Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë tha se pavarësia e Kosovës nuk ishte shkelje e të drejtës ndërkombëtare.
Kryeministri Hashim Thaçi deklaroi për BBC-në nga Uashingtoni (ku ndodhet në vizitë zyrtare) se vendimi ishte "një fitore historike për Kosovën dhe për rajonin, për demokracinë edhe të ardhmen euro-atlantike."
"Ky opinion ka qartësuar definitivisht të gjithë rajonin, por edhe vendet e interesuara që punojnë me ne, për të ardhmen tonë edhe SHBA-ja edhe Bashkimi Evropian," - tha zoti Thaçi, duke shprehur vullnetin e qeverisë së tij për bisedime me Serbinë lidhur me çështje teknike.
SHBA e përshëndeti vendimin e GjND-së. Në një mesazh indirekt Beogradit, thotë agjencia e lajmeve Reuters, SHBA tha se "tani është koha që Evropa të bashkohet rreth një të ardhmeje të përbashkët".
Kjo deklaratë e shkurtër u përcoll përmes e-mailit, nga zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit P.J. Crowley.
Ndërsa ministri i Jashtëm serb, Vuk Jeremiç, tha pas vendimit të GJND-së se "tani e tutje do të ketë njerëz në botë që do të tentojnë të shkruajnë deklarata pavarësie, që sipas gjykatës është në rregull me ligjet ndërkombëtare."
"Nga ana tjetër, e drejta për ndarje nuk u mor në konsideratë nga Gjykata," tha ministri i jashtëm serb.
Qeveria e Kosovës tha se tani i takon Serbisë që të bisedojë me të si shtet i pavarur.
I ndodhur në Hagë, ministri i Jashtëm, i Kosovës, Skënder Hyseni, i bëri thirrje Serbisë që të punojë për paqe në Ballkan.
Ministria e Jashtme ruse tha se vendimi i GJND-së nuk prezantoi një bazë ligjore për pavarësinë e Kosovës.
Reagime në Kosovë
Udhëheqësit e instucioneve të Kosovës e kanë cilësuar si një fitore për vendin dhe rajonin mendimin e dhënë sot nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, e cila konfirmoi se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk ishte në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare dhe as me rezolutën 1244 të KS të OKB-së.
Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu tha se mendimi i gjykatës përfundimisht i heq të gjitha dilemat që mund t’i kenë pasur vendet që ende nuk e kanë njohur Republikën e Kosovës.
“Prandaj, ne u bëjmë thirrje sërish këtyre vendeve që të marrin sa më parë vendimet e tyre për njohjen e Republikës së Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran”.
“Siç shihet edhe nga ky mendim i GJND-së Kosova nuk paraqet rast precedent për asnjë rast tjetër në botë”, tha presidenti Sejdiu në një konferencë me gazetarë në Prishtinë.
Ai i bëri thirrje Serbisë për bashkëpunim me Kosovën si dy shtete fqinje.
“Duke qenë në fqinjësi të parë, duhet të punojnë për krijimin e një fryme të re të bashkëpunimit në interes të mirëqenies dhe perspektivës së qytetarëve të të dyja shteteve sovrane”, u shpreh presidenti i Kosovës.
Zyrtarë të lartë të qeverisë, të cilët në mënyrë kolektive e kanë ndjekur në televizion seancën e Gjykatës së Hagës, kanë reaguar me emocion kur gjykatësi kumtoi mendimin e trupit gjykues.
Pas duartrokitjeve të shumta dhe dollive me shampanjë, zëvendëskryeministri, Hajredin Kuçi tha se konfirmimi i ligjshmërisë së pavarësisë së Kosovës nga institucioni më i lartë i drejtësisë ndërkombëtare po hapte një kapitull të ri politik për vendin.
“Është një fitore e drejtësisë, është një fitore e Kosovës, një fitore e gjithë qytetarëve të saj, por dua të besoj se është një fitore edhe e rajonit në tërësi, në këtë rast besoj se është fitore edhe për Serbinë, sepse në një mënyrë mund ta heqin qafe këtë problem”, tha zoti Kuçi.
Ai i ftoi qytetarët e Kosovës që jenë të arsyeshëm në reagimet e tyre.
Menjëherë pas shpalljes së vendimit, grupe të njerëzve kanë dalë në rrugët e Kosovës duke u rënë borive të makinave, të cilat I kishin stolisur me flamuj të Kosovës.
“Jemi shumë të lumtur, e kemi pritur pavarësinë qe sa vite dhe tani edhe Gjykata e konfirmoi se nuk e kemi shkelur të drejtën ndërkombëtare, as rezolutën 1244, kështu që presim njohje të reja të vijnë tani”, u shpreh një qytetar.
Reagime ndërkombëtare
Shtëpia e Bardhë përmes zëdhënësit, Mike Hammer tha se "SHBA ishte e kënaqur që gjykata kishte rënë dakord me qëndrimin e vjetër të SHBA-së se shpallja e pavarësisë së Kosovës ishte në përputhje me ligjin ndërkombëtar".
Ministri i Jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar, William Hague, mirëpriti opinionin këshillimor të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.
"Kosova ka funksionuar si shtet i pavarur prej dy vjetësh e gjysëm. Unë i inkurajoj shtetet e tjera që nuk e kanë njohur Kosovën, ta bëjnë tani një gjë të tillë. Kosova është një rast unik dhe nuk krijon precedent", ka thënë shefi i Foreign Office.
Baronesha Ashton, përfaqësuesja e lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri tha se "opinioni këshillues hap një fazë të re. Fokusi duhet të jetë tek e ardhmja."
"E ardhmja e Serbisë është në Bashkimin Evropian. Edhe e ardhmja e Kosovës është në Bashkimin Evropian", tha baronesha Ashton.
Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Guido Westervelle tha se "vendimi i Gjykatës komfirmon pikëpamjen tonë se shpallja e pavarësisë ishte e ligjshme".
"Ajo mbështet pikëpamjen tonë se pavarësia dhe integriteti territorial i Kosovës janë fakte të parefuzueshme".
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme ruse, Andrey Nesterenko tha se "se është e një rëndësie parësore që Gjykata dha vlerësimin e saj vetëm për deklaratën e pavarësisë dhe nuk shqyrtoi çështjen e të drejtës së Kosovës për shkëputjen unilaterale nga Serbia në një kontekst më të gjerë".
Ministria e Jashtme qipriote thotë se "Qipro dëshiron të theksojë qëndrimin parimor për Kosovën dhe të riafirmojë qëndrimin e palëkundur për respektimin e sovranitetit dhe integritetit territorial të Serbisë, që përfshin Kosovën."
Presidenti i territorit të shkëputur gjeorgjian të Abkhazisë, Sergei Bagash tha se "vendimi i gjykatës konfirmonte edhe një herë të drejtën e Abkhazisë dhe të Osetisë Jugore për vetëvendosje."
Aitor Estabanm një deputet i partisë nacionaliste baske PNV tha se "rrjedhoja kryesore është se Spanja nuk mund të vazhdojë të thotë se rregullat ndërkombëtare nuk lejojnë një ndarje të vendit për një shtet të pavarur brenda Bashkimit Evropian."
Reagime nga Tirana e Shkupi
Menjëherë pas dhëniës së vendimit nga GJND-ja kryeministri Sali Berisha në një dalje të menjëhershme para gazetarëve përshëndeti vendimin e Gjykatës duke e konsideruar historik atë.
Berisha tha se "Vendimi i Hagës është kontribut madhor".
Më tej ai shtoi se vendimi zgjidhi statusin e shqiptarëve në Ballkan.
Ndërkohë ka reaguar edhe presidenti i vendit Bamir Topi, i cili i ka përcjellë një mesazh urimi dhe homologut të tij kosovar, Fatmir Sejdiu .
"Hap i rëndësishëm për Kosovën "e ka konsideruar presidenti Topi vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare.
Ndërkohë ministri i jashtëm Ilir Meta vlerësoi vendimin duke e cilësuar në përputhje me të drejtën ndërkombëtare.
Meta shtoi se "Shqipëria do të lobojë sërish për Kosovën ".
Edhe kryetari i opozitës Edi Rama ka përshëndetur vendimin e GJND-së. duke thënë se "shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk ka qenë e paligjshme".
Vendimin e GJND-së e kanë përshëndetur dhe parti të tjera politike në Shqipëri.
Ndërkaq, zëvendëskryeministri i Maqedonisë, Abdylaqim Ademi, tha të enjten për BBC-në se vendimi i saposhpallur nga GJND-ja do të eketë efekt pozitiv, jo vetëm për Kosovën, por edhe për mbarë rajonin në përgjithësi:
"Mendoj se Beogradi duhet të bindet me realitetin e ri, të krijuar,"- tha zoti Ademi./BBC
No comments:
Post a Comment