Pas marrëveshjes së 6 marsit të vitit 1997, mes përfaqësuesve të opozitës dhe ish-Presidentit të republikës, Sali Berisha, ia behu një tjetër, edhe më zhgënjyese për të gjithë ata që shpresonin të eliminonin një herë e mirë nga skena politike Berishën. Në librin e tij, “Nëntëdhjeteshtata – Apokalipsi i rremë”, shkrimtari dhe publicisti Fatos Lubonja, një nga figurat më aktive të kohës, ndonëse i pa renditur në ndonjë krah politik, tregon ngjarjet që shenjuan vitin 1997, si një vit të tmerrshëm. Ndër të tjera ndalet në lëvizjet politike të kohës, në skenat dhe prapaskenat e saj. Një ndër to është edhe tryeza e 9 marsit, ku pozita dhe opozita ranë dakord për ngritjen e një qeverie teknike, të quajtur Qeveria e Pajtimit Kombëtar, e cila do t’i paraprinte zgjedhjeve të parakohshme. Ndonëse pritej që deri diku marrëveshja të qetësonte gjendjen, ajo ishte vetëm maja e ajsbergut. Vetëm një ditë pas marrëveshjes u përhap lajmi i hapjes së depove në Veri të Shqipërisë. Lubonja sjell dëshmi prej asaj kohe, por analizon edhe arsyen pse u hapën depot në Veri dhe pse i shërbente kjo Presidentit të atëhershëm, Sali Berishës. a.m
FATOS LUBONJA
Në 9 mars, paradite, Qorri u nis herët për në zyrën e Forumit. Aty nuk gjeti kërkënd. Atë ditë nuk kishin lënë ndonjë mbledhje…
Zbrazëtia e Forumit të atyre ditëve sikur e tërhiqte poshtë e më poshtë. Edhe në zyrën e Gjinushit, në krah të djathtë, nuk kishte njeri. Pas ndonjë gjysmë ore ra zilja e telefonit. Kur ngriti receptorin, dëgjoi zërin e Cekës. “Jemi mbledhur këtu, në shtëpinë time -i tha- kalo këtej, se kemi diçka të rëndësishme”.
Toni i Cekës kishte një lloj serioziteti që i bëri të mendonte se gjendja me Berishën ishte acaruar përsëri pas hedhjes poshtë të deklaratës së 6 marsit.
Po këta pse nuk vijnë në Forum? Mendoi vetmevete, teksa zgjidhi biçikletën dhe u nis.
Rrugët e Tiranës, paraditeve nuk ishin aq të zbrazura sa në orët e mbrëmjes, por prapë ishin shumë të lira për ata që lëviznin me biçikletë. Për jo më shumë se dhjetë minuta, ai u gjend në shkallën e pallatit ku ishte apartamenti i Cekës, lidhi biçikletën poshtë dhe u ngjit lart.
Ceka banonte në një apartament nga ata të ndërtuar në kohën e diktaturës, me 2-3 dhoma të vogla dhe me një kuzhinë. Kur hyri, Qorri vuri re kalimthi se aty dominonin mobilie të viteve ’60, të kombinatit të drurit “Misto mame”, që qenë thuajse të vetmet mobilie që i gjeje rëndom në çdo shtëpi intelektuale. Në dhomën që shërbente si e pritjes së miqve, gjeti Zogajn, Perikli Tetën, që ishte një nga kryesorët e Aleancës, edhe Gjinushin. Ndjeu një si erë konspiracioni.
Nuk pati kohë as të hidhte vështrimin përreth për të parë më me hollësi orenditë e Cekës, apo pikturat nëpër mure, sepse Zogaj filloi t’i shpjegonte se pse ishin aty.
“Berisha na ka lënë përsëri takim. Ky do të zhvillohet këtë paradite, pas ndonjë ore”.
Duke parë ngërçin e Qorrit, i cili megjithatë nuk foli, Zogaj kërkoi t’i shpjegojë edhe çfarë kishte ndodhur ato ditë. Situata ishte bërë shumë tragjike; ata kishin bërë disa tentativa për t’u lidhur me Berishën, derisa, më në fund, kishin gjetur njerëzit e përshtatshëm dhe kishin vendosur kontaktet.
“Si Forum, ai nuk pranon kurrsesi të na takojë”, nxitoi të shtojë, sikur të ishte duke lexuar mendimin e Qorrit.
Të tjerët nuk folën.
Qorri e kuptoi pse e kishin thirrur aty. Ata do të shkonin të takoheshin përsëri me Berishën, por kësaj here, donin të evitonin çka kishte ndodhur dy ditë më parë, kur kishin pasur kundërshtimin e Forumit. Fakti se ishte Zogaj që po shpjegonte ç’kishin bërë, i përforcoi dyshimin që kishte pasur se ishte ai protagonisti i ndërlidhjes. U ndje i pafuqishëm t’u thoshte se dy ditë më parë, kishin deklaruar se tek ai do të shkonin vetëm si Forum. Nuk e ndau dot me mendje atë çast nga se i buronte kjo pafuqi: Pse, tek e fundit, s’kishte pasur kurrë ndonjë autoritet mbi ta, pse ai ishte thjesht një individ pa parti prapa, pse nuk qe i bindur se duhet t’i ndalonte, pasi presioni ndërkombëtar mbi nevojën e dialogut u jepte atyre të drejtën të vepronin edhe jashtë Forumit në emër të interesave të të gjithëve apo nga droja se mos kundërshtimi i tij do të dukej sikur buronte nga inati që nuk ishte thirrur ai vetë.
“Të paktën të vijë Kalakulla, si kryetar partie”, – u tha.
“Ai nuk pranon të takojë disa njerëz”, ndërhyri Ceka. Pastaj, sikur e rimendoi dhe iu drejtua Zogajt: “Merr një herë në telefon Presidencën, t’u themi për Kalakullën”.
Ceka kishte rifituar atë sigurinë e marrjes së vendimeve vetë, pa përfillur të tjerët, që Qorrin e bezdiste.
Zogaj telefonoi. I doli sekretarja. I kërkoi t’i transmetonte Presidentit kërkesën që në bisedime të merrte pjesë edhe Kalakulla.
“I Partisë së Djathtë Demokratike”, – përsëriti Zogaj.
Nga ana tjetër e telefonit dukej se i kërkuan të priste një minutë. Pas pak, sekretarja u kthye dhe i dha një përgjigje të shkurtër. Zogaj uli receptorin.
“Nuk kemi ç’bëjmë – u tha – ai nuk pranon ta takojë Kalakullën”.
Qorri e pa se ata do të shkonin atje çfarëdo që të ndodhte. Madje, ata filluan të shikojnë orën se mos po bëheshin vonë. Kishin lënë takim me përfaqësuesit e PS-së, që të niseshin së bashku.
“Kërkoni që në bisedime të vijnë përfaqësuesit e Jugut, u tha Qorri teksa po përgatiteshin të ngriheshin, siç kemi thënë. Thuajini se pa ta s’kemi si marrim vendime. Ai ata nuk i pranon kurrë, por edhe pa ata nuk bëhet dot marrëveshje. Ta ketë të qartë. Në këtë gjendje, ai edhe pak ditë dhe do të detyrohet të ikë vetë”.
U nda me ta me mendimin se, tek e fundit, këto bisedime duheshin edhe për të zbutur tensionin edhe për ndërkombëtarët, por pa i shkuar kurrë nëpër mend se mund të përsërisnin gabimin e parë: të firmosnin në emër të të gjithëve ndonjë marrëveshje.
* * *
Kishte kaluar ndonjë orë që ishte larguar nga shtëpia e Cekës kur, në hyrjen e një kafe-bari, i ra në sy një grumbullim jo i zakonshëm njerëzish, që dukej se i kishte mbledhur aty ekrani i një televizori. U afrua i kuriozuar. Nuk donte t’u besonte syve dhe veshëve. Grumbullimi i njerëzve aty po ndiqnin, nëpërmjet ekranit takimin e Berishës me përfaqësuesit e opozitës. Si kishte mundësi që po jepej direkt tani?! Kjo do të thotë se nuk kemi të bëjmë me bisedime ku do të mund të vihen kushte -tha me vete- këtu jemi përpara faktit të kryer, përfundimtar. Për një gjë të tillë, as që ishte bërë fjalë në shtëpinë e Cekës.
Edhe nga skenografia kuptohej se Berisha dominonte plotësisht skenën. Ai ishte në krye të një tryeze të gjatë. Në njërin krah kishte përfaqësuesit e partive opozitare, ku dalloi Mejdanin, Majkon, Gjinushin, Cekën, Zogajn. Në krahun tjetër ishin Godo i Republikanes, kryetari i Ballit Kombëtar, ai i Social Demokrates, Kryetari i Ballit Kombëtar, ai i Social Demokrates së ndarë, kryetari i Legalitetit.
Të gjithë dëgjonin në heshtje fjalën e Berishës:
“Nga kjo sallë, le të deklarojmë së bashku, se ajo që Shqipëria ka më shumë nevojë sot është një platformë e pajtimit kombëtar” – po thoshte ai.
Si mund të guxojë ky të flasë për pajtimin kombëtar pas asaj që ka bërë! Si mund të rrinë këta ta dëgjojnë kështu si të jenë nxënës!- tha me vete Qorri.
“Gjatë këtyre ditëve, variante të shumta zgjidhjeje më erdhën në mendje, por tek e fundit, arrita në konkluzionin se akti i pajtimit kombëtar është ai imperativi, më fisniku. Në këtë akt nuk ka dhe nuk mund të ketë të humbur. Çdo gjë që humbet në emër të pajtimit, vlen të humbet”.
“…Ndalimi i shpejtë dhe imediat i akteve të dhunës kërkon nga të gjithë të ngrihemi përmbi pasionet dhe interesat partiake. Ky do të jetë një mesazh fisnik qytetërues”.
Berisha fliste me sigurinë e atij që kishte pushtetin e fjalës së parë dhe të fundit. Dukej qartazi, se të tjerët në tryezë nuk kishin ndërmend ta kundërshtonin.
“Unë mendoj se, për të arritur këtë akt, Parlamenti duhet të deklarojë një amnisti për të gjithë ata ushtarakë dhe civilë që u përfshinë në revoltat e piramidave.
E diela të shpallet ditë zie kombëtare dhe lutjeje, për të gjithë ata që humbën jetët gjatë kësaj periudhe.
Le të pranojmë të kemi një Qeveri të Pajtimit Kombëtar me pjesëmarrjen e të gjitha forcave politike dhe ta quajmë Qeveria e Pajtimit Kombëtar.
Të mbahen zgjedhje parlamentare brenda dy muajsh.
I ftoj socialistët të vijnë në Parlament.
Qytetarët të dorëzojnë armët brenda një jave.
Qeveria e Pajtimit Kombëtar, që do të përgatisë edhe zgjedhjet, duhet të bëjë përpjekje serioze me institucionet ndërkombëtare dhe vendet mike, për të ndihmuar zonat e dëmtuara.
Këto qenë disa nga idetë e mia…”
Qorri doli nga lokali dhe u nis për në selinë e Partisë Socialiste, me shpresë se do të gjente dikë me të cilin të vepronte për të ndalur firmosjen e një dokumenti, në frymën e asaj që tha Berisha. Si mund të pranohej që ai të vihej përmbi palët, ndërkohë që ishte palë dhe pala më e keqe. Ai, që ishte i humburi i thellë, jo vetëm moralisht, por edhe politikisht, po kërkonte tani diçka më shumë se barazimin. Po kërkonte amnisti, po kërkonte të shpallte ditë zie pa pyetur se të vdekurit kërkonin drejtësi. Kurse Ceka me shokë duket se po ndanin përgjegjësinë me të. Kjo ishte për të luajtur mendsh.
Në zyrat e Partisë Socialiste gjeti vetëm disa sekretare, që po shihnin edhe ato televizionin të çmeritura.
Iku prej andej dhe u nis për tek “Rogneri”.
Nga ditari i Fatos Qorrit
10 mars, 1997
Gjithçka mori fund. U prisha me ta. Dje pasdreke Milo erdhi e më dha një kopje të deklaratës tek “Rogneri”. E mora, e lexova dhe e pyeta:
“Dhe ju e keni firmosur këtë?”
“Po” – mu përgjigj.
Ia ktheva, duke u thënë të pranishmëve që na rrethonin: “Këta, plehra kanë qenë dhe plehra do të mbesin”. Dhe ika. Nuk arrij as ta kuptoj këtë dobësi. Të gjithëve diktatura na e ka shtrembëruar shtyllën kurrizore, por këtyre sikur ua ka hequr fare. Ishte vërtet një moment i frikshëm, por jo aq sa për t’u turpëruar kështu përpara njerëzve që prisnin nga ne t’i shpëtonim nga e keqja e jo t’ua linim në derë. Ndeshja gati kishte mbaruar. Edhe pak lëvizje dhe mati ishte i pashmangshëm. Kurse këta u ulën dhe nënshkruan barazimin. Dhe nuk jam i sigurt, nëse e kanë bërë nga frika apo nga interesi. Por, të dyja më duket se nuk ndahen nga njëra-tjetra. Njerëzit me kurajo të vogël kanë dhe interesa të vogla. I vetmi njeri në PS me të cilin mund të flitet është Mejdani. Shkova e takova në zyrën e kryetarit të PS-së. I thashë se ishim në prag të një momenti historik. Se, më në fund, mund të thuhej se shqiptarët kishin bërë diçka që do t’u jepte besim edhe për të ardhmen, pasi kishin arritur të shporrnin një të keqe me duart e tyre. Kurse me jetë që ndodhi, ne luajtëm rolin e abortuesit të pjellës së shëndetshme që po lindte.
Më dëgjoi me vëmendje dhe më tha:
“Unë nuk jam për revolucion. Po të jetë për revolucion, shkoj në shtëpi”.
“Nuk është fjala për revolucion” – i thashë- duke ndjerë se donte të më bënte të ndjehesha fajtor, ngase kjo fjalë tashmë është bërë gati sinonim i komunizmit.
Nuk e di edhe unë saktë se për çfarë e kisha fjalën. Ndoshta për pak qëndresë më shumë. Për të mbajtur fjalën që kishin dhënë ata vetë, dy ditë më parë. Për të respektuar ca më tepër njerëzit në Jug që kishin sakrifikuar aq shumë, që ishin vrarë dhe tani rrezikonin të ndëshkoheshin.
Edhe unë jam për zgjedhjet, por pyetja është nëse Berisha meriton të konsiderohet i ligjshëm për të shkuar në zgjedhje pas asaj që ka bërë, apo mbetet kërcënim për zgjedhjet? Nëse nuk dënohet as Berisha pas kësaj që ka ndodhur, atëherë, askush nuk do të dënohet më në këtë vend dhe, nëse askush nuk dënohet, kjo do të jetë më keq sesa mosdënimi i krimeve të komunizmit. Në këtë farë demokracie, pushteti do të mund të bëjë çdo lloj krimi paskëtaj. Sepse në komunizëm shumë kanë bërë krime në mungesë lirie, kurse tani, vjedhja e parave, e votës, reagimi ndaj protestave deri në vrasje dhe shpalljen e Gjendjes së Jashtëzakonshme, është bërë në liri të plotë zgjedhjeje.
U ndava nga Mejdani duke kthyer vështrimin nga tryeza e stërmadhe ku kryetari bën mbledhjet e kryesisë. Mu kujtua se një herë, kur kam hyrë në atë zyrë, Majko, më tregoi me një adhurim të veçantë karrigen në krye të saj, atë të kryetarit Nano. “Askush prej nesh nuk ulet në atë karrige”,- më tha.
A mund të presësh të ngrenë nga karrigia Berishën, njerëz që s’guxojnë të ulen në një karrige bosh?
Një prift i alarmuar
Të nesërmen e marrëveshjes, Tirana dukej më e qetë. Duke shkuar për në zyrat e Forumit, Qorrit i ra në sy një numër më i madh njerëzish nëpër rrugët e saj. Po shkonte më shumë për forcë zakoni, sepse e dinte se atje nuk ndodhte asgjë. Askush nuk e kishte deklaruar të mbaruar misionin e Forumit, por tani dukej se politikat e opozitës ishin zhvendosur në selitë e partive që kishin nënshkruar marrëveshjen. Edhe ata që ishin kundër, si Kalakulla, qenë kthyer në selitë e partive të tyre. Kurse Kurti i kishte rihyrë luftës për të rimarrë zyrat në selinë e Shoqatës. As në zyrat e Gjinushit nuk gjeti njeri. Ato ditë, ai dhe Milo rrinin më shumë në zyrat e PS-së. Pasi shëtiti pak mbi krahun e shpendit që tani i dukej gjithnjë e më i paaftë për të fluturuar, Qorri hyri në zyrë, sepse ra zilja e telefonit. Ishte korrespondenti i BBC-së që i kërkonte një intervistë mbi marrëveshjen. E lanë të takoheshin pas disa orësh. Ndezi kompjuterin me mendimin që të hidhte idetë kundër marrëveshjes që i zienin në kokë. Ngarkimi i programit në ekran nuk kishte mbaruar ende, kur trokiti dera.
“Hyr”, -tha- , kur vuri re si ai që kishte trokitur nuk po e hapte derën pa marrë përgjigjen. Dera u hap dhe ai pa një të panjohur që dukej shumë i tronditur.
“Ç’ka ndodhur?”, -e pyeti.
“Mirëdita”, -i tha personi me një zë të ulët-, për të mos u dëgjuar nga kush tjetër.
“Cili je?”
“Nuk ka rëndësi, jam një qytetar i Tiranës.”
“Si e ke hallin?”
“Nuk e di a keni informacion, por në lagjen time, disa persona, agjentë të SHIK-ut apo njerëz të Partisë Demokratike, po shpërndajnë armë.”
Qorri mbeti pa fjalë për një çast.
“Kaq kisha, ika”, -i tha qytetari, që dukej sheshit se ishte i frikësuar. Nuk i tha as për cilën lagje bëhej fjalë.
Qorri mendoi të telefononte, të njoftonte të tijtë. Kërkoi Kurtin, ky nuk u përgjigj. Nuk vonoi shumë dhe erdhi një person i dytë. Ky ishte shumë më i hapur. I tha me zë të lartë, se ishin shpërndarë armë në selinë e Partisë Demokratike dhe në Shkollën e Bashkuar të Oficerëve. I përmendi dhe emrat e deputetëve të Partisë së Berishës që ishin marrë me këtë shpërndarje.
“Kurse juve shkoni e uleni në tryezë pajtimi me ata kriminelë”,- i tha dhe iku pa e zgjatur.
Qorri nuk e kishte parashikuar një gjë të tillë. E kishte menduar se do të vazhdonte e njëjta lojë, ajo e dyfishta: Më në anë gjoja dialog e takime konsultative për formimin e qeverisë së re të pajtimit kombëtar, në anën tjetër intriga dhe pabesia. Por që puna do të shkonte deri në veprime të tilla të dyfishta, kurrsesi. Kjo ishte një lëvizje e papritur e Berishës. Ajo e fundit, më e dëshpëruara, por edhe më e rrezikshmja.
* * *
Atë mbrëmje, lajmet e TVSH-së dhanë një lajm që iu duk shumë i çuditshëm atyre që nuk e dinin se ç’po ndodhte. Kamerat e TVSH-së kishin shkuar në një fshat të Veriut, afër Kukësit, dhe kishin xhiruar turma njerëzish, duke sulmuar dy depo armësh që i kishin plaçkitur fund e krye. Në ekran u shfaqën njerëz me kallashnikovë në duar, duke i vringëllitur ato në ajër me një pamje ku përzihej një gëzim lufte me gëzimin që kishte në duar një mall kaq të çmuar. Lajmi ishte i çuditshëm, sepse Veriu nuk kishte pasur as lëvizje për humbjen e parave dhe as reprezalje apo kërcënime policore. Ç’nevojë kishin këta të sulmonin depot e armatimit? Pse po ndodhte kjo? Si ishte gjendur atje trupa televizive e RTSH-së? Nuk duhej shumë për të kuptuar se kjo ishte një gjë e përgatitur.
* * *
Të nesërmen, një prift katolik në fshatin Bushat, afër Shkodrës, kërkonte me ngulm ndonjë gazetar të huaj. Kishte lënë një njeri në rrugën nacionale, që u ngrinte dorën makinave që vinin nga Tirana. Ata që ndalonin, i pyeste nëse kishin ndonjë gazetar me vete. Ishin të paktë njerëzit që guxonin të kalonin me makina për në Shkodër ato ditë. Më në fund, u ndal një makinë “benz” i vjetër prej nga doli një gazetar gjerman me shoqëruesin shqiptar dhe fotografin. Njeriu i priftit i çoi tek kisha. Prifti nxitoi t’u thotë se ai kishte të dhëna të sigurta se ushtarakët kishin marrë urdhra dhe instruksione nga Tirana, që t’i linin depot të hapura. Nuk kishte pse e pyesnin për burimin, por duhet të dinin se kjo ishte e vërtetë. Urdhri ishte që, pasi të pajiseshin me rregull anëtarët e Partisë Demokratike, të liheshin hapur depot për këdo.
“Ç’synohet me këtë operacion sipas teje”? -e pyeti gazetari. Prifti i tha se ishte e qartë që në Veri njerëzit po i shtynin të armatoseshin si kundërpeshë ndaj njerëzve të armatosur në Jug. Militantët e PD-së duhet të ishin të përgatitur për çdo rast. S a për të tjerët, ndoshta nuk synonin t’i çonin në luftë kundër Jugut, por thjesht donin të krijonin imazhin se edhe Berisha kishte mbështetjen e tij. Mirëpo, me njerëz të armatosur asgjë nuk mund të parashikohej më. Prandaj iu lut gazetarit, të njoftonin botën se në këtë vend po përgatitej një kasaphanë. Ndërkohë që prifti fliste, u dëgjuan së largimi jehona të shtënash e gjëmimesh. Në Shkodër, në fshatrat përreth dhe më në jug, në qytetin e Lezhës, hapja e depove kishte filluar.
* * *
Lajmet mbi plaçkitjet e depove të armatimit në Veri, ndoqën njëri-tjetrin. Në vendlindjen e Berishës, në Tropojë, u morën jo vetëm kallashnikovë, por edhe artileri dhe municione të rënda. Edhe aty, njerëzit e ushtrisë nuk bënë asnjë rezistencë. Edhe aty ishin kamerat e TVSH-së. Njerëzit e armatosur nuk u panë të hedhin në ekran ndonjë parullë kundër Jugut, por mesazhi i pashprehur i pamjeve ishte i qartë. Të shtënat nuk reshtën gjatë gjithë natës mbi qiellin e Veriut. Shumë veta humbën jetën dhe shumë të tjerë u plagosën vetëm nga përdorimi i pakontrolluar i armëve. Sulmet organizoheshin në mënyrë të tillë që organizimi i fshehtë të mbulohej me një dukje spontaniteti. Kudo ku kishte vende ku takoheshin njerëz, si në pika karburanti, dyqane, qendra fshati, dikush, si rastësisht, përhapte tevaturin se në filan orë do të kryhej sulmi mbi filan depo. Kaq mjaftonte që njerëzit të nxiteshin për të shkuar aty. Mu në orën e caktuar, ata gjendeshin të mbledhur para depos dhe turreshin drejt saj, pa gjetur asnjë rezistencë.
Nga Veriu, ky operacion filloi të zbresë për në qendër të vendit. Shqipëria po bëhej, e gjitha, pre e kaosit që po përhapej nga qyteti në qytet, nëpërmjet forcës së tevaturës sa të programuar, aq edhe të pakontrollueshme. U sulmuan dhe u plaçkitën edhe depot ushtarake në Burrel. Turma sulmoi aty edhe një filial të VEFA-s, edhe depon e një privati, që ishte pronar hoteli. Plaçkitja vazhdoi disa orë, ndërkohë që nëpër qytet lëvizin njerëz të armatosur që shtinin në ajër. Në qytetin e vogël të Gramshit, turmat i vunë zjarrin komisariatit të policisë, sulmuan depot e armëve dhe pastaj magazinat shtetërore ku plaçkitën ç’mundën. Ca më në lindje, në Përrenjas, pranë kufirit maqedonas, turmat e armatosura plaçkitën një fabrikë duhani ku kishte disa miliona dollarë duhan. Pasi rrëmbyen çka mundën, dyer, banja e gjithçka, i vunë zjarrin. Edhe në qytetin e Elbasanit turmat sulmuan depot ushtarake, morën atje ç’gjenin edhe granatam edhe mina edhe predha…
FATOS LUBONJA
Per komentuesin MIRDITORI .
Komentin tuaj e morem por nuk menduam ta publikojme pasi
jeni jashte kritereve te mundeshme te pranimit per publikun.
Faleminderit