Fatmira Nikolli
Me fillimin e gushtit Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit nis një program të veçantë. Që nga e mërkura e parë e muajit, çdo ditë të mërkurë në ora 12:00, do të shfaqen në këtë institucion filma që ruhen nga ky institucion dhe që janë shfaqur ndër vite në kinematë shqiptare. Kështu, gushti është i nostalgjikëve. Ky program do të vihet në zbatim pas inaugurimit të sallës së re të kinemasë në këtë institucion, një sallë 100-vendëshe. Kjo e fundit do të inaugurohet me premierën e filmit "Shqiptari", ku
ekipi i aktorëve është më shumë se dykombësh. Regjisori i filmit është Johannes Naber, i cili pak muaj më parë, së bashku me kastën e aktorëve shqiptarë dhe të huaj, ka realizuar xhirime dhe në Shqipëri, kryesisht në Tropojë, pasi protagonisti i filmit është një emigrant shqiptar nga kjo zonë në veri të Shqipërisë, që interpretohet nga Nik Xhelilaj. Historia e të riut shqiptar që emigron për të siguruar një shumë parash për t'u martuar me vajzën që dashuron, është një histori e shkruar nga 5 autorë, mes të cilëve: Andeta Spahivogli dhe regjisori i filmit, gjermani Naber. Aktori 27-vjeçar, Nik Xhelilaj, i cili ka qenë protagonist dhe në dy filma të tjerë: "Trishtimi i zonjës Shnajder", i regjisorit Piro Milkani dhe "Gjallë", i regjisorit Artan Minarolli, realizuar vitet e fundit, është shprehur për një të përditshme se regjisori Johannes Naber e kishte përzgjedhur si personin e duhur për rolin e një shqiptari tipik, që di të dashurojë. Në role interpretojnë: Xhejlane Terbunja, Ivan Shvedoff, Amos Zaharia, Stipe Erceg, Çun Lajçi, Luan Jaha, Fatime Lajçi, Vasillaq Godo, Eva Lobau, Andre Hennicke, Tomek Noeicki, Young-Shin Kim, Yllka Mujo, Guljem Radoja, Bruno Shllaku, Julian Deda. Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit, duke filluar nga muaji gusht do të fillojë shfaqjen falas për publikun, të filmave që ruhen nga ky institucion dhe që janë shfaqur ndër vite në kinematë shqiptare. Programi i rregullt i shfaqjes së filmave falas për publikun, mendohet të fillojë në muajin gusht dhe do të vazhdojë deri në fund të vitit, sipas një kalendari të caktuar që do të shpallet së shpejti. Fillimisht do të shfaqet vetëm një film në javë, kurse me fillimin e shtatorit, një film çdo ditë. Filmat do të shfaqen ne kinemanë 100-vendëshe pranë këtij Arkivi. Salla, tani për tani, quhet "Salla 2000", por mendohet të pagëzohet me një emër të ri duke mbajtur emrin e ndonjë kineasti të shquar shqiptar. Pjesë e repertorit të shfaqjeve do të jenë filma të tillë si "Doni i qetë", "Bija e kapitenit", "Shën Mëria e Parisit", "Perënditë me kokë poshtë" apo edhe "Love Story".
Filma në horizont
Katër filma shqiptar vijnë në vjeshtë me premierat e tyre. Ato janë realizime të fundit që do të shfaqen për herë të parë për publikun shqiptar. Premierat e katër filmave artistik shqiptar me metrazh të gjatë, do të shfaqen në vjeshtë për publikun kryeqytetas. Bëhet fjalë për filmat: "Shqiptari" me skenar të Johannes Naber dhe Andeta Spahivoglit dhe regji të Johanes Naber; "Pharmakon" me regji të Joni Shanaj; "Out of Touch" me skenar të Andi Delianas e Enkel Demit dhe regjia Andi Deliana, si dhe "Maya" me skenar të Luljeta Lleshanakut dhe regji Pluton Vasit. Nga autorë shqiptarë pritet të prodhohen së shpejti edhe disa filma dokumentarë, dhe disa me metrazh të shkurtër, si dhe tre filma artistikë me metrazh të gjatë, të cilët janë: "Amnistia" me regji të Bujar Alimanit, "Bota" me regjit të Iris Elezit dhe "Udhëkryqi" me regji të Robert Budinës.
No comments:
Post a Comment