Dialog dhe marrëveshje". Ky është apeli që komuniteti ndërkombëtar u drejton rregullisht politikanëve shqiptarë që prej vitit 1991. Bilanci formal është dëshmi e disa dhjetra marrëveshjesh, shumica të momentit të fundit, shumica pa zgjidhje të qëndrueshme, shumica të kontestuara nga njëra palë. Bilanci real është mungesa e plotë e kulturës së marrëveshjes. Për të pasur marrëveshje duhen dy palë dhe duhet vullnet i secilës palë për të negociuar probleme, pra për të bërë lëshime reciproke.
Nga ky rregull klasik bën përjashtim tradita shqiptare e marrëveshjeve, në të cilat liderit kryesorë hynë në negociata jo për të bërë lëshime reciproke, por për të fituar sa më shumë nga dobësitë e kundërshtarit. Pikëpamja se "hyj në bisedime vetëm për të fituar", e shprehur më 1997 nga ish Presidenti u bë pikëpamje e gjithë aktorëve të tjerë politikë, gjë që dobësoi cilësinë e bisedimeve dhe kulturën e dialogut, e formalizoi atë dhe ndikoi ndjeshëm në uljen e produktit që ato ofruan.
Kulturën minimale të traditës së dialogut dhe vullnetit për marrëveshje e ndjeu në çdo hap të tij ndërmjetësues në krizën shqiptare të vitit 1997, ish kancelari austriak Franc Vranicki. Ky i fundit, në kujtimet e tij mbi misionin shqiptar tregon se në mars 1997, "unë ftova krerët e partive për t'u sqaruar nëpërmjet bisedimeve, për të gjykuar mbi gjendjen dhe për të hartuar strategjitë e ardhshme. Mbas bisedimeve shumëorëshe politikanët e mbledhur në tryeza të përbashkëta më raportonin se deri ku shkonte iluajaliteti dhe poshtërsia e palës tjetër, dhe ishin gati të largoheshin nga dhoma e negocimeve kur fjalën e merrnin përfaqësuesit e rivalëve. Askujt nuk i shkonte ndër mend të dëgjonte tjetrin deri në fund". Ky episod e shtyn atë të arrijnë në konkluzionin e saktë se "unë mundohesha t'i pengoja duke vënë kështu gurin e themelit (pa qënë i ndërgjegjshëm për këtë ) për diçka krejt të pazakontë për Tiranën, pikërisht për bisedimet shumëpartiake. Me sa duket partnerët e negociatave të mia deri atëhere kishin njohur vetëm diktate dhe prej tyre u ishte krijuar neveri. Përpjekjet e mia për të trajnuar një minimum kulture bisedimi, ishin parakushti i arritjes së marrveshjeve të qëndrueshme".
Mosbesimi ishte aq i thellë midis palëve saqë menjëherë pas nënshkrimit të marrëveshjeve secila palë hidhte dyshime mbi sinqeritetin e palës tjetër dhe produktivitetin e marrëveshjes. Marrëveshja më e rëndësishme politike, ajo e marsit 1997, u kontestua nga parti nënshkruese vetëm pak orë pas ceremonisë zyrtare. Kontestime në nivele të larta të politikës erdhën edhe nga marrëvedhje të tjera të rëndësishme të bëra në vitet 1991, 1995, 1998 apo 2002 dhe 2006. Me pretekstin se kryeministri Majko gaboi kur bëri bisedime me kryetarin e opozitës më 1998, ai e humbi në garën për kryetar partie në shtator 1999. Po ashtu, me arsyetimin se kërkojnë të bëjnë bisedime dhe dialog me opozitën u përjashtuan nga PD nënkryetarët dhe politikanë të tjerë të lartë më 1992 dhe 1999. E parë në këtë këndvështrim përvoja shqiptare dëshmon se liderit kryesorë politikë u përpoqën që ta monopolizojnë procesin e dialogut dhe marrëveshjeve politike. Çdo hap i ndërmarrë në drejtim të dialogut nga politikanët e dytë në parti u konsiderua herezi, por kur këtë e bënë vetë liderit kryesore respektivë, Nano, Berisha, Rama, etj, u quajt arritje e madhe kombëtare dhe historike.
Paradokset janë të shumta. Presidenti Berisha me 5 mars 1997 akuzoi PS-në për terrorizëm dhe i kërcënoi ata me nxerrje jashtë ligji; por 24 orë më vonë do t'i ftonte ata për të bashkëqeverisur vendin. Më 2002 kryetari i PS-së Nano e cilësonte opozitën fatkeqësi kombëtare, por disa ditë më pas u takua me të për të ndarë pushtetin, duke e konsideruar atë si një nga pjesët më të emancipuara të shoqërisë. Më 2007 dy liderit Berisha e Rama e shihnin njëri tjetrin si e keqja e Shqipërisë, më 2008 ata brenda 4 orësh ndryshuan sistemin politik dhe kushtetutën.
Kështu ka ndodhur nga 1990, kështu ndodhi më 2008, kështu pritet të ndodhë edhe në marrëveshjen e radhës, kurdo që të arrihet ajo.
Së fundi, këtë javë PD dhe PS u takuan në përpjekje për një marrëvedhje konsensuale për zgjidhjen e krizës politike. Takimi i shumëpritur nuk solli ndonjë rezultat thelbësor, gjithësesi është pozitiv sepse e zhvendos krizën nga selitë e partive tek selitë e institucioneve. Dialogu pritet të vazhdojë. Ai mund të dështojë ose, në rastin më optimist, mund të shkojë deri në një takim të "madh" midis të liderve politikë, Berisha - Rama ose kompromisi politik përmes negociatave ndërkombëtare. Ky nuk është një lajm i ri për Shqipërinë politike. Në 20 vjet kemi parë të paktën 22 marrëveshje të shkruara dhe 42 raste të tjera të marrëveshjeve dhe bisedimeve dypalëshe për zgjidhje, shumica e të cilëve vetëm për periudhat para dhe postzgjedhore. Megjithatë rezultati shihet, pas 20 vjetësh dhe dhjetra marrëveshjesh, përsëri në krizë, përsëri për zgjedhjet, përsëri në kërkim të marrëveshjes së radhës.
Kronologjia e takimeve dhe marrëveshjeve dypalëshe
1. Takimi i parë politik midis liderve të PD dhe PPSH u bë në dhjetor 1990. Pas takimeve të para studentë - udhëheqësi komunist Alia, apo pas takimit midis udhëheqësit të regjimit Alia dhe në atë kohë, pedagogut Berisha, në 9 dhjetor 1990, kontaktet e Partisë Demokratike të sapoformuar dhe regjimit komunist u bënë të rregullta dhe të shpeshta.
2. Gjatë muajve dhjetor 1990 - mars 1991 u zhvilluan 6-7 takime të rregullta zyrtare midis dy palëve, shumica me rezultate konkrete dhe marrëveshje politike. Kështu, në dhjetor 90 PD kërkoi legalizim, financim për gazetën dhe zyra në cdo rreth gjatë takimit në ministrin e drejtësisë së PPSH (takimi Pashko-Hajdari-Gegprifti-Halili). PPSH i miratoi këto kërkesa me shkëmbim të uljes së toneve politike në fjalimet e opozitës antikomuniste.
3. Në janar 1991 pas grevës së minatorëve të Valiasit, PPSH hyri në negociata me PD lidhur me shtyrjen e datës së zgjedhjeve. Kompromisi u bë publik: PPSH shtyu zgjedhjet në mars dhe liroi të përndjekurit politikë, kurse PD si shkëmbim, do të respektonte dekretin e Ramiz Alisë për mbrotjen e figurave kombëtare (përfshi Enver Hoxhën) dhe për ndalimin e të gjitha protestave dhe grevave masive.
4. Në shkurt 1991 para dhe pas grevës së urisë së studentëve dhe rrëzimit të bustit të diktatorit Hoxha u zhvilluan bisedime të reja midis PPSH dhe PD, në nivelin e Xhelil Gjonit dhe të Sali Berishës. Kompromisi ishte kundër grevës së urisë dhe ndarja e universitetit në katër pjesë.
5. Në shkurt 1991 pas rrëzimit të bustit të diktatorit PPSH dhe PD zhvilluan bisedime tek Shkolla e Bashkuar (Ceka e Baleta nga opozita) dhe më pas bisedimet vijuan edhe në nivele të tjera, me kompromis, ndalimin e veprimeve të reja opozitare kundër diktatorit dhe mbylljen e universitetit të Tiranës.
6. Në maj 1991 PPSH dhe PD hynë në bisedime disa ditore në nivel grupi parlamentar dhe më pas në nivel kryetarësh (Berisha, Pashko - Dede, Nano). Kompromisi ishte: krijimi i qeverisë së Stabilitetit, koalicioni i përbashkët midis dy palëve, ndarje e posteve në qeveri dhe kalimi pas një viti në zgjedhje të reja parlamentare.
7. Në prill-gusht 1991 PS dhe PD negociuan në nivel grupi parlamentar dhe ranë dakord për anullimin e kushtetutës së vjetër, miratimin e dispozitave kryesore kushtetuese, ligjin për depolitizimin e organeve të ushtrisë dhe sigurisë, ligjin për shërbimin sekret, për grevën, për mediat, për RTV, për partitë, për sindikatat dhe sidomos për ligjin 7501 për pronësinë dhe amnistinë për gjithë ish të përndjekurit politikë.
8. Në vjeshtën e vitit 1991 dy palët politike (krerët e partive përfshirë Alia e Nano) u takuan disa herë dhe madje udhëtuan në delegacionin zyrtar shqiptar në konferencën e KSBE në Berlin, ku do të pranohej Shqipëria.
9. Në dhjetor 1991 mosmarrëveshjet midis palëve u shoqëruan me disa raunde bisedimesh, të cilat me 3-4 dhjetor çuan në rrëzimin e qeverisë Bufi, arrestimin e Nexhmije Hoxhës, shkarkimin e drejtorit të RTV Kumbaro, krijimin e qeverisë teknike dhe shpalljen e zgjedhjeve të reja në mars 1991. Pika më e errët e kësaj marrëveshjeje ishte kriza e bukës, një deklaratë e dalë nga tryeza e negociatave, e cila çoi në djegien e rreth 60 qytetarëve të pafajshëm në Fush Arrës (Pukë).
10. Në prag të zgjedhjeve nuk kemi më marrëveshje të shkruara, por të pranuara nga palët. E tillë është ajo e Triestës 1992 për ndarje të qetë pushteti, ku morën pjesë Nano, Berisha e Meksi.
11. Pas marsit 1992 ra ndjeshëm ritmi i marrëveshjeve. Palët kaluan në pozita kundërshtuese dhe për pasojë, një vit më vonë PD arrestoi e burgosi liderin e PS-së, Nano.
12. Më 1993 dhe 1994 PD bëri bisedime me PS për kushtetutën e re, por për shkak të mosmarrëveshjeve konsensusi nuk u arrit. Në fund PD vendosi të provojë forcën, thirri referendumin kushtetues 1994, të cilin e humbi.
13. Më 1995 PD dhe PS zhvilluan disa raunde të tjera bisedimesh në nivel parlamentar, kryesisht jashtë Shqipërisë ose me ndërmjetësim të huaj, me qëllim arritjen e kritereve të anëtarësimit në Këshillin e Europës (1995).
14. Në shtator 1995 patëm për herë të parë tryezë politike institucionale midis pozitës dhe opozitës. Nisma erdhi nga PR dhe 13 parti të tjera, mbi ligjin e zgjedhjeve. PD e bojkotoi tryezën në momentin e fundit, duke e dështuar atë. Një javë më vonë presidenti Berisha ftoi opozitën dhe PD (Shehu) në bisedime, por nuk u arrit asnjë kompromis real.
15. Në gusht 1996, pas zgjedhjeve parlamentare, me nismën e Institutit Republikan Amerikan u zhvillua një tryezë midis PD e PS për ligjin elektoral. Presidenti pranoi jetësimin ligjor të rezultateve të kësaj tryeze, ku për herë të parë të gjitha postet e nënkryetarëve të KQZ dhe KZZ i kaluan opozitës.
16. Në shtator 1996 presidenti Berisha thirri një tryezë midis PD e PS për datën e zgjedhjeve lokale (PS - Hajdaraga), dhe palët ranë dakord për 20 tetorin, si datë zgjedhjesh.
17. Gjatë 1992 - 1996 ka patur edhe një kompromis tjetër tryeze politike, tryeza e presidentit me PD e PS lidhur me Maqedoninë dhe njohjen zyrtare të emrit të saj, gjë që u pranua nga të gjitha palët.
18. Gjatë 1992-1996 ka patur edhe takime të tjera formale e informale, kryesisht në Strasburg, Bruksel, Vjenë etj, midis drejtuesve të PD (Selami e Spahia) dhe drejtuesve të PS (Dokle, Meta etj). Këto takime kanë pasur produkte ditore, jo ndonjë kompromis afatgjatë apo me ndikim në jetën politike.
19. Në vitin 1997 rikthehet "dashuria" e marrëveshjeve PD - PS. Takimi i parë midis tyre u mbajt me 1 mars 1997 në zyrën e presidentit, ku nga PS ishte Dokle, Meidani dhe Majko. Takimi i dytë u mbajt me 4 mars, më pas me 7 mars dhe kryesori në marrëveshjen politike të datës 9 mars 1997. Sipas marrëveshjes së 9 marsit 1997, PD-PS dhe partitë e tjera politike ranë dakord për amnisti të përgjithshme, krijimin e qeverisë së pajtimit Kombëtar, dorëzimin e armëve, shpalljen e një dite të zizë kombëtare, zhvillimin e zgjedhjeve parlamentare para qershorit 1997, vëzhgim ndërkombëtar të zgjedhjeve, ndihmë për zonat e dëmtuara, lehtësim i gjendjes së jashtëzakonshme dhe vazhdim të dialogut politik. I vetmi që e refuzoi marrëveshjen ishte Ceka i PAD.
20. Gjatë muajve mars-prill-maj 1997 u zhvilluan disa raunde të tjera bisedimesh PD - PS, kryesisht nën drejtimin e kryeministrit Fino, kancelarit Vranicki apo faktorëve të tjerë ndërkombëtarë. Marrëveshja kryesore ishte ajo e datës 28 mars 1997, ku palët me shkrim ranë dakord për ndryshime në polici dhe shërbimin sekret, rivendosjen e organeve të qeverisjes vendore, shkrirjen e komiteteve të shpëtimit, një platformë të re për TVSH, një komision me asistencë ndërkombëtare për transparencën e fajdeve, etj. U vendos që në çdo ministri të ketë firmë të dubluar midis ministrit të një pale dhe sekretarit të shtetit të palës tjetër.
21. Marrëveshje tjetër e rëndësishme ishte ajo e datës 9 maj 1997, për datën e zgjedhjeve dhe ligjin zgjedhor. Palët (PD-PS) ranë dakord për datën e zgjedhjeve (29 qershor), ftuan ODIHR të monitorojë procesin, dhanë ultimamutin për shpërndarjen e komiteteve të shpëtimit 45 ditë përpara zgjedhjeve, anulluan ligjet antigenocid dhe ato të kontrollit të figurave që kanë shërbyer në regjimin komunist. Me 28 maj marrëveshja vijoi me aneksin e dytë, atë elektoral. Në këtë marrëveshje shtesë palët ranë dakord për ruajtjen e sistemit elektoral, rritjen e numrit të deputetëve në 155, uljen e kufirit minimal në 2%, etj.
22. Marrëveshja më e rëndësishme e përiudhës parazgjedhore 1997 ishte ajo e 23 qershorit 1997, negociuar dhe nënshkruar në Itali (San Edigio) midis shefit të PS Nano dhe kryetarit të PD Shehu. "Marrëveshja e gjirokastritëve" (quhej kështu sepse nga 10 nënshkrues shqiptarë 9 ishin nga gjirokastra) u cilësua si "Pakti për të ardhmen e Shqipërisë". Në këtë pakt palët ranë dakord për njohjen e zgjedhjeve dhe rezultateve të tyre, kalimin e KLSH në drejtimin nga opozita, ndarjen e drejtimit të komisioneve parlamentare dhe kryesisë së kuvendit, etj.
23. Gjatë periudhës 1997-1998 nuk pati më marrëveshje politike, vetëm incidente, arrestime, dhunë, dhe sulme reciproke. Marrëveshja e parë e radhës nën një qeverisje të majtë është ajo midis Berishës - Pollos dhe Majko - Metës, e njohur si marrëveshja për Kosovën. Marrëveshja u bë me 21 dhjetor 1998, me ndërmjetësimin e disa ish studentëve të dhjetorit. Palët ranë dakord të mbyllin grevat e urisë (studentët ishin në grevë) dhe hetim të plotë dhe të pavarur dërkombëtar për atentatin ndaj Azem Hajdarit, koordinim veprimesh për çështjen e Kosovës.
24. U deshën 3 vjet të tjerë që palët të ulen përsëri në bisedime për marrëveshje të re politike. Në shkurt 2001 PD e PS nënshkruan një dokument - marrëveshje (Gjana - Ruci) për komision bipartizan për reformën zgjedhore, listën e zgjedhësve dhe rishikimin e KQZ. Komisioni bipartizan hyri si praktikë për të vijuar punë gjatë gjithë dhjetëvjecarit 2001-2010, kur palët në vjeshtë do të duhet të krijojnë një komision të ri bipartizan. Më 2001 palët ranë dakord për disa vendime konsensuale për administrimin e procesit zgjedhor, të cilat u miratuan me votë konsensuale në parlament.
25. Gjatë viteve 2001-2002 pati disa takime dhe marrëveshje sekrete informale midis PD e PS, kryesisht midis PD dhe një grupi në PS kritik me kryeministrin Meta. I njohur si koalicion fluid, ai funksionoi dhe dha rezultat kur në dhjetor 2001 bllokoi miratimin e katër ministrave të rinj të Metës në parlament. Kjo aleancë PD-Nano solli rrëzimin e Metës dhe ardhjen e qeverisë Majko 2.
26. Në vitin 2002, kemi përsëri marrëveshje dypalëshe publike. Kjo u nxit nga pjesëmarrja e përbashkët në seancën e PE me 24 janar 2002 nën kujdestarinë e komisionit europian. E para marrëveshje ishte ajo për shkarkimin e prokurorit të përgjithshëm Arben Rakipi dhe zgjedhjes konsensuale të prokurorit të ri, Sollaku. E dyta marrëveshje ishte ajo për zgjedhjen e presidentit të ri konsensual, fillimisht Artur Kuko dhe pas refuzimit të tij, të propozimit të opozitës, z. Alfred Moisiu. Pjesë e marrëveshjes ishte edhe shkarkimi i qeverisë Majko dhe rikthimi i Nanos kryeministër, i pari kryeministër socialist i pakontestuar nga opozita e Berishës. Kulmi i konsensusit të vitit 2002 ishte takimi televiziv Nano - Berisha, dialog që u zhvendos në nivel nënkryetarësh dhe kryetar të grupeve parlamentare.
27. Më 16 mars 2002 palët (PD-PS) firmosën nën praninë e OSBE një protokoll bashkëpunimi, i pari i firmosur nga Nano e Berisha bashkë me amabasadorët Ahrens dhe Grunnet. Ideja e protokollit ishte angazhimi për një reformë zgjedhore të plotë dhe konsensuale. U ngrit komision hetimor për zgjedhjet, komision bipartiak për reformën, etj, me detyrimin për vendime konsensuale. Një akord real teknik u arrit me marrëveshjen Klosi-Gjana në 5 prill 2002, por në fakt, shumë prej angazhimeve nuk e mbajtën dhe zgjedhjet lokale 2003 nuk u njohën nga PD.
28. Një marrëveshje e vecantë PD - PS ishte ajo e vitit 1997 për zhvillimin e referendumit për formën e regjimit (fitoi republika), por më 2002, palët kishin ndryshuar qëndrim. Me një marrëveshje të re, 75 deputetë të PD e PS firmosën një dokument - ftesë drejtuar pretendentit mbretëror Leka Zogu për rikthim në Shqipëri. Marrëveshje krijoi frymë pajtimi, mbreti u kthye dhe ky kapitull u konsiderua i mbyllur edhe pse sapo erdhi në Rinas, qeveria i bllokoi bagazhet e tij muzeale.
29. Pas zgjedhjes me marrëveshje, të Presidentit Moisiu, me 10 tetor pati një marrëveshje të re PD - PS (Berisha - Nano) për balancim të institucioneve kushtetuese dhe bashkëpunim politik. Ideja ishte ndryshimi i kreut të KLSH, përbërjes së gjykatave të larta e kushtetuese, KQZ, etj.
30. Në dhjetor 2002 me ndërmjetësim të Presidentit Moisiu, Nano dhe Berisha firmosën një marrëveshje të re për rikthimin e pronave dhe zgjidhjen përfundimtare të cështjes së pronësisë, angazhim që si dihet, nuk u mbajt nga anjëra palë.
31. Në maj - gusht 2003 PD dhe PS në komision bipartizan arritën shumë kompromise në lidhje me procesin zgjedhor të tetorit 2003. Një nga ata ishte ndarje e balancuar e vendeve të reja në KQZ, pavarësisht se kushtetuta përcaktonte ndryshe. Ato ndryshuan kodin zgjedhor duke mbajtur kontroll të ploë mbi procesin dhe partitë e vogla. Në shtator 2003 vendi hyri në krizë, sepse KLD e dominuar nga e majta votoi një kandidat të majtë për KQZ dhe jo kandidatin e PD. Tryeza e presidentit Moisiu e 5 shtatorit 2003 dha një marrëveshje parimesh dhe angazhimesh zgjedhore, angazhim për fushatë të qetë, ndershmëri, respekt për ligjin, etj, angazhime parimore që palët i pranuan, i nënshkruan, por në tërësi, sidomos pas zgjedhjeve, nuk i zbatuan.
32. Në 1 korrik 2004 pas negociatave të shumta midis kryetarëve të grupit Ruci e Topi vjen konsensusi i radhës për zëvendësimet në KQZ. U krijua një komision tjetër bipartizan, një komision hetimor, etj, por rezultati kryesor ishte ndërprerja e një mandati kushtetues të një anëtari të KQZ dhe kalimin e këtij mandati tek PD.
33. Në fund të vitit 2004 dhe fillim të vitit 2005 pas shumë negociatash midis grupeve parlamentare dhe komisionit bipartizan, u arrit një kompromis për ndarjen e re të zonave zgjedhore, sidomos për të ndarë dy nga tri zonat e influencës midis dy partive të mëdha.
34. Më 2005 pas rotacionit politik u rikthyen negociatat për hetimin e zgjedhjeve të vitit 2005, hetim që nuk dha rezultat, si dhe komisioni bipartiak për reformën zgjedhore, i cili dha rezultat vetëm në dhjetor 2006. Më 7 dhjetor 2005 Presidenti Moisiu zhvilloi një tryezë të re shumëpartiake mbi këtë temë, dhe palët politike, Ruçi e Topi, nënshkruan kompromisin me angazhime për reformën.
35. Në dy zgjedhjet e parafundit, sidomos në zgjedhjet parlamentare 2005 Presidenti Moisiu mori nismën e nënshkrimit nga palët të Kodit të Sjelljes elektorale. Në nënshkrim ishin Berisha, Nano e Meta, në atë kohë të tre rivalë politikë.
36. Në vitin 2006 kemi një sërë marrëveshjesh të reja politike midis PD e PS. Pasi në korrik 2006 PD me shumicë votash dhe e vetme bëri ndryshime në KD të RTV dhe në KQZ, komuniteti ndërkombtar imponoi marrëveshje të re. Me 20 gusht 2006 PD e PS (Topi - Pango dhe Blushi - Leskaj) arritën marrëveshje për shtimin e dy anëtarëve në KQZ për LSI dhe PDK, pra për ndryshim të kushtetutës; për zgjatjen e mandatit të organeve vendore nga 3 në 4 vjet, për periudhën zgjedhore kur do të zhvilloheshin zgjedhjet, për balancimin e raporteve përfaqësuese në KKRT dhe KD të TVSH, për listat e zgjedhësve, etj.
37. Në shtator 2006 Presidenti Moisiu zhvilloi një tryezë tjetër PD-PS për datën e zgjedhjeve lokale, por pa një akord midis palëve. Kriza evoloi dhe në dhjetor 2006, kur presidenti shpalli datën e zgjedhjeve opozita njoftoi boj-kotimin e tyre. Më 30 dhjetor 2006 palët politike, PD e PS ranë dakord për një marrëveshje të re politike shumë teknike për zgjedhjet, por që u kontestua dy ditë më vonë për çështjen e certefikatave.
38. Në janar 2007 Presidenti Moisiu mblodhi tryezën politike (Topi nga PD dhe Rama nga PS) për zgjidhjen e krizës. Pas shumë debateve, me 9 janar tryeza nisi punë pa ndërprerje 24 orëshë, një rekord ky në historinë shqiptare. Pas dy ditë negociatash dhe takimit Nano - Berisha në pallatin e Brigadave, palët ranë dakord për zgjidhjen e të gjitha mosmarrëveshjeve dhe nënshkruan një dokument me rreth 20 pika. Me 13 janar Parlamenti i miratoi të gjitha ndryshimet, zgjedhjet u mbajtën me 20 shkurt 2007.
39. Në korrik 2007 nisën negociatat e reja për zgjedhjen e presidentit. Fillimisht nuk pati kompromis, më pas u arrit akordi për emrin e ushtarakut A.Zajmi, por 24 orë më vonë akordi u prish. Këto negociata fillimisht u kryesuan nga Ruci - Leskaj e Patozi - Oketa, por më pas direkt nga Berisha e Rama. Palët nisën negociata të reja për aleancë fluide midis PD dhe mbështetësve të Nanos në PS, gjë që dha rezultat dhe me 7 vota nga deputetë të Nanos në PS, në fund nxorri presidentin e ri, Bamir Topi.
40. Në vitin 2008 kemi një marrëveshje të re dhe të bujshme midis PD e PS (Berisha e Rama) për ndryshimet e reja kushtetuese. Nuk pati bisedime publike, as takim midis tyre, por komunikimi ishte aktiv dhe rezultativ, përderisa në prill 2008 solli ndryshime rrënjësore në Kushtetutë.
41. Në prag të zgjedhjeve të vitit 2009 patëm përsëri komision bipartizan dhe miratim me konsensus PD - PS të Kodit Zgjedhor dhe cdo mase të tjerë organizative zgjedhore. Me marrëveshje u ndryshua edhe KQZ, KZZ dhe cdo nivel administrimi zgjedhor.
42. Pas zgjedhjeve 2009 tentativa e vetme për marrëveshje ishte tryeza e presidentit të Republikës mbajtur në shkurt 2010, gjatë të cilës pati dy raunde, por asnjë rezultat konkret. Edhe në këtë rast, kryetarët respektivë Berisha e Rama ishin personalisht pjesëmarrës në bisedime. Bisedimet e dështuara, u zhvendosën më pas në Strasburg dhe Bruksel në nivel kryetarësh ose deputetësh përfaqësues, por përsëri tryeza e dialogut nuk funksionoi.
43. Takimi i fundit i kësaj jave midis kryetarëve të grupeve parlamentare Ruçi e Patozi përbën kështu tentativën e re për marrëveshje, pa asnjë garanci në zgjidhjen përfundimtare të problemeve zgjedhore në Shqipëri.
44. Gjatë këtyre viteve kemi patur përves marrëveshjeve publike, edhe marrëveshje "e heshtura" apo "kompromise xhentelmenësh". Të gjitha kanë qenë marrëveshje të pashkruara, gjithësesi kanë ardhur nga bisedimet direkte informale dhe konsensusit dypalësh.
45. E tillë ishte ajo midis PD e PPSH më 1991 për ndalimin e organizatës Omonia për konkurrim në zgjedhje, gjë që e detyroi këtë organizatë të krijonte partinë e re, PBDNJ.
46. Marrëveshje e "heshtur" ishte edhe ajo midis deputetëve të PS dhe një pjese të deputetëve të PD në vitin 1995 për mos heqjen e imunitetit për deputetët Genc Ruli e Rexhep Uka, të akuzuar nga Presidenti Berisha për korrupsion. Aleanca të tilla fluide, rrëzuan edhe nismën e Presidentit për shkarkimin e kryetarit të gjykatës së kasacionit, Zef Brozi.
47. Marrëveshje e "heshtur" ishte edhe vendimi i parlamentit me bisedime midis PD e PS për zgjedhjen e guvernatorit të Bankës dhe të Këshillit Mbikqyrës, ku palët ndanë raportet e përfaqësimit konkretë.
48. Marrëveshje "e heshtur" ishte ajo midis kryetarit të PD e të PS për emërimin e drejtorit dhe nëndrejtorit të SHISH, drejtorit të TVSH dhe disa ambasadorëve më 2002-2004, emërimi i kryeprokurorit 2007 etj.
49. Kompromis midis palëve ishte vendimi për të mbyllur skandalet politike dhe dosjet me akuza korrupsioni në shkëmbim të mbështetjes politike (Nano pas 2005), ai për përjashtimin nga ligji i lustracionit të politikanëve aktivë (2009), miratimi i projekteve urbanistike (plani i ri i qëndrës së Tiranës 2010, kanizoja në Tiranë 2005, privatizimi i Albtelekom 2005 dhe një sërë privarizimesh të tjera të mëdha).
No comments:
Post a Comment