Nga Prof.as.Dr.sci.Myrvete Dreshaj - Baliu
Eqrem Çabej, Romantizmi në Evropë Lindore e Juglindore
dhe në literaturën shqiptare, “MÇM Çabej”, Tiranë, 1994.
Studiuesit dhe lexuesit shqiptar, pas gati pesëdhjetë vjet harrese, iu prezantua një studim i Çabejt, deri tash i papublikuar, me titull “Romantizmi në Evropë Lindore e Juglindore dhe në literaturën shqiptare”.
Ky studim, sikur del nga të dhënat bibliografike për të, është shkruar në rrjedhën e studimeve letrare e historiko-letrare, me të cilat merrej fillimisht Çabejt, si: “Mbi poezinë e Lasgush Poradecit”(1929), “Elemente të gjuhësisë e të literaturës shqipe”(1936), pastaj në rrjedhë me studimin “Për gjenezën e literaturës shqipe” (1938-1939) e më pas me shkrimin “Epika e Gjergj Fishtës” (1942). I njëkohshëm me këto studime është edhe shkrimi i vitit 1945 “Romantizmi në Evropë Lindore e Juglindore dhe në literaturën shqiptare”, që për nga teksti dhe kuptimi, i shikuar në rrjedhën kronologjike përmbajtësore, është vazhdim i “Gjenezës…”, por që nuk arriti të botohej deri në nëntor të vitit 1994.
Pjesa e parë e veprës, studimi “Për gjenezën e literaturës shqipe” është një monografi që trajton çështjetë ndryshme etnografike, gjuhësore e historiko-kulturore të popullit shqiptar dhe çështje të letërsisë e të periodizimit të saj, ndër të cilat vendin kryesor e zë letërsia popullore. Në këtë pjesë të studimit Çabej shpreh mendimin mbi ndikimin e letërsisë popullore në letërsitë artistike të popujve të ndryshëm të Ballkanit. Ai thekson se “përgjithësisht poetët këtu kanë dalë prej tokës së natyrshme të poezisë popullore”. Ndërsa sa i përket letërsisë shqipe, Çabej aty ndalet shkurt, por paralajmëron se zhvillimin e saj do ta trajtojë më gjerë në një pjesë të dytë, që vetëm tash na është bërë e njohur se fjala është për studimin “Romantizimi…”, e me të cilin këtu do të merremi më gjerësisht. Kështu, nga këto dy studime, del një pasqyrë e plotë e vështrimit dhe studimit filologjik e kulturo-historik të letërsisë sonë. Në përkufizimet mbi letërsinë, nga studimi i parë, del se letërsia është pjesë jetësore e kulturës së kombit, pjesë e historisë së tij, në këtë rast pjesë e historisë së popullit shqiptar, i cili që në fillim e ka pasur “njësinë‘ e vet kombëtare, e rrjedhur nga njësia gjeografike”. Ndërsa, në studimin e dytë autori vazhdon me zhvillimin mendor e historik të kombit, që tash fillon ta ndjekë mirëfillshëm literatura jonë, por nën ndikimin e karakteristikave themelore të rrymës letrare të romantizmit, që ishte zhvilluar kohë më parë si formacion letrar në Evropën Perëndimore.
Metoda e hulumtimit në këto studime është kryesisht empirike: rrugë e interpretimit të elementeve letrare nisur nga faktet konkrete të historisë.
Çabej, në këtë studim zbaton rezultate të teorisë kulturo-historike, sidomos “të metodës gjermane që merret me kërkimin e ‘historisë së shpirtit’ të përfaqësuar nga V. Diltai, a siç njihet ndryshe shkolla e studimit shpirtëror-historik”.
Studimi “Për gjenezën e literaturës shqipe” (1938-1939) ka qenë i njohur edhe më parë, prandaj këtu do të ndalemi më shumë në studimin e dytë, që në të vërtetë është vazhdim i pjesës së parë, sintezën “Romantizmi në Evropë Lindore e Juglindore dhe në literaturën shqiptare”.
Ky studim është sintezë interesante e veçorive të letërsive të ndryshme evropiane, brenda formacionit të caktuar letrar, dhe të lidhjeve e ndikimeve karakteristike mes këtyre letërsive. Studimi mund të ndahet në tri pjesë a kapituj, si: “Lindja dhe zhvillimi i letërsisë së romantizmit në Evropën Perëndimore”, “Natyra e romantizimit në Evropën Lindore dhe Juglindore” dhe “Romantizmi shqiptar midis romantizmit të Evropës Perëndimore dhe Evropës Lindore”.
Në këtë kapitull Çabej prezenton rrjedhat politike, kulturo-historike e letrare (artistike) në Evropë që nga humanizmi e renesanca, reformacioni e kundërreformacioni, për t’u ndalur te paraqitja e romantizmit në letërsitë e Evropës Perëndimore dhe përhapja e ngadalshme në vendet përreth (Spanjë, Skandinavi, Rusi) dhe në Evropën Lindore e Juglindore. Ndërsa romantizmi në Perëndim ishte zhdukur si paraqitje e një rryme të re letrare dhe ua kishte lëshuar vendin rrymave të tjera letrare: realizmit, natyralizmit e simbolizmit, në letërsitë e Lindjes romantizmi, sipas Çabejt, do të paraqesë vetëm një “agim të literaturës”.
Mendimi rreth romantizmit në letërsitë e Evropës shfaqet në formë të përmbyllur, nga përmbledhja e të cilave mund të nxirren vetëm tiparet karakteristike që e shquajnë romantizmin si lëvizje letrare evropiane. Çabej, romantizmin përgjithësisht nuk e shikon vetëm si fenomen letrar, por edhe si fenomen politik dhe kulturo-historik. “Romantizmi, edhe ky, sikurse edhe humanizmi e renesanca, pjellë e thjeshtë e botës së kulturës perëndimore, para se të themelohej si shkollë në Gjermani, nga fillimi i shekullit XIX, dhe para se të dilte emri “romantik”, që në gjysmën e dytë të shekullit XVIII, ishte përgatitur si frymë e kohës dhe si atmosferë shpirtërore”. Shpesh, kufiri në mes të artit, politikës e kulturës nuk ekziston, p. sh., për romantikët thotë se janë pjellë e Rusoit dhe e Epokës pas Revolucionit Francez dhe, nga kjo pikëpamje, të gjithë këta poetë janë “Napoleondistë, epigonë letrarë të kësaj figure historike”. Sado që poetët romantikë na paraqiten si lindje e së njëjtës frymë, Çabej nuk harron të theksojë se ekzistojnë edhe tipare dalluese nacionale: në letërsinë frënge veçon notën e theksuar sociale, në letërsinë gjermane notën e theksuar subjektive, kurse në letërsinë angleze sheh bashkimin e këtyre dy tipareve.
Romantizmi i paraqitur fillimisht në Gjermani, e në vende të tjera të Evropës Perëndimore, hapi një epokë të re artistike e mendore në këto vende me traditë të lartë dhe mjaft të gjerë letrare. Në kundërshtim me këtë në Evropën Lindore e Juglindore po të përjashtohen shkrimet liturgjike, kjo kohë nuk legjitimon një literaturë në kuptimin e vërtetë të fjalës. Çabej thekson rëndësinë e përgjithshme të këtij formacioni letrar, jo vetëm si epokë thjeshtë e shkrimtarisë, por edhe si nxitje në përlindjen letrare të këtyre vendeve. Ishte romantizmi ai “që ngriti nga pluhuri poezinë popullore të gjysmës së Evropës dhe çeli në këto anë një lulëzim të ri të literaturës mbarë, jo vetëm të një literature të re”.
Ndryshimet ndërmjet romantizmit perëndimor dhe atij lindor e juglindor lidhen me mënyrën e të menduarit dhe me nivelin e ulët të zhvillimit të kulturës së këtyre kombeve. Duke u dalluar nga të tjera lëvizje letrare në Evropën Perëndimore, romantizmi ka humbur shumë nga elementet që e cilësojnë. Ndër to Çabej thekson: mungesën e shpirtit spekulativ, mungesën e themelit filozofik të poezisë; mungesën e kultit të individit (në kontrast me mjedisin); pastaj mungesën e largimit të poetit nga realiteti, të lumturisë në ndjenjë; mungesën e jetës në ëndërr (të simbolizuar me natën magjike të ndritur me hënë); mungesën e ndjenjës së natyrës që e njëjtëson poetin me të; mungesën e kultit të gruas etj. Duke i parë të humbura këto cilësi, Çabej i jep të drejtë A. Narcisit, i cili romantizmin e Evropës Lindore e quan romantizëm realist.
Nga materiali i paraqitur në këtë pjesë të studimit, që ka karakter më tepër informativ mbi zhvillimin e romantizmit në letërsitë e këtyre vendeve, mund të përfundojmë se, romantizmi në gjithë Evropën Lindore dhe Juglindore, zhvilloi më fortë anën nacionale-politike, sesa anën thjeshtë letrare, prandaj konstaton Çabej, “ç’humbi këtu romantizmi në përmbajtje të brendshme poetike, e fitoi në efektin e tij në pikëpamje sociale-politike”. Këtij brezi të shkrimtarëve dhe poetëve i ra përsipër një detyrë e shumëfishtë, prandaj anët që i zhvilloi këtu romantizmi janë: së pari, në përmbushjen e kritereve nacionale: në krijimin e një shteti kombëtar, një literature dhe një gjuhe letrare. “Për këtë lëvizje nuk qe vetëm një pranverë letrare, ajo u bë pranvera e lirisë dhe e zgjimit të ndërgjegjes së vetvetes”.
Romantizmi shqiptar midis romantizmit të Evropës Perëndimore dhe Evropës Lindore
Pas përkujtimit të “Gjenezës …” sipas kapitujve, apo sikur thotë Çabej “përmbi themelet etnografike-kulturore-historike” shtrohet nevoja e “një thellimi historik të literaturës, por përpara historisë së literaturës shqipe duhet shkruar historia e Shqipërisë“.
Është e kuptueshme prandaj, pse ky kapitull hapet me një vështrim bazë të zgjeruar mbi lëvizjet politike, ushtarake dhe kulturore në Ballkan. Mbi shtresat apo gjurmët, sidomos kulturore që kanë lënë ata, si dhe mbi përthyerjet fetare e përgjithësisht qytetëruese që kanë ndodhur mbi trojet shqiptare. Është një kapitull me një hyrje të stërzgjatur, pavarësisht kontekstit dhe metodologjisë që përdoret në përfshirjen sa më të dendur të këtyre lëvizjeve. As edhe një vepër enciklopedike mbi romantizmin nuk do ta përballonte një histori kaq të stërzgjatur mbi ndikimet greke, romane, bizantine, sllave dhe sidomos turke, që kanë ndikuar kur më pak e kur më shumë në jetën kulturore, historike dhe etnopsikologjike të popullit shqiptar.
Atë që Çabej nuk arrin ta shtrojë në “Elementet e gjuhësisë…”, për shkak të karakterit shkollor të saj, arrin ta plotësojë në këtë sintezë, e cila jo rrallë zgjerohet njëkahshëm, duke dhënë veçori jo vetëm letrare, të gjetura në krijimtarinë e shkrimtarëve. Në këtë mënyrë, jo njëherë veprës i jepet karakter shkencor dhe hulumtues, por harrohet se ajo megjithatë ka qëllim njohës dhe para se gjithash është sintezë përgjithësuese.
Në këtë rrjedhë historike dhe kulturore e letrare, “në këtë çip mënjanë të Evropës Juglindore”, vjen edhe lëvizja letrare e kulturore e romantizmit, si rezultat i së cilës doli një brez poetësh dhe shkrimtarësh, të cilët vetëm nën shtytjen e romantizmit, si rrymë letrare, do të hapin mirëfillshëm një literaturë nacionale.
Në këtë pjesë, Çabej analizon shkrimtarët romantikë shqiptarë, veprat e të cilëve nuk i shikon vetëm si tekste letrare, por edhe si kontekste kulturore, historike (politike), etnopsikologjike etj. Ky këndvështrim ka bërë që Çabej, në një pjesë të mirë të flasë për historinë e kombit shqiptar dhe për raporte të tjera thjesht politike, siç është raporti i popujve të Ballkanit ndaj pushtuesit osman.
Kërkimet e njëkohshme letrare dhe kombëtare të shekullit XIX, Eqrem Çabej i përqëndron kryesisht në dy shkrimtarë: Jeronim de Radën në Itali dhe Naim Frashërin, sikur shkruan, në Shqipëri. Madje derisa veprën letrare të De Radës e vlerëson në pjesën më të madhe të studimit, duke e shquar si përfaqësuesin e arbëreshëve të Krahinës së Kalabrisë, krahas Zef Skiroit, i cili u bë përfaqësuesi më i madh i letërsisë së arbëreshëve të krahinës së Sicilisë, në rrethin e rilindësve të atdheut amë, përveç Naim Frashërit nuk vlerëson asnjë prej krijuesve me rëndësi të kësaj periudhe.
Jeta dhe sidomos vepra e Jeronim De Radës, fillimisht përkufizohet mbi disa kritere dhe vlerësime që i kishte diktuar që më parë Gualtieri për njohjen e karakterit romantik të poezisë së De Radës.
Jeronim de Rada, duke qenë njeri me një kulturë të formuar kombëtare, falë një letërkëmbimi të dendur me pjesën më të madhe të inteligjencies vendëse e asaj të diasporës shqiptare në Lindje e Perëndim, duke qenë i informuar mire, jo vetëm me lëvizjet më të reja politike, kulturore e letrare në Itali, Francë, Angli dhe sidomos Gjermani, që herët u bë pjesë e kësaj lëvizjeje shumë të vrullshme, e cila shpejt do të ushtrojë ndikimin e saj edhe në Evropën Juglindore dhe Lindore, pra edhe ndër shqiptarët.
Duke qenë nën ndikimin e shkollës romantike gjermane, De Rada që në moshën e re do t’i përkushtohet mbledhjes së folklorit arbëror. Brumi dhe pasuria artistike, gjuhësore e estetike e kësaj trashëgimie popullore do të bëhet bazë e fuqishme e krijimtarisë letrare të tij. Mbi këtë brum krijues De Rada e ka bërë të gjallë historinë e tij personale, jetën e tij të jetuar prej artisti, tragjedinë e tij familjare, episodet më të njohura të botës letrare nga letërsia e përbotshme etj., prandaj me të drejtë Çabej vlerëson mendimin e Gualtierit, se vepra e De Radës ka karakter autobiografik. Me shumë interes është analiza që i bëhet figurës së gruas në veprën e De Radës, duke e quajtuar atë madje edhe “këngëtarin e parë të shpirtit të gruas në literaturën shqiptare”. Derisa Gualtieri tek figura e gruas shihte anën vetjake të jetës së tij, si personazhe të grave që ka dashur autori në rininë e tij, Çabej tek krijimtaria e tij gjente ndikimin e motiveve të poezisë hinduse.
Për natyrën e një studimi si ky, sinteza të mjaftueshme dhe mjaft të plota janë vlerësimet për shkrimtarët e tjerë të romantizmit shqiptar nga lagjja e arbëreshëve: Zef Serembe, Gavrill Dara i Riu dhe Zef Skiroi. Që shkrimtarët e Kolonisë shqiptare të Italisë janë përfaqësuesit e parë të shumë periudhave letrare shqiptare kjo nuk vëhet në dyshim, por që pjesa më e madhe e studiuesve shqiptarë dhe të huaj kanë një dobësi të caktuar në vlerësimin e kësaj letërsie dhe përgjithësisht të kulturës arbërore atje, as kjo nuk duhet lënë mënjanë. Në këtë radhë do të vëmë edhe Çabejn. Edhe Çabej mund të thuhet se me një nostalgji të caktuar, që nga fillimet e tij ka përcjellë kërkimet shkencore mbi këtë oazë të artë të traditës dhe bashkëkohësisë.
Duke u nisur prej përvojës jetësore dhe strukturës përmbajtësore të veprës së tij, Zef Seremben do ta vlerësojë si romantikun më të pastër, në kuptimin europian të perëndimit. Duke e ndërlidhur jetën e tij me botën letrare që krijoi, Çabej ka dhënë disa veçori të koncepteve letrare dhe jetësore të tij në krahasim edhe me paraardhësit dhe bashkëkohësit e tij, sidomos De Radën.
Po kjo mund të thuhet edhe për Gavrill Darën, autorin e veprës “Kënka e sprasme e Balës”, tek e cila bënë disa krahasime për përgjasimet e brendshme të saj me veprën e De Radës, ndikimin e paanshëm të letërsisë popullore dhe sidomos shpirtin e baladave të moçme të shqiptarëve të Italisë, duke i bashkuar këto me një tjetër frymë poetike të botës skoceze të Ossianit.
Duke iu referuar Z. Skiroit, i cili për herë të parë e kishte vënë re këtë element, Çabejt pyet: “Mos është vallë afërsia e qëndrimit mendor të keltëve dhe të shqiptarëve ajo që e lehtëson hyrjen e kësaj poezie te poezia e Darës? Kjo çështje duhet të mbetet e hapët. (…) Poezia popullore dhe Ossiani i vunë vulën romantike “Këngës së sprasme të Balës”-përfundon Çabej.
Po t’ju referohemi përfundimeve të Çabejt, letërsia romantike e shkrimtarëve të kolonisë arbëreshe të Italisë ka pasur një fillim dhe një fund të madh, pa përjashtuar këtu shkrimtarët e veçantive letrare brilante në gjithë letërsinë e romantizmit shqiptar, si Zef Serembe e Gavrill Dara i Ri. Letërsia e kësaj periudhe ndër arbëreshët e Italisë, që në fillim nxori një vepër madhore si “Këngët e Milosaos“ dhe e mbylli këtë periudhë, sipas Çabejtë me një vepër të Zef Skiroit “Mili e Haidhia”, e cila mund të konsiderohet si një pandan i veprës së De Radës. Përtej saj Zef Skiroi la në dorëshkrim, për t’u botuar më vonë edhe veprën “Te dheu i huaj”, e cila mund të konsiderohet epi nacional i shqiptarëve të Italisë.
Me të gjitha këto elemente të cilat Çabej i përsërit edhe në fund të studimit për veçoritë themelore të letërsisë së romantizimit ndër shkrimtarët e kolonisë arbëreshe të Italisë, veçori këto themelore edhe të romantizmit të Evropës Perëndimore, dëshmojnë se letërsia shqipe, kohësisht, kësaj lëvizje i përket me letërsinë e zhvilluar dhe realizuar më tepër ndër shkrimtarët e kësaj kolonie, se në rrethin e shkrimtarëve të atdheut. I vetmi shkrimtar, i përfaqësuar denjësisht në këtë periudhë, Naim Frashëri, nga Çabej quhet ‘pjellë’ e vonë e romantizmit, sado kohësisht paraqitet në të njëjtën periudhë me disa shkrimtarë të kolonisë arbëreshe, ndërsa me veprën e tij, do të ndikojë më shumë në krijimtarinë e brezit të tij të romantizmit nacional dhe më vonë, siç do të ndikojnë të gjithë shkrimtarët arbërorë. Kjo ndodh, sigurisht edhe për shkak se krijimtaria letrare e shkrimtarëve arbërorë, siç është ajo e De Radës dhe e Gavrill Derës, kryesisht për shkak të gjuhës, do të përceptohet me vështirësi, ndërsa një pjesë tjetër e saj, si ajo e Serembes dhe Skiroit, do të botohet e përmbledhur shumë vonë dhe po kaq vonë do të lexohet në atdhe dhe në kolonitë shqiptare të diasporës.
Naimi është para se gjithash edukator. Poeti qëndron pas edukatorit. Idealet artistike ia sakrifikoi kryesisht përpjekjeve nacionale-politike. Do të pranojmë se me përjeshtim të disa pak vjershave, vlera letrare e poezisë së tij është e pakët. Sepse veprat e tij ma fort se qëllimit estetik i shërbenin një qëllimi etik. Këtij qëllimi, që të bashkojë kombin e tij, ta lartësojë këtë në pikëpamje morale e kulturore, poeti ia mbërriti. Kështu Naimi i përket si literaturës ashtu dhe lëvizjes nacionale të shekullit XX.
Çabej
E filluam paraqitjen e veprës së Naim Frashërit nga Çabej me një vlerësim të zgjeruar për faktin se pas shpjegimeve të gjera që u bënë rrethanave historike, politike, kulturore e letrare në Shqipëri, Ballkan dhe përgjithësisht në Perandorinë Osmane, për Naim Frashërin dhe veprën e tij përfundimet janë po të kësaj natyre.
Ndonëse Naim Frashëri është pothuajse i njëkohshëm me shkrimtarët arbëreshë, me ta e lidh gjuha e përbashkët, lëvizja romantike, si lëvizje universale, por jo edhe elementet e tjera përbërëse të kësaj letërsie. Letërsia shqipe e romantizimit arbëresh ka një brum ballkanik të përpunuar me koncepte euro-perëndimore, ndërsa letërsia e romantizimit shqiptar në atdhe është letërsi ballkanike e natyrës gjysmë-orientale. Naim Frashëri e njihte mirë lëvizjen kulturore dhe letërsinë e romantizmit francez, duke përfshirë edhe themeluesit e kësaj lëvizjeje, por shtrati i mentalitetit të tij, shkollës kulturore të tij, i receptuesit të tij etj., ishte i një natyre tjetër. Shqipëria ishte një vend ballkanik me një histori të ashpër, të gërshetuar mes Lindjes e Perëndimit, me një ndrydhje të gjatë të një kulture e qytetërimi që vinte nga Lindja, ndërsa Naim Frashëri kishte kaluar një rini dhe burrëri kryesisht në Stamboll, ku veç frymës frënge pothuajse nuk kishte ndonjë njohje të mirë për lëvizjen kulturore dhe letrare të romantizmit italian, anglez dhe sidomos gjerman, me të cilin u ushqyen dendur lëvizjet romantike të popujve sllavë të Ballkanit. Më parë se me letërsinë e romantizmit të arbreshëve të Italisë, sipas Çabejtt romantizmi i Naim Frashërit mund të afrohet me romantizmin turk e grek. Te mosnjohja e letërsisë dhe lëvizjes romantike gjermane nga Naim Frashëri, Çabej i gjen arsyet e mungesës së elementeve të letërsisë popullore në veprën e tij. Ndryshe nga ndikimi i madh i letërsisë popullore në veprën e De Radës, apo ndikimi i sforcuar i letërsisë popullore në veprën e mëvonshme të Fishtës, në veprën e Naimit, kjo letërsi duket pothuajse pahetueshëm vetëm në disa nuanca të përpunuara mirë. Si i tillë Naimi, sipas Çabejt, hyn në letërsinë e romantizmit të Evropës Juglindore.
Ndonëse ka interes të njihet, për sintezen e tij, më duket i tepërt një epizod përshkrimi historik, mbi rrethanat nëpër të cilat ka kaluar Shqipëria gjatë periudhës osmane dhe Ballkani në përgjithësi, sado këto shpjegime duken të jenë në funksion të paraqitjes së reformave dhe ndryshimeve në lëvizjen kulturore e letrare të shqiptarëve. Por, me interes për diskutim edhe sot duket një problem jo njëherë i përsëritur mbi epin nacional të shqiptarëve “Istori e Skënderbeut” të Naim Frashërit, apo “Lahuta e Malcis” të Gjergj Fishtës.
Përtej shpjegimeve shpesh thjesht historike dhe kulturore mbi gjuhën e Naimit apo bektashizmin në letërsinë e Naimit, janë me shumë interes kërkimet krahasuese të veprës së tij në përqasje me letërsinë antike romake, dhe sidomos me letërsinë greke e atë perse. Edhe pse deri më sot janë bërë mjaft monografi shteruese dhe studime të veçanta, një studim krahasues i veprës së tij me letërsinë greke, romake, perse dhe hinduese, jo mbi të dhënat e përgjithshme, po mbi krahasimin e shprehjeve, karaktereve të personazheve dhe madje emrave të tyre, episodeve të caktuara etj., deri më sot nuk janë bërë, prandaj në shumë drejtime studimi i tij, ndonjëherë edhe i stërzgjatur për natyrën e kësaj sinteze, mbetet me interes për studimet e mëtejshme.
Pavarësisht nga të gjitha këto ndërndikime që janë jo vetëm të natyrës së ngushtë të lëvizjes letrare kulturore, fetare e historike të letërsisë së romantizit, Çabej sjell një përfundim mjaft origjinal edhe për kohën tonë.
Rryma letrare e romantizmit te popujt e Evropës lindore, e sidomos te populli shqiptar, më shumë se tipin e poetit romantik të mënjanuar prej botës, krijoi tipin e poetit luftëtar dhe tipin e shkrimtarit si bartës të vetëdijes nacionale. Në këtë rrafsh Çabej vjen tek një përfundim mjaft origjinal. “Naimi është pjellë e thjeshtë e kombit të tij. Ai është frymë nga fryma e jonë dhe gjak nga gjaku ynë“.
Duke përfunduar këtë vështrim mbi veprën sintezë “Romantizmi në Evropën Lindore e Juglindore dhe në literaturën shqiptare”, bindemi se Eqrem Çabej nuk ishte vetëm studiues i historisë së gjuhës, por edhe njohës i mirë i historisë së letërsisë. Mendimi i tij në këtë fushë, tash sa kohë është në nivelin e studimeve tona bashkëkohore.