Saturday, August 11, 2012

Lauren Bush: “Me modën luftoj urinë në botë”

Xhaxhai i saj është George W. Bush, Presidenti numër 43 i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ndërsa gjyshi i saj është.George H. W. Bush, presidenti numër 41. Bashkëshorti i saj është David, djali i Ralph Lauren, stilisti më i famshëm amerikan. Duke bërë shaka mund të themi se Lauren Bush ka një ADN dhe më shumë “upper class” dhe “made in USA” se kaq nuk mund të ketë. Një ish-modele, e diplomuar në antropologji dhe një master në fashion design, buzëqesh dhe nënvizon se kjo përkthehet në dëshirë për të përballuar gjithçka me një impenjim më të madh.

Pikërisht ky projekt e bën atë të jetë ndryshe nga pasaniket amerikane që shkojnë nga një festë në tjetrën dhe bëjnë sikur merren me bamirësi. Që prej vitit 2006, ajo krijon dhe shet çantat “Feed” të bëra prej kartoni organik: kush blen një “u jep” për të ngrënë edhe fëmijëve të vendeve të varfra. Më shumë se 60 milionë vakte janë shpërndarë rreth e qark botës nga “Feed”, që prej vitit 2008 mbështetet edhe nga një shoqatë bamirësie.

E lindur në Kolorado, por e rritur në Teksas, tani Lauren Bush jeton në Nju Jork me bashkëshortin David, 41 vjeç me të cilin u martua shtatorin e kaluar. “E kam pasur gjithmonë të qartë që dy mbiemrat e mi mund të jenë si ndihmë ashtu edhe pengesë. Por në fund ato që më japin shtysën janë puna dhe pasioni për atë që bëj”, tregon.

Si ju erdhi në mendje ideja e “Feed”?

Studioja antropologji në Princeton dhe isha shumë e interesuar për ndihmat për zhvillimin e vendeve të varfra. Kështu nisa të punoja për Programin Botëror mbi Ushqimin të Kombeve të Bashkuara, në veçanti me projektin për shpërndarjen e ushqimit nëpër shkolla: për shumë fëmijë ajo që hanë në shkollë është i vetmi vakt i ditës, dhe një shtysë më tepër për të mos humbur një ditë mësimi. Kam udhëtuar shumë në Afrikë, Azi dhe Amerikën Latine. Kam kuptuar se ushqimi është i rëndësishëm jo vetëm për të mbijetuar, por edhe për të pasur dinjitet. Tani uria vret më shumë se sida, se malaria dhe tuberkulozi të bëra së bashku.

Ku e ke marrë frymëzimin për çantën e parë “Feed”?

Doja të gjeja një mënyrë për t’i bërë njerëzit të kuptonin se uria në botë është diçka që mund të luftohet, një problem i tmerrshëm, por i menaxhueshëm. Nëse e menaxhojmë si duhet rezultatet do të jenë mbresëlënëse. Kështu vendosa të inkorporoj koston e vaktit të një fëmije në shkollë për një vit në çmimin e një produkti konsumi, në një çantë. Për ta dizajnuar u frymëzova nga çantat me racione ushqimesh që OKB ka shpërndarë në të gjithë botën.

Shoqëria juaj “Feed Projects Llc” është cilësuar si një sipërmarrje sociale për përfitimin. Çfarë do të thotë kjo?

Do të thotë që është e organizuar si një biznes i vërtetë për t’i bërë mirë botës, jo vetëm për të maksimizuar fitimet e aksionerëve tanë. Kur një sipërmarrje tregtare funksionon dhe në të njëjtën kohë kontribuon për t’u bërë mirë njerëzve, atëherë ky është modeli ideal. “Feed” po bashkëpunon edhe me një organizatë bamirësie për të mbledhur fonde dhe për të mbështetur programe për organizatat. Domethënë, ndjekim të gjitha rrugët e mundshme për të arritur qëllimin tonë.

Kush i prodhon çantat?

Kujdesem unë personalisht për raportet me artizanet nga e gjithë bota. Ato kanë gjithmonë produkte interesante shpesh të realizuara me materiale shumë ekologjike, një tjetër çështje që e kam për zemër. E nisëm punën me disa grupe grash në Kenia. Ato po bëjnë një punë të mrekullueshme, madje për t’i realizuar janë angazhuar edhe disa studente të një shkolle lokale për të shurdhrit. Dhe për më tepër kur një objekt bëhet me shumë dashuri, duke përdorur teknika të vjetra dhe tradicionale, rezultati është gjithmonë i veçantë.

Ambientaliste dhe filantrope: kur i zbulove këto prirje?

Që e vogël. Për shembull jam bërë vegjetariane që në moshën 4- vjeçare kur kuptova se mishi vinte nga kafshët. Që atëherë nuk vura më mish në gojë.

Ju bashkëpunoni me shumë firma të mëdha për të krijuar dhe shitur çantat “Feed”, si “Gap”, “Kenneth Cole”, “Forever21” dhe “Ralph Lauren Rugby”?

Për mua është e rëndësishme që sa më shumë njerëz t’i bashkohen këtij projekti, sepse kështu do arrijmë të kemi më shumë ushqim për fëmijët në nevojë. Ëndrra ime është të shoh çantat që krijoj në duart e njerëzve që mund të na ndihmojnë për të zgjidhur këtë problem të madh global.

Lëngu i rrushit lufton kancerin

Por, studimet e fundit, nga studiuesit e huaj kanë arritur edhe në një përfundim tjetër interesant. Pirja e një gotë lëngu të rrushit mund të rrisë ndjeshëm efektivitetin e barnave të kancerit.Pirja e lëngut të rrushit, gjithmonë është konsideruar e shëndetshme për organizmin e njeriut, e sidomos “enzima” që e përben rrushi është më së e domosdoshme për trurin, pasi ndihmon në ruajtjen e kujtesës.

Por, studimet e fundit, nga studiuesit e huaj kanë arritur edhe në një përfundim tjetër interesant. Pirja e një gotë lëngu të rrushit mund të rrisë ndjeshëm efektivitetin e barnave të kancerit.

Hulumtuesit nga Universiteti i Çikagos kanë shpjeguar se pirja e këtij lëngu tek pacientët ka ndihmuar të mos shfaqen efektet anësore, lidhur me dozat e larta të drogës.

Gjithashtu, studiuesit kanë thënë, raporton “Daily Mail”, se pacientët të cilët kanë kombinuar barnat e veçanta antikancer kanë pasur përfitime të njëjta sikur të kenë konsumuar këto ilaçe tri herë në ditë.

Tuesday, August 7, 2012

Mark Dodani: Në ’45-ën, bandat e maleve më vranë babain dhe vëllain

Nga Fatos Veliu

“Gazeta Shqiptare” po fillon botimin e historisë së rrallë të njërit prej eksponentëve kryesorë të Sigurimit komunist, të cilit i kushtoi gjithë jetën e vet, duke nisur që nga periudha e luftës partizane kur u krijua ky shërbim. Veprimtaria e Dodanit në radhët e Sigurimit komunist ra menjëherë në sy të drejtuesve kryesorë të shtetit të atëhershëm, për pasionin, këmbënguljen dhe zgjuarsinë e tij. Ai u bë menjëherë një nga njerëzit me tepër efikasitet në radhët e këtij Sigurimi. Kështu, pas kësaj, Mark Dodani vendosi lidhje direkte me vetë drejtuesit qendrorë të Sigurimit komunist, Mehmet Shehu dhe Kadri Hazbiu. Biografia e tij e punës është ndërtuar kryesisht në luftën e madhe që është bërë nga Sigurimi i Shtetit me bandat e “Komitetit të Maleve” që vepronin në zonën e veriut, të cilët, për të rrëzuar me çdo formë, mënyrë dhe mjet sistemin komunist të drejtuar nga Enver Hoxha, luftonin në një organizim të përsosur. Në interes të Sigurimit të Shtetit, krah shumë njerëzve me emër të atij shërbimi si Paj Mylishi, Idriz Seiti, Asim Aliko, etj., Mark Dodani, duke pasur edhe ndihmën direkte të përfaqësuesit më të lartë komunist të zonës së Mirditës, Bardhok Biba, arriti vetë ose me elementët që vinte në përdorim, të hynte deri në radhët e bandave më të fuqishme dhe të rrezikshme të drejtuara nga “Komiteti i Maleve”.
Por, si hyri ai në këtë shërbim?
* Vrasja e babait dhe vëllait të tij, pas një aktivizimi në Kongresin e Dytë të Rinisë Antifashiste në Tiranë.
* Hakmarrja, që vendosi ta bënte në emër të shtetit me ndihmën e Sigurimit, duke përdorur një lojë të gjatë të miratuar që nga Tirana.
* Kur e dëgjoi për herë të parë emrin e Kadri Hazbiut dhe si u gjend papritur ndër të besuarit e paktë të Ministrisë së Brendshme për misionet më sekrete të saj?
Gjithçka do të mësohet, në intervistën e mëposhtme të vetë zotit Dodani, i cili tashmë ka arritur 86 vitet e jetës së vet.

Zoti Dodani, po bëj një hyrje të shkurtër të jetës suaj, për të vijuar më tej me pyetjet për të cilat do të dëshiroja të më përgjigjeshit.
Kështu, nëse jam i qartë, di se Mark Dodani ka lindur në Mnelë të Mirditës në vitin 1926 dhe sot është plot 86 vjeç. Historia e rrallë e tij lidhet me atë që, gjithë jetën e vet e ka vënë në shërbim të Sigurimit komunist. Kështu që, në fillimet e këtij shërbimi, gjatë kohës së luftës dhe më mbrapa, ai ka qenë eksponent kryesor, duke pasur lidhje direkte me drejtuesit qendrorë si Mehmet Shehu dhe Kadri Hazbiu.
Ndërkohë, vijojmë më poshtë, zoti Dodani. Siç jemi të informuar, pushtimi fashist i vendit, që është 7 prilli i vitit 1939, ju ka gjetur në klasën e pestë të shkollës fillore, të cilën e kishit nisur në vitin 1935 në vendlindjen tuaj, Orosh.
Pra kjo është një rezyme që munda të bëj unë mbi origjinën tuaj të hershme.
Pyetja ime do të konsistonte pikërisht te ky moment, për të vijuar me jetën tuaj të mëtejshme, e cila për hir të së vërtetës është me ngjarje sa historike aq edhe interesante.
Pra, çfarë mund të flisni për jetën tuaj të mëtejshme pas pushtimit të Shqipërisë?

Është e saktë, siç përmendët juve, se në vitin 1939 kur Shqipëria u pushtua nga Italia, unë kam qenë në klasën e pestë në shkollën e Oroshit. Atëherë madje kam pasur edhe një episod të lezetshëm.
Çfarë episodi? Po ja, atëherë unë pashë për herë të parë italianë, madje që të shprehem më mirë, do të thoja se deri atëherë nuk kisha parë ndonjëherë njerëz të huaj, aq sa nuk e dija se ata, pra të huajt kishin gjuhë ndryshe nga e jona. Kështu, atë ditë që italianët do të vinin në fshatin tonë, mësuesit tanë po merreshin me përgatitjen e pritjes së tyre.
Si po përgatiteshin?
Po ja, na thonin se si do të rrinim, si do t’i takonim, se duhej të kishim kujdes që të mos turpëroheshim, se ata ishin të huaj. Në ato momente mbaj mend që mësuesi na tha se duhet të kishim parasysh se italianët nuk dinin shqip por flisnin italisht, por ne duhet të kishim durim dhe të bënim kujdes, se atë që do të thonin ata, do të na e përkthente mësuesi, ndërsa atë që do të thonim neve, do ta përkthente po ai për italianët. Në atë moment tepër të çuditshëm për mua, për vetë atë që po dëgjoja, - se në këtë dynja paskësh njerëz që nuk flisnin shqip, - pyeta plot çudi se, “po për të qeshur, a qeshin shqip italianët?”. Kjo ndërhyrje imja mbeti e paharruar përjetë nga shokët e mi të asaj shkolle.
Ju thoni se e pritët italianin me ceremoni?
Ishte mendimi i një pjese të njerëzve, por duhet të kemi parasysh gjithashtu se jo të gjithë luftuan apo e përkrahën Lëvizjen Nacional-Çlirimtare, por që pati dhe shumë të tjerë që u përzien me luftën kundër pushtuesit. Madje u krijuan shumë çeta dhe batalione partizane.
Zoti Mark, pavarësisht se fola diçka, unë do t’ju lutesha si fillim të flisnit personalisht diçka për vendlindjen tuaj.
Pothuajse e përmendët plotësisht juve, megjithatë po ju përsëris se unë kam lindur në Naraç (Mnelë) të Mirditës në vitin 1926 dhe tani i bie të jem faktikisht 86 vjeç, por që unë e konsideroj veten gjithmonë 40 vjeç, se, që ta dish ti, - këtë nuk ta them për ta shkruajtur, - në jetën time kam festuar vetëm dyzetvjetorin dhe asnjë ditëlindje tjetër. Kështu që, siç më sheh, (tregon fizikun e tij që është tepër energjik), më duket se nuk kam gabuar, por aq kam mbetur.
Keni qenë në luftë?
Po, kam qenë. Që në vitin 1942, ku kam qenë pjesëmarrës si i ri komunist në çetën partizane Pukë - Mirditë. Më pas, në batalionin “Perlat Rexhepi” të Pukës. Kjo më bëri që të futem me dëshirë në organet e Sigurimit të Shtetit, për të mbrojtur ato që kishim marrë me gjak.
Pra, pushtetin komunist?
Po. Atë ideal kishim ne, për atë luftonim dhe pak rëndësi kishte nëse ishe komunist apo ballist, pasi ai pushtet iu mor me gjak pushtuesit dhe nuk mund ta linim që të përdhosej.
Zoti Dodani, jeni penduar ndopak që i keni shërbyer me devotshmëri shtetit komunist?
Unë nuk luftoja thjesht për sistemin komunist, por për njerëzit dhe popullin, dhe për këtë kemi qenë shumë idealistë. Mund ta keni mësuar se unë nga kjo luftë e pamëshirshme dhe që quhej “e ftohtë”, kam humbur babain dhe vëllain, të dy shumë të rinj.
Kush jua vrau?
Bandat e “Komitetit të Maleve”, që luftonin për të përmbysur pushtetin dhe këtë e filluan nga njerëzit tanë më të afërt.
Kush ishit juve?
Ne ishim njerëzit që vumë në kokë qefinin e vdekjes dhe thamë, “o ne, o ata”. Kështu, u betuam që të mos i linim kriminelët të bënin çfarë të donin mbi fshatrat e malësisë. Sepse po e pësonin njerëzit e thjeshtë e të pambrojtur deri dhe gratë, të cilat vriteshin pa kurrfarë hezitimi. Por detyra jonë në organet e Sigurimit nuk ishte vetëm të vrisnim njerëzit që ishin anëtarë të këtyre bandave. Këtë detyrë e kishim vetëm për kriminelët që kishin larë duart me gjak dhe nuk dorëzoheshin, ndërsa për të tjerët kishim detyrë që mes amnistish, që kërkonim herë pas here, të ktheheshin në shtëpi, pasi ishin të gënjyer dhe se kishin frikë se mos u ndodhte gjë.
Çfarë kontingjenti ishin këta?
Këta ishin njerëz që për një arsye konflikti apo frike se mos burgoseshin, e të tjera arsye që ishin nga më të ndryshmet, kishin rënë viktimë e strehimit në bandat e shumta, me të cilat ishte mbushur veriu i Shqipërisë. Shërbimi i Sigurimit të Shtetit, këtyre njerëzve, kishte për detyrë t’u thoshte që të mos gjenin strehë te vrasësit, se kishin fëmijë dhe ata i prisnin që t’i rrisnin. Ka qenë luftë e madhe për jetë a vdekje, por që më shumë anonte nga vdekja. Mundësitë për të jetuar ishin shumë të vogla, sepse ishte një terror i paimagjinueshëm. Përditë na vriteshin shokë, kolegë dhe shumë njerëz të tjerë, që ne nisnim t’i vinim në shërbimin tonë. Kini parasysh se në “Komitetin e Maleve” kishte organizata shpagimi, të cilat vrisnin ata që vendosnin në listë.
E kush vendosej në listë?
Në listat e Komitetit, që do të vriteshin nga organet e shpagimit, ishin vënë të gjithë komunistët e zonës, njerëzit që kishin ndihmuar luftën, si dhe kuadrot e lartë të shtetit që vepronin në zonat e veriut. Kështu, për shembull, u vra shoku ynë Bardhok Biba, apo shumë e shumë të tjerë që nuk po ua përmend emrat.
Konkretisht, kur filloi jeta juaj në shërbimin e fshehtë?
Unë kam qenë i lidhur me shërbimin e fshehtë që në kohën e luftës partizane. Atëherë unë kam shërbyer në SH.I.L, që do të thoshte Shërbimi Informativ i Luftës, i cili është themeluar në 20 mars të vitit 1943. Më pas kam qenë në të njëjtin sektor, por që quhej SEMP (Sektori i Mbrojtjes së Popullit).
Me çfarë merreshit konkretisht në këtë shërbim?
Si partizan hyja ilegalisht në Shkodër, ku takoja komunistë të shquar, anëtarë të grupeve të njësiteve guerile. Në kohën që u çlirua Puka, më 20 nëntor të vitit 1944, unë isha sekretar politik i Komitetit të Rinisë Komuniste të nënprefekturës së Pukës.
Kur e konstatuat për herë të parë se ishit përcaktuar nga Sigurimi që të punonit në radhët e tij?
Ka qenë Kongresi i Dytë i Rinisë Antifashiste Shqiptare. Ishte saktësisht muaji prill i vitit 1945. Kongresi u zhvillua aty, ku sot është korpusi kryesor i universitetit. Unë, si sekretar politik i Rininë Komuniste të Pukës, duhej që sipas protokollit të flisja patjetër. Mirëpo menjëherë, para seancës, më takon Nako Spiru dhe më thotë që në materialin që do të lexoja unë në emër të Komitetit të Rinisë së Pukës, të mos përdorja emrin tim, por të dikujt tjetër. Kështu që në diskutim regjistrova emrin e Idris Metit, që ishte një shoku im.
Nga kjo e kuptuat që ishit përfshirë nga organet e Sigurimit?
Patjetër. Ajo, jo vetëm që u la të kuptohej, por zëre se po më thuhej copë. Ndërkohë, dihej se unë me punët e Sigurimit kisha njëfarë eksperience, si shumë të tjerë që e kishim filluar më herët, që kur kemi qenë në luftë, në çetën e zonës Pukë - Mirditë dhe më pas në batalionin e Pukës. Atëherë unë kam shërbyer në SH.I.L dhe më pas kalova në SEMP.
Si vijuan më tej ngjarjet?
Si mos më keq. Dy muaj pasi kisha folur në Tiranë, më vranë babain, Llesh Dodanin, që ishte vetëm 43 vjeç, dhe vëllain, Preng Dodanin. Saktësisht data ishte 24 qershor 1945, kur m’u vranë njerëzit e shtëpisë.
E mësuat kush t’i vrau? Siç thashë dhe pak më parë, ata m’i vranë bandat e “Komitetit të Maleve”, duke ngarkuar personalisht Preng Bardhokun.
Kush ishte Preng Bardhoku?
Ai “de jure” ishte anëtar i Partisë Komuniste. Ishte njeri që me mënyrën e të sjellurit, kishte fituar besim absolut te komisari i Komandës së Vendit në Vaun e Dejës, Fadil Adem Hoxha. Por me këtë mënyrë, siç u vërtetua më pas, ai kishte mundur të kamuflohej mirë, pasi ishte agjent i “Komitetit të Maleve”. Me ndihmën e komisarit arriti të bëhej dhe komandant i Komandës së Vendit në Vaun e Dejës. Kështu që kur erdhi momenti, ai zbatoi urdhrin e “Komitetit të Maleve” për të vrarë babain dhe vëllain tim në lulen e jetës.
Kush ishte “Komiteti i Maleve” dhe si vepronte ai?
Komiteti i Maleve përbëhej nga shumë banda, që vepronin në zona të ndryshme të malësisë dhe arrinin deri në Vlorë. Këto ishin grupe apo banda të veçanta që vepronin në zona dhe territore të caktuara, duke u drejtuar nga një bërthamë e tillë, e përbërë nga komandantët e grupeve të veçanta. Kështu, bandat e “Komitetit të Maleve” drejtoheshin, për shembull, njëra nga Mark Gjon Markaj, tjetra nga Muharrem Bajraktari, nga Fiqiri Dinja i Dibrës, Banda e Macukullit që drejtohej nga Bilal Kola, duke vazhduar në Lekbibaj që drejtohej nga Nik Sokoli, duke u shtrirë në jug me Bandën e Labërisë që drejtohej nga Lahe Nurja nga Vlora. Ndërkohë, bërthama nga vareshin këto banda, përbëhej nga Mark Gjon Markaj, si kryetar, dhe nga zv/kryetarët Muharrem Bajraktari, Markajak Bajraktari, Pashuk Biba, Gjon Dodani, etj.
Kush ishte ky Gjon Dodani që paska mbiemrin tuaj?
Ishte xhaxhai im. Saktësisht ishte kushëri i parë i babait dhe ishin bërë vëllezër të dy, se Lleshi, babai im, nuk kishte vëlla.
Pra, me sa përmendët më lart, Gjoni ishte një nga personat drejtues të “Komitetit të Maleve”!?
Po, dhe e dinte që Lleshi ishte dënuar nga ky Komitet për t’u vrarë dhe nuk foli që ta mbronte, por heshti.
Pse?
Se Lleshi, pra im atë, ishte kryetar i Këshillit Nacional-Çlirimtar të fshatit, i krijuar që në nëntor të vitit 1944, dhe kishte heshtur kur Gjonin e kërkonin forcat e ndjekjes. Kështu që dhe Gjoni heshti kur im atë kërkohej nga bandat e “Komitetit të Maleve”.
Pse jua vranë babain dhe vëllain?
Babai im ishte kërcënuar që gjatë pushtimit, - se mbante anën e Luftës Nacional-Çlirimtare, aq më shumë që unë isha partizan, - se do t’i digjnin shtëpinë dhe do ta shfarosnin. Në fakt, duke përfituar nga një konflikt që kishim si familje, shtëpinë na e dogjën vërtet, duke u munduar të maskohej si e bërë nga rezultati i konfliktit që ishte krijuar mes fisit tonë.
Ç’bëtë pas vrasjes së babait tuaj?
Gjon Dodani, xhaxhai im, që ta shpjegova më lart, ishte në “Komitetin e Maleve”, megjithëse heshti kur Komiteti mori vendimin të vriste babain dhe vëllanë tim; e vuante vdekjen e tij. Ai nuk mundi të rrinte në qetësi, pasi, sido që të ishin bindjet politike, iu dhimbs vdekja e tim eti, se ishin rritur bashkë dhe kishin jetuar në një çati. Kështu, në këtë situatë psikologjike ai dërgoi një person për të më treguar se kush ishte vrasësi i vërtetë i njerëzve të mi. Ky person që më dërgoi Gjoni, ishte një ish-toger i fashizmit gjatë kohës së luftës, dhe më pas, kur e morën pushtetin komunistët, kaloi në bandat e “Komitetit të Maleve”, pikërisht në bandën e xhaxhait tim, pra Gjonit.
Pse të njoftoi Gjoni për këtë gjë?
Ai më njoftoi për të më treguar se kush ishte vrasësi, me qëllim që unë ta kisha të thjeshtë që ta merrja hakun që më takonte për babain.
Konkretisht, si shkoi takimi me “Kosian”, kur juve ju ndanin dhe bindjet politike?
Këtu hynte dashamirësia dhe flitej për vëllazëri. Mbaj mend që “Kosia” më tha: “Ti je djalë i ri dhe ke nevojë të marrësh hak. A e di kush ta vrau babën?”. “Po, - iu përgjigja, - ma vrau Preng Bardhoku”. Ai ndërkohë m’u përgjigj se ishte e vërtetë dhe se Preng Bardhoku nuk kishte qenë vetëm. “Ai tani është arratisur dhe ka ardhur në mal te ne. Më ka thanë axha yt, që unë të të ndihmoj të të tregoj vrasësin. Unë jam mik dhe besnik i axhës tënd, se burrë më të lartë, besa e zotit, s’ke ku me e gjet. Kështu që unë jam gati të ta marr hakun e Llesh Dodanit, në qoftë se ti e merr në krrabë hakmarrjen. A je i gatshëm?”.
Si ishte fjala “e merr në krrabë”?
Kishte kuptimin që, po ta vriste ai, a e merrja unë përsipër atë hakmarrje, pra që të pranoja që “Kosia” ishte i vënë nga unë për të marrë hakun e Lleshit. Unë menjëherë iu përgjigja, se jo vetëm që e marr përsipër, por i ngelem borxhli tërë jetën. Ku ta gjeja një njeri kaq të mirë, që më përgjigjej me kaq dashamirësi?! Dhe ç’është e vërteta, u bëmë miq e kaluar miqsh.



Mark Dodani: Bandat e Mirditës urdhëruan vrasjen e Mehmet Shehut
Nga Fatos Veliu


Mark Dodani është njëri prej eksponentëve kryesorë të Sigurimit komunist, të cilit i kushtoi gjithë jetën e vet, duke u përfshirë që nga periudha e luftës partizane kur u krijua ky shërbim. Ai me veprimtaritë e tij, u bë një nga njerëzit me tepër efikasitet në radhët e këtij Sigurimi, duke vendosur kështu lidhje direkte për punën e vet me drejtuesit qendrorë të Sigurimit komunist, si Mehmet Shehun dhe Kadri Hazbiun. Biografia e tij e punës është ndërtuar kryesisht në luftën e madhe që është bërë nga Sigurimi i Shtetit me bandat e “Komitetit të Maleve” që vepronin në zonën e veriut, të cilat luftonin në një organizim të përsosur për të rrëzuar me çdo formë, mënyrë dhe mjet sistemin komunist të drejtuar nga Enver Hoxha. Nga numrat e kaluar keni lexuar pikërisht se si hyri Mark Dodani në këtë shërbim. Vrasja e babait dhe vëllait të tij, pas një aktivizimi në Kongresin e Dytë të Rinisë Antifashiste në Tiranë. Hakmarrja që vendosi ta bënte në emër të shtetit me ndihmën e Sigurimit, duke përdorur një lojë të gjatë të miratuar që nga Tirana. Kur e dëgjoi për herë të parë emrin e Kadri Hazbiut dhe si u gjend papritur ndër emrat më të besuar të Sigurimit të Shtetit për operacionet më sekrete që ndërmerrte Ministria e Brendshme. Mënyrat e Sigurimit për të përçarë dhe eliminuar bandat e maleve dhe si bënin të mundur futjen e njerëzve të vet në radhët e tyre.
Ndërkohë, në vijim të intervistës së tij, Mark Dodani dëshmon për urdhrin e marrë për të bërë kontaktin e fundit me bandat në veri dhe thirrja që duhej t’u bënte atyre. Si e mësoi lajmin e tmerrshëm, se “Komiteti i Maleve” kishte dënuar me vdekje Mehmet Shehun. Fakti dramatik, kur kolegu i Mark Dodanit u ngatërrua nga bandat me Mehmet Shehun. Si arriti ai t’i shpëtonte plumbit që i ishte bërë gati. Gjithçka do mësohet, në intervistën e mëposhtme të vetë zotit Dodani.



Zoti Dodani. Le të flasim hollësisht për punën tuaj në strukturat më speciale të Ministrisë së Punëve të Brendshme të shtetit komunist, kur dihet se të arrije aty, kërkohej një besim absolut nga të gjitha strukturat e ingranazhit të sofistikuar të atij shërbimi. Në lidhje më këtë, unë do të doja të dija se kur shkuat saktësisht me emërim në atë ministri?

Nga fundi i vitit 1948, si kisha shpëtuar me ndihmën e Hysni Kapos nga vrasja që më ishte organizuar nga Koçistët, u emërova në dikasterin e Ministrisë së Punëve të Brendshme. Mirëpo kjo nuk i pëlqeu shumë sekretarit të parë të Mirditës, Bardhok Biba. Ai donte që ne, djemtë e Mirditës, të mos largoheshim nga vendi ynë, se aty mund të ishim shumë të efektshëm, pasi njihnim mentalitetin, zakonet dhe njerëzit e zonës. Kështu që, Bardhoku shfrytëzoi një mbledhje të Komitetit Qendror dhe takoi Kadri Hazbiun. Mirëpo kërkesës së Bardhokut, Kadriu iu përgjigj menjëherë se, nuk kishte forcë në këtë emërim, pasi ishte porosia e Mehmet Shehut, prandaj ta linte këtë problem të mbyllur.
Ku synonte puna juaj në atë kohë? Puna jonë si specialistë në dikaster u përqendrua te problemi dhe lufta e madhe që duhej të bënim ndaj bandave, të cilat po përfshinin shumë njerëz nga dita në ditë. Të shumtët arratiseshin për t’u shpëtuar konflikteve që kishin krijuar. Ky kontingjent kryesisht kërkonte ndihmën dhe mbrojtjen e Sigurimit të Shtetit. Ishte kjo situatë që doli si detyrë emergjente, që unë dhe shefi im i asaj kohe, Idriz Seiti, të shkonim në Mirditë si të ngarkuar të Ministrisë së Punëve të Brendshme për të marrë kontakt me bandat.
Çfarë do të bënit konkretisht në banda? Nëpërmjet një amnistie të miratuar ato ditë, kishim detyrë të takonim dhe të tërhiqnim sa më shumë njerëz nga bandat, - ata që nuk kishin bërë krime, - që të ktheheshin në shtëpitë e tyre. Kjo ishte një punë e madhe, që do të bëhej me ndihmën e fuqishme të këshillave të fshatrave dhe të njerëzve patriotë me influencë. Detyrë tjetër, e ngarkuar direkt nga Kadri Hazbiu, ishte që të zbulonim organizimin e grupeve të bandave dhe si vepronin ato në drejtim të larjes së hesapeve me njerëzit e shumtë që kishin vënë në lista, të cilët bëheshin më pas objekt i organeve të shpagimit të këtyre bandave. Më kryesorja ishte detyra specifike e njerëzve të strehuar në banda, të cilët donin me patjetër që pushtetin ta merrnin me dhunë, ku në qendër të veprimtarisë së tyre kishin terrorin në popull.
Si e organizonin këtë terror?
Thjesht fare. Ata vrisnin njerëz të piketuar që kishin ndihmuar luftën. Vrisnin njerëz që ishin anëtarë partie, madje dhe në qoftë se ishin të thjeshtë. Por më e tmerrshmja ishte se, në shumë njerëz bënin tortura, që i kalonin logjikës njerëzore. Kështu kishin arritur të torturonin dhe të vrisnin gra e vajza përparimtare, që edhe të t’i kujtoj, s’ka nevojë, se tashmë dihen. E pra, ky ishte objekti i punës sonë: Të shuanim këtë revansh që kishte shpërthyer tek kaçakët e maleve.
Shkuat në Mirditë pas urdhrit që morët?
Po. U paraqitëm për koordinim dhe bashkëpunim, direkt e në zyrën e Bardhok Bibës. Ai sa na pa, kujtoi se mos unë isha kthyer në Mirditë sipas kërkesës që ai kishte bërë te Kadri Hazbiu. “Hë, erdhët?, - na tha. - E dija që do të vinit, se kisha folur me shokun Kadri”. “Erdhëm, - ia ktheva unë, - por këtë herë unë nuk ju kam shef juve, por Idriz Seitin. “Mirë, mirë, – tha. - E di që keni ardhur për Sigurimin, por edhe ai për partinë punon”. Unë i tregova detyrën e posaçme që më ishte ngarkuar nga Kadri Hazbiu, madje dhe me dijeni të Mehmet Shehut. Bardhoku u kënaq në mënyrë të jashtëzakonshme. Kuptova se gjithçka e kishte, që Tirana nuk e linte në harresë Mirditën, por e mbante në konsideratë të vazhdueshme. “Nga do t’ia fillosh?, - më tha”. “Nga njerëzit e mi, nga fisi im fillimisht”, - iu përgjigja. Kështu, u ndava me të, duke marrë urimet për detyrën e vështirë që do të kryenim dhe ndërkohë, duke shprehur gatishmërinë e tij në rast nevoje.
Si e filluat aktivitetin?
Para se të fillonim takimin me njerëzit e bandave, erdhi për koincidencë edhe vetë Mehmet Shehu. Siç duket, për të elektrizuar situatën në favor të shtetit, për vetë gjendjen e vështirë që ekzistonte në atë zonë. Mehmeti, sipas planit të bërë më parë bashkë me Bardhok Bibën, bëri një miting në Shpal (Mirditë). Ndërmjet të tjerash ai bëri dhe prezantimin e misionit tim, duke thënë:
“Këtu ju kam dërguar Mark Dodanin, për t’ju ndihmuar për qetësimin e situatës, për problemet dhe konfliktet që keni me bandat. Ai do të arrijë atë që i kërkohet këtu, kur të ndihmohet mirë dhe fuqishëm nga të gjithë”.
Ju, u ndodhët në miting?
Ku më tepronte koha mua në këtë mënyrë! Pastaj, me se do të shkoja aq larg dhe si do të zhvendosesha menjëherë në një zonë tjetër?! Gjithsesi, në ato momente ndodhi një peripeci e madhe, gjë që më ngeli mua mbi kurriz dhe që ma vështirësonte shumë punën.
Çfarë peripecie?
“Komiteti i Maleve” siç quhej, apo i bandave të themi për t’u kuptuar më mirë, duke parë se nga ana e shtetit po intensifikohej një punë e madhe kundër tyre, duke parë se Mehmet Shehu e elektrizoi shumë situatën në disfavor të tyre, morën vendim për ta vrarë. “Të vritet Mehmet Shehu me patjetër, kudo që të ndodhet!”, - ishte vendimi i prerë i tyre.
Po si do të mund ta zbatonin këtë urdhër, kur Mehmet Shehu kishte ikur?
Kjo është peripeci tjetër. Pikërisht këtu qëndron gjithë meseleja, se ata e dinin që ai nuk do të ikte dhe meqenëse kishte përmendur emrin tim, kujtonin se do të vazhdonte të punonte me mua, duke u ulur gju më gju me njerëzit.
Pse, njiheshe mirë ti nga bandat?
Si emër po. Ndërkohë më njihnin shumë edhe si fytyrë, pasi shumë prej tyre i kisha pasur shumë shokë që në fëmijëri, apo që në shkollën e Oroshit. Kështu u ndamë atëherë: Nga shokë të ngushtë që kishim qenë dikur, më pas e kërkonim njëri-tjetrin në vrimë të miut, apo i punonim njëqind e një rrengje për ta futur në grackë. Ç’ta zgjasim, se këto janë gjëra të njohura.
Dhe si vepruan?
Që në atë moment, kur u mor vendimi për t’u vrarë Mehmet Shehu, u caktuan njerëz që ta bënin një gjë të tillë. E veçantë dhe paksa humoristike ishte fakti se kolegu im i Sigurimit, Idriz Seiti, mendohej nga të gjithë se ishte vetë Mehmet Shehu. Kështu që filluan të më ndiqnin mua, që të gjenin Mehmet Shehun.
Pse, nuk njihej Mehmet Shehu në publik?
Njihej, por sidoqoftë, jemi në vitet e para pas çlirimit dhe mendja vizive nuk ishte e hapur masivisht. Aq më shumë që Idriz Seiti ngjet shumë me Mehmet Shehun. Po ta shikoje atë jo me shumë vëmendje, aq më tepër për njerëz që nuk kishin qenë afër tij, të ngjante me të vërtetë sikur ishte Mehmet Shehu. Më shumë për këtë gjë ndikoi dhe fakti që Mehmet Shehu kishte folur për emrin tim gjatë mitingut në Shpal dhe të gjithë mendonin, se ne ishim shokë dhe bashkëpunëtorë të përditshëm, se ai kishte ardhur si ilegal me mua. Mentalitetet e zonave të largëta janë të çuditshme.
Si vepruan?
Unë, siç të thashë më lart, kur fola për Bardhok Bibën se punën do ta nisnim nga njerëzit e fisit tim, apo si të thuash nga miqtë e trungut tonë të familjes, shkuam në fshatin Dom të Mirditës (tani është i Pukës) dhe bujtëm në shtëpinë e Llesh Dedës, që është konkretisht i fisit të Bibajve, pra i një fisi me ne. Aty fola me Lleshin për misionin tim që më ishte ngarkuar nga Tirana, pa ditur gjë se unë po kërkoja bandat për të biseduar, ndërkohë, po kërkohesha edhe prej tyre për të më vrarë “Mehmet Shehun” që kisha në krah, (Idriz Seitin). Dhe kjo nuk zgjati shumë, por përplasja e parë u bë që të nesërmen.
Si ndodhi?
Ndërsa rrinim në shtëpinë e Lleshit, aty erdhi na takoi njëri, që ishte anëtar i bandave të maleve. Quhej Zef Përpjetri. E kisha pasur shumë shok që në shkollën e Oroshit, ku kishim qenë bashkë. Ne kujtuam se erdhi për të biseduar me mua për sa i përkiste pendimit të tij, apo për ndonjë propozim a gjë tjetër. Mësuam se kishte ardhur jo në emrin e tij, por në emër të “Komitetit të Maleve” dhe kishte detyrë të veçantë për të kryer. Zefi, si u shtrua në muhabet, m’u drejtua mua disi në konspiracion: “Ne, meqë të kemi njeri të njohur të fisit, pra të kemi gjak, aq më shumë që je në shtëpinë e Llesh Dedës, duam të ta kursejmë jetën. Vendimi ynë është që të vrasim Mehmet Shehun që ti po e shoqëron, dhe mos kujto se keni mundur ta maskoni. Prandaj, që të mos të të ha në besë, po të them që të mundohesh të ndahesh nga ai. Në të kundërt, po të themi se jo vetëm ti, por edhe Lleshi, apo kushdo që ka qejf të rrijë me të, nuk do të mundë të shpëtojë dot nga vdekja”. Atëherë unë ia ktheva: “Dëgjo mirë dhe mos merr flakë si kashta. Se kush është ky, s’ka rëndësi. Por ne kemi ardhur si burrat këtu dhe jo të fshehur. Dhe ashtu siç është detyra juaj që të vrisni Mehmet Shehun, po ju tregojmë detyrën tonë, që ka të bëjë me takimin me të gjithë ju. Qëllimin e kemi për t’ju dalë borxhit, që t’ju bëjmë edhe njëherë thirrje që, kush s’ka bërë krime, të kthehet në shtëpi. Ne do t’i dalim garant për ta mbrojtur. Në të kundërt, duhet të dish një gjë, ti dhe kush të ka ngarkuar ty, që na ndan një rrugë: O t’ju vrasim, o të na vrisni!”.
Pse nuk iu treguat që shoku juaj nuk ishte Mehmet Shehu?
E para, po t’ua thoja, do të mundohesha kot, se nuk do të më besonte njeri, pasi do të mendonin se e thoja për t’i mashtruar nga frika. Ndërsa e dyta është që, le të mendonin si të donin, unë doja t’i jepja njëfarë rëndësie vetes, se shoqërohesha me njerëz të mëdhenj të qeverisë dhe se ato që iu premtoja, nuk do të viheshin në diskutim, për vetë mbështetjen që gëzoja nga shteti.
Pse nuk e arrestuat?
Ne mund ta arrestonim kur të donim, por qëllimi ishte gjetkë dhe s’ishte për të arrestuar një njeri. Në radhë të parë, donim që ai t’u çonte fjalë shokëve të bandave për sa po i tregonim, dhe e dyta ishte se, kishim qëllim që ta vinim në shërbimin tonë.
A pranoi më pas të vinte në shërbimin tuaj?
Absolutisht jo. “Çdo gjë pranoj, - tha, - vetëm që t’i shërbej Sigurimit tuaj nuk pranoj kurrë”.
Si e pati përfundimin ai?
Në burg.
Patët kërcënim tjetër?
Si s’patëm. E di ç’do të thoshte të vinte detyrë emergjente “Komiteti i Maleve” që të vritet Mehmet Shehu dh e që të kujtohet si Mehmet Shehu, ai që ti ke në krah?! Llesh Deda, i zoti i shtëpisë ku kishim bujtur, mori përsipër që të na ndihmonte në punën tonë, duke na bërë të mundur takime me pjesëtarë të ndryshëm të bandave. Kështu, më pas, ai na takoi në fshatin Kimëz me një të arratisur tjetër që quhej Pjetër Kimza, i cili më vonë përfundoi në Amerikë. Mbaj mend mirë që atë takim e kemi bërë te një mulli. Ai, sa na takoi, tha: “Unë e shikoj që ti ke ardhur me Mehmet Shehun; e di dhe urdhrin që kam marrë unë apo të gjithë ata që e takojnë apo e shikojnë, që ta vrasin në vend. Këtë besoj se e dini dhe ju. Por unë po ju them gjithashtu, se e mora vesh dhe qëllimin që kishit, kur më bëtë haber të vija te ju. Megjithatë, unë ju them se personalisht nuk do të ngre pushkë mbi ju, por edhe me ju nuk do të bëhem sa të jem gjallë”.
Po si mundët të shpëtonit nga ndonjë plumb, kur ishte dhënë një urdhër i tillë?
Po edhe mund të vriteshim dhe kjo mund të ndodhte në çdo çast. Madje unë i thoja me shaka Idrizit, - që e kujtonin të gjithë se ishte Mehmet Shehu: “Idriz, do ta hash në ndonjë çast, por është mirë që të më lësh porositë, para se të na lësh shëndenë”. Ai më kthehej po me të njëjtën shaka, që, “Po e hëngra unë, mos kujto se do të shpëtosh ti që je shoqëruesi i ‘Mehmet Shehut’”. Ne kthim mbrapa nuk dinim, sido që të komplikoheshin situatat. Sigurisht, marrja e sinjalit që ishim vënë në shënjestër për t’u ekzekutuar, na ndihmoi që të mbroheshim dhe të siguroheshim në baza të mira, duke thërritur në takime banditë të shoqëruar nga njerëz të njohur dhe duke përdorur normat morale të besës. Megjithatë, ishte një stres dhe tension i madh të punoje në ato kushte, kur në çdo moment mund të të fishkëllente plumbi, kur s’e kishe në mendje.
Rezultati i atij misioni tepër të vështirë?
Atë unë e konsideroj një aksion me rezultate të shkëlqyera. Qindra e qindra anëtarë të bandave që ishin arratisur, duke u gënjyer apo nga ndonjë frikë tjetër, u kthyen në shtëpi. Këtu sigurisht nuk është vetëm kontributi ynë, por i shumë shokëve, që i kishin ngarkuar për të njëjtin qëllim. Sidomos vlerën e veçantë në këtë mision e ka Bardhok Biba. Sigurisht, në këtë kontekst, ne kemi punën tonë modeste dhe vetëm kaq. Ndërkohë, për shumë të tjerë që nuk dorëzoheshin dhe kishin dhënë prova të padiskutueshme si kriminelë, ne shfrytëzuam konfliktet që kishin mes tyre dhe që i njihnim mirë, për të bërë të mundur acarimet e situatave dhe si përfundim të kalonin në vrasjen e njëri-tjetrit.
Ka shumë viktima të kësaj kategorie?
Plot. Thonë se në këto forma është arritur deri te vrasja e Llesh Gjon Markajt, që ishte i biri i Gjon Mark Gjonit.
Pse e jep të pasigurtë; ti, a nuk ishe në këto procese të Sigurimit?
Unë të bëj të ditur fjalën “thonë”, kur flitet për Gjon Markajn, se jo për çdo gjë kisha dijeni dhe se jo në çdo vend isha i pranishëm. Unë kisha dhe shumë shokë të tjerë, prandaj nuk i di mirë të gjitha gjërat. Për ato që isha kompetent, po të tregoj, madje me ndërgjegje shumë të qetë.


Mark Dodani: Beqir Balluku na vuri në dispozicion Alfred Moisiun
Nga Fatos Veliu

Mund të bëjmë zoti Dodani një rezyme të shkurtër për atë çfarë dëshmuat dje në lidhje me zbulimin e grupit agjenturor të Devollit në shërbim të Asfalisë Greke dhe paskësaj të vijojmë më tej me subjektin e asaj ngjarjeje?
Sigurisht që mund të përsëris diçka sa për kujtesë. Ju tregova se ka qenë viti 1959. Në zyrën e Kadri Hazbiut vjen një informacion misterioz dhe tepër alarmant. Në zonën e Devollit kishte të dhëna se Asfalia (zbulimi i fshehtë grek) kishte organizuar një rezidenturë të sofistikuar kundër pushtetit popullor. Ky informacion u sigurua nga kundërzbulimi i rrethit të Korçës dhe iu transmetua Kadri Hazbiut nga vetë Kryetari i Degës së Punëve të Brendshme të rrethit të Korçës, Jani Naska. Në informacionin e siguruar nga kundërzbulimi i Korçës, bëhej i ditur një fakt që për ne ishte tepër i rëndësishëm. Ky ishte fakti se informacioni i siguruar kishte arritur që pak a shumë të kishte edhe të dhëna për rezidentin që ishte vetë komandanti i kufirit të zonës së Braçanit në Devoll, i quajtur Jani Zoga. Po ashtu, diheshin edhe emrat e dy prej anëtarëve të atij grupi. Këta njerëz që ishin në shërbim të kësaj organizate në dispozicionin të Asfalisë greke, paguheshin me rroga tepër të majme nga ai shërbim. Ne si grupi special i sigurimit filluam të zbatonim në kohën e duhur, planin e hartuar në moment nga Kadri Hazbiu, pasi ai kishte aftësi të jashtëzakonshme për të vlerësuar situatat dhe për të dhënë udhëzimet mbi to, me një operativitet të mahnitshëm për çdo situatë, sado e vështirë që të ishte. Ne arritëm, pas një jave pa gjumë dhe me stres të madh, të merrnim një informacion tjetër për anën financiare që kishte në dispozicion grupi. Gjithashtu saktësisht mësuam se misioni i tij ishte që të lidhej me Asfalinë për të bërë të mundur që në vendin tonë të vinin diversantë për të kryer veprimtari antishqiptare.
I arrestuat?
Absolutisht jo. Në punën tonë vlerësohen të gjithë elementët para se të bëhet veprimi i fundit. Ne, megjithëse i kishim konstatuar anëtarët e tij, vepronim me mjeshtëri, duke mbledhur fakte të tjera dhe për të zbuluar elementë të tjerë.
Thatë diçka nga numri i kaluar se njerëzit e këtij shërbimi kishin shpërblime të majme nga misioni grek për shërbimet që bënin. Do të dëshiroja për interes të lexuesit të mësoja konkretisht se sa ishte vlera që paguheshin anëtarët e grupit?
Në dispozicion të tyre, - që administroheshin nga Jani Zoga dhe Zenel Tarolli, - ishin mbi një milion lekë të asaj kohe.
Si një milion?
Ato lekë sigurisht që i kishin për momentin që hetohej ngjarja. Po t'i konvertosh me vlerat e sotme, merre me mend sa kishin. Me këto para, paguheshin anëtarët e kësaj organizate.
Si vepruat më tej?
Megjithëse arritëm të siguronim shumë të dhëna, sërish kishim enigma që na shqetësonim. Njëra prej tyre, madje do ta quaja më e veçanta dhe e rëndësishmja, ishte se si e bënin të mundur ndërlidhjen me Shërbimin Grek. Këtu ishte fjala që jo vetëm me radio-transmetuese, por në raste të tilla përdorin dhe shumë mënyra të tjera. Megjithatë fillimisht iu vumë punës për të gjetur radio-ndërlidhjen. Kishin kaluar 7-8 ditë që kur kishim shkuar nga Tirana dhe kishim nisur punën, kur filluam punën për hapin e fundit.
Përse me patjetër duhej gjetur radio-ndërlidhja, kur ju kishit grupin dhe mund ta arrestonit?
Ne, duke gjetur radio-ndërlidhjen, do të merrnim të gjitha mënyrat e komunikimit dhe pastaj arrestonim grupin një e nga një në fshehtësi të plotë dhe fillonim e vinim në shërbimin tonë. Në këtë rast zbulimi grek do të vazhdonte komunikimin dhe këta agjentë do të kthenin përgjigje në praninë tonë.
Pra do të futeshit në lojë me Asfalinë greke?
Patjetër. Ne kemi hyrë shumë herë në lojë me shërbimet e huaja, jo vetëm me grekët por dhe me shërbime të vendeve me eksperiencë në këtë drejtim. Këtë ti e di mirë, se e pranoi humbjen para shërbimit shqiptar dhe vetë Toni Bleri.
Mundët ta gjenit radio-transmetuesen?
Në fillim morëm informacionin shtesë për këtë çështje. Këtë e bëmë të mundur nëpërmjet agjentit tonë, që bënte të mundur kontakte me anëtarë të veçantë të bandës dhe kishte siguruar miqësinë e tyre. Në një farë mënyre ai quhej i pranuar në radhët e kësaj organizate. Konkretisht mësuam se radioja ishte vendosur në fshatin Braçan, dhe pikërisht ishte futur nën tokë në bahçen e një personi që ishte anëtar i grupit agjenturor në shërbimin grek. Këtu ishte një vështirësi tjetër, që të mos na kuptonim se çfarë kërkonim, pasi të thashë që në fillim se po të merrej vesh se ne kishim rënë në gjurmë të grupit, ata merrnin masa dhe neve na binte efikasiteti. Por për të gjetur radion na duhej një specialist i fushës së xhenios në ushtri, pasi të thashë që radioja ishte futur nën tokë.
E morët?
Për këtë i kërkojmë Kadri Hazbiut, - të cilin e informonim në çdo moment për sa arrinim, - që të na dërgonte një specialist xhenier që të kërkonte nën tokë me pajisjet e mina-kërkueseve. Kadri Hazbiu, me seriozitetin që merrte çdo gjë, i kërkoi urgjent ministrit të Mbrojtjes, Beqir Balluku, një nga specialistët më të mirë të fushës së xhenios që kishte ushtria shqiptare, pasi duhej për një detyrë tepër speciale në shërbim të Sigurimit të Shtetit. Pas kësaj ndërhyrjeje, që të nesërmen na vjen në Korçë një oficer i xhenios që quhej Alfred Moisiu (ish-Presidenti i Republikës).
Ju, e njihnit më parë Moisiun?
Personalisht unë e njoha për herë të parë aty. Mësova që ishte i biri i Spiro Moisiut, pra i një familjeje tepër të njohur në Shqipëri. Megjithatë, që nga ai moment kur ne punuam aty, u bëmë shumë miq.
E gjetët radion pas kësaj?
Këtu është një histori më vete. Ne të gjithë shkuam në fshatin Braçan ku ishte fshehur radioja, të maskuar si fshatarë për të mos u kuptuar që ishim njerëz të Sigurimit. Shkuam në bahçen që kishim të dhënat, duke u paraqitur si punonjës bujqësie dhe kërkonim të hapnim kanal apo pus për të siguruar ujë për vaditjet në bujqësi. Për të siguruar fshehtësinë e plotë ne nuk kishim marrë asnjë punëtor operativ të zonës ku vepronim, se kuptohej që nuk ishte punonjës bujqësie por i Sigurimit. Kështu shkuam që të nesërmen në mëngjes si erdhi Alfred Moisiu dhe filluam nga puna. Ne si punëtorë i jepnim lopatës dhe kazmës që ç'të të them. Po bënim qilizmë dynjanë.
Pse, nuk ishte në gjendje aparatura xheniere për të diktuar radion që ishte fshehur nën tokë?
Ishte dhe shumë bile. Mirëpo ajo kishte aftësi që të jepte sinjal për çdo copë metali që ishte nën tokë, qoftë dhe për një gozhdë. Kështu që ne, pas çdo sinjali që jepte aparatura, detyroheshim që të bënim gropa të thella dhe kur nuk gjenim gjë, vazhdonim kërkimin diku më tej.
E kishit të përcaktuar në cilën pjesë të bahçes ishte futur radioja?
Po, por nuk po e gjenim dhe po humbisnim kohë. Në këtë punë, duke bërë gërmime me metra të tëra, na zuri pasditja. Alfred Moisiu pas kësaj pune, duke parë dhe rezultatet e deri atij momenti, konkludoi në mënyrë tepër profesionale, duke na bërë të ditur që ta ndërprisnim menjëherë punën se radio në atë vend nuk kishte.
Dhe ju e latë punën?
Patjetër. Ndihma e Moisiut ishte që, pasi u bind mirë, na dha mundësinë që të mos humbisnim më kohë, që për ne ishte shumë e çmuar në ato momente.
Çfarë bëtë pas kësaj?
Në këtë situatë, na erdhi një ndihmë tjetër nga një informatori ynë. Konfirmuam se ndërlidhjen me Asfalinë greke, shefi i grupit, Jani Zoga, e mbante duke u takuar dhe fizikisht, pasi kalonte kufirin duke shfrytëzuar detyrën që kishte. 




Mark Dodani: Në '59-ën zbuluam në Devoll, grupin agjenturor të Asfalisë greke
Nga Fatos Veliu

Zoti Dodani. E ndërpremë intervistën e numrit të kaluar në momentet kur Zef Ndue Doda, - i futuri juaj në radhët e bandës së Ndue Bajraktarit me kodimin “Gjimnazi”, - i shpëtoi vetëm për fat vdekjes së padiskutueshme që iu përgatit duke e lidhur pas trungut që digjej me tërbim. Si vijoi më tej ngjarja, si shpëtoi falë mendjemprehtësisë, me mënyrën si u përgjigj?
Ishte çasti më tragjik i jetës së tij, pasi kuptoi se ishte pikasur dhe se nuk kishte shpëtim nga zjarri që dalëngadalë po e përpinte të tërë lisin ku ishte i lidhur. Në moment, siç jua shpjegova dhe nga numri i kaluar, ai duke mos e humbur toruan, ia ktheu Ndues: “Aaa, e keni fjalën për rastin që më ngarkuan detyrën Bardhok Biba, Pjetër Lufi dhe Zoi Themeli!? Po more, këtu nuk ka ndonjë gjë që nuk shkon. Ata me të vërtetë më kanë thënë që t’ju shërbeja, por varet se, a e pranova unë, dhe më shumë për këtë kam ardhur, që t’ju tregoj çfarë po ndodh rreth jush. Nuk jam gjë unë, por të dini ju sa ‘Gjimnazër’ keni rreth vetes, do të çuditeshit. Po t’i digjnit të gjithë nuk do t’ju mjaftonin lisat”. Pas këtij çasti, Ndue Bajraktari dhe Dod Mark Gjoka, të çoroditur nga sa dëgjuan, dhanë urdhër të zgjidhej menjëherë. Ishte momenti kur digjej trungu pas duarve të Zefit. Kështu, për punë sekondash, ai shpëtoi nga vdekja. Ndërkohë ai e kuptoi se njerëzit e bandës dhe vetë Ndue Bajraktari, kishin informacion të plotë për detyrën që i ishte ngarkuar atij. Pra nuk kishte asnjë mëdyshje se nga dikush ishte tradhtuar.
Megjithatë Ndue Bajraktari, pasi e zgjidhi Zefin i tha që të rrinte me të tjerët dhe do të shikohej më vonë qëndrimi i tij me bandën. Kjo do të thoshte se ai nuk i kishte shpëtuar akoma telashit nëse ishte njeri i Sigurimit. Pra nëse ishte vërtet ashtu siç pretendonte ai, se nuk e kishte pranuar “ofertën” e Bardhok Bibës. Pas kësaj, Ndue Bajraktari u largua po me të njëjtin nxitim që erdhi, ndërsa gjithë të tjerët rrinin në kaçube të veçanta, duke pritur një ushqim karakteristik që përdornin kur ishin në male, që quhej pulendër e që po vlonte në kazan.
Dhe Zefi, ashtu si të tjerët, priste pulendrën që të ziente. Nuk e jepte veten, se binte në sy. Mendonte me veten se kush mund ta kishte tradhtuar. Kishin dijeni vetëm tre vetë për misionin e tij: Bardhok Biba, Zoi Themeli dhe Pjetër Lufi. Këtë duhej ta gjente patjetër, se ndryshe ishin punët pisk. Truri i tij i vënë në aktivitet të plotë në ato çaste, mendoi një zgjidhje të mirë për të zbuluar të vërtetën. Për këtë zgjodhi që të përdorte një nga banditët, të quajtur Ludovik Saraçi.
Pse pikërisht zgjodhi Ludovikun?
Sepse ai ishte personi më i përshtatshëm për të rënë në grackë, se ishte njeri me shkollë dhe nuk i dinte mirë hilet e banditëve.
Si veproi me të?
Ndërsa ndahej pulendra e porsa gatuar, Zefi mori pjesën e vet dhe si me lezet po kërkonte një vend ku mund të ulej. Në çast, sytë gjasme i shkuan vetë te një kaçube e shmangur, në të cilën rrinte i strukur, duke u mbështjellë me kapotë, Ludovik Saraçi. Duke pasur ushqimin përpara dhe duke u strukur që të mos ftohej, bashkë me Ludovikun hapi bisedën si tepër rastësisht: “Ore Ludovik, e pe çfarë thashethemnaje hapin komunistët? Po na detyrojnë të vrasim njëri-tjetrin sa që nuk besojmë fare. Por këtë gjë unë do ta zgjidh shumë shpejt”. “Eh, - ia ktheu Ludoviku, - kanë ardhur kohë të këqija. Janë bërë të gjithë të pabesë”.
“Të drejtë ke ti or zotni Ludovik. A e di se mua më shkoi mendja për ta vrarë atë që është strumbullari i gjithë punëve të këqija që na ndodhin neve?! Dhe ky është Pjetër Lufi, nuk e vë në dyshim fare. Këtë që nuk bëra atëherë, do ta bëj nesër, kur ai të vijë, siç kam marrë vesh. Ky është momenti më i mirë e me këtë rast jap edhe një provë të madhe përballë Ndue Bajraktarit dhe të gjithë juve, që ju kam si vëllazën”.
Pse tha pikërisht për Pjetrin?
Sepse mendja e tij i thoshte se do të ishte Pjetri ai që e kishte tradhtuar. Thjesht futi në veprim logjikën, për të pritur reagimin e Ludovikut.
Si reagoi Ludoviku?
Ashtu siç e mendoi Zefi. Sa përmendi emrin e Pjetër Lufit, Ludoviku u hodh përpjetë sikur ta kishte mbërthyer grenxa, duke thënë: “Jo, jo Pjetrin, se ai është njeriu ynë. Po të mos kishte qenë ai, ne do të na kishin fshirë komunistët”.
“Mirë pra, do të vras Bardhok Bibën”, - vijoi Zefi. “Atë po”, - ia ktheu Ludoviku me atë naivitetin e tij karakteristik. Nga kjo Zefi e mësoi saktësisht se Pjetër Lufi, që kishte fituar besim të madh te Bardhok Biba dhe ishte ngarkuar me detyrën e shefit të Punëve të Brendshme të Mirditës, s’ishte gjë tjetër, por agjent i bandave të maleve në radhët e komunistëve.
E njoftoi Bardhokun?
Menjëherë. U nis që atë natë, sikur do të shkonte të vriste njërin nga drejtuesit e komunistëve për të dhënë prova, siç ishte ngarkuar. Pas kësaj përfundoi në shtëpinë e Bardhok Bibës, ku i tregoi gjithçka.
Kush ishte kundërveprimi i Bardhok Bibës?
Arrestoi menjëherë në fshehtësi të plotë Pjetër Lufin, duke e zëvendësuar me Sulejman Malokun. Për të mos u marrë vesh kjo gjë dhe banda e Ndue Bajraktarit të mos mësonte se Zefi kishte raportuar, kështu që do të ndryshonte qëndrim, hapën fjalë që të nesërmen, se Pjetër Lufi është dërguar në një specializim për disa kohë. Pas jo më shumë se 24 orësh, që i bie natën tjetër, si kish ikur Zefi për t’i treguar Bardhokut, u rrethua gjithë vendi ku ishte përqendruar banda. Forcave të ndjekjes dhe atyre të policisë që merrnin pjesë në aksion, u printe Sulejman Maloku, i cili zëvendësoi Pjetër Lufin.
E dinin saktësisht vendndodhjen e bandës?
Të thashë e dinte Zefi, se ata e prisnin të kthehej pas vrasjes që i kishin ngarkuar. Kështu që, në mesnatë, ishin të rrethuar të gjithë. Afër mëngjesit filloi beteja e rreptë. Deri në të gdhirë, kur ishte zhvilluar 4-5 orë luftë, u eliminua e gjithë banda. Nuk mbeti me sa di unë asnjë njeri i gjallë.
Sa vetë mund të kenë vdekur?
Duhet të kenë vdekur 21 vetë nga të bandës.
Po nga forcat e ndjekjes, a është vrarë njeri?
Nuk di të jetë vrarë njeri.
Po Ndue Bajraktari vetë, a u vra?
Jo, por siç dihet, - nuk e di sa është e vërtetë, - ai nuk ndodhej atje atë natë, se iku që në darkë, pasi zgjidhi Zefin nga pema që po digjej.
Ç’bëri Ndue Bajraktari kur mësoi këtë rreng të Zefit?
U tërbua fare. Më pas mori dhjetë-pesëmbëdhjetë shokë të bandës dhe i veshi si forcat e ndjekjes, me grada, dhe shkoi në shtëpinë e Zefit, për ta kapur të gjallë. Por meqenëse nuk e gjeti në shtëpi, i mori të ëmën, e lidhi bashkë me babain e tij dhe i vrau vetëm babain. Pas kësaj i dogjën shtëpinë.
Pse u veshën si forcat e ndjekjes, kur në të vërtetë ishin banditë?
Që të hapnin fjalë se shtëpinë Zefit po ia digjnin forcat e ndjekjes, për faktin se ishte bashkuar me banditët. Thjesht, që të hapnin panik për forcat e ndjekjes dhe Zefin ta fusnin në shumë konflikte. Por çështja u sqarua shpejt.
Zoti Dodani. Le të kalojmë në një episod tjetër, subjekti i të cilit më ka tërhequr shumë vëmendjen. Fjalën e kam te ngjarja e grupit të Korçës, i cili bashkëpunonte me agjenturën greke, ku kreu i grupit ishte vetë shefi i sigurisë së kufirit shtetëror. Ju lutem, mund ta sillni sërish në vëmendje atë ngjarje?
Ka qenë viti 1959. Në zyrën e Kadri Hazbiut vjen një informacion misterioz dhe tepër alarmant. Në zonën e Devollit kishte të dhëna se Asfalia (zbulimi i fshehtë grek) kishte organizuar një rezidenturë të sofistikuar kundër pushtetit popullor.
Nga u sigurua një informacion i tillë? Ky informacion u sigurua nga kundërzbulimi i rrethit të Korçës dhe iu transmetua Kadri Hazbiut nga vetë Kryetari i Degës së Punëve të Brendshme të rrethit të Korçës, Jani Naska.
Çfarë është rezidentura?
Rezidentura përbëhet nga një grup njerëzish të pacaktuar në numër (pra si sasi), që kanë të njëjtin qëllim, duke i shërbyer në mënyrën më të kamufluar, brenda një organizimi absolut, një shërbimi të huaj. Individët e kësaj organizate kaq të fshehtë apo rezidenture, siç quhet profesionalisht në gjuhën e shërbimit sekret, funksionon në mënyrë të tillë që, asnjë anëtar i saj nuk e njeh shokun e vet dhe se ai nuk di shumë të dhëna për numrin e përgjithshëm të anëtarëve. Akoma më shumë, që anëtarët e organizatës nuk kanë të drejtë të komunikojnë me askënd në lidhje me detyrën e tyre, madje as me padronët të cilëve u shërbejnë. Ata kanë të drejtë (secili më vete) të komunikojnë vetëm me rezidentin ose shefin siç mund të quhet, dhe vetëm ai komunikon me shërbimin e huaj të cilit i është betuar. Në rastin konkret, shefi lidhej me shërbimin sekret grek ose Asfalinë.
Nga sa personazhe përbëhej konkretisht rezidentura e Devollit sipas informacionit që morët?
Ka pasur aty te 7-8, apo dhe dhjetë veta. Ndërkohë që në informacionin e siguruar nga kundërzbulimi i Korçës, bëhej i ditur një fakt që për ne ishte tepër i rëndësishëm. Ky ishte fakti se informacioni i siguruar kishte arritur që pak a shumë të kishte edhe të dhëna për rezidentin.
Kush ishte rezidenti i atij grupi sipas informacionit që ishte siguruar?
Mësohej të ishte vetë komandanti i kufirit të zonës së Braçanit në Devoll, i quajtur Jani Zoga. Po ashtu, diheshin edhe emrat e dy prej anëtarëve të atij grupi, që ishin pikërisht Zenel Tarolli dhe një farë “Muçeli”. Këta njerëz që ishin në shërbim të kësaj organizate në dispozicionin të Asfalisë greke, paguheshin ndërkohë me rroga tepër të majme nga ai shërbim, duke marrë dhe rrogën në punën që kryenin në Shqipëri sipas vendeve të punës që kishin.
Pra ishin në lojë të dyfishtë?
Po, e vërtetë. Ata ishin në lojë të dyfishtë. Dhe nga shteti i tyre merrnin rrogë se ishin në marrëdhënie pune, ashtu siç merrnin dhe nga shërbimi që i bënin Asfalisë greke.
Si u bë i mundur ky informacion kaq konspirativ?
Sipas të dhënave tona, ai informacion aq i vlefshëm për punën tonë, ishte siguruar nëpërmjet një agjenti të Sigurimit që kishte mundur të depërtonte në radhët e këtij grupi, por që gjithsesi nga mënyra misterioze si funksiononte ai, agjenti ynë pak mundësi kishte që të merrte të dhëna të plota. Jo vetëm kaq, por edhe këto të dhëna nuk kishin garancinë e duhur për vërtetësinë e tyre. Çdo gjë duhej bërë e matur dhe në konspiracion absolut, për t’u shpëtuar skandaleve dhe që të mos i jepnim mundësi grupit të merrte masa mbrojtjeje, se në këto raste mund të dështoje kur të doje. Gjithsesi, në detyrën funksionale që kryente, shefi i Degës së Punëve të Brendshme të rrethit të Korçës, Jani Naska, arriti në mënyrën më urgjente drejt e në zyrën e Kadri Hazbiut.
A e mori seriozisht informacionin e marrë Kadri Hazbiu?
Jo vetëm që e mori shumë seriozisht, por siç e kishte zakon në kësisoj rastesh tepër të vështira dhe shumë urgjente, ai vuri menjëherë në shërbim memorien e tij për të përpiluar në moment një plan të hollësishëm për t’iu përgjigjur situatës së krijuar me emergjencën dhe operativitetin e duhur.
Konkretisht?
Në këto çaste, Kadriu më thërriti dhe mua, ku më ngarkoi me detyrë që të shkoja në Korçë për të ndjekur operacionin sekret që do të ndërmerrej aty, pra, për ta ndjekur nga afër të gjithë situatën e krijuar, pasi operacionin do ta ndërmerrnin organet e shërbimit tonë në Korçë, ku ishte krijuar dhe situata.
Ku ishit juve për momentin?
Unë saktësisht në atë kohë kam qenë specialist në Drejtorinë e Sigurimit në Ministrinë e Punëve të Brendshme. Prandaj dhe u ngarkova nga ministri Hazbiu për të ndjekur problemin në vend.
Si vepruat pas këtyre masave?
Filluam të zbatonim në kohën e duhur, planin e hartuar në moment nga Kadri Hazbiu, pasi ai kishte aftësi të jashtëzakonshme për të vlerësuar situatat dhe për të dhënë udhëzimet mbi to, me një operativitet të mahnitshëm për çdo situatë, sado e vështirë që të ishte. Ka qenë vetëm mendja e Kadri Hazbiut që ne, të gjitha strukturat e Sigurimit, kemi njohur në të shumtën e rasteve fitore të mëdhaja, madje dhe shumë emocionale. Kështu dhe në këtë rast. Pasi na shpjegoi me detaje të gjithë procedurën mbi të cilën duhej të organizonim aksionin, ai na uroi sukses dhe gjakftohtësi. Unë me Jani Naskën, që kishte ardhur nga Korça, u nisëm pa humbur kohë për në vendin ku ishte krijuar situata.
Nga e nisët punën saktësisht?
Tani që po të flas unë, mund të të duket si diçka e thjeshtë dhe mund të mendosh se mund t’ia dalësh mbanë menjëherë. Por jo. Vështirësia e parë është verifikimi i informacionit të marrë. A ka gjë të vërtetë në këtë mesele, apo mos është ndonjë dyshim i kotë, që pastaj të na çojë në skandale? Megjithatë, duke ndenjur pa gjumë dhe duke vlerësuar fakte dhe të dhëna dhe duke i krahasuar apo stërkrahasuar me njëra-tjetrën, si dhe duke vënë në përdorim disa agjentë të cilët punonin me një gjakftohtësi dhe me orare të pandërprera, arritëm që brenda disa ditëve të evidentojmë saktësisht se shefi i kësaj organizate ishte, - ashtu siç kishim informacionin, - vetë komandanti i postës së kufirit, Jani Zoga. Kjo do të thoshte se paskësh një organizatë, megjithatë për të shkuar te përfundimi i duhur nuk duhej të mjaftoheshim me kaq. Më tej, me një konspiracion të jashtëzakonshëm evidentuam një e nga një të gjithë anëtarët e grupit (rezidenturës).
I arrestuat?
Absolutisht jo. Në punën tonë vlerësohen të gjithë elementët para se të bëhet veprimi i fundit. Ne, megjithëse i kishim konstatuar anëtarët e tij, vepronim me mjeshtëri, duke mbledhur fakte të tjera dhe për të zbuluar elementë të tjerë.
Ku e kishit qëllimin, kur shumë kollaj mund t'i arrestonit?
Donim të konfirmonim se si funksiononte dhe me çfarë merrej. Shumë gjëra ne i merrnim kur objektet tona, që në këtë rast ishte grupi që i shërbente zbulimit grek në dëm të republikës sonë, ishin në veprim të pandërprerë. Kështu që ne arritëm, pas një jave pa gjumë dhe me stres të madh, të merrnim një informacion tjetër për anën financiare që kishte në dispozicion grupi. Gjithashtu saktësisht mësuam se misioni i tij ishte që të lidhej me Asfalinë për të bërë të mundur që në Shqipëri të vinin diversantë për të kryer veprimtari antishqiptare. Këtë gjë e bënin në këtë mënyrë: Lidheshin fillimisht me padronët e tyre jashtë dhe pasi niseshin agjentët grekë për të hyrë në Shqipëri, grupi në fjalë merrej me dokumentacionin fals me të cilin i pajisnin dhe i instruktonin për mënyrën e të vepruarit këtu, për të mos rënë në sy të askujt deri në zbatimin e detyrave të kryera.
 


“12 prill 1950, Pal Melyshi u breshërua nga ushtarët e Kadri Hazbiut”
Nga Fatos Veliu
Zoti Dodani. Do të doja, në intervistën e numrit të sotëm, të ndaleshim në atë ç'ka ndodhur me mikun tuaj të ngushtë në atë kohë, Pal Melyshi. Si ka nisur historia e tij në shërbim të Sigurimit të Shtetit?
Ka qenë viti 1950, kur Pal Melyshi, i zhytur në një urrejtje të madhe për vrasjen e Bardhok Bibës nga bandat e "Komitetit të Maleve", donte të hakmerrej me patjetër. Për këtë ka shkuar menjëherë te Mehmet Shehu dhe i ka kërkuar me insistim që të lejohej nga Ministria e Brendshme të futej në bandë. Nuk mund të rrinte dot më. Bardhok Bibën e kishte dashur jashtë mase dhe vrasja e pabesë e tij e kishte irrituar shumë. Pas kësaj, Ministria e Punëve të Brendshme, e drejtuar në atë kohë nga Mehmet Shehu dhe Kadri Hazbiu, vendosi që të dërgojë Pal Melyshin brenda bandave të maleve. Atij iu vendos pseudonimi "Furtuna".
Përse duhej të shkonte jashtë shtetit në periudhën që u vra?
Sigurimi shqiptar po shikonte shumë larg atëherë. Kishte njerëz të vendosur dhe të përkushtuar, dhe ishte me fat që kishte në drejtim një njeri si Kadri Hazbiu, me synime dhe ambicie për t'iu përkushtuar shtetit dhe jashtë mundësive të veta. Kështu, urdhri për "Furtunën" ishte që të krijonte besim te bandat dhe të mundësohej dalja e tij jashtë shtetit, ku të dërgonte të dhëna që nga jashtë. Këtë, sipas porosive të Kadriut, e arriti me të vërtetë. Ai në një moment u thirr nga Komiteti "Shqipëria e Lirë", e ndodhur në Paris. Kjo dihet, që Komiteti i Parisit ishte qeveria e përgatitur në emigrim, e cila koordinonte punën e bandave brenda Shqipërisë dhe të diversantëve që përgatiteshin dhe hidheshin nga jashtë. Kjo ishte një fitore jo vetëm për Palin, që kishte siguruar një besim të madh mes bandave dhe komandantëve të tyre, por edhe për Sigurimin e Shtetit, që elementi i vet po bënte aq shumë.
Në ato momente e ngarkoi Kadri Hazbiu për të dalë jashtë shtetit?
Pak kohë para se të vritej. Se kur u vra, ishin tamam çastet kur Pal Melyshi ishte nisur për jashtë shtetit. Ai u paraqit te Kadri Hazbiu, se kështu bënin njerëzit e Sigurimit, disa rrinin si banditë, disa gjendeshin në takimet me kuadrot e lartë të shtetit të atëhershëm. Kadriu tekstualisht i ishte shprehur: "Ti i dashur 'Furtuna' nuk je llogaritur për këtu, midis këtyre bandave, prandaj, mundohu të krijosh besimin e këtyre bandave ku je futur, kundër të cilëve ti nuk do të bësh asnjë veprim, bile në raste të caktuara përpiqu të mbrosh dhe jetën e tyre, sepse ti nuk je për të vrarë njerëz, por për t'i shpëtuar ata". Pastaj e pyeti për të dërguarin tjetër të Sigurimit në bandën ku ishte "Furtuna". "A u njohe me Preng Mark Stojanin?". "Po. Mësova që është 'Gjethi i Kuq'". Që do të thoshte se ishte i Sigurimit dhe nuk duhej të ngatërrohej me banditët e tjerë. Atëherë ndërhyri sërish Kadriu: "E kemi instruktuar 'Gjethin e Kuq', se përpara çdo operacioni që do të bëjnë forcat tona kundër bandave, në të cilat jeni radhitur dhe ju, ai,("Gjethi i Kuq") e ka komandantin e vet brenda në bandën ku është futur.... Komandanti yt, - i thamë, - e ka pseudonimin "Furtuna", prandaj kushdo që të të prezantohet me këtë pseudonim, do t'i vihesh menjëherë nën komandë. Kështu, i dashur "Furtuna", ai pret që ti të paraqitesh dhe të vihet nën komandën tënde. Aty ke edhe grupin e "Gavetës", që janë 4 veta. Po ashtu dhe atyre mjafton t'u thuash që je "Furtuna" dhe menjëherë do të të vihen nën komandë. Tani ti në një moment të përshtatshëm duhet të ikësh për të kaluar kufirin. Nuk duhet të harrosh që sa të nisesh, të lësh njoftim në "Pikën e Heshtur" dhe në "Pikën Rezervë". Kjo të bëhet që të na lësh itinerarin e kalimit, me qëllim që të të sigurojmë rrugën".
Si mund ta siguronin rrugën?
Pali, kur të ikte për në Komitetin e Parisit, nuk do të ishte vetëm, por me disa banditë. Mirëpo, duke ditur Sigurimi itinerarin e kalimit të tij, do të tërhiqte forcat e ndjekjes apo të mbrojtjes së popullit, si i quanin në përgjithësi atëherë, në rrugën që do të kalonin ata, pasi mund të binin në përpjekje dhe të eliminoheshin.
Kush kishte dijeni për "Furtunën"? Vetëm Kadri Hazbiu. Kisha kërkuar disa herë të njihesha, por nuk më kishte dhënë mundësi Kadriu. Ishte momenti që "Furtuna" nuk duhej të njihej nga asnjëri, se nuk kishte ardhur situata e nevojshme.
Ju nuk e njihnit fare Pal Melyshin, i quajtur "Furtuna"?
Si nuk e njihja? Por jo si "Furtuna", por si Pal Melyshi. Unë e kisha shumë shok dhe nuk e dija që ishte i dërguari ynë në banda. Dija që kishte ikur me të vërtetë. Madje atij i ishte internuar dhe familja për këtë gjë, që të mos e kuptonin bandat që ishte i dërguar i Sigurimit. Mirëpo këto gjëra bëheshin kaq të sakta dhe kaq sekrete, saqë nuk kishim kuptuar gjë fare as ne që mbaheshim si tepër të besuar të Sigurimit. Madje më kujtohet, pasi kishte vdekur Pal Melyshi, unë i kërkova sërish Kadriut që të më takonte me "Furtunën", për të më ndihmuar në koordinim të veprimeve. Kadriu në atë moment u çua në këmbë dhe u skuq. Nuk do ta harroj kurrë atë moment. Ai më shikonte në sy dhe ndërkohë nga sytë e tij dallova lëngëzim lotësh, gjë që nuk e kisha konstatuar herë tjetër. Duke vazhduar të më shikonte me vëmendje, se e dinte që unë Palin e kisha pasur shumë shok, m'u drejtua: "Mark, ai nuk është më. Na u vra në përpjekje me forcat tona". "Dhe kush është?", - ia ktheva unë. "Mark, pas "Furtunës" është shoku yt, Pal Melyshi!". U gjenda keq. Nuk ishte e lehtë ngjarja që po merrja vesh.
Si u vra, kur ishin përcaktuar dhe ishin marrë të gjitha masat?

Ajo ndodhi në mënyrën më të papritur. Pas disa ditësh, si u takua me Kadri Hazbiun, Pali u nis për të ikur jashtë shtetit. Meqenëse nuk kishte lindur nevoja, ai nuk ishte prezantuar as me "Gjethin e Kuq" dhe as me "Grupin e Gavetës". Mirëpo momenti kur do të ikte Pali nga banda, do të ishte dhe momenti për forcat e shumta të ushtrisë dhe të forcave të ndjekjes, për të goditur dhe asgjësuar bandën. Kështu, sa u nis "Furtuna", sipas porosisë së Kadri Hazbiut, shkoi në "Pikën e Heshtur" dhe në "Pikën Rezervë" për të lajmëruar ikjen dhe itinerarin e lëvizjes që do të bënte deri në kufi.
Dinte gjë "Furtuna", se pas ikjes së tij do të sulmohej banda nga forcat ushtarake që kishin kohë që e mbanin në vëzhgim, duke pritur vetëm urdhrin për sulm?
Absolutisht jo. Në Sigurim dihen vetëm ata që do të të takojnë dhe jo gjithçka. Kështu, ndërsa Pali u largua, nga ana tjetër po merreshin masat për sulm. Por e veçanta ishte se brenda bandës ishte dhe "Gjethi i Kuq" dhe "Grupi i Gavetës", që ta thashë disa herë se ishin të Sigurimit. Ata do të mbroheshin në një formë të tillë, që do të zinin një guvë të përcaktuar më parë, menjëherë sa të fillonte sulmi nga jashtë. Ndërkohë, forcave të ndjekjes do t'u thuhej që të mos qëllonin në drejtim të guvës dhe kështu mund të shpëtonin.
Dinin gjë ushtarët, që kishte njerëz të Sigurimit në bandën që do të qëllonin?
Absolutisht jo. Si mund të thuhej një gjë e tillë? Madje jo vetëm kaq, por këta njerëz që ishin brenda bandës, nuk mund të largoheshin dhe nga banda, sepse kishte rrezik të ndonjë dekonspirimi të planeve dhe pastaj pësohej shumë keq. Kështu që, e vetmja mundësi ishte që të vendoseshin në një vend të paracaktuar dhe duke mos u qëlluar në atë drejtim. Megjithatë, atë ditë që iku Pal Melyshi, u mor vendim që ndaj të gdhirë të sulmohej banda nga forcat e mbrojtjes. Kjo do të thoshte që banda të shfarosej fare. Për të garantuar dhe një herë efikasitetin e goditjeve dhe për të mos dëmtuar njerëzit e Sigurimit, Kadri Hazbiu dërgoi urdhrin urgjent që të evidentohej dhe një herë emër për emër prezenca e bandës. Këtë detyrë e kishte "Gjethi i Kuq". Nuk zgjati shumë dhe lista me emrat e bandës, e bërë dhe e firmosur nga "Gjethi i Kuq", u vendos në vendin e fshehtë të ndërlidhjes. Informacioni i marrë nga "Pika e Heshtur" dhe "Pika Rezervë" (ku Pali kishte lënë njoftimin e ikjes) nëpërmjet oficerit Sotir Vaso dhe informacioni që dërgonte "Gjethi i Kuq", ku në vendndodhjen e bandës së Preng Dod Gjinkeqit mungonte emri i Palit, ndërkohë që ishte ai i kushëririt të parë të tij, Mark Melyshit, përputheshin. Pra Pal Melyshi ("Furtuna") ishte larguar.
U qëllua banda e Preng Dod Gjinkeqit? Ishte dhënë urdhri që të veprohej menjëherë ndaj bandës. Në këtë kohë ishin sinjalizuar dhe forcat klandestine të Sigurimit, të cilat do të futeshin në guvën që nuk do të kishte fuqi goditjeje nga forcat e ndjekjes. Ishte nata e 11 prillit duke u gdhirë 12 prill 1950. Banda në fjalë që do të goditej atë natë, e cila drejtohej nga Preng Dod Gjinkeqi, u rrethua në zonën e Ujlurthit. Mirëpo në këto momente, kur ishte errësuar plotësisht, u kthye sërish Pal Melyshi. Jemi në natën që do të goditej banda dhe Pali nuk dinte gjë. Mirëpo nuk dinin gjë as njerëzit e Sigurimit që ai ishte kthyer në bandë, pasi, sipas informacionit të dyfishtë që shpjeguam më lart, njëri prej të cilëve ishte i vetë Palit, dihej i ikur.
Pse u kthye? Gjatë rrugës për jashtë shtetit kishte marrë vesh se nga banda e tij do të vriteshin në fshatin Sheshe (Mirditë) dy shokë, që do të shkonin nga Komiteti i Partisë. Njëri ishte i deleguari nga Tirana dhe tjetri ishte ai që kishte zëvendësuar Bardhok Bibën (Sekretari i Parë i Partisë), që quhej Gjon Gjoni. Mirëpo Pali, si rezultat i vrasjes së Bardhok Bibës, kishte dashur të shkonte në mal. Ai nuk donte të përsëritej më drama e Bardhokut. Kështu që u kthye menjëherë, që të evitonte apo të sabotonte vrasjet.
Ç'ndodhi kur u kthye? Sa e pa "Gjethi i Kuq" (që Pali e njihte për kë punonte), i tha: "Po ti Pal Melyshi, ç'do këtu? Ti sikur ishe nisur?". "Pse, të prish ndonjë punë ty?", - ia ktheu Pali. "Gjethi i Kuq", megjithëse nuk e dinte që ai ishte pikërisht "Furtuna", prapë sikur pati një parandjenjë për të. Por ai mbante përgjegjësi për raportimin e prezencës së bandës që kishte dërguar te Kadri Hazbiu nëpërmjet Gjolek Aliut dhe Mëhill Stojanit. Rrugë tjetër nuk kishte, vetëm të pritej sulmi.
Filloi?
Në orën e caktuar që i binte afër mëngjesit, u bë goditja e fuqishme dhe e gjithanshme nga forcat e ndjekjes. Pas kësaj, "Gjethi i Kuq" u vërsul për te guva e përcaktuar. Pas tij u lëshua Pali (kemi parasysh se Pali e njihte "Gjethin"). Nga kjo, ai kuptoi se mund të ishte Pali "Furtuna". Breshëritë ishin të papërballueshme. Pa arritur mirë te guva, Pali u godit disa herë. Atëherë "Gjethi" doli për ta tërhequr me të shpejtë, por nuk mundi pa i marrë dhe nja dy-tre plumba për vete, por për fat të mirë nuk ishte goditur në vende të rrezikshme të trupit. Pas dy orësh zjarr të dendur, beteja mbaroi. Ndjekësit lanë të vdekur në vend 12 veta, ndërkohë që kishte vdekur dhe Pal Melyshi. Shpëtuan të gjallë vetëm "Gjethi i Kuq", që ishte Preng Mark Stojani dhe një bandit që quhej Luk Perzefi, që di se ka qenë në Amerikë. Madje atë e kam pasur shok fëmijërie dhe në shkollë gjithashtu. Tani thotë që "Mark Dodanit i kam shpëtuar vetëm unë". Se m'i veshin mua çdo gjë tani. Ti e di, ngjarjet kthehen në legjenda (qesh me të madhe). Unë isha vetëm një anëtar i Shërbimit Sekret të shtetit tim, por gjithë ky shërbim përbëhej nga shumë shokë.
Po "Grupi i Gavetës"?
Kishte disa ditë që ishte tërhequr nga Sigurimi i Shtetit dhe ishte caktuar në banda të tjera.
Çfarë ndodhi me familjen e Palit?
Vazhdoi të jetonte në internim. Siç të thashë që në fillim, ishte internuar në Tepelenë dhe më pas u internua në "Pus të Mezinit", në Vlorë.
Po a u shpall hero ai!?

Jo në ato vite kur u vra, por më vonë. Kështu, kur u vra Pali, ishte pranvera e vitit 1950. Ai u varros me ceremoni të fshehtë dhe jo publike. Gjithsesi, u mbulua nga ne shokët e Sigurimit me flamurin kombëtar.
Pse të fshehtë?
Nuk donim të dekonspironim planet e Sigurimit në radhët e bandave. Loja e nisur prej kohësh, vazhdonte. Kur do të vinte momenti, ai do të rehabilitohej. Dhe me të vërtetë, pas 7 vjetësh si u vra (që nga prilli i 1950-ës), pikërisht në vitin 1957, çështja e Palit u legalizua dhe të gjitha veprimet u popullarizuan. Ai u nderua me dekoratën e lartë "Hero i Popullit".
Po familja?
U rehabilitua në vitin 1957. Atëherë u bënë të gjitha veprimet legale. Sigurisht, në Vlorë nuk persekutohej në atë shkallë që ishte përcaktuar për ato shtresa. Pas vitit 1957, kur u bë Pal Melyshi "Hero i Popullit", me interesimin direkt të Kadri Hazbiut, familja e tij, - nënë Dava, si dhe dy vëllezërit Leka dhe Frani, - u vendosën në Tiranë. Ndërsa motra, Maria, nuk ishte internuar, pasi ishte e martuar. Jo vetëm kaq, por Kadri Hazbiu që dinte në mënyrën më të shkëlqyer të respektonte shokët dhe njerëzit që i shërbenin atdheut, interesohej vazhdimisht për nënë Davën (nënën e Palit), të cilën e shikonte vazhdimisht, duke iu bërë si djali i saj. Emocionant ishte momenti kur varrosëm nënë Davën, ku nuk mungoi asnjë shok i Palit. Ishte shumë emocionuese. Po të kishte pasur gjallë Palin, nuk do t'i kishte bërë më shumë atë ditë.
Kur i vdiq nëna Pal Melyshit?
Nënë Dava ka vdekur në vitin 1977, pikërisht në moshën 77 vjeçe. Në atë kohë, sa e mori vesh Kadri Hazbiu, ka dhënë alarmin te të gjithë neve, shokët e Palit, që të mos ngeleshim asnjëri pa u njoftuar. Unë atë ditë kam qenë në Durrës. Kadriu, kur shkoi në shtëpinë e nënë Davës dhe pa se unë nuk isha, pyeti gruan time, Temen, e cila kishte shkuar që në fillim për ngushëllim, se ku isha. Ajo ia ktheu se nuk e dinte ku isha me shërbim atë ditë. Atëherë ai vuri në lëvizje të gjithë eprorët e mi, duke më dërguar një makinë dhe kështu u bë e mundur, që në çastet e fundit kur do të shkonim në varreza, unë munda t'i hidhja një grusht dhé mbi arkivol. Kur shkova aty, ishte një ceremoni mëse madhështore. Ishin të gjithë shokët e Palit. Veç Kadri Hazbiut, ishin dhe "Heronjtë e Popullit", Asim Aliko, Hekuran Pobrati, Rexhep Kolli, Ndreko Rino, Jorgo Sulioti, zv/ministri i Punëve të Brendshme, Frrok Pjetër Gega, si dhe gjeneralët Xhule Çiraku, Qazim Kondi, apo ish-kolegët e afërt të Palit, Sulejman Manoku, Rasim Dedja, Mëhill Doçi etj.  

 Dodani: Hysni Kapo hoqi pritën që më kishin bërë kolegët e Sigurimit
 Nga Fatos VeliuZoti Dodani. Le të përsë risim edhe një herë situatën tuaj kur ju ndiqte vetë Sigurimi i Shtetit, për të cilin kishit sakrifikuar me kokë në torbë si i thonë fjalës. Megjithëse folëm hollësisht në numrin e kaluar, gjithsesi mendoj se është e nevojshme të rinjihet momenti kur juve ishit ngujuar duke lëvizur nga baza në bazë, pasi ishit caktuar për t’u ekzekutuar.
Ashtu siç e thatë dhe juve, - ndërkohë që e kam shpjeguar mendoj shumë qartë atë situatë edhe nga intervista e ditës së kaluar, - ishte koha që unë kërkohesha me insistim të patreguar për t’u vrarë. Në një rast për shembull, më njofton një polic i Degës së Brendshme të Shkodrës, i quajtur Ndue Mark Lleshi, që më kishin vendosur pritë për të më vrarë në Qafën e Gurit. Këtë ma vërtetoi më pas dhe punëtori operativ i zonës për Vaun e Dejës, i quajtur Dulaq Lekiçi. Ky vend ndodhet në rrugën që kalon nga Laçi në Gomsiqe.
Dhe si ia arritët të shpëtonit?
Puna në organet e Sigurimit të Shtetit ishte ajo që po më jepte kaq mundësira për të shpëtuar, pasi kisha krijuar shumë miq dhe kisha informacion të bollshëm, se po të kishte qenë fjala për dikë tjetër, nuk do të zgjaste as dy ditë dhe do të hante plumbin.
Kështu, u largova urgjent. Shkova menjëherë në fshatin tim në Mirditë. Por edhe aty, për t’u ruajtur nga identifikimi dhe ndjekja, nuk ndenja shumë. Unë i dija marifetet e Sigurimit se si të ndiqte e si të kapte, si fuste bashkëpunëtorë dhe si i merrte informacionet për njerëzit që kishte në objekt. Kështu që e kisha më të lehtë që të mbrohesha. Nga subjekt i Sigurimit, befasisht e pashë veten në objekt. Ishte një komedi e dhimbshme që po luhej me mua. Pas shkuarjes në fshatin tim, lëviza menjëherë duke ndërruar fshatrat me radhë dhe duke gjetur strehim te njerëzit e familjes. E fillova që nga Bërdica, - po i pate parasysh ato fshatra, - e vazhdova në Spathar, Ganjollë e deri në Rras, Kashnjet, Dom e Gojan të Mirditës.
Pas rastit që më njoftoi polici, se më kishin bërë pritë, mora masa tepër të rrepta. Pas kësaj u bëra më i fshehtë. Dhe nga shtëpitë e miqve, që i ndërroja herë pas here, lëvizja natën. Kështu që askush s’kishte dijeni për mua, përveç njerëzve që kërkoja për informacion. Ishte situatë e rëndë. Të kërkonin ata që u kishe shërbyer me devotshmëri dhe përkushtim. Kishe futur kokën në kthetrat e vdekjes për të kryer detyrat dhe tani, ja shpërblimi!
Kishit besim se do të zgjidhej kjo situatë?
Të mos kisha, nuk mbrohesha, por gjeja një rrugëzgjidhje tjetër. Por e mendoja se kjo ishte një kundërvënie klanesh dhe njerëzish të caktuar, të cilët e ndërtonin karrierën e tyre mbi shkeljen e të tjerëve. Dhe doli ashtu siç e kisha menduar. Kishin kaluar 6 muaj plot me stres dhe frikë, kur më çeli drita e shumëpritur. Për këtë nuk e harroj dot Hysni Kapon. Ai më riktheu në jetë. Më ndryshoi drejtimin e saj dhe më bëri njeri të respektuar dhe të nderuar nga të gjithë.
Si ndodhi?
Ishte periudha e famshme kur Plenumi XI i Komitetit Qendror të Partisë, dënoi Plenumin VIII dhe goditi veprimtarinë e Koçi Xoxes. Mora vesh se në Shkodër bëhej aktivi i zgjeruar i Komitetit të Partisë së rrethit dhe i deleguar nga Komiteti Qendror i saj vinte Hysni Kapo. Gjatë këtyre ditëve kisha mësuar se nuk ishte më ai intensiteti i presionit ndaj meje. Kështu vendosa që të shkoja në aktivin e Partisë. Aty e pashë për herë të parë fizikisht Hysni Kapon. Dhe ai nuk ma kishte dëgjuar ndonjëherë emrin. Mirëpo ç’ndodhi! Pa folur unë, filluan e folën për mua ata që më kishin ndjekur. Ishin shumë naivë dhe të sinqertë për çfarë i kishin ngarkuar kundër meje. Madje njëri, që ishte sa i sinqertë aq dhe naiv, thoshte se më kishte ndjekur deri në banjë për të më kapur, që të më jepnin dënimin që më takonte. Kur i thanë se për çfarë gabimi bëhej fjalë, ai u përgjigj se kjo gjë ishte shumë e thellë dhe varej deri lart te ministri. Mirëpo ai nuk po kuptonte se Koçi Xoxe e kishte “ngrënë” dhe kjo më ndihmonte mua. Pas tij folën edhe shumë të tjerë për emrin tim, dikush shumë e dikush pak, por që Hysni Kapos po i bënte përshtypje të veçantë që po lakohesha me kaq intensitet. Kuptova nga mënyra si m’u drejtua më pas, se e kishte kuptuar që më kishin futur në një rrugë pa krye, të cilën nuk e meritoja aspak. Kështu, në një moment ai thotë: “Ore kush është ky Mark Dodani? Pa të çohet në këmbë!”. Unë menjëherë u çova në këmbë dhe i thashë se e kisha regjistruar emrin dhe se do të diskutoja. “Jo, jo, - ma ktheu ai, - ti do të takohesh vetëm me mua menjëherë pas mbledhjes. Nuk do të flasësh me asnjë tjetër”. “Shoku Hysni, - këmbëngula unë, - të paktën të flas pak sa të propozoj disa gjëra”. “Jo, jo shoku Mark, - vazhdoi ai, - të pres në orën 16.00 në takim. Do të flasim vetëm për vetëm”. Ai kishte një dashamirësi dhe një keqardhje të dukshme, për sa më kishte ndodhur mua.
E bëtë takimin?
E bëra. Ishte ora 16.00 kur shkova në zyrën e Sekretarit të Parë, Tonin Jakovës, dhe ika prej andej vetëm në orën 20.30. Pra 4 orë e gjysmë takim kokë më kokë. Ishte ai takim që të thashë më parë, që më ndryshoi jetën, pasi në labirinthet që më kishin futur, s’kishte burrë të dilte, dhe jo të dilja unë. Hysniu më dëgjoi me një vëmendje të habitshme. I shpjegova fill e për pe të gjithë jetën time dhe çfarë kishte ndodhur, që me Sekretarin e Parë të Partisë, deri dhe me Lekë Berishën apo dhe me shumë shokë të tjerë, te të cilët kishte lindur dyshimi. Më pyeti se ku kisha qejf të punoja. Ia ktheva se kisha dëshirë sikur tri ditë të shkoja në Sigurim dhe pastaj le të më hiqnin. Sa të vendosja dinjitetin në vend. Ndërkohë i tregova se kishte akoma nevojë për një amnisti, se shumë njerëz në radhët e bandave duan garanci që të kthehen pranë familjeve të tyre. Ne duhet të bëjmë shumë që ata njerëz të jetojnë, sqarova unë. Pastaj më thotë që t’i shkruaja të gjitha sa kisha folur, në një letër. Të gjitha propozimet që lidheshin për në rrugë Partie, t’ia drejtoja Komitetit Qendror të Partisë dhe kërkesën për veten time t’ia drejtoja Mehmet Shehut që ishte ministër i Punëve të Brendshme dhe zv/kryeministër (kryeministër ishte Enver Hoxha).
Vonoi rehabilitimi juaj?
Unë, si i shkrova letrat Hysniut, u ktheva sërish në bazat e mia të fshehta, se nuk i besoja askujt. Situatat ishin të turbullta. Nuk kaloi shumë kohë dhe mësoj se Dega e Punëve të Brendshme e Shkodrës më kërkonte me insistim, pasi ishte urdhëruar nga Mehmet Shehu që të më njoftonte se ai më priste direkt në zyrën e tij.
Shkuat?
Menjëherë. Aty, sa u takova me Mehmet Shehun, më përcolli e më tha me dashamirësi se kishte autorizuar të fliste Kadri Hazbiu me mua. Kadriu atëherë ishte zv/ministër për problemet e Sigurimit. Kishte gradën e Kolonelit dhe më vonë të Gjenerallejtënantit. Ai më pyeti për ato që i kisha raportuar Hysni Kapos, si dhe për disa operacione që kisha bërë me urdhrin e tij, kur isha shef i Punëve të Brendshme në Pukë. Dua të them dhe këtë, që ngela i impresionuar nga personaliteti i Kadri Hazbiut. Nuk mund ta shpjegoj dot tipin e tij: Njerëzor, autoritar, shpirtbardhë, serioz e i komunikueshëm. Ishte një gjigant i vërtetë. Unë aty kisha takimin e parë me të dhe nuk u ndava gjithë jetën, pasi ka qenë i vetmi njeri që ka mbushur me shpresë, optimizëm, këmbëngulje dhe pasion jetën time. U emërova që në atë moment në Drejtorinë e Sigurimit të Shtetit në ministri. Konkretisht u caktova specialist në sektorin e likuidimit të bandave. Drejtor kisha sërish ish-shefin dhe mikun tim që në Shkodër, Zoi Themelin, ndërsa shef të sektorit ku u caktova, kisha Idriz Seitin.



Mark Dodani: Në verën e '52-it u futëm në grupin diversionist të Zenel Shehut
Nga Fatos Veliu

Gazeta vazhdon me botimin e intervistës së rrallë të njërit prej eksponentëve kryesorë të Sigurimit komunist, 86- vjeçarit Mark Dodani, i cili i kushtoi atij gjithë jetën e vet, duke u bërë një nga njerëzit më efikasë në radhët e këtij Sigurimi.
Dodani, në interes të Sigurimit, krahas shumë njerëzve me emër të atij shërbimi, si Pal Melyshi, Idriz Seiti, Asim Aliko etj., si dhe me ndihmën direkte nga përfaqësuesi më i lartë komunist në zonën e Mirditës siç ishte Bardhok Biba, arriti vetë ose me elementët që vinte në përdorim, të hynte deri në radhët e bandave më të fuqishme dhe më të rrezikshme, të drejtuara nga "Komiteti i Maleve".
Kështu, për nëntë ditë me radhë në këtë dëshmi kaq interesante të vetë Dodanit, lexuesi i gjerë është njohur pikërisht me fakte të tilla se si ai hyri në këtë shërbim. Vrasja e babait dhe e vëllait nga bandat e këtij Komiteti, pas një aktivizimi në Kongresin e Dytë të Rinisë Antifashiste në Tiranë. Hakmarrja që vendosi ta bënte në emër të shtetit, me ndihmën e Sigurimit, duke përdorur një lojë të gjatë të miratuar që nga Tirana. Kur e dëgjoi për herë të parë emrin e Kadri Hazbiut dhe si u gjend papritur para besimit të madh që krijoi Ministria e Punëve të Brendshme të asaj kohe. Si u urdhërua të largohet nga Sigurimi, plani për vrasjen e tij nga shokët e vet të së njëjtës detyrë. Largimi në fshat për mbi 6 muaj dhe ardhja e papritur e Hysni Kapos në njërën nga aktivet e zgjeruara të Partisë në Shkodër. Si e mori situatën në dorë Hysni Kapo dhe ndryshimi i jetës së Mark Dodanit, duke u rikthyer sërish në radhët e Sigurimit.
Ndërkohë, në intervistën e mëposhtme të legjendës së Sigurimit komunist këtë herë hidhet dritë mbi radio-lojën e famshme të verës së vitit '52, "Liqeni i Vajkalit", viktimë e së cilës u bënë njerëzit më të besuar të Ahmet Zogut.
*- Fushata intensive që ndërmori Sigurimi komunist për të shtirë në dorë me çdo mënyrë vetë të shumënjohurin dhe të tmerrshmin Hamit Matjani.
*- Historia e kapjes së njerëzve të desantuar, Zenel Shehu dhe Tahir Preçi, të cilët më mbrapa u vunë në shërbimin komunist deri në kapjen e Hamit Matjanit.
*- Kush ishte i koduari "Meixhi" i dërguar nga Sigurimi special, që arriti të fitonte besimin absolut të Zenel Shehut dhe të bëhej pjesë e grupit të tij sekret.
*- Gracka që ai i kurdisi Zenelit dhe Tahir Preçit, duke e çuar në takimin e organizuar në pyjet e Bulqizës grupin më special të Sigurimit të shtetit, të përbërë nga emrat legjendë të asaj kohe, Asim Aliko, Hekuran Pobrati, Ilo Stojko, Haxhi Shurdhi, Mark Dodani etj., të cilët u paraqitën si fshatarë të zonës që ishin të pakënaqur nga regjimi i Enver Hoxhës dhe ishin gati gjoja të luftonin për përmbysjen e pushtetit.
*- Urdhrat e njëpasnjëshme të Kadri Hazbiut, i cili u paraqit si bandit mes bandës, në zonën ku pritej zbarkimi i Hamit Matjanit.

Zoti Marku, mund të na flisni për historinë e kapjes së bandës së Zenel Shehut?
Ishte koha kur ishim hedhur në një fushatë tepër intensive për t'u futur në bandën e Hamit Matjanit. Ajo detyrë ishte tepër e vështirë, pasi kërkonte që të lidheshim direkt me të. Megjithatë ne patëm takime sporadike me të, por që gjithsesi me bandën e tij arritëm të krijonim lidhje, madje të rekrutonim dhe njerëz të tij, që po na jepnin të gjitha itineraret e lëvizjeve dhe bazat ku vendoseshin ata. Më kryesorja ishte mbi të gjitha suksesi që arritëm me kapjen dhe vënien në shërbimin tonë të njerëzve tepër të njohur, Zenel Shehut dhe Tahir Preçit.
E patët të thjeshtë?
Asgjë nuk ishte e thjeshtë. Edhe kur themi shumë shkurt se kapëm këtë apo kapëm atë, ki parasysh se kjo donte kohë, nerva dhe sakrifica që po të t'i numëroj apo dhe po të t'i përshkruaj të gjitha ato peripeci që kalonim do të duheshin ditë të tëra.
Si ratë në gjurmët e Zenel Shehut?
Ata kanë qenë shumë të maskuar dhe as që na e merrte mendja se ishin në Shqipëri, ashtu siç dinim që shumë banda diversioniste diheshin që hynin dhe dilnin. Madje Zenel Shehu dhe Tahir Preçi për t'u maskuar më mirë, dërgonin dhe letra në shtëpi apo te të afërmit e tyre sikur i dërgonin nga jashtë shtetit. Ishte kombinacion i organizuar nga ata. Dhe ne me të vërtetë ishim çorientuar dhe nuk kishim dijeni që ata kishin hyrë në Shqipëri dhe vepronin me shumë kujdes këtu.
Ratë në gjurmë?
Kaluan disa kohë dhe ramë në gjurmë të një radioje që punonte për ndërlidhjen e një grupi në zonën e Dibrës. Ka qenë aty nga vera e vitit 1952. Që të mos zgjatem më shumë po e them shkurt, se pas pak kohësh, me shumë përpjekje dhe duke ushtruar profesionalizmin në një shkallë shumë të lartë, mësuam se ajo radio-transmetuese ishte e grupit të Zenel Shehut me Tahir Preçit.
Si vepruat pas kësaj?
Iu raportua urgjentisht Kadri Hazbiut. Ai na urdhëroi që të bënim të pamundurën për t'i kapur me çdo kusht të gjallë dhe në asnjë mënyrë nuk duhej të vriteshin. "Gjeni format dhe mundësitë që vetëm t'i kapni",- na tha ai. Ne më mbrapa e morëm vesh se ai e kishte hallin gjetkë. Donte të përgatiste lojën që tashmë është shumë e njohur, për të çoroditur të gjitha shërbimet e huaja, me qëllim që ata të dërgonin gjithçka që do t'u kërkonim ne. Kadri Hazbiu ka qenë i jashtëzakonshëm për kombinacione dhe për planizim operacionesh. Të mos ishte ai vështirë se do t'ia dilnim mbanë me ato situata që na paraqiteshin.
Të gjitha meritat i adresoni te Kadri Hazbiu?
Nuk kishte aksion apo operacion, nga më i thjeshti deri te më i vështiri, që të mos kishte mendjen dhe angazhimin e Kadri Hazbiut. Në do të dish, ai në të shumtën e rasteve jo vetëm që përllogariste gjithçka që me fillimin e operacionit, por në të shumtat e rasteve merrte vetë pjesë në to, duke ardhur jo një, por disa herë edhe në radhët e bandave.
Tentuat të hynit si anëtarë të këtij grupi?
Posi. Por që loja me këta vazhdoi vetëm një natë, se pastaj i futëm në grupin tonë.
Në ç'kuptim?
Ja që ne u bëmë vetëm një natë si banditë, ndërsa ata ndenjën një kohë të gjatë në radhët tona duke na treguar gjithçka, deri sa shpartalluam shërbimet e huaja, të cilat i bëmë të na dërgonin shumë ushqime, armë dhe njerëzit e rrezikshëm që ne kërkonim.
Si i kapët? Po ja. Brenda radhëve të Zenelit dhe Tahirit, ne futëm të ndërmjetësonte një njeriun tonë të Sigurimit, por që banonte në fshatrat e Dibrës, madje ai kishte pasur njohje të mëparshme me Zenelin. Ai me metodat e tij, na bëri të mundur kontaktin me ta dhe pranoi të bashkëpunonte.
E pati të vështirë?
Fillimisht po. Por më pas ishte e thjeshtë, se ata kur të besojnë, kërkojnë të të vënë në punë. Këtu dua të them, se derisa vinin në Shqipëri kishin punë të organizonin njerëz për t'i hedhur kundër pushtetit të këtushëm, me të cilin s'ishin dakord. Mirëpo ne këtë shfrytëzonim dhe hidhnim njerëzit tanë mes tyre, ashtu siç ishim futur dhe vetë në disa banda me pseudonime, madje kishim dhe detyra të larta në "frontin e gjerë" që po "organizohej" kundër pushtetit të Enver Hoxhës dhe ata punonin sikur të kishin para shokë të idealit dhe jo njerëz të Sigurimit. Kështu u veprua dhe me Zenel Shehun. Ndërmjetës te ai siç të shpjegova pak më parë, ishte njeriu ynë, "Meixhi".
E arriti agjenti juaj ndërlidhjen?
"Meixhi" ishte anëtar i Partisë Komuniste dhe kështu ishte paraqitur dhe te Zeneli, sikur ishte sekretar i një organizate të Partisë. Mirëpo ai u tregonte se nuk ishte dakord me qeverinë e Enver Hoxhës dhe priste me padurim për ta rrëzuar atë pushtet. Zenel Shehu, duke njohur në rrugë të dyfishtë dhe rrethin e tij familjar, është ndjerë shumë i kënaqur nga ky takim dhe e mbajti shumë afër. Ai kishte porosi nga Zogu I, që të bënte punë të madhe për të futur në radhët e grupit të vet sa më shumë njerëz të partisë së Enver Hoxhës. Pra, qëllimi ishte që të organizonte njerëzit e Partisë që kishte pushtetin. Në një moment, Zeneli e aktivizon që të afrojë njerëz nga organizata e Partisë së Enver Hoxhës, ku "ishte" vetë Sekretar.
Më pas?
Pas kësaj, "Meixhi" i thotë Zenel Shehut se e kishte pasur parasysh vetë një gjë të tillë, kështu kishte siguruar një kontingjent të mirë në organizatën ku drejtonte. "Sa janë?", - i kishte thënë Zeneli. "Duhet të jenë 5-6 veta që i kam të garantuar, pasi të tjerët duan dhe pak punë. Por mund të jenë dhe më shumë, megjithatë unë para se të të them, duhet të bindem dhe ta konfirmoj mirë". "Shumë mirë, - i ishte përgjigjur ai. - Mund të bëjmë dhe një takim me ta?". "Po, - i tha 'Meixhi', - caktoni orën dhe vendin dhe gjithçka në rregull".
Që të mos e zgjasim më shumë, takimi u bë, dhe aty ne i hodhëm prangat si Zenelit, ashtu dhe Tahirit.
Mund ta përshkruani atë moment?
Në këtë moment hymë në lojë ne të grupit special të Sigurimit të Shtetit. U veshëm si fshatarë dibranë dhe vendosëm të shkonim në takim për të realizuar misionin tonë. Takimin na e kishin caktuar mbi Bulqizë, në një shpat të saj, pikërisht afër "Liqenit të Vajkalit". Aty në anë të një livadhi, në hyrje të një pylli me shumë shkurre dhe gëmusha ishte një shtëpi përdhese ku nuk banonte njeri. Ajo shtëpi është dhe sot në atë vend. Ç'ta zgjasim, ne kishim shkuar në të errur, pra kur kishte rënë plotësisht muzgu.
Kush ishte konkretisht nga grupi juaj në takim?
Përgjegjës i grupit ishte Asim Aliko, pastaj vinim të gjithë me radhë: Hekuran Pobrati, Ilo Stojko, Haxhi Shurdhi, "Meixhi" dhe unë. Të gjithë ishim veshur si fshatarë dibrane dhe luanim rolin sikur ishim anëtarë të Partisë Komuniste të Enver Hoxhës, ku sekretar kishim "Meixhin". U paraqitëm si të "pakënaqur" dhe që me padurim prisnim të shporrej pushteti komunist. Nga mesnata, sipas fjalës së dhënë, me një konspiracion të plotë erdhi dhe Zeneli me Tahirin. U takuam sikur të njiheshim prej kohësh. Ai u gëzua pa masë që na kishte takuar dhe na porositi që të luftonim për të bërë për vete sa më shumë shokë nga organizata jonë dhe nga të tjera, sepse porosia e Naltmadhënisë ishte që të bënim sa më shumë njerëz të Partisë. Po kjo fjalë e Zenel Shehut, e pasuar herë pas here edhe nga ajo e Tahir Prençit, zgjati jo një e dy, por disa orë, madje deri afër mëngjesit. Nga ne flisja vetëm unë, më shumë për faktin se isha me dialektin e veriut, ndërsa të tjerët flisnin shumë pak. Ata vetëm dëgjonin, gjoja si shumë të kënaqur që kishin mundur të organizoheshin me përfaqësues të Naltmadhënisë.
Ju u paraqitët me emrat tuaj?
Jo me emrat tanë, se ata njiheshin pothuajse nga të gjithë, që ishim njerëzit e grupeve të Sigurimit. Madje, ne vetë sa herë futeshim nëpër banda, shanim veten tonë që ishim njerëz të poshtër të Sigurimit të kuq. P.sh. unë thosha për veten: "Ç'është një Mark Dodani që nuk la vend pa bredhur për të kapur banditë dhe të shkatërrojë të ardhmen tonë, por do ta gjejë ndonjëherë dhe ai atë që kërkon". Kështu që dhe te Zeneli ne ishim paraqitur si anëtarë partie, me emra të rremë. Unë u paraqita si nga Lura, të tjerët si nga vende të ndryshme të Dibrës. 

Sunday, August 5, 2012

E bija e presidentit rumun, voton pro rezolutës për Kosovën në PE

Eurodeputetja Elena Basescu, e cila është e bija e presidentit rumun, Trajan Basescu, ishte në mesin e deputetëve rumunë që e kanë votuar këtë rezolutë, shkruan gazeta rumune "Gandul".
Rumunët kanë filluar të ndryshojnë qëndrimin ndaj pavarësisë së Kosovës. Nga 33 deputetë rumunë në Parlamentin Evropian, 17 prej tyre kanë votuar për Rezolutën që u miratua ditë më parë, e ku u bëhet thirrje pesë vendeve të Bashkimit Evropian që ta njohin pavarësinë e Kosovës (Rumanisë, Spanjës, Sllovakisë, Greqisë dhe Qipros).

Eurodeputetja Elena Basescu, e cila është e bija e presidentit rumun, Trajan Basescu, ishte në mesin e deputetëve rumunë që e kanë votuar këtë rezolutë, shkruan gazeta rumune "Gandul".

Mirëpo ajo ka telefonuar në gazetë, duke sqaruar se ka qenë gabim teknik që është përmirësuar. “Nuk do ta bëja një gabim të tillë, e të votoja për pavarësinë e Kosovës, ka thënë Basescu, duke mos mundur t`i quaj të gabueshme edhe 16 vota të tjera të deputetëve rumun.

Por eurodeputetja rumune, Andina Valean, gruaja e kryetarit të partisë opozitare, Partia Nacional Liberale e Rumanisë, ka thënë se nuk ka gabuar kur ka votuar për rezolutën që bën thirrje përnjohjen e pavarësisë. Ajo ka thënë se politika e jashtme rumune është e gabuar, ashtu sikurse është i gabuar edhe qëndrimi për mosnjohjen e pavarësisë së Kosovës.

Presidenti rumun, Trajan Basescu, ka deklaruar disa herë se Rumania nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës, derisa të mos arrijnë marrëveshje për këtë pikë Prishtina dhe Beogradi.
Zmadho fotografinë
Elena Basescu
Elena Basescu
Elena Basescu
Elena Basescu
Elena Basescu
Elena Basescu
Elena Basescu
Elena Basescu
Elena Basescu
Elena Basescu

Elena Basescu
Elena Basescu