni “Debat”