Saturday, May 19, 2012

Rrena dymiliardëshe

Në fund të përrallës, gjithnjë një gjysh a gjyshe u thotë fëmijëve atë që duhet thënë, për të mos i lënë të vdesin në injorancë, përralla me lesh, e mira prej nesh! Nëse hulumton në internet pas korporatës SIVA PARTNERS të shfaqet një shtëpi luksi me pishinë, më poshtë një sallë konferencash pa njeri dhe një adresë 780 Third Avenue, 9 flor. New York. Për krye të kësaj shfaqjeje shfaqet një emër në të parë asociativ, Mohammad Ali si bossi i korporatës e më poshtë është e pashmangshme një foto e investitorëve njujorkezë me të vetmin njeri publik në botë, kryeministrin shqiptar Sali Berisha. Për të krijuar kështu fuqinë e imazhit.
I njëjti grup investitorësh virtualë kishte zbarkuar me pompë edhe në Prishtinë, për t’u dhënë shpresë të rreme fukarenjve ballkanikë. Mungesa e mekanizmave mbikëqyrës institucionalë dhe etikës së pushtetit si dhe mungesa e sensit për realitetin financiar u krijon hapësirë ideale korporatave fantome jo vetëm vendore, por edhe ndërkombëtare për ngritjen të skemave piramidale dhe shpëlarje parash. Pritja e SIVA PARTNERS në Prishtinë nga zyrtarët e lartë qeveritarë (në video shihet zëvendëskryeministri Pacolli në hotelin e tij “Diamond”) e dëshmon ose naivitetin e skajshëm të udhëheqësve politikë kosovarë, ose lehtësinë e padurueshme për “të bërë” para nga një rrenë klluqe!
Por si e hëngri karremin Qeveria shqiptare dhe kryeministri Berisha duke u bërë personazh i kësaj storie “banditësh financiarë”? Lutfi Dervishi, drejtor ekzekutiv i TI-Albania (Transparency International) na tregoi këtë “përrallë” miliardëshe nga e cila të shkon lëng nga goja.
“S’e vrau mendjen kush, sepse vinin si amerikanë, ndonëse shumat fiktive të investimeve me të cilat operonte ky grup ishin spektakulare, saqë “kishin turpëruar” edhe FMN-në duke premtuar 10 miliardë dollarë investime në Ballkan vetëm për vitin 2012, nga dy miliardë në Shqipëri dhe Kosovë!?” Mjafton të kesh informacion se cila është qasja dhe shkalla e besueshmërisë së një populli dhe shteti ndaj SHBA-së, pra mjafton të jesh amerikan për të ndërmarrë mision shpëtimtar mashtrues, ose për ta ngritur një skemë piramidale në një vend në transicion. Mjafton të kesh një zyrë (një adresë) dhe t’i deponosh 150 dollarë amerikanë për ta themeluar një korporatë virtuale për t’iu shitur vendeve ballkanike si fuqi investuese marramendëse, që kap shifrat miliardëshe. Në këtë rast mashtruesit duhet të kujdesen që të kenë ndonjë emër bombastik krahas adresës, sepse popuj dhe shtete naive nuk hulumtojnë më tutje për identitetin, seriozitetin dhe fuqinë e korporatës që u shfaqet në derë për t’ua zgjatur dorën e shpëtimit.
Një gazetar hulumtues, John Holland (redaktor në OCCRP- Organizata për raportim të krimit të organizuar dhe korrupsionit) zbulon se ky grup është fantom, virtual dhe se përmes mashtrimit synon të ngrejë skema piramidale në vendet e painformuara ose në ato vende të cilat i ka dërrmuar korrupsioni dhe krimi i organizuar, duke shfrytëzuar ose paaftësinë e shtetarëve, ose duke i përfshirë vetë ata në krim të organizuar…
SIVA PARTNERS në këtë rast është kujtuar ta gjejë edhe një amerikan me origjinë shqiptare si ekzaminues i tregjeve investuese në rajon. Emri i tij është plasuar në internet si Pjerin Lumaj ose Gurraj, ndërkaq që në pozitën e bashkëkryesuesit dhe drejtorit menaxherial figuron emri Mohammad Ali! Ideja e parë që i krijohet secilit ballkanas të shkretë kur e lexon këtë emër “bombë” është ish-kampioni botëror në boks Casisus Clay i konvertuar si Mohamed Ali. Mirëpo gazetari Holland ka hulumtuar identitetin e këtij njeriu dhe prapa këtij emri nuk i është përgjigjur asnjë person real në New York. Fillimisht ai arrin te një e dhënë se ky njeri ishte një specialist i kirurgjisë plastike në Virginia të ShBA-së, por me të arritur atje, del se në këtë shtet nuk ka një qytetar amerikan rezident që mban këtë emër, sepse ai ishte zhdukur para dhjetë vjetësh!
Të dhënat e mëtutjeshme gazetarin e shpijnë edhe më larg, në Pakistan, ku ky njeri e dyshohet se merret me zejen e vjetër, krim të organizuar, duke ngritur skema piramidale në krahinat e humbura të këtij vendi. Po ashtu dyshohet se përmes mashtrimit, ky njeri ka krijuar një pasuri të majme, rreth 2, 5 miliardë US dollarë në asete.
Një plan i detajuar për këso skemash korruptive këtij farë Ali &Co “i dhezi” në Tiranë dhe në Prishtinë. Lajmi u dha në televizionet publike të te dyja shteteve, duke mësyrë të rrisin kredibilitetin e qeverive të dy vendeve se si “po i lulëzojnë” ekonomitë e mjera të vendeve të tyre !? Vendi ku kallxohen përralla me mbretër dhe qypa me lira (një portal në Prishtinë para do kohësh e pati publikuar lajmin se hiç më pak se Donald Tramp dëshiron të investojë miliarda në Kosovë) është i shkretë. Ndërsa prijësit politikë janë mashtrues popujsh!
Për një qytetar të edukuar mirë, lajmi i RTK-së për investime sa dyfishi i buxhetit shtetëror të Kosovës vetëm brenda vitit 2012 siç pretendonte grupi fantom me seli në internet (sic!) ose mund të merret si gabim logjik, ose thjesht e kupton se është një mashtrim. Por për politikanët e paaftë, ky spektakël medial është shprehje e synimit për të mbajtur pushtetin personal mbi rrenën ose thjesht është “derë e vogël” për t’u përfshirë në botën e krimit të organizuar. Tjetër shpjegim kjo nuk ka.
Tashmë është muaj i pestë i vitit ’12 dhe asnjë lajm tutje s’erdhi nga SIVA PARTNERS. Si duket ia kanë ndier erën se gazetarë hulumtues u kanë rënë në gjurmë mashtrimeve të tyre dhe, me gjasë, janë fshehur në tollovitë e zhurmshme të pjesës tribal të Pakistanit, në Peshavar…
Në anën tjetër qeveritarët shqiptarë dhe kosovarë, ndoshta presin t’u  vijnë partnerët e tyre nga interneti me thasët plot para në Tiranë dhe Prishtinë, për ta realizuar parajsën e tyre në tokë. Tregim i bukur për infantilë në pushtet!
Fundi i narracioneve të tilla për investime miliardëshe duhet të jetë legjendar, jo dashakeqës, por thjesht letrar: “Përralla n’shkallë, dukati n’ballë!
Marrë nga Koha Ditore

Kalinihta Eladha

Rracizmi grek ndaj shqiptarëve, provokacionet e bandave, ulurimat e
togave të ushtarëve duke marshuar me këngë atishqiptare, pretendimet
historike për "Vorio Epirin", "fshesat" e famëshme, rrahjet dhe
mbajtja pa ngrënë me dit' e net' të tëra nëpër biruca të ftohta e
gjyhnahqarëve që hynin në Greqi përmes maleve etj. etj. kishin qënë
hiçasgjë. Tani Greqia po na kërcënon, jo me ekspansion, por me një gjë
më të tmerrëshme, me kolaps.
Greqia me demokracinë më të vjetër të botësë është shembur e po zvarriset.
Shqipëria, demokracia më e re e rruzullit, pavarësisht se ç'lehin
klyshat e kurvit, është ngritur më këmbë e po vrapon.
Si fqinjë gjeografikë dhe historikë që jemi na përket t'i bëjmë
Greqisë ndonjë sugjerim për shërim në këto ditë të zeza. Ndihmë të
sinqertë. Jo si Gjermania, e cila, plakës, nga njëra anë i jep borxhe,
nga ana tjetër i shet fshehtaz armatime qindra milionëshe.
Që punët t'i venë mbroth, tre gjëra duhet të bëjë një vend; të punojë,
të shesi, të blejë.
Meqënëse tashmë plakaruqa Greqi nuk punon dot, njëra nga dy të tjerat
që i mbetet të bëjë është, të blejë. Ku ma gjen që Greqia të mund
blejë, dhe të bjerë rehat Ballkani, Europa dhe Bota. Por për të blerë
duhen para, që Greqia nuk i ka. Mbetet të shesë. Çfarë mund të shesë
Greqia që të shpëtojë nga kriza ? Kjo është çështja.
Borxhet astronomike për shkak të gabimeve katastrofike
politiko-ekonomike të Greqisë, janë aq të mëdhaja sa prej tyre zor se
shpëton dot edhe sikur të shitet e tëra. Mirpo në këtë eventualitet,
që s'ka pse të mos merret parasysh, pra që Greqa të shitet me kuç e me
maç e me gjith' lecka, del një vështirësi. Mund të jetë blerësi i
Greqisë ndonjë shqiptar, turk, apo amerikan. Por shitësi i saj nuk
mund të mos jetë grek. Gjë që nuk mund të ndodhi. Sepse pas çdo
shitjeje, duhet tq dali dikush të thotë; E shita. Që do ishte greku
shitës, i cili, duke e shitur greqinë të tërën, domethnë bashkë me
veten, në këtë rast do mungonte. Kjo është arësyeja që shitja e të
gjithë Greqisë është e pamundur.
Shitja e ishujve, e Korfuzit për shembull, për të cilin edhe është
folur, duket si zgjidhje. Por po ta shohësh thellë, kjo shitje është
krejt e paarsyeshme, dhe e pamundur, mbi të gjitha e padrejtë. Sepse
as ishujt e mekullueshëm jonianë, as gjijtë e magjishëm shkëmborë, as
kodrat e pafundme me ullinj, as plantacionet e portokalleve, nuk u
përkasin aspak vetëm grekërve të sotëm, të cilët krahasuar me qindra
milionë grekërit e vdekur dhe grekërit që ende s'kanë lindur, janë
pakicë absolute. Në fund të fundit, fajin ku është katandisur sot
Greqia, nuk e kanë ishujt, plantacionet, etj., që janë sende, por
njerëzit, bijtë dhe bijat e sotëm të plakës së dikushme të hirshme dhe
madhështore. Të cilëve u përket, sa të mbajnë përgjegjësitë, dhe të
marrin masat për të mos e lënë plakën të vdesë. Pra sakrificat për
shërimin  dhe shpëtimin e plakës së lekosur dhe të telendisur, nuk i
bën dot vet' e sëmura, por bijtë e saj plangprishës, grekët, ata të
cilët me dhjetra vite për vete hëngrën e pinë sa deshën, por për
shëndetin e nënës aspak nuk u merakosën.
Në kushtet e tanishme, kur as ata as plaka nuk punojnë dot, dhe kur
për shkak të borxheve as nuk blejnë dot, e vetmja gjë që mbetet të
bëjnë është të shesin. Mirpo, meqënëse për arësyet e mësipërme, vet'
Greqia dhe si dhe gjymtyrët e saj nuk mund të shiten, çfarë mbetet për
tu shitur, janë gjymtyrët e grekëve.
Asgjë për tu tmerruar përderisa është e vetmja shpresë.
Cilat gjymtyrë të tyre mund të shesin grekët për ta shpëtuar plakën dhe veten ?
Në emër të vetsakrifikimit për shpëtimin e plakës, shitja me vullnetin
e vet, e, ta zemë, kokave të 1 milionë grekëve, në vështrim të parë
s'duket gjë e pamundur. Por ka një vështirësi. Tregu ndërkombëtar i
organeve nuk shet e blen koka grekësh. Sepse pasoja e parë do të ishte
diçka tmerruese; Eksportimi i budallallëkut politiko-ekonomik grek
anembanë botës në vendet ku ato 1 milionë koka do shiteshin. Dhe bota
ska pare të tepërta që të blejë budallallëk grek. Gjë që, edhe po të
ndodhte, do ishte një shpërthim i budallallëkut helen në përmasa të
papara dhe me pasoja krejt të paparashikueshme për mbarë njerëzimin, i
cili, meqë ra fjala, edhe pa budallallëkun helen, s'i ka punët fort'
mirë.
Shitja e njërit sy, mund të ishte gjithashtu një zgjidhje. Treg për sy
ka. Sidomos tani që duke ndejtur çdo ditë me orë të tëra para
kompjuterit shikimi i njerëzimit po keqësohet, syri është një produkt
që kërkohet, dhe paguhet mirë, si në tregun e organeve dhe në atë të
kirurgjisë estetike. Syt e Zinj mediterranë të femrave greke, me nam
për bukurinë e tyre në të gjithë botën, shitja e disa milionë syresh,
mund të ishte një biznes shpëtimtar. Por nuk është. Sepse ngaqë
kompjuteri dëmton njësoj të dy sytë, askush s'të blen një sy, por
vetëm dy. E greku, sado t'i dhimset Greqia, njërin sy edhe mund ta
shiste, por të dy jo. Për më tepër që në këtë eventualitet Eladha do
mbushej me miliona Homerë që s'do kishin asnjë haber nga poezia epike.
Për të njëjtat arësye që grekët nuk mund të shesin sytë nuk mund të
shesin as veshët.
Shitja e një këmbe, një dore, një gjuri, disa brinjëve, disa gishtave,
a një shpute këmbe, të nja 3 a 4 milionë grekërve, janë të mundura.
Realizimi i kësaj shitjeje që do ta mbushte Greqinë përplot me të
gjymtuar çalamanë dhe doracë, edhe mund të kapërdihej. Por çmimi i
ulët i blerjes së këtyre gjymtyrëve në tregun e protezave e bën të
paleverdisshëm edhe këtë variant.
Zemra nuk shitet. Se po u vu në diskutim edhe shitja e zemrës helene,
pastaj më mirë merri hidhi në det të gjitha, Lashtësinë helene,
filozofët e asaj lashtësie, Gjuhën greke, Panteonin, Mitologjinë,
Athinën, Pireun, buzuqet, të tëra.
As mushkëria. Se edhe mushkëria, duke qënë e vetme si zemra, është vitale.
Por ekziston veshka. Që Perëndia e ka bërë dy. Pa një prej të cilave
mund të jetohet.
Të bëjmë një hesap. Ta zemë se 10 milionë grekë, në emër të shpëtimit
të plakës, do shesin nga një veshkë. Në tregun ndërkombëtar të
organeve, një veshkë sot paguhet rreth 20.000 Euro. Në këtë mënyrë
Greqia do fitonte 200 miliardë Euro. Goxha shifër. Plakës do t'i
kthehej frymëmarrja, do niste t'i qarkullonte gjaku. Mungesa e një
veshke është diçka që nuk bie në sy. Shitja e 1 veshke nga 10 milionë
grekë do ishte një operacion me shumë leverdi që do realizohej i tëri
në fshehtësi. Duket zgjidhje e paqme. Por duhet pritur derisa të
mësojmë nëse do dalin 10 milionë grekë që për të mirën e Eladhës ta
shesin vullnetarisht njërën veshkë.
Deri atëhere le të shqyrtojmë një mundësi tjetër.
Partia neonaziste "Agimi i Artë" është një parti që mund të përfshihet
në ndonjë koalicion qeveritar. Pjesëmarrja e neonazistëve në një
qeveri të ardhëshme greke, me gjasa do rriste pretendimet e Greqisë
për "rritjen e bazës së ekonomisë", me fjalë të tjera zgjerimin e
Greqisë në trojet e lashta helene të 2000 e kusur viteve të shkuara,
në po atë shtrirje gjeografike të stërgjyshit Aleksandër, shtrirje kjo
që do përfshinte Turqinë, Arabinë, Egjiptin, etj. Nuk duket keq pra
përfshirja e "Agimit" nazist në ndonjë qeverisje, një nga efektet
imediate të së cilës përfshirje do ishte 20 deri në 30 fishimi i
hapësirës së kultivimit të ullinjve. Çka do ta kthente Greqinë në një
lloj OPEC-u të vajit (Oil) të ullirit dhe vetë Greqinë në një Kuvajt
Ballkanik. Por po ta shohësh me kthjelltësinë e duhur as nazizmi nuk
është zgjidhje. Sepse, siç dihet nga përvoja gjermane, zgjidhjet
naziste nuk janë zgjidhje për përfitime gjatë kohës së luftës, por
zgjidhje që sigurojnë begatim pasi lufta të ketë mbaruar, pra zgjidhje
që vonojnë. Dhe Greqisë do t'i duhej një Hitler. Që nuk e ka. Botës
një Stalin, një Ruzvelt, dhe një Churchill, që edhe ata zor se mund të
gjinden në kohën e sotme.
Atëhere, çfarë mbetët të bëhet që të shpëtohet Eladha ?
E thjeshtë.
Pasi t'i sigurojmë se nuk do apliojmë asnjë lloj racizmi, nuk do t'i
provokojmë me banda, nuk do përdorim "fshesa", nuk do t'i rrahim, nuk
do t'i lemë pa ngrënë dhe nuk do t'i mbyllim nëpër biruca, t'i ftojmë
grekët të vijnë të punojnë në Shqipëri. Ku do paguhen. Jo me Euro, dhe
as me Dollarë, e aq më pak me Dhrahmi, por me Lekë. Lekët e kursyera
nga puna në Shqipëri, grekët do t'i dërgojnë pranë familjeve të tyre
në Greqi në stilin e njohur "Jepni për Nënën". Në këtë mënyrë,
pakngapak monedha e Greqisë nuk do jetë as famëkeqja Dhrahmia e cila
para ca vitesh pushtoi Sarandën, Himarën, dhe deridiku krejt jugun,
dhe as e pasigurta Euroja, por i forti Leku. I cili, i përdorur prej
grekërve me të njëjtin nikoqirllëk dhe zgjuarsi si shqiptarët, do tu
japi fund përgjithmonë të gjitha brengave helene.
S'ka zgjidhje tjetër.
Në mos, Eladhës s'i mbetet tjetër veçse t'u thotë stepave, Kalimera.
Ndërsa Europës, Amerikës, NATO-s, dhe gjithë të tjerave, Kalinihta.

gazeta MAPO, 18 maj 2012
www.edisonypi.com

SAMITI I 25-TË I ALEANCËS SË ATLANTIKUT VERIOR – NATO, NË ÇIKAGO


  1.                                                           Nga Frank Shkreli
Më 20 dhe 21 Maj në Çikago të Shteteve të Bashkuara mbahet samiti ose mbledhja e nivelit të lartë e udhëheqsve të vendeve anëtare të NATO-s, për takimin e 25-të aleancës së Atlantikut Verior.   Presidenti Barak Obama do të presë udhëheqsit e vendeve të NATO-s në qytetin e tij Çikago, ku do të bisedohet  për të ardhmen e aleancës  ushtarake,  duke u përqëndruar kryesisht , mbi gjëndjen në Afganistan, por edhe mbi sfida të tjera me të cilat përballet këjo organizatë në shekullin 21.  Nevoja  për të siguruar se aleanca ka aftësitë dhe mundësitë për të mbrojtur popujt dhe territoret e vendeve anëtare si edhe doemosdoshmëria për  forcimin  dhe zgjerimni e rrjetit të partnerëve të NATO-s  anë e mbanë botës, është gjithashtu në rendin e ditës.   Sepse, sipas vet aleancës,  si një mjet i pazëvendsueshëm stabiliteti,  NATO nevojitë të ruaj kapacitetet që ka tani dhe të mbrojë sigurinë dhe vlerat e vendeve anëtare, ndërkohë që përpiqet të krijojë mundësi për partneritete edhe me vendet  jashtë rajonit të Atlantikut Verior.
Pritet që në tubimin e Çikagos, NATO të vendosë për tërheqjen e trupave ushtarake nga Afganistani  mbrenda mbarimit të vitit 1914, ndërkohë që do të angazhohet që të zhvillojë një partneritet afatgjatë me popullin e atij vendi.   Këjo, sipas ekspertëve, ndodhë  sepse në vendet demokratike anëtare të NATO-s nuk ekziston më një përkrahje për luftën në Afganistan dhe si rrjedhim politika duhet patjetër të reflektojë dëshirën e shumicës së popullit të vendeve anëtare, qoftë këtu në Shtete e Bashkuara, qoftë në  Evropë.

Ekspertët thonë se afati i tërheqjes së forcave të aleancës perëndimore nga Afganistani duhet të zbatohet, me qëllim që t’i dërgohet një mesazh qeverisë afgane se nuk mund të varet përgjithmonë  nga Amerika.  Njëri nga këta ekspertë Shanë Kej, pranë universitetit Uellsien në shtetin Ohajo, i tha Zërit të Amerikës se ‘’Afganët  duhet të marrin përsipër përgjëgjësinë për mbrojtjen e vendit të tyre.’’  Në mbledhjen e Çikagos, NATO do të vendosë gjithashtu mënyrat për trajnimin, konsultimet dhe ndihmat  për forcat afgane, gjatë tranzicionit dhe pas tërheqjes së forcave të aleancës nga Afganistani, si pjesë e ndihmave të përgjithëshme ndërkombëtare për atë vend.  Në fillim të këtij muaji, Presidenti Obama tha se koalicioni ushtarak përendimor do të caktojë objektivin që vitin që vjen, forcat afgane të kryesojnë operacionet luftarake, anë e mbanë vendit.
Një çeshtje tjetër delikate në samitin e Çikagos do të jetë buxheti dhe financimi i operacioneve  ushtarake të aleancës.  Publiku dhe Kongresi amerikan kanë filluar të tregohen të pa durueshëm me vendet anëtare të NATO-s që nuk kryejnë detyrimet e tyre financiare ndaj aleancës.  Kryetari i Komisionit të Punëve të Jashtëme i  Kongresit Amerikan , Xhon Kerri i përmblodhi më së miri shqetsimet amerikanenë lidhje me këtë çeshtje, duke thënë se ‘’të gjithë ne e kuptojmë se këjo është një kohë kursimesh, por është një periudhë kursimesh për të gjithë, dhe si rrjedhim ne do të detyrohemi të përcaktojmë prioritetet, duke vendosur se çka është me e rëndësishme dhe çka është më pak e rëndësishme’’.   
Disa informacione interesante në lidhje me këtë takim të nivelit të lartë në Çikago janë të një natyre kombëtare dhe ndërkombëtare.  Sekretari i Përgjithëshëm i NATO-s, Anders Rasmussen tha se tubimi në Çikago është më i madhi në historinë e aleancës, ku po marrin pjesë rreth 60-vende dhe organizata, përfshirë Kombet e Bashkuara, Bashkimi Evropian, Banka Botërore dhe disa vende të Azis Qendërore, ndër të tjera.  Zoti Rasmsussen u citua në median amerikane se takimi në Çikago do të ‘’demonstrojë se i gjithë komuniteti ndërkombëtar ka përgjegjësi për gjëndjen në Afganistan dhe në rajon.’’

Siç duket Rusia, megjithëse e ftuar për të marrë pjesë, ajo nuk do të jetë e pranishme  në një nivel të lartë me justifikimin se Presidenti Putin do të jetë i nxënë me  formimin e qeverisë së re, por dihet se marrëdhënjet mes Moskës dhe NATO-s nuk kanë qenë shumë të mira kohët e fundit dhe si rrejdhim Rusia do të pëfaqësohet nga një diplomat në Çikago.
Mirëpo, sipas shtypit amerikan, Izraeli nuk është i ftuar të merrte pjesë, me hamendjen se Turqia mund të ketë bllokuar  pjesëmarrjen izraelite në takimin NATO, por Sekretari i Përgjithëshëm Rasmussen duke hedhur poshtë këto pretendime, tha se Izraeli nuk u ftua sepse nuk bën pjesë në misjonet e NATOs në Afganistan dhe në Kosovë.
Por ndoshta lajmi më i rëndësishëm nga takimi i nivelit të lartë të NATO-s në Çikago këtë fund jave do të jenë protestat e mëdha që grupe të ndryshme kanë në plan të bëjnë gjatë zhvillimit të punimeve të samitit.  Një demosntrues u citua nga rrjeti televiziv amerikan Foks se po bëhen plane të mëdha, ‘’do të ketë luftë në rrugët e Çikagos’’, shtoi ai.  Në përgjigje të këtyre protestave të paralajmëruara nga protestues e demosntrues të të gjtiha ngjyrave, policia e Çikagos ka njoftuar planet për të bllokuar rrugë dhe zona të tëra të qytetit për të ndaluar protestuesit që të pengojnë ose të ndërpresin punimet e mbledhjes së nivelit të lartë.  Ironia e këtyre protestave është se organizatorët  kundërshtojnë  një aleancë që siguron dhe mbron me çdo kusht, jo vetëm të drejtën e tyre për të demonstruar në Çikago, por ata janë edhe kundër një aleance e cila përveç popujve të vedneve anëtare, ajo u ka ardhur në ndihmë  shumë popujve në përpjekjet e tyre për të siguruar lirinë, siç ishte rasti i Libisë kohët e fundit.
Me mbarimin e luftës së ftohët, misjoni afatgjatë i NATO-s është më pak i qartë se ç’ishte gjatë asaj periudhe , kur misjoni i aleancës ishte kryekput mbrojtja nga kërcënimet e Bashkimit  Sovjetik dhe të komunizmit  ndërkombëtar.  Nuk është e rastit që çështja kryesore e  samitit në Çikago është gjëndja në Afganistan dhe  mënyra se si aleanca duhet të manexhoj  tërheqjen e forcave të sajë nga ai vend.  Tërheqja e NATO-s me nder nga ai vend, gjatë këtij tranzicion për të cilin vendosë   aleanca këtë fund jave në Çikago,  ka mundësi të vendosë  të ardhmen e organizatës NATO për të dekadat e ardhëshme.

17 maji, në kërkim të antivlerës

Nga -  RAMADAN ÇIPURI

Batuta që më nxiti të shkruaj sot, ishte ajo e një kolegut tim në një ambient gazetarësh, ku ai i tha një tjetri: “Shefi im ishte i martuar me shefin tënd”.
Shoqëria shqiptare është përfshirë në një debat, rreth të cilit sa më shumë të shkruhet aq më shumë vlerë fiton. Parada e homoseksualëve, që vuri ballë për ballë edhe përfaqësues të qeverisë, po diskutohet rëndom jo vetëm nëpër media të ndryshme, por edhe në ambiente publike. Si në çdo problematikë shoqërore, ka nga ata që e mbrojnë dhe nga ata që e kundërshtojnë, gjë që krejt natyrshëm po evoluon edhe në shoqërinë tonë.
Parë në aspektin e një fenomeni, sipas shumë studiuesve homoseksulizmi, është një sëmundje, në të shumtën e rasteve edhe me burime gjenetike, e ngjashme me shumë të tjera, e cila edhe mund të trajtohet kur ekziston vullneti i individit. E konsideruar si e tillë, rreziku qëndron në atë se kjo sëmundje, duke gjetur terren të përshtatshëm për zhvillim në shoqëri mund të nxitet akoma më shumë dhe të kthehet në një preferencë edhe për ata aventurierë që kanë shijuar shumë kënaqësi të kësaj bote e janë në kërkim të diçkaje tjetër.
Demokracia dhe të drejtat e liritë e njeriut mbeten baza kryesore ku mbështeten mbrojtësit e të drejtave të homoseksualëve. Është mëse e drejtë që çdo individ të jetojë sipas besimit, bindjeve dhe dëshirave të tij, por përtej kësaj, kurrsesi nuk mund të anashkalohet edhe konteksti shoqëror. Është një kushtetutë e pashkruar e rregullave të shoqërisë, ndaj të cilës çdo individ duhet të bindet, nëse dëshiron të jetë pjesë e saj.
Këto rregulla, janë pjesë e mbarëvajtjes dhe ecurisë normale të jetës njerozore. Kjo e fundit, ashtu siç edhe Zoti e ka krijuar dhe organizuar, vazhdimësinë e saj mund ta sigurojë vetëm nga një marrëdhënie e shëndoshë midis burrit dhe gruas. Nga kjo familje bërthamë, vijon më tej trashëgimia dhe vazhdimësia e njerëzimit, sipas një rregulli krejt të natyrshëm dhe të mundshëm brenda kushteve jetësore.
Në këtë debat, mendoj se ekzistojnë dy faktorë të rëndësishëm që duhet të kihen parasysh: Së pari, demokracia dhe vendosja e kufijve se sa të lirë duhet të jenë individët për të vepruar brenda një shoqërie. Nëse do të mbështetej çdo e drejtë e kërkuar nga grupe të caktuar, atëherë duhet të pranohet si e natyrshme dhe normale çdo tentative diktatoriale, enver-iste, sadam-iste, naziste, fashiste apo të ngajshme me to për të vepruar brenda shoqërisë. Do të ishte e drejtë e tyre që përsa kohë që do të gjenin edhe mbështetje në komunitet, te vepronin dhe të ushtronin aktivitet sipas mënyrës së tyre. E nëse një gjë e tillë shihet si e papranueshme, atëherë edhe parada gay, me burrat me bikini dhe gratë me mustaqe nuk mund të lejohet si një promovim i të drejtave të njeriut. Këtu lind edhe pyetja se kush dhe si do t’i vendosë këto kufij për mbarëvajtjen normale të jetës shoqërore. Pra, analizuar në aspektin e demokracisë, parada dhe të drejtat e kërkuara nga ky grup individësh do të ishin jo një mbrojtje e të drejtave të njeriut, por një abuzim me këto të drejta.
Së dyti, parë në aspektin shoqëror dhe demokratik, ky komunitet gay, në një sistem të tillë është i lirë të jetojë brenda privatësisë së tij, duke mos i’u cënuar në asnjë mënyrë e drejta e jetesës brenda këtyre kufijve. Por, çdo përpjekje për të transmetuar si vlerë atë që nuk është e tillë, nuk mund dhe nuk duhet të tolerohet. Nuk mund të jetë e drejtë që nën petkun e të drejtave dhe lirive të njeriut, të imponohen në shoqëri antivlera në kundërshtim total me njerëzoren. Kjo gjë do të ngjall reagimin dhe të drejtën e protestës për të gjithë ata individë që fëmijëve të tyre nuk do të lejonin t’u ushqehej kultura e një sëmundjeje siç është kjo e homoseksualizmit.
Përveç të tjerash, hapja rrugë e diçkaje të tillë në vendin tonë, do të shkaktojë lindjen e shumë problematikave të tjera siç janë legalizimi i martesave midis të njëjtit seks, e drejta e birësimit të fëmijëve etj. Siç ka ndodhur edhe më parë, këto skandale me birësimet në çifte gay-sh, privojnë të drejtën e këtyre fëmijëve për të vendosur mbi atë që janë, mbi zhvillimin e tyre të natyrshëm dhe mbi të ardhmen e tyre. Ata do të mbeten larg normales ku nuk do të kuptojnë se cili është nëna apo babai.
Së fundi, them se edhe nëse parada gay do të organizohet, ky grup, i kryesur nga avokati i popullit, do të përfaqësohet nga disa tranvestitë që i shohim rëndom nëpër lulishtet e pakëta të Tiranës, me disa paruke me onde të gjata, me sytë e grimosur në blu të errët dhe buzët me të kuqe të ndezur, që në të shumtën e rasteve ngjallin neveri tek ata që i shikojnë.

Friday, May 18, 2012

Dështon parada gay, myslimanët: Në BE me vlera, jo me homoseksualë

Dështon parada gay, manifestim me fletëpalosje.
Arvizu: Mbrojtja e të drejtave të LGTB-së është një prioritet kyç për ne.
Pak interes nga qytetarët, mbështetje nga diplomatët.
Nuk ishte një paradë nga ato që kemi parë rëndom në ekrane. As ndonjë manifestim protestues në mbrojtje të të drejtave të një komuniteti të diskriminuar.
Dita kundër homofobisë në Shqipëri, përtej bujës që iu bë e masave të sigurisë nga policia, rezultoi një aktivitet fare normal, nga ata që bëhen sa herë kalendari daton ngjarje të caktuara. Pak përfaqësues nga komuniteti gay, lezbikeve, trans dhe biseksualëve, shumë diplomatë e përfaqësues organizatash joqeveritare. Mungonin politikanët, ndërsa qytetarët e Tiranës nuk treguan ndonjë interes për të marrë pjesë qoftë edhe për kuriozitet. Kjo panoramë të ofrohej dje te “Vëllezërit Frashëri” në qendër të Tiranës, në çelje të aktivitetit “Festivali i Diversitetit”, i organizuar nga Ambasada PINK, njëra prej tri organizatave që mbrojnë të drejtat e homoseksualëve.
Dje gjate aktivitetit per diten kunder homofobise
Tubimi tjetër me maska përballë Parlamentit nuk u bë. Ambasadorët e vendeve të huaja, të pranishëm, e përshëndetën këtë aktivitet. “Dua të përgëzoj Kryeministrin Berisha që e ka bërë tejet të qartë pozitën e qeverisë së Shqipërisë për të drejtat e LGTB-së. Dua të falënderoj edhe Policinë shqiptare për të gjitha aktivitetet e zhvilluara këtë jave, si dhe atë që ndodhi në Vlorë. Mbrojtja e të drejtave të LGTB-së është një prioritet kyç për politikën e jashtme të Shteteve të Bashkuara. Presidenti Obama lëshoi një direktivë: që ambasadat në mbarë botën të mbrojnë të drejtat e personave LGTB”, tha ambasadori amerikan, Arvizu. Ky aktivitet u përshëndet nga Avokati i Popullit, zëvendësministrja e Punës dhe nga përfaqësues të tjerë të Bashkimit Europian. Në nisje të aktivitetit, rreth orës 9:30, ambasadori i Ambasadës PINK, që mbron të drejtat e komunitetit LGTB, Altin Hazizaj, tha se shqiptaret janë ende homofobikë. “Kuvendi i Shqipërisë duhet të shikojë mundësinë që sa më parë të miratojë ndryshimet që adresojnë përdorimin e gjuhës së urrejtjes dhe nxitjen e krimeve kundër komunitetit LGTB dhe çdo komuniteti tjetër në Shqipëri. Ne i ftojmë politikanët, partitë politike, administratën, të marrin masa serioze për të ndërtuar kapacitetet e stafeve të tyre për të mbrojtur dhe për të respektuar të drejtat e komunitetit LGTB”, tha Hazizaj.

Myslimanët: Në BE me vlera, jo me homoseksualë

Kreu i Forumit Mysliman, Fisnik Kruja: Shoqëria është në krizë.





Nga protesta e Forumit Mysliman




Tubimi kundër LGBN: Jemi pro traditës familjare.
“Stop degjenerimit, pro moralit”; “Pro familjes, pro jetës”. Me këto pankarta në duar manifestuan dje përfaqësuesit e Forumit Mysliman të Shqipërisë.
Tubimi u bë në të njëjtën orë kur pak metra më tutje po mbahej aktiviteti i komunitetit LGTB në Ditën Ndërkombëtare Kundër Homofobisë. Në mbrojtje të vlerave të familjes dhe shoqërisë shqiptare, drejtuesit e Forumit Mysliman janë shprehur kundër homoseksualizmit. “Homoseksualizmi është një nga mëkatet më të rënda, të cilën Zoti i madhëruar e ka dënuar në mënyrën më të ashpër. E gjitha shoqëria shqiptare duhet të jetë kundër, sepse është kundër traditës dhe moralit shqiptar”, tha Fisnik Kruja, nga Forumi Mysliman Shqiptar. Ai shtoi se manifestimi u mbajt në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Familjes, e vendosur më 15 maj, për të sensibilizuar opinionin publik në lidhje me problemet që kalon sot familja shqiptare.
Myslimanët gjatë manifestimit të tyre u shprehën kundër mbështetjes që u dhanë disa ambasada komunitetit LGBT në Ditën Ndërkombëtare të këtij komuniteti. “Ne nuk mendojmë se futja e shqiptarëve në Bashkimin Europian duhet bërë me flamurin e homoseksualizmit”, tha Kruja. Ai shtoi se në Europë, Shqipëria do të mund të futet më shëndetshëm nëse promovohen vlerat familjare, për të cilat sot shoqëria shqiptare ka më shumë nevojë. “Në këto ditë, kur vlerat e familjes ndjehen më të rrezikuara se kurrë më parë dhe në kohën kur brezit të ri po i serviren modele të denatyruara jashtë natyrshmërisë njerëzore, FMSH ndjehet më e angazhuar se kurrë në ripërtëritjen, promovimin dhe mbrojtjen e trashëgimisë morale, e cila zanafillon me bërthamën e shoqërisë, me familjen”, tha Kruja. Sipas tij, numri i divorceve po pëson rritje galoponte në një shoqëri gjithmonë e më të shpërqendruar. Gjithashtu po shtohen abortet në të gjithë vendin, si dhe dhuna në familje, e cila tregon për krizën e rëndë që ka kapluar familjen shqiptare. “Numri i fëmijëve që vuajnë pasojat e divorceve të prindërve është një plagë e madhe sociale, pasojat e së cilës do të shihen pasi ky brez të arrijë moshën e pjekurisë”, tha Kruja. Sipas tij, Forumi Mysliman i Shqipërisë mbron me forcë vlerat dhe moralin. “Ne do të angazhohemi për të bërë gjithçka të nevojshme për sensibilizimin e opinionit publik. Ky manifestim, siç e shihni, është paqësor dhe me çdo mjet paqësor ne do të promovojmë vlerat e familjes”, tha Kruja. Myslimanët qëndruan për më shumë se një orë në rrugë duke bërë thirrje për të rritur ndjeshmërinë sociale në lidhje me ruajtjen dhe shenjtërimin e familjes shqiptare.
PLL: Përgëzojmë manifestimin e myslimanëve
Kryetari i PLL-së, Ekrem Spahia
Partia Lëvizja e Legalitetit ka përshëndetur dje manifestimin e organizuar nga komuniteti mysliman kundër komunitetit gay në Shqipëri. Në një deklaratë të sekretarit të Përgjithshëm të PLL-së, Artan Tujani, drejtuar myslimanëve, thuhet se “është mirësi e madhe që në këto kohë të turbullta, nga ide çoroditëse ka individë dhe organizata që dalin në mbrojtje të vlerave hyjnore dhe moralit kombëtar. Manifestimi juaj i sotëm nën moton ‘Të mbrojmë familjen, të mbrojmë jetën’ meriton përgëzime të veçanta. Duke ju përcjellë përshëndetjet e Kryesisë së PLL, kryetarit të saj, z. Spahiu dhe mbarë legalistëve brenda dhe jashtë vendit, ju lutem që të pranoni simpatinë dhe mbështetjen tonë të plotë për këtë nismë. Ashtu si ju, ne ndajmë pikëpamje të njëjta dhe kemi qëndrime të ngjashme për mbrojtjen e vlerave të familjes dhe moralit kombëtar”. Sipas legalistëve, “ndonëse mund të duket sikur po notojmë kundër rrymës, ne jemi të bindur se po lundrojmë në drejtim e duhur dhe rrugën e drejtë që siguron paqe sociale dhe moral të shëndoshë. Nga ana tjetër, drejtuesit shpirtërorë, politika, organizatat dhe çdo njeri tjetër që e ka një mundësi, duke mbyllur gojën, sytë dhe veshët, po bëjnë gabimin e madh të tolerimit të fenomeneve të dëmshme dhe veseve të shëmtuara”.
“Diskriminimi tregon se ka injorancë për homoseksualizmin”
Ambasadori holandez: I surprizuar nga deklaratat e Spahisë
Ambasadori holandez, Henk G. C. van den Dool
Ambasadori holandez në vendin tonë, zoti Henk van den Dool, deklaroi dje se është ndjerë i surprizuar nga deklaratat e kreut të Partisë Lëvizja e Legalitetit, Ekrem Spahia, në adresë të tij, për faktin se ai është pjesëtar i kabinetit të qeverisë, dhe jo njeri i thjeshtë. Ai shprehu  keqardhjen se dikush është fyer teksa ai ka folur për vlerat e përbashkëta europiane. “Këto deklarata nuk i dëgjon çdo ditë dhe kam qenë i surprizuar. Sigurisht, një nga këto çuditë e mia është se deklarata nuk është bërë nga një qytetar i thjeshtë, por nga një anëtar i qeverisë. Mua më ka ardhur keq dhe ende më vjen keq se duke folur për vlerat e përbashkëta europiane paskam fyer”, deklaroi ambasadori. Ambasadori holandez theksoi se ngjarjet e fundit diskriminuese ndaj komunitetit LGBT tregojnë se ka ende injorancë për homoseksualizmin. Sipas Van den Dool, paragjykimi vjen nga mungesa e informimit. “Jam i kënaqur të them se Shqipëria ka nënshkruar të gjitha konventat europiane dhe ka një ligj të fortë kundër diskriminimit, duke përfshirë dhe diskriminimin seksual. Ngjarjet e fundit kanë treguar se ka ende injorancë për homoseksualizmin. Të ngresh çështje për homoseksualët, pritet me paragjykim dhe qeshja. Frika dhe paragjykimi rezulton nga mosinformimi. Tregojuni kush jeni”, u shpreh ambasadori holandez.
Ditët ndërkombëtare, më 15 e 17 maj
Dita Ndërkombëtare e Familjes është vendosur nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-se data 15 maj. Kjo ditë erdhi si përgjigje ndaj ndryshimeve sociale dhe ekonomike, të cilat prekin strukturën e familjes. Dita Ndërkombëtare Kundër Homofobisë është një përkujtim i heqjes së homoseksualitetit nga klasifikimi ndërkombëtar i sëmundjeve i Organizatës Botërore të Shëndetësisë më 17 maj 1990. Në të gjithë botën kjo ditë festohet me ekspozita, manifestime dhe ngjarje të tjera.
Totozani: S’ka nevojë për pasion homofobik
Gjatë fjalës së tij, Igli Totozani, theksoi se Shqipëria nuk ka nevojë për pasione homofobike. Ai shprehu bindjen se shoqëria shqiptare ka forca për të hapur një dialog dhe debat të shëndoshë qytetar për të drejtat dhe liritë e komunitetit LGBT.
“Sot është vërtet një ditë në të cilën mund të bëhen shumë apele dhe të citohen shumë konventa e ligje. Por ka rrethana ku ekziston vetëm një ligj: ligji i ndërgjegjes sonë”, tha Totozani.
Kodra: Kundër diskriminimit
Zv.ministrja e Punës, Filloreta Kodra, e pranishme në çeljen e Festivalit të Diversitetit, deklaroi se Ministria ka hartuar një program pune për rishikimin e legjislacionit, ndërsa do të ndërmarrë një fushatë të gjerë antidiskriminimi. Sipas Kodrës, duhet bashkëpunim më i gjerë mes shoqërisë civile, mediave e institucioneve në luftën kundër diskriminimit të këtij komuniteti. “Të gjithë para ligjit janë të barabartë”,
tha Kodra.

Ambasadori për paradën gay: Spahia?  Injorantë ka gjithandej

Diplomati nga Holanda mbështet homoseksualët.





Ambasadori holandez, Henk G. C. van den Dool




“Njerëzit duhet të edukohen, një anëtar i kabinetit s’mund të thotë gjëra të tilla”
Ambasadori holandez në vendin tonë, Henk G. C. van den Dool, konfirmon pjesëmarrjen e tij në manifestimin që do të mbahet në Tiranë nga komuniteti gay më 17 maj.
Në një intervistë për emisionin “Tonight” të gaz-etares Ilva Tare në Ora News, ai e quajti injorant kreun e PLL-së, Ekrem Spahia, që deklaroi se në atë paradë do t’u hyhej me dru homoseksualëve.
Më 17 maj, Dita Ndërkombëtare Kundër Homofobisë, ju do të merrni pjesë në një manifestim në Tiranë. Çfarë do të ndodhë ekzaktësisht atë ditë?
Besoj që ju e dini që Ambasada dhe unë person-alisht kam qenë shumë aktiv në promovimin e të drejtave të njeriut, sigurisht edhe të drejtat e minoriteteve seksuale. Unë kam qenë në Shqipëri për katër vjet dhe kam qenë aktiv në një sërë mënyrash në këtë fushë. Ajo që unë e gjej shumë interesante është se ajo çka do të ndodhë javën tjetër, do të jenë një sërë evenimentesh të organizuara nga organizata shqiptare, jo nga ne, por organizata të cilat punojnë për të drejtat e njeriut. Unë jam i kënaqur që do të marr pjesë në to dhe do të tregoj mbështetjen time. Ajo që dua të theksoj është se këto janë aktivitete të organizuara nga shqiptarët dhe jam i sigurt që tri apo katër vite më parë, një gjë e tillë do të kishte qenë e pamundur. Dhe unë shoh se ka një rrugë për të bërë. Ka lëvizje. Ka homoseksualë shqiptarë, të cilët janë tani të gatshëm të thonë se “unë jam gay”. Ajo që më duket shumë interesante është se kur para disa javësh ka pasur një deklaratë nga një zëvendësministër shqiptar në lidhje me homoseksualitetin, nuk ka pasur reagime vetëm nga komuniteti ndërkombëtar, por edhe nga komisionerja për antidiskriminimin, zonja Baraku, Avokati i Popullit, zoti Totozani, madje edhe nga Kryeministri. Pra ne nuk jemi atje ku duhet, por unë jam optimist.
Po deklaratën e zoti Spahia, si e cilësoni? Mendoni se ka njerëz të tillë që mendojnë si ai?
Me siguri që ju e keni parë reagimin publik të BE-së, pjesë e së cilës kam qenë edhe unë. Nuk dua që të harxhoj shumë kohë me këtë, por më lejo të them që injorantë ka gjithandej. Unë ndiej që njerëzit duhet të edukohen në lidhje me këtë. Është e rëndësishme që njerëzit të informohen, të edukohen. Dhe ajo që unë e gjej fare të papranueshme dhe prandaj besoj se ka qenë arsyeja që ne e iniciuan atë reagim është kur një gjë e tillë del nga goja e një zyrtari të kabinetit qeveritar, sigurisht të gjithë kanë të drejtën të kenë opinionin e tyre, por duke qenë në pozicionin e një anëtari të kabinetit qeveritar, që aspiron për t’u bërë vend anëtar i BE-së, nuk mund të thuhen gjëra të tilla.
A mendoni se mënyra apo procesi se si do të zhvillohet zgjedhja e Presidentit të Republikës do të ndikojë në dhënien apo jo të statusit?
Mendoj se po, dhe nuk besoj se jam i pari që po e them këtë gjë. Besoj se një numër kolegësh të mi, madje edhe Komisioni Europian, e ka bërë këtë gjë shumë të qartë, sepse ne jemi shumë të interesuar për mënyrën se si procesi do të marrë formë dhe do të eci. Ne kemi thënë që i gjithë procesi që çon te zgjedhja e Presidentit, nuk po flasim për njerëzit, sepse nuk besoj që BE-ja do të favorizonte njërin apo tjetrin kandidat. Procesi është ai që do të tregojë një lloj maturie të partive politike në Shqipëri, prandaj është dhe një kohë shumë interesante. Unë jam shumë i kënaqur që po shoh zotin Meta që po takohet me zotin Rama, PD që po flet me partitë e tjera, sepse ne do të ndienim që Kushtetuta shqiptare preferon një president konsensual, një kandidat që do të merrte sa më shumë vota që do të ishte e mundur. Ne mendojmë se do të ishte tregues për një pjekuri demokratike të partive, për të arritur në një kandidat të tillë dikë që e ka mundësinë të përfaqësojë unitetin e Shqipërisë si një vend dhe gjithashtu mund të mbrojë Kushtetutën shqiptare.
Ambasadori amerikan u shpreh se preferohet një president në raundin e parë, çka do të thotë konsensual. Qeveria holandeze e ka një preferencë të tillë, apo mund të arrihet edhe në mënyrën tjetër kushtetuese, 71 vota?
Unë do të preferoja një president në raundin e parë me 140 vota, sepse një president me një maxhorancë sa më të madhe të jetë e mundur, do të ishte mënyra e vetme për të përfaqësuar unitetin e këtij vendi dhe sipas kushtetutës presidenti, nuk është një institucion politik dhe prandaj do të ishte e mrekullueshme, në qoftë se ky Parlament do të kishte mundësinë t’i kalonte ndryshimet politike dhe të gjenin një personazh që nuk do të ishte vetëm i pranueshëm, por të kishin një njeri që të rrinte mirë në karrigen e Presidentit. Kushtetuta parashikon 4 raunde, nëse tri të parat dështojnë, është edhe variant i fundit me një zgjedhje me shumicë të thjeshtë votash. Por sigurisht, unë nuk mund të komentoj për këtë gjë, por kjo mund të jetë një parashikim i zgjuar në Kushtetutë, në mënyrë që të përjashtohet një tmerr pa fund, sepse vendi ka nevojë për një President, por, me sa kuptoj unë, Kushtetuta është e shkruar në frymën e një presidenti të zgjedhur me një numër sa më të madh votash. Unë nuk dua të hyj me emra konkretë, por mendoj se në Shqipëri keni emra të tillë. Duhet të jetë dinjitoz. Do të ishte shumë mirë që ai mos të kishte një profil shumë të lartë politik, mos të ishte i lidhur me regjimin e së kaluarës. Do të ishte vërtet shumë mirë në qoftë se ai do të ishte përmbi çdo lloj dyshimi në lidhje me korrupsionin, integritetin e tij.
Ka një kërkesë nga partitë e vogla për korrektimin e sistemit aktual zgjedhor, por, me sa deklarohen nga këto parti, nuk ka vullnet nga forcat kryesore. Cili mendoni se do të ishte një sistem i mirë për Shqipërinë?
Besoj që shqiptarët duhet ta zgjedhin vetë sistemin e tyre, nuk më takon mua të bëj rekomandime. Ajo që mund të them është që ka disa mënyra dhe modele për ta bërë ketë gjë. Unë ju përmenda që në Holandë kemi një sistem proporcional, gjë që sjell 10 – 11 parti në Parlament, por që i bën dhe koalicionet shumë të rëndësishme. Ajo që unë shoh me interes dhe me kënaqësi njëkohësisht, që pamja e partive politike në Shqipëri është duke ndryshuar, e gjithë dinamika. Përveç faktit që nëse unë jam dakord apo jo, nuk ka rëndësi. Po shohim parti të reja që po lindin, si Aleanca Kuq e Zi, apo Fryma e Re Demokratike dhe ende ne nuk i njohim me detaje, por të paktën ato u japin alternativa të reja votuesve, ndryshe nga tradicionalet e mëdha, për të cilat njerëzit kanë votuar deri tani.
Spahia: Mençuria s’ka të bëjë me prapanicën

Ekrem Spahia
Kryetari i PLL, njëherësh zv.ministër i Mbrojtjes, Ekrem Spahia, reagon pas deklaratës së mbrëmshme të ambasadorit holandez në Tiranë për paradën e komuniteti gay. I pyetur nga gazeta “Panorama” mbi qëndrimin e diplomatit Henk G. C. van den Dool, Spahia tha se “nuk e kam dëgjuar ambasadorin për këtë prononcim, por nëse dikush mendon që mençuria, kultura apo civilizimi kanë të bëjnë me prapanicën, them me bindje të plotë se është jashtë realitetit të shumicës absolute të shoqërisë shqiptare. Për paradën e gay-ve do të dal në një konferencë të posaçme për shtyp”. Pak javë më parë, kreu i PLL-së u përfshi në një debat publik me komunitetit gay në vendin tonë për shkak të një deklarate të tij mbi paradën e paralajmëruar për më 17 maj në Tiranë. “Ne jemi parti konservatore shqiptare, vlerësojmë trashëgiminë shqiptare si vlera të rëndësishme për një komb. Unë s’kam ndonjë koment tjetër, vetëm t’i ‘kap me hu ato’. Hu është fjalë dialektore, por besoj se kuptohet, ose thënë ndryshe: shkop gome”. Kjo deklaratë e Spahisë bëri që të reagonte menjëherë edhe Bashkimi Europian, ndërkohë që Kryeministri Sali Berisha e quajti të papranueshëm këtë qëndrim. “Aleatët kanë bërë deklarata të papranueshme. Aspak përgjigje mbretërore reagimi i zotit legalist, se dhe vetë janë parti e tolerancës dhe e kanë faktuar këtë dhe tani ka qenë një teprim se nuk mund të bëhet fjalë”, tha Berisha.

Thursday, May 17, 2012

Ja cilat janë 50 çuditë Shqiptare

1. Shqipëria kufizohet me popullsi shqiptare
Me ndarjen e kufijve që u bënë në vitin 1913, në Konferencën e Ambasadorëve në Londër, Shqipëria mbeti i vetmi vend në botë që kufizohet me popullsinë e vet. Edhe pse ndarja e kufijve ishte një padrejtësi e madhe historike, bëri që të krijohej një çudi e prodhimit shqiptar. Minimalisht edhe pse është një e keqe e madhe, kjo na bën që të jemi me krahët e ngrohtë për sa i përket mbështetjes në kufij. E vetmja pjesë ku ne jemi në mënyrë të drejtpërdrejt në lidhje me një shtet fqinj është Italia, por ky është kufi detar.
2. Relievi shqiptar, me të gjithë komponentët e vetë gjeografikë
Edhe pse jemi 28000 km2, në relievin tonë ka det, ka lumë, ka mal, ka fushë, ka kodra, ka lugina. Shumë shtete të tjera të cilat mund të kenë një sipërfaqe shumë më të madhe se sipërfaqja e Shqipërisë, shumë nga komponentët e relievit i mungojnë. Mjafton të përmendin Zvicrën, e cila ka një territor malor, por nuk ka det. Po pa det është dhe Kosova, por dhe shumë shtete të tjera. Shqipëria jo vetëm që laget nga deti, por nga dy të tillë madje. Relievi shqiptar është një dhuratë natyrore e pakrahasueshme.
3. Të fitosh pavarësinë i fundit
Shqipëria është një nga vendet që ka luftuar më tepër Perandorinë e Gjysmëhënës, por ishte e fundit në vendet ballkanike që e fitoi Pavarësinë. Në fillim të viteve 1900 shumë vende ishin të lira dhe të pavarura nga Perandoria Osmane, e cila i kishte mbajtur me shekuj me radhë nën pushtimin e vet, duke vendosur administratën osmane në këto vende. Të tillë si Greqia Serbia apo dhe të tjera e fituan Pavarësinë duke mos luftuar aq sa vendi ynë. Ne e shpallëm Pavarësinë në kohën kur Perandoria Osmane ishte në agoninë e vet.
4. Vjetërsia e gjuhës shqipe
Gjuha shqipe dhe pse është një nga gjuhët më të vjetra në botë, dëshmia e parë e shkruar nuk i kalon 800 vjetët. Një nga gjërat që i bën shqiptarët të jenë krenarë dhe të vetëkënaqur është dhe gjuha. Sidomos gjuha e folur. Që në lashtësi kjo gjuhë ka qenë prezent përkrah gjuhëve të tjera të mëdha si greqishtja latinishtja etj. Por çudia qëndron në faktin se dëshmia e kësaj gjuhe nëpërmjet dokumenteve vjen jo më larg se afro 800 vjet më parë. Pra deri në këtë kohë kjo gjuhë ka qenë vetëm e folur.
5. Rrëzimi i komunizmit
Komunizmi në Shqipëri ka qenë në formën më të egër të vet, ndërkohë që ne ishim vendi i fundit i ish-bllokut të Lindjes që e rrëzuan atë. Enver Hoxha qëndroi plot 40 vjet në krye të vendit, duke instaluar një regjim tepër të egër. Shqiptarët regjimin e tij e vuajtën në përmasa të frikshme. Por e çudia qëndron në faktin se dhe pas vdekjes së diktatorit, komunizmi vazhdoi duke u bërë që të jetë i fundit në vendet e Lindjes që rrëzohet. Do të duhej pikërisht fillimi i viteve ’90, kur në Shqipëri ndodhën proceset transformuese, që të përfundonte edhe regjimi diktatorial.
6. Ndarja e pushtetit gjatë Luftës së Dytë Botërore
Gjatë Luftës së Dytë Botërore kur shtete të ndryshme forconin radhët për të luftuar nazifashizmin, në Shqipëri bëheshin llogari se si do të ndahej pushteti pas çlirimit midis forcave politike. Mjafton të përmendin disa konferenca të njëpasnjëshme siç ishte ajo e Mukjes, ajo e Pezës, ku vendosej se si do të ndahej pushteti. Vendi ynë ishte nën pushtim dhe me një rrezik real për t’u copëtuar. Vendet e tjera shtonin radhët e tyre kundër pushtuesve, ne kërkonin ndarjen e pushtetit. Kjo çudi e hidhur historike pas luftës u kthye një bumerang për gjithë shqiptarët.
7. Vendi më i varfër që qarkullon më tepër para në Ballkan
Jemi ndër vendet më të varfra të Evropës (vendin e fundit kemi disa vite që ia kemi lënë Moldavisë) dhe megjithatë zëmë vendin e parë në Ballkan për paranë që qarkullohet për banorë. Kjo sigurisht që është e dhënë e saktë e Bankës Botërore. Kjo nuk na bën të kemi ndonjë të mirë të madhe, pasi këto para janë informale dhe në shumicën e rasteve janë vënë në mënyrë të dyshimtë dhe jo korrekte, siç janë aktivitet e ndaluara, trafikimi i drogës, i mishit të bardhë dhe të tjera si këto. Kjo statistikë përbën një çudi të radhës së shqiptarëve.
8. Fetarët shqiptarë, “nga fryn era”
Shqipëria është vend unik për sa i përket historisë së fesë, kushdo pushtues që ka ardhur këtu e ka pasur të lehtë që të imponojë fenë e vetë, duke hasur fare pak në vështirësi. Që nga lashtësia deri më sot, vendi ynë ka ndryshuar disa herë besimin fetar. Nga paganizmi i hershëm, vjen pushtimi romak, pushtimi bizantin, ai serb, pushtimi turk deri me fitimin e Pavarësisë. Ndryshimi i feve në shumicën e rasteve ka ndodhur nga përfitime të momentit të popullsisë sonë, por nuk përjashtohen dhe rrugët e tjera të përhapjes së fesë si dhuna, arbitrariteti, abuzimi, etj.
9. Shqiptarët, të gjithë politikanë
Edhe pse nuk ka një shifër zyrtare lidhur me faktin se sa shqiptarë merren me politikë, është e sigurt që në Shqipëri shumica e popullsisë flet për politikë. Nëse në vendet e tjera homologe të Shqipërisë bëhen plane, projekte dhe punohet në mënyrë tepër cilësore, diskutimet në Shqipëri bëhen veçse për politikë. Ky sigurisht është një perceptim apriori, pasi nuk ka një studim apo anketim të posaçëm, por është e sigurt që këtë të dhënë nuk e hedh dot njeri poshtë, pasi është një fenomen që ndeshet për ditë në çdo familje shqiptare.
10. Të të vlerësojnë personalitetet të tjerët
Vendi ynë ka shumë figura të shquara në fusha të ndryshme. Ata më tepër janë vlerësuar nga të huajt se sa nga shqiptarët. Këtu mund të përmend një numër të madh të figurave shqiptare, që nga Gjergj Kastrioti, Nënë Tereza, Karl Gega e plot të tjerë, të cilët kanë arritur të kenë një famë botërore, duke e gjetur veten më të vlerësuar në arenë ndërkombëtare sesa në vendin e vetë. Kjo është çudi për vet faktin se ne jemi një vend i vogël dhe nuk kemi luksin të kemi shumë figura të shquara siç mund të ketë një vend të tjetër me një popullsi disa herë më të madhe se ne.
11. Shkollat greke në Shqipëri, “pa nxënës”
Numri i shqiptarëve që ndodhen në Greqi është më i madh se i minoritetit grek në Shqipëri, mirëpo në Shqipëri po hapen disa shkolla greke, ndërkohë në Greqi nuk ka asnjë të tillë. Një luftë e gjatë diplomatike është bërë midis shtetit grek dhe atij shqiptar për një shkollë në gjuhën greke në Himarë. Kjo luftë përfundoi me realizimin e dëshirës së palës greke. Ndërkohë në qytetet greke numri i shqiptarëve është me mijëra, një shkollë shqipe nuk gjen dritë në vendin helen.
12. Dëshirë për shkollë apo shmangie nga puna
Në asnjë vend të botës nuk ka një kërkesë aq të madhe për shkollë sa në Shqipëri, ndërkohë për sa i përket punësimit ne jemi një vend me papunësi tepër të lartë. Kur mbarojnë shkollën e mesme shqiptarët në këto vitet e fundit i dëgjon se do të vazhdojnë shkollën e lartë dhe masterat pa pyetur fare se me çfarë rezultatesh e kanë përfunduar gjimnazin. Kjo është sigurisht një çudi shqiptare, pasi në çdo vend tjetër njerëzit pas gjimnazit në varësi të rezultateve kërkojnë shkollë ose punë. Madje më tepër shkojnë në punë sesa vazhdojnë arsimin e lartë.
13. Burri dhe gruaja, me të drejta të ndryshme
Ky është sigurisht një problem që ka ecur në vijimësi me shoqërinë njerëzore që nga lashtësia deri në ditët e sotme. Por në Shqipëri hendeku midis burrit dhe gruas ka qenë disa herë më i madh se në vendet e tjera. Mjafton të përmendin një zakon të para disa viteve, ku ishte e ndaluar të ulej në një tavolinë burri dhe gruaja. Kjo sigurisht ka qenë një handikap shumë i madh, por në realitetin tonë ka qenë prezent. Në vitet e fundit janë bërë përpjekje për një barazi midis gruas dhe burrit, por që është tepër larg asaj që duhet të jetë.
14. Kabineti qeveritar shqiptar, më i madh se ai kinez
Shqipëria ka diçka më tepër se tre milionë banorë. Në kabinetin qeveritar të para disa viteve ka pasur 19 ministri, ndërkohë që shteti kinez, i cili ka afro 1.5 miliardë banorë, nuk i ka pasur kaq ministri. Ka qenë qeverisja socialiste e udhëhequr nga zoti Fatos Nano, e cila krijoi disa ministri krejt të çuditshme. Disa me portofol, të tjerë pa të. U krijua një situatë e çuditshme, pasi për të kënaqur ambiciet për karrierë të disa kolegëve të vetë, kryeministri i asaj kohe i bënte ministra.
15. Parti, më tepër se anëtarë
Në raport me popullsinë që kemi, jemi vendi i parë në botë për numrin e partive, plot 114 të tilla janë të regjistruara zyrtarisht. Numri 114 është një numër i cili konfirmohet nga regjistrimi i këtij viti, ndërkohë që të tjera mund të jenë shtuar. Kjo situatë ka të bëjë me çudinë që përmendëm më lart, që shqiptarët flasin më tepër për politikë. Po t’i referohesh standardeve që duhet të këtë një parti politike, në vendin tonë as që mund të flitet për to. Ka parti që i voton vetëm farefisi.
16. Popull mysliman, Heroi Kombëtar, i krishterë
Shqipëria në pjesën më të madhe të popullsisë është myslimane, ndërkohë Heroin e vetëm Kombëtar e ka katolik. Gjergj Kastrioti Skënderbeu, i cili u ndesh me turqit për plot 25 vjet, njihet në të gjithë botën dhe si një mbrojtës i flaktë i krishterimit, duke mos lejuar që ordhitë otomane të shkonin në drejtim të Perëndimit. Ai për hir të së vërtetës historike nuk qëndroi vetëm i krishterë, pasi u konvertua në mysliman gjatë kohës që shkoi nizam në Stamboll.
17. Vendi i varfër, me jetëgjatësinë më të madhe
Teksa shoqëritë e tjera vuajnë nga shëndeti i tepërm, qytetarët shqiptarë gëzojnë shëndet të mirë edhe pse jetojnë në një vend të varfër si Shqipëria. Jetëgjatësia e qytetarit shqiptar është 67 vjet për burrat dhe 74 vjet për gratë. Këto të dhëna të bëjnë të mendosh se, Shqipëria është vendi i çudirave. Kjo e dhënë bëhet dhe më e larmishme kur treguesi i moshës më të re i takon përsëri vendit tonë, duke u bërë kështu një nga vendet me moshën mesatare më të re në Evropë.
18. Populli më i armatosur, duke mos bërë asnjë luftë
Nga vitet 1945 deri në vitin 1990 kemi qenë shteti me popullsinë më të armatosur, ndërkohë që gjatë kësaj kohe nuk kemi zhvilluar as edhe një luftë të vetme. Enver Hoxha, Sekretari Parë i Partisë Komuniste Shqiptare, që nga viti 1941 deri në vitin 1985 në projektet e tij politike kishte armatimin e vendit, pasi sipas tij, vendet imperialiste do të sulmonin vendin tonë, sulm që nuk erdhi asnjëherë. Koha e zborit ushtarak kujtohet jo pa nostalgji nga brezi i dytë dhe i tretë në vendin tonë.
19. Gjakmarrja shqiptare, me përmasat e Mesjetës
Gjakmarrja është një çudi shqiptare. Në asnjë vend të botës ky fenomen obskurantist nuk aplikohet, me përjashtim të vendit tonë. Në zonat rurale, por jo vetëm të vendit, fenomeni i gjakmarrjes është me përmasa të frikshme. Kështu në një vend që ka Kushtetutë dhe ligje të sanksionuara është e patolerueshme që të ketë individë që bëjnë vetëgjyqësi. Për sa i përket vendit tonë ky fenomen absolutisht negativ e vendos vendin tonë në një kuadër me shumë vende të prapambetura. Gjakmarrja në Shqipëri procedon si teori kompensimi “më vrave, të vrava”.
20. Të humbasësh në zgjedhje dhe të mos njohësh humbjen
Jemi i vetmi vend në botë që kemi 16 vjet në demokraci dhe humbësi nuk njeh rezultatin e zgjedhjeve. Që nga vitit 1996 e më pas, thuajse çdo herë humbësi i zgjedhjeve i ka klasifikuar si të manipuluara. Ky është një fenomen vetëm shqiptar, pasi të gjithë vendet e tjera me demokraci nuk hasin në një problem të tillë, i cili duket se ka fituar kombësinë shqiptare.
21. Të shpallesh mbret se të mbushet mendja
Mbreti Ahmet Zogu u vetëshpall mbret i shqiptarëve pa pasur as origjinë dhe asnjë vendim të posaçëm për një post të tillë. Që jemi vend me çudira, këtë e vërteton një mori veprimesh dhe qëndrimesh që kanë ndodhur në historinë e Shqipërisë. E tillë është vetëshpallja Zogut mbret i shqiptarëve. Ky moment në historinë e vendit tonë është trajtuar gjatë dhe veprimi i Ahmet Zogut është cilësuar si i çuditshëm. Në historiografinë shqiptare figura e mbretit Ahmet Zogu është parë më konfiguracione.
22. Të jesh kohën më të madhe në luftë dhe të mos sulmosh asnjëherë
Një nga vendet që ka bërë më tepër luftëra, ndërkohë që nuk ka sulmuar asnjëherë një vend tjetër, është Shqipëria. Që në lashtësi deri në Luftën e Dytë Botërore, ne kemi qenë përherë në furinë e sulmeve të huaja. Por për çudi të së vërtetës historike, ne asnjëherë nuk kemi sulmuar asnjë vend të huaj, duke qëndruar gjithmonë në pozita paqësore kur nuk kishte luftë ose në pozita mbrojtjeje kur kishte të tillë. Sot në historiografi kjo është parë dhe se një pamundësi për të sulmuar nga pala shqiptare.
23. Izolimi nga bota, absurd shqiptar
Në vitet ’60 dhe ’70 vendet kërkonin që të vendosin marrëdhënie diplomatike me njëra-tjetrën, Shqipëria vetizolohej, duke u larguar nga bota. Politika e vendosur nga Enver Hoxha dhe bashkëpunëtorët e tij ishte për një mbyllje me botën e jashtme. Me përjashtim të disa vendeve, të cilat për shkak të regjimit të njëjtë me ne, me të tjerët, sidomos me perëndimorët u krijua një barrikadë tepër e madhe. Për të gjithë shqiptarët marrja e informacionit apo kulturës perëndimore ishte një utopi. Deri më sot as një vend të tjetër nuk ka krijuar një hendek kaq të madh me vendet e tjera sa vendi ynë.
24. Shpif se diçka do të mbetet, normë e kulturës shqiptare
Në periudhën post-komuniste në Shqipëri politikanët i kanë lejuar të drejtën vetes që të shajnë, të shpifin për këdo dhe për çfarëdo, dhe të mos mbajnë përgjegjësi. Kemi një kategori politikanësh, të cilët në mënyrë krejt të papërgjegjshme akuzojnë, shajnë dhe fyejnë ata që nuk janë në linjën e tyre. Kjo sigurisht që ndodh dhe në vende të tjera, por ajo që në vendet e tjera do të ishte e papranueshme është fakti se këtu nuk kanë marrë një herë të vetme mundimin që të vërtetojnë qoftë dhe një akuzë të vetme.
 25. Emri Fronti Demokratik, në krye qëndronte Enver Hoxha
Ndërkohë që emrin vazhdonte ta mbante Fronti Demokratik Popullor, pushteti i Enver Hoxhës degradonte drejt një diktature të egër. Historia e Shqipërisë në periudhën e komunizmit ka njohur dhe një absurditet tjetër, i cili ka të bëjë me emërtimin e pushtetit të Enver Hoxhës. Diktatori komunist e quante Fronti Demokratik Popullor, ndërkohë që në vend ishte instaluar një regjim totalitar i egër, duke u cilësuar si më ashpri në tërë Evropën e asaj kohe. Pushteti i Enver Hoxhës për nga jetëgjatësia dhe ashpërsia cilësohet si një çudi që i kalon kufijtë e Shqipërisë.
26. E pavërteta bashkëjeton me të vërtetën
Pas viteve ’90 çdo shpifje apo thashetheme i serviret publikut nga politika si një fakt i vërtetë, duke e manipuluar. Mjafton të kujtosh të gjitha deklaratat e politikanëve në vendin tonë dhe është më se e mjaftueshme që ta vërtetosh këtë konstatim, i cili padyshim futet tek çuditë shqiptare. Janë thënë e çfarë nuk janë thënë dhe përsëri të gjithë kanë ngelur të habitur kur asnjë gjë prej atyre që janë thënë nuk janë vërtetuar. Po të shikosh një shoqëri perëndimore, ajo një fenomen të tillë e përbuz me të madhe, duke u treguar shqiptarëve që janë shumë larg qytetërimit evropian.
27. Kush është me ne, është i yni, në të kundërt e kemi kundërshtar
Politikanët shqiptarë në ditët e sotme i ndajnë njerëzit në dy grupe, ata që janë me ne, janë tanët, ndërsa ata që nuk janë me ne, janë të kundërshtarit. Shumë nga bashkëqytetarët tanë shikohen dhe si armiq edhe për faktin se nuk kanë bindjet e caktuara politike. Kjo sigurisht injektohet nga politikanët që i klasifikojnë njerëzit në të tyre dhe në të kundërshtarit, duke harruar që pjesa më e madhe janë jashtë politikës dhe nuk iu intereson fare nëse ekzistojnë këta lloj politikanësh.
28. Për shqiptarët, më e vlefshme besa se kontrata
Nëse një shqiptar dhe një huaj iu duhet të lidhin një marrëveshje biznesi, shqiptari e kundërshton kontratën (sipas Edith Durham), pasi e quan ofendim, duke i besuar më tepër besës së dhënë. Kjo për shoqërinë moderne duket një gjë absurde, por për fatin tonë të keq ka qenë realitet në shoqërinë shqiptare, e cila me këtë lloj mentaliteti ka qëndruar në vend. Në vendet evropiane kjo lloj marrëveshjeje përdoret dhe si barsoletë, duke u bërë kështu histori e mirënjohur. Kjo çudi ka qenë prezent vite më parë, pasi sot shqiptarët në këtë drejtim janë integruar në shoqërinë moderne duke qenë edhe biznesmenë të suksesshëm.
29. Nga një shtet laik, me 245 shoqata fetare
Kemi qenë për më tepër se 45 vjet si një vend laik nën regjimin komunist, ndërkohë që aktualisht në Shqipëri ekzistojnë as më pak dhe as më shumë, por 245 shoqata fetare. Me ardhjen në pushtet të Enver Hoxhës dhe komunistëve, në vitin 1945 u hoq në mënyrë graduale dhe e drejta për të besuar në zot. Kështu doli një ligj që ndalonte çdo lloj aktiviteti fetar dhe duhet të shembesh të gjithë objektet e kultit si kisha, xhamia, teqe, etj.
30. Të flasësh një gjuhë unike, në të gjithë rruzullin
Shqiptarët flasin një gjuhë, e cila nuk është e ngjashme me asnjë gjuhë tjetër në botë. Historia e gjuhës shqipe është shumë e vjetër për sa i përket kohës. Ajo cilësohet si një nga gjuhët më të vjetra në Evropë. Por e çuditshme është fakti se kjo gjuhë, pra gjuha shqipe, nuk ngjason me asnjë gjuhë tjetër në botë. Të gjitha gjuhët e tjera janë krejt të ndryshme nga shqipja. Të gjithë gjuhëtarët e vlerësojnë tepër gjuhën shqipe për këtë fakt tepër interesant. Gjuha shqipe ka një zanafillë që nga kohët më të hershme të shoqërisë njerëzore.
31. Prezumimi i pafajësisë vetëm në vendin tonë nuk ka gjetur vend
Shqipëria është ndoshta i vetmi vend në botë, ku nuk merret fare parasysh prezumimi i pafajësisë. Ka apo nuk ka një vendim gjykate, për këtë nuk do t’ia dijë njeri, kjo sidomos për sa u përket njerëzve publikë dhe politikanëve në veçanti. Nëse në çdo vend të botës quhesh fajtor për një faj vetëm në rastin kur autoritet e drejtësisë së atij vendi të kanë shpallur fajtor, ndërkohë që këtu vetëm në rastin kur e ke kundërshtar ai të akuzon, madje jep dhe definicione për akuzën e tij, duke të treguar burgun.
32. Nga jugu në veri, Shqipëria me vijë bregdetare
Vendi ynë përcaktohet si një nga vendet më malorë në të gjithë Evropën, por për çudi ajo ka një vijë bregdetare e cila shtrihet nga jugu deri në veri të vendit. Nuk gjen shembull tjetër në kontinentin plakë që një vend të ketë një pozitë gjeografike të tillë kaq të çuditshme, pse jo dhe për të pasur zili. Në vendin tonë kjo mrekulli e natyrës nuk është marrë në konsideratë, duke mos u shfrytëzuar këto resurse të paçmuara. Sot me shtrirjen që ka ku ndërthuren deti dhe mali, Shqipëria duhet të ishte një qendër turizmi për të gjithë rajonin.
33. Vendi më malor që merret me bujqësi
Në Shqipëri gjatë periudhës së komunizmit edhe pse ishim një vend kryesisht kodrinor malor, përsëri ne i shpenzonim energjitë tona drejt bujqësisë. Në të gjithë periudhën e komunizmit Shqipëria ishte e orientuar kryesisht nga bujqësia për sa i përket ekonomisë. Kjo për çudinë e të gjithëve pasi ne më tepër duhet të merreshim me blegtori apo dhe me industri të rëndë apo të lehtë. Në komunizëm doli si devizë dhe një thënie e udhëheqësit komunist Enver Hoxha, i cili deklaroi në mënyrë pompoze “t’u qepemi maleve e kodrave dhe t’i bëjmë pjellore”.
 34. Shqiponja në flamurin shqiptar, me dy kokë
Në flamurin e Shqipërisë, i cili e ka zanafillën e vet në kohën e Skënderbeut, ekziston një shqiponjë e cila është me dy kokë. Arsyetimet historike me këtë fenomen janë të ndryshme. Një variant thotë se këto dy koka përfaqësojnë gjithë përfshirjen e vendit nga Jugu në Veri. Varianti i dytë pretendon se ushtarët e Skënderbeut luftonin aq shumë sa shikonin dhe para dhe mbrapa. Ndërkohë që varianti i tretë thotë se, një kokë shikon Pirron e Epirit dhe koka tjetër shikon Aleksandrin e Madh.
35. Kanuni 500-vjeçar “krenaria” e Shqipërisë
Kanun pa dyshim që kanë pasur edhe vende të tjera gjatë historisë së ekzistencës së tyre, por ashtu siç zbatohet në vendin tonë vështirë se gjen. Me përjashtim të periudhës së komunizmit kur kanuni pati një hapësirë më të vogël për sa i përket gjakmarrjes, pas viteve ’90 kjo është bërë një normë e zakonshme. Shumë vrasje dhe konflikte që ndodhin këtu zgjidhen me vetëgjyqësi. Kjo çudi e dhimbshme shqiptare është një nga arsyet që vendin tonë e mban larg nga strukturat euroatlantike.
 36. Rezervat ujore sa për 100 Shqipëri
Nëse në çezmat e familjeve shqiptare mungon uji apo vjen me mangësi, kjo ndodh sepse administrimi i tij është skandaloz. Po t’u referoheshin statistikave dhe fakteve, të rezulton se Shqipëria ka rezerva ujore sa për të mbajtur edhe një qind shtete të tjera me përmasat e saj. Sigurisht kjo është një dhuratë nga natyra, por që nuk është shfrytëzuar ashtu siç duhet. Sot thuajse asnjë qytet nuk furnizohet rregullisht me ujë. Duke pasur një reliev kryesisht kodrinor dhe malor, uji është i bollshëm aq sa herë-herë rrezikohet dhe përmbytja e zonave të caktuara.
 37. Tri veta, një bunker gjatë komunizmit
Enver Hoxha e bëri vendin tonë të mbushur me beton. E them këtë pasi po t’i referohesh kohës u ndërtuan aq shumë bunkerë, sa sipas statistikave, na rezulton që për tre shqiptarë të kishte një bunker. Arsyeja e ndërtimit të këtyre bunkerëve ishte kryesisht të mbroheshim nga ndonjë sulm eventual nga jashtë. Në opinionin publik të periudhës së komunizmit ekzistonte një mentalitet se, Shqipëria nga momenti në moment mund të sulmohej nga vendet imperialiste që ishin kundërshtare të drejtpërdrejta të regjimit komunist të instaluar në Shqipëri.
38. Të mos lëvizësh dot brenda për brenda vendit
Nga viti 1945 deri në vitin 1990 ishte e sanksionuar dhe e ndaluar me ligj lëvizja nga fshati në drejtim të qytetit. Në asnjë vend të botës nuk është e ndaluar lëvizja e qytetarëve me vullnetin e tyre. Nga fundi i viteve ’40 deri në vitin 1990 ishin tepër të kufizuara, vetëm kur duhej një urdhër i posaçëm për të bërë një transferim me banim nga një zonë në një tjetër. Për të lëvizur nga fshati ishte thuajse e pamundur. Duke qenë se Shqipëria ishte një vend që bazohej tek forca punëtore, ishte e nevojshme që të kishte sa më tepër popullatë në fshat.
39. Organ gjyqësor që sulmon verbalisht
Vetëm në Shqipëri ndodh që organet gjyqësore e sulmojnë një të akuzuar përmes mediave, duke krijuar opinion të keq për të dhe duke helmuar opinionin publik në influencimin e gjykatës. Me rregullat demokratike, në çdo vend të botës nëse për një individ të shoqërisë ka një akuzë për shkelje të ligjit, përgjithësish veprohet sipas hallkave që ka gjyqësori. Në vendin tonë kjo ndodh rrallë, ku mund të akuzohesh verbalisht duke mos ndjekur një rrugë institucionale. Organet e zgjedhura për këtë punë shpesh herë dalin jashtë funksionit.
40. Me kapitullimin e Italisë në Shqipëri i cila kishte qenë një pushtuese e egër, ushtarët që ngelën peng nga italianët u bënë pjesë e njësiteve partizane të Shqipërisë kundër ushtarëve gjerman.
41. Në Shqipëri, vendi ku figurave ju këndohet këngë
Kur një figurë bëhet publike dhe ka një kontribut për shoqërinë, që të ngelet në histori atij patjetër duhet t’i këndohet një këngë. Kënga këndohet në nderim të tij. Shumë nga figurat historike të vendit tonë, për të mos të thënë që të gjithë, u është kënduar një këngë. Ky merret si një lloj nderimi dhe është e pamundur që pas çdo akti heroik apo patriotik të mos thuren dhe disa vargje, dhe më pas të kthehet në melodi. Që nga Skënderbeu, Ismail Qemali dhe deri dhe tek Enver Hoxha, në arkivat e muzikës shqiptare e kanë një këngë.
42. Shqipëria, atje ku vendi i varrit gjendet me vështirësi
Përpara se të vdesësh, në vendin tonë duhet të bësh mirë llogaritë për të gjetur dhe një vend varri. Këto kohët e fundit është bërë tepër problematike, sidomos tek qytetet e mëdha gjetja e një cope toke për të dërguar për në banesën e fundit ata që ikin nga kjo botë. Kjo mund të ndodhë vetëm në vendin tonë, pasi në as një vend tjetër një problem i tillë nuk haset.
43. Botimi i librit në Shqipëri, një procedurë e kollajtë
Pas viteve 1990 mjafton të kesh një shumë të hollash dhe nisesh për tek botuesi për të botuar një libër. Censurë nuk ka, kritikë, gjithashtu, për cilësi as që bëhet fjalë. Aq shumë libra janë botuar këto kohët e fundit, sa të duket se njerëzit këtu në Shqipëri merren vetëm me shkrime. Në çdo vend tjetër të zhvilluar kulturor, një libër që të shohë dritën e botimit duhet të kalojë në disa filtra, të cilat tregojnë nëse është i denjë ai libër apo jo.
44. Vdis të të duan, ndodh vetëm në Shqipëri
Ç’zakon të çuditshëm që kanë shqiptarët! Kur je gjallë, të turren sa mundin e s’të lënë gjë pa thënë (ose s’të zënë fare në gojë). Kur vdes, të bëjnë të madh dhe vënë kujën për ç’kanë humbur. Shumë njerëz të cilët kanë kontribute të vyera në shoqërinë tonë, sa janë gjallë ose lihen mënjanë ose dhe denigrohen. Ky fenomen ka ndodhur jo rrallë në vendin tonë, pasi vetëm duke e humbur një njeri, atëherë kujtohen për të.
45. Të shpikësh lajmin pa pasur fakte
Në Shqipëri jo pak gazetarë shpikin lajme. Pa pasur asnjë lloj argumenti apo fakti, shumë gazetarë diletantë marrin si të mirëqenë diçka të paqenë. Kjo ka ndodhur jo rrallë. Më tepër të goditur nga ky fenomen janë figurat publike, por edhe njerëzit e tjerë nuk kanë shpëtuar nga një metodë obskurantiste e të shkruarit.
46. Le të humbas, dorëheqjen nuk e jap
Në vendin tonë kultura politike është në atë stad sa, nëse një politikan humbet zgjedhjet nuk jep dorëheqjen, ndërkohë që në kulturën perëndimore, por dhe në gjithë vendet e tjera të botës, ky është një element fillestar i demokracisë. I gjen me vështirësi rastet kur një politikan pas humbjeve të largohet. Edhe në rast se është larguar, është larguar përkohësisht duke u bërë përsëri protagonist i jetës aktive politike.
47. Edhe pse i vdekur mund të votosh
Vetëm në Shqipëri mund të shikosh në listën e zgjedhësve emra të cilët mund të kenë vite që kanë vdekur, ndërkohë që dalin se kanë votuar. Në shumë palë zgjedhje tek ne ka pasur anomali, por këto anomali kanë arritur deri në kufijtë e absurdes. Mjafton të kujtojmë rastet kur njerëz të cilët nuk jetojnë më, janë prezent me emrin e tyre në listat e zgjedhjeve. Madje, çudia vazhdon kur rezulton që të jetë dhe votues për një kandidat apo subjekt politik.
48. Shqipëria dhe Greqia, vende mike që urrehen
Shqipëria dhe Greqia historikisht nuk kanë bërë asnjë luftë njëra me tjetrën, ndërkohë urrejtja që ekziston midis tyre është e atyre përmasave si të jenë në luftë të vazhdueshme. Po t’i referohesh historisë së dy vendeve, të rezulton se në asnjë rast të vetëm këto vende nuk kanë zhvilluar luftë ndërmjet njëra-tjetrës. Po të shikosh dhe raportet zyrtare, këto dy shtete janë munduar t’i mbulojnë kontradiktat e herëpashershme. Ndërkohë që nën zë të dy vendet kanë një urrejtje për njëra-tjetrën dhe pse jo në kufijtë ekstremë.
49.  Numri i banorëve të fshatit, më i larti në Evropë
Shqipëria e cila ka një popullsi relativisht të vogël shquhet dhe për një fakt tjetër që përfshihet tek çuditë shqiptare. Pjesa më e madhe e popullsisë në vendin tonë jeton në zonat rurale. Duke qenë se ne vijmë nga një sistem totalitar, ku primare në atë kohë ishte bujqësia dhe blegtoria, shumica e forcave të punës ishin të përqendruara në fshat. Me ardhjen e demokracisë ky raport ka filluar të ndryshojë në favor të popullsisë që banon në qytet, por që ngelet shumë larg në krahasim me vendet e tjera evropiane.
50. Vetëm në Shqipëri (dhe në Afrikë) vidhen zgjedhjet rregullisht
Vetëm në Shqipëri (edhe në disa vende të Afrikës), vidhen zgjedhjet si pa gjë të keqe. Vetëm në Shqipëri një lider politik edhe pse humbet qëndron sërish në politikë. Dhe po vetëm në Shqipëri të gjithë shqiptarët “vdesin” pas politikës.