Nën peshën e dhunës" është libri dëshmi i Todi Lubonjës për vitet e burgut që bëri pasi u arrestua më 1974. Në këtë libër ai tregon se si u dënua dhe cilët ishin ata që i dolën dëshmitar. Lubonja, ka lënë një dëshmi të gjallë të asaj që ndodhte gjatë kohës së diktaturës, e për më tepër të asaj që ndodhte në burgjet e kësaj diktature, kur viktimat përdoreshin për dëshmitarë, ose kur viktimat e burgjeve tregonin zellin e tyre me dëshmitë kundër njërit apo tjetrit. Kjo është një aspekt i njohur i diktaturës komuniste, por që nuk pranohet haptazi nga njerëzit që ishin pjesë e këtij mekanizmi për shkak se dënimi i tyre do të zhvlerësohej për shkak të një apo shumë dëshmive. Rasti i dëshmitarit Mihallaq Luarasi, i cili dëshmoi ndaj Todi Lubonjës si në hetuesi ashtu dhe në gjyq nuk është i vetmi, historia e burgjeve në kohën e komunizmit njeh plot raste të tilla, raste e njerëz, që pas ardhjes së demokracisë arritën edhe majat e pushtetit. Todi Lubonja lindi më 13 shkurt të vitit 1923 dhe vdiq më 19 nëntor të vitit 2005. Ai u akuzua për frymë liberale në festivalin e 11, por u dënua pas plenumit të IV të partisë, së bashku me Fadil Paçramin.
Ali B, këtë radhë erdhi dhe më prangosi më herët se zakonisht. Kur hyra në dhomën e hetuesisë vërejtja se në të djathtë qëndronte një njeri me kurriz nga dera. Akoma pa u ulur mirë në karrige, Hasnedari më pyeti: "A e njeh këtë?" I hodha një vështrim ballore e i vërejtur u përgjigja: "Po!" - dhe shtova - : "Paska qenë qimekuq dhe unë nuk e dija". Kokëqethur Mihallaq Luarasi që mbante rroba doku bojë kafe të të burgosurve, kish ardhur aty "në bazë të planit të tij regjisorial". Ai kishte marrë vërtet pamjen e një krimineli ordiver. Ishte arrestuar tetë apo dhjetë muaj më parë se unë dhe ishte dënuar me 8 vjet burg.
M.L., kish qenë regjisori i dramës "Njolla të murrme" të dramaturgut Minush Jero, e cila më 1969 ishte bërë objekt i një suksesi të padëgjuar dhe njëkohësisht i një kritike dërrmuese. Inteligjent dhe mjeshtër në punën e tij, M.L. me vënien në skenë të kësaj drame arriti kulmin e famës dhe njëkohësisht dhe fillimin e mbarimit të tij. Festivali XI i Këngës në Radiotelevizion, ku ai mori drejtimin artistik regjisorial ishte i mjaftueshëm për t'i dhënë goditjen përfundimtare karrierës së tij. Burgu shënoi fundin e tij moral.
Hasnedari më kërcënoi pse e quajta dëshmitarin qimekuq pastaj... shtypi "sustën". Elokuent si gjithnjë M.L. filloi të flasë pa u qederosur për ato që thoshte. I ulur në kolltuk, Nevzati ndiqte me vëmendje dëshminë me shkrim që ai i kishte redaktuar e dorëzuar ndoshta para se unë të arrestohesha. Tepër besnik ndaj dëshmisë, ai vetëm dy a tri herë pati nevojë për ndërhyrjen e Nevzatit, kur ndërtoi dy hyrje të tjera në vend të atyre që kishe para syve të shkruara sufleri i tij. Për besë, regjisori dha një shembull edhe si aktor i mirë, pikërisht si ata që i preferonte ai vetë, regjisor Mihallaqi. Një ditë duke folur për kualitetin që duhet të ketë aktori, më çuditi me një mendim që shfaqi aty për aty dhe që unë e besova se po fliste sinqerisht. Kur i thashë më tepër për të nxitur mendimin e tij, se aktori duhet të ketë botë të pasur shpirtërore, kulture-e...ai ma preu: "Jo! - tha. Aktorët duhet të jenë si Edi (Edi ishte e shoqja, aktore e talentuar), kokëbosh; që t'ua mbush unë e të manovroj me ta si të dua". Ai nuk ishte ky viktimë e një paragjykimi apo çfarë?
...
Kur pat ardhur njëherë M/Shehu në Korçë më 1971, zhvilloi një bisedë me aktivin e rrethit për gjendjen ndërkombëtare. Në mes të tjerash duke folur për zhvillimet e reja që po merrnin marrëdhëniet kino-amerikane, ai theksoi: "Kina është një vend i madh dhe mund të ketë interes të vendosë marrëdhënie diplomatike me Amerikën, por ne, domethënë Shqipëria, këtë nuk do ta bëjë kurrë". Mbaja mend se këtë ia kisha thënë M.Luarasit. Ky birko në hetuesi, besoj se nën diktatin e Hasnedarit, e kishte transformuar. Nuk e di se pse, por ndoshta si "liberal" duhej të dilja edhe si përkrahës i politikës së re që Kina kish filluar të ndiqte në atë kohë. Ai kishte deponuar se unë kisha thënë se "Kina është një vend i madh dhe ka interesa politike dhe ekonomike të lidhet me ShBA-në". "Këtu, - mendova unë, - nuk ka në fund të fundit ndonjë sakrilegj, por për hir të së vërtetës thashë se - një gjë të tillë nuk e kisha thënë...
Pastaj M.L kaloi në një çështje të karakterit të brendshëm, por po aq delikat sa i pari. Tha se i kisha pohuar se fjalimi i Matiot mbajtur nga E.H ishte një paçavure. U përpoqa të kujtoj se si dhe kur mund t'ia kisha thënë, por ji, nuk më kujtohej...
- Ky, - thotë më tej M.L. - ka sharë apo ka përgojuar Pilo Peristerin, që është udhëheqës, por edhe ... kushëriri im...
Një ditë në tryezën e zyrës, kisha lënë librin "Ma vie" ("Jeta ime) të L.Trockit. ata ma kishin dërguar nga Tirana. Ishte libër i Ramizit. Pasi e kisha mbaruar së lexuari, e kisha lënë së prapthi mbi tavolinë. Në atë moment vjen M.Luarasi, i cili si njeri tepër kurioz, i hodhi një sy të shpejtë kopertinës së prapme ku me shkronja të dukshme botoheshin titujt e 13 vëllimeve të veprave ushtarake të autorit. Që ka qenë Trocki komisar i mbrojtjes e dija, por nuk dije sa ka pasur vepra teorike ushtarake. Kaq më duket se i pata thënë vërtetë M.Luarasit. Mirëpo injorancën time e ktheu në hetuesi në material dëshmues, se unë kam qenë simpatizant i L.Trockit. O Zot edhe kjo më duhej.
Me të tilla "gjepura" po me zarar, ishin mbushur rreth 27 faqe deponime që bënte ky njeri frikacak dhe pa karakter.
Pas tij erdhi autori i "Njollave të murme", i cili pasi tha se dramën ia kisha miratuar edhe unë, por i kisha bërë vërejtje që të rregulloheshin disa "fraza burokratike" gjanë një bisede që patëm bërë kur ishim një ditë në Shtyllë të Korçës bashkë me M.L dhe Dh.Xh. (Si ato të M.L. edhe fjalët e M.J e ca të tjera ishin si "fraza të pafajshme", por dalë ngadalë po lëshonin litarin në grykën time. Atëherë Hasnedari gjithnjë e më shpesh kishte filluar të më kërcënonte: "Në të mbetë koka mbi supe!")
"Këto godina, - thotë M.L u ndërtuan për vullnetarët që do të vinin nga klasa punëtore e Korçës për të punuar e jetuar në Shtyllë, në këtë fshat tepër malor. Në ato godina nuk kishte mbetur as edhe një kokërr nga ata "punëtorë" që kishin ardhur në fillim.
"Ata - u thashë unë - do të kenë qenë nga basifondet e Korçës". Gjatë rrugës Dh.Xhuvani filloi të më flasë me nostalgji për kohën kur kish qenë i dënuar me punë fizike; pardon, domethënë me punë të detyrueshme, pasi kish botuar romanin "Tuneli", i kritikuar rënë për gabime të mëdha ideologjike!".
"Fitoba kategorinë VI si saldator", - tha Xhuvani pak si me keqardhje se e kishin larguar pa marrë edhe atë të shtatën.
-Po e pate kaq merak - ndërhyra unë me shaka - bëj një "Tunel" tjetër dhe me siguri e merr edhe të shtatën."
Domosdo në hetuesi i hodha poshtë edhe këto...
Pas pak hyri trupi gjykues; kryetar Kiu Bozo, me dy ndihmës, njëri prej të cilëve farefis i familjes Keta, ku unë u strehova për herë të parë në ilegalitet. M'u duk se e kishin zgjedhur pikërisht si tregues të "tradhtisë" që i kisha bërë unë idealeve të rezistencës!...
Kiu, kryetari, kishte pamjen e një njeri të përgjumur.
Nuk ma merrte mendja që ai, një ish-luftëtar i vjetër, ta ndjente veten në atë pozitë, fare të qetë, duke më dënuar mua një ish-të njohurin dhe bashkëluftëtar. Megjithatë ai do të më dënonte "në emër të popullit". Po në "emër të popullit" ashtu siç kanë bërë e bëjnë fatkeqësisht të gjithë duke spekuluar me të dhe mbi të.
Prokurori qëndronte gati i padukshëm me një fytyrë majmuni në një kënd. S'e kisha parë kurrë. Tepër shëmtaraq, i ndërsyer, pa hyrë ende brenda në arenë për të "shpartalluar armikun".
"A e pranon akuzën? - pyeti kryetari i gjyqit me kokën e varur e sytë poshtë. Kjo është një pyetje që sipas zakonisht detyrimisht u bëhet të gjithë të akuzuarve. Me të fillon si të thuash, riti i gjykimit, paçka se përpara syve kryetari ka dosjen e cila flet qartë për qëndrimin e të pandehurit në hetuesi...
Nuk e di pse në atë moment m'u kujtua një ditë nga më të egrat që kam kaluar në hetuesi. Gjëja më e neveritshme ishin rastet kur hetuesit të provokonin. Unë tepër i revoltuar, u pata thënë njëherë se "këto i keni marrë nga arsenali i qelbur i hetuesisë". Në parantezë, të tilla akuza e plot insinuata kishte shumë, por ishte një çast shpërthimi nga ana ime. Nevzati i tërbuar goditi me shkelm një pupe që ishte aty pranë kolltukut. Ajo u shkund e tëra dhe qilimi u mbush me një pluhur të dendur të krijuar me sa duket nga brejtja që krimbat i kishin bërë dërrasës së saj. Irfan Shaqiri hetuesi i tretë, u afrua të më godiste me grushta ndërsa Koço Josifi me karrige...
Kryetari i gjyqit Kiu nuk kërkoi më sqarime. Pas kësaj filluan të vijnë njeri pas tjetrit dëshmitarët. Në rolin kryesor ishte doemos Mihallaq Luarasi. Ai më agresiv se në hetuesi shtoi diçka më tepër se ç'kishte thënë atje, si dëshmi për të treguar jo vetëm zell, por edhe besnikëri dhe devotshmëri. Më në fund, kur kujtoi se kishte bërë ç'është e mundur mendoi të më jepte goditjen e fundit duke thënë: "Ky ka qenë admirues i Kafkës". Për ta ofenduar dhe ulur pikërisht atje ku sedra e tij nuk duronte, pa i marrë leje trupit gjykues, ndërhyra e thashë"
"Ky flet badiava, se nuk di ç'është Kafka; ai s'ka lexuar asgjë nga ky shkrimtar". Gati sa s'ulëriu: "Kush unë?!"
Pas tij erdhi M.Jero i cili nuk tha ndonjë gjë kushedi se çfarë, sepse akuzën për "Njollat e murme" e bëri M.L. "Kur shtypi kritikonte "Njollat" si vepër revizioniste - tha ai, - ky thoshte: "Kjo është një dramë me vështrim sektar e dogmatik të problemit që trajton".
Dëshmitari kryesor M.Luarasi dhe M.J. vinin të dëshmonin në gjyq nga kampi i të burgosurve të Ballshit, pra me pranga ndër duar. Desha të shfrytëzoja këtë rast për të kritikuar këtë lloj drejtësie, prandaj ndërhyra duke iu drejtuar kryetarit, pa dashur të shfajësoj dëshmitarët: "Këta janë njerëz nën pranga dhe si të tillë nuk duhet të pranohen si dëshmitarë se nën presionin e hetuesisë ata mund të dëshmojnë për gjithçka, edhe pse i tremben dhunës së burgut". Kryetari Kiu si i zgjuar nga gjumi, nga që u prek në sedrën profesionale, pasi si me ironi e qesëndi m'u drejtua e tha "Paskle sugjerime edhe për organet e drejtësisë!". "Ta merr mendja", - iu përgjigja.
Unë, Korça dhe "Njollat e murme"
Korçë 1969. Ishte viti i 25-të i çlirimit të Atdheut nga okupacioni nazifashist. Po kaloja në një nga rrugët që kryqëzoheshin me atë që të çonte tek pazari i vjetër, kur shikoj Nidhën, drejtorin e teatrit të Korçës, që po ecte duke topalluar. Në njërën dorë mbante shkopin kurse në tjetrën një copë kartë.
-Ç'e ke këtë Nidha? - i thashë.
-Po ja, shoku Todi, - filloi Nidha duke buzëqeshur. - Po shkoj në shtypshkronjë që të jap për shtyp këtë fletë palosje për shfaqjen.
E mora në dorë dhe lexova: "Për nder të 25 vjetorit të Çlirimit". Drama që teatri sapo kishte përgatitur për të vënë në skenë titullohej "Njolla të murme". Vepër interesante e dramaturgut Minush Jero. Vura buzën në gaz dhe iu drejtova Nidhës"
-Po sikur nuk vete kështu bre, tingëllon pak si keq. Duket sikur për nder të 25 vjetorit po ju servirim ca njolla të murme. -
-Mirë thua, shoku Todi, - ia priti Nidha, - Na shpëtove! Të faleminderit, shoku Todi.
Ai nuk e shqiptonte mirë shkronjën "r". E hoqën fare atë "Për nder" dhe lanë vetëm "Njolla të murme".
Po si u zhvillua i gjithë procesi i vënies në skenë të kësaj drame deri tek varrosja e saj? Minushi autori i dramës, kishte përfunduar nuk e di sepse, mësues letërsie në një shkollë fshati në rrethin e Durrësit. Ish-oficer, më duket, i apasionuar pas letërsisë, u largua nga profesioni i tij dhe u kthye në Universitet si student. E mbaja mend sepse e pata takuar rastësisht në një rreth letrar të studentëve kur unë punoja me rininë. Ai ishte më i rritur ndër shokët dhe pak si fytyrëvrarë. Më pas, nuk kam pasur rast të takohem me të. "Njollat e murme" më bënë të njihem në rrethana të tjera.
Si regjisor të teatrit "A.Z.Çajupi" të Korçës kishin sjellë Mihallaq Luarasin. Ai njihej si i talentuar dhe, domosdo, dramaturgët duke kërkuar suksesin e dramave të tyre, gjenin edhe Mihallaqin. Kështu ndodhi edhe me Minushin e "Njolave të murme". Puna ma donte që të hyja edhe unë vetë në këtë valle. E lexova dramën dhe i thashë Mihalit se çështjen e shihja pak si me skepticizëm. Në fakt, drama, duke pasur në epiqendër një familje intelektuale, synonte të zbërthente dhe evidentonte konfliktin në mes mundësive reale dhe potenciale të zhvillimit të veseve të këqija "borgjezo-revizioniste" që vegjetonin në këto familje dhe reagimit të opinionit i cili i dënonte këto. Përshtypja që më la leximi i parë më shtyu ta rilexoja këtë dramë. Dyshimi po më shtohej. Në fillim pata mendimin se autori, i cili punonte i degdisur në një fshat të largët, kërkonte të arrinte me këtë dramë, medoemos suksesin: të largohej prej andej për të ardhur në një punë të përshtatshme në qytet. Mendova se këtu nuk kishte ndonjë gjë për t'u çuditur. Por nga sa mora vesh më vonë, halli nuk ishte vetëm aty. Një ditë Mihallaqi më tha se Minushi kishte ardhur në Korçë fshehurazi pa leje, kishte udhëtuar në karrocerinë e një kamioni dhe do të qëndronte vetëm sa për të asistuar në provën e dramës. Dhe ashtu bëri. Duket se nuk i kishte punët mirë me ata të Sigurimit. Këtë nuk e dinim. Më vonë morëm vesh gjithçka. Pra pa dyshim atij i duhej një dramë e suksesshme, por e suksesshme donte të thoshte së pari "të propagandonte mirë vijën e Partisë"! Vetëm kjo do ta lironte Minushin nga ankthi i pafund i ndjekjeve të Sigurimit të Shtetit, që i ishte qepur dhe nuk po i ndahej.
Për të më mbushur mendjen, (ndoshta se ai vuri re tek unë në mos tjetër, mungesë enthuziazmi), që të mos bëhesha pengesë për ta vënë në skenë, mendoi të luante një "kartë të fortë":
-Unë shoku Todi, - më tha, për të shkruar këtë drama jam frymëzuar nga fjalimi që shoku M.Shehu mbajti me arsimtarët pas Kongresit të 5-të të Partisë.
Ai deri atëherë nuk ishte kontestator i njohur prej meje.
Se ç'kishte Sigurimi me të, nuk e dija dhe nuk mund ta dija, por në dramë më duket propagandonte me sinqeritet dhe vërtetësi vijën e Partisë...
Në atë kohë teatri i Korçës ishte kompletuar me aktorë të rinj tepër të talentuar, si Edi Luarasi, Vangjush Furxhi, Minella Borova, Llazio Serbo e të tjerë aktorë të vjetër e me talent. Konkursi kombëtar i teatrove që do të zhvillohej në Tiranë për nder të 25-vjetorit të Çlirimit u bë stimul për t'iu përveshur një pune serioze përgatitore. M.Luarasi vërtet tip i zoti dhe ambicioz kërkont4e një trampolinë për të kapërcyer nga Korça në kryeqytet. Drama në Korçë u shfaq me shumë sukses.
Para se të nisej trupa e teatrit për të konturuar në Tiranë pata një bisedë me Nidhën dhe Mihallaqin. Që të dy ishin shumë të shqetësuar sidomos për konkurrimin. Dy vite më parë Korça kishte invaduar Tiranën me nga dy tabore "artistësh", por kishte pësuar fiasko të plotë. Që atëherë drejtuesve u kishte hyrë frika në palcë dhe nuk guxonin të bënin këmbë për në Tiranë. - E shoku Todi, si thoni si do të dalim? - më pyeti Nidha i shqetësuar.
- Mirë do të dilni.
M'u desh t'u them edhe disa fjalë inkurajuese, se "së bashku do ta mbajmë përgjegjësinë po të dilni keq dhe sigurimisht, po të dilni mirë, ju siguroj se të gjitha meritat do t'u mbeten juve, aktorëve, pa dyshim dhe dramaturgut", etj, etj. Kjo sikur i qetësoi. Atëherë drejtor Nidha u hodh në anën protokollare.
-Ne mendojmë të ftojmë shokun Haki Toska, meqenëse ka punuar këtu, po ashtu edhe Pirron.
-Ng akëta ftoni kë të doni, por në qoftë se doni të fitoni flamurin, ftoni Mehmet Shehun, - u thashë...
Si tek filmi "Viva Bellini"
Përgjithësisht Mihallaq Ziçishti ishte një mohues i neveritshëm i artit. Hiqej si amator i muzikës dhe i valleve popullore, por të them të vërtetën, as vallen e fshatit të tij nuk dinte ta kërcente si duhej. Mua më bënte përshtypje kur kisha rastin ta shikoja. Ndoshta e pengonte pak këmba, por dridhej dhe përdridhej dhe prishte ritmin e valles aq shpesh, sa të bënte t'i vije pranë dhe t'i thoshe: "Mjaft tani, se për perëndi, u lodhe dhe partia ka nevojë për ty, që të merresh me punë të tjera."
Nga teatri aq më pak merrte vesh. Por, për çudi, për "Njollat e murme" tregoi një zell aspak të zakonshëm për indiferentizmin që përgjithësisht e karakterizonte atë në manifestimet e artit. Unë çështjen e kësaj drame nuk e shpjegoj thjeshtë me atë që M.Ziçishti në gjyqin e tij ka pohuar se "Mehmet Shehu më kishte porositur njëherë në shtëpinë e tij, kur isha për drekë, se duhet medoemos të trajtojmë në skenë, me një shfaqje të goditur mirë artistikisht, një temë si ajo që trajtoi "Njollat e murme". Unë them se kam njohur shumë tipa që e kanë kaluar tërë jetën në batak dhe këtë pohim dyshoj se ai mund ta ketë bërë për batakçillëk. Por ai vetë, ashtu si shumë të tjerë, ishin të imp4enjuar si të thuash, me mendime sektare...I erdhi radha "Njollave...". në mbrëmje vonë bie zilja e telefonit në shtëpi ishte Nidha.
-Shoku Todi, - mezi merrte frymë Nidha - një triumf i vërtetë!
-Jo more!
-Të betohem, shoku Todi! - dhe për të më bindur, i varfëri, Nidha më thotë: "E ke parë atë filmin ku thërrisnin "Viva Bellini" Ja tamam ashtu kërceu publiku në skenë për të përshëndetur aktorët!"
-Bukur Nidha, bukur, urime!
-Në shfaqje asistuan kryeministri dhe shoku Ramiz.
-Epo fare mirë Nidha...
...
Që të mos largohem nga historia e "Njollave...", po e lëmë më mirë fatin e veprave fatkeqe që të jetojnë pak sa "gëzimin" e dollive që ngriheshin në sallën e madhe të shtëpisë së oficerëve, ku bëhej zijafeti. Pas fjalëve lavdëruese të Mehmet Shehut, shkrimtarët, poetë, kritikë arti dhe estetë, të gjithë me radhë, përpiqeshin të nxirrnin nga thesi xhevahire me karate sa më të larta që të mbështetnin së pari vlerësimet që bëri kryeministri, ta entuziazmonin dhe ta lëpinin ca edhe atë, e doemos të tregonin edhe erudicionin e tyre e ta siguronin se "me të tillë njerëz si ne, letërsia dhe artet e realizmit socialist kanë arritur majat më të larta të piramidës" së burokratizuar...
Maqinat që do të rrotulloheshin në Shqipëri me teatrin e Korçës me në krye Nidhën po ngrohnin motorët, por regjisori Mihali dhe dramaturg Minushi nuk kishin mbërritur ende në bazë. Në mbrëmje ata ishin bërë xurxull dhe i kishin faqet e mavijosura nga puthjet e dashamirësve të tyre, sepse e gjithë atmosfera kishte qenë e pompuar me parfum "sinqeriteti". Në një tavolinë aty kishte ngritur një shëndet edhe një që e ndjeja nga larg që nuk më donte dhe që dy vjet më vonë u dyshua se ishte pikërisht ai që i kishte drejtuar një letër anonime KQ kundër meje dhe Fadilit. Më në fund, Minushi bashkë me Mihalin kishin mbërritur dhe bashkë me ta mbërriti edhe urdhri që teatri të mos nisej, se do të jepte në mbrëmje shfaqje në teatrin popullor ku do të asistonte Enver Hoxha.
...
Që të mos zgjatem E.H. e mori me vete Ramiz Alinë dhe ministrin e Arsimit dhe të Kulturës, që duhej të luante rolin e tabelës "së qitje" kur "udhëheqësi i madh" do të fillonte të "zbavitej", por më tepër do të tregonte erudicionin e tij në lëmin e kulturës, artit dhe veçanërisht të dramaturgjisë. Dhe të nxirrte me këtë rast ndonjë xhevahir që do të rriste pa masë peshën e thesit marksist-leninist, që ai e shtonte vazhdimisht. Shfaqja mbaroi dhe Enver Hoxha u ngrit në këmbë duke duartrokitur, por e zgjati pak si tepër këtë gjest "bamirësie" sepse priste nga plateja të rrotullohej nga ai dhe të duartrokiste për të. Vetëm atëherë ndërpreu duartrokitjet, u rras në thellësinë e lozhës dhe tha, me sa duket ato fjalë që u morën vesh: "Shfaqja është e gabuar, por unë duartrokita lojën e aktorëve!" kaq tha ai dhe Nidhën e ndoqën me shkopin e tij bythëve...Pak rëndësi ka në këtë mes historia e "Njollave të murme". Rëndësi kanë pasojat tepër negative që solli ky qëndrim; ai çorientoi njerëzit dhe u kujtoi dhe njëherë shkrimtarëve, veçanërisht dramaturgëve, që në tryezën e punës të vendosin sentencën "terrori është kusht për fitore". Kjo do të thoshte që porsa të uleshin për të punuar, ta lexonin atë e t'u binte pena nga dora.
Pjesë marrë nga libri “Nën peshën e dhunës”