Friday, June 8, 2012

Nano: Kam gjithmonë një listë me deputetë dalëzotsa

Ish-kreu i PS u kërkon deputetëve të hyjnë në garë për kreun e shtetit.
“Edi Rama me mendësi otomane antigarë për Presidentin”
Fatos Nano tha dje se ka deputetë që do ta mbështesin në kandidimin e tij për President. Kandidati i vetëshpallur për President, në një intervistë dhënë Luljeta Prognit për website-in studimepoliti-ke.com,  tha se do të gjejë mbështetje për garën presidenciale. “Nëse Presidenti do të dalë i zgjedhur nga një garë e lirë dhe e ndershme në Kuvend, atëherë kjo do të jetë dëshmi e pjekurisë së demokracisë shqiptare. E, për ta përmbyllur, po ju them se unë gjithmonë e kam edhe një listë me deputete dalëzotsa”, shprehet Nano. Lëvizja “Nano për President” i bëri apel dje PS-së përmes një njoftimi të shpërndarë mediave që të mos vetëpërjashtohet nga gara. “Prej javësh PS, nëpërmjet kryetarit Rama, ka adoptuar qëndrimin për një proces amorf, nëpërmjet të cilit do të shkohet te një kandidat konsensual. Prej javësh është vënë re këmbëngulja e paarsyetuar e zyrës së Ramës, se kjo parti nuk ka emër për të propozuar ngase PS është pakicë, nuk ka numrat për ta zgjedhur Presidentin, se PS synon vetëm konsensusin me kandidatët e maxhorancës, e të tjera deklarata të tilla vetëpërjashtuese të opozitës nga vendimmarrja parlamentare”, thuhet në njoftimin e zyrës së Nanos. Duke analizuar sjelljen dhe qëndrimet e deritanishme të krerëve politikë të dy partive, lëvizja “Nano për President” kërkon nga PS që të dalë nga mendësia antigarë. “Vini re, me këtë mënyrë veprimi, me këtë mendësi otomane antigarë, kundër çlirimit të energjive më pozitive të politikës dhe qytetarëve shqiptarë, shpërfillet dhe asgjësohet edhe dinjiteti e vullneti i lirë edhe i vetë deputetëve. Opozita nuk mund të lejohet që të rrëzohet ndërsa bën gabimin duke shmangur Presidentin. Opozita mund të rritet duke lartësuar Presidentin”, thuhet në njoftimin e djeshëm. Kjo lëvizje u kërkon deputetëve socialistë të bëhen dalëzotsa duke respektuar dinjitetin dhe integritetin e tyre. “Fatos Nano është dalëzots dhe i fton gjithashtu deputetët e PS që të bëhen dalëzotsa, duke i dalë për zot dinjitetit të tyre, integritetit të tyre, Partisë Socialiste, demokracisë shqiptare, lirisë e drejtësisë, si dhe mbarëvajtjes së punëve në Shqipëri në mënyrë që të gjithë së bashku ta festojmë 100-vjetorin e Pavarësisë edhe me statusin kandidat në BE të fituar”, thuhet në njoftimin e lëvizjes “Nano për President”.
Falënderim
Ish-kreu i PS-së falënderon Stefano Sanninon për misionin e tij të fundit në Shqipëri. “Fatos Nano falënderon dhe i shpreh mirënjohjen e thellë Stefano Sanninos, të dërguarit të komisionerit Stefan Fyle në Shqipëri, për misionin e tij të sotëm moderator në vendin tonë e për përpjekjet dhe inkurajimin që ai ka bërë për të zgjidhur ngërçin e zgjedhjes së Presidentit. Ndihma dhe mbështetja e institucioneve europiane dhe e të gjithë partnerëve euroatlantikë është e shumëçmuar dhe tejet e rëndësishme për mbarëvajtjen e punëve në vendin tonë”, thuhet në njoftim.
Harasani: Nano i bën nder postit të Presidentit
Deputeti socialist Andis Harasani mbështet kandidimin e ish kreut socialist Fatos Nano për postin e presidentit të Republikës. “Përveç se unë e kam mik personal, mendoj që i bën nder postit të presidentit. Zoti Nano është një nga politikanët më të mirë në Shqipëri dhe kupton më mirë nga të gjithë se si funksionon procesi, në të cilin bëhet fjalë për një bashkëpunim, të rënies dakord të dyja palëve në mënyrë që presidenti të jetë konsensual”, shprehet Harasani.
ARISTIR LUMEZI

Wednesday, June 6, 2012

26 intelektualë, thirrje partive: Kandidoni Nanon

Nje grup intelektualesh i jane drejtuar me nje leter te hapur krereve te partive parlamentare, mes te ciles i kerkojne mbeshtetje per kandidaturen e Fatos Nanos per kreun e ri te shtetit.
Ne leter, nenshkruar nga 26 intelektuale theksohet se “Nano përmbush të gjitha kriteret personale, politike dhe kontekstuale për të qenë një President i denjë e Republikës, duke pasur kapacitetin real për të qenë i pavarur, mbi palët dhe garantues i pavarësisë dhe evoluimit të institucioneve të pavarura për t’i ndarë ata përfundimisht nga loja politike partizane, për t’i bërë ato funksionale dhe në shërbimit të shtetit e jo në shërbim të palëve.”
Letra drejtuar krereve te partive parlamentare
Duke ndjekur me vëmendje debatin për Presidentin e ri të Republikës dhe procesin politik lidhur me këtë zgjedhje jetike për demokracinë dhe institucionet shqiptare jemi të prirur të kontribuojmë në këtë proces duke apeluar ju, deputetë dhe kryetarë të partive parlamentare në Kuvendin e Shqipëri lidhur me kandidaturën e ish- kryeministrit Fatos Nano për President të Republikës.
Duke iu drejtuar juve, kryetarë të nderuar të partive shqiptare të përfaqësuara në parlament dhe më gjerë spektrit politik shqiptare, ne besojmë se kontribuojmë në mbështetjen e një procesi për çështjen e Presidentit që fiton një vlerë të re dhe një përmasë të re emancipuese dhe evolutive në raport me historinë tonë politike të pluralizmit këto 22 vjet.
Ne besojmë se duke mbështetur Fatos Nanon si kandidat për President të Republikës, formësojmë një precedent të ri dhe pozitiv për demokracinë shqiptare: përfilljen e trashëgimisë sonë politike me të gjithë vlerat dhe problemet e saj, por që mund të jetë në shërbim të vendit, institucioneve dhe demokracisë shqiptare shumë më tepër sesa formulat e tjera që prodhojnë një president nga një proces negociues i mbyllur e i kufizuar. Qoftë për moshën e re që ka demokracia shqiptare, qoftë për vështirësitë nëpër të cilat ajo ka kaluar, ky precedent nuk ka qenë i mundur të krijohet deri më tani, ndaj është shans që në fakt më në fund ne kemi mundësi të tërheqim nga tradita jonë më e mirë politike një figurë të tillë si Fatos Nano, për ta inkurajuar në gatishmërinë që ai ka manifestuar publikisht për të kontribuar tashmë në krye të një institucioni të rëndësishëm si Presidenti i Republikës.
Nano, përfaqëson vlera liberalizuese dhe mirëfilli demokratike në traditën tonët re politike, ndoshta si pak kush tjetër, me reformimin e së majtës së vjetër shqiptare, me reformat e para liberalizuese për shoqërinë dhe ekonominë shqiptare dhe me reformat demokratizuese të gjysmës së dytë të viteve ‘90-të; me marrëveshjet historike mes të majtës dhe të djathtës, ku Nano ka qenë protagonist i dorës së parë duke i dhënë vendit hope dhe avancime të rëndësishme demokratike; me zgjedhjet e lira të organizuara në kohën e qeverisjes së tij dhe me rrotacionin paqësor të pushtetit Fatos Nano ka vendosur precedentë por aq të rëndësishëm sa gurët kilometrikë të një demokracie të re; me dorëheqjen e tij nga Kryetar i Partisë Socialiste në 2005, Fatos Nano ka instaluar në jetën politike shqiptare precedentin e përtëritjes së elitave politike në këtë vend duke i dhënë frymëmarrje dhe konkurueshmëri skenës sonë politike.
Për të gjitha këto arsye, duke qenë të bindur se vlerat dhe përvoja politike duhen përfillur dhe konsideruar nga shoqëria, për t’u vënë në shërbim të saj, ne besojmë se demokracia shqiptare ka nevojë të hyjë në një fazë të re, kombi shqiptar të shpëtojë nga vënia e shkelmit trashëgimisë sonë politike duke kaluar nga fazat e përmbysjeve ciklike në fazën e vijimësisë së natyrshme të takuar të vlerat dhe përvoja pozitive e asaj që ne na ndodhur këto 22 vjet në politike.
Ne besojmë se Fatos Nano përmbush të gjitha kriteret personale, politike dhe kontekstuale për të qenë një President i denjë e Republikës, duke pasur kapacitetin real për të qenë i pavarur, mbi palët dhe garantues i pavarësisë dhe evoluimit të institucioneve të pavarura për t’i ndarë ata përfundimisht nga loja politike partizane, për t’i bërë ato funksionale dhe në shërbimit të shtetit e jo në shërbim të palëve.
Duke ju respektuar fort për përfaqësimin të vullnetit të popullit, ne besojmë se Ju dhe trupa jonë parlamentare mund të na japin me kandidaturën e Fatos Nanos një stad të ri të demokracisë shqiptare. Një stad që i përgjigjet aspiratave të shoqërisë për tolerancë, për ekuilibër, për emancipim dhe për evoluim drejt një shoqërie të pjekur demokratike, të denjë për një Shqipëri në BE, edhe më shpejt se thjesht një ambicie të zakonshme e rutinore.
1.Ylli Popa
2. Dhori Kule
3. Moikom Zeqo
4. Gjergj Sinani
5. Adrian Civici
6. Mihal Tase
7. Arben Gjata
8. Ksenofon Krisafi
9. Aferdita Jonuzi
10. Petrit Malaj
11. Leonard Solis
12. Luan Bregasi
13. Zef Preci
14. Artan Santo
15. Bajram Muco
16. Shaban Sinani
17. Edit Mihali
18. Sulo Haderi
19. Ali Ahmeti
20. Uke Ibrahim Rugova
21. Thimio Kondi
22. Kujtim Cashku
23. Pirro Milkani
24. Ekrem Bardha
25. Arjan Gjonca
26. Anton Lulgjuraj

Tuesday, June 5, 2012

Faleminderit Zaganjori, President Fatos Nano!

ARIAN GALDINI
Faleminderit ambasadorit të SHBA, Aleksandër Arvizu, apo arvizuterapisë, ambasadorit të BE, Etore Sekui, si edhe ambasadorit të OSBE, Eugen Volfarth, apo trojkaterapisë, më në fund procesi i zgjedhjes së Presidentit të Republikës duket sikur ka hapur mundësitë për të hyrë në rrugë të mbarë. Sikurse ata thanë dhe Edi Rama e përsëriti: Kriza po shndërrohet në shans për ripërtëritje.
Prof. Xhezair Zaganjori zhvilloi takime me të gjithë krerët e spektrit politik të përfaqësuar në Kuvend. Ky është ndoshta zhvillimi më shpresëdhënës qëkur ka nisur të flitet a debatohet, veprohet a kulisohet për zgjedhjen e Presidentit në këtë vendin tonë të vogël që me kaq shumë ngulm publik e kaq pak vullnet e kulturë politike synon të bëhet europian. Veçse ishte në shtigjet që kishte hapur, standardit që kishte ngritur, modelit që kishte ndërtuar Fatos Nano disa javë më parë.
Prof. Xhezair Zaganjori është një dinjitar shumë i respektuar i shtetit shqiptar për të cilin nuk ke ç’thua veç vlerësime të pakursyera për të gjithë karrierën e tij si akademike, ashtu edhe diplomatike, e patjetër edhe në Drejtësi. I sjellë në vëmendje dhe i propozuar nga maxhoranca qeverisëse, Prof. Zaganjori shqyrtoi brenda tij mundësitë, kualitetet, eksperiencën, dijenitë dhe kapacitetet e tij personale prej nga edhe gjeti kurajën dhe përgjegjësinë publike e qytetare për ta pranuar kandidimin për detyrën e kreut të shtetit shqiptar i ndërgjegjshëm se ai nuk e kishte menduar e as kërkuar këtë gjë më parë. Por këtu nuk çalonte standardi i Prof. Zaganjorit, këtu çalonte dhe vazhdon të çalojë standardi i kryetarëve të partive politike shqiptare, të cilët nuk kanë asnjë vetëdijësim, as sjellje apo shprehi demokratike për të kuptuar rëndësinë e konkurrencës së lirë dhe të ndershme, e pjesëmarrjes publike në një proces zgjedhjeje në një vend demokratik. Kryetarokratët tanë takohen me njëri-tjetrin, herë bashkë e herë kokë më kokë, herë njëra gjysmë, e herë të gjithë, duke menduar e pretenduar se po ushtrojnë demokracinë, ndërkohë që nuk bëjnë as më shumë e as më pak, por e vrasin demokracinë. Ua kemi thënë e vazhdojmë t’ua themi kryetarokratëve tanë se demokracia me dyer të mbyllura është demokraci e vrarë, por ata ende nuk e kuptojnë, ose nuk u intereson ta pranojnë këtë të vërtetë. Ata flasin për procesin a thua se procesi është pazar apo marrëveshje kryetarokratësh e nuk e kuptojnë se procesi është drejtpërdrejt ushtrim demokracie nëpërmjet lehtësimit, krijimit të hapësirave dhe inkurajimit të konkurrencës së lirë dhe të ndershme, e pjesëmarrjes së publikut. Kryetarokratët bëjnë lojë kungulleshkash duke dorovitur lista emrash e duke u ndjerë ndërkohë zot të fateve të vendit tonë, por edhe të personalitetit e integritetit të të gjithë këtyre emrave që ata kalojnë në sitën e tyre të padenjë. Themi sitën e tyre të padenje sepse vetë loja e kungulleshkave me darovitjen, shkëmbimin, qarkullimin, përgojimin, rrëzimin apo propozimin e emrave, është strukturalisht në moral dhe mendësi krejtësisht anadollake, joperëndimore e, si rrjedhojë, e padenjë për një vend që synon të europianizohet.
Prof. Zaganjori pati kurajën dhe meritën që përtej mangësive, deformimit dhe gjymtimit të procesit nga kryetarokratët, të ngrihet në lartësinë e duhur qytetare e ta pranojë këtë sfidë, por njëkohësisht duke marrë edhe përgjegjësitë e kërkuara mbi procesin, përderisa është emri dhe integriteti i tij që vihet në lojë. Prof. Zaganjori nuk e la më fatin e emrit të tij në lojën e kryetarëve. Vullnetit të maxhorancës qeverisëse për ta propozuar, Prof. Zagannjori, duke i thënë po, i shtoi edhe kurajën e tij për t’u vetofruar. Lëvizja e Prof. Zaganjorit drejt kërkimit të drejtpërdrejtë të konsensusit është akti më demokratik dhe më i shëndetshëm që ka ndodhur qëkur në këtë “industri” po i lëviznin e kontrollonin punët vetëm gjashtë kryetarët e partive. Pasi Prof. Zaganjori vendosi të zbresë vetë në fushë, mund të themi pa asnjë hezitim se loja e kryetarokratëve me darovitje e shkëmbime listash mori fund. Me takimet që Prof. Zaganjori realizoi me krerët e partive politike të të gjithë spektrit të përfaqësuar në Kuvend, ka ndodhur ajo që duhej të ishte lejuar të ndodhte krejt natyrshëm që në nisje të procesit në një vend normal demokratik: Njeriu që ka përgatitjen, ndërgjegjësimin, përvojën, dijet, kulturën dhe kurajën për të shërbyer si simbol i unitetit kombëtar, si kreu i shtetit shqiptar, meriton dhe kërkohet të jetë ndërtuesi dhe zhvilluesi i procesit në bashkërendim me kryetarët e partive, me lehtësimin dhe inkurajimin e tyre, si edhe me konsultimin dhe pjesëmarrjen e publikut, sepse publiku dhe vetëm publiku e zotëron dhe kontrollon procesin. Nuk mundet të mos e falënderojmë Prof. Zaganjorin që e mbylli me aq mençuri dhe integritet kapitullin e procesit të kryetarokratëve, për t’i dhënë nisje, forcë dhe drejtësi procesit për zgjedhjen e Presidentit në mënyrë demokratike. Këtu është steka tashmë. Justifikimi i kryetarëve ka mbaruar në momentin që kanë pranuar të takohen me Prof. Zaganjorin. Nuk ka më asnjë legjitimitet kërkimi i emrave nëpër xhepa, axhenda telefoni apo zarfe interesash të ngushta politike apo vetjake. Kryetarët pranuan se kandidati për President duhet të jetë njeriu që ka ndërgjegjësimin, përvojën, vizionin dhe kurajën për t’u vetofruar, për të konkurruar e për të marrë të gjitha përgjegjësitë në këtë konkurrim për detyrën e qytetarit të parë të shqiptarëve. Të mbyllen listat, të ndalojë loja e kungulleshkave me emra, të ndalet fëlligështia e pazareve mbi emra, të zhbëhet kjo mendësi jodemokratike.
Më në fund, kemi një kandidat të propozuar nga maxhoranca, Prof. Zaganjorin, i cili e ka pranuar ofertën dhe ka hyrë vetë në lojë duke u përballur me publikun dhe vullnetet politike. Sot Prof. Zaganjori është kandidat jo thjesht sepse e ka propozuar dhe e ka mbështetur maxhoranca, por sepse ai ka zyrtarizuar ambicien e tij për të konkurruar për postin e Presidentit të Republikës.
E këtu gjithçka merr drejtimin e duhur sepse nuk kemi të tjerë me këtë shpallje ambicieje dhe përgjegjshmërie, përveçse një kandidati tjetër, i cili, me sa duket, nuk i përket asnjërit krah politik aktivisht. Ai është vetofruar prej javësh duke u përballur me publikun dhe vullnetet politike, porse i ka munguar mbështetja nga Partia Socialiste, të cilën ai e drejtoi për 15 vjet. Ky është Fatos Nano. Jemi në mundësinë e një gare që mund të nxjerrë ose kandidatin konsensual të gjithëpranuar që në raundin e dytë, ose kandidatin fitues me vota në një konkurrim të lirë dhe të ndershëm në Kuvend. Nuk besoj se e vë ndokush në dyshim se Prof. Zaganjori vs shumëkujt, i ka të gjitha mundësitë që të jetë kandidati më i mirë.  Por, Xhezair Zaganjori vs Fatos Nanos është një garë që e ka rezultatin që në nisje. Fatos Nano është kandidati që pa asnjë diskutim ka avantazhin e madh të shtetarit të sprovuar, politikanit parësor protagonist, interlokutorit të shkëlqyer, komunikuesit të përsosur. Fatos Nano ka qendrën e tij të pushtetit dhe sferën e tij të influencës, gjë që e bën kandidatin më të mirë për President, i cili qartazi kërkohet nga partnerët tanë euroatlantikë që të jetë mbi palët, i patrysnueshëm nga palët, i aftë për të përballuar e administruar tensione, situata të vështira e kriza, brenda vendit dhe rajonale, i zoti për sipërmarrje politike dhe institucionale, garantues i Kushtetutës, mbrojtës i institucioneve të pavarura, negociator i aftë, pikëbashkues dhe përfaqësues i interesave dhe unitetit të shqiptarëve, si dhe i interesave, nevojave dhe strategjive të partnerëve euroatlantikë. Vetëm Fatos Nano dhe Xhezair Zaganjori kanë pranuar të dalin ballazi para politikës dhe publikut shqiptar për ta synuar detyrën e kreut të shtetit shqiptar. Xhezair Zagannjori e ka bërë këtë sepse/pasi ishte maxhoranca që ia mbështeti mundësinë dhe kurajën. Fatos Nano e ka bërë sepse e ka gjetur mbështetjen te përvoja e tij e gjatë politike dhe si shtetar, por edhe te vokacioni për ta vendosur veten në dispozicion si shërbëtor i mundshëm në detyrën e Presidentit të Republikës.
Edi Rama dhe Partia Socialiste nuk kanë më asnjë justifikim për të mos e mbështetur konkurrimin e Fatos Nanos. Edi Rama ditën që priti Xhezair Zaganjorin në zyrën e tij duhet edhe ta ketë kuptuar se ka pritur në zyrë një njeri, i cili po i paraqiste një model, një standard andidimi, pra një njeri që sikurse ndodh në çdo vend demokratik normal, e ka të shpallur ambicien dhe të qartë kurajën e ndërgjegjësimin për të konkurruar për President Republike. Edi Rama nuk ka pritur në zyrën e tij shumë të tillë. Ka pritur para disa javësh vetëm Fatos Nanon. Nuk ka rrugë tjetër veçse Edi Rama të vendosë në tryezën e konkurrimit përballë Xhezair Zaganjorit, emrin e kandidatit të cilin mbështet PS, i cili nëse do të jetë Fatos Nano, sigurisht që është më i miri. As Sali Berisha nuk ka rrugë tjetër veçse mirënjohjen që shpreh vazhdimisht në publik, Kuvend e kudo tjetër për bashkëpunimet dhe marrëveshjet që ka bërë me shtetarin Fatos Nano, ta materializojë me kurajë, pozitivitet dhe realizëm politik duke e pranuar Fatos Nanon si kandidatin më të mirë konsensual. Justifikimi se Fatos Nano nuk mund të pranohet si konsensual sepse ka qenë 15 vjet kryetar i PS nuk vlen. Sepse në këto 22 vite politike, Fatos Nano ka qenë 4 vjet në burg e 8 vjet i dorëhequr (1998-1999, 2005-20012). Fatos Nano është kandidati me protagonizëm të lartë politik për shkak të vlerave dhe staturës së tij parësore, por jo për shkak të politizimit. Nuk mund të konsiderohet si i politizuar një njeri që ka qenë aktiv realisht në politikë vetëm 10 vjet në këto 22 vite. Së paku, nuk mund të konsiderohet më i politizuar dhe më pak konsensual se sa kandidati tjetër, i cili, ndërsa ka bërë dinjitarin e ndershëm dhe të vlerë, ka ditur t’i shërbejë edhe politikës me zell po aq të madh sikurse është Prof. Zaganjori. Ky është momenti i provës për Edi Ramën dhe Sali Berishën, nëse ata vërtet janë të interesuar për mbarëvajtjen e punëve në këtë vend apo duan për President një pulë që ta komandojnë, sikurse thotë i madhi Arbën Xhaferri. Fatos Nano meriton pa asnjë diskutim të jetë Presidenti i gjithëpranuar i politikës për të qenë përfaqësuesi i denjë i unitetit kombëtar.

Monday, June 4, 2012

Nano pershendet takimin Berisha-Rama, jep 7 keshilla

Edhe pse Fatos Nano nuk ka marre mbeshtetjen zyrtare te PS per te qene kandature per President, me ane te nje deklarate per mediat pershendet nisjen e bisedimeve mes Berishes dhe Rames. Ndersa duke theksuar se garanton qe do te jete nje president qe do ti sherbeje vendit duke shtuar se i ka cilesite per kete, jep 7 keshilla per marredheniet e reja Berisha-Rama
Deklarata e plote
Fatos Nano përshendet takimin e djeshëm  mes Kryetarëve Berisha e Rama. Takime të tilla kërkohet të jenë normalitet dhe pjesë e një kulture dhe sjelljeje natyrale, të vetvetishme për liderët politikë shqiptarë. Ato duhet te vazhdojne te zhvillohen ne klimë mirebesimi, parimore, transparente, me sens te fortë përgjegjshmërie dhe llogaridhënieje para publikut shqiptar për publikun shqiptar, te jenë pjesë e shprehive dhe mendësisë demokratike euroatlantike. Lliderët politikë duhet te vazhdojne t’i kryejnë me përgjegjësi të lartë detyrat e tyre dhe te vendosin interesat e vendit përmbi interesat partiake, si edhe interesat publike përmbi interesat vetjake.
Fatos Nano shpreh mirëbesimin se deklaratat e dy krerëve politike Berisha e Rama për një përpjekje të përbashkët, për ‘një vijë të hapur’, për të mbërritur në një zgjidhje të përbashkët, do të materializohen me një produkt të matur, parimor e qëllimlartë që do ti sjellë Shqipërisë shanse e mundësi të reja për më shumë demokratizim, më shumë liri, hapa të sigurta e të shëndetshme drejt integrimit Europian, më shumë europianizim e perëndimizim të mendësive, sjelljeve, botëkuptimit të politikës dhe institucioneve shqiptare.
Fatos Nano siguron se nëse do të jetë Presidenti i Republikës, ai do të angazhohet me të gjitha kapacitet politike, institucionale e kushtetuese që mbart detyra e Kreut të Shtetit që të instalojë në njërën prej ditëve të javës, një traditë të përjavshme e të përhershme Mëngjesi pune, reflektimi dhe Lutjesh, mes Presidentit të Republikës, Kryeministrit dhe Liderit të Opozitës. Ky angazhim vjen si domosdoshmëri për përmirësimin e klimës politike si edhe për të ndërtuar së bashku një traditë të qenësishme dialogu, komunikimi, bashkërendimi, ndërshkëmbimi parimor idesh dhe opinionesh për zhvillimet në vend e më gjerë, por edhe për të nxitur perparimin e axhendës së integrimit europian te Shqiperise.
Fatos Nano tërheq vëmendjen gjithësesi,  se përtej rëndësisë e vlerës që pati ky takim, sot Shqipëria humbi një shans të dytë për ta zgjedhur  Presidentin e Republikës me një marrëveshje të dakordësuar. Dy Kryetarë u takuan, për të humbur shansin e dytë duke  djegur edhe Raundin e dytë të votimit, po aq sa janë edhe shanset që ka humbur Shqipëria në përpjekjet dhe pritshmëritë e saj për të marë Statusin Kandidat në BE.
Fatos Nano u ben thirrje Kryetarëve Berisha e Rama, që për të mos humbur shansin e tretë në Raundin e tretë të votimit për President, e kësisoj për të mos rrezikuar edhe shansin e tretë të Shqipërisë për të marë Statusin Kandidat në BE vjeshtën që vjen, me rastin e 100 vjetorit të shtetit shqiptar, të bëjnë kujdes që:
1.    Të jenë këmbëngulës dhe mirëbesues për takime e negociata të vazhdueshme parimore, transparente e qëllimlarta me njëri-tjetrin e të tjerët për të mbërritur në produktin më të mirë, duke zgjedhur Presidentin më të mirë për shqiptarët.
2.    Të mos fuzionojne axhendat politike partiake, te mos lejojne lojërat meskine për pushtet, planet e projektet për  ekulibra të politikës së ditës qeverisëse apo opozitare, apo në funksion të zgjedhjeve të vitit 2013, te erresojne rëndësinë    parësore që ka zgjedhja e Presidentit të Republikës, si hap i parë për të vazhduar me përmbushjen e të gjitha reformave të cilat do të bëjnë të mundur që Shqipëria ta meritojë Statusin Kandidat në BE. Fatos Nano siguron se nëse do të jetë Presidenti i Republikës, ai do të bëhet garant i kushtetutës, garant i përmbushjes së të gjitha reformave, si edhe garant e i përkushtuar që, të gjithë së bashku. Presidenti dhe Liderat Politikë të angazhohen plotësisht që në vitin 2013 në Shqipëri të organizohen zgjedhjet e para themeluese të lira, të ndershme e te pakontestuara, si shprehje e vullnetit, kulturës politike dhe standarteve më të mira Europiane.
3.    Të mos fetishizohet konsensusi, sikurse u fetishizua derimësot proçesi. President Republike nuk do të zgjidhet as Konsensusi, e as Proçesi. President Republike do të zgjidhet emri dhe personi konkret. Konsensusi nuk duhet të jetë një fjalë e pakuptueshme për shqiptarët, të cilën e dine vetëm Kryetarët. Konsensusi nuk duhet të bëhet lojë e Kryetarëve për të fshehur apo ushqyer axhendat meskine e lojërave për pushtet. Konsensusi kërkohet të bëhet një fjalë e thjeshtë, e lexuar dhe kuptuar lehtë e parimisht nga të gjithë shqiptarët. Konsensusi për shqiptarët duhet të jetë: një proçes mirëbesimi dhe mirëkuptimi për bashkërendim e bashkëvendosje nga të gjitha palët politike të përfaqësuara në Kuvend. Konsensusi nuk duhet të arrihet për hir të konsensusit e në dëm të produktit, pra të cilësisë së zgjedhjes së Presidentit. Të mos përdoret fjala konsensus si alibi për të përmbushur profecinë e shqiptarit të mençur e të madh Arbën Xhaferri kur ka paralajmëruar disa ditë më parë se: “… Ata që kanë ndikim, kërkojnë të kundërtën: një president-pulë, që nuk e turbullon ujin…” Konsensusi duhet të sjellë një President si Simbol të Unitetit Kombëtar të shqiptarëve, e jo si Simbol të unitetit të Kryetarëve. Konsensusi, kërkohet të sjellë një President mbi palët, të pandikueshëm, të patrysnueshëm, e të pajoshshëm nga palët apo pushtetet e palëve. Kërkohet një President që të perbashkojë   interesat dhe te perfaqsoje unitetin e të gjithë shqiptarëve kudo që janë, ashtu sikurse edhe interesat, nevojat e strategjitë e partnerëve euroatlantikë. Kërkohet një President që t’iu dale për zot institucioneve të pavarura, si edhe me një shpirt prej sipërmarrësi politik, negociator i sprovuar dhe komunikator i drejtë, i aftë për ta përfaqësuar denjësisht Shqipërinë në të gjitha tryezat dhe partneritetet euroatlantike.
4.    Konsensusi, pra proçesi i mirëbesimit, mirëkuptimit për bashkërendim dhe bashkëvendosje, ndërsa synon daljen me një kandidat të bashkëvotuar dhe gjithëpranuar nga të gjitha palët, nuk ka pse të përjashtojë mundësinë e një dakordësimi që në pamundësi të marrëveshjes për një kandidat të përbashkët, të lejohet me njemendësim dhe vullnet mirëbesues një garë e lirë dhe e ndershme në Kuvend, gjë që do të sjellë që nga konkurimi i Kandidatëve më të mirë të fitojë ai që merr besimin e shumicës së vullneteve të lira të deputetëve. Një kandidat i përbashkët dhe i bashkëvotuar do të dëshmonte pjekurinë e klasës politike shqiptare, por edhe dakordësimi e mirëbesimi për një garë të lirë e të ndershme do të dëshmonte pjekurinë e demokracisë shqiptare. Fatos Nano është i gatshëm për të dyja mundësitë. Fatos Nano e sheh veten si  inkurajues dhe ndërtues i një Aleance të Madhe të Mirëbesimit.
5.    Fatos Nano ndonëse i lënduar dhe mosaprovues nga ngurrimi i Edi Ramës për ta mbështetur politikisht dhe me firma deri tani emrin e tij në mundësinë për të Kandiduar për President, shprehet mirëbesues deri në përfundim të proçesit, dhe e inkurajon Edi Ramën që të jetë vijë e hapur komunikimi, këshillimi dhe ndërshkëmbimi idesh dhe opinionesh me të gjithë aktorët dhe faktorët e përfshirë në proçesin e zgjedhjes së Presidentit, qoftë me ata që janë të thirrur për të marrë vendime, qoftë me ata që kanë shpallur ambicjen dhe përgjegjshmërinë për të konkuruar për detyrën e Kreut të Shtetit.  Fatos Nano e fton Edi Ramen që të mos i shmanget garës dhe konkurimit me maxhorancën, me emra dhe vlera më të mira e më përfaqësuese, si edhe e këshillon që të mos e përjetojë të qenurit në pakicë si gjendje mentale dhe psikologjike pamundësie, por si gjendje politike shansesh dhe mundësie për kontrubite dhe rritje. Pakicat nuk duhet tu shmangen kurrë garave e konkurimeve. Pakicat rriten vetëm nëpërmjet konkurimit dhe garave.
6.    Njëkohësisht Fatos Nano shpreh mirëbesimin dhe fton Kryeministrin Berisha që të mos shohë e as interpretojë tek Fatos Nano një Instrument politik aktiv, por një politikan parësor e të sprovuar, një shtetar që ka shërbyer për shumë herë e vite në Krye të Qeverisë, një protagonist për shkak të rolit dhe modelit politik që ka përfaqësuar, duke iu dedikuar të përbashkëtës. Fatos Nano prej vitesh nuk konkuron e as bën pjesë më në jetën aktive dhe të politikës së ditës nën ndonjë sigël partie. Fatos Nano është i vetëofruar për të shërbyer bazuar në të gjitha dijenitë, përvojën, dijet, kapacitetet e tij si politikan paresor, por mbi të gjitha si shërbëtor publik e shtetar. Fatos Nano është gjithashtu i ndërgjegjësuar dhe ndjen përgjegjshmërinë se një klasë politike që nuk jep dot produkte apo jep produkte të këqija për popullin e saj, meriton të konkurohet.
7.    Fatos Nano shfrytëzon rastin për të falenderuar dhe shprehë vlerësimin dhe mirënjohjen e thellë për të gjithë partnerët ndërkombëtarë, për misionin e tyre mjaft të çmuar dhe qëllimmirë ndaj Shqipërisë, tejkalimit te krizës e ngërçit politik, inkurajimin e zhvillimeve pozitive në Shqipëri, si edhe për përparimin e axhendës së integrimit në BE. Fatos Nano shpreson e uron që klasa politike shqiptare do të dëshmojë maturi të mjaftueshme që në respekt të kujdesit dhe ndihmës së vyer të partnerëve ndërkombëtarë, veçanërisht të Ambasadorit të SHBA Aleksandër Arvizu, Ambasadorit të BE Etore Sekui dhe Ambasadorit të OSBE Eugen Volfarth, të arrijë marrëveshjen e shumëpritur për ta mikpritur me meritë dhe pjekuri të dërguarin e Komisionerit Stefan Fule, Stefano Sanino i cili vjen në Shqipëri në dt 7 qershor.