Tuesday, July 20, 2010

Homazh përkthyesit Halit Selfo

Elsa Demo
 Gjuhë fare llagar

Kanë kaluar 52 vjet qyshse botohej për herë të parë në shqipe "Udhëtimet e Guliverit" i Xhonatan Suiftit (1667 -1745). Është thënë se prej setrës së Guliverit dolën në sterenë e Anglisë në dyqind-treqind vitet e ardhshëm vepra subversive që u folën në dy gjuhë bashkëkohësve njëgjuhësh.


Kjo dygjuhësi është quajtur edhe satirë politike, duke mbajtur parasysh kontekstin politik-shoqëror të mjedisit ku shkruhej vepra dhe të raporteve të Suiftit me këtë mjedis.


"Udhëtimet e Guliverit. Ndër vise të largëta të dheut" i përkthyer nga Halit Selfo, u botua nga Ndërmarrja Shtetërore e Botimeve, Tiranë më 1958 me tirazh 10 mijë kopje. Nuk dimë me siguri nëse romani është botuar dy herë brenda atij viti.


Më 1974 ribotohet, tirazhi sërish 10 mijë kopje. Tirazhe të tilla për kohën dhe lexuesin e etuar ishin normale - "Zemra" e De Amicis, përkthim i Selfos, në botimin e parë qarkulloi me tirazh 20 mijë kopje.


Përkthyesi kishte 10 vjet që kish vdekur dhe zonja Selfo me zor arrinte të rriste tre jetimë.


Pas viteve nëntëdhjetë këta trashëgimtarë bëjnë një botim të "Udhëtimeve të Guliverit" që vështirë se e gjeje në qarkullim.


Së fundi, me botimin e katërt (Botimet Zenit, Tiranë 2010) Guliveri po hyn në brezin e tretë të lexuesit shqiptar.


Me siguri ky lexues nuk ka dëgjuar ndonjëherë për përkthyesin e tij, që pati jetë të stuhishme, të shkurtër dhe e mira që bëri jo gjithmonë iu la me të mirë.


E megjithatë kush lexon "Udhëtimet e Guliverit" me gjuhën shqipe të Halit Selfos mund të marrë me mend një burrë me humor të hollë, siç e përshkruan bashkëshortja në intervistën dhënë "Shekullit".


"Nuk përkthej me kile unë", refuzonte Selfoja, megjithëqë ndonjë vepër me kërkesë të Lidhjes së Shkrimtarëve apo të atyre mbi çatinë e Lidhjes, e pati kryer si punë.


Kur zonja Shpresa përmend për shembull një vepër me titull "Fabrika flet", tund dorën në ajër si për të thënë, asgjë për të çuditur të tjerët. Kjo grua ndërsa tundte fëmijët në krah e dëgjonte të shoqin si tingëllonin Suifti, Dymaja, Fransi, Verni.
Halit Selfo vdiq 46 vjeç por kishte përkthyer sa për gjithë jetën.


Romani që rimarrim në duar përveçse një kryevepër e letërsisë botërore, që të mban mbërthyer për aktualitetin e satirës ndaj njeriut si qenie politike, është një kryevepër e përngjashme e përkthimit në shqipe.


Në një shënim në frontespic të "Guliverit" që familjarët e kanë ruajtur si një kushtim për Mitrush Kutelin, përkthyesi i shkruan: "I dashuri shoku Mane: dikush thotë se përkthimi është "le revers du tapis". Unë mejtoj se është posi ajo fuçia e keqe, që e bën verën uthull.


Nuk ka mëkat më të rëndë se të prishësh një vepër kaq të bukur, që është si nektari i verës "Porto", po mua, për arësye financiare, s'më vjen mbarë ta them pazarit atë që mund t'ja pëshpëris një miku. H. Selfo, Tiranë më 10 korrik 1958."


Duke udhëtuar në brigjet e Liliputit, përkthyesi "e takon" Njeriun Mal me perandorinë e kocomicëve, picrrakëve, spurdhiqëve, mincove. Në Blefuskun e njerëzve kavakë, stërhell të gjatë, e shtron Guliverin në ligjërata të gjata me mbretin. I rrëfen për atdheun, se "me çfarë zelli selitet e mbruhet secili për të zotëruar artet e armët" në parlamentin anglez.


Nga Lauputa na tregon se s'mbeti qytet pa akademinë e tij, se dijetarët thelloheshin në shkencën spekulative, ndërsa Guliveri me "shpirtin fare llagar" zbulon se si ndërrojnë njerëzit, ndërrojnë zakonet dhe paragjykimet.


Shembuj të tjerë fjalësh të vjetra, të reja, shprehje të rralla, të cilat i kemi futur qëllimisht në këto radhë, të mahnisin me larminë dhe freskinë, po dhe me idetë që veshin, dhe tregojnë se Selfoja ishte një përkthyes me talent, sa edhe kërkimsor.


Ai thotë: Detar i sosur, një lule djalë, një burrë i rrahur e i vuar, plot e stërplot apo "më vuri në be", "u shtriva peshk", "nuk ma vari torbën", "më hante miza", "ranë në godi", "bëra zemër", "s'pyet as tym as flakë", "kërkonte të dinte edhe qimen", "zë fill" etj.


Në Gazeta "Drita" të 10 shkurtit 1963, Selfoja i përgjigjet një artikulli satirik të revistës "Hosteni" ku ishte kritikuar "zelli i tij i tepruar për të përdorur medoemos fjalë të rralla, të papërshtatshme", kësaj here për stilin e Anatol Fransit në romanin "Perënditë kanë etje".


Përkthyesi përgjigjet se "mundet nga dëshira për ta dhënë përkthimin sa më shqip, kemi bërë edhe tepërime", po "ne mendojmë se përpjekja për të kërkuar fjalë shqipe, qoftë edhe të rralla, për të krijuar neologjizma sipas natyrës së gjuhës shqipe, nuk është për t'u dënuar, e aq më tepër për t'u tallur në një revistë satirike".


Ai jep burimet e fjalorëve nga i ka marrë, përmend Fjalorin e Institutit të Shkencavet, Fjalorin e Kordinjanos, Leottit.


Duke iu referuar atyre ai shpjegon pse përdor në vend të fjalës korrupsion shqerëzim, karamanjollë në vend të gijotinë, topar për artilier, sqimatar për elegant, pod për tribunë, mjeshtëri për talent, siprani për sovranitet.


I përgjegjshëm se "detyrë" e çdo shkrimtari dhe përkthyesi është "të japi kontributin e tij në pasurimin e gjuhës sonë" pa pretenduar aspak që këto fjalë të hyjnë me doemos në gjuhën e shkruar.

E pasi ka dhënë argumente, nuk e kursen humorin ndaj kritikut të tij: "kam përdorur pajton për pajton me dy kuaj: kërkojmë ndjesë, kemi harruar dy kuajt."


Kush është


Halit Selfo (2.V.1918 - 14. VIII. 1964) u lind në një familje tregtarësh gjirokastritë. Shkollën fillore e kreu në qytetin e lindjes dhe Liceun Francez në qytetin e Korçës. Studimet e larta i kreu në Padova për Ekonomi-Biznes, por pushtimi fashist i Shqipërisë e detyroi të kthehej në atdhe dhe të marrë pjesë në luftën antifashiste.


Pas çlirimit punon redaktor në gazetën ushtarake "Luftëtari" dhe pas disa vitesh burgoset si "Armik i Popullit". Vuan dënimin në burg dhe në kampin famëkeq të Maliqit. Mbasi lirohet fillon të përkthejë nga letërsia botërore, fillimisht si punonjës i jashtëm i ndërmarrjes "Naim Frashëri" dhe më pas i përhershëm.


Përkthente nga disa gjuhë, frëngjishtja, italishtja, anglishtja. Solli në shqipe "Zemra" e De Amicis, "Djemtë e rrugës Pal" i Molnar, "Udhëtimet e Guliverit" i Sëift-it, "Konti i Monte Kristos" i Duma-së, dhe një seri veprash të Zhyl Vernit.


Ai renditet ndër mjeshtrat e përkthimit si Sotir Caci, Vedat Kokona, Spiro Çomora etj.
/ShekulliOnline

No comments: